77 vjet nga lindja e Ukshin Hotit, veprimtarit të papërsëritshëm

Sot shënohet 76 vjetori i lindjes së njërit ndër intelektualët dhe veprimtarët më të shquar kosovarë, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka qenë dhe do të mbetet një ndër figurat më të fuqishme të rezistencës në vitet më të vështira për Kosovën.

Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por edhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO.

Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serbë radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.

Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë. / KultPlus.com

“Vizart”, ekspozita që mbledh bashkë punët e 50 mjeshtrave shqiptarë

50 mjeshtra shqiptarë vijnë së bashku në një ekspozitë me punimet e tyre.

“Vizart” është një nga ato ekspozita që jo vetëm nuk duhet humbur, por që duhet të vizitohet më së shumti nga nxënësit dhe studentët.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh sot ekspozita bën bashkë punët e 50 mjeshtrave shqiptarë, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm, që nga Kodra, te Jukniu, Kilica, Dhrami, Shoshi, Lulani, Keraj, Madhi, Mele, Leka, e me radhë dhe të vetë organizatorit të kësaj ekspozite Helidon Haliti.

“”Vizart” është një nga ato ekspozita që jo vetëm nuk duhet humbur, por duhet vizituar më së shumti nga nxënësit dhe studentët, që do të vazhdojnë rrugën e mësuesve të tyre dhe që nesër mund të jenë pjesë e një ekspozite të ngjashme, për të treguar procesin e pandalshëm të stafetës nga njëri brez tek tjetri”, theksoi ministrja Margariti. atsh / KultPlus.com

Nisin punimet për restaurimin e shtëpisë ku ka jetuar At Gjergj Fishta

Nisën sot punimet për restaurimin e shtëpisë ku At Gjergj Fishta ka jetuar në periudhën e hershme të jetës së tij.

Lajmi është dhënë nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shprehet se, “ky është një monument kulture i kategorisë II, që do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë”.

Margariti shton se “punimet do t’i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati, madje edhe në oborre”.

“Kjo godinë është pjesë e “Itinerarit Fishtian”, një rrugëtim në stacionet e jetës së Homerit shqiptar”, thekson ministrja Margariti. atsh / KultPlus.com

Publikohet albumi i pianistes Lule Elezi, është incizuar në “Mozarthaus” të Vjenës

Pianistja Lule Elezi tashmë ka nxjerrur në dritë edhe albumin e saj të ri, shkruan KultPlus.

Elezi ka thënë se kjo është produkt i një pune shumëvjeçare pasi më parë kishte realizuar dhjetra koncerte në Kosovë dhe në botë.

“Albumi pritet të promovohet në Vjenë , si dhe të prezentohet para artdashësve kosovarë”, ka shkruar Elezi në llogarinë e saj në Facebook.

Këtu keni statusin e saj të plotë:

“Doli në dritë albumi im!

Mbas një përkushtimi disa muajsh doli albumi im. Është kurorëzim i punës sime shumëvjeçare mbas shfaqjes së dhjetëra koncerteve të mia në prani të auditoriumeve të respektuara në Kosovë, Evropë dhe në kontinente tjera të botës.
Albumi im është incizuar nga “ Austrian Gramophone” nê “ Mozarthaus” në Vjenë.
Albumi pritet të promovohet në Vjenë , si dhe të prezentohet para artdashësve kosovarë.
Veprat të cilat janë incizuar në këtë album janë vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.

Letrat më të famshme të dashurisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881

“I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.”


Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

“Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.”


Shkrimtari rus, Leo Tolstoy, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

“Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.

Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.”


Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

“Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë. Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato. Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.”


James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

“E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë. Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.”


Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

“Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje. Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme! I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!”


Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

“E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.”


Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

“Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.”


Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

“Për Stelën,

Dua vagabondin zuzar brenda meje,

Dua zonjën time të errët

Dua engjëllin tim, joshjen time

Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…

Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim

hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim

mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,

shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,

dritën time në mes të detit,

palmën time në mes të shkretëtirës

kopshtin tim me lulet e dashura

një mijë gëzimet e mia të paemërta

dërdëllitjet e mia të ditës,

ëndrrat e mia të natës

të dashurën time dhe yllin tim…”

Protestë në Gjirokastër pas djegies së flamurit shqiptar nga minoritari, u kërkua largimi i konsullit grek

Pas djegies së flamurit shqiptar nga një minoritar grek nga Finiqi, Manolis Vitos, para Konsullatës Greke në Gjirokastër “Djemtë e Labërisë” kanë protestuar për largimin e konsullit Lambros Kakizis.

Edhe pse në vend është i ndaluar grumbullimi për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, qytetarët nga zonat e jugut të vendit kanë mbërritur me 3 furgona për të protestuar në mënyrë paqësore këtë akt që nxit urrejtje etnike.

Ata kanë protestuar për largimin e konsullit grek pasi, sipas tyre, ai ka nxitur urrejtjen etnike dhe po ndërmerr një fushatë kundër interesave të shqiptarëve duke kontribuar në shkombëtarizim të shqiptarëve.

Gjithashtu Platforma e Shoqatave Atdhetare Shqiptare i ka drejtuar një kërkesë shtetit shqiptar për largimin e konsullit grek dhe largimin e monumenteve greke në Shqipëri.

Pjesë e protestës ishte edhe deputeti ‘donzhuan’, Kristaq Papa i cili është shprehur se ka një manifestim paqësor nga ana e tyre.

“Jemi këtu me një grup deputetësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile apo të të drejtave të njeriut. Këto akte nuk janë demokratike, nuk janë diplomatike nuk i shërbejnë dy vendeve. Ka shumë persona nga shoqëria civile, nga forume të të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e rendit të shtetit në kushtet e një pandemie edhe pse Gjirokastra është një zonë e gjelbër”, shprehet ai.

Një qytetar nga Kukësi i bën thirrje policisë dhe presidentit që të zbatohet Kushtetuta e të mos provokohen shqiptarët.

“Konsullata ka sponsorizuar qasje ekstremiste për nxitjen e urrejtjes etnike, thirrja ime shkon për instancat shtetërore që janë të shitura, t’i thirrin mendjes e të zbatojnë kushtetutën. Një thirrje tjetër shkon për policinë, që me këtë rast tregon se është në shërbim të Greqisë dhe jo Shqipërisë. Jemi këtu që të ndalohet provokimi i shqiptarëve”, shprehet ai.

Janë arrestuar tre organizatorët Arben Kola dhe Andon Kola dhe Florijan Canaj dhe janë shoqëruar qytetarë të tjerë. Protestuesit lajmëruan se do të mblidhen para Komisariatit që të lirohen të arrestuarit.

“Vajzat e Mitrovicës” protestojnë kundër rritjes së rasteve të dhunës seksuale

“Vajzat e Mitrovicës” kanë organizuar një protestë paqësore pas rritjes së numrit të rasteve të dhunimeve seksuale në këtë qytet.

Kësaj proteste i është bashkuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri.

Rastet e tilla janë shpeshtuar javëve të fundit, duke ngjallur frikë në rrugë.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona lidhur me këto ngjarje, por duke mbetur akoma shqetësim i madh për qytetin e Mitrovicës.

“Mos rrnoni ma si hije, mos rrini ma pa drit, mos fleni mos i leni, hi syve me ju qit”

Troja, është pothuajse grupi i vetëm në vend i cili pjesë të muzikës së tij e ka kritikën, në veçanti kritikën ndaj politikës në vend, shkruan KultPlus.com

“Mbretnesha kohë” është një nga këngët më të njohura të këtij grupi, tekstin e të cilit po ua sjellim këtu:

Mbretnesha kohè dje boll mir na tregoj,
tha neser per neve shum ftoft ka me kan ,
nese t’bardhen prej te zezes na sot nuk dina me nda,
tha neser as shiu nuk munet me na lag..

Mbretnesha kohè dje boll mire na tregoj,
tha neser per neve ndryshe ka me kan ,
nese nyjen para syve na sot nuk dojna me zgidh
tha neser kjo nyje n’fyt ka me na u lidh..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Pse është shumë i rëndësishëm për fëmijë mësimi për programim?

Kurset e kodimit online janë një mundësi e shkëlqyeshme ti angazhoni fëmijët tuaj në diçka unike dhe produktive. Për më tepër, kurset e kodimit online janë një mënyrë efektive e të mësuarit të kodimit në shtëpi, duke e bërë atë lehtë të menaxhueshme nga ju që të monitoroni atë që po mësojnë fëmijët tuaj, ndërsa po kaloni kohë cilësore me ta.

Universum Digital Academy ofron kurse online të kodimit për fëmijë, duke i përgatit fëmijët qysh në moshë të re për një të ardhme të suksesshme akademike dhe profesionale. Prandaj prindërit dhe mësimdhënësit konsiderojnë që kodimi është një nga shkathtësitë më të rëndësishme të këtij shekulli. Kodimi ndihmon fëmijët që të kuptojnë më mirë matematikën, organizimin, kreativitetin, dhe të zhvillojnë shkathtësi të shkrimit dhe të mendimit kritik. Sa më heret që fëmijët mësojnë këtë shkathtësi, aq më të mira do ti kenë shanset për sukses.  

Duke qenë një nga kurset më të mira të kodimit online, kursi i kodimit në Universum Digital Academy është një shans për nxënësit të përmirësojnë kreativitetin e tyre dhe aftësinë e të menduarit logjik ndërsa mësojnë një nga aftësitë më të vlerësuara në botën digjitale.  

Kurset e kodimit në Universum Digital Academy janë mundësi unike që fëmijët të kalojnë kohën në mënyrën e duhur duke mësuar në mënyrë të pavarur dhe në komoditetin e shtëpisë dhe shoqërinë e prindërve. Programi i kodimit në Universum Digital Academy përmban total 6 nivele dhe zgjatë 4 muaj, ku në fund të çdo niveli do të bëhet çertifikimi i fëmijëve.

Regjistroho fëmijët tani dhe përfito kurs falas https://bit.ly/356sIXc

Pse Universum Digital Academy? 

– Kurrikulë e strukturuar për ti argëtuar fëmijët dhe ti mbajë entuziastë gjatë gjithë kohës;

– Mentorim i vazhdueshëm nga tutorë të përzgjedhur;

– Grupe të vogla, jo më shumë  se 15 fëmijë;

– Ligjerata interaktive;

– Përcjellje e vazhdueshme e progresit të fëmijëve. Prindërit pranojnë në mënyrë të vazhdueshme raportet mbi progresin e fëmijëve gjatë kursit;

– Certifikimi i fëmijëve – dëshmon që ata kanë përvetësuar shkathtësitë e nivelit dhe që janë të gatshëm të vazhdojnë në nivelin e radhës;

Për më shumë informata kontakto [email protected]  apo +383 45 652 166;  / KultPlus.com

Shpërbëhet Grupi Troja

Rok grupi kosovar Troja kanë lajmëruar se ata nuk do të vazhdojnë me aktivitete muzikore, duke u ndarë pas 30 vjetësh bashkë, kjo pasi ‘muret e Trojës janë përçarë’.

Në një postim zyrtar në profilin e grupit në Facebook, ata sqarojnë arsyet që kanë sjellë grupit deri tek ndarja, e duket se arsyeja kryesore, sipas tyre, është përfshirja e disa anëtarëve në politikë dhe ‘ahengje’ të organizuara nga partitë politike.

E ky ‘aheng’ që duket se po i referohet grupi duhet të jetë tubimi që Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur gjatë javës së kaluar, ku kishte performuar disa këngë të grupit pikërisht solisti i këtij grupi, Bujar Berisha.

Kështu, ndër grupet e pakta të rrokut në Kosovë, pas gati 30 vjetëve, e mbyll kapitullin e saj.

TROJA njihen për këngët e tyre që janë dëgjuar shumë në vendet shqipfolëse, e ndër ta edhe ‘Amaneti i Clownit’, ‘Mbretnesha Kohë’ e ‘Demokraci’.

Këtu keni statusin e tyre të plotë:

I erdh fundi edhe këtij muhabeti…

TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme.

Pas gati 30 viteve TROJA e mbyllë kapitullin e saj. Murret e TROJËS janë perçarë.

Përkundër që politika është munduar me u identifiku me neve, Troja asnjëherë nuk ka këndu në “ahengje” të organizuara nga ata.

TROJA i ka mbijetu shumë sistemeve që nga para lufta po edhe nga pas lufta, e gjithë kjo duke iu falemnderu juve që na keni dëgju dhe perkrahë.

Kurrë, TROJA nuk ka qenë personale vetëm e njërit apo tjetrit anëtar, e as më pak pronë private, por e gjithë juve që na keni motivu për me kriju diçka më ndryshe.

E dimë që disa kanë me u mundu me keqpërdorë emrin TROJA, edhe kengët e TROJËS – dhe ju dëshirojmë fat!

Disa kanë me këndu dhe kanë me u paraqitë si “TROJA,” po ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë të cilin ky bend e ka paraqitur me dekada.

“Por kultura kultivohet – nuk blehet me pare as nuk vjedhet”

Çdo aktivitet që mbahet në emër te grupit TROJA që më parë nuk ështe lajmëruar në faqën zyrtare të saj, është keqpërdorim dhe abuzim i emrit të grupit dhe vlerave artistike te saj, të kultivuara me vite.

Faleminderit të gjithëve që na keni dashtë, shajtë dhe përkrahë, na keni urrejtë, na keni dëgju, por edhe atyre që na ka kanë dëgju fshehurazi.

Faleminderit të gjithëve që kanë qenë pjesë e familjës TROJA – që nga themelimi i saj në 1991 nga Florent Bajrami (Flokqi), Tomorr Arifi, Visar Blaku dhe Ismail Beqa (Maki).

Shumë artista, producenta e muzicient kanë kontribu që TROJA të jetë ajo që ështe: Leonard Canhasi, Armend Xhaferi, Pëllumb Ballata, Gent Bajrami, Eduard Qarri, Elod Bajrami, Adhurim Shabani, Edmond Gjinoli, Babuka, Geza, Muharem Veseli (Muha), Fali, Shkelzen Veseli, B.B Poqi, Flaka Krelani, Florent Boshnjaku, e plot plot të tjerë, të cilët i falemnderojmë.

KEMI KRIJU DIÇKA TË BUKUR!

Po, qysh ka thënë një personalitet i joni (emrin nuk po ja përmendim) “Jetojmë në një kohë ku injorantët dhe të padijëshmit kanë fitu më shumë vetëbesim sesa të mençurit” besa edhe përkrahje.

Deri në takimin tonë të rradhës.

TROJA juaj!

Ministrja Dumoshi priti në takim komunitetet jo shumicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me grupin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës 6+, me të cilët ka diskutuar për projekte në të cilat pritet që MKRS-ja të investojë, me theks, ato që janë në interes të qytetarëve të komuniteteve jo shumicë.

Konkretisht, ministrja Dumoshi diskutoi me deputetët për tema dhe projekte që kanë të bëjnë për diversitetin dhe dialogun kulturor mes komuniteteve jo shumicë që jetojnë në Kosovë, trashëgiminë kulturore, restaurimin e objekteve, në veçanti në Prizren si dhe për bashkëpunimin, subvencionet në kulturë, rini e sport për këto komunitete.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, tha se në vazhdimësi MKRS-ja i trajton me kujdes dhe prioritet projektet që kanë të bëjnë dhe që janë në interes të komuniteteve.

“Komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë janë një pasuri e vendit tonë të cilat bëjnë që diversiteti të jetë një ndër vlerat që çmohet e respektohet juridikisht e konkretisht. Vazhdimisht ministra të cilën unë e udhëheq i ka përkrahur projektet e idetë që janë në dobi të komuniteteve jo shumicë dhe me mbështetjen e saj MKRS-ja ka nxitur dialogun kulturor mes komuniteteve me qëllim të ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe shmangies së keqkuptimeve”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Nga ana e tyre, deputetët e komuniteteve jo shumicë, të grupit parlamentar 6+ e falënderuan ministren për pritjen dhe shprehën mirënjohjen e tyre për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe përkrahur komunitetet jo shumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Deputetët i paraqitën sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet që ata përfaqësojnë dhe e informuan ministren për prioritetet që presin t’i përkrah MKRS-ja. Ata thanë se pas rishikimit të buxhetit do të jetë një pasqyrë më e qartë rreth projekteve për kulturë, rini e sport. / KultPlus.com

Veprat e autorëve të letërsisë shqiptare vijnë për herë të parë në formatin digjital, falas

Veprat e autorëve të letërsisë shqiptare vijnë për herë të parë në formatin digjital falas për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Nisur nga mungesa e shumë veprave të digjitalizuara, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim” sjell Platformën Digjitale të Veprave Shqiptare.

Platforma është krijuar me qëllim gjallërimin dhe promovimin e kujtesës kolektive kulturore të komunitetit të Diasporës shqiptare si dhe krijimin e kushteve dhe nxitjen e angazhimit kulturor të anëtarëve të Diasporës shqiptare.

Pjesë e platformës “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare” do të jenë 100 vepra të një game të gjerë zhanresh nga autorë të Rilindjes Kombëtare, të letërsisë bashkëkohore shqiptare si dhe vepra të letërsisë për fëmijë.

Digjitalizimit të veprave shqiptare i kushtohet një rëndësi e veçantë në Strategjinë Kombëtare për Diasporën, si një instrument për përcjelljen dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e kulturore shqipe në Diasporë.

Veprat e para të digjitalizuara mund t’i gjeni këtu:
https://adld.al/ / KultPlus.com

“Mënyra më e mirë e mbajtjes së fjalës është mos premtimi”

Thëniet më të mira kanadeze.

Zogu që shumë këndon, nuk di të bëjë çerdhe.

Kanadezët kalojnë gjysmën e kohës duke u shpjeguar amerikanëve se nuk janë britanikë dhe gjysmën tjetër këtyre të fundit se nuk janë amerikanë.

Arritja të hipë në kokë dhe i bën keq stomakut.

Kur krimineli heshtën dhe nuk vepron është duke vajosur armën.

Në botë ka shumë të këqinj, por s’ka armik më të keq se miku i keq.

E ardhmja është një fëmijë në prehrin e nënës.

Majmuni dhe pse i plakur i ngjitet pemëve bukur.

Kush bën pyetje pa u skuqur do të turpërohet.

Martesa 20 vjeçare ngutje për t’u mburrur, shumë vonë për t’u ankuar.

Mënyra më e mirë e mbajtjes së fjalës është mos premtimi.

Mund të ruhesh nga zjarri, por jo nga njeriu i lig.

Në Francë, çdo grua e mirë dhe e bukur është mbretëreshë – sovrane.

Të dëgjosh të keqin, është fillimi i të këqijave dhe krimit.

Duke e kaluar gomarin dorë më dorë më në fund humbet.

Në rast tufani, futu në çfarëdo porti apo gjiu.

Derisa gjarprit s’ia ke shtypur kokën, në çdo kohë mund të të kafshojë.

Mos e beso lëvdatën e armikut.

Po ta humbasësh mikun e dashur, do ta kujtosh shtatë vjet, po ta braktisësh atdheun, do ta kujtosh deri në vdekje.

Atje ku është dashuria e sinqertë, atje është lumturia e vërtetë.

Pa ushqim s’ka bisedë.

Si del fjala, kalëron erën.

Atë gjë që nuk ta mëson dot nëna, ta mëson bota.

Mos i beso një hiene trupin e një antilope.

Po u gremis shtylla e shtëpisë, gremiset shtëpia e tërë. / KultPlus.com

Elton John i mahnitur me versionin e një grupi nxënësish të hitit të tij “I’m Still Standing”

Ikona e muzikës, Elton John, ka thënë se është mahnitur me performancën e një grupi të nxënësve, të cilët e kanë realizuar një version të ri të hitit të njohur të këngëtarit, “I’m Still Standing”, gjatë kohës së karantinës.

Nxënësit e shkollës “Telford Priory School” në Shropshire, që nga muaji mars po krijojnë video kreative së bashku, me ç’rast po sjellin versione të reja të këngëve hite, transmeton Koha.

Coveri i tyre i këngës klasike të vitit 1983, “I’m Still Standing”, i ishte dërguar Elton Johnit nga muzikanti, Ron Sexsmith, dhe menjëherë pasi e ka shikuar, ylli britanik i muzikës ka reaguar në rrjetet sociale me postimin e një mesazhi.

“E kam shikuar videon tuaj tri herë rresht sepse nuk po mund ta besoja sa bukur këndonit dhe interpretonit në instrumente. Ju e keni bërë një punë të mrekullueshme dhe e keni krijuar një version fantastik të këngës ‘I’m Still Standing’. Shpresoj ta keni një karrierë të suksesshme dhe mos harroni, muzika luan rol të madh në arritjet tuaja sepse padyshim që talenti nuk iu mungon,” ka deklaruar John.

Këngëtari i cili e gëzon një sukses të jashtëzakonshëm anembanë botës, gjithashtu u premtoi këtyre nxënësve që do t’i ftojë për të interpretuar si mysafir në ndonjë koncert të tij në Britani të Madhe, sigurisht kur ngjarjet muzikore live të rikthehen pas pandemisë.

Ndërkohë, së fundmi Elton John ka treguar se çfarë muzike po dëgjon gjatë kohës së karantinës, dhe me këtë rast këngëtari ka deklaruar se albumi debutues i Rina Sawayamas, është muzika e tij e preferuar për këtë vit.

“Unë nuk jetoj me frikën e virusit, dua thjeshtë të jem pjesë e zgjidhjes, e jo të bëhem problemi”

“Unë mbaj maskë në vende publike.
(Si me maskë, si pa maskë) Unë rri 1 metër larg teje.
Unë i laj/pastroj duart vazhdimisht!

Dua që ta dish, që të respektoj ty sepse mund të jem asimptomatik dhe të të trasmetoj/barti virusin.

Jo, unë nuk jetoj me frikën e virusit,
dua thjeshtë të jem pjesë e zgjidhjes, e jo të bëhem problemi.

Nuk ndihem sikur “qeveria me kontrollon mua”, por si një i rritur i përgjegjshëm që kontribuon për shoqërinë.

Bota nuk rrotullohet përreth meje.

Ky virus nuk njeh racë, ngjyrë, moshë ose status!

Duke veshur/vendosur një maskë dhe duke qëndruar së paku 1 metër larg nuk, më bën mua paranojak, të dobët, të frikësuar apo budalla, por më bën të dashur dhe të respektueshëm.

Unë vendos maskë të të mbroj ty!
Ti vendos maskë të më mbrosh mua! / KultPlus.com

U hap Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit dhe ekspozita me vizatime të mjeshtërve shqiptarë

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit dhe ekspozita me vizatime të mjeshtërve shqiptarë “Para & Pas ’90.

Ky event, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar nën kurimin e piktorit të mirënjohur Helidon Haliti bëri bashkë emrat më në zë të artit pamor në Shqipëri.

Në fjalën e tij kuratori Helidon Haliti shprehu një vlerësim të veçantë për këtë ekspozitë duke vënë theksin në veçantinë e saj pasi përfshin një numër të konsiderushëm artistësh ku përfaqësohet thuajse e gjithë shkolla shqiptare e artit pamor duke paraqitur një tematikë frymëzuese nga shumë artistë me përfaqësimin e 53 mjeshtërve të artit figurativ shqiptar.

Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se “Muzeu Historik Kombëtar e ka mbështetur prej vitesh Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit dhe eventi i sotshëm vjen në vazhdën e kësaj tradite tashmë në një partneritet prej 5 vitesh”. Ai shprehu një kënaqësi të veçantë pasi Muzeu ka mirëpritur veprat e autorëve më të mirë shqiptarë ku na jepet mundësia të shikojmë një itinerar në kohë dhe hapësirë një udhëtim të mjeshtërve të vizatimit, që është një prej arteve tona më të fuqishme për të cilën këta artistë na kanë bërë krenar për një kohë të gjatë.

I ftuar në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për artistët e kësaj ekspozite dhe vuri theksin në fuqinë që përcjell arti në veçanti në frymëzimin njerëzor, në prodhimin e energjive krijuese njerëzore, burimi i së cilës shtyn shoqërinë drejt zhvillimit dhe progresit. Ai u shpreh optimist në vazhdimësinë e kësaj tradite dhe në të ardhmen.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datë 25 qershor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. / KultPlus.com

Vajza e George Floyd merr një dhuratë të madhe, bëhet aksionare e Disney

Falë bujarisë së Barbra Streisand, Gianna, vajza më e vogël e George Floyd, afroamerikanit që u vra nga polici, është aksionare e Disney.

Nuk është zbuluar vlera e aksioneve të saj, por Gianna ka postuar një foto me certifikatën.

Edhe Kanye West mori përsipër të paguajë kolegjin e Gianna-s derisa të përfundojë shkollimin.

Vajza i ka falënderuar të dy, në emrin e saj dhe të nënës. / KultPlus.com

Restoranti në Drilon gatuan mish ariu, shiten online shqiponja

   

Një hetim nga organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws”, ka zbuluar se një restorant në Drilon, Pogradec, (në Shqipëri) ofron mish nga gjuetia e paligjshme e arinjve. Sipas “The independent”, kjo tregti e paligjshme e jetës së egër, që duhet të mbrohet, ka dalë jashtë kontrollit në vend. Restoranti, gjithashtu reklamon mishin e ariut, në menunë e tij në Facebook.

Studiuesit thanë, se ishte hera e parë që kishin parë mish ariu të gatuar në Evropë dhe ekspertët paralajmëruan që ky lloj mishi i papërpunuar, mund të çojë në shpërthimin e sëmundjeve zoonotike siç është koronavirusi që është përhapur shumë në të gjithë botën.

“Arinjtë kanë më shumë gjasa të jenë burimi një virusi zoonotik, se çdo grup tjetër i specieve. Gatimi i mirë është shumë i efektshëm për të shkatërruar virusin Covid-19 dhe infeksione të tjera, por konsumi i mishit të ariut është natyrisht, shumë i papëlqyeshëm për shumë arsye, duke përfshirë konservimin dhe mirëqenien e kafshëve, nëse ato janë mbajtur në robëri më parë, duke u vrarë ”, theksoi ai.

Mishi mund të shkaktojë sëmundjen e parazitëve, me simptoma si: diarre, ngërçe, ethe dhe haluçinacione. Prof. James Wood, drejtor i departamentit të mjekësisë veterinare dhe ekspert infeksionist pranë Universitetit të Kembrixhit, tha se Covid-19 dhe të tjera viruse zoonotike, mund të barten nga mishi i kontaminuar, nga çdo specie.

Sipas hetimit, arinjtë, majmunët dhe zogjtë grabitqarë janë ndër kafshët e gjalla që shiten në vendet e njohura të tregut online në internet, duke ngritur frikë për mbijetesën e këtyre specieve.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws” zbuloi se dy nga faqet kryesore në internet të Shqipërisë po publikonin dhjetëra reklama duke shitur arinj të murrmë dhe specie të tjera që mbrohen me ligj. Këto kafshë mbahen në kafaze derisa u vjen koha që të gatuhen apo të shiten.

Ky është një biznes fitimprurës: për shembull, një majmun i vogël kapuçin u ofrua për 750 € (675 £) dhe një buf hambari, një këlysh ariu dhe një ujk, për 500 € secili.

Blerësit janë kryesisht pronarë restorantesh dhe hotelesh, të cilët, i mbajnë kafshët për të tërhequr turistë ose individë që i duan kafshët. Shqiponjat, simboli kombëtar i Shqipërisë, janë veçanërisht të njohura në tregun e shitjes online.

Personat që kryejnë gjueti të paligjshme, mund të burgosen sipas ligjit që u forcua në tetor, por zbatimi i tij është në nivele të dobëta. “Four Paws”, tha se, disa nga reklamat e paligjshme, ishin fshirë, por duke u zëvendësuar me të rejat, më pas.

“Shumë fotografi shfaqnin kafshë, si: dhelpra të mbyllura në kafaz, këlyshë me zinxhirë dhe zogj me këmbë të lidhura” – tha Barbara van Genne, pjesëtare e organizatës.

Majmunët dhe zogjtë e preve, shpesh mbahen në bare dhe restorante në Shqipëri, si një mënyrë për të tërhequr turistët, ndërsa dhelprat shiten për leshin. Ujku është blerë për t’u edukuar me qen, për këlyshët, që të shiten si qen-roje, që zakonisht përdoren në male kundër ujqërve, kurse kafshët e tjera vriten ose balsamosen.

Platformat duhet të prezantojnë masa parandaluese, siç janë identifikimi i shitësit, për të ndaluar këto reklama. Sidoqoftë, problemi kryesor për tregtinë e paligjshme, mbetet mungesa e kontrollit dhe zbatimit nga autoritetet” – theksoi, Van Genne. / KultPlus.com

Shuhet intelektuali, humanisti dhe mjeku i njohur Simë Dobreci

Dje, në moshën 86 vjeçare, u nda nga jeta inelektuali, humanisti, krijuesi dhe veprimtari i njohur Simë Dobreci.

Vdekja e Simës është humbje e madhe për shqiptarët në Malin e Zi, por edhe më gjerë.

Simë Gjon Dobreci lindi (27.3.1934) në Braticë, Ulqin, Mali i Zi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), Fakultetin e Mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967), pastaj në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës ,themeluar më 1969. Më 1974 ai qëndroi një vit në Klinikën Dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989), profesor ordinar (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.

Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.

Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, kur vazhdoi të jetonte në Braticë, Ulqin, ku redaktonte revistën kulturore Buzuku, si dhe vazhdoi të merrej nga pak me profesionin e vet.

Dr. Dobreci do të varroset në fshatin e lindjes, Braticë të Ulqinit, por ende nuk është njoftuar data dhe ora. / KultPlus.com

Shfaqet mbi një liqen në Turqi kisha 1600-vjeçare

Një nga benefitet më të mëdha të izolimit nga Covid-19 ka qenë impakti tek mjedisi që nga pastrimi i ajrit, ujërave dhe natyrës. Gjatë karantinës u duk sikur planeti Tokë më në fund po merrte frymë.

Shembulli më i mirë i kësaj ka ndodhur në Turqi, ku pastrimi i ujërave në liqenin Iznik ka bërë që për herë të parë të shihen gjurmët nënujore të një kishe antike 1,600 vjeçare.

Fotografitë e pabesueshme janë shpërndarë në mediat e huaja, ku qartësia e kristaltë e ujit ka mundësuar që kisha e kohës Bizantine të dalë në dukje.

Kjo kishë është disa metra e mbuluar disa metra nga uji dhe është zbuluar në vitin 2014-të ekzistenca e saj, por vetëm këto ditë ka qenë e mundur që të shihet me sy të lirë.

Në kohën e gjetjes, Instituti Arkeologjik i Amerikës e quajti këtë kishë si një nga 10 zbulimet më të mëdha të vitit.

Historianët besojnë se kjo kishë antike është ndërtuar në vitin 390 pas Krishtit për nder të Shën Neofitos, një shenjt i krishterë i martirizuar në vitin 303 pas Krishtit./ KultPlus.com

Kalaja e Cucës dhe legjendat rreth saj

Duhet të përshkosh fshatin Pouskë për të shkuar tek një kala e veçantë me të cilën karakterizohet qyteti i Prizrenit.

Terren i pjerrët e i vështirë për ecje. Kështu mund të përshkruhet rruga që të çon drejt Kalasë së Cucës apo Kalasë së Çikës, siç njihet ndryshe.

Ballkani i vjetër (Kogja Ballkani), Rrafshi i Dukagjinit, Malet e Sharrit, Opoja e Gora dhe Lugina e Sreckajve, janë pikat që e rrethojnë këtë kala historike.

Si historian, Enver Baftiu e njeh në thelb historinë e kësaj kështjelle, të cilën më të veçantë e bëjnë legjendat që qarkullojnë për të e që ia dhanë emrin Kalaja e Çikës.

Të tilla janë legjendat për Kalanë e Cucës në Prizren.

Më të rëndësishme akoma e bëjnë gjurmimet arkeologjike, të cilat dëshmojnë për këtë kështjellë e për mitet rreth saj./ Ndertim.info / KultPlus.com

“Avatar” rinis xhirimet në Zelandën e Re

Kanë nisur në Zelandë të Re xhirimet e vazhdimit të filmit Avatar, pas dy muajsh bllokim si pasojë e pandemisë.

Ekuipazhi prej 55 personazhesh, përfshirë regjisorin James Cameron dhe producentin Jon Landau, zbarkuan të dielën në vend pasi udhëtuan me një avion charter me një leje të posaçme nga qeveria e Zelandës. Kufijtë janë ende të mbyllur për shtetasit e huaj dhe kjo ka çuar në polemika dhe akuza për pabarazi në trajtimin e njerëzve, situatë të cilën producenti e justifikon me përfitimin eko.

Do të gjenerojë mijëra vende të reja pune dhe miliona dollarë, thotë Landau, teksa ecën në mesin e turmës në Zelandë.

Industria e filmit në Zelandën e Re vlen më shumë se 3 miliardë dollarë në vit. Një film ndërkombëtar gjashtë-mujor mund të krijojë rreth 3,000 vende pune.

Cameron ka vite që punon me vazhdimet e “Avatar” dhe publikimi i tyre është vonuar disa herë. Seria e radhës është planifikuar të dalë në ekranin e madh në Dhjetor 2021, për t’u pasuar më pas nga tre të tjerë, deri në vitin 2027. / KultPlus.com

Kadare thyen heshtjen, flet për Moikom Zeqon: Ditë zie, pse do t’i mungojë Shqipërisë

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë për ndarjen nga jeta në moshën 71-vjeçare të akademikut të njohur Moikom Zeqo.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai e ka cilësuar Zeqon si një nga ata që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta.

“Ishte një nga ata që krijonte gëzim, gjallëri në jetën letrare. Për këtë, ai ka qenë edhe shumë i njohur. Është nga ata, që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta”, thotë Kadare.

Sa i përket veprës së Erudit shqiptar, Kadare shprehet: “Ka qenë i çmuar. Nuk ka qenë i menjanuar, as i pavlerësuar, përkundrazi. Miku ynë, në letërsinë letrare shqiptare tregoi se është e shëndetshme që t’i gëzojmë njerëzit që duan”.

Më tej, ai ka deklaruar për mikun e vjetër se letërsia ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë dhe është ditë zie, ku ata nuk janë më.

“Letërsia ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë, që e duan artin dhe janë të lidhur me të. Dhe është ditë zie, sidomos kur njerëz të tillë largohen nga jeta”, përfundon Kadare.

Kujtojmë që dy shkrimtarët janë njohur në vitin 1964 pranë Vilës së Musa Jukës, ku gjendej Lidhja e Shkrimtarëve e gazeta “Drita”. Në atë kohë Zeqo nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, ndërsa Kadare sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik. / KultPlus.com