Zef Kolombi, një piktor dhe shumë ngjyra

28 Dhjetor, 2024 - 2:00 pm

Zef Kolombi lindi më 9 mars 1907, në Sarajevë, në një familje shkodrane. Babai i tij, Gjoni, ishte pronar i një hoteli në Sarajevë, ndërsa e ëma, Stefania, ishte sllovene. Në vitin 1910 i vdes babai dhe një vit më vonë dhe nëna. Zefi në moshën 4-vjeçare, bashkë me motrën e tij Verën, kthehen në Shkodër tek gjyshja. Pas humbjes së gjyshes, për dy jetimët Kolombi kujdeset nuni i tyre, Sokrat Shkreli.

Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punoi për të mbijetuar dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës. Nëpër këto institucione arti tërheq vëmendjen e rojeve dhe disa të rinjve të cilët e ndihmojnë për t’u regjistruar në një shkollë nate. Por, e largojnë nga Italia dhe ai kthehet sërish në Sarajevë, ku punon si ndihmës-këpucëtar. Pas kësaj, ai punon tri vjet pranë një dekoratori dhe gjatë kësaj kohe ai krijon veprat e para, si dhe kopje të klasikëve. Në moshën 18 vjeçare, Zef Kolombi kthehet në Shkodër, i përkushtohet artit të pikturës ku punon edhe si nëpunës në hotelin “Grand”.

Më 1929, Zef Kolombi sërish niset për Itali, ku fillon të studiojë në akademi. Me përfundimin e Akademisë së Arteve në Romë, kthehet në Shqipëri dhe emërohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit, ku qëndroi 10 vjet. Në vitin 1936 martohet dhe ka një djalë, Julianin, ndërsa nga martesa e dytë pati djalin tjetër Gjovalinin. Vazhdon të pikturojë dhe njëkohësisht kryente detyrën e mësuesi.

Zef Kolombi ka pikturuar me materiale të tilla si beze, kanavacë, karton e kompensatë, ndërsa më së shumti vepra e tij është në vaj. Ka përdorur më shumë ngjyrën e kuqe, kafe, të gjelbrën e të bardhën. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Dy vitet e fundit të jetës i kaloi i sëmurë nga astma dhe tuberkulozi, derisa u nda nga jeta, më 23 janar 1949. /Hejza/ KultPlus.com

Të ngjajshme