Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.
Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë. Gjithcka shikojeni me sy kritik. Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani dicka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore….
Vasfije Goodman Krasniqi – gruaja e fuqishme kosovare e cila tregoi para disa muajsh rrëfimin se si u dhunua nga serbët në luftën e fundit në Kosovë, dhe Saranda Bogujevci – një tjetër grua plot forcë e cila humbi disa anëtarë të familjes në luftë, do të jenë dy prej folëseve në Toronto, në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Konsulata e Kosovës në Toronto do të organizojë me 10
qershor një diskutim me Vasfijen, Sarandën dhe Paul Heinbeeker – diplomat kanadez.
Ngjarja do të organizohet në Queens Park ndërsa dy gratë nga Kosova do të ndajnë me audiencën tregimin e tyre, në këtë përvjetor të rëndësishëm të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe të cilat bënë luftë e gjenocid në Kosovë. / KultPlus.com
Doli nga shtypi libri me kujtime: Lufta kundra Malit të Zi me autor At Bernardin Llupin, OFM.
Janë kujtime të vitit 1915. Në këto kujtime tregohet lufta që udhëhoqen malësorët në krye fratin At Bernardin Llupi, aso kohe famullitar në Palç, kundra ushtrisë malazeze që mësynte me coptue Shqipninë dhe me marrë veriun e saj. Sigurisht synonte Shkodrën. Shumë ngjarje të panjoftuna tregohen prej At Bernardin Llupit.
Në këto kujtime del në pah trimnia e malësorëve, bujaria dhe fisnikëria e Bajram Currit, e Prel Tuli e shumë prijsave të tjerë malësorë. Sigurisht, bie në sy tradhtia e Isa Boletinit që me 70 vetë braktisë luftën tue i lanë në mëshirë të fatit malësorët kundra ushtrisë malazeze. Mandej, aty vrejmë edhe virtytet kristiane e njerëzore, e sidomos frati që mjekonte të plagosunit e luftës pa dallim shqiptarë e malazezë bashkë. E natyrisht, lufta e pashoqe e malësorëve trima për të mbrojtë vendin e tyne sjellin për historinë e Shqipnisë faqe të panjoftuna dhe kontribute të vlefshme për njohjen e plotë të saj.
Ndokush kujtimet e fratit mund t’i konsiderojë ngjarje periferike, apo dikushtjetër mund t’i mendojë pak të randësishme. Në të vërtetë ky libër kallëzon krejt të kundërtën. Ajo qëndresë burrnore shfaqi përsonalitetin e fratit françeskan në mbrojtje të tokave shqiptare dhe bashkimin e malësorëve rreth fratit, pa dallim katolikë e mysliman dhe rreth flamurit të Shqipnisë gati me derdhë gjakun për mos cënimin e kufijve të vendit tonë. Dhe ky kontribut i çmueshëm i shtohet kolanës së Shkrimtarëve Françeskanë si shërbim i përvujtë për historinë kombëtare. Dhe me ketë libër publiku dhe lexuesit e censhëm tashma do të njihen me nji tjetër përsonalitet të spikatun në radhët e Françeskanëve me fratin martir At Bernardin Llupi.
At Bernardin Llupi si përsonazhi kryesor i atyne ngjarjeve, mbasi mbaroi lufta e dytë botnore, u gjetë me shërbim meshtarak në Kosovë, aty paditet prej agjentavet si propagandist shqiptar e anti-jugoslav, kje qitë në gjygj e gjykue për pushkatim. U pushkatue nga komunistat me datën 25 Nandor në vitin 1946, në Prizren. Qe varrosë në vend të panjohun. Ndoshta vrasja e tij vjen si hakmarrje për veprën e madhe në sherbim të kombit shqiptar. Daktiloshkrimi origjinal i kujtimeve të Át Bernardin Llupit, asht ruejt me kujdes të veçantë në arkivin e Gjon dhe Willy Kamsit. Ne e kemi botue simbas origjinalit.
Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë). Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’ duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.
“HOTELI “GRAND”, në ora 20:00, është vendtakimi i parë i Festivalit FemArt, ku do të bëhet pritja e mysafirëve për të vazhduar në po të njëjtën lokacion me ekspozitën “Bëhu fytyra ime”, nga artistja Eliza Hoxha, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018, dhe më pastaj me performancën “Pas asaj…” me artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci. Pas performancës do të zhvendosemi në Teatrin ODA për një koncert të mrekullueshëm me artisten nga Afrika, më saktësisht, nga Cabo-Verdean-e, të São Nicolau, (një nga ishujt Barlavento), me një performancë të jashtëzakonshme “Në nder të Cesaria Evora”, në ora 21:30 dhe pas koncertit dita e parë e festivalit FemArt do të përfundojë me një koktej rasti, po në teatrin Oda.
Gjatë ditëve në vijim na presin shumë aktivitete interesante me artistë/e e aktivistë/e nga vendi, rajoni e bota.
Festivali do ketë krijime artistike origjinale nga gra dhe vajza të rajonit dhe do paraqesë shfaqje teatrale, koncerte, promovime librash, art performues, instalacione arti, poezi, punëtori, panele diskutimi, art urban dhe forma tjera të artit.
Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngrit pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.
Ti asnjëherë s’e kupton
çfarë humb
lodron si një mace në hapësirën
e gjelbër të syve të tu
dhe unë i fyer i poshtëruar
të përgjoj pas hijes sime
bëhet vonë, sa vonë nga ndarja
unë mbi prush thyej shkarpa
si idiot i fryj hirit
ndizu zjarr
dhe hedh aty lule, shami, vjersha
rrobat e çdo gjë që kam
e ngel një lakuriq i varfër, zhveshur
që zjarri dot më s’e ngroh.
Ti asnjëherë s’e kupton çfarë humb lodron si një gjethe në lulishtet pa anë të syve të tu por unë dua të të dua me çdo kusht
Shoqata e Botuesve të Kosovës ka botuar listën e librave më të shitur në Panairin e Librit në Prishtinë.
TOP 5 LIBRAT MË TË SHITUR (AUTORË SHQIPTARË) 1. “Fshehtësia e zbulimit të hënës” nga Veton Surroi, botuar nga Koha 2. “Gënjeshtarë të vegjël” nga Fatos Kongoli, botuar nga Toena 3. “Muhaxhirët” nga Bejtulla Destani, botuar nga Artini 4. “Ditar i një gruaje të Kosovës” nga Sevdije Ahmeti, botuar nga Buzuku 5. “Mesjeta ime” nga Ag Apolloni, botuar nga Bard Books
TOP 5 LIBRAT MË TË SHITUR (TË PËRKTHYER) 1. “Forca e faktit” nga Hans Rosling, botuar nga Pema 2. “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera, botuar nga Dituria 3. “Të bëhesh” nga Michelle Obama, botuar nga Dudaj 4. “Zëra nga Çernobili” nga Svetlana Aleksieviç, botuar nga Buzuku 5. “Hipi” nga Paulo Coelho, botuar nga Toena
TOP 5 LIBRAT MË TË SHITUR PËR FËMIJË 1. “Ditari i Gregut” me autor Jeff Kinney, botuar nga Ideart 2. “Gol 1” nga Antuan Grizman, botuar nga Botart 3. “Aventurat e Kapiten Brekushit” nga Dav Pilkey, botuar nga Bota Shqiptare 4. “Histori përpara gjumit për vajza rebele (2)” nga Elena Favilli dhe Francesca Cavallo, botuar nga Pema 5. “Kuzhina e bebit” nga Arijana Roka, botuar nga Magjia e librit
Portretet e 99 grave të suksesshme shqiptare në NewBorn, të vendosura me iniciativën e Lauren Peace, pos ekzaltimit kanë zgjuar edhe debate të ndryshme në rrjetet sociale.
Meqë çdo vit obelisku NewBorn ka një pamje tjetër, Peace vendosi që të vendoste kësaj here 99 portrete të grave të suksesshme në Kosovë. Shumë prej tyre po kritikohen se nuk e kanë vendin në këtë listë, e për të tjerat po kërkohet të jenë pjesë e këtij instalacioni artistik.
‘Reclamation’ është emri i instalacionit, ndërsa në mesin e grave që janë pjesë e instalacionit janë edhe Lendita Zeqiraj, HAVEIT, Kaltrinë Krasniqi, Vasfije Krasniqi Goodman, Feride Rushiti, Atifete Jahjaga e emra të tjerë.
Me anë të statuseve në rrjete sociale, plot njerëz kanë dalë me qëndrimet e tyre, për mungesën e emrave si Majlinda Kelmendi – një prej sportisteve më të mira në botë, apo edhe për mungesën e grave të cilat tash e disa vite janë në krye të mediave kryesore në vend.
(Rreth librit ’25 maji tani është 1 tetori’ nga Bardhi Haliti)
Derisa shfletonim librin “25 maji tani është 1 tetori” dhe këqyrnim fotografitë e gazetave të sportistëve dhe lojtarëve (“trupat që kërcejnë, përplasen, shtyhen, ngrehin njëri tjetrin, tentojnë të fitojnë…”), një ide absurde na shkoi në mend – ngjashmëria mes fjalëve ‘Tito’ dhe ‘Toto’. ‘Tito’ natyrisht i referohet Josip Brozit, partizanit dhe burrështetasit të famshëm, presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë prej vitit 1953 deri më 1980, dhe si i tillë forca shtytëse (apo së paku inspirimi ideologjik) prapa shtatë sallave identike të sportit që janë temë e librit “25 maji tani është 1 tetori.”
Në anën tjetër, ‘Toto’ mund të jetë një fjalë pak më e panjohur. Është shprehje që përdorët gjithandej në Evropën kontinentale për t’iu referuar një sistemi të basteve lidhur me sportin – një sërë lojërash ku pjesëmarrësit (bixhozçinjtë, në thelb) provojnë të parashikojnë rezultatin e lojërave sportive të ardhshme. Emri ‘Toto’ vjen prej makinave të quajtura ‘Totalizatorë’ – pajisje automatike që përdoren për të kalkuluar (dhe shfaqur) bastet fituese. Fjala ‘Toto’ rrjedhimisht fsheh (brenda dy rrokjeve të saj) një përsëritje të lezetshme, ritmike (‘Total/Total’) – një përsëritje që ka një efekt qetësues totalizues në vetvete.
Shtatë sallat identike të sportit (ashtu sic projektuan mes viteve 1974 dhe 1979, nga arkitekti kosovar Miroslav Čočanović), që së bashku formojnë temën kryesore të librit të Bardhi Halitit, mund të shikohen si një ‘Totalizator’ gjithashtu – një përsëritje motorike e shtatë elementeve identike që ekzistojnë si infrastukturë topologjike, e që në mënyrë ritmike i lidhin me njëra tjetrën shtatë qytetet kryesore të Kosovës (Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën, Ferizajn dhe Gjilanin).
Natyrisht, edhe fjala ‘Total’ gjithashtu e luan një rol të rëndësishëm në botën e sportit. Në kohën kur u konceptuan sallat kosovare të sportit, ekipi i futbollit nga Amsterdami, Ajax-i, luante suksesshëm duke përdorur një model të quajtur ‘Total Football’ (Futbolli Total) – një sistem fluid në të cilin asnjë lojtar nuk është i fiksuar në një rol të përcaktuar dhe në të cilin secili mund të luajë në mënyrë të njëpasnjëshme si sulmues, mesfushor dhe mbrojtës. Në këtë aspekt, Futbolli Total është një metodë tërësisht jo-hierarkike e egalitare – modulare, strukturaliste, përherë në rrotullim. Në fakt, si taktikë, është mjaft e përafërt me modelet e socializmit dhe modernizmit.
Dhe me të vërtetë, në shikim të parë, fjala ‘Totalizator’ duket se ndërlidhet edhe me socializmin edhe me modernizmin – si zakonisht,shumë njerëz do të nxitojnë që ta shpërfillin cilëndo ideologji ambicioze sistematike si ‘totalitare’, ‘totalizuese’, apo thjesht ‘totale’ në përgjithësi. Është një ide tërheqëse – socializmi modernist (ose modernizmi socialist) si ‘Totalizatori’ final, barazuesi i madh, shkatërruesi i botëve.
Por natyrisht, kjo është vetëm njëra anë e tregimit. Njëjtë si ‘Totalizatori’ origjinal që në thelb është një makinë që jeton nga rastësia e lojtarëv të bixhozit, çdo ideologji sistematike gjithmonë do të përmbajë një dimension anti-sistematik. Standardet krijohen përmes variacioneve të tyre, rregullat theksohen përmes përjashtimeve të tyre, dhe gjuhët universale gjithmonë vijnë me dialektet dhe thekset e veta. Secili sistem e prodhon subversionin e vet, njashtu si çdo subversion që e prodhon sistemin e vet.
Dhe kjo është ndjenja jonë kryesore derisa shfletojmë “25 maji tani është 1 tetori”. Përkundër sallave sportive të standardizuara, përkundër uniformave të numëruara, përkundër rregullave të lojës (ose, siç ne do të argumentonim – për shkak të sallave sportive të standardizuara, për shkak të uniformave të numëruara, dhe për shkak të rregullave të lojës) këto fotografi janë plot me emocione njerëzore, shprehje dramatike, lëvizje dinamike, gjeste teatrale. Standardi nuk është asgjë pos një platformë për variacionin e vet, dhe vetëm në përsëritje mund ta gjejmë lëvizjen e vërtete unike. Kështu që po – neve na pëlqen përsëritja, dhe na pëlqen libri i Bardhi Halitit.
Me datë 11 qershor në Prishtinë do të promovohet libri May 25 is now October 1 (25 maji tani është 1 tetori) nga Bardhi Haliti.
“25 maji tani është 1 tetori” është një hulumtim i gjerë në gazetat kosovare të publikuara prej vitit 1974 deri më 2018. Libri dokumenton aktivitetet sportive që u mbajtën në shtatë sallat identike të sportit në shtatë qytete të Kosovës.
Fotografitë janë të prera, zmadhuara, dhe bashkuara në bazë të ngjashmërisë. Koreografia e tillë nuk ka për qëllim që t’i shndërrojë ato në margaritarë apo thesar, por të ndihmojë të gjejmë kuptimin e tyre përtej kuptimit të tyre brenda sallave tanimë të vjetruara të sportit. Përmes përsëritjes, imazhet dhe tekstet shfaqin natyrën multifunksionale të hapësirës së komunitetit në të cilën reflektohen ciklet më madhore sociopolitike dhe kulturore, shkruan KultPlus.
Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues nga Kosova. Ka punuar si dizajner i pavarur në New York dhe Prishtinë para se të merrte titullin Master nga Werkplaats Typografie në Arnhem në vitin 2014.
Ka qenë dizajner grafik rezident pranë Jan van Eyck Academie në Maastricht gjatë viteve 2015-16. Në vitin 2011 Haliti bashkë-themeloi REDO, një eveniment ndërkombëtar i dizajnit grafik në Prishtinë, dhe nga viti 2013 është drejtor i programit i REDO. Jeton në Amsterdam.
Promovimi do të bëhet në KINO ARMATA prej orës 20:00. / KultPlus.com
Kostumografja Hana Zeqa e ka prezantuar dje videon që përmbanë projektin e saj të radhës.
Bëhet fjalë për “Organic Extimorph”, ku Hana ka miksuar lëvizjet
e saj që rrjedhin prej përdorimit të teknologjisë, të cilat shërbejnë si sinjal
i jashtëm i një procesi organik të brendshëm.
Siç përshkruhet në video, duke përdorur sensorët e motorit e Bluetooth, lëvizjet do të stimulohen në pjesën e krahëve, shpinës, gjoksit, në pjesën ku stresi është më shumë i stimuluar.
Kreacionet e Zeqës në këtë projekt janë mbështetur në pjesën
e trupit ku ne e ndjejmë më shumë ankthin dhe stresin, në gjoks.
“Në kontekstin performues, veshja në fjalë shihet si një
barrë që hipotetikisht paraqitet si ndjenjë negative e cila po e përthekon
trupin. Është një energji imagjinative në të cilën njerëzit ndihen të ngujuar
gjatë stresit e ankthit, ku lidhja mes aftësisë mendore dhe fizike humb”
shkruhet në përshkrimin e videos.
Zeqa është kthyer nga Anglia ku ka studiuar për kreacione. / KultPlus.com
Është problem të zgjedhësh në mesin e këngëve të Elsa Lilës,
por për ata që dëshirojnë të dëgjojnë muzikë shqipe të përjetuar, duhet dëgjuar
“Vetëm një fjalë” nga Elsa.
Kënga “Vetëm një fjalë” u këndua nga Elsa në një prej edicioneve të Festivalit Kënga Magjike, dhe sot ende dëgjohet, me tekst dhe melodi të mishëruar mrekullueshëm.
Elsa do të vazhdonte edhe me këngë të tjera por kjo ndoshta konsiderohet si himni i karrierës së Elsa Lilës. / KultPlus.com
Gjatë gjithë historisë, tregimet dhe përvojat e grave anembanë globit janë shtypur në mënyrë aktive si rezultat i turpit, stigmës dhe frikës të kultivuar nga strukturat patriarkale nën të cilat pabarazitë gjinore vazhdojnë.
20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë në Kosovë po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, atlete, artiste, aktiviste e tregimtare.
‘Rimarrje‘ është një seri interaktive portretesh, që feston forcën, këmbënguljen dhe kontributin e grave nga gjenerata dhe etni të ndryshme, duke punuar në sektorë të ndryshëm për drejtësi, barazi dhe për të vërtetën.
Instalacioni që të shfaqë portretet e 99 grave do të vendoset në Newborn nga data 7 qershor deri më 14 qershor. Vizitorët me telefona të mençur inkurajohen të shkarkojnë aplikacionin ‘HP Reveal’ nga shitorja e aplikacioneve para se të vizitojnë, pasi që disa prej portreteve do të përmbajnë elemente audio dhe video të skanueshme.
Një demonstrim i aplikacionit do të bëhët në kohën e inaugurimit më 7 qershor në orën 10:00, dhe udhëzimet e mëtejshme do të jenë në dispozicion afër instalacionit. / KultPlus.com
Po shkove në Prizren, duhet ta vizitosh patjetër Hamamin e Prizrenit. Edhe po nuk e pate plan, nisu.
Kjo vetëm nëse ke
fat që Hamamin ta gjesh me dyert hapur, ose nëse ke mundësi të marrësh çelësat
prej personave të cilët i posedojnë. Në të kundërtën, udhëtimi në Prizren do të
bëhet pa një vizitë në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, një monument i bukur nga
brenda e jashtë që meriton më shumë vëmendje.
Hamami i Gazi
Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit në Prizren, pranë Xhamisë së
Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës. Është ndërtuar në vitin 1563-74,
nga Gazi Mehmed Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës më 1573-74.
Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrimin (1833) – e cila tregon datën e restaurimit të Hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli. [i]
Ta lëmë
retrospektivën, që t’i kthehemi më vonë.
I afrohesh afër
këtij Hamami, i sillesh përreth, është i bukur dhe estetikisht të relakson.
Ndoshta të bëhet e pamundur hyrja në oborrin e Hamamit, e më pas edhe në
brendësi, dhe kjo të bën të ndihesh keq. Është e tmerrshme se si ky Hamam sot
nuk gjen një përdorim dhe destinim të ditëpërditshëm. Unë shkoj vet dhe nuk
mund të hyj brenda, njëjtë sikur edhe ndonjë turist i rastësishëm në Prizren që
dëshiron ta përjetojë emocionin e brendësisë së Hamamit. Shumë prej nesh
dëshirojnë të kuptojnë se çfarë është Hamami, cili është sot Hamami dhe si u
lanë e pastruan dikur meshkujt e femrat brenda kësaj ‘saune’ të kohës, një
banjo publike ku njerëzit relaksoheshin, pinin, djersiteshin, shkëmbenin
buzëqeshje, lodheshin pas punës e para saj.
Edi Gashi, një
djalë i ri që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Prizren, ka një
lidhje të veçantë me objektin që nuk i ikë syrit të atij a asaj që e viziton Prizrenin.
“Si fëmijë gjithmonë e kam pasë andërr me hy brenda edhe me
eksploru çka fshehë
ai objekt i madh e misterioz në
mes të qytetit, po
fatkeqësisht nuk ka
qenë i qasshëm ose të paktën nuk ka pasë ngjarje në të cilat unë mund të merrja pjesë
si fëmijë. E tash, në këtë moshë
duke qenë i vetëdijshëm për vlerat historike e kulturore që i ka Hamami i Prizrenit,
dhe faktin që
organizimet e vetme që
ndodhin në të janë ato kulturore, ai
gjithmonë më asocion me artin, me diçka të re e të bukur” tregon Edi.
Hamami i Prizrenit është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë.
Pjesa e hamamit
për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra. Hamami ka të gjitha
hapësirat që kanë hamamet e këtij lloji, pra përbëhet prej pjesës hyrëse; pjesa
për pritje si dhe për pije, pjesës së garderobës, pjesës qendrore ku bëhej
larja, djersitja, dëfrimi si dhe pjesës së kaldatores që gjendet në pjesën
jugore të objektit. Hamami është ndërtuar nga gurë të ndryshëm në kombinim me
tulla, sipas të dhënave të Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës e
Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.
****
Ramadani, një burrë rreth të 70-tave, i sillet përreth Hamamit të Prizrenit derisa nuk e di as vetë me siguri se çfarë mendon kur e sheh këtë objekt, në një të shtune prizrenase.
“E mbaj mend shumë
moti, dikur ka qenë ma i hapun se tash. Viteve të fundit jam plakë dhe nuk
sillem fort larg shtëpisë. E kam shtëpinë afër Hamamit, as 5 minuta larg. Vij këtu,
qef kom me u ulë dikah me pushu, oborrin e kanë të mirë. Po çka ndodhë mrena, a
jashtë, kurrë se di” tregon Ramadani.
Hamamet gjatë
Perandorisë Osmane kanë luajtur një rol të rëndësishëm.
Në aspektin
arkitektonik, ka qenë si pjesë e pandashme e zonës urbane. Gjithmonë gjatë
konstruktimit të një qyteti në Perandorinë Osmane, hamami ka qenë një prej
objekteve kryesore të bërthamës së qytetit, duke përfshirë xhaminë, shkolla-
mejtepin, medresenë, bibliotekën, imaretin-kuzhinën popullore, hanin-bujtinën,
shatërvanin, dyqanet, pazarin e spitalin.
Kështu na tregon Valon Shkodra, hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Valoni tregon se
gjatë pastrimit në Hamam dhe Hamamxhik, për mbathje i kanë përdorur nallanet të
cilat kanë qenë të punuara nga druri me zbukurime të sedefit që është i ardhur
nga vendet e tjera. Nallanet kanë qenë të dekoruara edhe me filigran. Dekorime
të këtilla kanë treguar për statusin social të kohës, sidomos te gjinia
femërore.
“Hamami apo banjoja osmane ka zënë një vend të veçantë në jetën shoqërore, ka pasur rolin e higjienës dhe pastërtisë në jetën e përditshme të qytetarëve – kjo është lidhë edhe me fenë islame ku pastërtia është primare. Ka qenë i hapur çdo ditë, ka pasur mbikëqyrje të punonjësve, larja e trupit është bërë me sapun, hyrja ka qenë me pagesë. Edhe sot kujtohen disa fjalë që lidhen me hamamin si p.sh ‘’nuk nxehet hamami me fjalë po me pare’’, ‘’e paske ba dhomën nxet si hamam me kon’’, ‘’shko në ham’’ e të tjera” thotë Valon Shkodra.
Sot, muret e
Hamamit të Prizrenit të bukur kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga
ana e brendshme.
Pullazi i
objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe
nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Deri në vitet
1964 Hamami ka qenë i rrethuar me lokale me ç’rast bëhet rrënimi i lokaleve dhe
fillojnë punët restauruese-konservuese.
E prej vitit
2000, Hamami hapet vetëm për ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike, me
pjesën tjetër të kohës i mbyllur në tërësi. Kjo po i pengon jo vetëm një pale,
por goxha disa të tillave.
Florina Jerliu, profesoreshë e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, tregon se Hamami i Prizrenit njëjtë sikur edhe Hamamet tjera në Kosovë – mendohet të jenë gjashtë të tilla, nuk e ka ruajtur destinimin praprak por as nuk ka gjetur një destinim tjetër.
“Gjeneratat e
reja sot por edhe gjeneratat e mesme nuk e kanë idenë se si ka funskionuar
Hamami dhe çka ka ndodhur aty. Krejt çka dimë është se kush e ka ndërtuar dhe
kur është ndërtuar, plus ndërhyrjet dhe renovimet që kanë ndodhur. E mos të
harrojmë që këto Hamame janë copëza të rëndësishme të kujtesës, derisa ne po përpiqemi
me e kriju një narrativ i cili është përçundu dhe tjetërsu në shumicën e
rasteve në kohën e komunizmit” tregon Jerliu, e cila edhe ka marrë çmim për
veprën e saj shkencore “Trashëgiimia kulturore e Kosovës – konceptet dhe
kontekstet e mbrojtjes”.
“Nuk është
mbrojtje nëse një objekt futet në çelës, dhe shembulli më i mirë ilustrues për
këtë është Hamami i Prizrenit. Është mbrojtje e një objekti kur nuk e ke
vdekur, kur është trashëgimi që jeton, dhe Hamami ka qenë i tillë. Duhet ta
kuptojmë se sa më rrallë ndodhin ngjarje aty, aq më rrallë edhe njerëzit do të
shkojnë te Hamami, sepse asgjë më nuk i dërgon deri atje. Sot njerëzit shkojnë
në Turqi ta përcjetojnë Hamamin si tërësi, kur diçka e tillë do të mund të
bëhej edhe këtu” tregon Florina Jerliu.
****
Ja çka na tregon Nora Arapi.
Ekziston një tregim (legjendë) që lidhet me ndërtimin e Hamamit si rrjedhojë e një “bisede” mes Gazi Mehmed Pashës dhe një punëtori, gjatë ndërtimit të xhamisë së vet. Për shkak të “pa pastërtisë” (xhunub) të këtij punëtori që ka refuzuar të punojë në ndërtimin e xhamisë, Mehmed Pasha i ndërprenë punimet e xhamisë dhe urdhëron ndërtimin e hamamit.
‘Duke qenë i
vendosur në qendër të qytetit, në një pozicion të volitshëm, Hamami është njëra
prej pikave referente për vizitorët e Prizrenit, qoftë për turistë të zakonshëm
por edhe për studentë dhe studiues që e vizitojnë Prizrenin. Hamami padyshim e
begaton mozaikun e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe e bën më të
dëshirueshëm dhe të larmishëm qytetin e Prizrenit për turistët” tregon Nora
Arapi – arkitekte konservatore në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në
Prizren.
“Secila përvojë e imja në hapësirën e Hamamit ka qenë e ndryshme dhe më e bukur se tjetra. Aty janë ekspozuar vepra prej ma të ndryshmeve të artistëve vendorë e botërorë, evente të karaktereve të ndryshme, kanë qenë momente në
të cilat jam
ballafaqu me krijimin dhe të
bukurën. Secilën herë kam dalë prej aty i mahnitun e me
ndjesi të çudtishme të bukura”, në anën tjetër
thotë Edi Gashi.
Në këtë Hamam ndër vite kanë ndodhur plot ngjarje të cilat megjithatë e kanë sjellë në jetë Hamamin dhe mishërimin brenda tij.
Në dhjetor të
vitit 2017-të, Kori “Nexhmije Pagarusha” vallëzoi bashkë me fëmijët me
Sindromin Daun në këtë monument. Festivali DokuFest, një tjetër arsye për të
udhëtuar drejt Prizrenit veror, gati çdo vit mbanë ngjarje dhe debate të
ndryshme brenda hapësirave të këtij Hamami. Në vitin 2018-të, artisti Arbnor
Morina brenda Hamamit hapi ekspozitën e tij personale e cila pati edhe vizita
nga grupe të ndryshme prej Gjermanisë, Ukrainës, Irlandës, Bosnjës, Serbisë,
Malit të Zi e Maqedonisë.
Katër vajzat e
kolektivit artistik HAVEIT, në gusht të vitit 2017-të performuan brenda Hamamit
në kuadër të edicionit të parë të Autostrada Biennale.
Pra janë 1 mijë e
1 arsye që ky Hamam të mos mbyllet, të mbetet i hapur, meqë renditet si një
prej atraksioneve kryesore turistike në Kosovë.
“Ky hamam dikur
ka qenë shumë i njohur së bashku me hamamin e Shkupit dhe të Sarajevës” tregon
Valon Shkodra.
****
“Hamami ka pasur shumë dimensione, përpos atij utilitar, ka pasur edhe dimensionin fantastik publik. Hamami ka qenë hapësirë publike – si qendër kulturore dhe e vetmja mënyrë e largimit prej përditshmërisë, madje edhe për gratë të cilat nuk kanë dalë në kafe në çarshi, por janë socializuar në Hamam. Aty ka qenë vendi ku ti del dhe relaksohesh, një hapësirë sociale jashtëzakonisht e rastësishme, ekuivalente madje edhe me klubet e lordëve të Londrës. Sot në Kosovë ti ke dyqane të vogla për estetikë por nuk e ke asnjë hapësirë të tipit të Hamamit, edhepse e ke infrastrukturën për një shërbim të tillë. Së paku kishte qenë mirë sot me e përjetu ceremoninë e Hamamit të vërtetë” na shpjegon Florina Jerliu.
Veron Tara, arkitekt i cili merret me restaurime të trashëgimisë kulturore ndërtimore, anëtar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit dhe qershia mbi tortë – qytetar i Prizrenit, tregon se është në shpirtin e gjithsecilit në Prizren që ky Hamam të jetë më i hapur, më i qasshëm. Me Veronin duam të futemi brenda në Hamam, po në një të shtunë kjo nuk na lejohet. Megjithatë flasim pa e përjetuar në mishin tonë, Hamamin.
“Ende nuk e ka
marrë statusin si muze, sepse në këtë rast do të duheshin zyre, administratë,
banjo. Nëse e bon Muze, duhesh me ditë çka me ekspozu. Në këtë Hamam duhen me
qenë dy persona që e mbajnë hapur çdo ditë, sepse Hamami është kudo nëpër
broshura dhe turistët zhgënjehen kur vijnë këtu dhe nuk mund të futen në Hamam.
Është njëjtë si me shku në Kullën e Ajfellit dhe me e gjetë të mbyllur” na
shpjegon Veroni.
Veroni propozon që
kjo hapësirë të kthehet në një librari, në një muze, më bibliotekë, në një
Institut, në një vend që ka funksion, ashtu siç ka ndodhur me ridestinimin e
shumë hapësirave simotra të kësaj nëpër botë. Një kafe për turistët, në oborrin
e Hamamit, në një kënd diku afër do të ishte ide e mirë poashtu.
***
Duke lënë anash
rëndësinë e këtij objekti, në pjesën e punimeve e restaurimeve brenda tij
ekziston një dramë.
Projekti i
restaurimit të Hamamit është hartuar nga ekipi i Qendrës Rajonale për
Trashëgimi Kulturore në Prizren ku kanë qenë të përfshirë edhe ekspertë
ndërkombëtarë të fushës së tipologjisë së ndërtimeve publike nga Periudha
Osmane.
Ky projekt ka filluar të implementohet në disa faza, ku fillimisht me financim të UNESCO-s zyra regjionale për Ballkan, janë kryer ndërhyrjet restauruese në pjesën e kupolave dhe kulmit. Gjatë kësaj fazë është bërë edhe rindërtimi i disa kupolave, të cilët kanë qenë në gjendje shumë të keqe fizike. Dhe këto kupola janë suvatuar nga jashtë, me rekomandim të ekspertit ndërkombëtar të kyçur në projekt, me materiale kompatibile me teknikën tradicionale të ndërtimit.
Më pas ndërhyrjet
restauruese në muret e jashtme dhe vendosja e xhamave në kupola është financuar
nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto na i tregon Nora Arapi.
Valon Xhabali nga Ec Ma Ndryshe thotë se institucionet përgjegjëse qendrore e lokale duhet ta vendosin në prioritet finalizimin e punimeve.
“Në vitin 2015
është hartuar plani i menaxhimit për Hamamin mirëpo prej asaj kohe nuk ka
filluar së zbatuari prandaj duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë
mendojmë qe duhet të rishikohet/rishkruhet (nëse ka nevojë) ky plan dhe të
fillojë së zbatuari sepse duke zbatuar planin e menaxhimit edhe monumenti /
Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren funksionalizohet në mënyren e duhur”
thotë Xhabali.
“Në këtë periudhë
mund të themi që Hamami është në gjendje të mirë, ku rreziku nga dëmtimet
atmosferike është mënjanuar. Edhe në aspektin statik, muret, kupolat dhe kulmi
janë rehabilituar dhe janë të qëndrueshme. Për të përfunduar punimet, nëvojitet
të implementohen edhe ndërhyrjet në enterier dhe oborr të ndërtesës. Finalizimi
i punimeve, me mjetet që do të ndahen nga MKRS, do të mundëson funksionalizim e
plotë të këtij monumenti” thotë Nora Arapi nga QRTK Prizren.
Nuk guxohet as të
mendohet se drama e restaurimeve dhe vonesave mund të ketë një episod tjetër të
papritur.
“Nëse prishet Hamami, njerëzit kanë me u ndi keq sepse është pikë reference – ku je? Jam te Hamami. Kisha e xhamia ke me bollëk kudo, por Hamamet janë më të rralla sepse janë ndërtu në qytete në tranzicion dhe qytete si pika qëndrore, e Prizreni dihet që ka qenë i tillë. Për mua, po të prishet Hamami shktarrëohet një kulturë e tërë” përfundon Veron Tara.
Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në anën tjetër, para pak ditësh ka nënshkruar 10
memorandume me Komunën e Prizrenit, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë
euro.[ii]
Në mesin e projekteve kulturore ku do të invesohet nuk figuron një ndihmë për
këtë Hamam.
Deri në hapin
tjetër institucional, na mbetet të eksplorojmë historinë e të kujtojmë se si
janë pastruar e larë njerëzit në të gjithë këto Hamame, prej atij në Prishtinë
e deri te ky në Prizren.[iii]
Ndoshta do të na duhet më shumë pastrim edhe neve sot, njerëzve të këtij
shekulli, për qetësinë dhe bardhësinë e trupave e shpirtrave njerëzorë, edhe
jashtë Hamameve.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit
Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani
dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian
ose BIRN-it ose AGK-së ).
Bienalja
Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” me kënaqësi publikon
emrat e artistëve të përzgjedhur nga kuratori, Giacinto Di Pietrantonio.
Nga Giacinto Di Pietrantonio, kurator i edicionit të dytë të Autostrada
Biennale:
Është e natyrshme që duke jetuar në një botë ku jeta virtuale është shndërruar në diçka vendimtare për ekzistencën tonë, në momentin që na shfaqet një ide në kokë, hapi i pare është të hymë në internet dhe të kërkojmë në Google për lajme apo referime që mbështesin idenë tone. Nëse kërkojmë në Google “La Rivoluzione siamo noi” për 0,47 sekonda na shfaqen 27.700.000 rezultate, pra një gjë enorme. Sido qo të jetë, për të gjithë ata që merren me art, është shumë inkurajuese të shihet se rezultati i pare që del është vepra e Joseph Beuys-it, e vitit 1971, me titullin “La Rivoluzione Siamo Noi”.
Titulli nuk është përkthyer sepse Beuys e emërtoi veprën në italisht, në kohën kur e mendoj dhe punoj veprën në Itali, një gjë të madhe e të shumëfishtë në letër, një lloj posteri, i prodhuar nga agjencia “Modern Art Agency” në Napoli. Bëhet fjalë për një printim të ngjyrave me dimensione 185X106 cm, i botuar në 180 ekzemplarë, në të cilin shfaqet Beuys, duke ecur drejt nesh me kapelë tirku në kokë, këmishë të bardhë, jelek peshkatarësh, xhinse, çizme dhe çantën në supe.
Kjo është një nga veprat e artit bashkëkohor të cilën e parapëlqej për shumë arsye, si ato formale, gjithashtu edhe për nga përmbajtja. Është vepra të cilën do ta merrja po të mbetja në një ishull të vetmuar. Pra, është një vepër të cilën e mbaj gjithmonë me vete, e cila më shoqëron që kur mësova për të. Pastaj, disa vite më parë, ia dola që të siguroj një ekzemplar, të cilin e instalova në hyrje të shtëpisë sime. Dhe në fakt, kushdo që më viziton në shtëpi është i mirësepritur, si nga unë, po ashtu edhe nga Joseph Beuys, i cili ecë pas meje drejt mysafirit, dhe për një moment, unë, dhe mysafiri apo mysafirët bëhemi “Revolucioni Jemi Ne”.
Është evidente se sot, por edhe që disa dekada, termi revolucion tingëllon si i dyshimtë. Kjo për shkak të dështimeve të narativave të mëdha, që nga Iluminizmi e më vonë e kanë mbajtur botën me premtime revolucionare, qoftë të së djathtës, qoftë të majtës, e që kanë prodhuar dramat e shekullit të njëzet të cilat të gjithë i dijmë shumë mire. Dhe për shkak të këtyre dramave, në fund të shekullit të gjithë nxituan ta varrosin fjalën revolucion, por me të cilën gjithashtu varrosën utopiat dhe shpresat për të ardhmen.
Megjithatë, ‘La Rivoluzione Siamo Noi’ më bën të mendoj jo aq
shumë për revolucione politike, por ato personale, dhe në rastin e artit, për
ato gjuhësore. Arti, edhe kur nuk duket i tillë, është gjithmonë bartës i risive,
i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë. Kurrë nuk e kam menduar
artin si një fakt estetik apo kënaqësi soditëse, por një shprehje e dendur
njerëzore e etikës dhe e estetikës. Por para së gjithash e shoh artin si një
shërbim estetik ndaj etikës, siç na sugjeron Walter Beniamin, dhe në të cilin
rast vepra ka diçka të përbashkët edhe me veprën ‘’Udhëtari në Detin e
Mjegullës’’, të vitit 1818, nga Caspar David Friedrich.
Është e njohur se Benjamini flet për veprën “Angelus Novus” të vitit 1920, të Paul Klee, duke i dhënë kuptimin e një engjëlli historik, me trupin drejt së ardhmës, përderisa fytyrën dhe shikimin e ka të kthyera nga e kaluara, apo me fjalë tjera ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Ndërsa Friderich, në veprën e tij ‘’Udhëtari në Detin e Mjegullës’’, pikturon një figurë të vetmuar të njeriut dhe të artistit romantik udhëtar, i cili ndalet dhe vëzhgon nga lart një hapësirë të madhe mjegulle me shpinë të kthyer nga ne. Është vetmia romantike e njeriut përballë madhështisë së natyrës, të cilën Beuys e riprodhon në veprën fotografike “Mbrojtjes së Natyrës (klaviçembal)”, me dimensione 99,5 x 67 cm të vitit 1981, saktësisht dhjetë vite pas “Revolucioni Jemi Ne”.
Këtu gjejmë shumë prej çështjeve urgjente të shoqërisë
bashkëkohore si marrëdhënia me shoqërinë, historinë, natyrën, dhe qenien tonë
në botë, por jo në mënyrë passive-didaktike, por aktive dhe duke ecur drejt së
ardhmes. E tëra kjo nuk është në mënyrë didaktike, përndryshe nuk do të ishte
art, por në mënyrë aktive. Dhe, kur them aktive, nuk referohem në një ide të
aktivizmit, por në atë të ndryshimit të ndërgjegjes, të cilën çdo vepër arti e
provokon, pak a shumë. Në të vërtetë thuhet se vepra e Beuys-it nuk ka asgjë të
bëjë me “revolucionaren”, nga pikëpamja e një ikonografie didaktike,
e cila do të duhej të përmbante një simbol politik. Në këtë rast, të
gjelbërimin gjerman ose diçka të ngjashme.
Vepra na tregon udhëtimin drejt botës, nëpër botë dhe për botën.
Siç na sugjeron “Revolucioni Jemi Ne”, duhet të lëvizim drejt së ardhmes, sepse
nuk jemi engjëj të shtyrë nga stuhia e cila vjen nga parajsa, dhe as udhëtarë
të palëvizshëm dhe soditës të një deti të mjegullt, metaforë e një të ardhme të
pasigurt. Por sikur arti, ne jemi qenie në lëvizje, duke ecur drejt së ardhmës
që edhe nëse e pasigurt, duhet gjithmonë ta kërkojmë.
E kjo është e ardhmja të cilën përpiqemi ta kuptojmë në edicionin
e ri të Autostradës Bienale permes artisteve te ftuar:
Giulio Alvigini
(Itali), Apparatus 22 (Rumuni), Levent Bütüçi (Kosovë), Nemanja
Cvianovič (Kroaci), Lana Čmajčanin (Bosnia
dhe Herzegovina), Mirza Dedač
(Serbi), Jan Fabre (Belgjikë), Jakup Ferri (Kosovë), Lek
M. Gjeloshi (Shqipëri), Emre Hüner
(Turqi), Hristina Ivanoska (Maqedonia Veriore), Lorena Kalaja
(Amerikë), Sanja Latinović (Serbi), Iva Lulashi (Shqipëri / Itali),
Mucci Comics – Marco Mucci and Matteo Pomanti (Itali), Fatmir
Mustafa – Karllo (Kosovë), KolektiviOrkide (Kosovë), Anatoly Osmolowski (Rusi), Adrian Paci (Shqipëri), Tommaso Pincio (Itali), Ilija Šoškić (Mali
i Zi), Somer
Şpat (Kosovë), Giuseppe Stampone (Itali), Lola Sylaj and Dardan
Zhegrova (Kosovë), The Cool Couple– Niccolò Benetton and Simone
Santilli (Itali), Francesco Vezzoli
(Itali), Driant Zeneli (Shqipëri).
Alma Bektashi, një këngëtare e njohur dhe profesoreshë e muzikës, para disa vitesh solli një këngë dhe performancë që ia vlen të kujtohet.
Në rubrikën tonë të retrospektivës, sot e sjellim këngën “Zhgënjimi”, të cilën Alma e solli në Shqipëri në Festivalin e Këngës në TVSH, në vitin 1996.
Kënga u pëlqye dhe dëgjohet edhe sot, derisa Alma ka marrë
pushim nga karriera e saj muzikore.
“Zhgënjimi” ka një tekst të fuqishëm për dashurinë, në një kontekst tjetër.
Këtu po e sjellim edhe tekstin e këngës në fjalë dhe një performancë të Almës, një prej vokaleve më të mira shqiptare. Kënga në festival morri vendin e katërt në natën finale. / KultPlus.com
I hidhur ky zhgenjim Si kerkon te mbys femine nuk ka pare ajo, jo ende drite E ndjej si me leviz, jo vetem ketu ne trup E ndjej te me leviz edhe ne shpirt
Ti po shkon kur ajo vjen Do te ndjekin pas dy syte e saj Sonte nuk qesh dot, nuk mundem dot te qaj por ndjej se dicka ta thote
Sa te besoja por s’di se si me dukesh tani… Me i frikshem se vdekja Se ajo vjen dhe jeten ta rremben e ti e mohon Besoja se me doje a e degjon?… Tani trokiti urrejtja Ti s’e meriton kengen e jetes te foshnjes kur te qaj O turp i mohimit te saj
Shkrimtari i njohur Paulo Coelho dëshiron që të shpërndajë librat e tij në Afrikë.
Me anë të rrjeteve sociale, dora që ka shkruar “Alkimistin”
apo “Veronika vendos të vdesë” ka kërkuar ndihmë për të shpërndarë librat në
Afrikë.
Ai do t’i blejë disa kopje nga botuesit e tij dhe ato do t’i dërgojë tek lexuesi afrikan, në shkolla dhe nëpër biblioteka.
Ai ka treguar se të njëjtin veprim do ta përsërisë edhe në fund të vitit, pasi ka plot kërkesa nga vendet afrikane dhe nga vende tjera ku librat e tij kërkohen dhe kanë depërtuar pak.
Që që fëmijëri, Coelho dëshironte të bëhej shkrimtar. Kur ai
ia tregoi mamasë së tij këtë gjë, ajo iu pergjigj ” I dashur, babi yt
është një inxhinier. Ai ka një vizion të qartë për botën. A e di cfarë do të
thotë të jesh një shkrimtar?”.
Shkrimtari brazilian Coelho lulëzon në kontradikta dhe ekstreme. Coelho më vonë vërejti se “Nuk ishte se ata donin të me lëndonin mua, por ata nuk e dinin se çfarë të bëja … Ata nuk e kanë bërë që të më shkatërrojnë, ata e bënë që të më shpëtojnë.” / KultPlus.com
Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, po qëndron në Vankuver, Kanada si pjesëmarrëse dhe folëse në konferencën më të madhe globale për cështjen e grave Women Deliver.
Në kuadër të kësaj konference, Vasfija ka pasur mundësinë të takohet me Kryeministrin Justin Trudeau. Vasfija e ka falenderuar Kryeministrin Trudeau për mbështetjen e pakufizuar ndaj fuqizimit të grave në mbarë botën. Në kuadër të kësaj konference Vasfija është takuar dhe me Ministren kanadeze për Statusin e Grave dhe Zhvillim Ndërkombëtar znj.Maryam Monsef dhe ka kërkuar mbështetjen e Kanadasë, ndaj 20 mijë viktimave të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës në Kosovë si dhe përfshirjen e Kosovës në Fondin Kanadez për Barazi.
Po ashtu, Vasfije Krasniqi është takuar dhe me autoritete të tjera kanadeze dhe botërore, si Kryeministrin dhe Lejtnant Guvernatoren e British Columbia, Ambasadorin e Kanadasë në Kombet e Bashkuara, Sekretaren Franceze për barazi gjinore etj #KosovoinCanada#WD2019 ️/ KultPlus.com
Këngëtarja Jonida Maliqi sot ka uruar për Muajin e Krenarisë së komunitetit LGBT.
Maliqi e cila para pak javësh përfaqësoi Shqipërinë në
Eurovizion, me fotografitë e një fustani me ngjyrat e komunitetit LGBT ka uruar
të gjithë fansat e saj në Instagram.
“Nëse jeta është kaq e kaltër atëherë zgjedhe një ngjyrë tjetër të ylberit” ka shkruar Jonida, e cila megjithatë nuk njihet si aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT, përpos ndoshta veshjes e cila mund të asocojë me ylberin, elementin e komunitetit LGBT nëpër botë.
Në anën tjetër, vite më parë në Shqipëri pati qarkulluar një peticion në të cilin ishte nënshkruar edhe Jonida, e i cili mbronte familjen dhe ishte anti-komunitetit LGBT.
Maliqi në Eurovizion e këndoi këngën “Ktheju tokës” me të cilën u pozicionua edhe në finalen e Eurovizionit. / KultPlus.com
Gjej kohë të mendosh Gjej kohë të lutesh Gjej kohë të qeshesh Është burimi i fuqisë Është fuqia më e madhe mbi tokë Është muzika e shpirtit.
Gjej kohë për të luajtur Gjej kohë të duash dhe të duhesh Gjej kohë të japësh Është sekreti i rinisë së përjetshme Është privilegj i dhënë prej Zotit Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.
Gjej kohë të lexosh Gjej kohë të jesh mik Gjej kohë të punosh Është burim mençurie Është rruga e lumturisë Është çmimi i suksesit.
Dy filma nga Kosova janë pjesë e First Cut Lab – punëtorisë së njohur për filmat e metrazhit të gjatë.
Punëtoria sivjet vjen edhe në Kosovë, nga 17-20 korrik, ndërsa filmat “Looking for Venera” me regji nga Norika Sefa dhe producent Besnik Krapi, dhe “Andromeda Galaxy” me regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça, janë pjesë e këtij workshopi të njohur.
FCL Kosovo do të organizohet në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Punëtoria do të kryesohet nga Matthieu Darras dhe Benjamin Mirguet, ndërsa më pas do të mbahet edhe në Turqi e në Finlandë. / KultPlus.com
Me 19 qershor në kryeqytet vjen një ngjarje e poezisë evropiane.
Me: Daniela Danz, Ervina Halili, Sonja Harter, Arben Idrizi, Blerina Rogova-Gaxha, Raphael Urweider and Jan Wagner
Jan Wagner dhe Federico Italiano, poetë dhe redaktorë, nisën një udhëtim poetik nëpër Evropë – nga këshilla më të ftohta dhe më veriore të kontinentit, nëpër pyje të harlisur dhe në fusha të hapura, deri në shiritat e butë të tokës përgjatë bregdetit të Mesdheut. Përshtypjet e tyre mbi tokën dhe popullin regjistrohen në librin e ri të botuar “Grand Tour”, një antologji e shtrirë e poezisë bashkëkohore evropiane. Si pjesë e “Ditës së Gjuhës Gjermane / Tage der deutschen Sprache” në Prishtinë antologjia do të paraqitet nga një kor i vërtetë poetësh. Në skenë, Jan Wagner do të bashkohet me Daniela Danz (D), Sonja Harter (A), Raphael Urweider (CH) si dhe Ervina Halili, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha.
Ngjarja do të zhvillohet në gjuhën gjermane me përkthim në gjuhën shqipe dhe do të mbahet në Qendrën Multimedia me fillim prej orës 19:00. / KultPlus.com
“Shqiptarët i kanë pesë-gjashtë yje globale muzikore, me këtë duhet të ballafaqohemi, ata janë bërë pjesë e civilizimit perëndimor në mënyra të ndryshme dhe ata nuk mund t’i shikojmë si disa fise që na kanë sulmuar”, thotë për n1 Robert Çoban ( Čoban) , pronar i Shtëpisë botuese Color press group, transmeton Koha net.
Çoban ka thënë se është i inkurajuar me faktin se në Beograd është mbajtur festivali “Mirëdita, dobar dan” dhe ka shtuar se suksesi i këtij festivali ndodhi në “atmosferën ku jetojmë dhe në ciklin e lajmeve të njëjta të përsëritura nga Kosova “.
“Është mbajtur dhe për të duhet të flitet. Në ndërkohë kemi pasur edhe deklaratën e kryeministres për njerëzit nga mali, ajo ka menduar për njerëzit konkretë, për njerëzit e UÇK-së… Ne vërtetë mendojmë për shqiptarët dhe Shqipërinë se ata janë njerëz të rendit të dytë, këtë nuk e thonë të gjithë publikisht, por kështu mendohet në bisedat private. Kompleksi i vlerës më të lartë po krijohet, ne, që nga marrja e sërishme e Kosovës e kemi këtë relacion suprem, ne edhe më tej mendojmë se jemi më të mirë sesa ata, por askush në Ballkan nuk është më i mirë se tjetri. Bekim Fehmiu ka qenë artisti i parë që aktroi në Hollywood. Për këtë arsye festivali “Mirëdita” është i rëndësishëm, aty janë njerëzit me të cilët duhet të jetojmë në qytetet tona, ne me ta duhet të udhëtojmë diku , diku shqiptarët do t’i kemi në kufi. Ne nuk njihemi mjaft, bota është rrjetëzuar, i takojmë këta njerëz kudo në biznes, kulturë, duhet të njihemi më mirë dhe pastaj temat politike do të “ecin” më lehtë”, ka thënë Çoban.
Duke folur për integrimet evropiane të Serbisë, ai thotë se është pritur të hapen më shumë kapituj, ndërsa ka shtuar se e di që në ato fusha po punohet shumë.
“Rrethana të ndryshme të tjera në vetë Evropën lidhur me Kosovën kanë ndikuar në numrin e vogël të kapitujve të hapur. Ne duhet t’i kuptojmë dhe t’i dëgjojmë ata që na ftojnë mysafirë, nuk mund t’ua caktojmë të drejtat tona, sado që duket e padrejtë, ne kemi vendosur ta marrim këtë rrugë, e nëse jo, t’iu tregojmë njerëzve”, ka përfunduar Çoban.
Mbrëmë është përmbyllur edicioni i 6-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Edicioni filloi me thirrjen “Le të bëjmë dashuri” të cilën e solli video instalacioni i artistit Shkumbin Tafilaj, një videoinstalacion i cili në vete ngërthen elemente nga historitë e të dy vendeve.
Në qendër të tij ishte dheu, një retrospektivë ndaj synimeve territoriale të cilat sollën vetëm dhembje për të dy palët. Mirëpo përtej dashurisë, edicioni i sivjetshëm i festivalit në Beograd u fokusua edhe tek dhembjet për të pagjeturit, tek “spiunët” dhe kreolët (njerëzit me gjak të përzier).
Pikërisht tek këto dy të fundit, festivali vë në pah vështirësitë që kanë pasur njerëzit të cilët kanë dashur një jetë të qetë, njerëz të cilët asnjëherë nuk zunë një vend në mes të serbëve apo shqiptarëve, por mbetën të linçuar nga të dyja anët. Festivali vuri në pah problemet e përbashkëta ndërsa përmes diskutimeve kërkonte zgjedhje për to.
Pasqyrues i problemeve u bë promovimi i antologjisë së dramave bashkëkohore të Kosovës, dhe pasqyrimi i historisë së Kosovës në tekstet shkollore në pesë vende të Ballkanit, duke përshirë edhe Serbinë. E para vuri në pah problemet e skenave teatrore ndërsa e dyta theksoi nevojën për ndryshimin e klasave politike, solli keqkuptimet dhe steriotipet që ekzistojnë, potencoi se mosnjohja e njëri-tjetrit është burim për konflikt.
Ky edicion u zhvillua në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të dobët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Dhe sipas sipas Kushtrim Koliqit nga organizata Integra nga Kosova, situata politike çdoherë ndikon edhe në rrjedhën e festivalit.
“Fatkeqësisht situata politike në mes Kosovës dhe Serbisë ndikon në rritjen e tensioneve gjatë ngjarjeve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Fraksione të ndryshme radikale reagojnë edhe më ashpër kur në një formë apo tjetër stimulohen nga retorikat apo veprimet politike, që për qëllim kanë vetëm mohimin e së vërtetës në lidhje me të kaluarën dhe thellimin e ndasive në mes popujve”, theksoi Koliqi.
Madje, shfaqja e filmit “Ferdonija” në të cilin tregohen 24 orë nga jeta e Feronije Qerkezit, së cilës forcat policore serbe para syve ia morën burrin dhe katër fëmijë, nxiti reagim tek protestuesit. Situata e krijuar jashtë Dorcol Platz, vendit ku po shfaqej filmi bëri që pjesëmarrësit e festivalit për shkaqe sigurie të ju kërkohej që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të programit për atë natë.
Përderisa jashtë nxitej urrejtja dhe tentohej të kalohej kordoni i vendosur nga forcat e policisë, pjesëmarrësit e mbetur brenda, këmbëngulës në idetë e tyre, vazhdonin misionin e festivalit.
Diskutimet e zakonshme për muzikën, librat madje edhe opinionet e tyre për situatën politike, shërbenin si një bazë për krijimin e miqësive.
“Nëpërmes kulturës ne i paraprijmë proceseve, trajtojmë tema të cilat politika momentalisht i sheh si të dëmshme për agjendat e veta, trajtojmë çështje të cilat e sfidojnë diskursin momental, realizojme ngjarje që hedhin dritë mbi disa të vërteta që tjetri nuk mund t’i dijë apo ka një version të servuar paraprakisht, krijojmë mundësi për perspektiva dhe perceptime tjera më shpresëdhënëse”, tha ai.
Ndalimi i një festivali të tillë nuk do të arrihet edhe pse është e vërtetë që ai po zhvillohet në një ambient toksik. Madje idetë për zgjerimin e këtij festivali tashmë marrin frymë.
Këtë e theksoi edhe Koliqi për KultPlus.
“Në vitet e kaluara festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë ka ardhur në një format tjetër nga formati që e kemi në Serbi. Formati i Kosovës ka konsistuar në realizimin e javës apo muajit të filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë, duke krijuar kështu mundësi që qytetarët e Kosovës të shohin krijimtarinë fantastike të këtij artisti të jashtëzakonshëm, i cili është edhe inspirim i këtij festivali. Edhe këtë vit do të realizojmë disa aktivitete që në fokus kanë filmat e Bekim Fehmiut, duke pasur edhe debate që për temë kanë çështje të rëbndësishme për të dy popujt. Për vitet e tjera kemi filluar diskutimin e brendshëm që ta zgjerojmë festivalin në dy nivele: realizimin e prodhimeve artistike vetanake të festivalit, dhe prezentimin e prodhimeve artistike të krijuesëve nga Serbia në Kosovë”, tha ai.
Sigurisht që punën e këtyre organizatave e përkrahin dhe e mbështesin njerëzit nga të dy shtetet të cilët besojnë në idetë dhe qëllimet që ka ky festival. / KultPlus.com