Balada pjesëmarrëse e Arilena Arës në Festivalin e RTSH-së

Nëse ka një këngë që e përfaqëson më së miri muajin që kalon është padyshim “Nëntori” i Arilena Arës. Kënga hit që ende dëgjohet sot e që fatkeqësisht ka në fabul një histori të trishtë.

Mirëpo, Arilena përveç “Nëntorit” është gati për një tjetër këngë që do na shoqërojë gjatë e do të na bëjë të lundrojmë në kujtime jo fort të mira por që gjithsesi duhen mbajtur mend.

Burime për “News31” kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Arilenës në “Festivalin e Këngës” me baladën që titullohet “Shaj” dhe madje kanë zbuluar disa detaje në lidhje me këngën.

Balada e cila është në garë për të shkuar në “Eurovizion” përkon me situatën që vendi ynë kaloi e që fatkeqësisht është duke vuajtur pasojat pas tërmetit të 26 nëntorit.

Të njëjtat burime për News31.al tregojnë se teksti është shkruar nga Lindon Berisha dhe muzika nga Darko Dimitrvov, bashkëpunëtori i hershëm i Arilenës. Me siguri këto elemente do të bëjnë që “Shaj” të jetë balada që do na bëjë të qajmë e të rikujtojmë tragjedinë e kaluar tashmë prej muzikës dhe ju e dini se ku ka muzikë, ka edhe shpresë.

Arilena ne jemi gati për të dëgjuar zërin tënd të bukur në këngën që i duhej vendit tonë!

‘Celebre’ prezanton në Luksemburg opusin e kompozitorëve shqiptarë

Në kuadër të serisë koncertale të Foajeut Europian në Luksemburg u paraqit për herë të parë ansambli i mirënjohur nga Kosova “CELEBRE”.

I përbërë nga performues të dëshmuar vendorë: Lule Elezi – piano, Antonio Gashi- violonçelë, Venera Mehmetagaj Kajtazi- flaut dhe Shkumbin Bajraktari – klarinetë, profesorë universitarë dhe lider institucionesh kulturore, ky ansambël që nga formimi i tij (2011) për mision ka promovimin e krijimtarisë së muzikes klasike shqiptare me fokus të veçantë veprat kamerale. 

Krahas qyteteve të ndryshme në Kosovë, ansambli është paraqitur edhe jashtë vendit deri në Austri (Vjenë) me koncerte të cilat rezultuan të kenë një sukses të madh. Në bashkëpunim me muzikologen Rreze Kryeziu Breznica e cila para publikut luksemburgas prezantoi momente karakteristike të muzikës artistike në Kosovë (nga fillet dhe fazat e ndryshme nëpër të cilat kaloi ajo) me theks e fokus të vecantë në zhvillimin e vazhdueshëm të saj, artistët u pritën  me shumë entuziazëm ku me një program të zgjedhur me vepra të autorëve vendorë dhe atyre botërorë, përçuan atmosferë e cila depërtoi tek publiku në mënyrë të plotë.

Identifikimi i opusit të pasur artistik të kompozitorëve shqiptarë ishte qëllimi kryesor i ansamblit me anë të krijimtarisë të  kompozitorëve shqiptarë si R. Mulliqi, R.Rudi, Th. Simaku, R. Dhomi, T. Daija si pasqyrë e denjë e rrethanave historike të vendit tonë por edhe posedim i laramanive shprehëse muzikore të tyre.

Artistët kosovarë vazhdojnë të jenë të izoluar në kultivimin, prezantimin e promovimin e artit të tyre në këtë rast interpretues e krijues jashtë Kosovës, në Europë e më gjërë dhe në këtë mënyrë ‘Celebre’ për qëllim vazhdon t’a ketë realizimin e aktivitetit interpretues jashtë vendit, të promovojnë muzikën artistike dhe pse jo edhe profesionin të cilin ata ushtrojnë.

Kjo do të ndihmonte shumë edhe në ngritjen e cilësisë dhe nivelit artistik të jetës muzikore në Kosovë e gjithashtu edhe të interpretuesve të saj. / KultPlus.com

Kur të gjitha rrugët çojnë te Zoti, Helena, Çmendja, Pushteti, Lufta, Liria dhe Vdekja

Vështrim mbi librin “7 Udhë” të autorit Rrahman Paçarizi

Shkruan: Fjolla Hajrizaj

Fundi i një libri gjendet në fillimin e tij, njëjtë si lajmi kryesor që jepet në kre. Te romani “7 Udhë ˝ i autorit Rrahman Paçarizi, çdo gjë rrjedh kështu.

 “7 Udhë”, është libër që mund të lexohet prej mesit, fundit a fillimit.

Është rrugëtim jashtëserik mes rreshtash. Udhët- të shtatat çojnë te një gjuhë e thjeshtë dhe rrëfim që rrjedh edhe pasi t’i kesh kthyer faqet. Rrëfimi prapë rrjedh, lehtë, qartë, këndshëm dhe ti duhet të jesh aty.

Tregimet e mëvetësishme, lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë të pashkëputshme duke shpalosur penën e autorit që është kalitur në mes gjuhës dhe gazetarisë.

Të gjithë tregimet shoqërohen me përemrin pronor “Ime” që mund të sugjerojë elemente të autobiografisë, por edhe të përkatësisë.

Lexuesi kalon nëpër dilema, sfida, vuajtje, gëzime, dashuri të humbura, mendime, veprime dhe ëndrra që mu për këtë i duken si të ishin të tijat.

Këtu lind një pyetje që lexuesi nuk do mund t’i bishtnojë: sa autobiografik është romani?  Përgjigjja ka pak rëndësi, një libër nuk duhet lexuar për të njohur më mirë autorin e tij. Çdo libër i lexuar është humbje dhe rigjetje e vetes. Është njohje e vetes.

7shi është numri që i përgjigjet kapitujve dhe botës së rrëfimeve unike e goditëse, që herë çon në persiatje e herë të kujton gjëra që mund t’i kesh harruar.

Autori ndonëse është edhe gjuhëtar nuk kompleksohet me gjuhën. Me thjeshtësi që do e kuptonte edhe bujku edhe kryetari i akademisë shkruan për: Zotin, Helenën, Çmendjen, Pushtetin, Luftën, Lirinë, Vdekjen.

Përdorimi i beftë i varieteteve të ndryshme gjuhësore bën që rrëfimi të kapërdihet më lehtë duke krijuar një ambient të përshtatshëm prej të cilit lexuesi zor se mund të marr arratinë. Rrëfimi, në të gjitha pjesët e tij nuk i përket regjistrit krejt standart të gjuhës. Gjuha letrare përbëhet nga pjesorja e  shkurtuar dhe paskajorja në gegë që janë më të afërta me të folurit e përditshëm. Falë përdorimit të këtillë të gjuhës, në funksion të rrëfimit, leximi bëhet më i lehtë, sikurse edhe përfytyrimi i  plakut, fëmijës, gruas, plakës, të riut, të resë, akademikut, fshatarit, qytetarit, mashtruesit, e njeriu qyshdo qoftë ai. Në bazë të mënyrës së të folurit,  nga fjalët  e zgjedhura ndërtohet edhe ideja se ç’zone a regjioni, i përket personazhi. Duke qenë studiues i gjuhës, autori kujdeset që të fshijë pluhurin e harresës së disa fjalëve të moçme- arkaizmave dhe lexuesi i vëmendshëm, mes rreshtash mundet me “zanë në thua” edhe në fjalët e reja- neologjizmat.

Ka edhe lojë të vazhdueshme me fjalët dhe fusnotat në roman, nuk vijnë nga shpjegimi i bazuar në studim, por nga koka e vet narratorit. Kjo sjell ndërmend faktin se gjuha merr dhe jep, ndryshon dhe nuk duhet pasur frikë nga ajo.

Vjen, aq e mirëpritur bota psikologjike e personazheve pikat ku takohen dhe ndahen karakteret dhe jeta e tyre. Asaj bote i përgjjigjen gjuha dhe të bëmat e tyre.

Narratori që është aty dhe gjithkund, qëndisë çmendjen, shkëlqimin dhe rënien e njeriut, frikën e ankthin, absurdin, dhembjen, njohjen, pushtetin, ndarjen, lamtumirat, të rëndën, të lehtën, gëzimin…

Narratori lëviz në vend, kohë e ndjenja të ndryshme. Nis me sytë kureshtar të fëmijës, keqkuptimeve të fëmijërisë që madhështia e figurës së të rriturit i turbullon edhe më. Lëviz drejt erozionit shpirtëror te të riut që në çast verbërie kërkon Helenën e vet,  drejt gjyshes që me tregimet e saj sfidon mësimet e biologjisë e shkencës, dajës që e njofton me Zotin dhe vetes që e largon nga ai… për të përfunduar ashtu si jeta- me vdekjen.

Ndeshja me Helenën nuk është më një mit. Ajo i përket rrëfimtarit dhe kamarierit që ngatërrojnë rolet, në kërkim të Helenës së tyre. Të dy e gjejnë dhe e humbin atë në një çast verbërie. Kërkimi i Helenës i shërben fanitjes dhe rishfaqjes së ndjenjës sublime.

Filozofia që është e thjeshtë (veç në dukje), përmblidhet në dy fraza “Unë jam dy: një që guxoj dhe një që ëndërroj”, dhe “Vdekja është si Helena e Helena është si vdekja: nuk mundesh me i zgjedhë-ato zgjedhin.

Pavarësisht faktit që autori është studiues në roman paraqet një botë veç letrare, diçka të atillë që mund të përkthehet vetëm si fiksion, jo si fakt, jo si e vërtetë dhe diçka që doemos ka bazë të qëndrueshme studimi diku.

Kompleksiteti në zbërthimin e asaj që është shkruar shtohet, kur lexuesi nis e vret mendjen për atë që është, për atë që ëndërron, për atë që (s’)guxon, për vdekjen dhe situatat kufitare. 

7 udhët të çojnë aty ku fundi i një libri gjendet në fillimin e tij dhe lajmi kryesor jepet në kre. “7 Udhë” krejt në fund të kthejnë tek vetja jote dhe të kujtojnë fundin e pashmangshëm.

*

Gjatë dhe pas leximit unë isha: një që ëndërroja dhe thellohesha në botën e librit, ndërsa intepretimin e këtij libri u shndërrova në një të tillë që guxoj të marr përsipër këtë mision, jo fort të lehtë.

Për gjërat e pathëna i takon lexuesit të zhbirojë. Fakti që vështrimeve të çfarëdo natyre qofshin u vihet një pikë në fund, nuk do të thotë që gjërat aty kanë mbaruar. Mbase, fakti, se kemi gjithmonë ka mangësi në çkado që bëjmë është si Helena dhe vdekja, nuk e zgjedhim,- ai na zgjedh. 

Berisha: Shqipërinë në Eurovizion duhet ta prezantojë dikush si Elvana ose Arilena

Këngëtari Robert Berisha ishte sot i ftuar në mikrofonin e emisionit “Në radio” të Andri Xhahut menjëherë pas provës së tij të dytë me Orkestrën e RTSH.

Për këtë pjesëmarrje të parë në Festivalin e Këngës, Roberti u shpreh: “Është hera e parë që marr pjesë në një festival në Shqipëri. E kam pranuar ftesën me shumë dëshirë sidomos kur bëhet fjalë për Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun, për të cilat kam shumë respekt.”

Roberti prezantohet me një këngë ritmike por siç shprehet ai vetë: “Unë kërkova një këngë të mirë për festival, pavarësisht zhanrit.” Vija melodike e këngës është krijuar nga Fifi ndërsa është orkestruar nga #DuoBassRecords në Prishtinë.

“Ajo nuk është unë” titullohet kënga, tekstin e të cilit e ka shkruar po Fifi. “99% e këngëve shqiptare janë për dashurinë. Por duhet të pyesni Fifin për tekstin.” – duke hedhur poshtë edhe fjalët se kënga mund të jetë një dedikim për ish-bashkëshorten e tij Nora Istrefi. I pyetur nëse e ka menduar skenën e Eurovision-it, Roberti tregon: “Unë që prej momentit që kam marrë ftesën, e kam pranuar me shumë qejf. Nuk kam pasur shumë kohë për të punuar këngën. I kërkova Fifit të më realizonte një këngë sepse doja të isha në atë skenë. Mendoj se Shqipërinë duhet ta prezantojë dikush si Elvana ose Arilena. Kushdo që të fitojë, apo se çfarë vendi do të zë, nuk ka rëndësi, por i uroj kujtdo suksese.” – përfundon Roberti.

Kërkohen autorë e eseistë shqiptarë për projektin ‘Reading Balkans 2020’

Programi letrar “Reading Balkans 2020” fton shkrimtarët, eseistët, dramaturgët nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bullgaria, Romania, Serbia, Bosnja e Maqedonia të aplikojnë për rezidencë që nënkupton qëndrim 4 javor në rezidencën specifike, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga programi.

Rezidencat do të mbahen në Slloveni, Serbi, Maqedoni, Kroaci, Tiranë, Prishtinë dhe në Sarajevë.

Shkrimtarët që duan të jenë pjesë e rezidencave, kuptohet vetëm njërës prej tyre, duhet të aplikojnë deri me 30 dhjetor në këtë link, shkruan KultPlus.

Qëndrimi 4 javor nënkupton angazhim në jetën kulturore të qytetit ku realizohet rezidenca, dhe një pushim nga angazhimet në vendin prej nga vjen autori për tu inspiruar më pas nga një qytet tjetër.

21 autorë nga Ballkani do të jenë fitues, dhe gjithsej 21 rezidenca do të realizohen në të gjitha qytetet e lartpërmendura, nga tre autorë për secilin qytet. Rezidencat do të mbahen nga muaji mars e deri në fund të vitit 2020. / KultPlus.com

Rita Ora, e mahnitshme në British Fashion Awards 2019

Ajo duket gjithmonë e veçantë dhe me një stil për lakmi.

Rita Ora është dukur për mrekulli në British Fashion Awards 2019, ndërsa është fotogafuar me fustanin e realizuar nga 16arlington nga Londra.

“Jam e lumtur që bashkëpunova me një dizajner nga Londra ime. Shihemi vitin tjetër, British Fashion Awards 2019” ka shkruar Ora në Instagram.

https://www.instagram.com/p/B5ncDMLlhfm/?utm_source=ig_web_copy_link

Rita ka qenë njëra ndër personazhet që ka ndihmuar të prekurit e tërmetit të fundit në Shqipëri, sikur edhe plot artistë të tjerë të njohur shqiptarë që kanë mundur të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së jashtëzakonshme. / KultPlus.com

RRIPAK kërkon krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK kërkon krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK me anë të një kumtese vlerëson fushatën zgjedhore dhe procesin zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 6 tetor të vitit 2019. RRIPAK mbi të gjitha vlerëson pjekurinë e treguar nga populli i Kosovës në këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe politik.

Në këtë proces, RRIPAK ka vërejtur përfshirjen e disa punëtorëve dhe profesionistëve të dëshmuar të artit dhe kulturës në Kosovë në procesin zgjedhor, por edhe mungesën e theksuar të përkushtimit të nevojshëm të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore për të artikuluar vizion politik që i përgjigjet sfidave dhe potencialit të artit dhe kulturës në Kosovë, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, në raport me ndikimin që arti dhe kultura ka në zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, marrëdhënjet ndërkombëtare dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.

RRIPAK uron zgjedhjen e një numri të caktuar të punëtorëve dhe profesionistëve të dëshmuar të artit dhe kulturës në Kosovë si deputet në Kuvendin e Kosovës.

RRIPAK duke pasë parasysh edhe zhvillimet në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar dhe mangësitë e trashëguara në diskutimet publike dhe programet zgjedhore të partive politike për këtë fushë, thekson edhë një herë që për zhvillimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme të aktivitetit shoqëror, dhe këtij dikasteri qeveritar, duhet të krijohet një paradigmë e re për artin dhe kulturën në Kosovë.

RRIPAK vlerëson që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri zhvillimi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri duhet të ristrukturohet duke pasë për bazë modelet e sukseshme në rajon, dhe më gjërë.

RRIPAK vlerëson që struktura e tanishme e MKRS-së, e krijuar sipas modelit të qeverisjes të instaluar nga misioni i UNMIK-ut në Kosovë, nuk ka prodhuar rezultatet e duhura as në sektorin e artit dhe kulturës, por as edhe në sektorin e sportit dhe rinisë.

Sekretariati i RRIPAK ka hulumtuar modelet e vendeve të rajonit dhe për këtë kumtesë ka shkoqitur modelin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila në përbërjen e vet gjithashtu ka 12 ministri (sa mendohet që do të ketë Qeveria e re e Kosovës) pjesë e të cilës është edhe Ministria e Kulturës si ministri e veçantë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë në përbërje të vet ka edhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ministria e Kulturës është ministri e veçantë edhe në Qeveritë e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacise dhe Sllovenise.

Aktualisht, dikasteret e sportit dhe rinisë në Qeverinë e Kosovës janë pjesë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projeksionet e para të diskutimit të partnerëve të për një Qeverie të re e Kosovës kanë lënë këtë ministri të pareformuar.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në procesin e hulumtimit dhe konsultimit të vazhdueshem me synim: (1) krijimin e një mjedisi të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura dhe publike të artit dhe kulturës, (2) zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, (3) demokratizmin, profesionalizimin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës në Republikën e Kosovës, (4) mbrojtjen funksionale të trashëgimisë kulturore të Kosovës, (5) promovimin e domosdoshem ndërkombëtar të artit dhe kulturës së popullit të Kosovës, (6) zhvillimin ekonomik të ndikuar nga zhvillimi i artit dhe kulturës, vlerëson si të domosdoshme themelimin dhe reformimin e Ministrisë së Kulturës, si ministri e re dhe e veçantë, dhe ministri e rëndësisë primare në procesin e reformimit dhe krijimit të Qeverisë e re të Kosvës.

RRIPAK me këtë kumtesë shprehë mbështetjen e institucioneve të tjera të pavarura të artit dhe kulturës të gatshëm për të marrë pjesë dhe përgjegjësi në këtë proces.

RRIPAK për këtë proces mirëpret mbështetjen e mekanizmave të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar për zhvillimet progresive shoqërore në Republikën e Kosovës.

RRIPAK në këtë proces të konsultimit të gjerë vlerëson mbështetjen e institucioneve të vendeve të rajonit të gatshme për t’i bashkërenduar veprimet në këtë proces dhe për të zhvilluar raporte të reja të bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe ndër-institucional.

RRIPAK vlerëson që me krijmin e Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës Republika e Kosovës përfundimisht largohet nga mentaliteti qeverisës i administratës së misionit të UNMIK-ut në Kosovë, dhe politikave pasuese, për tu bashkuar me zhvillimet aktuale në proceset zhvillimore në vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.

RRIPAK – Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës këtë proces e sheh si hap të pare të domosdoshëm për krijimit e rrethanave që Kosova të prijë në rajon për politikat e reja publike në këtë sekor, me ndikim në zhvillimet shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, që fuqizojnë ndëveprimin shoqëror dhe zhvillimin e përmbajtjes artistike dhe kulturore që krijohet në Kosovë.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional i Republikës së Kosovës dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar moment të ri zhvillimi për artin, kulturën dhe shoqërinë në Kosovë, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kultures, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

RRIPAK në këtë proces njeh dhe vlerëson hapat e mëhërshëm politik të ndërrmarë në Republikën e Kosovës, që nga viti 2000, që për synim kanë pasur krijimin e politikave të reja në art dhe kulturë, fuqizimin e institucioneve pubike dhe të pavarura të artit dhe kulturës dhe rritjen e ndikimit të artit dhe kulturës në zhvillimet shoqërore në Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkommbëtare.

RRIPAK vlerëson edhe vendimin e Kryetarëve të Komunave që në mandatin aktual udhëheqjen e drejtorive të kulturës e kanë deleguar te profesinistë të dëshmuar të artit dhe kulturës dhe të shoqërisë civile dhe që politikat dhe zhvillimet në komunat rrespektive t’i mbështësin në bashkëpunimin me mekanizmat e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës.

RRIPAK edhe më herët ka vlerësuar që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri të zhvillimit Ministria e Kulturës duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri duhet të udhëhiqet nga përfaqësues të dëshmuar dhe të pavarur të kësaj fushe, të cilët mbështeten në këtë punë nga institucionet e artit dhe kulturës, aristët individual, shoqëria civile, partitë politike dhe partnerët ndërkombëtarë.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës është themeluar për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës të institucioneve të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë.

RRIPAK i bën thirrje mekanizmave të bashkësisë ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës dhe Zyres së Përfaqësueses së Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, që të bëhen pjesë e procesit të reformimit të këtij dikasteri dhe politikave publike në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës, të investojnë kapacitetet e tyre në këtë proces dhe të ndihmojnë këtë proces.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson artin dhe kulturën si fushë të interest nacional të Republikës së Kosovës që ka ndikim të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike në vend dhe ndikim të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

UNESCO e njeh kulturën si nxitës të zhvillimit, për shkak se kultura fuqizon njerëzit me kapacitete për të marrë përgjegjësinë për procesin e zhvillimit të tyre.

Institucionet anëtare të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK janë: ALBANIADA, ARS KOSOVA, ANSAMBLI ATTACCA, ESTA KOSOVA, FESTIVALI 9/11, FESTIVALI DAM, FESTIVALI PIANISTI I RI, FESTIVALI PRIFEST, FESTIVALI REDO, FESTIVALI FRYMA E RE, FRABAC, GALERIA EXPO ART 40, GALERIA QAHILI, GALERIA OPEN ART, INICIATIVA E HISTORISE GOJORE, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, PRISHTINA JAZZ FESTIVAL, QENDRA KOSOVARE PER MUZIKEN E RE / FESTIVALI REMUSICA, SHOQATA KOSOVARE CHOPIN, SHKAS SYTHI / ETNO FEST, STACION – QENDRA PËR ART BASHKEKOHOR PRISHTINË, TEATRI URBAN PRISHTINË, CULTURAL HERITAGE WITHOUT BORDERS / TRASHËGIMIA KULTURORE PA KUFI (CHwB) – URBANIAK, VARG e VI QENDRA PER ART BASHKEKOHOR GJILAN, VIART.

Sekretariati dhe selia e RRIPAK gjendet në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Rruga Henrik Bariç Nr. 23, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

E duan të gjithë, Luljeta Bozo – gruaja që njohëm pas tërmetit

Kush është profesoresha e inxhienierisë së ndërtimit, që i ka kushtuar gjithë jetën studimit të dherave dhe si e larguan nga universiteti me një copë letër pas 45 vitesh punë. Njihuni me 77-vjeçaren që po na hap sytë për katrahurën e ndërtimeve pas tërmetit shkatërrues.

Nga Blerina Gjoka

“Jam duke inspektuar një shkollë, pastaj do të shikoj shtëpitë e disa miqve të mi dhe në orën 3.00 më keni në shtëpi, ju pres”, na thotë në telefon Luljeta Bozo, profesore e inxhinierisë së ndërtimit. Luljetën e kemi pasur gjithmonë këtu por nuk e kemi njohur më parë, siç po e njohim këto ditë traumtike pas goditjes së tërmetit 6.4 ballë që la 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur e mijëra të pastrehë. Pas 26 nëntorit, ajo është një prej portreteve më familjare, dhe shpjegimet e saj nëpër studio televizive pëlqehen masivisht. Për 45 vite ajo ka dhënë mësim në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit duke nxjerrë breza të tërë inxhinierësh dhe të gjithë ata që kanë pasur fatin që të uleshin përballë saj në auditor e dinë sa e vështirë ishte të merrje notën prej saj.

Që prej vitit 1968 kur ishte akoma vajzë e re studente, ndërkohë që ishte bërë nënë për herë të parë me djalin, Petrin (regjisori i njohur Petri Bozo) ajo ka studiuar dherat, një disiplinë e inxhinierisë që lidhet pikërisht me themelet e një ndërtimi dhe rezistencën e tij ndaj tërmeteve.

Shtëpia e Bozos është 1-katëshe, e mobiluar fare thjeshte, çka tregon se ajo nuk ka bërë shumë pasuri, ndoshta shumë ndryshe nga kolegët e saj. Ajo jeton prapa bllokut të Ambasadave, në një banesë, ndërtim italian që daton në vitin 1932. Nuk ka asnjë plasaritje nga tërmeti që ka nxjerrë disa pallate jashtë funksionit edhe në Tiranë, ndërsa në Durrës  e Thumanë ka rrëzuar pallate dhe hotele. Në shtëpi gjejmë një qytetare, me disa letra në duar që po i kërkon mendim. Ajo është e shqetësuar për banesën e të birit dhe ka mbajtur frymën tek Bozo për të gjetur zgjidhje afatgjatë pasi banesa ka pasur disa dëmtime nga tërmeti. Si ajo ka shumë që e telefonojnë dhe Bozo nuk përton t’u kthejë përgjigje të gjithëve, t’u lërë një takim gjatë ditës së nesërme ose t’i presë në shtëpi.

Zyshë Luli na pret gjithë energji, një energji me të cilën zgjohet çdo ditë në orën 5.00 të mëngjesit dhe ecën më shumë se 5 kilometra në këmbë për të vijuar ditën me studimet dhe shkrimin e 2 librave të rinj që ka në dorë. Ndërsa në bibliotekë numërohen të paktën 35 botime shkencore dhe monografi që mbajnë emrin e saj, në këto 54 vite punë pa ndërprerje.

“Njëri është libër profesional për përllogaritjet, korrelacionet. Në përllogaritjet paraprake sa mund të kushtojë themeli, vepra, etj., i duhen disa parametra. Kërkon qetësi dhe punë 5-6 orë në ditë ku do të nxjerrësh vlerat matemnatikore, etj.. Ndërsa libri tjetër është shpirtëror, që t’u lë fëmijëve dhe nipërve e mbesave një kujtim për lidhjen time me Todin, që kemi shkuar aq mirë bashkë deri ditën që u nda nga jeta”.

Dashuria që e ka lidhur për disa dekada me bashkëshortin e saj, Todi Bozo, regjisori i famshëm, duket se ka qenë dhe është akoma frymëzimi për të vijuar punën e saj shkencore. Prej dy vitesh i mungojnë lulet e narcizit që Todi nuk harroi kurrë t’ia sillte në përvjetorët e martesës, por fotoja e tij e madhe në dhomën e pritjes i bën akoma shoqëri.

https://www.youtube.com/watch?v=A4ioB3ZN5oQ

Bozo ka qenë pjesë e Byrosë së Ndërtimit në fakultetin e Inxhinierisë ku janë projektuar disa godina në Tiranë, kryesisht godinat e fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Ajo ka qenë gjithmonë e gatshme të japë ekspertizën e saj, por në 30 vitet e shtetit pluralist shqiptar kur ndërtimet kryesisht në qendrat e mëdha si Tirana dhe Durrësi morën një hov të madh Luljetës nuk iu kërkua kurrë një mendim. Dhe as tani, kur mediat mbajnë radhë për ta ftuar në studio, dhe ajo nuk thotë jo askujt, akoma nuk ka marrë një telefonatë nga institucionet shtetërore që t’i bashkangjitet grupeve të ekspertëve që po inspektojnë dëmet e tërmetit.

Po nuk ështe hera e parë që ajo e ka përjetuar këtë neglizhencë. Ajo më e dhimbshmja ka qenë largimi nga puna në vitin 2010 nga fakulteti ku kishte kaluar 45 vitet e jetës së saj dhe kishte dhënë një kontribut të pamatshëm. “Unë e njoftova vetë dekanin se me datë 2 tetor mbush moshën e pensionit sipas ligjit, por shpreha dëshirën që të vijoja të jepja mësim, të paktën edhe një vit në programin e doktoraturës së gjeoteknikës, pasi e kisha krijuar vetë gjithë programin. Unë prisja një përgjigje dhe më 4 tetor shikoj sekretaren e dekanit që ishte shumë e shqetësuar. Ajo më tha kam një shkresë për ty, por më vjen turp të ta jap, me gjithë këtë eksperiencë e kontribut që ke dhënë ti këtu duhet të ta japë rektori ose dekani. Ma jep ta lexoj i thashë ska rëndësi. Aty shkruhej ; me 2 tetor mbushni 68 vjeç, në 4 tetor ndërprisni marrëdhënien financiare për efekt pension pleqërie. Më ra tavani në kokë. As një pastrueseje nuk i thuhet kështu. Mbledh kolektivin e vogël, një tufë me lule dhe thua na detyron ligji, megjithatë nëse ti dëshiron vazhdo të japësh mësim”.

Tronditja nuk i zgjati as disa ditë pasi universiteti Epoka e ftoi të jepte mësim duke e mirëpritur ashtu siç e meritonte një pedagoge me titullin profesor. Bozo vijon të japë mësim sot e kësaj dite në universitetin Polis.

Kaosi i ndërtimeve të reja
Duke përcjellë shqetësimin e mijëra banorëve të Tiranës që vrapuan në rrugë pas tërmeteve që ranë këto ditë e pyesim profesoreshë Bozon për sigurinë e ndërtimeve të reja në këtë qytet që kanë krijuar lagje të reja në dy dekadat e fundit. Sipas saj ka një gafë të madhe në gjithë këtë fluks ndërtimi; ato janë bërë pa një plan urbanistik.

“Gjithë gafat kanë filluar sipas meje që nga mungesa e një planifikimi urban për të gjitha qytetet. Pra nuk ka një plan që të përcaktojë si organizohen këto ndërtime, ku do të jenë zonat e reja ku do të ndërtohen, me çfarë lartësie, me çfarë gjërësie rruge, ku do të jetë sistemi i kanalizimeve. Ka qenë Tirana vetëm në qendër, tani u zhvillua u hap dhe në periferi dhe tani po del akoma më tej, pra janë disa rathë që janë zhvilluar. Po me çfarë plani janë zhvilluar? Edhe kur ka pasur ka qenë një plan shumë kaotik që nuk e kuptonte njeri”– thotë ajo.

Por Bozo beson se ndërtesat e reja janë të sigurta nëse kanë ndjekur hapat e duhur të sigurisë.

“Ndërtimet e reja në Tiranë janë shumë të sigurta nëse janë respektuar 3 hapa; E para, kanë marrë informacion shumë të saktë për ndërtimin gjeologjik dhe reagimin sizmik, që janë të detyruar t’i marrin, por ka shumë raste që investitori ndërhyn në punën e konstruktorit dhe i thotë pse do paguaj unë kaq lekë për ndërtimin gjeologjik, bëjë dhe ai konstruktor që tutet se mos i heq rrogën, po ai nuk duhet të shkelë në profesion dhe duhet t’i mbushë mendjen investitorit. E dyta, inxhinieri që bën zbatimin dhe që punon ngushtë me inxhinierin që merret me nëntokën me pjesën nëntokësore të objektit, gjeoteknikun. Të dy bashkë duke marrë krijimin e arkitektit e bëjnë zgjidhjen shumë të saktë dhe s’ka asnjë problem. Tani vjen hallka e tretë, që janë banorët. Disa janë të papërgjegjshëm dhe ndërhyjnë tek muret. Nëse heqin muret në katin e parë e çojnë objektin në kolaps. Po ashtu nëse ndërhyjnë tek kolonat”.

Në fjalët e profesoreshë Bozos vetëm vend për pesimizëm nuk ka pavarësisht se shqiptarët sot jetojnë në një ankth të përgjithshëm nga lëkundjet.

Ajo beson se njeriu duhet të jetojë me natyrën dhe ta respektojë atë dhe tërmetet janë pjesë e natyrës.  “Godinat kanë një jetëgjatësi, 100-150 vite, duke parashikuar 2-3 tërmete të fortë sepse inxhinieri më i zgjuar nuk jemi ne inxhinierët, po është materiali i ndërtimit dhe ai nuk na i ka treguar të gjitha sekretet. Megjithatë banorët e Tiranës i kanë bërë shtëpitë me qerpiq dhe janë 300-vjeçare ose kemi ura dhe kështjella shumë shekullore”, thotë ajo.

E lëmë Bozon duke dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa e bija, arkitekte e telefonon për t’i thënë se bashkë me të do t’i bashkangjiten një grupi ekspertësh që do të verifikojnë objektet e rëndësisë së veçantë që janë shkollat dhe kopshtet. Më në fund dikush është kujtuar që ta ftojë të japë ekspertizën e saj në këto momente kaosi kur të gjithë kërkojnë pak siguri./ Mapo.al

Të enjten, Vlera Kastrati promovon librin ku ndërthuren fjalët dhe muzika

Këtë të enjte, në Prishtinë do të promovohet libri ‘Anatomy of a Kosova Woman’s Soul’ nga Vlera Kastrati.

Këngëtare dhe tanimë një grua që ka shkrirë fjalët në libër, Vlera do të promovojë një vepër autobiografike që përshkruan jetën e saj në veçanti dhe përditshmërinë e saj në Kosova nga paralufta, lufta dhe paslufta.

“Libri është një përshkrim i detajueshëm i ngjarjeve e momenteve emocionale nga fëmijëria, me lojërat e fëmijëve të ndërprera nga helikopterët serb, rinia e arsimimi pa ditë normale, e përplot ngjarje e momente tjera politike e traumatike: protestat, gazi lotsjellës, shtëpitë shkolla, ikja nga tmerri i luftës” tregon për KultPlus Vlera.

Të enjten e 5 dhjetorit, prej orës 18:00 në Europe House – Shtëpia e Evropës në Prishtinë, Vlera promovon këtë vepër të sajën.

Të gjitha ngjarjet rrëfehen me anë të formës innovative të përdorimit të gjuhës dhe muzikës. Me kthimin e saj nëpër kohë, duke gjetur copëzat e fshehura të vetes, Vlera Kastrati kësisoj rikujton dhe rijeton jetën e vet dhe gjen përsëri dëshirën e saj të muzikës, të cilën se kishte jetuar asnjëherë. Vlera megjithatë së fundmi është rikthyer fuqishëm në muzikë, dhe jeta e saj po mbushet me tingujt e muzikës që lidhen edhe me shkrimin dhe penën e bardhë.

Gjatë promovimit do të mbahet edhe një debat. Prezantimi do të bëhet në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Të mërkurën, bashkëbisedim me regjisorin Isa Qosja dhe teoricienin Sezgin Boynik

forumZFD programi në Kosovë në bashkëpunim me Sezgin Boynik (teoricien dhe redaktor) dhe Isa Qosja (regjisor filmi) organizojnë shfaqjen e filmit ‘Rojet e mjegullës’ dhe bashkëbisedimin me Sezgin Boynik dhe Isa Qosja.

‘Rojet e mjegullës’ është film shqiptar i zhanrit dramë i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1987, me regji të Isa Qosja dhe është i bazuar në romanin ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ nga Rexhep Qosja. Filmi ndërthur imazhet dhe realitetin e përvojave të një shkrimtari brenda regjimit totalitar. Në kohën e Titos, kur sistemi policor i Aleksandar Rankoviq ushtronte dhunë ndaj popullatës shqiptare, ky intelektual vuante pasojat e terrorit shtetëror.

Duke marrë filmin ‘Rojet e mjegullës’ si pikënisje, Sezgin Boynik në bashkëbisedim me Isa Qosja do të shqyrtojnë të kaluarën socialiste të shqiptarëve në Kosovë, marrëdhëniet klasore dhe ekonomike, marrëdhëniet socio-politike dhe ndëretnike, etj. Nisur nga ideja se reprezantimet vizuale janë ekspresione të ndërtuara nga narrativat e ndryshme historike, kolektive dhe personale, aktiviteti diskuton mundësitë se si filmi dhe kinemaja mund ta lehtësojë të kuptuarit tonë të konflikteve, ideologjive dhe të historisë politike. Në këtë kontekst, ne duam t’i diskutojmë mënyrat se si kultura vizuale na paraqitet si platformë për bashkëbisedim dhe shqyrtim konstruktiv të temave të vështira, duke tejkaluar limitet etnike, kulturore, shoqërore e politike, dhe si kjo platformë mund të kontribuojë konstruktivisht në ndërtimin e kujtesës së shumanshme kolektive. Gjithashtu, në këtë bashkëbisedim ne synojmë të i ‘lexojmë’ përvojat personale të regjisorit rreth asaj se çfarë nënkuptonte atëbotë të punohej në një film të tillë i cili tregon një histori të vështirë politike për Jugosllavinë.    

Shfaqja e filmit ‘Rojet e mjegullës’ dhe bashkëbisedimi me Isa Qosja dhe Sezgin Boynik do të mbahet me datën 4 dhjetor 2019, në Qendrën Multimedia, Prishtinë, duke filluar nga ora 19.00.

Diskutimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe angleze, dhe për këtë do të sigurohet përkthim simultan. / KultPlus.com

Anna Oxa së shpejti në Shqipëri, i bashkohet kauzës për tërmetin

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Anna Oxa, është e vetëftuara speciale e natës së parë të “Këngës Magjike”.

Pasi u bë i ditur mesazhi që do të përcjellë këtë vit “Kënga Magjike” ajo tregoi se është e gatshme të këndojë për të ndihmuar shqiptarët

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Arditi ka bërë të ditur lajmin.

Ai ka publikuar një foto të këngëtares dhe konfirmon pjesëmarrjen e saj, por si publik, për t’iu bashkuar nismës së madhe të Këngës Magjike.

“Anna Oxa, pasi mori vesh tragjedinë e ndodhur më 26 nëntor, më telefonoi dhe më pyeti se ç’do të bëhej me Këngën Magjike. Ajo u emocionua nga misioni dhe pa u menduar, më tha se të mërkurën (4 dhjetor) do të jetë këtu, tek Kënga Magjike. Më tha se do të blej një biletë dhe do të ulem tek publiku duke shtuar se ne artistët, për këtë jemi”,– u shpreh Arditi në emision.

Ndërkohë në Instagram shkruan: “Faleminderit! #ANNAOXA. Pasi për ditë të tëra ka pyetur se si po shkon vendi me situatën e tërmetit, të mërkurën në mbrëmje, do të jetë me ne në natën e parë në @kengamagjikeofficial duke u bashkuar me kauzën e artistëve shqiptarë”.

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, ekspozitë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë në Zagreb, të enjten, për nder të 28 Nëntorit, u hap ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” – bashkëorganizim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Kroacisë (linku: http://www.nsk.hr/otvorena-izlozba-ovdje-sam-pronasao-slob…/).

Ekspozita përmban botime monografike, portrete, si dhe piktura që lidhen me botën e vizatimit e të ilustrimit, të përqendruara në temat për të bëmat dhe historitë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ekspozoi para publikut të Kroacisë librin më të vjetër të Koleksioneve të Rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhuruar nga koleksionistja e njohur e librave mbi Skënderbeun – Patricia Nugge nga Londra: Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, Princit të Epirotëve (Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis) të Marin Barletit; botuar në Augsburg, 1533 (MDXXXIII).

Libri tjetër me rëndësi të veçantë që u ekspozua në Zagreb – gjithashtu – pjesë e Koleksioneve të Rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës – ishte po i Marin Barletit: Jeta dhe të bëmat e shkëlqyera të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit, princ i epirotëve, i cili për burrërinë kreshnike të tij u quajt prej turqve Skënderbe, d.m.th. Aleksandër i Madh; shkruar në 13 libra (kapituj) nga Marin Barleti, prift shkodran; rishtypur përsëri me lejen e eprorëve; botuar në Zagreb nga shtypi Gjon Pagëzuesi, shtypshkronjë e shquar e Mbretërisë së Kroacisë, në vitin 1743.

Në ceremoninë hapjes së ekspozitës, drejtorja e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, Prof. dr. Tatijana Petrić, përshëndeti këtë bashkëpunim të të dyja bibliotekave, duke e cilësuar një “bashkim që e solli ndikimi i figurës së Skënderbeut në trashëgiminë kulturore”. Znj. Petrić u shpreh për Skënderbeun se është një simbol i rezistencës në të gjithë Evropën dhe se me kalimin e kohës, figura e tij – si pjesë historisë evropiane përmes veprave artistike, veprave letrare, të dhënave historike – është kthyer në një legjendë. Kësisoj, historia e tij ka arritur në Kroaci dhe në Bibliotekën e Zagrebit.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, shprehu falënderimin për gatishmërinë që Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë ta mbështetë veprimtarinë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ai theksoi se mbi bazë dëshmish historiko-kulturore, gjeografike, afritë e kulturës shqipe me kulturën kroate, janë të hershme e të fuqishme, duke theksuar se referencat për kohën e Skënderbeut dhe epokën pas tij, japin spektre të identitetit shqiptar, por edhe të raportit me kulturat e tjera, siç është ajo, në mënyrë të veçantë, me kulturën kroate. Kjo ekspozitë tregon për një ndërlidhje të këtyre dy kulturave në një sfond më të gjerë kulturor.

Ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” – e hapur për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 17 janar 2018 – në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, është prezantuar edhe në disa qytete të Kosovës, si dhe në Ulqin.

Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, do të jetë e hapur deri më 11 dhjetor 2019.

Me varg në shpirt m’çeli pranvera

Nga Ibrahim Rugova

Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?

Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.

Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?

I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.

Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.

Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurrë.

‘Zoti di të bëjë gjithçka, gjë që i sjell mërzi’

Henri Michaux

ZOTI

Zoti di të bëjë gjithçka. Gjë që i sjell mërzi.
Gjë që e bën të dojë një qenie që do dinte të bënte vetëm pak gjëra.
Ky është shkaku i krijimit.
Ai bëri gurët. Por pasi u rrokullisën në fund të rrëpirave, gurët nuk bënë më asgjë.
Zoti mërzitet.
Më pas bëri ujin. Por uji rridhte gjithnjë e më përfund.
Zoti mërzitet.
Pastaj bëri pemët, por këto ngriheshin të gjitha drejt diellit.
Zoti mërzitet.
Atëherë Zoti shqit një goxha copë nga vetja, e qep nën një lëkurë dhe e hedh mbi tokë. Është njeriu.
Dhe njeriu i bën lëmsh tokën, gurët, ujin dhe pemët.
Zoti vështron. Qenka mirë të shikosh dikë të bëjë diçka.
Ndonjëherë ai vetë lëkund tokën, hedh një mal mbi një tjetër, i fryn detit. Njerëzit vrapojnë, përpiqen.
Dhe Zoti vështron. Qenka mirë të shikosh dikë të bëjë diçka.

[përktheu a. ç.]

Edhe pak orë për të aplikuar për konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e konkurrimit për konkursin “KultStrofa”.

Konkursi mbarëkombëtar është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë Arjola Zadrima.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com.

Deri në ora 00:00 sonte, aplikoni në konkurs me poezitë tuaja të pabotuara, në [email protected].

Kujdes me fjalën

Nga Dritëro Agolli

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Dua Lipa reagon, do ta ndihmojë Shqipërinë personalisht dhe me anë të një aksioni humanitar

Gjatë tërë ditës Dua Lipa në Twitter po kritikohej për neglizhencën e saj ndaj tërmetit në Shqipëri.

Para pak minutash, në Instagram ajo ka treguar se çdo moment që kalon është humbje e madhe, prandaj ka vendos të reagojë.

“Përpos donacionit tim dhe të familjes sime, jam bashkuar me Kujtimin dhe Arbenin nga BOND.NYC që të krijojmë rrobat dhe materiale të cilat do të shiten në tërë botën dhe i tërë fitimi do të shkojë për ata që janë prekur nga tërmeti. Të gjitha të hollat do të shkojnë në llogaritë zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, me të cilët ishim në kontakt falë shoqërisë sonë në Prishtinë” ka reaguar në Instagram këngëtarja Dua Lipa.

View this post on Instagram

This 28th of November, OUR National Flag Day, finds us in the middle of pain for the lost lives of the devastating earthquake in Albania and being proud of the solidarity that our brothers and sisters in Kosova and all around the world are showing towards this tragedy. As always we are all united and we are all looking for the best ways to help the affected families, children who lost their parents, parents who lost their children, and friends looking to find each other and be there for their loved ones. Every moment wasted looks like a moment too late in raising worldwide awareness of this tragedy, and that is why I can not wait any longer. Apart from mine and my family’s personal donations I am teaming up with my friends Kujtim and Arben from @bond.nyc to create materials that will be sold worldwide and 100% of the proceeds will go towards the affected families of the earthquake in Albania. All the proceeds will go directly to the official accounts provided by the Government of Albania with whom we were in contact through our friends in Prishtine. We have proved to be strong and at the moments like this we come together as a nation of brothers and sisters UNITED. Pray for Albania and for the lives lost. Join the best way of helping the cause or do your own thing. The time is always right. 🇦🇱❤️

A post shared by Dua Lipa (@dualipa) on

BOND.NYC është kompani që merret me veshmbathje dhe kryesisht maica apo duksa dhe veshmbathje tjera që kushtojnë shtrenjtë.

Bebe Rexha ka mbledhur mbi 200 mijë dollarë me anë të aktivizmit të saj ndërsa pritet që të gjitha personalitetet e njohura në botë nga Kosova e Shqipëria të ndihmojnë në këto momente ankthi për shqiptarët kudo . /KultPlus.com

Rrëfimi i zjarrfikësit që i gjeti 7 familjarët e tij të vdekur nën rrënoja

Arben Cara, ishte mbi rrënojat e vilës Palma, në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos, kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës.

Kur mbërriti atje, mësoi se mbi rrënoja ishin edhe familjarët e tij.

Arben Cara, rrëfen për “Abc News”, se ishte e vështirë dhimbja për 7 familjarët e tij, që i gjeti të vdekur nën rrënoja, por në misionin e zjarrfikësit, të gjithë i sheh njësoj, me të njëjtën dhimbje, e me të njëjtin përkushtim për t’i shpëtuar.

‘Sytë mu kan ronu, zemër rri me mu’

Ditët e kobshme për shqiptarët po vazhdojnë. Njerëz të vdekur e të gjallë po nxirren nga rrënojat e tërmetit të madh që ndodhi në Shqipëri para pak ditësh.

Duke sikur nuk ka festë, prandaj një zymtësi ka kapluar gjithandej çdo zemër shqiptare.

Duke mos pasur asnjë arsye për festë, po e sjellim një këngë të mishëruar e emocionuese nga Jericho.

“Kur do të pushojë kjo këngë” është këngë për një kauzë tjetër, por që na kujtohet sot sikur për ti thënë tokës “kur do të pushojnë këto lëkundje”.

Shpresojmë në sa më pak viktima të tërmetit i cili preu në mes plot ëndrra

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Sytë mu kane ronu
Zemër ri me mu

Prezantohet logoja dhe slogani i Eurovision Song Contest 2020

Sot është prezantuar edhe logoja dhe brendi kreativ i Festivalit Evropian të Këngës – Eurovision.

Festivali i cili do të mbahet në maj të vitit 2020-të, edicionin e radhës do ta festojë me sloganin ‘Open Up’ apo Hapu.

Festivali me dizajnin e ri të vitit do të festojë secilin shtet që merr pjesë në garë, dhe flamuri i secilit shtet është shkrirë në logon kryesore.

Edicioni i radhës do të jetë i 65-ti me radhë, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e 41 shteteve nga kontinenti, përfshirë edhe Shqipërinë.

Është interesante të përmendet se Hungaria është larguar nga gara e Eurovizionit sepse, sipas burimeve të The Guardian, për këtë vend ku politika e djathtë po bëhet kryesorja, kjo garë është “shumë homoseksuale” dhe në të nuk ia vlen të merret pjesë e të harxhohen para, shkruan KultPlus.

Shqipëria merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2004 ndërsa pozita e pestë në finale është më e mira deri sot për shqiptarët në këtë garë.

Eurovizioni 2020 do të mbahet në Roterdam, në Holandë. / KultPlus.com

Termokiss bën thirrje për ushqim për fëmijë dhe peceta higjienike

TERMOKISS, një prej hapësirave kulturore alternative në Prishtinë, pret ende për ndihma për qytetarët e traumatizuar në Shqipëri.

Ky është mesazhi i TERMOKISS në rrjete sociale

*

Vazhdon ndihma për personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri. I falenderojmë të gjithë ata që kanë sjellur ndihma përgjatë ditës së sotme në Termokiss.

Një grup prej anëtarëve tanë veçse kanë mbrri në Durrës dhe përpos rrobave, batanijeve, thasëve të gjumit kanë marrë mjetet e gatimit dhe do të gatuajnë e ndihmojnë në disa pika të vendit.

Gjatë kësaj kohe kemi marrë informata edhe prej personave tjerë që ka nevojë të madhe të ndihmave për fëmijtë dhe gratë, sidomos në peceta higjienike (olloshka) dhe ushqimin për fëmijët.

Andaj, kushdo që ka mundësi të kontribuojë me këto ndihma ju lutemi që t’i sjellni në Termokiss.

Për shkak të tërmetit në Shqipëri, shtyhet festivali “Kosovarja Këndon”

Për shkak të tërmetit në Shqipëri, është anuluar Festivali “Kosovarja Këndon”.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Bordi i AKV “Kastriotët” nga Ferizaj.

“Të nderuar dashamirë dhe pjesëmarrës të Festivalit “Kosovarja Këndon”, ju njoftojmë se festivali, që ishte paraparë të mbahej më 28 nëntor, shtyhet për një kohë të pacaktuar. Ky është vendim i përbashkët i institucioneve dhe stafit organizativ, për shkak të tragjedisë që ka ndodhur në Shqipëri. Për mundësinë e mbajtjes së festivalit në një ditë tjetër, do të njoftojmë ndërkohë”, thuhet në njoftimin e bordit të AKV-së “Kastriotët”- Ferizaj.

Shkoni te Teatri Kombëtar në Prishtinë për të ndihmuar e për tu lutur për Shqipërinë

Solidarizimi me vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri me rastin e tërmetit që i goditi ata para pak orësh po vazhdon.

Sonte, prej orës 20:00, një aksion humanitar do të ndodhë tek Teatri Kombëtar i Kosovës. Gjatë tërë ditës, edhe në këtë momente, atje po dërgohen ndihma nga më të ndryshmet. Pjesa tek Teatri Kombëtar në Prishtinë është njëra nga pikat ku po dhurohen ndihma për të prekurit nga termeti.

Përvec ndihmave që qytetarët po vazhdojnë të mbledhin, sonte do të përkujtohen viktimat dhe do të ketë lutje nga qytetarët që kjo ngjarje e rëndë të përfundojë me kaq dhe të mos ketë më viktima.

Disa iniciativa po ndodhin njëkohësisht tek kjo pjesë, ndërsa ndihmat do të dhurohen deri në mesnatë.

Njëra iniciativë është nga Image of Kosovo dhe tjera është nga komuniteti i artistëve në vend. / KultPlus.com