Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ka takuar divën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Minxhozi i ka dhuruar divës shqiptare një buqetë me lule, teksa i ka uruar asaj shëndet.
“Një ditë të veçantë, për një person të veçantë, një buqetë me lule e merituar për divën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. I uroj shëndet e lumturi”, ka shkruar Minxhozi në Facebook.
Ndryshe, në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Nexhmije Pagarusha të ketë statusin e qytetares me merita të veçanta si vlerë e kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. / KultPlus.com
Nuk pe du lulen tande sot, po du qe kur t’eci rruges tem’ mos me m’thane: ta hanksha ‘lulen’.
Nuk po pe du urimin tand sot, kur un i qes hapat rruges me urimin qe frustrimi yt ska me m’bo pishman qe jam dale prej shpise.
E ti, qe i qet referatet ka 20 rreshta sot tu e uru ‘diten e nanes’, je po aj qe e njek ni grue dej n’shpi 20 minuta tu ja thane fjalet ma t’poshtra qe asaj si heken prej mendje ma shume se 20 dite, e t’ishe ule nja 20 minuta me mendu’ ato 20 minutat e tu e kane ba dikan qe zemra mi dale pi venit dej ka mbrri n’shtepi.
E ti, mos ma jep lulen n’shesh, ne t’njejtin shesh ku ti tenton me m’preke, ne t’njejtin shesh kur ti rri si qen i jarguem tu prite kush kalon me e shfry epshin prej idioti.
Nanë! Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhetue me autobus, perballë meje, pashë pamjen ma të bukur që syni mund të sodisin. Nji fëmije të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngul sytë e më shihnin me habi. “Burri nuk kjanë- më erdhen në mend fjalët e tua , qi mi thoje fëmi , kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte. Sot mbas shumë vitesh më kaloi feminia nëpër mend, e mu kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dasht. Po njashtu si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at dreq dashnie. Mu kujtonte fort mirë kur nji çokollate në doren teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty . Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë. Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore ,më dolën qe ty nanë ma shumë te kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh. Erdh’ nji ditë kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më thernin në zemër, lotët e tu kur më përcolle n’derë, e sa u merzite ti nanë edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty. Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqise e kurrë nuk të thashë sa e veshtirë u ba ajo rrugë për mue . Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja , mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin. Dy vjet në vend të huaj , a e di sa më ke mungu nanë? Po asnjiherë nuk e dhashë veten kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe – ” Burrat nuk kjajnë,,. Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastekun me lot. Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt , po unë nuk u bana ndojherë “burrë” Mu ka thye zemra shpesh , po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din , jam tip i mbyllun , po edhe s’kam dasht me ti shtue mërzite. E prapë sot kur jeten teme e vej në peshore , mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet , ose të kam dasht po nuk kam ditë me ta thanë. E sot unë s’muj me e u gezue e me u defrye se ndihem në faj kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt. Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gezimi ma i madh edhe pse keto i patëm me pikatore në këtë jetë. Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi , kur shoh ftyrën tande , çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti ,jetën ma shton. Të du nanë, të kam dasht gjithmonë edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty!
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, për herë të parë zhvillohet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan. 6 filma dhe dokumentarë, vendas dhe të huaj do të shfaqen në kinema.
Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila është organizatore e këtij festivali bashkë me UN Women në Shqipëri, ka deklaruar se ky është një aktivitet i ri që vjen në një moment shumë të veçantë, sepse prej kohësh në shoqërinë dhe mediat tona është trajtuar një tematikë që më shumë se temë është kthyer në problematikë. Dhuna ndaj grave, sensibilitetet që janë të lidhura me pozicionin e femrës në Shqipëri, janë bërë tepër të animuara.
“Ky festival sjell një mesazh të fortë, si një domosdoshmëri në trajtimin problematik nëpërmjet artit dhe kinematografisë. Kjo e fundit krijon një impakt emocional, që mund të ndikojë në shtresëzimin e një kulture kolektive. Do doja që të shfrytëzoja rastin për të gjitha institucionet, publike dhe private, që të bashkojnë forcat edhe të krijojnë mundësi financiare për të mbështetur iniciativa të tilla. Dita e festës së grave mos të jetë një ftesë që merr trajtën e piknikut, por të trajtohet edhe në forume të tilla, siç është kinemaja”, ka tha Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë.
Në mesin e gjashtë filmave sa do të shfaqen gjithsej për publikun janë edhe dy filmat nga Kosova “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja dhe “Ajo” i regjisores More Raça. Filmat e tjerë të huaj janë “Die Fremde”, “Jaha’s Promise”, “ Netizens” dhe “Ivan”.
“Ajo që dua të theksoj është se nuk është vetëm Festivali i Gruas në Shqipëri, por që kjo është një temë universale, që ndodh në çdo vend të botës. Vëmendja ndaj dhunës ndaj grave edhe vajzave duhet që të jetë një prioritet në Shqipëri, sepse një ndër dy gra ka përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së saj. Vetëm vjet 5000 raste janë raportuar në polici. Në rajonin e Ballkanit Shqipëria është vendi me prevalencën më të lartë të dhunës me bazë gjinore, sidomos në zonat rurale”, deklaroi Giuseppe Belsito, përfaqësues i “Un Women”.
Dokumentare dhe filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, nga kineastë vendas dhe të huaj, do të shfaqen falas në Kinema Milenium. /Shqiptarja/ KultPlus.com
Shkrimtarë dhe artistë
nga Kosova e Serbia bëhen bashkë në Beograd
Një projekt në mes të Kosovës dhe Serbisë synon të promovojë
shkrimtarët e të dyja vendeve por edhe të hapë debat mbi artin dhe kulturën, dy
fusha që nuk njohin kufinj.
IN THE NEIGHBOURHOOD – është takim dy ditor mes shkrimtarëve
dhe kolumnistëve nga Kosova e Serbia, që do të mbahet në Beograd.
Organizuar nga Asociacioni Krokodil – Engaging Words dhe Belgrade Fund for Political Excellence, në këtë program nga Kosova do të marrin pjesë Jeton Neziraj, Arbër Selmani, Shpëtim Selmani, Rina Krasniqi, Azem Deliu, Gjergj Filipaj, Rrona Jaka, Fjolla Hoxha, Lura Limani dhe Genc Kadriu.
Gjatë dy ditëve të takimit, shkrimtarët dhe kolumnistët nga
Kosova dhe të tjerët nga Serbia do të lexojnë pjesë nga krijimtaria e tyre
letrare por edhe do të marrin pjesë në diskutime të ndryshme, mbi letërsinë
bashkëkohore në Kosovë e Serbi, mbi atë se si këto dy letërsi konceptohen nga
njëra tjetra dhe se si duhet përmirësuar raportimi, përfshirë edhe ai kulturor,
në mes të të dyja shteteve, shkruan KultPlus.
Tanja Šljivar, Marjan Čakarević, Jasna Dimitrijević, Marija Pavlović dhe shkrimtarë e emra të tjerë nga Serbia do të marrin pjesë në këtë takim që do të mbahet në Qendrën për Letërsi Bashkëkohore – KROKODIL në kryeqytetin serb. / KultPlus.com
Kanë qenë të rastësishme shumë prej profesioneve të cilat Eliza Hoxha i ka ushtruar nëpër vite. Po kaq të rastësishme kanë qenë edhe shumë iniciativa të saj, shumë angazhime profesionale dhe shumë vende të punës, por emërues të përbashkët secila rastësi e ka pasur kënaqësinë, disciplinën në punë dhe dashurinë për projektin.
Është jo e lehtë ta përthekosh Eliza Hoxhën në disa pyetje dhe në një mbrëmje kushtuar vetëm asaj. ‘KultWoman’, projekt i KultPlus, e pati mbrëmë Elizën si mysafire të radhës, e cila erdhi para publikut në numër të madh për të treguar rrëfimin e saj artistik në shumë projekte të cilat ajo i ka realizuar.
Gjatë natës, Eliza tregoi për albumin e parë muzikor, për bashkëpunimin me Enis Preshevën, por edhe për albumet të cilat nuk u realizuan asnjëherë.
“Më kujtohet
sidomos pjesëmarrja në Akordet e Kosovës, herën e fundit kur u mbajtën ato, në
vitin 1989. Hera e parë poashtu ka qenë në Akordet e Kosovës kur unë pak qenë
veç 5 vjeçe, me një këngë që e ka kompozuar babai im” tregon Eliza.
Ajo ka punuar edhe si fotografe më pas, për Gazetën ‘Zëri’ asokohe me një emër tjetër, ndërsa kujton këtu një moment me kolegun e saj Halil Matoshi.
“Më kujtohet kur ishim kolegë dhe Halil Matoshi më thotë – kur u bone ti këngëtare. Në këtë kohë kur kam punu në Zëri, në vitet e 90-ta, këndimi ka qenë njëfarë ëndrre peng dhe e pamundur me u realizu. Unë kam pasur më pas paraqitje në Showfest, në Zambakun e Prizrenit, kam disa albume që nuk janë dalë kurrë, njëri prej tyre është ai me Rebeka Qenën dhe me vëllaun tim, një album që nuk ka dalë kurrë e që është në kasetë të cilën e posedon Rebeka” tregon Eliza.
“Më pas, prindërit
i largojnë nga puna ndërsa më kujtohet vëllau im i cili tekstualisht më tha kështu
– Unë po shkoj knej se duhet me bo pare për me jetu – dhe këtë e tha kur nisi
me bo muzikë me kitare. Garazhën e shtëpisë ne e shndërruam në një dyqan që e
pati emrin Liza dhe ku edhe unë me familje shitnim speca, patligjona… sepse
rrethanat ishin të tilla” tregon rrëfimin e saj Eliza Hoxha, gjithmonë duke kërcyer
nga një realitet tek tjetri dhe nga një peripeci në tjetrën, si një grua që ka
jetuar në kohë të ndryshme dhe secilës i është dashur t’i japë diçka prej
energjisë dhe entuziasmit të saj.
****
Është interesant
se si Eliza ka ditur t’i bashkojë të gjitha fushat e veprimit të saj në një të
vetme, shpesh me kryefjalë muzikën. Ajo thotë se një pikë kthese në jetën e saj
ishte Belgjike, ku shkoi për studime postdiplomike, e ndoshta sepse atje kishte
kohë për të menduar, kishte kohë për të reflektuar dhe mbi të gjitha kjo
eksperiencë i shërbeu edhe për ta njohur Prishtinën më shumë.
“Kur kom shku në Belgjikë, atëherë e kom kuptu edhe sa di unë në raport me profesionin tim, me arkitekturën. Aty edhe i kam vërejtë mangësitë e sistemit paralel në Kosovë, duke marrë parasysh se në çfarë kushte kemi mësuar, mirëpo megjihatë ku sistem na ka jepë një bazë sepse përndryshe nuk kishim mujt me marrë bursa dhe me shku me studiu në Belgjikë. Mirëpo ishte një periudhë e mirë sepse pas dy albumeve, vendosa që për kohën sa jam në Belgjikë mos me këndu dhe me u ballafaqu pak edhe me veten time” tregon Eliza.
Eliza më pas nisi
edhe të shkruante.
‘Takohem me Memli Krasniqin i cili i shkruante tekstet e këngëve të mia dhe më tha se më nuk do të shkruante për shkak të pozicioneve të tij politike. Kënga ‘Dëshprimi’ ka qenë e fundit që e ka shkruar Memli për mua. Kësisoj, në muzikë unë kom nisë me i shkru tekstet e mia prej zorit, në njëfarë mënyre. Por edhe këtu e kam gjetur veten mirë sepse kanë dalë tekste si Kënga për Prishtinën – e cila ka lindë gjatë studimeve, njëjtë edhe kënga ‘Për ata që s’janë’. Në karrierën muzikore, me plot xixa dhe me lavde të thurura, erdhi një pike kur i thashë vetes se çka kam unë për krejt këto që i kam përjetu; kam pasur këngën “Revolucion” apo “Drejt ardhmërisë” por këto kishin mesazhe të lehta dhe shtjellime të lehta. Kësisoj nisa edhe të shkruaja, por shkrimi më shoqëroi edhe më vonë” tregon Eliza Hoxha. Nuk është e lehtë ta konkretizojmë kah mbahet më shumë Eliza, por ajo ka provuar të këndojë, ka provuar arkitekturën, shkrimin, fotografinë, dhe jo pak herë edhe pjesën e aktiviteteve humanitare dhe vullnetare.
“Temën e diplomës
e kam pasur retrospektivën për qytetin e Prishtinës, kur nisa me hulumtim dhe
shkrim. Kur erdha në Prishtinë nga Belgjika e pashë se ka tepër pak materiale,
dokumente për Prishtinën, në kuptimin e zhvillimit urban, dhe më pas ishim në
dilemë me profesorin se a duhet të vazhdoj me këtë temë apo jo. Tema është
realizuar megjithatë, por dëshira që të shkruaj për qytetin më mbeti deri në
momentin kur u botua edhe libri ‘Qyteti dhe Dashuria’.
****
Gjatë mbrëmjes së ‘KultWoman’, e cila zgjati për rreth 2 orë, Eliza ka treguar shumë skena e frekuenca tjera të jetës së saj.
Ajo ka folur edhe për ekspozitën në Beograd, kur vitin e kaluar u ndal në kufirin Kosovë – Serbi pasi ka bartur me vete disa fotografi të cilat duket se nuk i pëlqyen policisë në kufi.
“Ato fotografi
mund të shtypeshin edhe në Beograd, dhe u shtypën prej Nismës për të Drejtat e
Njeriut në Serbi. Megjithatë, kur morra ftesën prej Kushtrim Koliqit, i thashë
se nëse i ka parë fotografitë dhe prapë dëshiron t’i ekspozojmë atje, jam e
pajtimit. Ishte ndjenjë pak e tmerrshme, sikur në kohën e regjimit serb në
vitet 90-të, me kontrollën e Policisë në kufi. Aty i gjetën disa fotografi që
nuk ju pëlqyen, njëra prej tyre me flamurin kombëtar dhe me flamurin e Kosovës,
dhe disa fotografi të tjera të cilat vetëm i larguan. Megjithatë, presioni ka
qenë shumë i madh asokohe, edhe prej mediave në Serbi. Madje më kujtohet se një
një intervistë njëra prej pyetjeve ishte, – Kush e vrau Oliver Ivanoviqin, për
mua absurde si pyetje të më drejtohej mua” tregon Eliza Hoxha kur i rikthehet
festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ kur ajo u ndalua në kufirin Kosovë – Serbi për shkak
të fotografive që do t’i ekspozonte në Beograd e të cilat ishin fotografi të
luftës së fundit në Kosovë.
Tregimin e plotë të Eliza Hoxhës mund ta shihni në faqen e KultPlus në Facebook.
Eliza Hoxha ishte mysafirja e radhës në kuadër të ‘KultWoman me…’ projekt i KultPlus dhe i financuar në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’ nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Para Elizës, të ftuara në këtë format të mbrëmjeve artistike ishin Leze Qena, Pranvera Badivuku, Lejla Pula, Ilire Vinca dhe Zake Prelvukaj.
A jeni të interesuar të shkruani dramë për transmetim në radio?
INTENT është bashkuar me kompaninë e shpërblyer të teatrit nga Londra, Tamasha, për ta ringjallur dhe zgjeruar dramën e radios në Kosovë. Si pjesë e këtij projekti, INTENT fton shkrimtarët dhe entuziastët e teatrit në një udhëtim krijues: një seri hap pas hapi e punëtorive të shkrimit me një ekip mbështetës profesional për t’ju ndihmuar ta shkruani, shfaqni dhe ta prodhoni radio-dramën tuaj.
Seria do të nisë me një punëtori një-ditore me dramaturgen kosovare të inskenuar ndërkombëtarisht dhe regjisoren për shfaqje të të rinjëve, Fjolla Hoxha, më 23 mars 2019.
Fjolla do t’i familjarizojë pjesëmarrësit me projekt dhe do t’u ndihmojë atyre që ta zhvillojnë një ide për një dramë të shkurtër radioje që do të prodhohet në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo do ta prezantojmë modelin e shkrimit të dramave replikë, duke iu referuar temës së ‘Identitetit’.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të marrin kopje në gjuhën angleze dhe shqipe të radio-dramës ‘On Kosovo Field’ nga Fin Kennedy (prodhuar nga BBC dhe pjesërisht e inskenuar në Prishtinë) dhe ‘Dimensioni i pestë’ nga shkrimtari britaniko-boshnjak Miran Haxhiç, si frymëzim për t’i ndihmuar ata me idetë e tyre.
Serija do të vazhdojë me një seminar dy-ditor në fund të pranverës me dramaturgun e vlerësuar me çmime britanike dhe drejtorin artistik të Tamasha, Fin Kennedy. Fin ka shkruar dhjetë drama të pasdites për BBC Radio 4 dhe ka përvojë mbi dhjetëvjeçare të mësimdhënies në të gjitha aspektet e dramaturgjisë për studentët e moshave të ndryshme në Britani të Madhe.
Seminari i Fin “Hyrje në shkrimin e radio dramës” do t’i shqyrtojë mënyrat krijuese për t’i treguar tregimet me zë, dhe do t’i prezantojë format e reja të radios, të tilla si podcast-et apo audio dramat e shkurtra. Dita e Dytë do të përmbajë senaca individuale për ta ndihmuar çdo shkrimtar që t’i formësojë idetë e tij/saj në një sinopsis.
Idetë e gjashtë shkrimtarëve do të përkrahen për zhvillim të mëtejshëm dhe të konsiderohen për prodhim në Londër dhe Kosovë midis vjeshtës 2019 dhe verës 2020. Punëtoria do të jetë e përshtatshme për të gjitha nivelet e dramaturgëve ose skenaristëve, si dhe artistët nga forma të tjera të artit, të interesuar për të shkruar për teatër si dhe për përdorimin e tingujve dhe / ose të muzikës si medium për të treguar tregime.
Numri i pjesëmarrësve meritorë është i kufizuar në 15. Punëtoria ofrohet falas dhe do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe shqipe. Aftësitë themelore të gjuhës angleze janë të nevojshme.
Si të aplikoni?
Dërgoni: • CV-në ose ½ faqe të sfondit tuaj profesional/arsimor dhe pse doni të merrni pjesë në punëtori. • Një ekzemplar të shkurtër (max 2 faqe) të shkrimit tuaj • Detalet e kontaktit tuaj – email dhe telefoni mobil. Ju lutemi na dërgoni këto dokumente në [email protected]
Disa radio të rëndësishme në Quebec hoqën nga transmetimi këngët e Michael Jackson pas publikimit në SHBA të një dokumentari që akuzonte këngëtarin e famshëm për akte pedofilie, njoftoi sot për median zëdhënësja e një grupi mediatik kanadez.
”Ne jemi të vëmendshëm ndaj komenteve të audiencës sonë, dhe dokumentari i publikuar të dielën në mbrëmje ngjalli reagime’’, deklaroi Christine Dicaire, zëdhënësja e Cogeco.
”Ne preferojmë të mos jemi indiferent ndaj situatës, prandaj vendosëm të hiqnin për momentin këngët nga valët e stacioneve tona.
Grupi, i cili kontrollon 22 stacione radioje në Quebec dhe një në Ontario, mori këtë vendim pas publikimit të dielën të dokumentarit “Leaving Neverland’’ në televizionin amerikan HBO. Në këtë film që zgjaste rreth 4 orë, dy burra dëshmojnë për abuzimet seksuale që ata kishin pësuar nga ana e këngëtarit për disa vite ndërsa ishin ende minorenë./ Javanews/KultPlus.com
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 6 mars organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, shkruan KultPlus.
Të gjithë aktivistët, artistët dhe qytetarët janë të ftuar për për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave
këtë vit përmes leximit për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre.
“Çdo ditë është 8 mars, çdo ditë jemi këtu e çdo ditë duhet
çmuar”, shkruhet në njoftimin e ngjarjes.
Në këtë organizim mund të takoheni me poetët Ilire Zajmi,
Shpëtim Selmani & Nora Prekazi dhe artistet Melihate Qena, Anisa Ismaili,
Qendresa Kajtazi & Daniela Markaj.
Ngjarja do të mbahet në librarinë Dukagjini në Prishtinë/Sheshi Nëna Terezë prej orës 19:00. Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margariti pati një takim të veçantë me veprimtaren e shquar të diasporës shqiptare në Izrael, Felicita Jakoel, fituese e Shqiponjës së Artë në Samitin e Diasporës dhe Ambasadore e Diasporës dhe juristin Agron Alibali për një histori unike, për një popull që shpëtoi falë të drejtës zakonore shqiptare të quajtur BESA apo më bukur akoma “N’dorën tande” si thirrje e ardhur nga Qielli.
”Diskutuam për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, një nga inspektimet e mia të para në zonën e Qendrës Historike, Vlorë, e cila po ndryshon nga dita në ditë. Ministria e Kulturës mbetet e angazhuar në një mbështetje institucionale për këto nisma që evokojnë përvojën thuajse unikale të shqiptarëve për shpëtimin dhe ruajtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Me juristin Agron Alibali diskutuam për nismën private dhe të pavarur të një grupi aktivistësh shqiptaro-hebraiko-amerikanë për kthimin në atdhe të trashëgimisë bibliotekare dhe arkivore të albanologut të shquar, Norbert Jokl”, u shpreh ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë takim.
”Ka ardhur koha të vendosim në vend amanetet. Amanete që na mbërrijnë nga veprimtarja e shquar, Johanna Gerechter Neumann, familja e së cilës erdhi në Shqipëri pikërisht 80 vjet më parë dhe ishte një nga mijëra familjet hebre të shpëtuara. Trashëgimia e Joklit në tërësi ende mbetet e pakthyer”, tha Margariti.
”Jemi vetëm në fillim të punës, por me veprimtare si Znj, Jakoel Kryetare e Shoqatës Izrael-Shqipëri, e cila ka folur në qindra aktivitete në mbarë botën për rolin e Shqipërisë gjatë Holokaustit jemi shumëpranë ngritjes së Muzeut Unikal të Hebrenjve në Shqipëri”, përfundoi ministria e Kulturës Elva Margariti./A.T.SH./ KultPlus.com
Arata Isozaki është shpallur fitues i çmimit prestigjioz për arkitekturë, “Pritzker”.
Isozaki merret me këtë profesion që nga 1960-tat , dhe është konsideruar vizionar i arkitekturës për qasjen e tij transkombëtare dhe patrembshëm futuriste ndaj dizajnit, shkruan Arch Daily.
100 ndërtesa janë krijuar falë punës së tij, dhe Isozaki njihet si arkitekt me ndikim tek bashkëkohësite vet.
Ai është arkitekti i 49-të gjithsej, dhe i teti nga Japonia që e pranon këtë çmim.
“…në kërkimin e tij për arkitekturë të kuptimtë, ai krijoi ndërtesa të cilësisë së madhe që edhe sot i sfidojnë kategorizimet, e reflektojnë evoluimin e tij konstant dhe janë gjithmonë të freskëta për nga qasja”, janë fjalët me të cilat juria ia ndanë çmimin atij.
Televizioni publik holandez NPO3 ka publikuar një reportazh nga Kosova, në veçanti Prishtinën dhe Prizrenin, si vende që duhet vizituar nga turistët holandezë.
Kosova është një vend ideal për ata që e duan aventurën. Gryka e Rugovës ofron këtë mundësi, nëse s’keni frikë sigurisht, përcjell albinfo.ch.
Prishtina ofron shumë mundësi, si për jetën e ditës, ashtu edhe atë të natës. Televizioni holandez tregon edhe për statujën e Bill Clintonit, ish-presidentit amerikan që kontribuoi për Pavarësinë e Kosovës.
Mosha mesatare në vend është 26 vjet, ku jeta e natës është shumë e gjallë, por edhe e lirë, përcjell tutje albinfo.ch.
1.5 orë larg nga Prishtina është Prizreni. Qyteti ku shumica janë myslimanë dhe ka shumë xhami.
Prizreni është gjithashtu kryeqyteti kulturor i Kosovës. Gjatë verës organizohet “DokuFest”, ku gjithashtu sjell shumë turistë të huaj.
Ferdi Limani, me 6 mars vjen me ekspozitë digjitale dhe bisedë në Prishtinë.
Pas studimeve të gazetarisë, Ferdi Limani filloi të punojë për gazetat ditore në Kosovë dhe bashkëpunoi me agjenci të ndryshme ndërkombëtare.
Pas studimeve të gazetarisë, Ferdi Limani filloi të punojë për gazetat ditore në Kosovë dhe bashkëpunoi me agjenci të ndryshme ndërkombëtare.
Puna e tij mori tjetër kahje kur u ngarkua ta dokumentoj deklaratën e pavarësisë. Ai do të sjell fotografi të pa publikuara më parë të asaj ngjarje. Po ashtu fotografi të tjera të realizuara viteve të fundit, në Siri, Ugandë, Francë e po ashtu edhe serinë e fotografive për personat e pagjetur në Kosovë.
Emocioni, përditshmëria e njerëzve që përballen me probleme të ndryshme në vendin ku jetojnë, dhimbja, humbja e shpresa projektohen në fotografitë e Ferdit. Ai do të shpalosë historitë prapa secilit cikël të fotografive të tij e po ashtu dhe do të flas për përvojat e përjetimet personale që lidhen me udhëtimet që i ka bërë.
Ferdi për herë të parë prezanton fotografitë e tij para publikut kosovar në “Project Space”. Kjo ekspozitë e tij digjitale përcillet me një bisedë intime e rrëfime që ai do t’i ndaj me ne. Emocioni, përditshmëria e njerëzve që përballen me probleme të ndryshme në vendin ku jetojnë, dhimbja, humbja e shpresa projektohen në fotografitë e Ferdit.
Ai do të shpalosë historitë prapa secilit cikël të fotografive të tij e po ashtu dhe do të flas për përvojat e përjetimet personale që lidhen me udhëtimet që i ka bërë.
Ferdi për herë të parë prezanton fotografitë e tij para publikut kosovar në “Project Space”. Kjo ekspozitë e tij digjitale përcillet me një bisedë intime e rrëfime që ai do t’i ndaj me ne.
Diçka e re, jo gjithmonë bie në sy. Jo rrallë herë risjellja e të vjetrave në jetë, na fascinon. E tillë është kjo hapësirë shumë ftuese për të të shuar kureshtjen. Dikur menzë e punëtorëve të “Ramiz Sadikut”, sot, po e njëjta hapësirë, po bëhet nikoqire e shumë ngjarjeve, netëve muzikore, drekave e kafeve shoqërore, takimeve të të dashuruarve e shumëçka tjetër. Tani aty njerëzit do të ndajnë shumë të qeshura, do të kenë mundësi të shijojnë një menu fantastike dhe do të kënaqen me pamjet e një ambienti brutal, që ndoshta për herë të parë, të ngjallë ndjenjën e butësisë dhe qetësisë.
Objekti ka një hapësirë prej 340 metrash katrorë me plus 150 metra tarracë, ndërsa tavanet kanë një lartësi prej 5,25 metrash. Përveç muralit në të cilin kishin hasur gjatë punimeve, ata kishin gjetur edhe dy xhaketa të punëtorëve të atëhershëm, të cilat tani do t’i shkojnë koleksionit të artistit Maksut Vezgishi.
“Menza e Ramiz Sadikut” është lokacioni më i ri i cili i është bashkuar zinxhirit të restauranteve në kryeqytet, por padyshim, historia që bart ky vend është ndër linjat e trasha që e dallojnë atë nga “turma”.
“Menza e Ramiz Sadikut” padyshim që është një pikë e re e referimit për qytetin e Prishtinës, e cila ka ngjallur mjaft interesim tek opinioni. Ajo qëndron e hapur gjashtë ditë të javës, duke ofruar ngrohtësi dhe mikpritje për të gjithë njerëzit që zgjedhin ta vizitojnë. / Ndërtimi.Info / KultPlus.com
Shkrimtarja Flutura Açka, në një bashkëbisedim me Adi Krastën ka rrëfyer emocionin më të fuqishëm të jetës së saj, dhimbjen e madhe prej humbjes së djalit të saj.
Në një gjysmë orë
intervistë, Açka ka ndarë tregimin për sëmundjen e djalit dhe se si ajo mësoi
shumë nga ky djalë i ri 17 vjeçar që nuk jeton më.
Açka mes tjerash tregon se i biri i saj, Jerin, kishte edhe Prishtinën si një vend që donte ta vizitonte.
“Thethin,
Prishtinën, Tiranën edhe Firencen, këto katër vende i dashuronte shumë. Këto vende
ku kemi qenë të lumtur, por ka kaq shumë vende ku kemi qenë të lumtur” tregon
Açka, e tëra e rrëmbyer prej dhimbjes por edhe si një grua e fortë duke e
mbajtur veten.
“Jam ende në procesin e zisë së thellë. Ai do të mbetet djali që nuk do të ndryshojë kurrë në moshë….. Ditët e fundit ai kërkonte gjëra shqiptare, petulla, çaj mali, ujë të ftohtë nga çesma, u kthye te thelbi, se si shkon njeriu te thelbi aty e kam parë, e kam parë me tim bir” tregoi Açka.
Akademia e Suedisë sivjet do t’i ndajë dy çmime Nobel për Letërsi, sipas një raporti nga një gazetë suedeze.
Vitin e kaluar ky çmim nuk ishte dhënë për herë të parë që nga viti 1949, pas skandalit që e preku institucionin, shkruan KlanKosova.
Pas një takimi me fondacionin të martën, Dagens Nyheter, ka raportuar që sekretari i përhershëm Anders Olsson, e ka konfirmuar që të dyja çmimet për letërsi do të jepen më 2019, në mënyrë që të kompensohet mungesa e dhënies së këtij çmimi për vitin 2018.
Akademia ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim./KultPlus.com
Në përkujtim të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka filluar mbledhjen e sotme me një minutë heshtje dhe nderim për sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në luftën për liri.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”.
“Me plotësim ndryshimin e sotëm të vendimit, ndahen 100 mijë euro për realizimin e këtij projekti”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Selmani, sipas tekstit të kuratores Natalija Paunić, merret me gjërat që janë të zakonshme, poashtu. Qeset e plastikës si dhe kamionët që shpërndajnë gjëra për secilin prej nesh kanë një relevancë, por të dyja megjithatë e dëmtojnë planetin çdo ditë. Në Bashkimin Evropian, qeset e plastikës kanë aq shumë reputacion të keq saqë rrallë dikush i përdorë, por një gjë e tillë nuk qëndron në Ballkan. Sikur moda, edhe qeset e plastikës në këtë vend bëhen simbol i statusit, ose i neglizhencës për botën globale dhe i mungesës së konsideratës për të, dhe për ruajtjen e mjedisit. Kësisoj shkruan kuratorja kur i referohet artistit Selmani, duke lënë në mister paraqitjen e tij në ekspozitë.
Selmani do të paraqitet në ekspozitë me disa punë artistike, mes tyre edhe: When I See Nothing, 2019, c-print në Alumin, Believe, 2019, Qese plastike, ngjyrë permanente dhe A bag full Of Yes, 2019, Qese plastike, ngjyrë permanente.
A bag full Of Yes, 2019, Qese plastike, ngjyrë permanente. (Foto: Majlinda Hoxha)
Jaknet MONT të cilat edhe në Ballkan kanë qenë për shumë kohë në modë, janë pjesë e ekspozitës në fjalë, shkruan KultPlus.
Selmani ka ekspozuar në Itali, në Shqipëri, Kosovë, Vjenë, Amsterdam, Budapest e Greqi, mes vendeve tjera ku ka qenë pjesë e ekspozitave solo dhe ekspozitave kolektive. / KultPlus.com
Një sukses i Ansamblit ‘Zëri i Kosovës’ do të jetë pjesëmarrja në Festivalin Botëror Fing Abdulaziz Camel Festival në Arabi Saudite.
Nën dirigjimin dhe koreografinë e profesorit Dilaver
Kryeziu, ky Ansambël do të udhëtojë nga data 8 deri me 19 mars për në Riad të
Arabisë Saudite.
Për këtë ka njoftuar për KultPlus vetë Dilaver Kryeziu, duke treguar se pjesëmarrja e tillë është mjaft e rëndësishme për Ansamblin e të rinjve e të rejave në Fushë Kosovë.
Ansambli do të performojë disa valle me motive shqipe.
Kryeziu, në anën tjetër, do të vazhdojë qëndrimin e tij sepse do të ligjërojë në dy Universitete në Arabinë Saudite për kulturën, traditën, folklorin dhe vallen shqipe.
Udhëtimin në fjalë do ta mundësojë Komuna e Fushë Kosovës. / KultPlus.com
Do të jetë Eliza Hoxha, mysafirja e radhës në kuadër të ngjarjeve ‘KultWoman me…’.
Organizuar prej KultPlus – të parës gazetë online shqiptare
për art dhe kulturë, me datë 6 mars duke filluar prej orës 17:00 mund ta takoni
Elizën dhe ta dëgjoni rrëfimin e saj inspirues.
Eliza, një arkitekte dhe një artiste e formuar, do ta ndajë me audiencën tregimin e saj të suksesit, vështirësitë e këtij rrugëtimi por edhe përmbushjen e saj në të gjitha projektet që ajo i realizon me shumë sukses.
‘KultWoman me…’ e ka këtë qëllim, të sjellë në vëmendje gratë të cilat ndër vite i kanë dhuruar shumë artit dhe kulturës në vend.
Me Elizën përmbyllet cikli i parë i grave pjesëmarrëse. E nisëm me Leze Qenën, më pas me Pranvera Badivukun, Zake Prelvukajn, Ilire Vincën dhe Lejla Pulën.
Ngjarja mbahet në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian.
https://www.youtube.com/watch?v=l4XIWGhwHKk
Ju ftojmë në këtë ngjarje, e cila është e hapur për të gjithë. ‘KultWoman me…’ është projekt i realizuar prej KultPlus, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’