11 Janar, 2018 - 3:41 pm
Kur kujtohet 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, çdo kush e ka para sysh stemën e dizajnuar nga Zeni Ballazhi, në përvjetorin më të rëndësishëm të pavarësisë njëshekullore të Shqipërisë. Sot, një gjurmë të rëndësishme të punës së tij, Zeni Ballazhi e vulos edhe në logon e re, e cila do të përdoret për dhjetëvjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Logoja e cila shoqëroi pikën e rrugëtimit 100 vjeçar të Pavarësisë së Shqipërisë përmbante një stilizim të shqiponjës dykrenare, në formën e një flake jubilare. Kjo logo përveç se u vendos në të gjitha shkresat zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ajo shpesh është përdorur edhe nga individë e biznese të ndryshme, duke e bërë të pranishme këtë llogo edhe në rroba, gota, shalle, dyqane, e vende të tjera. Logoja e tij ishte përzgjedhur nga një juri e Galerisë Kombëtare të Arteve mes gjashtë punimeve më të mira nga 24 që u prezantuan në atë garë.
Emri i artistit Zeni Ballazhi, që nga sot lidhet edhe me logon e një dekade pavarësie të Kosovës. Kjo logo erdhi pas vendimit të Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që të ndryshojë logon e cila ishte prezantuar ditë më parë dhe që kishte nxitur reagime të shumta se logoja mund të jetë plagjiaturë. Logoja e re, me autor Zeni Ballazhin që do të jetë edhe logoja zyrtare e tërë manifestimeve e cila fillimisht ishte përzgjedhur si dizajn për Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Duket sikur krijimtaria e këtij artisti ka gjetur vetën, dhe do të ngulitet thellë në historinë e kombit shqiptar. Rrugëtimi i tij personal, e ai profesional shtrihet në gjithë territorin ku ka shqiptarë, ai vjen nga Maqedonia, e jeton në Kosovë ndërsa studimet e larta i ka kryer në Akademinë e Arteve Vizuale në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë. Ballazhi ka prezantuar para publiku një numër të konsiderueshëm të ekspozitave personale e kolektive. Puna e tij ka prekur galeritë e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Gjeorgjisë, Francës, Japonisë, Norvegjisë, Teksasit, Sllovenisë dhe Greqisë. Po ashtu ai njihet edhe si kurator i disa ekspozitave të organizuara në Kosovë dhe Rajon. Në disa nga këto shtete ka punuar edhe si drejtor artistik (skenograf) në disa filma e shfaqje. Aktualisht punon prej vitit 2001 si dizajner dhe kurator në Galerinë e Arteve të Kosovës./ KultPlus.com