“Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi”

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Të shqiptarët me 1 mars shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave por edhe meshkujve vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq, që njihet ndryshe edhe si laramani. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”.

Sipas studimeve etnologjike, verorja është ngushtësisht e lidhur me traditat e Vitit të Ri festuar në të kaluarën në muajin mars, si një formë primitive e Vitit Agrar i lidhur me ciklet vegjetative dhe astronomike. Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual i një marsit, i pranishëm jo vetëm tek rumunët, por edhe tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan. Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive. Verorja është një objekt i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë gjithë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.

Arkeologët kanë zbuluar objekte me një vjetërsi prej mijra vjetësh që mund të konsiderohen si verore. Ato kanë formën e gurëve të vegjël të ngjyrosur në bardh e kuq që mbaheshin si varëse në qafë. Të dyja ngjyrat janë të hapura ndaj interpretimeve: e kuqja mund të kuptohet si gjallëria e gruas ndërsa e bardha si mënçuria e burrit. Pra kjo lidhëse e verores shpreh ndërthurjen e pandarë të këtyre dy parimeve. Domethënia e perit të bardhë dhe të kuq që ndërthuren në një lidhëse ku edhe varet një objekt, ka një kuptim të lidhur edhe me disa legjenda.

Lidhësja ose lidhej në dorë, ose vendosej në gjoks. Ajo vendosej në 1 mars deri sa shfaqeshin shenjat e ardhjes së pranverës: dëgjohej ndonjë zog duke kënduar, lulëzonin qershitë, vinin dallëndyshet. Atëherë lidhësja lidhej ose pas një trëndafili ose tek ndonjë pemë në lulëzim, që të sjellë fat ose hidhej në atë drejtim nga ku vinin zogjtë udhëtarë duke pëshpëritur: “Merrmi të ligat dhe jepmë bardhësi!”. Duke u kthyer në vendin tonë, kjo traditë gjendet tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars./KultPlus.com

Muzeun Historik Kombëtar hap projektin “Vizatoj historinë 4”

Muzeu Historik Kombëtar fton publikun shqiptar dhe jo vetëm, që të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së projektit “Vizatoj historinë 4”. këtë të premte, më 15 Mars 2019, përcjell KultPlus.

Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës” zhvillon për të katërtin vit radhazi projektin “Vizatoj Historinë” me shkollat 9-vjeçare të Tiranës.

Këtë vit shkollat pjesëmarrëse në projekt do të jenë:

1.Shkolla 9-vjeçare “Fan S. Noli” në Tiranë,
2.Shkolla 9-vjeçare “Dhora Leka” në Tiranë,
3.Shkolla 9-vjeçare “28 Nëntori” në Tiranë,
4.Shkolla 9-vjeçare “Ali Demi” në Tiranë,
5.Shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë,
6.Shkolla 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë,
7.Shkolla 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë,
8.Shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi” në Tiranë,
9.Shkolla 9-vjeçare “Shkolla e Kuqe” në Tiranë,
10.Shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë.

Ekspozita hapet në ora 10.30, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. / ata

Eliza Dushku nuk nxiton të kthehet në Hollywood pasi fitoi rastin e ngacmimit seksual

Aktorja Eliza Dushku nuk po nxiton të kthehet në Hollywood pas fitores së madhe rreth rastit të ngacmimit seksual kundër kolegut në serinë “Bull”, Michael Weatherly.

Aktorja, e cila është duke e pritur fëmijën e saj të parë, u largua nga Tinseltown pas disa vjetësh dhe u shpërngul në Massachusetts, ku u martua me biznesmenin Peter Palandjian dhe u kthye në shkollë për ta studiuar psikologjinë holistike në Universitetin Lesley.

Por për revistën “Time”, ajo thotë se karriera e saj e aktrimit nuk ka përfunduar – ajo vetëm kishte nevojë për një pushim pas skandalit me Bull.

“Kisha nevojë për distancë për ta rikalibruar dhe nisur familjen”, shpjegon Dushku. “Por nuk dua që njerëzit të mendojnë se denoncimi e nënkupton përfundimin e karrierës. Mund të aktroj. Mund të jem në L.A. Thjesht kam nevojë të jem këtu tani.”

Ajo gjithashtu nuk ndjen keqardhje për faktin se vendimi i saj me CBS doli në publik, duke thënë për “Time” se “njerëzit kanë nevojë për një tregim koheziv për atë se kush janë dhe ne jemi po aq të sëmurë sa edhe sekretet tona. Kështu që, emërtimi i sekreteve tona – është pjesë e shërimit.”

Sidoqoftë, Dushkut nuk i lejohet ta diskutojë më hollësisht marrëveshjen gjyqësore pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për moszbulim të detajeve, shkruan KOHA Ditore.

“Po flasim në kod. NDA-të (non-disclosure agreement) i riviktimizojnë njerëzit”, thotë ajo. “Ato u japin më shumë fuqi të fuqishmëve. Dhe, si person më pak i fuqishëm, duhet të jetoni në versionin e djallosur të dikujt tjetër për realitetin.”

Aktorja thuhet se u largua nga seria “Bull” pasi u përball me Weatherlyn për sjelljen e tij, ku përfshihej lëshimi i këngëve provokuese kur ajo punonte dhe propozimi për treshe.

Eliza u shfaq në tre episode të serisë “Bull” në vitin 2017.

Drejtorët e CBS ranë dakord që Dushkut në një marrëveshje konfidenciale t’ia paguajnë një shumë prej 9.5 milionë dollarësh.

Weatherly tha për “New York Times” se ai i kërkoi falje Dushkut kur ajo u përball me të, duke shtuar se ai tani e kupton se mënyra se si ai kishte folur dhe humori i tij në disa raste nuk ishin të përshtatshme.

“Dy orë në të ardhmen”, një mbrëmje me poezi të artistit Dardan Zhegrova

Shtatëmbëdhjetë po vazhdon edhe këtë muaj me Natën e Poezisë. Kësaj here artistin Dardan Zhegrova do i ndajë poezitë e tij me të pranishmit.

Krejt puna e poezive për Dardanin ka fillu kur ai ka vendos me e incizua veten me telefon, një lloj rrëfimi personal e intim me një mjet shumë social si telefoni.

Ai i shpreh ndjenjat, imagjinatën e “daydreams” për me e ndryshu realitetin e me ndërhy në kujtimet e tija, nëpërmjet poezisë. Poezitë e tij bëhen si formë për të kujtuar se çka do ai dhe se si e percepton rrëfimin e tij.

Këtë here ai ka me lexu poezi qe i ka shkru ose incizu përgjatë vitit të kaluar e që transmetojnë ma së miri realitetin e tij duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Serbia shkarkon anëtaren e bordit të RYCO-s, shkak pjesëmarrja në takimin në Kosovë

Serbia ka shkarkuar Milica Skiljevic, anëtaren e bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO, vetëm pse kjo e fundit ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin e sotëm të kësaj organizate në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie për të njoftuar për shkarkimin e anëtares nga bordi i RYCO-s derisa e ka quajtur shqetësuese ndërhyrjen e politikës në këtë bord.

“Kosova në vitin 2019 e kryeson një nga proceset më të rëndësishme siç është RYCO. Është fat i mirë që të gjitha shtetet anëtarë të RYCO-s kanë pasur përfaqësuesit e tyre, por mbrëmë në orët e vona jemi njoftuar se njëra nga anëtarët e Serbisë është shkarkuar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe mosprezenca e saj ka bërë që ky takim mos të vazhdojë sepse nuk ka pasur kuorum”, ka thënë Gashi.

“Ky është një lajm shumë i keq sepse Kosova ka qenë e përkushtuar që ta shtyj përpara misionin e RYCO dhe mua si kryesues i këtij bordi është jashtëzakonisht zhgënjyese veprimi i Serbisë dhe shfrytëzimi i temave politike”, ka vazhduar ai.

Gashi i ka bërë thirrje Berlinit që t’i bëjë presion Serbisë që të mos i pengojë proceset e RYCO-s./ Epoka e re/ KultPlus.com

‘Natën e Shingjergjit prehet kingji’

Ky asht tregimi për festën e Shingjergjit, festë të cilën e festojnë kryesisht romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Këtë tregim e tregon personalisht Hysnije Jaha në mënyrën si e festojnë ashkalitë këtë festë.

Shëngjergji është nji festë për ne sikurse Bajrami për muslimanë e Krishtlindja për serbët e katolikët. Nji javë para Shingjergjit e pastrojmë shtëpinë, i lajmë të gjitha tepihat, perdet, tona çka ka me u la.

Blehet kingji tre-katër ditë përpara, mahet mirë e f’mija gëzohen e lozin me të.

Natën e Shingjergjit prehet kingji.

Kur o kon mullini, shkojshim me mar ujë, pak hitha, pak bari, e rujshim ka ni vo të velikdanit, e në sabah ditën e Shingjergjit i stërpikim fmitë me u çu heret kurse gjatë ditës i lajmë fmitë. Ujin e mullinit, barin, hithat dhe votë i qesim krejt në nji kofe, i lajmë f’mitë dhe pastaj i veshim me tesha t’ reja që iu kemi ble dy tre ditë përpara Shengjergjit. Dytën ditë të Shingjergjit hahet silla e Shingjergjit.

Aty mbledhen familja e madhe, djemtë, nipat, mesat e rejat.

Mas dreke shkojmë te familjet tona me bo për hajr Shingjergjin. Aty na presin me omëlcina dhe soka. Tretën ditë të Shingjergjit u veshim edhe na t’ mdhejt, dilshim n’ park ku bojke muzika, k’cejshim, lujshim edhe na në mënyrën tonë deri vonë. Ma së shumti e majnë gabelt (emërtim i ashkalive për romët).

Ata prejnë ka dy-tre kingja dhe e majnë në mënyrë të vet ku shpenzojnë shumë pare për Shingjergj.

Kjo festë mbahet katër ditë.

(Tregim i marrë nga një botim i vitit 2012, me titullin PËRMBLEDHJE E TREGIMEVE TË SHKURTËRA RRËFIME TË URTA – Ky dokument është prodhuar brenda kornizës së projektit të përbashkët ‘BE/KE – Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë’. )

Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum

“SHIU MBI LUM”

Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vrantë lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.

Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zânave
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

Martin Camaj

Merr komente pozitive videoklipi i ‘Ktheju tokës’ nga Jonida Maliqi

Është lansuar dje në kanalin zyrtar të Eurovizionit, dhe për vetëm një ditë videoklipi “Ktheju tokës” nga Jonida Maliqi po merr kritikat e para pozitive.

Kënga e cila sivjet e përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion, duket se po vlerësohet mirë.

Gati 170 mijë klikime kënga i ka në kanalin zyrtar të Eurovizionit në Youtube dhe rreth 2 mijë komente, shumica prej të cilave i japin komente të mirë këngës dhe paraqitjes së Jonidës në këtë videoklip.

https://www.youtube.com/watch?v=eo4aFzAkQkA

Shumë pajtohen se Jonida mund të futet në top 10shen e finales së Eurovizionit, ndërsa ka të tjera komente që presin se Jonida duhet të japë maksimumin në skenën e Eurovizionit.

Jonida do të përfaqësojë Shqipërinë, në gjysmëfinalen e dytë me 16 maj, ndërsa është e vetmja këngë që nuk këndohet në gjuhën angleze në këtë gjysmëfinale. Dy këngë tjera janë në kroatisht e frëngjisht, por megjithatë kanë edhe anglisht, me Jonidën në shqipe të pastër, shkruan KultPlus.

Nëse kualifikohet, Jonida këndon edhe me 18 maj, në finalen e edicionit të 64 të Eurovizionit. / KultPlus.com

‘Unë dhe Millosheviçi’, një film mbi realitetin dhe heroin e shpallur aksidentalisht

Alberina Haxhijaj

Në Hotel Garden është mbajtur sot konferenca për media për filmin “Unë dhe Millosheviçi” me skenar dhe regji nga Arben Kastrati.

Filmi në qendër të tij do të ketë një hero të shpallur aksidentalisht duke shfrytëzuar rrethanat në të cilat gjendet Kosova, shkruan KultPlus.

Për realizimin e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, skenaristi dhe regjisori Arben Kastrati ka mbledhur rreth vetes një kastë të njohur aktorësh si dhe profesionistë të fushës së kinematografisë.

Në mesin e tyre është edhe aktorja francezë Nathalie Boyer. Ajo do të sjellë rolin e një gazetareje, profesioni i së cilës është mjaft i vështirë në rrethana normale por që bëhet edhe më i vështirë gjatë raportimit në luftë. Ky rol e bëri për veti aktoren në momentin e parë që ajo e lexoi skenarin dhe u bë arsyeja që Boyer të vijë në Kosovë dhe të qëndrojë për një kohë këtu për xhirime.

“E kam takuar skenaristin përmes një miku dhe ai më dërgoi me mesazh vetëm skriptin dhe asgjë tjetër. Posa e lexova skenarin, më bëri për vete dhe pranova. Është një skenar shumë i mirë, ka shumë emocione dhe përfshinë ngjarje të përditshme, histori ,por ka edhe një sens humori në të dhe prandaj pranova menjëherë pasi dëshirova që të përfshihem në këtë proces”, thekson ajo.

Filmi do të xhirohet në disa lokacione si në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Paris dhe Hagë. Dy ditë më parë ekipi i filmit ka parë një pjesë të lokacioneve në Kosovë duke gjetur kështu vende të cilat veçohen më shumë për trashëgiminë e ruajtur.

“Kam ardhur dy ditë me parë. Dje kemi punuar pak në gjetje të lokacioneve dhe u takuam me aktorët e tjerë. Unë kam zbuluar një vend shumë të pasur ndërsa për njerëzit mund të them se pavarësisht asaj që keni kaluar jeni shumë të fortë dhe po pres me padurim që të fillojmë xhirimet”, u shpreh ajo.

Regjisori Nicolas Duval do ta ndihmojë Kastratin në regjinë e projektit filmik. Sipas Duval, e rëndësishme është që gjatë këtij filmi të mos tregohen vetëm ngjarje por të nxitet edhe mendimi kritik.

“Ajo që më ka bërë për vete është mënyra se si eksplorohet natyra e njerëzve, karakteret dhe ajo që dua të bëj me këtë film është që karakteret të na tregojnë gjëra dhe se çfarë po ndodhë, dhe jo që ato t’i mbajnë sekret deri në fund. Audienca do t’i shohë këto gjëra dhe do të nxitet që të mendojë jo vetëm për ato por edhe për të tjera gjëra. Mendoj se është e rëndësishme që filmi t’i nxisë njerëzit që të mendojnë dhe jo vetëm ti argëtojë” tregoi Nicolas Duval.

Aktori Afrim Kasapolli, i cili ka munguar për një kohë në kinematografi, është në mesin e aktorëve kosovarë që do të jenë pjesë e filmit. Sipas tij ajo që e shtyu të rikthehet në film është skenari.

“Një skenar si ky me guxim, me kaq vizion, njohuri deri në detaje të qenies sonë, moti nuk kam lexuar. Prandaj edhe më ka intriguar shumë dhe kam pranuar. Arbeni është një njeri i dashuruar në këtë punë dhe kam dashur që të jap edhe kontributin tim modest në këtë projekt, një projekt i cili po mbështetet më shumë nga vendet jashtë Kosovës se nga Kosova”, theksoi ai duke shtuar se një njeri i cili është lexues mund ta vërejë që ky film do t’i sjellë shumë Kosovë.

“Është koha e fundit që ne ta paraqesim realitetin tonë ashtu siç jemi dhe të bëjmë filma për veten tonë”, tha ai.

Në mesin e 68 aktorëve të cilët do të jenë të përfshirë në këtë film duke përfshirë këtu aktorë francezë, amerikanë, por edhe kosovarë, është edhe aktori Xhevdet Doda.

“Më pëlqen narracioni i Arbenit dhe mënyra se si ai shkruan. Në këtë film do të jem shoku i personazhit i cili është i akuzuar në Hagë e që më pas shndërrohet në hero”, tha Doda.

Xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviçi” priten që të fillojnë në muajin shtator. Filmi është një produksion në mes të Francës, Maqedonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com

Vreshta në kujtimet e mia


Mire Prenaj
11.02.2019
Prishtinë

E kam në mendje si sot atë kodrinë vreshte, bënte vapë, përcëllonte.

Në mes të vreshtave kishte pjeshkë të mbjellura aty këtu, ato ishin aq të shijshme saqë kur i fusje në gojë të shkriheshin nga ëmbëlsimi.

 Pjeshka rrushi u thonim.

Më pëlqente kur nëna ime më jepte leje të shkoja në vreshtë.

E kam në mendje gumëzhitjen, bisedat e të qeshurat e grave dhe burrave që vilnin rrush, e që gjyshi im e zgjidhte dhe përcaktonte me përpikmëri se vera që dilte nga ky rrush të ishte i klasit të parë.

Gjyshi im për mua ishte njeri shumë i dashur dhe shumë punëtor.

Mbaj mend se si në mbrëmje pas punës kur u kthente në shtëpi, unë merrja një krem me glicerinë të lartë dhe filloja të ja lyeja dhe të ja fërkoja ato të qara të mëdha të duarve nga puna që ai bënte. Më pas e fitoja një perqafim të ngrohtë nga ai për shërbimin që i kisha bërë, e që për mua ishte një lumturi e papërshkrueshme.

Kjo puna e vjeljes së rrushit zgjaste një muaj, ndoshta që për ne fëmijët ishte rekreacioni më i mirë i vitit. Fillonim të shoqëroheshim me fëmijët e vjelësve të rrushit, dikush nga ne e hante rrushin e bardhë të tjerët rrush të zi ndërsa unë pëlqeja rrushin e kuq dhe pjeshkat e rrushit që ishin ngjyrë të verdhë të qelët. Këtë lloj sorte të pjeshkave në atë kohë gjenim kudo ku kishte plantazhë rrushi dhe mendoj që mbilleshin vetëm për ti freskuar vjelësit e rrushit dhe fëmijët që prindërit i merrnin me vete nëpër plantazhe për aq kohë sa zgjaste puna e vjeljes së rrushit.

Mbaj mend gjyshin tim që ishte njëri prej burrave më të gjatë nga familja, hundë mprehur e sy të bukur e të thellë, i drejtë në trup dhe duar të mëdha nga puna, dita për të fillonte në agimin e hershëm dhe mbaronte në mbëmjen e vonshme. Periudha e vjeljes së rrushit për të ishte koha më e bukur e vitit dhe nuk mungonte buzqeshja në fytyrën e tij, që mua ajo buzëqeshje më jepte jetë dhe shpeshherë hidhesha në perqafimin e tij nga lumturija e buzëqeshjës tij. Ai më shikonte edhe më i buzëqeshur sikur donte të më thoshte, ç’ndodhi tani? Une nuk i tregoja se ishte pikërisht buzëqeshja e tij që më lumturonte, ajo buzëqeshje prej një gjyshi fisnik, human dhe më e bukura e të gjithave, njeri i urtë e i menqur.

Edhe sot, sa herë kujtoj gjyshin, është ajo buzëqeshje që më kthen në lumturinë e pafund që përjetoja në vreshtin e gjyshit.

Nisin xhirimet e filmit ‘Vera Andrron Detin’

Sot në Prishtinë kanë filluar xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Vera Andrron Detin” me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Doruntina Basha.

Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjensia e Filmit e Maqedonisë dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë.

“Vera Andrron Detin” është prodhim i Shtëpisë filmike ISSTRA Creative factory me producent Shkumbin Istrefi. / KultPlus.com

A e dini historinë “Po shkunden plakat”?

Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidhen me “mitin e plakave”.

Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit kur marsi i mori ditë borxh shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër.

Ndërsa për krahina të tjera, ajo kujtohet në dy ditët e fundit të marsit.

“Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Sipas gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”.

Në këtë moment, marsi tha: “Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka.

Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.

Mali Tomorr është vendi ku plaka u ngri me bagëtinë e saj, nga ditët qe mori hua muaji mars.

Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një Plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e Plakës.

Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plakat e Marsit”, e cila sot përdoret si një metafor për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stinës së luleve.

Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse ne gjithë Ballkanin apo dhe vende te tjera te botes.

Pavarësisht se sa e vërtetë është, “miti i Plakave” përdoret edhe sot dhe metereolgoët pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” kanë sjellë mot të ftohtë dhe me reshje.

Ndërsa prilli si gjithmonë vjen me mot të mirë.

4 VERSIONE TË LEGJENDËS
Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë janë disa më kryesoret, në version të shkurtuar…

1. Vjen marsi.
Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit.”
Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2. Plakat e marsit janë shtatë.
Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar).

Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3. Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars.
E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin: Mullizeza zogjt i çeli, na marsh të keqen Mars kaçeli…

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave.

Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4. Kur plakat i thanë marsit, “na marrsh të keqen”, marsi u zemerua aq shumë sa tha “shkurt (apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t’i thaj plakat me gjith ç’kanë… ”

Këshilla për 26 vjeçaret, dhe për veten time kur isha 26 vjeçare

Joan Juliet Buck

Pikë së pari, duhet të ushqehesh mirë. E di që është ndjenjë e mirë të peshosh pak, por të jetosh vetëm me kapuçino dhe grejpfrut do ta dëmtosh stomakun. Nëse han më shumë, edhe lëkura do të të pastrohet.

Largojeni maskarën me ngjyrë të zezë.

Këpucët me take janë aq të larta saqë do të ta zgjasin rrugën. Ti megjithatë i vesh ato, e di, sepse këmbët të duken më të gjata. E di, sepse kjo jam unë, kam qenë para shumë vitesh. Gabim.

Mos kërko leje prej të tjerëve; ata nuk duan ta dijnë çka bën ti, ose e kanë një agjendë të tyren që të të bëjnë ty të zgjedhësh në mes të njërit opsion, apo tjetrit. Nuk do të të falenderojnë për këtë zgjidhje, dhe do të përfundosh duke i bërë gjërat që nuk i do, shkaku i tyre. Mbaju për mendimet tua, zgjidhjet tua.

Mos e mendo më që do të dënohesh për veprimet tua; nuk është e vërtetë. Do të dënohesh nëse nuk e ngrit zërin për veten tënde. Dhe mjaft imagjinove. Katastrofat që ti i krijon në mendjen tënde në mes të natës, nuk do të ndodhin. Ka disa ngjarje të çuditshme që do të dalin para teje gjatë jetës, por bota nuk do të eksplodojë.

Do të doja të ishte më pak me siklet, më shumë vetëbesim, më shumë përtokë. Gjej gjërat që të pëlqejnë, që nuk janë romanca, puna, jeta sociale dhe shopingu.

Mos e ndal veten. Mjaft e mendove secilën situatë dhe se si ti do t’i dalësh përpara situatës.

Duhet të shkosh te ajo që e dëshiron, jo ajo që i frikësohesh. Është më lehtë të ecësh nëse nuk i rëndon të dyja këmbët.

Pas secilës ndarje, ti mendon se nuk do të dashurosh më kurrë. Nuk është e vërtetë, as kur isha 26 vjeçare, as sot, as nuk do të jetë kurrë kësisoj. Mos beso se është mirë të jetosh sikur Anais Nin, e cila jetonte në periferi të Parisit duke e hudhë veten nëpër pasione të ndryshme. E ke menduar se si ajo e ka paguar qiranë? Në fakt e paguante burri i saj.

Dhe ruaj disa para. Kurse para. Po tingëlloj si gjyshja ime, por kishte të drejtë.

Mosha 26 vjeçare është kulmi i aventurave, mundësive dhe fillimi i dijes e njohurisë. Dhe më pas, me 27 vjeç, mund të shkruash më pas për të gjithë arrogancën tënde, gabimet tua.

Dhe lejoje një person tjetër të hyjë brenda jetës tënde. Kur ai apo ajo vjen, le të futet. Hapi dritaret, hape derën. Është më e sigurtë sesa që ti e mendon, të premtoj.

PriFest hapë thirrjen për projekte filmike për BEST PITCH 2019

Prishtina International Film Festival dhe Prishtina Film FORUM (PriFORUM) kanë kënaqësinë të shpallin të hapur thirrjen për aplikim në Best Pitch 2019.

Përmes kësaj thirrjeje ftohen për aplikim projektet e filmit artistik të metrazhit të gjatë në fazën e zhvillimit apo të financimit nga filmbërës nga Ballkani që e kanë vepër të parë apo të dytë projektin që e dorëzojnë. Projektet filmike të përzgjedhura do të marrin pjesë në ciklin 4-ditorë të zhvillimit të projektit që konsiston nga:

Pitching (prezentimi) para jurisë ndërkombëtare dhe audiencës

Seancë kokë-më-kokë me ekspertin financiar të EAVE në temën Planifikimi biznesor dhe strategjik I kompanisë në industrinë e filmit, strategjia e financimit dhe bashkëprodhimit për projektin filmik; 

Seancë zhvillim skripte me ekspert te EAVE; 

Seancë keshilluese me ekspert te distribuimit dhe shitjes se filmit.

BEST PITCH ka karakter garuesandaj seanca e pitchingut do të vlerësohet nga Juria Ndërkombëtare dhe vota e publikut të përbërë nga mysafirët e akredituar të festivalit (producente nderkombetar, fonde filmi, distributor dhe agjent shitjeje). 

Të gjitha projektet e përzgjedhura për Best Pitch do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në Prishtina Rendezvous, pas seancës së pitchingut. Për të aplikuar në Best Pitch ju lutem klikoni në linkun ketu dhe plotësoni aplikacionin.  Data e fundit për dorëzimin e projekteve është 20 Maj 2019.

PriFORUM është platformë zhvillimore e industrisë së filmit, pjesë integrale e PriFest – Prishtina International Film Festival, që do të ketë edicionin e 11-të në korrik 16-21 në Prishtinë, Kosovë. Ndërkohë datat e PriFORUM janë 18-21 korrik. Përvec Best Pitch, PriFORUM përmban në vete edhe dy module tjera:

 PRISHTINA RENDEZVOUS, është fundjavë e dedikuar distributorëve ndërkombëtar të filmit dhe agjentëve të shitjes. Prishtina Rendezvous ka për qëllim që të mbledh së bashku talentët nga Ballkani duke u dhënë shansin që të takohen me disa nga kompanitë më të rëndësishme botërore të distribuimit dhe shitjes së filmit, të cilët ftohen në këtë fundjavë që të gjurmojnë projektet filmike nga regjioni I Ballkanit në fazën e tyre zhvillimore. Filmbërësit do të kenë shansin të artikulojnë idetë dhe storjet e tyre në ‘speed date style’ / takime individuale kokë-më-kokë. 

KONFERENCA REGJIONALE lidhur me cështjet e industrisë së filmit, e përbërë nga diskutime në panel, prezentime nga ekspert ndërkombëtar në tema të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë e filmit si: distribuimi, shitja, bashkëprodhimi, financimi, si dhe workshope për aktorët dhe studentët. Filmbërësit nga regjioni ftohen të jenë present dhe të kenë mundësi të takojnë disa nga emrat e rëndësishëm të industrisë së filmit në Europë. Në një ambient më intim që e ofron PriFest, për dallim nga festivalet dhe marketet e mëdha të filmit, vëmendja e të gjithë mysafirëve ndërkombëtar është në projekte të Ballkanit dhe në këtë mënyrë ofron më shumë mundësi network-u dhe bashkëpunimi. 

Gjate PriFORUM do të prezentohen edhe 3 festivale evropiane ne menyre qe filmberesit dhe mysafiret e festivalit te njihen me perseafermi me kriteret e ndryshme qe kane keto festivale per te pranuar filmat ne konkurrence si dhe cfare ofrojne ato.

Puna e PriFORUM dhe PriFest vlerësohet jashtë mase nga filmbërësit vendorë dhe Shoqata e Producentëve të Kosovës të cilët përfitojnë shumë nga këto takime.

Elbenita Kajtazi kërkon ndihmë nga Presidenti i Shqipërisë

Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi është në rrezik që të humbas pjesëmarrjen në një garë ndërkombëtare në Kili pasi që posedon vetëm pasaportën e Kosovës. Për këtë arsye kjo e fundit ka kërkuar ndihmë nga Presidenti i Shqipërisë në mënyrë që të marrë pasaportën e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka treguar se ka filluar procedurat për pasaportë të Shqipërisë mirëpo i duhet ndihmë në mënyrë që këto procedura të përshpejtohen.

Më poshtë mund të lexoni postimin e saj të plotë:

I drejtohem publikisht presidentit të Republikës së Shqipërisë zotit Ilir Meta

Jam një artiste shqiptare nga Kosova dhe nëpërmjet një pune kolosale dhe me shumë sakrifica kam arritur të kem një vend në botën operistike … E dua vendin ku jam lindur dhe rritur dhe mbart me vete çdo gjë të tij por fatkeqësisht Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet e botës dhe pikërisht në këto momente jam duke rrezikuar një kontratë pune në Kili -Chile të fituar në një konkurs ndërkombëtar për arsye që ky shtet nuk njeh shtetësinë e Kosovës. 
Kam bërë kërkesë për pasaportën shqiptare para 4 muajsh dhe kërkesa ime ka qenë e pranuar me gjenerozitet nga shteti shqiptar.
Procedurat janë pak të gjata por do ju lutesha të më ndihmonit për të shpejtuar këtë procedurë sepse rrezikoj ta humbas këtë mundësi që më ka kushtuar shumë.
Uroj të has në mirëkuptimin dhe përkrahjen tuaj./ KultPlus.com

Kishat e Voskopojës, mbi 900 vizitorë dy muajt e parë të vitit

Në Voskopojë, gjatë dy muajve të parë të vitit 2019, sipas statistikave të raportuara nga specialistët e DRKK, numri i vizitorëve në guidën e 5 kishave ka shkuar mbi 900 vizitorë.

Vizitorët e huaj janë mahnitur nga arkitektura dhe historia që mbartin këto kisha duke shijuar një rrugëtim mes historisë dhe kultit.

Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës Ballkanike dhe Europiane.

E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.

Voskopoja gjithashtu ruan dhe potencialin e saj turistik. Fshati, i cili ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, po tërheq përherë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qyteteve të tjera të Shqipërisë, gjithashtu të pandarë janë qytetarët e Korçës./A.T.SH/ KultPlus.com

Mjegull

Antonia Pozzi

Në u takofshim sonte në mbrëmje

në rrugën përmbytur me mjegull

do të thaheshin gjithë pellgjet

qark nesh do qe nxehur dheu:

dhe faqja ime mbi teshat e tua

shpëtim për jetën do të qe.

Por balli i vajzave, i lëmuar

vitet e mia më kujton: një pemë

vetëm kam si mik në këtë rrebesh në terr

dhe dritat e venitura të karrocave më bëjnë të dridhem,

të fërgëlloj e vdekjen të thërras./ KultPlus.com

Aktorja e madhe Margarita Xhepa në gjendje të vështirë shëndetësore

Dhurata Hamzai

Një lajm shqetësues vjen për shëndetin e aktores së madhe Margarita Xhepa, e cila pavarësisht moshës së saj 87-vjeçare vijon të jetë e pashkëputur nga skena, filmi dhe ekrani.

Në një bisedë telefonike të ditës së djeshme për shqiptarja.com, vetë aktorja na bënë të ditur se të premten do t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë në këmbë.

“Sot mora analizat e gjakut, sepse jam në pritje të operacionit. Jam shumë sëmurë, nuk eci dot dhe nuk lë dot takim për intervistë”, iu përgjigj aktorja e madhe Margarita Xhepa qëllimit tonë të marrjes në telefon.

Megjithëse në gjendje të rënduar, Margarita Xhepa, e njohur për natyrën e saj si grua shumë kurajoze dhe optimiste, u shpreh se “Të premten do të hyj në operacion dhe do Zoti e kaloj me sukses. E pastaj mund të jem në gjendje të flas edhe me ju”.

Vetëm 6 muaj më parë aktorja ka punuar për xhirimet e filmit  artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Ndërsa ky film i ka mbyllur xhirimet në muajin shtator,  Margarita Xhepa është protagoniste në këtë film që denoncon vrazhdësinë dhe diskriminimin ndaj gruas. Filmi me skenar të Linda Fejzaj dhe regji të Spartak Pecanit është në pritje të premierës, ndërkohë që Margarita Xhepa ka bërë xhirime në krah të një aktori tjetër të madh, Robert Ndrenikës. Të dy janë role protagoniste./27.al/ KultPlus.com

Në kujtim të shkrimtarit të madh, Martin Camaj

Ndue Ukaj

Para 27 vitesh kaloi në amshim shkrimtari i madh, Martin Camaj, jeta dhe vepra e të cilit përbëjnë një ekzemplarë të veçantë ne letërsinë shqipe dhe një rrëfim që të ngjeth trupin. I lindur në Temal të Dukagjinit, Camaj shkoi në Kolegjin Saverian, ku para tij u edukuan shumë shkrimtarë dhe dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit klasik, të cilat i thelloi nëpër qendra të ndryshme të dijes dhe të kulturës. Djaloshi i ri, la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” dhe zbriti në Shkodrën e kulturës- dhe në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin At Zef Valentini. Por, shkollimi iu ndërpre në vitin 1946, kur regjimi barbar komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Dhe, nga këtu, kaloi 4 vite të vështira në Prekal dhe vendosi të largohej nga atdheu.
Ky moment shkaktoi një termet në shpirtin e tij dhe shpërtheu si dashuri përvëluese artistike. 
Atëbotë kur ideologjia e urrejtjes staliniste lëshonte rrënjë në Shqipëri, Camaj ishte i ri dhe i edukuar me frymë lirie e ndërgjegje refuzuese, prandaj, nuk deshi ta bjerrtë lirinë shpirtërore dhe vendosi ta braktiste vendin. Arshi Pipa, gjithashtu një i arratisur, duke e shpjeguar këtë akt thotë se, “Martin Camaj është tipiku i intelektualit europiano-lindor që, për arsye politike, braktis atdheun dhe shëtit nga një vend në tjetrin. Po me të ngulitur diku- e ndërkohë s’është më i ri në moshë-e kupton se është e pamundur për të, të lëshojë rrënjë në tokën e re. E përndjek nostalgjia për atdheun e vet. E nëse qëllon të jetë shkrimtar, do ta shprehë këtë nostalgji duke u përpjekur të sillet rreth një teme- bazë, atë të humusit të vet kulturor”.
Pra, Camaj, nuk iu nënshtrua terrorit ideologjik, deduksioneve të shëmtuara komuniste dhe u bë shtegtar. Ky veprim, krijoi thyerje në jetën dhe shpirtin e tij. Sepse, janë dallgët e atdheut të trazuar, që do ta ndjekin çdoherë pas. Është ajo copë Itake që i rri e thadruar në ndërgjegjen e tij, rreth së cilës krijoi hartën e tij shpirtërore dhe letrare. Larg atdheut, poeti ka mall, dhimbje, kujtime e dashuri për njerëzit dhe natyrën; ndjesi këto që bëhen kristale rrezatuese e imazhe fantastike që e formësojnë botën poetit të madh- dhe një poezi krejt të veçantë dhe të papërsëritur në letërsinë shqipe. 
Shqipëria komuniste ka treguar urrejtje të çmendur kundër njerëzve me formim dhe kulturë perëndimore, çfarë ishte Camaj. Përkundër këtij fakti, Camaj i dha shumë artit, kulturës dhe albanologjisë shqiptare, duke u bërë shëmbëlltyra e një shkrimtari të urtë, që shkruan për dashurinë ndaj njeriut dhe vendit të tij, dhe e refuzon gjuhën e gjarpnit, siç thotë në poezinë “Tregimi i thjeshtë”. 
Camaj ka shkruar shumë poezi të mrekullishme, që të magjepsin për gjuhën e ambël poetike, për tingujt e jashtëzakonshëm dhe për fuqinë e thellë të mendimit. 
Camaj mbetet shkrimtari më i përkori në historinë e letërsisë shqipe. I vetmuar, si askush, larg atdheut, si një “Uliks që s’mbërrinë kurrë në Itakë”, (Primo Shllaku), ai gjithmonë e ruan tonin e kryengritësi të prajshëm: shkruan pa bërë bujë, pa figura të drejtpërdrejta, pa retorike e mendime të angazhuara. Ai nuk flet nga urrejtja, por nga dashuria përvëluese, dhe kjo është një nga veçantitë e artit të tij. 
Ai rrugëton kah Itaka, me vargje e figura që kanë burimin te vendlindja e tij, ku janë të ruajtura doke e zakone të vjetra. Dhe, në rrugën e letërsisë, i magjepsur nga librat- magjia e tekstit- si një murg, qëmton i paepur botën e madhe të letërsisë. Dhe shkruan botën e tij të bukur, atë botë të përkorë poetike, lartësitë e së cilës i ngjajnë bukurive të alpeve shqiptare. 
Për Ernest Koliqin, Camaj është poeti i “bindun se u pajis nga natyra me nji talent të hollë e njeherit të fuqishëm”.
Shkrimtari Jorge Luis Borges, te ligjërata e famshme për poezinë, shkruan: “estetika është aq e qartë, aq e drejtpërdrejtë dhe aq e papërcaktueshme, sikurse dashuria, sikur shija e një fryti, sikur uji. Ne ndjejmë poezinë, ashtu sikur e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit.” Me këtë përkufizim, ai sikundër limitonte mundësitë e interpretimeve letrare, dhe i jepte përparësi shijimit të poezisë, siç i ndiejmë dhe shijojmë gjërat e bukura: dashurinë, detin, malet. E një i ditur si Borgesi, sigurisht se këtë mendim e nxirrte nga përvoja e bujshme, si shkrimtar dhe lexues i kultivuar. Ky mendim pak autorit i shkon për shtati sa Camajt, poetit që duhet të lexohet, shijohet dhe të përjetohet. 
Ka një kohë të gjatë prej kur poezinë e Camajt e kam si shujtë të përditshme. E lexoj dhe e rilexoj, kënaqem, mallëngjehem, argëtohem dhe përpiqem të edukohem estetikisht nga ajo. 
E admiroj pafundësisht dhe për shumë arsye, por po i veçoj dy imanente dhe esenciale: e para, përmes artit të tij e kuptoj sa e bukur dhe sa e ëmbël është gegnishtja jonë, “shtëpia e qenies” së kulturës e identitetit kulturor shqiptar, ku banon poeti dhe kultura disashekullor i shqiptarëve; dhe e dyta: nëpërmes artit të tij, ndjej deri në thellësi të shpirtit kënaqësinë e leximit, atë kënaqësinë estetike, që ta ofron vetëm një art madhështor. 
Camaj është titan i republikës së letrave shqipe, i papërsëritshëm në gjuhë dhe në stil, kurse poezia e tij është një fortifikatë e mbrojtur nga socrealizmi dhe ideologjia komuniste. Ai nuk e përjetoi agimin e lirisë, agsholin e ngjarjeve magjike, kur poezia e tij do të kthehet bujshëm në duart e lexuesve të etur për diçka tjetër: për një poezi që rri përtej duzinës së poezisë të shkruar nën ndikimin e instruksioneve dhe deduksioneve socrealiste.
Camaj e vulosi punën e madhe të tij, duke treguar shëmbëlltyrën e një shkrimtari shpirtin e të cilit e mbizotëron dashuria, prandaj ai shkruan: “S’due me qenë si moti i lig”.
Camaj u nda nga kjo jetë, në kohën kur Shqipëria e tij e dhimbjeve dhe dashurisë, po ngjitej në trajektoren e lirisë, duhmën e së cilës e ëndërroi, por s’e përjetoi. Ai nuk e përjetoi as kohën kur vepra e tij pranohet nga lexuesit dhe studiuesit. 
Dhe, në një ditë si kjo, kur e kujtojmë artin e tij të madh, nuk ka sesi mos t’na kujtohet poezia e tij antologjike “Koha e lules”, e cila fillon me vargje kumbuese:
“Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njerí
prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.”
Një trishtim të tillë duhet ta ketë ndierë edhe letërsia shqipe me rastin e humbjes së poetit të madh, meqë e kishte të paktë dhe të mangët fuqinë e dashurisë të cilën e promovonte arti i tij. 
Kurse sot, vepra e tij na thërret të ndërgjegjësohemi dhe ta refuzojmë gjuhën e helmit dhe të gjarpnit, siç bënte poeti në poezinë “Tregimi i thjeshtë” dhe të përqafojmë gjuhën e artit dhe të pendës./ KultPlus.com

“Javët e frankofonisë” ju ftojnë për një takim me artistin Alban Muja

“Javët e frankofonisë” gjatë këtij muaji do të sjellin aktivitete të shumta duke përfshirë këtu edhe ngjarjen e sotshme, një takim me artistin Alban Muja.

Alban Muja do të përfaqëson Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit në Bienalën e 59-të të Venedikut. Alban Muja është një nga artistët më premtues kosovarë.
Ai do të flasë për qëndrimin e tij në Rezidencën 3 mujore në “Arts Cité” në Paris dhe përvojën e tij ndërkombëtare si artist.

Ky takim do të mbahet në Aleancën Francezë në Prishtinë duke filluar nga ora 19:00. Hyrja është falas./ KultPlus.com

Ja se çfarë mësova si drejtor

Unë jam një drejtor prej gjashtë vitesh. Ju listoj disa gjëra që i mësova gjatë asaj periudhe: 

1. Mësuesit të cilët gjithmonë kanë një qëndrim pozitiv janë shumë të vlefshëm. 

2.Energjia pozitive është mjaft e rëndësishmë.

3. Kuzhinierët e shkollave vërtet e dinë sesi gatuhet mirë.

4. Nëse jeni i sëmurë ose keni nevojë të qëndroni në shtëpi me një fëmijë të sëmurë, mos u shqetësoni, klasa do të vazhdojë pa ju. Mësimi gjithsesi do zhvillohet.

5. Mos lejoni që gjërat e vogla t’ju shqetësojnë, si vonesa e nxënësit në mësimdhënie. Do ketë githmonë nxënës që do vijnë me vonesë. Përkundrazi, përqendrohuni në gjërat më të rëndësishme tek të cilat ia vlen t’i përqëndroni energjitë.

6. Gjithkush në shkollë është i rëndësishem – çdo student dhe çdo i rritur. Përpiquni të memorizoni sa më shumë emra.

7. Nëse harroni të përshëndesni dikë në korridor në mëngjes, ai person do ju mbajë mend dhe do t’ju kujtojë më vonë.

8. Nganjëherë mësuesit dhe nxënësit kanë nevojë për pak kohë për veten e tyre.

9. Mos merrni vendime të njëanshmedhe vetëm. Ju pothuajse gjithmonë do të merrni vendimet më të mira duke biseduar me të tjerët. 

10. Mësuesve të matematikës nuk u pëlqen të shkruajnë.

11. Është e rëndësishme për të gjetur kohën edhe për shaka. Shkolla është një vend më i mirë edhe kur argëtoheni. Gjeni gjithmonë batuta për të çdramatizuar situatën.

12. Mësuesit nuk i lexojnë të gjitha emailet. (Kjo do t’ju mërzisë, por nuk është “fundi i botës”.)

13. Mos u mërzitni mësuesit kur nuk bëjnë gjithçka.

 14. Zgjidhni një mësues që të lexojë mesazhet e tua të rëndësishmë, përpara se t’ia dërgoni të gjithë stafit, mësuesve të tjerë.

15. Mësuesit vërtetë u pëlqen të veshin xhinse.

16. Energjia pozitive mund të nënkuptojë shumë.

17. Është mirë të shpërbleheni kolektivisht dhe ta ndëshkoni mesuesin  individualisht.

18. Nëse nuk ju pëlqejnë nxënësit apo mësuesit atëherë nuk duhet të jeni drejtor.

19. Ndonjëherë hyni nëpër klasa dhe luani me fëmijët.

20. Kur mësuesit tuaj kanë ide të mira, zbuloni mënyrat se si mund t’i zbatoni ato

21. Shkruani datëlindjet e stafit tuaj.

22. Nxënësit respektojnë origjinalitetin … Dhe mësuesit gjithashtu.

23. Mësoni duhet t’i thoni “Nuk jam i sigurt” dhe “Duhet ta kontrolloj”.  Ju, ashtu si kushdo, nuk mund të dini gjithçka

24. Mbajini gjithmonë fjalët e dhëna.

25. Mos harroni se respekti nuk fitohet kurrë për shkak të titullit, respekti duhet merituar.

26. Asnjë program shkollor nuk do ta tejkalojë kurrë pasionin e mësuesve që e zbatojnë atë.

27. Dëgjojini studentët.

28. Dëgjoni idetë e mëdha të drejtorëve të tjerë.

29. Fjalët pozitive, lavdërimi, konfirmimi – këto gjëra nuk bëhen kurrë të vjetëruara. Dhe të gjithë kanë nevojë për to.

30. Sekretarët dinë më shumë nga çmendoni

31. Është e rëndësishme të mendojmë se qëllimet e mësuesit janë gjithmonë të mira.

32. Filloni dhe mbaroni mbledhjet tuaja në kohë.

33. Të jesh një menaxher është një punë e mrekullueshme, por mos harroni se në këtë profesion duhet të mësoni vazhdimisht.

(Përshtati P. Shtini; Portali Shkollor)

Ansambli “Tirana”, folklor dhe traditë në skenë

Nata e fundit e festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” solli në skenë artistët e Ansamblit ”Tirana”.

Artistë prezantuan para publikut në koncertin e fundit një program të pasur artistik, duke marrë dhe vlerësimin e të pranishmëve që e ndoqën në Teatrin Metropol.

”Është kënaqësi të ndjekësh performancat gjithnjë e më të elegante të ansamblit folklorik “Tirana”! Çdo herë e më krenar për këtë formacion që punon me shumë dashuri për të ruajtur dhe përcjellë më së miri vlerat tona kombëtare nëpërmjet këngëve dhe valleve nga të gjitha trevat”, shkruante teatri.

Në netët e festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” kishin në skenë artistë të ndryshëm të huaj dhe shqiptarë.

Festivali përbëhej nga një përzgjedhje artistike e cila sipas organizatorëve erdhi e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë mesdhetare, ku pjesë e skenës ishte dhe ansambli “Tirana”, i themeluar në vitin 1978.

Ansambli popullor është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. /ata

Dhoma e Nënës Terezë në Vatikan

Një shtrat, një tavolinë pune dhe pak hapësirë, ashtu siç ishte vetë modeste Nëna Terezë shqiptare, kështu ishte edhe dhoma e saj në Vatikan në Selinë e Shenjtë, derisa kryente detyrat e saj si një grua që ndihmoi shumë njerëzit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emri i vërtetë i Shën Terezës ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane. 

Prestigjiozja “New York Times”, i kishte kushtuar një rëndësi të veçantë shenjtërimit të Nënë Terezë nga Vatikanit, madje ka shkuar edhe më tej duke publikuar një foto të dhomës së saj në Selinë e Shenjtë.

Ashtu siç shihet dhoma është mjaft e thjeshtë me gjërat më elementare, ashtu siç ishte edhe vetë Nënë Tereza në misionin e saj. Dhoma përdorej nga shenjtorja sa herë që ajo shkonte në Vatikan.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë së Veriut), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe çmimin “Nobel” për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.

Eliza Hoxha: Nuk jetoj jetë luksi, servilizmi e favoresh, jam rritë dhe eduku me ideale të tjera

Eliza Hoxha ka reaguar pas lajmit të rrejshëm që është publikuar në lidhje me anëtarësimin e saj në PDK. Ajo përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur edhe Ngadhnjim Avdylit, një nga komentuesit i cili ka komentuar lajmin për anëtarësimin e saj.

Kujtojmë se Eliza Hoxha, Zake Prelvukaj dhe Burbuqe Berisha e kanë mohuar anëtarësimin e tyre në këtë parti.

Postimi i plotë

Për ata që më njohin mirë po edhe për tê tjerët – zakonisht qëndrimet dhe vendimet e mia që lidhen me sferën publike i kam ba publike vet. Prandaj edhe nëse një ditë do të angazhohem ne sferën publike në një rol e pozicion tjetër me cilëndo parti sigurisht se e bëjë publike vet. Prandaj portalet ka kohë që nuk me shqetësojnë më sepse vazhdon me u abuzu cdo gje mbi idenë e klikimeve…perderisa liria e tepruar apo edhe e abuzuar e individeve për të ofendu jo vetem mua por përfshi edhe familjen është poashtu shqetësuese…dhe cuditërisht kjo vjen nga një gazetar që i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për të hulumtu para se me gjyku.

Këtë status po e shkruaj për hir të familjes dhe kolegëve që kanë qenë pjesë e rrugëtimeve te mia…dhe është hera e parë që e bëjë një gjë të tillë – por e ndjeva te nevojshme pak me ia qartësu pasqyren Ngadhnjimit.

Ngadhnjim Avdylin nuk e njoh por e shoh që as ai mua.

Kur nana e baba im kane hy ne punë, ju Ngadhnjim ndoshta s’keni qenë as i lindur…Te përjashtuar të dy nga puna në të ’90-tat pas luft sës baba im ka dal në penzion të parakohshëm nga Radio Prishtina e nana është kthy në qerdhe ku ka nisë prej 1974 dhe sivjet del ne pension. Te dy kanë edukimin përkatës për pozitat që i kanë ushtru gjatë tanë jetes.

Kur unë kam konkuru ne Fakultetin e Arkitekturës edhe pse i kam plotësu kriteret dhe recenzioni është shkruar për mua…tre herë është anulu konkursi me argumentin qe une kendoj – derisa eshte qu njera nga profesoreshat me diskutu faktin qe une aty kam konkuru me diplome te arkitektes, i kam plotesu kushtet dhe ua ka perkujtu shumices se profesoreve burra ne Keshille ate kohe qe brenda Fakultetit te Arkitektures ka plot profedir e asistent instrumentiste e kengetar ne bende por qe per ta ska qene ajo pengese.

Sa per ceshtjet artistike nuk diskutoj me ty.

Por po ta lehtesoj pak punen e gazetarit e po te tregoj qe procesi i bienales ka nise ne kohen kur nuk ka pas qeveri dhe kur Vlora Dumoshi ka qene ushtruese e detyres se Ministrit te Kultures. Pas krijimit te qeverise fatmiresisht si proces i nisur ka vazhdu…per ma shume te lutem hulumto vet. Ndersa sa i perket Bienales Muslim Mulliqi ne Prishtine – menjehere pas Bienales se Venedikut – dikush tjeter po te ishte ne vendin tim as qe kishte konkuru se ju kishte duke nencmuese pas Venedikut me konkuru ne nje Bienale ma te vogel. Ja qe une nuk kam keso mendje dhe ja qe per kete ka nje konkurs te rregullt ku une kam konkuruar dhe ka nje kuratore bullgare Iara Boubnova e cila i ka perzgjedhur punimet dhe ka nje drejtoreshe. Te Galerise Arta Bunjaku Agani e cila ka kembengulur qe vepra te realizohet si eshte menduar dhe te vendoset ne hapesire publike duke gjetur mundesi realizimi …

Per aktivizmin nuk flas dhe ate nga parimi. Ka shume e shume qe i dijne ato qe une kam kontribu dhe nuk i beje per te folur.

Ne fund po ta them edhe nje gje, qe une vendin e qytetin tim e du fort dhe cdo gje qe kam bere deri tani ka qene ne te miren e tij nga cilido pozicion dhe do te vazhdoj ta beje deri sa te kam shendet dhe mendje.
E di vec nje qe nuk e kam bere… Vendin e qytetin tim nuk e kam demtu kurr me asnje gje.

Une nuk jetoj jete luksi, servilizmi e favoresh. Jam rrite dhe eduku me ideale te tjera dhe jam shume e lumtur per kete.

Rri ne paqe me veten dhe te tjeret per ate se cfare jam dhe cfare kam./ KultPlus.com