Linda Treska, shqiptarja që “grimos” New Yorkun

Me rreth 22 vjet përvojë pune në industrinë e bukurisë, Linda Treska, themeluese e kompanisë së kozmetikës “Pinch of Colour”, filantrope, udhëheqëse e shoqatës bamirëse “Blue Angel Charity”, synon që kompania e saj e bukurisë të jetë e njohur në përmasa botërore sikur Vincent Longo, Laura Mercier, Laura Geller, Estée Lauder e shumë brende tjera të njohura

Intervistoi: Lumturije Beka

Për herë të parë, një femër shqiptare ka mundur të krijojë një “brand name” të regjistruar me të drejta të plota për të prodhuar produkte kozmetike të cilësisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht aty ku jeton e punon, në qytetin e New Yorkut.

Nëpërmjet udhëtimeve sidomos të vendeve të botës së tretë, dhe përvojës së saj personale të mungesës së ujit si fëmijë, Linda është prekur thellë nga këto pasoja shkatërruese në mbarë globin, prandaj misioni i saj një është që të ndihmojë fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo tregon rrugëtimin e saj drejtë suksesit, pasionin për punën që ka gjenezën e bukurisë, kauzën se si të vazhdohet më tutje me produktet e saj të krijuara pa ujë, që shërbejnë si një burim i çmuar natyror.

“E dimë se uji përdoret si një burim jetik, por për produkte tona ne përdorim botanikën qetësuese, vajrat natyrale ushqyese, kërpudha frutash të cilat janë të dashura për lëkurën. Kjo teknologji e thatë rezulton me formula jo toksike dhe hidratuese që rrisin shkëlqimin e lëkurës, me pigmente të vetë-përshtatura që përzihen në mënyrë të përsosur dhe me ngjyra të përqendruara”, tregon Linda për produkte e saj të kozmetikës, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun ndërkombëtar.

Në vazhdim ajo tregon se një pjesë e të ardhurave të kompanisë së saj të kozmetikës , janë të dedikuara për ta mbështetur organizatën e saj bamirëse të ujit, duke ngritur fonde, që kanë për qëllim përmirësimin e qasjes me ujin e pijshëm, sidomos në vendet e botës së tretë.

Jeni afariste që po depërtoni përmes brendit tuaj “Pinch of Colour”, në sferën botërore të kozmetikës në SHBA dhe në vendet tjera të botës. Na tregoni pak për punën tuaj, vështirësitë, sfidat e rrugëtimit tuaj deri tek suksesi?

Puna ime ka filluar para 22 vitesh kur unë lëviza me familjen time nga Korça, në New York City. Isha vetëm 16 vjeçe, kur hyra në rrugën e kozmetikës dhe të modës pa ditur përmasat e këtij biznesi ndërkombëtar. Fillimisht kam punuar në një supermaket për të ndihmuar familjen për jetesën fillestare në New York, pastaj më vonë duke punuar me orar të plotë, dhe duke studiuar po ashtu me orar të plotë, fillova të mësoja rrugët që duhet të ndiqja për të realizuar ëndrrën time. Mbas 6 vitesh, kur dhe mbarova Universitetin e Fashion Insitute of Technology në New York, me diplomën në Cosmetics & Fragrances Marketing, hyra në botën e korporatave, me punën e parë në një kompani, që sapo kish filluar dhe quheshe “Vincent Longo Cosmetics”. Aty fillova si asistente, dhe më vonë mora titullin ‘Drejtor”, dhe menaxhoja një kompani që bënte më shumë se 20 milion dollarë në vit. Mbas këtij suksesi, punova për kompanitë “Estee Lauder International”, Manager of Product Innovation për Asia/Pacific regions, Laura Mercier, Excecutive Director of Global Product Development; Laura Geller, Vice-President of Global Product & Package Development; dhe, më pas u riktheva tek Vincent Longo, por kësaj radhe si COO (Chief Operation Officer). Mbas 18 vitesh pune, arrita në një pikë ku ndihesha gati për të marrë një sfidë më të madhe, por edhe më interesante, ajo ishte hapja e biznesit tim, ‘Pinch of Colour’.

Pse vendosët të merreni me kozmetikë?

Nuk e di, por që e vogël kur isha në Korçë, isha shumë e pasionuar pas artit, vizatimeve, makijazhit, parfumeve. Çuditërisht asnjëri në familjen ose rrethin tim nuk i preferonte këto gjëra, kurse për mua ka qenë gjithmonë një pasion i pafundmë. Gjithmonë mamaja ime thoshte “kujt i ngjet kjo vajzë që i pëlqen kaq shumë moda dhe bukuria.” Fillimisht studiova një shkollë profesionale që quhej ‘Learning Insitute of Beauty and Science’, dhe aty mora titullin ‘Makeup Artist’. Punën e grimeres e ushtrova si profesion profesional për 6-vjet. Punova me artistë të tjerë të njohur, top modele, pasarela mode (New York Fashion Week), photoshoots, gjithashtu krijova edhe biznesin tim me evenimente si dasma, party, dhe punë private. Në të njëjtën kohë shkollën (universitetin) nuk e ndalova. Për të mbijetuar, punoja dhe punë në dyqanet e kozmetikës (Retail) si Barney’s New York, Henry Bendels, Bloomingdale’s, etj., në kompani të ndryshme që mësoja artin e shitjes (Retail Business).

Kush ju ka ndihmuar gjatë rrugëtimit tuaj?

Ne si emigrantë, fatkeqësisht nuk na ka dhënë asnjëri dorën për hiçgjë, kemi ardhur në një shtet që nuk të fal gabimet dhe nuk të kujton çdo ditë që, pa punë nuk ka arritje. Unë atë që kam dashur ta bëjë e kam bërë, sepse kam punuar ditë e natë për të arritur diku. Thjesht me gjak dhe me djersë, me disiplinë, me fokus dhe më determinim për të arritur pikësynimet e mija. Megjithatë, gjatë rrugëtimit tim kam patur privilegjin të punoj më shumë njerëz të talentuar dhe shumë të zgjuar që unë kam mësuar shumë. Kam qenë me fat që në moshë të vogël më është dhënë mundësia të krijoj një lidhje të fortë për të qëndruar me të dyja këmbët në tokë. Mbi të gjitha, kam patur mbështetjen familjare që për mua ka qenë shumë e vlefshme dhe më ka dhënë një balancë, dhe një mbështetje. Vendimet që kam marrë e dija që çfarëdo që mund të ndodhte, familjen do e kisha aty. Dhe kur kupton të realizosh këtë fakt, asgjë nuk të tremb.

Është shumë e lodhshme të drejtosh në biznes të tillë në kryeqytetin e botës?

Besoj që bizneset janë të vështira të drejtohen kudo në botë. Përgjegjësia është e madhe, ngarkesa e punës është kolosale dhe ke shumë pak njerëz që të kuptojnë, dhe shumë pak njerëz që mund t’i besosh. Pastaj, për mua hidhet dhe fakti, që Amerika ka konkurrencë shumë të madhe në botën e kozmetikës. New Yorku është një nga kryeqytet e modës dhe të kozmetikës dhe kjo industri është ndërkombëtare në 10 vitet e fundit ka tejkaluar përmasat e saj duke  arritur në gati 450 bilion dollarë kjo industri. Kështu që, tani të gjithë kërkojnë të hyjnë dhe sa më shumë hyjnë “supply surpases the demand” (furnizimi tejkalon kërkesën), kjo e bënë të vështirë, sepse konkurrenca bëhet më e ashpër dhe më e thellë.

Ju jeni edhe një filantrope e mirëfilltë në misionin tuaj të qartë që të ndihmoni fëmijët dhe shkollat nëpër botë, që të kenë qasje në ujë të pastër. Çka ju ka frymëzuar që të merreni më këtë çështje?

Kur fillova të konceptoja imazhin e biznesit tim te ri ‘Pinch of Colour’, më pëlqente ideja dhe imazhi i saj, një kompani që nuk përdorë ujë dhe prezanton konservimin e ujit në botë. Por diçka nuk më plotësonte idenë komplet, dhe ecja nëpër shtëpi dhe thoja, mungon diçka… Doja që ky biznes të kishte një rrahje zemre, të kishte diçka të veçantë që kishte kuptim dhe nuk ishte një kompani thjeshtë për të bërë para. Dhe, kur fillova të kërkoja brenda vetës time, çfarë më bënte mua të ndihesha e lumtur, gjithmonë kthehesha në të shkuarën time dhe mendoja për fëmijërinë time. Jemi rritur me shumë vuajtje, pa ujë, pa drita, me luftë, me trazira politike, me përplasje dhe me shumë mundime. Sa herë që shkoja në Shqipëri, gjithmonë kam ndihmuar njerëzit me aq sa kisha mundësi dhe ajo ndjenjë më ka bërë gjithmonë të ndihem mirë. Prandaj, frymëzimi ishte jeta ime dhe çfarë unë kam kaluar, prandaj  vendosa ta ktheja këtë memorie në një mision që ndihmon fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm, duke filluar nga shkollat dhe pastaj komunitetet.

Na tregoni për këtë pjesë emocionuese të filantropisë suaj?

Projekti i parë ishte në Kalkuta, India. Aty ne ndërtuam një ujësjellës për një shkollë me 100 fëmijë dhe për një komunitet me 180 familje. Projekti i dytë ishte në Santo Domingo, Domenican Republic, aty bëmë një marrëveshje partneriteti me një Non-Profit që sponsorizonte sistemin e filterit nëpër shkolla, ku uji është me nivele të larta hekuri. Ne sponsorizuam një pjesë të projektit. Këtë vit, krijuam një projekt në Kenya, Afrikë, për 400 fëmijë në një nga shkollat në një qytet të vogël në Nakuru, Kenya. Më 22 mars, shkova bashkë me bashkëshortin në Kenya për të festuar World Water Day (Ditën Ndërkombëtare të Ujit) bashkë me 1,500 fëmijë, që na prisnin për të na falënderuar për fondet që kishim dhënë. Për mua, filantropia është shumë speciale, i dua shumë fëmijët dhe kur bëjmë një fëmijë të lumtur, e ardhmja është e bukur.

Cilat janë projektet tuaja për vitin 2019, si në sferën e punës e po ashtu edhe në atë të bamirësisë?

Jemi duke punuar në disa prodhime të reja. Po na marrin kohë më gjatë se çfarë kisha planifikuar, sepse teknologjia “waterless” ose pa ujë, është më e vështirë se teknologjia e kozmetikës me produkte që kanë ujë. Megjithatë, jam optimiste që produktet e reja do të jenë shumë speciale. Në sferën e bamirësisë, jemi duke biseduar për projekte dhe në Shqipëri, shpresoj që të më jepet mundësia që të ndihmoj dhe fëmijët në shtetin tim, sepse e di që ka shumë nga ata që kanë nevojë për ndihmë. Lutem që kjo gjë të realizohet.

Kohëve të fundit keni organizuar eventin “Blue Angel Charity”. Na flisni pak më shumë rreth kësaj?

“Blue Angel Charity”, është organizata e bamirësisë që kam krijuar së bashku me bashkëshortin tim, në kujtim të babait tim që ndërroi jetë para 3-vitesh. Ka qenë një humbje shumë e madhe për mua dhe një nga arsyet që unë vendosa të hap biznesin tim. Babai im ishte një njëri shumë dashamirës, shumë zemërbardhë dhe gjithmonë më të drejtën, prandaj nuk kishim si ta emëronim këtë organizatë bamirësie përveçse mbas emrit të tij Engjëll “Angel”, sytë e tij ishin “Blue” blu, gjithashtu dhe uji përshkruhet “blu”, prandaj ‘Blue Angel Charity’, u formua në janar të 2016. Edhe pse kemi 3 vjet që e kemi krijuar këtë organizatë, ne nuk e kishim vënë në punë deri në shkurt të këtij viti, kur festuam hapjen e saj në New York City, me një koktej mbrëmje, dhe Fundraiser Event (mbledhje fondesh) për të ndihmuar projektin e Kenyas. Ishte një natë e përkryer, me një elitë njerëzish shumë special me plot dashuri dhe më shumë mbështetës.

Pinch of Colour, ka filluar punën para dy viteve e gjysmë, por që ka një rritje të jashtëzakonshme në treg. Brendi juaj mund të gjendet në dyqanet e Antropologjisë, në Amazon, në Lindjen e Mesme, në Angli dhe tani synim keni edhe Evropën. Kujt ia atribuoni rritjen jo vetëm të shëndetshme, por edhe suksesin e Pinch of Colour?

Mund të them, që përveç mendjes së përgatitur dhe punës kolosale, ka qenë edhe pak fati. E themi në anglisht “Being at the right place at the right ime” (Të jesh në vendin e duhur dhe kohën e duhur). Për mua kompania ka qenë e shëndetshme, por suksesin që ëndërroj është shumë më i madh dhe nuk kam arritur aty akoma. Kemi shumë punë madhore për të bërë në lidhje me rritjen e biznesit. Shpresoj që suksesi do ketë vazhdimësi.

Çfarë këshille keni për markat e tjera të reja që kërkojnë të zgjerojnë gjurmët e tyre në biznesin sidomos me pakicë?

Duhet të jesh gjithmonë gati për çdo gjë që të del përpara. Por, gjithmonë duhet të punosh me partnerë që të kuptojnë dhe mbështesin, vizionin dhe biznesin tënd.

Cila është pjesa juaj e preferuar e zotërimit të kompanisë suaj?

Më pëlqen çdo gjë në lidhje me biznesin tim, jam shumë e apasionuar dhe kurioze të mësoj çdo gjë, por po të zgjidhja një, do më pëlqente të ecja më tutje në profilin tim që është inovacioni dhe “trend forecast”, parashikimi i trenit, dmth., të jesh në hap me kohën.

Klientët janë të interesuar të investojnë në produkte që ata besojnë se janë më të duhurit. Çfarë dëshironi ju që klientët tuaj të dinë më shumë për Pinch of Color, në mënyrë që ata të kenë besim të vazhdueshëm në këtë brend?

Pinch of Colour, është një brend i vogël, por me shumë shpirt. Ndryshe nga brendet me emra të mëdhenj, në kompanitë e vogla çdo gjë analizohet me pasion, me dashuri dhe me pikësynimin për të ofruar një produkt cilësor me materiale natyrale, por edhe një produkt që do të ndihmojë të tjerët. Brendet e mëdha nuk mendohen shumë për të tjerët, por vetëm për xhepin e tyre, dhe kjo lakmi nuk ka të ngopur. Kohët kanë ndryshuar dhe e ardhmja jonë nuk është më vetëm të shesësh për para e lakmi, por të krijosh një biznes dhe një komunitet të qëndrueshëm e të shëndetshëm.

Çka presim në të ardhëm për brendin Pinch of Color?

Shpresoj vetëm gjëra të mira… Ndoshta shumë shpejtë edhe një investitore, për të përhapur shpërndarjen globale.

Ku e gjeni inspirimin për punën gjatë përditshmërisë suaj?

Kam shumë energji, jam shumë e dhënë pas artit, kuzhinës, udhëtimeve nëpër botë, por edhe shumë e lidhur me dy fëmijët e mi, me familjen me shoqërinë. Dhe këto gjëra, ia japin jetës time një ylber të bukur, më lejojnë të inspirohem, të ëndërroj edhe më tutje për gjërat e mira.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptar të cilët kanë synim suksesin?

Çdo gjë që kam arritur në jetë në fillim e kam ëndërruar, besuar dhe më vonë kam punuar shumë për ta arritur. So, never give up. ‘Mos u dorëzo kurrë”. /Telegrafi/KultPlus.com

Votoni fustanin e nusërisë që ju pëlqen më shumë

Revista Point de Vue është duke realizuar një sondazh se cili është fustani më i bukur i nusërisë. Në garë është edhe fustani i Princeshës Elia Zaharia Zogu, realizuar nga kreatorja Blerina Kllokoqi Rugova.

http://www.pointdevue.fr/mariages/sondage-votez-pour-votre-robe-de-mariee-royale_7897.html?fbclid=IwAR1WGjr9wq8CC59Q0A_OLtSQ85vhQG4_OYLA83aGJp3CoyX3OT5XvnEtK98

Për të votuar për fustanin e Princeshës shqiptare mjafton të klikoni në foton ku shkruan Elia Zaharia dhe fustani nga Blerina Kllokoqi Rugova. /KultPlus.com

Aktori me famë botërore në filmin e regjisorit Arben Kastrati

Aktori i njohur Gerard Depardieu, do të jetë pjesë e ekipit në filmin shqiptar “Unë dhe Millosheviqi” me regji të Arben Kastratit dhe Nicolas Duval, shkruan KultPlus.

Filmi në qendër të tij do të ketë një hero të shpallur aksidentalisht duke shfrytëzuar rrethanat në të cilat gjendet Kosova.

Për realizimin e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, skenaristi dhe regjisori Arben Kastrati ka mbledhur rreth vetes një kastë të njohur aktorësh si dhe profesionistë të fushës së kinematografisë.

Në mesin e tyre është edhe aktorja francezë Nathalie Boyer. Ajo do të sjellë rolin e një gazetareje, profesioni i së cilës është mjaft i vështirë në rrethana normale por që bëhet edhe më i vështirë gjatë raportimit në luftë. Ky rol e bëri për veti aktoren në momentin e parë që ajo e lexoi skenarin dhe u bë arsyeja që Boyer të vijë në Kosovë dhe të qëndrojë për një kohë këtu për xhirime.

Gérard Xavier Marcel Depardieu është një aktor francez. Ai është një nga aktorët më të njohur i cili a luajtur në më shumë së 170 filma që nga viti 1967. Xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviçi” priten që të fillojnë në shtator. Filmi është një produksion në mes të Francës, Maqedonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com

“Kah po vjen moj dushe”, kënga që e këndoi Ramush Haradinaj

KultPlus ju sjellë këngën “Kah po vjen moj dushe” të kënduar nga Rizah Bllaca. Këtë këngë kryeministri e këndoi mbrëmë në darkën e organizuar për arbëreshët e Italisë të cilët janë duke qëndruar në Kosovë.

Ka po vjen o moj dushe 
Me rruza ne gushe 
Me rruza xherdon-ee 
Gishtat e kuq o me kan-ee 

Eeee kta gishta me kan 
Ooo me kunra ne kome 
Oo dishka du me t’thon-ee 
Ooo pa don met me m’lon-eee 

Eeeee pa don o met o me m’lone 
Ooooo naj kun a je dhon 
Kerkun nuk jom dhon
As men nuk e kom-ee 

Eeee djal menen s’e kom 
Oooo prit naj dite o moj zane 
Oooo der t’me pritsh o naj dit-e 
Shtati tu t’u rrit-ee 

Eeee shtati o mu ka rrite 
Oooo shtati mu ka rrite 
Oooo o djale nuk muj me prit-eee 
Ooo mo nuk muj me prit-eeee 

Oooo pritem o naj vjet 
Ooo shtati vjen tuj tu pjeke 
Ooo shtati mu ka pjek-ee 
Ouuuu zemra mu ka djeg-eeee 

Oooo mor e shitumja e dades 
Ooo oj shitumja e dades oo 
Oo ti m’dave prej babes 
Ooo o djale m’dave prej babes 

Ojj shitumja e zanes 
Oooo oj shitumja e zanes 
O djale m’dave prej nanes 
Ouu djale m’dave prej nanes 

Moj e shitumja e shites 
Ouuu oj shitumja e shites 
Ooou o djale m’dave prej rrites 
Ooou m’dave prej rrites 

Ooo kuku a moj nane 
Ooo shka m’ka gjeten pram
Ouuu nona e din vete 
Oo si ty mu m’ka gjet-ee 

Ooo valla gushja nones 
Ooo qaj bardhokja nones 
Oo nona t’ka bajrak eee 
Ishe per marak eeee./ KultPlus.com

Arbëreshët me veshje tradicionale vizitojnë Kuvendin

Me rastin e “Ditëve të Arbëreshëve në Kosovë”, një grup nga ky komunitet është duke vizituar Kuvendin e Kosovës.

Ky aktivitet kulturor që është organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nën patronazhin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 6 maj, njofton Klan Kosova.

Për t’i mirëpritur djemtë dhe vajzat nga ky komunitet, deputetë nga parti të ndryshme kanë mbajtur fjalime para tyre./klankosova/ KultPlus.com

Nesër në Gërmi përmes muzikës dhe lojës mësohet për shëndetin seksual

E shtunë me datën 04  Maj 2019 duke filluar nga ora 10:00-17:00, në vendin e quajtur “TE KOSHAT” në Gërmi do të mbahet “Love PLus Streetball 2019” për herë të 10-të.

Misioni  i kësaj dite ka për qellim ngritjen e vetëdijes së të rinjve jashtë ambienteve shkollore për rëndësinë e kontraceptive me fokus prezervativin.

“Është e dëshmuar edhe nga hulumtimet e ndryshme nëpër botë se shpërndarja  e informatave përmes lojës dhe muzikës mbi mirëqenien shëndetësore ka ndikim në ndryshimin e sjelljeve tek te rinjtë”, thuhet në komunikatë.

Për të përmbushur misionin e sipërtheksuar, duke filluar nga ora 10:00, në njërin nga skajet e fushës do te ngrihet një tendë informuese ku të rinjtë kanë mundësi të informohen nga Peer Edukatoret e trajnuar të KOPF-it dhe të marrin fletëpalosje, broshura dhe materiale tjera promovuese për rreziqet e përhapjes së HIV/AIDS-it, Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme dhe shtatzënive e padëshirueshme. Gjatë gjithë kohës sa zhvillohen lojërat, rreth 100 Peer Edukator të KOPF-it do të diskutojnë në grupe të vogla më të rinjtë që janë si shikues lidhur me HIV/AIDS-in, IST dhe shtatzënitë e padëshirueshme.

Love Plus Streetball 2019, ka karakter garues dhe 30 ekipe nga qytete te ndryshme te Kosovës do te garojnë për vendin e pare. Fondi Kosovar për Popullsi –KOPF i përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara -UNFPA, përmes Qeverisë së Luxemburgut për herë të dhjetë organizojnë aktivitetin tradicional “LOVE PLUS STREETBALL 2019”./KultPlus.com

Të drejtat që grave s’iu lejoheshin në 1920

1920-ta iu dha disa të drejta grave gjatë, siç është liria e votimit dhe e tokës, por shumë ligje dhe rregulla që duken të zakonshme në ditët e sotme nuk i janë ofruar kësaj gjinie. Për shembull, gratë nuk mund të punonin gjatë shtatzënisë deri në vitet 1970, ose të shërbenin si juriste deri në vitet 1960.

Këto janë disa gjërat që nuk i lejoheshin grave të asaj kohe.

Ata nuk mund të mbanin pasaportë ose udhëtonin vetëm

Ndërsa gratë e pamartuara mund të aplikojnë për një pasaportë, duke përdorur emrin e tyre, gratë e martuara mund të merrnin vetëm një vizë të përbashkët me burrat e tyre. Për shembull, pasaporta do të deklaronte vetëm “z. John Doe dhe gruaja e tij, “duke e mbajtur gruan anonime. Kjo i pengoi gratë të udhëtojnë jashtë vendit.

Nuk mund të mbanin taka shumë të larta

Në vitet 1920, gratë morën më shumë liri në veshjen e tyre. Megjithatë, në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara, gratë ende ndesheshin me kufizime të veshjeve. Për shembull, ligjvënësit e Utah-s gjobitën gratë që mbanin streçe “më të larta se tre centimetra mbi kyçin e këmbës”.

Gratë nuk mund të mbanin taka më të larta se dy centimetra në qytete si Carmel, California. Në zonat me të ardhura të ulëta, nëse një grua kishte vetëm një ose dy veshje formale, pritej t’i vishte në kishë dhe jo jashtë saj. Vetëm artistët mbanin veshjet e shkurtra që njerëzit i shohin në fotografi sot.

Gratë nuk mund të bëheshin avokate

Pasi gratë fituan të drejtën e tyre për të votuar në gusht të vitit 1920, ata më në fund mund të hyjnë në shkollën e drejtësisë dhe teorikisht të punonin si avokate. Pavarësisht kësaj, shumica e firmave ligjore refuzuan të punësonin gra, megjithëse ata lejoheshin ligjërisht ta bënin këtë. Në shumicën e rasteve, gratë mund të praktikonin ligjin vetëm nëse i bashkoheshin  firmës së atit ose të bashkëshortit, pavarësisht studimeve për t’u bërë avokate.

Gratë shtatzëna nuk lejohej që të punoheshin

Gratë që ishin shtatzënë, u hoqën nga puna, sepse shumë punëdhënës besonin se shtatzënia do të ulte performancën e tyre. Si rezultat, shumë gra luftuan për të fshehur shtatzëninë e tyre. Modelet e lirshme të viteve 1920 u bënë më të njohura për aftësinë e tyre për të fshehur trupin.

Divorci të mbështetej në faj

Divorci “Pa faj”, nuk lejohej që të kërkohej nga femrat. Në vitin 1969 divorci kërkohej nga fermat vetëm kur faji të legalizohej. Ligjet lejonin divorcin për shkak të “tradhtisë bashkëshortore, impotencës, braktisjes, trajtimit mizor, dehjes dhe kryerjes së krimeve”./ Top Channel/ KultPlus.com

Kam nevojë të kthehem

Sadete Tërnava – Osmani

Kam nevojë të kthehem 
Aty ku më ka ngecur hapi të vazhdoj
Ta nxjerr hënën prej eklipsit
Në prehërin e nënës pak të pushoj
Dashurisë që ende më prêt
T’I them: të dua 
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Në pikturën e papërfunduar, në vargun tim
Fjalët e përshpirtshme t’i ngurtësoj
Në blertësinë e hojeve magjinë ta hedh
Rrugëve të fëmijërisë hijën ta zë
Veç unë e di sa mall kam
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Me shtratin e lumit tim hapin ta mas
Me ngjyrën e tij të flas, me atë puhi që s’rreshtë
E t’i them se s’kam ndryshuar
Nën këtë qiell, tokë e ujë si dikur
Të dua shumë, në mos më fort

Kam nevojë edhe njëherë të kthehem
Te kërkoj e te gjej më të mirën
Edhe aty ku nuk ekziston
Amësisë së kësaj jete 
Thellë shtresave të nëndheut tënd
E t’i them atdheut si asnjëherë më parë
Mos ik nga vetja, fatin tënd mos e dëbo
Se unë vazhdoj të të dua edhe kështu si je
Në mos më shumë, në mos më fort

Kam nevojë të kthehem
Edhe për një premtim të dhënë
Moj Nënë ….

( Zhegër, 2 Maj 2019 )
Poezia fituese e Manifestimit poetik “Muza e Agimit” 2019./ KultPlus.com

Si faleshin besimtarët islamë në Shqipërinë Mbretërore?

Bajram Mjeku

Kur mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu u kurorëzua mbret më 1 shtator të vitit 1928 në Tiranë, ai ndërmori një varg reformash në Mbretërinë shqiptare, me qëllim që Shqipëria orientale në sy të Evropës të kishte pamje oksidentale.

Në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, vendosi që falja e namazit të ndryshonte nga vendet e Lindjes së Afërme dhe vendet aziatike.
Duke u mbështetur edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, mbasi simbas Kanunit përulja konsiderohet shkelje e dinjitetit, Mbreti Zog propozoi që gjatë faljes së namazit, besimtarët islam të mos binin në gjunjë, por lutjet t’i bënin në këmbë.


Gjatë dhjetë viteve Mbretëri, shumica e besimtarëve islamë iu bindën pa kurrfarë presioni Mbretit Zog e Klerit mysliman dhe kështu faljen e namazit e kryenin në këmbë./ KultPlus.com

Poetja Sadete Tërnava-Osmani fituese e çmimit “Muza e Agimit”

Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit”, ka qenë aktiviteti i radhës që është organizuar sot, në kuadër të Manifestimit “Ditët e Agimit” që po mbahen në Komunën e Gjilanit, në të cilin aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur rreth 20 poet të ndryshëm për të konkurruar për çmimin kryesor.

Pasi u lexuan nga vet krijuesit poezitë e tyre konkurruese, juria e Orës Letrare, në përbërje Anton Nikë Berisha, Xhylishene Berisha e Sherafedin Kadriu, shpalli fituese të çmimit “Muza e Agimit” poeten Sadete Tërnava-Osmani.

Përndryshe, edhe ky edicion nisi e përfundoi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit, ndërsa, edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për nderimin që po ia bëjnë Agimit me prezencën në këtë ngjarje kushtuar atij, ka lexuar një poezi të saj jashtë konkurrencës.

Në këtë eveniment kulturor, Sabit Rrustemi tha se përmes poezisë po kujtohet heroi i kombit Agim Ramadani, i cili do të jetë përherë frymëzim për brezat që do të vijnë.

Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon të premten me zbulimin e mozaikut – portretit të Agim Ramadanit, bërë me gëzhoja plumbi, nga i riu Besart Gashi, e që është vendosur në qendër të Gjilanit, (14:00) për të vazhduar me aktivitete tjera deri në tubimin qendror “I këndojmë Agimit” që mbahet në Zhegër (16:00).

Manifestimi Tradicional “Ditët e Agimit”, mbahet për çdo vit, më 1, 2 dhe 3 Maj, në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të të cilës figurë poliedrike edhe mbahet ky manifestim.

Kujtesa është e brishtë dhe kohëzgjatja e një jete është shumë e shkurtër

Isabel Allende, “Shtëpia e shpirtrave”

Kujtesa është e brishtë dhe kohëzgjatja e një jete është shumë e shkurtër, gjithçka ndodh kaq shpejt, saqë nuk arrijmë të shohim marrëdhënien mes ngjarjeve, nuk mundemi të masim pasojat e veprimeve, besojmë në trillimin e kohës, në të tashmen, në të kaluarën, në të ardhmen, por mundet edhe që gjithçka të ndodhë njëkohësisht… për këtë arsye shkruaj, për t’u tallur me kujtesën e keqe…/ KultPlus.com


“Nëna e zë vendin e cilitdo, por vendin e saj, nuk e zë dot askush”

“Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por shkrin shpejt”.

“Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj nuk mund ta zërë askush”.

“Çdo mbretëreshe ka madhështinë e saj, por madhështia e nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës”.

“Nënë është fjala më e bukur në buzët e njerëzimit”.

“Nuk gjen në botë jastëk më të mirë se sa prehëri i nënës, e as trëndafil më të bukur sesa thellësia e shpirtit të saj”.

“Në këtë botë egoiste, vetëm nëna dëshiron të të shohë gjithmonë të lumtur”.

“Një nënë shikon gjithçka, flet pak, sakrifikon çdo gjë , ankohet pak, jep shumë dhe pret pak. Gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e saj të jenë të lumtur”.

“Gjithçka që është e bukur te njeriu, është krijuar prej rrezeve të diellit dhe prej qumështit të nënës, dhe kjo na mbush me dashuri, përjetësisht…”.

“Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të ndritura ose të errta”.

“Nëntë muaj je ushqyer nga gjaku i saj, ke marrë frymë nga oksigjeni i saj. Në hapat e para të jetës je mbajtur nga duart e saj… Mundohu që pjesën tjetër të jetës të bëhesh shkaku i lumturisë së saj…”./ bota.al

Fluks vizitorësh të huaj në muzetë e Beratit

Fluks vizitorësh në prag të sezonit turistik, në ambientet e muzeut Ikonografik Onufri dhe Etnografik, Berat. Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve do të jetë më i lartë për vitin 2019 krahasuar me sezonin turistik të një viti më parë.

Turistët e huaj kanë zgjedhur të vizitojnë këto muze. Edhe në pranverë, Berati mbetet destinacion turistik, ashtu sikundër në stinët e tjera. Muzetë e qytetit gjatë 3 mujorit të parë të 2019 kanë mirëpritur rreth 4 mijë vizitorë vendas dhe të huaj duke e bërë këtë vend si një ndër më të preferuarit e qytetit të Beratit.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII.

Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri.

Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. /ata

Vasfije Krasniqi dëshmon në Kongresin Amerikan, rrëfen historinë e saj të dhunimit nga policët serbë

Vasfije Krasniqi Goodman ka dhënë dëshminë e saj në Komitetin për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan. Duke iu dridhur duart, ajo e ka shpjeguar të gjithë historinë e saj të dhunimit nga policë serbë gjatë luftës, kur ajo ishte 16-vjecare, shkruan Gazeta Express.

“Me 14 prill, kur isha vetëm 16 vjece, një zyrtar i policisë serbe po kërkonte babanë tim dhe vëllëzërit e mi. Ishim vetëm unë, nëna, tezja dhe disa kushërira. Na kërkuan letërnjoftimet dhe mua më thanë të shkojë në stacion policor. Nëna ime tha që ta marrin atë dhe të më lëjnë mua”, ka nisur rrëfimin e saj para Kongresit Amerikan.

Ajo tutje ka vazhduar tregimin e saj, në Kongresin Amerikan, nën drejtimin e Kongresmenit Eliot Engel.

“Më hodhën në një dysheme, bërtita, ai më dhunoi. Më kujtohet gjithçka. Unë isha   I kërkova të më vriste. Ai më tha jo, sepse kështu do të vuash më shumë”, është shprehur ajo.

“Më nxori nga automjeti dhe më çoi në një shtëpi ta pameremetuar. Aty më dhunoi një tjetër, ishte plak. Pastaj më çuan në fshatin tim dhe më lanë në rrugë”, ka rrëfyer më tej  Krasniqi.

Ajo tregon se pasi u dhunua, shkoi në shtëpi dhe policët serbë i kishin kërkuar të mos u tregoj familjarëve.

“Nuk doja të shkoja në shtëpi sepse nuk doja të iu tregoja se cka më ka ndodhur. Policët serbë më mësuan që t’iu them kam dëshmuar. Por, kur arrita në shtëpinë e agjit tim nuk kisha nevojë të flisja sepse gjendja ime dihej”, është shprehur Krasniqi, transmeton Gazeta Express.

Tash Krasniqi thotë se kërkon drejtësi për atë që i ndodhi, ashtu sic kërkojnë edhe 20 mijë viktima seksuale shqiptare gjatë luftës.

“Kanë kaluar 20 vjet dhe askush nuk ka dhënë llogari për atë që më kanë bërë”, ka përfunduar historinë e saj Krasniqi – Goodman.

Engel e ka falënderuar Krasniqin që ndau historinë e saj të dhimbshme dhe e ka përgëzuar për guximin e treguar për të mos heshtur ndaj krimeve dhe dhunës së forcave serbe. /Express/

Jahjaga flet në Kongresin Amerikan për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po dëshmon në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Eliot Engel. Ajo është ftuar të dëshmojë krimet e serbëve ndaj shqiptarëve dhe për viktimat seksuale gjatë luftës.

Jahjaga është përshkruar nga Engel, si një aktiviste që ka ndihmuar viktimat e luftës, e sidomos gratë që ishin viktima seksuale gjatë luftës në Kosovë, transmeton Gazeta Express.

“Ne do të donim të shfrytëzonim këtë rast për të shprehur pjesë nga historia jonë e dhimbshme dhe të marrim përkrahje për kërkimin e drejtësisë”, ka thënë Jahjaga në Kongresin Amerikan.

Ajo thotë se edhe përkundër mijëra shqiptarëve që u preken drejtpërdrejt nga lufta, përkundër se Kosova numëron aq shumë të vdekur nga lufta, e të tjerë viktima të dhunës, Serbia akoma mohon cdo krim.

“Ka pasur më shumë akuza për UCK’në se sa për krimet që kanë kryer serbët, e që kanë qenë të organizuara mirë”, është shprehur Presidentja Jahjaga.

Bashkë me Jahjagën në Kongres do të dëshmojë edhe Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila është gruaja e parë që ka rrëfyer historinë e saj të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës.

“Ajo bërë historinë duke qenë viktima e parë që ka treguar për dhunimin e saj, duke iu dhënë kurajo edhe shumë viktimave të tjera”, ka thënë Kongresmeni Engel. /Express/

50 vite nga vdekja e Katarina Josipit, magjia e saj akoma ndjehet në skenën e TKK-së

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt eveniment kulturor në  përkujtim të  aktores së  njohur shqiptare Katarina Josip, shkruan KultPlus.

Për të  kujtuar Katin, fillimisht në  skenë  zuri vend  kori “Nexhmije Pagarusha” ku kënduan një këngë të Nexhmije Pagarushës. Por aty nuk munguan edhe aktorët të cilët kishin interpretuar së bashku me Katarina Josipin. Selman Lokaj, Safete Rugova dhe Igballe Qena ishin mbledhur sot me të  vetmin qëllim, kujtimin e shoqes dhe koleges së  tyre Katit.

Aktorja Igballe Qena ishte ajo e cila foli fillimisht për Katin. Ajo tregoj se me të  ishte takuar në skenë dhe se nga loja e saj ajo ishte magjepsur. Po ashtu ajo shtoi se Kati është “bashkëfajtore” për rrugën e saj si aktore.

“Është vështirë të flas për të, por edhe ashtu ma lehtësojnë ato takimet tona shumë të shkurtra, fatkeqësisht ajo nuk kishte jetë të gjatë në kuptimin fizik, por ajo do të  jetojë gjatë  në kujtimet dhe shkrimet tona. Me Katin jam njoftuar shumë herët, shfaqjen e parë në jetën time që e kam shikuar është shfaqja “Borëbardha”, ku luajtëm mes aktorëve të tjerë, Katarinën e kam njoftuar  në skenë dhe më ka magjepsë me lojën, figurën dhe interpretimin e saj, me atë zë magjik, dhe ajo është ‘bashkëfajtore’ për rrugëtimin tim artistik, aty më është zgjuar imagjinata dhe dëshira për skenën”, u shpreh aktorja Igballe Qena. 

Në  kujtim të Katarina Josipit, fjalën e mori dhe aktorja Safete Rugova ku tregoi për shoqërinë, jetën dhe personalitetit që kishte Kati. 

“Fama e aktores Katarina Josip, jeton me ne dhe me skenën. Emrat e mëdhenj lënë pas vetës vlerat dhe kujtesën, e quajtur me gjuhën e përkëdhelisë Kati, me aktrimin, me zërin dhe me shpirtin e saj e skaliti emrin e aktores së madhe kombëtare të Teatrit tonë që të kujtohet e të mos harrohet. Kati ishte mëshiruar me jetën e vetë në  skenë, e donte e afronte dhe e fuqizonte atë me interpretimin e rolit në skenë, ishte një kohë e shkurtër për mua e miqësimit por ishin dy gjëra shumë të çmueshme e të rëndësishme që mua më zgjonin mendjen, e ato ishin qartësia në të folur dhe fuqia e interpretimit. Me 1969 u shua një meteor dhe u shua një shpirt i trazuar”, tregoi aktorja Safete Rugova. 

Në këtë eveniment kulturor u bë edhe prezantimi i dy poezive të shkurtra për Katarinën të shoqëruar me flautistin Shaqir Hoti, të cilat poezi ishin të shkruara nga Safete Rugova dhe Sejdullah Martina.

Gjatë këtij tubimi përkujtimor u bë edhe promovimi i librit monografik, ku për këtë monografi fjalën e mori shkrimtari Pren Buzhala, që tregoi për jetën dhe veprën e Katit, ku autor i këtij libri ishte Frrok Kristaj.

Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptari i cili mbështeti këtë aktivitet, aktorëve që  kanë  luajtur me Katin, ju ka shpërndarë edhe disa plaketa me emrin e aktores Katarina Josip. /Frosina Byqmeti / KultPlus.com

Ali Podrimja vajton vdekjen e Anton Çettës

Ali Podrimja

VAJI PËR TË ZONË

Anton Çettës

Mungon kodi
Shiriti i zi rreth Ylberit
Muri mungon në mes teje e Ujkut të Çalë

Për asgjë e kurrkushët
monedhë e shpuar Atdheu

Mungon liria jote
Udha e motshme e komitëve
Vrapi i atit të Gjergjelezalisë
Në hapësirën nevrike

Nëpër fjalë ngatërron Vdekja
se në pazar doli Atdheu

As për pesë para burrëria
Majë gishtërinjve
kush i pari ngritet 
të nëntëdhjetëenëntat i bën

Në mes gurëve të gjarpërinjëve
trupin Atdheut ia ha litari

a e qitën në dyzen, po pikën Kullës
Në besë e pren Mjeshtrin

Zogut magjik nga mugëtirat e dheut e fjalëve
ia mbledhim puplat
nën frëngji të përgjumura

Për të zonë
se ç’vajton kënga o i madhi Zot

Ulpianë, shtator, 1997

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 “përkthehet” në film

Përvjetori i Kryengritjes së Malësisë në Malin e Zi, u përkujtua me një film të metrazhit të shkurtër, i cili paraqet ngjarjet dhe personazhet historike të vitit 1911 të udhëhequr nga heroi kombëtar Dedë Gjo Luli.

Në kuadër të kësaj date historike, shqiptarët e Malësisë dhe të rajoneve të tjera në Mal të Zi, e përkujtojnë me manifestime të ndryshme këtë ngjarje të rëndësishme historike që i parapriu ngjarjeve të mëdha në Shqipëri.

Tregoi si përfundon filmi, rrahet keq nga disa persona që po prisnin të blinin bileta për kinema (FOTO)

Me të shikuar filmin në një kinema në Hong Kong të Kinës, një burrë ka dalë jashtë dhe ka treguar me zë se si përfundon ky film i ri.

Raportohet se ai e kishte përcjellë të shumëpriturin ‘Avengers: Endgame’ dhe pastaj zbuloi befasinë, para disa personave që po prisnin të blinin biletat, transmeton Telegrafi.

Imazhi që është shpërndarë, e tregon një të ri të ulur në dyshemenë e kinemasë, ndërsa anash ka shumë stërpika të gjakut. Atë e ka kontrolluar një mjek, i cili tha se i ka marrë lëndime të lehta në të gjithë trupin.

I lënduari në dyshemenë e kinemasë

Reagimi i të pranishmëve ndaj tij, është diskutuar gjatë në rrjetet sociale, ku është kërkuar që të mos tregohet për përfundimet e filmave, sepse humbet befasia e pritshme.

Atdhetari tetovar që hyri në Shtëpinë e Bardhë

Ismail Arsllani

“Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku kemi dhënë shumë raporte të hollësishme për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi”, kishte thënë gjatë një bisede, veprimtari tetovar në SHBA, Jusuf Azemi.

Në vitin 1993 ishte mbajtur Kongresi i Ballit Kombëtar në Tiranë, ku Hafëz Jusuf Azemi ishte nderuar që ta hap tubimin. Ky ishte rast, për herë të parë pas pesë dekadash të kthehej edhe në vendlindjen e tij në Dobrosht të Tetovës, duke kaluar kufirin e Qafë Thënës pa asnjë problem. Në fshatin e lindjes, atij i ishte organizuar një pritje madhështore. Më vonë do të vijë edhe disa herë, si në vitin 2002, në cilësinë e të deleguarit të Ballit Kombëtar, për t’i përcjellë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por edhe dy herë të tjera gjatë vitit 2005.
Ai, me gjithë shokët e tij, si veprimtarë e patriotë shqiptarë në mërgim, gjithnjë kanë qenë në shënjestër të shërbimeve sekrete jugosllave, të cilat edhe kanë ndërmarrë masa ekzekutimi. “Kanë bërë disa atentate kundër veprimtarëve tanë, që ende nuk mund t’i zbardhim haptazi”, thotë ai, duke shtuar se UDB-a e Shkupit kishte dërguar një person për ekzekutime, por shpejt ishte zbuluar nga organet amerikane, të cilat e kishin depërtuar për në Beograd. “Sa herë që vinim në Evropë, kishim mbikëqyrjen e policëve të shteteve ku qëndronim, siç ishte rasti gjatë një qëndrimi në Austri, ku mbahej një konferencë ndërkombëtare”, kujton ato ditë ky atdhetar, i cili bashkë me shokë kishte marrë pjesë në mbi 50 konferenca të ndryshme ndërkombëtare, ku kishin raportuar për situatën e rëndë të shqiptarëve në këto troje.


Në të kaluarën, Hafëz Jusuf Azemi nga Dobroshti i Tetovës, me një bagazh jete të rëndë, por aktive edhe në moshën 85 vjeçe (më 2005, kur kemi zhvilluar bisedën), nga të cilët 60 i ka kaluar si mërgimtar në Amerikë, ishte njëri nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes së Ballit Kombëtar, duke qenë patriot dhe atdhetar, ka ushtruar një veprimtari të devotshme për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në mërgim, për t’u kthyer në vendlindje pas pesë dekadash. Ai kishte ndalesë kthimi në vendlindje nga regjimi komunist, për t’i parë prindërit, familjen dhe farefisin. Megjithatë, atdhetari dhe ballisti i njohur do të vijë në Dobrosht, për herë të parë në vitin 1993, në fshatin e tij që kishte pësuar mjaft nga sistemi monist në të kaluarën, vetëm pse ky veprimtar patriot kishte prejardhjen nga kjo anë. Kur erdhi e gjeti të gjallë babanë plak 100 vjeç, por me shëndet të brishtë dhe të verbër. Ky i fundit u çmallë vetëm me zërin e të birit, të cilin s’e kishte parë pesëdhjetë vjet.
Pas ardhjes së parë, Jusuf Azemi kishte rastisur edhe disa herë të tjera në Maqedoni, pasi që më nuk e ndiqnin shërbimet sekrete të sigurisë, si njeri që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën antikomuniste dhe anti-jugosllave dhe që ishte njëri nga të kyçurit e parë në lëvizjen e Ballit Kombëtar. Ai vazhdimisht ishte nën kërcënimet e UDB-së jugosllave, e cila kishte tentuar ta izolojë dhe eliminojë fizikisht, ndërsa në njërin nga këto tentime kishte pësuar vëllai i tij Dauti, sepse vrasësit kishin sulmuar gabimisht, shfleton kujtimet për këto ngjarje dramatike, Jusuf Azemi, gjatë vizitës së fundit të tij në vitin 2005.


Vuajtjet e tij fillojnë që nga ditët e Monopolit famëkeq të Tetovës, ku në nëntor të vitit 1944 u grumbulluan nga njësitë partizane disa mijë shqiptarë, për të cilët përgatitej një skenar i tmerrshëm. “Ato ditë nëntori na kanë marrë nga fshati Dobrosht, bashkë me 650 fshatarë të tjerë, për të na mbyllur në këtë kamp përqendrimi të Tetovës, ku bënin roje partizanë maqedonas të Brigadës së 12-të”, thotë Azemi, duke shtuar se aty kishin qëndruar 15 ditë të vështira, me keqtrajtime, rrahje dhe ekzekutime.
Nën përcjelljen e forcave të armatosura, një grup shqiptarësh nga Monopoli dërgohet në Shkup, duke përjetuar të gjitha tmerret e një rruge të vështirë, për të vazhduar për në Katllanovë, Veles, deri në Vallandovë, ku gjatë rrugës popullata sllave u ishte kërcënuar me ofendime “Ballistë!”, “Xhemovistë!” etj., vetëm pse kishin në trup veshje kombëtare shqiptare. Destinimi ishte për në Greqi, por në qytetin Kirkis, afër kufirit me Bullgarinë, ishin dorëzuar dhe kishin mbetur aty 3 muaj. Më pastaj, do të vazhdojnë për në Selanik dhe Athinë, prej nga bashkë me disa të tjerë transportohen në Itali, për të qëndruar në kampin “Santa Marija de Lauka”. Në fillim të vitit 1948 transferohen për në Siri, ku kanë mbetur deri më 1952. Këtu kishte pasur përpjekje që shqiptarët të përfshihen në luftën civile mes palestinezëve dhe çifutëve, por Mithat Frashëri nuk kishte lejuar një gjë të tillë. Jusuf Azemi aty do të regjistrohet në Medresenë e Lartë të Shamit, ndërsa më vonë me ndërmjetësimin e ambasadave angleze e amerikane, në gusht të vitit 1952, i mundësohet që të shkojë në Amerikë. Në Nju-Jork e pritnin shokët, që kishin mbërritur më parë nga kampet e Italisë. Më vonë, bashkë me vëllanë Dautin ishin vendosur në Çikago, ku kishin hapur një gjellëtore.
Në vendlindje, qysh si i ri, Jusuf Azemi kishte dhënë betimin për Ballin Kombëtar
në lokalet e shkollës së fshatit. Në atë kohë ka pasur dy çeta të Ballit Kombëtar, të cilave u ka prirë Xhemë Gostivari. Një çetë i ka takuar Aqif Mustafës nga Dobroshti, i cili vritet në luftë bashkë me disa të tjerë. Në Tetovë ka vepruar Komiteti i Ballit Kombëtar, në krye me Hafëz Xhemil Efendiun. “Aktivitetin e Ballit Kombëtar e kemi vazhduar edhe në Amerikë, pas vitit 1959, kur kemi fituar të drejtën për udhëtime jashtë shtetit”, kujton Azemi.
Ky aktivitet kishte filluar edhe më herët, që nga viti 1953, me një ligj të veçantë të Senatit dhe Kongresit amerikan. Veprimi në organizatë ishte zgjeruar mjaft, sidomos në kohën e kryetarit Nikson, kur kishte filluar bashkëpunimi me presidentin, me senatorët dhe kongresistët amerikanë. “Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë, ku kemi dhënë shumë raporte konstruktive për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi”, nënvizon në fund, Jusuf Azemi.

Swift thyen rekord me këngën e re, merr 10 milionë klikime për dy orë

Para dy ditësh, këngëtarja e njohur Taylor Swift publikoi projektin e ri muzikor të titulluar “Me!” që rezultoi një sukses i madh.

Aktualisht kënga numëron më shumë se 67 milionë klikime, por hyri në histori që në orët e para të publikimit.

Për herë të parë në YouTube, një video merr më shumë se 10 milionë klikime në vetëm dy orë.

Fabula e këngës është në lidhje me partnerin e këngëtares, i cili “nuk do të gjejë tjetër si ajo”.

“Është një këngë për përqafimin e individualitetit dhe zotërimin e saj”, ka thënë Swift./oranews

Tash muj m’e pa, krejt andrrën e saj

KultPlus ju sjellë këngën “Krejt Andrrën” nga Genc Salihu i cili për vite i ka qëndruar besnik stilit të tij të veçantë muzikor.

Kam mall me u marrë
N’sy të lagët, sy të lagët,
M’ka marrë malli.
E me ditë me i lanë me m’pa, lanë me m’pa,
Me ditë me m’ra ndërmend sa e lehtë
Asht me flejtë me ty.
Po’ tash po du’ me t’zgjue, du’ me t’zgjue ma,
Me duer, me gishta të ngathët,
Tue marrë zemër.

Asht verë e thatë,
Krejt koha e saj
Rrjedh në vend aq të huej,
Si shi.
Krejt janë tue pa
Ujë të kthjellët, janë tue pi
Venë që s’bahet këtu.

E n’këtë verë që s’bahet ma, s’bahet ma,
Po du’ me gdhendë nji grrithë n’drunin tand
E nja n’temin.
Po’ qysh me mujtë me dalë, mujtë me dalë ma
Prej mujit maj që zgjatë
Qe ku m’e ditë se sa.

Venë përçdo natë!
Po, tash muj m’e pa
Krejt andrrën e saj,
E di.

Instituti Albanologjik i Prishtinës boton monografinë shkencore “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” të autorit Sejdi Gashi


“Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” është studimi shkencor i autorit Dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në degën e gjuhësisë, që u botua nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Ky botim plotëson tablonë e studimit të të folmeve shqipe të Kosovës dhe si i tillë paraqet një kontribut me vlerë për studimet në gjuhësinë shqiptare. Punimi ndahet në 8 krerë, që ndërthuren me njëri-tjetrin, e ku përfshihen:

– Të dhëna të përgjithshme për Istogun me rrethinë,

– Fonetika (theksi, sistemi zanor, sistemi bashkë­tin­gë­llor, togjet zanore, diftongjet dhe grupet e bashkë­tin­gë­lloreve);

– Dukuritë fonetike (metafonia., apofonia, kontra­ksio­ni, shurdhimi, sonorizimi, asimilimi, disimilimi, rëniet e tingujve, metateza, elizioni, aglutinacioni, palatalizimi, reduktimi, kontraksioni i zanoreve, kontraksioni i bashkë­tin­gëlloreve dhe analogjia).

 – Morfologjia (sistemin emëror, sistemin mbiemëror, sistemin foljor, disa përemra, disa numërorë etj., si dhe pjesët e pandryshueshme të ligjëratës: ndajfoljet, lidhëzat, nyjat, pasthirrmat, onomatopetë etj.).

– Fjalëformimi si një prej shtyllave kryesore (para­shtesat, prapashtesat, parashtesat dhe prapashtesat një­ko­hë­sisht, paranyjëzimi, kompozimi, përngjitja dhe konver­sioni).

– Sintaksa.

– Tekste dialektore.

– Fjalorth dialektor .

Dalja në dritë e veprës së  Dr. Sejdi Gashit zgjeron edhe më tej studimet e dialektologjisë shqiptare dhe vjen pasi autori kishte bërë shumë studime që kur ishte student dhe më vonë duke botuar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta dhe revista shkencore./ KultPlus.com