Vdekja shokuese e Kobe Bryant në një aksident me helikopter është parashikuar 4 vite më parë në një episod të serialit vizatimor “Legends of Chamberlain Heights”.
Komedia tregon bëmat e disa shokëve gjimnazi që janë rezerva në skuadrën e basketbollit të shkollës, por që duan me të gjitha mënyrat që të bëhen të famshëm.
Në këtë episod, që është hequr nga faqja e internetit Comedy Central, tregohet ish-basketbollisti që përplaset me helikopter. Me Bryant që shtrëngon trofetë e kampionit në duar, helikopteri shpërthen në flakë.
Episodi quhet “End of Days” dhe është shpërndarë nga tifozët pas lajmit të hidhur të vdekjes së legjendës së Los Angeles Lakers.
Comedy Central njoftoi në Twitter se do ta fshijë episodin nga faqja.
“Në shenjë respekti për Kobe Bryant dhe familjen e tij, do të heqim klipin e tij dhe ju kërkojmë që të mos e shpërndani”, thuhet në komunikatë.
Është konfirmuar pjesëmarrja e Arilena Arës në Eurovision in Concert.
Përfaqësuesja shqiptare në Eurovizionin e vitit 2020 do të
jetë pjesë edhe e Eurovision in Concert, spektaklit që mbahet para Eurovizionit
por shërben si ngjarje promovuese e këngëve.
Në Amsterdam, me 4 prill, Arilena Ara do të performojë edhe këngën “Shaj”, me të cilën e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH dhe me të cilën do ta përfaqësojë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në Eurovizion.
Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të parë performancën e parë të Arilenës para fansave evropianë, pasi fitoi në TVSH.
Deri në muajin prill do të dihen gati shumica e këngëve pjesëmarrëse
në Eurovizion dhe garat pritet si zakonisht të jetë e fortë, shkruan KultPlus.
Arilena megjithatë është vokal i fuqishëm dhe pritjet e shqiptarëve janë të mëdhaja.
Eurovizioni i 65-të me radhë do të mbahet me 12,14 dhe 16 maj të këtij viti në Roterdam të Holandës.
Arilena Ara do të jetë përfaqësimi i 17-të me radhë i Shqipërisë në Eurovizion. Shqipëria ka debutuar në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2004. / KultPlus.com
(Në qoftë ky njeri – Primo Levi, përkthyer nga Arbër Zaimi). Primo Levi ishte shkrimtar i madh, i shpëtuar nga Holokausti. Sot bota kujton më shumë se kurrë Holokaustin – gjenocidin e madh dhe krimin e madh ndaj hebrenjve.
“Ju që jetoni të sigurtë Në shtëpitë tuaja të ngrohta Ju që kur ktheheni në mbrëmje gjeni Gjellë të nxehtë e fytyra të dashura Mendohuni pak, a është vallë burrë ky Që punon në baltë, Që kurrë s’njeh prehje, Që lufton për gjysmë cope bukë, Që vdes për një po a për një jo.
Konsideroni a është vallë grua kjo Pa flokë e pa emër, Pa forcë për të mbajtur mend, Të zbrazët sytë, të ftohtë mitrën Si një zhabë gjatë dimrit.
Mendohuni mirë pra, sepse këto kanë ndodhur: Jua urdhëroj këto fjalë T’i skalitni në zemrat tuaja Kur jeni në shtëpi apo kur ecni nëpër rrugë Duke u shtrirë apo duke u çuar; Përsëritjani bijve tuaj. E nëse s’e bëni, ju rrënoftë shtëpia, Ju lëntë në vend sëmundja, Pjella e juaj jua marrtë fytyrën.”
Futbollisti senegalez Sadio Mane u përqesh nga disa fansa të tij por edhe të tjerë, për faktin se u fotografua me një telefon me xham të plasaritur.
Meqë shoqëria nuk e duron faktin që një i famshëm të ketë
diçka të shkatërruar apo të rëndomtë, dukuri kjo e tmerrshme, Mane e pati një përgjigjje
për këto ‘sulme’ ndaj tij.
“Pse makina luksoze, orë diamanti apo aeroplanë? Çfarë do të bëjnë këto objekte për mua dhe botën? Isha i uritur dhe duhej të punoja. I mbijetova kohëve të vështira. Kam luajtur futboll zbathur. Nuk kisha edukim. Me atë që fitoj falë futbollit, mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Unë ndërtova shkolla dhe një stadium. Ne ofrojmë rroba, këpucë dhe ushqim. Në rajonin tim të origjinës në Senegal, dërgoj një pagë shtesë prej 70 euro në muaj për të gjithë ata që kontribuojnë në familjen e tyre. Nuk kam nevojë të ekspozoj makina luksoze, shtëpi luksoze, udhëtim madje me aeroplanë. Preferoj që njerëzit e mi të marrin disa nga ato që mua më ka dhënë jeta.
Kësisoj u përgjigj kritikave 27 vjeçari nga Sedhiou i Senegalit, i cili thuhet se ka një pasuri prej 18 milion dollarësh, shkruan KultPlus.
Ai momentalisht luan për Liverpool dhe për kombëtaren e Senegalit. Padyshim ai është një ndër futbollistët më të mirë në botë. / KultPlus.com
Një personalitet si Gazmend Zajmi duhet kujtuar gjithmonë.
Zajmi lindi në qershor të vitit 1936 në Krumë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin Juridik dhe shkallën III të këtij fakulteti (drejtimi juridik-politik) i mbaroi në Beograd.
Mbrojti disertacionin e doktoratës më 1972 në Fakultetin e
Shkencave Politike të Beogradit me tezën: Mbrojtja dhe trajtimi
kushtetues-juridik i gjuhëve të pakicave kombëtare në Evropë në mes të dy
luftërave botërore.
Pas kryerjes së fakultetit, tre vjet ushtroi detyrën e gjykatësit dhe të kryetarit të Gjyqit të Rrethit të Prizrenit, mandej, me themelimin e Fakultetit Juridik të Prishtinës, më 1961, u zgjodh asistent i këtij fakulteti për lëndën E drejta kushtetuese.
Që prej kësaj kohe, përjashtuar periudha e viteve 1963-1967,
kur qe sekretar i Kuvendit Krahinor të Kosovës, Gazmend Zajmi punoi vazhdimisht
me cilësi pedagogu në Fakultetin Juridik, kryetar i Shoqatës Krahinore të
Pedagogëve Universitarë të Kosovës, prorektor dhe rektor i Universitetit të
Kosovës në Prishtinë. Për rezultatet e tij në lëmin shkencor, pedagogjik dhe
shoqëror – politik u dekorua me Urdhrin e Punës me Kurorë të Artë dhe me
Urdhrin e Vëllazërim-Bashkimit me Kurorë të Artë.
Zajmi ishte pedagog i lëndës Sistemi politik në Fakultetin Juridik dhe i lëndës E drejta kushtetuese në Shkallën III të po këtij fakulteti. Ishte shef i Katedrës së Shkencave Shoqërore-Politike, kryetar i Shoqatës Krahinore të Politikologëve, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shoqatave të Shkencave Politike të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës të së Drejtës Komparative të Jugosllavisë, anëtar i Pleqësisë Federative Juridike, kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës së Rektorëve të Evropës etj. Ishte në detyrën e këshilltarit shkencor në Institutin për Kërkime Juridike të Fakultetit Juridik të Prishtinës.
Gazmend Zajmi ka rreth 30 punime shkencore, nga të cilat katër me karakter monorafik, si dhe është koautor i librit universitar të Universitetit të Beogradit Društveno-politički sistem Jugoslavije. Në këto punime kryesisht trajtohet problematika e pakicave kombëtare, e aspekteve sociopolitike të pozitës së gjuhëve dhe e autonomisë dhe federalizmit. Në këtë fushë është autor i një varg eseve politike, si dhe njëherësh është autor i tre librave komponimesh dhe i dy librave vargjesh në fushën e krijimtarisë muzikore dhe të poezisë. Mori pjesë në një varg simpoziumesh shkencore të vendit dhe ndërkombëtare, si dhe qe anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë Politike në Beograd.
Një karakteristikë që e përben z.Zajmi është se ai ka qenë edhe anëtar i “Shoqërisë Kulturore Agimi” e themeluar në nëntor të vitit 1944 në qytetin e Prizrenit. Ai kishte marrë pjesë në Grupin e Muzikës Zbavitëse si udhëheq i dalluar së bashku me mikun e tij Petrit Nushin. Ku u vlerësohet ndër konbtribuesi më të madh për Shoqërinë Kulturore Agim dhe ishte bërë i njohur në kulturën arstike mbarë shqiptare, shkruan KultPlus.
Vdiq më 10 mars të vitit 1995 në Zagreb. / KultPlus.com
Në këtë punëtori janë përzgjedhur dhjetë të rinj prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë talent në të shkruarit e eseve. . Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e profesoreshës Vjosa Sadriu – Hamiti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të kenë të gatshme nga një ese të cilën do ta lexojnë para publikut në një mbrëmje dedikuar veçanërisht atyre.
Dr. Klaus Wloemer, Oberhünigen dhe Solothurn (Kritikë për librin ‘Zbrazëti’ nga Roland Spahiu)
Kur unë në prill 2018 gjurmova si zakonisht
nëpër librari në Kosovë, papritmas më ra në dorë libri me aforizma i Roland
Spahiut me titullin “Zbrazeti”. Fillova ta shfletoj atë, u ndala në
faqe të veqanta të librit dhe u magjepsa i tëri: Një shkrimtar i ri arriti të i
bënte vend mendimeve të mia duke kursyer mendimet e tij dhe duke hapur kështu
një gjerësi të paimagjinuar të mendimit.
Çelësi për të kuptuar këtë libër të hollë me aforizma është në mes të tij: Në faqen 66 autori pyet me pak fjalë: “A është boshllëku im plotësia ime?” Dhe në dy faqet në vijim gjindet teksti më i gjatë i bashkëngjitur në libër, në të cilin një traktat i shkurtër filozofik flet për agnosinë, kufizimin e njohurive dhe dijeve tona, që kjo agnozi nuk mund të jetë fillimi ose fundi i të filozofuarit. Aty e kemi, përsëri, paraqitjen e broshurës së aforizmit: Mendimet nuk janë mbushur në qoshe dhe faqe të përcaktuara qartë me fillim dhe fund. Ato janë të hapura nga të gjitha anët, lart dhe poshtë, majtas dhe djathtas.
Boshllëku i librit të aforizmave tërheq
vëmendjen edhe nga jashtë: shumica e faqeve janë bosh. Kjo i bën ato pak fjalë
që mund të lexohen në një faqe edhe më kuptimplote. Ka aforizma që nuk lënë
asgjë më shumë për të dëshiruar në veçantinë e tyre, siç është rasti për
shembull në faqen 10: “Ideologjitë janë mendime të ngrira.” Ose në
faqen 53: “Për shkak se njeriu nuk e njeh më turpin, ai jeton në kohën më
të turpshme të historisë së tij.” Tek aforizmat tjera, ne mendojmë se çfarë
nënkuptohet: “Pas shpikjes së fotografisë, njerëzimi është më pak i lumtur.
”(Faqe 12) ose“ Ajo që zbut rrugët është ecja e një gruaje. ”(Faqe 64) Këtu
imagjinohet imagjinata dhe mendimi ynë i mëtutjeshëm.
Roland Spahiu në “Zbrazëtirë” prek
temat e rëndësishme të njerëzimit: dashurinë, shoqërinë, natyrën, përvojën e
jetës, politikën dhe shumë më tepër. Përsëri bëhet filozofik, qoftë në
vërejtjet epistemologjike (“Frika nuk është një gjë që duhet të të
frikësojë.”, Faqe 122), qoftë në referencat etike: “Nuk ka asgjë më
të trishtuar se kur një njeri i mirë fsheh diçka. ”(Faqe 105)
Ata që e lejojnë veten të tërhiqen në
zbrazëtinë e faqeve të libërthit, do të përjetojnë plotësimin që u është
premtuar në formë pyetjeje në faqen 66. Ai do të marrë një mori sugjerimesh të
shpërndara në zbrazëti, nga të cilat mund të marrë ato që i pëlqen veçanërisht
ose që i premtojnë rezultatit të të menduarit. Secili njeri kureshtar, çdo njeri
me vesh të hapur dhe një zemër të hapur nuk do të mbërrij lehtë në fundin e kësaj
buqete aforizmash!
Filmi i Arbërore Sylaj “Tyrbja e Çikave” tregon një histori për të mbinatyrshmen, ritualet dhe bestytnitë në frymën dhe ritmin e pulsit të një ëndrre.
“Tyrbja e Çikave” është një lokalitet në Gjakovë, i ndërtuar 400 vjet më parë, i vetmi rast në Kosovë, ku një tyrbe nuk bën shenjtërimin e burrave, por varret e gjashtë vajzave.
“Tyrbja e Çikave” është përmendore historike që dëshmon periudha të rënda nëpër të cilat kanë kaluar femrat shqiptare, nën lakminë e shfrenuar të armiqve të ndryshëm.
Tyrbja e Çikave e vitit 1689
Më 1689, pas vdekjës së gjeneralit austriak Pikolominit, ardhjën e të cilit e priti me entuziazëm popullsia vendëse, komandën e mori Duka i Hollshtajnit, i cili, me sjelljet e tij të shfrenuara, shkaktoi pakënaqësi aq të madhe në popull saqë banorët e Gjakovës e lëshuan qytetin dhe u strehuan në fshatrat malore. Midis të shpërngulurve ishte vëllau i Mehmet efendiut me familjën e tij, i cili e luti të vëllanë ta lëshonin së bashku shtëpinë. Por ai refuzoi.
Të gjashtë vajzat e Mehmet efendiut u vranë nga ushtarët dhe oficerët austriakë, duke mbrojtur nderin dhe pragun e shtëpisë me ujë të valë, kur po lanin petka, në momentin kur u sulmuan në oborrin e shtëpisë së tyre. Heroizmi i motrave la gjurmë të thella në vetëdijën e gjakovarëve, të cilët i shpallën të shenjta dhe varrezat e tyre i shpallën tyrbe, me të cilën lidhën shumë mrekulli. Edhe një dëshmi materiale që provon autoktoninë e shqiptarëve, të cilët jetonin në tokat stërgjyshore para Spërnguljës së Madhe Serbe më 1690.
Masar Rizvanolli, një historian i njohur në Gjakovë dhe ndër të paktit që ka shkruar për këtë histori, thotë se këto varre kanë një rëndësi të veçantë kulturore, fetare, por edhe historike.
“Heroizimin e çikave të Gjakovës që i përjetësoi popullata e kësaj treve duke iu shndërruar varret e tyre në tyrbe, përmban në vete mesazhe largpamëse për brezin e ardhshëm. Ato kanë shërbyer si burim frymëzimi i rinisë në luftën e tyre çlirimtare kundër pushtuesve të saj sa herë që vendi ishte në rrezik. Çikat dhe gratë e Gjakovës treguan shumëherë heroizmin e tyre sa herë që vendi ishte në rrezik në periudhë të ndryshme të kohës”, ka thënë Rizvanolli. / KultPlus.com
Dikush e kishte pyetur Warren Buffett për sekretin e tij për sukses. Buffett shpalosi një grumbull të librave dhe tha “Lexoni 500 faqe si kjo çdo ditë. Kështu faktikisht funksionon dija dhe kështu ndërtohet ajo. Të gjithë ju mund ta bëni atë, por unë garantoj se jo shumë prej jush do e bënit…”
Kur para dy
vitesh, e gjeta për herë të parë këtë thënie të Buffettit, diçka më dukej se
ishte gabim.
Ishte dhjetori i
vitit 2014. E kisha gjetur punën time të ëndrrave. Për disa ditë rrija i ulur në
karrigen e punës sime të ëndrrave dhe po mendoja me vete, “Zot im, çka
nëse unë do të mbes këtu edhe për 40 vjet? Unë nuk dua të vdes në këtë mënyrë
… “
Diçka nuk ishte në
rregull. E kisha ndjekur recetën e suksesit. Notat e mira. Lideriship.
Rekomandime. Universitet. Punën e ëndrrave. Isha njëfarë fituesi. Arrita pikën që doja. Edhe pse isha në një
territor të ëndrrave, diçka më dukej se ishte tmerrësisht, tmerrësisht e gabuar
aty.
Çdo ditë, nga
tavolina ime e punës së ëndrrave, shikova në sytë e tyre përmes të cilëve shija
veç zbrazëti. Sy bosh dhe të zbrazët.
Nuk po gjeja
përgjigje.
Në janar të vitit
2015, gjeta thënien e Buffett. Vendosa t’i përkushtohem leximit. Do të lexoja
dhe vetëm do të vazhdoja të lexoja dhe nuk do të ndalesha derisa të merrja disa
përgjigje që më preokuponin.
Nuk i kam lexuar
500 faqe në ditë, por në këto dy vitet e
fundit, kam lexuar mbi 400 libra që nga fillimi deri në fund. Realisht, ky
vendim për të filluar leximin ishte një nga vendimet më të rëndësishme në jetën
time.
Librat më dhanë
guximin për të udhëtuar. Librat më binden për të lënë punën time. Librat më
dhanë inspirimin, heronjtë e kuptimin e kësaj bote që mua më mungonte.
Dua të them se të
lexosh 200 libra në vit është një gjë gate e pabesueshme. Por faktikisht nuk është.
Çdokush mund ta bëjë këtë.
Gjithçka që duhet
është një matematikë e thjeshtë dhe mjetet e duhura.
1. Mos e lini para se të filloni
Kur dikush e dëgjon
këshillën “Lexoni 500 faqe çdo ditë”, reagimi i tij i menjëhershëm
është “Në asnjë mënyrë! Kjo është e pamundur! “
Pastaj vazhdoni për
të gjetur arsye për të justifikuar pikëpamjet e tij, pa menduar më thellë. Këtu
përfshihet arsyetimet e tipit, “Jam shumë i zënë”, “Nuk jam
mjaftueshëm i zgjuar”, ose “Librat thjesht nuk janë për mua.”
Por çfarë ndodh
nëse shkojmë pak më thellë? Për shembull, çfarë të kushton në të vërtetë që të
lexosh 200 libra në vit? Para dy vitesh e bëra një kalkulim të thjeshtë lidhur
me këtë dhe rashë në një përfundim se leximi i 200 librave në vit nuk është
aspak i vështirë.
Është ashtu siç
thotë Buffett. Çdokush mund ta bëjë këtë, por shumica e njerëzve nuk e bëjnë
këtë.
2. Bëni një llogaritje të thjeshtë
Sa kohë ju duhet për të lexuar 200 libra në vit?
Së pari, le të
shohim dy statistika të shpejta:
Shumica e
amerikanëve lexojnë 200-400 fjalë në minut (Unë po supozoj që ju lexoni 400
fjalë në minut si unë)
Librat jo-fiktiv
kanë ~ 50,000 fjalë
Tani, krejt çka
ne kemi nevojë janë disa llogaritje të shpejta …
200 libra *
50,000 fjalë / libri = 10 milionë fjalë
10 milion fjalë /
400 fjalë për minut = 25,000 minuta
25,000 minuta /
60 = 417 orë
Kjo është e gjitha. Për të lexuar 200 libra, thjesht shpenzoni 417 orë në vit duke lexuar.
E di edhe pa më
thënë. Nëse truri juaj është si imi, menjëherë po mendoni për “417
orë”-t dhe po mendoni ta lëni fare këtë punë. Shumica e njerëzve punojnë
vetëm 40 orë në javë! Si mund të lexojmë 417 orë?
Mos lejoni që
truri juaj të juaj të ju largojë nga kjo. Le të bëjmë një shpjegim të shpejtë
për atë që çka në të vërtetë nënkuptojnë 417 orë …
3. Gjejeni kohën
Wow, 417 orë. Më
të vërtetë duken shumë. Por çfarë do të thonë me të vërtetë 417 orë? Le të
përpiqemi të shohim në një perspektivë më të zgjeruar.
Ja se sa kohë një
amerikan shpenzon në rrjete sociale dhe duke parë televizion brenda një viti:
608 orë në rrjete
sociale
1642 orë në TV
Uau. Kjo është
2250 orë në vit që kalon në MBETURINA. Nëse ato orë do të shpenzoheshin për të
lexim, ju në fund të vitit do të kishit 1000 libra të lexuar.
Ja e vërteta e
thjeshtë pas leximit të shumë librave: Nuk është kaq e vështirë. Ne kemi gjithë
mjaftueshëm kohë. Pjesa e frikshme – pjesa që ne të gjithë e injorojmë – është
se ne jemi shumë të varur, shumë të dobët dhe shumë të hutuar për të bërë atë
që të gjithë e dimë që është e rëndësishme…
Krejt çka të
duhet për tu marrë më shumë më leximin është
që “kohën që e shpenzon kot” në Twitter ose
duke e shikuar “Desperate Housewives” (Shtëpiaket e dëshpëruara),
t’ia dedikosh leximit.
Teoria është e thjeshtë. Ekzekutimi është i vështirë.
4. Ekzekuto
Të gjithë e dimë
se leximi është i rëndësishëm. Të gjithë e dimë se duhet të bëjmë më shumë. Por
ne faktikisht nuk bëjmë asgjë. Arsyeja kryesore se pse kjo ndodh është për
shkak se ne dështojmë për të vepruar.
As unë s’jam aq i përsosur lidhur me këtë, por më poshtë janë disa taktika që më kanë ndihmuar të arrij rezultate.
I. Përdorni dizajnin mjedisor
Nëse po largoheni
nga kokaina, a do ta mbani atë të shtrirë rreth shtëpisë? Natyrisht jo. Media
është projektuar të jetë një problem i
ngjashëm. Largimi nga varësia e medias mund të jetë po aq e vështirë sa droga.
Nëse dëshironi të
lexoni, sigurohuni që së pari të hiqni nga mjedisi juaj gjithçka që shpërqendron dhe së dyti i bëni librat sa më
të qasshëm.
CHARLES CHU
Unë udhëtoj
shumë. Kjo nuk më ndalon të lexoj. Fotografia në të majtë është e “raft
librash” tim në Tajlandë. Unë përpiqem të mbaj libra kudo, kështu që unë
mund të marr një dhe të filloj leximin.
Fotografia në të
djathtë është desktopi im i smartphone. Vini re se ka vetëm dy aplikacione.
Njëri prej tyre – aplikacioni Kindle – është për lexim. E dyta është për
zakonet … Kjo më sjell në pikën tjetër.
Orhan Pamuk ka
thënë:
Kam lexuar një libër një ditë dhe jeta ime është ndryshuar.
Po të mos kisha
filluar të lexoja, ndoshta do të isha ende në punën time të ëndrrave. Ndoshta
do të isha akoma në tavolinën time, do të kalonin sa më shumë orë dhe do të pyesja veten nëse do të vdisja
kështu …
Nëse po kërkoni përgjigje, jepjani leximit një shans. Ju mund të gjeni shumë, shumë më tepër se çka keni kërkuar./ Quartz/ KultPlus.com
Të gjeta… Mes rreshtave dhe shkronjave, I fshehur mes kujtimesh, Aty isha dhe unë.
Ishim të padukshëm. U pamë në poezinë ku pinim kafe bashkë!
Kafenë që e lamë në gjysëm herën e fundit.
Ishte aroma e kafesë që i thurrnim dikur vargje. Atë kafe që nuk e pimë kurrë! Në kafenenë që i thonim kafeneja e poezisë, që e shihnim vetëm unë dhe ti.
Në kafene ku kishte shumë njerëz e askush nuk na pa…asnjëherë.
I thonim kafeja e mëngjesit, nganjëherë edhe e mesditës por shpeshherë edhe e mesnatës.
Aromë kafeje mes rreshtave që e nuhasnim vetëm unë dhe ti.
Kanë nisur debatet dhe mendimet rreth rastit të Blert Morinës, djalit i cili e fitoi betejën me shtetin duke e ndërruar emrin dhe gjininë e tij.
Reagim i fortë ka ardhur sot nga Armend Ibrahimi, një aktivist i ri dhe i angazhuar edhe në jetën politike, për disa vite pjesë e LDK-së. Ai e ka quajtur rastin si goditje ndaj institucionit familje.
Ky është postimi i tij i plotë huazuar, pa lejen e Ibrahimit, nga Facebook i tij zyrtar.
Armend Ibrahimi (marrë nga Facebook)
Rasti i Blert/a Morina dhe përdhosja e identiteteve gjinore të Qytetarëve të Kosovës
Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blerta Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në shpërputhje me identitetin e saj gjinor. Pra, emrin nga Blerta ne Blert, dhe identifikuesin e gjinisë, nga F (Femër) në M (Mashkull).
Nuk besoj dikush prej nesh të ketë problem me atë se si dikush ndihet për veten, synojmë ta lëmë të lirë secilin që të ndihet si të dojë për veten e tij, madje edhe për të tjerët, nuk është kjo çështje ndjenjash!
Nëse dëshiron ajo, Shteti mund ta thërras apo ta regjistroj si Ganimete, apo Gani, apo Blert, sido që të dojë. Nuk është problemi se çfarë emri ta kane zgjedhur, apo e zgjedh për veten.
Papajtueshmëria qëndron te fakti se e vërteta natyrore është më e rëndësishme se ndjenjat e dikujt për fenomenin. Njoh qytetarë të Kosovës që do të donin të ishin më të gjatë, njoh të tjerë që do të donin të ishin më të shkurtë. Nuk duhet tash ta pyesim secilin se sa CM dëshiron të ta shkruajmë se je i gjatë në dokumentet e identifikimit (apo se cfarë ngjyre i ke sytë). Ne rastin e gjinisë, kur të lindesh, mjekët të identifikojnë dhe të regjistrojnë.
Pra, secili ka të drejtë ta ketë opinionin e vet personal, por nuk mundet që secili të ketë faktet e veta personale, sepse natyra e fakteve kërkon që të mund të verifikohen edhe nga burime të tjera. Imagjinojeni një situatë kur Meshkujt e ndërrojnë gjininë dhe bëhen Femra për t’u futur në ligën e femrave të Futbollit apo Basketbollit (me demek për tu integruar). Është diskriminim i të dy palëve!
Kur flasim për vlerat, me këtë dhe shumë veprime të tjera Republika e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë sulme të vazhdueshme në Familjen si institucion, vlerë për të cilën karakterizohet Populli ynë.
Madje Gjykata duke i ‘bërë’ të pavërtetat – të vërteta natyrore (pra, duke thënë se Femra mund të bëhet Mashkull dhe Mashkulli – Femër), bënë sulm në të drejtat e njeriut, madje edhe atyre që ende nuk janë, njeriut që do të vjen në jetë, apo atyre që sapo kanë ardhur.
Nga fillimi rasti është dashur të trajtohet si kërkesë për ndryshimin e emrit, gjinia nuk ndryshohet, gjinia nuk prodhohet, është kategori natyrore, është fenomen i matshëm biologjik. Madje edhe Darvini i kishte identifikuar dy gjini, edhe tek Njeriu edhe tek Majmunet.
Teknikisht, ky është një rast me të cilin lejohet falsifikimi i dokumentit identifikues. Faktikisht është cenim i identitetit të më shumë se Milion qytetarëve të Kosovës.
Problemi qëndron se ata që duhet ta kryejnë punën e tyre nuk e kryejnë, e ata që duhet ta ngritin zërin në këto raste, nuk flasin.
Tash duhet të jap përgjegjësi Avokati i Popullit, duhet të flas Myftiu i nderuar Naim Ternava, i nderuari Ipeshkvi ynë Dodë Gjergji. Apo nëse doni ua sjellë një Rabin të nderuar nga Jerusalemi, madje edhe një liberal të shquar nga bota perëndimore.
Shpresoj në mirëkuptimin e kujtdo qe mendimi im apo faktet qe ua solla, ua lëndojnë ndjenjat (pavarësisht gjendjes së tyre mentale). Unë besoj se secili individ i gjallë duhet të trajtohet me dinjitet, pra nuk është kjo çështje e Blertit apo Blertës, por e të vërtetës, veçanërisht kur personalja behet politike!
Frati françeskan shqiptar, i njohur për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, ishte deklaruar edhe për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
At Zef Pllumi, i cili kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë: “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.
Pllumi ishte një prej burrave më me ndikim në ideologjinë fetare ndër shqiptarë. Ai është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com
Sihana Shalaj është një vajzë nga Prishtina e cila veç sa ka nisur karrierën e saj të suksesshme.
Ajo po merr pjesë në sfilata të ndryshme të modës në Evropë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e ngjarjes së madhe të Fall-Winter 2020 nga Matthewn Williams.
Shalaj ka defiluar dhe është fotografuar krahas fotomodelës së njohur Bella Hadid, shkruan KultPlus.
Sihana është pjesë e IMG Models Worldwide, agjenci e modës e cila përkujdeset që vajzat të sfilojnë në metropolet e modës, nga Nju Jorku në Paris, nga Londra në Milano, nga Sidnei në Los Angeles. Sihana, sa ishte në Kosovë – ishte një prej muzave të kreatores Venera Mustafa, ndërsa tash ajo jeton më shumë jashtë Kosovës shkaku edhe i angazhimeve me fotografi dhe me sfilata mode.
Mundet me u dukë se ky djalosh i fotografuem në vitin 1920 (në foton e parë) asht fotografu për shkak të pamjes dhe veshjes së tij të mrekullueshme shqiptare. Por nuk asht ashtu. Ky asht një djalë që i ka dijtë pesë gjuhë të ndryshme dhe nuk ka qenë në shkollë as edhe një ditë të vetme. Krejt këto gjuhë i ka mësu prej babës së tij, kryetar i bashkisë së Tiranës. Kryqi i Kuq Amerikan e ka punësu si përkthyes dhe lajmës. Emni i tij nuk përmendet në fotografinë e publikueme (teksti anglisht ma poshtë), por me sa arrijta me gjetë, ky djalosh quhet Shefqet Ndroqi, djali i Ismail Ndoqit, i cili ma vonë studioi mjekësinë në Sorbonë (Francë) dhe u ba pneumolog dhe themelues i pneumologjisë shqiptare. Nipi i tij, Zamir Ndroqi, sot asht po ashtu mjek ne Spitalin Amerikan.
“A youthful linguistic protege. This Albanian boy, a type of the better class speaks five different languages. He is employed by the American Red Cross relief workers as an interpreter and messenger. The boy never went to school, but was taught by his father, the prefet of Tirana, who was graduated from the American College at Constantinople.”
(American National Red Cross photograph collection)
Ti je ajër. Ujë. Zjarr. Lindje. Zgjim. Rritje. Prania yte plotësim dëshirash përditë më të bukura. Nga dashunia ditën të lumtur e shkreh. O, dashuni e të gjitha dashunive! Shtylla e majtë e portës kryesore. Streha që t’strehon n’rrugë qorre kur t’zë nata. Shi kur bie, e dielli mos me t’djegë. Bërrulash, gjunjësh përgjkesh tu u katrrithë nëpër therra. As sosesh. Feniks digjesh prapë rilindesh. E fal, veç dashuni fal. Prej ballit deri n’thembra edhe kur pikëllimi shputat t’i zvogëlon. Syve që strehë u bën vesa n’çepallë. Diellin ua qëndisë mes vetullash. Grua! Oh, Grua! Ti, që na do ende pa u lindur. Ti, që na kërkon saherë humbim rrugën e kthimit në shtëpi. Ti je vendlindja. Origjina. Përkatësia. Shtëpia e vogël. Fare e vogël, pa mure, pa dritare. Gropë ku groptë mbillet dashunia. Pasha dritat e krejt Botës. Pasha Qiell, Hanë e Diell. N’mua mbillet fara e Tokës.
Oh, sa ndikojnë këto dy fjalë të thjeshta në ngritjen e disponimit të të gjithëve në shtëpi.
‘Erdh babi’ do të thotë që fëmija më i vogël fillon të hidhet poshtë e lart sapo të dëgjojë derën e garazhit duke u ngritur lart. Ai nuk mund të përmbajë gëzimin e tij për të parë personin e tij të preferuar.
‘Erdh babi’ do të thotë që fëmijët e mëdhenj ndalojnë atë çfarë po bëjnë dhe vrapojnë ta takojnë babin te dera, duke ndarë histori nga shkolla dhe duke bërë pyetje për detyrat e shtëpisë.
‘Erdh babi’ do të thotë të ngrihem dhe ta përqafoj burrin tim. Jam shumë e lumtur që ai u kthye në shtëpi.
‘Erdh babi’ do të thotë se ka edhe një tjetër të rritur në shtëpi.
‘Erdh babi’ do të thotë edhe një palë duar tjera të rritura që mund të ndërrojnë pelena ose që mbushin një filxhan qumësht.
‘Erdh babi’ do të thotë që mund ta pyes për ditën e tij dhe t’i tregoj atij për timen.
‘Erdh babi’ do të thotë që mund të gatuajmë darkën së bashku me njëri-tjetrin ose të pimë së bashku një gotë çaj rusi.
‘Erdh babi’ do të thotë të ‘luftosh’ me fëmijët në dysheme ose të hedhësh topa nëpër shtëpi.
‘Erdhi babi’ sjell një jetë të re në ditët e gjata.
‘Erdhi babi’ është nga momentet më të preferuara të çdo dite të jetës sime.”
Qamile Jaka ka lindur në Tropojë, me 8 gusht 1948.
Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Gjakovë, ndërsa Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1967. Specializimin nga lëmia “ortopedia e nofullave” dhe studimet pasdiplomike i ka kryer në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Beogradit, ku në të njëjtin Universitet e ka mbrojtur edhe temën e magjistraturës, shkruan KultPlus.
Temën e doktoraturës e ka mbrojtur në vitin 1986 në Universitetin e Prishtinës.
Prej vitit 1980 punoi në Degën e Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë, së pari si asistente pastaj si profesoreshë e lëndës “Ortopedia e nofullave”.
Gjatë veprimtarisë së saj ka qenë e angazhuar në shumë aktivitete: si delegate e Këshillit Qendror të Punëtorëve të Fakultetit të Mjekësisë, anëtare e Sekretariatit të Shoqatës së Stomatologëve, poashtu edhe anëtare e Komisionit për Veprimtari Shëndetësore dhe Specializime të Fakultetit të Mjekësisë.
Më vonë, në vitin 1991, u largua nga puna me dhunë nga okupatorët serbë si nxitëse e nacionalizmit të studentëve. Është autore dhe koautore e mbi 70 punimeve shkencore profesionale të prezantuara në kongrese dhe simpoziume profesionale të botuara në revista shkencore profesionale.
Michelle Obama, gruaja e Barack Obamës – ish presidentit amerikan, e ka shpërndarë në Twitter një listë me këngët të cilat ajo i dëgjon dhe të cilat e inspirojnë në ushtrimet e saj.
#WorkOutPlaylist është lista e këngëve që Michelle i dëgjon kur dëshiron të jetë në top formë për ushtrimet e saj trupore dhe për fitnesin që ajo e vijon.
E mes këtyre këngëve, krahas Beyonce, Lizzo, Alicia Keys, është edhe Dua Lipa, shkruan KultPlus.
Kënga “One Kiss” e Dua Lipës dhe Calvin Harris duket se e inspiron edhe më shumë Michelle, 56 vjeçare. Fansat në Twitter janë të ndarë në mes të shijes së Michelle, e cila po merret edhe me shkrime dhe ka pak që ka botuar librin ‘Becoming’. / KultPlus.com
It’s about that time when New Year’s resolutions get a bit harder to stick to. To offer a little inspiration, I want to share my go-to #WorkoutPlaylist with you. These songs always seem to give me that extra boost to get through my toughest workouts. What’s on your playlist? pic.twitter.com/GFP56Yi9A6
Një prej këngëve erotike popullore të dashurisë, mbledhur në Kaçanik nga Instituti Albanologjik. Daton në vitin 1951.
Pasha mujin e Ramazanit, M’ka zanë gjumi n’gu t’jaranit, N’gu t’jaranit, gjalit të ri, Ma ka falë ni mixhdi.
Mixhidin’ e Turkis’. Kish jazin’ e ashikis?
N’kofsh i zoti, luje thikën! S’a kollaj me grabit’ çikën! N’kofsh i zoti, luj pishtolën, S’a kollaj me grabit’ zojën! N’kofsh i zoti, luje pushkën, S’a kollaj me grabit’ nusën!
Libri “KËNGË DASHURIE I”, i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës; Prishtinë 1979
ecim këmbëzbathur shkretëtirës së trupit tim çdo gjë po ndryshket kurse koha mbetet e njomë nga pikëllimi shputat e këmbëve më zvogëlohen trupi im ka vdekur prej kërdhokullave e deri në kokë Fatimja edhe pak do të rrijë para pasqyrës me ngjyrat e saj erëmira të fytyrës kurse unë do t’ia prek vetëm gjunjtë me fjalët persishte të dashurisë sime dashuria ime është dëllinjë e hedhur në një zjarr të madh diku në Indi ku trupi i hipikes digjet
Në janar të vitit 1943, në Gjakovë lindi Teki Dervishi.
Dervishi, shkrimtar e publicist i njohur, gjatë jetës së tij
u mor me shkrime letrare e publicistike.
Sonte po e kujtojmë njeriun i cili shkroi rreth 90 vepra letrare artistike, romane, poezi, drama, shkruan KultPlus.
Dervishi është autor i romaneve: ‘Pirgu i Lartë’, ‘Padrona’,’Skedarët’,
‘Nimfa’ dhe romane tjera.
Ka botuar edhe këto drama: ‘Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi’, ’Bregu i Pikëllimit’, ‘Pranvera e Librave’, ‘Eshtrat që kthehen vonë’, ‘Nesër nisemi për Parajsë’ e disa punë të tjera.
*
Teki Dervishi- TRIM I MARRË
në trotuar si beduin si kloshar në rrugët e botës më zë natë ngrysem si çifteli e kërleshur vruga qepallave hije m’i bën lirë e shes artin tim – mjeshtërinë se bukën s’e dua lëmoshë mëshirë s’e dua dashurinë asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron re e mllefur në ballin tim vetëton e bubullon më vret dru të njomë
vonesa ime pranverore do të kthjellet në paanësi e di në veri atje ku një Doruntinë psherëtin e vëlla më pret t’i vij malli për të boll më del me leckat e mia vjeshta rrugëve të planetit kah m’i vjel
*
Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.
Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.
Logoja fituese e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet është logoja e dizajnuar nga kompania Karrota.
Lajmin e kanë treguar vetë Erion Veliaj dhe Fisnik Ismaili – nga Karrota.
Mbi 35 mijë qytetarë morrën pjesë në një votim online ku u paraqitën katër logot finaliste, ndërsa ajo e Karrotës pati më së shumta vota. / KultPlus.com
Se dikur teksti kishte shumë rëndësi për një këngë dhe i jepte asaj jetë e mesazh, e dëshmon edhe kënga “Fal” e kënduar nga Ledina Çelo.
Një këngëtare me vokal të mahnitshëm, Ledina e solli para
shumë vitesh këtë këngë me një videoklip.
Alqi Boshnjaku e ka shkruar këngën ndërsa muzikën e ka bërë Luan Zhegu.
‘Fal’ i përket historisë së muzikës së lehtë shqiptare ndërsa
nuk ka vokal tjetër që ta mbulonte këngën kaq mirë sa Ledina.
Po e sjellim sonte këngën dhe tekstin e këngës, duke përçuar mesazhin e faljes njerëzore. / KultPlus.com
*
Iken jeta shpejt vrapon dhe nje muaj duket çast e si mundem te gezojme jo te ndare, por vec se bashke
Sa e shkurter eshte kjo jete themi shpesh tek bisedojme por dikush ne sa na prek ne çast e harrojme
Per nje fjale ashtu kot prishet befas nje miqesi dhe askush nuk i del zot falja zhduket ne meri
Refreni :
O ti zemer njerezore pa degjoje zerin tim fal se jeta eshte e shkurter se jeton dhe nje pendim ndan dy njerez padrejtesisht nje kapriço xhelozi dhe pse duhen çmendurisht falja ndalet ne kufi.