Besimi në ekzistencën e Zotit, Armenia dhe Bosnia në vendin e parë

Armenia dhe Gjeorgjia dalin si dy shtetet evropiane të cilat besojnë me siguri të plotë se ka një Zot. 79 përqind e qytetarëve në Armeni besojnë në ekzistencën e Zotit, ndërsa 72 përqind është shifra në Gjeorgji.

Sipas një studimi të fundit nga Pew Research Center në Washington DC, në Serbi 87 përqind e qytetarëve besojnë se ka Zot, ndërsa 10 % nuk besojnë në ekzistencën e të Plotfuqishmit.

Franca, Zvicra dhe Gjermania renditen në fund të listës. Në këto tri shtete, vetëm 11 përqind, gjegjësisht 10 përqind në Gjermani besojnë se ka Zot.

Katër shtetet në të cilat me siguri të plotë nuk besohet në Zot, kanë dalë të jenë Çekia, Holanda, Suedia dhe Belgjika.

Në Kroaci, 57 përqind e të intervistuarve besojnë në Zot. / KultPlus.com

https://twitter.com/pewresearch/status/1097427252885811200

Elvana Gjata këndon ‘live’ këngën ‘Baresha’ të Nexhmije Pagarushës

Këngëtarja Elvana Gjata, pas një pauze të shkurtër, mbrëmë me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është kthyer me një koncert privat të organizuar nga bashkëshortja e kryeministrit Haradinaj, Anita Muçaj-Haradinaj.

Ajo ka interpretuar disa këngë të saj ‘live’ mirëpo edhe disa nga këngët më të dëgjuara ndër vite si ajo ‘Mora fjalë’ nga Shkurte Fejza e ‘Baresha’ e Nexhmije Pagarushës, shkruan lajmi.net. Duhet kujtuar se ajo sot i ka shkruar disa fjalë në Instagram, kështu duke i falënderuar të gjithë të pranishmit e në veçanti Anita Muçajn-Haradinajn.

“Oj Kosove e dashur qe me dhuron veç dashni… Fjalet nuk me mjaftojne per te shprehur mirenjohjen qe kam per ju, por mbreme ne koncertin per nder te Pavaresise, jam ndjere si kurre ndonjehere, si ne shtepine time..E lumtur per te gjithe ju qe ishit mbreme te pranishem ne koncert. Mirenjohje per ate qe beri te mundur kete event, faleminderit Anita Haradinaj per punen e jashtezakoshme dhe mbeshtetjen tende ne realizimin e ketij eventi.”, ishin fjalët e saj ndërsa në vazhdim ua sjellim videon në të cilën mund ta dëgjoni duke e kënduar ‘live’.

View this post on Instagram

Mbreteresha e muzikes shqiptare @elvanagjataaaa bravo per kete koncert fantastik!!! Je unike, jemi me fat qe kemi nje thesar si ty ne muziken shqiptare 🙏🏻♥️ LIVE!

A post shared by Artistët Shqiptarë 🇦🇱🇽🇰 (@artistet_shqiptare) on Feb 17, 2019 at 2:34pm PST

Identitet

Poezi e shkruar nga Ilire Zajmi.

(Foto: Bledi Malushi)

Kam kartë identiteti me gabim shtypi

Pasaportë të udhëtoj në pak vende të botës

Vendlindja ime ka dy emra

Më thonë shqiptar etnik në një shoqëri multietnike

Qeverisem nga një bandë horrash e politikë injorante

Marrë pagë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës

Kam të hapur llogari bankare në një bankë amerikane

Babai im merr 70 euro pension

Nëna ime arsimtare më shumë bënë grevë sesa punon

Motra ime ra në dashuri me një irlandez

Vëllai im proteston për një universitet ndryshe

Fqinjët e mi shpresojnë se djali i tyre është ‘dek’ a gjallë diku në Serbi

Anna Ahmatova, më thuaj si ta deshifroj indentitetin

Unë jetoj në qytetin gjysmëmilionësh

Në kosovën që e zhgënjeu ëndrra e pavarësisë

Pi espresso të lira me miqtë e mi

Shkruaj sms e bëj dashuri virtuale

Jetoj në vendin me status të padefinuar politik

Ku dikush thotë se ka pasur luftë

E ca të tjerë thonë se ishte vetëm konflikt

Burimi:https://www.facebook.com/notes/republika/identitet/316263642358664/?__tn__=HH-R

Ekspozita ‘ICY’ nga Neroni, me 20 shkurt në Prishtinë

Bashkimi Evropian në Kosovë gjithmonë ka ndihmuar në kulturën dhe artin e vendit, kësisoj duke përkrahur edhe artistët e rinj dhe vizionin e tyre.

Me datë 20 shkurt, duke filluar prej orës 19:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së do të hapet ekspozita ‘ICY’ nga Neron Deshishku.

Ekspozita e fotografisë sjellë disa punë artistike të Neronit ndër vite, fotografi të cilat Neroni me aparatin e tij i ka kapur në kohën dhe momentin e duhur duke përcjellë kësisoj emocionin e mishëruar në pamje vizuele. Për Neronin, fotografia si medium i shprehjes artistike mund ta ndryshojë mendimin tonë për botën, dhe perspektivën tonë mbi të.

https://www.instagram.com/p/BsRSat6nVP0/?utm_source=ig_web_copy_link

Neroni ka nisur të merret me fotografi qysh i vogël, i ndihmuar nga babai i tij, ndërsa ka eksperimentuar edhe me film, muzikë, poezi.

Fotografia më pas u bë mënyra e tij kryesore e shprehjes artistike. Nisur prej fytyrave të njerëzve, momenteve të mira, peizazheve të bukura, në këtë ekspozitë do të mund të zbuloni mbi sytë e Neronit që shkrihen në lensin e aparatit dhe dokumentojnë fotografi që mbesin përgjithmonë të printuara në kujtesë, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bp70_YZndae/?utm_source=ig_web_copy_link

Në vitin 2018-të, Neroni ka diplomuar nga Speos Paris Photographic Institute. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BsK7S-GH2Eg/?utm_source=ig_web_copy_link

Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova urojnë Pavarësinë nga mali i Pashtrikut

Mali i Pashtrikut i cili gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me një lartësi prej 1,986 metra ka mirëpritur sot alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova si një vend simbolik i cili lidh dy vendet tona për të uruar përvjetorin e njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka uruar sot Kosovën duke u shprehur: ”Gëzuar Kosovë!  Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova ngjisin malin e Pashtrikut, si simbolikë e sfidave drejt ndryshimeve të mëdha”.

Majat e malit të Pashtrikut formojnë kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Përgjatë këtij mali kalon lumi i Drinit të Bardhë.

Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë. Pashtriku është i vendosur në veri-lindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij.

Pjesa tjetër, pra një e treta e malit është në Kosovë dhe është e vendosur në pjesën jug-perëndimore të Kosovës. Fshati Gjonaj është pozicionuar në krah të malit

Diplo publikon fotografi me Era Istrefin: Vajzat kosovare po e pushtojnë botën

Diplo është një DJ i njohur amerikan, i cili ka bashkëpunuar edhe me këngëtaren kosovare, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

 Krahas miqësisë shumë të mirë më Dua Lipën, ai së fundmi ka edhe një fotografi me këngëtaren nga Kosova, Era Istrefi.

Sic duket Diplo i vlerëson mjaft shumë këngëtaret nga Kosova, sa që ai sot në fotografinë me Era Istrefin ka shkruar “Vajzat shqiptare po e pushtojnë botën”./ KultPlus.com

View this post on Instagram

Kosovan girls taking over the world

A post shared by diplo (@diplo) on Feb 17, 2019 at 6:33am PST

Dashuria e madhe për shqiptarët, gjermani bën shqiponjën tatuazh në kokë

Guido Pohlmächer ka një lidhje të veçantë me shqiptarët,
dhe për këtë ka bërë edhe tatuazh të shqiponjës në kokë.

Ai ka një miqësi të mirë me familjen Hoti nga Rugova e Hasit e cila jeton në Gjermani.

Dy vjet më parë 37 vjeçari Pohlmächer nga qyteti i landit Baden-Ëürttemberg kishte bërë një tatuazh në faqe me shqiponjën kuq e zi. Në atë tatuazh kishte vizatuar shkronjën A per Albania si shënjë ndërkombëtare e Shqipërisë dhe D për Deutschland si shenjë ndërkombëtare e Gjermanisë

E për përvjetorin e 11 të pavarësisë dhe për fillimin e dytë të dekadës së shtetit të Kosovës ky gjerman ka bërë një tjetër gjest, shkruan gazeta express.

Ai e ka bërë tatuash simbolin me duar të shqiponjës në ballin e tij dhe ka shkruar “Love Hoti”, ku edhe ka shprehur dashurinë për familjen nga Hasi i Rugovës me mbiemrin Hoti.

Era Istrefi uron Kosovën me simbolin e shqiponjës

Këngëtarja e njohur kosovare me famë botërore, Era Istrefi, ka uruar Kosovën për 11-vjetorin e Pavarësisë.

“Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Istrefi në një postim në Instagram.

Gjithashtu, ajo ka postuar edhe një fotografi ku shihet duke e bërë simbolin e shqiponjës në Rusi, gjatë kohës ku është mbajtur Kupa Botërore në futboll, transmeton Koha.net.

View this post on Instagram

Happy independence day Kosovo💙💛 #11

A post shared by Era Istrefi (@eraistrefi) on Feb 17, 2019 at 6:02am PST

Kujtojmë se edhe Rita Ora e Dua Lipa kanë uruar Kosovën për 11-vjetorin e Pavarësisë.

11 fakte rreth ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ju sjellim 11 fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit 2008.

1. Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

2. Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

3. Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

4. Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

5. Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

6. Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

7. Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë

8. Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

9. Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

10. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

11. Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj.

Vendlindje

Sot është përvjetori i vdekjes së Frederik Rreshpes (19 korrik 1941 – 17 shkurt 2006).

Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më…
Taniti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen në muzg trëndafilat e thurur me diell
Ah tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë
Në ajër shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mi sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani edhe mermeri i zërit tim është i thyer
Tani që erdhi mbrëmja
statuja e natës troket në dritaren e vjetër xhamthyer. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci përlotet duke folur për Kosovën (VIDEO)

Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.

Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.

Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë. / KultPlus.com

Vendit tim siluetë

Sibel Halimi

Në lajme mbetet fytyra e ngrirë 
e buzëqeshjes së njeriut të vdekur
të përkujtuar veç si të mirë

Në lajme hedhet vallja marrëzisë njerëzore 
E ne ngulim sytë e skuqur
të imagjinuar që jemi pjesë e saj

Në lajme gurgullon 
hija e rëndë e luftës së mbijetesës,
luftë tjetër nuk njohin, harruar kemi

Në lajme festohen përvjetorë
Të shtetit siluetë 
Të krijuar mbi varret e ëndrrave
Ku instalacionet bëhen vepra 
E çmimet i ndajnë po të njëjtët 
bashkëudhëtarë të krimit

Në lajme shiten e lëshohen
Me qera mendime, qëndrime, karaktere e personalitete 
Lirë e shtrenjtë
E në mbrëmje të gjithë në zbritje, toptanë

Në lajme jargavitet vendi 
Qan e gëzohet i varfëri
Në derë një horr mban në dorë
pak sheqer, pak miell e pak kafe
E drejton kah zoti i vet

Në lajme flet arreste e izolime
Veç për një fjalë goje 
Për burra që i rrinë besnik
Kullës së ndërtuar brenda qenies së vet 
Ditës me lot krokodili i rrinë gatitu 
E natën lëshohen me pushtua 
errësirën, egon e lirinë e grave të tyre

Në lajme një zgjatje duarsh
Mbrapa shenja të identiteteve boshe të poetëve minj
që bredhin korridoreve të pushtetit 
e kafeve me duhmë, të admirojnë tu i thurë vargje lirisë

Në lajme Nezafetja i bie defit
Në përvjetorë të pavarësisë
E qan me lot melodinë e vjetër

Në lajme Ulpianës iu është nxirrë syni
Në mbrëmje merr lapsin ngjyrë lëkure,
e mbulon e ia mësynë diku arratis

Në lajme ngritët edhe një tregë memorialësh,
i fëmijëve pas heroinave
Shteti vë në ankand ndërgjegjen në përvjetorin e saj

Në lajme 
Marathonomakut i ngritet lapidari i bronztë
e Don Kishoti kumton lajmin për vdekjen e tij

Në lajme shteti feston marrëzinë e vet
E ne i gëzohemi hiçit, gjenezës sonë
Gëzuar! / KultPlus.com

Prishtina, e mbushur me dekorime dhe me flamuj të Republikës së Kosovës

Ka nisur kësisoj në kryeqytet sot zbukurimi me flamuj dhe me simbole tjera të shtetit të Kosovës.

Nesër, me 17 shkurt, shënohet 11 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe kësisoj Prishtina dhe qytetet tjera prej sot nisin të dekorohen e zbukurohen, me koncerte e me ngjarje tjera artistike e kulturore për të festuar këtë përvjetor.

Këto fotografi na vijnë nga Prishtina ndërsa nëse keni fotografi të tjera nga dekorimet dhe ngjarjet tjera në qytetet tuaja, na dërgoni.

Me 17 shkurt 2008, deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën Kosovën vend sovran dhe demokratik dhe Kosova u shpall Republikë. / KultPlus.com

11 shkrimtarë i lexojnë Republikës

(Fotografitë: Blerdi Malushi)

“Republika” titullohet ora letrare që u dha zë 11 poezive të poetëve nga Kosova.

Përmes vargjeve në këtë ngjarje u manifestua 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora letrare u hap me zërat e fëmijëve të korit “Okarina”, të cilët nën udhëheqjen e Elikona Hysaj- Shala, sollën premierë këngën “Republika” me tekst të Bes Camajt. Kënga erdhi e komponuar nga udhëheqësja e korit, Elikona Hysaj Shala.

Në këtë orë letrare vargjet me publikun i ndanë Dije Demiri Frangu, Halil Matoshi, Brikenë Ceraja – Beka, Ilire Zajmi, Sali Bashota, Gili Hoxhaj, Vlora Konushevci, Besnik Camaj, Valentina Saraçini dhe Denis Galushi i cili e lexoi poezinë nga Kujtim Paçaku.

Në këtë orë letrare përveç interpretimit të poezive, poetët zbërthyen vargjet e tyre në një reflektim të shkurtër me moderatoren Hyre Murati.

Përveç poetëve në sallë, kjo orë letrare nderoi edhe poetët që më nuk janë.

Poezia e Kujtim Paçkut është ajo që e hapi orën letrare, ndërsa Sali Bashota lexoi një poezi kushtuar poetit Basri Çapriqi, e aktori Ismet Azemi lexoi vargjet e Besnik Camajt.

Organizatorja e kësaj ngjarje, Vlora Ademi gjatë fjalës së saj tha se Republika tani ka nevojë për heronjët e paqes dhe arti është ai që po mundohet ta mbajë për krahësh këtë Republikë.

“Po, këtu ka faj vramendja estetike. Dhe kështu ndodhi ngaqë elementin e parë e gjeta tek poezia, më saktësisht tek poema Republika. Mjaft kemi pasur heronjë të luftës. Republikës tani më shumë se kurrë i duhen heronjë të paqes. Dhe hero të tillë nuk të bën një kollarë e lidhur rreth qafe. Në fakt, këto kollare po e tkurrin Republikën, ia kanë nxënë frymën”, u shpreh Vlora Ademi.

Ademi tutje tha se për këtë orë letrare ka munguar mbështetja nga institucionet e larta të vendit, mirëpo poetët dhe të gjithë të tjerët që janë angazhuar në këtë ngjarje dhe shumë natyrshëm e kanë përkrahur realizimin e saj.

“T’mjerë ata që nuk ia dinë vlerën artit, poezisë dhe e injorojnë identitetin e tyre. Dhe në ndihmë të del dikush që e ka mundësinë minimale. Këtë orë letrare nuk e mbështetën institucionet më të larta të vendit, por me mundësitë e tij minimale, e mbështeti një djalë modest që m’ka befau për vullnetin e tij – Adrian Berisha nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës”,  tregoi ajo, duke thënë se ndihet e kënaqur për të gjitha reagimet që ka marrë nga publiku dhe se kjo ngjarje dëshmon se poetëve u kishte munguar një orë e tillë letrare.

Kjo orë letrare, tashmë synon të bëhet tradicionale, duke e shtuar çdo vit një poet më shumë. / KultPlus.com

Filmi me Xhevdet Jasharin merr dy çmime në Berlinale

Janë ndarë mbrëmë çmimet e para të festivalit Berlinale – Festivalit të Filmit në Berlin, një ndër më prestigjiozët në fushën e kinematografisë.

Disa çmime të tjera do të ndahen sonte, ndërsa edhe ato mbrëmë kanë dalë të jenë të suksesshme për filmat nga Ballkani.

Filmi “Gospod postoi, imeto i’ e Petrunija” me regjisore Teona Strugar Mitevska ka marrë çmimin nga Juria Ecumenical. Çmimi në fjalë ndahet nga Organizatat Ndërkombëtare Filmike të Kishave Katolike dhe Ortodokse – INTERFILM dhe SIGNIS.

Filmi flet për një grua, mbrojtëse të të drejtave të njeriut, e cila thumbon traditat e kishës dhe duke u futur në një ritual i cili konsiderohet i denjë vetëm për burrat. Filmi me këtë çmim merr edhe 2.500 euro shpërblim.

I njëjti film ka marrë edhe një tjetër çmim. Bëhet fjalë për ‘Guild Film Prize’ – ndërsa jepet nga AG Kino – Gilde e.V. (Asociacioni i Kinemave German Art House).

Në këtë film luan edhe aktori shqiptar Xhevdet Jashari. / KultPlus.com

Artistët dhe bashkëpunëtorët ngushëllojnë për vdekjen e Hivzi Krasniqit

Miqtë, dashamirët dhe bashkëpunëtorët e Hivzi Krasniqit sot kanë ngushëlluar familjen për këtë humbje të madhe.

Hivzi Krasniqi, një tekstshkrues dhe një gazetar i pashoq, ndërroi jetë mbrëmë pas një sëmundjeje të shkurtër.

Sot, miqtë kanë ngushëlluar në mënyra të ndryshme, përfshirë këtu edhe artistët të cilët kanë punuar me të ndër vite, në muzikë, në radio, në TV, por edhe në projekte tjera artistike ku Hivziu e ka dhënë maksimumin e tij.

Sot kanë ngushëlluar në rrjete sociale Eliza Hoxha, Florent Boshnjaku, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Musa Doroci, këngëtarja Vera Oruqaj, Esad Dukaja e artistë e miq të tjerë që punuan me të ndjerin.

Zake Prelvukaj në KultWoman: Zëri i artit asnjëherë nuk më ka lënë të qetë

Arbër Selmani

Ka vite që merret me art dhe ka ditur të provokojë në kohëra kur ka qenë vështirë të dalësh jashtë kutisë. Në forma të ndryshme, ajo ka qenë gjithmonë artiste por edhe aktiviste, ka ndihmuar me artin e saj thumbimin e mentalitetit. Ajo ka sfiduar edhe veten, edhe familjen e saj, por nuk është dorëzuar asnjëherë.

Zake Prelvukaj, pos artit dhe ekspozitave të cilat i ka hapur gjithandej nëpër botë, ka ndihmuar shumë në ligjërimin mbi artin, tek fëmijët. Ajo qysh e vogël ka nisur me qepje, ka qepur vello, ka qepur edhe për të fituar. Këpucat e mprehta të nënës së saj ajo i ktheu në sandale, se nuk i pëlqenin në formën origjinale. Rrugët e Prishtinës i ka mbushur me vizatime me shkumës, ndërsa në vende të ndryshme në Kosovë ka ligjëruar mbi mënyrën e të menduarit me art.

Zake Prelvukaj ka qenë mysafirja e radhës në mbrëmjen ‘KultWoman me…’ organizuar nga KultPlus, për të nderuar gratë të cilat kulturës dhe artit i dhanë shumë ndër vite.

Në rreth 60 minuta bisedë, Alberina Haxhijaj nga KultPlus dhe Zake Prelvukaj kuvenduan për karrierën e kësaj të dytës, për jetën e saj, artin, jetën, inspirimin, dhe zërin artistik që duket se atë nuk e lë asnjëherë të qetë.

‘Unë asnjëherë nuk pajtohem me gratë që thonë se me vite nuk kam mundur të punoj shkaku i familjes. Po ju tregoj, për katër vite i kam rritë fëmijët e motrës sime, vetë kam pasë probleme dhe disa dështime me shtatzanitë e mia, por gjithmonë kam pasur forcën. Kur të vjen zani i artit, sikur zani i Krishtit apo Muhamedit, është i shenjtë dhe mua nuk më ka lënë asnjëherë të qetë. Unë gjithmonë kam kriju, veq nëse nuk kam mujt me lëvizë fare” ka treguar gjatë mbrëmjes mes tjerash Zake Prelvukaj.

Audienca e pati Zaken përpara saj, një artiste e cila jo rrallë ka ditur të jetë qendra e vëmendjes së artit në Kosovë, me goditjet e saj në qarqe të ndryshme të jetës.

Ajo e ka nisur tregimin e saj me fëmijërinë, me kohën kur ishte e re dhe kur vendosi të qepte, e më pas të futej në pikturë, në Akademi të Arteve, dhe më pas të bëhej edhe profesoreshë. E refuzoi rolin e Ministres së Kulturës, sepse nuk e linin që ajo ti përzgjidhte vetë këshillëtarët e saj. E refuzoi edhe rolin e drejtueses së Galerisë së Arteve, sepse liria e saj frymonte ndryshe. Zakja thjeshtë frymonte më afër me artin, se me postet artistike.

Në ‘KultWoman me…’ ajo nuk harroi ta përmendte edhe Hanin e 2 Robertëve, hapësirën në kryeqytet ku u rritën e morrën formë disa prej artistëve të njohur të gjeneratave të ndryshme në Kosovë.

“Hapësira e artit Hani i 2 Robertëve ka luajtë rol të madh tek artet figurative, por edhe tek fushat tjera, sepse kur kemi shku aty na kanë trajtu sikur të ishim fëmijët e tyre. Por unë nuk u ndala me pak. Në vitet 1996, 1997 shkoja në Tivar dhe krijoja murale, e në këtë kohë për ekzistencë shitej më pas edhe piktura, sepse kisha familje të gjithë mbetëm pa rroga. Për femrat e dhunuara kemi reaguar si artistë qysh në vitin 1997, sepse sipas mendimit tim, arti është dokumenti më i fortë, më shumë flet arti e fotografia sesa një shkrim që mund të zgjerohet. Arti është pasqyrë e fortë e terrenit ku jeton” tregoi Prelvukaj.

Ajo është përjetësisht e lidhur me ndjenjën e artit. Tregimi i saj nuk është vijë e drejtë, dhe ajo e kupton shpesh që del jashtë temës, e kthehet në temë, dhe del prapë jashtë por gjithmonë futet brenda duke e përdorur artin dhe lidhjen e jetës së saj me fushën artistike, shprehjen artistike në forma e trajta të ndryshme.

Para 21 vitesh ajo doli për herë të parë me trupin e saj brushë. Nuk munguan fjalët e njerëzve, por ajo guxoi sepse siç tregon, ky ishte inspirimi i saj i kohës. Vjen koha kur nuk të pëlqen brusha dhe më pas dëshiron të punosh në një formë tjetër, tregon Zakja. Ajo kësisoj ka punuar gjithmonë, duke e ndjekur elementin e inspirimit të saj, pa dëgjuar çka thonë të tjerët rreth saj.

“Jam e lumtur që kam pasur një aparat, nëj Toshiba që ma ka ble baba, një aparat me të cilin jam zhvillu gjithandej. Kam fotografu çdokund, prej Akademisë së Arteve, portrete, kam fotografu protesta, ekspozita, me Ibrahim Kodrën i kam dy filma të aparatit, me Muslim Mulliqin e me Xhevdet Xhafën. Këto fotografi sot nuk janë ekspozuar por e di se një ditë do t’i ekspozoj ato, duke nisur prej portreteve, të gjitha fotografive në Hanin e 2 Robertëve, dhe të gjitha fotografitë e ngjarjeve që kanë një lidhshmëri me krijimin e situatës ekonomike, politike e sociale në atë kohë” tregon tutje Zake Prelvukaj.

Ajo e përsëriti trupin e saj brushë, në një herë të dytë me trupin e saj të lyer me zift. Dhe zifti do ti dhimbte shumë në trup, por ajo e dëshironte këtë dhimbje, duke u solidarizuar me gratë e dhunuara shqiptare dhe me dhimbjen e gruas, për çfarëdo arsye. Ajo thotë se procesin e trupit brushë do ta përsërisë çdo 4-5 vite, në forma të ndryshme artistike.

Tregimi i saj për ‘KultWoman me..’ është i gjatë, i bukur dhe i mishëruar ashtu siç di vetëm Zakja.

‘KultWoman me…’ organizohet nga KultPlus dhe është projekt në kuadër të Kultura për Ndryshim – financuar nga EU dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute.

Flamuri i Kosovës valëvitet në Otava të Kanadasë

Për të tretën herë rradhazi në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, është valëvitur flamuri i Kosovës.

Veçantia e këtij viti, është së përveç festimeve të 11-vjetorit të Pavarësisë, festohet dhe 20-vjetori i mbërritjes së refugjatëve të Kosovës në Kanada, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s ku Kanadaja ka qënë një ndër aktorët kryesor, si dhe 10-vjetori i Marrëdhënieve Diplomatike Kanada-Kosovë.

Në fjalën e tij, në prezencë të autoriteteve më të larta federale, lokale, trupit diplomatik, gazetarëve dhe komunitetit të diasporës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada Lulzim Hiseni, theksoi raportet e shkëlqyera dhe të veçanta që gëzojnë Kanadaja dhe Kosova . Viti që lamë pas, përveç vizitave tepër të rëndësishme nga autoritet Kosovare në Kanada ka kulmuar dhe me marrëveshjen FIPA (marrëveshja për mbrojtjen e investimeve të huaja) që i hap rrugën bizneseve Kanadeze që të investojnë në tregun Kosovar.

Në kuadër të këtij aktiviteti tepër të rëndësishëm, nën-Kryetari i Bashkisë së Otavës z.Matthew Luloff, përshëndeti përzemërisht Ambasadën e Kosovës si dhe komunitetin tonë të diasporës të cilët japin një kontribut tepër të çmuar në Otava. Ai përgëzoi iniciativën e Ambasadës së Kosovës dhe komunitetit të diasporës për emërimin e një rruge në Kryeqytetin e Kanadasë me emrin “Parasol Kosovo” në nder të operacionit më të njëjtin emër nga Qeveria Kanadeze në vitin 1999 të cilët sollën në Kanada rreth 7000 refugjatë nga Kosova gjatë luftës.

Kanadaja dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta dhe kjo i bën këto vende që të jenë mike-u shpreh në fjalën e saj Kryetarja e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kosovë-Kanada deputetja Anita Vandenbeld ,e cila shprehu dhe urimet më të përzemërta në emër të Kryeministrit Kanadez Justin Trudeau. 

Drejtoresha për Europën Lindore dhe Azi pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme Kanadeze vlerësoi lartë intesitetin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe shprehu gadishmërinë sidomos për bashkëpunim më të thelluar ekonomik dhe tregtar. 

Teksti i Hivzi Krasniqit që u kthye në këngë për Nexhmije Pagarushën

Ka ndërruar jetë mbrëmë Hivzi Krasniqi, gazetar, tekstshkrues dhe një profesionalist i vërtetë në fushën e gazetarisë.

Për shumë njerëz ai mbetet një ndër zërat më të mirë dhe të fuqishëm në gazetarinë shqiptare, me emisionet e tij në TV-të dhe radiot e ndryshme shqiptare.

Krasniqi është veçuar edhe si një tekstshkrues në këngë të ndryshme shqipe, të cilat sot mbesin si trashëgimi e Krasniqit në muzikën e mirëfilltë shqipe, shkruan KultPlus.

Mes këtyre këngëve, po e veçojmë një tekst të cilin Krasniqi e shkroi në vitin 2017 dhe ia dha si këngë më pas Adelina Thaqit e Naim Krasniqit.

Teksti u shkrua për ditëlindjen e Bilbilit Nexhmije Pagarusha, dhe është këngë dedikuar asaj. Këngën e kompozoi Naim Krasniqi. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=YRfzcJd3g1M

Dua Lipa me figurë prej dylli në ‘Madame Tussauds’

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, është bërë me figurë prej dylli në muzeun e dyllit “Madame Tussauds” në Londër.

Krijuesja e hitit “One Kiss” befasoi fansat e mbledhur në muze dhe pozoi me figurën e saj, një javë pasi fitoi dy çmime “Grammy”.

23-vjeçarja dukej joshëse gjatë paraqitjes së saj në muze dhe u shoqërua nga i dashuri i saj, Issac Carew.

Tekstet e Hivzi Krasniqit të cilat u jetësuan në këngë shqipe

Sot jemi zgjuar me lajmin për vdekjen e Hivzi Krasniqit, një njeri që i dha shumë artit dhe kulturës dhe një zë radiofonik i cili na ndriti me mënyrën e tij të informimit, tejet profesionale.

Krasniqi, me gjithë modestinë e tij, ishte edhe një krijues i devotshëm.

Shumë këngë shqipe e kanë vulën e fjalëve që kanë dalë prej mendjes dhe dorës së Krasniqit.

“O Zambak lule n`parajsë”, kënga që e fitoi vendin e parë në Zambakun e Prizrenit në vitin 2017 u shkrua nga Hivzi Krasniqi, e kënduar nga Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kelani, kompozuar e orkestruar nga Tomor Berisha.

Hivziu do të krijonte një tekst të mahnitshëm për Shpresa Gashin. “Për diellin që ndrinë” fitoi çmimin e tretë në “Shkupi 1973”, këngë kjo me muzikë nga Hysen Badivuku.

Për Grupin TNT Hivziu ka shkruar tekstin “Mendova se më dashurove” në vitin 1985, në kuadër të albumit DASMA. Muzikën e kësaj kënge e ka krijuar më pas Nexhat Macula.

https://www.youtube.com/watch?v=V_vfvHqrJH0&t=4s

Artisti Hivzi Krasniqi ka ndihmuar edhe artistët e rinj, që ata të mund të kenë në bagazhin e tyre muzikor këngë të ndryshme me vlerë. “Mashtrimi” është tekst i shkruar nga ai, të cilin tekst më pas e këndoi Albana Kelmendi, me kompozimin e Selvete Krasniqi Ismailit.

Hivziu e ka shkruar edhe këngën “Mërgimi”, të cilën e kënduan Bedri dhe Lind Islami.

Në vitin 2017-të, ai do të bashkëpunonte me Shkurte Fejzën dhe Gresa Behlulin për këngën ‘Nëna ime’. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kYqx2-rpOiA

Zbulohet sa do të paguhen Dafina Zeqiri, MC Kresha e Gjiko për koncertin e Pavarësisë

Dafina Zeqiri, Mc Kresha, Gjiko bashkë me pesë artistë të tjetër do të performojnë në Prishtinë, për koncertin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.

Gazeta “inFokus” publikon dokumentet e shumës që parashikohet të shpenzohet për organizimin e koncertit, ku shkruhet se do të paguhen nga buxheti i shtetit 3.263.650 euro.

Gjysma e këtyre parave është parashikuar të shpenzohet për të pagesën e këngëtarëve: Dafina Zeqiri, Mc Kresha, Gjiko, Lumi B, Rina Balaj, Llumi, Fuego dhe DJ Dagzi.

Në dokument shkruhet se ky i fundit do të paguhet 2.000 euro.

Nga ana tjetër, për arredimin e koncertit janë parashikuar 3.000 euro dhe po kjo shumë shkon edhe për audion dhe sistemin e ngrohjes.

Te martën, Qeveria e Kosovës ka ndarë  një shumë prej 500 mijë eurosh, shumë e cila nuk u la pa u kritikuar nga tek deputetët e opozitës.

Ndërsa kompania e cila ka fituar këtë tenderë do të marrë në total 300 mijë euro nga ky buxhet. / KultPlus.com