10 Këngë të “The Beatles” me tematikë filozofike!

Shumica e këngëve të Beatles, si pjesa më e madhe e pop këngëve, kanë tema dashurie. Por siç muzika e grupit zhvillohej, kështu dhe temat e këngëve e tejkaluan fazën e “She loves you yeah, yeah, yeah,”  & “I want to hold your hand.” Disa prej këngëve më të shkëlqyera të tyre, shprehin, ilustrojnë dhe lidhen me ide më filozofike.

  1. “Can’t Buy Me Love”

“Can’t Buy Me Love,” është një deklarim klasik i filozofëve mbi indiferencën tradicionale të të mirave materiale, në krahasim me atë se çfarë është e mirë për shpirtin. Është e vërtetë që Sokrati ka qënë më tepër i interesuar për të vërtetën dhe virtytin sesa për “dashurinë” (e cila siç shfaqet te kënga supozoj nuk është pastër Platonike). Dhe është e rradhës të vihet re që Paul më vonë ka thënë se kënga duhej të këndohej “money can buy me love” (paratë mund të më blejnë dashuri) duke e marrë parasysh eksperiencën e tij me famën dhe pasurinë. Por, mendimi bazë, “I don’t care too much for money, money can’t buy me love” (nuk shqetësohem shumë për para, paratë nuk mund të më blejnë dashuri) do të miratohet nga shumë filozofë prej kohës antike deri në ditët e sotme.

  1. “A Hard Day’s Night”

Karl Marks do e pëlqente këngën “A Hard Day’s Night.” Që shkruan për “klasën punëtore të izoluar,” Marks përshkruan si punëtori është vetvetja vetëm kur është në shtëpi. Kur është në punë, nuk është vetvetja, i degraduar në nivelin e kafshës dhe i detyruar të bëjë çfarëdo që i thuhet.  Një “ooowwwwww” e jashtëzakonshme në mes të këngës është një e qarë ekstatike e nevojës për të qenë me të dashurit, ose ulërimë e një kafshe që çdo ditë “punon si qen”.

  1. “Nowhere Man”

“Nowhere Man” është përshkrim klasik i dikujt që ec pa drejtim dhe qëllim, është i shkëputur nga bota moderne. Niçe ka menduar një përgjigje të përshtatshme, humbjen e kuptimit në lidhje me “vdekjen e Zotit” që do të shkaktonte një lloj paniku. Por “Nowhere Man” si duket ndjehet thjeshtë apatik.

  1. “Eleanor Rigby”

Një individualizëm i përhapur karakterizon shoqërinë moderne kapitaliste; dhe individualizmi prodhon, pothuajse në mënyrë të pashmangshme izolimin dhe vetminë. Kjo këngë e McCartney kap në mënyrë të egër përshkruan vetminë e një gruaje që sheh si njerëzit e tjerë martohen, por jeton deri në fund të jetës së saj vetë, aq jo miqësore, saqë askush nuk shkon në funeralin e saj. “Eleanor Rigby” shtron pyetjen: “Të gjithë njerëzit e vetmuar, nga vijnë ata të gjithë?” Shumë teoricienë socialë do të thoshin se ato prodhohen nga një sistem që është më shumë i interesuar për konkurrencën dhe tregtinë sesa komunitetin.

  1. “Help”

“Help!” është një shprehje shqetësuese nga zemra e pasigurisë e ndjerë nga dikush që bën kalimin nga besimi i verbër i rinisë në një njohje më të ndershme dhe të rritur se sa i duhen të tjerët. Ku “Eleanor Rigby”, është e trishtuar, “Help!” është e hidhëruar. Thellë në vete, është një këngë për vetëdijen dhe thyerjen e iluzioneve.

  1. “With a Little Help from My Friends”

Kjo këngë është në skajin e kundërt të spektrit nga “Help!”. Me melodinë e saj të këndshme, “With a Little Help from My Friends” shpreh sigurinë e dikujt që ka miq. Ai nuk tingëllon si dikush me ndonjë talent apo ambicie të mëdha; të keni miq për të “kaluar kohë”  është e mjaftueshme. Filozofi i lashtë Grek Epikuri do të aprovonte. Ai thotë se nuk nevoitet shumë për të qenë i lumtur, por nga ato gjëra që janë të nevojshme, më e rëndësishmja deri tani është miqësia.

  1. “In My Life”

“In My Life” është një këngë delikate, një nga më të shkëlqyeshmet e John Lennon. Ka të bëjë me dëshirën për të mbajtur dy qëndrime së bashku në të njëjtën kohë, edhe pse ato disi bien ndesh. Ai dëshiron të mbajë përkujtimin e tij të dashur për të kaluarën, por gjithashtu dëshiron të jetojë në të tashmen dhe të mos mbetet i ngulitur në kujtimet e tij ose të detyruar prej tyre. Si “Help!” është gjithashtu një reflektim në procesin e kalimit përtej rinisë.

  1. “Yesterday”

“Yesterday”, një nga këngët më të famshme të Paul McCartney ofron një kontrast interesant me “In My Life”.  Këtu këngëtari preferon të kaluarën mbi të tashmen – “Unë besoj në “dje” – dhe është mbyllur plotësisht pa asnjë dëshirë të pajtohet me të tashmen. Është një nga këngët me mbi 2,000 versione të regjistruara nga artistë të ndryshëm. Çfarë thotë kjo për kulturën bashkëkohore?

  1. “Hey Jude”

“Hej Jude” shtron virtytin e një këndvështrimi të gëzuar, optimist, jo cinik të jetës. Bota do të shfaqet një vend më i ngrohtë për dikë me zemër të ngrohtë, ndërsa “është një budalla që e luan mirë, duke e bërë këtë botë pak më të ftohtë”. Ajo gjithashtu na thotë, në mënyrë modeste, të “jetojmë në mënyrë të rrezikshme”, siç e vendos Niçe në The Gay Science. Disa filozofi argumentojnë se mënyra më e mirë për të jetuar është të bëhemi të sigurt kundër dhimbjes në zemër ose fatkeqësive. Por Jude i është thënë të jetë i guximshëm, dhe të lë muzikën dhe dashurinë nën lëkurën e tij, sepse kjo është mënyra për ta përjetuar botën në mënyrë të plotë.

  1. “Let it Be”

“Let it Be” është një këngë e pranimit, madje edhe e dorëheqjes. Ky qëndrim gati fatalist është ai që shumë filozofë të lashtë rekomanduan si rruga më e sigurt drejt lumturisë. Mos luftoni kundër botës: përputheni veten me të. Nëse nuk mund të merrni atë që dëshironi, dëshironi atë që mund të merrni.

Elton Deda: Suksesi sot shkon për këngë me tekst vulgar, është krijuar modeli më i keq për muzikën tonë

Këngëtari dhe kompozitori i njohur Elton Deda u shpreh se muzikantët profesionistë dhe të mirë në Shqipëri po vijnë duke u pakësuar gjithnjë e më tepër.

Sipas artistit të mirënjohur, Shqipëria ka mundësi të prodhojë këngëtarë, dhe artistë të mirë, por  politikat dhe strategjitë nuk janë të duhurat, e si të tilla ato nuk lejojnë të zhvillohen më tej, deri në kapërcim, pse jo, edhe të kufijve.

A ka artistë të denjë sot Shqipëria?

“Mendoj që kemi pasur shumë dhe nga viti në vit fillojnë e pakësohen. Pjesa më e madhe e asaj që prodhohet nuk bën. Në çdo klub që shkojnë servilet e njëjta muzikë. Duhet ndryshuar mentaliteti, ka gjëra të reja në këtë botë, ka gjëra shumë të bukura, nuk është vetëm një model. Kemi gjetur model të keq, këngët që dëgjojmë në radio kanë të njëjtin beet, të njëjtin tekst, të njëjtën muzikë, si turke e përzier me otoman dhe kjo nuk është e mirë nëse do shohim civilizimin perëndimor”, tha ndër të tjera Elton Deda, i ftuar në emisionin “Provokacja” të Mustafa Nanos.

Për artistin, duhet ndryshuar mentaliteti i muzikës që prodhohet dhe duhet parë drejt civilizimit perëndimor, duke prodhuar modele dhe gjëra të reja.

“Ëndrrat tona atë kohë ka qenë që të ishim “Deep Purple” të Shqipërisë apo “Led Zeppelin”, grupe me peshë. Nuk është se jam zhgënjyer, kemi ndjekur linjën tonë nuk kemi bërë shumë kompromis dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të marrim frytet e punës tonë”, theksoi Deda.

Këngautori i njohur u shpreh se “në një moment artisti është edhe ëndërrimtar por bëhet edhe pragmatist. E mira është që idetë në çdo vend i vogël apo i madh, duhet ti thuash”.

Ai bëri edhe një krahasim me tregun muzikor jashtë vendit.

“Në tregun jashtë ka disa parametra dhe të dhëna që nuk të lënë të gabosh plus që varet edhe nga lidhjet dhe mundësitë që ke për të pasur arritje. Unë kam jetuar në Neë York edhe është një xhungël e vërtetë. Takoja çdo ditë artistë që punonin kamerierë dhe punonin në punë të rëndomta, ditën punonin dhe natën bënin audicione”, u shpreh Deda.

Lidhur me afirmim e disa këngëtarëve shqiptarë në botë, siç është Rita Ora, Dua Lipa etj, ai tha se edhe në Shqipëri ka talentë, por nuk kultivohen dhe nuk vlerësohen.

” Kemi nevojë të jemi në tokën  duhur sepse farën e kemi. Mjafton të tregoj eksperiencën time në “The Voice of  Albania” ku për 3 vjet kam parë çudira. Vajza dhe djem të rinj që këndonin shumë bukur ndaj thashë që e rëndësishme është se në çfarë toke do të mbillet kjo farë, çfarë zone të ujitet, si do kujdesen njerëzit dhe fatkeqësisht në Shqipëri jemi pak ngadalë në këtë pikë”.

“Kjo nuk është ankesë por një realitet që duhet ta pranojmë të gjithë. Është një vend i vogël me mentalitet ballkanik. Këtu ekziston një treg pa lidhje që nuk zhvillohesh dot. Unë e konsideroj këtë pasojë si të ardhur zinxhir gjatë viteve që pas 90’, që nga politika, strategjitë e ndjekura për të ndihmuar artin. Artisti gjithmonë e do një sponsor sepse ka kosto. Në momentin që ka një politikë të shëndoshë, e cila krijon një strategji për artin, sigurisht që ka edhe art të mirë, duhet të ketë një strategji të mirë sepse ndryshe do përfundojmë kështu si kemi përfunduar”, theksoi Elton Deda.

Sot sipas tij, gjendja është e mjerueshme.

“Ne kemi shumë pak këngë që kanë një poezi të mirë, shumica e atyre që qarkullojnë janë tepër vulgare. Është e frikshme sepse kur flasim për artin, flasim për formën më të lartë të estetikës njerëzore. Tregu i lirë nuk ka nevojë të frenohet, tregu i lirë rregullohet me ndërgjegjësimin edhe të muzikantëve edhe të politikave. Aktivitetet duhet të fillojnë nga morali, në fund të fundit ka shumë moral brenda, arti jep mesazhe përmes tij. Shumica e njerëzve janë të lodhur, të varfër dhe arti jep mesazhe për t’i pakësuar këto”, u shpreh Elton Deda. / noa.al/ KultPlus.com

Bota po bashkëjeton me realitetin e ri

Ndërsa infeksionet masive godasin edhe në vendet që dukeshin se e kishin zbutur koronavirusin, zyrtarët po kthehen drejt qasjeve të targetuara dhe të shpejta, por fleksibile, për të ndaluar valët e treta ose të katërta. Kina po teston punonjësit e restoranteve dhe shoferët shpërndarës të ushqimeve, bllok pas blloku pallatesh. Koreja e Jugut u thotë njerëzve të mbajnë dy lloje maskash për situata të ndryshme sociale me risk. Gjermania kërkon që komunitetet të mbyllen kur numri i infeksioneve kalon pragje të caktuara. Britania do të ketë në shënjestër shpërthimet lokale. Në të gjithë botën, qeveritë që dukej se e kishin zbutur koronavirusin po përshtaten me realitetin e ri, dhe mendimin se sëmundja është këtu për të qëndruar. Por duke u larguar nga izolimet e dëmshme mbarëkombëtare, ato po kërkojnë mënyra të targetuara për të gjetur dhe ndalur shpërthimet para se të bëhen valë të treta ose të katërta.

Strategji të ndryshme për qëllim të njëjtë

Ndërsa detajet ndryshojnë, strategjitë synojnë t’u japin qeverive fleksibilitet, që të shtrëngojnë ose lehtësojnë masat, sipas nevojës. Ato synojnë një përzierje të testimit dhe monitorimit intensiv, kohë të shpejtë të reagimit nga autoritetet, menaxhim strikt të kufijve dhe kujtesa të vazhdueshme për qytetarët, mbi rreziqet e kontaktit të shpeshtë njerëzor. Strategjitë shpesh i detyrojnë qeveritë qendrore dhe zyrtarët lokalë të ndajnë të dhëna dhe të punojnë ngushtë së bashku, duke kapërcyer sistemet kompjuterike të papajtueshme, luftërat e egove dhe rivalitetet e tjera burokratike. Tashmë, në Britani, disa zyrtarë lokalë thonë se përpjekjet e tyre nuk janë të koordinuara sa duhet.

Ndryshimi i strategjive është një konfirmim që edhe vendet më të suksesshme nuk mund të shpallin fitoren, derisa të gjendet një vaksinë. Ato gjithashtu nxjerrin në pah sfidën e përballuar nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku autoritetet kurrë nuk frenuan plotësisht shpërthimet fillestare, dhe nga ku koronavirusi do të rrezikojë të përhapet.

“Gjithmonë do të jetë me ne”, thotë Simon James Thornley, epidemiolog nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re.

“Unë nuk mendoj se mund ta eliminojmë virusin. Ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin”. Edhe në vendet ku koronavirusi dukej se ishte nën kontroll, shpërthimet masive mbeten një rrezik i madh. Në Tokio ka pasur 253 infeksione të reja javën e kaluar, 83 nga një lagje me klube nate. Në Gütersloh në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 1.500 punëtorë nga një fabrikë për përpunimin e mishit dolën pozitivë, duke bërë që autoritetet të mbyllnin dy qarqe, transmeton KOHA.

Koreja e Jugut, një tjetër shtet që u lëvdua për reagim të shpejtë, ka njoftuar dhjetëra infeksione të reja ditët e fundit. Në Romë, e cila kohët e fundit doli nga një prej izolimeve më të rrepta në Evropë, 122 persona janë pozitivë, të lidhur me një rast vatre në një spital, Instituti San Raffaele Pisana. Disa ditë më vonë, 18 njerëz që jetojnë në një ndërtesë me banjë të përbashkët dolën pozitivë me virusin.

“Sapo ne ulëm vigjilencën, na goditi”

“Sapo ne ulëm vigjilencën”, thotë Paolo La Pietra, që zotëron një dyqan duhani në këtë lagje, “na goditi”. Koreja e Jugut e quan strategjinë e saj “karantinë të jetës së përditshme”. Vendi kurrë nuk zbatoi masat e rrepta që u panë në vende të tjera, dhe masat për distancimin shoqëror, megjithëse inkurajohen fuqimisht, mbeten udhëzime. Megjithatë, ajo ka vendosur një objektiv të një maksimumi rreth 50 infeksioneve të reja në ditë – një objektiv që thotë se sistemi i vet shëndetësor publik, duke përfshirë edhe testimin dhe aftësinë për gjurmim, mund t’i përballojë.

Zyrtarët zhvendosin rregullat sipas nevojës. Pas një vale të dytë të infeksioneve që shpërtheu në Seul, zyrtarët e qytetit i detyruan njerëzit të mbajnë maska në transportin publik dhe ambiente të mbyllura publike për dy javë.

“Gjeniu i turmave”, nga Charles Bukowski

Ka mjaft pabesi, urrejtje, dhunë, absurditet,
në njeriun mesatarë,
aq sa të furnizojë çdo ushtri, në çdo ditë të dhënë.

Më të zotët për vrasje, janë ata që predikojnë kundër saj
Më të zotët për urrejtje, janë ata që predikojnë dashuri
Më të zotët për luftë, janë ata që predikojnë paqe.

Ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
Ata që predikojnë paqën, nuk kanë paqe
Ata që predikojnë paqe, nuk kanë dashuri.

Kujdes nga predikuesit
Kujdes nga të diturit
Kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra
Kujdes nga ata që ose e urrejnë varfërinë
ose janë krenarë me të.

Kujdes nga ata që ngutën të thurrin lavde
Sepse kanë nevojë t’ua rikthesh lavdin
Kujdes nga ata që ngutën të cenzurojnë
Ata kanë frikë nga ajo që nuk e dine.

Kujdes nga ata që vazhdimisht kërkojnë turmat
vetëm, ata janë asgjë
Kujdes nga njeriu mesatarë, dhe femra mesatare
Kujdes nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare
mesatarën kerkojnë.

Por, gjeniu gjendet në urrejtjen e tyre
Ka gjenialitet të mjaftueshëm në urrjetjën e tyre që të ju vrasë
Të vrasë këdo.

Duke mos dashur vetminë
Duke mos e kuptuar vetminë
Do jenë të gatshëm të shkatërrojnë çdo gjë
Që është ndryshe nga ata.

Duke mos qenë të aftë të krijojnë art
Nuk do e kuptojnë artin
Dështimin e vet do e konsiderojnë si krijes
Vetëm si dështim të Botës

Duke mos mundur të dashurojnë plotësisht
Do besojnë se dashuria juaj është e pa plotë
Dhe atëherë ata do urrejnë
Dhe urrejtja e tyre do jetë perfekte
Si një diamant vezullues
Si një thikë
Si një mal
Si një tiger
si kukutë*

Arti i tyre më i mirë.

Qytetarët me aksion simbolik shfaqin pakënaqësitë për izolim

‘’Kosova s’mund të marrë frymë’’, ‘’Jo racizmit’’ e ‘’Po Kosovës’’ ishin disa prej thirrjeve që një grup i vogël qytetarësh i shpalosi gjatë të premtes para dyerve të Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Përmes simbolikës së gjunjëzimit përfaqësuesi i këtij grupi, Ndriqim Çekaj, tha se qëllimi i kryesor i tyre është që të tregojnë se Kosovës po i bëhet padrejtësi.

Ndërkohë theks të veçantë, sipas tij, duhet t’u vihet premtimeve të shumta që përfaqësues evropianë kanë dhënë për liberalizimin e vizave në takimet me politikanët kosovarë, raporton KOHA.

Ai ka thënë se BE-ja ia ka mbyllur padrejtësisht dyert një vendi si Kosova, derisa shprehet se po bëhet pak edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e ka quajtur racizëm diskriminimin që po u bëhet kosovarëve, por ka shtuar se faj jo të vogël kanë edhe institucionet vendore.

Ky grup nuk e ka përjashtuar mundësinë e aksioneve të ngjashme simbolike para dyerve të ambasadave që veprojnë në Kosovë. Koha.net / KultPlus.com

Memorandum i “mirëkuptimit në arsim” mes Tiranës e Beogradit

Të premten në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë është nënshkruar një memorandum i “mirëkuptimit në arsim” në mes të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit të Serbisë të premten në faqen zyrtare.

Sipas njoftimit, duke konstatuar rëndësinë e edukimit në zhvillimin nacional dhe vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar, memorandumin e kanë nënshkruar dekanja e Fakultetit Filologjik të Beogradit, Liljana Markoviq dhe dekani i fakultetit në Tiranë, Artur Sula.

Ministri serb i Arsimit, Mladen Sharçeviq ka thënë se memorandumi është hap i rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e edukimit dhe shkencës. Sipas tij, edukimi dhe shkenca janë komponentë që afrojnë njerëzit.

“Kemi përkrahur dhe kemi ndihmuar që këto dy fakultete të bashkëpunojnë. Hapi i ardhshëm është bashkëpunimi i Universitetit të Beogradit dhe Universitetit të Tiranës. Në fillim të muajit do të nënshkruajmë memorandum me ministrinë përkatëse të Shqipërisë, pasi duam të inkurajojmë bashkëpunimin në fushën e shkencës”, ka thënë Sharçeviq.

Ai ka njoftuar të ftuarit nga Shqipëria me sistemin e arsimit dhe edukimit në Serbi dhe deklaroi se ministria ka siguruar libra shkollorë për studentët në Serbi që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.

Dekanja e fakultetit në Beograd ka thënë se me memorandum krijohen mundësi tjera të bashkëpunimit, edhe për studimet Master dhe të doktoraturës.

Ndërkohë Artur Sula ka thënë se tani ka mundësi të shumëfishtë të bashkëpunimit me fakultetet në Beograd. Sipas tij nuk ka pengesa për bashkëpunim në nivel universitetesh.

“Hapi i parë pas nënshkrimit të këtij memorandumi është rinovimi i mësimit të gjuhës serbe në fakultetin në Tiranë”, ka thënë Sula.

‘Bileta të fatit s’ka veç për ata që dashuruan si të marrë’

Këngëtarja Altuna Sejdiu- Tuna, njihet për baladat e saj të fuqishme, një pjesë e të cilave janë shkruar e kompozuar nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell njërën nga baladat më emocionale të Tunës, këngë kjo që i këndon një fati tragjik të një dashurie të humbur.

‘Bileta’ është kënga me të cilën Tuna është prezantuar në Top Fest-in e vitit 2007.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Ministrja Dumoshi në takim me ambasadorin Kosnett: Përkrahja për të rinjtë, prioritet i MKRS-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, realizoi një takim virtual me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, shkruan KultPlus

“Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ka rritur përkrahjen në mënyrë të vazhdueshme për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Këtu keni komunikatën e plotë:

“Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, realizoi një takim virtual me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ministrja Dumoshi e informoi Ambasadorin Kosnett për projektet dhe planet që është duke i konkretizuar MKRS-ja në fushat që mbulon ministria, me theks projektet dhe mbështetjen e të rinjve në Kosovë. Ajo theksoi se ministria po punon në vazhdimësi që të ketë kujdesin e veçantë tash në këtë kohë të pandemisë që të plotësojë prioritetet e kërkesat e të rinjve dhe organizatave rinore.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ka rritur përkrahjen në mënyrë të vazhdueshme për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu gjatë takimit ministrja Dumoshi vlerësoi mbështetjen e Ambasadës në projektet për trashëgiminë kulturore.

Ministrja Dumoshi e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e frytshëm që Ambasada ka pasur deri tani me ministrinë, në shumë projekte që kanë qenë të interesit të dyanshëm dhe pret që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadori Kosnett siguroi Ministren lidhur me interesimin e ambasadës për të vazhduar mbështetjen e punës së ministrisë, përfshirë këtu zhvillimin e mundësive ekonomike për rininë dhe përmirësimin e trashëgimisë kulturore të vendit, në kontekstin e zhvillimit të industrisë së turizmit”.

Nostalgji

Poezi nga Agim Doçi.

Më rrodhën lotët nga sytë e shpirtit,
Ky mall i çmendur më torturoi.
Më mirë në kryq, në vend të Krishtit,
Sesa i vetëm, veç të gjalloj.

Ky shpirt i brishtë që preket lehtë,
Nga fjalë e rëndë dhe xhelozia.
Më prishi punë gjithmonë në jetë,
Më bëri sterrë ditët e mia…

Po çfarë kanë njerëzit që egërsohen?
E çfarë kërkojnë më shumë nga unë?
Ata që s’mund të dashurohen,
Përse nuk ikin, por prishin punë?

Më dhemb gjithë trupi, më dhemb gjithçka,
Sa fort më dhemb sot gjoksi im…
Kjo botë e madhe plot vende ka!
Po dhembja ime nuk gjen shërim…

Unë them të iki, t’i lë të gjitha !
Të marr me vehte veç mallin tim.
Ta bëj qivur, të shkoj nga isha,
Atje i vetëm, dhe në harrim…

Pastaj të kthehem pas qindra motesh,
Kur bota ndoshta do ketë ndryshuar.
Të lyp lëmoshë në mes metropolesh,
Si shpirt i brishtë dhe i dashuruar.

Të marr imazhin e asaj që dua,
Të shkoj tek bliri me gjel të egër…
Të vij pas meje, ajo me mua,
Dhe të këndojmë këngën e vjetër…

“Dua të bëhem paksa i krisur,
Dua të bëhem dhe lot tek syt’
Dua të bëhem dhe gjum i prishur,
Dua të bëhem imazhi i yt…”

– Agim Doçi

Letër dashurie nga Gustave Flaubert

“Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër. Eshtë diçka e pleksur dhe e thellë, diçka që më mban nga të gjitha anët, që kënaq të gjitha orekset e mia dhe përkëdhel sedrën time.

Realiteti yt gati zhduket. Përse sa herë mendoj për ty, të shoh me kostume të tjera, të ndryshme nga të tuat? Mendimi se ti je dashnorja ime më vjen rrallë, apo ti nuk formulohesh tek unë nga kjo. Kundroj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, teksa lexoj vargjet e tua duke të admiruar.

Atëherë ajo ka një shprehje të shkëlqyer ideali, krenarie dhe mallëngjimi. Nëse mendoj për ty kur jam në shtrat, një krah i mbledhur, lakuriq, një kaçurrel i ngritur pak më lart se tjetri, duke parë tavanin. – Më duket se ti mund të plakesh duke u shëmtuar, por asgjë nuk do të dyve dhe të pavarur nga ne.

A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri, pasi jemi bërë për njëri-tjetrin. Të dua me gjithë zemër. Do doja të të dashuroja më shumë derisa të të bëja të lumtur, sesa të bëj edhe të vuash!

Unë dua të të shoh në përmbushjen e të gjitha dëshirave të tua”.

– Gustave Flaubert

Nëna ime depresive (I)

Shkruan: Leonora Aliu


Një dromcë përjetimi si pikënisje e shpresë që të thyhet heshtja.

Ora tregonte gati mesnatën. Ishin ditët e para të shkurtit të vitit 2018. Kishte kohë që pandërprerë nga nëna e dëgjoja frazën: “Jam lodhur”. Sidomos ato ditë shkurti, këto dy fjalë ishin të vetmet që i dëgjoja nga nëna ime.

Koka e saj kishte zënë vend në prehrin tim teksa të dyja qëndronim të tmerruara në ulëset e prapme të veturës. Babai voziste pa shumë vëmendje në drejtim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Vushtrrisë. Sikurse ne të dyja, edhe ai dukej i tmerruar.

“Jam lodhur! Jam lodhur!”

Vazhdonte të treve të na shoqëronte kjo litani. Ndonëse për herë të parë këto fjalë prej gojës së saj i kisha dëgjuar më 2014, vite më vonë kur ato u shpeshtuan më dukeshin si litani, si recitime të lodhshme.

Atëbotë shumë pak kuptonim. Atëbotë shumë pak dinim të gjykonim.

Arritëm në emergjencë!

“Çfarë ka ndodhur?” – e pyeti babanë një mjek i njohur i familjes.

“Diazepam? Sa shumë?” – pyeti prapë mjeku.

“Nuk e dimë! Nuk kemi qenë në shtëpi, por në pako nuk ka mbetur as edhe një” – iu përgjigj babai.

Nëna mori trajtimin e nevojshëm dhe iu shkrua një udhëzim. U nisëm për në Klinikën e Neuropsikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nana po pranohej për trajtim shëndetësor.

Kjo nuk ishte dera e parë e një klinike të cilën po e hapnim për të kërkuar ndihmë, por ishte dera e parë e një klinike publike. Para kësaj here i kishim vizituar katër neuropsikiatër me nam në tentativë për të gjetur ilaçin për nënën.

Gjendjen e saj as se njihnim e as se kuptonim.

Që nga viti 2014 kishim realizuar disa vizita mjekësore për nënën. Diagnozat ishin të diskutueshme. Ende nuk e kishim gjetur adresën e duhur për trajtimin e saj. Një farmaci e vockël ishte krijuar në një cep të kuzhinës së shtëpisë sonë. Nëna vazhdonte të ndjehej e lodhur e pa dëshirë për të luftuar tutje.

Sidoqoftë, kësaj radhe ishte ndryshe dhe kishte ardhur koha që të thyhej heshtja. Duhej të kërkohej ndihmë. Të gjendej një zgjidhje sepse kohën nuk e kishim më aleat.

Ajo përveç vetes po na përfshinte të gjthëve brenda gjendjes e saj.

Brenda depresionit!

Që kur isha fëmijë e mbaj mend nënën teksa ankohej se nuk ndihej mirë. Gjente lloj-lloj arsyesh për të shkuar te mjeku. Kishte kriza të shpeshta emocionale, disponim të luhatshëm e dëshira të ndryshme të pa artikuluara.

Por, situata u rëndua më 2014. Funksionet motorike të nënës nisën të ngadalësoheshin. Ishte 45 vjeçare dhe secilën herë më dukej më e lodhur. Nuk kishte oreks dhe kishte filluar të humbte peshë.

Mëngjeset sa vinin e rëndoheshin. Dëshira për të pirë kafe turke bashkë në mëngjes para se të shkoja në punë kishte filluar të venitej. Ky ishte ritual i shenjtë i joni. Ky ritual dalëngadalë u shua.

Asaj kishte nisur t’i humbiste interesimi edhe për të vizituar familjarët me të cilët ishte shumë e lidhur. Nuk kishte kurrfarë dëshire të dilte nga shtëpia.

Nëna nuk punonte dhe ishte amvise me nam të mirë. Deri në detaje përkujdesej për gjithçka e gjithkë. Përveç se për veten. Raportin me tjerët e kishte pothuajse altruist. Raportin me veten e kishte të pavëmendshëm e pa shumë kujdes. Paradoksalisht këto raporte të nënës nuk vëreheshin nga ne të tjerët.

Në vitin 2016 ajo do të mbetej për plot 6 muaj e shtrirë në shtrat. Ushqimi, uji e ilaçet do të gjenin vendin afër shtratit të saj. Këto dy të parat gati pak ose fare të prekura.

Çdoherë i duhej ndihmë që të ushqehej sado pak që të forcohej e mbahej në jetë. I duhej ndihmë edhe për të kryer nevojat fiziologjike.

Ilaçet që përdorte ishin kryesisht antidepresant të cilat ia vështirësonin funksionimin e rregullt. Duhej një sakrificë e kësisoj të në mënyrë që të parandalohej ndonjë veprim që pakthyeshëm do ta dëmtonte.

Ilaçet e kishin bërë të veten duke e shndërruar për një kohë në një qenie të mpirë. Ajo ishte vetëm fizikisht me ne. Mendja e saj kishte shtegtuar, siç thotë ajo sot në “disa re të zeza e pa fije drite”.

Të flitej me të për ndjenja ishte e pamundur. Thjesht dukej se nuk kishte kurrfarë ndjenje.

Në raste të tilla e pyesja shpesh veten se mos vallë skadojnë edhe ndjenjat sikurse produktet e konsumit? Me shumë gjasë nëna i dorëzoi të sajat duke mbetur pa asnjë.

Por ky nuk ishte problemi i vetëm. Sëmundja ishte problemi kryesor.

Duket sikur rregull i pashkruar në shoqëritë si kjo e jona me pabarazi gjinore që gruaja e shtëpisë të jetë në gjendje gatishmërie për nevoja të ndryshme të tjerëve, që nga gatimi e kujdesi për fëmijët, e deri tek kërkesat më të imta të familjarëve.

Ky rregull pak a shumë ka qenë i njëjti edhe për nënën. Ajo duhej të ishte grua vigjilente.

Kur u martua me babanë ajo ishte 19 vjeçare dhe pritej prej saj të lindte fëmijë. Unë linda pas dy viteve martesë dhe një shtatzënie të dështuar, dhe isha fëmija i parë. Lindja ime konsiderohej e vonshme sipas kutit të shumë familjarëve, kujton nëna. “Do me mbet pa fëmijë” – është kukamja më e shpeshtë që kujton nëna.

Kur ajo ishte vajzë e re, nga rrethi i familjarëve të saj shkolla konsiderohej si vend që frekuentohej nga të “përdalat”. Për të mos mjaftuar këto, ajo sot kujton edhe se si klerët fetarë predikonin martesat e hershme dhe riprodhimin e grave.

Nëse i vështrojmë rrethat që shpijnë në depresion e të cilat i rëndisin ekspertët shëndetësor, pa e zgjatur mund të konstatoj se nëna, sikurse shumë gra kosovare, i kishte të gjitha rrethanat e mundshme.

998 tentim-vetëvrasje janë raportuar në Kosovë në pesë vitet e fundit ndërsa numrat anojnë më tepër nga gratë. Statistika të sakta mbi atë se sa persona në Kosovë vuajnë prej depreisonit nuk ka. Fusha e shëndetit mendor mbetet e neglizhuar sidomos sa i përket aspektit të hulumtimeve.

Në nivel global, 800 mijë vetëvrasje kryhen kryesisht nga mosha 15 – 29 vjeç çdo vit, gjersa 264 milionë njerëz vuajnë nga sëmundja e depresionit në tërë globin.

Nëna ime doli të ishte depresive.

Duke jetuar në një shoqëri paragjykuese ndaj problemeve me shëndetin mendor, shpesh herë ajo ishte më tepër viktimë e stigmës dhe mënyrës së si të tjerët u sollën me të, se sa viktimë e sëmundjes së saj.

Lufta për mbajtjen e atij roli të imponuar si grua vigjilente, paaftësia e familjarëve dhe tjerëve që përmbajtësisht t’i ndihmonin si dhe mungesa e diagnozës e kishin rënduar edhe më shumë gjendjen e saj.

Një familje e ngushtë 6 anëtarëshe (ndër ta një fëmijë 7 vjeçar) që po kalonte në faza të ndryshme përballej me rëndesën e papërballueshme të kësaj situate pa fill e pa fund.

Gjendja e nënës zgjati afërsisht 6 vjet, me plot mundime e vështirësi. Ishte insistimi i saj vitin e kaluar që t’i ndaja këto rrëfime me shpresë që t’i ndihmojmë të tjerëve.

Sidoqoftë, ende nuk kemi arritur gjer te viti 2019 kur gjithçka ndryshoj. Për të arritur aty duhet të ndajë shumë e shumë përjetime.

Ishin lutjet e nënës që më nxitën të nis projektin “Ditarët e Depresionit” së bashku me fotografin dhe mikun tim Ferdi Limanin. Një projekt, një tentativë për të thyer heshtjen përmes rrëfimeve personale nga njerëzit që jetojnë të cilët përballen apo janë përballur me depresionin.

”Ditarët e Depresionit” synon ta krijojë një hapësire për të folur lirshëm mbi përjetimet njerëzore dhe pasojat e tyre te individin e çdokush përreth, pa harruar të adresojë edhe problemet institucionale me të cilat përballen njerëzit me çrregullim depresiv.

Ky shkrim me titull “Nëna ime depresive” i ndarë në tre vëllime, si pjesë e projektit “Ditarët e Depresionit” nuk është asgjë tjetër veçse një dromcë përjetimi sa personal, që ka për synim ta thyej heshtjen.

Ky shkrim është ftesë për të gjithë ju që besoni në barazi e mbrojtje të viktimave të çrregullimeve mendore, në mënyrë që të na bashkoheni në thirrjen tone që ta thyejmë heshtjen, ta luftojmë stigmën dhe të avokojmë për ndryshimet e nevojshme.

Ky është një rrëfim mbi shpresën.

Pjesa e dytë publikohet nesër.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Leonora Aliut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Shoqëria civile i kërkon Hotit zëvendësimin e ministrit të Arsimit dhe zëvendësit të tij

Shoqëria civile i ka quajtur goditje të radhës për arsimin, emërimin e Ramë Likaj ministër dhe të Driton Bardhecit, zv.ministër.

Në një letër të firmosur nga 13 organizata të shoqërisë civile, kërkohet nga kryeministri Avdullah Hoti, që t’i largojë nga kabineti i tij Likajn e Bardhecin dhe t’i zëvendësojë me të tjerë.

“Ne, organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile që punojmë dhe e përkrahim fushën e arsimit jemi thellësisht të alarmuar me goditjet e radhës që i bëhen arsimit në Kosovë nën Qeverinë Hoti. Emërimi i z. Ramë Likaj në pozitën e ministrit dhe z. Driton Bardheci në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë vendime të papranueshme për cilindo qytetar të Kosovës që e dëshiron një arsim cilësor, relevant dhe serioz. Kërkojmë nga kryeministri Hoti që t’i largojë nga kabineti i tij këta anëtarë dhe t’i zëvendësojë ata me profile që kanë aftësi dhe integritet për t’i çuar përpara reformat që janë urgjentisht të nevojshme në arsim”, thuhet në letrën e firmosur nga: Admovere, BIRN Kosova, CPC – Center for Political Courage, D4D – Demokraci për Zhvillim, Education Comes First, ETEA, FIQ – Forumi për Iniciativa Qytetare, KCSF – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KYC – Kosovar Youth Council, ORCA. Sbunker, Teach for Kosova dhe TOKA – Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim.

Sipas këtyre organizatave, ministri aktual, Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

“Ndonëse SCOPUS (databaza më e madhe globale e publikimeve akademike që janë ‘peer-reviewed.’) i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet në letër.

Po ashtu është kritikuar edhe zv.ministri Bardhecipasi është zbuluar se ende është student i vitit të tretë në Universitetin Publik.

Të dy janë propozuar nga AAK-ja si partnere e koalicionit.

“Ndërsa, z. Bardheci nuk ka asnjë kualifikim apo përvojë adekuate për këtë përgjegjësi. Përveç tjerash, emërimi i tij në këtë pozitë me përgjegjësi ekzekutive paraqet konflikt interesi në raport me organet e universiteteve publike duke qenë se z. Bardheci është ende student i nivelit Bachelor në Universitetin e Prishtinës, mbi të cilin tanimë ka kompetenca ekzekutive.

Raporti i vitit 2020 i Bankës Botërore thekson se shkalla e analfabetizmit funksional te 15-vjeçarët në Kosovë është deri në 78%. Ndërsa, rezultatet e testit ndërkombëtar PISA vënë në pah mangësitë e politikave arsimore, si pasojë e të cilave nxënësit kanë shënuar rezultate të dobëta në fushën e shkencës, leximit dhe matematikës”, thuhet në letër.

Shoqëria civile vlerëson se dalja nga kjo situatë në të cilën gjendet arsimi mund të bëhet vetëm me persona me etikë profesionale, ekspertizë dhe ide të qarta për avancimin e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës.

“Prandaj, duke marrë për bazë të gjitha çështjet e lartëcekura, ne organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile, kërkojmë që kryeministri Hoti të dëshmojë me vepra se është i përkushtuar për një qeverisje të ndershme dhe kompetente duke: Vendosur një ministër/re të Arsimit dhe Shkencës me aftësi dhe integritet të duhur për të udhëhequr këtë ministri strategjike për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës; Vendosur zëvendësministër/re të Arsimit dhe Shkencës i/e cili/a përfaqëson një standard të kualitetit dhe përkushtimit për t’i mbështetur fuqishëm reformat në arsim; Funksionalizuar procesin e vetingut të stafit akademit të universiteteve publike brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij. Kërkojmë takim me kryeministrin Hoti për t’i adresuar këto kërkesa në shoqërim të miqve ndërkombëtarë. Për shkak të urgjencës së problemit kërkojmë që ky takim të ndodhë deri më 30 qershor 2020”, thuhet në letrën e organizatave joqeveritare. / KultPlus.com

Ambra Hysa publikon ‘Dashuria në kohë Koronavirusi’, një vepër që ndërthur tragjiken, frikën e dashurinë

Xhemile Hysenaj

Periudha në të cilën po kalon bota ka rezultuar të jetë mjaft e vështirë për secilin individ, mirëpo ata që shfrytëzuan këtë periudhë për inspirim dhe punë ishin artistët, të cilët me artin e tyre shfaqën herë dhimbje e herë shqetësim për pandeminë që kaploi botën. Kështu, edhe Ambra Hysa, një krijuese e re në botën e letërsisë, publikoi librin e saj të dytë të titulluar ‘Dashuri në kohë Koronavirusi”. Një libër ky që ndërthur tragjiken, frikën dhe dashurinë në një temë të vetme.

Ambra Hysa për KultPlus ka treguar më detajisht rreth librit, duke potencuar se gjithçka rreth realizimi të tij ka lindur natyrshëm dhe se nuk e kishte menduar më parë të trajtonte një temë të tillë, por ishin rrethanat ato që e inspiruan dhe e shtynë atë të ulej në tyrezën e shkrimit, duke i dhënë kështu një formë tjetër në letër gjithë kësaj katrahure e këtij përjetimi.

”Është punuar natë dhe ditë, në mënyrëqë produkti final të vinte shpejt por njëkohësisht të ishte i mirëmenduar dhe i kuruar deri në detajet më të vogla’, shprehet Hysa për KultPlus.

Hysa poashtu tregoi se kjo periudhë për të ka qenë mjaft e ngarkuar emocionalisht edhe pse si natyrë tregoi të jetë mjaft optimiste. ‘Prirem ti shoh situatat me shumë pozitivitet dhe kjo ka ndikuar edhe në mesazhet plot dritë dhe shpresë që jepen nëpërmjet fragmenteve të librit…ka “filiza” shprese që “çelin” në çdo varg’, vazhdon tutje Hysa për KultPlus.

”Dashuri në kohë Koronavirusi“ vjen si libri i parë i kësaj periudhe të trishtë të pandemisë globale, që jo rrallë herë, është cilësuar si “Lufta e Tretë Botërore”.

Tronditës, i dhimbshëm, po aq sa edhe artistik.

“Dashuri ne kohë Koronavirusi” është bazuar dhe frymëzuar në histori të vërtetë.

Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja shfaqet si ‘‘dëshmitare okulare’’, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme, bën homazh dhe nderim të thellë për mjekët ”Gardianët e Jetës”, bëhet “zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”, dhuron lule për fitimtarët!

U shkrua, në mes të Luftës, dhimbjes, frikës nga e panjohura dhe humnerës shpirtërore e cila la gjurmë dhe ndryshoi përgjithmonë, mënyrën e jetës së njerëzimit.

Duke zbuluar edhe një herë, se Dashuria do të na shërojë dhe se, në të gjitha kohërat, vetëm ajo është përgjigjia.”, thuhet në recensionin e Dëshira Shehut.

Autorja e librit potencoi se në vepër trajtohen ngjarje ku janë të përfshira përjetimet e saj personale dhe rrëfimet e disa personazheve të tjerë të cilët në mënyrë anonime kanë ndarë historitë e tyre të pazakonshme të cilat i kanë përjetuar si pasojë e asaj se çfarë solli me vete Covid19.

Kur së pari lexojmë titullin e veprës së Hysës, nuk ka sesi të mos na kujtohet vepra e njohur botërore e Markezit ‘Dashuri në kohërat e Kolerës’, për të cilin autorja deklaroi se është e ndikuar nga kjo vepër vetëm në emocionin që tenton ta përcjellë, mirëpo kur libri të mbetet pas në kohë, sipas saj do të jetë shumë e lehtë për ta veçuar dhe identifikuar ngjarjen. Dhe se përveç titullit nuk ka diçka të përbashkët në përmbajtje.
”Dashuri në kohë Koronavirusi si Dashuri në kohë Kolere, sepse dashuria është ilaç dhe shërim në çdo kohë’, shprehet Hysa.

”Letërsia është pasioni im i hershëm, nuk mbaj mend që kur kam nisur të shkruaj, por duhet të kem qenë shumë e vogël. Shpirti më mbushet plot kur ulem në tryezën e shkrimit. Më pëlqen ti zhvilloj pasionet që kam brenda vetes dhe besoj e shpresoj fort, që “Dashuri ne kohë Koronavirusi” do të pasohet edhe me botime të tjera’, tregon Hysa për KultPlus.

”Forcë dhe kurajo për të ecur përpara, jeta nuk ndalon, veç vrapon…edhe kur ne gjunjëzohemi, nuk mund të na presë sa të shërojmë plagët, është në ligjet e padiskutueshme të saj. Gjithçka që kemi është “ky moment”. Ky moment, është jeta jonë. Nuk ka të nesërme. Gjithçka që kemi është sot, prandaj duhet të duhemi, me atë lloj dashurie që të nesërmen nuk e njeh si premtim.’, përfundon Hysa. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri drejtues të AKKV ‘Shota’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi sot anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi, Fahredin Spahija, Xhevdet Gashi dhe Driton Rukiqi, si përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim njohës u diskutua rreth planeve dhe objektivave që ka AKKV “Shota”, duke pasur gjithmonë parasysh realizimin e punëve në bazë të përgjegjësive që ka ky institucion kombëtar i kulturës, që mbikëqyret nga MKRS-ja.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në nivel kombëtar, i cili kontribuon në promovimin dhe ruajtjen e kulturës tonë përmes këngëve dhe valleve shqipe.

Ministrja mes tjerash u shpreh se Këshilli Drejtues i AKKV “Shota” do ta ketë mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të saj dhe pret një bashkëpunim në shërbim të avancimit të vlerave kulturore. Ministrja kërkoi nga Këshilli të jenë aktiv dhe të punojnë me profesionalizëm në mënyrë që këtë institucion të kulturës tonë ta mbajnë lartë aty ku e meriton.

Ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues të “Shotës” falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë për ta përkrahur vizionin e tyre që kanë për institucionin. Ata theksuan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe se do të punojnë që AKKV “Shota” të vazhdojnë ngritjen e tij edhe më tutje përmes realizimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike duke e promovuar kulturën shqipe brenda dhe jashtë vendit. / KultPlus.com

‘Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë’

Aforizmat pasqyrojnë të gjithë fushat e jetës. Ato janë pjesë e thesaritë të mençurisë së botës, pavarësisht nga popujt e origjinës së tyre, kjo sepse ato i drejtohen të vërtetave universale, që i rezistojnë kohës.

Për kënaqësinë e lexueve tanë kemi përzgjedhur një gjerdan të ndritshëm me brilantët e mençurisë britanike.

Të rinjtë mendojnë se të vjetrit janë të krisur, ndërsa të vjetrit e dinë se të rinjtë janë të krisur.

Tiranët në shtëpi dhe qeveri dallohen vetëm nga madhësia e pushtetit.

Ushqehu si të të pëlqejë, por vishu si të tjerët.

Zemra e nënës është shkolla e fëmijës.

Zoti i shtëpisë gjithnjë kupton i fundit.

Të dobtit, të pasuruarit shpejt, hajduti dhe mashtruesi nuk janë të çiltër.

Të gjitha vajzat janë të mrekullueshme! Prej nga dreqi dalin aq gra të padurueshme?

Të gjithë jemi pjesë e një gjithësie të mrekullueshme.

Të kuptosh gjithçka do të thotë të falësh gjithçka.

Ti je i sinqertë, unë jam xhaxhai yt, ja dy gënjeshtra.

Suksesi ka shumë baballarë, ndërsa dështimi është jetim.

Ruaju nga gratë e këqija dhe nga pranvera e hershme.

Pemës që dëshiron t’i shijosh frutat, mos ia këput lulet.

Përgjigjja më e shkurtër për diçka është ta bësh atë.

Një gardh në mes e mban gjallë miqësinë.

Një vullnetar vlen sa dy të detyruar.

Ngadalësia dhe konstantja fitojnë garën.

Nuk ka shurdh më të madh se ai që s’do të dëgjojë.

Nuk mund të hidhet valle njëkohsisht në dy dasma.

Ndershmëria dhe sinqeriteti, si dy cilësi të krenarisë popullore, në politikë quhen dobësi.

Në Amerikë, presidenti drejton katër vite, shtypi gjithmonë.

Nëse do një pemë, do duash edhe degët e saj.

Nëse këshilla është e mirë dhe e dobishme nuk ka rëndësi kush e jep.

Morali i popujve varet nga respekti që kanë për gratë.

Mos e ndërto portën më të madhe se shtëpinë.

Mund të mos merresh me politikë por ajo merret me ty.

Më mirë të jesh jashtë botës sesa jashtë modës.

Kush tepër përulet, nëpërkëmbet.

Kush krenohet me rrobat, merr famën e rrobaqepsit.

Kishte aq uri, sa nuk mund të priste priftin të thoshte uratën.

Korbi, kur udhëton jashtë shtetit, kthehet përsëri po aq i ri.

Kur dalim në breg, më nuk lutemi.

Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë.

Keq kur gruaja di të gatuajë dhe nuk do, po ashtu edhe anasjelltas.

Këshilla e vonuar është si shiu pas të korrave.

Injoranca është një sëmundje vullnetare.

I riu e kërkon lumturinë tek e papritura, i vjetri tek zakoni.

Gruaja dhe anija kurrë nuk janë të pajisura sa duhet.

Gjithë tiranët dhe të ngjashmit kanë besuar në lirinë, por për vete.

Fituesit, jo rrallë shkatërrohen nga fitoret e tyre.

Fyerja më e madhe ndaj të ndershmit është dyshimi për ndershmërinë e tij.

Edhe sikur të rrëzohesha nga mbrapa, njëlloj do të thyeja hundët.

E varfër, dashuria nëse mund të matet.

Deti nuk refuzon asnjë lumë.

Drejtësia që nuk ëshë e njëtë për të gjithë është padrejtësi.

Dashuria është farefis me urrejtjen.

Anglezi do dashurinë, francezi bën dashuri.

Arti është ndërgjegja e njerëzimit, po ashtu edhe pasqyrë jete.

Barkat e vogla duhen mbajtur pranë bregut. Të mëdhatë mund të rrezikojnë më shumë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Grafite në Prishtinë: Burrat vrasin gratë, shteti hesht

Disa grafite me mbishkrime në mbrojtje të grave, janë publikuar nga faqja “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.

Në to shprehet revolta ndaj mos reagimit që po i bëhet grave.

“Burrat po i dhunojnë, përdhunojnë dhe vrasin gratë, ndërsa shteti po hesht. Në Kosovë vazhdojmë të tronditemi nga dhuna sistematike që po iu bëhet grave e cila herë-herë po përfundon me vrasje”, thuhet në reagimin e kësaj faqe e cila edhe ka publikuar më pas disa grafitë.

Tutje thuhet se  gratë ndihet të rrezikuara për shkak të mos reagimit nga ana e shtetit.

“Vazhdojmë të ndihemi çdo herë më të rrezikuar/a për shkak të mos-reagimit nga shteti. Kjo dhunë ndaj grave është thellësisht gjinore si dhe mos-reagimi shoqëror e institucional është thellësisht patriarkal”, përfundon ky reagim. / KultPlus.com

“Jemi këtu duke lexuar në oborr, sepse biblioteka është e mbyllur”

Aktivistët e Vetëvendosjes në Gjilan, kanë organizuar një aktivitet në oborrin e Bibliotekës Rajonale në Gjilan, nëpërmjet të cilit ata e kanë kundërshtuar transferimin e Drejtorisë së Kulturës në këtë objekt, ngase mëtojnë se në këtë mënyrë do t’u cenohen të drejtat dhe liritë lexuesve të Bibliotekës.

“Bibliotekat në Kosovë janë hapur, mirëpo në bibliotekën tonë po bëhen punime për ti përgatitur zyra drejtorisë komunale të kulturës.

Kjo bibliotekë është donacion nga Bashkimi Evropian. Që nga viti 2006, projekti i bibliotekës është nëpërkëmbur nga pushtete të ndryshme komunale, derisa më në fund më 2017 u finalizua pas 11 vjetësh.

Që kur është hapur kjo bibliotekë është përdorur për qëllime të ndryshme nga komuna. Në këtë bibliotekë LDK ka mbajtur takime partiake, tubime të fushatave zgjedhore, e tani po krijohen zyra të drejtorisë komunale të kulturës.
Në vitin 2019 kishim mbi 4000 lexues te regjistruar në bibliotekë, ndërkohë çdo vit e më pak hapësirë po mbetet për lexuesit. Mesa duket për Kryetarin tonë, është më e rëndësishme që drejtoritë komunale të kenë zyra luksoze sesa studentët të kenë ku të mësojnë.

Ne kërkojmë që biblioteka të mos shfrytëzohet më për qëllime politike dhe hapësirat të mos uzurpohen nga politikanët. Ne do të vazhdojmë të shprehim pakënaqësinë tonë derisa ajo të mos keqpërdoret më.” / KultPlus.com

Shqiptari që e ndërtoi fluturaken e parë, para vëllezërve Wright (VIDEO)

Për një imam nga Kamenica, i cili jetoj shumë vite më parë, thuhet se pati bërë një “zbulim” goxha të madh.

Fjala është për Hasan Masuricën (22 janar 1869 – 1942), për të cilin thuhet se ishte arkitekt, shkencëtar, inxhinier

Për të trashëgimtarët dhe vendasit thonë se ka bërë ndërtimin e një aeroplani prej plepit që ka fluturuar rreth 50-70 metra, para fluturimit të vëllezërve Wright më 1903. Kjo ishte bërë në vitin 1889, kur Hasani ishte 30 vjeç. Për të madje thuhet se ka zbuluar edhe armë automatike.

Por, dëshmi faktike për këto gojëdhëna nuk ka. /KultPlus.com

Ansambli i këngëve dhe valleve nga Deçani rrëmben dy çmime në festivalin e folklorit ‘Anadrini Folk’

Ndonëse për here të parë Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Deçanit, me koreografinë e koreografit z.Genc Tetaj, konkuroi në një festival të tillë ata rrëmbyen dy çmime nga ky festival në një konkurrence jashtëzakonisht të fortë dhe vlerësim të një jurie profesionale .

Në kushte jo edhe të favorshme në kohë pandemie të COVID-19, kur ke vullnet për të arritur cakun tek një qëllim i përcaktuar nuk ndalësh kështu tha z.Genc Tetaj, i cili tashmë në ketë Ansambël numëron mbi 100 anëtarë të grupmoshave të ndeshmë .

”Kemi punu intesivisht më grupe për të qen të përgatitur  për pjesëmarrje edhe në festival tjera ketë vit  por situate u bë e tillë që na pamundësoi pjesëmarrjen ku të gjitha festivalet deri më tani janë anuluar i vetmi festival i cili është mbajt është ky i Anadrini Folk 2020” potencoi Tetaj.

”U jam shumë falënderues  Institucionit Komunal konkretisht kryetarit të Komunës z.Bashkim Ramosaj, për përkrahjen , Drejtorisë së Kulturës , të gjithë valltarëve dhe prindërve të tyre të cilët kanë qen të gatshëm që edhe në ketë kohë Pandemie të bashkëpunojnë dhe të marrim pjesë në ketë Festival Virtual ku morëm dy qmime:

Çmimin: Loja më e mirë popullore  “Këngë bjeshke e vajzave” – Ansambli i Këngëve dhe valleve “Deçani”  dhe Çmimi “Hajrush Kryeziu” (për vlerësimin më të mirë nga publiku) Ansambli i Këngëve dhe valleve “Deçani”, vazhdoi tutje ai. / KultPlus.com

Përfundon viti shkollor 2019-2020

Pas një periudhe prej 4 muajsh e cila bëri që zhvillimi i mësimit të vazhdojë në platformën online, sot ka përfunduar viti shkollor 2019-2020, shkruan KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ururar nxënësit për durimin dhe sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë për ata.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shprehur falenderim të madh edhe për prindërit e mësuesit të cilët me përkushtim të madh punuan me fëmijët dhe nxënësit e tyre.

”I uroj nxënësit për sukseset e arritura dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe plot sfida, si dhe i falënderoj prindërit e mësimdhënësit të cilët punuan me përkushtim që mësimi online të mos i lë nxënësit prapa më mësime.
Uroj që në vitin e ardhshëm shkollor t’i kthehemi normalitetit dhe nxënësit bashkë me mësuesit t’i kthehen ambienteve shkollore!
‘, u shpreh Ahmeti. / KultPlus.com

Pllaka e Nënës Terezë me mbishkrimin edhe në shqip në sheshin e Shkupit

Në sheshin qendror të Shkupit, ku është pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, për herë të parë është vendosur mbishkrimi edhe në gjuhën shqipe.

Kjo pllakë është e vendosur në pjesën qendrore të kryeqytetit, aty ku më parë ka qenë shtëpia e familjes Bojaxhiu, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, përcjell INA.

“Beteja për vendosjen e dinjitetit në vendin e duhur, po ndodhë me rikthimin e shenjave identifikuese e civilizuese , siç mund të jetë gjuha. Ky rikthim po ndodhë në 40 vjetorin e shpalljes së Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza- QYTETARE NDERI e Shkupit (1980), duke hapë një kapitull të ri në betejat tona kulturore e shoqërore, aty ku edhe duhet të realizohet barazia e plotë e njerëzve të këtij nënqielli.”, ka nënvizuar publicisti Emin Azemi.

Sipas tij, ITSHKSH dhe drejtori Dr. Skender Asani, qëndroi me dinjitet në ballë të kësaj beteje, duke rikonfirmuar në praktikë arsyeshmërinë e themelimit të Departamentit për studimin dhe nderimin e Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, institucion i parë kërkimor ky në botë që merret në mënyrë të përkushtuar me studimin e figurës dhe veprës së Nënë Terezë.

“Në Sheshin qendror të Shkupit po troket jehona e historisë së lavdishme Dardane”, ka shkruar Azemi.

Pllaka e shkruar në shqip është bërë me një mbështetje nga nënkryetari i Qytetit të Shkupit, biznesmeni Enver Maliqi. / KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të shpalosur me rastin e 50-vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

Sipas tij, viti 2017 ishte tejet i begatshëm për Institutin Albanologjik, meqë nga punonjësit e tij shkencorë u botuan një sërë veprash.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Flora Toto, parashutistja e parë shqiptare

Hedhja me parashutë, sot nuk është ndonjë ngjarje, por në vitet e 70 ishte aventurë, guxim e histori, posaçërisht për vajzat shqiptare.

Më shumë se 50 vjet më parë, nga qielli zbriti parashutistja e parë shqiptare. Flora Toto Shqevi është e para parashutiste femër në Shqipëri. Ajo është një nga 5 femrat që për herë të parë u futën në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike e më pas pedagogia e parë femër në këtë Institut, gjithashtu dhe trajnerja e parë femër në gjimnastikë.

“Unë kisha ëndërr të bëhesha pilote, por meqë kjo gjë ishte e pamundur, të paktën arrita të fluturoja”, thotë Flora.

Ishte 22 vjeç kur solli këtë vendim. Sapo kishte mbaruar fakultetin dhe kishte filluar punën si pedagoge në Institut. Pas dy javë ushtrimesh, me një helikopter ushtarak nga një lartësi mbidetare prej 1000 metrash , ajo u hodh me parashutë për të zbritur në një fushë të vjetër të aviacionit. Kishte frikë t’ i tregojë familjes , ndaj këtë plan u përpoq ta mbaj sekret. Prindërve u kishte thënë qe do të kalonte një natë në Institutin e Fizkulturës për shkak të një aktiviteti të planifikuar herët në agim.

Mirëpo rastësisht, i ati qe atë mëngjes ishte duke pritur në radhë për qumësht dëgjon njerëzit tek bisedonin qe sot, një grup vajzash do të hidhen me parashutë. Kështu ai e zbulon sekretin e të bijës. Kthen menjëherë në shtëpi, dhe i rrëfen të shoqes. Të dy nisën për të vendi i ngjarjes Instituti i Fizkulturës. Të shqetësuar e me lot në sy takojnë të bijën e cila tashmë kishte veshur uniformën e parashutistësh dhe nuk kthehej prapa.

Disa muaj më vonë Tefta Toro arrinë të bindë edhe tri shoqe tjera dhe kështu katër vajzat e para shqiptare hidhen me parashutë dhe zbresin në tokë pa ndonjë problem. Ishin këto Polikseni Gorishti, Drane Cara, Vezire Meta. Ishte kjo ngjarje e madhe dhe tejet emocionuese për këto të reja shqiptare.

Mbaj mend, rrëfen Toro qe secila prej nesh duhet paluar me kujdes të madh parashutën në çantë. Brenda, secila kishte edhe pasaportën dhe emrin e mbiemrin. Pas palosjes së parashutës vihej nënshkrimi qe do të thoshte qe secila merrnim përgjegjësinë për këtë veprim.

Flora Toto ishte edhe sportiste e dalluar dhe sekretare e Federatës Shqiptare të Gjimnastikës dhe Notit. Gjashtë vite me radhë kampione e Shqipërisë në gjimnastikë artistike. U angazhua gjithnjë për zhvillimin e parashutizmit dhe notit në Shqipëri. Në një intervistë dhënë Emira Isufajt, ajo flet për kushtet e vështir qe në atë kohë kishin notuesi shqiptarë. Ne ushtronim në ujin e detit, sepse nuk kishim pishinë të mbyllur.

Ditëve të dimrit deti ishte i ftoftë, ndaj, një ditë trokitëm në zyrën e Mehmet Shehut për të kërkuar ngritjen ose adaptimin e një pishine për ushtrime dimërore. “Ikni nga këtu, na tha Mehmeti, sa ngrisë pishina për not, më mirë nderto një spital për të sëmurët”. Megjithëse u befasuan me reagimin e Mehmet Shehut, ky refuzim nuk e dekurajoi as largoi nga sporti e posaçërisht parashutizmi.

“Parashuta më shoqëroi gjithë jetën, thotë ajo. Edhe vjehrra krenohej duke thënë se nusja ime u hodh për herë të parë me parashutë.” / KultPlus.com

103 vjet nga lindja e Idriz Ajetit, babait të albanologjisë në Kosovë

Idriz Ajeti, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, lindi më 26 qershor të vitit 1917 në Tupallë të Komunës së Medvegjës, shkruan KultPlus.

Profesori Ajeti, shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin e tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit ishte një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. Ai u nda nga jeta më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare / KultPlus.com