Kishte një periudhë të jetës sime kur thoja që nuk do martohesha kurrë sepse ato para do t’i harxhoja në një udhëtim. Ishte e njëjta periudhë kur thoja se nuk doja të kisha shumë fëmijë. Një do ishte mjaft. Gjërat ndryshuan. Unë u rrita.
Nisa të punoja në një produksion fantastik, ku dasmat konkurronin me njëra – tjetrën. Unë isha skenari, historia e bukur e dashurisë së dy personave. Sido të ishin ata, të shëmtuar, të shkurtër, me tule, me zë aspak televiziv, kishte edhe nga ata që u ngecte fjala sa kamera regjistronte fill pas fjalës aksion. Por, atë kohë jam mbushur me emocione, më shumë se kurrë më parë. Dëgjoja rëfim pas rrëfimi, të njëjtën dashuri të treguar në dy versione. Unë duhet të ndërtoja një. Isha vetëm ajo që shkruante, por u futa brenda çdo rrëfimi. Me ”Luftën e nuseve”, unë ”luftova” Unin brenda meje, atë egoisten që kishte menduar vetëm për vete, vetëm të udhëtonte, që nuk donte fustan të bardhë dhe as nusërim, asnjë vallëzim adhe as shumë fëmijë pas kësaj.
Unë që dikur nuk i urreja dasmat, por e thoja këtë në pamundësi për të pasur para edhe për udhëtime, edhe për dasmën, sot kujtoj sa pa fjalë mbeta kur shkruaja këto histori. Kam parë babain që kish humbur një djalë, që në një dasmë të fitonte një motiv më shumë për ta vazhduar jetën më i qetë sepse biri tjetër kish hapur dyert e një gëzimi. Kam ndier gëzimin e fëmijëve teksa shihnin prindërit të rimartoheshin pas 20 viteve. Më së fundi një dasmë më ka ngrirë fjalën, kur një vajzë pa prindër, që do të donte të kishte babain ta shoqëronte drejt altarit, mendonte se s’kish askënd në krah, por me një dasmë kuptonte se i përkiste një familjeje dhe se kishte më shumë njerëz se sa mendonte.
Dasma shqiptare mund të ketë ‘’trupin në Janinë e kokën në Stamboll’’, ka pafund para të shpenzuara edhe më kot, por ka emocionet që nuk blihen dot. unë nuk e humba egoizmin, apo dashurinë për veten, duke ndryshuar mendje, thjesht kuptova se dashuria është gjë e madhe. Egozëm është të mendosh të bësh pushime me ato para, por e do më shumë veten kur mendon se fustani i bardhë në lëkurën tëndë sado e shëmtuar të jesh është velloja që i fal lumturi babit teksa të sheh, nënës që e mbush zemrën vetëm me urata, vëllezërve që janë gati të gjejnë edhe qindrakat që do të hedhin mbi kokë kur të të marrin. Dasma është celebrimi i një dashurie përtej dy njerëzve, është ndarja e lumturisë me ato që do më shumë.
Tani unë jam dhelpra që nuk kap dot rrushtë, por që them atë që besoj, rrushi ka qenë, është dhe do të mbetet I mirë. Jam prapë unë, ajo që mendoja se të bësh fëmijë është egoizëm sepse ne njerëzit bëjmë fëmijë se duam të përmbushemi. Por ky është rrugëtimi ynë. Të gjithë duam më shumë, të gjithë duam edhe diçka më shumë. Dhe unë i dua dasmat sepse ato janë dashuri. Le të bërtasin, le të zgjasë një javë, le të jehojë lodra e malësorit, le të tundet gjoksi, le të sillet vallja nga saranda në delvinë, le të vishen teminat, ato janë jehona e një gëzimi. Mjaft të kemi ca më shumë, se vdekjet i kemi të prenotuara. Kuja është më e keqe, por respekti më i madh. Ndërsa lëçitemi të respektojmë kujën në vaje, le ta durojmë edhe gëzimin e të tjerëve. Dasmat le të jehojnë, ato janë dashuri.
“Në emër të qytetarëve të Komunës se Pejës dhe në emrin tim ju përgëzoj për suksesin e arritur dhe ju inkurajojmë për një të ardhme më të ndritur për juve, sepse forca, guximi dhe kurajo e keni dëshmuar se nuk ju mungojnë, prandaj jam i bindur qe as sukseset në karrierën tuaj nuk do të ju mungojnë. Ju fillimisht e keni bërë krenare veten tuaj, familjen tuaj por i keni bërë krenar te gjithë qytetaret e Pejës dhe të Kosovës, prandaj edhe njëherë ju përgëzojmë” tha mes tjerash Muhaxheri.
“Duam të shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë të gjithë ata që na përkrahën në çfarëdo forme në realizimin e këtij misioni” u shprehën Mrika e Arianit Nikçi. / KultPlus.com
Janë të rrallë artistët shqiptarë të cilët sjellin emocion të mishëruar në çdo notë që del prej zërit të tyre.
Një prej tyre është Vlashent Sata. Djali simpatik ka plot këngë
në repertorin e tij, dhe prej fytyrës e performancave të tij mund ta vëresh se
ai përçon maksimalisht çdo notë të këngëve të tij.
Vlashenti aktivisht ka krijuar muzikë, por sot po e sjellim
një prej këngëve të tij më të vjetra, këngë që hyn në baladat më të mira
shqipe.
“Ëmbël” nuk do shumë fjalë, më shumë është këngë e cila duhet dëgjuar e përjetuar. Vlashenti me këtë këngë para disa vitesh ka marrë pjesë në një prej festivaleve muzikore në Shqipëri. / KultPlus.com
Veshi teshat ma t’bukra që i ki n’dollap zemër, Qite parfumin ma t’shtrejt’ që e ru’n për rastet e veçanta, Por n’fund të ditës faqen kur e takon me jastëk e qerpik’t t’palohen, ki me fjet’ qashtu si çdo lypsar. Qite gishtin n’hartë e thuj ku po don me shku, Shëtite krejt botën zemër. Por n’fund të ditës sytë e tu kanë me dasht me i pa veç pamjet që ta majn’ ngrohtë shpirtin. Ha ushqimet ma t’shëndetshmet, ma interesantet , ma t’shtrejtat, ma t’shijshmet e ato që nuk e din as qysh shqiptohen e çka janë, zemër. E , n’fund t’ditës e kupton që e ke m’ush barkun, por dhimbjen e shpirtit bosh ki me e n’i nisoj si ata që barkun that’ e kanë. Flej n’hotelet me numrin ma t’madh t’yjeve ku kanë fjet’ “t’pavdekshmit” e k’saj bote, zemër. Por rahatinë e andrrave nuk e gjen n’krejt puplat e patave ma t’bukra t’botës… Prandaj t’du njeri, sepse n’fund të ditës krejt jemi njisoj n’mrendi.
Platoni është njëri nga filozofët më të njohur botërorë që ka dhënë një kontribut të madh në fushën e mendimit filozofik dhe shkencave humane. Ai ishte themelues i Akademisë në Athinë ku studioi edhe Aristoteli. Kjo Akademi qëndroi nëntë shekuj me radhë.
Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte 2 vëllezër, Glafkonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte gjoks dhe ball të gjerë.
KultPlus sonte i sjellë disa nga thëniet e tij më të njohura që gjatë kohës kanë mbetur në përdorim në fushat e ndryshme të jetës shoqërore.
“Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët”.
“Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash”.
“Tregohu i mirë, sepse këdo që e takon, po përballet me një betejë të vështirë”.
“Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave”.
“I mençuri flet se ka diçka për të thënë,
budallai sa për të thënë diçka çfarëdo”.
“Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur
me pak”.
“Filozofia nis me kureshtje”.
“Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinjë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet”.
“Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet”.
“Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e
madhe e pa përkryer”.
( Miku i shqiptarëve dhe mbrojtësi i flaktë i çështjes së Kosovës, zbraz shpirtin në një rrëfim të sinqertë për shkrimet, idealet komuniste dhe gjeneratën e shkrimtarëve të tretur latino-amerikanë )
Mario Vargas Llosa jeton pas mureve të larta në një lagje pasanikësh në veri të Madridit. Fqinj të tij janë ambasadorët e Kuvajtit, Algjerisë dhe Venezuelës. Hapet një portë e rëndë, një roje hap derën e vilës së madhe dhe na prin drejt bibliotekës. Në dysheme një qilim persian, në dritare perde të gjelbra kadifeje, në tavolinën e divanit një arkë druri me puro. Mbi oxhak qëndron e varur një pikturë në vaj, e cila paraqet partneren e Vargas Llosas, Isabel Preysler, e cila rrjedh nga Filipinet dhe quhet “la perla de Manila”. Ajo është ish-gruaja e Julio Iglesias, Enrique Iglesias është djali i saj. Peruani Mario Vargas Llosa (83) është njëri nga shkrimtarët më rëndësishëm të gjallë, ndër veprat më të njohura të tij janë “Shtëpia e gjelbër”, “Tezja Julia dhe shkrimtari” dhe “Festa e cjapit”; më 2010 mori çmimin Nobel për Letërsi. Libri i tij më i ri “Thirrja e hordhive” është një autobiografi intelektuale e tij.
Das Magazin: Zoti Vargas Llosa, njëherë keni thënë se nëse nuk do të mund të shkruani, do t’ia shkrepnit vetes një plumb në kokë.
Llosa: Kjo është e vërteta e plotë. Nëse nuk do të mund të shkruaja, moti do e kisha vrarë veten.
Das Magazin: Shkruani ende me të njëjtin pasion?
losa: Gjithmonë. Të shkruash është mënyrë e jetës. Jeta ime sillet rreth punës sime si shkrimtar. Hulumtoj shumë, përherë – jo patjetër për të pasqyruar të vërtetën historike, këtu i lejoj vetes shumë liri, por që të kem mundësi të identifikohem me epokën dhe me karakteret.
Das Magazin: Philipp Roth ka thënë se në moshë të shtyrë s’kishte për çfarë të shkruante më…
Losa:Unë jam ndryshe. Do të vdisja nëse nuk do të mund të jetësoja së paku një të dhjetën e projekteve letrare që i kam në kokë. Këto janë edhe së paku dhjetë libra.
Das Magazin: Ju jeni i mbijetuari i fundit i gjeneratës së shkrimtarëve të mëdhenj latinoamerikanë.
Losa: Po, gjenerata “Boom”?
Das Magazin: Gabriel García Márquez nga Kolumbia, José Donoso nga Kili, Julio Cortázar nga Argjentina, Carlos Fuentes nga Meksika.
Losa: Është një privilegj të jesh i mbijetuari i fundit, por ashtu është. Shumë miq kanë vdekur.
Das Magazin: Ju mungojnë?
Losa: Le të themi kështu: ishte një kohë e bukur, një epokë, kur Europa, SHBA-të, madje mbarë bota zbuloi letërsinë e Amerikës Latine. Në të vërtetë ajo ka ekzistuar qëmoti, por ka qenë e mbyllur. Nuk e braktiste Amerikën Latine. Befas, nga fundi i viteve ’50, fillimi i viteve ’60, ndodhi zbulimi i letërsisë latinoamerikane. Edhe Amerika Latine filloi t’i rizbulojë dhe lexojë autorët e vet si për shembull Jorge Borges.
Das Magazun: Çfarë mendoni kur thoni: Amerika Latine filloi t’i lexojë autorët e vet?
Losa; Zbuluam se kemi një identitet të përbashkët latinoamerikan. Kur jetoja në Peru, nuk njihja asnjë autor në Kolumbi, Ekuador, Kili, përveç ndoshta Pablo Nerudës. Nuk kishim haber se çka domethënë të jesh latinoamerikan. Për herë të parë jam ndier i tillë kur jetoja në Paris. Atje fillova të lexojë letërsi latinoamerikane. Ishte inspiruese të shohësh: ne që rrjedhim nga Meksika, Argjentina, Peruja kemi rrënjët e ngjashme.
Das Magazin: Por juve nuk ju mungon Gabriel García Márquez?
Losa: Miqësia jonë mori fund për shkak të mospajtimeve politike. Aty filluan ndarjet, grindjet. Por e vërteta është kjo: ka ekzistuar përherë një miqësi që i mbijetonte këto mospajtime politike.
Das Magazin: Cilët janë zërat e rinj të letërsisë së Amerikës Latine?
Losa: Për shembull peruani Alonso Cueto. Ai është autori shumë interesant, por edhe reprezentativ, sepse ai, si shumë shkrimtarë latinoamerikanë, nuk është më provincial. Të rinjtë nuk kufizohen më në vendin e tyre. Kjo i ka sjellë letërsisë latinoamerikane një horizont shumë më ndërkombëtar. Kjo është e kundërta me jetën politike, e cila ka mbetur e kufizuar siç ka qenë gjithmonë.
Das Magazin: Çfarë po lexoni momentalisht?
Losa: I lexoj klasikët, vazhdimisht. Në moshën time të shtyrë i lexoj ata që më kanë iluminuar: Flaubert, Faulkner, madje edhe Sartre, prej të cilit jam distancuar, por ka ekzistuar një kohë kur Sartre kishte shumë ndikim ndaj meje. Sot kemi qasje ndaj shumë shkrimtarëve interesantë, në të gjitha vendet, atëherë nuk e kemi pasur këtë mundësi. Numri i shkrimtarëve të rinj është shumëfishuar, andaj është e vështirë t’i përcjellim të gjithë.
Das Magazin: Sartre ka thënë se shkrimtari mund të ndikojë ndaj historisë. A ia keni arritur ju?
Losa: Kjo është vështirë të matet. Por besoj se letërsia ndikon ndaj njerëzve dhe ka impakt politik. Pa dyshim.
Das Magazin: Edhe sot?
Losa: Për këtë jam i bindur. Por në jetën moderne kjo është më e vështirë. Letërsia është bërë dytësore – muzika, filmi, interneti kanë ndikim më të madh. Letërsia është shtyrë në qoshe. Për fat të keq sot idetë janë më pak të rëndësishme se pamjet. Ne kemi një kulturë të ekranit.
Das Magazin: A është kjo mirë apo keq?
Losa: Një shoqëri e lexuesve është më e lirë dhe më kritike. Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike. Një popull që nuk lexon manipulohet shumë më lehtë. Lexuesit e mirë janë rebelë, në kuptimin politik, fetar, seksual. Letërsia nuk është vetëm argëtim. E qartë, të lexosh Shakespeare është zbavitëse, Cervantes, Goethe, Thomas Mann, të mrekullueshëm. Por përtej kënaqësisë ne përfitojmë më shumë: idenë se krahas jetës sonë ka edhe jetë të tjera, të cilat janë më intensive, më të begatshme. Kjo krijon brenda nesh një lloj rebelizmi ndaj realitetit.
Das Magazin: Paskeni një dhomë madhështore të punës. A keni rregulluar vetë?
Losa: Jo. Kjo është vështirë të shpjegohet… Është dhoma ime e punës, por i takonte ish-burrit të gruas sime. Ai ka qenë ministër i ekonomisë nën kryeministrin Felipe González. Krejt këto libra janë të tij. Ai ka qenë intelektual. Këtu keni një mur të tërë me libra për astronominë, atje për matematikën, atje përpara ciceronë turistikë – dhe një mur i tërë mbi Egjiptin e lashtë.
Das Magazin: Jeni 83-vjeçar. E kujtoni shpesh të shkuarën?
Losa: Disa epoka të caktuara dhe ngjarje i kujtoj me nostalgji, por nuk jetoj në të kaluarën, fare dhe aspak. E dua shumë të tashmen, shpesh me mendime futem në të ardhmen. Hombre, mosha i bën njerëzit më të mençur, mëson të dallosh çka është e rëndësishme dhe çka jo, çka është e thellë dhe çka është sipërfaqësore. Ky është thesari i neve pleqve.
Das Magazin: Cili është suksesi juaj më i madh si shkrimtar?
Losa: Që unë shkruaj. E kam zgjedhur këtë profesion kur ka qenë shumë vështirë. Atëbotë kush kishte vokacion letrar, dëbohej diku në periferi të shoqërisë. Ishte e pashpresë të jetoje nga të shkruarit. As që mund të merrej me mend. Babai im u alarmua tej mase kur zbuloi se po shkruaja poezi.
Das Magazin: Babai juaj ju ka rrahur. Dhe ju ka dërguar në Akademinë Ushtarake për t’ua flakur tej dëshirën për të shkruar. Ky është materiali i romanit tuaj të parë.
Losa: Atij ia merrte mendja se shkrimi është bileta e sigurt drejt dështimit. Të mos fitosh kurrë para, të bësh jetë bohemi – kështu e shihte babai im jetën e shkrimtarit. Sot të rinjtë që duan të shkruajnë e kanë shumë më lehtë. Në kohën time të shkruarit ka qenë diçka për avokatë, arsimtarë apo profesorë gjatë ditës së diele. Askush nuk ia kushtonte jetën e tij shkrimit.
Das Magazin: Ç’rëndësi ka për ju çmimi Nobel?
Losa: Hombre, çmimi Nobel është lotari. Disa që e kanë fituar, e kanë merituar. Të tjerët që e kanë merituar, nuk e kanë marrë.
Das Magazin: A keni pësuar humbje gjatë jetës suaj?
Losa: Gjithsesi, shumë dështime, shumë gabime, shumë humbje. Njeriu nuk i kujton me qejf dështimet, është më e shëndetshme të mos i hapësh plagët e vjetra. Por unë kam bërë shumë gabime. Disa jam përpjekur t’i korrigjojë, të tjerat jam përpjekur t’i harrojë.
Das Magazin: Nuk dëshironi të përmendni asnjë?
Losa: Hombre, kam qenë komunist. Një gabim trashanik, një rrugë e gabuar! Në të vërtetë kam qenë anëtar i partisë vetëm një vit, sepse stalinizmi ka qenë aq sektar, aq fanatik, saqë e kam duruar vetëm një vit. Por shumë gjatë kam menduar se për njerëzimin marksizmi, komunizmi radikal, do të ishte rrugëdalje nga të gjitha padrejtësitë.
Das Magazin: Cili ka qenë më konkretisht gabimi juaj?
Losa: Që kam besuar në komunizëm. Që ky ka qenë gabim i madh, kjo shihet në dështimin total të shoqërive komuniste. Libri im më i ri – “Thirrja e hordhive” – është gjithsesi autobiografik. Bën fjalë për atë se si e kam zbuluar demokracinë, liberalizmin në bazë të përvojave shumë konkrete dhe autorëve të rëndësishëm, nga Adam Smith, Karl Popper e deri te Friedrich August von Hayek. Ka qenë një proces personal: dalje nga kolektivizmi në një shoqëri të lirë, demokratike, në shtetin ku sundon ligji. Koha na dha të drejtë: shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, zhvillimi i Kinës në shtet kapitalist, ndonëse ka mbetur diktaturë. Shiko çfarë po ndodhë në Venezuelë. Sa tragjike, sa e dhimbshme. Një vend aq i pasur – dhe gjithçka e rrënuar.
Das Magazin: Çfarë u kujtohet nga takimi me Fidel Castron?
Losa: Kam zhvilluar vetëm një bisedë të gjatë me Castron. Si gjithë gjenerata ime edhe unë kam pasur entuziazëm të madh për komunizmin kuban, ai më dukej si përjetim transcendal. Deri kur pësoi kolaps.
Das Magazin: Si erdhi deri aty?
Losa: Shkaktar ishte rasti Padilla. Heberto Padilla ishte poet, i cili la poezinë për t’iu bashkuar revolucionit. U bë ministër, ishte krejtësisht i ndershëm. Pastaj u bë i padëshirueshëm, vetëm për shkak se e kritikoi pak politikën ndaj kulturës, nuk e kritikoi revolucionin. Por Castro e futi në hapsanë dhe e akuzoi se punonte për CIA. Çfarë marrëzie. Ne protestuam. Protestuan shumë intelektualë të majtë. Susan Sontag, Julio Cortázar, Carlos Fuentes, Hans Magnus Enzensberger. Llosa: Ishte një thyerje e madhe. Deri atëherë intelektualët e botës kishin përkrahur Kubën. Ata në Kubë shihnin një komunizëm demokratik. Shumë prej nesh u desh ta pranonim se kjo nuk ishte e vërtetë.
Das Magazin: A ishte kjo kthesa intelektuale në jetën tuaj?
Losa: Po, ishte kthesë. Por edhe më herët kishte indikacione. Kur në Kubë krijuan UMAP-in, Unidades Militares de Ayuda a la Producción. Në të vërtetë bëhej fjalë për kampe përqendrimi, ku mbaheshin kundërrevolucionarë, kriminelë dhe homoseksualë. Kam njohur shumë homoseksualë, revolucionarë, poetë, piktorë, valltarë, grupin El Puente. Vuanin shumë, futeshin në kampe, disa vranë veten.
Das Magazin: Si është gjendja e botës në vitin 2019?
Dua ta citoj Popperin. Më 1994, pak muaj para vdekjes, ai erdhi në Spanjë. Në një konferencë për shtyp gazetarët thanë: bota i ka punët keq. Ai tha: po, bota i ka punët keq, ka dhunë, shumë varfëri, mijëra probleme. Por përherë kur besoni se bota i ka punët keq, mendoni se kurrë gjatë historisë së njerëzimit nuk kemi qenë më mirë. Kurrë. Kjo duhet të na inkurajojë. Përgjigjja e tij është absolutisht e saktë.
Të mërkurën, me 21 gusht, në KultPlus Caffe Gallery po vjen poetja Kaltrina Pacolli.
Kaltrina do ta promovojë, me fillim prej orës 19:30, librin e saj të parë ‘Nëse një ditë unë të mungoj’.
Kaltrina ka kohë që shkruan dhe ka vendosur që poezitë e saj t’i shkrijë në këtë libër, libër për dashurinë dhe miqësinë, mungesën dhe nostalgjinë, mallin, ankthin, të bukurën, fjalën e pathënë.
Kaltrina vjen nga Prishtina. Në këtë promovim të librit do të lexohen disa poezi prej librit dhe do të shpërndahen disa kopje të librit.
Mbrëmjen do ta moderojë Arbër Selmani.
Lokacioni i KultPlus Caffe Gallery: Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, Te Fontana në Ulpianë, Prishtinë Nëse nuk e gjeni lokacionin, kontaktoni në 049 119600 dhe 049 137250
Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.
Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi
TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin
1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si
Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni,
shkruan KultPlus.
Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).
Sonte po ju sjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor.
Moj zeshkanja ime shikimi yt më djeg si zjarr pranë lumit qendrojmë të dy në zemër kemi një mall
kuptoje një zemër djali që dashuron dashuron kuptoje një dashuri t’sinqertë që t’adhuron, t’adhuron
se q’më dogji malli për ata sytë e tu të zi gjevahir gur e pashtjerrur ti më fale gjallëri
kuptoje një zemër djali që dashuron dashuron kuptoje një dashuri t’sinqertë që t’adhuron, t’adhuron
Në vazhdën e organizimeve “T’i këndojmë lumit”, në kuadër të Autostrada Biennale, shtrati i lumit të shtunën u kthye në një skenë alternative për koncert të muzikës klasike. Koncerti nën qiellin e hapur u mbajt në Autostrada Biennale Meeting Point, pikë takimi për vizitorët në edicionin e dytë të bienales, një hapësirë kreative në ishujt e gjelbër të lumit.
Në një lundrim unik artistik, në performim të pianistit prizrenas Malik Halç, tingujt e pianos u gërshëtuan me gurgullimën e Lumbardhit. Nën dritën e hënës së plotë, përqafuar nga flladi i Marashit, publiku dëgjoi dhe ndjeu se si muzika prekë lumin, në serinë e aktiviteteve “T’i këndojmë lumit”.
“Është një natë magjike” tha shkurtazi në përmbyllje të koncertit Malik Halçe, i diplomuar në konservatorin shtetëror pranë arteve të bukura “Mimar Sinan” në Stamboll.
“T’i këndojmë lumit” (Singing to the river) është menduar si metaforë dhe fillim i një koncepti që shkruan historinë e bashkimit të njerëzve nga profile, melodi dhe tinguj të ndryshëm të instrumenteve muzikore, mbi ura dhe pranë rrjedhës së lumit.
Vatra Abrashi, nga Autostrada Biennale, u shpreh e lumtur që ky koncert dëshmoi sërish që Autostrada Biennale vazhdon të jetë një udhëtim që i bashkon njerëzit, e që me ndjeshmëri të theksuar për trashëgiminë e përkryer kulturore të Prizrenit, i bën qytetarët edhe më të hapur ndaj artit nëpërmjet veprave unike artistike.
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, vazhdon rrugëtimin artistik me edicionin e dytë me temën “Revolucioni Jemi Ne” (La Rivoluzione Siamo Noi), me organizim të ngjarjeve të ndryshme në kuadër të artit bashkëkohor duke promovuar hapësira dhe ndërtesa që kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive.
Ekspozita e sivjetme e kuruar nga kuratori i njohur italian Giacinto Di Pietrantonio është hapur me 21 korrik dhe do të vazhdojë deri më 21 shtator. / KultPlus.com
Sabri Fejzullahu është njëri ndër emrat më të njohur të muzikës në Kosovë. Ai njihet për kultivimin e muzikës argëtuese.
Nëpër kohë ai ka ditur të realizojë hite të pavdekshme. Disa nga to janë marrë për interpretim apo janë ripërpunuar nga këngëtarë të tjerë.
“Merrma shiun e Prishtinës” është njëra nga hitet më të dëgjuara të Sabri Fejzullahut, këngë kushtuar dashurisë dhe e incizuar para shumë vitesh nëpër lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Një këngë tjetër e njohur është edhe “Fshatarja ime”. Edhe këtu ashtu si edhe tek këngët tjera mbizotëron tema e dashurisë, e kënduar nga zëri i fuqishëm dhe unik i Sabri Fejzullahut.
“Konvikti nr 5” është një hit tjetër më i vonshëm i Fejzullahut që ka marrë dhe vazhdon të merr zemrat e shumë studentëve. Kënga ka të bëjë me aventurat e dashurisë gjatë jetës studentore, shkruan KultPlus.
Sabri Fejzullahu, pavarësisht moshës së tij vazhdon të mbetet shumë i preferuar edhe për grupmoshat e reja teksa gëzon një respekt nga kolegët dhe publiku i gjerë në Kosovë dhe diasporë.
Dikur ai ka qenë edhe pjesë e politikës dhe humorit, të cilat më pas i braktisi. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë aktiv në jetën muzikore në vend, dhe disa herë pjesëmarrës edhe nëpër festivale muzikore. / KultPlus.com
Pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja.
Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Kështu trajtohet skenari në filmin “Shpia e Agës”, i cili sot u dha premierë në kryeqytet. As personazhet dhe as filmi nuk janë të bazuar në ngjarje reale.
Regjisorja e filmit, Lendita Zeqiraj – një regjisore e dëshmuar tanimë, tregoi pas filmit se inspirimi i ka ardhur nga këtu ,nga Kosova.
“Inspirimin për film e kam gjetur në Kosovë, jam lindë e rritë këtu, dhe filmi trajton tema të cilat i hasim çdo ditë e disa prej tyre edhe i përjetojmë” tregoi Zeqiraj.
Aktorja Adriana Matoshi u shpreh se ka qenë shumë e vështirë të realizohet personazhi i saj, mirëpo me punën e pandalur të regjisores dhe bashkëpunimin me aktoret e tjera, finalizimi është një sukses që shihet.
Personazhi kryesor i “Shpia e Agës” është një djalë i vogël, i cili gjatë tërë filmit kërkon ta mësojë gjuhën serbe, për ta kërkuar më pas babin e tij, i cili sipas tij është diku në një burg në Serbi.
Djaloshi i vogël Arti Lokaj, talent i pashoq në moshatarët e tij, e ka shkrirë edhe kësaj radhe rolin e tij, duke mos qenë kjo hera e parë që Arti bashkëpunon me regjisoren Lendita Zeqiraj.
Aktorja Shengyl Ismaili sot tregoi se sa të lidhura janë personazhet me njëra tjetrën edhe pse në thelb tregimet e tyre dallojnë shumë.
“Mesazhi është i qartë, nuk ka rëndësi se sa vuan njeriu, kur prapë se prapë ngushëllimim e gjejmë diku, një dozë lumturie diku gjendet” Bujar Kabashi, producenti i filmit, tregoi se filmi do të jetë i pranishëm në 35 festivale ndërkombëtare, duke filluar me Maqedoninë tash në shtator, më pas në Kazakistan, Kanadë, Slloveni, Spanjë e Gjermani.
Filmi do të shfaqet për dy javë rresht në Cineplexx, duke filluar që sot nga ora 20:00.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës e Malit të Zi do të dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i Tërgajës” në Cem të Malësisë, gjatë të cilit është shfaqur flamuri kombëtar shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi, njoftohet nga ky institucion raporton Zeri i Amerikes.
“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit. Theksojmë se manifestimet e kulturës nuk mund të guxojnë të jenë paravan për çfarëdo lloj nacionalizimi, as për shkeljen e normave të cilat janë të përcaktuara qartë me dispozitat pozitive ligjore të Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze.
Ndaj paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës ka reaguar nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni që mbanë pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar.
“Jam i befasuar në mënyrë të pakëndshme. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”, thuhet në reagimin e Nimanbegut.
Ligji mbi simbolet kombëtare në Mal të Zi parasheh gjobë për përdorimin e çdo flamuri kombëtar pa flamurin e shtetit të Malit të Zi.
Kohëve të fundit është shënuar rasti i një qytetari në Ulqin, i cili u dënua për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël shqiptarë, ndërsa në Malësi një qytetar tjetër kishte vendosur flamurin shqiptar në shtëpinë e tij private. Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë dorëzuar përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin malazez, por në votimin e deputetëve ky propozim nuk mori shumicën e votave në parlament. / VOA
Disa murgesha serbe në Manastirin e Beshkës afër Liqenit të Shkodrës u kanë thënë mediave serbe se janë kërcënuar.
‘Po ju kërkojmë, jemi në mbështetje të Kosovës’,
kësisoj tregojnë murgeshat se u janë adresuar disa shqiptarë në këtë pjesë të
ishullit Beshka në Bar të Malit të Zi.
Siç tregojnë për Tanjug murgeshat, dhjetë shqiptarë – fëmijë, burra e gra kanë hyrë të mërkurën në këtë Manastir dhe kanë kërkuar të fotografojnë brenda. Kësisoj më pas ka plasur sherri dhe shqiptarët kanë folur për Kosovën dhe kanë ngritur zërin. Ata kanë kërkuar ta takojnë murgeshën kryesore e cila është serbe por flet shqip.
Sipas murgeshave, ata kanë përmendur Kosovën dhe kanë nisur përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Rasti është paraqitur në Polici por askush nuk
është arrestuar apo nuk është kërkuar nga Policia.
Murgeshat po frikësohen edhe të dalin prej
Manastirit, shkruan Tanjug. /
KultPlus.com
Nga familja e shkrimtarit të madh ka dalë edhe Norah Borges, emri i vërtetë i së cilës ishte Leonor Fanny Borges Acevedo.
Në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar ajo ishte një ndër gratë e para që u angazhua në artin modern. Ajo ishte piktore ndërsa shpesh bashkëpunoi edhe me Borgesin, kur punoi në ilustrimin e disa revistave të kohës, në Argjentinë dhe jashtë, shkruan KultPlus.
Ajo ishte edhe kritike e artit dhe pjesë e Ultraismo – një lëvizje letrare në Spanjë në vitin 1918, si formë tjetër për të kundërshtuar modernizmin e asaj kohe. Ajo shkruante poashtu, poezi dhe tregime të shkurtra.
Pos librave të saj, në të cilët ajo u angazhua edhe për të realizuar kopertinat dhe pikturat e vizatimet e bukura, ajo punoi edhe në plot ilustrime e libra të tjerë. / KultPlus.com
Ti me pëlqen shumë, Por, nuk kam guxim As ma t’voglën fjalë me ta thanë. Turpnohem dhe skuqem Dhe vdes tue belbëzue, Prandej po e marrë guximin me t’shkrue përmes postës:
Një letër dashnie po ta shkruej sot prej mëngjesit, në orën tetë, Tanë natën Veç për ty kam mendue, asgja tjetër. Kisha dashtë sall dy fjalë më t’i shkrue: <Të due>-shkurt e thjeshtë, Por, për fat të keq, për fat të keq s’po guxoj! Prandej po të shkruej për gjana dhe njerëz Që në thelb s’kanë asnjë randësi për mue. Pa marrë parasysh se çka ka me qenë e shkrueme në këtë lëtër- Veç një domethanie e ka: më ka marrë malli për ty!
E poshtun kam qenë ndaj teje, I neveritshëm ke qenë ndaj meje, Por, këtu s’ban punë tash as vajtimi, as psherëtima, Grindje ka gjithkund, por i mençmi lëshon pe, Sepse ne sërisht duem me u pajtue:
Një letër dashnie po ta shkruej sot prej mëngjesit, në orën tetë, Tanë natën Veç për ty kam mendue, asgja tjetër. Kisha dashtë sall dy fjalë më t’i shkrue: <Të due>-shkurt e thjeshtë, Por, për fat të keq, për fat të keq s’po guxoj! Prandej po të shkruej për gjana dhe njerëz Që në thelb s’kanë asnjë randësi për mue. Pa marrë parasysh se çka ka me qenë e shkrueme në këtë lëtër- Veç një domethanie e ka: më ka marrë malli për ty.
Vera Kokošević-Filipović, një grua e veçantë e karizmatike serbe, dikur këndonte në Radio Begrad këngë shqipe.
Para se të fillonte Lufta e dytë Botërore,
Vera udhëtoi për në Kosovë e për në Shqipëri, vizitoi Shkodrën prej nga edhe
morri meloditë më të bukura dhe i këndoi, e vetme, në radio.
Vera ishte edhe një studiuese e thuktë e muzikës. Për të, kishte një ngjashmëri midis këngëve shqiptare dhe atyre serbe. Ajo ishte e dhënë pas arijeve.
Fatkeqësisht, asnjë prej incizimeve të saj në Radio Beograd nuk janë gjetur asnjëherë. Etnomuzikologu serb Kosta Manojlovic i ka gjetur disa incizime ku ajo këndon në gjuhën shqipe, ndërsa ekzistojnë edhe incizime të Verës në Gjilan, në vitin 1930. Askush nuk dëshiron ta financojë digjitalizimin e këtyre incizimeve ekzistuese.
Madje, ka shumë pak incizime dhe asnjë në Youtube me emrin e Vera Kokosevic.
Në këto incizime që ekzistojnë, të cilat KultPlus i ka marrë nga Nikola Zekic, ajo dëgjohet duke kënduar “Karafilat qi m`ka Shkodra”, “Më ban zemra tik e tak” dhe këngë tjera shqipe.
Vera sot duket se është harruar, si në Kosovë e Shqipëri e poashtu edhe në Serbi, prej nga e ka pasur prejardhjen, ani pse mbetet një prej këngëtareve më të njohura të viteve 30-të në Serbi, bashkë me Jelena Vujanovic, Emilia Putnik, Uros Seferovic, Rasa Radenkovic, Dobric Grozdanovic, Drago Ckonjevic e këngëtarë tjerë, shkruan KultPlus.
Vera ka kënduar bukur edhe në gjuhën spanjolle, sidomos në vitin 1943 kur asaj iu dha hapësirë në Radio Beograd për të interpretuar shpesh në gjuhë të huaja. / KultPlus.com
(SHËNIM: Në foton e ballinës është Svetlana Kondiq dhe Gava Gavriloviq. Nuk ekziston një fotografi që ne mund ta gjenim të Vera Kokoseviq)
Edona Vatoci dhe Tomor Kuçi kanë lansuar projektin e tyre të përbashkët.
Dyshja ka risjellë në versionin e tyre këngët e “Gjurmëve”,
në videoklipin ku janë përfshirë këngët ‘Të kam thënë mos i bje bukës me këmbë’
dhe ‘Këndoj ekzistoj!’.
-Paskemi ba fëmijë për botë, mor bir. Nuk bahet ky vend. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.
Plaku qe me flet pi kafe dhe me shikon drejt ne sy. Ai e plaka rrojne ne një nga shtepite perballe. Mua me kujtohen si cift i bukur ne mesomoshe, qe nisen themelet e shtepise perballe nesh me 1989. Ate vit familja jonë ikem ne Suedi; mbaj mend se si babai im i deprimuar, qe kish kuptuar qellimet e Serbise, perseriste netve: po bajme shpi per shki. Sot serbet kane ikur. Shtepia e komshive ka dy kat, me dy hyrje, per dy djemte. Por dy djemte jane sot ne Amerike. Ne rrugen ku jetojme ne Gjakove ka 22 shtepi. Te gjithe kane djem e vajza ne mergim.
Kjo kuptese me godet kete nadje si plumb ne balle. Gjakovaret jane ndoshta te vetmit qe s’kane patur tradite mergimi. Ne kohen e Shqipnise se vjeter, kur qytetaret turqishtfoles gjetke humbnin ne Turqi, paria shqipfolese e qytetit kufitar iken ne Shqipni. Qytetet tjera u ripopulluan me banore rrethesh dhe u kthyen ne katunde te medha, por gjakovaret nuk shiten pronat. Djemte e tyre ktheheshin nga Shqipnia si nacionaliste te arsimuar. Me vone, ne vaktin e Titos, keta burra te arsimuar i sherbyen atij si administratorë, duke nxjerre favore, shkollim shqip, flamur shqiptar, nje zhvillim industrial. Te kuptohemi, Tito ishte diktator dhe Jugosllavia shtet njepartiak, familja ime eshte nje nga ato qe vuajten burgun e persekutimin. Por edhe ferri ka rrathe te ndryshme, thone. Kur Tito u kujtua te ulte papunesise me mergim te rregullt ne Zvicer e Gjermani gjakovaret nuk iken, pse kishin pune ne shtepi. Gurbeti ne diktature te proletariatit boshatisi me fort fshatrat. Por ai ishte i kontrolluar, diktatura nuk u jipte pasaporta te gjitheve. E kish matur me kandar sa fshatare duhen, per te funksionar bujqesia.
Ky mergimi i pakontrolluar sot eshte tjeter bishe. Sot ka fshatra fantazme ne rrethin e Gjakoves. Shtepi te medha, rruge, kopshtie e ara. Te gjitha bosh, djerre, pa fryme njeriu. Te gjithe jane jashtë, kane marre dhe pleqte. Bagetine e kane therrur, puset mbyllur, dyert e ndryra me celes. Fshatrat tjera po shtirren rrembyeshem. Ne Rahovec kane gjetur nje menyre qe con gjithe rinine per Vlore e Itali. Nja dy ndertimtare kosovare ne Gjermani marrin atje gjithe rinine e fshatrave kufitare me Shqiperine. Ikin edhe qytetaret, per here te pare ne historine e qytetit — dhe ikin per te mos u kthyer me. Nuk bahet ky vend, me thonë te gjithe, njesoj si plaku i komshive. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.
Pasojat jane mishngjethese, kjo bisha e re e mergimit eshe murtaje e bardhe. Fshataret e mbetur nuk gjejne krahe pune. Blegtoret marrin nga 40 cent per liter qumesht, me shume se ne Suedi, por duhet te ulin rendimentet se s’kane punetore. Therrin lopë qumshtore. Bujqit zvogelojne parcelat. Duhet te automatizojne punen, por ato lloj investimesh duan lekë qe s’i kanë. E puna manuale do punetore.
Bisha e mergimit kafshon edhe qytetin. Per keto dite sa jam ketu kam fole me te gjitha shtresat e mundshme sociale. Nepunes, punonjes ne sektorin IT, ne polici, ne gjyqesor, VIP-a te estrades, doktore, doganiere, ndermarres te suksesshem. Te gjithe duan te ikin. Te shesin ndermarrjet, te heqin stetoskopet, te zhveshin uniformat, te dorezojne celesat e zyreve, te ikin, te ikin, te ikin. Kesaj radhe pa hajgare. Te ikin te mos u kthyer me kurre. Per dallim prej herave tjera, tashti me thonë qe duan te ikin edhe pasunaret. Cka me ndihmon parja nese semurem, kur nuk i besoj mjekut. Femijet na dalin te trashe nga shkolla, kemi mesues me diploma fallco. Nuk bahet ky vend, me thonë te gjithe. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.
Spitali i Gjakoves, qe sherben per tere qarkun me pothuaj 100 mije banore, nuk ka me repart te infeksioni, pse mjeku i vjeter ka dale ne pension. Nuk ka me as repart te oftamologjise, per te njejten arsye. Te gjithe presin me tmerr pensionimin e gjinekologut. Doktoret gjakovare jane sot shefa repartesh ne Gjermani, Zvicer. Fola me nje kardiolog qe punon jashtë, pse ike mor burre kur je mire me lekë. Ku ta coj femijen ne shkolle mo vlla, me pergjigjet. Po kur te semurem une. Edhe doktori ka nevoje per doktor, e une nuk u ze dot bese kolegeve te mi. A e di sa jane kapur me skandale, me operime te panevojshme, me turpe. Gjobiten, vazhdojne, si hic asgje. Nuk rrnohet ne nje vend ku ka vdeke morali. Nuk bahet ky vend. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru ky vend. Ka marre fund.
Mendoj krejt keto, tek pi kafe te komshite perballe. E shikoj plakun, te thinjur, me levizje te ngadalta. Plaka mezi leviz. Dikur ishin cift aq i bukur. Ajo qan sa here flet per djemte ne Amerike. E shikoj ate grua, e kujtohem si qante me denese parmbreme Niza, gruaja e ungjit tim, pse i iku vajza Rrezja per Amerike. Me iu dhimbe gurit e drunit. Me kujtohet si qante Rrezja, kur s’ish afer e ema. Si qante pastaj ne makine Orezana, vajza ime. Pse qan ti moj bije. Bab po ikin te gjithe, kur te vdesin pleqte nuk kemi me ku te kthehemi. Ne mbesim pa verat ne Gjakove. Ti mbetesh pa atdhe. Si mos me qa.
Mendoj te gjitha keto dhe me vjen nje deshire e papritur me ndeze nje cigare, une qe ka 7 vjet pa tymose. Po nuk ndreqe gje cigarja, i them vetes. E per ta nderruar muhabetin, e pyes plakun perballe se a ka ndermend ta suvatojë shtepine. I ka mbetur me tulla te kuqe ndersa une e di se ka para, me dy djemte ne Amerike. Mendoj se ndoshta nuk po gjen mjeshtra te mire. Por jo. Ai ndreq syzet mbi sy dhe fshan, me nje ton qe me kujton plakun tim me 1989.
—E pse me ba ate pune mor bir. Pse me ly nji shpi qe mshelet kur te vdesim na pleqte. Djemte nuk kthehen, se nuk bahet ky vend. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru. Ka marre fund.
Në një mbrëmje të qetë në KultPlus Caffe Gallery në kryeqytet, mes lotësh dhe me ndjenja krenarie është nderuar gazetarja dhe poetja Burbuqe Rushiti.
Ajo u “ngjall” në Prishtinë përmes krijmtarisë
së saj poetike vetëm dy javë pasi u largua nga kjo botë.
Të mërkurën e 14 gushtit, KultPlus në bashkëpunim
me katër artiste vendosën ta kujtonin Burbuqen, pena e së cilës prodhoi
gazetari, letërsi dhe tekste këngësh të cilat kanë lënë gjurmët e tyre.
Pjesët nga krijimtaria e saj poetike, nën shumë emocione i kanë lexuar Ilire Zajmi-shkrimtare, Anisa Ismajli-aktore, Shukrije Gashi-shkrimtare dhe Sibel Halimi- sociologe.
Të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan punën e Burbuqe Rushitit e kanë kujtuar këtë grua plot botë si një person njerëzor dhe profesional.
Në këtë mbrëmje post-mortum, Burbuqe Rushitin e nderuan me pjesëmarrje mbi njëqind të pranishëm, personalitete të rëndësishme të kulturës dhe medias në vend që mungesën fizike të poetes e zëvendësuan me prezencën e shpirtit të saj artistik.
Derisa miqtë e kujtuan Burbuqen, Rinori – djali i Burbuqes, përshëndeti të pranishmit duke treguar se ai kishte një nënë të fortë e cila diti që edhe në ditët e rënda të sëmundjes dhe agonisë, të gjente buzëqeshje dhe pozitivitet duke e transmetuar atë edhe tek gjeneratat tjera.
Burbuqja ka punuar disa vjet në ish Radio Televizionin e Prishtinës, në Redaksinë e Kulturës, ndërsa më pas ishte korrespodente e disa mediave në Turqi përfshirë edhe televizionin NTV. Ajo është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare.
Jam grua
Kurrë mos e paç dorën tënde mbi supin tim kur malli të kaplon nëse syrit tim sot në vend të shpresës lotit ja dhuron
Mos lejo, miku im
në muzg të t’mallkoj rinia ime e shkuar
nëpër ditët tua
Merrmë për dore si fëmijën, miku im, jam grua dhe nuk kam fuqi të kaloj nëpër këtë mal. Burbuqe Rushiti
Flaka Haliti, një prej artisteve më të mira nga Kosova, është nominuar në listën e ngushtë për çmimin artistik Preis der Nationalgalerie.
Sonte do të hapet edhe zyrtarisht ekspozita e
katër artistëve të nominuar. Krahas Halitit, të nominuar në çmim janë Pauline
Curnier Jardin, Simon Fujiëara dhe Katja Novitskova.
Haliti, e lindur në vitin 1982 në Prishtinë, e krijon brenda kësaj ekspozite që mund t’i sjellë edhe çmimin e madh, një lokacion unik me instalacionin e saj. Piktura, mure ekspozuese dhe objekte të ndryshme rrëshqasin afër njëra tjetrës, me një robot të kaltër që i jep jetë instalacionit.
Koncepti lidhet edhe me kampin ushtarak dhe me
gjërat e mbetura prej një kampi të tillë, shkruan KultPlus.
Puna e Halitit vjen nën titullin ‘Is it you, Joe?’.
Ekspozita do të hapet në Hamburger Bahnhof
Berlin, dhe do të qëndrojë e hapur deri me 16 shkurt të vitit tjetër. Fituesi
do të zgjedhet në një ceremoni me 12 shtator, nga një juri ndërkombëtare.
Flaka Haliti është një prej artisteve më aktive nga Kosova, e cila jeton në Gjermani por ekspozitat dhe paraqitjet i ka të shpeshta në shumë shtete. Ajo e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2015-të, ndërsa ka fituar edhe çmimin Ars Viva Prize, shkruan KultPlus.
Fituesit e këtij çmimi në të kaluarën janë Agnieszka Polska (2017), Anne Imhof (2015), Mariana Castillo Deball (2013), Cyprien Gaillard (2011), Omer Fast (2009), Ceal Floyer (2007), Monica Bonvicini (2005), Elmgreen & Dragset (2002) dhe Dirk Skreber (2000). / KultPlus.com
Visar Kasa, një djalë i ri kosovar i njohur për zërin e tij të veçantë, ka lansuar dje videoklipin e këngës “Gin Tonic”.
Në një mbrëmje në kryeqytet ai edhe ka
performuar por edhe e ka lansuar videoklipin në fjalë.
Visar Kasa është kompozitor, pianist dhe
vokalist nga Kosova që jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Atje kreu
studimet për kompozim dhe është pjesë e shumë projekteve muzikore: Kasa Trio,
Jam Jazz Ansamble, dhe gjithashtu Bicalko. Ai gjithashtu u rendit i 5ti në The
Voice of Austria dhe gjithashtu komponon edhe për artistë dhe bende të
ndryshme.
Duke eksperimentuar në zhanre të ndryshme muzikore ai tash sjellë në treg projektin e parë solo si single, duke u përgatitur gjithashtu për albumin e parë vitin e ardhshëm ku planifikon të bashkojë zhanre të ndryshme të muzikes, në bashkëpunim me muzikantë nga Austria dhe Kosova. / KultPlus.com