Ekspozita “Nuk kam përgjigjje” është homazh për jetën, për kohën në të cilën jetojmë e cila ka më shumë pytje se përgjigjje. Dëshpërime, gëzime, pyetje esenciale dhe paralizim prej tyre. Nga natyra e deri te intimja.
Arton Sefa është fotograf i lindur në Kosovë, i cili ka bashkëpunuar me Vogue, Louis Vuitton dhe GQ. Ai e ka përfunduar shkollën e fotografisë në Gjermani, ndërsa ka punuar në Paris, Milano, Londër e deri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekspozita do të hapet në KultPlus Caffe Gallery (Adresa: Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, Afër Fontanës në Ulpianë, Prishtinë)
Nëse nuk e gjeni lokacionin, na telefononi në 049 119600 dhe 049 137250.
Nuk mund të kujtohet periudha e artë e muzikës shqipe pa e kujtuar Gazmend Pallaskën.
I lindur në Prishtinë, Pallaska është një prej këngëtarëve më
të mirë shqiptarë. Ai mori pjesë katër herë në Festivalin e njohur Jugovizija
dhe ishte ndër këngëtarët shqiptarë të cilët njiheshin edhe jashtë trojeve
shqipfolëse të Jugosllavisë.
Plot këngë kanë mbetur nga bagazhi i gjerë muzikor i Pallaskës, një këngëtar të cilin edhe sot e dëgjojnë plot gjenerata.
Sot po e sjellim një video nga viti 1978, nga arkiva e Radio Televizionit të Prishtinës. Megjithatë, secila këngë e Pallaskës është mjeshtri në vete dhe një kujtim i bukur i një kohe tjetër / KultPlus.com
Jeta e gruas së ve në mjedisin tonë nuk është e lehtë, ngase këtë e dikton mendësia jonë. Me humbjen e burrit, veçan në moshë të re, fillon një etapë plot kundërthënie; gratë kryesisht nuk martohen më, u mbetet të kujdesen për fëmijët, ndonëse në rastet e pavarësisë ekonomike, situata është më e lehtë. Mirëpo, sa është e zymtë kjo jetë tek ne?
Shkruan: Burbuqe Rushiti
Me vellon e bardhë, në çastin e kurorëzimit, atëherë kur të drithëron zemra duke bërë hapin e parë në rrugëtimin e jetës së bashku me njeriun e përzgjedhur, betohesh `për besnikëri në të mira dhe në të këqija, në shëndet dhe në sëmundje`, fillon jetë e re, me teposhtëzat dhe tenaltëzat e veta, me gëzime e hidhërime, si vetë jeta. Kalojnë vitet, bashkëshorti të bëhet shoku dhe miku më i mirë. Dhe ai çdoherë është aty, në të mira dhe në të këqija, është aty supi i tij, kur ke nevojë për mbështetje, është dora e tij për të ta fshirë lotin, për ta ndarë gëzimin me ty, është buzëqeshja e tij për të të dhënë forcë. Por, çka ndodh kur një ditë ky mik të ikë përgjithmonë? Çasti kur e bardha e tëra bëhet zi, kur sikur bota të rrënohet mbi supe, është ai çast kur mijëra pikëpyetje të zymta shtrohen në kokat e nënave, familjareve… Në vendin tonë, gjeneratat më të vjetra të grave, pas vdekjes së bashkëshortit, kryesisht janë mbyllur në `kullat e tyre të fildishit`, thjesht e kanë `burgosur` veten në kultin e zisë. Kanë vuajtur për humbjen e të shoqit, i cili kishte ikur atëherë kur ato kishin pasur nevojë më së shumti për ta. Jetën pa bashkëshortin e shihnin dhe vazhdojnë ta shohin edhe si perëndim të jetës së tyre, meqë në horizont nuk lind më asgjë e bukur për to. Kjo mbyllje në vetvete fillon të thurë gardhin për jetën tutje, ato mendojnë vetëm për sëmundjet, fillojnë ta shfletojnë gazetën nga fundi, brengosen mos flasin `hallku` dhe vazhdimisht përsëritet e njëjta thënie, që nuk ka rrugëdalje – `po të ishte tash ai, çdo gjë do të ishte ndryshe.` Por, jeta është vetëm një, dhe, ashtu, si thonë shumica e psikologëve – `Ose do ta shikosh gotën si gjysmë të zbrazur ose si gjysmë të mbushur`, pos këtyre dy opsioneve, opsion të tretë nuk ka. Prandaj, këshilla e tyre për secilin prej nesh është opsioni i dytë. Këtë opsion të dytë e kapën ato gra, të cilat, kur e vërejtën se nga rrëfimet e tyre të vazhdueshme për dhembjen që kanë, për problemet dhe sëmundjet e tyre, filluan t`i largojnë nga vetja një nga një edhe shoqet e tyre, rrethin e familjes së gjerë, me të vërtetë nisën të sëmuren. Kur vërejtën se edhe tek fëmijët filloi të bëhej barrë fjalori i njëjtë e vajtues dhe vetmia të thellohej përditë e më shumë, ato vendosën që dhembjen ta lënë diku thellë në zemër dhe të ecin përpara për hir të vetvetes, për hir të fëmijëve. I përvolën mëngët dhe nisën ta kthejnë buzëqeshjen në fytyrën e tyre. Duke e kthyer buzëqeshjen, edhe miket sërish nisën të ktheheshin në rrethin e tyre. Më kujtohen fjalët e një gruaje, ekonomiste, e cila në moshë relativisht të re kishte mbetur pa bashkëshortin e saj, e cila pat thënë: `Në Kosovë ka pasur aq shumë vuajtje, njerëzit kanë aq shumë probleme dhe, po qe se unë filloj t`i ngarkoj me humbjen e burrit tim, ata do të më dëgjojnë një herë, dy herë, do të mundohen të më ngushëllojnë, por të tretën herë, po qe se përsëritem, do të ikin të gjithë nga unë! Ndërsa unë kam nevojë për njerëz. Prandaj, vendosa të mos e ngarkoj askënd me dhembjen dhe me problemet e mia. Kështu, e theva murin e vetmisë së plotë.` Ashtu, si shikimi dhe përjetimi i jetës që janë `bardhezi` apo të `ngjyrë-ngjyrshëm`, ashtu edhe jeta pas vdekjes së bashkëshortit në Kosovë po përjetohet deri diku në këto dy mënyra. Mirëpo, në të dy rastet, edhe pse dallojnë nga njëri-tjetri për nga shprehja e përjetimit të dhembjes nga vdekja e bashkëshortit, kryesisht mbretëron e njëjta ndjenjë te të gjitha këto gra – `Më mungon hija e tij`. Por, kjo `hije’ që mungon le të jetë hije e imagjinuar e forcës në mendjen dhe zemrat e nënave, të familjareve, mikeve tona, që patën fatin e tillë ta vazhdojnë jetën pa bashkëshortët e tyre, forcë për të ecur para kokëlarta, për hir të vetvetes, të të afërmve dhe për hir të atij që iku përgjithmonë. `Kulti i zisë`, i cili ishte mjaft i theksuar në Kosovën e paraluftës, filloi të zbehet pas përjetimeve shumë tragjike gjatë luftës. U pa se, ashtu si e mira, që nuk ka kufij, as e keqja nuk kishte kufij. Populli ynë ka shumë fjalë, përplot urtësi, që ngërthejnë në vete shumë filozofi, si ajo Mos të raftë me harru.
Sot ndërroi jetë gazetarja dhe poetja e njohur Burbuqe Rushiti.
Burbuqja ka punuar disa vjet në ish Radio Televizionin e Prishtinës, në Redaksinë e Kulturës, ndërsa më pas ishte korrespodente e disa mediave në Turqi përfshirë edhe televizionin NTV, shkruan rtv21.tv.
Burbuqe Rushiti është autore e disa përmbledhjeve me poezi. Burbuqja është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare.
Varrimi i Burbuqe Rushitit bëhet nesër në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Nesër në Prishtinë do të prezantohet “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” .
Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival nesër me anë të konferencës do të prezantojnë projektin në fjalë. Dua Lipa do të jetë pjesë e konferencës.
Sunny Hill Foundation ka ndarë fondin prej 150 mijë eurosh për të jetësuar Qendrën Kulturore e cila do të funksionalizohet gjatë vitit tjetër.
Në konferencë nesër do të shpaloset edhe bashkëpunimi i parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësues nga Gëzim Gashi. Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë për Amerikë, si pjesë e Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation.
Përmes këtij bashkëpunimi do të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, duke ju mundësuar kështu hapjen e mundësive të reja dhe zhvillimit të talentit të tyre në SHBA.
Konferenca do të mbahet në Emerald HOTEL prej orës 11:00 me date 2 GUSHT.
Prezente: Dua Lipa – Sunny Hill Foundation Dukagjin Lipa – Sunny Hill Festival Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës Gezim Gashi – Institute of Arts and Innovation
Koncerti i datës 30 korrik i Erza Muqollit në Kosovë ka qenë sukses i jashtëzakonshëm për artisten 13 vjeçare.
Me iniciativë të KultPlusit, Erza Muqolli erdhi në Kosovë për
herë të parë para publikut shqiptar, para rreth 500 të pranishmëve në
Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Koncerti është transmetuar edhe live në faqen e KultPlusit në Facebook, por megjithatë fansat e Erza Muqollit e kanë postuar koncertin edhe në Youtube.
Fansat e Erzës dhe grupit Kids United kanë postuar koncertin duke e shpërndarë atë me mijëra njerëz të tjerë që e përcjellin bukuroshen simpatike e cila po vazhdon me hapa të suksesshëm në tregun muzikor.
Në fotografi është Adolf Eichmann, i konsideruar si “arkitekti i Holokaustit”.
Eichmann shkoi në Argjentinë në vitin 1950 duke u nisur nga Gjenova e Italisë, falë një prej rrjeteve të shumta të organizuara pas fundit të Luftës së Dytë Botërore nga nazistët dhe mbështetësit e SS-ve. Pasaporta ishte lëshuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe mbante emrin Ricardo Klement, i njëjti emër që Eichmann përdori deri në momentin që u kap nga agjentët e dërguar nga Tel Avivi, në vitin 1960.
Nje rol kyç në identifikimin e Eichmann pati Lothar Hermann, babai i një të reje që ishte njohur me një nga fëmijët e ish-SS-së në Buenos Aires. Në vitin 1961 në Izrael fillon gjyqi ndaj nazistit Adolf Eichmann për krime në luftë, ku ai dëshmoi pas një mburoje prej antiplumbi. Eichmann u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje. Më 1 qershor 1962 Eichmann u ekzekutua me varje. Trupi i tij u dogj dhe hiri u përhap në det, përtej ujërave territoriale të Izraelit. Ekzekutimi i Adolf Eichmann mbetet i vetmi rast që Izraeli ka miratuar një dënim me vdekje.
Te platforma Netflix kjo histori tregohet tek filmi “Operation Finale”.
Fotografia është e korçarit Gjon Mili, shqiptarit me famë botërore i cili fotografoi plot momente të rëndësishme botërore.
Historia gjithmonë e ka anën e saj të bukur e të pastër.
E kur kjo dokumentohet me fotografi e video, atëherë ne kthehemi e jetojmë në realitete të ndryshme.
Me anë të këtyre kartolinave të vitit 1940 mund të kthehemi në nostalgjinë e kohës së shkuar, e cila herë ishte e mirë e herë jo për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë.
E
magjishme! Kjo është fjala e duhur për ta përshkruar performancën e mbrëmshme
të Erza Muqollit në Prishtinë.
Me një zë kumbues, të mahnitshëm e me një fuqi artistike të paparë, Erza argëtoi publikun kosovar për herë të parë, në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.
300
ulëse u mbushën dhe rreth 200 të pranishëm të tjerë shijuan koncertin e Erzës,
një udhëtim nëpër muzikën dhe jetën e saj.
Kjo
mbrëmje nisi me prezantimin e një videoje në monitor ku u shfaqën shkrimet të
cilat KultPlus, organizator i kësaj mbrëmjeje, ka realizuar pas çdo suksesi të
Erzës ndër vite. Dalja në skenë e moderatorit Arbër Selmani, redaktor në
KultPlus, ishte një tjetër shenjë që tashmë gjithçka ishte gati.
‘Qielli i kulturës nuk e njeh fundin. Nën këtë qiell jeton edhe KultPlus, gati për të qenë arma më e fortë e gazetarisë kulturore ndër shqiptarë. Aty ku suksesi i shqiptarëve na e shton jetën, aty ku ka depërtuar letërsia dhe fjala e shkruar, aty ku e bukura ekspozohet në mure, aty ku muzika ka jehuar e jehon, aty më shpesh se rrallë, do të jetë KultPlus’, u shpreh Selmani i cili pas këtyre fjalëve ftoi Erzën në skenë.
Ky
prezantim erdhi në kuadër të edicionit të tretë të “Ta zbardhi fytyrën”,
ngjarje kjo kulturore e organizuar nga KultPlus, që ka për qëllim të shpalosë
para publikut shqiptar rrugëtimin e artistëve tanë që po na bëjnë krenarë në
botë. E kësaj liste nuk ka si t’i mungojë edhe Erza e cila ka arritur ta bëjë
për vete gjithë Francën dhe jo vetëm.
Duke
zënë vend në skenë bashkë me moderatorin, ata nisin bisedën, ku ajo fillimisht
falënderoi të pranishmit dhe u shpreh e lumtur që për herë të parë është në
Kosovë për një paraqitje të tillë.
“Nuk kam menduar se kemi me pas sukses në
krejt botën”, u shpreh Erza për grupin e saj United Kids, ku në moshë shumë të
re, me po këtë grup ajo ka filluar turneun rreth botës që për qëllim ka pasur
kauzën humanitare duke u fokusuar te fëmijët me pamundësi për shkollim.
Intervista e Erzës herë pas here shoqërohej me video-prezantime ku shfaqej rrugëtimi i saj, duke filluar nga performanca e saj e parë e deri më sot.
KultPlus në këtë mes kishte edhe një surprizë për Erzën, ku kishte përgatitur katër video nga pjesëtarët e grupit të saj me të cilët edhe nisi gjithçka. Në gjuhën frënge ata i shprehen urimet me të bukura Erzës.
Tutje
në ekran u shfaqën edhe videoklipet e saj. Pas intervistës së shkurtër ku Erza
shpalosi rrugëtimin e saj në muzikë dhe kënaqësinë që ishte në një mes ku ajo
ndihej më së miri, pianoja po e priste për t’i lëshuar tingujt e parë në sallë.
Themeluesja
e KultPlus, Ardianë Pajaziti, u shpreh shumë e kënaqur për bashkëpunimin me
prindërit e Erzës. Pas fjalimit të saj të shkurtër por që përmbledhte
rrugëtimin e gjatë të KultPlusit për paraqitjen e Erzës para publikut kosovar
ajo ftoi në skenë edhe babain e Erzës.
I
emocionuar, Mehmet Muqolli mori fjalën, duke falënderuar publikun e pranishëm
si dhe punën e palodhshme për organizimin nga KultPlus.
Pas fjalës së përfaqësueses së Ambasadës së Francës në Kosovë, erdhi koha për të pritur në skenë Erzën dhe për të dëgjuar teksa këndon plot emocion e shpirt.
Gjatë këtij interpretimi ajo promovoi edhe këngën e saj më të re ‘Je chanterai’ e cila është pjesë e albumit që do të publikohet në fund të muajit gusht. Por, krejt për fund ajo kishte një surprizë për të pranishmit. Ishte kënga shqipe ‘Xhamadani vija vija’ që nën interpretimin e Erzës erdhi edhe më e bukur e më emocionuese. Publiku nisi të këndonte bashkë me të, e duartrokitjet e shoqëruan gjatë gjithë kohës. ‘Back to black’ dhe ‘La Boheme’ ishin në mesin e këngëve të cilat Erza zgjodhi t’i këndonte mbrëmë.
Të
mahnitur nga performanca magjike e Erzës, publiku u nda shumë i kënaqur. Erza
me zërin e saj të ëmbël e të fuqishëm arriti të mbajë publikun gjatë gjithë
kohës në emocion.
E
një yll në moshë kaq të re si Erza, fansat më të mëdhenj i ka moshatarët e saj.
Olisa Zari kishte ardhur enkas nga Franca për të qenë e pranishme në performancën
e Erzës.
“Nesër
është ditëlindja ime dhe kjo është dhurata ma e mirë që e kam marrë. Unë jam
fanse e Erzës prej këngës së saj të parë, dhe e kam pasur ëndërr ta takoj. Erza
po na bënë krenar”, tregon ajo për KultPlus.
Me mbarimin e koncertit të Erza Muqollit, të pranishmit ishin të ftuar në hapjen e KultPlus Caffé Gallery – Qendrës më të re Kulturore në Prishtinë. Hapja e Caffe Gallery-s u bë nga Erza Muqolli dhe pronarja e KultPlus, Ardianë Pajaziti. Me hapjen e kësaj qendre të kulturës, Erza filloi menjëherë me foto dhe autografe për publikun. I gjithë ky event nuk do të ishte i mundur pa KultPlusin, portal ky që është bërë si një sinonim për kulturën mbarëshqiptare.
Mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën” me Erza Muqollin e kanë mbështetë: Ministria e Integrimeve në Kosovë, Bucaj, Coca Cola, Lierac, Glamour In, Amc Corporation. / KultPlus.com
Sonte, me mbarimin e koncertit të Erza Muqollit në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, të gjithë të pranishmit janë të ftuar edhe në hapjen e KultPlus Caffé Gallery – Qendrës më të re Kulturore në Prishtinë.
KultPlus duke qenë gazeta më e madhe dhe më e lexuar e
formatit të tillë kulturor kudo ku ka shqiptarë, e pa të nevojshme krijimin e
një hapësire që do të shërbejë edhe si qendër kulturore dhe hapësirë për artistët
dhe ata që e duan artin.
Me fillim prej orës 21:15, pas koncertit, të gjithë do të mund të shijojnë momente në këtë Qendër Kulturore, në hapësirat fantastike të saj.
Hapësira do të shërbejë si vendtakim për artistët, për
promovim librash, për ekspozita, për organizim panelesh, për performanca
artistike dhe për çdo organizim tjetër që do të ngrisë nevojën e debatit të
mirëfilltë kulturor.
Në këtë hapësirë të gjithë do të mund të takojnë edhe Erza Muqollin – e cila do të nënshkruajë autografe pas koncertit të saj, me 30 korrik, sonte!
Njëkohësisht, natën e hapjes do të kemi edhe koktej rasti ndërsa artistja Shqipe Kamberi do t’i ekspozojë punët e saj artistike.
Adresa e saktë e KultPlus Caffé Gallery është: Rruga Isa Boletini Soliteri 3/2-1 Prishtinë.
Për informata kontaktoni në 049 119600 dhe 049 137250.
Hyrë Emini-Mira, kosovarja që luftoi në dy luftëra.
Studente e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe nga Ferizaj. Aktiviste ilegale, veprimtare e KMLDNj-së, e burgosur politike, luftëtare e dy UÇK-ve – në Kosovë e në Maqedoni – dhe, për një kohë të shkurtër, pjesëtare e TMK-së.
Pak ditë pasi u bë 28 vjeçe, më 29 korrik 2001 – 18 vjet më parë – Mira ra heroikisht duke luftuar rrëzë bjeshkëve të Korabit, në fshatin Kuk Zabel të Gostivarit, së bashku me katër bashkëluftëtarët e saj, Tahir Sinanin, Naser Ademin, Brahim Ademin dhe Hisë Fazliun.
Ji aq i moralshëm sa edhe armikut tënd t’i vijë turp që është armiku yt.
*** Burrëri s’do të thotë të kesh supe të gjerë. Burrëri do të thotë t’i dalësh për zot dikujt që mbështet kokën në supin tënd.
*** Ne nuk lamë askënd në mes të rrugës bir. Ata që mbetën pas, ose nuk mbërritēn dot shpejtësinë tonë, ose njerzillëkun…
*** Ai që në herën e parë të plagos, Në të dytën të vret, biri im.
*** Që trupi yt të flerë shtrirë nën tokë, Mbi tokë duhet të qëndrosh drejt…
*** Nuk është ashtu vëlla! Armiku është qitës i verbër, Vetëm miku e di mirë ku të të qëllojë.
*** Dikujt thuaji një fjalë të atillë që Ose t’i japësh jetë, ose t’a vrasësh, Por kurrë t’a lësh të plagosur…
*** Ndonjëherë bir, që gjërat të shkojnë në vijë, s’duhet të shtrëngosh grushtin. Duhet të hapësh pëllëmbën dhe ato që ke aty t’i lësh të fluturojnë në ajër. Dhe duhet të presësh bir, të presësh që të kthehen mbrapsht.
*** Unë humba më tepër nga sa pata…
*** Kam kuptuar se shumë njerëz, nevojën e trupit për uje e kapërcejnë duke lëpirë atë që pështyjnë, bir.
*** Dashuri do të thotë të lagesh nën shiun e dikujt dhe të mos thahesh dot në diellin e dikujt tjetër.
*** Nëse ka tradhti në sy, Mos kërko besnikëri në fjalë, bir.
*** Nga miku më i mirë lind armiku më i keq.
*** Gjëja më e lehtë në jetë është të merresh me fjalë. Më e vështira, të njohësh vetveten…
*** Nëse ti e fal armikun tënd, vëlla, Do të të vrasë edhe një herë…
*** Ti lutesh për vete, unë për ata që dua…
*** Trimat vdesin vetëm njëherë bir, Frikacakët përditë…
*** Momenti kur ti je i sigurt që do të fitosh, Është momenti kur je më i pambrojtur se kurrë…
E kemi zakon të kujtojmë këngëtarë të cilët me këngët e tyre e kanë pasuruar bagazhin muzikor modern në Kosovë.
Plot këngë dëgjohen edhe sot e janë krijuar para plot
vitesh, duke të dhënë ndjenjën se janë të reja dhe të freskëta.
Njëjtë është edhe me këngët e Malda Susurit. Edhepse Malda ka kohë që nuk ka sjellë ndonjë projekt të ri muzikor, ato këngë të cilat ajo i ka krijuar ndër vite kanë hijeshinë dhe veçantinë e tyre.
Para ndoshta dhjetë vitesh Malda realizoi këngën “Vetëm shko”. Kjo mbetet ndër këngët më të mira të Maldës, me një videoklip nostalgjik që është krejt relevant edhe për ditët e sotme. Nuk ka dyshim që zëri i Maldës mbahet mend gjatë.
Një këngë tjetër që kujtohet prej Maldës është ‘Larg Vetes’, me tekst dhe muzikë të Vullnet Ibraimit. Malda e solli në mënyrën më të mirë, sidomos tekstin i cili është thellë dhe tregon se gjithmonë njeriu kthehet tek vetja, për reflektim në kokën e tij.
Dhe kënga legjendare e Maldës, me të cilën ajo edhe fitoi çmime muzikore, mbetet “Dashuri e hidhur” e realizuar para shumë vitesh dhe pjesëmarrëse në TOP FEST në Shqipëri. Me këto tri këngë vendosëm sot si KultPlus ta kujtojmë Maldën, një zë dhe paraqitje që i mungon muzikës. / KultPlus.com
Në historinë e kulturës spanjolle të shek. XIX-XX zor se mund të gjendet një figurë më origjinale, sesa ajo e Migel de Unamunos, filozofit, shkrimtarit, poetit, dramaturgut, filologut, pedagogut dhe veprimtarit shoqëror. Atij i pëlqenin shumë paradokset në letërsi, gjë që ka ngjallur një polemikë të gjatë midis kritikëve letrarë, por ai edhe vetë ishte një paradoks i gjallë: një Don Kishot, që fsheh brenda vetes Sanço Pançon, racionalist, që hedh poshtë arsyen, poet në filozofi dhe filozof në poezi, dramaturg në prozë dhe prozaik në dramaturgji, ateist, që vazhdimisht i drejtohet Zotit, ai dukej sikur ishte gatuar nga një sërë kontradiktash. Por është diçka, një cilësi dhe, pikërisht dashuria e pakufishme për atdheun e tij, tokën e thatë dhe të ashpër spanjolle, që e bën atë të vuajë bashkë me të varfërinë, hidhërimet e pikëllimet dhe i jep atij forcë që të hakmerret për çdo fyerje që i bëhet vendit të vet. Mbase kjo e bëri profesorin e gjuhës greke dhe rektorin e Universitetit të Salamankës, Migel de Unamunon, njeriun e mbyllur e fjalëpakë, të pashoqërueshëm dhe nganjëherë edhe absurd, një shkrimtar të madh.
Tematika jetësore si dhe personazhet origjinalë kanë bërë që veprat e tij të pëlqehen dhe përkthehen në shumë vende dhe popuj të botës. Lexuesi ynë këtë radhë ka fatin të njihet me disa nga novelat dhe tregimet e tij të mrekullueshme. Në gjuhën shqipe ato vijnë me përkthimin e Qamil Bredhias botuar nga “Toena” me titullin “Kur të zë dashuria (titulli i një prej tregimeve, që po e botojmë në këtë numër të Milosaos).
MIGEL DE UNAMUNO lindi më 27 shtator të vitit 1864 në Bilbao. Vitet e fëmijërisë të shkrimtarit të ardhshëm përkojnë me ngjarje të mëdha historike: revolucionin 1868-1873 dhe luftën karliste (të republikanëve me karlistët monarkikë). Mbresat e fëmijërisë gjetën pasqyrim në romanin e tij të parë “Paqe në kohën e luftës”. Në vitet 1880-1884 ndjek studimet universitare në fakultetin e filozofisë dhe shkencave humanitare në Universitetin e Madridit. Mbasi mbaron universitetin kthehet përsëri në qytetin e lindjes, në Bilbao. Rrugën e krijimtarisë ai e ka filluar në radhët e shkrimtarëve që i përkasin të ashtuquajturit “Brezi i viteve ’98”, d.m.th. në grupin e shkrimtarëve, kritikëve, filozofëve, sociologëve që u bënë të njohur në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XIX. Në fund të viteve ’90 Unamuno përjeton një krizë të rëndë shpirtërore, i zhgënjyer nga Spenseri dhe pozitivizmi i tij, të cilin ai e tall në romanin “Dashuria dhe pedagogjia” (v.1902). I zhgënjyer nga shkenca, shkrimtari i drejtohet fesë, por edhe kjo nuk e kënaq. Atë e preokupon së tepërmi problemi i pavdekësisë individuale. “Për ndjenjën tragjike të jetës të njerëzve dhe popujve” ishte libri filozofik i botuar ne 1913, i përshkuar tërësisht nga pesimizmi.
Veprat kryesore:
Përmbledhja “Vjersha” (1907); “Pasazhe nga sonetat lirike” (1911)
Dramat: “Fedra” (1921); “Medea” (1933); “Vëllai Huan ose Bota është teatër” (1934) etj.
Kujtime dhe shënime: “Kujtime për fëmijërinë dhe rininë” (1908)
Vepra filozofike: “Feja ime dhe shënime të tjera” (1910)1
Pamflete publicistike: “Jeta e Don Kishotit dhe e Sanços” (1905)
Shënime udhëtimi: “Nëpër Portugali dhe Spanjë” (1911)
Romani i parë: “Paqe në kohën e luftës” (1897); “Dashuria dhe pedagogji” (1902)
Novela: “Mjegulla” (1914); “Abel Sançesi” (1917); “Tre novela moralizuese dhe një prolog” (“Dy nënat”, “Markezi de Lumbrija”, “Burrë i vërtetë” – 1920) “Teze Tula” (1920).
Tregime: Përmbledhja “Pasqyra e vdekjes” (1913).m.v./r.k./ Shqiptarja.com
Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të vendoset në rrethrrotullimin, në qendër të qytetit të Ulqinit, tek ndërtesa e Komunës.
Këtë lajm për portalin Ul-info e vërtetoi kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, i cili shtoi se për këtë gjë u fitua pëlqimi i Ministrisë së Kulturës.
Edhe bulevardi në të cilin gjendet rrethrrotullimi mban emrin e këtij heroi kombëtar shqiptar.
Këtë vit festohet 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut.
Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, së bashku me shumë artistë dhe qytetarë nga Kosova, thotë se po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit rreth tentimit për rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e plotë me artistët që janë vënë në mbrojtje të kësaj vlere shpirtërore, kulturore dhe historike.
SHSTKK e konsideron të papranueshme sjelljen e dhunshme të policisë ndaj aktorëve protestues dhe paqësorë, si rasti i dhunës ndaj aktorit dhe regjisorit Edmond Budina, i cili, siç thotë SHSTKK, është një ikonë e padiskutueshme e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
“Institucionet e shtetit shqiptar duhet ta kenë parasysh, se lotët e derdhur të artistëve në mbrojtje të objektit të Teatrit Kombëtar, janë një mallkim për këdo qoftë që i shkakton ata, se kur thyhet shpirti i artistit, është thyer shpirti i një kombi”, thotë kjo Shoqatë.
Më tej, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës vë në dukje se në asnjë vend demokratik nuk rrënohen objektet që paraqesin pasuri historike dhe kulturore, por këto objekte mirëmbahen, restaurohen dhe rifunksionalizohen, “prandaj çdo tendencë për rrënimin e objekteve të tilla përfshirë dhe Teatrin Kombëtar është sulm mbi historinë, kulturën dhe shkëputje e dhunshme nga vlerat e të kaluarës”.
“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës kërkon nga institucionet vendimmarrëse të shtetit shqiptar, që urgjentisht të anulojnë vendimin për rrënimin e këtij objekti dhe të fillojnë procedurat për restaurimin dhe rifunksionalizimin e tij për arsye se e ardhmja e ndritshme e një institucioni dhe vendi nuk ndërtohet mbi rrënojat e të kaluarës, por mbi themelet e sigurta të saj”, ka përfunduar reagimi i SHSTKK në mbështetje të artistëve të shtetit shqiptar ndaj Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Një pikturë e veçantë tregon humanitetin e njeriut në kohërat e vështira.
Piktura me emrin “Roman Charity” nga Bartolommeo Esteban
Murillo tregon një burrë i cili thithë qumësht nga gjiri i vajzës.
Historia është e gjatë, e dhimbshme deri në palcë.
Emri i burrit është Cimon. Ai është dënuar të lihet si i tillë deri sa të vdesë pa bukë, në një burg pa ujë e ushqim. Pero, vajza e Cimon, e viziton babain e saj në burg. Në këto vizita ajo e sheh se babai i saj po kalon në agoni, dhe përkundër se nuk lejohet ajo i jep gji babait të saj, një trohë ushqim ky për të mbajtur gjallë shpirtin e Cimon.
Në fund të dytë raportohen tek autoritetet kur merret vesh
çfarë ka bërë vajza, një vepër të jashtëligjshme.
Legjendat janë të ndryshme. Disa thonë se ata u liruan meqë
sigurimi i burgut u fascionua nga veprimi i vajzës për prindin e saj të dërrmuar.
Tregimi lart është edhe i shkruar në Nëntë Librat e Veprimeve të Bukura nga Romakët, shkruar nga Valeriues Maximues. Në mes të romanëve gjithmonë ka pasur mitologji të tilla të cilat historia jo gjithmonë ka mund t’i vërtetojë.
Ekzistojnë disa piktura, përpos asaj nga Bartolommeo, të cilat e përshkruajnë të njëjtën situatë. Në një qytet evropian, të lashtë, vajza i jep gji babait të saj për ta shpëtuar nga vdekja dhe uria, shkruan KultPlus.
Me rastin e përkujtimit të 1-vjetorit të vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, Nagip Tashi nga Tërrnoci i Bujanovcit, ka bërë një dedikim të veçantë.
Duke dashur që ta përkujtojë veprimtarin Demaçi, ai ka realizuar mozaikun me portretin e tij, ndërsa e ka punuar me tri lloje të druve: arrë, bagrem dhe çam. Në postimin në rrjetet sociale, Tashi ka theksuar se këtë mozaik e ka punuar brenda tri ditëve, raporton KTV.
Madje, në dedikimin e tij për Adem Demaçin, Tashi shkruan: “Unë tri ditë sakrifikova, nuk dola prej shpisë tu e punu’ mozaikun e figurës së Bacit, m’u dokën sa tri vjet, baca Adem 28 vjet burg, e një jetë sakrificë për lirinë e Kosovës!”
Tashi njihet për punën e tij me lloje të ndryshme të drurit, duke realizuar punime të shumta, veçanërisht portretet e figurave të shquara shqiptare të punuara në mozaikë nga druri. Para pak kohësh, ai ka realizuar mozaikun me portretin e aktorit të njohur shqiptar, Bekim Fehmiu.
Me datë 30 korrik bëhet 1 vit nga vdekja e Bekim Lumit.
Lumi ka qenë një prej regjisorëve më të mirë në Kosovë. Qendra Multimedia në Prishtinë po e kujton Bekim Lumin me një ngjarje ku do të përkujtohet regjisori dhe puna e tij kolosale.
Ndër veprat që ai ka vënë në skenë mund të përmendim Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2010 – William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” (bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2008 – Eugene Ionesco, “Çifti Martin”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2006 – Federico Garcia Lorca, “Shtëpia e Bernarda Albës”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2005 – A. P. Çehov, “Arushani” & “Fejesa” (dy komedi), Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2003 – Slavomir Mrozhek, “Galani”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2002 – Eugene Ionesco, “Mësimi”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2000 – “Kësulëkuqja në botën e minave” (shfaqje me kukulla), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1999 – A. P. Çehov, “Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën” (komedi e adaptuar mbi disa tekste të Çehov-it dhe mbi disa fragmente të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1998 – Gjergj Fishta, “Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit” (tragjikomedi mbi veprat epike dhe satirike “Lahuta e Malcis’ ”, “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”), Teatri “Loja” & Theater Truebuene, Mynih (Gjermani), etj.
Lumi ka qënë kryeredaktor i revistës teatrale “Loja”.
Kur fotografitë e realitetit të dikurshëm vijnë në rezolucion më të mirë, gjithmonë kthehemi në nostalgji dhe reflektim mbi jetën e shqiptarëve ndër vite.
E duke qenë se historia shqiptarët i përplasi gjithandej, sot po tregojmë si jetonin shqiptarët në fillim të viteve 50të në Strugë e Ohër.
Fotografitë janë nga viti 1954. Në të dyja vendet ka ekzistuar tregu ku shqiptarët kanë nxjerrë bukën e gojës dhe kanë ruajtur kulturën shqiptare, edhepse ajo u provua të shtypej edhe në këto anë të Evropës.
Mbrëmjen kur i lindi fëmija i parë
dhe i vetëm,
aktori Istref Begolli ishte duke e luajtur rolin e “Makbethit” të
Shekspirit. Begolli, ky burrë i fortë që nuk linte dërrasë të Teatrit pa lëvizur
vendi, o me timbër o me paraqitjen e tij, pasi që e përfundon shfaqjen kolegët e
Teatrit Kombëtar sot – asokohe Teatri Krahinor e njoftojnë se gruaja e tij ka
lindë
“djalë”.
Istref Begolli, me gëzim
i fton kolegët që të mbledhen në Byfenë e Teatrit derisa ai sigurohet se
gruaja e tij dhe “djali” i posalindur gëzojnë shëndet të mirë. Kur thërret në telefon tek familjarët
e tjerë
i thonë se gruaja dhe vajza janë mirë. Vajza? Atij i kishin thënë se e kishte fituar një
djalë. Begolli niset prej përdhesës të Teatrit ku shfrytëzohej telefoni fiks e
deri në katin e tretë tek Byfeja, tejet i gëzuar për ardhjen në jetë të
vajzës:
“Ejani të gjithë, më ka lindur vajzë” – ishin fjalët brohoritëse të Begollit, i cili u bë babë në moshën 42 vjeçare. Kolegët ia kishin dhënë lajmin jo të saktë aktorit të madh meqë ai kishte qenë i vetmi djalë në familje përkrah dy motrave të tij.
Kjo vajzë e cila nisi si “djalë” është
Alba Begolli që jeton në Prishtinë, në banesën e trashëguar
nga prindërit
Istref Begolli dhe Hadije Maloku-Begolli të cilët e jetuan jetën krahas saj. Në
po këtë banesë unë ulem bashkë me Albën në vendin e quajtur këndi i Istrefit,
poshtë fotografisë së tij në rolin e “Makbethit” dhe gati për të
hyrë në botën e njeriut vizionar e bashkëkohor, siç e përshkruan Alba.
*
“Baba ka qenë prind me të cilin
kam pasur një raport shoqëror dhe shumë të përzemërt. Për nga natyra ishte
emotiv, i butë, i ndjeshëm, rrezatonte plot dashuri, por njëkohësisht edhe
personalitet i fuqishëm dhe parimor. Përpos si babë, e kam pasë edhe si vëlla
dhe shok me të cilin kam mundur të bisedoj për çdo gjë
apo “çështje”,
për
ta zgjidhur apo shtjelluar bashkërisht. Unë dhe ai e kemi pasur një
raport jashtëzakonisht të çiltër dhe të veçantë” tregon Alba Begolli.
“Ka qenë shumë i dhanun pas
familjes, krahas karrierës së tij. I gëzohej gjithçkafit, edhe gjërave
më
të vogla, qoftë edhe vetëm nje dreke të zakonshme. Ai thoshte se “duhet me ditë me i çmu e me iu
gëzu
gjanave të vogla sepse të mëdhatë rrallë ndodhin apo nuk ndodhin fare”.
Ka qenë shumë i afërt si familjar si dhe
me gjithë
njerëzit. Unë jam me fat të jem vajza e
tij dhe nana ime ka qenë gjithashtu me fat të jetë krah një bashkëshorti të tillë”,
tregon tutje Alba.
Istref Begolli, një nga aktorët më të spikatur shqiptarëtë të gjitha kohërave, një figurë me plot prezencë dhe karizmë në çdo hapësirë ku depërtonte dhe realizonte role, lindi më 7 maj 1933 në Pejë. Shumë i ri, ai do të largohej nga Peja si 15 vjeçar për ta marrë rrugën drejt themelimit të Teatrit Krahinor në Prishtinë[i] ku edhe do të lulëzonte karriera e tij si aktor i dërrasave të teatrit dhe roleve tragjike, aktor i cili shkriu e stërshkriu role të mëdha edhe në skenat e teatrove prestigjioze të ish-Jugosllavisë.
“Në kohën kur kam lindë unë në vitin 1975, ai
ka qenë në kulmin e karrierës së tij. Diku që nga mosha 12 vjeçare kam fillu me i asistu
babës
në secilin rol që ai e përgatiste. Fillimisht, baba niste me mësimin e tekstit
duke u familijarizu me atë tekst. Derisa e përgatiste rolin ai mbante një fletore
ku e shkruante tekstin që e përpunonte vet si dhe fjalinë e fundit të partnerit në rol. Ky “partner” isha unë gjatë
asistimit. Kësisoj e mësonte ma lehtë
tekstin, ushtronim së bashku me orë të tëra si dhe në magnetofonin e tij personal. Mund të them që prej të gjithë
aktorëve shqiptarë të asaj kohe ai veçohej për diksionin e tij të shquar”
tregon më
tej Alba.
Banesa ku jeton Alba në të
cilën
Istref Begolli ka jetuar deri në vitin 2003, e deri në vitin 2017-të edhe
Hadije Maloku-Begolli, është e mbushur me fotografi të kësaj treshe familjare që
jetoi në simbiozë të plotë, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Në një kënd është fotografia e vitit 1946 e Istref Begollit me nanën dhe dy motrat e tij. Jo shumë larg saj janë edhe fotografitë nga rolet e Begollit, si: “Dervishi dhe Vdekja”, “Makbethi”, nga përurimi i hapjes së Kino “ABC-së” në Prishtinë, etj. Dhomës i jep dritë edhe një fotografi familjare nga viti 1978.
“Kam qenë shumë e lidhun me punën
e babës,
gjatë
asistimit tim më është kriju dashuria me artin e tij. Pastaj, në premierë, unë e dija përmendësh krejt
tekstin dhe kur ulesha në karrige “dridhesha” e tëra prej tremës” rrëfen Alba.
*
Istref Begolli, në pjesën e dytë të vitit 1974 njoftohet me Hadije Malokun nga Prizreni me të cilën martohet me 28 dhjetor 1974. Në shtator të vitit 1975 vjen në jetë Alba. Çifti, në kohën kur u njoftuan ishin në ndërtim të karrierës së tyre. Hadije Maloku-Begolli ka qenë Gjykatësja e parë femër në Kosovë, pastaj deputete në Parlamentin e ish-Jugosllavisë, në vitin 1979 Kryetare e Grave të Kosovës e deri në pensionimin e saj në cilësi të Avokates Krahinore të Kosovës në janar të vitit 1990. Hadije Maloku-Begolli vdiq në moshën 81 vjeçare me 12 shkurt 2017 pas një jete të shëndetshme dhe të gjatë.
“Nana ka qenë person më temperament,
një grua e vendosur, me mençuri të mprehtë në çdo aspekt, dhe e ka plotësu
babën i cili ka pasur një natyrë më ndryshe nga ajo. Nana ka qenë
shtyllë
në familjen tonë të vogël e cila e ka mbajt gjallë emocionin dhe
ndjeshmërinë”, vazhdon Alba.
“Që të dytë kanë pasur shije të njëjtë, qasje të njëjtë ndaj jetës, kanë qenë shumë human dhe të afërt me njerëz. Dy personalitete me botëkuptime përparimtare dhe vizionare, dy intelektualë të shquar. Unë jam rritur në një familje të shëndoshë, në një familje me mirëkuptim dhe respekt, me virtyte të larta njerëzore që rrallë mund të gjinden në kohërat aktuale. Koha e vizionit të tyre është mu kjo në të cilën ne jetojmë sot. Më kujtohet kur baba thoshte se “çdo lagje do të duhej t’i përmbushë kërkesat e banorëve që mos me pasë nevojë me dalë në qendër të qytetit për me i plotësu obligimet dhe nevojat”. Peng më ka mbetë, sepse sot ka ardhë ajo kohë dhe baba nuk arriti t’i sheh disa ndryshime pozitive që janë bërë” shprehet Alba, një vajzë që e ka trashëguar prej prindërve butësinë, kulturën, mirësinë dhe mbi të gjitha dashurinë për artin dhe të bukurën.
*
Alba e kujton një ngjarje të veçantë me babën e saj, derisa e shpalosë këtë burrë të njohur të artit dhe kulturës para neve, në cilësinë e vajzës së tij. Ndonëse nuk e sheh të arsyeshme t’i kujtojë momentet e hidhura që iu ka sjellur jeta, sepse kur mendon në babën e saj mendon vetëm në kujtimet e mira të cilat fatmirësisht janë të shumta.
“Periudha pas luftës, muaji prill
ose fillimi i majit i vitit 2000. Në atë kohë unë kisha telefon mobil, por
prindërit ende jo. Ditë e
shtundë,
me babën e vendosëm një vendtakim për në orën 9 të mëngjesit. Unë kisha punë, prandaj i thashë babës se do
ta takoja tek vendi që e caktuam bashkërisht-do të shkoj drejt atje. E lam të takohemi në një vend në qendër të
Prishtinës. Ai ka qenë tejet i përpiktë, nuk është vonuar kurrë, në asgjë. Atë
fundjavë
nana ishte tek familjarët e saj në Prizren. Unë dal prej banesës herët
në
mëngjes
në
7:30 dhe në orën 09:00 shkoj te vendi i caktuar. Baba vonohet 15 minuta
dhe unë filloj me mendu se mos i ka ndodhë ndonjë gjë. Shkoj në Teatër dhe
interesohem në foaje mos është baba aty, disa ish-studentë e që sot janë aktorë të njohur
më thanë se nuk kishte qenë fare. E thërras
nanën në Prizren dhe i them që babës mund t’i ketë ndodhë diçka, përndryshe nuk do
të
vonohej kaq gjatë. Ajo në ndërkohë planifikon të kthehet nga Prizreni…..Vendi ku
e kemi lënë
me u taku ishin dy dyqane me emër të njëjtë, mirëpo
në dy lokacione të ndryshme-me pronarë të njëjtë. Baba kishte qenë në dyqanin me lokacion tjetër
nga ai ku unë
e prisja pothuajse 1 orë, numrin tim të telefonit nuk e dinte përmendësh. Te dyqani ku isha unë, dikur pronari provon ta
telefonojë të
vëllain
e vet në
dyqanin tjetër dhe ai i tregon që baba po më pret dhe se është
shumë
i brengosur pse nuk isha unë atje ende. Uhhh më
në fund u gjetëm! Dhe, ai niset prej lagjes
“Pejton”, ndërsa
unë prej qendrës të qytetit për t’u takuar diku në afërsi
të
Hotel “Grandit”-dhe në momentin kur bëhemi bashkë ai më drejtohet me njëfarë
“idhnimi” – “A e din që lojën e zemrës
ma ke bo”,
derisa njëjtë i përgjigjem edhe unë. E
krejt kjo si pasojë e keqkuptimit nga ana jonë! Ky është një moment që e kujtoj me shumë
mall” tregon Alba.
Gjatë luftës në Kosovë, Alba me prindërit e saj nuk largohen nga banesa në Prishtinë. Ka qenë periudhë e rëndë për të gjithë, kujton ajo, e që nuk la pa e prekur edhe jetën kulturore e artistike të asaj kohe.
“Prej viteve 90-të baba nuk ka
qenë i angazhuar në Teatrin Krahinor (aso kohe). Kur pushtuesit serb i morën të
gjitha institucionet e morën edhe Teatrin, prandaj baba ka pasë shkëputje të
gjatë nga krijimtaria e tij. Në
ndërkohë i
ka realizuar disa drama televizive, natyrisht në rrethana të vështira. Nuk e
lëshuam banesën gjatë luftës sepse ai vendosi ashtu. Atëkohë ishte vital, por, po hynte në moshën e
tretë të pjekurisë. Pas luftës, në pjesën e dytë të vitit 1999 dhe në fillim të vitit
2000 ka dhënë rolin e Atit në filmin “Vjeshta e Trëndafilave” shkruar nga
V. Karahoda-në regji të A. Sopit, e që ishte roli i tij i fundit” kujton
Alba Begolli sot, e cila merret me përkthime nga gjuha Shqipe në gjuhën Angleze
dhe anasjelltas.
“Më vjen mirë që nuk jam gjykatëse
ose aktore. Unë kam shpirt artistik dhe
kam vendosë ta studioj Gjuhën dhe Letërsinë Angleze, dhe duke e pasë këtë lëmi
dhe kualifikim tani merrem me përkthime. Për mua përkthimi është lloj
arti në
vete, përkthimin e konsideroj dhe e përjetoj si një vepër arti. Më vjen mirë që kam profil tjetër nga ajo e
prindërve, por, dashurinë për artin e kam trashëgu prej babës. Për
t’u
bërë juriste as nuk kam sens e as nuk kam pasur interesim” thotë
Alba.
*
Istref Begolli e vazhdon jetën e
tij të
mbushur me role kolosale në teatro dhe filma për 50 vite të
plota karriere. Alba, më
tej, na tregon se ai në veçanti e ka pasur një dorëshkrim tejet të
bukur të cilin ajo e trashëgoi. Krahas
diksionit dhe timbrit të tij të veçantë dhe të mirënjohur, ka ditur edhe të këndojë
bukur.
Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë
tragjedianti më i madh i Teatrit Shqiptar.
Mbi të
gjitha njihej edhe për tremën e tij famoze para secilës
premierë
që
kishte. Ka qenë perfeksionist i madh në punë dhe në jetë, në përgjithësi.
Rolet e tij, si: “Makbethi”,
Jagua tek “Othello” të Sheksipirit, Prifti në “Gjeneralin e Ushtrisë së
Vdekur” të
I. Kadaresë, në “Bregun e Pikëllimit”
të
T. Dervishit,
në
“Dervishi dhe Vdekja” të M. Selimoviçit, të Atit në “Vjeshtën e Trëndafilave”, në “Përroin Vërshues”, film në
regji të
B. Sahatçiut,
pastaj në dramat televizive: “Oda e Junikut” në regji të
A. Mikullovcit; “Kulla”
e A. Pashkut, “ Vallja e Çmendur” e Qosjes, etj. i kanë dhënë Istref Begollit vendin
e tij të merituar në hartën dhe pasaportën e kulturës të artit Shqiptar si dhe një
vulë
emblematike.
Në librin e lëndës të ‘Historisë’ në shkollat fillore, në një pjesë ku mësohet për artin dhe kulturën është përfshirë vepra e aktorit të madh Istref Begolli. Teatri Profesionist i qytetit të tij të lindjes në Pejë mban emrin “Istref Begolli”.
“Përderisa populli i rëndomtë sot e kësaj dite e çmon ende,
e nderon, njerëzit e kujtojnë me dashuri, nostalgji, kjo për mua ka rëndësi. Ai i ka folë popullit, publikut. Emri i tij kësisoj bartet në gjenerata e
gjenerata dhe ata mësojnë e flasin për mjeshtrinë e artit të
tij” vazhdon Alba.
Albës nuk i ka mbetur peng asgjë
karshi prindërve të saj. Si e vogël dhe adoleshente ishte e kënaqur të jetë i
vetmi fëmijë. Por, me t’i kaluar të njëzetat ajo thotë se nisi të kuptonte e
reflektonte mbi mungesën e një familjari tjetër, vëllait apo motrës.
“Fillimisht ka qenë vendim i babës, me të cilin nana nuk është pajtuar menjëherë shkaku im. Ajo ka dashur që unë ta kem një vëlla apo motër, por baba nuk është bindur. Ndoshta është friku që nuk do të mundet me ia dalë njëkohësisht me familje dhe me profesionin e tij që aq shumë i donte. Mbase, mund të kishte qenë vendim “avant-garde” nga ana e tij. Ka qenë shumë i lumtur që më kanë mua. Thjesht, ka qenë planifikim i familjes….. Faktin që jam i vetmi fëmijë nuk e shoh si përfitim, por ky është fati im” thotë Alba.
Në fund, jemi ulur në kolltukun
shumë afër këndit që Alba, në banesën e saj e quan “këndi i babës”.
Bisedojmë për ditët e fundit të Begollit.
“Baba ka vdekë në mënyrën më
banale që është e
mundur, prej alergjisë në penicilin. Kjo ishte arsyeja që truri i tij mbeti pa oksigjen
përreth
25 minuta, në
një
ditë
vere korriku në vitin 2002, mu para 17 vitesh. Ambulanca
e lagjes ku e mori ineksionin nuk ka pasur kujdes në rast të
reaksionit alergjik, si mungesë e profesionalizmit të
tyre, bile nuk kanë pasur oksigjen e as terapi intervenuese kundër
alergjisë.
Ngjashëm,
vetura e Ndihmës së Shpejtë e QKUK-së nuk ka pasur oksigjen, as mjete
elementare për
ndihmë
mjekësore.
Kjo krejt ishte humbje në kohë. Si
pasojë
e këtij
gabimi fatal të institucioneve tona shëndetësore ai ka qenë
7-8 muaj në komë vigjile, dhe në acarin e 1 shkurtit të
vitit 2003 ndërroi jetë në Kroaci. Asnjëherë, askush
nuk e ka marrë përgjegjësinë për humbjen tragjike të tij, Ministria e Shëndetësisë
e ka neglizhuar që nga ajo kohë. Shpesh mendoj që baba ka vdekë në këtë mënyrë,
pasi që
të
gjitha rolet i ka pasë tragjike, ashtu edhe tragjikisht vdiq” përfundon Alba,
derisa edhe unë edhe ajo kalojmë në emocione të përziera duke i kujtuar
realitetet e bukura të kësaj familje unike dhe të dramave që pos Teatrit shpesh
hynin edhe në jetën e njerëzve si Istref Begolli i ynë.
( Ky botim është
prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është
përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të
konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )
Filmi “The Son” nga Ines Tanoviq do të jetë filmi që e hapë sivjet Festivalin e Filmit në Sarajevë.
“The Son” është një bashkëproduksion mes Malit të Zi, Bosnjës,
Kroacisë, Rumanisë dhe Sllovenisë, ndërsa në rolet kryesore janë edhe Uliks
Fehmiu, Dino Bajroviq, Ermin Bravo, Lazar Dragojević, Kemal Rizvanović, Enes
Kozličić, Snežana Bogdanović e aktorë tjerë.
Filmi është xhiruar vitin e kaluar dhe përcjellë dramën brenda një familjeje e cila ka një djalë biologjik dhe një tjetër të adoptuar.
Ky është filmi i dytë i metrazhit të gjatë i regjisores Ines Tanoviq. Tanoviq ka lindur më 1965 në Sarajevë dhe është ndër regjisoret më me nam në Bosnje.
Festivali i Filmit në Sarajevë do të fillojë me 16 gusht. / KultPlus.com