Festivali i muzikës elektronike UNUM, Rana e Hedhun mirëpret 10 mijë fansa

Shqipëria me natyrën e bukur, plazhet mahnitëse dhe monumentet e kulturës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

Turizmi i aventurës, bregdeti dhe çmimet e lira, janë disa ndër arsyet që kanë bërë për vete turistët e huaj nga vendet e Europës, por jo vetëm.

Përveç natyrës, edhe eventet kulturore po tërheqin turistë. Festival i ri, ndryshe nga herët e tjera, kur organizime të tilla janë bërë në rivierën shqiptare, këtë herë do të bëhet në plazhin e Shëngjinit.

Prej 31 majit – 3 qershor 2019, në bregun shqiptar do të zhvillohet një festival i ri i muzikës elektronike në natyrë “UNUM”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, mbi këtë event shprehet se ”bukuria e peizazhit natyror, mikpritja dhe tradita shqiptare tashmë krijojnë skena ideale për festivalet më të famshme të muzikës elektronike. Mbi 10 mijë admirues europianë të kësaj muzike pritet të vijnë në festivalin “Unum”, nga 31 maji deri në 3 qershor, te Rana e Hedhun”, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.

”Në hartën e eventeve të huaja shtohet kështu edhe Shëngjini, që ka një mundësi të artë për t’u promovuar ndërkombëtarisht nëpërmjet muzikës dhe DJ-ve më të njohur në skenat botërore”, shprehet Klosi.

Publiku do të shijojë çdo gjë në këtë festival, ku të gjitha janë të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të njohur nga e gjithë bota, si Craig Richards, Ricardo Villalobos, Luciano, Neverdogs, Cesar Merveille, Butch, Petre Inspirescu, Praslea, Sonja Moonear DeWalta etj.

Festivali UNUM organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Lotët e emigrantit

N’festë asht ndezë i gjithë qyteti,
pleq, t’rritun e fmi,
veç nji djalë i ri, i shkreti,
asht tërhjek n’vetmi.

Ka përpara çka po don,
t’gjitha t’mirat plot,
por kafshata poshtë s’i shkon
dhe pse e njom me lot.

S’asht për pare, as për shndet
e gjithë kjo mërzi,
por e djeg malli për nanë t’vet
që e ka larg n’Shqipni.

N’vaj prej mallit e prej dhimbjes
nis e bisedon
me nji ré që drejt vendlindjes
nëpër qiell po shkon.

“Ti, moj ré që shkon kah deti,
ngarkueme me shí,
ndalu, t’lutem, e merr me vedi
edhe lott e mi.

Matanë detit kur t’kesh mbrritë
te nji shpi e shkretë,
në prag t’derës, aty tu’ pritë,
nanën ke me gjetë.

Mbi té lotët dalëngadalë
m’ja lsho përgjatë ballit,
der’ t’ja njomin loti i valë
buzët e djeguna mallit.

Kur t’ja njomin loti i ngrohtë
buzën edhe sytë
se janë t’mijat ka me i njoftë
e fill ka me t’pyetë.

At’herë nanës ti m’i thuej
se djalin mirë e ke,
veç me trup asht ktu n’dhé t’huej,
me shpirt asht atje.

E bren n’zemër natë e ditë 
se vetëm t’ka lanë
ty që n’vuejtje e ke rritë
moj e shtrejta nanë”.

Andrea Zalli

Bashkim Hoxha propozohet si kryetar jurie i Çmimit Kadare

Bashkim Hoxha, një personazh i njohur në letrat e mendimin shqip, do të jetë kryetari i edicionit të pestë të Çmimit Kadare. Hoxhës i është propozuar ky post, gjatë tryezës së debatit që bëri bashkë sot, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, shkrimtarë, ish anëtarë të jurisë së Çmimit Kadare dhe njohës së mirë të librit.

Qëllimi i tryezës ishte përsosja e statusit final të çmimit Kadare. Të pranishmit parashtruan ide dhe qëndrime mbi mënyrën sesi duhet operuar jo vetëm në seleksionimin e veprave në konkurrim por edhe kriteret e vlerësimit të veprave.

Suplementi letrar Leteratura do të sjellë të plotë në nr e radhës, idetë dhe vizionet e propozuara, si dhe jurinë e edicionit të pestë të Çmimit Kadare.

Aktorja e madhe Margarita Xhepa del nga operimi

Aktorja e madhe shqiptare, Nderi i Kombit Margarita Xhepa, të martën kreu një operacion të vështirë në një spital privat, i cili përfundoi me sukses. 

Falë mbështetjes së kryebashkiakut Veliaj,  është arritur mbulimi i kostos së operacionit duke bërë të mundur përmirësimin e shëndetit të artistes së madhe.

Pas operacionit të suksesshëm, vetë artisja e njohur Margarita Xhepa ka shprehur mirënjohjen për kryebashkiakun Veliaj për këtë gjest mjaft human.

“Ndjehem e prekur nga ky lajm dhe nga zemra përcjell mirënjohje të thellë për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit z.. Erion Veliaj. Sapo të dal nga spitali, ku falë kujdesit dhe aftësive të mjekëve, gjithçka vajti mirë, do të dëshiroja kafen e parë ta pi me z. Veliaj. Unë nuk jam kursyer edhe në kushte të rënda shëndetësore këto vitet e fundit, pasi ndaja çdo gjë me skenën, me artdashësin, dhe largimin e konsideroj vdekje. Unë do të festoj largimin e dhimbjeve, që më kanë lodhur prej vitesh, suksesin e operacionit dhe të gjitha bashkë, do ti mbledhim në festën e 85-vjetorit të lindjes, që nuk është larg”, tha Xhepa për mediat .

A mund të kalojë në finalen e Eurovizionit këngëtarja Jonida Maliqi?

Tanimë dihen të gjitha këngët të cilat do të konkurrojnë në gjysmëfinalen e dytë të edicionit të këtij viti të Festivalit Evropian të Këngës – Eurovizion.

Shqipëria do të përfaqësohet në natën e dytë me Jonida Maliqin dhe këngën “Ktheju tokës”, dhe kësisoj është kënga e 16-të që Shqipëria e dërgon në Eurovizion.

Me 16 maj mbahet gjysmëfinalja e dytë, ndërsa me 18 maj është finalja e madhe.

Shqipëria këtë vit përflitet se ka shansa të mëdha të kalojë për në finale, ku edhe do të mund të sigurojë një pozicion të fortë.

https://www.youtube.com/watch?v=eo4aFzAkQkA

Momentalisht, nga finalja e dytë këngët më të përfolura janë përfaqësuesi i Rusisë, Zvicrës, Holandës, Maltës dhe Suedisë, të gjitha këto shtete të cilat edhe në të kaluarën kanë pasur rezultate të mira në Eurovizion.

Kënga e Jonidës veçohet për gjuhën shqipe por edhe për stilin e saj dramatik, e këtu ndihmon edhe vokali i Jonidës dhe performanca surprizë të cilën do ta shohim në natën e performancës.

Anjeza Shahini, Eugent Bushpepa dhe Rona Nishliu i mbajnë rezultatet më të suksesshme për Shqipërinë në Eurovizion. / KultPlus.com

Sonte fillon zyrtarisht pranvera

Për banorët e hemisferës veriore sonte fillon stina e pranverës. Ajo fillon në orën 22 e 56 minuta.

Në të njëjtën kohë për banorët e hemisferës jugore nis vjeshta.

Në ditën e pranverës Dielli në Prishtinë agon në orën 05.37, ndërsa perëndon në 17.49. Dita do të zgjasë 12 orë e 12 minuta, ndërsa nata 11 orë e 48 minuta.

Llogaritja pranverore e kohës do të nisë natën midis 30 e 31 marsit, kur treguesit e orës duhet të tërhiqen një orë përpara.

Varfëria dhe ëndrra e prerë në mes, njihni Nardin e Thethit

Nard Polia, 35-vjeçari nga Thethi që u vra sot në Grudë të Shkodrës ishte i njohur jo vetëm në zonën e tij, por edhe jashtë Shqipërisë, nga të gjithë ata turistë që kishin zgjedhur ndër vite të vizitonin bujtinën e tij “Polia” e hapur në vitin 2005.

Përmes faqes në Facebook “Thethi National Park” ai reklamonte bukuritë natyrore të kësaj zone të mrekullueshme, ndërsa ndër vite s’ka nguruar të ngrejë zërin për problemet që e shqetësonin, që nga mungesa e infrastrukturës rrugore deri tek bllokimi i rrugëve të Thethit në dimër.

Polia është bërë shpesh pjesë e kronikave televizive në vend, ku denonconte mos ndërhyrjen e shtetit për t’ju ardhur në ndihmë. Me dëshirën e madhe dhe ëndrrën që Thethi do popullohet sërish, në një intervistë për mediat e huaja, ai rrëfen jetën e tij.

Djali i fortë e me muskuj, i kalitur për të përballuar jetën në mal shfaqet mbi makinën e tij Fuoristradë me goma të larta. Me këtë makinë ku sot i morën jetën, ai është bërë shpëtimtar i shumë turistëve që ngecnin mes botës.

Pikërisht mbi makinën e tij ai nis të rrëfejë kthimin në Thethin e dashur dhe pasionin e madh për ta zhvilluar këtë zonë.

“Unë kam lindur në Theth, jetesa këtu ka qenë shumë e vështirë, jena rrit shumë të varfër. Erdhi një kohë pas demokracisë në Shqipëri që Thethi u la pas dore, sepse njerëzit, banorët ikën. Këtu nuk kishte absolutisht të ardhura”,- thoshte ai.

“E kujtoj si sot kur kam ikur në vitin 1999 bashkë me familjen time në Shkodër. Ishte shumë e vështirë të jetoje këtu. Të gjithë shokët e mi me familjet kanë ikur ose në Shkodër ose jashtë shtetit. Mbaj mend që në 2005 jam kthyer përsëri në Theth kishte 5 familje nga 250 që ishin në 1995”,- thoshte Polia në rrëfimin e tij.

Por ndërsa vitet kanë kaluar, Polia shprehte gëzimin që Thethi aq i dashur për të kishte filluar të kthehej në një atraksion turistik.

“Thethi sot është bërë një atraksion shumë i bukur në Shqipëri dhe shumë i preferuar për turistët në Shqipëri dhe jashtë saj. Është natyra më e virgjër, ndër parqet kombëtare më të rëndësishme është edhe zonë e mbrojtur. Kemi fatin se këtu gjithçka ka mbetur si më përpara. Do mundohemi ta ruajmë sa më autentik Thethin, me bukurinë, kulturën, traditën dhe historinë e tij”,- thoshte Polia.

Nëse pasditen e sotme s’do t’i kishin bërë atentat, Polia do ta zhvillonte edhe më tej bujtinën e tij. Emri i Thethit do dëgjohej më shumë nëpër botë, për kulturën, bukurinë dhe traditën e ruajtur ashtu siç kish ëndërruar që ditën kur ai u kthyer në vendlindje!

(m.a/BalkanWeb)/ KultPlus.com

Çka ka me ba Sarajeva pa mua

Izet Sarajlic
Përktheu: Eduard Frrokaj

Paj disi do të gjendet
Do të derdh ndonjë lot
Do të mbajë tri fjalime
Këtë të tretin buzë varrit
Lutem të jetë sa më i shkurtër
Pastaj do të kthehet në natën e vet
Dhe do të fillojë të më harrojë
Natën e parë të varrit do të kërkojë ndihmë
Do të kërkojë të lexojë së paku “Oslobogjenjen”, së paku “Vjesnikun”
Më pas do të mësohem disi
Mirëpo ende nuk kam mbaruar
Unë kam qenë poet
Kur qytetit tim t’i duhet një fjalë e mirë
Unë aty do të jem
Unë e di kush do ta marrë më së rëndi lajmin për vdekjen time
Por emrin e saj kësaj radhe nuk po e përmendi./ KultPlus.com

E ende jam grua

E ENDE JAM GRUA
(monologu i një të dhunuare)

Në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza 
Mbushur helme mbushur pështymë 
Vizatuar çizme fashiste
Zgjerohen si gojë çorapësh të qelbosura 
Deri në zemër prekin plagët
Çdo mëngjes shembin shikimin tim e më errin ditën
Netëve si gojë të ndyra të padhëmbë 
Nxjerrin zëra klithës të nëndheshëm
Unë rrotullohem viteve, rrotullohem dyshekut
Duke provuar t’ mos i zgjoj kujtimet 
Se ende jam grua unë
Dhe lëkura ime ka memorie të fortë 
Kafshimet e marimangës së zezë
Pëlcasin turpshëm si kallo mbushur ujë fekal
Kafshimet shovene që e bën gjak gojën dheut
Ditëve kur bombat shpërthenin lirinë 
E unë ende jam grua besoni, jam nënë
Në gjirin e kafshuar nga marimanga e zezë
Thithë qumështin biri im….

Dije Demiri Frangu

Sanije Hyseni, vajza e cila ia dha Titos stafetën e fundit

Sanije Hyseni ishte vajza që do ta mbante stafetën që do t`ia dorëzonte Josip Broz Titos, në vitin 1979.

Shqiptarja asokohe u zgjodh në këtë pozitë si një nxënëse e suksesshme.

Stafeta e Rinisë ka qenë ritual i mbajtur në Jugosllavi që nga viti 1945 e deri në vitin 1988. Ngjarja zakonisht e festonte Titon si figurë markante të Jugosllavisë, udhëtonte nëpër qytetet kryesore, niste nga vendlindja e Titos në Kumrovec të Kroacisë dhe përfundonte në Beograd, me 25 maj, në ditëlindjen e Titos.

Dhe personi i fundit që e merrtë stafetën, ia dorëzonte atë Titos.

Në vitin 1971, këtë e bëri Nazmi Jenje ndërsa në vitin 1979 Sanije Hyseni, që të dy nga Prishtina.

Dhe Sanija kujtohet sepse ajo ishte e fundit që ia dha stafetën Titos, pasi ai ndërroi jetë një vit më pas. Ajo e pati edhe një fjalim rrënqethës që u ndoq nga mijëra njerëz.

Sanija, në vitet 90-të u largua për në Kanada. / KultPlus.com

Krimineli Radovan Karaxhiq e tradhëtoi shkrimtarin boshnjak Izet Sarajliq

Para pak minutash, në Tribunalin e Hagës është dënuar me burgim të përjetshëm krimineli Radovan Karaxhiq.

Edhepse vite më parë ai u dënua me 40 vite burg, gjykatësit e apelit ia kanë konfirmuar dënimin Karaxhiqit për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995 gjatë Luftës së Bosnjës dhe thanë se dënimi me 40 vjet burgim i dhënë nga gjykatësit e procedurës paraprake ishte shumë i lehtë duke e pasur parasysh rëndesën e krimeve të tij dhe peshën e përgjegjësisë së tij.

Po e sjellim një paralele mes Karaxhiq dhe jetës së dhimbshme të autorit Izet Sarajliq, dy motrat e të cilit u vranë nga serbët e urdhëruar prej po Karaxhiqit, në Sarajevë.

Sarajliq ka shkruar në librin e tij “Sarajeva”, duke dëshmuar me poezitë e vargjet e tij dhimbjen e qytetarëvve të Sarajevës në luftën që ndodhi atje për 1336 ditë.

Madje, në përmbledhje tregohet se në fakt Karaxhiq dhe Sarajliq njiheshin paraprakisht dhe kishin një miqësi të rëndomtë, por i pari e tradhëtoi, dhe siç e përshkruan vetë shkrimtari, “gjuajti mbi qiellin dhe njerëzit e Sarajevës”.

Karaxhiq e kishte pasur profesor shkrimtarin, në lëndën e psikologjisë.

Libri i tij “Sarajeva” u botua në vitin 1993 në Slloveni. / KultPlus.com

“Lule e borës”, kënga e re nga Genc Prelvukaj (VIDEO)

Genc Prelvukaj ka publikuar këngën e tij më të re “Lule e borës”.

Tekstshkrues dhe producent i këngës është vet Prelvukaj, derisa në kitarë luan Astrit Stafa e në violinë Taulant Rruci, transmeton Koha.net.

“Lule e borës” vjen me videoklip të cilin e ka punuar Black Fish Entertainment.

Prelvukaj thotë se videoklipi është xhiruar në qytetin e Shkodrës dhe në Parkun Kombëtar të Divjakës.

Mungesa

Poezi nga Nazim Hikmet

Mungesa lëkundet në ajër,
Dhe si një çekiç hekuri,
Godet fytyrën time,
Dhe habitem.

Unë iki, mungesa më ndjek,
Nuk mund t’i shpëtoj,
Këmbët më thyhen.

Mungesa nuk është as koha, as rruga.
Mungesa është një urë midis nesh,
E hollë si një fije floku,
E mprehtë si një shpatë.

Mungesa është një urë midis nesh,
Edhe kur përballë njëri-tjetrit,
Gjunjët tanë preken.

Nazim Hikmet

6-vjeçari i verbër që luan piano

Një histori shumë e bukur vjen nga Shtetet e Bashkuara ku një vogëlush u bë viral prej mënyrës se si luan në piano.

Ai është vetëm 6 vjeç, ka lindur i verbër, por kjo nuk e pengoi që të vijonte pasionin e tij: pianon. I njohur si “Mozarti i vogël”, videoja e tij duke luajtur në piano është shpërndarë kudo në rrjete sociale.

Sipas nënës së tij, Avett Ray filloi të luante në piano këngë si “Twinkle Twinkle Little Star” që kur ishte 11 muajsh. Me kalimin e kohës mësoi këngë të reja dhe tani mund të konsiderohet si artisti më i ri në treg./oranews

Princesha që vriste të gjithë që e pyesnin: Kur do të martohesh?

Në Rusinë e lashtë, Princi Igor dhe Princesha Oga, ishin një shembull i një çifti të fuqishëm – Igori i quajtur “I mençuri” ishte djali i Ryuk, themeluesi i Rusisë, dhe Olga ishte e njohur në të gjithë mbretërinë si “E bukura Olga”. Ai nënshtroi fiset e Uglich, Drevlian dhe Pechen. Udhëhoqi dy fushata kundër Bizantit në 941 dhe 944, dhe rrethoi Kostandinopojën.

Lufta e pasuksesshme me Bizantin përfundoi me një marrëveshje tregtare të vitit 944. Procesi i feudalizmit u përshpejtua në kohën e tij në Kijevin e Rusisë, por pati edhe revolta të vazhdueshme për shkak të taksave të larta Rebelimi u udhëhoq nga fisi Drevlian. Në ballafaqim me ta, Igori u kap dhe u vra në vitin 945. Olga u shkatërrua. Trishtimi i saj ishte aq i madh saqë sa herë që dikush i propozonte të martohej përsëri, përfundonte i vdekur, transmeton Reporteri.net

Ajo nuk ishte e vetme, me Igorin kishte një djalë trevjeçar, Svjatoslav.

Ndërsa gjaku i Igorit ishte ende i freskët në duart e tyre, Drevlianët i dërguan një mesazh Olgës në të cilin shkruanin se Igori ishte si një ujk që shkatërronte gjithçka para tij, por se ajo konsiderohej e mirë dhe se më së miri do të ishte të martohej me princin e tyre Mala. Kështu ata u përpoqën të luanin rolin e Cupidit me qëllim të fitimit të kontrollit mbi të gjithë mbretërinë. Olga, megjithatë, kishte plane të tjera me njerëzit që i sugjeronin martesë.

Ajo u tha atyre se oferta martesore ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe për të treguar respekt për popullin e Kievit ajo u tha atyre të hipnin të gjithë në një anije  për t’i parë dhe për t’i përshëndetur. Kur erdhi deri te kjo, njerëzit e saj e fundosën anijen në një hendek dhe i varrosën të gjallë.

Por ky nuk ishte fundi. Hakmarrja e Olgës sapo kishte filluar. Pas kësaj, ajo e dërgoi mesazh te Drevlianët duke shkruar: “Nëse dëshironi me të vërtetë praninë time, më dërgoni njerëzit tuaj më të fuqishëm në përcjellje në mënyrë që tek princi juaj të vijë në mënyrë të përshtatshme”. Pasi morën mesazhin e saj, Drevlianët bënë atë që ajo kërkoi.

Kur burrat arritën në Kiev, Olga i përshëndeti me një buzëqeshje në fytyrën e tyre dhe u një relaksim në banjat termale (siç ishte zakon në atë kohë). Ata pranuan ofertën e saj dhe kur hynë, ajo urdhëroi që dera të mbyllet dhe i gjithë objekti të digjej. Ajo u shkroi sërish Drevlianëve, duke kërkuar prej tyre një sasi të madhe të mjaltit, por gjithashtu edhe të përgatitnin për burrin e saj një varrim të madh për të kërkuar falje për vdekjen e tij. Natyrisht Drevlianët e dëgjuan përsëri, dhe Olga u soll normalisht dhe ngrohtësisht në funeral.

Në festën pas varrimit, ajo priti që të gjithë të dehen dhe pastaj shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe në një moment  urdhëroi të gjithë ushtarët e saj t’i vrisnin të papërgatitur. Në aktin e saj të fundit të revoltës kundër Drevlianëve, ajo u tha atyre se ata janë të detyruar të paguajnë një taksë në formë të zogjve. Ata e dëgjuan dhe mblodhën të gjithë zogjtë dhe ia dërguan ata Olgës.

Ajo mori dhuratën dhe më pas lidhi një copë leckë të zhytur në squfur në këmbën e çdo zogu. Posa nata ra, banorët ndezën pishtarët  e tyre për të bërë dritë. Olga e dinte se zogjtë do të fluturonin përsëri te pronarët e tyre sapo t’i linin të shkonin. Leckat në këmbët e zogjve të zhytura në sulfur dhe pishtarët e ndezur nxitën një zjarr të madh në të cilin tërë qyteti u dogj./gazeta express

‘Unë nuk jam shqiptar, më saktë nuk dua të jem’

Elton Leka

Une nuk jam shqiptar, me sakte nuk dua te jem shqiptar!
Madje as vete Ismail Qemali nuk do te donte te ishte shqiptar, se si jemi katandisur ne sot!
Nje zhgenjim i madh, vuajtje, stermundime, llum, varferi, mediokritet, injorance, prapambetje, kafene, llafe, pertaci, dallavere, te shitur, te blere, te korruptueshem, morale te pamoralshem, njerez pa identitet vetjak dhe kombetar.
Shqiptar do te thote prapambetje, prapa +mbetje, mbetje te lena pas.
Keshtu kemi perfunduar.
E perse duhet me qene shqiptar?!
Sot te gjithe duan t’ia mbathin, per nje jete me te mire, te vjeter e te rinj, te pasur dhe varfer, “patriote” dhe pseudopatriote.
Une nuk jam shqiptar, nuk dua te jem shqiptar!
As sot, as neser, as mot!
Ne vendin tuaj, ne vendin tone, ne vendin tim nuk ka kush te me garantoje se e ardhmja do jete ndryshe, dhe krimi me i madh eshte qe shpresa ka vdekur!
Te gjithe duan te ikin!
Te gjithe!
Boll bete shqiponjen me duar, boll , e di sa patriote qe jemi , aq sa te zhdukemi te gjithe nga ky vend. 
Boll genjyet, u shtiret, u hoqet!
Boll edhe ju qe jeni jashte qe e quani veten atdhedashes vetem sot me 28 nentor!
Boll se eshte groteske, e dhimbshme dhe qesharake!
Ç’keni bere ju per vendin tuaj?!
Nje m…!
Une nuk dua te jem shqiptar!
Dua te jem gjerman, amerikan,anglez.
Dua te kem dinjitet, mireqenie, ekonomi! Dua te jetoj dhe mbi te gjitha te shpresoj per nje te ardhme!
Ju m’i keni vrare shpresat!
Une nuk dua te jem shqiptar!
Une nuk jam shqiptar!
Une nuk dua te trajtohem si nje mbetje!
Dua te jem qytetar, krenar per vendin qe i ofron nje jete me te mire, te qete!
Sot, neser dhe ne ditet ne vijim une nuk jam shqiptar!
Pres diten qe t’ia mbath!
E urrej veten time, si thura shpresa ne kete vend! Si!
Ne djall vafshin te gjithe!
Une nuk jam shqiptar!
Nuk jam, dhe pike! / KultPlus.com

Me kohë…

Jorge Luis Borges

Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.

Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.

Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.

Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.

Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.

Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.

Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.

Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.

Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.

Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.

Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.

Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.

Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.

Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…

Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?/ KultPlus.com

“Streha mes reve” shpërblehet në “Cinequest Film Festival”

Filmi “Streha mes reve” i regjisorit Robert Budina ka fituar çmimin Global Vision Award në Cinequest Film Festival, shkruan KultPlus.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.

Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë.

Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë.

Në rininë e tij Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij./ KultPlus.com

Astrit Ismaili bën regjinë e videoklipeve nga Tuna

Videoklipet të cilat mbrëmë Altuna Sejdiu –Tuna i lansoi në Youtube, patën brenda tyre edhe dorën e një artisti tjetër.

Konceptin dhe regjinë artistike të videoklipeve, të shtatë videoklipeve që mbrëmë Tuna i lansoi në Youtube, e ka realizuar Astrit Ismaili.

Një artist i njohur bashkëkohor, Astritin e njeh skena kulturore e Kosovës dhe ajo jashtë saj.

Astriti jeton jashtë Kosovës, por edhe në Kosovë për disa vite ka ushtruar artin e tij duke qenë edhe fitues i çmimit ‘Artistët e Së Nesërmes’ dhënë nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Në 2012 Astriti ishte koordinator i projektit “Prishtinë mon amour”, një projekt social rivitalizues i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve (i njohur ndryshe si Boro Ramiz) në Prishtinë. Në projekt morën pjesë 180 artistë nga Prishtina dhe qytete të tjera me instalacione dhe performancat të tyre të konsoldiuara të gjitha së bashku në një performancë solide. Projekti mblodhi më shumë se 2 000 vizitorë.

Në vitin 2014 Astriti u bë më i njohur për publikun e gjerë edhe jashtë skenës së pavarur të artit në Kosovë si regjisor i klipit muzikor “E dehun” e këngëtares Era Istrefi. / KultPlus.com

Në Prishtinë, ligjëratë mbi rastin ‘Te Pishat’ në Skënderaj

Me datë 20 mars 1999, vetëm në qytetin e Skënderajit u vranë 29 civilë. Në vendin e njohur si ‘Te Pishat’ u vranë 8 persona.

Me rastin e 20 vjetorit të kësaj ngjarje, FDH Kosovë organizon ligjëratën informative rreth ndodhive të asaj dite, ku do të përkujtohen ngjarjet dhe viktimat e krimeve të luftës.

Të gjeturat dhe faktet që do të prezantohen janë të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve okularë, familjarëve të viktimave dhe të gjeturave nga Tribunali i Hagës.

Data: 20 mars 2019
Vendi: Documentation Centre Kosovo
Ora:16:30

Dashni në Spanjisht

—Jennifer Clement

Kur bëj dashni me ty në anglisht
gjerat ne dhomë s’kane gjini 
e dëgjoj vec zërat tanë.
Por kur bej dashni me ty ne spanjisht
ata dy stola vajzash llafosin gezueshem
e kepucet tona duan te defilojne,
te defilojne solemnisht neper trupin
e drites, ne driten e llambes,
qe bie ne përdhesë. 
Ne spanjisht duart e ngaterruara te bluzave
na psheretijne me zera te bute grash,
varen si hardhi 
mbi nje fotele
qe eshte bere zot i tyre.
Trendafilat ne uje i perkulen
gjithe afsh sahatit,
e dritare te brishta
duan të thyhen copash ne pasqyre.
Ja ketu si u luten xhepat tu
corapeve te mia.
Ja si i luten mure te bardha 
nje hëne te bardhë.
Ne terr ta jap 
buzen time femerore.
Ne terr te jap
syte e mi mashkullore.

#HapuPër komunikim dhe fqinjësi më të mirë


“Eliminoni paragjykimet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, në mënyrë që gjeneratat e reja të japin më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin” – GoDialogue

Ditët e para të GoDialogue – #HapuPër në Pragë

Në janar 2019, tetëmbëdhjetë pjesëmarrës, personalitete të artit, kulturës dhe mediave nga Serbia dhe Kosova, u ftuan në Pragë për të marrë pjesë në takimin e parë të OpenUp4, si pjesë e projektit të financuar nga BE, GoDialogue. Gjatë katër ditëve, ata diskutuan për Dialogun dhe fushatën e komunikimit #OpenUp4, që pritet të fillojë së shpejti, dhe i ndanë pikëpamjet e tyre personale si grup dhe në mënyrë anonime. Disa prej këtyre citateve janë përfshirë në këtë tekst. Kjo ngjarje shërbeu si mundësi për të thyer akullin ndërmjet dy komuniteteve, gjegjësisht Serbisë dhe Kosovës. 

“Shkurtimisht, mendoj se 1. është shumë e rëndësishme të flasim dhe komunikojmë me njëri tjetrin. 2. Të jemi të sinqertë. Nuk besoj në shtete, vetëm në njerëz. 3. Ndoshta jam budall, por dua t’i jap mundësi të gjithë njerëzve. 4. Njerëzit janë njerëz, apo jo?” (Anonim)

Pjesëmarrësit diskutuan për atë se si marrëdhëniet me njerëz, qofshin biznesore apo personale, varen nga natyra, nevojat dhe mundësitë e situatës, dhe jo vetëm nga gjeografia apo politika.

Me internetin, si një formë gjithnjë më popullore e komunikimit, pjesëmarrësit theksojnë se më shumë kanë tendencë të flasin për ngjarje private, kulturë, art, udhëtime, aktivitete shoqërore, se për politikë. Marrëdhëniet zhvillohen në mënyrë të natyrshme dhe duke u bazuar në interesat e përbashkëta, vlerat e ngjashme të jetës dhe pikëpamjet për jetën, e jo në lidhje me origjinën e njerëzve – kjo vlen veçanërisht për rininë.

Komunikimi i rregullt ka rëndësi parimore për ta kuptuar Dialogun

Identifikimi i Ngjashmërive dhe Dallimeve

‘Personalisht, isha i mendimit se njerëzit duhet të komunikojnë por jo në bazë të deklaratave të politikanëve. Do të kishim sukses po të ishte ndonjë mënyrë që të mos na e shpërlanin trurin mediat dhe politikanët. Duhet ta kuptojmë dialogun si proces të ballafaqimit me të kaluarën – duke u ballafaquar me drejtësinë tranzicionale dhe fajësinë, kujtesën dhe kuptimin e përbashkët.’ (Anonim).

Pjesëmarrësit e shohin se sa i përket kulturës, ata e ndajnë pëlqimin e tyre për muzikën, modën dhe gastronominë. Ata e ndajnë besimin në rëndësinë dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore, ku ‘familja’ është në zemër të jetës. Gjithashtu, pjesëmarrësit identifikuan dhe diskutuan për sfida të përbashkëta – standardin e jetës, papunësinë e madhe, emigrimin e ekspertëve dhe njerëzve të avancuar në shkollim, korrupsionin, e madje edhe bllokimin e trafikut.

Fushat e jetës në të cilat kishin më pak ngjashmëri grupet ishin interpretimi i historisë bashkëkohore dhe mënyrat se si është prezentuar ajo para popujve. Ata kishin dëshirë të informoheshin, për shembull, për atë se si është jeta e përditshme në Kosovë dhe anasjelltas, në Serbi, si i vlerësonin sendet e ndryshme njerëzit, si funksionon sistemi i arsimit, si operojnë institucionet shtetërore dhe sistemet legjislative përkatëse etj. Pjesëmarrësit e të gjitha moshave përfituan nga dialogu i hapur dhe i sinqertë në këtë punëtori katër ditore, sepse në nivel shtetëror, këto biseda nuk po dëgjoheshin. Të gjithë pranuan se ka dallime ndërmjet tyre në formë të religjionit, gjuhës, perceptimit të ngjarjeve historike dhe aktuale.

Zgjidhjet për përmirësimin e Dialogut dhe kuptimit të përbashkët

Duke kërkuar dialog pozitiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesëmarrësit i sugjeruan disa nisma për t’a përmirësuar kuptimin e përbashkët dhe Dialogun: organizimi i kampeve sportive dhe Punëtorive të Artit për fëmijë dhe të rinj si mundësi për të takuar njerëz të ri dhe për të formuar miqësi; bashkëpunimi me njerëz me ndikim nga Serbia dhe Kosova për t’i amplifikuar ngjashmëritë ndërmjet komuniteteve; projekte të përbashkëta filmike me personalitete dhe karakterë të botës së filmit, me të cilët njerëzit mund të lidhen pa marrë parasysh origjinën e tyre; organizimi i shkëmbimeve kulturore, në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë dhe vlerësojnë trashëgimitë kulturore, zakonet dhe vlerat e ndryshme. U sugjerua gjithashtu të ngritet dhe diskutohet tema e bashkëjetesës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ksoovë.

Pa përjashtim, të gjithë pjesëmarrësit janë kundër përfshirjes së organeve apo përfaqësuesve shtetëror në ndonjërën prej këtyre nismave të komunikimit. Fillimisht, nevoja për depolitizim është jetike për ta fituar respektin dhe besueshmërinë e të gjithë qytetarëve, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Së dyti, komunikimi, pavarësisht nga ndonjë parti, shtet apo fuqi politike, do të thotë se po të arrihet një situatë ngërçi në nivel shtetëror, pjesëmarrësit do të jenë të gatshëm dhe të aftë të vazhdojnë me nismat e Dialogut pavarësisht eskalimit të tensioneve në nivel shtetëror. E për fund, pjesëmarrësit nga Kosova dhe Serbia ishin të lumtur që janë të përfshirë dhe po komunikojnë në çfarëdo mënyre për rëndësinë e kësaj nisme. Shumë prej tyre besojnë se YouTube, facebook dhe Instagram do të jenë platforma thelbësore për t’i mbjellur këto biseda.

Slogani i përzgjedhur I fushatës GoDialogue, që pritet të fillojë me aktivitete në ditët në vijim është #HapuPër dhe ka për qëllim nxitjen e hapjes së komunikimit në mes të njerëzve nga të dy shtetet duke mundësuar kështu tejkalimin e barrierave dhe paragjykimeve në mes të dy shoqërive të shteteve fqinje, Kosovë dhe Serbi,

‘Për mendimin tim, ky dialog do t’i ndihmojë popujve të Serbisë dhe Kosovës, që ata të njoftohen me njëri tjetrin dhe të mësojnë për kulturat e njëri tjetrit. Gjithashtu, duhet t’i eliminojmë paragjykimet që i kemi pasur në komunitetet tona për një kohë të gjatë, në mënyrë që gjeneratat e reja si ne të japin më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin. (Anonim)

‘Rrota e Ujit’ e Resmije Kryeziut plotëson mozaikun për qytetin e Gjakovës


Gili Hoxhaj

Rreth 70 personazhe janë shtrirë e shpalosur në librin “Rrota e Ujit” nga Resmije Kryeziu, që përmes përshkrimit sjellë koloritin e qytetit të Gjakovës, duke shkuar në një periudhë më të largët, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Përmes këtij libri, lexuesi mund të rrugëtojë pothuajse në çdo pjesë të Gjakovës, duke kapërcyer në gjithsej 500 faqe e 24 kapituj. Personazhi kryesor i këtij libri Detja, ecën përgjatë rrugëve të Çabratit, nga Mëhalla e Hadumit, Çarshia e Madhe, teqetë, tyrbet dhe urat në tri anët e qytetit. Ky libër i cili u promovua sot për herë të parë në Prishtinë, në librarinë e Kolegjit AAB, e dërgon autoren Kryeziu në një dimension tjetër sa i përket lidhjes së saj me letërsinë, nga të qenit një studiuese e letërsisë, ajo bëhet vetë prodhuese e saj.

Para të pranishmëve, fjalën i pari e mori recensenti i librit, Hysen Matoshi, njëherit dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Kosovës. Matoshi tha se romani “Rrota e ujit” është roman ngjarjesh të cilat mund të funksionojnë edhe si tërësi të veçanta të veprave tregimtare, kryesisht si novela. Ai tutje theksoi se ky roman është roman i personazhit që del në rolin e narratorit të gjithëdijshëm dhe ka elemente të romanit të ambientit.

“Gjakova është vendi i përbashkët i ngjarjeve, pavarësisht ndonjë dimensioni të aty- këtushëm fabulativ. Përveç përshkrimit të ambienteve reale, mëhallave, objekteve, rrugëve dhe shenjave të identitetit ambiental janë dhe veçantitë etno-kulturore dhe linguistike të protagonistëve të romanit. Nëse do ta ridefinonim më për së afërmi do të thonim se ngjarjet përbëjnë historicizmin e romanit, individualitetin që përfaqëson personazhi i narratorit (Detja) ndërsa ambienti – Gjakova e pas Luftës së Dytë Botërore përfaqëson veçantitë e një mentaliteti kolektiv”, u shpreh Hyseni, i cili tutje tha se nëse kërkohet një model i ngjashëm i narracionit dhe strukturës romanore të letërsisë shqipe atëherë romani më i përafërt me romanin “Rrotë e Ujit”, është “Kronikë në gurë” i Ismail Kadaresë.

Shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, recensionin analitik që e lexoi para të pranishmëve e kishte titulluar “Dynjaja e Gjakovës”. Aliu tha se droja që kishte pasur për romanin “Rrotë e Ujit” i ishte zbutur qysh në faqet e para sepse lirshmëria me të cilën ndërtohet të rrëfyerit në roman dhe natyrshmëria si lidhen ngjarjet dëshmojnë për një talent të fshehur ndër vite.

“Resmije Kryeziu, studiuese disa dekadëshe e letërsisë, e njeh natyrën e letërsisë ka ditur dhe di si t’u qaset veprave që merr në shqyrtim. Sigurisht është ballafaquar me ankth kur ka vendosur ta ndryshojë mënyrën e krijimit, në fakt mënyrën e komunikimit me lexuesin, nga të shkruarit për letërsi në shkrimin të letërsisë. Njëfarë droje kisha dhe unë kur e mora në duar romanin “Rrotë e Ujit” mirëpo droja filloi të zbutej qysh në faqet e para e pastaj mu hoq krejt”, u shpreh shkrimtari Aliu.

Aliu tutje tha se janë një varg elementesh që e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative, ku ndër to theksoi: gërshetimin e narratorit dhe autorit të nënkuptuar, storjet e shumta që lidhen motivueshëm me letërsinë, personazhet e shumtë, idetë, hapësira narrative- ambienti dhe gjuhën që lidhet me ambientin.

“Përmes këtyre përbërësve, autorja ka krijuar botën e romanit, që është njëkohësisht edhe Dynjaja e Gjakovës Letrare”, tha shkrimtari Gëzim Aliu.

“Romani “Rrota e Ujit”, ngjarje që i ka ndodhur shqiptarëve dhe gjysmës së njerëzimit”, e ka titulluar recensionin e saj Naile Demiraj, e cila tha se ky roman mund të krahasohet me romanet më të mira të letërsisë shqipe.

“Që në fillim duket se subjekti i romanit është një përjetim që e ka kaluar autorja dhe aty kanë mbetur përjetimet e pashlyera në jetën e autores. Pra, romani është një tregim ngjarjesh nëpër të cilat ka kaluar vetë autorja dhe si e tillë më së miri e ka përjetuar jetën e njerëzve e karakteristikë është se autorja ka pasqyruar vetëm atëherë kur ngjarjet janë zhveshur nga të gjitha ndikimet subjektive. Kjo vepër, sipas mendimit tim është një ndër veprat më të mëdha të letërsisë shqipe”, u shpreh Demiraj, sot në promovimin e librit që u mbajt në Kolegjin AAB.

Autorja Rasmije Kryeziu i përshëndeti të pranishmit ndërsa tha se pas fjalimeve të tre referuesve paraprak, fjalët e saj janë të tepërta  për romanin.

“Dua të falënderoj Ilir Tafën, kryetarin e bordit të Kolegjit “AAB”, e përshëndes dhe falënderoj edhe rektorin Lulzim Tafa, që e mundësuan organizimin e këtij promovimi. Falenderoj referuesit, prezantuesen, miqtë e mi, dashamirët e artit dhe letërsisë që erdhët sepse pa juve ky promovim nuk do të kishte rëndësi”, u shpreh Kryeziu në fjalën e saj.

Në këtë promovim libri, u tha se Kolegji AAB do të vazhdojë të sjellë çdo muaj aktivitete letrare në Librarinë e ABB-së. /  KultPlus.com