Para 20 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre.
Për të nderuar sakrificën e atyre që u vranë, sot prej orës 11:00 bëhen homazhe në varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Meje, ndërsa prej orës 12:00 do të mbahet akademi qendrore po në këtë kompleks.
Aty pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, nga Presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlaentari Veseli, ministra, ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe shumë qytetarë e familjarë të të pagjeturve./koha.net/ KultPlus.com
Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi Katarina Josipi – Kati në skenën e Teatrit profesionist të Prishtinës, ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë.
Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi –
Kati jonë e madhe, u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit,
pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923, e jo siç figuron aty-këtu nëpër disa
dokumente me të cilat janë shërbyer disa institucione teatrore se Kati u lind
më 19 nëntor 1923. Ajo më 19 nëntor (1923) është pagëzuar në Kishën e Zymit.
Katë Dulaj ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste Dulajt. Ishin katër
fëmijë – Marku, Lazri, Kata e Pali. Prindërit emrin Katës ia dhanë në bazë të
festës së Shën Katarinës së Aleksandrisë, pajtore e Kishës në Pejë (kremtohet
më 25 nëntor), por edhe festë familjare e dajëve të Katës – Prekpalajt.
Përndryshe, Kata me vëllezër është brezi i 10 i familjes Berisha të ardhur nga
Tropoja (Shqipëri) dhe të vendosur në Zym. Në fakt, i pari i lagjës Berishë (në
Zym), që erdhi nga Tropoja quhej Peci, e më pastaj vijnë brezet: Pjetri i
Pecit, Ndrekë Pjetri, Mark Ndreka, Gegë Marku, Ndue Gega, Pjetër Ndou, Jozë
Pjetri, Gjin Joza dhe Kata Dulaj alias Katarina Josipi.
Katarina Josipi shkollimin fillor e filloi në Zym në gjuhën serbe
pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit. Pastaj, e vazhdoi në Nish (tash në
Serbi), ku ishte me babain e vet, që e ushtronte profesionin e bukëpjekësit.
Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë
bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse Gjin Joza, babai i
Katit, ishte vendosur së pari në Lipjan e më pastaj në Ferizaj. Kati pas
shkollimit fillor ndoqi tri klasë të shkollës së natës për rrobaqepëse.
Katarina Josipi si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në
Ferizaj. kurse në pranverën e vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në
Teatrin Popullor të Prishtinës. Në Prishtinë kishte shkuar së bashku me Shaban
Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaji. Kati në Prishtinë plot 21 vjet
aktroi dhe kulmoi në skenën profesionale.
Dhe, po aty, në Prishtinë, më 29 prill 1969 vdiq në moshën
46-vjeçare, si për çudi prapë në ditën e festës së Shën Katarinës së Sienës
(kremtohet më 29 prill), kurse u varros atje edhe nga erdhi – në Shëngjergj
(Karashëngjergj), afër Zymit të Hasit të Thatë, pranë meshtarit e patriotit Atë
Luigj Palaj, që e masakruan serbo-malazezët për shkak se nuk lejoi që
shqiptarët të konvertohen në ortodoksizmin sllav, pranë figurës së madhe
poliedrike të kulturës shqiptare – Atë Shtjefën Gjeçovit, që e vranë serbët më 14
tetor 1929. U varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës, në Shëngjergj, ku pas
26 vjetësh, pra iu bashkua edhe bashkëvendësi i Katit, e shkrimtari më i njohur
i prozës moderne në letërsinë shqipe – Anton Pashku, si dhe në vitin 2007 aty
afër u varros edhe mezosopranja e njohur shqiptare me prejardhje nga Zymi –
Ermina (Delhysa) Lekaj.
Katarina Josipin – Katin e kemi parë në skenën e teatrit
profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në
televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e
fillonte jetën magjepëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e
njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe.
Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty la djersën e vet.
Në skenë ajo jeton edhe sot pas 50-vjetëve të kalimit të saj në amshim. Jeton
në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të teatrit.
Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi, në skenën e Teatrit
profesionist të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse
të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria shpirtërore e Katit
shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë.
Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një
tjetër jetë.
Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo
episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke
e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja,
karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj kur interpretonte role nga
dramat origjinale apo të përkthyera, dramat klasike apo bashkëkohëse.
Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe
ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet
që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret.
Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe,
ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe,
vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 80 e sa role që i
interpretoi gjatë jetës së saj edhe ashtu të shkurtër.
Në skenën e Teatrit profesional të Prishtinës ajo i interpretoi me
sukses të jashtëzakonshëm këto role: Marica (”Personi i dyshimtë”), Ndrikulla
(”Pushteti”), Fjollka (”Martesa”), Rutarica (”Zhelanët”), Tanja (”Zjarri dhe
hiri”), Marija Jegonovma (”Hani në rrugën kryesore”), Zibaja (një herë) dhe të
dytën herë Maxhupja (”Zullumqari”), Kata (”Për kafshatën e bukës”), shoqja e
Hasan Agës – Remzija (”Sikur të isha djalë”), Magda Ovesek – Duda (”Hijet e
rënda”), Doka (”Zona e Zamfirit”), Ajshja (”Tri botëra”), Ana Marimovna
Zemjakina, Mamia (”Dasma”), Përcjellsja (”Ruj Blaz”), Anzhelika (Zhorzh
Dandeni), Stana (”Bota”), Saveta (”Proteksioni”), Vahidja (”Besa”), Sofija (”Dy
rreshterë”), Hana (”M. E Betanjës”), Ortenzias (”Mirandolina”), Marija (”Fjala
është për banesë”), Plaka, e ëma e Cenit herën e parë dhe herën e dytë Zejnepen
(”Nuk martohem me pare”), Beatriqa (”Shërbëtori i dy zotërinjëve”), Itha, e
shoqja e Gjonit (”Nita”), Merima (”Z. Fedori”), Sofija, e ëma e Hanëmit (”Halit
Gashi”), Dilja (”Kryet e hudrës”), Atmanja (”Parajsa e humbur”), Simona
(”Njerëzit”), Zonja Lekua (”Ciklonët”), Nada (”Kushëriri prej Amerike”), Bahrija
(”Oda e errët”), Zhivka (”Zoja ministreshë”), Staka (”Dy metelikë”), Vilima (”I
sëmuri për mend”), shoqja e Hasan Agës (”E shoqja e Hasan Agës”), Edita Frank
(”Ditari i Ana Frank”), Gruaja (”Udhëtimi rreth botës”), Shaqja, e shoqja
(”Lugati”), Mbretëresha, njerkë (”Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”), Amilja
fon Ederlein (”Cubat”), Sarka vejushë (”Familja e pikëlluar”), Z. Podivec
(”Ushtari i mirë Shvejk”), Kllara Denjson (”Pjata e drunjtë”), Lina (”Dje në
jetë”), Pavka (”Deputeti i popullit”), Dr. Kiner (”Matura”), Ranka Volloviqi
(”Konkursi”), Rigoleta (”Kur gruaja është memece”), Falltorja
(”Autobiografia”), Raisa Pavllovna Gurmishska (”Pylli”), Filja (”Peripetitë e
kohës”), Prydansa (”Zonja me kamelie”), Mr. Mabel Becker (”Jehona 60”), Ollga
Karen (”Dje pas dite”), Elen Mamlloku (”Profesori Mamllok”), Zoja Mara
(”Studentët e përjetshëm”), Elmira (”Tartufi”), Nerina (”Dredhitë e
Shaptukut”), Kejti (”Magjistarja”), Padrona (”Ambrozio shfaros kohën”), Haska
(”Hanka”), Shifra (”Kunora”), Zëri i gruas së Dylit (”Fosilët”), Shërbëtorja
Razija (”Tri ditët e kiametit”), Shoqja e Skercos (“Miu në xhep”), Ajo
(”Bashkudhëtarët”), Tima (”Hakmarrja”), Zëri i gruas (”Sinkopa”) dhe Nëna
(”Legjenda mbi vdekjen e heroit”), si dhe në radiodramat e Radio – Prishtinës luajti
dhe interpretoi një mori rolesh, si Vakën (në romanin e dramatizuar për
radiodramë të Ramiz Kelmendit “Kur kositen livadhet”), Sofijen (në radiodramën
“Zonjushat në re”) e shumë të tjera (Qemajl Sokoli ”Historia e Teatrit Popullor
Krahinor në Prishtinë” tezë e doktoraturës).
Gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës,
luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën,
Istref Begollin, Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Ragip Loxhën,
Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate
Ajetin, Leze Qenën, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Belxhyzare Fejzën, Qazim
Dushkun, Luba Tadiqin, Naxhie Devën, Masar Kadiun, Xhevdet Lilën, Ahmet
Spahiun, Ahmet Qirezin, Mysherefe Prekën, Basri Çitakun, Bajram Pakashticën,
Zymber Statovcin, Shaban Domin, Gani Jetishin, Vera Balajn, Mikel Balajn, Riza
Tarakun, Adem Mikullovcin, Dibran Tahirin, Selman Lokajn, Arif Valën, Safete
Rogovën, Igballe Gjurkaj – Qenën e shumë e shumë të tjerë.
Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe
atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia. Në mënyrë shumë të
natyrshme e bindëse rolet që i interpretonte Kati, e mbanin vulën e kohës, të
ambientit dhe të kushteve në të cilat edhe vetë ishte formuar.
Katarina Josipi – Kati për kontributin e saj, por edhe për
rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje që i jepnin
atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte
laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që
ishte sinonim i Vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë
Botërore, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë.
Kati që herët, në shkurt të vitit 1947, u ndoq nga pushteti i
atëhershëm, u mor në hetime dhe u nxor para gjyqit bashkë me vëllanë – Lazrin,
si anëtarë të Organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare me akuzën armike e
popullit. Ndër 38 anëtarët e “Grupit të Hamdi Berishës”, që të gjithë
nga Ferizaji e rrethina, në procesin makabër të Gjilanit, mbajtur prej 1 deri
më 7 shkurt të vitit 1947, Katarina Josipi ishte e vetmja femër ndër 37
meshkuj. Në atë gjykim Hamdi Berisha u dënua me vdekje, kurse 31 të tjerë u
dënuan me gjithsej 327 vjet burg. Ndër ata ishte edhe vëllai i Katës – Lazëri,
që u dënua me 12 vjet burg, si dhe gjashtë të tjerë, e ndër ta edhe Kati, pas
disa muajsh hetuesie e represioni e liruan nga aktakuza.
Në anën tjetër, ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë
private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe
martuar me Pjetër Hilën, emigrant që konsiderohej në atë kohë, Shkodra. Ajo
ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë,
katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia
dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u
martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi
ish-bashkëshortin në Shkodër. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia
njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që
paten edhe fëmijtë e Katit.
Në fund, të themi edhe atë se me emrin e Katit është pagëzuar në
vitin 1971 Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i
publikuar nga po ky Teatër, pastaj me emrin e saj (Katarina Josipi) është
pagëzuar edhe Shoqëria kulturo – artistike tash Ansambli etno-kulturor në Zym,
që është themeluar (më 4 maj 1970) në njëvjetorin
e vdekjes së Katit. Me emrin e Katit është pagëzuar edhe çmimi për
rolin më të suksesshëm të femrës aktore në komedi (në Preshevë të Kosovës
Lindore), si dhe në vendlindjen e saj tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e
Katit”.
Por e kemi borxh jo vetëm ta përkujtojmë emrin e Katit do të ishte mirë të pagëzohet Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, apo edhe ta përtrijmë emrin e saj nëpër institucione, së paku t’ia ngrisim një përmendore në vendlindje, në Ferizaj, në Prishtinë, apo në vende të tjera të Kosovës e më gjerë në trojet etnike shqiptare. Do përmendur se në vendlindje, në Zym, është restaurua Shtëpia e lindjes së Katarina Josipit dhe se së shpejti do të përurohet dhe do të shndërrohet në Muze./ KultPlus.com
Talenti, pasioni dhe sensualiteti i këngëtares Chrysta Bell, pushtuan skenën e Kino Lumbardhit në mbrëmjen e së premtes.
Muza e regjisorit David Lynch, interpretoi në Prizren me rastin e promovimit të albumit të saj të fundit, “Feels like love”, koncert që do ta veçojë këtë edicion të “Lumbardhit n’Behar”.
E njohur si këngëtare, kompozitore, tekstshkruese e aktore, Chrysta Bell solli energji të re në Kosovë.
Stili i saj i veçantë muzikor, që nuk mund të përkufizohet në një zhanër të vetëm, rezultoi në një koncert që u prit shumë mirë nga publiku kosovarë, ndërsa u quajt eksperiencë e veçantë nga artistja amerikane.
“Mendoj se muzika ime u përshtat shumë mirë me qytetin. Ndoshta po ndihem kështu, meqenëse sonte është edhe ditëlindja ime. Nuk e kemi ditur çfarë presim, por si performanca, edhe publiku ishte shumë energjik. U ndjeva sikur mes nesh po ndodhte një shkëmbim energjish. Erdhëm nga Teksasi pa e ditur çfarë na pret. Nuk dinim shumë për qytetin e Prizrenit, por kur erdhëm këtu, u ndjemë shumë të lidhur me njerëzit që takuam. Ishte eksperiencë shumë e bukur të shikosh publikun dhe të shohësh një reflektim të vetes nga e kaluara, të performosh dhe të shohësh se njerëzit që po të dëgjojnë, janë duke e ndjerë thellësisht muzikën tënde. Tani kam një lidhje shumë të mirë me këtë qytet dhe me Kosovën”, u shpreh Bell.
Muzika e pazakontë e Chrysta Bellit, fitoi interesimin dhe pëlqimin e publikut kosovar që u dallua me të rinj plot kureshtje për diçka më ndryshe.
“Në muzikën time ka elemente të muzikës pop, por ka edhe nën-zhanre tjera që janë rezultat i zhvillimit tim artistik në një botë avangarde, në të cilën jam zhytur tash e sa vjet”, tha ajo.
Përveç vokalit të saj të mrekullueshëm, performanca e këngëtares Bell u karakterizua me vallëzime plot sensualitet dhe sipas saj, e gjithë kjo është rezultat i eksperimentimeve të saj në gati të gjitha fushat e artit.
“Kur jam duke kënduar në skenë, çdo gjë që bëj, shpaloset në mënyrë natyrale. Unë këndoj me gjithë trupin tim dhe albumi im i fundit ka më shumë tinguj, nën të cilët mund të vallëzosh duke përfshirë edhe muzikën disko. Gjatë karrierës sime kam eksperimentuar shumë dhe çdo gjë që bëj në skenë, është paraqitje e ndjenjave të mia momentale. Jam munduar të krijoj koreografi, por prapë, çdo gjë më vjen natyrshëm”, thotë Bell.
Karriera e Chrysta Bellit nuk kufizohet vetëm në muzikë. Përveç krijimtarisë së saj muzikore e filmike, ajo njihet edhe si valltare e poete.
“Është e mrekullueshme, ndihem e shokuar për gjithçka që kam bërë deri tash dhe vazhdimisht më ofrohen mundësi të reja. Për aq kohë sa qëllimi im është suksesi, do të vazhdoj të punoj gjatë gjithë kohës. Ndihem sikur të gjitha përpjekjet e mia artistike e ushqejnë njëra-tjetrën.. aktrimi, muzika, vallëzimi, poezia, të gjitha janë pjesë e kësaj supe dhe shpresoj që do të jetë një supë e shijshme”, u shpreh ajo.
Por, çfarë e bëri Chrystan ta përfshijë Kosovën në turin “Feels like love”?
“Shumë shpesh na vijnë oferta nga agjentë të ndryshëm dhe nëse duken të pazakonta dhe misterioze, më interesojnë, sepse mendoj se i shton më shumë eksperiencë një turneu. Nuk kishim asnjë ide për Kosovën dhe që në momentin e parë që mbërrimë në qytetin e Prizrenit, pamë njerëz shumë të dashur, po ashtu shëtitëm nëpër disa rrugica çmendurisht të vogla e të ngushta. U mundova të marr të gjithë energjinë dhe eksperiencën, çka edhe më emocionoi shumë”, thotë Bell.
Edhe pse albumi i saj “Feels Like Love”, nuk ka as një muaj nga lansimi, Chrysta tashmë ka filluar punën për projektet e saj të reja.
“Për momentin jam duke punuar për videoklipet e albumit ‘Feels Like Love’ dhe menjëherë kam filluar të punoj për lansimin e këngëve të reja, nuk jemi duke u ndalur fare! Së bashku me bendin, jemi duke përjetuar një shpërthim kreativiteti që kur u bashkuam për këtë album”, tha Bell.
Me gjithë famën që gëzon, për një këngëtare si Chrysta, ngrohtësia që ofron publiku është një ndër gjërat më të rëndësishme për suksesin e një koncerti.
“Nuk e kam pritur këtë entuziazëm dhe ngrohtësi. Na ndodh të performojmë në një vend ku çdo gjë është e ftohtë. Ne gjithmonë japim 150% të vetes sonë në skenë, për çka edhe e dua shumë bendin tim. Asnjë nga ne nuk e nënvlerëson asnjë minutë të këtij procesi. Ne jetojmë për të performuar në skenë. Është shumë bukur kur shkon në një vend dhe e di se publiku të ka kërkuar me qëllim, të do në atë vend, dëshiron të të shohë duke performuar, të dëshiron sukses dhe dëshirojnë të kalojnë një natë dhe një kujtim të bukur. E ndiejmë këtë dhe kjo do të thotë shumë për performancën tonë. Të gjitha këto i gjetëm në Kosovë dhe kjo është diçka e madhe për ne”, shprehet ajo, shkruan albinfo.ch
Hapja e koncertit u shoqërua nga tingujt e muzikës së Blerta Kosovës, një artiste e re vendase, muzika e së cilës ngjason shumë më diskografinë e këngëtares Chrysta.
Këtë vit, sezoni pranveror muzikor “Lumbardhi n’Behar” filloi me muzikë më të veçantë e më të pazakontë, ndërsa nuk do të mbarojë me kaq.
Shumë shpejt, në kuadër të edicionit të dytë të këtij festivali do të performojnë edhe artistë e bende tjerë të njohur ndërkombëtarisht.
Qyteti i Prizrenit vazhdon të jetë një ndër vendet e preferuara për vizitorët dhe artistët e huaj.
Përveç “Lumbardhit n’Behar”, Prizrenin e pret një sezon i pasur me aktivitete kulturore e artistike./KultPlus.com
Mbi një ishull të largët, në arkipelagun e Vestmannaejarit, pranë brigjeve jugore të Islandës, ndodhet një shtëpi e vetmuar, e bardhë, e izoluar, e ndërtuar në një faqe kodre, me pamje nga Oqeani Atlantik, transmeton Shekulli.
Shtëpia e bardhë u ndërtua në vitet 1950, nga një grup gjuetarësh, të cilët shkonin atje vetëm për të gjuajtur zogjtë e veçantë, dhe donin një banesë si strehë.
Edhe pse duket si shtëpia ideale për pushime larg qytetërimit, aty nuk ka as elektricitet, as tubacione uji. Por ama e ka një saunë islandeze, që furnizohet me ujë nga një sistem që mbushet nga shiu.
Edhe pse për njerëzit nuk është vend i mirë për të jetuar, ajo shtëpi është ideale për zogjtë. Specie të ndryshme kanë ndërtuar me dhjetëra fole në shtëpi dhe në ishull.
Për këtë arsye, tani është rezervë natyrore e mbrojtur nga shteti, dhe mund të vizitohet vetëm me grupe të organizuara turistësh, me udhëtime brenda ditës./koha.net/KultPlus.com
Perkusionist, baterist dhe instrumentist virtuoz i shumë veglave të tjera muzikore. Ky është Andi Grizhja, muzikanti nga Tirana i vendosur prej vitesh në Kassel të Gjermanisë dhe që tashmë ka një repertor të gjerë pjesësh muzikore, me shumë orkestra klasike dhe bashkëkohore në vendin më të madh të Evropës.
Dihet niveli muzikor dhe standarti i një vendi si Gjermania në fushën e interpretimit. Megjithatë Grizhja ka nisur të afirmohet dhe të krijojë emrin e tij edhe në këtë ambjent me konkurencë të lartë dhe shumë kërkues.
Para pak ditësh ai ekzekutoi një pjesë të veshtirë në kselofon, një instrument që ai e preferon shpesh në daljet e tij publike./javanews/ KultPlus.com
Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pa ndarë e trashëgimisë shqiptare kulturore.
Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.
Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.
Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II p.k.r. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër.
Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri cisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash. Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali), kryen rregullisht gërmime arkeologjike.
Finiqi është një fshat në Bashkinë Finiq në rrethin e Delvinës të Shqipërisë e që gjendet në grykën e Bogasit. Njësitë administrative përbërëse janë Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja. Bashkia e re e Finiqit kufizohet në veri me bashkinë Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Sarandë, transmeton koha.net
Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 11,862 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 441.20 km2. Në bazë të të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 26.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 88.51 banorë/km2.
Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çoj në kodrën ku ndodhet parku.
Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.
Sot ky park është një destinacion i mirëfillt turistik, ku vizitor të shumtë njihen aty me historinë dhe antikitetin./ KultPlus.com
Momentet më të rëndësishme të jetës së aktorit gjenial Aleksandër Moisiu në 44 foto të printuara në kanavacë janë bërë publike për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog përmes një ekspozite të organizuar dhe kuruar nga Pjetër Logoreci. Për herë të parë, mbrëmjen e së enjtes, publiku është njohur me objekte si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.
Ekspozita është realizuar me foto dhe dokumente të panjohura mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7-vjeçare. 44 foto tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Kjo ekspozitë u çel edhe një vit më parë në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit. Në ekspozitën e mbrëmshme morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti Alfred Moisiu dhe personalitetet e tjera të artit e kulturës.
“Më vjen mirë që më vjen mundësia që të jem këtu sot në një ekspozitë të munguar prej shumë kohës të një ikone të kultuërs shqiptare, falë ftesës tuaj, ftesë që i bëhet sot gjithsecilit nëpërmjet një cikli me 44 foto të pashfaqura ndonjëherë për jetën e Aleksandër Moisiut, Kjo është një ndjesi e bukur në jetën artisike. Nuk jam ekspert i jetës dhe veprës së Aleksandër Moisiut. Jam vetëm një dëshmitar i ikonës dhe imazhit të tij. Për një tekë të fatit Aleksandër Moisiu është aktori i parë që unë kam parë; jo të gjallë, në baltë në duart e babait tim (skulptor). Isha shumë i vogël dhe m’u fiksua pamja e aktorit. Dhe ajo pamje ishte shablloni që m’u dha për ta krahasuar më vonë me aktorë të gjallë, që të mund të bëja klasifikimin e përshtatshmërisë me këtë ikonë aktori. Është një personazh, që me gjithë bardhezinë e fotografive dhe filmave, ka shumë ngjyra”, tha kryeministri Rama, duke përmendur “kostumet e aq roleve të kurorës së aktorëve që iu dhanë atij dikur.” Kryeministri Rama, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme në shkëlqimin e karrierës së aktorit të madh me origjinë shqiptare.
Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste me 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë amanet që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij Johana Tervin. Aleksandri, në moshën 19-vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc ju përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si aktor në role të vogla në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Europës, Amerikës Veriore dhe në Argjentinë. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” e të tjera. Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 11 produksione të filmave, 9 prej tyre ishin filma pa zë, ndërsa dy ishin me zë. “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”, shkruante për të Stefan Cvajg. Ndërsa Franz Kafka shprehej se: “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë”./javanews/ KultPlus.com
Organizata “7Arte” mbajti konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore”, që njëherësh shënoi edhe përmbylljen e projektit hulumtues “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky projekt synoi të zbatojë një analizë të gjendjes aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e Planit Komunal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile, studentë dhe qytetarë të Mitrovicës.
Konferenca kishte për qëllim prezantimin e të dhënave nga analiza mbi gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.
Gjatë hapjes drejtori i organizatës 7Arte, Lulzim Hoti, prezantoi mbarëvajtjen e projektit, si dhe rezultatet e hulumtimit, ku të dhënat treguan përqindje të lartë të qytetarëve të cilët u deklaruan se trashëgimia kulturore është vlerë jetësore për mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës; 89% u deklaruan që të gjithë fëmijët në shkolla duhet të njoftohen mbi trashëgiminë kulturore të Mitrovicës; 82% deklaruan që komuna duhet të shpenzojë më shumë mjete në aktivitetet për trashëgimi kulturore; 91% u deklaruan se duan që Komuna e Mitrovicës duhet të punojë më shumë rreth mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës; 93% u deklaruan që Komuna e Mitrovicës duhet sa më parë të hartojë rregulloren/planin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, përgëzoi punën e bërë gjatë projektit si dhe u zotua që do të përkrahë iniciativat e shoqërisë civile e njëkohësisht edhe ato individuale të qytetarëve që kanë për qëllim përmirësimin e sferës së trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.
Madje, shprehu gatishmërinë për të ofruar bashkëpunime ndërsektoriale për hartimin e planeve e rregulloreve të cilat do e mbronin e promovonin trashëgiminë kulturore.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe studiues e profesorë të cilët kontribuuan me debat konstruktiv si dhe duke dhënë rekomandimet e tyre.
“Gjatë konferencës u publikua edhe Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore për qytetarët e Mitrovicës. Harta do të jetë e hapur për t’u pasuruar edhe me lokacione tjera që propozohen nga qytetarët”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Disa nga rekomandimet nga pjesëmarrësit në konferencë ishin: u rekomandua që të zhvillohet një hulumtim me mitrovicasit të cilët nuk jetojnë në Mitrovicë, se si ata që e kujtojnë Mitrovicën; që edukimi mbi trashëgiminë kulturore të fillojë nga gjeneratat e reja; të mblidhen kujtime nga gjeneratat e vjetra dhe të shkruhet mbi trashëgiminë shpirtërore të Mitrovicës, si dhe që të hartohet sa më parë Plani komunal për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, obligim ky i dalë edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
Këto dhe me shumë të dhëna të detajuara do të publikohen në broshurën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës – Përceptimet e qytetarëve të Mitrovicës”.
Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” realizohet në kuadër të projektit GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.”/KultPlus.com
Është e vështirë të plakesh. Nuk do ta pranosh, por nuk e ndal dot.
E bukura është se të del plotësisht nga mendja.
Mendon se je ende i ri, derisa një ditë e sheh veten me thinja përpara pasqyrës. Sheh përreth fëmijët e tu të rritur dhe nipërit apo mbesat që luajnë rreth shtëpisë.
Aty kupton se koha ka kaluar pa e kuptuar dhe ti nuk ke bërë dot asgjë për ta ndalur.
Aty kupton se je plakur. Mirëpo je plakur nga jashtë, sepse nga brenda çdokush është aq sa e ndjen veten se është. Mos u trishtoni. Edhe plakja ka të mirat e veta.
Vitet e shumta mbi supe të japin mësime të vlefshme dhe të gjithë të besojnë problemet e tyre, pasi e dinë se pjekuria dhe përvojat e tua do t’i japin këshillat më të vlefshme për të ecur të sigurtë në jetë.
Këto janë disa nga mësimet që unë kam nxjerrë në jetë dhe dua që edhe ju t’i dini, nëse ende nuk i keni përjetuar, apo nuk jua kanë thënë:
Shumë njerëz i lëndojnë personat e mirë, sepse kërkojnë për dikë më të mirë në jetën e tyre, por gjithmonë përfundojnë me dikë më të keq dhe pastaj pendohen. Harrojnë se pendimi është i kotë, sepse askush me mend nuk rikthehet sërish me atë që e ka lënduar.
Gjithkush përpiqet të gjejë njeriun e duhur në jetë, por askush nuk përpiqet të jetë vetë njeriu i duhur. Askush nuk përpiqet të vetëpërmirësohet dhe të bëhet i duhuri për dikë tjetër. I kërkojmë gjërat të gatshme, pa dhënë aq sa duhet nga jeta jonë.
Kalon shumë kohë, ndonjëherë edhe e gjithë jeta, derisa një person e kupton realisht se ka jetuar për të kënaqur të tjerët dhe ka përfunduar disa herë i lënduar vetë. Është e trishtë, por edhe pse thuhet se njerëzit mësojnë nga dhimbjet, nuk është dhe aq e vërtetë. Njerëzve u duket e ëmbël dhimbja prej atyre që duan.
Nuk duhet ta besosh gjithçka verbërisht. Është e kotë. Secili ta tregon historinë, sipas këndvështrimit të vetë. Jo më kot thuhet: “Dëgjo 100 vetë dhe bëj si di vetë”. Dëgjoji gjithë versionet e mundshme të një historie, por në fund vendos vetë për atë që e beson si të drejtin.
Ngjyrat e vërteta të atyre që të rrethojnë, njihen gjatë stuhive më të rënda të jetës. Mos prit t’i njohësh në gëzime njerëzit rreth teje. Të tërë të afrohen, të buzëqeshin dhe të bëjnë të besosh se duan më të mirën për ty në momente të gëzuara. Ama të paktë janë ata që do të qëndrojnë me ty në vështirësi dhe akoma më të paktë ata që do të ndihmojnë të dalësh prej vështirësive.
Çdo gjë që ta kanë marrë dhe mendon se e meritoje, do të kthehet 10-fish tek ty. Zoti punon për ata që e meritojnë. Nëse ti meriton paqe, lumturi, shëndet, miq, familjarë dhe financa të mira, Zoti do të t’i japë ato.
Njerëzit më të lumtur nuk janë ata që marrin, por ata që japin. HIdhni sytë përreth. Ata që kanë zili të tjerët dhe marrin sa më shumë prej tyre, kënaqen për momentin dhe më pas trishtohen. Nuk ngopen asnjëherë. Ata që japin, janë ata më të lumturit. Njerëz të tillë lumturohen nga lumturia e të tjerëve.
Ndërkohë që koha kalon, fillon të mos interesojë aq shumë sasia, sa cilësia. Nëse më parë kërkoje të kishe sa më shumë miq, të mbaje marrëdhënie të mira me sa më tepër të afërm apo fqinj, me kalimin e kohës fillon dhe bëhesh më përzgjedhës. Në jetën tënde fillon dhe lejon vetëm ata që mund të të falin diçka.
Gjëja më e mirë që mund të bësh, është ta falësh atë që ka gabuar. Mos i mundo ata më tepër, pasi mjaft keq janë ndjerë, kur e kanë kuptuar gabimin e tyre. Fali dhe harroje çfarë të kanë bërë. Jeta vazhdon. Mos u kap pas së shkuarës. Fali ata që të kanë lënduar, por trego më tepër kujdes që të mos lëndohesh sërish herë tjetër.
Kuptimi i jetës nuk qëndron tek të bërit keq. Të bësh keq është gjëja më e lehtë që ekziston. E vështirë është të bësh mirë dhe të mbahesh mend për mirë, ndaj lëri njerëzit më mirë, nga sa i ke gjetur. Përqafoje dhimbjen. Puthe atë që po vuan. Bëhu mik me të humburin. Duaje të vetmuarin.
Shqiptarët vazhdojnë të jenë të suksesshëm në fushat ku veprojnë.
Ata tashmë janë të integruar në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Gjithashtu janë shembull se me punë mund të arrish të realizosh ëndrrat, shkruan albinfo.ch.
Shqiptarja Blerina Sinaimeri, sot është një hulumtuese shkencore në Institutin Kombëtar Francez për Shkenca Kompjuterike dhe Matematikë e Aplikuar “INRIA”.
Ajo merret me hulumtimet në fushën e biologjisë kompjuterike. Blerina ka lindur në Tiranë, derisa gjithashtu ka fituar edhe disa çmime ndërkombëtare në fushën e saj.
Sinaimeri gjithashtu ka mbajtur ligjërata të vende të ndryshme evropiane për fushën e saj, që është shumë e rëndësishme në ditët e sotme.
Blerina është një shembull për të gjithë shqiptarët se mund të arrijnë sukses në çdo sektor.
Gazetarja e Faxx News Edona Haklaj ka kontaktuar në telefon me Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli në lidhje me heqjen e germave në fasadën e Teatrit.
Në bisedën që ka zgjatur vetëm disa sekonda pasi Çuli ka dëgjuar pyetjen, ai e ka mohuar që të jenë hequr shkronjat nga Teatri Kombëtar dhe pas kësaj e ka mbyllur telefonin pa dhënë asnjë informacion apo deklaratë më tepër.
Gjatë mbrëmjes së kaluar në fasadën e Teatrit Kombëtar janë janë hequr shkronjat dhe kjo është vënë re vetëm mëngjesin e ditës së sotme.
Kjo vjen në një kohë kur protesta e artistëve për të mos lejuar shembjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri vijon dhe që ende nuk ka një tërheqje të qeverisë nga ana tjetër.
Ndërkohë që mbetet i pakuptueshëm qëndrimi I drejtorit të këtij institucuioni të artit shqiptar I cili edhe më herët është pozicionuar pro qeverisë dhe bashkisë për prishjen e tij dhe ndërtimin e një teatri të ri.
Heqja e shkronjave ka sjell edhe reagimin e menjëhershë më artistëve. Aktori Neritan Liçaj shkruan në rrjetet sociale se kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme për të përbërë lajm dhe për të fshehur ndonjë pisllëk ditur.
Ai paralajmëron se nëse do të tentohet që të shembet godina e Teatrit Kombëtar, ata që do ta bëjnë kanë për t’u përballur me pasojat e veprimit të tyre (lexo këtu).
Ndërkohë kamera e Fax News ka mbërritur në oborrin e Teatrit ko konstatohet se heqja e germave.
Nuk shtyp, prek lehtazi. Nuk ngallmon, është ngasëse. Nuk është e zgjuar, është e mençur. Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën. Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur. Nuk vepron, rrëshqet ngadalë. Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë. Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë. Nuk shikon, vrojton. Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë. Nuk gjykon, zbërthen. Nuk ngushëllon, ndez zemrën. Nuk kërkon, zgjon ndjesi. Nuk robëron, jep liri. Nuk josh, magjeps. Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse. Nuk lëshon dritë, është e dritësuar. Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje. Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë. Nuk është e butë, është e epshme. Nuk urdhëron, udhërrëfen. Nuk rilind, është në lulëzim të pandërprerë. E së fundmi një grua e pjekur është një e tërë, e të gjitha bukurive të gjashme, sepse është një grua.
Simbolet tona kombëtare jo pak herë kanë tërhequr vëmendjen të huajve.
Shqiponja dy krenare, përkrenarja dhe qeleshja janë simbolet të cilat janë përdorur shpesh nga të huajt dhe kanë ngjallur kureshtje për të zbuluar prejardhjen e tyre.
Një markë e njohur duket se është frymëzuar sërish nga një simbol shqiptar.
Bëhet fjalë për brendin e njohur amerikan të veshjeve, “Marc Jacobs”. Në rrjetet e tyre sociale ata kanë postuar një foto ku shfaqet një burrë, i cili në kokë mban një qeleshe të bardhë.
Mesa duket ata kanë vendosur që këtë detaj ta përfshijnë në koleksionin e tyre më të fundit të veshjeve.
Qeleshet të njohura dhe si plisat, janë një detaj shumë i përhapur i veshjeve tona tradicionale që përdoren zakonisht në veshjet e burrave.
Mesa duket, tani do të jenë pjesë e koleksioneve më të famshme të modës!./dita
Historianët e muzikës kanë dyshuar për një kohë të gjatë se shpikësit e violinës donin të imitonin zërin e njeriut dhe një studim tregon se si vepronin krijuesit e veglave të muzikës të shekullit XVI deri në shekullin XVIII në Itali.
Studiueesit e universitetit nacional të Tajvanit u kanë kërkuar violinistëve profesionistë që të luajnë 15 instrumente antike. Pastaj i regjistruan shkallët e luajtura me instrumente.
Kurse, më pas ata incizuan zërat e teta burrave dhe tetë grave, prej moshës 16 deri në 30 vjeç.
Të dhënat e mbledhur sollën përfundimin se violinat nga vitet 1570 dhe 1560 kanë imituar karakteristikat bazike dhe tonin të zërit të një burri, raportojnë mediat italiane.
“Kjo gjë ka rritur mundësinë që krijuesit e violinës nga ajo kohë e kanë dizajnuar atë në mënyrë që të imitojë zëra”, thuhet në raport.
Kurse, lloji Stradivari i violinës përngjan më shumë me zërin e gruas, siç janë tenorët dhe altotët, shtuan studiuesit.
Sipas studimeve, kjo gjë mund ta shpjegojë magjinë dhe bukurinë e violinave Stradivari, që janë shpikur nga italiani Antonio Stradivari, i cili ende konsiderohet si artisti më i madh dhe i rëndësishëm i kësaj fushe.
Nga Azia e largët vijnë lajme të mira për Shqipërinë. Ato nuk janë më pak të padenja sesa Parisi dhe Londra. Aventura europiane është e shumëllojshme.
Dikush kërkon t’i ngjitet më këmbë kullës Eiffel dikush ta hajë pica pranë shatërvanit në Trevi apo dikush të prekë kapelet e rojave në Buckingham Palace. Dhe kjo nuk është një gjë e re.
“Por Europa është e pasur edhe me qytete unike dhe historike. Larg qyteteve të mëdha atje gjen autenticitet” shkruan faqja e njohur aziatike e turizmit micetimes.asia.com.
Shtatë qytetet e vogla më të bukur të Evropës sipas kësaj faqeje janë Berati Hora (Greqi) Kob (Irlandë) Portovenere (Itali) Uzes (Francë) Alesund (Norvegji) dhe Rovinj (Kroaci).
“Berati njihet si qyteti i një mbi një dritareve. Dritaret dhe qepenat e shtëpive të Mangalemit të lënë pa frymë. Ia vlen të ecësh më këmbë dhe të takosh banorët të cilët jetojnë ende në muret mesjetare dhe t’u gëzohesh pamjeve të minareve dhe të kishave në luginën e Osumit” shkruan micetimes.asia.
“ Është e thjeshtë Ushqehu me Kuzhinen e shijshme në Berat dhe eksploro qytetin e bukur. Dhe nëse jeni me fat ju do të mund të shihni edhe një ceremoni shqiptare dasme” thuhet në artikull.
Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do të shohësh natë në mes të ditës
Qiellin e zi në vend të yjeve
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë
Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.
Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.
Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.
Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.
Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do ta shohësh fytyrën tënde të huaj,
Do të shohësh sa të mëdhenj janë sytë e frikës
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë
Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.
Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.
Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.
Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.
E të gjithë elementët,
Të gjithë, do të të mallkojnë :
Do të ishte më mirë për ty
Të zhdukesh pa asnjë lajm !
“Po ndërtojmë një demokraci me ata që bënë dhe diktaturën”, është një deklaratë shumë indinjuese nga shkrimtari Visar Zhiti i cili mbi supet e tij ka vuajtur vitet e diktaturës komuniste.
Por, edhe kur sot kohët duhet të ishin ndryshe, sërish persekutorët ngrenë gishtin mbi të persekutuarin.
Edmond Çaja, dikur kryepolic në kampin e Qafë Barit, dhe që sot jeton i lirë në Gjermani e akuzon Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit.
“Ky bashkë me ata jo vetëm nuk shfaqin pendesë, dhe duken shumë larg pendesës, por kanë kurajon dhe paturpësinë që në një kohë tjetër, kur edhe ata nuk janë më policë dhe unë nuk jam më i burgosur politik, por jemi në një shoqëri demokratike, ata kanë kurajon të flasin kundër viktimave të tyre.
Në asnjë vend të botës nuk mund të ngrejë gishtin persekutori kundër të persekutuarve, sidomos në kushtet e tanishme kur unë jam në kohën time, ne që ëndërruam demokracinë dhe u sakrifikuam dhe u martirizuam dhe me butësi tregojmë çfarë ndodhi, këta vërsulen në mënyrën më të përbindshme. Nëse atëherë po bënte i detyruar detyrën, sot që nuk është më në atë detyre dhe jeton në një nga vendet më të demokratizuara, flet si një polic, ndëshkon si një polic dhe kjo është e padurueshme dhe e patolerueshme” tha Zhiti në studion e RTV Ora
Zhiti nuk fsheh zhgënjimin për Autoritetin e Dosjes i cili nuk reagon duke thënë të vërtetën.
Visar Zhiti: “Në një rast të tillë, sic ju e kujtoni, në një konflikt të shefit të policisë të burgut me të burgosurin e tij dhe ai bën një shpifje, atëherë Autoriteti i Dosjeve apo institucionet e tjera duhet të mbajnë qëndrim, duhet të tregojnë si është e vërteta. Nëse ai që e thotë këtë zbulohet me dokumentacion, të mbajë përgjegjësi ai që akuzohet, ndryshe përgjegjësia e ndëshkimit duhet të bjerë në atë që shpif, qoftë Autoriteti i Dosjeve, qoftë institucione të tjera, qoftë shteti duhet tu japin përgjigje këtyre gjërave. Nëse ata i mbajnë të pazgjidhura, do të thotë se u intereson zgjatja e së keqes.”
Ende në diplomaci ka bashkëpunëtorë të sigurimit edhe po shkojmë afro tre dekada nga rrëzimi i diktaturës së komunizmit
Visar Zhiti: “Po janë, gjenden në shumë institucione. Së pari, duhen rrëfyer. Së dyti, është një ndër gazetarët më të mirë europianë, Adam Icnik, i cili thotë që në rastet e listave të bashkëpunëtorëve, duhen parë sa dëme i kanë sjellë shoqërisë. Meqë kemi dosje, kemi autoritete, kemi të gjitha levat, institucione, të shohin sa dëme kanë bërë dhe në bazë të tyre të mbahet qëndrimi dhe ndoshta jemi disa vonë, por janë të panevojshëm këta njerëz në institucione. Nuk mund të bëjmë demokraci me këta njerëz që bënë diktaturën.”
Politikanja 24 vjeçare me prejardhje nga Kosova, Qëndresa Sadriu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Komunës së Glattbrug-ut, në Zvicër, teksa njëherësh është edhe deputetja e parë shqiptare në Kantonin Zyrihut të Zvicrës.
Qëndresa Sadriu është pjesë e Partisë Socialdemokrate, teksa me profesion është asistente dentale, e ka kohë që ka bërë emër si aktiviste shoqërore dhe politike.
Ajo më herët është zgjedhur asambliste në qytetin e Opfikonit të Kantonit të Cyrihut, ku ishte edhe kryetare e Asamblesë në këtë qytet.
Prioritet i saj është shkollimi i të rinjve, barazia gjinore dhe angazhimin për të pastrehët.
“Ne mund të themi dhe të vendosim se cilin drejtim duhet të marrë e ardhmja jonë. Për mua, ajo duhet të orientohet në një kah të drejtësisë shoqërore për të gjithë njerëzit në vend , dhe jo vetëm për disa”, kishte thënë Qëndresa, me rastin e kandidimit të saj si deputete.
I ka kaluar 74 dimra e vera, gjithmonë kreative dhe një shoqe besnike e notave muzikore.
Si shkrimtari i
guximshëm apo ndërtimtari i sfiduar prej lartësive, Pranvera Badivuku, prej
Shkupit drejt Pejës e drejt Prishtinës, ka dekada që prej mendjes nxjerrë notat
e partiturave.
Një prej kompozitoreve të para në Kosovë, duhet falënderuar mendjen e Badivukut për disa melodi që sot muzika shqiptare i mban me krenari në sirtarin e saj të pasur. Pranvera Badivuku, nëna e Sihanës dhe Zanës dhe bashkëshortja e violinistit Hysen Badivuku ‘ngacmohet’ shpesh prej historisë, meqë nuk bën të përjashtohet prej historikut të muzikës shqiptare.
Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani
E takojmë Pranverën
kësisoj, edhe tregimin e saj që edhepse i gjatë, dëgjohet me ëndje. Është ajo
fajtorja që sot ne e kemi këngën “E kujtoj atë takim” në repertorin e muzikës
shqipe, njëjtë sikur edhe këngën “Eja eja e bardha verë”.
Pedagoge, mësuese,
prej “Elena Gjikës” dhe “Emin Durakut” në Prishtinë e deri te Saraji i Shkupit,
Pranvera Badivuku është një tregim pranvere, mbushur me pak stuhi dimri por me
shumë aroma verore, me rreth 150 kompozime[i]
por edhe të tjera që presin të realizohen.
Një këngë e
shkruar për Nexhmije Pagarushën ka marrë fillimin e saj, së shpejti gati që ne
ta shijojmë, me notat e Pranverës. Edhe ky është një tregim mes mini-tregimeve
që na i shpalosë Badivuku.
**
Nuk e lëmë për më vonë faktin se Pranvera Badivuku, me kompozimet e saj i ka fituar pesë Okarina të Arta – çmimin kryesor të publikut në festivalin Akordet e Kosovës, i cili sot nuk ekziston dhe për gjeneratat e vjetra ka rrezik të kthehet në temë të panjohur e fushë të padiskutuar. Dhe Pranvera këtë sukses e arriti më shumë pak teknologji, e jo me teknologjinë e një kompozitori të këtij shekulli e këtij moderniteti.
Nga albumi familjar
E lindur në Pejë,
Pranvera dhe familja e saj asokohe konsideroheshin si familje armiqësore. Ajo
rritet me axhallarët e saj, me këtë pjesë të familjes, meqë babain do ta
takonte shumë më vonë, tek në fejesë. Muzikalitetit të saj, i mungon babai. Ajo
rritet pa baba por inspirohet që të nisë angazhimin e saj me muzikë qysh e vogël.
“Unë jam rritë pa
baba. Për faktin se babai im ishte në burg në Shqipëri, familjen tonë e
konsideronin si familje armiqësore. Axha im përfundoi Inxhinierinë e Urave në
Zagreb, pra ishte me shkollë por prapë nuk gjente vend pune. E zëvendësoi një
mesues në Pejë për një vit por prapë nuk gjeti punë. Në Shkup e gjeti punën. Atë
vit unë e përfundova shkollën fillore dhe dëshira ime ishtë që të
regjistrohesha në shkollën e muzikës. Kësisoj shkova me axhën në Shkup, dhe e
dhashë provimin pranues. Bile më kujtohet që në fillim kam qëndruar te familja
e Liliana Qavollit, aty kam fjetur, e më pas të nesërmen kur doli lista e
studentëve të pranuar, e nisa jetën në vend tjetër” tregon Pranvera.
Nuk i shkoi asnjëherë
mendja që nuk do të pranohej në shkollën e muzikës. Mendim i rrezikshëm për një
vajzë e cila ishte në një rrugë të pacaktuar, me fatin mbret të rastësisë.
“Isha e bindur që do të pranohesha në shkollë atje. Shkolla ishte në maqedonisht, ishte paralele përgatimore, pra ishte një vit përgatimor dhe më pas klasa e parë e shkollës së mesme të muzikës. Kisha pak njohuri për muzikën sepse në klasën e tetë nuk kishim fare muzikë. Muzika gjithherë është parë si diçka e tepërt. Gjuhën e mësova më pas, axha më ndihmonte edhe me leximin e takteve – pjesëve ritmike, dhe kësisoj shpejt u bëra një prej studenteve më të dalluara” tregon tutje Pranvera.
Nga albumi familjar
Por skenari i jetës merr tjetër kahje.
Në vitin 1963, një
tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 godet Shkupin. Personalitete të ndryshme,
mes tyre edhe Hrushçovi prej Rusisë, vinin në Shkup ta vizitonin qytetin dhe
tmerret pas tërmetit. Kjo ishte kohë e përshtatshme për të arrestuar njerëz të
profileve të ndryshme, herë-herë fshehtazi. Mes tyre, arrestuan edhe axhën e
Pranverës.
“E morrën dhe e
izoluan, edhepse më vonë e morra vesh se ishte burgim. Unë vazhdova, kërkova
punë dhe e gjeta atë, në Saraj të Shkupit. Në shkollën Liria nuk gjeta punë
sepse shkaku i tërmetit nuk lejohej as hyrje e as dalje e as ndërrim i stafit
aktual, prandaj shkova në Saraj ku kam kaluar vitet e para të punësimit tim,
dhe kam kujtime e mbresa të thella prej asaj kohe. Stafi atje ka qenë shumë
mikpritës, fëmijët vinin prej fshatrave rreth Sarajit dhe ka qenë një periudhë
e mirë e jetës sime” thotë Pranvera e muzikës shqiptare.
**
Kur punonte në radio, ajo u angazhua edhe me muzikën për fëmijë edhe për muzikën popullore. Gjithmonë e ka dashur sidomos muzikën për fëmijë dhe ardhjen e kësaj muzike në jetë, njëjtë si një fëmijë i posalindur.
“Atëherë e kemi pasë në planprogram sa kangë me i realizu çdo muaj. Nisën festivalet në Gjakovë, ku i dërgova disa melodi për fëmijë. Po në këtë kohë edhe u dhash pas qëndrisjes, kisha merak, i kisha disa revista italiane me modele të bukura, i blejsha çdo muaj dhe punova punëdore për vajzat, mbulesa” tregon Badivuku.
Youtube / Nexhmije Pagarusha
Prej vitit 1979, ajo angazhohet goxha shumë në muzikë. Me ftesën e Severin Kajtazit – redaktor i produksionit muzikor, ajo kalon në Radio. Radioja ka qenë pjesë e programeve dhe redaksive foljore, por aty ka qenë edhe produksioni – sot ku është KTV. Në kuadër të këtij produksioni, kanë ekzistuar orkestra popullore, orkestra popullore turke dhe orkestrat simfonike, krahas edhe korit profesional dhe korit të fëmijëve.
“Në redaksinë e muzikës për fëmijë kam qenë edhe unë, dhe është dashur që ti plotësojmë nevojat e televizionit dhe radios, kur kishin programe për fëmijë. I bënim 10 këngë çdo muaj. Është zgjedhë kanga, ka konkuru autori që e ka shkrujt kangën, është kontrolluar teksti, ka qenë edhe një poet që i ka korigjuar tekstet asokohe, ndërsa kur vendosej melodia shkonte për orkestrim. Këtu, vinte partitura e shkrume për instrumente, që secila orkestër ta kishte partin e vet, bëheshin ushtrime dhe inicizime, dhe pas matricës vinte këngëtari, zëri, bashkimi i bukur në fund. Unë ushtroja me këngëtarët në ndërkohë, ndërsa e pata formuar edhe një kor të fëmijëve me të cilët këndonim nëpër festivale”, tregon Pranvera.
Nga albumi familjar
Këngët për fëmijë gjithmonë i kanë pëlqyer. Të parat këngë për fëmijë i ka krijuar në shkollë të mesme, njërën edhe me tekst nga Anton Çetta. Më pas ndër vite, bashkëpunoi me Vehbi Kikajn, Agim Devën, Rifat Kukajn, Dibran Demakun dhe emra të tjerë që krijuan edhe për fëmijë.
“Vallja popullore” – Një këngë fituese në Akordet e Kosovës për fëmijë, kompozuar nga Pranvera Badivuku
“Shpresoj që edhe
sot ka shkrimtarë për fëmijë, sepse nuk po i përcjelli shumë” thotë ajo.
**
Taksisti, një natë
para se ta shkruaj këtë tekst, dëgjon në veturën e tij një këngë me këto
vargje, ‘Plasa tuj të lutë, qaj moj vashë qaj e mos pusho..(.). pa të marrë se
la’. Diskutojmë kush e këndon, Haki Misini apo Gazmend Pallaska apo…
“Kjo është muzika ma e mirë, muzika e lehtë qytetare. Haki Misinin unë e kam pëlqy shumë, por dihet qysh e pati fundin. Akordet e Kosovës asokohe i kemi pasë t`mira shumë” thotë taksisti, edhe unë rastësisht i them – “E njeh Pranvera Badivukun?”
https://www.youtube.com/watch?v=yvTCg1dfDqw
Youtube / PIKA
“E njoh, ose ka këndu
ose ka qenë kompozitore, ka bo kangë, s`jom i sigurtë. Po si emër e di mirë
bile….(.)….Luan Hajra masanej m`kujtohet, edhe Esat Bicurri, ky ka vdekë. Të
gjithë vdesim një ditë!” e vazhdon taksisti dhe unë buzëqesh.
**
Pranvera e mban mend pasionin për muzikën prej kur nisi ta kuptonte veten dhe realitetin rreth saj.
Megjithatë, do të ishte viti 1973 që do t`ia sillte Pranverës suksesin e parë si kompozitore, si nënën e notave që iu mishëruan zërit të Esat Bicurrit. Bicurri, artist i madh shqiptar, këndoi në Akordet e Kosovës këngën “Eja eja e bardha verë” – me notat e thurura prej Badivukut.
Youtube / Jugoton Music
“Ishte një këngë e bukur e melosit popullor dhe një bashkëpunim i mrekullueshëm me Esat Bicurrin. U përsërit suksesi, prapë me Esat Bicurrin por tash me këngën e njohur “E kujtoj atë takim” tregon Pranvera.
“Sot këtë këngë e këndojnë Aurela Gaçe, Yllka Kuqi, Adelina Thaqi, dikur e kënduan edhe Tonin Tërshana e Eduard Jubani. Është këngë të cilën e kanë kënduar të gjithë” tregon me krenari Pranvera. Pak para këtyre sukseseve, ajo martohet me violinistin Hysen Badivuku dhe më pas lindin dy vajzat, Sihana dhe Zana.
Nga albumi familjar
“Bashkëshorti im
ka qenë violinist në Orkestrën Popullore dhe Simfonike të Radio Televizionit
Shqiptar. Njohja me të ka ndodhur në Shkup, atje ku edhe organizoheshin
koncerte të ndryshme në shkollë, atje jemi njohur. Më pas ai erdhi në Kosovë,
si bursist i Radio Prishtinës dhe nisi punën në orkestër. Unë krijimet e mia të
para prej Shkupit i dërgoja në RTP dhe për këngën time të parë të pranuar më
lajmëroi Hyseni. Kështu vazhdoi lidhja jonë, unë nga Peja e ai nga Vushtrria, që
më pas do të kurorëzohej në martesë dhe në lindjen e vajzave” vazhdon Pranvera.
Në Akordet e Kosovës të vitit 1983 ajo merr dy shpërblime – njërin për këngën
“20 vjet të festivalit” dhe tjetrin për këngën “Je kujtimi më i vetëm” kënduar
nga Sebahate Bërlajolli. Në vitin 1984 ajo merr Okarinën e Pestë, me këngë për
fëmijë. [ii]
Do të vinin vitet e 90-ta, kur edhe Pranverës do ti pamundësohej të punonte në kushtet më të mira dhe ta shprehte talentin e saj në formën më të kompletuar.
“Kur erdhën vitet
90-ta, unë kam qenë 45 vjeçare, pra kam qenë në moshën kur njeriu është i
pjekur dhe mundet me japë ma shumë, në vrullin e krijimtarisë dhe punës. 90-tat
për të gjithë ishin të vështira, njerëzit mbetën pa punë. Burri im u angazhua
gjithandej si muzicient, për mbijetesë. Në Hotel Grand, në katin e 13-të
asokohe mbaheshin koncerte me muzikë të lehtë dhe evergreen, ku ai muzikonte me
kolegët e tij. Më vonë nisi të udhëtonte për në Tetovë e Shkup, për ekzistencë.
Unë isha në njëfarë mbyllje, sepse nuk kishim vullnet me kriju dhe prisnim të
ndërrohej situata, e cila zgjati shumë”.
“Ne provuam që në
vitin 1995 ta rikthenim festivalin Akordet e Kosovës, duke u ripërtërirë mbrëmjet
e festivalit në disa qytete të Kosovës. U mlodhën redaktorët dhe planifikuam
gjithçka, u nisëm për në Mitrovicë ku e di se dështuam sepse shkuam në një sallë
ku luante një ekip i serbëve aty, basket në sallë, dhe bënin zhurmë me qëllim që
ne të largoheshim. Dhe u larguam, por ditën tjetër na u mundësua mbajtja e natës
për fëmijë. Në Prizren poashtu e mbajtëm një koncert, por në Prishtinë nuk na
lejuan asnjëherë ta mbanim. Më kujtohet që provat asokohe i majshim në banesën
time, me fëmijët, ndërsa incizimet në shtëpinë e redaktorit të programit
muzikor asokohe, Musa Tolaj, të cilin edhe e vranë gjatë luftës. Ishte një
orvatje të cilën nuk e përfunduam me sukses” tregon Pranvera.
**
Pranvera Badivuku nuk njeh pleqëri. Sytë e rrudhat po, por jo edhe inspirimi e saj për të krijuar muzikë. Sipas saj, bota ka ende nevojë për muzikë të re, dhe notat nuk janë harxhuar akoma.
Kohëve të fundit, ajo ka bashkëpunuar me të ndjerin Hivzi Krasniqi. Është e lënduar që ai vdiq vetëm javë më parë. Flisnin bashkë për një këngë për grupin Sofra Pejane, ‘që nuk paska qenë kismet’.
Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani
“E kam dashur një
këngë për Sofrën Pejane dhe thashë me vete – vetëm Hivziu atë tekst mundet me e
bo. E gjeta numrin e tij dhe po flisnim në Viber, i tregova titullin – se
zakonisht ia caktoja titullin dhe ai krijonte, dhe nuk shkoi gjysmë ore e ai
nisi ta shkruante tekstin në Viber, për Sofrën Pejane. I shpejtë si gjithmonë.
E pyeta pas pak ditësh nëse Ramadan Krasniqi ishte pjesë e këtij grupi, dhe ai
ma ktheu – Kur të duash shkojmë në Pejë dhe e mbledhim krejt grupin. Por nuk
paska qenë kismet” thotë Pranvera.
Peja shtron sofrën plot bereqet Sofrën pejane si e ka adet çka të don shpirti në sofër e ke Ejani në Pejë, këndoni me ne (Tekst i shkruar nga Hivzi Krasniqi, i botuar këtu me leje nga Pranvera Badivuku)
Derisa presim ta
dëgjojmë këtë poezi të shndërruar në melodi kënge, Pranvera ka një tjetër peng
njomak. Dedikuar Nexhmije Pagarushës, Bilbilit të Këngës Shqipe, ajo i ka
kompozuar një këngë tekstit të Ramazan Çekës, me zërin e Selami Kolonjës.
LAURESHA KOSOVARE
Buzqesh mali, lulzon fusha
Mrizojnë delet n’hije t’bjeshkës
Me za t’bukur Pagarusha
Ja merr kangës së bareshës
***
Ti për kangën je mbretnesh’
Je simbol i kang’s shqiptare
Zani jot si lauresh’
Mrekullia kosovare
(Marrë nga Ramazan Çeka – Facebook)
“Nexhmija e ka ditëlindjen në fillim të majit, nëse nuk gaboj, dhe i kërkova Selami Kolonjës që të orkestrohet e realizohet kënga deri atëherë, që t`ia bëjmë një dhuratë Nexhmijës, pasi kënga është shkruar enkas për të. Unë jam takuar me tekstshkruesin kur erdhi në Prishtinë, dhe ky tekst menjëherë ma dha idenë që të shkruaj dicka, të kompozoj diçka” më tregon Pranvera derisa e këndon pak melodinë e menduar si qëndisjen finale krahas tekstit.
Njëjtë, një këngë për Pejën që do ta këndonte Sebahate Bërlajolli, por edhe asaj nuk i erdhi radha, kismeti.
Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani
Mes këngëve tjera
që Pranvera Badivuku i ka kompozuar nëpër vite janë edhe ‘Kur ta fal’ një tufë
gershete’ interpretuar nga Nexhmije Pagarusha e Ismet Bogujevci në Akordet e
vitit 1981, ‘Vel ylberi i dashurisë’ interpretuar nga Emine Hasimi në Akordet e
vitit 1986, ‘Për ty vuaj për ty këndoj’ nga Nexhmije Pagarusha, ‘Kujtimi rinor’
nga Hermina Lekaj, dhe plot këngë tjera.
“Tash jam në pension, jam më e lirë në pikëpamje
të angazhimeve. Megjithatë ende krijoj, madje u fali këngë njerëzve, po ua
dhuroj e ata duhet të shpenzojnë për t’i orkestruar ato. Pas tërë këtyre viteve
në punë pedagogjike, si redaktore e producente e muzikës për fëmijë në RTP, po
pushoj” tregon Pranvera, grua që në çdo fjalë rezonon dashuri për muzikën dhe
çdo dritë prej fytyrës së saj tregon për një grua me jetë të lumtur dhe
përmbushje afër muzikës.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit
Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani
dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian
ose BIRN-it ose AGK-së ).
Me kamt e laguna në Kir, sytë e lamun në Bunë, e kundrimin e njomun në Liqen, çapit në të sotmën tande si atëherë edhe tash. Me më shumë thinja, rrudha e peshë vitesh hapin lshoj ngadalë mbi ty Shkodër loce, si mbi pasqyrën e reflektimit tem, tuj u drashtë se mos thuhet e mes pa u pa me ty e me vedin e asokohershëm.
Mes zanave e hapave që vërshojnë përpiqem me ndigju ndonjë turra a vrap, ndonjë thirrmë a dihamë. Dhe eci. Kqyr rreth e rreth, për me mujt me gjet ndonji copë të mbetun të mozaikut tand, pamjen e thërmume të ikjes teme. Për me mujt me e njit me lotin e mallit e me ba një kujtim. Zemra jote dashnishumë e njerëzit e tu tamël t’amël më presin me zjarmin ma t’zjarmt të pasionit të mirëseardhjes, zjarmin që vetëm ata munen me e nez.
Po të shoh e mes lotëve të mallit po përpiqem me të pa ma të kthjellët, Shkodër. Mbi ty ec e si mbi re më bahet se po shkoj rrugëve dhe kujtimeve të mija. Shkodrën tash e kam kundru ma ambël e kanda ma kishte edhe tjetërherë me pas mujt me e
pa kështu, si një zonjë hirëplotë e ballnalt. Por ani, ajo gjithherë ka ken njaja që zemra jeme ka mbrujt në maxhën e vet të dashnisë dhe kujtimeve. Këtë qytet e kam jetu e ka jetu në mu me tançka aja ka patun për vedi, e unë për të. Jena pa nadjeve të murrme, dritëpakë e reshumë. Me Taraboshin kqyreshim sa herë që gajlen e shiut merrnim me vedi për me nis shfletimin e përditshmërisë rutinore.
Nadja e mirë, porsi një apoteozë prekte shojishojn në ecejaket e fillimit të ditëve që ndryshonin njana me tjetrën vetëm kur tufat e kalimtarëve i njellte morti si tufa sorrash në vendlajmërimet e vdekjeve. Paheshin e ndaheshin, pëshpërisnim e shportitnim, e me një nur hidhërimi e grimca mendimesh pikëlluese shpërndaheshin sekush në punën e tyne. Me Shkodrën gjithherë pa jena dhe shihna
e nigjohna me plot gajle. Na kanë ndjek nga mbas kambanët e kishave e zani i xhamive, tubimet politike, e gostitë modeste të artistëve në kafenetë e strukuna. Vdekjen dhe lindjen kena prit e përcjellë. Pushkën në mes të pazarit e kangën në maje të gjuhës kena pas, jetu e nigju. Me kohët dhe historinë, me të kalumen e të tashmen, me andrrat e pasionet, me tançka që ka ken vetëm e vedja, jena pa e jana dasht sot e mot.
Shihna e nigjohna, me krejtçka Shkodra ka pas me na dhanë e na kena pas me tan zemër me ia dhanë. Emnin dhe krenarinë e saj pasaportë na asht ba në aeroporte përballjesh dhe sfidash. Me të madhe e kena pohu botnisht atë si vendlindjen tonë, e aja si një nanë zemërmadhe e gazplotë, e përkushtume e ngadhnjyese, nuk asht kursy me na mush. Të shpërndamund në të katër anët, e të çapërlumun në shumë copa prej nevojës për me mbijetu, jena përpjek për me metun shkodran, për me e kungu bukën e shpirtit, gojëve të unshme, e tamlin e limfës, buzëve të thame për qiej dhe liri.
Kena gjet përditë një fije përkushtim, ndërmëndje e përmallim, e jena nis për me ardh te ti, e me ikun prej teje ashtu siç e ke patun zakon, të mirë, zemërbardhë, besimtarë, diellplotë, hanëndritun, e tançka tjetër na vetvedi kena patun si ngulm me e kumtu.
Sot ndërsa e djeshmja e tymit dhe absurdit kanë metun njolla të errata në ndërmendje dhe dhimbje prore, përmendemi prej këtij nuri qi i ka ra si dritë prej Zojës së Shkodrës, si breror prej krenarisë. Ndërsa hapat hedhim në rrugët që strukin kujtimet, syni na mushet përplot me velin që ka hedhun, me shkëlqimin që përshkëndit.
Ka ndryshu kaq shumë Shkodra, asht ba kaq e mirë, e unë po vuaj, mbasi
nuk kam ma shumë dashuni me i falë, e zemër vetëm një më ka dhanë nana dhe kjo tokë, njatë zemër që më rrah përditë për të. Shkëlqen përditë e ma shumë, e unë shoh përditë e ma thellë në qiellin tand, në dallëndyshet e pranverave që vijnë për me m’su në kthjelltsinë tande flutirimin e pafundsisë. Gëzo Shkodër ma t’bukurën
nur që të ka ra. Shfleto në kangët tuja, harenë e akshihaneve e namin e pëtbotshëm të bijve të tu, ma t’bukurën prej tyne këndoje me za, pa u drujt e pa gajle. Tankush kje me ty, asht me shpirt e
zemër aty, vjen në prehnin tand e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dëshira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, Rozafa legjerndare.
Britaniku Peter Brook, i cilësuar si regjisori më i mirë i teatrit i shekullit XX, u shpall sot fitues në Spanjë i çmimit ”Princesha e Asturias” në kategorinë e arteve.
”Peter Brook, 94 vjeç, ende aktiv, ka hapur horizonte të reja për dramaturgjinë bashkëkohore duke kontribuar ndjeshëm në shkëmbimin e njohurive midis kulturave kaq të ndryshme si ato të Europës, Afrikës dhe Azisë”, shkruan juria në një komunikatë.
I vlerësuar edhe më parë me çmime prestigjioze si një ”Molier” në fushën e regjisë në vitin 1991 për ”Stuhia” të Shekspirit, Peter Brook u shndërrua përgjatë karrierës së tij, kryesisht në Britani të Madhe dhe në Francë, në një legjendë të teatrit.
”I cilësuar si regjisori më i mirë i teatrit të shekullit XX, Brook është një nga reformatorët më të mëdhenj të arteve skenike’’, shtoi juria duke cituar veprat “Marat-Sade” (1966) apo “Le Mahabharata” (1985), një poemë epike në nëntë orë të mitologjisë hindu që ai e përshtati në film në 1989./ ata
Kur ka qenë hera e fundit që keni lexuar një libër, ose një artikull në revistë? Nëse jeni një lexues i rregullt shumë mirë bëni, sepse nga leximi përfitoni shumë. Ndërsa për ju që nuk lexoni edhe aq shumë, dritare.net ju sjell numrin e përfitimeve që do merrni nëse lexoni.
Stimulimi mendor
Stimulimi mendor është i nevojshme, dhe leximi i librave e përmirëson goxha shumë. Ju duke lexuar mbani larg sëmundjen e Alzheimerit dhe Demencën. Pra, leximi është si një stërvitje e trurit.
Redukton stresin
Pa marrë parasysh sesi i keni punët me stresin, një roman i shkruar mirë, do t’ju a largojë mendjen nga gjithë gjëra që ju stresojnë. Kështu tensionet do largohen dhe ju do ndiheni të relaksuar.
Fiton dije
Çdo faqe që lexoni, ju mbusheni me informacione, që një ditë do iu hynë në punë. Njohuritë të lejojnë të përballesh me sfida. Përveç kësaj, është si një ushqim për të menduar më qartë.
Zgjerim fjalori
Sa më shumë që lexoni, aq më shumë pasuroni fjalorin tuaj personal. Dhe në këtë mënyrë do bëhet fjalori juaj i përditshëm. Gjithashtu, do fitoni një artikulim të mirë, dhe do fitoni vetëbesim dhe vetëvlerësim. Leximi i librave është gjithashtu me rëndësi jetike për mësimin e gjuhëve të reja, sepse folësit jo amtarë, kanë përdorur shumë fjalë në kontekst, të cilat përmirësojnë rrjedhën e të folurit dhe të shkruarit.
Përmirësim i memories
Kur ju lexoni do të mbani mend shumë prejardhje, ambicie, karaktere e histori të nuancave të ndryshme. Dhe kjo do të përmirësojë memorien tuaj. Ju do keni memorie afatshkurta dhe afatgjatë, të stabilizuar.
Aftësi analizuese mendimi
Keni lexuar ndonjëherë një roman misterioz, dhe para se ta mbaroni, e keni zgjidhur vetë misterin? Kjo ndodh sepse keni menduar në mënyrë kritike dhe analizuese, jeni marrë me detajet. Këtë aftësi do e zotëroni edhe për problemet tuaja në jetë, nëse i përkushtoheni leximit.
Përmirëson fokusin dhe përqendrimin
Në botë e Internetit, vëmendja jonë tërhiqet në miliona drejtime, sepse dhe gjërat që shohim janë të ndryshme. Por me librin është ndryshe, aty gjendet vazhdimësia e të njëjtës histori dhe kështu vëmendja juaj është e fokusuar në një gjë. Prandaj dhe librat ju mbajnë të fokusuar dhe të përqendruar.
Aftësi më të mira shkrimi
Kjo është pothuajse e njëjtë me zgjerimin e fjalorit. Nëse ju lexoni, do pasuroni fjalorin dhe nëse keni një fjalor të pasur do shkruani dhe vetë bukur. Do keni një stil të frymëzuar nga autorët e tjerë dhe kjo do ndikojë në vazhdimësinë e punës tuaj.
Qetësimi
Përveç relaksimit, libri që ju mund të jeni duke lexuar ju sjellë paqe shpirtërore. Tekstet e shkruara, ulin presionin e gjakut dhe sjellin një qetësi mbizotëruese. Është e rekomandueshme për njerëz që vuajnë nga sëmundjet mendore, të lexojnë libra.
Argëtim falas
Biblioteka ka plot në qytet, dhe ju nëse jeni një njeri që i doni librat i gjeni falas aty. Me pak fjalë, merr përfitime pa shpenzime./E.B-dritare.net
Tri vajza shqiptare, Qëndresa Gërlica, Luiza Duraki dhe Habibe Duraki, kanë nisur rrugëtimin e tyre politik në, duke kandiduar për t’u bërë pjesë e parlamentit të Belgjikë.
Qëndresa Gërlica dhe Habibe Duraki janë duke kandiduar për t’u bërë deputete në Parlamentin e Blegjikës, kurse Luiza Duraki po kandidon për Parlamentin Federal Belg.
Qëndresa vazhdon ende studimet universitare për shkenca politike dhe ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë Komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së, duke shtuar kështu suksese të reja rrugëtimin e saj politik.
Luiza ka studiuar drejtesine ne Universitetin e Lire te Brukselit. Ajo ka punuar ne gjykatesin e tregtise ndersa tani punon ne Pallatin e drejtesise.
E Habibe Duraki momentalisht mban pozitën e nënkryetares së komunës Evere. në Bruksel, pas zgjedhjeve që u mbajtën në tetor të vitit 2018, ku edhe ishte një ndër gratë më të votuara.
Luiza Duraki mban numrin 12, në garën për Parlamentin Federal Belg, kurse në garën për Parlamentin e Brukselit, Habibe Duraku mban numrin 35 dhe Qëndresa Gërlica me numrin 47.
Në mesin e 10 vendeve të para në botë ku lexohet më shumë libri ndodhen 6 vende aziatike dhe 4 vende evropiane.
Megjithatë, tërheq vëmendjen India që është radhitur si vendi i parë në botë ku lexohet më shumë libri.
Në nën-kontinentin indian çdo qytetar lexon mesatarisht më shumë se 10 orë në javë, transmeton ATSH.
Dita e 23 prillit, festohet si Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit me një vendim të marrë në Konferencën e 28-të të Përgjithshme në vitin 1995 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Në Indi, që është në krye të listës si vendi ku lexohen më shumë libra në botë, çdo qytetar lexon rreth 10 orë e 42 minuta në javë. Ndërsa në vendin e dytë është radhitur Tajlanda ku çdo qytetar lexon rreth 9 orë e 24 minuta dhe në vendin e tretë Kina ku çdo qytetar kalon 8 orë në javë duke lexuar libra.