Marigona Qerkezi sonte debuton me rolin e Donna Annas në Operën e Tokyos

Marigona Qerkezi sonte do të debutoj në Teatrin Shtetëror të Operas në Tokyo – Japoni, me rolin e Donna Anna nga opera Don Giovanni e Mozartit.

“Jam shumë e lumtur dhe e privilegjuar të performoj në këtë teatër madhështor me kolegë dhe staf të mrekullueshëm”, tha ajo.

Në Tokyo do të jepen gjithsej pesë shfaqje, e në të gjitha këto shfaqje sopranoja kosovare do të performojë në rolin e Donna Anna-s. Opera do të shfaqet më 17, 19, 22, 25, dhe 26 maj./ KultPlus.com

Tragjedi në Eurovision: Një pjesë e ndriçimit ra mbi një punëtor, 66-vjeçari vdes në skenë

Në edicionin e sivjetmë të festivalit evropian të Eurovisionit është shënuar një tragjedi.

Një shofer kamioni, 66-vjeçari Fuldie Schwarz, u vra kur një pjesë e ndriçimit ra mbi të gjatë përgatitjes së konkursit muzikor.

Në atë moment ai mbante pajisjet dhe më pas u transferua urgjentisht në spital.

“Ne nuk fajësojmë askënd në këtë kohë, por është e mundur që një ngjarje e tillë e madhe, siç është Eurosongu, por me kaq shumë para, kontroll dhe siguri t’i ndodh diçka kaq e tmerrshme”, pyesin anëtarët e familjes Schwarz.

Policia ka nisur një hetim dhe sipas IQ Magazine, duket se pajisjet e ndriçimit nuk janë në përputhje me rregulloret.

Organizatorët e Eurosongit njoftuan se ishin tragjikisht të hidhur dhe se do të bashkëpunojnë rreth hetimeve.

Ndryshe, Shqipëria do të paraqitet në finalen e festivalit evropian të muzikës pas suksesit të mbrëmshëm të Jonida Maliqit me këngën “Ktheju Tokës”. /Telegrafi/KultPlus.com

“No Bravery” nga James Blunt, kënga e shkruar gjatë luftës në Kosovë

James Blunt mbetet një prej atyre këngëtarëve që janë të dashur për publikun shqiptar. Sidomos për shqiptarët në Kosovë, James Blunt është emër i njohur për faktin se ai shërbeu në Kosovë gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Kënga “No Bravery” është e shkruar gjatë kësaj kohe, kur artisti ishte në Kosovë. Gjatë kësaj kohe ai kishte marrë me vete në mision edhe kitarën e tij, me të cilën performonte ndonjëherë për shqiptarët dhe për shokët e tij të trupës së NATO-s.

Videoklipi i të njëjtës këngë ka pamje nga Kosova e kohës së luftës, të cilat vetë këngëtari i ka realizuar në Kosovë dhe më pas i ka transmetuar në televizione të njohura si BBC./ KultPlus.com

RrGK: Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përcjellur me shqetësim publikimin e sotëm, nga Deputetja Flora Brovina, të një fotografie që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

Konsiderojmë se zonja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Poashtu, zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës. Për më tepër mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale.

RrGK u bën thirrje mediave që të largojnë dhe të mos e shpërndajnë këtë fotografi e cila shkel dinjitetin e viktimës të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik.

RrGK ju bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarave, dhe të punojnë në ruajtjen e dinjitetit të tyre duke mos i ritraumatizuar ato dhe familjarët e tyre. RrGK kërkon nga institucionet e Kosovës që nismat që ata ndërmarrin të jenë gjithpërfshirëse, duke mos përjashtuar askënd, siç ishte Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës. Për 20 vite kanë qenë organizatat e grave ato që kanë ofruar mbështetje për këto gra e burra, derisa institucionet për 17 vite me rradhë kanë qëndruar në heshtje.

Në prononcim para mediave, zonja Brovina pohon se këto dëshmi janë paraqitur para organeve të drejtësisë, mirëpo sipas saj, as Prokuroria Speciale e as EULEX-i asnjëherë nuk kanë intervistuar këto viktima. Nëse kjo qëndron, RrGK mbështet fuqishëm dhe pa asnjë rezervë çdo rrugë institucionale në kërkim të drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ky veprim i zonjës Brovina nuk ka kontribuuar  në arritjen e drejtësisë, gjetjen e kryesve të këtyre krimeve apo trajtimin e dinjitetshëm të  mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

RrGK përmes kësaj kumtese kërkon nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në përmbushje të obligimeve në kuadër të mandatit të tyre të kërkojnë llogari nga Gjykatat, si ato vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë./ KultPlus.com

PriFest fton filmbërësit të bëhen pjesë e Prishtina KinoKabaret

Nën moton “Sfido veten për një javë, realizo një film TANI!” PriFest fton dhe u jep mundësinë filmbërësve, aktorëve, regjisorëve, producentëve si dhe entuziastëve të fushës së filmit të jenë pjesë e programit Prishtina KinoKabaret.

Edhe këtë vit, tanimë nën udhëheqjen e regjisorit të talentuar Valter Lucaj, Prishtina KinoKabaret, do të ketë një dinamikë të veçantë, ku nëpërmes shoqërimit, diskutimeve dhe realizimit në terren, për një javë të plotë, gjatë festivalit PriFest do të mund të prodhohen filma të metrazhit të shkurtër me ekipe të krijuara spontanisht dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Kino Kabaret është një mënyrë e re dhe inovative e filmbërjes, ku artistëve, regjisorëve, producentëve dhe filmbërësve, nga gjithë bota, profesionist apo amator, u ipet mundësi për prodhim të filmit në një mënyrë më të veçantë.

PriFest dhe Prishtina Kino Kabaret ofrojnë mundësinë e realizimit të filmave të shkurtër duke u bazuar në një spontanitet dhe bashkëpunim mes aplikantëve. Kurse, këta filma që rrjedhin natyrshëm, duke kirjuar përmbajtje të madhe, mundësohet pa buxhet.

Programi Prishtina Kino Kabaret nuk ka karakter garues, ku rrjedhimisht nuk do të shpallet ndonjë fitues, por filmat, të cilët do të realizohen gjatë ditëve të festivalit 16-21 korrik, do të shfaqen në mbrëmjen e datës 20 korrik për mysafirët e shumtë të festivalit dhe audiencën e PriFest.

Aplikimi për Prishtina Kino Kabaret do të jetë i hapur deri më 10 qershor. Gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në linkun e bashkangjitur http://prifest.org/application-prishtina-kino-kabaret/

PriFest inkurajon filmbërësit, aktorët dhe studentët nga Kosova dhe mbarë bota të aplikojnë dhe në këtë mënyrë të kenë shansën unike të jenë edhe pjesëmarrës në festivalin PriFest, që këtë vit shënon edicionin e 11-të.

Kino Kabaret është format i njohur në botë dhe një mënyrë e re e realizimit të filmave në spontanitet ku për herë të parë ka nisur në vitin 1999 në Montreal nga Christian Laurence. Ndërsa sot “Kino Kabaret” organizohet në mbi 60 festivale të filmave në botë. Prishtina Kino Kabaret është program i PriFest dhe për herë të parë u organizua në vitin 2016, ndërkohë që është pjesë e rrjetit të madh të Kino Kabareve të quajtur Kino Network.

Jonida Maliqi nesër përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion 2019

Këngëtarja shqiptare, Jonida Maliqi e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, tashmë gjendet në Tel Aviv bashkë me delegacionin shqiptarë. Ajo do të përfaqësoj Shqipërinë nesër në edicionin e 64 të “Eurovisionit”.

https://www.youtube.com/watch?v=P0lToVjUzDM

Deri më tani vlerësimet për këngën shqiptare janë pozitive, ku në faqen më të madhe të lajmeve rreth Eurovisionit “Wiwibloggs”, kënga “Ktheju Tokës” është radhitur e dyta si favorite për të fituar, menjëherë pas Holandës e cila kryeson sondazhin. /KultPlus.com

Edi Rama për televizionin serb: Nuk dua kufij me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë

Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe duhet të bashkohen, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.

Në një intervistë për TV Pink, Rama tha se ai e sheh këtë bashkim si pjesë të rrugës për në BE.

Kryeministri i Shqipërisë thotë se është për një rajon pa kufij.

“Nuk dua kufirin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë. Duhet të punojmë për ta bërë atë të ndodhë “, tha Rama.

Sipas tij, Serbia duhet të përballet me realitetin dhe të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe i lirë.

“Nevoja për pajtim është e pashmangshme, dhe sa më shumë Serbia vazhdon të besojë në këtë ëndërr se kjo nuk ka ndodhur ose se ajo mund ta parandalojë atë, do të jetë më e dhimbshme për të gjithë”, tha Rama.

Rama tha se ai kurrë nuk foli për të ashtuquajturën Shqipëri e madhe dhe se është termi i hartuar për t’u përdorur kundër shqiptarëve.

Ai tha se besonte se serbët dhe shqiptarët mund të bënin për Ballkanin çfarë bëri Franca dhe Gjermania për Evropën.

Në një pjesë të intervistës, ai foli edhe për simbolin e shqiponjës me dy koka, duke thënë se kjo nuk do të thotë asgjë të keqe për të tjerët dhe se është një simbol i njohjes së shqiptarëve./gazetaexpress/ KultPlus.com

Fotografitë historike që të gjithë mendojnë se janë të vërteta

Sot është shumë e vështirë të dallosh një foto reale nga një e rreme në internet. Mediet masive zakonisht na mashtrojnë.

Kjo ndodh pasi që është me të vërtetë sfiduese për të kuptuar nëse një foto është fotografuar apo jo.

Por këto foto të ndryshuara u shfaqën edhe para se Photoshopi të ishte shpikur dhe mund të ndryshonte fotografitë ashtu siç donin.

Në disa raste, ata as nuk kishin nevojë të përdorin ndonjë mjet për korrigjimin e fotografive, ata duhej vetëm të fillonin një thashetheme./tch/ KultPlus.com

Si u shpëtua gazeta “Dielli” nga shuarja

Për këtë gazetë zëmadhe kisha mësuar në shkollën e vendlindjes, ashtu siç kisha mësuar edhe për Fan S. Nolin dhe për disa personalitete tjera shqiptaro-amerikane. Pas rënies së Aleksandër Rankoviqit nga pushteti jugosllav në Kosovë kishin filluar të botohen disa monografi të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Në vitrinën e një librarie në rrugën kryesore të Gjakovës ishin vendosur disa vepra të poetëve nga Shqipëria, ku bënte pjesë edhe një poemë e Nolit. Portretet dhe titujt e këtyre veprave letrare ishin për ne, një lloj frymëzimi.

Në mitingje letrare dhe poetike aktorët shqiptarë të Kosovës recitonin poezitë e Nolit më shumë se të asnjë poeti tjetër. Elita kulturore e Kosovës gëzonte dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Fan Nolin. Shumë nga ata e kishin dëgjuar zërin dhe komentet e tij në Seksionin Shqip të ‘Zërit të Amerikës’, sepse Noli kishte jetuar deri në mars te vitit 1965. Ndryshe nga Konica dhe poetët e tjerë shqiptarë ,që kishin qenë të ndaluar, Imzot Noli megjithatë nderohej për veprimtarinë e tij kombëtare , fetare dhe kulturore.

Emri i këtyre dy kolosëve dhe emri i Amerikës ishin si një trinom për brezat shqiptarë kudo në botë. Amerika për ne ishte simbol i lirisë, demokracisë dhe begatisë. Shqiptarët në Ballkan ishin të shtypur, prandaj e nderonin Amerikën jo vetëm për të mirat e saj, materiale, por edhe për lirinë dhe mundësinë që u kishte dhënë shqiptaro-amerikanëve për të vepruar në të mirën e çështjes kombëtare.

Bostoni dhe Washingtoni ishin dy qytete të dashura për botën shqiptare. Disa ditë para se të largohesha nga Prishtina në fillim të janarit 1970, një student nga Malësia më pyeti pse po shkon në Amerikë. Përgjigjja ime ishte sa qesharake aq edhe profetike. Po shkoj në Amerikë:”Për të shkruar për gaztën “Dielli”, për të folur në “Zërin e Amerikës” dhe për t’u bërë i pasur”!?. Objektivat e mia ishin në lartësitë e Everestit , dhe si të tilla më munduan për pothuajse një gjysmë shekulli. Drejtori i Zyrës së “Zërit të Amerikë” në New York, Al Banks shkroi 30 vjet më parë një artikull për gazetarët e kësaj zyre. Al Banks shkroi gjerësisht edhe për mua në revistën “VOICE”, që ishte organ i këtij radiostacioni. Ai kishte vënë në dukje tre objektivat e mia,dy të parat të realizuara,por ai ishte optimist në shkrimin e tij se edhe objektivin e tretë do ta realizojë, duke parë tek unë vullnetin e mirë dhe përpjekjet serioze. Kjo revistë ishte përhapur në shumë vende të botës dhe kisha marrë disa letra sidomos nga vendet e Afrikës. Ata kishin menduar se isha i pasur, gjë që nuk ishte e vërtetë, por Al Banks kishte parashikuar këtë, sepse në atë kohë kisha filluar investime në prona të patundshme (real estate).

Gazeta Dielli për mua kishte edhe një rëndësi ngase editori i saj Dr. Athanas Gegaj ishte njeri i familjes sime. Në gazetën e tetorit të vitit 1970 kishte bërë një shënim për ardhjen tonë në Amerikë. Pas disa muajsh vendosëm lidhje. Ai kishte një dashuri e respekt të madh për “Diellin” dhe për “Vatrën”. Në fillim të fillimit në Amerikë nuk kishim asnjë lidhje tjetër me botën shqiptare përveç gazetës “Dielli”. Në atë kohë ishte 4 faqesh por botohej një herë në javë. Në mesin e viteve 70’ filluam bashkëpunim serioz me “Vatrën”.

Në New York kishte shumë aktivistë vatranë ku shquhej Ymer Doda. Ai fitoi menjëherë mbështetjen tonë dhe të shumë malësorëve nga trojet shqiptare të robëruara. Ymer Doda shkonte derë për derë duke kërkuar parapagues të gazetës dhe anëtarë të Vatrës. Dega 29 e Vatrës në New York ishte shtylla kryesore e kësaj organizate. Dekada e 8-të e shekullit të kalar ishte periudha më historike dhe tragjike e pjesë së dytë të shekullit të kaluar. Në pranverë të vitit 1981 filluan kryengritjet e Kosovës për liri e pavarësi. Në pranverë të vitit 1982 u vranë vëllazërit Gervalla dhe Kadri Zeka. Në atë kohë u vra ose u vetvra Mehmet Shehu dhe tre vjet më vonë vdiq Enver Hoxha. Të gjitha këto ngjarje ndodhën në një distancë kohore prej 4 vjetësh. Analistët politikë shqiptarë dhe të huaj parashikonin ndryshime të mëdha në botën shqiptare. Kombi shqiptar ishte në lëvizje e sipër për liri e demokraci.

Edhe shqiptarët e Amerikës kishin filluar aktivitetet e tyre për të mirën kombëtare. Këtu bënte pjesë edhe Vatra e Dielli. Ishin bërë tradicionale kuvendet e kësaj organizate të mbahen gjithmonë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Kuvendi i vitit 1985 u zhvillua në Boston në fundjavën e parë të tetorit. Ne vatranët e qyteteve tjera amerikane shkonim në Boston të gëzuar sepse ky qytet për ne ishte një Tiranë e vogël. Kisha katedrale e Shën Gjergit dhe restauranti i famshëm Anthony Pier 4, kishin për shqiptarë rëndësi historike dhe kulturore. Kuvëndet fillonin të shtunën në mëngjez dhe vazhdonin gjithë pasditën, bile disa herë edhe të dielën para se të shtrohej një drekë e veçantë në Anthony Pier të Antoni Athanasit. Kuvendi i atij viti kaloi mirë në fillim deri në momentin kur sekretarja e Vatrës Paulina Lukas deklaroi se gazeta “Dielli” nuk botohet më. Kur dëgjuan këtë lajm delegatët i kaploi një dhimbje që nuk ishte parë asnjëherë në kuvendet e kësaj organizate. Disa nga të pranishmit pyesnin pse po mbyllet gazeta? Zonja Lukas përgjigjej për mungesë të financave. Aty ishte edhe Antoni Athanas por nuk reagonte fare. Qeveria komuniste e Tiranës dhe ajo e Beogradit kishin vepruar natë e ditë për mbylljen e kësaj gazete. Të dy këto qeveri kishin miq besnikë në Amerikë.

Patriotët shqiptarë antikomunistë dhe antijugosllavë që fatkeqësisht nuk kishin mundësi të mjaftueshme financiare e kundërshtuan këtë vendim. Dielli ç’prej vitit 1960 e deri në vitin 1985 kishte bërë punë të madhe kundër diktaturës në Shqipëri dhe kundër pushtimit jugosllav të tokave shqiptare. Kjo ndodhi në sesionin e parë të mëngjesit. Gjatë pushimit midis dy seancave u këshillova me vëllaun tim, Lucë Gjonlekaj, i cili ishte i pranishëm në këtë kuvend për mundësinë e një kontributi për shpëtimin e kësaj gazete. Ai e mbështeti me këmbëngulje qëndrimin tim për botimin e 12 numrave me 8 faqe për gjashtë muaj duke filluar nga janari i vitit 1986. Çdo numër kushtonte 950 dollarë, dhe prej 1 janarit 1986 e deri më 1 korrik po të atij viti ne paguam $11,400 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind dollar). Pas pak kohe kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia kërkoi një deklaratë tonën për këtë kontribut ,bile edhe fotografinë tonë. Ne ia plotësuam dëshirën duke ia shpjeguar se populli ynë kishte nevojë të madhe për një gazetë serioze shqiptaro-amerikane. Shqipëria nën diktaturë dhe Kosova dhe viset tjera shqiptare nën robërinë jugosllave prisnin prej nesh ndihmën për liri e pavarësi. Do të ishte qenë mëkat për ne sikur të kishim hequr dorë nga thirrjet e tyre për shpëtim. Mbyllja e gazetës Dielli në atë kohë do të ishte një vepër e keqe. Të pranishmit e pritën mirë dhe e duartrokitën premtimin tonë,edhe pse dukej i pamundshëm.

Shumë shqiptarë të Amerikës e përshëndetën këtë akt. Kryeredaktori i Diellit Xhevat Kallajxhi botoi një editorial në këtë gazetë për këtë dhuratë, duke e cilësuar si dhuratën më të madhe në historinë e Diellit dhe Vatrës. Ndërsa kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia e cilësoi si një vepër të madhe patriotike. Edhe Profesor Repishti na përgëzoi për këtë kontribut me një shkrim ne gazetën Dielli. Edhe shqiptarë të tjerë kanë shkruar e folur për ketë vepër. Gjatë një vizite në New York, Antoni Athanas më përgëzoi duke më thënë: “Qerrata e mbajte fjalën, Urime”. Ndërsa miku ynë Prenkë Gruda tha: “Urime, e shpëtuat ‘Diellin’ nga varri”. Unë ruaj kujtime të mira për dy gazeta shqiptare, për gazetën “Rilindja” e Prishtinës dhe për gazetën “Dielli” të Bostonit. “Rilindja u shua,ndërsa gazeta “Dielli” një muaj më parë kremtoi 110-vjetorin e saj. Do Zoti e kjo gazetë nuk do të shuhet kurrë, ashtu siç nuk do të shuhet kurrë as drita e diellit (Gjekë Gjonleka, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York).

Gjekë Gjonlekaj dhe Lucë Gjonlekaj me gazetën Dielli në 1996./koha.net/ KultPlus.com

Donika Podrimja: Babai im, personi i hareshëm dhe tregimtari i lindur

Arbër Selmani

Është e mahnitshme kur Donika Podrimja i kujton momentet e bukura me babain e saj, shkrimtarin Ali Podrimja.

Se ka qenë një person i cili poezinë e tregimin i ka pasur pjesë të jetës së përditshme, e dëshmon edhe tregimi se si është takuar me nënën tonë, Fitorën. Ne deri sa jemi rritur kemi menduar që ai e ka shpëtuar nënën tonë nga peshkaqeni, në Pulë të Kroacisë, ku ata për herë të parë janë takuar. Dashurinë e tyre e ka përshkruar gjithmonë si diçka në mes hyjnores dhe magjepjes, dhe është kënaqur shumë me reagimet tona kur e tregonte këtë dhe storie të tjera, të cilat më vonë kemi kuptuar që ishin imagjinatë romantike e babait tonë”.

Kështu e fillon rrëfimin e saj Donika, vajza e shkrimtarit Ali Podrimja. Shkrimtari, një fëmijë jetim, dashurinë prindërore e cila i mungoi më pas e ktheu në fuqi për familjarët e tij. Kujdesi i tij ndaj fëmijëve ka qenë i madh, tregon Donika, meqë ai e ka shfrytëzuar çdo rast për të shprehur dashurinë si prind.

Babai im ka qenë një person i hareshëm dhe një tregimtar i lindur, si dhe shumë mendjehapur prej se e kam mbajtur ndër mend. Mua dhe tre vëllezërit na ka trajtuar me një dashuri të madhe dhe na ka ngulitur ndjenjën e barazisë në mes gjinive, e cila nuk ka qenë vetëm në raport me neve fëmijëve por edhe me nënën, si dhe nipin e mbesat” tregon Donika.

Donika, sot vet një nënë dhe një grua që e di mirë rëndësinë e të pasurit fëmijë, tregon se e kujton shkrimtarin çdo ditë.

“E kam një engjull mbrojtës që çdoherë është afër meje. Ai si prind ka qenë afër meje në momentet më të vështira, dhe tani kur kam ndonjë vështirësi, unë mendoj në të, dhe kjo më jep siguri dhe guxim për të ecur përpara. Shpesh mendoj se sa më lehtë do të ishte, po të ishte ai me ne” tregon Donika.

Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë ndërsa që nga viti 1961 ka botuar prozë e poezi të ndryshme. Në vitin 1982 me përmbledhjen “Lum Lumi” zuri vendin e merituar në letërsinë shqipe, për të qëndruar aty deri në ditët e fundit, kur ndërroi jetë në vitin 2012-të. Nuk ka sot shqiptar që e do fjalën e bukur dhe që nuk e njeh Ali Podrimën.

Një dhimbje e tmerrshme e humbjes së Lumit

LUM LUMI

A thua është dita jote e fundit në spital 
do t’i biem deri në fund a thua 
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë 
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët. 
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua 
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde 
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh; 
Mallkim i fisit. 
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë 
Në çdo kohë, 
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë. 
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël 
për dhimbjet e tua 
për shtatë plagët e tua 
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël 
i vogël tepër spitali 
nën te Danubi i thellë e i kaltër. 
A thua tërë jetën do të na vijë era jod 
sëmundje, murtajë 
do pështyjmë gjak e vrer, 
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët. 
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital. 
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli, 
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef 
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin. 
Në fund të syrit tënd 
hap fatin tim të kobshëm. 
Ai nuk jam Unë 
Ai nuk je TI 
Kush jam, kush je? 
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë. 
Poezia më e bukur ende s’është shkruar 
as do të shkruhet 
përderisa zhytësit ende jetojnë 
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta 
dhe çdo fund është tragjik. 
Po ç’ka aty poshtë në materie 
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër 
të vjetër psalmesh 
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim 
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët, 
na mundi ëndrra, udha, 
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital 
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund. 
Lum Lumi.

Kur kujtojmë shkrimtarin Ali Podrimja, kujtojmë ‘Lum Lumin’, poezinë ndoshta më të thellë dhe më të dhimbshme të shkrimtarit. Shumë njerëz bashkëndjejnë në dhimbjen e shkrimtarit, dhe historinë e trishtë të humbjes së të birit.

“Kujtimet më të vështira i kemi nga koha e tragjedisë tonë familjare, kur prindërit tanë, në moshë të re, janë përballur me një sëmundje të rëndë dhe vdekjen e djalit, Lumit. Poashtu, humbja dhe pastaj vdekja e babait në Lodeve të Francës, ka qenë një ankth dhe vuajtje e madhe për ne, pasi ndërroi jetë në vetmi. Shkuarja e vëllaut, Petritit, menjëherë në Francë ishte një ngushëllim për të gjithë ne që nuk kishim viza të udhëtonim, por Petriti i vetmuar në Lodeve mori lajmin e hidhur për babain, dhe sot e kësaj dite e kam në vesh zërin e tij duke qajtur kur na lajmëroi se babai është gjetur i vdekur” rrëfen Donika.

Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit.

Për Donikën, kjo poezi por edhe një përmbledhje e tërë e poezive nën këtë emër, është dhimbja familjare e thurrur në vargje e tragjedisë.

Donika sot duhet të jetojë jetën e saj, gjithmonë duke u mbështetur në bagazhin letrar voluminoz e të fuqishëm të Aliut të të gjithë shqiptarëve, të të gjithë botës së poezisë.

“Poashtu, i pëlqej edhe poezitë që i ka shkruar në moshë shumë të re, kur populli shqiptar ka qenë i shtypur. Më fascinon fakti që pothuajse si fëmi, babai ka gjetur shprehje të tilla artistike për të shprehur patriotizmin e tij, dhe si ka mundur në një moshë aq të re të ketë aq ndjenja të forta patriotike. Tash ndjej krenari që po ato poezi, sikurse “Unë Biri Yt, Kosovë’ që është shndërruar në amblemë identitare e Kosovës” tregon Donika.

Ndër veprat më të njohura të Podrimjes janë : “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Credo”, “Drejtpeshimi”, “Lum Lumi”, “Fundi i Gëzuar”, “Zari”, “Në bisht të sorrës”, “Buzëqeshje në kafaz”, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu”.

Donika mund të quhej lehtësisht Lekë

“Në të vërtetë, unë është dashur ta kem emrin Lekë, meqenëse prindërve të mi u është thënë se do të jem djalë, pasi në atë kohë nuk ka qenë e mundur që të detektohet gjinia e frutit, por është bazuar në interpretimin e njerëzve nga dukja e gruas shtatëzënë” tregon Donika.

“Kur kam qenë e vogël nuk më ka pëlqyer shumë emri im, pasi më është dukur si emër për njerëz të moshuar, dhe kam kërkuar që të ma ndërrojnë. Por, babai, ma ndërroi mendjen kur më tha se Donika ka qenë një mbretëreshë, një grua e fuqishme dhe e ditur, se unë jam kryevepra e tij, dhe se për këtë arsye duhet ta mbaj këtë emër. Përsëri, kjo ishte njëra ndër imagjinatat e tija magjepëse, me të cilat na zbukuronte jetën çdo ditë” vazhdon Donika.

Ajo kujton se Aliu ka udhëtuar shumë, si për krijimtarinë e tij ashtu edhe për lobim për çështjen e Kosovës në rrethet intelektuale të Evropës.

“Barra më e madhe ka qenë e nënës për kujdesje ndaj neve fëmijëve. Ai kur kthehej nga udhëtimet mundohej që të kalonte sa më shumë kohë me neve, dhe të na argëtonte me tregimet e tij. Kthimi nga udhëtimet e kishin edhe një gëzim tjetër për neve fëmijëve, pasi babai gjithmonë na sjellte dhurata që na gëzonin shumë” tregon Donika.

Në Gjakovë, ka një park me emrin e shkrimtarit ku të rinjtë e Gjakovës mblidhen për ngjarje kulturore dhe artistike. Aty edhe përkujtohet në çdo përvjetor të vdekjes, shkrimtari Ali Podrimja. Donika thotë se ajo dhe familja i janë mirënjohës Gjakovës, vendlindjes së shkrimtarit, me këtë park por edhe me vendosjen e bustit të tij.

Poeti Ali Podrimja, nga Mario Bellizzi.

“Kolegët dhe miqt e babait në mënyra të ndryshme dhe me aq sa kanë mundësi e kujtojnë dhe e nderojnë ate. Jemi shumë falenderues ndaj Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që pos organizimit të ceremonies mortore në mënyrën më dinjitoze, ata shumë shpejtë pas vdekjes së tij, e botuan vëllimin prej nëntë librave të krijimtarisë së tij. Vend të veçantë kanë edhe miqt e tij nga Franca, të cilët në vazhdimësi i botojnë poezitë e tij në gjuhën frënge. Një pjesë të panjohur të madhështisë e tij njerëzore, jam duke e kuptuar dita ditës, nga miqt dhe kolegët e tij, të cilët më tregojnë se si ju ka ndihmuar në rrugëtimet e tyre artisktike, Poashtu, tani jam duke e kuptuar edhe më mire, se sa shumë dhe me vite të tërra ka punuar ai dhe intelektualët e vendit tone për çështjen e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare, të cilat kontribute janë të përmbledhura në esetë në vëllimin e veprave të tij të botuara nga ASHAK” përfundon Donika.

Nuk ka mënyrë më të mirë ta kujtojmë shkrimtarin me të cilin jemi rritur të gjithë, sesa me një poezi të shkruar nga dora e tij.

ME JETUE

Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë

Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç 
Ujin ta vlosh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër në 
kohë në kosmos

Ti dhe Uji

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
dhe ta masësh
kur hijen tënde nuk mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macjen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo nuk është symbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush 
nuk te beson 
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam Unë
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama 
për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë 
të natës 
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë 
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli 
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë
dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë 
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetvetën derisa kemi frymë

(1979)

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ). 

Dervish Shaqa një rapsod i paharruar (VIDEO)

‘Gjon Leka njëzet vjeç djalë’, është këngë që këndon Dervish Shaqa në këtë incizim të rrallë, shkruan KultPlus.

Rapsodi i njohur i gjithë shqiptarisë Dervish Shaqa, vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të folklorit shqiptar. Kjo këngë që po sjellim sot është e rrallë në internet dhe Dervish Shaqa, i këndon një djaloshi trim nga jugu i Shqipërisë. ‘Gjon Leka njëzet vjeç djalë’, është këngë që këndon Dervish Shaqa në këtë incizim të rrallë./ KultPlus.com

Agata dhe Donika Çetta, vajzat e Tates dhe arkivës së gjallë të folklorit shqiptar

                                                                                   

Arbër Selmani

Një arkivë e gjallë e folklorit shqiptar, i cili me dashurinë më të madhe e transmetonte këtë folklor në formë të përrallave, çdo natë para gjumit.

Donika Çetta kësisoj e përshkruan babain e saj, Anton Çettën.

Ne të gjithë e njohim një Anton Çetta prej librave, prej faljes së gjaqeve, prej dorështrëngimeve, prej rezonimit të mirësisë në fytyrën e tij, prej historive që prindërit tanë na kanë treguar për këtë burrë, prej fotografive bardh e zi dhe me ngjyra, prej momenteve kur familjet gjejnë paqe.[1] Të tjerët e kanë takuar rastësisht, disa në ëndrra, të tjerë në fushën e pajtimit.

Donika e njeh më mirë se ne, më ndryshe se ne, më mishërueshëm se ne këtë emër historik.

Donika Çetta dhe babai i saj, Anton Çetta

“Fëmijëria dhe vendlindja janë dashuritë që lëshojnë rrënjët më të thella në njeriun. Për këtë arsye ajo gjithnjë gjatë gjithë udhës që bën njeriu, e thërret në prehrin e vet” – thoshte babi. Ndërsa për mua, të rritesha krahas tij, fëmijëria ime ngjasonte në fytyrën e mëngjesit dhe shpirtin e përrallës” tregon Donika Çetta, vajza e Anton Çettës.

“Shpesh i kujtoj edhe ditët e kaluara me babin në liqenin e Batllavës meqë atje kishim një vikend shtëpizë. Babi e kishte hobi peshkimin ndërsa unë isha ndihmësja e tij pa të cilën nuk kishte fat në peshkim, më thoshte. Në të aguar, në mëngjesin e hershëm bëheshim gati për të shkuar në peshkim. Në avullin që lëshonte liqeni derisa i afroheshim vendit tonë të preferuar të peshkimit ,rrezet e para të agimit binin në fytyrat tona dhe na jepnin ngrohtësi dhe shpresë. Pasi vendosnim shkopinjtë e peshkimit fillonin këshillat dhe bisedat e këndshme babë e bijë që dinin të zgjasnin por ndonjëhere ndërpriteshin nga të dridhurat e tërheqja e shkopit që nënkuptonte se peshku kishte rënë në grep. Shpesh na bashkoheshin edhe fëmijët e fshatit dhe të tjerë, meqë s’kishte njeri që s’lakmonte që së paku një orë të jetës të ishte përkrah babit dhe të bisedonin me të” tregon Donika.

Është e vështirë ta ndërpresësh tregimin e Donikës, meqë ky tregim të merr me vete me të njëjtën mirësi që Anton Çetta edhe sot e reflekton ndër shqiptarët kudo.

Akademik, profesor, mbledhës i folklorit, patriot i njerëzishëm, dikur edhe deputet, Anton Çetta – i lindur në Gjakovë në vitin 1920, jetoi ditët e tij të fundit në vitin 1995 në Prishtinë.

Anton Çetta ka qenë edhe një baba shembull sipas të bijës së tij.

“Unë si fëmiu i parë i familjes isha shumë e lidhur me babin por kisha një përgjegjësi më të madhe dhe pritej shumë nga unë. Unë duhej të isha fëmiu model, me të gjitha epitetet më të mira që mund t’i ketë dikush edhe pse ai nuk na imponoi kurrë asgjë. Mundohesha që të marr sa më shumë nga ai, sa herë që kishte pak kohë unë i rrija në prehër dhe nuk i ndahesha meqë isha edhe pak çapkëne dhe kureshtare dhe doja të fitoja përgjigjet e mia, por ai nuk mërzitej me pyetjet e mia të pafundme dhe me durimin më të madh mi shpjegonte ato. Duke u rritur unë, me mua rriteshin edhe pikëpyetjet për situatat e ndryshme të krijuara që na i servonte jeta por unë e kisha përgjigjen për të gjitha meqë babi na pat thënë: “Çkado që të bëni në jetë ose përpara ndonjë vendimi të rëndësishëm vetëm mendoni – A do t’a kisha bërë sikur ta kisha babin këtu” Kjo thënie më përcolli gjatë gjithë jetës dhe më shërbeu si udhërrëfyes në çdo hap të jetës dhë në çdo vendim të rëndësishëm të saj” na shpjegon Donika, kur duhet të kujtojë raportin e saj me Anton Çettën e të gjithë shqiptarëve, të vetmin Anton Çettë të jetës së saj.

***

Zekeria Cana dhe Anton Çetta / Fotografuar ne Bogë, nga Gani Iberdemaj

“Desha t’u lija brezave që do të vinin artin, mençurinë dhe kulturën e popullit tonë të lashtë”
Anton Çetta

Libri i parë nga Anton Çetta, mes të tjerave edhe humanist, botohet në vitin 1953.

Mprehtësia e tij letrare vazhdon të rrjedhë me tekste të ndyshme, shumica prej tyre edhe për nevojat e shkollës shqipe dhe një katalizator për edukimin e gjeneratave të tëra shqiptare.

Rreth 20 libra me përmbledhje folklori dhe traditë gojore nga të gjitha trevat, janë bagazhi modest por jo i kompletuar i Anton Çettës. Shembull, “Prozë popullore nga Drenica” përmban plot folklor e traditë mbledhur prej Çettës.

“Njani shkoi me u rrue tu ni berber. Berberi e kish pase zakon m’u livdue shume. Kur e rruejti myshterine, filloi me i thane:
-Balla boll mire t’kam rrue, valla boll mire t’kam rrue. Myshteria edhe i nej gati e i tha:
– Valla edhe une boll mire t’kam nejt”

***

Agata Çetta, vajza tjetër e Anton Çettës, nuk përmbahet kur flet për madhështinë e këtij njeriu.

“Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë, mu sikur virtyti të cilin Tata ka tentuar gjithmonë të na e mësonte, thjeshtësia. Megjithatë, mes shkollës, lojërave dhe obligimeve tjera që unë kisha si fëmijë, kujtoj shumë qartë përrallat që ai na tregonte në “Odën e oxhakut”, vendin e tij dhe tonë të preferuar e të rregulluar me elemente dhe stoli tradicionale, ku Tata edhe kalonte shumicën e kohës duke punuar. Në netët kur na zinte gjumi nën zhumrën e makinës së shkrimit, unë nuk e kuptoja rëndësinë e madhe të punës së tij, por këtë gjë e kam kuptuar me kohë dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë në krijimin e personalitetit tim, shprehisë së punës dhe përkushtimit ndaj gjërave të rëndësishme në jetë” tregon Agata, e cila e quan Tata – plakun e urtë Anton.

“Gjithmonë unë dhe motra e kemi thirrë Tate. Më kujtohet që në vegjëli shoqëria më pyeste pse e thirri Tate e jo Babë, dhe iu pata thënë që edhe Tata e ka thirrë njëjtë gjyshin, kështu që e kemi trashëguar”.

Donika Çetta dhe Agata Çetta

“Kur ka lindë motra ime e madhe, Tata ia ka ngjitë emrin Donika, dihet sipas bashkëshortes së Skënderbeut. Kur kanë ardhë për vizitë të afërmit në shtëpi, tezja e Tatës e ka pyetur: “Anton, si ia ngjite vajzës emrin?”, Tata i thotë Donika. Po si Anton nuk ia ngjite në emër të nanës? Tata përgjigjet: Kur të lindë e dyta ia ngjes. Dhe menjehere tezja reagon, jo të dytin fëmijë e dojmë djalë. Tata vetëm qeshë. Ky është tregimi i emrit tim” tregon Agata.

***

Të rrijmë pak te Anton Çetta.

Rreth viteve 1945-46 ai punoi në Gjimnazin e Prizrenit, duke qenë edhe anëtar i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Agimi”, më vonë edhe kryetar i saj. Në Serbi shkon për tu regjistruar në Degën e Gjuhës Frënge. Atje emërohet asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti në tri vëllime këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.[2]

Dom Lush Gjergji, në një intervistë të tijën, e quan Çettën kirurg shpirtëror të shqiptarëve.

“Antoni ishte njeri i provanisë së Zotit. Ai me hulumtimet që i bëri rreth thesarit popullit, rreth frazeologjisë, rreth kulturës dhe qytetërimit, 20 vjet, ishte një lloj përgatitjeje për veprën e tij hyjnore, sepse kudo që shkonim me bacën Anton, kishte njerëz që ai i njihte. Madje ishte legjendare kur shkonim para tridhjetë, katërdhjetë vjetëve, kam qenë në këtë shtëpi dhe më kujtohet atë natë kur kemi biseduar për kulturën, për traditën, për popullin shqiptar, dhe ka lindur një fëmijë. Madje i kujtohej edhe emri i njeriut tri-katërdhjetëvjeçar, dhe ai thoshte: baca Anton ai jam unë. Prandaj krijonte një atmosferë unike. Para Anton Çettës ka qenë shumë e vështirë të thuash jo”. [3]

***

“Duhet të jemi trima të urtë. Kombi shqiptar kurrë nuk ka qenë më unik, pas këtij bashkimi kombëtar nuk ka fuqi që mund ta gjunjëzojë këtë popull”
                                                                                                             Anton Çetta

Donika tregon se ishte privilegj që ajo dhe motra e saj patën një baba të tillë, por gjithashtu ishte edhe një barrë mbi supet e tyre, barrë që rëndohej në periudha të ndryshme të zhvillimit të tyre.

Si të vogla, motrat ishin ‘vajzat e profesorit’, ndërsa si adoleshente nënkuptonte edhe një kufizim të dëshirave të kohës, siç shprehet Donika.

Donika Çetta me prindërit

“Pavarësisht asaj ne nuk u fshehem nën hijen babit por u përballëm me sfidat dhe hallet e ndryshme. Kështu mësuam që të jemi më stoike dhe më të guximshme dhe mos të jenë problemi i parë hallet tona, por të na karakterizojë durimi, urtësia, qëndresa dhe guximi” vazhdon Donika.

Njëjtë si Donika, edhe Agata thotë se ka qenë barrë e mirë fakti që familjarët e Antonit gjithmonë kanë tentuar të gjejnë rrugën e drejtë të jetës.

“Më shumë se barrë e mirë, kjo për ne ka qenë kënaqësi. Mirënjohja për veprat e tij dhe respekti të cilin ai e ka gëzuar dhe e gëzon akoma ndër njerëz dhe fakti që ne ballafaqohemi pothuajse çdo ditë me njerëz tek të cilët Tata ka pasë ndikim në çfarëdo forme, neve na bënë shumë krenare dhe na ndihmon ta mbajmë dhe ta përcjellim tutje këtë përgjegjësi edhe te fëmijët tanë” shprehet Agata, sot një artiste e cila jo shumë kohë më parë hapi një ekspozitë në Mynih me 13 grafika të teknikës akuatintë dhe 11 pjata nga argjila në kombinim me filigran, që është një ndër artizanatet më të dalluara shqiptare.

Agata, pra, ka qenë edhe emri i nënës së Anton Çettës. Lazër Çetta ka qenë babai i Antonit. Ky i fundit ka qenë dekoruar nga presidenti francez me medaljen “Officier d’Académie” e akorduar në vitin 1928. Poashtu në vitin 1934 dekorohet për herë të dytë nga shteti francez me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit (Chevalier de la Légion d’Honneur)”.

Nga kjo familje vjen edhe Beniamin Çetta. Beniamin Çetta u lind në Tiranë në marsin e vitit 1937. I atij, Lazër Çetta pati mundësi të merrte kulturë dhe arsim perëndimor dhe u bë profesor i gjuhës frënge në një gjimnaz në Tiranë si dhe drejtor i drejtorisë së të drejtave të studimit në Ministrinë e Arsimit. Djali i madh i familjes, Antoni përfundoi Liceun e Korçës, ndërsa Beniamini do të studiojë për Mjekësi. [4]

***

Donika e Agata edhe sot i kthehen shkrimeve të Anton Çettës, duke reflektuar mbi intelektin e tij.

“Sa herë që lexoj shkrimet e babit kthehem në retrospektivë dhe udhëtoj me të në botën e tij paqësore, të bukur, të pasur, të qeshur me plot dashuri dhe urtësi. Shpesh në ato shkrime e gjej edhe përditshmërinë tonë duke gjetur përgjigjet për sot dhe për nesër. Po e veçoj një tregim që edhe pse i shkruar shumë vite më parë aq bukur e përshkruan situatën tonë momentale në vend:

Kishte qenë një djalë që i kishin bërë magji dhe qe shndërruar në gjarpër. Po ishte djalë i një babai të mirë. Kur hyri në moshën e pjekurisë i tha babait: “Baba, martomë”. Po si të martoj, more bir? Babai i shkretë, për të mos ia prishur qefin dhe mendoi se do të ishte një formalitet vajti dhe iu kërkoi vajzën, siç është zakon tek ne, një miku në katund. “Po ta kërkoj vajzën, në emër të zotit”, i tha. Po si ta jap për djalin gjarpër? – i tha ky. Vajza, që ndodhej prapa derës e dëgjonte dhe i tha babait që ta jepte, sepse kërkesa ishte në emer të zotit. Dhe, kështu babai ia dha. Kur do të shkonte kjo vajza nuse u këshillua me një grua plakë të mençur “Si të sillem me këtë gjarpër?”, e pyeti plakën e mençur. “Bijë e nënës, i tha kjo, vishi 7 këmisha. Kur të hysh në dhomë dhe të urdhëroi gjarpri “Hiqe këmishën” ti, do t’i thuash “Hiqe një lëkurë”. Dhe, kështu vazhdo “hiq një këmishë, e hiq një lëkurë”, deri sa të zhvishen shtatë këmishat e shtatë lëkurat. Kur i zhveshën këto, pastaj, dolën dy krijesa të mrekullueshme. Djali u lirua nga magjia, ndërsa vajza u bë një nuse shumë e bukur

Agata Çetta dhe Anton Çetta

Kështu njerëzit tanë duhet të zhvishen një herë e përgjithmonë nga mllefet ndërsa partitë shqiptare duhet të lirohen nga mëritë në mes vete. Nëse nuk çlirohemi nga këto brenga dhe antagonizma, nga këto të këqia, në rast se do të vazhdojmë me intriga ndaj njëri –tjetrit procesi i zhvillimit të vendit tonë do të jetë shumë i ngadaltë” tregon Donika Çetta.

“Kohëve të fundit, pasi që isha pjesëmarrëse në përgatitjen e kompletit të veprave të Tatës, më është dhënë mundësia më shumë të lexoj rreth veprimtarisë së tij nga të tjerët por gjithashtu edhe krijimtarinë e tij. Jam ndjerë shumë mirë, por njëkohësisht me një barrë të madhe. Gjatë përgatitjes e kemi përfshirë edhe arkivin familjar, me material shumë të pasur për popullin, që do të kenë rastin t’i lexojnë kur të botohet” na thotë Agata.

Agata mban mend kujtime me antropologun Anton Çetta, njeriun meritor edhe për themelimin e Institutit Albanologjik, deri në moshën 10 vjeçare. Prej kur ka nisur aksioni për pajtimin e gjaqeve, në vitin 1990, Tata i Agatas ka qenë i tëri i përkushtuar në këtë proces.

“Kalonim pak kohë bashkë. Gjatë javës shume rrallë shiheshim. Nga ajo moshë, pjesën më të madhe të kohës, për neve është përkujdesë mama. Përveç nesh, edhe për shtëpi e për njerëzit që kishin nevojë e vinin te ne. Tash kur i kujtoj fjalët e tij, i kam edhe më të qarta mesazhet që m’i ka dhënë. Ka shumë por njëra më është ngulitë: Kur Gjyshi e ka përcjellë Taten për në Liceun e Korçës, institucioni më i rëndësishem edukativ i asaj kohe, i ka thënë: “Anton, çkado që bën, çfarëdo vendimi që merr, mendo, a do t’veproje njëjt po ta kishe Tatën afër. Këtë këshillë Tata e ka përcjellë edhe te unë dhe motra” tregon Agata, që veç e përsëritë Donikën në këtë pikë.

***

“Kultura e popullit nuk është si një tempull antik grek që mbështetet në shtatë – tetë shtylla, por kala e ngritur nga mija gurë, ku kujtoj se edhe unë kam vënë gurë, sado të vogël”
                                                                                                            Anton Çetta

Herë të vajzat e tij e herë të Anton Çetta, është aspak e lehtë të shkruash për këtë figurë e cila mundësoi pajtimin e rreth 1200 gjaqeve e 600 plagosjeve, mospajtimeve mes shqiptarëve, problemeve kryesisht me gjakmarrje mes familjeve që ishin ngujuar për vite.

Nga arkivi familjar, Agata Çetta dhe Anton Çetta

Profesor Antoni së bashku me Esad Mekulin, Mark Krasniqin, Hivzi Sulejmanin, Idriz Ajetin, Kadri Halimin, Skender Rizajn e disa të tjerë përbenin brezin e parë, brezin e artë të intelektualëve shqiptarë të Kosovës që e bartën barrën më të rëndë për ta arsimuar, edukuar, emancipuar popullin e Kosovës, duke u bërë kështu edhe bartës të zhvillimeve të jetës kulturore, artistike e shkencore të Kosovës. [5]

“Mua gjithmonë tek miqtë më prezentonte si sugaresha e tij, dhe kur shëtisnim ma vendoste dorën mbi supe. Kur e takonim dikë, iu thoshte: Sugaresha ime më ndihmon të eci se mbështetëm në të. Unë fluturoja nga gëzimi. Gjithmonë nëpërmjet ndonjë tregimi apo ilustrimi na jepte këshilla” tregon Agata.

Donikës i pëlqen sidomos përmbledhja “Në prehër të gjyshes”, kur duhet të përzgjedhë diçka nga krijimtaria e Anton Çettës. Në këtë vepër përfshihen vjersha apo poemtha të frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore. Përmes tyre arrihet efekti edukativ, sepse u rekomandohet fëmijëve rruga e drejtë, forcimi i virtyteve më të larta e më të mira dhe luftimi I veseve të këqia.

“Këto vjersha në formë të gojëdhënave, legjendave e përrallave gjithmonë më kanë bartur në botën imagjinative e magjepse e këtë efekt e ka edhe më fëmijët e mi kur ju lexoj para gjumit. Fëmijët janë krijesat më të dashura dhe na kënaqin me atë sinqeritet, naivitet dhe pafajsitë e tyre. Çdonjëri prej nesh do të dëshironte të fitojë simpatinë e tyre me ndonjë vjershë, tregim apo prozë didaktike e kështu të kontribuonte sadopak edhe në edukimin e tyre etik, estetik e kulturor, e mendoj që babi e ka arritur mjaft mire këtë sidomos me veprën e tij “Në prehër të gjyshes” e cila është lexuar brez pas brezi” vazhdon Donika.

“Thuhet se në momentet më të vështira popujt e mëdhenj nxjerrin nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira për të udhëhequr drejt lirisë dhe shpëtimit. Kjo i ndodhi dhe popullit shqiptar vite më parë nën udhëheqjen e babit, studenteve dhe miqëve te tij kur filloi pajtimi kombëtar shqiptar. Shtrirja dhe jehona e këtij pajtimi gjithkombëtar tregoi si kurrë më parë se pushtuesi nuk do të mund të ushqehej në gjakun e shqiptarve përmes nxitjes së hakmarrjes dhe mërive vëllavrasëse. Ishte koha ku ashtu sipas traditës të të parëve tanë të lashtë populli shqiptar Kosovën e ktheu në një kuvend të besës, trimërisë dhe mençurisë. Ky popull i përvuajtur duke shtrirë dorën e pajtimit filloi shërimin shpirtëror kombëtar duke shtruar kështu rrugën dhe duke parapërgatitur këtë rini dhe këtë popull për të shkruar faqet më të ndritura të historisë tonë dhe për ta hapur udhën e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës” përfundon Donika.

***

Do ta përfundojmë me Anton Çettën, njeriun i cili ka nevojë të citohet në libra, të flitet për të në rrugë, të ketë shtatore e bust për të, të ketë kujtime të shkruara, të ketë përkujtimore e të ketë ceremoni që na e sjellin në kujtesë atë. Gjeneratat e reja duhet ta lexojnë, gjeneratat e vjetra duhet të reflektojnë, librat e historisë e antropologjisë duhet ta marrin si shembull në secilin kapitull. Shkrimtarët duhet të inspirohen prej tij, studiuesit duhet ta vazhdojnë rrugën me të njejtin zell studimor të Çettës. Vajzat e tij, megjithatë, do të mbesin gjithmonë vajzat e Anton Çettës, njeriut me zemër të madhe e të mirë.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ). 


[1] https://www.nytimes.com/1990/04/07/world/pristina-journal-albanians-new-way-feuds-without-blood.html

[2] https://www.radiokosovaelire.com/anton-cetta-1920-1995-mbledhes-folklorit-profesor-letersise-dhe-veprimtar-dalluar-ceshtjes-kombetare/

[3] http://www.drita.info/2018/08/09/don-lush-gjergji-anton-cetta-ishte-kirurg-shpirteror-i-shqiptareve/

[4] https://www.kultplus.com/libri/babai-i-anton-cettes-burri-i-forte-i-dekoruar-nga-franca/

[5] http://illyriapress.com/profesor-anton-cetta-plaku-i-urte-i-kombit-tone/

Të premten hapet ekspozita e radhës nga Vigan Nuza

Artisti Vigan Nuza do të hapë ekspozitën e tij të radhës.

Nuza, me datë 10 maj do të hapë ekspozitën “Shine” në Prishtinë, në lokalin ‘Argjendaria Dua’, përballë ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Ekspozita hapet në ora 16:00, ndërsa Nuza është përkujdesur që edhe kësaj radhe të na befasojë me një hulumtim rreth trashëgimisë kulturore, që lidhet edhe me lokacionin ku do të mbahet ekspozita, shkruan KultPlus.

Gurët e çmuar janë kësaj here inspirimi i Nuzës, sidomos një i tillë i cili ka vlerë shumëvjeçare, punuar nga dora e njeriut. / KultPlus.com

‘Pranë burimit dorë për dore, hidhet vallja popullore’ (VIDEO)

Kush kujton Akordet e Kosovës, e kujton një këngë shumë të veçantë nga ky festival.

Në vitin 1984, kënga “Vallja popullore” kënduar nga Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci dhe Emine Vala morri Okarinën e Artë në Akorde dhe shpërblimin e parë nga juria profesionale.

Kënga u kompozua nga Pranvera Badivuku me tekst të Riza Sheqirit dhe orkestrim të Krist Lekaj.

Përcjelljen e bëjnë Grupi i fëmijëve i RTP-së dhe Visar Aliu në çifteli.

Publikuar në vitin 1985 në audio kasetën e parë me këngë për fëmijë nga Fabrika e kasetave e produksionit muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Kosovë. / KultPlus.com

Me 10 maj, Olen Cesari me koncert në Prishtinë

Me datë 10 maj, në kryeqytet do të koncertojë violinist i njohur shqiptar me famë botërore, Olen Cesari.

Cesari do të jetë pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës, ndërsa aktivitete të ndryshme do të ndodhin gjatë tërë javës në mbarë Kosovën.

Koncerti fillon në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (ish Instituti i Historisë). Koncerti është i hapur por ftesa duhet marrë në Europe House, përballë Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Cesari do të jetë i shoqëruar edhe nga muzikantë të tjerë, ndërsa do të ketë edhe befasi të tjera gjatë natës.

Koncerti organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Europe House. / KultPlus.com

Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

Jorge Luis Borges. Perkthyer nga Jozef Radi.

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…/ KultPlus.com

Shoqata “Jakova” po mbledh punime rreth jetës dhe zhvillimeve të viteve 1990-1999

Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA” u ka bërë thirrje të gjithë intelektualëve kosovarë që të sjellin punime autoriale në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur midis viteve 1990-1999 në Gjakovë dhe fshatrat e saj.

Ndërkaq, këto punime është planifikuar të prezantohen në një konferencë, që do të mbahet me 15 qershor, por afati i fundit për dorëzimin e abstrakteve të këtyre punimeve, është data 15 maj.

“Shoqata “Jakova” tashmë ka vu në programin e saj edhe projektin me titull: “Gjakova: 1990-2000”, për ta sjellë në kujtesë dhe për të mos i harruar vitet 1990- 1999 dhe zhvillimet politike, sindikale, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi (e sidomos industri), në zejtari, në kulturë, procesi i migrimit.. dhe të gjitha ato që e kanë karakterizuar jetën në Gjakovë dhe në fshatrat e Gjakovës”, ka bërë të ditur kryetari i saj, Ruzhdi Sefa.

Ai ka thënë se vend të veçantë, në këtë konferencë do të zënë ndodhitë dhe përjetimet e popullatës shqiptare të Gjakovës, si pjesëmarrja dhe lufta e UÇK-së, flakët e luftës, dëbimi i banorëve nga fshatrat, strehimi në familjet e Gjakovës, ndihmat… dhe çlirimi, kthimi i popullatës në vatrën e vet.

“Me këtë projekt unik, Shoqata e ka për qëllim t’i shënojë dhe të lërë gjurmë të zhvillimit historik të ngjarjeve, të situatave tepër të rënda, të angazhimeve, të veprimtarisë së personave dhe të familjeve”, ka thënë Sefa.

Ai ka shtuar se autorët këto të gjitha duhet t’i paraqesim sa më besnikërisht, sa më realisht, pa zbukurime e lavdërime.

“Me një fjalë, të paraqitet ashtu siç ka ndodhur gjithçka deri në imtësinë më të hollë, duke i paraqitur ngjarjet në shumë rrafshe, pa harruar kontributet e të gjithë atyre personave që kanë ndihmuar ta zbusin gjendjen dhe t’i kalojnë sa më me pak pasoja rrethanat e krijuara si pasojë e shkatërrimeve nga armiku”, ka thënë Sefa.

Ai ka theksuar se projekti “Gjakova: 1990-2000” do të finalizohet me një konferencë tematike me punimet autoriale, e cila do të mbahet më 15 qershor 2019. Të interesuarit për pjesëmarrje paraprakisht duhet të paraqiten me një abstrakt me 100-150 fjalë. Afati për dorëzimin e abstrakteve është 15 maji. Kurse, punimet e pranuara nga ana e Këshillit organizativ duhet të dorëzohen më së largu me 5 qershor 2018. Punimet e pranuara e të lexuara në Konferencë do të botohen si monografi me të njëjtin titull.

“Ky projekt është i të gjithë neve, kurse ideja është e Shoqatës ‘Jakova’, prandaj qytetarë të komunës së Gjakovës, jepni kontributin tuaj dhe ndihmoni ta shkruajmë kronikën tonë të përbashkët, sepse në vitin e largët 1913 të njëjtët armiq na e dogjën, ose na e vodhën kronikën (“sixhilin”) e Gjakovës, këtë radhë ndihmoni mos të na i vjedhë koha të gjitha ngjarjet që na kanë ndodhur dje”, ka thënë Sefa./koha.net/KultPlus.com

Xhamitë më të bukura në botë

Përveç lidhjes shpirtërore me besimtarët, objektet e kultit kanë qenë gjithnjë edhe vepra të rëndësishme arti, që kanë marrë vëmendjen e arkitektëve më të mëdhenj.

Xhamitë kanë ekzistuar për më shumë se 1.000 vite në të gjithë botën, por vazhdojnë t’i frymëzojnë turistët edhe sot me bukurinë dhe historinë e tyre.

Këto janë disa nga xhamitë më të bukura e më të rëndësishme në të gjithë botën./tch

Image

Xhamia Zahir, Malajzi

Image

Xhamia Putra, Malajzi

Image

Xhamia Pallati Shvetcingen, Gjermani

Image

Xhamia Umajad, Damask, Siri

Image

Xhamia Sulltan Omar Ali Saifudin, Brunei

Image

Xhamia Ul Alfar, Kolombo, Shri Lanka

Image

Xhamia Sulltan Hazrat, Kazakistan

Image

Xhamia Sulejman, Stamboll, Turqi

Image

Xhamia Sheik Zajed Bin Sulltan Al Nahajan, Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe

Image

Xhamia Sheik Lotfolla, Iran

Image

Xhamia Nur-Astana, Kazakistan

Image

Minarja Emin, Kinë

Image

Xhamia e Ubudias, Malajzi

Image

Xhamia Moti Masxhid, Indi

Image

Xhamia Masxhid, Nju Delhi, Indi

Image

Xhamia Kul Sharif, Kazan, Rusi

Image

Xhamia e Madhe, Çian, Kinë

Image

Xhamia Kombëtare e Abuxhes, Nigeri

Image

Xhamia Katem Al-Anbija, Bejrut, Liban

Image

Xhamia Hasani II, Kazablanka, Marok

Image

Xhamia e Profetit, Medina, Arabi Saudite

Image

Xhamia e Plumbit, Shkodër

Image

Xhamia e Madhe e Samaras, Irak

Image

Xhamia e Madhe e Kordobës, Spanjë

Image

Xhamia e Madhe Baiturrahman, Indonezi

Image

Xhamia e Londrës, Britani

Image

Meka, Arabi Saudite

Image

Xhamia e Kristaltë, Malajzi

Image

Xhamia e Hekurit, Malajzi

Image

Xhamia e Emir Abdel Kaderit, Algjeri

Image

Xhamia Blu, Turqi

Image

Xhamia Badshahi, Pakistan

Image

Xhamia Badite, ishulli Xherba, Tunizi

Image

Malaka, Malajzi

Image

Kupola e Gurit, Jeruzalem

Image

Hazrat Ali, Afganistan

Image

Baitun Nur, Kanada

Image

Xhamia e Madhe, Xhene, Mali

Image

As Siakirin, Kuala Lumpur, Malajzi

Zëvendëskryeministri Gashi dhe arbëreshët e Italisë priten nga familja e presidentit Rugova

Në ditën e tretë të qëndrimit të tyre në Prishtinë, arbëreshët e Italisë kanë bërë homazhe sot tek varri i presidentit Ibrahim Rugova. Bashkë më zëvendëskryeministrin Dardan Gashi ata janë pritur edhe në familjen e presidentit Rugova.

Ata janë informuar për jetën dhe kontributin që presidenti i ndjerë ka dhënë për pavarësinë e Kosovës.

Bashkëshortja e presidentit, Fana Rugova ka thënë se ata kanë lidhje të veçantë me arbëreshët dhe se janë të lumtur që po i presin në shtëpi.

Njëri nga arbëreshët tregoi se kishte marrë pjesë ne një interviste me Rugovën dhe se e mban mend atë si njeri paqësorë. Zëvendëskryministri i Kosovës Dardan Gashi, është zotuar se do vazhdoj të mbajë dhe fuqizoj lidhjet me arbëreshët e Italisë./ KultPlus.com

‘Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje’

Mitrush Kuteli – Testamenti

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë./KultPlus.com

Flutura Açka kujton të birin: Jam e zënë me trafikun e kujtimeve të mia, që ma bëjnë 5 maj çdo ditë timen

Flutura Açka

“5 Mei Plein” është një nga ndalesat e tramit, pranë një sheshi diku në Utrecht të Holandës, ku prej vitesh ngjitem e zbres shpesh në vejevijën time mes dy atdheve të mi, njëri i imi, tjetri i tim Biri. Edhe murdrita e dhomës sonë të ndenjes, sheh mbi stacionin “5 Mei Plein”, nga ai kënd jam mësuar ta përcjell përherë me sy mëngjeseve siluetën e tim Biri kur shkonte për në shkollë, edhe në ditë të vranëta, edhe nëpër të reshta, edhe ditëve ende të pagdhira dimërore. Rrija dhe prisja deri sa sinjali i njohur i kalimit të tramit nëpër stacionin dhe zhurma familjare e metalit mbi metal, e merrte tutje me vete dashurinë time. Ritualin e këqyrjes nga dritarja e përsërisja sërish orë më vonë, kur im Bir zbriste në ndalesë në kthimin nga shkolla, nxitin te semafori, hovin te rrugina deri te ndërtesa që e përfshinte brenda saj në pak minuta, zhurma e ashensorit, krraku i portës. Shpesh, ngaqë e dija me të qindtat e sekondës kohën e nevojshme të kthimit të tij, dyert i lija hapur, si një mirëseardhje të bujshme. “Mam, kam pak uri”, thoshte dhe afronte kokën te supi që ta nanurisja nëpër flokë, si përherë, dhe lëshonte çantën e rëndë të shkollës në shesh. Ndonjëherë më niste rrugës një sms që t’ia bëja gati në kohë pjatën: pak djathë të bardhë të skuqur në mënyrën shqiptare, domatëza e rukola, dhe pak bukë. 

Në krye të vitit 2018, kur shumë shpejt do t’i vinte fundi këtij rituali, kur nxënësi i shkëlqyer do të mbyllte diplomën dhe po nxitonte të ishte student, tek zgjidhte mes ftesave të shumta të universiteteve se ku dëshironte të studionte, fati i kishte rezervuar rituale të tjera klinikash, spitalesh, seancash mjekësore, shtrime e nënshtrime nëpër regjime të së pashërueshmes, pranimin e të papranueshmes, detyrimin për të mësuar prindërit se si të sillen me humbjen e tij, si të ishte i mirë deri në fund, ashtu siç kishte lindur, si të ikte me dinjitet, si ta merrte bashkë me fizikun e tij atë qenien e rrallë që ishte, dhe të linte kujtimin me po atë bojë njeriu. Një barrë që nuk e di se si e mbajti asisoj e që më mban ende në këmbë ndaj respektit të thellë ndaj tij, po aq sa dashuria.

Një mbrëmje, gjatë ditëve të rënda të pranimi të fatit, kur u përqafuam dhe qamë gjatëherë në krahët e njëri-tjetrit, në përpjekjen për të marrë përgjigje për pyetjet tona shtypëse dhe për t’i dhënë trajtë mundimit tonë shpirtëror, i thashë: “Bir, kam njohur njerëz në moshë, të cilët nuk i do njeri, sepse kurrë nuk ditën të duan njeri, që janë të vetmuar, që do të përcillen të vetmuar. Mjerë ata! Këtë çast unë mund të çoj me dhjetëra, me qindra sms, njerëzve që të njohin dhe të duan fort, dhe jam e sigurt se shumë prej tyre, kur ta mësojnë se ti po lëngon, do të marrin rrugët nëpër Europë vetëm që të jenë me ty tani. Aq shumë të duan!

Tani në dhomën e zbrazët të tij, është gjithçkaja e tij: kompjuteri i sofistikuar për të edituar filma, që e montoi vetë me pjesë të blera që të kushtonte më lirë. E la. Laptopin e shkollës të shpejtësisë së lartë. E la. Kameran, fjalën e fundit të shkencës. E la. Kindle, bashkë me “Kandidin” e Volterit, librin e fundit që po lexonte me shënimet në anë. E la. Smartfonë, që i gjurmonte dhe i ndërronte shpesh ngaqë i “vjetëroheshin”. E la. Edhe kalkolatriçja e tij e koklavitur ku zbërthente formulat e larta të ekonomisë, një nga pasionet e tij, është aty. E la. Edhe gardërobën tij me shije të parakohshme të hijshme për një tetëmbëdhjetëvjeçar. Asgjë materiale që e pati joshur dhe zotëruar mbi këtë dhé, nuk iu desh me vete. Të vetmet që mori, ishte mendja e tij brilante, zëri i butë dhe i bukur, e qeshura e patëdytë, vështrimin e trishtuar e të thellë, zemrën bujare, ethen për dije, kureshtjen e pafund ndaj botës, racionalitetin mahnitës, dhimbjen ndaj të dobëtit, mendjen e hapur, ironinë e hollë, shkujdesjen ndaj vogëlsirave, dukën e tij krenare, sqimën e hollë, natyrën e ndjeshme, politesën befasuese, maturinë tronditëse, dhe gjithçka që e bënin një njeri të virtytshëm dhe të respektuar. Unë, nëna e tij, nuk e di në do të marr me vete me lamtumirën time aq shumë sa ç’mori ai, nuk di a do të jem aq e zonja të marr aq sa ç’mori im Bir. Ai nuk zgjodhi, por ishte i tillë. Mua më duhet vetëm ta ruaj në kujtimet e mia këtë arkitekturë të rrallë njerëzore që pata fatin ta njihja, dhe pafatësinë ta humbja.

Tetëmbëdhjetë ditë para të tetëmbëdhjetave të tij, pak ditë para se im Bir të niste jetën e tij të lirë, t’ia linte fëmijërisë së tij stacionin “5 Mei Plein”, ai ndali për lamtumirën e tij të dhimbshme me ne. Ishte 5 Maji i vitit 2018.
Tani nuk dal më në anë të murdritës së dhomës së ndenjes dhe as i hedh sytë kah stacioni “5 Mei Plein”, as fishkëllimën e gjarpërimit të tramit nuk e ndiej më, edhe pse ai është stacioni i përjetshëm i imi, mbase për shkak të emrit që mban. Tani jam e zënë me trafikun e kujtimeve të mia, që ma bëjnë 5 maj çdo ditë timen; ashtu mund ta ndjej ende pulsin, frymën, vështrimin, zërin dhe mendjen e qenies më të dashur që kam./ KultPlus.com

Baleti sjellë premierën e shfaqjes “Pristine Conditions” në Ditën e Evropës

Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë premierën e re më 9 maj në Ditën e Evropës. Për këtë premierë trupa e baletit është duke punuar me koreografin Arthur Kuggeleyn.

Premiera “Pristine Conditions”, një shfaqje bashkëkohor, e përcjellë me elemente të lëvizjeve abstrakte, do të shfaqet më 9 maj 2019 në 20:00 në BKK.

Kjo është premiera e dytë për këtë vit e realizuar nga ky institucion, dhe e treta e realizuar me holandezin Arthur Kuggeleyn./ KultPlus.com

Agon Nimani dhe Gresa Islami, të hënën me ekspozitë në Prishtinë

Nesër mbrëma, me datë 6 maj, duke filluar prej orës 20:30 do të hapen dy ekspozita në Prishtinë.

Me hapjen zyrtare të Europe House – e njohur më parë si Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, do të hapen edhe ekspozitat e Agon Nimanit dhe Gresa Islamit.

Agon Nimani sjellë ekspozitën “Perspektivë ndryshe” me fotografi, ndërsa Gresa do të sjellë qeramikat në ekspozitën “Eshkë dashnie”, shkruan KultPlus.

Të dyja ekspozitat do të përcillen edhe nga performanca me DJ dhe me muzikë nga Rrrron, Altin Boshnjaku dhe Pumio Space.

EUROPE HOUSE në lokacionin e saj të ri nesër mbrëma, me 6 maj, hapet përballë Komunës së vjetër në Prishtinë, ish-ProCredit Bank. / KultPlus.com