18 Janar, 2020 - 2:58 pm
Në Galerinë e Arteve në Gjilan, 44 artistë pamorë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe jashtë vendi, kanë ekspozuar punimet e tyre në një ekspozitë të përbashkët, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”.
Avni Behluli, nga Këshilli Organizativ i “Penelit të Flakës”, ka thënë se edhe sivjet ka pasur prurje të mëdha, por që ka qenë e pamundur që të pranohen të gjitha punimet në një hapësirë kaq të vogël.
Sipas tij, punimet janë në zhanre të ndryshme dhe me motive të ndryshme dhe të cilat për kah cilësia i bëjnë nder manifestimit.
Shpresa Kurteshi Emini, në emër të Komunës, ka përshëndetur familjet e dëshmorëve dhe veçanërisht figurës së rëndësishme të popullit tonë, Abdullah Tahiri, ngase sivjet manifestimi i kushtohet këtij heroi.
Ajo tha se do të vazhdohet me aktivitete të tjera në të gjitha shtyllat e artit, që kanë vlera të larta artistike.
Drejtoresha për Kulturë , Rini e Sport, Deniza Limani, ka thënë se ndjen kënaqësinë që pati prurje të mira në këtë ekspozitë, që është organizuar nga Drejtoria e Kulturës dhe se bashkëpunimi i Komunës po rritet e po shtohet me të gjitha shtyllat të “Flakës së Janarit 2020”. Ajo ka uruar të gjithë pjesëmarrësit, duke i quajtur që të gjithë fitues.
Juria profesionale në përbërje Nagip Berisha, Eshref Qahili dhe Muhamed Aliu, kanë vendosur njëzëri për fituesit, Bardha Buza, Agim Kryeziu dhe Albulenë Neziri.
Çmimi blerës i Flakës, të cilën e ndanë Shoqata e Arteve Pamore, njëzëri ka vendosur që çmimi blerës i Galerisë, t’i jepet artistit të zellshëm që jeton në Kanada, Zeqirija Rexhepi.
Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 31 janar, ditën kur edhe mbyllet manifestimi. / KultPlus.com