Në vitin 1998 veç sa kishte filluar lufta në Kosovë, periudhë kjo e vështirë për shqiptarët që po përgatiteshin për më të keqen, për regjimin e kobshëm serb.
Në Shqipëri, një këngëtare nga Kosova do të këndonte po këtë
vit për krismat, për luftën, për vajzat e reja me vellot e zisë, për mizoritë.
Alberije Hadërgjonaj, në vitin 1998 triumfoi në Festivalin e Këngës në TVSH me këngën ‘Mirësia dhe e vërteta’, himn i luftës në Kosovë. Albërija sikur po i bënte thirrje Zotit të zgjohej nga gjumi, dhe botës po i kërkonte të intervenonte që kosovarët të mos vdisnin të gjithë.
Alberija u bë e para këngëtare nga Kosova që e fitoi festivalin, në edicionin e tij të 37-të.
Teksti i këngës flet shumë për gjendjen e asokohshme shpirtërore dhe fizike të shqiptarëve të Kosovës. / KultPlus.com
CHwB Kosova ju fton në prezantimin e dokumentarit “Udhëve të Argjendarëve Prizrenas” të realizuar nga Rina Geci.
Dokumentari sjell gjashtë video-portrete të mjeshtërve filigranistë nga Prizreni, ku nëpërmjet rrëfimeve dhe shfaqjes së fotografive, dokumenteve dhe video-materialit nga arkivat personale, ndiqen rrugëtimet e argjendarëve protagonistë në profesionin e tyre.
Realizimi i këtij projekti është një segment i një hulumtimi më të gjerë etnografik lidhur me zhvillimin e mjeshtërisë së argjendarisë në Prizren gjatë 100 viteve të fundit.
Dokumentari do të shfaqet me 22 janar, në ora 19:00 në DokuKino në Prizren, shkruan KultPlus.
Mjeshtrit filigranistë flasin më në detaje lidhur me këto tema: 1. Lorenc Vuçaj- Rrëfim për traditën familjare dhe Kujunxhillëkun e Prizrenit 2. Lon Seb Bytyqi- Puna në ndërmarrjen “Filigran” 3. Sadije Turtulla- Rrëfim për shkollën e filigranit 4. Viktor Lekaj- Filigrani si ekonomi familjare 5. Rafael Koci- Festa e argjendarëve “Piri i kujunxhive” 6. Lazër Rrok Lumezi – Nga filigrani tradicional te arti modern
Akademiku Ali Hadri sot mund të jetë një personalitet më pak i njohur për gjeneratat e reja, dhe prandaj duhet ta sjellim në vëmendje punën dhe angazhmin e tij të pashoq.
Ali Hadri lindi më 3 mars 1928 në Lushnjë. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjakovë. U diplomua në vitin 1956 në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe pastaj po aty u magjistrua në vitin 1960. Disertacionin e doktoratës ‘Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945’ e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1970.
Ai ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës. Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pasuniversitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë.
Hadri ishte delegat i Kuvendit Krahinor të Punës Shkencore, anëtar i Këshillit të Koordinimit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të shoqatës jugosllave Shkenca dhe shoqëria, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i një numri revistash historike.
Në fushën e shkencës së historisë, Hadri botoi, duke filluar nga viti 1957, qindra punime. Botoi dhjetë vepra monografike dhe shumë tekste të historisë së popullit shqiptar për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme. Ka marrë pjesë me referate e koreferate në simpoziume dhe në tubime të tjera shkencore.
Për punën e tij shkencore e kulturore-shoqërore iu dha dy herë Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit; u dekorua me Urdhrin e Meritave për Popull me Rreze të Argjendta dhe me Urdhrin e Punës me Flamur të Kuq.
Ali Hadri vdiq në Pejë, më 2 dhjetor 1987. / KultPlus.com
Në janar gjithmonë e kujtojmë Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e morri seriozisht studimin gjatë tërë jetës.
Fehmi Agani lindi pikërisht në janar, me 23 janar të vitit
1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në
Prishtinë.
Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvua politikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.
Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.
Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.
Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.
Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.
Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.
Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com
Sot në Prishtinë është mbajtur marshi ‘Dhunuesi je ti’, ku një grup i vajzave edhe kanë performuar këtë himn, kundër dhunës ndaj grave e cila ushtrohet nga burrat.
Performanca e sotme solli himnin feminist me origjinë nga Kili, një përpjekje për të ndihmuar në kauzën kundër dhunës ndaj grave.
Në anën tjetër, në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet që kanë ngjyrim patriarkalist dhe shpesh me plot urrejtje kundër performancës dhe vajzave që kanë zgjedhur këtë formë të protestimit.
Një pjesë e madhe e komentimeve janë bërë nga, jo çuditërisht,
burrat.
Aktivistet për të drejtat e njeriut i kanë shpërndarë fotografitë e komenteve nëpër rrjete sociale, të cilat shpesh janë edhe denigruese dhe përmbajnë gjuhë të urrejtjes nga profile që nuk janë të rrejshme, por kanë identitet të burrave.
Në Kosovë, vetëm gjatë tri viteve të fundit (janar 2017- tetor 2019) janë vrarë 11 gra si pasojë e dhunës në familje. Gratë po vazhdojnë të vriten sot e kësaj dite! Në këtë periudhë ka pasur 3394 gra që kanë raportuar dhunën. Edhe pse numri i raportimeve të dhunës vazhdon të rritet, mbetet i ulët në krahasim me dhunën që nuk raportohet.
Në postime është komentuar edhe për Policinë e Kosovës, e cila do të duhej të merret me komentet dhe me gjuhën e urrejtjes edhe në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Me filmin ‘Kushtetuta’ mbrëmë në kryeqytet, në Kino Armata, është hapur Festivali i Filmit Evropian, prezantuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Filmi me regji nga kroati Rajko Grlic konsiston edhe me
Kroacinë e cila momentalisht e ka kryesimin e presidencës së Këshillit të BE-së.
Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, mbrëmë
gjatë fjalimit të hapjes tregoi se një festival i tillë është i nevojshëm në
Kosovë dhe se ky është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.
“Sonte festivalin po e nisim me filmin ‘Kushtetuta’ i cili vjen nga Kroacia, e cila edhe e ka kryesimin e Këshillit të BE-së. Së fundmi, kemi hapur edhe një thirrje për mbështetje të projekteve kulturore në Ballkanin Perëndimor, duke treguar kështu sa ka rëndësi kultura dhe arti, fusha në të cilat ne gjithmonë mbështesim dhe përkushtohemi” tha Apostolova.
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, uroi fillimin e festivalit duke treguar se presidenca kroate do të mbrojë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe një politikë të besueshme dhe efektive të zgjerimit, shkruan KultPlus.
“Filmi që do ta shihni sonte ka fituar mbi 30 çmime në mbarë botën, prandaj shijojeni” tha Barisic.
“Kushtetuta” flet për katër njerëz që jetojnë në një ndërtesë
në Zagreb por nuk flasin mes vete meqë shohin se kanë dallime të mëdha mes
vete.
Festivali i Filmit Evropian sonte vazhdon me filmin ‘Ray and
Liz’, në Kino Armata, prej orës 20:00. / KultPlus.com
Albin Kurti, politikan i njohur dhe aktivist i dëshmuar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë mysafir i KultPlus Caffe Gallery, të premten me datë 17 janar 2020, prej orës 19:00.
Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Kurti ishte edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.
Në KultPlus Caffe Gallery, me Albin Kurtin do të flasim mbi kulturën dhe trajtimin që spektri politik në Kosovë në këto dy dekada të pasluftës i ka bërë kësaj fushe të zhvillimit të vendit. Diskutimi do të fokusohet edhe në artin dhe kulturën në programet e partive politike në Kosovë, si dhe në seriozitetin që këto subjekte politike e tregojnë me komunitetin artistik në Kosovë.
Në këtë bashkëbisedim me redaktorin e KultPlus – Arbër Selmanin, do të jenë edhe Saranda Bogujevci dhe Yll Rugova.
KultPlus Caffe Gallery ju fton në këtë ngjarje, e hapur për komunitetin artistik në Kosovë, një tjetër tentim i gazetës online për art dhe kulturë KultPlus për të inicuar debate konstruktive dhe të artikuluara mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.
Fakete Rexha: Fëmijëria ime, kur gatuante nana flija
Ndoshta kur e sotmja ta përqeshë të djeshmen. Motra para meje u martu, e disa nga detyrat e saj rreth shtëpisë nana mi ngarkoi mu. Me e fshi oborrin, me i la enët te bunari, të dielave me u zgju herët nga gjumi me e ndihmu rreth gatimit, se vinin motrat me burra e fëmijë me ndejtë gjithë ditën. Të dielave nana gatuante brumëra: fli, pite me katmer, pite me petë, jagli me djathë, vezë, kajmak e hudhër. Perpeqë, piqehiqe me marmeladë, kajmak. Leqenik. Kryelanë me duqa, e pa duqa E, gjithëfarë drangulijash që i bijshin n’mend atypëraty. Se, me gjellë s’mund i dilte n’krye gjithë atij kallaballëku. Por, unë kisha mërzi të dielat. N’gjumin ma t’mirin vinte nana e m’thërriste: quuuu! Quuu, qikë se t’zu dreka! E, kam me gatu! Unë jo që i ndihmojsha gja, por, nana e kishte që t’a shoh si gatuhet e të mësohem për më vonë, dhe se duhet çdo ditë me u zgju herët për me t’shku dita mbarë…Se, jeta na thoshte nana, përveq tjerash asht edhe disiplinë! Ajo, shtronte sofrabezin, vinte sofren e madhe, ulej, e m’thoshte: bjerja nanës tëlyenin, bjerja nanës vajin, bjerja nanës kosin, djathin, bjerja anës miellin….Cdo herë i njejti avaz, të cilin unë tashma e njihja përmendësh. Në kohën e tregimit tim kam 8 vjeçe. U zgjova nga gjumi me një inat të madh n’fyt, sa veq s’plasja. Im at ishte kthyer nga turni i natës, kishte qenë tu i vesh pixhamat n’dhomën tjetër. Ia krisi nana refrenit të saj: bjerja nanës…! Oh, bre se lash me vazhu hiq. Ia nisa me imitu, tu e përqesh me inat: Bjerja nanës tëlyenin! Bjerja nanës kosin! Bjerja nanës miellin! Haja nanës P….n! S’isha e vetëdijshme çka thash. E pash nanën që preku n’gaz, u skuq në fytyrë, e i zgurdulloi sytë tu m’dhan shenjë diqka. S’pata afat të kuptoj, ç’deshi me m’than me këtë gja. Veq kur i kam ndi do gishta t’fortë, sall eshna që ma n’ngjitën për dy della t’qafës e m’qunë si mace, hop, deri n’tavan, Kujtova se mu nda fryma. Dera e dhomës sime u hap me shkelm, dhe pash veten që u fërfllova n’shtrat. Ndëgjova zanin e tim eti kur m’tha: edhe njiherë provo e fol me nanën tande kështu, nuk t’hedhi n’shtrat, por, ke me fluturu n’maje t’Cabratit. Boll m’dhimbti nja tri ditë qafa, por, u gëzova se ia futa gjumë deri n’drekë.Pati kalu s’di sa kohë, e babën s’mund e shihja n’sy prej turpit. Sot, kur m’kujtohet shqepem prej gazit.
Sot feston ditëlindjen Haruki Murakami, një prej shkrimtarëve më të mirë dhe i lexuar nga miliona njerëz në mbarë botën.
Japonezi sot feston 71 vjetorin e lindjes, ndërsa me penën e
tij ka bërë që të jetë i njohur në mbarë botën, i përkthyer në disa gjuhë dhe i
dashur edhe për lexuesin shqiptar falë përkthimeve të denja që kanë ardhur në
shqip e që mbajnë vulën origjinale të Murakamit.
Për ta njohur më mirë fantazinë e shkrimit letrar të Haruki Murakamit, nisni me leximin e këtyre tre librave që ne sonte po propozojmë për ju.
E dashura ime Sputnik – Haruki Murakami
Haruki Murakami, një autor i përbotshëm bestseller, autor i shumë romaneve, na fut me këtë libër në Japoninë urbane të bareve të xhazit, në kafenetë, në botën e Jack Kerouac dhe Beatles, për të rrëfyer historinë e ngatërruar të dashurisë vetmëvetëse e joshpaguese. Nje student i kolegjit, i identifikuar vetë si K., bie në dashuri me shoqen e klasës së tij, Sumiren.
Devotshmëria ndaj një jete të çrregullt letrare e pengon atë nga ndonjë vetvrasje e mundshme, derisa ajo takon Miun, një grua biznesmene shumë më e vjetër dhe shumë më e sofistikuar se ajo. Kur Sumirja, e cila e shoqëron Miun në udhëtimet e saj, zhduket në një nga ishujt grekë, K. tundohet dhe i bashkohet kërkimeve dhe e gjen veten sërish të zhytur në botën e saj dhe nis e rrethohet nga vizionet përndjekëse e ogurzeza. “E dashura ime Sputnik” është një histori dashurie e kombinuar me një histori detektive që të mbetet në mendje si një meditim i thellë mbi mungesën njerëzore.
Kafka në Breg – Haruki Murakami
Kafka Tamura, një i ri pesëmbëdhjetëvjeçar, largohet nga shtëpia me dëshirën edhe t’i shmanget profecisë edipiane të të atit, edhe të kërkojë motrën dhe nënën e tij të humbur prej kohësh.
Pylli Norvegjez – Haruki Murakami
Toru, një student i urtë dhe i pjekur para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Toru fillon të mësohet me jetën e universitetit, me izolimin dhe vetminë që gjen atje, por për Naokon, presionet dhe përgjëgjësitë e jetës, janë të padurueshme. Teksa ajo tërhiqet gjithnjë e më thellë në botën e saj të brendshme, Toru e gjen veten duke i kërkuar ndihmë njerëzve përreth dhe tërhiqet nga një vajzë e re me një pavarësi të paepur dhe pa paragjykime seksuale.
Ky libër është një përzierje madhore e muzikës, emocioneve dhe etosit, me të cilin kanë qenë dominuar vitet gjashtëdhjetë, dhe udhëtimit romantik të një studenti të dashuruar. “Pylli norvegjez” është një histori tragjike dashurie e vdekjeje, humbjesh e ngritjesh dhe përfaqëson hyrjen triumfale të Murakamit në tregun japozez. Në një vend ku me një bestseller nënkuptohet një libër që shitet në mbi 100 mijë kopje, ky libër ka shitur më shumë se katër milion kopje. Jashtë Japonisë, Murakami ka fituar statusin e shkrimtarit kult, librat e të cilit janë përkthyer në mëse tridhjetë gjuhë të ndryshme. / KultPlus.com
Agim Çavdarbasha është padyshim një prej emrave që ka shënuar artin në Kosovë.
Çavdarbasha, i lindur në Pejë ku edhe përfundoi Shkollën e
Mesme të Artit, diplomohet në vitin 1969 në Beograd, në Degën e Skulpturës në
Akademinë e Arteve, në klasën e profesorit Vojislav Vujisiq.
Çavdarbasha hapi ekspozitën e parë të pavarur në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd; mori pjesë në Simpoziumin e Skulpturës Bashkëkohore në Arangjellovac; mori Çmimin për Talente të Rinj të gazetës Borba.
Më 1970 u bë anëtar i SHAF të Kosovës dhe mori pjesë në të gjitha ekspozitat kolektive të saj. Më 1971 kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Lubjanës, në klasën e prof. Zdenko Kalin. Ekspozoi me grupin AAF të Lubjanës në “Mestna Galerija”. Mori Çmimin e Preshernit të Universitetit të Lubjanës.
Ai mori pjesë në Bienalin IX të Aleksandrisë të Egjiptit (1972). Ekspozoi në Sallonin e Tetorit në Beograd (1973) dhe në Bienalin e Plastikës së Vogël në Murska-Sobota.
Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative të Prishtinës.
Më 1978, mori pjesë në Ekspozitën Arti Kosovar në Këln dhe në Paris.
Gjithashtu, mori pjesë në ekspozitat e skulpturës jugosllave në Hungari, Rumani dhe Bullgari dhe në Ekspozitën Arti Bashkëkohor Jugosllav në Australi dhe Zelandë të Re. Në këtë vit merr Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe Çmimin e Sallonit Pranveror të SHAFK, shkruan KultPlus.
Mes të tjerave, Çavdarbasha më 1986 hapi ekspozitën e pavarur në Klubin e Artistëve në Prishtinë, ndërsa më 1989 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë KO të Grozhnjanit, Kroaci.
Në vitin 1994 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt.
Më 1995, shpallë Galeri të Hapur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë të Prishtinës, ndërsa më 1997 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Dodona” të Prishtinës dhe më 1997 hap ekspozitën e pavarur tematike të portreteve në restorantin “Hani i 2 Robertëve”.
Vdiq në Prishtinë, më 20 tetor 1999. / KultPlus.com
Të pres në xhaminë e qytetit mes lutjeve e mëkateve eja thuaji Zotit se je më i vogël se ai je turpi i jetës sime eja lutu jepi me gojë frazat që t’i mësoi Libri i Shenjtë në hyrje, zhvishi këpucët trosha buke jepi asaj gruas rome te dera, ec në turmën e burrave, dhe afrohu ku të më gjesh.
Të pres në xhaminë e qytetit eja falju Tokës, falju Diellit, falju kafshëve çdo shpirti që shtrëngon jam në rendin e parë eja dhe bashkë flasim eja përmendja të madhërishmit, sa i pafuqishëm je ti ti, plaga e madhe e dashurisë.
Të pres në xhaminë e qytetit eja në tempull, ti krimb i keq eja dylufto me kohën kur ishe burrë i mirë kur ishe insan i kam hapur dritaret, hoxha po e pret shiun unë po të pres ty qyteti po e pret këngën e shpëtimit.
të pres në xhaminë e qytetit të vish të kuptohemi për herë të parë.
vishe këmishën e gjelbër, bëhu mbret i fesë islame shikojmë kupolat, sherefet, minaret, ti qan për veten unë qaj pse nuk qava kurrë.
Të pres në xhaminë e qytetit Eja, edhe nëse nuk më do Eja se ke heshtur boll mendja jote ka agjëruar gjatë, Eja e thuaji të madhit dhe shokëve të tij që njerëzit e mirë sot nuk janë në këtë xhami.
Të pres në xhaminë e qytetit eja, të lutem, sepse as unë nuk të dua përkulemi në tepihun e pastër kadife te dera, gjuaji përtoke pallavrat që të mbajnë gjallë Ulu afër meje, mos e shaj krijuesin.
Më gjej në qetësi, jam aty ku ulet njeriu i mjerë afrohu, mos ma kap dorën, mbylle gojën, lutu për mua a për veten, jam duke të pritur në xhaminë e fundit të dy jetëve tona.
Kur të keni dalë prej materniteti dhe jashtë ju pret një bashkëshort dhe baba i lumtur, dorëzojani atij menjëherë beben dhe vetë shkoni tek parukierja. Babai në këtë rast do të duhet të gjindet – nuk do të ketë nga kush të kërkojë ndihmë. Kështu, ai dalëngadalë do të mësojë ta ushqejë, pastrojë, ndërrojë dhe shëtisë beben. Kjo është e nevojshme jo vetëm për ta ndihmuar nënën, por edhe për të kultivuar raport të afërt me fëmijën – ai s’ka qenë shtatzënë, nuk ka lindur, kështu që dashuria e tij është direkt e lidhur me fuqinë e përkushtimit.
Më jepni kohë ju të paduruar ju të padalë ju, që jeni lodhur duke pritur ju dembelët që keni vdekur në gjumë të ditës ju të tepërtit e kësaj bote ju të varfër më jepni aq sa keni mundësi aq sa mundeni
Ta ngjallë
edhe një përbindësh
më jeni kohë ju të penduar zjarrin e Eskilit të fshehur në zemër hapat e vjedhura të dhelpërisë së një nate m’i jepni,
gjitha dështimet premtimet e bëra si dashurinë në qoshe! ëndrrat që s’u bënë kurrë kohën e humbur në libra të ndyra, që nuk vlejkan hiç asgjë
t’i vjellë të gjitha pa më mbaruar ëndrra në k’të vend nëse zgjohem Njeri!
Poeti i ri nga Peja, Donart Rexhbogaj, ka botuar këto ditë, librin e dytë poetik, me titull “Eolia”.
Shkruan: Preng Maca
(Mendime rreth librit poetik “EOLIA”, të poetit, Donart Rexhbogaj)
E lexova me vëmendje librin e Donart Rexhbogajt, jo vetëm
se e pata në dorë këtë libër, por sepse poezia e tij prej kohësh ka trokitur
ndryshe në vëmendjen time. Poezia e shkruar dhe e sistemuar në një libër, ma
përforcoi edhe njëherë mendimin, se poezia e vërtetë është gjithnjë elitare, e
ndërkaq poetët janë si të gjithë njerëzit e kësaj bote, pos kësaj, të shënuar
nga Zoti ta imitojnë ATË, duke e rikrijuar botën prej fjalësh, si një ndjesi,
si një shenjë, si një pasqyrim, si një përjetim, si një qëndrim, si një
estetikë, si një muzikë, si një dhimbje, si një forcë, si një mençuri…
Ata (poetët), janë të përkohshëm, ndërsa mbetën të
përjetshëm pikërisht me shenjën e veçantë që e lënë si një testament, shenjë
kjo e pavdeksisë së tyre të vërtetë.
Përpara leximit të këtij libri kisha në dorë Paul
Calan, një “dhuratë” e mrekullueshme prej poetit Agron Tufa, përkthyer me një
mjeshtri e dashuri të dallueshme, një Celan që flet shqip… Diku i lexova
vargjet e poshtëshënuara dhe me mbetën në mendje;
“Fjala – a e di:
është një kufomë.
Ejani ta lajmë,
ejani ta krehim
ejani t’i kthejmë,
sytë e saj nga qielli”
Ndërsa lexoja librin poetik të Donart Rexhbogajt,
kjo poezi e Celan m’u zgjua papritur në mendje, aq herë sa e rilexova këtë
libër. Poeti Rexhbogaj, e kishte kthyer fjalën e bukur shqipe me fytyrë nga
qielli.
Një poezi e shkëlqyer, e dorës së parë, ku rri aq
hijshëm ndjeshmëria, mendimi, stili origjinal, gjuha, teknika e të shkruarit me
ato shenja aq origjinale, falë të cilave kush e lexon e kërkon poezinë e këtij
poeti të veçantë, si një “mjet” që të çon në një botë që shkëlqen e vibron.
Duke “pluguar” poezinë më të bukur të traditës,
shfaqet aq modern, i kursyer në sasi, dhe bujar në cilësi. Fjala e figurshme
shfaqet tek lexuesi në mënyrë të pashlyeshme, ndërsa metafora e shpërfaq brenda
vargjeve kulturën, dijen, guximin, njeriun me dhimbjet dhe vikamën e ngritur
mjeshtërisht, me një regjistër poetik krejt të ri.
Libri është i strukturuar në katër cikle.
Rrjedh, dhe të bën t’i rikthehesh për të vjelë, atë që përmban jo vetëm
në gjërësinë e vet, por për të shijuar thellësinë, nivelin më të lartë poetik e
emocional, i cili haset kudo në faqet e këtij libri.
I lexuar, sipas meje ciklet i mendova
kështu;
( I kërkoj falje autorit për sinqeritetin,
por ta lexojë si shenjë dashurie për poezinë e tij!);
“Katër fjalë t’çame n’mes”
(Dimri… kështu e përjetova unë)
“Fëmijë i shiut”
(Pranvera… siç e ndjeva)
“N’andrrinë”
(Vera… sipas meje)
“Moti m’asht vra”
(Vjeshta…pjekuri dhe dhimbje)
Poezitë e ciklit të parë, kanë një dialog të çuditshëm. Kufiri mes atyre që janë dhe atyre që nuk janë më, tashmë është i fshirë. Është dashuria dhe malli ajo që e bën të mundur dialogun;
“A ke gjumë n’at terrinë t’dheut Ernë
A t’mërdhijnë ato t’njomat duer…”
Dialogu ka diçka të largët nga eposi.
Biseda është e lirshme, ndërsa kufijtë janë të fshirë tashmë. Ndjen
dhimbje dhe nuk mundesh ta kalosh lehtë. Ne thuajse jemi të përbërë prej
plagësh, rruga nga e cila kaloi e tashmja është krejt dhimbje e atyre që mbetën
si shenja prej nga erdhi liria.
“…Pranvera asht stina jote…”, shkruan poeti;
“…Hajde oj Ernë pashë moshën tande
Se nana veç nji pranverë ka”
Nuk flet nana, por poeti e fut në skenën e poezisë,
në lutjen e saj, këndon dashuria e madhe për ta pasur sërish vajzën, bijën,
“ikur” nëpër luftën jetëgllabruese, ndërsa zbulohet se mungesa e Ernës, ka
vendosë një dimër në zemrën e nanës, por jo vetëm asaj.
Tek poezia “Marazi i erës”, tani pikturohet shtëpia
ku tashma pushon Ernë. Janë përdorur fjalë tipike që tregojnë raportin e të
gjallëve me ata që ikin. Kursyer në fjalë dhe me një gjuhë të figurshme, hapet
dhe mbyllet “dritarja” e kësaj poezie.
Tek poezia “Çohu”, tonet rriten. Kërkohet që ajo të
dëgjojë, është kërkesë ngritja e saj, ”harrohet“ kufiri i madh i vendosur
tashmë, ka një shpresë prej nga mendohet se ende ka një mënyrë me udhëtue…
“…Me t’prek nuk mundem
Me t’lëshu nuk guxoj…”
Këto vargje kanë një tension të madh. Nuk mund të jetohet
pa të kaluarën, pa mungesën, pa kujtimin e saj;
“…Udhë e udhë ke
Me ardhë e me shku…”
Dera mbetet e hapur, nuk ka lamtumirë, dialogu vazhdon,
dhe asnjë pengesë tashmë s’ka. Bie në sy veçanërisht mënyra e trajtimit të
poezisë. Aty janë të gjitha, poeti nana, Ernë që mungon, një mungesë e
spërkatur, me një elegji ku fryma e eposit të veriut bën një dritë, prej së
cilës gjithçka është mëse normale, e mundshme.
Tek cikli, “Fëmijë i shiut”, poeti hyn
tek vetja, shpjegon veten, të shënuarin e tij, raportet thuajse jashtë
njerëzore, të një fati të para thënë.
Tek poezia “Fëmijë i shiut”, gjendemi në historinë
e sajuar poetikisht. Gjithë poetët e vërtetë kanë pjesë në atë poezi, ose ma
mirë me thënë, janë nga pak të skicuar në këtë poezi.
“…Asht fëmijë i shiut, i patën thanë
Je gëzue para vaktit…”
Këtë poezi e ndjeva, se m’u shkrua në mendje, që
herën e parë kur e lexova. Këtë cilësi e ka poezia e Donart Rexhbogajt.
Kisha me e veçue një poezi kredo të poetit. Ajo
ndoshta ka për t’i bërë të skuqen ata që e mbushin emrin e tyre me libra të
pafund.
N’GERMË
“Me u nisë
N’varg
Dikund duhet me vdekë
Shkrumb m’u ba n’germa
E letrën mos me e mbaru
Deri kur germa
T’bahet
Frymë e fjalë!”
Do të mjaftonte kjo poezi për ta kuptuar çfarë është poezia për Rexhbogajn;
“Due me t’përngja
Sall me t’shikju
Po përditshmënia
Ma sos qejfin,
Me njoftë të pambërritshmen…”
Janë vargjet në poezinë me titull “Me t’përngja”. Së pari
ka karakter filozofik. Poetët gjithnjë synojnë të pamundurën. Elegancë dhe
kumt, vargje të menduara e të shkruara me një stil të dallueshëm, një gjuhë ku
bën dritë një gegnishte e kujdesshme, një fonetikë poetike e cila e vendos
emrin e autorit në një gjeografi poetësh tashmë.
Pas ciklit poetik “Fëmijë i shiut”, pason cikli tjetër;
“N’andrrinë”.
Stili është i njëjtë për ai vështron në një kënd
tjetër botën, mbushur me shumë imagjinatë e mendim, me konstrukte të çuditshme,
zbuluar magjishëm e me finesë.
“Sofrën leje shtruem”, një poezi që më ndaloi si një
kangë, që e kthejmë shiritin për ta shijuar dy tre, herë. Më bëri për
vete për intensitetin e të shkruarit, atë botë të “fshehur” brenda gjërave të
përditshme, prej nga marrin rrugë një nga krijimet më të spikaturat të
librit.
Aty është Atdheu, krejt ajo gjendje e re, marrëdhënia e rrezikuar nga lufta për
të jetuar larg Atdheut, duke e mbajtur atë në mendje e zemër, ndërsa vetë nana,
kisha me thanë se është marrëdhënie ma shënuese për Atdheun;
“…Kam me u dukë
Po s’kam me u pa
Nanë!
Sofrën leje shtruem…”
Natyrisht se dashuria nuk ndodhë të dallohet, ndaj
dhe biri nuk shihet por ndodhë gjithnjë që është aty, në shtëpi, në Atdhe.
Largësia nuk pengon asnjë me e gëzue dashninë, nanën e cila sheh andrra me
“Fëmijën e shiut”. Ta shkruash jetën e zakonshme në mënyrë të jashtzakonshme.
Ky është një leksion mjaft cilësor i poezisë së këtij libri me aq pak fletë dhe
aq shumë botë. Natyrisht gjërat e menduara janë kualitet intelektual, sepse
arti i vërtetë përcaktohet nga cilësia e tij së pari.
“…E unë rrëfehesha
Për mëkatin që s’e kam ba…”
Diku tjetër i lexova këto vargje në një poezi në vazhdim.
U ndjeva i strukur brenda tyre, pak i trishtuar, por kjo “çati” poetike e
Rexhbogajt më shpëtoi për momentin nga trishtimi i botës dhe i jetës plot
shpresa e zhgënjime.
Pastaj pak vargje, nga një poezi tjetër mjaft
mbresëlënëse, shkak për ta lexuar dy tre herë, për të qenë në lëkurën e poetit.
Nga poezia “Rruzullim shatzanë”;
“…Trajtë kam lëshu
N’kët tokë,
Si pëlhurë n’vek endem shpirtit
Dera më pagëzon
Si hiç i së nesërmes…”
Rrallë më ndodhë të lexoj cilësi poetike e
filozofike kësisoj. Në landën e shkruar “fshihet” kultura e dija e Rexhbogajt.
E kam parandjerë librin e tij poetik. I sigurt se ai ka me na “godit” me një
libër si ky që kam në dorë. Natyrisht në kapakët e këtij libri gjeta emrin e
Xhevdet Bajrajt, dhe nuk u surprizova aspak. Syrit të kujdesshëm të
Bajrajt nuk i ka shpëtuar poezia e Rexhbogajt. Është me fat poeti në emrin e
një kumbari si Xhevdet Bajraj, por dhe Bajraj mendoj se është gëzuar me zbulimn
e një visi poetik, ku “banon” autori i këtij libri. Është fundviti dhe në këtë
çast sapo ka hyrë viti i ri 2020.
Libri i Rexhbogajt është një libër i ri, një mënyrë e re e
të shkruarit të poezisë. Ai vendos lart stekën, duke e bërë atë të pakalueshëm
për mediokritetin poetik, kësisoj jep një kontribut në rritjen e cilësisë së
poezisë;
MOMENTI
“Momenti asht ndjesi
E pamarrun vesh,
Pritje e çoroditun…
Momenti
Asht tutë!
Mashtrim i kohës
Që s’vjen kurrë!
Momenti
S’ban rrugë!
Asht veç nji andërr e keqe
Që e kam besu!”
Nuk munda me e nda këtë poezi. Ajo nuk mundi me
ndejt e pjesshme. Nuk e marr vesh se ku fillon, e ku mbaron. Ajo ka lind dhe
nuk mund ta prekësh. Një bravo për poetin!
Mes të tjerave kisha me dallue poezinë “Gryka”.
Gjetje befasuese, metafora elegante, strukturë krejt
veçanti. Detyra e këtij shkrimi është njësoj mirënjohje për këtë libër që
lexova këtij fundviti, e viti i ri më zuni me këtë libër në dorë. E marr si
ugur të mirë për vete dhe për lexuesit që e patën këtë fat.
Do të jetë një vit poezie!
GRYKA
“Grykë
Asht ajo grykë
Që t’merr
Ngryk
Ba me dashtë
Të grykon,
Ba me dashtë
Të hudh e s’të lëshon
Ba me dashtë
Të zanon,
Vorrin ta len
Emnin s’ta gdhend
Gryka
Që asht grykë
T’bahet gjamë,
Gurin
Ta ban jastëk
E vet bahet
Gur!”
Përmbyllës vjen cikli i fundit i librit, “Moti m’asht
vra”. Këtë cikël e sundon lirika e një dashnije plot dritë, pezm, lutje,
shpresë, drita që na bën të mos e mendojmë vdekjen e të shpresojmë gjithnjë në
dashninë, si një stacion drejt të cilit përsoset njeriu.
Ndërsa isha duke lexuar poezitë e këtij cikli, nuk e di
pse m’u kujtuan vargjet aq të bukura nga De Rada :
“…Çdo ditë malli për ty bëhet më i thellë
Kur nuk
të shoh ty nuk jam ma i kthjellët…”
Poezitë e këtij cikli kanë një qasje ndryshe ndaj
dashnisë, dhimbjes, sjellë prej saj, gjurmët e lëna tek njeriu, gjurmë të cilat
bien aq lehtë e të pashlyeshmne njëkohshëm nëpër vargje.
Poeti hap derën e asaj që quhet intime, personales së
tij, të një përjetimi aq të besueshëm, na beson çelsat e një shtëpie poetike,
ku shkruhen vargje të përdiellta dashnije. Vargje nga poezia;
“T’lus t’më kjash”
“…Hajde pa ba za
E njehi mirë
Ditët e djehme pa ty!
Njaty janë
T’palueme në qivurin bri meje
E masnej
T’lus t’më kjash!”
Është këtu lutja, një përpjekje tashmë për ta shëruar
plagën e cila dhemb nga ndarja. Nuk bëhet fjalë për rikthim, por ajo çfarë ka
shkëlqyer dikur është sërish në kujtesë dhe lutja për të dashurën se ai do të
jetë gjithnjë në të njëjtin vend duke e menduar gjithnjë atë çfarë humbet mes
njerëzve që duhen. Çfarë do të ndodhë më pas? Asnjeri nuk di më tepër se
autori, falë të cilit përftojmë këtë poezi të rallë për nga drita që lëshon ajo
tek lexuesi, falë së cilës gjithkush shkon e falet në “kishën” e vet.
“Me vdekë para teje”, është tjetër poezi. Ai që
dashuron don me vdekë para saj, sepse nuk mundet me e durue ndryshe. Dashnija
këtu ka një vetmohim, tregues i një thellësie e ndjeshmërie hasur në jetë mes
njerëzve që duhen. Poezia është shkruar me trevargësh por brenda saj është
njësoj gjendja dhe forma, mbi të gjitha gjuha aq e pasur , aq e pastër
njëkohësisht. E ka qëruar fjalën e cila vazhdimisht është një pengesë për të
thënë atë që ndjen, por Rexhbogaj e sfidon këtë mendim për gjuhën me
mënyrën se si e trajton atë(gjuhën), si një shenjë shprehje që transmeton pa
humbë ndjenjën dhe mendimin..
“… Ti kurrë s’ke me dëgju zanin tem
Atë t’egrin, fëminorin, t’padëgjueshmin
Sepse gjithmonë kam me u ba fjal jote…”
Në poezinë tjetër gjithë çfarë ndodhë është një rikthim në
kujtesë. Nuk ka shpresë aspak por dhimbja akoma zotëron, aty mbetën gjumët e
një ngjarje ku humbin njerëzit për njëmijë arsye, por nuk ndjehet mëri. Bëhet
një apel i lehtë vlerash e përkujtimesh.
“…E tue t’pa
Kam harru
Si duket pritja…”
Pastaj ngjarja tjetër është ndryshe. Ka shumë dashuri, distanca është shterruese, askush nuk do të gjendet larg, gjithsekush e dëshiron afeksionin e dashnisë. Pak vargje nga poezia“Me ikë”;
“…M’duket shumë!
Me ikë
Po si me ikë
Hapave tu
Që m’shkelin përditë!”
Nuk ka rrugë tjejtër përveçse me qenë me atë (Të
dashurën).
Të gjitha rrugët të çojnë tek dashnija. Poezi si një
arritje e emocionit dhe e përçueshmërisë, prej një mjeshtrie të spikatur.
Tani një poezi tjetër nga ato që nuk mund të lashë pa e
sjellë në këto pak rreshta për poezinë e Rexhbogajt. Titulli është kuptimplotë
por dhe vetë poezia njësoj. Vlerat e poezisë janë tek qartësia niveli i
transmetimit emocional, narracioni, mbi të gjitha leksiku i zgjedhur e figurat
letrare në faqet e librit. Poezia titullohet “Larg me t’pa”;
“Buzë perëndimit
Larg me t’pa
Afër me t’u afru
Kur du me t’dashtë
Më përhumbesh para syve
Kur du me ardhë
Të rrëmbejnë retë
Tue praru ti m’djeg ma shumë…”
Mundohem vetëm me e cik këtë libër, sepse po të
ishte për mue të gjitha poezitë kanë zjarrin e vërtetë të poezisë me vlerë.
Metafora e poezisë së Rexhbogajt është aty, për ta prekur e në këtë prekje
gjithkush zgjohet më i mençur, më i pasur. Një libër si ky do të mbetet
aty në skaj të librave të zgjedhur duke ma ba me sy ta lexoj sërish,
sepse poezia e Rexhbogajt sa herë e lexon lëshon një dritë të re , ndriçuese
për jetën e njeriut.
Do të mundohem të bëj të njohura edhe dy
vargje, tunduese për nga mesazhi, nga vërtetësia, nga ndjeshmëria, lakonizmi,
nga të gjitha ato që përbëjnë poezinë moderne e të lashtë, ndërsa e
bëjnë atë (poezinë), të pakonkurueshme prej asnjë shpikje moderne të teknologjisë,
e cila vrapon sikur do të fshijë gjithçka të shkruar në fletë. Por njeriu
mbetet gjithnjë një soj qenie më perfekte në këtë botë, qenia më rrezatuese. Dy
vargje nga poezia “Fundi:;
“…O Zjarre kanë me ardhë
E na s’kem me kenë aty…”
Udha e mbarë poezia e Donart Rexhbogaj! Jam i
bindur se ata që e duan poezinë do të gjejnë tek libri juaj poezinë në nivelin
më të lartë, si një dashuri që nuk shterr kurrë, si një apel për ngritjen e
nivelit poetik e të “kursimit” të letrës. O duhen shkruar habi poetike si
tuajat ose duhet të kënaqemi si lexues, nëse nuk mund të shkruajmë poezinë që
duhet.
Isha i lumtur që e pata librin tuaj. E mbaj aty në
tavolinë e herë pas here e lexoj. Libri juaj më ngjall të njëjtin efekt,
siç ndodhë me një muzikë të bukur që pasi e dëgjojmë, e kthejmë sërish
për ta shijuar sërish e sërish. Gjithnjë vargjet tuaja lëshojnë
dritën që përmban në vetvete poezia moderne. Me këmbët e mbështetura tek
tradita e klasikja , për së tepërmi është një shembull se gjuha shqipe
është e mundur të ketë një regjistër të nivelit të lartë perceptimi e
shprehjesh.
Një intelektual i rrallë i llojit të vet, duhet kujtuar gjithmonë Bekim Bokshi.
Bokshi lindi në Gjakovë më 12 dhjetor 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat – në Gjakovë. Kreu maturën në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle.
Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.
Edhe veç këto fjalë nuk mjaftojnë për personalitetin e madh i
cili la gjurmë në shkencë dhe në atdhetarizmin shqiptar.
Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën
e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të
Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve
shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për
zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Bokshi ndërroi jetë në vitin 2014.
Librat e botuar:
Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ). Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006 Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009. Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996. Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998. Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003. Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.
Gjykata osht’ shteti Shteti patriarkal Që na dhunon neve Fajtor jo nuk ka
Gjykata osht’ kapitali Kapitali mbi gjithçka Që na shfrytëzon neve Barazi jo nuk ka
Osht’ femicid 1 në 5 gra Osht’ kërcënim Osht’ përdhunim
Faji s’u kon’ i jemi, as ku jom kon’, as çka kom pas’ veshë [x4]
Dhunusi je ti! [x2]
Osht’ Policia, Osht’ Gjykata, Osht’ Parlamenti, E osht’ krejt’ Shteti [x4]
Shteti patriarkal osht’ dhunusi jem [x4]
Dhunusi je ti! [x2]
Ti gru’ e dhunume E qetë s’munesh me flejtë, Ti je e dënume Veç pse je gru’.
Shteti patriarkal osht’ dhunusi jem [x4]
Dhunusi je ti! [x2]
Ti po dhunohesh, Ti po vrahesh, Ti as n’shpi S’je e sigurt!
E faji s’u kon’ i jemi, as ku jom kon’, as çka kom pas’ veshë [x4]
Dhunusi je ti! [x4]
Himni feminist “Dhunuesi je ti” apo “Një dhunues në rrugën tonde” i grupit ‘Las tesis’ nga Kili asht protestë dhe përpjekje për të ngritë vetëdijen kundër dhunës ndaj grave.
Dhuna ndaj grave në çdo formë asht’ cënimi ma i madh që po u bahet grave dhe mundësisë që ato me jetu të lira dhe me prosperitet, ashtu siҫ garanohet me çdo të drejtë të njeriut. Të drejtat e grave, githandej në botë, vazhdojnë me u cënu. Gratë po vriten çdo ditë si pasojë e nji sistemi shtypës social e shtetëror që po e legjitimon këtë shtypje.
Në Kosovë, vetëm gjatë tri viteve të fundit (janar 2017- tetor 2019) janë vrarë 11 gra si pasojë e dhunës në familje. Gratë po vazhdojnë të vriten sot e kësaj dite! Në këtë periudhë ka pasur 3394 gra që kanë raportuar dhunën. Edhe pse numri i raportimeve të dhunës vazhdon të rritet, mbetet i ulët në krahasim me dhunën që nuk raportohet.
Në Kosovë, por edhe kudo në botë, dhuna vazhdon të mos njihet në të gjitha format e saj. E kujtojmë që dhuna seksuale, emocionale, ekonomike e fizike që ushtrohet ndaj grave normalizohet nga shoqëria dhe shteti ynë cdo ditë. Viktimat vazhdojnë të fajësohen e dhunuesit nuk dënohen!
Me fjalët “Dhunuesi je ti!” ne i drejtohemi institucioneve tona që shtypin e dhunojnë gratë, si ato shtetërore e shoqërore. Me këtë thirrje, ne i bashkangjitemi zërit të grave gjithandej globit në përpjekje për t’u dëgjuar si një zë i fuqishëm që kundërshton një jetë me dhunë në çdo formë.
Prandaj, ne, ÇIKAT DHE GRATË E KOSOVËS po mbledhemi e po e performojmë këtë kangë bashkë! Po e protestojmë ҫdo institucion që ka dhunu e përdhunu gratë për së dyti kur s’kanë ofru ndihmë e drejtësi e që vazhdojnë me bo të njejtën sot e kësaj dite!
Sa ma shumë prej zërave tonë, aq ma shumë jehonë. Jehonë për barazi e drejtësi!
Kështu që hajdeni çika e gra prej cilitdo qytet e katun, prej cilësdo fushë, prej shpisë a punës, thujeni me zonin e ju’j përmes kësaj kange! Shteti shtypës asht’ dhunus!
—
Sqarim: Kjo iniciativë është ndërmarrë nga aktivistë të cilët janë bashkuar përmes faqes “Dhunuesi je ti”.
Faqja “Dhunuesi je ti” është kriju për me e koordinu performancën e himnit global feminist “Një dhunues në rrugën tonde” në Prishtinë.
Nuk ka asnjë këngë të keqe nga Armend Rexhepagiqi. Mes tyre, ‘Një Vit i Ri’ është e veçantë dhe relevante për këtë periudhë.
“Një Vit i Ri” e Armend Rexhepagiqit është këngë e para dy dekadave, por gjithmonë aktuale në këtë ditë kur reflektohet mbi dashuritë e humbura dhe mundësitë e së ardhmes.
Sa për tekstin e këngës, as nuk do diskutim, sikur çdo tekst tjetër që është kënduar nga zëri i Rexhepagiqit.
Poshtë po e sjellim këngën, duke e nisur këtë janar 2020 me nostalgji. / KultPlus.com
Poshtë e gjeni orarin e filmave, me përshkrime në gjuhën angleze.
*
13 January 2020 / at 8pm THE CONSTITUTION by Rajko Grlic (2016) Countries: Croatia, Slovenia, United Kingdom, Czech Republic Main Awards: Montréal World Film Festival award for Best Film, Raindance Film Festival award for Best Film, Best Screenplay, Best Performance
14 January 2020 / at 8pm RAY & LIZ by Richard Billingham (2018) Countries: United Kingdom Main Awards: Locarno International Film Festival: Special Jury Prize, Seville European Film Festival: Grand Jury Award, British Independent Film Awards: Douglas Hickox Award
15 January 2020 / 8pm KING OF THE BELGIANS by Peter Brosens, Jessica Woodworth (2016) Countries: Belgium, Netherlands, Bulgaria Main Awards: Avanca Film Festival Cinema Prize for Best Feature Film, Avanca Film Festival Don Quijote Award, Avanca Film Festival Special Mention for Best Screenplay, Magritte Award for Best Actor, Odessa International Film Festival Grand Prix
16 January 2020 / 8pm STRANGER IN PARADISE by Guido Hendrikx (2016) County: The Netherlands Main Awards: Amsterdam International Documentary Film Festival Special Jury Award, Madrid International Documentary Film Festival Fugas Feature Film Competition.
17 January 2020 / 8pm BLOODY MILK (PETIT PAYSAN) by Hubert Charuel (2017) Countries: France Main Awards: César Award for Best First Film, César Award for Best Actor, César Award for Best Actress in a Supporting Role
Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.
Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.
Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është
koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.
KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.
1.Franz Kafka – Letër babait
Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.
2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese
3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë
4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore
5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue
“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.
6. Milan Kundera – Mosdija
7. George Orwell – 1984
8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare
Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.
9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’
10. Michel Houellebecq – Serotonina
“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com
Papritmas sot kam brenda një ndjesi absurde dhe të drejtë. Kuptova, me një ndriçim të fshehtë, se jam askushi. Askush, absolutisht kurrkush. Në shkreptimat e llampës ai që pandehja ish një qyetet na qenkesh një djerrinë e shkretë; dhe drita sinistre që më zbuloi vetveten nuk më zbuloi asnjë qiell mbi të. Më kanë vjedhur të egzistuarët para se të egzistonte bota. Nëse kam qenë i detyruar të rimishërohem, jam rimishëruar pa veten me vete, pa u rimishëruar. Unë jam rrethina e një qyteti inegzistent, parathënia e stërzgjatur e një libri të pashkruar. Jam askush, askush. Nuk di me ndie, nuk di me mendue, nuk di me dashtë. Jam një figurë e një romani ende për m’ u shkrue, që kalon ajrore dhe e fletëzuar pa pasë patur një realitet, mes ëndrrave të dikujt që s’ ka ditur me më plotësue.
Mendoj vazhdimisht, ndjej vazhdimisht; por mendimi im është i pa gjykim, emocioni im i pa emocion! Nga një e çarë atje lart, po bie hapësirës së pafund, në një rënie pa drejtim, të pambarimtë dhe boshe. Shpirti im është një maëlstrom i zi, një marramendje e zgjeruar përreth boshllëkut, lëvizje e një oqeani pa kufij përreth një vrime në hiç, dhe në ujrat, që më shumë se ujra janë turbina, vozisin imazhet e asaj çka kam pa e ndie në botë: vorbullisen shtëpi, fytyra, libra, arka, jehona muzikash dhe copa zërash në një turbinë sinistre e pa fund.
Dhe unë, tamam unë, jam qendra që egsiston vetëm prej një gjeometrie të abisit; jam hiçi përreth të cilit kjo lëvizje rrotullohet, si e qëllimshme në vetvete, me atë qendër që egziston vetëm se çdo rreth duhet të ketë një qendër. Unë, bash unë, jam pusi pa parete por me rezistencën e pareteve, qendra e gjithshkahes me hiçin përreth. Dhe brenda meje duket se ferri qesh, pa të paktën njerëzishmërinë e djajve që qeshin, marrëzinë e shpupëluar të universit të vdekur, kufomën rrotulluese të hapësirës fizike, fundi i të gjithë botëve që pluskon errësisht në erë, patrajtë, jashta kohe, pa një Zot që ta ketë krijuar, pa as edhe vetveten që po sillet nëpër hijet e hijeve, e pamundur, unike, gjithshkahe. Me dijtë me mendue! Me dijtë me ndie! Nëna më ka vdekur shumë herët, dhe unë s’ e kam njohur… /KultPlus.com
“Nuk është vetëm masakra e Tivarit apo shtypja e kryengritjes së Shaban Polluzhës. Por, ka edhe raste të tjera. Eshtë edhe një raport në të cilin fajësohej Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i asaj kohe, se në prill të vitit 1945, ku ishte ministër i Brendshëm, Haxhi Lleshi, kishte mbledhur në Shqipërinë e Mesme rreth një mijë kosovarë, që kishin ikur nga Kosova dhe nga Maqedonia, shqiptarë që ishin larguar, të ndjekur prej andej nga OZNA. [Ata] ishin strehuar te njerëzit në Shqipëri, meqë kishin shpëtuar nga përndjekjet e policisë jugosllave. Dhe këta u mblodhën nga qeveria komuniste dhe iu dorëzuan në grupe të ndryshme organeve jugosllave, policisë jugosllave në Tiranë, e cila i mori, dhe “i ka asgjësuar”, thuhet në dokument, “të gjithë gjatë rrugës”. Pra, nuk ka arritur asnjë prej tyre në Kosovë. Askush nuk e di varrin e këtyre njerëzve.”
Beqir META, historian, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Një skandal i vërtetë ka ndodhur në Radio Televizionin Shqiptar në natën e ndërrimit të viteve.
Në vend që të transmetohet dhe festohet me muzikë të pastër shqipe, aty dëgjohet muzikë serbe. RTSH ka vendosur që me muzikë serbe të mbushë minutazhën e saj në natën e 31 dhjetorit 2019.
Nje fakt i tillë shihet me sy të dyshimtë, pikërisht në një nga televizionet kryesore shqiptare në Tiranë që është pasqyrë e ekranit shqiptar.
Nuk dihet pse është bërë një përzgjedhje e tillë muzikore, ku nuk përjashtohet edhe një ‘mix’ i kulturës ballkanike. Pak kohë më parë, Autoriteteti i Medias Audiovizive i ka tërhequr vëmendjen kanalit shqiptar RTSh-së pasi ky i fundit transmetoi disa këngë të këngëtares serbe Ceca, e njohur për pozicionimin e saj kundër shqiptarëve. / KultPlus.com
Të mos kuptohemi është e tmerrshme – të mos kuptohemi e të mos përqafohemi. Por megjithëse e habitshme është po aq e tmerrshme, po aq sa të kuptohemi për gjithҫka.
Plagosemi megjithatë. Dhe, i fiksuar nga një njohje fillestare, shpirtin tënd të butë s’do ta ofendoj me keqkuptim dhe as do të vras me kuptim.