Kitaristi Valon Gashi bashkëbisedon me yllin amerikan Steve Vai

Kitaristi i njohur kosovar, Valon Gashi, i cili është edhe pjesëtar i bendit të njohur “Elita 5” ka bashkëbiseduar me kitaristin e njohur amerikan, Steve Vai.

Nëpërmjet një bashkëbisedimi virtual Gashi e Vai treguan më shumë rreth profesionit të tyre.

Gashi pos entuziazmit për të bashkëbiseduar me një kitarist si Vai, i tregoi edhe aftësitë e tij me kitarë teksa Vai mbeti i mahnitur nga mënyra si luajti kosovari.

“Nuk e di se sa shumë mund të të tregoj unë, por ti luan shkëlqyeshëm dhe shumë mirë”, tha Vai.

Teksa Gashi i tregoi këngën e tij të parë Vai gjeti pak nga energjia e tij në të.

Kitaristi i famshëm amerikan luajti disa nga meloditë e tij më të mira për Valon Gashin, i cili iu bashkangjitë duke krijuar një melodi të shkëlqyre së bashku. / KultPlus.com

Historia e dhimbshme e familjes Gjonmarkaj: Gjyshi kërkoi të pushkatohej në vend të djalit, dy vite më pas e varën në litar

Publikohet historia e panjohur e familjes së Preng Gjonmarkajt me origjinë nga Oroshi i Mirditës dhe që rrjedh nga dera e princërore e Kapedanit Gjon Markagjoni, të cilët gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbyen si ushtarakë në armën e Xhandarmërisë.

Dëshmia e rrallë dhe e dhimbëshme e Filip Gjonmarkajt, të birit të Prengës, i cili rrëfen historinë tragjike të babait, xhaxhait dhe gjyshit të tij, Dedës, që kur u dënua me 101 vite burg në gjyqin e zhvilluar në qytetin e Shkodrës bashkë me të birin, Markun, që u dënua me vdekje, i kërkoi trupit gjykues, që nëse ishte mundësia, të ndërronin dënimet me të birin, që atij t’i falej jeta si i ri që ishte, kurse vetë ai të dënohej me vdekje.

Gjykata e morri parasysh kërkesën e tij dhe Markut i’a fali jetën dhe ai vdiq më vonë në burgun e Shkodrës, kurse Dedën e varën në litar dy vite më vonë, për ngjarjen e vrasjes së Bardhok Bibës ku u ekzekutuan 14 mirditorë të pafajshëm. Kurse i biri tjetër, Prenga, ish-zv/ministër i Punëve të Brendëshme në periudhën e pushtimit dhe Kuestor në Shkodër, që kishte nxjerrë nga burgu shumë komunistë, vuajti plot 30 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Me ardhjen e komunistëve në pushtet, kullat tona në Orosh të Mirditësë u dogjën prej tyre, ndërsa babai im, major Preng Gjonmarkaj, i cili gjatë periudhës së Luftës kishte mbajtur detyrën e zv / Ministrit të Brendshëm dhe Kuestorit në Shkodër, ashtu si shumë antikomunistë të tjerë u arratis dhe doli në mal. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati së bashku me kushëririn e tij Mark Gjonmarkajn, i cili e donte më shumë se vëllezërit e tij, në vitin 1945, ai u arrestua në qytetin e Shkodrës dhe u dënua me vdekje. Në atë kohë që u dënua baba, edhe gjyshi jonë Deda, i cili kishte qenë ushtarak i Monarkisë me gradën e kapitenit, ishte i arratisur në mal së bashku me djalin tjetër, Markun.

Gjyshi, Deda, u kthye në shtëpi pas një amnistie që u dha asokohe nga qeveria komuniste e Tiranës, por ai u arrestua përsëri në gushtin e vitit 1949, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës dhe ishte i pari që e varën në litar nga të 14 personat që u ekzekutuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e tij. Para varjes, gjyshi, Deda, kërkoi që të paktën djalit të tij, Markut, t’i falej jeta dhe në vënd të tij të dënihej ai me vdekje, gjë e cila u muar parasysh dhe Marku vdiq në burgun e Shkodrës ku ishte dënuar me 101 vjet”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Filip Gjonmarkaj, ish-oficer me gradën e kapitenit në Gardën e Republikës pas viteve ’90-të, i cili rrëfen gjithë historinë tragjike të familjes së tij që rrjedh prej derës së famshme të Gjonmarkajve të Mirditës, ku pinjollët e saj u ekzekutuan, u burgosën, apo u internuan për 45-vjet me rradhë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Familja Gjonmarkaj, nga dera e Kapidanit

Babai i Filipit, Preng Gjonmarkaj, është nga fshati Orosh i Mirditës, prej nga është dhe origjina e asaj familje nga më të njohurat në Shqipëri. Familja e Preng Gjonmarkajt, rrjedh nga i njëjti trung i familjes së famshme të Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, i cili njihet ndryshe dhe si Princi i Mirditës.

Dera e Gjonmarkajve të Mirditës, e cila konsiderohet si një nga dyert e para të Shqipërisë, ka qenë e përbërë nga tre degë: Lleshi i Zi, Preng Pasha dhe Preng Markola. Preng Pasha, apo siç njihet ndryshe Preng Bib Doda, i cili mbajti postin e Ministrit të Botores në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas vdekjes së tij nuk la asnjë trashëgimtar dhe ajo degë e fisit të Gjonmarkajve u shua fare. Familja e babait të Filipit, Preng Gjonmarkajt, e ka zanafillën dhe rrjedh nga trungu i familjes së Preng Markolës, prej së cilës ka ardhur dhe dera e Princit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit. I pari i kësaj shtëpie Preng Markola, ka qenë tepër i njohur si një nga prijsit ushtarakë të asaj familje, i cili ka udhëhequr bajrakun e tij dhe mirditorët në luftrat kundër pushtuesëve osmanë.

Për këtë gjë ai është përmëndur dhe nga Padër Gjergj Fishta, në veprën e tij madhore “Lahuta e Malcisë”, ku midis të tjerash thuhet: “Janë vënë trimat në rresht për nji / njaj Preng Markola u ka pri / asht Gjonmarkajsh dhe i takon prija / derë ma të vjetër s’ka Shqipnia”. Trojet e vjetra dhe themelet e kullës së familjes së Preng Gjonmarkut dhe të parëve të tij, kanë qenë në fshatin Ndërshen, fare pranë Oroshit, ku ndodheshin dhe sarajet e kushëririt të tyre, Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit.

Deda dhe Prenga, ushtarakë të Monarkisë

Preng Gjonmarkaj u lind në prill të vitit 1913 në fshatin Ndërshen të Oroshit të Mirditës dhe ishte fëmija i parë nga dy djem dhe një vajzë (Markun e Marten) që kishte Dedë Gjonmarkaj, i cili në atë kohë shërbente si ushtarak në qeverinë e Vlorës që kryesohej prej Ismail Qemalit.

Dedë Gjonmarkaj e vazhdoi karrierën ushtarake edhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, duke shërbyer si ushtarak në armën e Xhandarmërisë me gradën e majorit, në rrethet e Gjirokastrës, Kukësit dhe Mirditës. Po kështu edhe babai i Dedës, Preng Gjonmarkaj ishte ushtarak me gradën e majorit dhe për shumë vjet, ai shërbeu si inspektor i Oborrit Mbretëror në Qarkun e Shkodrës.

Ndërsa djali i Dedës, Preng Gjonmarkaj i riu, mësimet e para i mori në Konviktin e Oroshit, që kishte hapur asokohe dera e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, ku ai mësoi për pesë vjet si nxënës i jashtëm. Në atë kohë që Prenga mësonte pranë atij konvikti dhe ishte me rezultate shumë të mira në mësime, babai i tij Deda, kishte dëshirë që ta shkollonte në një shkollat ushtarake, me qëllim që ai të ndiqte traditën familjare të shtëpisë së tyre dhe të dilte oficer.

Lidhur me të kaluarën e karrierës ushtarake të babait të tij, Filip Gjonmarkaj dëshmon: “Pas mbarimit të shkollës unike në Konviktin e Oroshit në vitin 1929, babai im Preng Gjonmarkaj, u dërgua për të ndjekur një kurs ushtarak për armën e Xhandarmërisë, që ishte hapur asokohe nga Mbreti Zog dhe nën kujdesin e instruktorëve italianë, në Plepat e Durrësit. Duke qenë se atë kurs baba e mbaroi me rezultate shumë të mira, ai u titullua oficer me gradën e nëntogerit dhe u emërua si komandant i Postës së Xhandarmërisë në Lis të Matit, ku ai shërbeu deri në vitin 1932. Nga viti 1932 e deri në vitin 1939, babai shërbeu si ushtarak i Monarkisë me gradën e kapitenit në armën e Xhandarmërisë në qytetet e Durrësit dhe Tiranës, ku atij i’u ngarkuan detyra të ndryshme.

Në vitin 1935, kur ndodhi Kryengritja e Fierit, Prenga shërbente si inspektor ushtarak pranë Oborrit Mbretëror të Zogut dhe në atë kohë ai u dërgua për të hetuar rreth asaj kryengritje, që kishte si qëllim rrëzimin e qeverisë monarkiste. Në detyrën e inspektorit ushtarak pranë Oborrit Mbretëror, Prenga shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë.

Pas pushtimit të Shqipërisë, Prenga nuk pranoi të shërbente përsëri në armën e Xhandarmërisë dhe u lirua nga detyra. Në atë kohë ai u kthye në vëndlindjen e tij në Orosh të Mirditës, ku dhe u emërua si Kryetar i Komunës së Fushë-Arrëzit dhe të Fanit të Mirditës”, kujton Filip Gjonmarkaj, lidhur me karrierën ushtarake të babait të tij Prengës dhe gjyshit Dedës, të cilët kishin shërbyer si ushtarakë të Monarkisë së Zogut.

Në Tiranë, zv/Ministër i Brendshëm

Në Komunat e Fushë-Arrzit dhe të Fanit të Mirditës, Preng Gjonmarkaj shërbeu deri aty nga viti 1941, sepse në atë kohë kushëriri i tij, Mark Gjon Markaj që mori më pas postin e Ministrit të Brendshëm, e thirri në Tiranë dhe e ftoi të shërbente përsëri në armën e Xhandarmërisë.

Në atë kohë Prenga veshi uniformën ushtarake me gradën e kapitenit që kishte pasur më përpara në Xhandarmëri dhe pasi punoi për disa kohë aty, u emërua si shef i Zyrës Politike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Në atë kohë atij i’u dha edhe grada e majorit dhe funksioni i Shefit të Zyrës Politike, korespodonte edhe me funksionin e zv / Ministrit. Lidhur me periudhën që Prenga shërbeu pranë Ministrisë së Brendshme, i biri i tij Filipi, dëshmon:

“Ndonëse babai im Preng Gjonmarkaj ishte me bindje të thella antikomuniste, ai nuk e shfrytëzoi funksionin e tij në Ministri, për t’u hakmarrë ndaj komunistëve të arrestuar, përkundrazi, ai tregohej më shumë se ç’duhej human me ta. Këtë qëndrim ndaj tyre baba Prenga, e mbajti edhe gjatë periudhës kur shërbeu si Kuestor pranë Prefekturës së Shkodrës, ku ai tregohej tepër i butë me komunistët dhe në shumë raste ndërhynte për t’i liruar ata nga burgu. Një nga komunistët e njohur që pati liruar baba në atë kohë nga burgu, ka qenë Tom Kola, (”Hero i Popullit”) i cili më pas u vra gjatë një përpjekje kur ishte partizan.

Aq shumë ndërhyrje pati bërë baba pranë italianëve dhe gjermanëve për lirimin e komunistëve të arrestuar, sa që ai disa herë u konfrontua ashpër me eprorët e tij, të cilët nuk i’a kuptonin dot dobsinë që kishte ai për rininë shqiptare, që Prenga nuk kishte qejf ta shihte të kalbej burgjeve”, dëshmon Filip Gjonmarkaj, lidhur me periudhën e Luftës, kur babai i tij u emërua në funksionin e zv / Ministrit të Brendshëm.

Arrestimi i Prengës dhe dënimi 101 vjet burg

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, major Preng Gjonmarkaj, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë të kohe, u arratis në male dhe u bashkua me kushëririn e tij, Mark Gjonmarkajn, i cili në atë kohë ishte udhëheqësi kryesor i rezistencës antikomuniste. Lidhur me këtë, Filip Gjonmarkaj dëshmon: “Që me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, kullat tonë në Orosh të Mirditës u dogjën prej tyre në shënjë hakmarrje. Në atë kohë baba Prenga dhe gjyshi 72-vjeçar Deda, ishin të arratisur në male, së bashku me kushëririn tonë Dr. Mark Gjonmarkajn, i cili e donte Prengën, njëlloj si vëllezërit e tij.

Në majin e vitit 1945, Prenga u rrethua dhe u arrestua nga Forcat e Ndjekjes në zonën e Shllakut në Shkodër, ku ai qëndronte i fshehur së bashku me kushëririn e tij, Gjon Pjetër Gjonmarkajn. Gjyqi kundër tyre u zhvillua në qytetin e Shkodrës dhe prokurori Aranit Çela, së bashku me trupin gjykues, i dhanë dënimin me vdekje, ndërsa për Gjonin, me që ishte shumë i ri, e dënuan me katër vjet burg.

Dënimi i Prengës me vdekje në atë kohë bëri një bujë shumë të madhe në gjithë Qarkun e Shkodrës, për arsye se ai njihej mirë për karakterin e tij burrëror në atë qytet, që nga koha kur kishte punuar si Kuestor dhe kishte lënë përshtypjet më të mira, duke u falur jetën shumë komunistëve.

Nga respekti që kishin krijuar në atë kohë shkodranët për Prengën, pati shumë kërkesa dhe ndërhyrje të ndryshme nga qytetarë të Shkodrës, me qëllim që atij t’i falej jeta. Një nga ato që kërkoi faljen e tij, ishte dhe nëna e “Heroit të Popullit”, Tom Kola, e cila i shkoi vetë në zyrë Prokurorit Aranit Çela dhe i dëshmoi atij se: Preng Gjonmarkaj, i’a kishte liruar njëherë djalin nga burgu.

Nisur nga kërkesat dhe ndërhyrjet e shumta pranë organeve gjyqësore, trupi gjykues i mori ato në konsideratë dhe ia fali Prengës dënimin me vdekje, duke i’a kthyer atë në 101 vjet burg”, dëshmon Filip Gjonmarkaj, lidhur me babanë e tij Prengën, të cilit i’u fal jeta, vetëm në sajë të figurës së mirë që ai kishte lënë në qytetin e Shkodrës, ku kishte shërbyer si Kuestor gjatë periudhës së pushtimit.

Deda varet në litar, Marku vdes në burg

Në atë kohë që Preng Gjonmarkajt i’u fal jeta dhe u dënua me 101 vjet burg, babai i tij Deda, së bashku me djalin tjetër Markun, ishin të arratisur në mal, nga frika e hakmarrjes së komunistëve. Lidhur me këtë, Filipi dëshmon:

“Pas dënimit të Prengës, Gjyshi Deda, me xhaxhanë Markun, qëndruan në mal në arrati së bashku me kushëririn Dr. Mark Gjonmarkajn dhe shumë mirditorë të tjerë antikomunistë, nga familjet e njohura. Aty nga fundi i vitit 1947, ata u kthyen në shtëpi pas një amniste që u dha nga qeveria komuniste e Tiranës për ata që nuk kishin bërë asnjë krim. Por qëndrimi i tyre pranë familjes nuk zgjati shumë, sepse ata u arrestuan përsëri në gushtin e vitit 1949, kur ndodhi vrasja e Bardhok Bibës, që në atë kohë mbante funksionin e Sekretarit të Parë të Komitetit të partisë së Mirditës.

Në atë kohë, si shenjë hakmarrje ndaj vrasjes Bardhokut, qeveria komuniste e Tiranës, nëpërmjet Forcave të Ndjekjes, ku ishin dhe dy këshilltarë sovjetik (kolonelët Sokolov dhe Voleskin) arrestoi dhe burgosi me dhjetra mirditorë. Katërmbëdhjet prej tyre u ekzekutuan në Qafën e Valmirit, në vëndin ku ishte vrarë Bardhok Biba dhe i pari që u var në litar, ishte gjyshi ynë Dedë Gjonmarkaj. Në atë gjyq të shpejtë që u zhvillua pak para ekzekutimit, Deda i tha trupit gjykues: Unë dhe këtë burra të tjerë që na keni arrestuar, nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës.

Megjithatë unë jam gati që të shkoj vetë në litar, por djali im Marku, nuk duhet të ekzekutohet, se është krejt i pafajshëm”. Pasi e varën gjyshin në litar, xhaxhanë, Markut, i’a falën jetën dhe e dërguan në burgun e Shkodrës, ku ai vdiq pak kohë më vonë. Në atë kohë që u var gjyshi Deda, familjen tonë (unë, vëllai Gaspëri, nëna dhe gjyshja) e internuan në kampin e Tepelenës, ku qëndruam deri në vitin 1952 dhe më pas na lejuan të ktheheshim në Orosh. Babai Prenga, vuajti plot 20-vjet e katër ditë dënimin që ishte dhënë dhe pjesën më të madhe e kreu në burgun e Burrelit.

Një nga të burgosurit që ka vuajtur bashkë me babanë në kampin e Thumanës, (Mark Alia nga Mamurrasi), më ka treguar se komandanti i atij kampi major Novruz Shehu, donte të ndërhynte tek Kadri Hazbiu dhe ta lironte Prengën, pasi ai u impononte respekt të gjithëve. Kur u kthye nga Tirana, komandanti i kampit në prezencë të gjithë të dënuarëve, i tha Prengës: “Sa të jetë kjo qeveri, ti nuk do të lirohesh. Ne e dimë se ti nuk ke bërë krime, por të mban brenda mbiemëri që ke”. Pas atyre fjalëve, Prenga buzëqeshi dhe i’u përgjigj: ‘Këtë e di mirë, por mbiemërin e kam më të shtrenjtë se jeten, mor zotni major’.

Pasi u lirua në vitin 1965, ai erdhi në Orosh, ku më 30 prill të vitit 1977, u arrestua përsëri dhe kreu edhe dhjetë vjet të tjera burg politik. Prenga u lirua nga burgu në vitin 1987, në moshën 74-vjeçare dhe nga vuajtjet e sëmundjet që kishte kaluar nëpër burgje, ai vdiq në tetorin e vitit 1992, pak kohë pasi ishte shembur regjimi komunist”, e përfundon rrëfimin e tij rreth historisë të dhimbshme të familjes, Filip Gjonmarkaj, një nga pinjollët e fundit të asaj shtëpie që rrjedh nga dera e kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit, e cila u masakrua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës./Memorie.al / KultPlus.com

Mrekulli në Himarë, delfinët dhurojnë spektakël (VIDEO)

Pamje mahnitëse vijnë nga ujërat e detit Jon. Teksa ka qenë duke pushuar në Himarë regjisorja Vera Grabocka ka filmuar një mrekulli në det.

Një grup delfinësh, si rrallë herë janë shfaqur në ujërat shqiptare.

“Ne detin Jon per here te pare shoh kaq shume delfine. Mrekulli!! #amazingalbania “, shkruan Grabocka. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CB7rwptAGy4/?utm_source=ig_web_copy_link

Kinematë në SHBA përgatiten të ndezin dritat përsëri, por ende me pengesa

Kur kinemaja “Arena Cinelounge” që zë 60 persona në Los Angeles do të hapet përsëri për herë të parë pas disa muajve, numri i ulësve do të mbushen shpejtë.

‘Marrëveshja’ e ulëses, e krijuar për të inkurajuar distancimin shoqëror do të duhet të respektohet në çdo shfaqje, pasi që është një nga masat e reja të sigurisë që po vendoset për të zvogëluar mundësinë e përhapjes së koronavirusit.

“Ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’u siguruar që gjithçka është në rregull dhe që audienca do të ndjehet e qetë dhe e sigurt duke qenë me ne për dy deri në tre orë,” tha pronari Christian Meoli.

Përderisa rreth 780 kinema shtëpie janë rihapur në të gjithë vendin, zyrtarët në Los Angeles County, në tregun më të madh të filmave në SHBA nuk kanë dhënë ende një dritë jeshile, duke shprehur shqetësimin për një rritje të rasteve të koronavirusit.

Në anën tjetër në New York City, gjithashtu është caktuar një datë për rihapjet e kinemave. Biznesi i teatrit është shkatërruar nga mbylljet e koronavirusit që filluan në mesin e marsit, duke lënë dhjetëra mijëra punonjës.

Industria po shpreson për hapje masive në korrik, që të kthehen përsëri në biznes. Masat mbrojtëse përfshijnë maska ​​për fytyrë për mysafirët dhe punëtorët, shkruan “Reuters”, përcjell albinfo.ch / KultPlus.com

Lauren Gardner, gruaja që krijoi gjurmuesin më të njohur të Covid-19

Lauren Gardner, gruaja që qëndron mbrapa atij që mund të jetë gjurmuesi më i famshëm i koronavirsuit të ri, nuk është profesioniste shëndetësore, ajo është inxhiniere.

Prej raportimit të rasteve të para të koronavirusit, tabela e Universitetit Johns Hopkins, e zezë dhe hiri, me pika të kuqe, që tregojnë për rastet e të prekurve, të shëruarve dhe vdekurve me koronavirus në 188 shtete dhe rajone, është vënë në qendër të përpjekjeve për të luftuar pandeminë nga autoritetet shëndetësore, hulumtuesit dhe politikëbërësit.

Ky projekt, që është cituar edhe nga Shtëpia e Bardhë, është kthyer në burim të informacionit për gazetarët dhe publikun, meqë numëron mbi 640 milionë klikime ditore.

Gardner, profesore e asociuar e sistemeve civile inxhinierike në Universitetin Johns Hopkins, dhe krijuese e hartës interaktive, ka thënë se nuk e ka menduar se projekti gjurmues, i krijuar brenda ditës, do të merrte vëmendje të tillë.

Mirëpo, ai është përhapur menjëherë, duke u mundësuar njerëzve që të ndjekin pandeminë në kohë reale pas raportimit të rasteve në Kinë.

Deri më tani, në gjithë botën janë regjistruar më shumë se 9 milionë raste me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, derisa 469,000 prej tyre kanë vdekur.

“Atë e kam parë si diçka që do të mund të përmbushte nevojën e hulumtimit, andaj fakti që kjo gjë ka prekur jetën e secilit në planet, është gjë paralele”, ka thënë Gardner, e cila është bashkë-udhëheqëse e Qendrës për Sisteme Shkencore dhe Inxhinieri në Universitetin Johns Hopkins.

“Mendoj se ka rezultuar me mbushje të zbrazëtisë së madhe që ka ekzistuar në të ofruarit e informacioneve për publikun”, ka thënë ajo për revistën amerikane, U.S. News & World Report.

Si erdhi deri të krijimi i tabelës gjurmuese?
Projekti ka lindur më 21 janar, kur Gardner dhe dy studentët e saj të diplomuar ishin takuar në një kafene. Përgjatë diskutimit, ata ishin fokusuar në koronavirusin e paparë deri atëherë, dhe i cili deri në atë periudhë kishte infektuar rreth 200 persona në Kinë, prej nga ishin të dy studentët, dhe në tri shtet tjera.

Në po të njëjtën ditë, zyrtarët amerikanë kanë raportuar për rastin e parë me koronavirus në Uashington, një burrë që sapo kishte vizituar provincën Hubei në Kinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ende nuk e kishte shpallur shpërthimin e koronavirusit si pandemi, dhe sëmundjes, që shkakton koronavirusi, ende nuk i ishte dhënë emri Covid-19.

Përgjatë bisedës, Gardner dhe një prej studentëve të saj, Ensheng Dong, kishin vendosur që të gjurmonin virusin, dhe harta ishte publikuar më 22 janar.

Projekti kishte fituar aq shumë vëmendje saqë ekipi i Gardnerit kishte lënë gjithçka anash, për t’u fokusuar në gjurmues. Deri në fund të muajit janar, kjo hartë interaktive me të dhëna ka siguruar rreth 200 milionë ndërveprime brenda ditës.

Deri në fund të muajit mars, ajo ishte klikuar mbi 1.2 miliard herë.

“Ka qenë shumë e vështirë në muajt e parë”, ka thënë Gardner, teksa i është referuar ekipit të saj.

Në muajin prill, ajo ka thënë se ekipi i saj nuk ka fjetur shumë dhe se ecja prej shtëpisë së saj në kampus ka qenë koha e saj e vetme e lirë gjatë ditës.

Si janë regjistruar të dhënat?
Fillimisht, ekipi i saj ka regjistruar të dhënat me dorë, duke u bazuar në informacionet e raportimeve të mediave dhe një komuniteti mjekësor kinez, mirëpo tani ajo ka treguar se të dhënat sigurohen në mënyrë automatike nga qendrat e shëndetit publik në gjithë botën.

Në këtë projekt tani janë të angazhuar dhjetëra persona, duke përfshirë shkolla të shëndetit publik, shërbyes të të dhënave dhe ekipe për komunikim.

Ndonëse Gardner ende mbikëqyr gjurmuesin, ajo tani është duke punuar edhe në projekte që i mundësojnë asaj analizimin e të dhënave për Covid-19, dhe jo vetëm mbledhjen dhe publikimin e tyre.

Më 12 qershor, Universiteti Johns Hopkins ka njoftuar se është bashkuar me shkencëtarë nga Scripps Research dhe ata të Universitetit të Kalifornisë në projektin që synon të tregojë pse dhe si përhapen sëmundjet që shndërrohen në pandemi.

Ky projekt ka fituar 1.3 milionë dollarë nga Institutet Kombëtare për Shëndetësi në Shtetet e Bashkuara.

Ekipi planifikon të krijojë databaza masive të trafikut ajror ndërkombëtar, të pasqyrojë motin në gjithë botën, demografitë kombëtare dhe informacionet për pacientët e sëmurë, për të kuptuar më shumë rreth koronavirusit të ri.

Përmes të dhënave, shkencëtarët synojnë të informojnë liderët dhe publikut sesi përballen sistemet komplekse në botë me shpërthime të tilla apo sëmundje infektuese. Shkencëtarët kanë thënë se shpresojnë që qeveritë do të mund të përdorin të gjeturat si mjete për të përmirësuar përgjigjjen e tyre ndaj sëmundjes Covid-19, apo për të minimizuar dëmin e shpërthimeve eventuale në të ardhmen.

Gjurmuesi tregon “apetitin që ekziston për të dhënat”
Profesorja Gardner ka modeluar në të kaluarën përhapjen e viruseve si Zika, apo ai i shpezëve. Vitin e kaluar, ajo ka parashikuar se Shtetet e Bashkuara do të mund të ktheheshin në vatra të përhapjes së fruthit, bazuar në udhëtimet ndërkombëtare ajrore dhe përjashtimet jomjekësore të imunizimit të fëmijëve, të cilat i ka shfrytëzuar si shënjues për hezitimin që ekziston në komunitet rreth çështjes së vaksinimit.

“Unë jam shumë e interesuar në çështjet rreth dezinformimit, keqinformimit dhe komunikimit të shkencës”, ka thënë ajo.

Ajo beson se gjurmuesi ka krijuar mundësi që secili person të ndjekë përhapjen e pandemisë “përmes burimeve autentike dhe transparente”.

Gardner beson se popullariteti i gjurmuesit vërteton apetitin që ekziston për ofrim të të dhënave, të cilat mund të jenë kyçe në luftimin e kërcënimeve tjera shëndetësore globale.

“Do të dëshiroja të deklaroj se neve nuk do të na duhet të krijojmë më diçka të tillë, mirëpo e ndjej se është e pashmangshme”, ka thënë ajo, sa i përket projekteve të tilla për sëmundjet në të ardhmen.

“E kam një ndjenjë se mjete të tilla të informimit tani do të ofrohen përgjithmonë, sepse shihet se ka kërkesë për to”. / KultPlus.com

29 vjet nga masat e dhunshme të Serbisë në UP

Me ardhjen e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.

Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91 të Universitetit të Prishtinës, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi. Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po këtij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi. / KultPlus.com

Francë, 6 të arrestuar për vjedhjen e një vepre të Banksyt (VIDEO)

Gjashtë persona janë arrestuar në Francë si të dyshuar për vjedhjen e një vepre arti që i atribuohet viktimave të Bataclanit.

Identiteti i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur. Ata janë arrestuar gjatë disa operacioneve të ndryshme policore, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Punimi ishte realizuar nga artisti anonim Banksy në vitin 2018 në një derë metalike në sallën e operës në Bataclan të Francës.

Në punimin në fjalë duket një vajzë e re e veshur në të zeza, e cila vajton për 90 personat e vrarë gjatë sulmit terrorist që u zhvillua më 13 nëntor të vitit 2015.

Hajdutët e maskuar kanë arritur ta vjedhin veprën duke prerë derën e metalit.

Kultura arbëreshe pjesë e guidave turistike italiane

Në udhëzuesin e ri të Komunës së Civita-s, për promovimin turistik të saj, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, të cilat u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.

Ky botim i ri informues, që drejtohet nga kryetari i komunës Alessandro Tocci, është realizuar në kuadër të projektit:

“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë, transmeton KultPlus.

Vitet e fundit kjo zonë ka patur shumë vizitorë, dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare, e deri tek veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, të cilat krijojnë një stil të fortë mesjetar.

Shtatë nga këta banesa njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë Kodra), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike në disa tablo të njohura. / KultPlus.com

Para parlamentit të Serbisë vendoset transparenti kundër krerëve të luftës së UÇK-së

Para parlamentit të Serbisë në Beograd është vendosur një transparent me fytyrat e krerëve të luftës së UÇK-së dhe krerëve politikë të Kosovës.

Stema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fytyra e presidentit Hashim Thaçi, kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe fytyra e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë vendosur në këtë transparent derisa në fytyrat e tyre janë bërë iksa (X)

Kjo vjen pak kohë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale ka publikuar një aktakuzë të pakonfirmuar ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së, presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Por, në anën tjetër, edhe kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj por edhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ishin për vite me radhë të ndjekur për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe në fund u liruan si të pafajshëm në mungesë të provave.

Koreografia emocionuese e tifozëve në Rusi kundër Covid-19 (VIDEO)

Futbolli në rusi ka rifilluar prej rreth një jave, ndërsa tifozët e Zenit San Petersburg kanë dashur të festojnë këtë tentativë për të rigjetur normalitetin pas pandemisë, me një koreografi vërtetë unike, transmeton KultPlus.

Në sektorin ku vendosen zakonisht ultrasit është shfaqur imazhi gjigant i një njeriu me veshjen speciale që kontrollon Covid-19, pastaj virusi transformohet në një top për të dëshmuar kalimin nga emergjenca në përditshmëri.

Në stadiumet ruse është e lejuar hyrja e tifozëve, edhe pse në numër të reduktuar e tifozët e Zenit, përpara ndeshjes së fituar 2-1 kundër Krylia Sovetov, kanë shfaqur këtë koreografi sa spektakolare aq edhe emocionuese. / KultPlus.com

https://twitter.com/fczenit_en/status/1276571458303647745

“Çdo shoqëri ka llojin e kriminelëve që meriton”

Thënie të ndritura nga emra të shquar!

“Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.”

“Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.”

“Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.”

“Çdo gjë që ju bëni në shtrat është përsosmërisht dhe absolutisht e pranueshme. Me kusht që të dyja palët ta shijojnë.”

“Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.”

“Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.”

“Personi i parë që hodhi një fyerje në vend të një guri, ishte themeluesi i qytetërimit.

“Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.”

“Ne jetojmë në një kohë krejt të çuditshme, në të cilën befasohemi tek vërejmë se progresi marshon në një hap me barbarizmin.”

“Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.”

“Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.”

“Ne nuk jemi kurrë aq të dobët, sa kur dashurojmë, dhe kurrë aq të palumtur e pa shpresë, se sa kur humbasim objektin e dashurisë sonë.”

“Tregues i parë i idiotësisë, është një mungesë e plotë e turpit.”

“Njerëzit janë më shumë moralë se sa mendojnë, dhe shumë më tepër amoralë sesa imagjinojnë.”

“Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.”

“Cdo njeri normal është, në fakt, vetëm pjesërisht normal.”

“Ndonjëherë, një cigare është thjeshtë një cigare.”


“Çdo shoqëri ka llojin kriminelëve që meriton” – Robert F. Kenedi

“Kur nuk jeni i sinqertë duhet të shtirreni, duke u shtirrur përfundoni duke besuar; ky është parimi i çdo feje.” – Alberto Moravia

“Çdo njeri që e ka përkulur veten e vet, s’ka arritur asnjëherë të drejtojë të tjerët. – Mensio

“Të gjithë lindim të çmendur. Disa mbesin të tillë. – Samuel Beket

“Nuk është dashuria e vërbër, por xhelozia.” – Lorenc Darwll

“Siç dihet, puna e gjeniut është të furnizojë me ide budallenjtë 20 vjet më vonë.” – Luis Aragon

“Pasi përfundon në tufë është e kotë të lehësh:blegërini. – Anton Çehov

“Asgjë nuk është më e rrezikshme se sa një ide, kur është e vetmja që kemi. – Alen

“Sipër pianos kishte një njoftim për shtyp: “Mos qëlloni mbi pianistin. Përpiqet të japë maksimimun e vet!”. – Oskar Uajlld

“Në rastin më të mirë, dikush dhuron atë që do të pëlqente për vete, por me një cilësi dukshëm më të ulët“. – Adorno

“Shumë nga politikanët tanë në Itali janë të paaftë. Pjesa tjetër është e aftë për gjithçka”.  – Ennio Flaiano

“Nuk mund të dihet asnjëherë se çfarë kërkohet në jetë, pasi jetohet vetëm një jetë, dhe nuk mund të krahasohet me jetët e shkuara dhe as të korrigjohet me jetët e ardhshme.” – Milan Kundera

“Mirësia e vazhdueshme mund të arrijë shumë. Ashtu si dielli e shkrin akullin, mirësia bën që keqkuptimi, mosbesimi dhe armiqësia të avullojnë”. – Albert Shvajcer

“Ka prova të pakundërshtueshme se sa më i lartë niveli i vetëvlerësimit, aq më shumë gjasa ka që njeriu të trajtojë të tjerët me respekt, mirësi dhe bujari”. – Nethënill Brendën

“Transparenca, ndershmëria, kujdestaria e mirë, madje edhe humori, funksionojnë në biznes, në të gjithë kohët”. – Xhon Gerzema

“Mbani mend, nuk ka një gjë të tillë, si një akt i vogël mirësie. Secili akt mirësie shkakton një dallgë, e cila nuk ka një fund logjik”. – Skot Adams

“Ai që të ka bërë një akt mirësie, do të jetë më i gatshëm të të bëjë një tjetër, se sa ai që e keni detyruar”. – Benjamin Frenklin

“Dashuria dhe mirësia nuk shkojnë kurrë dëm. Ato gjithmonë bëjnë diferencën. Bekojnë atë që i merr dhe bekojnë edhe ty, që i jep”. – Barbara de Anxhelis

“Mirësia është gjuha që të shurdhërit mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin”. – Mark Tuein

“Mirësia është më e rëndësishme se sa mençuria, dhe pranimi i kësaj është fillimi i mençurisë”. – Teodor Isak Rubin

“Mirësia njerëzore nuk ka dobësuar asnjëherë forcën apo zbutur strukturën e një populli të lirë. Një komb nuk ka pse të jetë mizor, për të qenë i fortë”. – Frenklin Delano Ruzëvelt

“Tre gjëra në jetën e njeriut janë të rëndësishme. E para është të jesh i mirë. E dyta të jesh i mirë. Dhe e treta është të jesh i mirë”. – Henri Xhejms. / KultPlus.com

Vallja e Osman Takës, një nga më të bukurat e botës shqiptare (VIDEO)

Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë, por të gjithë botës shqiptare dhe e mbarë Ballkanit.

Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë, i cili u kap rob në luftë me osmanllinjtë. Hijeshia, me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Ne krenohemi me këtë margaritar të folklorit, prandaj shpërndajeni këtë interpretim mbresëlënës të shkëputur nga filmi “Gjeneral Gramafoni”, që sa më shumë të rinj ta njohin e vlerësojnë!

Kjo valle në origjinë ishte e Epirit, por u quajt vallja e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka nga Konispoli, patriot i kohës, u kap dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe dënohet me varje.

E veçanta e kësaj valleje është se sa mjedis më të ngushtë të ketë, aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë.

Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka, në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë dy-tre valltarët e tjerë, pra duhet që me muskujt e barkut të mbahen dy-tre valltarë të kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysëm.

Këtu theksoj anën historike të valles që nuk kemi të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore. / KultPlus.com

76 vjet nga gjenocidi grek mbi çamët (FOTO)

Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi atë Greqisë. Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve.

Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme.

76 vjet më parë, më 27 qershor 1944, grekët nuk përzunë vetëm shqiptarët myslimanë, por edhe ato familje shqiptare ortodokse, të cilat refuzuan të asimiloheshin nga kisha greke.

Preteksti i gjithë kësaj dhune kafshërore ishte bashkëpunimi i pamëve me forcat nazi-fashiste, hipotezë kjo që është hedhur poshtë edhe nga historianët.

Historiani grek, Jorgos Margaritis, shkruan se, shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3000 njerëz.

Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” me rreth 500 luftëtarë. Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka,Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi,Izet Osmani. Hasan Minga.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në Çamëri banonin rreth 40 mijë shqiptar të fesë islame. Logjika e thjeshtë na bie të mendojmë se numri i atyre që mund të kenë qenë spiunë të gjermanëve ka qenë i papërfillshëm. Ndoshta ka patur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre. Tashmë e vërteta dihet përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq shtetësia greke. Kjo gjë u bë për tu grabitur pronat e tyre dhe për një aneksim të Jugut të Shqipërisë në të ardhmen. Greqia pasi përzuri çamët zbatojë projektin edhe për përzënien e bullgarëve ose sllavomaqedonasve që banonin buzë kufirit. Për këtë gjë ajo shfrytëzojë luftën civile greke të 1946-1949.

Por pas viteve ’90, shqiptarët çamë e kanë rimarrë veten duke qënë të suksesshëm jo vetëm në biznese dhe tregti, por edhe në politikë. Ata kanë disa deputetë në Parlamentin e Shqipërisë dhe tashmë edhe disa kryebashkiakë apo këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin. / KultPlus.com

Deputeti i Parlamentit Evropian: Turp që BE s’i ka hequr vizat për Kosovën

Deputeti i Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl është njëri nga nënshkruesit e letrës që deputetët e PE’së i kanë dërguar kancelares Angela Merkel me kërkesën për të hequr vizat për Kosovën gjatë presidencës gjermane të BE’së që fillon nga 1 korriku.

Mandl i cili është pjesë e Partive Popullore Evropianeka shkruar në Twitter se është e turpshme se si kosovarët janë të vetmit në ballkan që akoma s’mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen të BE’së.

“Popujt e të gjitha shteteve të Ballkanit mund të vizitojnë BE’në pa viza. Të gjitha shtetet? Jo. Populli i Kosovës akoma duhet të përgatisë dokumente dhe të paguajë për të vizituar shokët dhe familjarët. Ndonjëherë ata refuzohen. Turp. Presidenca gjermane mund të luaj një rol kyç për të rregulluar këtë” , ka shkruar Mandl. / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Inva Mulës, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, e cila për së gjalli arriti të gëzojë suksese të mëdha në fushën e muzikës, sot feston 57 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Mula u lind në Tiranë më 27 qershor të vitin 1963 nga babai Avni Mula dhe nëna me origjinë ruse Nina Mula.

Nuk është e pazakontë që arti bartet përmes gjeneve të familjes, e tillë ka qenë edhe historia e familjes Mula. Avni Mula, babai i Invës, një muzicient e kompozitor i njohur, ndërkaq në anën tjeter Nina Mula, nënëa e saj, një soprano e jashtëzakonshme.

Ajo filloi karrierën e sopranos në një moshë shumë të vogël. Koncertin e saj të parë e dha kur ishte 5 vjeç.

Në moshën 16 vjeçare ajo merr mësime nga e ëma e saj, zonja Nina Mula. Më vonë diplomohet si soprano në Akademinë e Arteve në Tiranë ku interpreton Violetën e Traviatës, performancë kjo që do të përsëritet disa herë në rolet e mëpasshme. Ky rol i hap dyert e Teatrit të Operës në Tiranë ku ajo këndon për 5 vjet me rradhë si soliste. Aty interpreton rolet e Rozinës tek “Berberi i Seviljes”, Mimi tek “Boheme”, Xhilda tek “Rigoletto”, si edhe këndon në opera të kompozitorëve shqiptarë.

Që nga viti 1992 ajo zhvendoset në Francë. Triumfon në 1993 në konkursin “Placido Domingo” dhe që aty fillon një bashkëpunim të ngushtë me maestron e madh. Pikërisht këtu fillon karriera e saj ndërkombëtare, fillimisht në operën e Avignon, pastaj Los Angeles, Bonn, ëashington, Chicago e Neë York. Bashkëpunime të mëtejshme me emra të mëdha në fushën operistike si me baritonin Leo Nucci apo maestron Ricardo Muti në teatrin e la Scales në Milano i hapin rrugën suksesit të saj të mëtejshëm në Itali. Ajo ftohet të këndojë Violetën për hapjen e teatrit Arcimoldo në Milano, sukses ky që i sjell angazhime të tjera në Itali.

Së bashku me bashkëshortin e saj Etem Ramadani ata kanë thirrur në jetë edhe fondacionin e quajtur “Hi Classic”, për të ndihmuar talentet e reja në fushën e artit. Por Inva megjithëse jeton jashtë shtetit është më e pranishme se kurrë pranë shqiptarëve të kudondodhur në botë. Deri më sot Inva ka marrë shume çmime si edhe dashurinë e mbarë publikut, si shqiptar ashtu edhe ndërkombëtar, dhe kënget e saj janë bërë moto e mbarë gjeneratave. / KultPlus.com

Bija ime, të drejtohem ty që nesër do të jesh grua…

Bija ime e dashur!
Të drejtohem ty që nesër do të jesh grua. Nuk dua të të flas për dhunën ndaj grave. Kur nuk gjej fjalë t’ia shpjegoj vetes, si mund të ta shpjegoj ty?
Dua të të them vetëm diçka dhe do të ta them mijëra e mijëra herë të tjera që të mos e harrosh: Ti je SPECIALE !
Do të takosh në jetë shumë meshkuj të cilët do marrosen pas teje por dhe meshkuj pas të cilëve do të humbasësh mendjen, do të lotosh për ta. Do të lotosh për fjalën ”përgjithmonë” që do të zgjasë sa një ëndërr. Do mbledhësh copëzat e zemrës shumë herë e çdo herë do pyesësh veten si është e mundur ta mbushësh përsëri edhe pse është plot shenja krisjeje.

Disa meshkuj do të bëjnë të qeshësh, disa të mendohesh.
Qaj nëse të duhet të qash, por mos lejo kurrë askënd të të lëndojë!
Mos lejo askënd të të thojë se je pa vlerë!
Mos lejo që dikush të të lëndojë me fjalë apo vepra!
Mos e beso atë që të thotë se e je dobët!
Dobësia e vërtetë është e atyre njerëzve që njohin veç dhunën, sepse tregon që nuk njohin gjuhë tjetër për të mbrojtur idetë e tyre.
Ti je kaq e mirë!
Je kaq e dlirë!

Dhe nëse kjo gjë shpesh më mbush me krenari, nuk e mohoj që edhe më tremb, sepse të mirët shumë shpesh nuk i vlerësojnë.
Të mirët shpesh bëhen shënjestër.
Asnjëherë mos rresht së menduari se ”nuk ka rëndësi nëse nuk është i bukur, për mua ka rëndësi mirësjellja”, sepse këto mendime janë ato që të bëjnë ty një qenie kaq speciale.
Një ditë do të jesh grua dhe do zbulosh se jo të gjithë janë të mirë.
Do të zbulosh që ekziston dhuna dhe se do të ketë gjithmonë njerëz që dinë të buzëqeshin pavarësisht gjithçkaje.
Ndonjëherë dua të të mbyll në një sferë të qelqtë të të mbroj nga e keqja, por dhe kjo një lloj formë dhune është.

Ec rrugës tënde me kokën lart!
Buzëqesh e para dhe do të ta kthejnë buzëqeshjen.
Ji mikesha e besuar e kujtdo që ka njohur dhunën dhe kërko ndihmë.
Mos harro kurrë kush je dhe sa vlen!
Mos lejo askënd të të privojë buzëqeshjen!
Me dashuri
Mami!

Stefania Pin D’Elia / KultPlus.com

Fragment nga “Anna Karenina”, Lev Tolstoy

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”

– Leo Tolstoy“Anna Karenina”

“Eurovision” – filmi që tregon histori interesante të këngëtarëve që dëshironin ta fitonin konkursin (VIDEO)

Për ata që ende ndjehen të shqetësuar pas anulimit të konkursit të sivjetëm të këngës “Eurovision”, dhe duhet të ketë një ose edhe dy nga ju atje – këtu është diçka për të shtuar boshllëkun, një komedi nga Will Ferrell që është ashtu si vetë nata e “Eurovision”-it.

E qeshura spora do t’ju shoqërojë përgjatë filmit 95-minutësh, por regjisori David Dobkin merr zero pikë zero për zgjatjen e filmit në dy orë. Megjithatë, edhe në atë kohë vrapimi të egër, ai kurrë nuk zgjidh plotësisht problemin se si të parodizojë një ngjarje që prej kohësh është bërë një parodi e vetvetes.

Ferrell luan rolin e Lars Erickssong, një version islandez i karakterit të tij të njohur njeri-fëmijë. Larsi ka qenë i dashur për “Eurovision”-in që nga fëmijëria, kur performanca e Grupit Abba me këngën “Waterloo”, e tërhoqi atë nga errësira për vdekjen e nënës së tij, shkruan DailyMail.

Me shoqen e tij më të mirë Sigrit Ericksdottir (Rachel McAdams), ai formon një duet dhe interpretojnë një këngë të zhanrit pop. Ata dëshirojnë të përfaqësojnë Islandën në konkursin e ardhshëm, i cili po zhvillohet në Edinburgh. Kur të gjithë pretendentët e tjerë vdesin misteriozisht në një shpërthim të madh, ata marrin mundësinë e tyre për të përfaqësuar vendin.

Nëse ata fitojnë, Islanda do të duhet të mirëpresë shfaqjen vitin e ardhshëm – kjo është arsyeja pse ministri i financave të vendit dëshiron që ata të dështojnë, pasi kostoja do të fundoste ekonominë e përhumbur të vendit.

Babai peshkatar i Lars Erick (Pierce Brosnan, por mos u shqetësoni, ai nuk këndon) pret plotësisht që ata të dështojnë, në bazë të faktit se Lars ka qenë një humbës gjatë gjithë jetës së tij. Heck, djaloshit nuk i pëlqen as era e peshkut.

A mundet që Lars të hutojë pritjet e ulëta të babait të tij? A do ta kuptojë ndonjëherë ai që Sigrit është i dashuruar me të? Mund të jenë madje vëlla dhe motër, duke pasur parasysh që Erick është burri më i pashëm i Islandës dhe ka dalë me shumë femra? Në Edinburg, këto dhe pyetje të tjera gjejnë përgjigje.

Mjerisht, as premisa dhe as skenari (i shkruar nga Ferrell) nuk mund të përballojnë gjatësinë e filmit.

Filmi është një satirë politike nganjëherë e mprehtë, nganjëherë e munduar, e shkruar dhe me regji nga komediani amerikan dhe ish-prezantuesi Jon Stewart.

Kolona zanore e filmit e titulluar “In the Mirror” këndohet nga artistja e famshme Demi Lovato, gjersa filmi i plotë është publikuar sot (e shtunë) dhe do të jetë pjesë e platformës Netflix. Klan Kosova / KultPlus.com

Burrë i paskrupullt

Shkruan: Ibrahim Berisha

Tregim

Burrë i paskrupullt

Ç’kemi Ara, pyeta kolegën time asistente, e cila kishte vetëm gjashtë muaj që nisi me organizmin e ushtrimeve klinike.

Nuk më duket e lehtë, por e bëj me kënaqësi, më tha.

Një fillim i mirë edhe një vazhdim i mirë, e inkurajova. Duhet t’i gëzohemi asaj që vjen, thash, po mu duk një frazë koti. Nuk e kuptova as vet për cilin vazhdim ishte fjala. Gjykova se Arës përmendja e vazhdimit të mirë i nxiti keqkuptimin.

E ke fjalën për ushtrimet, pyeti.

Po, thash preras.

Pas tre ditëve e takova kur po hynim në objekt, në orën 6.50.

Ende nuk jam mësuar të zgjohem kaq herët, u ankua.

Mua kafja më bën të zgjohem herët, qesha. Do të vij me kënaqësi, më tha ajo kur unë i oforva të dilnim më vonë në kafenenë “Bari”, që ishte në Lagjen Ulpiana, në anën e kundërt të portës hyrëse të objektit të Instituteve Mjekësore.

Ku ishe, më pyeti të nesermën në korridor, se unë nuk iu lajmërova sikur i kisha thënë.

Telefoni në banesën me qira, nuk punon, i thashë.

Çudi. Nuk ka pasur në Rilindje lajm për prishjen e linjave të telefonit në Prishtinë, tha ajo. Gazeta boton çdo ditë kronikën me atë që do të ndodhte apo kishte ndodhur.

Në ndonje mbrëmje do të dalim, shmanga temën.

I propozova për ëmbëlsira një javë mbas kafes së papirë.

Me gjithë mend e ke, më pyeti.

Sigurisht që po, i thashë.

Me gjithë mend, vazhdoi ajo dhe erdhi në sallën time ku përreth tavolinës ishin pesë karriga. Imja dhe tjerat për mysafirët, klientë e studentët që mund të vinin gjashtë herë, sa ishe orari javor i punës për të sqaruar ndonjë mëdyshje.

Kur mund të flasim seriozisht, e pyeta duke e shikuar pikëllueshëm, i befasur edhe vet, se zëri më iku.

E di nga po shkojmë, tha ajo dhe doli.

Nuk iki, por shkoi, mendova.

Nuk fola më me Arën për kafen. Shmangja takimet e kolegëve kur shkonin në ndonjë rast për të pirë bashkërisht. Gjeja njëqind arsye.

Ndihesha i mbaruar kur ajo dilte për kafe në mesditë me Eretin, kolegun tim të studimeve. Më dukej se trishtimi më kapte për dore, më tërhiqte në një pus të pafund apo në një tunel të pa dalje.

Çfarë të bëja tjetër. Bleva dy libra dhuratë. E thirra në telefon të më priste në kabinetin e saj.

Ia dhashë dhuratën e mbështjellur bukur në Sallonin e Librit.

Falemnderit shumë, më tha. Përse m’i dhuron?

Nuk ke dëgjuar, e pyeta.

Për çfarë, foli habitur.

Po shkoj në Gjermani, i thash. Pas një muaji filloj punën në Munih.

Po më le, pyet. Ishte aq i papritur shikimi i saj pikëllues sa më ranë syzet nga dora.

Edhe mua më pëlqen kur të shoh, i thashë.

Në mbrëmje pas kafes në Bar Gërmia, me Arën shkuam në kinema “Rinia I”. Nga ora 8 shikuam filmin “Tangoja e fundit në Paris”. Kur mbaroi filmi, ishte me fytyrë të skuqur, dhe dukej e hidhëruar pse kisha zgjedhur filmin, ku Paul ishte një arrogant dhe i paskrupullt.

Asnjëherë nuk e kam menduar se një burrë mund të jetë kaq i paskrupullt, tha sa dolem jashtë sallës. Të gjithë pinë duhan në sallë.

Po, ia pohova i turpëruar.

Jeanne duhet të jetë ndjerë shumë e poshtëruar.

Po, i thashë.

Po ta dija nuk kisha ardhë, tha kur u ndamë.

103 vjet nga lindja e Prenk Jakovës, kompozitori i madh që i rezistoi sistemit

Kompozitori i njohur shkodran lindi më 27 qershor të viti 1917 në një familje jo vendase por me prejardhje nga Gjakova.

Prenka ishte i biri i Kolë Jakovës, dhe një burim artistësh që në prejardhjen e tij, nga vendburimi.

Në tërësi Prenk Jakova është njohur si arsimtar, muzikant dhe kompozitor.

Në familjen e tij gjyshi i tij Deda ishte një adhurues i mad hi muzikës, ai i binte klarinetës në Kolegjin Saverian, dhe në të njëjtën mënyrë edhe i ati Kola ishte një ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët në frontin e Luftës së Koplikut.

Për më tepër dhe dy vëllezërit e Prenkës, Deda dhe Çesku do të bëheshin fotograf dhe muzikant.
Prenk Jakova, i nisi hapat e tij në rrugën e arsimit pas shkollës fillore në liceun Illyricum në Shkodër.

Që në shkollë u bë anëtar i bandave muzikore të shkollës dhe madje nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia.

Jakova më pas kaloi si klarinetist i bandës së qytetit prej ku filloi dhe të shkruante motive muzikore që mbështeteshin në ato të këngëve popullore.

Në moshën 18-vjeçare Prenga u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë.

Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxuri kitarrën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar Malli dhe më pas Fyellin e bariut, shkruan Konica.al

Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve.

Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi.
Më vonë kompozitori Jakova u zhvendos në Romë ku edhe nisi mësimin për klarinetën.

Por fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, e më vonë u caktua përgjegjës në korin e Brigadës Sulmuesenë Shtëpinë e Rinisë.

Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë.

Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë.

Gjithsesi vepra Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.

Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve.

Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.

Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezent në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.

Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish-funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.

Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.

Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.

Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Teatri i Operas e Baletit e shpalli vitin e shkuar 2017-ën, si vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkoi me 100-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit. /KultPlus.com

Skulptorja unike, i jep shpirt natyrës

Pothuajse gjysma (48%) e gjithë tokës ishte e mbuluar në pemë, me kohën dhe ndërhyrjen njerëzore, këto pemë janë zbritur në gjysmën e sasisë origjinale.

Një e pesta e pyjeve origjinale kanë mbetur të paqena. Vlerësohet se ka më shumë se 3 trilionë pemë në të gjithë tokën.

Përveç oksigjenit që ata prodhojnë, pemët janë gjithashtu një vend i shkëlqyeshëm i zakonshëm për zogjtë, lakuriqët, prishjet, etj. Përveç kësaj, edhe pemët e ngordhura mund të luajnë një rol jetësor në ekosistem dhe për pemët e ardhshme.

Pasi pema të ketë vdekur, ajo zakonisht grumbullohet në vend. Sidoqoftë, nuk është e vetmja jetë e natyrshme pas një peme pasi ato mund të shkojnë në një udhëtim dhe të mbajnë pasurinë e saj ekologjike larg.

Këto pemë zakonisht lëvizin nëpër liqene, lumenj ose oqeane dhe quhen druflima. Udhëtimi që ata marrin shumicën e kohës është i shpejtë. Pema mund të lihet në një pjesë të ndryshme të shtëpisë së saj origjinale me të njëjtin ekosistem.

Debra Bernier u jep këtyre drifteve të mrekullueshme edhe më shumë bukuri duke i shndërruar ato në skulptura befasuese.

Duke qenë e rrethuar nga drunjtë në Victoria, Kanada, Debra studioi formën e secilës pjesë dhe gdhendi me kujdes ose shtuar natyrën për të formuar figura të buta femërore. / KultPlus.com

Një mësim mbi jetën nga Rumi që vlen të lexohet nga secili

Çfarë është helmi?

Gjithçka përtej asaj që na nevojitet është helm. Mund të jetë pushtet, rehati, ushqim, ego, ambicie, frikë, zemërim… çfarëdo.

Ç’ është frika?

Mospranimi i dyshimit. Nëse pranojmë pasigurinë, kthehet në guxim.

Ç’ është zilia?

Mospranimi i lumturisë së tjetrit. Nëse e pranojmë, kthehet në frymëzim.

Ç’ është zemërimi?

Mospranimi i asaj që është përtej kontrollit tonë. Nëse e pranojmë, bëhet tolerancë.

Ç’ është urrejtja?

Mospranimi i njerëzve ashtu siç janë. Nëse i pranojmë pa kushte, atëherë, kjo kthehet në dashuri.

Ç’ është pjekuria shpirtërore?Është kur ndalojmë së përpjekuri për të ndryshuar të tjerët dhe kur përqendrohemi në ndryshimin e vetes.

Është kur ne i pranojmë njerëzit ashtu siç janë.

Është, kur ne kuptojmë se të gjithë janë të përshtatshëm, sipas perspektivës së tyre.

Është kur mësoni të thoni “lëreni të shkojë”.

Është kur ju jeni në gjendje të mos keni “pritshmëri” në një marrëdhënie dhe jepni nga vetja për kënaqësinë e dhënies.

Kur kuptojmë se atë që bëjmë e bëjmë për paqen tonë.

Është kur ndalojmë së treguari botës sa të zgjuar jemi.

Është kur ndalojmë së kërkuari miratimin e të tjerëve.

Është kur ndalojmë së krahasuari me të tjerët.

Është kur ju jemi në paqe me vetveten.

Pjekuria shpirtërore është kur jemi në gjendje të dallojmë midis “nevojës” dhe “dëshirës” dhe jemi të aftë të çlirohemi nga kjo dëshirë…

E fundit dhe më e rëndësishmja!Pjekuria shpirtërore fitohet kur pushojmë së shtuari “lumturinë” gjërave materiale!

XHELALEDIN RUMI
(Afganistan, 1207 – Turqi, 1273)

Në shqip nga: Bajram Karabolli / KultPlus.com

Amerika firmos urdhrin ekzekutiv- dënime për ata që dëmtojnë monumentet historike

Që nga vdekja e Geroge Floyd shpërthyen protestat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku edhe shumë monumente historike u shkatërruan.

Mirëpo presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv përmes të cilit do të dënohen të gjithë ata që tentojnë të shkatërrojnë monumentet historike e kulturore në vend, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova

Sipas këtij vendimi kushdo që dëmton një monument publik do të ndiqet “në shkallën më të lartë të ligjit”.

Presidenti, përmes Twitter njoftoi se ka anuluar udhëtimin e tij në Nju Xhersi dhe po qëndron në Uashington për të siguruar se rendi dhe ligji po zbatohen. / KultPlus.com

Vazhdon ndryshimi i emrave të bendeve shkaku i racizmit

Grupi i muzikës country “Dixie Chicks” ka vendosur të ndryshojë emrin për t’i dhënë dritë pabarazisë racore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Dixie” shpesh ishte përdorur si nofkë për shtetet jugore që kanë përbërë Konfederatën e Shteteve të Amerikës gjatë periudhës së Luftës Civile. Treshja nga Teksasi ka konfirmuar se tani e tutje do të quhet “The Chicks”.

Lajmin për ndryshimin e emrit e ka konfirmuar vetë grupi kur ka lansuar këngën protestë të titulluar “March March”. Ata kanë ndjekur hapat e pop-grupit amer ikan “Lady Antebellum” që ndryshoi emrin në fillim të muajit qershor. “Antebellum” kishte kuptim të ngjashëm me periudhën e skllavërisë në SHBA.

Krijuesit e hitit “Not Ready to Make Nice”, që kanë fituar 13 çmime “Grammy”, i janë bashkuar lëvizjes kundër racizmit që ka nisur pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd. Vendimi për ndryshimin e emrit vjen pasi gazetari i revistës “Variety”, Jeremy Helligar, vuri në dyshim pranimin e emrit në vitin 2020. “Dixie Chicks nuk ka nevojë të ndryshojë emrin për të marrë atë lloj të publicitetit”, ka shkruar ai, duke iu referuar raporteve për ndryshimin e emrit në “Lady A”, por heshtja e tyre ka qenë shurdhuese”, transmeton KultPlus.

“Duhet të kemi këso diskutimesh dhe ata duhet të jenë pjesë e tyre”, ka shkruar ai. Termi “Dixie” ose “Dixieland”, që ishte kënduar edhe në “American Trilogy” të Elvisit, vjen nga shtetet rreth vijës MasonDixon në SHBA. Në një deklaratë të përbashkët grupi “The Chicks” ofroi një falënderim të sinqertë për një grup të Zelandës së Re që përdorte të njëjtin emër, por që lejoi edhe amerikanët të quhen njëjtë. “Jemi të nderuar që bashkekzistojmë me motrat e talentuara”, ka shkruar bendi amerikan.

Grupi ka përdorur rrjetet sociale për të shprehur qëndrimet e veta politike. Në vitin 2003 u deklaruan kundër pushtimit amerikan në Irak. Natalie Maines, pjesë e bendit, ka thënë se skuqet kur e mendon se atëherë presidenti George W Bush ka prejardhjen nga Teksasi. / KultPlus.com