‘Si ndodh pra që një këngëtare lokale e cila zbulon lëkurën shkakton panik moral sot?’

Shqiptar Oseku / Facebook

Trupi i njeriut nuk ka shkaktuar gjithmonë neuroza e panik moral kështu si sot. Në qytetërimet e larta të antikës, tambli i të cilave na rrit edhe sot, trupi i njeriut trajtohej ashtu sic është, pra si dicka normale.

Dëfrimet publike, por edhe arti e filozofia, ishin arena ku trupi i njeriut jo vetëm pranohej, por edhe adhurohej, si simbol i përsosmërisë.

Trupi i burrit, por edhe i gruas, trajtohej pozitivisht madje edhe nga klerikët e kohës. Athina, Diana, Venera, Zeusi etj, të gjithë këto deitete që veneroheshin dikur kishin manifestime trupore antropocentrike, pra të ngjashme me natyrën e njeriut.

Si ndodh pra që një këngëtare lokale e cila zbulon lëkurën shkakton panik moral sot, në shekullin e fizikës kuantike, kur 2500 vjet më parë as s’do të vërehej?!

Përgjigjja quhet feja abrahamike. Qytetërimet e larta të antikës që shtriheshin në trojet e Europës, Azisë, e Afrikës mesdhetare ranë, për arsye të komplikuara që janë jashtë harkut të këtij postimi. Në gërmadhat e tyre mbiu një fe eskapiste e apokaliptike, e cila i shkonte mirë epokës së shkatërrimit të qytetërimit, duke ftuar njerëzit t’ia kthejnë shpinën kësaj bote.

Kulti i kësaj feje të re është një deitet i ri cnjerëzor, tiranik, kërcënues, e mallkues, që quan njerëzit jo të përsosur po mëkatarë inferiore. Kjo fe e re gjithcka njerëzore e quan ”mishtore” dhe të turpshme, gjoja në luftë me ”shpirtëroren” e padukshme. Gjithcka ”mishtore” është e predestinuar të shkatërrohet njësoj si Roma, thotë feja e re, e cila predikon se trupi ”mishtor” i njeriut është mëkatar dhe prandaj i turpshëm, e duhet të fshehet, të mbulohet, të struket.

Klerikët dhe ndjekësit e kësaj feje të re apokaliptike prishin akademi të lashta ku filosofë mëkatarë ngrenin zërin kundër Zotit, thyjnë shtatore që shfaqin trupin e njeriut, e ndjekin me fanatizëm inonoklast cdo shpërfaqje të trupit njerëzor. Shumë syresh biles tredhen me vetëdëshirë, për ta shkulur ”mishtoren” e njerëzoren nga vetvetja; bashkëfetarët e tyre këta fanatikë i quajnë ”shenjtorë”.

Ky sulm mbi ”mishin” dhe trupin e njeriut godet sidomos gruan, të cilën kjo fe e redukton më keq se skllevërit e antikës. Skllevërit mund të liroheshin e të fitonin të drejta qytetare, disa syresh ishin bërë perandorë. Por në fenë e re, gruaja quhej fajtore për dëbimin nga parajsa. Atë faj do ta ndiente cdo grua, në cdo shtresë sociale, pa asnjë shpresë shpëtimi.

Gruaja në fenë e re bëhet tabu par exellance, mishërim i cdo mëkati e turpi. Mendja e saj quhet djallëzore, trupi i saj mbulohet dyfish, funksionet normale trupore të gruas demonizohen, indet e saj — gjaku i menstruacioneve, indi më steril e i pastër që prodhon trupi i njeriut, me efekt antiseptik — quhen pisllëk. Personi i gruas fshehet prapa muresh dhe bëhet i padukshëm.

Jahve, Hyu, Allahu, ky deitet është transformuar e rikrijuar disa herë nga klerikë e ndjekës të fesë apokaliptike. Këta grinden shpesh mes veti, biles edhe luftojnë. Por kanë shumëcka që i bashkon, ta zëmë fakti se asnjë profet a klerik i tyre nuk arrin kurrë atë nivel intelektual që kishin mendimtarët e antikës; biles disa prej klerikëve e profetëve të fesë së re janë analfabetë, e krenohen me këtë, pse mendojnë se mendja e papërdorur i ruan nga korruptimi moral. Një tjetër element i përbashkët është urrejtja e përbuzje për ”mishtoren”, trupin e njeriut, e gjithcka që feston këtë dynja. Sidomos urrejtja e përbuzje për trupin e gruas.

Kur disa sot hedhin mynxay mbi një grua që prish tabu moraliste e zbulon lëkurën, ata nuk janë vetëm. Bashke me ta ulërijnë edhe brezni të tëra analfabetësh, stërgjyshër e katragjyshër. Ulërijnë masat që më 1530 kërkonin vrasjen e një djali të ri me emrin Michelangelo që kish pikturuar figura nudo në tavanin e kapelës Sistine në Romë. Ulërijnë klerikë e profetë që vrasin filosofen e fundit te antikes, Hypatian, e djegin biblioteken ne Aleksandri ku vepronte ajo.

Tragjikja në këtę mes eshte se mungesa e dijes i ben uleritesit dhe përhapësit e panikut moral të mendojnë se mendimet e tyre janë të vetat, unike e origjinale. Se ata janë në anën e duhur, se janë rojtarë vlerash, mbrojtës fëmijësh, e roje të popullit. Ndërsa nuk kuptojnë, se nuk u ka shpjeguar askush, se mendimet e tyre janë menduar e paketuar nga tjerë para tyre, e s’kanë asgjë origjinale, as morale, as me vlerë.

Të vdekurit janë më të fuqishëm se të gjallët, shkruan një filozof. Traditat, fetë, shprehitë që gjindja i quajnë të natyrshme e të vetëkuptueshme janë sajuar nga pararendës historikë. Nga vdektarë të mangët, të cilët janë munduar të sajojnë njëfarë rendi e kuptimi në kaosin e epokës së vet, me ato vegla të cakërruara e të trasha që kanë patur në dispozicion.

Është për të ardhur keq që kemi mbetur nję brezni injorantësh, e nuk dimë të kontestojmë ndjenjat e mendimet tona. Dhe është e frikshme që kjo injorancë na bën të rrezikshëm kundër gjysmës së popullsisë, grave, nëse këto sillen jashtë kornizave të kontrollit tonë.

‘Diçka që më ngacmon, diçka që më pushton, diçka që nuk arrij, diçka që vjen nga ti’

Një prej këngëve më të mira të Grupit Kthjellu, është bashkëpunimi me Alban Skenderajn.

Pjesëmarrëse në Top Fest në Shqipëri dhe fituese e festivalit, kënga ‘Diçka’ ka më shumë se dhjetë vite që është realizuar dhe ende dëgjohet edhe sot.

Një prej komenteve mbi këngën e thotë më mirë realitetin – ‘E dashuroja këtë këngë dhe akoma e dashuroj, është këngë si vera, aq më e vjetër aq më e mirë’.

Kënga ka një tekst fantastik dhe një melodi e cila ka marrë zemrën e shumë shqiptarëve. Po e sjellim sot këngën fituese të Top Fest 3, në vitin 2006.

Jeta e përditshme në qytetin e Pejës, viti 1951

Këto fotografi e tregojnë bukurinë e Pejës dhe qytetarëve të saj në vitin 1951.

Një kohë tjetër dhe realitet ndryshe për pejanët, fotografitë prezantojnë në rezolucion më të mirë pamjen e Pejës dhe përditshmërinë e qytetarëve atje, në kohën e Jugosllavisë.

Peja gjithmonë ka qenë e njohur për malet dhe për tregun e saj të larmishëm me produkte ushqimore, siç dëshmojnë edhe këto fotografi.

Mbrëmja me Erza Muqollin do të mbahet në Bibliotekën Universitare në Prishtinë

Me datë 30 korrik, e keni mundësinë ta përjetoni një natë të veçantë me vajzën simpatike shqiptare që na bëri krenarë dhe vazhdon të na bëjë krenarë në Francë.

Erza Muqolli, me ftesë nga KultPlus, po vjen me një koncert në Prishtinë.

Ngjarja do të mbahet në ora 20:00, me 30 korrik, në Bibliotekën Universitare në Prishtinë. Kujtojmë se Biblioteka Universitare gjendet pas Bibliotekës Kombëtare.

Lokacioni ku do të mbahet koncerti është ky:

Ngjarja është pjesë e ciklit ‘Ta zbardhi ftyrën’. Hyrja është pa ftesa, pra e lirë për të gjithë adhuruesit e Erzës.

Linditë Ramushi Dushku vjen me librin ‘Asht Gusht’

Vjen për lexuesin vëllimi poetik “ÂSHT GUSHT”, i autores Linditë Ramushi Dushku.

Ky është vëllimi i saj i tretë me poezi.

Autorja shprehet se “Asht Gusht” sjellë në formë vlimi çdo emocion që vargjet brenda këtij teksti flasin, gushti simbolizon vlimin dhe energjinë e vrullshme.

Redaktore e këtij vëllimi poetik është Ilire Zajmi Rugova, e cila me një koment të shpejtë shprehet se, “ata që e duan poezinë e mirë le ta lexojnë vëllimin poetik Asht gusht. Viva la poesia!”

Ky botim pëmbledhë dyzetë poezi të shkruajtura në dialektin geg, dhe vjen si botim nga shtëpia botuese dhe shtypshkronja Lena Grafik, Prishtinë, dhe me katalogim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Duhet të jesh i dehur gjithnjë, zgjidhje tjetër s’ka

|Charles Baudelaire|

Duhet të jesh i dehur gjithnjë. Kjo është e gjitha; zgjidhje tjetër s’ka. Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës që shpinën ta thyen dhe përtokë të lëshon, duhet te jesh i dehur vazhdimisht.

Me se? Me verë, poezi, a virtyt, a ç’të duash. Vetëm dehu.

Dhe nëse ndonjëherë, në shkallët e pallatit zgjohesh, në barin e gjelbër, ndanë një pusete, në vetminë pikëlluese të dhomës tënde, pija të ka dalë, e dehja të ka lënë, pyet erën, valën, yllin, zogun, orën, çdo gjë që fluturon, çdo gjë që rënkon, çdo gjë që rrotullohet, çdo gjë që këndon, çdo gjë që flet…

pyet ç’orë është; dhe era, vala, ylli, zogu, ora, do të përgjigjet: është koha për t’u dehur! Mos u bëj skllav martir i kohës, dehu, dehu papushim! Me verë, poezi, virtyt, a ç’të duash!

1953 në Beograd, shqiptarët e mjeruar e izoluar

Se dikur në Ballkan shqiptarët kanë jetuar mjerueshëm dhe janë shtypur prej regjimit jugosllav dhe shpesh veçmas serb, e tregon edhe historia dhe dokumentet.

Në këtë fotografi në Beogradin e vitit 1953, shihet qartë gjendja e mjerushme e veshjes së Dardan-it, veshjes shqiptare dhe dinjitetit shqiptar.

Shumë Dardanë, shqiptarë me gjak kuq e zi, gjatë kësaj periudhe për shkak të izolimit të Dardanisë dhe gjithçkaje shqiptare nga shteti jugosllav punonin, punë të rëndomta në Beograd për të mbijetuar.

Podgoricë 1951, para se të shkatërrohej qyteti i vjetër shqiptar

Podgorica e vitit 1951 ku duket qartë qyteti i vjetër shqiptar. Historianët modern serb dhe malazez justifikojnë shkatërrimin e qytetit të vjetër dhe vendbanimeve shqiptare duke arsyetuar se janë bombarduar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat ushtarake naziste, me 74 bombardime.

Në këtë foto të 1951 tregojmë të vërtetën me prova të pakundërshtueshme, gjithashtu në fotot e tjera një famije tradicionale shqiptare, babai me dy bijat e tij me veshje tradicionale shqiptare, vajzat me xhubleta po drejtohen nga tregu i qytetit foto e vitit 1953.

Në Shqipëri, pedagogët vazhdojnë të kërkojnë favore seksuale nga studentët

Që prej muajit tetor të vitit 2018 e deri përpara pak ditësh, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka ndërmarrë sondazhin “Të rinjtë luftojnë korrupsionin në arsimin e lartë”.

Në bazë të kësaj iniciative qëndron një anketim që komiteti kreu ndaj 1799 studentëve të universiteteve të ndryshme në vend si “Aleksandër Moisiu” Durrës, “Luigj Gurakuqi” Shkodër, “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe “Ismail Qemali” Vlorë. Pjesa më e madhe e studentëve të anketuar, rezultuan në universitetin Aleksandër Moisiu, në Durrës me 28.57 përqind të totalit.

Përgjithësisht studentët i përkisnin 3 viteve të studimit në sistemin Bachelor. Ndërsa, lidhur me gjininë e të anketuarve, evidentohet se pjesa më e madhe e tyre ishin vajza me një numër prej 79.43%, ndërsa 20.57% studentëve ishin djem.

Komiteti u shpreh se anketa është kryer duke u mbështetur në disa pika kryesore, prej të cilave ka dalë në pah prezenca e korrupsionit në universitete. 

Një tjetër shqetësim i madh që është konstatuar në këtë anketë, është se pedagogët kërkojnë favore seksuale nga studentët. Konkretisht rreth 25% e studentëve (ose 1 në 4 studentë) të anketuar referuan se kanë qenë subjekt i kërkesave apo presioneve për favore seksuale nga pedagogët në këmbim të notës. Ndërkohë që gjysma e studentëve referojnë problematikën e mos respektimit të afatit të deklaruar për të marrë përgjigje lidhur me dokumentacionin që ata kanë kërkuar.

Nga anketimi rezulton se studentët e shohin vetën rezistencë ndaj fenomeneve korruptive dhe besojnë se mund mbështeten tek instancat e larta të universitetit si Dekani dhe Rektori, ndërkohë që Media zë vendin kryesor, për reagimin ndaj korrupsionit.

‘Se lodër s’është kjo jeta ime, prandaj lehtë nuk ua dhuroj’ (VIDEO)

Alberije Hadergjonaj, në repertorin e krijimtarisë së saj numëron plot këngë të mira e të realizuara.

Këngëtare aktive dhe me një paraqitje gjithmonë të veçantë, para shumë vitesh Alberija do të realizonte një këngë të mahnitshme.

“Jeta nuk është lodër” u këndua në Festivalin e fundvitit në TVSH në Shqipëri.

Një tekst shumë i shkrirë është puthur shumë mirë me zërin e Alberijes për një këngë që i këndon dashurisë dhe lëndimit.

Po e kujtojmë këtë këngë si shumë të tjera që në këtë kohë erdhën si surprizë në tregun e këngëve shqipe. / KultPlus.com

Autostrada Biennale diskuton për lëvizjet artistike në Ballkan

Xhemile Hysenaj

Sot, në ambientet e Hamamit të vjetër të Prizrenit u mbajt konferenca e dytë me radhë në kuadër të organizimit “Autostrada Biennale”.

Në këtë objekt të njohur të qytetit u diskutua për lëvizjet artistike në Ballkan dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Panelistët Nemanja Cvianoviç nga Kroacia, Vladan Jeremiç nga Serbia, Tomasso Pincio nga Italia dhe Milan Zivkoviç nga Maqedonia e Veriut, bënë një diskutim dyorësh nën moderimin e Hajrullah Çekut.

“Në Kroaci gjatë viteve të 90’ta, shumë punëtorë kulturorë kanë përdorur mënyrat e zhvillimit artistik për të vazhduar aktivizmin majtist” ka thënë Nemanja Cvianoviç.

“Kanë bërë shumë revista kundër paradigmës dominante. Askush nuk ka qenë i përfshirë me politika të drejtëpërdrejta” ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Vladan Jeremiç ka elaboruar problemin e raportit mes politikës dhe artit.
Ai ka ngritur pretendimin se arti nuk duhet ta arsyetojë vetveten.

“Mund të punosh pa menduar për politikë por politika asnjëherë nuk harron të mendojë për ju”. Artisti serb e ka mbyllur mendimin e vet me frazën e njohur se në ballkan ‘’gjithçka është politike”.

Tregimi ballkanas në anën tjetër, pretendohet se ka pasur ndikim prej literaturës europiane. Këtë pretendim e ngriti panelisti tjetër, artisti i njohur italian Tomasso Pincio. Ai ka folur gjithashtu për stereotipet masive që kanë ekzistuar në Europë para se këta të fundit të kishin mundësi ta lexonin letërsinë ruse dhe të bindeshin se rusët nuk janë barbarë por dinë të prodhojnë letërsi të bukur.

Me kaq u mbyll pjesa e parë e debatit, për t’i lënë udhë pjesës së dytë e cila ishte shumë më dinamike dhe interaktive duke marrë parasysh edhe angazhimin nga audienca.

I quajtur “Inovation as (R)evolution”, edhe ky debat gjeti vend në të njejtin objekt historik.

Në këtë debat morën pjesë Frank Hantke nga organizata Friedrich Elbert Stiftung (FES), që është edhe mes mbështetësve të organizmit, Giacinto Di Pietrantonio nga Italia e Bujar Ejupi nga MEISTER. Debati u moderua nga Besa Luzha.

Frank Hantke nga FES argumentoi se mentaliteti i prindërve shqiptarë që duan që fëmija i tyre të studiojë me çdo kusht është shumë dekurajues për ata fëmijë që në rrethana normale nuk do të përcaktoheshin për studime por për aftësime profesionale joakademike.

Ai si në shaka tha se ishte më i lumtur kur ishte automekanik sesa kur ndiqte studime për t’u bërë trajnues profesional. Në anën tjetër, Bujar Ejupi nga MEISTER, shpjegoi sesi ndërmarrja e tij tani është kthyer edhe në një pikë rekrutimi për të interesuarit që duan të aftësohen në drejtime profesionale joakademike, si p.sh. instalimi i ashensorëve. Interesimi i tyre, sipas Ejupit, është megjithatë i vogël.

Ky aktivitet kulturor, pjesë e “Bienales”, është një organizim që ka tërhequr mjaft vëmendjen e opinionit kulturor kosovar. / KultPlus.com

Shqipëria konfirmon pjesëmarrjen në Eurovizion

Shqipëria do të jetë pjesë e Eurovizionit në vitin 2020-të.

RTSH sot ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e vitit tjetër të Eurovizionit, edicion që do të mbahet në Holandë.

Gara për Festivalin e RTSH-së po vazhdon të jetë e hapur ndërsa si gjithmonë, kënga triumfuese shkon në Eurovizion për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët, edhe ata nga Kosova të cilëve padrejtësisht spo u lejohet pjesëmarrja si shtet në këtë garë, shkruan KultPlus.

Deri sot, 27 shtete kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Eurovision Song Contest 2020.

Rezultatet më të mira për Shqipërinë në Eurovizion i kanë arritur Rona Nishliu, Anjeza Shahini dhe Eugent Bushpepa.

Këtë vit, Jonida Maliqi përfaqësoi shqiptarët në Eurovizion duke depërtuar në finale dhe duke qenë ndër këngët më të pëlqyera dhe paraqitjet më dinjitoze shtetërore. / KultPlus.com

KultPlus sjellë Erza Muqollin në Kosovë, të pranishme edhe mediat nga Franca

Me datë 30 korrik, duke filluar prej orës 20:00, vajza simpatike Erza Muqolli me ftesë nga gazeta e parë shqiptare online dedikuar tërësisht artit dhe kulturës, do të jetë mysafire e një koncerti madhështor në Prishtinë.

Mbrëmja do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ku Erza do të performojë por edhe do të jetë pjesë e një bisede artistike.

Mehmet Muqolli, menaxheri i Erzës ka konfirmuar se edhe mediat nga Franca kanë shprehur dëshirë ta përcjellin Erzën në këtë rrugëtim i cili është pjesë e turneut të Erzës.

Kush e ka dëgjuar Erza Muqollin në performancat e saj, duhet patjetër të vijë e të jetë pjesë e koncertit. Nuk ka nevojë për bileta apo ftesa, hyrja është e lirë për të gjithë ata që e duan artin dhe kulturën, Erzën dhe karizmën e saj muzikore.

KultPlus ju fton të gjithëve në këtë mbrëmje.

‘Vrisni 1 serb dhe ne do t’i vrasim 100 muslimanë’

Pikërisht me 20 korrik të vitit 1995, urrejtja e politikanëve të Serbisë vazhdoi me eskalimin e radhës.

“Vrisni 1 serb dhe do ti vrasim 100 myslimanë” ishte thënie e famshme dhe e tmerrshme e Aleksandar Vučić, asokohe sekretar i Partisë Radikale ndërsa sot President i Serbisë.

Dje nëpër rrjete sociale ka qarkulluar videoja kur Vučić e thotë këtë fjali në një kohë kur në Bosnje nisi lufta e inicuar pikërisht prej Serbisë.

8372 persona janë vrarë vetëm gjatë disa ditëve të korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë! Numri i viktimave në Bosnje ka qenë shumë më i madh- mbi 100.000 të vrarë. Ky fjalim e tregon se deri ku shkoi urrejtja e serbëve për boshnjakët dhe për ata që ishin myslimanë. Fjalimi u mbajt në Parlamentin e Serbisë.

Vučić asnjëherë nuk ka kërkuar falje për këtë fjalim apo edhe për krimet që shteti serb i ka kryer në Bosnje.

Në Prijedor, dje u varrosën edhe viktimat e pafajshme të luftës së vitit 1992, duke u hapur kësisoj plagë nënave dhe familjarëve të Bosnjës që humbën më të dashurit e tyre në Srebrenicë, por edhe në Sarajevë dhe në tërë Bosnjën. / KultPlus.com

Vdekja ka me ardhë me sytë e tu

Cesare Pavese / Përktheu Blega Sheholli

Vdekja ka me ardhë e ka m’i pasë
sytë e tu-
kjo dekë që na shoqnon 
prej mëngjesi deri n’mbramje, e pagjumë,
e shurdhët,
si nji pendsë e moqme,
a nji ves qesharak.
Sytë tu kanë me u bâ fjalë pa vlerë,
kanë mu ba vajtim i lâmë n’gjysmë, a veç heshtje.
Ja çka sheh ti çdo mëngjes kur je vet, e i afrohesh pasqyres!
Oj shpresë e çmueshme,
veç at’ ditë kemi me marr vésh’ se ti 
je vet’ jeta dhe s’je asgja.

Vdekja e ka nji f’tyrë për të gjithë.
E vdekja ka me ardhë 
e ka m’i pasë sytë e tu.

Disa projekte kinematografike shqiptare pranohen në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Festivali i Filmit në Sarajevë sot ka shpallur programin e filmave garues.

Prurje të rëndësishme filmike do të jenë pjesë e festivalit që mbahet në Sarajevë prej 16-23 gusht.

53 filma do të garojnë për ‘Zemrën e Sarajevës’.

Samir Karahoda

Në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë konkurron edhe regjisori Florenc Papas me filmin ‘Derë e hapur’ – bashkëproduksion mes Shqipërisë, Italisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Në kategorinë garuese për filmat dokumentarë, filmi i Samir Karahodës “Në Mes” do të jetë njëkohësisht edhe premierë në Bosnjë.

Aktori Alban Ukaj vjen në festival në cilësinë e regjisorit, me filmin “Jama”, premierë botërore, ndërsa regjisori Erenik Beqiri me filmin “The Van” është poashtu pjesë e garës kryesore në kategorinë e filmave të shkurtër.

Në 16 vitet e festivalit rreth 700 filma janë shfaqur në kategorinë e filmave garues.

Edicioni i radhës i Sarajevo Film Festival e bën më të rëndësishëm festivalin pasi ai bëhet festival me të drejtë nominimi për ceremoninë Oscars, dhe organizohet nën patronazhin e UNESCO-s. / KultPlus.com

Krahas pengesave, gratë kanë sukses në artin dhe kulturën shqiptare

Gratë në Kosovë janë lidere në fushën e filmit, shembull, edhepse gjithmonë të paragjykuara për zgjedhjet dhe prioritetet e tyre në jetë.

Madje, edhe komuniteti artistik i cili supozohet të jetë komunitet më i bashkuar në Kosovë dhe më përkrahës si tërësi, ka probleme qenësore në përkrahjen dhe mbështetjen ndaj grave të cilat sot krijojnë dhe janë pjesë e jetës kulturore në vend.

Kjo ishte tema e diskutimit sot në panelin e zhvilluar gjatë festivalit Prishtina International Film Festival, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Europe House, brenda ciklit ‘EU Gender Talks – Sepse ne bëjmë ndryshimin’.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit, tregoi se gratë gjithmonë kanë kontribuuar në artin dhe kulturën e vendit.

“Unë në vitin 2003 e kam themeluar kompaninë e PR-it, gjithmonë në bashkëpunim me Fatosin – bashkëshortin tim i cili e ka kuptuar aftësinë time si lidere dhe më ka përkrahur në zhvillimin e saj. Ai veç ma ka lejuar hapësirën që unë të jem vetvetja. Sot, madje edhe në PriFest, më shumë se 70 % e stafit janë gra të cilave u është dhënë mundësia të jenë pjesë e ngjarjes” tregon Vjosa, shkruan KultPlus.

Flutra Zymi, aktore, tregoi se jeta e artit dhe kulturës në Kosovë ka probleme edhe prej ndasive politike dhe presionit që vjen nga politika.

“Është një komunitet që shpesh funksionon me atë pjesën ‘kush e njeh kënd’, plus ka edhe seksizëm me të cilin duhet të ballafaqohemi. Unë kam dy fëmijë dhe shpesh nuk ka qenë e lehtë të vazhdoj jetën si artiste krahas edhe angazhimeve familjare, por mendoj se një senzibilizim brenda vetë grave në komunitetin artistik në vend do të ishte ndihmesë dhe përparim” tregoi gjatë tryezës diskutuese Flutra.

Zana Hoxha Krasniqi nga FemArt, Rreze Kryeziu Breznica – ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe artiste të tjera diskutuan në faktin se sa mund të depërtojnë gratë në botën e artit dhe kulturës në Kosovë dhe cilat janë problemet kryesore me të cilat ato ballafaqohen.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Reyes Charle – Këshilltare Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com

Erza Muqolli këndon para 40 mijë të pranishmëve në Francë (VIDEO)

Erza Muqolli po vazhdon me sukseset e saj në fushën e muzikës.

Vajza shqiptare e cila në Francë tanimë është ndër fëmijët që merr vëmendjen më të madhe të mediave dhe publikut me projektet e saj muzikore, ka qenë e pranishme në Radio Scoop Music Tour 2019.

Koncerti më i madh veror në Francë këtë vit ka mirëpritur Erzën dhe artistët e tjerë të njohur si Francë, si Bilal Hassani, Mika, Danke, Clara Luciani e artistë tjerë.

Erza, 13 vjeçare, ka kënduar para 40 mijë të pranishmëve në koncert, këngën e saj “Je chanterai” dhe versionin e saj të “Back to black” nga Amy Winehouse. / KultPlus.com

‘Ti nuk je’ Erzana Berisha

Një këngëtare e njohur e viteve 90-të e cila e pauzoi muzikën, por duke lënë shumë gjurmë.

Pjesë e shumë festivaleve shqiptare në Maqedoni dhe në vende të tjera, Erzana Berisha me jo shumë këngë në repertorin e saj edhe sot dëgjohet me ëndje e vëmendje.

Vajza e artistit Agron Berisha, Erzana dikur ishte emblemë e një stili të ri muzikor.

Plot këngë të Erzanës kanë mbetur si hite në muzikën shqipe, por sot po e kujtojmë “Ti nuk je ai”.

Erzana sot jeton jashtë trojeve shqipfolëse por na ka lënë këngët e saj dhe kujtimin e një vajze e cila po të vazhdonte angazhimin në muzikë, do të arrinte shumë. / KultPlus.com

Profesori Hamiti: PDK fajtore për mbylljen e universiteteve publike

Profesori universitar, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas vendimit të Këshilli Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin institucional të Universitetit publik të Mitrovicës, Universitetit të Pejës dhe Universitetit të Prizrenit.

Ai ka thënë që iniciativa për hapjen e këtyre universiteteve që në fillim ka qenë politike.

“Një sërë universitetesh politike janë ngjizur në Kosovë si skema politike, në stinë elektorale, në radhë të parë nga PDK-ja, partia pushtetare e ‘Dekadës sē vjetër’ që po e synon edhe ‘Dekadën e re’. Premtohej hapja e tyre siç premtohet në fushatë asfaltimi i një rruge fshati. U bënë për vota”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij një politizim i tillë ka ndikuar që sot këtu universitete të mos i plotësojnë standardet europiane.

“Militantët partiakë u bënë profesorë, dekanë e rektorë, siç u pa edhe në këto ditë vere. Tash  u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare”, ka shkruar tutje ai.

Tutje Hamiti ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në kolegjet private.

“Një pjesë e konsiderueshme e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale. (Pagesa është kusht, por jo provimi pranues për t’u regjistruar në këto ente, ta zëmë.) Edhe rënia e tyre është e paevitueshme. Është kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë”, ka theksuar ai.

Sipas tij duhet të ndëshkohen me votë të gjithë ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.

“Duhet të bjerë Qeveria, ndërsa promovuesit e skemave të ndyra politike-piramidale në arsim të ndëshkohen me votë. Këta që janë në pushtet tash e kanë katandisur Kosovën keq në të gjitha fushat”, ka theksuar ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

115 vite nga vdekja e Anton Çehovit

Sot, 15 korrik 2019, shënohen 115 vite nga vdekja e Anton Çehovit, shkrimtar dhe dramaturg i njohur rus i cili konsiderohet edhe si njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota.

Anton Pavlloviç Çehovi lindi më 29 janar 1860 e vdiq me 15 korrik 1904.

Ishte fizikan, dramaturg dhe autor rus i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Karriera e tij si dramaturg përfshin katër klasike dhe tregimet e tij të shkurtra më të mirat janë mbajtur në vlerësim të lartë nga shkrimtarët dhe kritikët. Çehovi kreu praktikën për doktor medicinal jashtë karrierës së tijː “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, “dhe letërsia është e dashura ime”.Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër.

Çehovi hoqi dorë nga teatri pas çastit të marrjes së shkatërrimit të veprës “The Seagull” në vitin 1896, por vepra u gjallërua për të bërë bujë në vitin 1898 nga Teatri i Moskës “Constantin Stanislavski,” e cila më pas prodhoi edhe veprën tjetër të Çehovit “Uncle Vanya” dhe dha premierë dy dramat e tij të fundit “Three Sisters” dhe “The Cherry Orchard”. Këto katër vepra paraqesin një sfidë për aktorët ashtu edhe për audiencën, sepse në vend të veprimeve konvencionale Çehovi ofron një “teatër të humorit” dhe “një përmbytje të jetës në tekst”.

Çehovi e pati tregimin e tij të parë vetëm për përfitime financiare, por me rritjen e ambicies artistike, ai bëri inovacione formale të cilat kanë ndikuar në evolucionin e tregimeve të shkurtra moderne. Ai nuk kërkoi falje për vështirësitë që paraqiste për lexuesit, duke insistuar se roli i një artisti ishte të bënte pyetje, jo të jepte përgjigjje! / KultPlus.com

Në Soma u hap sot Pazari i objekteve të pazakonta

Në Prishtinë, në Soma Book Station, sot ka nisur dita e parë e Pazarit të Objekteve të Pazakonta.

Gjëra antike, orë të ndryshme, libra nga Libraria Dukagjini, fotografi të printuara të realizuara nga Alban Nuhiu, çanta, figura të ndryshme dekoruese për shtëpinë tuaj, qafore e shumë gjëra të tjera mund t’i gjeni në këtë pazar, i cili u hap sot.

“Pazari do të mbahet sot, të martën e të mërkurën, prej orës 12:00 deri në orën 20:00. Ideja është që të përkrahen këta artistë, pasi ne u japim vetëm hapësirën dhe të gjitha fitimet nga shitjet shkojnë për vetë artistët” tregon për KultPlus Nol Shala prej Soma Book Station.

Hapësira në oborrin e Soma është mbushur me plot objekte të pazakonta, objekte të bukura ku secili prej nesh mund ta gjejë veten dhe shijen personale.

Pazari do të mbahet edhe gjatë muajit gusht, në tri data gjatë fundit të këtij muaji.

“Është në interesin tonë që skena kulturore dhe artistike në vend ta ketë një stimulim dhe arsye më shumë për punë” tregon Noli.

Është Gresa Lahu ajo e cila është një prej artisteve që po e ekspozon punën e saj këtu, nën emrin “Clay for the soul”.

“Këtu i kam në zbritje disa prej punimeve që i realizoj vetë, janë punime punëdore nga qeramika dhe të personalizuara, me ngjyra e motive të ndryshme. Janë dy lloje të qeramikës, ajo që pjeket është me dhe të Skenderajit. Unë e përpunoj vetë mellën dhe i jap forma të ndryshme. Çmimet janë prej 3-5 euro” tregon Gresa.

Pazari i Objekteve të Pazakonta vazhdon të jetë i hapur me çmime modeste, për ata të cilët duan të blejnë objekte të ndryshme, të bukura, më të vjetra por funksionale dhe të cilat meritojnë vendin në hapësirat tuaja të preferuara. / KultPlus.com

Peja, Prizreni dhe Mitrovica mbeten pa Universitete Publike

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, përsëri me gjashtë vota pro u votua raporti i ekspertëve, në të cilin gjithashtu rekomandohet që të tërhiqet akreditimi institucional për këtë vit akademik.

Ndaj vendimeve të KShC-së të tri Universitetet Publike të cilave iu tërhoq akreditimi kanë të drejtën e ankesës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Edhe për Universitetin e Prizrenit me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së votoi raportin negativ të ekspertëve, në të cilin është rekomanduar që t’i tërhiqet akreditimi institucional. / Kallxo.com

‘Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun’

Anton Pashku: Poema simfonike, 1958

Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun
ne shkretinën e paanë të vetmis.
Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes…
Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte
plot valë.
Stuhi! Stuhi…

N’at barkë lundronte nji zemër, zemër …
Stuhi…Barka hepohet, barka anohet…
Barka dhe vala…
Ej, oj…Zemra mbi barkë…
Stuhi…

Vala mbi barkë e zemër…
Oj…Zemra u fundos…
Ej, mbi det nji deshirë…
Ah…Valet e muerën…