6 Dhjetor, 2018 - 9:00 pm
Nuk ka përfunduar një shkollë të artit, por punimet të cilat i bën, tregojnë se ka talent në këtë fushë.
Oborri i tij i është shndërruar në një ambient ekspozues. Punime dore nga më të ndryshmet, i kishte radhitur, duke pasqyruar kështu punën e tij prej 40 vitesh.
Është ky Fahri Luzha nga fshati Begracë i Kaçanikut, i cili këtë zanat e trashëgoi nga babai i tij. Ai ka thënë se ishte fëmijë kur kishte filluar t’i ndihmonte të atit.
“Si fëmijë kam qenë i interesuar se çfarë po punon prindi dhe i kam ndihmuar atij. Tash kam filluar edhe vet me punua në këtë punë sepse edhe mjetet i kam. Punoj zakonisht me porosi, por kur kam kohë të lirë bëj gjëra për hobi”, shprehet zdrukthëtari Luzha, përcjell Telegrafi.
Lënda e parë për këto punime, është druri, të cilën e perfeksionin aq mirë, duke krijuar objekte të ndryshme.
Qerre për kuaj, objekte të vjetra druri, që i kishin shërbyer dikur në epoka të ndryshme, janë vetëm disa nga punimet.
Ai ka thënë se, edhe pse nuk ka një interesim të madh për këto punëdore, ai i punon me shumë dëshirë, cdoherë në kohë të lirë.
“Më sfiduese është ndërtimi i rrotave nga druri për objektet që kam në oborr, sepse kërkohet punë shumë precize. Objektet që ndërtoj më marrin kohë deri në një muaj”, tregon Luzha.
Punën më të madhe e bën në punishte, aty ku fshihet i gjithë kreativiteti i veprave të tij. Me anë të veglave të ndryshme, arrin që të nxjerr në pah një art specifik, që të kthen në kohë.
Ndonëse ka 40 vite me këtë zanat, Fahri Luzha ka thënë se nuk mendon se do të ndalet, pavarësisht vështirësive që vijnë nga ky profesion.