Humza që përdorej nga gjyshet tona, inspirim për kompaninë e Arbërore Rizës

Gili Hoxhaj

Pasionin shumëvjeçar, Arbërore Riza tanimë e ka shndërruar në profesion. Ajo e ka pasur ëndërr të kamotshme që të merret me prodhimtari, por ëndrra e saj më e madhe ka qenë që  në produktet e saj të shkruhet MADE IN KOSOVO.  Gjatë studimeve të saj në Britaninë e Madhe dhe në Romë, atje kishte hulumtuar produktet natyrale, mirëpo pa pasur idenë që një ditë vet ajo do t’i prodhojë ato. Riza është themeluese e kompanisë vendore “HUUMë” e cila merret me prodhimin e produkteve të higjienës personale, më saktësisht, të prodhimeve të sapunëve, balsameve për buzë, etj.

Produktet janë 100% natyral  dhe janë të punuara me dorë me metodën e procesit të ftoftë, ku shumica e përbërësve janë organikë që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian. Në këto produkte  është i dallueshëm edhe aspekti artistik, pasi që produktet të cilat shpesh marrin forma të ndryshme që lidhen me produktet e natyrës. Ato edhe të paketuara dhe në ambiente të brendshme, duket sikur po qëndrojnë diku në natyrë.

Arbërore Riza në  një intervistë për KultPlus tregoi se fillimisht prodhimin e kishte fokusuar për nevoja të veta dhe të rrethit familjar, duke u zgjeruar tani në zhvillimin e kompanisë.

“Ishte një rrugëtim i gjatë. Gjatë qëndrimit tim ne Britaninë e Madhe, ku edhe kam përfunduar studimet Bachelor e më pas kam vijuar studimet Master ne Romë, gjatë gjithë kohës kam hulumtuar produktet natyrale, edhe pse nuk a kam ditë që një ditë do të jem unë ajo që do t’i prodhoj këto produkte. Fillimisht, fillova me prodhim për nevoja të mia, duke u zgjeruar tek rrethi familjar, e më pastaj edhe te miqtë e mikeshat e mia. Çdo sukses i produkteve fillestare ishte shtytje shtesë për punë të mëtutjeshme. Hulumtimet në libra, internet ishin të pafundme. Më ishte bërë pjesë e jetës. Dhe erdhi momenti, pas shumë e shumë testimeve, të vendosi që të prodhoj për tregun vendor”, tregon Riza për fillimet e saj.

Kompania HUUMë operon që nga muaji korrik 2018 dhe ka arritur që deri tani të sjell 8 lloje të sapunëve, kurse së shpejti do të lansojnë edhe deodorantin 100% natyral.  Me një paketim prej druri dhe elemente te natyrës, ato që në dukje tregojnë për produkte tejet natyrale. Arbërore Riza, duke qenë për nga natyra idhtare e tradicionales që gjërat mundohet t’i modifikojë sipas kohës së sotme, ajo këtu kishte gjetur edhe inspirimin për ta emëruar kompaninë e saj. Riza thotë se emërtimi i kompanisë HUUMË lidhet me trashëgiminë dhe mënyrën se si e kanë mbajtur pastërtinë më herët në Kosovë.

“Në kohërat më të vjetra, edhe atëherë e kanë mirëmbajt pastërtinë e trupit me produkte që iu ka ofru natyra. E tek ne në Kosovë këtë gjë e kanë bërë me humë/argjilë e gjelbër. Andaj, kjo ishte ideja fillestare për emërtimin e kompanisë dhe, gjithnjë duke i mbet besnike tradicionales, dhe arsyeja pse në emërtim i kam 2 shkronja të njëjta U (HUUMë) është se kur e shqiptojmë fjalën humë disi e zgjasim këtë shkronjë më shumë gjatë shqiptimit. Pra, emërtimi i kompanisë ka të bëjë me trashëgiminë tonë”, u shpreh tutje Riza.

HUUMë është kompania e parë e llojit të tillë të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë. Riza tregon se produktet e HUUMë-s, përveç që ushqejnë natyrshëm lëkurën tonë, kanë dhënë rezultate të shumta në përfitimet që kanë sjell, ndërsa ajo thekson se këto produkte kanë edhe efekte shëruese.

Arbërore Riza ka një porosi që të blihen sa më shumë produkte natyrale, ndërsa thotë se duhet të hulumtohen gjithnjë përbërësit dhe efekti që mund të kenë tek organizmi.

“Porosia ime është kjo: Bleni produkte natyrale, largojuni produkteve industriale, sepse, ato përmbajnë toksina apo kimikate të cilat në periudha të ndryshme kohore bëjnë që shëndeti i juaj të dobësohet. Nëse jeni idhtare të produkteve natyrale, e keni mundësinë t’i provoni produktet e HUUMë-s, të cilat produkte janë 100% natyrale, ku 85% të tyre janë organike, janë produkte të testuara dermatologjikisht, pa asnjë kimikat, dhe mbi të gjitha prodhim kualitativ dhe vendor”, tha për fund ajo.

HUUMë është prezente me produktet e saja pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës (kryesisht në barnatore dhe dyqane bio/natyrale).  Produktet e HUUMë gjenden edhe në Tiranë në dyqanin BioSHop, ndërsa aktualisht janë në fazën e përgatitjes për tregun e Maqedonisë, ndërsa kërkesat nuk kanë munguar as nga tregu i Britanisë së Madhe.

“Pas një kërkese të një dyqani me produkte bio në Londër (Britani të Madhe), së shpejti do të jemi prezent edhe atje”, tregon Arbërore Riza./ KultPlus.com

Pink nderohet me çmimin për “Arritje Jetësore” në “Brit Awards”

Mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve britanike, “Brit Awards” ka dhuruar shumë çmime për disa nga yjet e muzikës.

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, arriti të marrë edhe një çmim në këtë mbrëmje: atë të “këngës më të mirë britanike”, për këngën “One Kiss”, në bashkëpunim Calvin Harris.

Ndërsa këngëtarja Pink në këtë mbrëmje është nderuar me çmimin për “arritje jetësore”.

Në videon promovuese të çmimit për këngëtaren janë cituar sukseset e shumta që ajo ka pasur ndër vite, dhe në veçanti ylli i saj i sapo shtuar në “Walk of Fame”.

Pink është ngjitur e emocionuar në skenën e “Brit Awards” për të marrë këtë çmim honorifik, teksa ka falënderuar pa masë fansat e saj për mbështetjen, transmeton rtk.

“Faleminderit shumë, babai im është shumë i emocionuar tani. Faleminderit juve që më keni besuar”, ka thënë ndër të tjerash Pink, pasi ka marrë trofeun.

Një kërcim për paqen me Arta Dobroshin

Ti na bëre të kërcenim të gjithë! – i them aktores Arta Dobroshi.

Ajo qesh.

– Atëherë do doja ta fotografoja për mua kërcimin tuaj, – vazhdoj unë.

– Me gjithë qejf, – përgjigjet ajo dhe u tërhoq në sfondin e bukur të asaj salle në “Hôtel Raphael”, ku ishim mbledhur për të festuar festën e Kosovës.

Ambasadori i Kosovës, Qëndrim Gashi na foli për surprizën e tij në këtë ceremoni, për praninë aty të aktores së famshme Arta Dobroshi, këtë Ambasadore të Paqes, e cila përreth asaj salle kishte vendosur fotografi të rinjsh anonimë që bënin një kërcim për Paqen. Thjeshtë një kërcim. Një kërcim i bukur. Do donim të kërcenim kështu për Paqen gjithë jetën.

– Atëherë ti do numërosh deri në tre dhe unë do hidhem! – më thotë ajo ëmbëlsisht.

Dhe kështu tërhiqet pranë flamurit të Kosovës.

– Një, dy, tre! – dhe unë fotografoj atë kërcim ajror.

Është i bukur ky kërcim, kjo zgjatje e trupit në kërkim të diçkaje sublime, ajrore, nuk është divine, por shumë tokësore, pasi Paqja është thirrje, klithmë, nanuritje, ç’të duash, veçse dëshirë për një botë më të mirë dhe pa luftë. Nga vjen kjo thirrje?- mendon dikush… Dhe përgjigja është vetë në emrin e saj. Ajo vjen nga Kosova. Vjen nga lufta dhe mizoria. Vjen nga klithma e madhe e lirisë dhe e paqes.

Po, është magjike ta shohësh këtë kërcim paqeje këtu, dy hapa nga Sheshi i Harkut të Triumfit, dy hapa nga ajo sallë ku u firmos dokumenti i Rambujesë. Ja pse fluturimi i saj kishte shumë hire, përtej hireve të trupit dhe zemrës së një vajze, të një gruaje.

Eja të kërcejmë sërish e dashur! A mund ta prekim paqen?

Motra religjioze Edith, në dejet e së cilës ka shumë dashuri e përkushtim shqiptar, ka një ngazëllim të madh. Ato shkëlqejnë nën rrezet e atij dielli të bukur që depërtojnë aty, nga cepi i Harkut të Triumfit. Ngazëllehen pasi shumë vite më parë, kur Arta ishte një vogëlushe, ajo e kishte parë në oborrin e gjyshes së saj, atje në Kosovë. Sa pikëtakim i bukur ta gjejë sërish këtu dhe për më tepër me një kërcim të tillë. Do të donte padyshim që ky kërcim të mos mbaronte kurrë.

Eja të vallëzojmë e dashur, me atë trup të bukur sikur të kërcejë vetë Kosova. Shoh Artën dhe ndjej dehjen e saj. Ja çdo të thotë të dehesh pas shumë mizorish, vdekjesh, humbjesh. Nuk ishte diçka nga përrallat. Ishte një e vërtetë klithëse.

Eja të kërcejmë e dashur, Kosovë e dashur, në këtë dans të Paqes. Të gjithë do të na ndiqnin nga pas.

Arta Dobroshi vazhdon kërcimin e saj përmes artit, forcës së saj aktoriale në shumë nga skenat e botës. Ka një energji të jashtëzakonshme në vështrimin e saj, në atë gjoks të hapur si një Marianë franceze të kohës së Revolucionit dhe të kohërave moderne. Ti je një Marianë e dashur, mërmëris nën zë, një Marianë e Kosovës.

E imagjinoj atë zemër, e ndjej atë puls. Ç’gëzim për një vajze si ajo. Ç’gëzim për një Kosovë që feston Pavarësinë e saj në tokën e Francës, ç’gëzim kur një natë më parë flamuri i Kosovës ishte shpalosur atje në Harkun e Triumfit, pranë flakës së varrit të Ushtarit të Panjohur. Martirët pikëtakohen gjithnjë.

Arta Dobroshi nuk e kishte imagjinuar se një ditë flamuri i vendit të saj do të shpalosej atje ku ishte ngritur flamuri për Hygonë, ai flamur që e kishte mbuluar arkivolin e tij për ta shoqëruar gjer në portat e Panteonit. Nuk e kishte imagjinuar aty nën dritën e flakëve që shndrisnin, në atë flakë të përhershme që na kujton gjithnjë martirët e Francës, të Kosovës, të mbarë botës.

Eja të kërcejmë sërish e dashur. Dua që ky dans të mos reshtë kurrë!…Luan Rama/ Gazeta Shqiptare.

Kjo është performanca e Dua Lipës në Brit Awards

Dua Lipa para pak minutash e ka përfunduar performancën e saj në Brit Awards 2019.

Ajo ka kënduar ONE KISS së bashku me Calvin Harris, këngë tanimë shumë e suksesshme e Duas.

https://www.youtube.com/watch?v=2FoZM7z0A8I&feature=youtu.be&fbclid=IwAR0h3VZ5YJFrC9-CyjtO4qAYz1m2A5YuEjgjZsKmdk4NyFFpTaztbtGlyNw
https://twitter.com/Lipa_Vibes/status/1098331653074808832

Letra e një burri drejtuar të gjitha grave

Nuk ka rëndësi se sa peshon, është joshëse të prekësh, të përqafosh dhe përkëdhelësh trupin e një gruaje. Ne burrave nuk na bën përshtypje të dimë sesa peshon një grua.  As ia kemi idenë se çfarë mase ka ajo apo nëse është apo jo “në formë”. Kuptimi ynë mbi format është i ndryshëm. Neve nuk na intereson gjatësia në centimetra, është çështje proporcionesh, jo masash. Një grua me formë të mirë duhet të jetë e rrumbullakët dhe me tule. Ky është ai lloj trupi që ne, pa dyshim, e vëmë re në çast. Vajzat e holla që sfilojnë nëpër pasarela ndjekin tendencën e dëshiruar nga stilistët, të cilët, që të flasim hapur, duket sikur i urrejnë gratë dhe konkurrojnë me to. Modelet e tyre janë dëshpërimisht të thata.

Grimi është shpikur që gratë ta përdorin. Përdoreni pra! Po të qe për fytyra “ujë e sapun”, na mjaftojnë tonat. Fundet janë shpikur për të nxjerrë në pah këmbët tuaja fantastike. Ka një arsye pse natyra ju ka bekuar me forma dhe, e përsëris, na pëlqeni kështu. Të mbulosh këto forma është njëlloj si të mbash në bodrum divanin më të mirë.

Është ligj i natyrës që të gjithë ata që martohen me një grua të dobët, anoreksike, bulimike dhe nervoze, më vonë kërkojnë një të dashur topolake, simpatike, që duket sikur shpërthen nga shëndeti. Të rejat janë padyshim të këndshme. Por ato pas të dyzetave? Për to jemi gati ta marrim oqeanin me not.

Trupi ndryshon, moshohet. Mos bjer në dëshpërim nëse nuk të bën më fustani që kishe kur ishe 18 vjeçe. Një grua 45-vjeçare që hyn në fustanin që kishte kur ishte 18 ka probleme zhvillimi ose është duke shkatërruar veten.

Neve na pëlqejnë gratë që kanë një jetë të ekuilibruar dhe dinë të kontrollojnë ndjenjat e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur duan të hanë, hanë me shije (dieta fillon pas shtatorit, jo më parë) dhe kur duan të mbajnë një dietë, e bëjnë me qejf (pa dëmtuar veten dhe pa vuajtje). Neve na pëlqejnë gratë që momentet intime me partnerin i shijojnë ngadalë; na pëlqejnë gratë që kur duan të blejnë diçka e blejnë dhe kursejnë kur duan ta bëjnë një gjë të tillë.

Disa rrudha në fytyrë, disa shenja në bark e nëpër këmbë nuk të bëjnë më pak të bukur.  Ato janë dëshmi se keni bërë diçka në jetën tuaj dhe nuk e keni kaluar kohën nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Trupi i gruas është i shenjtë, prej tij ka lindur i gjithë njerëzimi. Ndaj, kujdesuni për veten dhe dashuroni. Kjo është bukuria!

Leter anonime.Përktheu: Elona Qose/ botimetshqip.com/ KultPlus.com

Shqiptarja Dorina Lluka, pjesë e ekipit të YMCA në Kombet e Bashkuara

Sukses i madh është përzgjedhja e Dorina Lluka Davies për të qenë pjesë e YMCA në OKB për dy vitet e ardhshme.

Dorina është pjesë e YMCA Kosova tash e disa vite por lajmi i fundit është më i suksesshmi. YMCA është organizatë e njohur jofitimprurëse, e cila angazhohet shumë edhe për të drejtat e njeriut.

“Sot jam e nderuar që YMCA Bota më ka përzgjedhur të jem pjesë e ekipit I cili do të përfaqeson organizatën më të vjeter dhe me të madhe të rinisë #YMCA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për dy vitet e ardhshme.
Duke e ditur që Kosova nuk është antare në OKB ndihem edhe më shume krenare që do ti përcjell kërkesat e rinise tonë me anë të organizatës YMCA duke filluar nga takimi I rradhës së ECOSOC Youth Forum 2019 në New York të ShBA-së.

#SDGs #youthempowerment #WorldYMCA”

Këtu mund ta përcillni Brit Awards 2019, shikoni nominimet e Dua Lipës dhe Rita Orës (LIVE)

Edhe pak minuta fillon ceremonia e madhe e Brit Awards 2019. Dua Lipa është këngëtarja më e nominuar për “Brit Awards”, së bashku me Anne Marien me nga katër nominime.

Këtu mund ta përcillni Brit Awards 2019, shikoni nominimet e Dua Lipës dhe Rita Orës (LIVE)

Edhe pak minuta fillon ceremonia e madhe e Brit Awards 2019. Dua Lipa është këngëtarja më e nominuar për “Brit Awards”, së bashku me Anne Marien me nga katër nominime.

Këngëtarja me prejardhje nga Prishtina, me këngët “IDGAF” si dhe “One Kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris, është nominuar në kategorinë “British Single”.

https://www.youtube.com/watch?v=VBSATGW1hNY

Me këto dy këngë Lipa është nominuar edhe në kategorinë videoklipi më i mirë. Për këtë çmim është nominuar edhe Rita Ora me këngën “Let Me Love You”./ KultPlus.com

Shqiptari që la pa fjalë jurinë e ‘The Voice’ në Francë (Video)

Gjon Muharremaj, ka mahnitur jurinë e Albania’s Got Talent 8 vite më parë, tani të njëjtën gjë ka bërë edhe me jurinë e The Voice France.

Pak ditë më parë ai ka kaluar me sukses audicionet e fshehura, ndërsa me zërin e tij i ka lënë pa fjalë anëtarët e jurisë, ku të gjithë kthyen karriget për të.

Gjoni ka lindur në Francë mirë prindërit i ka shqiptar. Babai nga Kosova dhe nëna nga Tirana. Gjoni flet shumë mirë shqip, ai ka edhe një këngë që titullohet “Babi”./ njekomb/ KultPlus.com

Kompozitori i ‘Nëntori’ dhe ‘Më fal’ do ta kompozojë këngën e Maqedonisë në Eurovision


Do të jetë këngëtarja Tamara Todevska ajo e cila do të dërgojë Maqedoninë në Eurovizionin e këtij viti, në muajin maj.

Tamara ka provuar edhe një herë më parë ta përfaqësojë Maqedoninë në Eurovizion, në vitin 2008, atëherë bashkë me Adrian Gaxhën, por nuk u futën në finale.

Këtë vit, Tamara do të bashkëpunojë mes tjerash edhe me kompozitorin e njohur Darko Dimitrov. Dimitrov është i njohur edhe për bashkëpunimet e tij me emrat shqiptarë të muzikës, si Rosela Gjylbegu, Altuna Sejdiu, Pirro Çako, Elvana Gjata, Aurela Gaçe, Arilena Ara e artistë të tjerë.

Ende nuk është publikuar kënga e Tamarës, por me vulën e Dimitrov dhe bashkëpunëtorëve të tij do të jetë padyshim një krijim i rëndësishëm dhe i fortë në garën e Eurovizionit. / KultPlus.com

Qerkica, transgjinorja nga Kosova në ekspozitën ‘Trans Balkan’

Një ekspozitë në Beograd po e dokumenton jetën dhe realitetin e personave transeksualë në Ballkan.

Njerëzit transgjinorë dhe transeksualë dhe të cilët diskriminohen shumë në Ballkan, megjithatë jetojnë dhe provojnë mbijetesën në një shoqëri si Ballkani – mbushur me stereotipe dhe urrejtje.

Pjesë e ekspozitës madje është edhe Qerkica, një transgjinore e cila jeton jo shumë larg Prishtinës.

Autori i ekspozitës tregon se ka qenë në Prishtinë dhe duke pirë kafe me personazhin, dikush ka ardhur dhe e ka pështyrë në fytyrë Qerkicën. Kjo e ka bërë atë të ndihet keq dhe të fokusohet që në të ardhmen të dokumentojë jetën dhe vuajtjet e këtij komuniteti, që në fund të fundit dëshiron vetëm të jetojë jetën normale.

Aleksandar Crnogorac është artisti që ka hapur ekspozitën në Beograd, e cila do të qëndrojë e hapur deri me 22 shkurt, në Doma Omladine në kryeqytetin serb, shkruan KultPlus.

“U vërejt prej reagimit të Qerkicës se kjo nuk ishte hera e parë që ajo përjetonte diçka të tillë. Ishte mësuar me ofendimet dhe brutalitetin ndaj saj. Mua më erdhi turp që isha aty dhe isha dëshmitar i asaj që ndodhi. Njerëzit që ishin aty rreth nuk vepruan asgjë, pra edhe ata u bashkuan në këto ofendime” tregon fotografi për historinë e Qerkicës, 42 vjeçare, fotografia e së cilës është në ekspozitë

Ai ka udhëtuar në shtetet e Ballkanit për të fotografuar transeksualët e transgjinorët. / KultPlus.com

Këngët për fëmijë me të cilat u rritëm

Dikur këngët për fëmijë ishin shumë më kualitative dhe më edukative se sot. Gjeneratat e mëparshme, fëmijët e dikurshëm, dëgjonin me ëndje këngët për fëmijë dhe vizitonin festivalet si Polifest e Showfest, ku këndohej edhe kënga për fëmijë.

Një natë e veçantë gjithmonë i është kushtuar më të vegjëlve, në këto festivale të cilat sot nuk ekzistojnë.

Se sa fëmijët janë edukuar me ato këngë, ia vlen të kujtojmë disa këngë për fëmijë që sot, disa prej nesh, i dijmë përmendësh.

https://www.youtube.com/watch?v=5RSoAql1_jM
https://www.youtube.com/watch?v=SJsJD82ChQg

Emrat si Adea Pula, Nazmije Selimi, Astrit dhe Blerta Ismaili, Rina e Nita Krasniqi, Lirika Krasniqi, Feime Salihu, Arbnora Bahtijari apo Ema Smajli ishin këngëtarë të njohur që kënduan këngët e tyre, fituan festivale dhe shpesh dolën në televizor, gjithmonë shumë simpatik për publikun.

Ndërron jetë marinari i puthjes së famshme në Times Square

Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare marinari i marinës amerikane, George Mendonsa, i njohur në botë për fotografinë e famshme të puthjes së tij me një vajzë.

Mendonsa vdiq të dielën pas një infarkti në zemër, vetëm disa ditë përpara se ai të mbushte 96 vjet, ka pohuar vajza e tij Sharon Molleur, transmeton Klan Kosova.

Fotografia e famshme e marinarit amerikan, u shkrep kur në 1945 ai puthi një vajzë në sheshin Times Square në New York, në ditën e njohur si e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndryshe 14 gushti njihet si dita kur Japonia kapitulloi zyrtarisht ndaj SHBA-ve, njofton Klan Kosova./ KultPlus.com

Hoti reagon për 180 mijë eurot që u ndanë për filmin “Lojë jete”

Javën e kaluar, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e 180 mijë eurove për financimin e realizimit të filmit “Lojë jete”, me skenar e regji të Luan Kryeziut.  Avdullah Hoti nga LDK-ja, që ka qenë edhe ministër i Financave, ka reaguar për ndarjen e këtyre parave që i ka bërë Qeveria e Kosovës nga rezervat e shtetit për filmin e Luan Kryeziut.

Ai nuk i jep vetes të drejtën të vlerësojë rëndësinë e filmit, por thotë se ekziston Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë çështje.

Postimi i plotë i Hotit:

Me 12 shkurt 2019, Qeveria e PAN-it ndan 180 mije euro nga rezervat shteterore per nje film. Nuk i jap vetes te drejte te vleresoj rendesine e ketij filmi. Mund te jete i rendesishem per te dokumentuar te kaluaren e hidhur te popullit te Kosoves.

Por, ekziston Qendra Kinematografike e Kosoves qe sipas ligjit “është institucion publik qëndror për kinematografi me qëllim realizimin e politikave kinematografike për interesin publik dhe çdo vit organizon thirrje për subvencionimin e projekteve filmike.”

Ne mbledhje te Qeverise duket nuk kane qene ne dijeni per kete vendim as zv.ministrja e Kultures qe ishte prezente.

Ligji per financat publike i percakton qarte rastet kur ndahen mjete nga rezervat.

Gjykojeni vete se cfare i thone kesaj menyre te shpenzimit te buxhetit.

Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

PETRO MARKO: E DUA KOSOVËN GJER NË DHIMBJE

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 
Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. 

Gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja Ali Aliu, i cili vendosi që të bënte një biografi për mua. Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën. 

Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.”

Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri!

-Publikuar nga Shkelzen Halimi.

Emine Çunmulaj kujton bisedat me Karl Lagerfeld për kulturën shqiptare

Modelja e njohur shqiptare Emine Çunmulaj ka kujtuar përmes një postimi dizejnatorin e Chanel, Karl Lagerfeld i cili vdiç sot në moshën 85 vjeçare, shkruan KultPlus.

“Ju me keni thirrur Maria Callas edhe pse unë nuk e dija se kush ishte ajo. Çfarë nderi ishte të kaloja gjithë ato vite pranë jush dhe rrethuar me kreativitetin tuaj. Faleminderit që ishit njerëzor dhe nuk me keni trajtuar si një varëse për rroba e cila ecën, por gjithmonë keni pyetur për historinë time, kulturën time dhe keni ndarë me mua udhëtimet e juaja dhe shakat”, ka shkruar Çunmulaj.

Ajo po ashtu me miqtë e saj ka ndarë edhe fotografi nga sfilatat e modës kur ishte modele për Chanel./ KultPlus.com

RTK i jep tenderin 216 mijë eurosh aktores Teuta Krasniqi


Radio Televizioni i Kosovës është treguar prapë zemërgjerë me aktoren Teuta Krasniqi.

Aktores në fjalë, RTK i ka besuar 216 mijë euro për të realizuar serialin ‘iStar’ – i cili po transmetohet në këtë televizion.

Krasniqi ka fituar tenderin për ta realizuar serialin, me procedurë ​të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës​.​

Kompania që e ka fituar tenderin e ka emrin ‘Teuta Production Company’ dhe kuptohet që logoja e saj del e para përgjatë transmetimit të serialit.

Në serial luan edhe vetë aktorja Krasniqi.

Në rrjete sociale ka pasur ankesa për faktin se si një serial i tillë dhe një produksion i tillë merr këtë tender dhe këtë shumë të hollash, duke u keqpërdorur kësisoj taksa e qytetarit të Kosovës në projekte të tilla të kushtueshme televizive. / KultPlus.com

‘Zoti nuk ishte i plotfuqishëm, nuk ishte i mëshirshëm, ishte mashtrues…’

(Pjesë nga libri ‘Tri bijat e Evës’ nga ELIF SHAFAK)

Nisi të grindej me Zotin.

Peria grindej për çdo gjë me të, i bënte pyetje për të cilat e dinte se nuk kishte përgjigje të lehta, por prapë i bënte, me zë të ulët, që të mos e dëgjonte askush. I thoshte se ai ishte treguar i papërgjegjshëm që kishte lejuar t`u ndodhnin gjëra aq të tmerrshme atyre që nuk i meritonin. A mund të shihte dhe dëgjonte Zoti përmes mureve dhe hekurave të qelive të burgut? Nëse nuk mundej, atëherë nuk ishte i plotfuqishëm. Nëse mundej dhe prapë nuk bënte asgjë për t’i ndihmuar ata që kishin nevojë, atëherë nuk ishte i mëshirshëm. Sido që të ishte, nuk ishte ashtu siç pretendonte se ishte. Ishte mashtrues.

Zemërimin që Peria nuk ia zbrazte dot së ëmës dhe udhëheqësit të saj shpirtëror Yzymbaz Efendiut, inatin që nuk ia zbrazte dot të atit dhe zakonit të tij të pijes, dhimbjen që ndjente për vëllain e madh dhe lodhjen nga vëllai tjetër, i përziente në një brumë ngjitës dhe ia derdhte me mendje Zotit. Ai brumë piqet në furrën e mendjes së saj, ngrihej ngadalë, fryhej në mes, digjej anëve. Kur moshatarët e saj dukeshin aq të thjeshtë e të lehtë sa balonat në erë, ndërkohë që luanin rrugëve, shkonin në shkollë dhe i merrnin ditët si t’u vinin, Nazperi Nallbantogluja, një vajzë jashtëzakonisht e menduar dhe e mbyllur, kërkonte me ngulm Zotin.

Zoti, një fjalë e thjeshtë me kuptim të errët, Zoti, aq afër sa dinte gjithcka që bëje apo kishe ndërmend ta bëje, e prapë i paarritshëm. Por Peria ishte e vendosur ta gjente një mënyrë. Sepse, përmes një logjike të shtrembëruar të saj, i qe mbushur mendja se, po të bënte bashkë Krijuesin e mamasë dhe Krijuesin e babait, do të arrinte të kthente harmoninë mes dy prindërve. Me një farë marrëveshje lidhur me atë se çfarë ishte dhe çfarë nuk ishte Zoti, do të kishte më pak tension në shtëpinë e familjes Nallbantoglu, por edhe në të gjithë botën.

Zoti ishte një labirint pa hartë, një rreth pa qendër, pjesë të një mozaiku që dukej se nuk përputheshin kurrë bashkë. Sikur ta zgjidhte këtë mister, do t’i jepte kuptim të pakuptimshmes, arsye çmendurisë, rregull rrëmujës dhe, ndoshta, mund të mësonte si të ishte e lumtur.

William Walker tregon gjënë e parë që i bie ndër mend kur viziton Kosovën

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka rrëfyer për ndjesitë e tij sa herë që vjen në Kosovë e që nuk është se ndodhë rrallë herë.

“Siç mund ta paramendoni, ngjarjet rreth janarit të vitit 1999 ishin ndër çastet më emocionale të jetës time”.

“Për 20 vjetët e ardhshme, pas këtyre ngjarjeve, sa herë që vij këtu më kujtohet ajo kohë. Njerëzit ende duan të flasin me mua për atë kohë”

“Kam një lidhje emocionale me Kosovën, pa dyshim”.

Foto Valerie Plesch

Walker që konsiderohet si miku i madh i kosovarëve ka thënë në një intervistë ekskluzive në Info Magazine se ai përpiqet ta vizitojë Kosovën sa më shpesh, veçanërisht në përkujtimin e masakrës së Reçakut.

“Vij në Kosovë sa më shpesh që mundem. Kjo është hera e dytë që kam ardhur në Kosovë në vitin e fundit. Përpiqem gjithmonë që të vij në përkujtimin e masakrës së Reçakut por këtë vit nuk kam arritur që të vij dhe kjo më ka trishtuar shumë”.

“Ardhja për ta kremtuar Pavarësinë edhe kjo është një gjë shumë emocionale për mua”.

Nita Luci dhe Linda Gusia nesër diskutojnë në Galerinë Motrat

Nesër, të mërkurën e 20 shkurtit, në Galerinë Motrat mbahet një bisedë rreth traditës së çejzit.

Marrë shkas prej hapjes së ekspozitës së artistes Doruntina Ukimeri, biseda do të zhvillohet rreth traditës së çejizit (pajës) e cila ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror.

Diskutimi trajton marrëdhënien e artit me çështjet që zakonisht interpretohen si diçka që përket tradicionales.

Biseda do të nisë në ora 18:00, me Nita Lucin dhe Linda Gusinë. Nita Luci është ligjëruese në RIT Kosovo dhe në Universitetin e Prishtinës. Linda Gusia është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Nëna e Rita Orës nuk u përmbahet lotëve kur flet për betejën me kancerin

Nëna e Rita Orës nuk u është përmbajtur lotëve në emisionin “Loose Women” kur ka folur për betejën me kancerin.

Vera Sahatçiu, 55-vjeçare, ka bërë mastektomi pasi u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2005.

Nëna e tre fëmijëve ishte vetëm 39-vjeçare kur filloi të kalonte nëpër rrugëtimin e “vështirë.

Vera ka folur për largimin nga Kosova dhe për karrierën e suksesshme si mjeke sa ishte në vendlindje.

Rita ishte vetëm një vjeçare kur u shpërngul në Londër me familjen e saj.

“Unë kisha kancer të gjirit në moshën 39-vjeçare dhe fëmijët ishin të vegjël. Djali kishte vetëm shtatë vjet”, ka thënë Vera.

“Ishte e vështirë kalimi në një vend tjetër dhe nuk dija të flisja anglisht. Në vendlindje isha mjeke dhe kisha karrierë të mrekullueshme”, ka shtuar nëna e këngëtares së famshme, Rita Ora.

“Udhëtimi që kisha ishte i vështirë. Në moshë të re, trajtimi shpesh është rigoroz dhe i tejzgjatur”, ka rrëfyer Vera për trajtimin kundër kancerit.

“Kur diagnostikohet më herët, trajtimi bëhet më i thellë dhe më i gjerë. Kisha kimioterapi, radioterapi dhe mastektomi. Më falni pasi ende e kam të vështirë të flas për këtë”, ka thënë ajo derisa nuk u është përmbajtur lotëve.

Adriatik Kelmendi, me 22 shkurt në ‘EU Inspirational Talks’

Adriatik Kelmendi është ndër gazetarët më të mirë në Kosovë.

Ndër vite, ai me profesionalizmin e tij ka arritur të krijojë një karrierë të bujshme në gazetari, si redaktor në Kohën Ditore dhe më pas në KTV.

Me datë 22 shkurt, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Adriatik Kelmendi vjen në kuadër të ciklit ‘Inspirational Talks’ – Bisedat inspiruese.

Me fillim prej orës 18:00, Adriatiku do të ndajë me publikun tregimin e tij, se si arriti tërë këto vite të jetë një prej figurave kryesore televizive në Kosovë.

Ai sot është moderator dhe krijues i emisionit RUBIKON, një emision i njohur për trajtimin e temave të realitetit bazuar në mendim kritik dhe mysafirë të ndërtuar në fushat e tyre. / KultPlus.com

Besarta kujton babain e saj Hamëz Jasharin, në datëlindjen e tij

Vajza e Hamëz Jasharit, Besarta ka shfrytëzuar mëngjesin e ditës së sotme për të uruar datën e lindjes së babait të saj.

E mbijetuara e familjes Jashari, në Facebook ka shkruar për babin e saj, duke thënë se ndihet krenare për kontributin e tij që dha për këtë vend.

Besarta ka thënë se Hamza mbahet mend si njeri që bashkoi njerëz për qëllime të përbashkëta.

“Si çdo herë, edhe këtë vit po festojmë ditëlindjen tënde babush. Të tilla raste, po i shfrytëzoj të tregoj për ty babush dhe virtytet tua. Mbahesh mend, si njeri që bashkove njerëz për qëllime të përbashkëta – që sot na bëjnë krenarë. Dyli i vogël, që me mburrje mban nofkën tënde qetësisht po më dëgjon, teksa unë po i tregoj për ty. E mua po më mundon një pyetje “çfarë do të bëje për Kosovën, në rrethana aktuale ku po rritet Dyli?”. Jam e vetëdijshme që përgjigjen duhet kërkuar në kujtimet tona, por një gjë jam e sigurt se tërë jetën ke besuar në popullin tonë, në vlerat tona dhe në të drejtën tonë. Nga ky qëndrim kurrë nuk lëkundemi, këtë ta premtoj babush. Përgjigjen do ta gjej, edhe Dylit do ti tregoj!!! Urime ditëlindja babë. Vajza jote krenare, Besart”, ka shkruar Besarta Jashari në Facebook.

Artistja nga Kuvajti ekspozitë me fotografi për mikpritjen e shqiptarëve

Në Tiranë është hapur ekspozita me temë “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes”, e artistes nga Kuvajti, Ebtisam Al-Houti, e cila është bashkëshortja e ambasadorit të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al- Jassim

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të institucioneve të tjera të vendit, ambasadorë, artistë, si dhe artdashës, të cilët u njohën nga afër me fotot e realizuara nga fotografja kuvajtiane në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj në aktivitet, autorja e fotografive, Ebtisam Al-Houti, theksoi se një nga gjërat që i mahnit më shumë vizitorët në Shqipëri është natyra miqësore dhe paqësore e shqiptarit.

“Përvoja ime këtu, e bëri qëndrimin në këtë vend në një nga më të bukurit, me kujtime të paharrueshme. Pata mundësinë të shoh vende të veçanta dhe kënaqësinë të shëtis në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë, ku u ndjeva vërtet mirë me natyrën e bukur dhe klimën e përshtatshme gjatë gjithë vitit. Më lindi një dëshirë e madhe për të ditur më shumë mbi kulturën shqiptare dhe shqiptarët. Jam thellësisht e bindur se shqiptarët janë bujarë dhe mikpritës dhe kam një ndjesi pozitive se këtë gjë e bëjnë me pastërtinë e zemrës. Ashtu siç thotë dhe shprehja popullore, ‘Bukë e kripë e zemër të bardhë’”, tha Ebtisam Al-Houti.

Ajo u shpreh se si njerëz që ruajnë fort lidhjet familjare, shqiptarët janë bujarë dhe shumë mikpritës dhe se ata dinë se si të bashkëjetojnë në paqe me grupet e ndryshme të shoqërisë.

“Vihet re shumë qartë që shumica e njerëzve në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht krahinës dhe fesë që i përkasin, e trajtojnë mikun me nder dhe respekt, si dhe kanë dëshirën për të pasur sa më shumë miq, dhe e presin mikun duke respektuar natyrën e tij. Profeti ynë i shtrenjtë, Muhamedi (a.s.), ka thënë: ‘Kush ka frikë Zotin dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mikun e tij’. Kjo është dhe arsye se përse e kam vënë theksin tek rëndësia e këtyre vlerave të bukura”, tha Al-Houti, e cila me fotot e saj është munduar të nxjerrë në pah këto veçori të shqiptarëve.

Kjo ekspozitë është hapur me rastin e 50 vjetorit të lidhjeve diplomatike mes Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë.

Ekspozita përmban rreth 40 fotografi që pasqyrojnë aspekte të veçanta nga tradita e mikpritjes së shqiptarëve, veshjet tradicionale, historinë e qyteteve, ndërsa do të qëndrojë e hapur për tre ditë me radhë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.