9 Mars, 2024 - 1:15 pm
Zef Kolombi ka qenë një nga piktorët e rëndësishëm të artit realist shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka përkujtuar sot ditën e lindjes së piktorit, Zef Kolombi, gjeniun e penelave dhe ngjyrave, piktorin e dritës dhe natyrës.
“Pavarësisht se krijimtaria e tij erdhi në një periudhë të vështirë për pikturën në Shqipëri, Zef Kolombi është autor i disa veprave të vlerave të rralla, pjesa më e madhe e të cilave ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë”, theksoi Gonxhja.
Kolombi lindi në vitin 1907 në Sarajevë, ku edhe do të kalonte foshnjërinë e tij.
Në vitin 1929, nisi studimet në Akademinë e Arteve të Romës. Krahas përmbushjes së detyruar të punimeve akademike, ushtroi mjeshtrinë me realizimin e veprave origjinale, si edhe përmes riprodhimit të veprave të klasikëve. Veprat “Nudo” (1931), “Pamje nga Roma” (1931), “Grua nudo e shtrirë” (1931) , “Grua nudo e ulur” (1931), i përkojnë periudhës së krijimtarisë së tij të shpërfaqur në auditor, teksa përsoste njohuritë rreth gjinisë artistike të pikturës.
Fill pas ardhjes rishtas në Shqipëri, Kolombi realizon tablonë “Portreti i Pinës”, në pritje të emërimit si mësues i vizatimit në Shkollën Normale të Elbasanit. Trashëgimia e tij artistike përbëhet nga rreth 50 vizatime dhe piktura, mes të cilave kanë epërsi natyrat e qeta, peisazhet dhe portretet, siç vërehet në tablotë “Portret plake” (1937), “Të korrurat” (1940), “Tri rriska shalqinj” (1940), “Tufë me trëndafila” (1940) etj.
Në pikturën e Kolombit, mbizotërojnë punimet në vaj, si edhe ngjyra e kuqe, kafe, e gjelbër dhe e bardhë. Në sajë të veprimtarisë së tij kulturore të ngjeshur, Kolombi është vlerësuar me çmimet “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”. / KultPlus.com