Me 15 tetor hapet ekspozita e Mimoza Studenicës

Të martën me 15 tetor në Prishtinë do të hapet ekspozita “Gruaja” e Mimoza Studenicës.

Ekspozita do të hapet në ora 19:00 në Shtëpinë e Evropës – Europe House në kryeqytet.

Studenica ka kohë që është aktive me punët e saj artistike ndërsa kjo do të jetë ekspozita e saj e dytë personale. Mimoza ka lindur në vitin 1975 në Prishtinë.

Në pikturat e saj janë të shfaqur artistët me famë botërore, si Marilyn Monroe, Mick Jagger, David Bowie, Bob Marley, The Beatles, si dhe shumë karaktere të ndryshme. / KultPlus.com

Do të jetë mëngjes e unë do të vij patjetër

Nga Dritëro Agolli

Do të jetë mëngjes e unë do të vij patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së thartë.

Aherë ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…

E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Tirana pa miq

Poezi nga Lindita Arapi.

TIRANA është bosh
Pa bori makinash, pa taka të larta
Nga tavolinat e kafeneve pikon shi.
Valë-valë pulëbardhash udhëhumbur
më fshikin të trullosura.
Ikin në kërkim të detit.
Lajmëtaret e para në Tiranë.
Cilin shpirt keni parë nëpër qiell?
Cilin nga miqtë e mi nuk do ta shoh më kurrë?

Tirana zbrazet,
unë vij të lidh nyjet e këputura
Të ngjis me netë vere pjesët e mbetura bosh të jetës sime
Me ato të miqve të mi.
Jetën që ndodhi pa mua.
Po nuk ju gjej më.
Vetëm kujtimet.

Kush ka soditur ujërat që rrjedhin kuturu?
Rrëkezat nuk lidhen, dhe po qe se takohen rastësisht, ndahen sërish.
Kjo është jeta pa ju, miqtë e mi.

Derisa një ditë vdekja të më gjejë edhe mua,
Në mos në ndonjë kafene të mbushur me kujtime
Në shtrat, flokërënë nga historitë e pajetuara.

Nga helmimet e tmerrshme të vitit 1990, deri te zarfat e dyshimtë të Serbisë

Sot në Kosovë por edhe në mediat e huaja qarkulloi lajmi për zarfet që erdhën nga Serbia dhe nga të cilat u infektuan ose helmuan ata që i numëronin ato.

Sipas raportimeve të fundit, këto zarfe që erdhën nga Serbia me votat për zgjedhjet e fundit kanë shkaktuar alergji në lëkurë në fytyrat e të prekurve.

Po quhet helmim rasti sot me zyrtarët e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, dhe kjo ngjarje ka nxitur edhe kujtime të hidhura të helmimeve të vitit 1990 në Kosovë, nga regjimi i atëhershëm serb.

Helmimet ndodhën në pranverën e vitit 1990 në moshat më të reja në Kosovë. Beogradi asokohe e quante helmimin një inskenim të shqiptarëve dhe aktrim perfekt.

Rreth 3 mijë nxënës janë helmuar asokohe, dhe sot në këtë helmim të radhës nga Serbia duket se po tregohet edhe një herë fytyra e vërtetë e shtetit zyrtar serb.

Në vitin 1919, Nikollë Bojaxhiu – babai i Nënë Terezës, ishte helmuar në Beograd.

Në vitin 2019, sot, Serbia ka vendosur që të helmojë qytetarët e Kosovës me anë të ndonjë substance e cila mund të jetë vendosur në këto zarfe. Po bëhen ende hetime që të zbulohet e vërteta pas këtij rasti, shkruan KultPlus.

Pakot në fjalë kanë ardhë nga Serbia ndërsa kanë dalë të dyshimta pasi janë hapur nga të angazhuarit në Kosovë, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim. / KultPlus.com

Nga ‘Ave Maria’ te ‘O lux beata Trinitas’, përfundon edicioni i dytë i Prishtina International Vocal Festival

Arbër Selmani

Dirigjenti spanjoll Fernando Briones u përkujdes që për dy orë të koncertit të transmetonte muzikalitetin e tij me anë të duarve, drejt muzikantëve dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës.

Në fron me të, përfundoi edhe nata e tretë dhe e fundit e festivalit Prishtina International Vocal Festival, festival që u mbajt prej 7 – 10 tetor në Prishtinë, me tri koncerte fantastike që i sollën qytetit atmosferë tjetër.

E koncerti përmbyllës solli plot emocione, duke nisur me “Mbrëmje” nga Part Uusberg / Ohtul, për të vazhduar me veprat tjera që u përzgjodhën këtë natë. Prej emocionit të Bahut, gjithçka kaloi në pushtimin e zërit të Adelina Palojës e cila solli veprën e Hajrullah Sylës.

I erdhi radha “Ave Maria” nga Jose Fajardo, vazhdoi “O Lux beata Trinitas” dhe më pas punë të tjera deri te Kuarteti Harkor i Filharmonisë së Kosovës dhe Artemida Qarri – Haxhiaj në piano.

Secila vepër erdhi më fuqishëm se tjetra, në këtë koncert që mblodhi rreth vetes artdashësit në akustikën e Kishës Shën Ndou në Prishtinë.

“Patjetër që ekziston ideja që festivali të jetë tradicional, meqë po shihet se interesimi i njerëzve për festivalin është i madh. Në ndërkohë na kanë shkruar edhe grupe tjera të fuqishme dhe formacione që duan të jenë pjesë e festivalit viteve tjera” tha pas mbrëmjes Hajrullah Syla – drejtor i këtij festivali që erdhi me edicionin e dytë sivjet.

Syla derisa reflektonte për këtë edicion, foli edhe për dy mbrëmjet tjera, gjegjësisht me 7 e 8 tetor. Në datën 8 në Katedralën “Nënë Tereza” performuan “The Kings Singers” nga Mbretëria e Bashkuar.

“Të arrish të sjellës në Kosovë një grup si “The Kings Singers” është arritje e madhe, dhe shenjë se ky festival duhet të vazhdojë të jetojë edhe në të ardhmen. Sonte patëm vepra nga më të ndryshmet, përfshirë edhe veprën time të shkruar enkas për sopranon Adelina Paloja. Unë mendoj se ajo bëri një punë të shkëlqyer edhe e realizoi veprën në mënyrë brilante” tregoi për KultPlus Harullah Syla.

Koncertit të 10 tetorit i dha sharm edhe dirigjenti Briones i cili me plot modesti sikur përshëndeste edhe muzikantët edhe audiencën pas secilës performancë. Rreth dy orë program mbajtën publikun të mahnitur me përzgjedhjen e repertorit që çonte prej muzikës më misterioze, te shpirtërorja, e deri te ajo më e gëzuara e më vajtuesja.

“I tërë problem qëndron në faktin e gjetjes së sponzorëve, sepse përndryshe nuk ka arsye që një festival i tillë të mos mbahet. Nëse ka kaq interesim prej grupeve e ansambleve të fuqishme atëherë na duhen edhe sponzorë për ti sjellë ata në Kosovë” tregoi Hajrullah Syla.

“Jam shumë i lumtur që jam në Kosovë për këtë koncert, me këtë ansambël me të cilin kemi ushtruar shumë dhe na ka shijuar secila performancë. Ka një profesionalizëm në këtë vend dhe si pedagog i dirigjimit e vërejta këtë qysh në fillim” thotë dirigjenti Briones.

Në anën tjetër, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me 26 tetor do ta mbajë koncertin e radhës, prej orës 12:00 – në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe, koncert i përfshirë në atë që quhet Zona e Fëmijëve. / KultPlus.com

Reagime nga Blerim Reka, Vlora Çitaku e personalitete tjera për Nobelistin që e përkrahu Millosheviçin

Reagime të shumta ka ngjallur ndarja e çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Handke njihej si përkrahës i Sllobodan Millosheviqit dhe si person që haptas kishte mohuar masakrat në Ballkan.

Ish-diplomati dhe profesori universitar, Blerim Reka, përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka quajtur skandaloze këtë vendim.

“Skandaloze! Nobel për letërsi i ndahet Handkes, shkrimtarit që e mbështeti kriminelin e luftës, Millosheviq! Po sikur që paraprakisht po atë çmim ia ndanë Ivo Andriq koautorit të (projektit për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në ish-Jugosllavinë – sqarim ynë) Çubrilloviqit dhe Ambasadorit Mbretëror Jugosllav, ngrehësit të dollisë në përurimin e Adolf Hitlerit si Kancelar. Nuk do të habitesha nëse vitin që vjen Nobelin e fiton shkrimtari i Robert Mugabes!” ka shkruar ai në Facebook.

Ndaj vendimit të Akademisë Suedeze ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku.

“Skandaloze! Komiteti i Nobelit ka vendosur të nderojë Peter Handken – një burrë që e ka lartësuar Millosheviqin, e njohur si ‘Kasapi i Ballkanit’ dhe e ka përkrahur regjimin e tij gjenocidial – me çmimin për Letërsi. Nuk ka asgjë nobel lidhur me këtë. Është vendim i paarsyeshëm e i turpshëm”, ka thënë ajo.

Pa fjalë ka thënë se ka mbetur me këtë vendim, Alexander Ivanko, ish-zëdhënësi i misionit të OKB-së në Bosnje e Kosovë.

“Jam absolutisht pa fjalë! A e ka humbur Akademia Suedeze toruan?! Peter Handke?! Mbrojtësi i Milosheviqit dhe mohues i Srebrenicës?! Si dikush që ka punuar në Sarajevë gjatë luftës, unë siguroj se aty s’ka pasur qytetarë të atij qyteti që kanë mbytur njëri-tjetrin! Forcat serbe kanë gjuajtur, qëruar e vrarë mijëra civilë. Handke nuk ishte aty, por ka mohuar se kjo ka ndodhur. Pa fjalë!” ka shkruar ai në Facebook.

Nesër ndahet Nobeli për Letërsi, Kadare ndër favoritët

Nesër do të dihet saktësisht kush e fiton Nobelin në Letërsi këtë vit.

Pas skandalit të Akademisë Suedeze ka qenë edhe Nobeli letrar ai që e ka humbur rëndësinë e tij.

Megjithatë, sipas sondazheve dhe komenteve, dikush prej këtyre shkrimtarëve mund ta marrë çmimin e madh të letërsisë. Do të ndahen dy çmime.

Mircea Cartarescu, Ismail Kadare, Adunis, Ko Un, Yan Lianke, Amos Oz dhe Haruki Murakami janë në mesin e favoritëve. Kuptohet që befasitë mund të ndodhin pikërisht pasi Nobeli po jepet edhe për shkrimtarë të zhanreve e formateve të ndryshme, nisur prej Bob Dylan si risi e madhe.

Liudmila Ulítskaya, Joyce Carol Oates, Margaret Atwood, Marilynne Robinson, Joan Didion dhe Jon Fosse po ashtu renditen mirë nëpër bastet e ndryshme. Ngũgĩ wa Thiong’o nuk duhet të lihet anash.

Studio Master, pa shkëputje nga puna!

A dëshironi të ndjekni studimet master me orar fleksibil apo online, ku ligjërojnë profesorë vendor e ndërkombëtar dhe pastaj të vazhdoni studimet jashtë vendit me BURSË të plotë, Kolegji Universum është vendi se ku ju duhet të drejtoheni https://bit.ly/2HuMame

Programi Master në Kolegjin Universum është i vetmi program i cili është ranguar si i 16’ti në Evropën Lindore dhe në Top 200 programet më të mira të kësaj fushe në botë nga agjencia prestigjioze franceze Eduniversal.  

Poashtu i vetmi institucion në Kosovë që ofron diplomë të dyfishtë gjermane, duke ju mundësuar studentëve kosovar ti fillojnë studimet në Kosovë dhe ta vazhdojnë vitin e dytë në Gjermani, ku përveq studimeve studentët do të kryejnë punë praktike me pagese në kompani gjermane.

Këtë vit Këshilli shtetëror i cilësisë i Agjencionit të Akreditimit të Kosovës ka akredituar edhe programin Master në Diplomaci.

Fillo studimet Master në Kolegjin Universum. Eksploro Evropën gjatë studimeve, përfito BURSË të plotë për studime në njërin nga 22 shtete të BE-së. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame 

Për më shumë informata ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram, apo kontaktoni në [email protected] ose +38344144062. 

Me 13 tetor, bisedë me Eno Koçon në Art House

MUZIKA TRADICIONALE DHE E KULTIVUAR NË SHKODËR
 
                                          Bisedë me Eno Koço
     
                                        E diel 13 tetor, ora 18:00

Art House organizon një cikël bisedash me të ftuar të fushave të ndryshme duke krijuar kështu një hapësirë diskutimi ku secili sjell eksperiencat e përjetimet e veta.

I ftuari i parë është dirigjenti Eno KOÇO. Ka punuar si dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTSH në periudhën 1977–1978 kur veç koncerteve simfonike e vokale bëri mjaft regjistrime të këtij repertori e të muzikës së filmave. Dirigjoi këtë orkestër në turnetë në Jugosllavi (1979) e Turqi (1983) si dhe drejtoi Orkestrën Simfonike të Kajros, Egjipt (1986). Nga viti 1992 punoi për 19 vjet si dirigjent i Filarmonisë së Universitetit të Leeds-it, Angli, si dhe bashkëpunoi me një radhë orkestrash dhe koresh lokale të Anglisë së Veriut. Bashkëpunime dirigjioriale ka mbajtur dhe me Teatrin e Operës të Tiranës, Teatrin e Operës të Shkupit, Filarmoninë George Enescu të Bukureshtit, Akademinë Muzikore të Wroclav-it, Filarmoninë e Kosovës etj. Me regjistrimet e tij me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar midis viteve 1979–1991 si dhe më 2012 ka emetuar shtatë CD (gjatë 2005–2016) të veprave simfonike, vokale e instrumentale në ekzekutimin e instrumentistëve e këngëtarëve shqiptarë.
Mbrojti doktoratën (PhD) në Leeds, Angli, më 1998 me temën ‘Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930’. Mbi muzikën shqiptare ka mbajtur leksione në universitete dhe qendra kërkimore të ndryshme si Limerick, Leeds, Londër, Palermo, Bologna, Cagliari, Tbilisi, Strugë, Tiranë dhe Selanik. Është autor i një serie librash e artikujsh studimorë mbi muzikën shqiptare të botuara në Shqipëri, Angli, ShBA, Itali, Maqedoni e Gjeorgji, mes tyre Kënga lirike qytetare në vitet 1930 (Scarecrow Press, 2004), Udhëtim i isos vokale (Cambridge Scholars Publishing, 2015), Enciklopedia ‘Bloomsbury’, vol. 11 (2017), Këngët dhe muzika tradicionale e krahinës së Korçës (Cambridge Scholars Publishing, 2018). Mban titullin ‘Artist i Merituar’ (1984) ‘Profesor i Asociuar’ (2005) dhe urdhrin Nderi i Kombit (2017).

Tirana, në mesin e 20 qyteteve më të kulturuara në Evropë

Tirana, kryeqyteti shqiptar, është radhitur në mesin e 20 qyteteve më të kulturuara në Evropë.

Sipas rezultateve të platformës së udhëtimeve Wanderu, Tirana është në mesin e qyteteve që ofron shumë në aspektin e artit dhe kulturës.

Wanderu ka kalkuluar rëndësinë e qyteteve dhe lidhjen e tyre me kulturë duke analizuar popullësinë e qyteteve dhe numrin e muzeve, universiteteve, vendeve historike, teatrove, kishave e katedraleve për kokë banorë në këto vende.

Italia duket në listë si një prej shteteve që ka më së shumti qytete në këtë listë prej 50 qyteteve. Napoli, Bolonja, Florence, Palermo, Roma, Milano, Bari e Torino janë disa prej qyeteteve italiane që radhiten mirë.

Tirana zë vendin e parë prej të gjitha shteteve në Evropën Lindore, ndërsa edhe radhitet e dyta për numrin e universiteteve për kokë banori.

Qyteti i Tiranës është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, industriale, mediale, akademike, sociale dhe kulturore e vendit.

Tirana ndodhet rreth 40 km larg portit më të rëndësishëm të vendit, që ndodhet në Durrës. Qysh prej vitit 2000 dy qytetet lidhen me autostradë. Nga Tirana udhëtojnë përditë autobuzë për në qytetet më të rëndësishme të vendit. Tirana ndodhet rreth 40 km larg portit më të rëndësishëm të vendit, që ndodhet në Durrës.

Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-pazarin e vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga Hrushovi më 1959.

Disa nga pikat turistike që mund të vizitohen në Tiranë janë:

Mozaiku i Kishës Paleokristiane

Parlamenti (Teatri i Kukullave)

Xhamia e Et’hem Beut

Katedralja Ortodokse e Ringjalljes së Krishtit

Kisha Katedrale e Shën Palit

Varri monumental i Kapllan Pashës

Kalaja e Tiranës

Rezidenca Mbretërore

Kompleksi monumental i Sheshit të Flamurit

Lulishtja publike më e vjetër e qytetit

Shatërvani i parë i qytetit

Ura e Tabakëve

Vendi ku është shpallur Pavarësia

Rrapi monumental i Tabakëve

Varrezat e Dëshmorëve si pikë turistike dhe monument artistik.

U hap sonte në Prishtinë ekspozita ‘TransBalkan’ e Aleksandar Crnogorac

U hap sonte në Prishtinë ekspozita ‘TransBalkan’.

Aleksandar Crnogorac është artisti që e solli sonte ekspozitën në Prishtinë në kuadër të Javës së Krenarisë e cila do të vazhdojë deri me 10 tetor.

TransBalkan është një projekt fotografik dokumentar që përqendrohet në komunitetin trans në rajonin e Ballkanit, të Evropës Jug-Lindore. Autori ka udhëtuar në pjesën më të madhe të ish republikave Jugosllave, dhe gjatë rrugës është takuar më më shumë se 30 persona, të cilët jo vetëm që i fotografoi, por edhe i intervistoi.

Në hapjen e ekspozitës foli artisti Aleksandar Crnogorac dhe aktivisti transgjinor Lendi Mustafa.

Ekspozita paraprakisht ka udhëtuar edhe në kryeqytetet tjera të Ballkanit. / KultPlus.com

Letër LDK-së

Nga Nezir Kraki

LDK e dashur,

Vitet e fundit sjellja jote politike i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës dhe e ka zhgënjyer bazen historike të votuesve tu. Ke bashkpunuar me bandat në qeveri, i ke forcuar ato dhe e ke dobësuar veten. E ke prodhuar Hashim Thaqin president i cili pastaj na shkaktoi dëme zor të riparueshme duke e binde botën se statusi i Kosovës ende s’ishte kryer. Produkti yt « president » e dashur LDK ka arritë ta rikthejë Serbinë me letra n’Kosovë duke ia mundësuar asaj fitoren e parë gjeopolitike që nga Daytoni kur u krijua Serbia brenda Bosnes. Nuk po ti numëroj krejt se dalin shumë faqe e sot kemi halle te reja, punë tjera. Sot e kemi t’ardhmen përpara.

Sot, e dashur LDK, nga pozita e dytë ti veç je fituese sepse e ke shansin unik që t’i korrigjosh gabimet politike duke u rreshtuar në anën e duhur të historisë.

Sot, LDK-ja jonë historike, ti gjendesh perpara dilemes: të bëhesh pjesë e bërjës së Kosovës duke e forcuar edhe veten tënde dhe duke ia rikthyer besimin votuesit tënd, apo të pranosh role shkatërruese për ty dhe zhbërëse për Kosovën, në skenare të menduara nga ata që ty s’ta duan t’mirën.

Sinqerisht, e dashur LDK, votuesi yt dhe populli i pashpresë i Kosovës presin që ti ta zgjedhësh opsionin e parë, dmth opsionin e bërjës së Kosovës dhe të forcimit tënd. Mos gabo përsëri sepse rrezikohesh me zhdukje nga skena politike.

Ke vite që proklamohesh si parti institucionaliste por kjo duhet të dëshmohet me vepra. Nuk te ka hije ty LDK-ja e të urtit Rugovë të sillesh me papjekuri kur fushës dihet se gjendemi në moment historik si Kosovë.

LDK e dashur, unë të kritikoj se ta dua të mirën sepse jam rritë me dhe në ty.
Prandaj sot llogaris n’ty dhe në rolin tënd të dobishem që mund ta kesh tash e tutje.

Me shpresë,
Nezir Kraki
Paris

Festivali “Jazz in Albania”, 5 ditë në Tiranë

Festivali Ndërkombëtar “Jazz in Abania” për të tetin vit radhazi sjell pranë publikut artistë nga e gjithë bota. Përgjatë pesë ditëve tetë grupe jazzi nga Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia, Izraeli, Turqia , Japonia edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajnë muzikë jazz. Organizatorët e këtij festivali Besim Petrela edhe Gent Rushi premtojnë gjatë këtyre koncerteve larmishmëri stilesh edhe individualitetesh artistike, jazz kualitativ, uorkshope, por edhe shkëmbim  eksperiencash mes të rinjve.

“Ky edicion është fokusuar jo vetëm në koncertet, që do të zhvillohet, por edhe në uorkshopet që artistët do të zhvillojnë edhe me të rinjtë. Jemi fokusuar edhe në edukimin e brezit të ri me muzikën jazz”, shprehet Besim Petrela, drejtuesi i këtij festivali.

Disa nga emrat e artistëve që do të jenë prezentë janë artistët Mike del Ferro, Enzo Favata, Maxime Bender dhe Mattan Klein.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=91&v=rXWdPh_MpiM

 “Është kënaqësi që të kemi një përfaqësim kaq të gjerë nga pikëpamja gjeografike, me muzikantë, duke filluar që nga lindja e largët, deri në Shtetet e bashkuara të Amerikës”, shprehet kompozitori Gent Rushi.

Koncertet do të zhvillohen në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, tek Liceu Artistik dhe në sallën “Blax Box” të Universitetit të Arteve nga data 08 deri në 12 Tetor.

‘Kosova diti me ba shtet, na s’po mujm prej hajnave, derdimenave’, vijnë reagimet e artistëve

Rreth zgjedhjeve në Kosovë kanë reaguar edhe plot figura nga arti e kultura shqiptare.

Shkrimtari Agron Tufa, shembull, në rrjetet sociale ka shkruar një mesazh të qartë.

“Kosova mund të jetë, së shpejti, i vetmi vend europian ideal, për të kërkuar azil politik prej enveristëve dhe sigurimsave në pushtet… Sapo të numërohen dhe votat e emigrantëve…” ka shkruar shkrimtari i njohur i cili jo shumë kohë më parë edhe u kërcënua për bindjet e tij.

Shkrimtarja Flutura Açka poashtu ka shkruar diçka që lidhet me zgjedhjet e djeshme, shkruan KultPlus.

‘Një kafe n’bojë t’bukur n’Kosovë. Diti me ba shtet, na s’po mujm prej hajnave, derdimenave dhe vedit. Ndoshta do na ndihte po të hiqnim doganën dhe Taksën e Turpit!’ ka shkruar Açka në Facebook.

Shumë personalitete kanë uruar për një ditë pa incidente e me plot kulturë në votim, në zgjedhjet e radhës në Kosovë për të cilat pati një dalje masive prej qytetarëve. / KultPlus.com

Urime Albin, mos të harrojmë se nga kultura duhet të fillojmë

(Nga Ilir Muharremi, kritik i artit)

I dashuri Albin,

Të përgëzoj për fitoren e merituar. Kjo është një fitore e madhe, fitore e popullit të revoltuar, të vuajtur, popullit i cili i tha vetes “mjaftë më, shumë kemi duruar, erdhi momenti i ndryshimit”. I popullit të zemëruar. I popullit që vuajti historikisht para luftës dhe pas luftës. (nga barbaria serbe, pas luftës nga kapja e shtetit.) Albin ti fitove dhe kjo është një përgjegjësi historike sepse dihen sfidat dhe meritat tuaja historike. Tash je triumfalist dhe konlukdimi juaj për qeverinë e shpresave tashmë u bë realitet.

A duhet të jetë kultura e rëndësishme për qeverinë Kurti?

Politikat kulturore duhet të investojnë në kulturë dhe duhet të hapen perspektiva të reja në sektorin e kulturës.

Kultura duhet të nxjerrët nga gropa e borxheve dhe gjendja e emergjencës. Të kthehet në prioritet dhe motor zhvillimi si në kinematorgrafi ashtu edhe në teatër.

Të rritet numri i vizitorëve për trashëgiminë kulturore ku jo vetëm promovohet kultura jonë kombëtare, por edhe të tërhiqet pjesa e madhe e turistëve duke e bërë Kosovën pjesë të axhendave kulturore ndërkombëtare.

Shumë e thjeshtë. Sa ishte numri i vizitorëve për trashëgimi kulturore në Kosovë nga ndërkombëtaret duke e ditur se kjo sjellë edhe numër të ardhurave. Fare pak mund të flitet për këtë. Sa është numri i vizitorëve në Galerinë Kombëtare të Kosovës pas natës së hapjes së ekspozitave? Sa ka publikë Teatri Kombëtar? Sa shikohen filmat kombëtar? Sa vizitohet Muzeu i Kosovës? Fare pak.

Dashtë Zoti që ju Albin ta udhëheqni Ministrinë e kulturës dhe të ndërtoni një sistem të qëndrueshëm menaxhimi mbi këto pika:

Përzgjedhje me konkurs

Pavarësi në programe artistike

Nxitje të partneriteteve

Krijimi i programeve themelore në fushat e trashëgimisë kulturore të artit, librit, dhe edukimit në përgjithësi

Vendosje e standardeve të cilësisë në organizim, muzealizim, dhe performancë artistike

Investim në ndërtimin ose rindërtimin e institucioneve kulturore ku deri në atë ditë s’ishte ngulur asnjë gozhdë që nga dita që ishin ndërtuar.

Zhvillim i diplomacisë kulturore në nivele të larta ndërkombëtare.

Pastaj e drejta e autorit ende nuk zbatohet, ishte premtim por jo i mbajtur sepse kjo ndihmon në integrimin evropian dhe fitohet një luftë e ashpër kundër piraterisë.

Trashëgimia kulturore ndihmon në zhvillimin dhe burimin e një ekonomie të qendrueshme. Shtrohet pyetja: cilat qendra kulturore u restaruan përveç në Prizren? Nuk janë vetëm fasada të tjeshta ato siç u trajtuan deri më tani.

Duhet të krijohet një model i mirëmenaxhimit dhe i politikave nxitëse në lëmin e Kulturës.

Kultura ishte vetëm luks e tash nuk duhet të jetë më

Deri më tani kultura ishte vetëm një luks, por nuk duhet të jetë më. Qasja në kulturë duhet të jetë shans për të gjithë e jo vetëm për disa siç ishte më herët. Duhet të kemi një edukim përmes kulturës, ta rehabilitojmë mirë Galerinë e Arteve të Kosovës, Teatrin, Muzeun, Kinematografinë, sallën e Operës etj. Nëse i bëjmë këto do rritet edukimi i publikut të gjerë. Emmanuel Macron tha : “Ajo që na bën europianë dhe që na bashkon para së gjithash është Kultura! Dhe me qëllim që të ringjallim sërish besimin mes nesh, nga Kultura duhet ta fillojmë!” E thjeshtë është kjo nuk lindim të kulturuar, bëhemi, pra edukohemi. Kulturën duhet ta shohim si element të domosdoshëm për shoqërinë tonë, Albin.

Me art ne edukohemi dhe kjo duhet të futet përmes kurrikulave të shkollës nga njëra anë dhe krijim pedagogjik dhe edukativ në çdo institucion sidiomos arti. Kultura te ne ende është e pashfrytëzuar sa duhet, është si një fëmijë i pa përpunuar mirë. Sa më shumë reforma në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe komplet në skenën e kulturës.

Të pëkrahen skenarët e filmave të mirëfilltë, hapësira të jetë për të gjithë të talentuarit pa dallim moshe siç ishte deri më herët sepse në fund arti nuk njeh moshë e as gjini. Të shkëmbehemi edhe me serbët, boshnjakët, kroatët dhe në tërësi rajonin. Të krijomë ura të paqes përmes artit.

Andaj i nderuari Albin kërkojë nga qeveria juaj që nga kultura të fillojë reforma e parë.

Erdhi dita

 

Vlashent Sata – Erdhi Dita – HANA Album
(‘Erdhi Dita’, këngë e Vlashent Satës dhe rastësisht edhe slogani i Vetëvendosjes)

Kisha kohë që e kisha mendue, sot,
due m’u kthy n’shpi me shkue

Veten time,
At’ që lashë gjithmonë atje nuk kam harrue,
due m’e e gjet prap’, m’iu bashkue
Renda renda renda…tuj g’zue,

Nuk e di ku m’rrita
E pashë di’llin
ishte i vetmi që s’kishte ndryshue

M’u mbushën syt’ n’drita…
Fjalt’ harruar kam si kangën e parë, atë që kndojsha fmi
Fjalt’ harru kam si rrugën e parë, atë që m’çonte n’shpi

« Erdhi dita, erdhi dita »
Qè, ashtu siç pata andrru
ma s’fundmi m’rrijta po’ t’tana kishin ndryshue
A jam unë a asht vendi

T’tanve i pveta me m’kallxu, asnjeni s’diti me m’tregu.
Renda renda renda një natë t’tanë, der sa m’u shfaq vedi,
At’ që n’shpi kisha lanë

Ai u drue,
me i fol unë deshta,
ai nuk m’njofti
e unë u heshta…

Marrì marrì
Due me gjet edhe unë nji shpi
Veç rrugën kam hup
Kam hup krejt tani

Fjalt harruar kam si valixhe t’randa po peshojnë k’to rrajë
Fjalt harruar kam unë me kryet prej dillit ecin kam’t nuk b’zajnë
Erdhi dita, ecin kam’t nuk b’zajnë
Erdhi dita, e me gjet një shpi

Erdhi dita, e me l’shu kto rrajë
Erdhi dita, e me l’shu kto rrajë …

‘Na e ngritëm flamurin’, organizatat dhe institucionet e përkrahin Javën e Krenarisë

Plot institucione sot në Kosovë e kanë vendosur flamurin shumëngjyrës të komunitetit LGBT nëpër selitë e tyre.

Sot ka nisur edhe Java e Krenarisë në Kosovë, dhe kësisoj institucionet e ndryshme po solidarizohen me flamurin e bukur plot ngjyra.

Nisma për të Drejtat e Njeriut, Qeveria e Kosovës, sBunker janë disa prej organizatave dhe institucioneve që e kanë vënë flamurin jashtë objektit, duke kërkuar dhe sfiduar edhe të tjera organizata që të bëjnë të njëjtin veprim.

Prej sot e deri me 10 tetor në Kosovë ka aktivitete të ndryshme, që kulmojnë me Paradën me datë 10 tetor. / KultPlus.com

Albin Kurti, nga protestat e studentëve deri te pozita e Kryeministrit të Kosovës

Sipas rezultateve deri tash nga qendrat e votimit, në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë fitoi Lëvizja Vetëvendosje.

Në krye të saj është Albin Kurti, i cili siç e do rendi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

E kur e kujtojmë Kurtin, kujtojmë sakrificat e tij ndër vite para se t’i duheshin 20 vite ta bindte popullin e Kosovës që ta zgjedhte në këtë pozitë.

Veprimtar aktiv politik për çështjen kombëtare dhe demokratizimin e ndërgjegjes shqiptare, Kurti është në krye të Vetëvendosjes që nga viti 2008.

Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

Ai punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. 

Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe.

Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”. Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më ipej rasti do të veproja sërish njësoj.” Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001.

Nga një 22 vjeçar aktivist, Albin Kurti e ka marrë së fundmi aprovimin për të qenë Kryeministër i Kosovës, me fitoren e Vetvëvendosjes në disa komuna në Kosovë. / KultPlus.com

Ferdonija voton e vetme, por mungojnë pesë votat e familjarëve të vrarë

Derisa sot u votua në Kosovë, dikush ka zgjedhur një mënyrë për të kujtuar ata që sot nuk patën mundësi të votonin.

Me gjithë skandalet e emrave të personave të vdekur e të vrarë në listat e votimit, pesë familjarët e Ferdonije Qerkezit sot munguan.

Fotografisë së tavolinës ku mungojnë pesë njerëz, sot në rrjete sociale i janë kthyer plot qytetarë duke kujtuar se sot edhe pesë vota më pak i mungojnë shtetit të Kosovës.

Ferdonija sot ka votuar në Gjakovë, por e vetme meqë familjarët e saj ia vranë në luftën e fundit në Kosovë, serbët.

‘Mos qaj, mos qaj, mos qaj për vdekjen o njeri’

Një prej grupeve më të mira shqiptare ishte ‘Djemtë e Detit’.

I krijuar në Lezhë, muzika e grupit kishte ndikime ndoshta nga hard-rroku dhe metali, që ishte shumë aktual në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën.

Prezent në skenën e muzikës, tani për më shumë prej 20 vjet, hiti i tyre më i madh mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, por pa përjashtuar hite të tjera si LamtumireJo TaniKohë pa tyBaladë Për Jakup Ferrin etj.

‘Djemtë e Detit’ kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale dhe ku janë kurorëzuar dhe me shumë, kanë dalë në krye në festivale rroku, si dhe janë vlerësuar nga vetë publiku, shkruan KultPlus.

Sot pjesëtarët e grupit janë Valentin Markvukaj (kompozitor) që jeton në Australi dhe Gent Demaliaj (këngëtar/tekst shkrues) që jetonte në Tiranë, por që më 27 janar 2015 ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. / KultPlus.com

‘Moj Hatixhe, N’Shami T’Kuqe’ e Hamide Sadikut (VIDEO)

Falenderimin për këngën ‘Moj Hatixhe, n`shami tkuqe’ duhet t’ia atribuojmë Hamide Sadikut.

Hamidja është këngëtare e njohur. Hamide Sadiku ka qenë këngëtare dasmash, defatore aktive në vitet e 70’ta dhe 80’ta të shekullit 20. Ajo ka jetuar me burrin e saj Ismetin në Gurrakoc, komuna e Istogut.

Ata si çift nuk kanë pasur fëmijë, por Ismeti me një grua tjetër ka pasur fëmijë dhe kanë vazhduar të jetojnë në një bashkësi familjare.

Sipas disa burimeve në internet, ajo jeton ende në Hanover, Gjermani.

Hamidja ka interpretuar edhe me Rizah Bllacën, Salih e Feriz Krasniqin, Augustin Ukajn e zëra të tjerë të folklorit shqiptarë.

Ajo i takon komunitetit rom dhe ka qenë defatore me nam dhe shumë e kërkuar ndër shqiptarë për dasmat e tyre në komunën komunën e Istogut dhe me gjerë. Thuhet se ka qenë shumë e vendosur për nga karakteri dhe grua hokatare që ka krijuar atmosferë të këndshme në dasma.

Megjithatë, thuhet se fajin pse historia e ka lënë kaq në harresë Hamiden është fakti se i takon komunitetit rom, dhe kjo ka mund të ndikojë që ajo të mos e marrë famën e dëshirëuar.

Kënga e saj “Hatixhe” u bë e famshme përsëri në vitin 2017 për shkak të përpunimit të kësaj kënge nga Mixey dhe Capital T, gjë që u pëlqye shumë nga fansat dhe u shndërrua në Hit veror për vitin 2017.

Këto janë fjalët e kangës:

Moj Hatixhe moj n’shami t’kuqe,
T’i ngjyn nana moj flokt e kuqe.

Flokt e kuqe t’i shitoftë zana,
A po t’dhimen-o baba e nana?

Baba e nana, moj dy vllaznia,
Shkoj te burri po m’merr pleqnia.

Shkoj te burri po m’merr pleqnia,
Per kanaci po m’rrokin fmija.

Per kanaci po m’rrokin fmija,
Dy herë n’ditë-e o-do fshi shpia.

Dy herë n’ditë-e o-do fshi shpia,
Dy herë n’ditë-e do mushë buria.

Dy herë n’ditë-e do mushë buria,
Máll i kam-moj teshat e mija.

Máll i kamo-o teshat me’i veshë,
Nuk guxoj pej burrit me keshë.

Máll i kam-o teshat e mira,
Lypin bukën-o argatshtia.

Lypin bukën-o argatshtia,
Shumë-e hangrën, iu raftë tërpia!

t’shitoftë zana – mallkim.
kanac – pështjellak, përparëse.
argatshti – argatët bashkërisht.

https://www.youtube.com/watch?v=dw-K29tW1J0

Jo, mos më nis më letra

“Jo, mos më nis më letra” – [Alliette Audra]

Jo, mos më nis më letra, po gjethe ti më nis,
Që dielli than e shkund, që era çjerr e gris,
Ose që ty në dorë vjeshta t’i hedh papritur.
Të nesërmen askurrë tek unë s’kanë mbërritur,
Po ngaqë me të pritur qyshkur qenkammësuar,
Pritja zemrën e dhembshur s’ma paska ashpërsuar.
Vërtet asgjë mbi to s’do të më shkruash ti,
Po unë do t’i lexoj, tamam sikur të di
Fjalët që brenda shpirtit ti formulon për mua,
Se rrezellime flake më janë ëndrrat e tua.
Dhe ngjyrat ti t’i zgjedhësh ashtu si ditët ke
E freskët qoftë gjethja kur qielli është me re.
Ose e blertë e thellë kur është i zbehtë qielli,
E verdhë e mbyllur qoftë, si përthekim prej dielli
Mbi ballë të një fëmije, me verë në të mbaruar,
Po kur të vijë nëntori, si për të më treguar
Gjithë ç’varros ai e gjithë ç’sjell ndër mend,
Një gjethe sikomori më nis me emrin tënd.
(Ajo edhe prej ahu e verri le të jetë,
S’ka rëndësi për mua, veç ti të jesh në jetë!)

Nëse dikur papritmas ti lumturinë ndesh,
Një gjethe trëndafili më nis, që ta marr vesh

Imzot, mos na lerë pa kahve

Muçi Zade është autori i kësaj poezie. Kjo është poezia më e vjetër, për sa dihet, në gjuhën shqipe, shkruar me alfabet arab.

Për sa rrëfejnë myxhizatë,
për shenjtërit që janë vatë,
mos më le bë iftar thatë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!

Për hyrmet të Fatimesë,
për të mirët e Mejremesë,
mos më lerë me lëng t’armesë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!
……………………….
Imzot, mos më le dë kujdes,
bë iftar me mjaltë pa pekmes,
O imzot, pej teje shpresë … !
Imzot, mos më lerë pa kave!

Dë këtë muaj mubareq,
falna gjynahet se jemi pleq,
për gjithë sa janë meleq,
Imzot, mos më lerë pa kave!

Për ismitë që je Gafur,
për Muhamednë q’është meshhur,
mos më lerë po me bullgur … !
Imzot, mos më lerë pa kave.

Lutiu Zotit Muçi Zade,
se heq bari shumë derde,
se s’ka as pilaf as zerde,
Imzot, mos më lerë pa kave!

shënime:

mubareq: i uruar; meleq: engjëll; ism: emër; Gafur: përdëllyes; meshhur: i famshëm.

Fjalorth:

Myxhizatë: Mrekullitë.
Mubareq: I uruar; i bekuar.
Meleq: Engjëll.
Ism: Emër.
Gafur: Përdëllyes.
Gjynahe: Mëkate
Meshhur: I famshëm.  
Kjo poezi u zbulue në Korçë, nga një dorëshkrim, ku shënohet viti 1724.