I lindur në Elbasan më 8 Mars 1881 Isuf Myzyri është një artist i rëndësishëm në historinë tonë, Artist i Popullit pas vdekjes.
Mjeshtër popullor i njohur gjithandej me emrin Usta. Krijues, këngëtar-tenor dhe interpret i shquar popullor në veglën e violinës i gjysmës së parë të shek. XX.
Në fëmijëri Isuf Myzyri punoi në zanate të ndryshme. Martohet në moshë të re dhe ndahet pas disa vitesh. Tërë jetën e tij e kaloi së bashku me të motrën e tij, dhe nuk u martua përsëri. Origjina e nënës së tij ishte nga Përmeti. Më 1905 formon formacionin e tij me vegla popullore të përbërë nga Simon Vela me çyr, Mahmut Ashiku me llahutë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Priftin e gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimin me çyr bishtëgjatë, Myrteza Gracenin dhe Riza Beratin me violinë.
Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues “Usta Isufi” e filloi në moshë të madhe rreth viteve 1927-1928, me autorësinë e Usta Isufit njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase. Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij përmendim: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke një pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”, “Ç’u dëshirush për me të pa”, “Spaske pasë pikë mëshire” etj. Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase ku spikatin bukuria e frazës muzikore si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Në vitin 1950 i jepet titulli “Dervish nderi”, nga ana e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njeri këngëtar në tjetrin jo vetëm në Elbasan por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë.
Në vitin 1950, në qytetin e Elbasanit, formacioni muzikor i Usta Isufit ka regjistruar disa disqe me këngë popullore në një shtëpi diskografike të ish Bashkimit Sovjetik. Ndër këngëtarët e tjerë popullorë të qytetit të Elbasanit që kanë kënduar këngë popullore me formacionin e tij me vegla përmendim edhe Mitat Stringën, Leksi Vinin, Mustafa Bodinin, Rustem Sericën, Mahmut Ashikun, Arif Topallin, Met Balashin, Demir Shoren, Ali Zenën etj. Më 31.08.1978 (pas vdekjes) i jepet titulli i lartë “Artist i Popullit” me motivacionin: “Si këngëtar popullor, ka dhënë një ndihmë të shquar në pasurimin dhe zhvillimin e këngëve folklorike…”./ KultPlus.com
Gratë moderne përpiqen – fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.
Në një botë ku kemi më shumë mundësi se kurdoherë më parë, gratë moderne duket sikur po mbyten nën peshën e gjithçkaje që kemi në “pjatat e jetës” – që na zbarkojnë në një vend të dhimbjes, joharmonisë hormonale, rraskapitjes dhe çlidhjes.
Atëherë, pse është kështu? Kam përpiluar një listë me 15 arsye pse besoj se gratë moderne po luftojnë e mundohen. I kam vështruar këto arsye kohë pas kohe edhe te vetja, te klientet e mia dhe te gra tjera në jetën time.
Shpresoj ta gjeni veten në këto pika dhe të frymëzoheni për të bërë ndryshime në jetën tuaj, që të shndritni në versionin tuaj më të mirë dhe vërtet të plotësuar.
1. Japim energj që as nuk e kemi pasur fillimisht.
Jetojmë në një kohë kur në çdo moment është dikush apo diçka që ka nevojë për ne. Çdoherë. Për shkak se kërkesat për energjinë tonë janë të vazhdueshme, duhet të mësojmë të jemi përzgjedhës për gjërat që vërtet kanë rëndësi. Aq shumë gra funksionojnë thuajse të zbrazta nga energjia, dhe megjithatë ato vazhdojnë të japin. Rezultati është zbrazje serioze e energjisë dhe kjo mund të kërkojë muaj apo edhe vite për t’u rekuperuar.
2. Besojmë se duhet të jemi gjithçka për çdokënd.
Gratë marrin kënaqësi dhe gëzim të madh nga të ndihmuarit, shërbimi, dhe rregullimi i gjërave. Ne, natyrshëm, jemi sjellës të kënaqësisë për njerëz. Nuk na pëlqen t’i shohim të tjerët në dhimbje, kështu që e përkulim dhe thyejmë veten, në përpjeke për të shëruar konfliktin dhe për t’i zgjidhur sfidat e të tjerëve. Por, unë vërtet besoj se nuk jemi këtu për të qenë gjithçka për çdokënd, me çmimin e mirëqenies tonë. Si përkujdesëse, ne kemi nevojë të ndihemi mirë vet fillimisht! Më së pari, shërbejini vetes, jepini vetes çfarë keni nevojë – dhe pastaj shikoni sa e lehtë është t’i ndihmoni të tjerët të lulëzojnë, kur ju vet jeni duke lulëzuar!
3. Dominimi i sistemit nervor simpatik.
Aktiviteti i tepër i degës “lufto/ik” të sistemit nervor njihet si dominim i sistemit nervor simpatik. Në këtë gjendje, trupi thjesht ndihet sikur është në rrezik – vazhdimisht. Në këtë gjendje, trupi prodhon në sasi të tepruara hormonet e stresit, veprimet biologjike të të cilave çojnë në prishje të barazpeshës hormonale, tretjes, imunitetit, gjumit dhe më shumë. Në këtë gjendje, është e pamndur të shërojmë, ndreçim e riprodhojmë. Stresi kronik nuk është diçka që fshihet – është, në fakt, rrënja e arsyes pse gratë moderne po copëtohen.
4. Flijimi i gjumit për “t’i kryer punët”.
Më habit numri i klientëve të mi që flejnë pas mesnatës çdo natë (edhe kur vdesin për gjumë gjatë ditës). Ne e sakrifikojmë gjumin – aktivitetin më të çmuar, vital, dhe shërues, diçka pa të cilën nuk mund të mbijetojmë – për “t’i kryer punët”. Kjo nuk është në rregull. Duhet t’i ndryshojmë prioritetet. Gjumi duhet të jetë më i rëndësishëm se punët dhe çdo gjë tjetër që na bën të rrijmë zgjuar deri vonë (përveç fëmijëve apo të tjerë që varen prej nesh). Nëse je duke u munduar t’i shërosh hormonet, tretjen, imunitetin, apo çfarëdo tjetër – thjesht nuk do të mund ta bësh pa gjumë!
5. Mundohemi të dukemi sikur i kemi të gjitha nën kontroll (kur në fakt jetojmë brenda një kaosi).
Besoj se shumë gra janë të lodhura duke e mbajtur fasadën e “po më shkon shumë mirë”, kur në fakt nuk i kanë punët mirë fare. Gratë moderne po përpiqen nën peshën e gjithçkaje që kanë në pjatën e tyre. Jeta është më dinamike se kurdoherë, dhe ne vazhdojmë të themi, po, po, po! Në një pikë, diçka do të prishet, dhe në të shumtën e rasteve kjo diçka është shëndeti ynë hormonal, që për pasojë na shndërron në versionin e tërbuar (ose vajtues) të vetes sonë, na bën të mbijetojmë me sheqer dhe kafe, me çrregullime gjatë ciklit (kërko: premenstrual dysphoric disorder; PMDD) dhe lodhje. Të ndihesh sikur po mbytesh nuk është normale – është shenjë se ke nevojë për më shumë përkrahje. Fol me miqtë! Gjej dikë që mund të të ndihmojë. Hiqe maskën, dhe jepi leje vetes të jesh e vërtetë!
6. Besojmë se çdokush tjetër është më i rëndësishëm se ne.
Për gratë moderne, tingëllon si koncept i panjohur fakti se ato mund të lulëzojnë, në vend që thjesht të mbijetojnë? Çkaaaa?!! Ne duam që çdokush tjetër në jetën tonë vërtetë të lulëzojë, apo? Kënaqemi kur shohim se familjes apo miqve tanë po u ecën vërtetë mirë, apo? Atëherë pse nuk e bëjmë këtë edhe për veten? Pse niveli i lulëzimin të të tjerëve është aq më i rëndësishëm se i yni? Duhet thellësisht ta njohim faktin se edhe ne, si të tjerët, jemi të denja për gjërat e mrekullueshme që ua dëshirojmë të tjerëve.
Ju lutem, mbani mend: për çdo grua që është mjaftueshëm e guximshme të thojë çfarë i nevojitet, e pastaj t’ia japë vetes atë, pafund gra të tjera do të ndjejnë se kanë leje ta bëjnë të njejtën.
7. Zhonglimi me një punë me orar të plotë, shtëpinë dhe fëmijët.
Më duket e më se qesharake se sa shumë gra që i takoj zhonglojnë me një punë me orar të plot, plus 90% të punëve të shtëpisë, dhe kujdesin për fëmijët. Po – e kuptoj se për disa gra që janë përkujdesëset e vetme të familjes, kjo s’ka si të jetë ndryshe. Por shumë më shpesh, gratë marrin mbi shpatulla gjithçka, edhe atëherë kur kanë njerëz që mund t’u ndihmojnë. Duhet të mësojmë t’u delegojmë përgjegjësi edhe të tjerëve. Të mësojmë të tërhiqemi, të kërkojmë që e gjithë barra të mos bie mbi ne. Në fund të fundit, ne jemi përgjegjëse për çfarë zgjedhim të marrim përsipër. Mund të gjejmë mënyrë tjetër. Atëherë, pse nuk e bëjmë?
8. Mungesë e vetmisë, qetësisë dhe heshtjes.
Unë besoj se vetmia, qetësia dhe heshtja janë shpëtimi i gruas modere, kundërhelmi i jetëve me angazhime që jetojmë. E di se nëse nuk marr mjaftueshëm prej këtyre tri ilaçeve, unë bëhem e iritueshme, nervoz dhe e shqetësuar. Kjo varet edhe nga ajo se sa jeni introvert – gratë introverte KANË NEVOJË për këto gjëra secilën ditë, që të mund të lulëzojnë vërtetë.
Është aq e lehtë shkëputemi plotësisht nga shpirti, nga vetja jonë më e lartë, dhe mund tërësisht të harrojmë për të vërtetën tonë, qëllimin dhe misionin tonë. Vetmia, qetësia dhe heshtja na lejojnë të lidhemi përsëri, na kujtojnë kush jemi, për çfarë kemi nevojë dhe çfarë shpirti ynë kërkon për ne!
9. E kemi normalizuar lodhjen, rraskapitjen dhe mungesën e harmonisë hormonale.
A mund të ndalojmë së menduari se është “normale” që gratë të përjetojnë: çrregullime cikli, cikël të dhembshëm, endometrozë, lodhje adrenale (kërko: adrenal fatigue), dominim të sistemit nervor simpatik, rraskapitje, ankth, pagjumësi e të tjera? Pse e pranojmë këtë si normale?
Ju lutem, të mos i themi më vetes se pushimi dhe kujdesi për veten është “humbje kohe”. Nëse ke nevojë për pushim, pusho. Nëse ke nevojë për ndihmë, kërkoje. Bota ka nevojë të dëshpërueshme për më shumë gra që nuk po ndahen në copa, përderisa ruajnë një buzëqeshje të guximshme. Gratë duhet të jenë të vendosura për mirëqenien e tyre, sepse askush tjetër nuk do t’ua sjellë atë.
10. Ne i qortojmë trupat tanë kur shfaqin ndonjë shenjë a simtpom, pa i shikuar se çfarë në të vërtetë janë ato.
Garojmë në jetë të hutuar, duke i injoruar simptomat në trup dhe duke mos e kuptuar se e gjitha që ato kanë dashur është të na kthejnë të e vërteta jonë. Shenjat dhe simptomat (sëmundjet, plogështitë) janë bekim, sepse përpiqen të na mësojnë se çfarë duhet të ndryshojmë.
Kur marrim përgjegjësinë për çfarëdo që është duke ndodhur me shëndetin tonë, ne fuqizohemi. Por kur mendojmë se jemi në mëshirën e sëmundjes, atëherë fuqia na ikën duarsh. Pas intuitës, trupi jot është sistemi më i fuqishëm i informatave. Ai vazhdimisht përpiqet të punojë për të mirën tënde. A e dëgjon çfarë të thotë?
11. Brengosja e tepërt për atë çfarë mendojnë të tjerët.
Është shumë e lodhshme të jetosh duke u brengosur se çfarë mendojnë të tjerët. Është humbje e energjisë dhe jetës së çmuar. Mjaft kemi kërkuar vlerësim jashtë vetes. Vlerësoje veten vet! Dije se je e mjaftueshme. Kur të vdesësh, a mendon se do të brengosesh për njerëzit rreth teje, të cilët nuk pajtohen me zgjedhjet e tua dhe e humbin kohën dhe energjinë e tyre duke të qortuar? Assesi. E vetmja gjë që do ta mendosh është se a i ke bërë zgjedhjet që kanë qenë të duhura për ty.
12. Mendimi se lodhja e tepër është parakush për sukses.
Në vitet e para kur kisha hapur biznesin tim, isha tërësisht e rraskapitur. Aq, aq e harxhuar, derisa në fund arrita në një pikë ku kuptova se më duhet t’i jepja më shumë rëndësi vetes sesa punës – sepse, nëse unë harxhohem, thjesht, nuk mund të bëj asnjë të mirë për botën.
Tani rrefuzoj që rraskapitja të jetë pjesë e “nevojshme” e “suksesit” tim. E di se mund ta rris biznesin tim në mënyrë të qëndrueshme, dhe të ndihem vërtetë mirë. Mbi të gjitha, çka është “suksesi” nëse nuk je mirë për t’u kënaqur me të? 13. Paaftësia për të deleguar.
Unë jam shumë fajtore për këtë pikë! Mendoj se mund të bëj gjithçka vet – por e di që nuk mundem. Jam shumë më mirë kur delegoj përgjegjësi, dhe liroj hapësirë për gjëratë që i bëj vërtetë mirë. Kur u delegojmë, u japim mundësi njerëzve të na ndihmojnë. Mbajeni mend, nëse nuk mund të bësh diçka, atëherë duhet ta kërkosh nga dikush tjetër, dhe kjo është në rregull!
14. Jemi të rrethuara me njerëz dhe gjëra, por ndihemi të vetmuara.
Mund të jemi të rrethuara me gjëra që na tërheqin vëmendjen, e përsëri të ndihemi të izoluara dhe të vetme. Shpesh, ky lloj i vetmisë është simptom i shkëputjes nga vetja, ajo çfarë vërtet jemi në nivel shpirtëror. Sepse bota vazhdimisht na tërheq në mijëra drejtime, dhe duhet të jesh e kujdesshme, të mos shkëputesg nga personi më i rëndësishëm në jetën tënde – ti!
17. Nuk e dimë kur është mjaft më.d
Sa herë në jetë je ndjerë që ke arritur fundin? Sa herë e ke injoruar veten, intuitën tënde, dhe ke përfunduar duke paguar një çmim të lartë për këtë? Duhet të mësojmë ta dëgjojmë veten – që të mund shpejt ta kuptojmë kur teprohet, kur jeta bëhet e rëndë, shumë zënë.. dhe të bëjmë ndryshime. Nëse dëgjojmë me kohë, atëherë mund ta shmangim alarmin kozmik që patjetër na dërgohet për të na shkundur e për të na ndryshuar. / Burimi: bethbridges.com / KultPlus.com
Akademiku Beqir Meta e quan korrekte njohjen e gjuhës së pakicave, por në një intervistë për “ReportTv” ai analizon një tjetër projektvendim të qeverisë, atë për ngritjen e një komisioni ad-hoc, që të njohë një pakicë kombëtare. Sipas tij, në Shqipëri s’ka më vend për aplikime të tilla, pasi çështja e pakicave është e mbyllur.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një shekull më parë do të shënonte edhe njohjen e tre pakicave kombëtare, greke, bullgare dhe sllave-malazeze. Ndërkohë, pas një shekulli vendi ynë njeh të drejtat e 9 pakicave kombëtare. Por, ligji i miratuar në vitin 2017 për “Pakicat kombëtare” është pasuar dhe me të tjera risi. Një projektvendim i këtij viti parashikon njohjen formale të një pakice, që të bëhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës pranë Ministrisë së Brendshme nga grupi i shtetasve të përbërë nga jo më pak se 300 persona, por edhe të shqyrtohet nga komisioni ad-hoc, që ngrihet për këtë qëllim. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, e konsideron këtë iniciativë jo vetëm të pa vend, por edhe të dëmshme për Shqipërinë.
“Unë mendoj se çështja e pakicave kombëtare është e mbyllur, nuk ka vend as për aplikime dhe as për shqyrtime. Para disa vitesh, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, ai më drejtoi një shkresë zyrtare. Unë asokohe i kam dhënë të gjitha argumentet, që ngritja e një komisioni të tillë është e pabazuar, e panevojshme dhe e dëmshme, sepse minoritete s’mund të bëhen me aplikime”.
Por, a është domosdoshmëri për të aderuar Shqipëria në Bashkimin Europian ky projektligj?
“Për të aderuar në BE ka një kategori normash të caktuara, detyrimet themelore janë ato që përcaktojnë që kjo shoqëri edhe ky shtet të aderojë në këto norma. Institucionet politike edhe jopolitike duhet që të jenë të tilla, që të kenë performancë evropiane. Shqipëria çalon në ndërtimin e institucioneve, sepse elita politike shqiptare, se ka bërë të vetën, këtë si domosdoshmëri të zhvillimit të Shqipërisë, përkundrazi për ata është kryesore pushteti edhe interesat e pushtetit, që shkojnë në përfitim me BE-n. Për ta kompensuar këtë evropianeve u shiten, si kampion tek njohja e minoriteteve. Këtu cenohen interesa të shtetit, por jo interesat e tyre pushtetmbajtëse. Kanë bërë lëshime të rënda, që janë të palogjikshme, ne si intelektualë jemi në zbatim të të drejtave të minoriteve, por jo të bëhemi qesharakë. Pasi kjo mund të sjellë një kakofoni brenda shtetit, që mund të krijohen edhe probleme politike edhe në marrëdhënie ndërkombëtare. Këtë se ka asnjë shtet shqiptar. Këto iniciativa janë për shou edhe është e dëmshme për shtetin”.
Një tjetër projektligj i qeverisë është dhe njohja e gjuhës së minoriteteve, kur ato përbëjnë 20 për qind të popullsisë në një njësi administrative.
“Kjo është korrekte, nuk ka asnjë problem. Nëse në një njësi administrative një minoritet përbën 20 për qind të popullsisë, kjo është korrekte, pasi është legjislacion që ka funksionuar, por të bësh minoritete me 300 firma është absurditet”, thotë Meta.
Akademiku edhe historiani Beqir Meta bën ftesë iniciatorëve të këtij projektligji që të organizojnë një tryezë të përbashkët me historianët edhe sociologët shqiptarë, për të dhënë argumentet e tyre mbi këtë iniciativë/Shqiptarja / KultPlus.com
Gazeta ‘Rilindja’ ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën mbarëshqiptare, e sidomos në letërsi e gazetari.
Sot KultPlus ju sjell disa fotografi dhe një shkrim të shkurtër të njërit nga rradhitësistë e parë manual të ‘Rilindjes’, të publikuar nga Arkivi Rilindja.
Abdurrahman Abdullahu qysh në moshën 16 vjeçare u inkuadrua si praktikant për tu bërë më vonë shef i radhitjes me dorë.
Ai drejtoi kurset e para në kuadër të ‘Rilindjes’ për aftësimin e punëtorëve të rinj për radhitje. Babai i tij, Rexhep Remzi Efendija – Yulema Reisi i parë i Kosovës, ishte mësimdhënës në Medresenë e madhe të Shkupit -Medreseja e Isa Begut, prandaj Abdurrahman Abdullahu një pjesë të jetës së tij e kishte kaluar edhe në Shkup.
Ai ishte pensionuar me pension invalidor në vitin 1985, pas aktivititetit të tij intensiv në shtypshkronjë. Ka ndërruar jetë më 17.09.2003 nga kanceri në laring. / KultPlus.com
Ndërsa infeksionet masive godasin edhe në vendet që dukeshin se e kishin zbutur koronavirusin, zyrtarët po kthehen drejt qasje të targetuara dhe të shpejta por fleksibël, për të ndaluar valët e treta ose të katërta.
Kina po teston punonjësit e restoranteve dhe shoferët shpërndarës të ushqimeve, bllok pas blloku pallatesh. Koreja e Jugut u thotë njerëzve të mbajnë dy lloje maskash për situata të ndryshme sociale me risk. Gjermania kërkon që komunitetet të mbyllen kur numri i infeksioneve kalon pragje të caktuara. Britania do të ketë në shënjestër shpërthimet lokale.
Në të gjithë botën, qeveritë që dukej se e kishin zbutur koronavirusin po përshtaten me realitetin e ri, dhe mendimin se sëmundja është këtu për të qëndruar. Por duke u larguar nga izolimet e dëmshme mbarëkombëtare, ato po kërkojnë mënyra të targetuara, për të gjetur dhe ndalur shpërthimet para se të bëhen valë të treta ose të katërta.
Ndërsa detajet ndryshojnë, strategjitë synojnë t’u japin qeverive fleksibilitet, që të shtrëngojnë ose lehtësojnë masat, sipas nevojës. Ato synojnë një përzierje të testimit dhe monitorimit intensiv, kohë të shpejtë të reagimit nga autoritetet, menaxhim strikt të kufijve dhe kujtesa të vazhdueshme për qytetarët, mbi rreziqet e kontaktit të shpeshtë njerëzor.
Strategjitë shpesh i detyrojnë qeveritë qendrore dhe zyrtarët lokalë të ndajnë të dhëna dhe të punojnë ngushtë së bashku, duke kapërcyer sistemet kompjuterike të papajtueshme, luftërat e egove dhe rivalitetet e tjera burokratike. Tashmë, në Britani, disa zyrtarë lokalë thonë se përpjekjet e tyre nuk janë të koordinuara sa duhet.
Ndryshimi i strategjive është një konfirmim që edhe vendet më të suksesshme nuk mund të shpallin fitoren, derisa të gjendet një vaksinë. Ato gjithashtu nxjerrin në pah sfidën e përballuar nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku autoritetet kurrë nuk frenuan plotësisht shpërthimet fillestare, dhe nga ku koronavirusi do të rrezikojë të përhapet.
“Gjithmonë do të jetë me ne,” thotë Simon James Thornley, epidemiolog nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re. “Unë nuk mendoj se mund ta eliminojmë virusin. Ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin”.
Edhe në vendet ku koronavirusi dukej se ishte nën kontroll, shpërthimet masive mbeten një rrezik i madh. Në Tokio, ka pasur 253 infeksione të reja javën e kaluar, 83 nga një lagje me klube nate. Në Gütersloh në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 1.500 punëtorë nga një fabrikë për përpunimin e mishit dolën pozitivë, duke bërë që autoritetet të mbyllnin dy qarqe. Koreja e Jugut, një tjetër shtet që u lëvdua për reagim të shpejtë, ka njoftuar dhjetëra infeksione të reja ditët e fundit.
Në Romë, e cila kohët e fundit doli nga një prej izolimeve më të rrepta në Evropë, 122 persona janë pozitivë, të lidhur me një rast vatre në një spital, Instituti San Raffaele Pisana. Disa ditë më vonë, 18 njerëz që jetojnë në një ndërtesë me banjë të përbashkët dolën pozitivë me virusin. “Sapo ne ulëm vigjilencën”, thotë Paolo La Pietra, që zotëron një dyqan duhani në këtë lagje, “na goditi”.
Koreja e Jugut e quan strategjinë e saj “karantinë të jetës së përditshme”. Vendi kurrë nuk zbatoi masat e rrepta që u panë në vende të tjera, dhe masat për distancimin shoqëror, megjithëse inkurajohen fuqimisht, mbeten udhëzime. Megjithatë, ajo ka vendosur një objektiv të një maksimumi rreth 50 infeksioneve të reja në ditë – një objektiv që thotë se sistemi i vet shëndetësor publik, duke përfshirë edhe testimin dhe aftësinë për gjurmim, mund t’i përballojë.
Zyrtarët zhvendosin rregullat sipas nevojës. Pas një vale të dytë të infeksioneve që shpërtheu në Seul, zyrtarët e qytetit i detyruan njerëzit të mbajnë maska në transportin publik dhe ambiente të mbyllura publike për dy javë.
Qeveria e Koresë së Jugut ka shtuar udhëzime të reja pasi ka mësuar më shumë rreth shpërthimeve. Këshillon kompanitë që punonjësit të ulen në një mënyrë zigzage. Kondicionerët duhet të fiken çdo dy orë dhe dritaret duhet të hapen për të rritur ajrosjen, thotë ai.
Ajo gjithashtu ka këshilluar njerëzit që të mbajnë dy lloje maskash gjatë verës – një maskë kirurgjikale dhe një maskë të rëndë, të ngjashme me maskat e frymëmarrjes N95, që mbajnë punonjësit e kujdesit shëndetësor, për t’u përdorur në ambiente të mbushura me njerëz.
Japonia, e cila pati vetëm izolime të kufizuara, dëshiron gjithashtu t’i mbajë të lehta kufizimet, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë. Ajo po mendon të lejojë udhëtarët nga Australia, Zelanda e Re, Tajlanda dhe Vietnami. Si shtet ishull, Japonia nuk mund të përballojë mbajtjen më gjatë mbyllur të kufijve, tha Shinzo Abe, kryeministri i vendit.
Të premten e kaluar, Japonia krijoi një aplikacion të gjurmimit të kontakteve, që do të paralajmëronte përdoruesit nëse ata kanë qenë në kontakt me një person që ka dalë pozitiv në 14 ditët e fundit. Operatorët hekurudhorë kanë krijuar një aplikacion dhe faqe interneti, ku u thonë udhëtarëve se sa trenat janë të mbushur, në çdo kohë.
Zyrtarët gjithashtu po paralajmërojnë njerëzit që të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit. Megjithëse baret dhe klubet po rihapen, bujtësve u është thënë që të përmbahen nga të qenit pranë klientëve, kur këndojnë karaoke dhe vallëzojnë. Klubet e natës duhet të minimizojnë muzikën dhe vëllimet e turmave për të zvogëluar përhapjen e pikave të frymëmarrjes. Qytetarët këshillohen që të vazhdojnë të shmangin aktivitetet e mbyllura, të mbushura me njerëz dhe kontakte të afërta.
“Ne kemi nevojë të forcojmë ekonominë duke kontrolluar rreziqet e infeksionit me masa më pak kufizuese, si dhe të ndërmarrim masa të cilat vënë më shumë theksin në mbrojtjen e vendeve të punës dhe të jetës,” tha Abe. Disa vende, si Kina, po mësojnë të lehtësojnë metodat e tyre më drakoniane. Qeveria kineze praktikisht izoloi dhjetëra miliona njerëz në qytetin e Vuhanit dhe rrethinat e Provincës Hubei kur filloi shpërthimi.
Të vetëdijshëm për dëmin ekonomik, udhëheqësit kinezë kanë miratuar kufizime më të lehta. Në Pekin, zyrtarët u thanë banorëve se mund të hiqnin maskat në rrugë. Kontrolli i temperaturës në qytet u bë më pak i përhapur.
Pastaj, më 12 qershor, zyrtarët e Pekinit njoftuan se 53 persona kishin rezultuar pozitivë për koronavirusin. Në vend që të mbyllnin kryeqytetin, zyrtarët mbyllën menjëherë një treg dhe izoluan komunitetet e banimit përreth tij, si dhe mobilizuan afro 100,000 punonjës të komunitetit për të testuar afro 2.3 milion banorë në një javë.
Një qytet aq i madh sa Pekini nuk mund të jetë në një gjendje lufte përgjithmonë”, tha Mao Shoulong, profesor i politikave publike në Universitetin Renmin të Pekinit. “Sa kohë mund ta durojmë këtë?”
Në dallim nga Vuhani, përpjekja ishte e targetuar. Lagjet e tjera të Pekinit qëndruan të hapura si zakonisht. Qeveria kineze ka tendencë të favorizojë një qasje të testimit masiv të përqendruar në grupe specifike – përveç njerëzve të lidhur me tregun, ajo tha se do të testojë gjithashtu banorët që jetojnë në lagje me rrezik të lartë dhe të mesëm, restorante dhe punonjës shitjesh me pakicë, studentë dhe mësues, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Strategjia e Kinës nuk është që infeksionet të shkojnë në zero, tha Zhang Venhong, këshilltar i qeverisë së Shanghait për pandeminë. Në vend të kësaj, në një intervistë me revistën Caixin të Kinës, ai përshkroi planin e Kinës si “afrim sa më shumë tek zero raste”. “Parandalimi dhe kontrolli me përpikëri, shoqëruar me trajtim të shpejtë mjekësor,” tha Dr. Zhang.
“Kjo strategji do të jetë e zbatueshme për Kinën për një kohë të gjatë”.
Qeveritë evropiane po mësojnë gjithashtu të jenë më fleksibël pas reagimeve të para të forta, megjithëse procesi mund të jetë i ngadaltë. Në Gjermani, zyrtarët kanë përcaktuar që rajone ose bashki që regjistrojnë më shumë se 50 infeksione të reja për 100,000 njerëz brenda shtatë ditësh, duhet të reagojnë shpejt për të ndalur shpërthimin, duke përdorur mjete si mbylljet e shkollave, karantinat e plota dhe testimet masive.
Megjithëse shumë nga këto përpjekje janë tejet lokale, ato kërkojnë një koordinim të ngushtë me zyrtarët qendrorë dhe juridiksionet fqinje. Për shembull, Anglia po eksploron izolime të kufizuara, rreth vatrave të infeksioneve, por zyrtarët vendas paralajmërojnë se sistemi është plot me të meta.
Zyrtarët e shëndetësisë në Angli, Uells, Skoci dhe Irlandën Veriore janë kryesisht përgjegjës për strategjitë e tyre. Në Angli, ku zyrtarët lokalë janë ankuar për mungesën e të dhënave të testimit nga qeveria qendrore, punëdhënësit ose menaxherët e ndërtesave kanë marrë përsipër përpjekjen, duke ndjekur infeksionet dhe duke iu përgjigjur shpërthimeve. Disa, si zyrat qendrore të një shitësi me pakicë në lindje të Lancashire, janë vlerësuar nga zyrtarët e shëndetit publik për veprimet e shpejta.
Por kontrolli i virusit do të kërkonte një kuptim të mirë se ku ndodhet, ku është duke inkubuar, gjë kjo veçanërisht e vështirë për një sëmundje, në të cilën 80 përqind e rasteve kanë simptoma të buta. Disa drejtues lokalë të shëndetit publik thanë në intervista se kanë mësuar për shpërthime nga lajmet. Niveli i detajeve që zyrtarët duhet të japin për mbylljet e lokalizuara – kodet postare të njerëzve që dalin pozitivë, për shembull – mbetet i pakapshëm.
“Cdo pandemi fillon si një shpërthim lokal,” thotë Lincoln Sargeant, drejtori i shëndetit publik në North Yorkshire. “Eshtë informacion kokrrizor që na nevojitet në kohën e duhur.”
Kryeministri Johnson ka pohuar se mbylljet lokale janë të mjaftueshme për të kontrolluar valët e reja të virusit. Në fillim, qeveria “kishte shumë pak instrumente në dispozicion “, tha ai të premten. Tani, tha ai, zyrtarët mund të “identifikojnë shpërthimet atje ku ndodhin”.
Në Romë, shpërthimi në Institutin San Raffaele Pisana testoi aftësinë e autoriteteve lokale për të gjetur dhe ndaluar shpërthimet.
Zyrtarët lokalë të shëndetit testuan pacientët dhe stafin në spital, zbrazën tre reparte dhe mbyllën ndërtesën. Ish pacientët dhe kontaktet e tyre u vunë në radhë, në makinat e tyre, në stacionet e lëvizshme të testimit. Prokurorët e Romës hapën një hetim mbi origjinën e vatrës.
Një nga personat që u sëmurën ishte një pulmonolog, Vittorio Bisogni. Ai zbriti me pak ethe, pasi vizitoi një pacient i cili kishte dalë nga spitali. Dr. Bisogni u diagnostikua me virusin më 9 qershor. Pacienti i tij vdiq disa ditë më vonë. “U zemërova,” tha Dr. Bisogni, “Pasi u goditëm kaq rëndë, ne nuk mund të lejojmë që të jemi kaq naivë”. / The New York Times/ KultPlus.com
Të gjithë po jetojmë në një xhungël financiare. Kjo seri ilustron llojet e botës sonë të parave.
Artisti filloi këtë seri kur një klient i kërkoi t’i sugjeronte disa vepra arti për të dekoruar një seli të re për një institucion financiar. Krijimi i një seri me portrete kafshësh dukej si ide e zgjuar ngase subjektet tregtare pëlqejnë të shoqërohen me kafshët dhe karakteristikat e tyre. Njerëzit duan t’i shohin kafshët si ndryshime të egos dhe burimeve të frymëzimit.
Pra, kjo është kopshti zoologjik i parave, Ferma ose xhungla e parave. Një seri mozaikësh kafshësh të bëra nga kartëmonedha nga shumë vende dhe kohë. Kafshët e krijuara nga copa të dollarëve, eurove, pesos, rublave, paundve dhe elemente të tjera financiare të kohës sonë. Janë përdorur gjithashtu legjenda të vjetra si dhrahmi, lira, franga, dhe dinarë, apo edhe kuponë dhe vërtetime nga periudha delikate të historisë sonë.
Restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, monument kulture i kategorisë së parë, ka nisur vitin e shkuar, me qëllim konsolidimin e pjesëve të dëmtuara nga koha. Grupi i specialistëve po punon me kujdes deri në detajet më të imëta.
“Problem ishte shkëputja e pikturës nga suporti. Vumë mbrojtje me letër japoneze dhe e ngjitëm. Teknika është me dorë të lirë, ka mjeshtëri” – thekson Adrian Cene, restaurues.
Puna ka zgjatur edhe për shkak të situatave që ka kaluar vendi.
“Pati deme nga dy tërmetet, në shtator dhe nëntor. U detyruam te nderhynim serish pas tronditjeve” – shton Cene.
E ndërtuar nga fundi i vitit 1700, ndërhyrja e fundit ka nxjerrë në dritë pjesë të fshehura nën struktura të mbivendsoura gjatë kohës.
“Zbuluam se kishte fragmente të reja. Ishte në formë stukoja, doli piktura origjianle. “Fshehja” mund të jetë bërë pas viteve 1970” – deklaron restauratori.
Xhamia e Et’hem Beut, ka qenë pjesë e qendrës historike të Tiranës, nga e cila ka shpëtuar vetëm ajo dhe Sahati. / KultPlus.com
Sot, Rexhep Qosja feston 84 vjetorin e lindjes, ndërkaq pikërisht në këtë 84 vjetor ai ka publikuar romanin e tij të pestë që mban titullin ‘Të fshehtat e treguara’.
Akoma nuk është bërë e ditur se çfarë saktësisht trajtohet në roman, mirëpo Rexhep Qosja njihet si një shkrimtar i shquar i letërsisë shqipe, veprat e të cilit gjithmonë kanë rezultuar tejet të suksesshme.
‘Fol shkurt, sa më shkurt Kudo e kurdo në dritë e në terr është mirë të flasësh shkurt! sa më shkurt sidomos me prokurorët e rinj sa më shkurt me gjykatësit e vjetër shkurt me priftërinjtë e çdo feje shkurt me profesorët e zgjuar shkurt me mjekët e çmuar dhe me gratë e hirta mëse u flet gjatë ta kthejnë shkurt shumë shkurt dhe bosh bosh bo sh!’, thuhet në pasthënien e romanit.
Vlen të ceket se Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. / KultPlus.com
Në veprën me titull “Les beaux-arts à l’exposition universelle et aux salons de 1863, 1864, 1865, 1866 et 1867 – Artet e bukura në Ekspozitën Universale dhe në sallonet e 1863, 1864, 1865, 1866 dhe 1867” të kritikut të artit, shkrimtarit dhe fotografit francez Maxime Du Camp (1822 – 1894), botuar në Paris në vitin 1867, gjejmë një krahasim midis artit të pikturës dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Salloni i 1865
“…A është e nevojshme të them se pothuajse të gjitha veprave të ekspozuara aktualisht u mungon mendja (shpirti) ? Dëgjoj këtë frymë tërheqëse që bën një pikturë, një statujë, diçka tjetër përveç përfaqësimit brutal të një fakti, një personazhi apo këndvështrimi. Vetëm dora merret parasysh ; ajo mbizotëron trurin : skllavja është shndërruar në zonjë.
Midis artistëve, unë vë re shumë virtuozë dhe shumë pak krijues. Sidoqoftë, është shpikja, në kuptimin origjinal të fjalës, ‘invenire’, për të gjetur, që është përsosmërisht shenja dalluese e çdo arti. Nëse misioni i vetëm i pikturës është riprodhimi, ajo nuk është më art por zanat (punë). Raymond Gayrard (skulptor francez), një njeri i talentuar, kompetencën e të cilit nuk mund ta mohojmë, ka shkruar :
“Sipas disa artistëve, shumë të vlerësuar për një pjesë të punës së tyre, materiali i imitimit mjafton për të prodhuar kryevepra. Është e qartë se më këtë duhet të marrim parasysh vetëm anën piktoreske, e cila është ana më e ngushtë (lehtë) e artit. Ekziston para së gjithash, dhe mbi të gjitha, ana morale, ana poetike.”
Asgjë nuk është më e vërtetë. Përndryshe, te z. Blaize Desgoffes (piktor francez), i cili di të kopjojë përsosmërisht një copë fildish, një copë stof, një gotë plot verë, detyrohemi të njohim piktorin më të madh të kohërave moderne, një supozim kaq i çuditshëm sa është i papranueshëm.
Sulltani Mehmet II, i habitur nga fitoret që arrinte Skënderbeu, i kërkoi Epirotit të tmerrshëm që t’i jepte shpatën e tij. Sulltani nuk pësoi më pak humbje, dhe duke e akuzuar Skënderbeun se e mashtroi, ky i fundit iu përgjigj : “Nuk është shpata ime ajo që ju nevojitet, por krahu që e përdor dhe koka që e drejton atë.”
Çfarëdo aftësie materiale që mund të arrijë (fitojë) një piktor, nëse truri i tij nuk zhvillohet pa ndërprerje nga studimi dhe reflektimi, ai do të jetë po aq i padobishëm si puna e shpatës së Gjergj Kastriotit në duart e Mehmetit II.”
Këtë vit shënohet edicioni i dhjetë jubilar i festivalit ‘Etno Fest’, i cili si zakonisht do të mbahet në fshatin Kukaj, shkruan KultPlus.
Faqja zyrtare e festivalit në Facebook tashmë ka njoftuar se ky edicion do të mbahet në gusht të këtij viti, duke filluar nga data 20 deri më 25 gusht, ndërkaq tema e zgjedhur për këtë edicion do të jetë ‘Gruaja dhe Dielli’.
Çdo gjë fillon në fitin 2009 kur në fshatin Kukaj (një fshat me vetëm tre shtëpi banimi) xhirohej filmi << Gomarët e kufirit >> ku pas përfundimit të xhirimeve, aktori Bislim Muçaj, i mrekulluar nga pamjet magjike të këtij fshati të braktisur e blen një shtëpi rrënojë dhe e fton shokun e tij, profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj që ta vizitojë këtë fshat. I maxhepsur me bukurinë e këtij fshati Fadil Hysaj e blen një tokë me shtëpi të cilën e veshë me gurë, ndërsa shtëpinë e vjetër që përdorej si ahur për kafshë në vitin 2010 do ta ktheje në Etno Teatrin e parë në Kosovë, ku me 26 maj 2010 do të jepet premiera e shfaqjes << Dardha pas bunarit >> e Arta Arifit, në regji të Iliriana Arifit.
Rregullimi i oborrit, duke e respektuar reliefin kodrinor, imponuan kriimin e kaskadave të cilat, i dhanë formën dhe idenë e ndërtimit të një amfiteatri të ardhshëm në të cilin në shtator të vitit 2011 do të fillojë ngjarja më e madhe kulturore ETNO FEST, festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. / KultPlus.com
Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.
“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.
Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/ KultPlus.com
Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 84-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.
Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.
Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar bën me dije se ekspozita fotografike “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, e cila u organizua në janar 2018 në kuadër të vitit kulturor Shqipëri-Austri mund të vizitohet virtualisht.
Muzeu shprehet se konferenca me të njëjtën titull solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Ndërsa ekspozita përmbante 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë, nëpërmjet tyre paraqiteshin aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve. Tematika e fotografive të ekspozitës ishte e ndryshme.
Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë; 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme. Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra.
Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj. Trupat austro-hungareze hynë në Tiranë më 9 shkurt 1916.
Në qytet u stacionua divizioni 47 i këmbësorisë, nën komandën e feldmarshall lejtnantit Braun, i cili paraqitej në një fotografi interesante. Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën socialpolitike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.
Kjo ekspozitë u kthye në një ekspozitë lëvizëse nën titullin “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezve” dhe në qershor 2019 udhëtoi drejt Durrësit, ku u hap në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit./sot/ KultPlus.com
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës rikthehet pranë publikut me shfaqje teatrale, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se si do të organizohen shfaqjet duke respektuar rregullat për mbrojtjen nga virusi dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.
Që nga nisja e pandemisë dhe deri më sot, teatrot dhe kinematë janë ndër institucionet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. Ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehen aktorët dhe publiku normalitetit, megjithatë tashmë kanë filluar të gjenden zgjidhje alternative për të vazhduar jetën artistike e kulturore.
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës do të rikthehet pranë publikut me shfaqjet në natyrë, duke shfrytëzuar edhe ditët e bukura të verës. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë.
“Ne e kishim veprën ‘Pas vdekjes’ të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, tha Kita për “Shekulli”-n.
Ajo shton se shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Zamira tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.
Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. Kita thotë se është menduar që “Pas vdekjes” të shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku do të ulet në karrige duke ruajtur distancën.
“E gjithë shfaqja do të jepet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja. Oborri do të kthehet në skenë, aty do të vendosen prozhektorë që do të ndriçojnë dhe aktorët do të pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku do të vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së dhe ne besojmë që do të kemi 70-80 persona çdo natë. Karriget do t’i vendosim larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur. Ndërsa për maskat nuk e di nëse publiku do të dojë ta mbajë, kjo do të jetë zgjedhje e tyre. Edhe personazhe ka pak, do të shmanget çdo afrim mes aktorëve, duke hequr puthjet, përqafimet edhe nëse janë të shkruara në tekst. Shpresoj që do t’ja dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, tha Zamira Kita.
Ajo shton se në kalendarin e tyre artistik përfshihen Karnavalet e Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.
“Në 4 korrik do bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë dhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karanavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregoi drejtoresha e Teatrit të Korçës.
Kita thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.
“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer ‘Shtëpia e Bernarda Albës’ që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.
Pamje nga mbrëmja artistike e organizuar në Hanin e Pazarit, Korçë
Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit Andon Zako Çajupi tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.
“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita për “Shekulli”-n. / KultPlus.com
Janë bërë gati katër muaj prej kur ngjarjet kulturore janë pezulluar shkaku i pandemisë. Pavarësisht premtimeve, Qeveria ka dështuar që ta ndihmojë skenën e pavarur kulturore. Kjo kategori varet kryesisht nga projektet artistike. Situata e shkaktuar nga koronavirusi e ka rënduar gjendjen e komunitetit kulturor.
Si punë e kryer ishte paraqitur në mars të këtij viti ndarja e pesë milionëve për kulturë e sport në kuadër të Fondit emergjent. Por gjithçka ka ngelur veç premtim. Tash ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, është zotuar se janë siguruar 5 milionë euro për atë që quhet Pako e rimëkëmbjes. Ka thënë se “ky është lajmi i vërtetë”. Por artistët zor të binden edhe kësaj radhe. Kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.
Nita Zeqiri, që udhëheq me Fondacionin 17, thotë se pandemia ka rënduar gjendjen e komunitetit artistik.
Sipas saj, nëse Qeveria bën ndonjë hap konkret për ta ndihmuar këtë sektor, do të ishte një lajm shumë i mirë.
Donjetë Murati, që është hulumtuese, bashkë me grupet e artistëve të pavarur disa herë kanë kërkuar llogari nga Ministria e Kulturës sa i përket Fondit emergjent, përderisa tash jepet tjetër premtim. Ajo thotë se është dashur të paktën të ketë një sqarim zyrtar se përse nuk janë realizuar premtimet. Si grup janë të zhgënjyer me shtetin.
Murati bashkë me kolegë presin që dy artistë të pavarur të jenë pjesë e grupit punues në Ministri. Pritet që ky grup të hartojë kriteret e financimit të skenës së pavarur në kohë pandemie.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, të martën, në Kuvend, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq ka dërguar komentet për rishikimin e buxhetit. Është thirrur në premtimet e kryeministrit Avdullah Hoti se kultura, rinia e sporti do të ndihmohen me 5 milion euro.
Me rishikimin e buxhetit të miratuar në Qeveri javën e kaluar, Ministrisë së Kulturës i është projektuar zbritja e buxhetit për 6 milionë euro. Nga 44,1 milionë euro është bërë 38,2 milionë euro. Por 5 milionët ende nuk janë të sigurta. Kalimi i projektligjit në Kuvend dhe miratimi i marrëveshjeve të Qeverisë për huamarrje janë hapat që duhet të bëhen. Në Kuvend të martën nuk kanë kaluar 5 marrëveshje ndërkombëtare. Koha.net / KultPlus.com
Unë e desha përtej vdekjes, Ashtu dashurova unë Edhe prap s’ia fal dot vetes: S’i s’e desha pak më shumë… Pak më shumë ku shpirti thyhet, T’i them ndarjes: – Prit, ca pak… Të gënjejmë mallin që s’shuhet, Kujtimin të gënjejmë pak. Përtej vdekjes, përtej botëve, Atje ku nis “ca pak” tjetër,- Asaj që më rri mes Zotave: “Si s’të desha pak më tepër…”.
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua sjell këngën “Moj bjondinë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com
Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.
Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.
Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?
Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.
Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli.
“Ti kurrë s’ke dashur të më kesh të tërën. Ndoshta këtë ti nuk e di as vetë. Gjithnjë ekzistonte diçka në këtë mes, që mbetej e kyçur për mua. Dhe unë s’mund të futesha kurrë e tëra brenda. E dëshiroja! Ah, sa e dëshiroja këtë ! Por gjithmonë dukej sikur ti do të më ikje nga çasti në çast. Kurrë nuk kam qenë e sigurt.
Kështu ka qenë gjithmonë, – vazhdoi ajo. – Gjithmonë. Dhe pastaj erdhi dikush që më donte, që më donte vetëm mua, të tërën dhe përgjithnjë, thjesht dhe pa asnjë problem. Unë qeshja, nuk doja, argëtohesha … Dukej aq e parrezikshme dhe aq e lehtë për t’u shtyrë përsëri mënjanë kjo gjë…Por pastaj, papritur e pa kujtuar, ishte bërë diçka më tepër, një si detyrim, diçka që e doja edhe unë thellë në vetëdijen time…
Nisa të mbrohesha kundër kësaj ndjenje, por s’bënte dobi; e dija që s’më kishte pushtuar të tërën, por vetem një pjesëzë… dhe fillova të shkisja… Ishte si puna e një tërmeti të lehtë, të cilin në fillim e merr me shaka, por, papritur, s’ke ku të mbështetesh më dhe s’mund të mbrohesh më… Por kjo botë e re është e huaj për mua. Unë nuk e kam vendin atje.E kam vendin te ti. ”
“Me ty do të jem ndryshe. T’i them këto fjalë në periudhën më të mirë të jetës sime, në periudhën kur jam mirë dhe kam kuptuar kaq shumë gjëra. Në periudhën kur më në fund po e njoh lumturinë me sytë e vërtetë të saj.
Në këtë kohë, jeta ime është e plotë, kam kaq shumë gjëra që më pëlqejnë rreth vetes, që më tërheqin. Jam shumë mirë pa ty dhe jeta ime si një person i vetmuar është e mrekullueshme.
E di që duke e thënë kështu, tingëllon keq. Unë të kërkoj të rrish me mua jo sepse pa ty ndihem jo i lumtur. Do të isha egoist, nevojtar dhe shumë i interesuar për lumturinë time dhe ti do të ishe shpëtimi im.
Unë të kërkoj të jesh më mua, sepse në këtë moment jeta ime është e mrekullueshmë, por me ty do të jetë akoma më shumë. Nëse unë do të isha duke jetuar një jetë boshe, të pavlerë dhe të mjerueshme, a do të të pëlqente që të ishe ti alternative kundër asgjësë, boshllëkut dhe trishtimit?
Sa më mirë të ndihesh i vetëm, aq më shumë vlerë ka personi që kërkon të kesh pranë. Shpresoj që ta kuptosh drejt këtë që po të them. Unë jam mirë i vetëm, por që kur të kam njohur ty, më duket sikur në çdo fjalë që them, ekziston një shkronjë nga emri yt, sepse në fund të çdo diskutimi më shfaqesh gjithmonë ti në mendje.
Kam mësuar ta dua veten time. Por e di që ti “do të më detyrosh” të jem akoma më i vëmendshëm me gjërat që bëj; të jem i denjë për dashurinë që ndiej për ty. Nga tani, unë dua ta zhvesh veten nga çdo mbrojtje, nga çdo armaturë, nga cdo krenari, sepse jo vetëm që jam i dashuruar me ty, por unë të dua. Për këtë jam i sigurtë.
Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”. Unë të dua, ashtu siç nuk kam dashur asnjë tjetër më parë”.
Aktorja 34-vjeçare, Megan Fox, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’iu përgjigjur fansave të cilët kanë spekuluar se ajo është keqtrajtuar nga Hollywoodi, si dhe është seksualizuar në fillimet e karrierës së saj.
Këto reagime të publikut në rrjetet sociale erdhën pas rishfaqjes të një interviste të aktores me prezantuesin, Jimmy Kimmel, e realizuar në vitin 2009, dhe ku Fox e tregoi një histori se si ishte seksualizuar në filmin e regjisorit të famshëm Michale Bay, “Bad Boys II”, kur ajo ishte vetëm 15-vjeçare.
“Ata po e xhironin një skenë në një klub të natës ku më përfshinë edhe mua. Unë kisha veshur bikine me taka të larta dhe në kokë e mbaja një kapelë të kaubojve. Regjisori e aprovoi këtë pamje timen, dhe më pas disa pjesëtarë të ekipit të filmit i thanë atij se unë isha vetëm 15-vjeçare, dhe nuk mund të ulesha afër shankut apo të kisha pije alkoolike në dorë. Prandaj, zgjedhja e Michaelit ishte të më vendoste në skenë për të vallëzuar përfundi një fontane me ujë,” kishte deklaruar aktorja në intervistën e saj për emisionin “Jimmy Kimmel Live”.
Ndërkaq, në deklaratat e saj të fundit, Fox i doli në mbrojtje regjisorit Bay duke thënë se asnjëherë nuk ishte ndier e ngacmuar seksualisht, në sheshin e xhirimeve të filmave të tij, por industrinë e Hollywoodit në përgjithësi e përshkroi si tejet maskiliste, transmeton Koha.
Megjithatë, aktorja nuk hezitoi t’i falënderoi të gjithë personat që po flasin hapur për eksperiencat e tyre, të ngacmimit ose sulmeve seksuale në vendin e punës. Fox po ashtu insiston se ka shumë emra të industrisë së filmit, të cilët e meritojnë të bëhen publik dhe të hyjnë në grupin e personave puna e së cilëve duhet anuluar.
Pas shumë vitesh pritje, sot në Pejë është hedhur gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos.
Në ceremoninë e organizuar në lagjen “Asllan Çeshme”, të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe xhudistë të shumtë.
Qendra do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare.
“Për mua është privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje, e ndërtimit të kësaj qendre nacionale të xhudos, duke e ditur që këtu do të ushtrojnë kampionët e tashëm, por edhe kampionët e ardhshëm të xhudos kosovare. Uroj që punët të na ecin mbarë me shpresë që vitin e ardhshëm, tash një vit ekipi ynë olimpik, nisjen ta bëjë nga kjo qendër e përfunduar”, deklaroi kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, përcjell KP-ja.
Ministrja Dumoshi e quajti këtë një ditë të madhe për sportin, ndërkohë kreu i KOK-ut, Hasani, tha se xhudistët do të kenë infrastrukturën e nevojshme për stërvitje.
Tash e sa kohë, Peja është kryeqendër e xhudos, por i ka munguar infrastruktura. Një qendër shumë më e madhe ishte premtuar edhe nga MKRS-ja.
Nga klubi “Ippon” i trajnerit Driton Kuka kanë dalë kampionë olimpik, botëror e evropian.