Ylfete Fanaj është zgjedhur me shumicë të madhe të votave kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit.
Me këtë rast zonja Fanaj mbajti një fjalë emocionuese, me të cilën iu drejtua deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj.
Një element tjetër shqiptar në këtë eveniment ishte edhe dorëzimi i një pikture të artistit shqiptaro-zviceran Samedin Asllani që iu bë Fanajt me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post të lartë.
Në momentin kur krerët e Parlamentit dhe të partisë së saj e uronin Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, këngëtarja zvicerane doli në skenë, duke kënduar këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More”, raporton albinfo.ch.
Në fytyrën e Ylfetes dhe familjarëve të saj vëreheshin emocione të papërshkrueshme, ndërsa deputetët dhe publiku filluan duartrokitjet nën ritmin e këngës së mirënjohur./ Albinfo.ch/ KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një statusi ka njoftuar së pas shumë përpjekjeve, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.
Ajo gjithashtu është shprehur se fëmijët shqiptarë në Serbi, meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.
Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.” – ka shkruar Shahini. / KultPlus.com
Jeta dhe krijimtaria e Muharrem Qenës, një nga artistët më të njohur shqiptar, do të vijë e përmbledhur përmes librit monografik “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, shkruan KultPlus.
Libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun dhe muzikantin e njohur, doli sot nga shtypi.
Me autor Arian Krasniqin dhe të ndjerën Arzana Krajën, ky libër sjell profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Qenës.
Autori Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar për botimin e librit dhe gjithashtu ka falënderuar familjen Qena për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Sot doli nga shtypi libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun e muzikantin Muharrem Qena, me titull “Muharrem Qena-ëndërrimtari”. Në bashkautorësi me kolegen Arzana Kraja, kemi arritë të sjellim profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Muharrem Qenës. Faleminderit botuesit “Integra”, Kushtrim Koliqit për përkushtimin në realizimin e këtij projekti! Një falënderim e mirënjohje e thellë i dedikohet edhe familjes Qena për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Krasniqi.
Muharrem Qena është një nga artistët më të njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.
Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta çmoi etnomuzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve.
Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.
Në fjalën përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar, Meta shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe artit kombëtar.
“Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë”, tha Meta.
“Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit”, u shpreh Meta.
“Profesor Sokoli pavarësisht kalvarit personal dhe persekutimeve si familje ia doli të ngrihej mbi presionin dhe vështirësitë e kohës falë talentit, dinjitetit, formimit kulturor, pasionit dhe trashëgimisë shpirtërore të familjes”, theksoi Meta.
“I gjithë kontributi etnomuzikologjik i profesor Sokolit është një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të dukurisë së folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Talentin dhe kapacitetin profesional Profesor Sokoli e tregoi edhe në udhëheqjen e ekspeditave hulumtuese, bashkë me studiues gjermanë, rumunë, etj., në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me të cilat pasuroi Fonotekën e Institutit të Folklorit shqiptar”, vuri në dukje Presidenti Meta.
“Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Pas viteve 1990-të vlerat e kontributit të tij u rivendosën në piedestalin e merituar, i kërkuar në gjithë hapësirën shqiptare si udhëheqës e drejtues artistik i shumë festivaleve folklorike kombëtare e rajonale. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të jashtëzakonshme profesor Ramadan Sokoli është bërë tashmë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë. Për profesor Ramadan Sokolin do të ketë vetëm ditëlindje”, theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar zonjës Linda Sokoli-Duma dekoratën e lartë për babain e saj.
Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm, miq e kolegë, muzikologë, artistë dhe personalitete, fjalën e hapjes e mbajti Zhani Ciko, dhe më pas u luajtën disa pjesë muzikore nga veprat e Ramadan Sokolit, të interpretuara nga artistët Shqipe Zani dhe Kastriot Tusha. /atsh / KultPlus.com
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Fadil Vokrri në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Stadiumi i
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com
“Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj.
Në këto momente jemi dëshmitarë të një evenimenti historik: Ylfete Fanaj është zgjedhur me shumicë të madhe të votave kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit. albinfo.ch raporton nga seanca parlamentare që për shkak të masave të pandemisë, po mbahet në një sallë të madhe të qendrës së panaireve të Lucernit.
Me këtë rast zonja Fanaj sapo mbajti një fjalë emocionuese, me të cilën iu drejtua deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj, shkruan albinfo.ch.
“Sot ka ndodhur diçka e paimagjinueshme: falë votimit tuaj jam lucernasja numër 1. Me këtë votim keni bërë të mundur që 50 vjet pas hyrjes në fuqi të të drejtës së votës për gratë, të zgjidhet një grua, me prejardhje të huaj në postin më të lartë popitik të kantonit. Këtë e bën të mundur Zvicra”, ka thënë veç tjerash Fanaj.
Ajo ka përshëndetur edhe faktin se po në këtë sesion të parlamentit është zgjedhur, për herë të parë këtu, një gjyqtare me prejardhje të huaj.
Fanaj ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj shkollore dhe politike.
Zgjedhja e Ylfete Fanajt në postin e kryetares së Parlamentit të kantonit të Lucernit është rasti i parë, jo vetëm në këtë kanton, që të zgjidhet një grua me prejardhje të huaj në këtë nivel kaq të lartë. Këtë e kanë theksuar në fjalët e tyre përshëndetëse si, kryetari i deritashëm i parlamentit, Josef Wyss, kryetari i Qeverisë së Kantonit të Lucernit Paul Winkler, etj. / Albinfo.ch / KultPlus.com
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të politikave programore, ka hartuar projektin për restaurimin e Kullës së familjes Tafolli në fshatin Çadrak të Suharekës. Zbatimi i këtij projekti do filloj së shpejti pasi që janë tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, përcjellë KultPlus.
Kulla e Hasan Tafollit që gjendet në fshatin Çadrak të Komunës së Suharekës është karakteristike për nga tipologjia dhe funksioni. Është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për kryesisht për banim dhe për ruajtjen e bagëtisë, por, sipas nevojave dhe rrethanave të kohës ka pasur edhe funksione të tjera.
Banorët e këtij fshati tregojnë së kjo ndërtesë është shfrytëzuar edhe si Odë deri në vitet e 90-ta, deri kur familja Tafolli është shpërngulur nga fshati, dhe Kulla së bashku me shtëpinë tjetër të banimit janë braktisur tërësish.
Kulla e gurit e familjes Tafolli është e vendosur mbi kodër dhe ka pozitë dominuese mbi fshatin Çadrak. E ndërtuar në harmoni me ambientin rrethues, kjo kullë është shndërruar në pjesë përbërëse të peizazhit të fshatit.
Për shkak rrethanave shoqërorë, bujqësia dhe blegtoria kanë qenë burimet kryesore të jetesës që ka ndikuar edhe në aspektin e zgjidhjes arkitektonike duke imponuar një funksion të banimit të kombinuar.
Drejtori i Qendrës Rajonale për trashëgimi kulturore në Prizren Samir Hoxha, thekson se kujdesi dhe mirëmbajtja e aseteve të trashëgimisë kulturore, duhet ta ketë ç’do ditë e më shumë vëmendjen që e meriton, e me theks të veçantë ndërtesat të tilla të cilat paraqesin ndër shembujt e paktë të këtij tipi të kullave të gurit me çardak druri që kanë mbijetuar në Kosovë.
“Si e tillë, kjo kullë prej guri ngërthen në vete vlera të rëndësishme arkitektonike, historike, shoqërore, ambientale dhe ekonomike, andaj se sa dinë njerëzit për trashëgiminë kulturore, varet nga ajo se çka bëhet me kujdesin institucional dhe promovimin e saj” thekson Samir Hoxha, drejtori i QRTK-së në Prizren.
Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, dhe braktisjes, Kulla në fjalë është në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohet nga dëmtimet e mëtutjeshme, andaj është bërë pjesë e programeve investuese të Ministrisë së Kulturës përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. / KultPlus.com
Në një kohë ku SHBA-të ‘vlonin’ nga protestat kundër dhunës se policisë dhe vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd, një shqiptar me detyrë oficer policie është kthyer në hero duke shpëtuar nga mbytja dy persona nga mbytja në Florida (babë e bir afrikano-amerikanë).
Ngjarja ndodhi rreth një javë më parë, ku rreth orës 10:30 të mëngjesit, një familje në Silver Sands Beach Resort vendosi të shkonte për të notuar.
Babai dhe djali i tij dy vjeç filluan të notonin thellë në det. Por brenda disa minutash, një dallgë e fortë e tërhoqi vogëlushin dhe babai i tij në det të hapur. Babai u përpoq të qëndronte pranë vogëlushit, por më vonë i mbaruan energjitë.
Për fat të mirë, oficeri i policisë, i quajtur Ermir Vila edhe pse jashtë shërbimit nuk e mendoi dy herë për t’u shkuar në ndihmë. Ai pas disa minutash përpjekje arriti të nxirrte në breg baba e birë.
Djali ishte me fat që kishte krahët e ujit dhe, megjithëse ai lëshoi në det të hapur, ishte në gjendje të merrej pa lëndime. Shefi i zjarrit Paul Dezzi tha nëse nuk do të ishte për notimet, fëmija do të ishte mbytur.
Pas kësaj ngjarje, Vila u nderua nga shefi i zjarrfikësve, Paul Dezzi. Paul Dezzi, në emër të County Longboat Key, i dha oficerit Vila një “Medalje e Nderit” e cila iu dërgua shefit të Policisë në Shelby për t’ia paraqitur oficerit Ermir Vila. Mirëpo, ajo çka u ka bërë përshtypje të veçantë autoriteteve amerikane, qytetarëve dhe gazetarëve, ka qenë thjeshtësia e shqiptarit.
Ermir Vila u tha gazetarëve dhe autoriteteve vendore se ai mbetet i përulur për të gjithë ngjarjen : “Nuk e ndiej se meritoj ndonjë vëmendje të veçantë, ngase si unë dhe çdo oficerë policie, apo qytetar nëse i jepet mundësia, përpiqen për të bërë më të mirën, për të ndihmuar të tjerët në çdo rast”, transmeton Dita. / KultPlus.com
Ceremonia e përvitshme e ndarjes së shpërblimeve kinematografike, “Globi i Artë”, të cilat i ndanë Shoqata e Gazetarëve të Huaj, zakonisht mbahet në javën e parë të janarit por për shkak të vonesave në projektet filmike, të shkaktuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit, kjo ngjarje e cila mbahet në Beverly Hills të Kalifornisë, tani është shtyrë për datën 28 shkurt të vitit 2021, transmeton Koha.
Në një mesazh të postuar në llogarinë zyrtare të Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Twitter shkruhej: “Jemi të lumtur t’iu informojmë se edicioni i 78-të i ceremonisë së përvitshme ‘Globi i Artë’, do të mbahet të dielën më 28 shkurt të vitit 2021. Ceremonia do të transmetohet live në kanalin NBC, ndërsa do të zërë vend në hotelin “The Beverly Hilton” të Kalifornisë.”
Lajmi i shtyrjes së kësaj ngjarjeje e cila e fillon zyrtarisht sezonin e shpërblimeve në Hollywood, vjen pak koha pasi Akademia e Arteve dhe Shkencave e cila është përgjegjëse për organizimin e ceremonisë “Oscar”, e bëri të ditur lajmin se po e shtynë atë për dy muaj, pra për 25 prill të vitit 2021.
Edhe ceremonia britanike e ndarjes së shpërblimeve kinematografike “BAFTA”, e ka shtyrë datën e mbajtjes për 11 prill të vitit të ardhshëm.
Zakonisht, këto tri ceremoni organizoheshin disa javë larg njëra-tjetrës, por ky orar i ri lë hapësirë prej dy muajsh ndërmjet ceremonive, “Globi i Artë” dhe “Oscar”. / KultPlus.com
Në kuadër të plotësimit të kabinetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ministrja Vlora Dumoshi, ka pritur në takime të veçanta Arber Grabovcin e Halil Matoshin, dy zëvendësministrat që zyrtarisht kanë pranuar këtë detyrë.
Ministrja Dumoshi me zëvendësministrat Grabovci e Matoshi diskutoi për detyrat e përbashkëta, për planet dhe programin që pritet të realizojë MKRS-ja gjatë këtij viti si dhe për synimet që janë gjatë mandatit qeverisës, në plotësimin e objektivave për këtë fazë.
Ministrja i informoi dy zëvendësministrat për prioritetet dhe sfidat që ka MKRS-ja në fushat e kulturës, rinisë, sportit, trashëgimisë dhe atë të drejtës dhe mbrojtjes së krijimtarisë e të autorëve. Ajo tha se pret një bashkëpunim dhe bashkërendim të punëve në kuadër të udhëheqjes së MKRS-së.
Zëvendësministrat Grabovci e Matoshi e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe theksuan se do të angazhohen në përmbushjen e objektivave që ka ministria. / KultPlus.com
“I dashur nip, nuk do të dëshiroja që kjo letër krishtlindjesh të tingëllonte shumë e sheqerosur (deamicisiana, term sipas librit të autorit De Amicis “Zemra”) dhe të kujtonte ty këshilla për dashurinë ndaj të afërmve tanë, për atdheun, për botën, apo gjëra të ngjashme. Nuk do t’ua vije veshin dhe në momentin e vënies në praktikë (ti i rritur dhe unë i thyer në moshë), sistemi i vlerave do të jetë kaq shumë i ndryshuar sa mundet që rekomandimet e mia të duken jashtë kohe.
Kështu që do të preferoja të ndalesha në një rekomandim të vetëm, të cilin do jesh në gjendje që ta vësh në zbatim edhe tani, teksa je zhytur në iPad-in tënd; por as nuk do të bëj gabimin që mos të ta këshilloj këtë gjë, jo për faktin se do dukesha një gjysh harraq dhe nopran, por sepse atë e bëj edhe unë.
E shumta mund të të rekomandoj, që nëse rastësisht në internet, kalon nëpër ato qindra faqet porno që tregojnë në mijëra mënyra raportin mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se ai është seksi, edhe ashtu i shfaqur shumë monoton; kjo sepse bëhet fjalë për një inskenim, i cili synon të të detyrojë të mos dalësh nga shtëpia dhe të shohësh vajzat e vërteta.
Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd. Por shikoji vajzat, në shkollë apo aty ku shkon për të lozur, sepse janë më të mira ato të vërtetat, sesa ato femrat televizive; dhe një ditë do të të japin kënaqësi shumë më të mëdha sesa ato online.
Besoji atij që ka më shumë eksperiencë sesa ty (dhe nëse do të kisha parë vetëm seksin në kompjuterin tënd atë nuk do kishte lindur kurrë dhe ti kush e di ku do ishe, përkundrazi nuk do ishe fare). Por nuk është kjo, ajo për të cilin doja të të flisja, më tepër sesa për një sëmundje që ka goditur brezin tënd dhe madje edhe atë të djemve më të rritur sesa ty e që ndoshta shkojnë në universitet.
Kjo është humbja e kujtesës. Është e vërtetë se nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh apo ku bie Kuala Lumpuri nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të ta thotë.
Bëje këtë gjë kur duhet, por pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë për të mos qenë i detyruar që ta kërkosh për herë të dytë nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.
Do të ishte njësoj sikur, duke ditur se për të shkuar nga një rrugë në tjetrën, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të zhvendosesh pa u lodhur(që në vetvete është shumë komode dhe bëje sa herë që nxiton) mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, bëhesh pastaj “i aftë tjetërsoj”, siç thuhet sot për ata që janë të detyruar të lëvizin me karrocë me rrota.
Dakord, e di që merresh me sport dhe kështu vë në lëvizje trupin tënd, por të kthehemi te mendja jote. Kujtesa është një muskul si ata të këmbëve, të cilën nëse nuk e ushtron rrudhet dhe ti transformohesh (nga këndvështrimi mendor) me një tjetër lloj aftësie, pra, që të flasim qartë, një idiot. Për më tepër, sikurse për të gjithë ekziston rreziku që me plakjen vjen edhe Alzheimeri, një nga mënyrat që të shmanget ky incident i pakëndshëm është të ushtrosh memorien.
Dhe ja cila është dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër. Mirë do ishte të bëje ndonjë garë edhe me miqtë e tu për të parë se kush mban mend më shumë. Nëse nuk e pëlqen poezinë atëherë bëje këtë me formacionet e futbollistëve, por kujdes, sepse nuk duhet vetëm të dish se kush janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, pse jo edhe të skuadrave të së shkuarës(mendo që unë mbaj mend formacionin e Torinos në kohën kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas në Superga: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj..). Bëj gara të kujtesës, ndoshta edhe për librat që ke lexuar(kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit> Lord Trealëney, kapiteni Smollet, doktor Levesey, Long John Silver, Jim…).
Provo njëherë nëse miqtë e tu do të kujtojnë dot se kush ishin shërbyesit e tre muskëtjerëve dhe të D’Artgnan(Grimaud, Bazin, Mousqueton dhe Planchet)..Dhe nëse nuk do duash të lexosh “Tre muskëtjerët(dhe nuk e merr me mend se çfarë do kesh humbur) atëherë bëje, ku di unë, me një nga historitë që ke lexuar. Duket një lojë(dhe është e tillë) por do ta shohësh sesi koka jote do të popullohet nga personazhe, histori, kujtime të çdo lloji. Do ta kesh pyetur veten se përse dikur kompjuterët quheshin tru elektronik.
Ndodhte sepse ata konceptoheshin mbi modelin e trurit (tonë) tënd; por truri ynë ka më shumë lidhje sesa një kompjuter. Është një lloj kompjuteri që e mban me vete, që rritet dhe forcohet përmes ushtrimit, kurse kompjuteri që ke mbi tavolinë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësinë e veprimeve dhe pas disa vitesh do ndërruar.
Ndërkohë që truri yt mund të zgjasë deri në 90 vjet dhe në këtë moshë(nëse do ta kesh ushtruar) do të kujtojë më shumë gjera nga ato që kujton tani. Dhe falas. Është pastaj kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se ti të lindje. Sot, nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë fikse, kur filmi fillon dhe sapo fillon dikush të kap si të thuash nga dora dhe të tregon se çfarë ndodh.
Në kohët e mia mund të hyje në kinema në çdo moment, e kam fjalën edhe në mes të spektaklit, arrije aty ndërkohë që po ndodhnin disa gjëra dhe përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë(pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, kuptohej nëse ishte kuptuar çdo gjë si duhet-përveç faktit se nëse filmi na kishte pëlqyer mund të rrije ta rishikoje edhe atë pjesë që ishte parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia.
Ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim. Kjo për të kuptuar më mirë se përse sot ndodhin shumë gjëra të reja.
Tani, shkolla (përveç leximeve të tua personale) duhet të të mësonte të memorizoje atë që ka ndodhur përpara se ti të lindje, por shihet se ajo nuk ia arrin siç duhet kësaj gjëje, pasi shumë hulumtime na thonë se të rinjtë e sotshëm, edhe ata të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse ta zëmë kanë lindur në 1990-ën nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980 (dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që ka ndodhur 500 vjet më parë). Statistikat na tregojnë se nëse i pyet disa se kush ishte Aldo Moro të përgjigjen se ishte kapua i Brigadave të Kuqe-në fakt ai u vra prej Brigadave të Kuqe.
Nuk flasim për këto të fundit, që mbeten misterioze për shumëkënd, e megjithatë ishin prezent diçka më pak sesa 30 vjet më parë. Unë kam lindur më 1932, dhjetë vjet pas ngjitjes në pushtet të fashizmit por e dija deri edhe se kush ishte kryeministri në kohën e Marshimit mbi Romë(po ky çfarë është?) Ndoshta shkolla fashiste më kishte bërë ta mësoja emrin e tij, për të më shpjeguar sesa budalla dhe i keq ishte ai ministër(“Faka zemërpula”) të cilin fashistët e kishin zëvendësuar.
Dakord, por të paktën e dija. Pastaj, të heqim shkollën mënjanë, një i ri i sotshëm nuk e di kush ishin aktorët e kinemasë të 20 vjetëve më parë, ndërkohë që unë dija kush ishte Francesca Bertini që luante në filmat pa zë 20 vjet para se unë të lindja. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të ngjeshura në dollapin e shtëpisë sonë, por pikërisht, edhe unë të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se ti të lindje.
Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse në shumë raste, ajo që ka ndodhur të jep një shpjegim se përse disa gjëra ndodhin sot dhe në çdo rast, njësoj si për formacionet e futbollistëve, kjo është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.
Ki parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm mbi librat dhe revistat, mund të bëhet shumë mirë edhe në internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të çatuar me miqtë e tu por edhe për të çatuar (nëse mund të shprehemi kështu) me historinë e botës. Kush ishin hitet? Po kamisardët? Dhe si quheshin tri karavelat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Po arka e Noes a mund të ketë pasur një timon? Si quhet paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra 100 vjet më parë? Çfarë ishte perandoria e Malit? Dhe kush fliste për Perandorinë e të Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino? Mund të vazhdoja në pafundësi dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi.
Të gjitha këto duhen kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh plak dhe do të ndihesh sikur ke jetuar 1000 vjet, sepse do të jetë sikur ti të kishe qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, të kesh asistuar në vrasjen e Jul Çezarit, apo të kesh qenë disa hapa larg nga vendi ku Bertoldi i quajtur i Ziu, teksa përziente substanca për të gjetur mënyrën e prodhimit të arit, gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë(dhe mirë iu bë). Të tjerë miq të tu, që nuk do të kenë kultivuar memorien e tyre, do të kenë jetuar një jetë të vetme, të tyren, që duhet të ketë qenë kush e di sa melankolike dhe e varfër në emocione.” / KulPlus.com
Joel Schumacher, regjisori i dy filmave “Batman” dhe i filmit “Gjenerata e Humbur”, vdiq nga kanceri në moshën 80-vjeçare, njoftuan personat përgjegjës për komunikimin.
Schumacher, që e nisi karrierën e tij si kostumograf, para se të bëhej një emër i madh në Hollywood, vdiq paqësisht në Nju Jork, pas një viti luftë kundër kancerit”, thanë ata në një deklaratë.
“Zjarri i Shën Elmos” (1985) ishte suksesi i parë i Schumacher-it si regjisor.
Atë e ndoqën “Gjenerata e Humbur” (1987) dhe “Përvoja e Ndaluar” (1990), përpara se të niste seritë “Batman” për Warner Bros, “Batman Forever” (1995) dhe “Batman and Robin” (1997)./atsh / KultPlus.com
Pjesërisht pallat, pjesërisht shkëmb, është një prej ndërtimeve më spektakolare në botë. Shtëpia e gurtë në Jemen, e quajtur “Dar al-Hajar” në gjuhën arabe, është një rezidencë e dikurshme mbretërore, që duket më shumë si “kate shtesë” të një masivi shkëmbor.
Godina e famshme është një nga simbolet e Jemenit dhe është vendosur edhe në kartëmonedhat e vendit. Kjo mrekulli e arkitekturës ndodhet 14 kilometra nga kryeqyteti Sana’a, në Luginën po aq të mrekullueshme Wadi Dhahr.
Godina është ndërtuar në vitet 1920, si rezidencë verore për udhëheqësin shpirtëror islamik dhe monarkun e Jemenit, Yahya Muhammad Hamiddin. Por pallati vetë është ndërtuar mbi një strukturë të ngritur që në vitin 1786 nga një studiues islamik, Mansour Ali Bin Mehdi Abbas.
Godina mbeti në pronësi të familjes mbretërore të Jemenit deri në revolucionin e vitit 1962, ndërsa tani është shndërruar si muze, me mijëra vetë që e vizitojnë gjatë gjithë vitit./ A2cnn / KultPlus.com
Në kuadër të 76-vjetorit të Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet në bashkëpunim me Shoqatën Çamëria organizojnë aktivitetin “Mos harro Çamërinë”.
Java e shqiptarëve të Çamërisë starton më 22 qershor në Sheshin Skënderbej në Tiranë ku do të vendosen gërmat 3D “I love Çamëria”.
Janë të shumta fotografitë që kanë bërë histori. Një e tillë është tejet e dhimbshme e ka preku mijëra njerëz.
Kultura në Japoni të mëson që të mos qash në publik sepse mund t’i shkaktosh pikëllim të tjerëve.
Kjo fotografi sjell historinë e një djaloshi i cili mban vëllain e tij të vdekur mbi shpinë (bomba atomike në Nagasaki). Aq shumë u mërzit derisa e dërgoi vëllain e tij për ta varrosur, dhe nuk i rrodhi asnjë pikë loti. Më pas gjakosi buzën, sepse e kafshonte për të ndaluar të qarën. / KultPlus.com
Në një intervistë, psikologia Redona Dudushi foli për situatën që po kalojnë qytetarët për shkak të përhapjes së Covid-19, transmeton KultPlus.
Dudushi tha se njerëzit u mbyllën menjëherë duke mos iu dhënë shumë opsione, ndërsa tani kërkohet ndryshimi i sjelljes. Por, sipas saj kjo është një ndër gjërat më të vështira.
“Ishte një mbyllje e detyruar që iu bë njerëzve, nuk kishte shumë opsione në mënyrë që mos të kolapsohej sistemi shëndetësor. Ndërsa tani kërkojnë një ndryshim sjellje. Por që të ndryshosh sjellje është një ndër gjërat më të vështira që ne njohim dhe kërkon etapa dhe fatkeqësisht nuk po punohet shumë.
Sjellja nuk ishte më përpara dhe nuk rritet të jetë tani. Kur u bë karantinimi, u bë mbyllja e njerëzve dhe nuk u la shumë opsion nëse do ta ndryshonin. Tani po priten që ata në mënyrë të ndërgjegjshme të ndryshojnë sjellje.
Njerëzit kuptuan një gjë u mbyllën dhe mendonin se hapja do të shoqërohej me rikthimin në jetën e mëparshme. Shumë njerëz e injorojnë faktin që virusi është akoma prezent dhe që është një gjë e gabuar. Shumë të tjerë nuk kanë arsimimin e duhur, të tjerë nuk kanë kushte e duhura për të blerë çdo ditë maska. Është një seri hallkash që duhet të funksionojnë”, u shpreh ajo. / KultPlus.com
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 22 vite burgim të akuzuarin për krime lufte, Drko Tasiq.
Për pikën e parë të aktakuzës, Tasiq u dënua me 7 vite burgim, kurse për atë të dytën me 15 vite burgim.
Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti, raporton Gazeta Express.
Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. / KultPlus.com
Muzeu i Shenjtores dhe humanistes sonë Nënë Tereza po themelohet në Prizren, qytetin e rrënjëve të saj. Ky muze, që është pjesë e programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë- Maqedoni Veriore dhe bashkëfinacohet nga Komuna e Prizrenit.
Ai ka për qëllim t’i mbledhë dhe t’i ruaj kujtimet për Nënë Terezën, t’i ndajë ato me njerëzit dhe të kontribuojë në nxitjen e mirëkuptimit dhe kohezionit brenda shoqërisë, të ndërtuar mbi parime të barazisë, humanizmit dhe solidaritetit, ashtu siç punoi gjithë jetën Nënë Tereza.
Një ekip kuratorial si bashkëpunim i ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare do të përkujdeset që jeta e Nënës Terezë të shpaloset përmes tregimeve për vendlindjen e saj, prindërit dhe rrethanat e tjera që çuan në formimin e personalitetit human më me peshë të shekullit XX. Një pjesë të fëmijërisë e të rinisë së saj ajo e ka kaluar në vendin e lindjes, Shkupin, me vizita të shpeshta te familjarët dhe në famullitë në qytete të ndryshme të Kosovës. Gjatë vizitave takoi shumë njerëz, burra, gra e fëmijë për t’iu dhënë kurajo e falur dashurinë e një nëne dhe shenjtoreje. Besojmë që gjurmë dhe tregime të jetës të saj të kësaj periudhe si dhe të vizitave të mëvonshme si motër misionare ende janë prezente në kujtimet e atyre që patën fatin ta takojnë.
Mirëpo shume prej këtyre tregimeve mbesin të pathëna, të papara e të padëgjuara për shumicën e njerëzve. Prandaj, të gjithë ju që e keni pasur fatin ta takoni Nënë Terezën të bashkëbisedoni me të, t’ia dëgjoni fjalët e rrëfimet, ose të shkëmbeni ndonjë letër me të, CHwB Kosova fton të gjithë që t’i ndajnë kujtimet e tyre, në mënyrë që ato të ruhen dhe mbesin përgjithmonë në Muzeun për Nënën Terezë.
Muzeu për Nënën Terezën do të bëhet në plotni kur bashkohen dhe ruhen kujtimet tona për Nënë Terezën. / KultPlus.com
21 vite më par bashkë me forcat e NATO’s ishin edhe ato britanike që zbarkuan në vendin tonë me të cilët ishin edhe shumë përkthyes që u bënë pjesë e këtij emocioni.
Martin Browning, ushtarak britanik po kërkonte përkthyesit e tij, Genc dhe Arta, të cilëve mbiemrin nuk ua dinte.
Por nuk ishte vështirë të gjendeshin, ishte fjala për aktoren e famshme Arta Dobroshi dhe vëllain e saj Genc Dobroshi, transmeton Gazeta Metro
“Ishte e jashtëzakonshëm sepse nuk jam kthyer këtu që nga viti 1999, 21 vite më parë. Ndërsa jam kthyer përsëri pas kaq shumë vitesh dhe e mendova, jam kthyer dhe do t’i gjej”, u shpreh ushtari britanik i kthyer pas 21 vitesh në Kosovë.
“Kam ardhur në janar, dhe kam filluar të pyes, po nuk me kujtohej mbiemri i tre, vetëm, Arta dhe Genc. Ishte vështirë t’i gjeja, pastaj ndodhi pandemia, por me ndihmën e Ardian Ndrecajt, i cili punon në Ambasadën Britanike arritëm të takohemi pothuajse në ditën e 21 vjetorit të çlirimit”, u shpreh tutje Browning.
Kishte menduar se asnjëherë nuk do t’i gjente. Por ishte mahnitur që i kishte takuar përsëri.
Britaniku thotë se kishte njohur vetëm si studentë dhe nuk e dinte për sukseset e tyre në fushën e aktrimit. / KultPlus.com
Thomas Mann (Lübeck, 6 qershor 1875 – Zürich, 12 gusht 1955), shkrimtar gjerman. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1929. Tomas Mani, ky “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët. Autori i romaneve Mali magjik, Budenbrokët, Doktor Faustus, i katërvëllimëshit Jozefi dhe vëllezërit e tij, etj, i novelave Tonio Krëger, Tristani, Vdekje në Venecia etj
Ju sjellim sot disa nga thëniet më të mira të Thomas Mann:
“Njeriu jeton jo vetëm jetën e tij personale, si individ, por gjithashtu, me apo pa vetëdije, jetën e epokës së tij dhe të bashkëkohësve të tij.”
“Një vetmitar, pa e pasur zakon të flasë për atë që ai e sheh dhe e ndjen, ka përvoja mendore të cilat janë njëkohësisht më intensive dhe më pak të artikuluara se ato të një njeriu të shoqërueshëm.”
“Një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë se për njerëzit e tjerë.”
“I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është vetëm një shprehje tjetër e interesit për jetën.”
“Një art mjeti i të cilit është gjuha, gjithmonë do të tregojë një shkallë të lartë të krijimtarisë kritike, sepse të folurit në vetvete është një kritikë e jetës: ai emron, ai karakterizon, ai gjykon, kështu ai krijon.”
“Demokracia është përjetësisht humane, dhe përjetësia gjithmonë nënkupton një sasi të caktuar të një rinie të mundshme.”
“Sepse unë duhet të them se ne artistët nuk mund të shkelim në rrugën e Bukurisë pa Erosin që na jep shoqëri dhe e emëron veten si udhërrëfyesin tonë.”
“Miti është themeli i jetës; është skema e përjetshme, formula e devotshme në të cilën jeta rrjedh kur ajo riprodhon tiparet e saj të pavetëdijës.”
“Për hir të mirësisë dhe dashurisë, njeriu nuk do ta lërë vdekja të ketë sovranitetin mbi mendimet e tij.”
“Për të qenë të gatshëm kundër fatalitet, për të përmbushur kushtet e pafavorshme hijshëm, është më shumë se durim i thjeshtë, por është një akt agresioni, një triumf pozitiv.”
“Ka ndryshuar ndonjëherë bota nga ndonjë gjë përveç mendimit dhe automjetit të tij magjik Fjalë?”
“Arsyeja njerëzore ka nevojë vetëm të dëshirojë më fuqishëm se fati, dhe ajo është fati.”
“Unë e dua dhe i përulem me nderim Fjalës, bartëses së shpirtit, asaj që është mjeti dhe pluga e shkëlqyer e progresit.”
“Unë kurrë nuk mund ta kuptoj se si dikush nuk mund të pijë duhan, çka e privon një njeri nga pjesa më e mirë të jetës. Me një puro të mirë në gojën e tij një njeri është krejtësisht i sigurt, asgjë nuk mund ta prekë, absolutisht.”
“Nëse jeni i zotëruar nga një ide, ju e gjeni të shprehur atë kudo, ju madje e joshni atë.”
“Është një fakt i çuditshëm që liria dhe barazia, të dy idetë themelore të demokracisë, janë në një farë mase kontradiktore. Logjikisht, liria dhe barazia janë reciprokisht përjashtuese, ashtu si shoqëria dhe individi janë reciprokisht ekskluzive.”
“Dashuria, jo arsyeja, është më e fortë se vdekja.”
“Letërsia … është bashkimi i vuajtjes me instinktin për formën.”
“Dikush gjithmonë ka idenë se njeriu i trashë ka shëndet të përkryer dhe është i rëndomtë, dhe sëmundja e bën të rafinuar, të mençur dhe të pazakontë.”
“Opinionet nuk mund të mbijetojnë në qoftë se dikush nuk ka asnjë shans për të luftuar për to.”
“Sjellja e njerëzve ka kuptim, nëse ju mendoni për të sa iu përket qëllimeve të tyre, nevojave dhe motiveve.”
“I respektuar do të thotë i pasur, dhe i mirë do të thotë i varfër. Unë duhet të vdes në qoftë se dëgjoj familjen time të më quajë i mirë.”
“Vetmia lind origjinalin në ne, bukurinë e panjohur dhe të rrezikshme – poezinë. Por gjithashtu, ajo lind të kundërtën: çoroditjen, të paligjshmen, absurden.”
“Lufta është vetëm një ikje frikacake nga problemet e paqes.”
“Ne nuk i dashurojmë cilësitë, ne i dashurojmë personat, nganjëherë për shkak të defekteve të tyre, sikurse dhe të cilësive të tyre.” / KultPlus.com
Katër vite pas vdekjes tragjike të vogëlushes Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, asnjë zyrtar institucional nuk është dënuar nga drejtësia, edhe pse analiza e përgjegjësisë institucionale në raport me sigurinë publike dhe mbrojtjen dhe menaxhimin e Qendrës Historike nxjerr një numër të madh institucionesh e zyrtarësh përgjegjës për rastin (si në nivel lokal ashtu edhe atë qendror).
Lidhur me këtë rast, është zhvilluar procedura gjyqësore vetëm ndaj ish‐drejtorit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, B.E. Sipas njoftimit me shkrim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, me datën 11 nëntor 2019 kjo gjykatë ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit me iniciale B.E., me arsyetimin se në veprimet e tij nuk formohen elementet e veprave penale sipas aktakuzës, “pasi që ato nuk kanë të bëjnë me figurën e veprave penale të cilat janë të përcaktuara me ligj”.
EC Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishte publikuar opinionin “Drejtësi të plotë për Ec Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishe publikuar opinionin ‘Drejtësi të plotë për Xhenetën’ (https://ecmandryshe.org/repository/docs/Opinion_Drejtesi_te_plote_per_Xheneten.pdf), ku kishte shprehur dyshimin nëse aktakuza në fjalë mund të sillte drejtësi të plotë për rastin tragjik të Xheneta Gashit.
Ky dyshim në mes tjerash ishte bazuar edhe në faktin se rastet e kaluara të ndjekjes së veprave penale brenda Qendrës Historike ishin procese të stërzgjatura të hetimeve dhe se asnjëherë nuk patën prodhuar aktgjykime dënuese, derisa edhe në ato pak raste të përfundimit në gjykatë, aktakuzat për veprat penale brenda Qendrës Historike kanë qenë tejet shterpe, duke i sfiduar edhe gjykatësit në marrjen e vendimeve dënuese. / KultPlus.com
Aktorja komike 39-vjeçare, Amy Schumer, e ka postuar numrin e telefonit në Instagram dhe Twitter, për t’iu mundësuar kështu ndjekësve të saj që mund të jenë viktima të abuzimit seksual, që ta kontaktojnë atë për çfarëdo që kanë nevojë.
Schumer e shprehi përkrahjen e saj për të gjitha gratë të cilat kanë folur hapur për eksperiencat e tyre të hidhura me abuzimin seksual dhe përdhunimin.
“Përshëndetje. Në çfarë kohë të çmendura po jetojmë, apo jo? Shumë gjëra janë duke ndodhur. Vetëm dua ta shfrytëzoj këtë mundësi ta vlerësoj guximin e të gjitha këtyre grave që po flasin hapur për keqtrajtimet që i kanë përjetuar nga komedianët apo persona të profesioneve tjera. Veçanërisht ato që nuk kanë qenë të moshës madhore. Në botë ekzistojnë burra të mirë. Por ka edhe burra të cilët i turpërojnë dhe abuzojnë gratë dhe vajzat e reja, për shkak të fuqisë dinamike ose për shkak se kur ata ishin në moshë të re, femrat nuk pranonin të flinin me ta. Por, pavarësisht arsyeve tuaja, dijeni se ne jemi duke iu vëzhguar. Ne qëndrojmë të bashkuara dhe nuk do ta pranojmë këtë lloj sjellje, pavarësisht nëse e thyeni ligjin ose jo. Unë jam në dispozicionin tuaj nëse dikush ka nevojë për përkrahje. Më kontaktoni dhe do të mundohem t’iu ndihmoj me aq sa kam fuqi. Numri im i telefonit është i postuar këtu”.
Ylli i filmit “Trainwreck”, Schumer, e cila është nënë e një djali, Gene, të cilin e ka me bashkëshortin Chris Fischer, vazhdimisht e shfrytëzon famën e saj për të mbështetur kauza të ndryshme të cilat i ka për zemër.
Në të kaluarën ajo I kishte nxitur njerëzit që të dhurojnë për organizatën bamirëse “Immigrant Families Together”, e cila i ndihmon dhe përkrahë familjet imigrante që janë shpartalluar. / KultPlus.com
Pas një mungese tremujore, për shkak të pandemisë COVID 19, për herë të parë artistët e operës rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej” me performanca live dhe me “Të gjithë e duam Agim Krajkën”.
Pas tre muajsh izolim, për herë të parë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej”, në Ditën Botërore të Muzikës (21 qershor).
Sopranoja Dorina Selimi interpretoi arie operistike, një kuartet harqesh luajti muzikën klasike, por edhe artistët e Ansamblit të Këngëve edhe Valleve sollën muzikë të njohur popullore shqiptare për publikun rastësor.
“Po e shijoj performancën live edhe programin në monitor. Një iniciativë shumë pozitive”.
Në rreth 500 karrige pas një ore performancë live publiku në distancë nga njëri tjetri qëndroi për të shijuar edhe në monitorin e madh të vendosur në shesh shfaqjen “Të gjithë e duan Agim Krajkën. I realizuar më herët nga Teatri i Operës, duke sjell kontributin e Krajkës në ansambël për 30 vjet, por edhe këngët fort të dashura për publikun, si “Kafe Vlora” apo “Kënga e Gjyshes”.
“Muzika është një element shumë i domosdoshëm në jetën e njeriut, ka në qendër të shkuarën, të tashmen edhe të ardhmen, prandaj është domosdoshmëri për më shumë aktivitete të tilla”.
“Një iniciativë shumë pozitive, sidomos pas COVID 19. Duhet që të ketë më shumë aktivitete të tilla. Njerëzit kanë nevojë për to”.
Dita Botërore e Muzikës u festua për herë të parë në vitin 1982 në Francë, kur ish ministri i Kulturës, Jack Lang, evidentoi se edhe pse numëroheshin mbi 5 milionë francezë, që luanin një instrument muzikor, koncertet mungonin. Ai zgjodh datën 21 qershor dhe kjo datë u përcaktua si një festë kombëtare për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Europën, edhe tashmë festohet në vende të ndryshme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur zyrtarisht në pranimin e detyrës zëvendësministren e MKRS-së, Valdete Bajrami, me të cilën diskutoi për detyrat e përbashkëta që pritet të realizohen në të ardhmen.
Ministrja Dumoshi e njoftoi Bajrami për prioritetet dhe sfidat e ministrisë për këtë vit dhe planet që priten të realizohen gjatë këtij mandati.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja Bajrami e falënderoi ministren për pritjen duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e planeve të MKRS-së. / KultPlus.com