Kitaristi legjendar i bendit “Led Zeppelin”, Jimmy Page, ka rrëfyer një tregim që pakkush e kishte ditur përmes profilit të tij në “Instagram”.
Përmes rubrikës së tij të shpeshtë “në këtë ditë” Page ka treguar se 21 vjet më parë kishte performuar në Londër për Kosovën.
Në këtë postim Jimmy tha se organizimi ishte bërë nga UNICEF-i në ndihmë për Kosovën dhe paqen në botë në përgjithësi, transmeton KultPlus.
Kitaristi legjendar tha se ka performuar versionin instrumental të këngës “Dazed and Confused”.
“Këtë ditë më 1999-n performova në ‘Unicef Kosovo Appeal’ në Londër. Kur trazirat në Kosovë më në fund morën fund u organizua një ngjarje bamirësie në ‘Whitehall’. M’u kërkua të interpretoja në këtë ngjarje dhe luajta me grupin tim të asaj kohe: Michael Lee në bateri dhe Guy Pratt në bass. Luajta versionin instrumental të ‘Dazed and Confused’”, tha Page në postimin e tij të djeshëm në “Instagram”.
Shumë ndjekës të tij u mahnitën me këtë rrëfim. E dashura e tij, Scarlett Sabet, e cilësoi si “të mrekullueshëm”.
Një fans i tij me emrin Bashar tha: “Duhesh të performosh sërish. Është një gjeneratë e tërë që vdes të të shoh”.
Një fanse tjetër me emrin Ana Eisenberg shkroi: “Jimmy, faleminderit për këto kujtime. Është shumë e fuqishme”. / KultPlus.com
Dy ekspozita me vizatime dhe akuarele janë çelur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Kuratori i ekspozitës Helidon Haliti rrëfen risitë e punës që kanë bërë mbi 100 artistë shqiptarë edhe të huaj.
100 vizatime të para edhe pas viteve ‘90 janë ekspozuar si rrallëherë në Muzeun Historik Kombëtar. Veprat e artistëve më në zë shqiptarë, si Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Skënder Kamberi, Faslli Haliti kanë në qendër portrete, peizazhe, por nuk mungojnë nudot e Edi Hilës. Faslli Haliti na rrëfen portretin e një të burgosuri e krijuar gjatë kohës së komunizmit, pas një dënimi treditor që sistemi i kohës i kishte dhënë artistit të ardhshëm.
“Ky është një vizatim, që unë e kam bërë në vitin 1956, kur isha piktor i shtëpisë së oficerëve në Lushnje. Kisha për të bërë disa objektiva, por duke qenë së nuk i mbarova, komandanti më dënoi me tre vjet burg. Ky vizatim është bërë në burg”, rrëfen piktori Faslli Haliti.
Fatmir Miziri sjell tablo të dy sistemeve të ndryshme, fëmijët në kampe verore dhe portrete, ndërsa, Mikel Temo, na rrëfen punët e realizuara prej tij, ku përpos lapsit ka hezituar të përdor edhe ngjyrat
“Vizatimi është gramatika e të shprehurit në artet vizive. Sot ka shumë keqkuptime, disa i quajnë ushtrime, disa mirëfilltazi vepër arti, unë e shikoj si diçka të ndërmjetme”, thotë Miziri.
Helidon Haliti, i cili vjen si kurator i ekspozitës me vizatime dhe të akuarelit, shprehet se objektivi është arritur, përpos situatës së vështirë që është duke kaluar mbarë njerëzimi, siç është pandemia Covid 19.
“Objektivi i parë janë gjurmët, që artistët kanë ardhur edhe kanë lënë në vendin tonë, duke realizuar veprat, por edhe duke i demonstruar ato për studentët”, thotë Haliti.
Ekspozitat në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, publiku mund t;i vizitojë deri në datë 25 qershor, duke respektuar edhe rregullat e distancimit. /koha/ KultPlus.com
Bëhet e ditur se Festivali Ndërkombëtar i filmit, ‘Prifest’, është shtyrë për në muajin gusht si pasojë e përhapjes së madhe të virusit Covid19 në Kosovë, njofton KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e ‘Prifest’ në rrjetin social Facebook
Sipas tyre, ‘PriForum’ do mbahet online ndërsa datat për pjesën tjetër të festivalit do të jenë 25-30 gusht.
“Festivali Ndërkombëtar i Filmit – PriFest është duke përcjellur me shumë seriozitet situatën e pandemisë, dhe duke marrë parasysh se në ditët e fundit ka ndodhur një rritje alarmante e numrave të të infektuarëve me Covid19 në Kosovë, e vecanërisht edhe ne Prishtinë ku planifikohet të mbahet festivali, menaxhmenti ka marrë vendim që një pjesë të festivalit që planifikohej të mbahej në mënyrë fizike, ta shtyej për data 25-30 gusht, me shpresë se situata do të përmirësohet.
Ndërkohe që PriForum – platforma regjionale e industries se filmit, që është paraparë të mbahet online do të mbahet në datat e parapara 17-19 korrik.
PriFest ka punuar intenzivisht në muajt e kaluar për të bërë përzgjedhjen e filmave dhe programet e ndryshme në mënyrë që të realizojmë festivalin në korrik. Ne ishim të mendimit që shfaqjen e filmave ta bënim në hapsirë nën qiellin e hapur, me një kujdes të shtuar dhe duke rrespektuar masat e mbrojtjes. Mirëpo, lajmet shume dekurajuese se pandemia ka filluar të përhapet me të madhe, na bëri që të marrim vendim ta shtyejmë datën e mbajtjes së festivalit pasi që duhet të jemi të kujdesshëm që mos të rrezikojmë mirëqenien e qytetarëve në asnjë mënyrë.
Ne jemi të vetëdijshëm se edhe ngjarjet kulturore janë shumë të rëndësishme, dhe kjo ka qenë arsyeja që menduam se mund ta mbanim festivalin në korrik, por në këtë gjendje të pandemisë, kjo është e pamundur. Andaj kemi vendosur që të shfrytëzojmë këtë kohë për t’; promovuar programet e ndryshme, me shpresë që në gusht situate e pandemisë do të ndryshoj për të mirë.
PriForum do të mbahet në platforma online, në data 17-19 korrik, kurse datat për pjesën tjetër të festivalit”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Çdokush i ka kujtimet e veta për vendlindjen e vet – kujtohen fjalët e Prof.Dr Izedin Osmanit, pediatër, njeri me autoritet, has prishtinas, i cili po kështu ndalet te një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën:
Kujtimet e mia më së shumti janë të lidhura me hapjen e Normales “Sami Frashëri” më 1941. Ky moment historik nuk harrohet, se për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, filloi përdorimi i shqipes në administratë! Në shkollën “Sami Frashëri” nuk kishte vetëm nxënës kosovarë, por erdhën nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, pra kishim nxënës nga Tuzi, Podgorica, Ulqini, Tivari, Shkupi, Ohri, Tetova, Gostivari, Mastiri, Kumanova… Për herë të parë u zhvilluan mësimet në gjuhën time amtare, në shqip. Arsimtarët gati të gjithë ishin nga Shqipëria, shumë profesionistë, ekspertë të vërtetë. Kjo shkollë ka qenë bërthamë kulturore, ku u shkolluan shumë nxënës, që më vonë u shpërndane nëpër qytetet e veta, vazhduan shkollimin nëpër fakultete të ndryshme të ish-Jugosllavisë si dhe në vende të ndryshme të Evropës e Amerikës. Kështu, për një kohë të shkurtër u aftësua kuadri për formimin e Universitetit të Kosovës. Nxënësit e merituar, që arrinin të kryenin këtë shkollë, paraqitnin forcën motorike të inteligjencës. / KultPlus.com
Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime
Për të promovuar dhe vlerësuar angazhimin e lartë të nxënësve nga gjithë Republika e Kosovës për disa vite me radhë Shkolla “Universum” organizon garën e diturisë të quajtur “Universiada”, e cila ka për qëllim – Promovimin e nxënësve më të mirë në Republikën e Kosovës si dhe ofrimin e mundësisë së shkollimit përmes BURSAVE të plota.
Valentin Uruçi, përfitues i bursës 100% tregon për përvojen e tij në Universiade: “Gara e diturisë është një mundësi shumë e mirë për neve nxënësve të cilëve na pëlqen mësimi. Kjo garë gjithashtu mundëson fitimin e një burse që mund të ju dërgoj në një nga shkollat më të mira në Kosovë, Shkollen “Universum”. Unë isha shumë i lumtur kur mësova se unë kisha fituar 100% të bursës. Mezi prisja që të njihja shokët e rinj edhe shoqet e reja, si edhe shkollën. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e shkollës Universum. Kështu që mos humb kohë! Apliko në garën e diturisë Universiada dhe fito bursë shkollimi”.
Andaj apliko edhe ti, përfito bursë si Valentini dhe shumë nxënës të tjerë. Linku për aplikim http://tiny.cc/5m2mqz
Gara është e hapur dhe vlen për të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Republikës së Kosovës në klasat V deri në klasën e IX-të.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, mori pjesë në përvjetorin e rënies së heroit të Gollakut, Basri Canolli, ku edhe u bë vënia e gurthemelit të ndërtimit të Kullës së heroit Basri (Halil) Canolli – Shpendi, në fshatin Marec, investim i MKRS-së, objekt i trashëgimisë i cili që do ta mbajë emrin e tij.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-deputetë të zonës dhe bashkëluftëtarë të heroit Canolli.
Me këtë rast, Ministrja Dumoshi, tha se shteti e ka për obligim të kujtojë sakrificën e atyre që kanë kontribuuar në lirinë e vendit dhe MKRS-ja po investon në krijimin e kushteve për dokumentimin e tillë.
“Si ministre jam e nderuar që sot po e vëmë gurthemelin e kullës së familjes Canolli. Kjo kullë do të flet shumë. Çdo tullë e kësaj kulle do ta tregojë historinë e popullit tonë, historinë e Gollakut dhe të gjithë përpjekjes tonë për liri. Dua ta falënderojë familjen që na ka qëndruar afër në realizimin e këtij projekti”, tha ministrja Dumoshi.
Ministrja vlerësoi se duke i nderuar luftëtarët tonë e gjakun tonë ne do ta gëzojmë lirinë dhe ky investim i ministrisë është një dokumentim i historisë tonë të lavdishme që ajo mos të harrohet.
“I kemi gjeneratat që vijnë pas, fëmijët tonë që duhet t’i tregojmë për rrugëtimin të Basriut edhe të shokëve të tij të cilët kanë rënë për liri”, porositi ministrja.
MKRS-ja për realizimin e këtij projekti do të investojë mbi 60 mijë euro dhe pritet të finalizohet për 4 muaj kalendarikë. / KultPlus.com
Sami bej Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, ka qenë funksionar dhe intelektual i Perandorisë Osmane si dhe gazetar, dramaturg dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.
Ndryshe nga Naimi që iu përkushtua gjuhën amtare, Samiu bashkëpunoi për reformën e gjuhës osmane-turke, në hapësirën shprehëse të së cilës loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare. Është autor i njërit prej romaneve më të hershëm të gjuhës osmane, titulluar Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât (shqip. Dashuria e Talatit me Fitneten) botuar më 1872.
Samiu lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh muslimanë të përkatësisë bektashie, me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.
Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes së bashku me Naimin në Teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.
Më 1872 po prapë me Naimin, u vendos në Stamboll ku nisi punë në administratën osmane dhe i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge nisi të përkthente “Të Mjerët” e Hygoit në osmanisht. Për dy vite u caktua që të punonte në Tripoli ku redaktoi gazetën lokale ‘Tarablus’ për t’u kthyer më pas sërish në Stamboll ku nisi të shkruante në gazetën ‘Sabah’. Më 1877 sërish u caktua gjetkë, duke shërbyer në Rodos si sekretar i vilajetit. Më pas u caktua në Janinë, si sekretar i komisionit ushtarak. Pasi u kthye në Stamboll, u emërua kryeredaktor i gazetës Tercümân-i Șark dhe nuk do të lëvizte më për pjesën e ngelur të jetës së tij. U shqua si një ndër intelektualët më në spikamë të kryeqytetit osman, duke drejtuar dhe redaktuar disa gazeta, duke shkruar mbi dymbëdhjetë libra në osmanisht si ”Insan” (Njeriu), ”Medeniyet-i Islamiye” (Qytetërimi islam) and ”Kadınlar” (Gratë). Hartoi një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, një fjalor të gjuhës arabe më 1898, një fjalor në dy vëllime në osmanisht (1899-1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam. Duke shtuar këtu një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, të titulluar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Më 1874 Samiu kishte shkruar dramën “Besa yahut Ahde Vefa” (shqip: Besa ose Mbajtja e Fjalës) në osmanisht me temën rreth çështje së një etnie shqiptare, të lidhur me një territorialitet etnik, një diversitet etno-kulturor që mëton përbashkimin, nderin, besnikërinë dhe vetëflijimin osman. Me këtë vepër Samiu u përpoq t’i paraqiste shqiptarët nën një dritë tjetër për opinionin osman, duke e informuar për moralin, vlerat, zakonet e traditat e shqiptarëve të cilët i mendonte një element tejet të rëndësishëm të perandorisë; gjithashtu donte të hidhte themelet e një teatri autentik osman, i cili asokohe kishte shumë ndikime të jashtme. Për audiencën më të hollë elementi i besës nënkuptonte zhvillimin ushtarak e politik që mund të merrte.
Më 1901 u përkthye në gjuhën shqipe nga miku i tij, Abdyl bej Ypi dhe u botua nga Kristo Luarasi në Sofie, ndërkohë që ishte pjesë e kurrikulave shkollore në Mësonjëtoren e Korçës deri kur u mbyll më 1902. Përkthimi shqip i dramës nga autoritetet osmane mbahej si “nxitës i ndjesive kombëtare të shqiptarëve” dhe pas Revolucionit Xhonturk më 1908 kishte raportime se çeta kaçakësh luanin pjesë nga drama rreth zjarrit. Drama e Samiut nuk do të shfaqej gjer pas kalimit të Revolucionit Xhonturk, më pas u shfaq për tre vjet të tjera deri më 1911-1912.
Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë e “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.
Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është , botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.
Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.
Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri “Besa”, e botuar më 1875 (?) e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.
Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: “” (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj.
Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll më 18 qershor të vitit 1904. / KultPlus.com
Këngëtarja, tekstshkrusja e aktorja e njohur britanike Dame Vera Margaret Lynn vdiq në moshën 103-vjeçare, konfirmojnë familjarët.
Lynn ka kënduar gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëherë edhe kur mori popullaritetin.
E njohur edhe si këngëtarja e preferuar e Mbretëreshës, ajo më së shumti mbahet mend për këngët e saj We’ll Meet Again, The White Cliffs of Dover, A Nightingale Sang in Berkeley Square and There’ll Always Be an England.
Lynn është përmendur së fundmi nëpër tituj të mediave, kur Mbretëresha Elizabeta II, ka përdorur fjalët e këngës së saj të famshme, për t’i thënë shtetit “ne do të takohemi sërish”, përgjatë një transmetimi të rrallë para kombit, në kohën e pandemisë me koronavirus.
Vera filloi të performojë në moshën 7-vjeçare në klube, dhe ishte 11-vjeçare kur mori emrin e vajzës së gjyshes së saj Margaret Lynn, si emër me të cilin dilte në skenë.
Rekordi i saj i parë solo u lëshua në vitin 1936, Up The Wooden Hill në Bedfordshire ndërsa kënga e saj më e njohur është regjistruar në vitin 1939, We’ll Meet Again. / KultPlus.com
Konisderohet si ekspozita e parë e plagjiaturave në Kosovë.
Sipas organizatorëve, plagjiaturat e Ministrit të arsimit dhe Shkencës, profesorit Ramë Likajt, do të shpalosen para jush në një mënyrë të pazakontë, përmes një ekspozite.
“Duke e çmuar punën e pashembullt të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, profesorit supermen: Ramë Likaj, organizojmë ekspozitën e parë historike, të plagjiaturave të tij”, thuhet në njoftim.
Ekspozita e titulluar “Plagjiaturat e Supermenit” do të hapet nesër, më datë 19 qershor, prej orës 11:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”. / KultPlus.com
Qyteti antik i Albanopolisit është lënë në harresë prej dekadash. Ndonëse ai ndodhet në rrugën nacionale Krujë-Fushë Krujë, ky qytet antik nuk ndodhet në guidat turistike që ngjiten deri në Kalanë e Krujës. Së fundmi Bashkia e Krujës, së paku ka kositur barin, shumë pak për një monument të tillë të trashëgimisë kulturore.
Albanopolis, qyteti antik shtrihet ndërmjet rrugës nacionale Krujë-Fushë-Krujës, por nuk ndodhet në asnjë guidë turistike.
“Kushti që është tani nuk afron thuajse asgjë përveç ca tabelave turistike që janë vendosur”, tha Zëdhënësi i Bashkisë Krujë, Drini Masha.
Bashkia e Krujës thotë se ka nisur pastrimin e ferrave dhe heqjen e gardhiqeve.
“Kemi nisur aksionin e pastrimit. Të çfarëdolloj zaptimi që ka në qytetin e vjetër ilir. Ky është hapi i parë për ta kthyer në një zonë të mirëfilltë turistike”, u shpreh Masha.
Ndër vite banorët e fshatit Zgërdhesh kanë dëmtuar monumentin e kulturës duke hequr gurët e kalasë.
“Ka shumë vite e dekada që është lënë në harresë. Nuk ka munguar edhe prezenca e atyre personave që në thonjëza e kishin privatizuar qytetin antik”, shtoi ai.
Albanopolis është ndërtuar në shekullin 7-6 para erës sonë dhe ishte qendra e fisit Ilir me emrin Albane. Edhe atyre pak vizitorëve që shkojnë në Albanopolis nuk u ofrohet asnjë shërbim. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore fton turistët ta vizitojnë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një video me pamjet mahnitëse të kësaj kalaje, që ndryshe nga të gjitha kalatë e tjera, veçantinë e saj e ka së është ndërtuar në fushë.
“Kalaja e vetme në Ballkan në fushë. Me bukuritë natyrore dhe vlerat historike, ju pret ta vizitoni dhe shijoni”, shprehet ministri Klosi.
Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.
Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve. / atsh / KultPlus.com
Një vizatim i pabotuar i Viktor Hygoit, “Nisja e Ballonës”, u shit sot për 37 500 euro në Paris, sa dyfishi i vlerësimit të tij më të lartë (18 000 euro), njoftoi Shtëpia e Ankandeve “Stoheby’s”.
Ky vizatim i bukur nga autori i “Te mjeret”, i cili ka qenë edhe një projektues i talentuar, tregon një tullumbace me një shportë, që ngrihet mbi çatitë dhe këmbanaret e Parisit.
Ai dëshmon për luftën e vitit 1870 dhe periudhën shumë poshtëruese të rrethimit të Parisit nga Prusia.
“Nisja e Ballonës” është një homazh për ballonat e ndërtuara dhe të përdorura gjatë rrethimit, për të komunikuar jashtë qytetit.
Në mesin e atyre 67 ballonave që u ngritën në 1870-1871, ajo e 26 shtatorit 1870 mbarti broshura të shkruara nga Viktor Hygoi, të cilat u hodhën mbi frontin e armikut./ atsh / KultPlus.com
Menaxheri i Qendrës Inovative Kosovare, Shpend Lila, në ditën e çlirimit të Kosovës, në një postim të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, kishte publikuar një fotografi me një ushtar italian dhe kishte kërkuar ndihmë për tu vënë në kontakt me të.
Pas gati një jave, Lila ka marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë se e kanë gjetur kush është ushtari në foto, dhe i kanë kërkuar informacionet për ta vendosur në kontakt.
“I dashur Shpend, kemi lajme të mira për ju: Ne kemi gjetur ushtarin në foto. Ju lutemi na dërgoni detajet tuaja të kontaktit privatisht, në mënyrë që të viheni në kontakt”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Për një gjë të tillë Shpend Lila është shprehur tejet falënderues për shtetin italian dhe në veçanti ambasadorin në Prishtinë, Nicola Orlando.
Albert Einstein, ishte një fizikant i cili llogaritet si një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai përcaktoi teorinë e relativitetit dhe dha shumë kontribute në fushat e mekanikës kuantike, mekanikës statistikore dhe kozmologjisë. Në vitin 1921 fitoi çmimin Nobel për fizikë për shpjegimin e efektit fotoelektrik dhe për shërbimin në fushën e “fizikës teorike”. Ai njihet si njeriu më i mençur në botë dhe gjeniu i shekullit XXI, duke krijuar formulën më të njohur në botë, atë të Energjisë.
Truri i Albert Ajnshtajnit është akoma i gjallë duke mbijetuar nëpër laboratorët më modernë në botë! Thuhet se koeficienti i dijes së trurit te Ajnshtajnit është 165, gjithashtu gjatë vërejtjes së trurit ka dallime nga njerëzit e tjerë. Ai vdiq në Princeton, New Jersey, Shba më 18 prill, 1955, në moshën 76 vjeç.
KultPlus ju sjell sot disa nga thëniet më të njohura të Ajnshrajnit:
Ai i cili asnjëherë nuk ka gabuar, asnjëherë s’ka provuar diçka të re.
Çmenduria: të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme.
Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar; jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ata dhe nuk bëjnë asgjë.
Logjika do të të çojë nga A në B. Imagjinata do të të çojë kudo.
Nëse s’mund ta shpjegosh thjeshtë, atëherë s’e ke kuptuar si duhet.
Përfytyrimi është më i rëndësishëm se dituria, sepse dituria ka kufi, ndërsa përfytyrimi rrok të gjithë botën, duke nxitur përparimin, e duke i dhënë jetë zhvillimit.
Eksperienca më e bukur që ne mund të kalojmë është misteri. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e artit dhe shkencës së vërtetë…
Gjëja më e rëndësishme është të mos reshtim kurrë së pyeturi, kurioziteti ka shkakun e tij se pse ekziston. / KultPlus.com
Gazeta britanike Mirror i kishte kushtuar ballinën një ngjarje të rëndë në Kosovë.
Dy vajza shqiptare po kërcënoheshin të përdhunoheshin para familjes së tyre, dhe më pas të vriteshin, nga disa paramilitarë serbë.
Por, katër ushtarë britanikë ndërhynë duke shpëtuar vajzat dhe familjen. Gazeta në ballinën e saj nuk tregon se ku saktë ka ndodhur, pasi në Facebook, është publikuar vetëm ballina dhe jo teksti i plotë.
Ngjarja megjithatë thuhet se ka ndodhur më 16 qershor. Gazeta i cilëson këta ushtarë, duke publikuar edhe fotografitë e tyre, si Heronj. / KultPlus.com
Poezi nga Shqipe Godanci – Haxhiu Fotografia: Arian Mavriqi
Më fal Kosovë, më fal që po shtegtoj Më fal Kosovë , unë po shkoj Më fal Kosovë ta ktheva shpinën Po shkoj të gjejë të mirën… Kam lind e rritë në tokën e gjyshit e babait Ku me shumë mund e dashni kan punu E sot erdh dita unë prej kësaj toke me shtegtu…. Jam i ri, jam ende fëmijë Kam shumë ëndrra e dëshira.. Më dhemb shpirti për këtë tokë Por dua të shoh tjetër Botë… Atje ku ka shkolla plot fëmijë Ku ka Mësues për dituri Ku ka spitale për shërim Ku mjeku ka kohë për mjekim… Ku parqet janë të mbushur me familje Ku ndihet vetëm lumturia E jo vujtja e varfnia…. Kosovë oj toka ime Banu e fortë e trime Mos më le të shtegtoj Pikturoje ketë qiell të ngrysur Me ngjyrat e ylberit Dil në fund të rrugës e më kthe mbrapa Ma kthe shpresën e humbur Të them edhe unë se në KOSOVË jam i lumtur… / KultPlus.com
Qeveria gjermane e ka miratuar një paketë ndihme për kulturën në vlerë 1 miliard euro, me qëllim përmirësimin e mundësive të punësimit për artistët, pas kufizimeve të vendosura kundër COVID-19.
“Duhet të mirëmbajmë atraksionet kulturore dhe vendet e performances”, njoftoi ministrja e Kulturës, Monika Gruetters, në një deklaratë pas një takimi të kabinetit në Berlin.
Një e katërta e financimit do të shkojë për vendet e asistencës për zbatimin e masave higjienike, biletave në internet dhe sistemeve të ventilimit.
Deri në 480 milionë euro kanë për qëllim të ndihmojnë artistët të kthehen në punë me kohë të plotë.
Pjesa tjetër, 150 milionë euro janë siguruar për dixhitalizimin dhe 100 milionë euro do të kompensojnë humbjen e të ardhurave nga pandemia. / KultPlus.com
Van Gogh dhe Paul Gauguin, shkruan një letër “të pazakontë” ndërsa jetuan së bashku, në fund të vitit 1888.
Letra, e nënshkruar nga artistët Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin, që përmbante detaje të vizitës së tyre në bordello, u shit në ankand, për 210.600 euro. Letra u paraqit nga Fondacioni Vincent van Gogh, pranë shtëpisë së ankandeve “Druo” në Paris, të martën.
Artistët shkruan një letër piktorit francez Emile Bernard, në fund të vitit 1888. Në letër, ata përshkruajnë sesi është të jetosh dhe të punosh në qytetin francez, Arles. Van Gogh dhe Gauguin, të dy postimpresionistët me famë botërore, ishin të bindur se kishin filluar “rilindjen e madhe të artit”, sipas letrës.
Artistët formuan vizionin e tyre në Arles, por pasi kaluan disa muaj së bashku, miqësia e tyre përfundoi keq dhe Gauguin u largua.
Si datë, përmenden 1 dhe 2 nëntor, ndërsa letra u shkrua disa javë përpara se Van Gogh të pësonte një sulm nervor dhe preu veshin e tij të majtë.
Artisti hollandez kreu vetëvrasje në vitin 1890. Muzeu “Van Gogh” në Amsterdam, ku letra do të ekspozohet më vonë, gjatë këtij viti, thotë se është e vetmja korrespodencë që kishte Van Gogh me një artist tjetër.
Muzeu e përshkroi letrën si “dokumenti më domethënës i shkruar nga Van Gogh, që ishte në pronësi private”.
Shtëpia e ankandeve “Druo”, thekson se letra është “e pazakontë”, për shkak të asaj se, sa të bindur ishin artistët se veprat e tyre do të çonin në një revolucion në art.
Van Gogh dhe Gauguin, theksojnë shtëpinë e ankandeve, ishin “plotësisht të vetëdijshëm, se arti i tyre shënon një pikë kthese dhe se, vetëm gjeneratat e ardhshme do t’i kuptojnë ato”.
Drejtoresha e Muzeut Van Gogh, Emily Gordenker, deklaroi se ishte “e kënaqur” që një “letër e tillë” e rëndësishme, do të ekspozohej në muze.
Çfarë thotë letra?
Artistët kthehen pas në kohë, gjatë qëndrimit të tyre në Arles, ku punuan së bashku, në një apartament me qira në Shtëpinë e Verdhë.
“Tani, diçka që do t’ju interesojë – kemi shkuar në bordello, disa herë dhe me siguri, do të shkojmë më shpesh, për punë” – shkruante Van Gogh, në letrën që përmban katër faqe.
“Për momentin, Gauguin po punon në kanavacë rreth një nate në kafene, që e pikturova edhe unë, por me karaktere që u takuam në bordello. Premton, të jetë një punë e bukur”.
Edhe pse letra i drejtohet mikut të tyre, ajo gjithashtu, përfaqëson një bisedë midis Van Gogh dhe Gauguin, i cili, foli për përvojën e punës së bashku.
Në letër, Van Gogh e përshkroi Gauguin, si “një qenie të pakorruptuar, me instinktin e një bishe të egër”.
“Me Gauguin, gjaku triumfon ndaj ambicies,” – shtoi ai. “Por. mjaft për këtë, ju e patë atë afër më mirë dhe më gjatë se unë, thjesht desha t’ju jepja përshtypjet e mia të para, me disa fjalë.”
Nga 9 tetor 2020, letra, së bashku me 40 dokumente të tjera, do të shfaqen në muzeun “Van Gogh” në Amsterdam. / KultPlus.com
Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit në Berat punohet çdo ditë me pasion dhe durim për nxjerrjen në dritë të thesareve të fshehura.
Ditët e fundit restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat janë duke ndërhyrë në restaurimin e ikonave, “Lindja e Krishtit dhe “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.
Drejtori i DRTK, Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “janë dy ikona që janë pjesë e fondit që ka nën administrim DRTK, Berat. Specialistët e sektorit të artit të DRTK Berat pasi hartuan projektin morën aprovimin e miratimin nga Instancat e Këshillit Shkencor dhe Këshillit Kombëtar të restaurimeve”.
“Problematika e shfaqur në këto ikona është kryesisht në rënien e grundit, rënien e pelikulit dhe dëmtimin e panelit të drurit”, tha Kallfani.
Ai bëri të ditur se “fazat e ndërhyrjes konsistojnë fillimisht me konsolidimin e drurit, dezinfektimin e më pas integrimi piktorik. Restauratorët po bëjnë një punë të kujdesshme që vazhdon me javë të tëra deri në nxjerrjen nga emergjenca të këtyre thesareve të fshehura”.
“Aktualisht ndërhyrja është në fazën e konsolidimit të grundit dhe pelikulit”, shtoi Kallfani.
Restauratorët e DRTK, Berat kryejnë gjithmonë një punë të vyer, e cila shmang degradimin e mëtejshëm të ikonave si dhe rikthimin e imazhit ikonografik në bukurinë fillestare.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. /atsh / KultPlus.com
Të lindet një njeri nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët, nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët për një gen të ri, – Të lindet një njeri! Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton, që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë, që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton. Të dali një njeri! Të mkambi një Kohë të Re! Të krijojë një Epope! Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re… – Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta, flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat, e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta. (Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon, porgaforre asht… Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon, jo, liri nuk asht!), Të lindet një njeri i madh si madhni dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni për një ide të re, ideal bujar, për një agim të lum e të drejtë kombtar.
Vatikani nisi më 27 janar 1593 gjyqin kundër murgut, filozofit, poetit, astrologut dhe matematikanit Giordano Bruno. Teoritë e tij kozmologjike shkojnë përtej modelit Kopernikan.
Bruno ishte i vetmi që gjeti saktë se Dielli ishte vetëm thjesht një tjetër yll që lëviz në hapësirë, dhe pohoi gjithashtu se universi përmbante një numër të pafund botësh të banuara nga qenie inteligjente. Gjyqi kundër Brunos zgjati shtatë vjet; përfundimisht ai u gjet fajtor për herezi dhe u dogj në turrën e druve më 1600.
“E vërteta nuk ndryshon, prej faktit se besohet ose nuk besohet nga shumica e njerëzve.”
“Ndoshta ju që më dënoni keni më shumë frikë se unë që po dënohem.”
“Mendja e ulët dëshiron të mendojë me masat ose shumicën, thjesht dhe vetëm sepse shumica është shumica.”
“Drita Hyjnore është gjithmonë brenda njeriut, duke u paraqitur në shqisa dhe në arsye, por njeriu e hedh poshtë.”
“Dëshira më nxit, ndërsa frika më lidh.”
“Nuk është i varfër ai që ka pak, por ai që dëshiron shumë.”
“Gjatë vdekjes së gjallë, jeta e vdekur jetohet.”
“E pres dënimin tuaj me më pak frikë sesa ju që e jepni. Vjen koha kur secili do të shohë atë që shoh unë.”
“Koha është babai i së vërtetës, nëna është mendja jonë.”
“Dashuria i bën të moshuarit të çmendur e të rinjtë të mençur.”
Në ditët tona, Jul Çezari konsiderohet ende një prej strategëve më të mëdhenj ushtarakë të historisë, dhe emri i tij është gjithashtu sinonim i kultit të personalitetit dhe njeriut të fortë. Si arriti të ketë kaq shumë pushtet në jetë? Më poshtë disa mësime prej tij.
1. Rëndësia e slloganeve
Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.
Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).
Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.
Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.
2. Marrja e risqeve
Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.
Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.
Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.
3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak
Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.
Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.
Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.
4. Asgjë nuk është definitive
Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.
Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.
5. Kurrë mos gënje veten
Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.
Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.
6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën
Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.
Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.
7. Kurrë mos u nënvlerëso
Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.
“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancën dëgjimore me Gentian Salën, kryetarin e AMA-s mbi raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të institucionit për vitin 2019 si dhe përzgjodhi 3 kandidatët, për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Gentian Sala, kryetari i AMA-s, raportoi mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton, dixhitalizimin si dhe punën e bërë në këtë institucion prej një viti, por dhe problematikat e hasura.
“Aktualisht AMA ka 39 kanale pa pagesë, një shifër kjo që nuk e kemi parë në asnjë vend të rajonit por dhe Europës Juglindore. Kemi zhvilluar një fushatë sensibilizimi, mbi dixhitalizimin e operatorëve dhe një sërë ekranesh të reja janë futur në treg, si Euro News Albania, A2 News.
Gjatë vitit 2019, në zbatim të ndërgjegjësimit kemi realizuar spote të ndryshme, në portale, televizione apo radio. Planifikimi i frekuencave është më mirë se çdo vit tjetër. Sigurisht që ka vend për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh kreu i AMA-s.
Vilma Bello, deputete dhe njëkohësisht relatore në këtë komision, u shpreh në lidhje me ecurinë e AMA-s jo vetëm në 2019, por dhe më tej.
“Raporti i përgatitur bën monitorimin e të gjitha medieve në Shqipëri. Ky raport respekton detyrimet ligjore, pasi është hartur në bazë të ligjeve. Kalimi nga transmetimet analoge në transmetimet numerike, përmbushjes së rekomandimeve bazë të Integrimit Europian, dhe Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë një punë për tu përgëzuar, punë e mirë e bërë në një vit, duke parë dhe numrin e shtuar të ankesave gjë që tregon se ky institucion ka arritur besim tek publiku”, u shpreh Bello.
Pas diskutimeve të shumta, Sala iu përgjigj pyetjeve të drejtuara, nga anëtarët e këtij komisioni, të cilat kishin të bënin me problematikat, ankesat apo çështjet gjyqësore në këtë institucion.
Komisioni vijoi me miratimin e marrjes së vendimit për shpalljen e dy vendeve vakante në KDRTSH-së.
Në fund të seancës komisioni vijoi rendin e ditës, me procesin e plotësimit së 3 vendeve vakante për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas seancave dëgjimore të zhvilluara me të gjithë kandidatët në mbledhjen e datës 05.06.2020.
Sot në mbledhjen e radhës u vijua me procedurën e përzgjedhjes së 3 kandidatëve që do t’i dërgohen seancës plenare për votim. Për arsye të ruajtjes së etikës gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, komisioni bazuar në nenin 35 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, vendosi që kjo pjesë e mbledhjes të zhvillohej me dyer të mbyllura.
Në përfundim të shqyrtimit, komisioni përzgjodhi kandidatët: Genc Përmeti, Ilir Keko dhe Dionis Papadhimitri, të cilët do t’i dërgohen seancës plenare për votim./atsh/ KultPlus.com