Pak minuta pas orës 9:00 në mëngjesin e së martës, ekskavatori filloi me gërmimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Hapësira që zakonisht shfrytëzohet për parking nga stafi i Fakultetit të Arteve, u gërmua me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet se aty, gjatë kohës së luftës, ishin varrosur trupa njerëzish, raporton KTV.
Punimet ngjallën interesin edhe të studentëve të Fakultetit të Arteve, ndër ta edhe të Leonitës, 18-vjeçare.
Ajo as nuk ishte e lindur në kohën kur supozohet të jetë tentuar të fshihen krimet në këtë pjesë, prillin e vitit 1999, por, pavarësisht kësaj, ngjarja i duket e një rëndësie të veçantë.
Edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, thotë se studentët, pavarësisht se nuk është gjë e këndshme, duhet të ballafaqohen me ngjarje të tilla.
Gërmimet kanë përfunduar afër orës 16:00, pa ndonjë rezultat në lokacionin e parë.
Me ekipet e mjekësisë ligjore dhe zyrtarë të tjerë, gjatë tërë ditës, ka qëndruar edhe Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit për çështjen e pagjeturve, që ka ngritur sërish çështjen e mosbashkëpunimit nga shteti i Serbisë për këtë temë.
Gërmimet pritet që të vazhdojnë edhe të mërkurën në lokacionin e dytë të shënjuar, pak metra larg të parit.
Më lër të bie në preherin tënd të ngrohtë O hallemadhja ime shekullore! Të puth duart e tua , më të mirat në botë, I ngazellyer të hesht me heshtje foshnjore; Duart e tua që u rregjen nga puna Dhe gishterinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekeve, Dhe supet që u varen nga xhokja e nga guna, Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve, Dhe ballin që rrudh e u lërua nga mendimi, Dhe beben e syrit që u mpreh nga shënjestra, Dhe këmbet që u zmadhuan nga ecja e mundimi Dhe qerpiket që u dogjen nga baruti në shkrepa…
Ti sytë lan në mëngjes me ujin e krojeve të maleve Ti lleret lemon në mëngjes me shkumën e deteve, Ti faqet fshin me peshqirin e madh të livadheve, Ti floket lyen me lëngun e luleve te bjeshkeve… Dhe çdo mëngjes behesh më e re dhe përze zhubra e rudha Ne rrimë në prehrin tënd e dorën na shkon në flokë Thinjët na fshin kur gjunjët na dhëmbin nga udha, Lodhjen na heq kur zgjuar na tretesh mbi kokë…
Qëndroj para teje, Ja tek më ke, Në krahët e tua, Mua, Birin tend, shembëllimin e qenies tënde, Atë që tha sa hapi sytë Në djep: “Te dua!” Dhe fjalën e peshës së rënde e ruajten malet e rënde..
Gjithë dashuritë për nënat që janë e do vijnë Në prehrin tënd të madh i kam vëne, Gjithë dashuritë për gratë, për shokët e miqtë T’i kam sjelle t’i ngrohesh o nënë! Jeton dashuria per ty, se birin tend s’e thau civilizimi .
S’e thau shekulli i atomit dhe i zbritjes në hënë; Në buzët e plasura s’iu vyshk belbëzimi, Belbëzimi i foshnjes që përgjerohet për nënë.
Biri yt di te ulet në sofrën që shtrojnë fshatarët në oborr, Sic ulet në banketet që shtrojnë kryeministrat; Biri yt di te hyje në laboratorin termobërthamor, Siç hyn në arën ku zgjatin mustaqet misrat… Çdo gjë që më dhe trashëgim e kam mbajtur Kudo që kam shkuar , Kudo që kam vajtur.
Mariah Carey ka thyer jo një, por tri rekorde të Librit të Rekordeve Guinness.
“All I Want for
Christmas is You”, kënga hit e çdo fundviti krishtlindjes nga Carey, është kënga
që ka qëndruar më së gjati në toplistat muzikore dhe që është këngë festive.
Kënga poashtu është kënga më e transmetuar në Spotify në 24 orë, gjithsej 10.8 milion herë, dhe mbetet kënga festive që ka qëndruar më së gjati në toplistën Top Chart 10 në Angli.
Të gjitha këto tri rekorde do të përfshihen në librin e Guinness World Records 2020 Edition.
“All I Want for Christmas is You” është shndërruar në këngë hit dhe senzacion që prej lansimit të saj me 24 tetor 1994, si pjesë e albumit “Merry Christmas” nga Mariah Carey.
Kënga çdo vit rikthehet në toplista dhe mbetet ndër ato këngë të pavdekshme në të cilën Mariah Carey e ka shkrirë zërin e saj përgjithmonë. Këtë vit kënga do të rikthehet në toplista për të 13-tin vit me radhë. / KultPlus.com
Kur dridhesh ti Ne s’bajmë gjumë Shqipni Se tutemi po vdes E rrajë jetimash mbesim Të duem edhe kur vërshohesh Ujnash Edhe kur digjesh Zjarresh Edhe kur mallkohesh nesh Kur luhatesh Dridhesh e përkundesh Tërmetesh Si zogj t’futemi n’gji E lutemi Vetëm ti t’mos vdes Ne S’bajmë gjumë kur ti dridhesh Se veç Ty t’kemi Shqipni
Vetëm dy ditë para se Shqipëria ta festojë Ditën e Pavarësisë – Ditën e Flamurit, disa termete nga mbrëmë deri sot në mëngjes e kanë prishur magjinë e festës.
Qytetarët sidomos në Durrës e Tiranë janë traumatizuar. Deri tash numërohen tri viktima.
Në Thumane është shënuar viktima e parë ndërsa ka njerëz ende nën rrënoja nga tërmetet e fuqishme që kulmuan me atë më të fuqishmin rreth orës 4 të mëngjesit, i cili arriti deri në Kosovë e Maqedoni.
Albania has seen a higher than usual bout of earthquakes recently. Today's 6.4-magnitude earthquake near Durres @ ~4AM local time is the strongest quake to hit the country in decades.pic.twitter.com/Ml7B0ZitVg
Çka na mbetet është të lutemi për shqiptarët gjithandej, sidomos për ata në Shqipëri, në këtë ditë të vështirë. Lutemi poashtu për sa më pak viktima në njerëz. / KultPlus.com
Gjithandej ngjyra e portokalltë, për të nisur kësisoj “16 Ditët e Aktivizmit” edhe në Kosovë.
Një ngjarje për të cilën angazhohen plot qytete në botë, ka nisur sonte edhe në Prishtinë. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, filloi organizimi që dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në baza gjinore.
“16 Ditët e Aktivizmit” sonte u hap me pjesëmarrjen e
personaliteteve të ndryshme që thirrën kundër dhunës në baza gjinore.
Ulrika Richardson nga UN bëri thirrje që të edukojmë edhe djemtë tanë me kujdesin që edukojmë vajzat tona, shkruan KultPlus.
“Vajzave u tregojmë gjithmonë çfarë të veshin, si të sillen, çfarë të thonë, por me djemtë nuk flasim shumë. Duhet edukuar gjinia mashkullore që edhe ata të kenë një kod të sjelljes dhe nuk duhet gjithmonë të kemi vetëm prioritet vajzat kur edukojmë” ka thënë gjatë fjalës së saj Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Gjatë natës ka folur edhe Karin Hernmarck, Ambasadore e Suedisë në Kosovë e cila ka thënë se dhunimi është ndër ato krime kur më e turpshme ndihet viktima sesa dhunuesi, prandaj duhet ndaluar çdo dhunë në baza gjinore dhe duhet të ketë zero tolerancë dhe duhet synuar zero viktima në këtë aspekt në të ardhmen.
Gjatë natës, grupi ZANAT ka performuar këngën “Një Lule”.
“16 Ditët e Aktivizmit” do të ketë plot aktivitete nëpër tërë Kosovën, për të ngritur edhe një herë debatin kundër dhunës në baza gjinore në Kosovë. / KultPlus.com
Ajo që do të dëgjoni më poshtë është ndoshta versioni i parë i regjistruar i këngës shqipe ‘Rroka mandolinën’.
Këngën të cilën më vonë do ta këndonte Luan Hajra, Nexhmije Pagarusha, Eranda Libohova e këngëtarë të tjerë, rreth fillimit të viteve 20-të e këndonte Athanas Mone, Andreas Papas dhe Ansambli Zoto.
Kënga është pjesë e një albumi që përmbledhë perlat e folklorit shqiptar, përfshirë “Një lule e bukur doli nga xheneti”, “Kënga e dhimitraqit”, “Hunde e bukur”, “Havazi i dy motrave” e këngë tjera, këndua nga Zonja Qerina, Mati Kola, Jonuzi me Shokët dhe formacione tjera.
“Rroka mandolinën” ka ndërruar formën por megjithatë ka mbetur një ndër këngët më të mira shqiptare, që me ëndje dëgjohet edhe sot. / KultPlus.com
Sot është ditëlindja e poetit e shkrimtarit Ragip Sylaj, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar.
Sylaj punoi si mësimdhënës në shkollën “Skender Luarasi” në Suharekë, ndërsa veprimtarinë e tij prej gazetarit e ushtroi si gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” si dhe në dy të përditshmet tjera “Bota sot” dhe “Zëri”.
Shkrimtari Sylaj botoi 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.
Në njërin prej edicioneve të konkursit ‘KultStrofa’ organizuar nga KultPlus, ai edhe u shpall fitues absolut i vendit të parë.
Korab Sylaj, djali i poetit, e ka kujtuar sot në këtë mënyrë babain e tij, Ragip Sylajn.
***
Sot është ditëlindja jote babi, e do doja edhe njëherë ta festonim bashkë. Nuk kam fjalë me pershkru sa na mungon. Je gjithçka per ne, të duam shumë.
Një poezi qe babi e shkroi një vit me parë,
OH, JETA IME
U zgjova e u çova Dhe e mora hijen me vete Me shpresë se nuk më lë Me bindjen se nuk më tall Hija ime e gjallë
Kur dielli është n’zenit Dhe e shpërpall t’vërtetën Del Hija e Jetës Që ia mshel derën vdekjes
Vijnë engjëjt mbrojtës Me premtim të bardhë T’ma shpupurisin terrin e frikës Para se me ardhë
Pastaj ylli i fatit Si yll i mëngjesit M’përshëndet me dritën e gjallë Dhe m’pyet: Ku je vallë Që dukesh e zhdukesh kaq rrallë
Ah kam jetuar në këngë Kam frymuar në ëndërr Herë si luftëtar Herën tjetër si dhëndër Kam udhëtuar n’mendime Kam pushuar n’kujtime Më mirë për me t’kuptuar Më thellë për me t’dashtë Oh jeta ime
Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, ka hapur thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.
Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë
dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët
kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të
interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet
të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin
“Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen
nëpërmjet formave tjera.
Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
Një mbrëmje poetike do të pasojë gjatë muajit dhjetor për të shpërblyer më të mirët dhe për të dëgjuar dhjetë poezitë më të mira të interpretohen para publikut.
Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë triumfoi Arjola Zadrima.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art KULTPLUS – www.kultplus.com.
Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 1 dhjetor 2019. / KultPlus.com
(Intervista e regjisorit Fatos Berisha për CINEUROPA. Përkthyer nga Lekë F.Berisha.)
Fatos Berisha – Regjisori i Cirku Fluturues
Cineuropa: Bisedojmë me regjisorin/skenaristin kosovar Fatos Berisha për filmin absurd dhe surreal me të cilin po garon në Tallinn, Cirku Fluturues.
Regjisori/skenaristi i njohur kosovar Fatos Berisha e tregon një udhëtim absurd dhe të papritur, pjesë e të cilit ishte edhe vet, në filmin e metrazhit të gjatë Cirku Fluturues. Filmi shpalos ngjarje të para luftës në Kosovë, kur një trupë e teatrit nga Prishtina, aktorë të cilët e luajnë një shfaqje të frymëzuar nga Monty Python, duhet ta kalojnë kufirin në mënyrë të jashtëligjshme për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Shqipërinë fqinje. Para premierës botërore në kategorinë kryesore garuese të edicionit të 23-të të Tallinn Black Nights Film Festival, ne biseduam me Berishën për historinë personale të tij dhe atë se si lidhet ajo me filmin, botën absurde të Kosovës në atë epokë, dhe atë se si kultura mund të jetë mënyra më e mirë për ta përfaqësuar një komb.
Cineuropa: Cirku Fluturues e rrëfen një histori disi të papritur; si u frymëzuat për ta treguar, dhe me çfarë vështirësi jeni ballafaquar?
Fatos Berisha: U frymëzova lehtë për ta rrëfyer këtë tregim sepse unë isha pjesë e udhëtimit të jashtëzakonshëm të cilin e paraqes në filmin tonë. Megjithatë, vetë shkrimi i skenarit ishte pjesa më e vështirë. M’u deshën disa vite për të marrë vendimin për ta nisur atë, dhe unë isha i fundit nga grupi teatror që jam munduar ta shkruajë këtë histori. Pasi e përfundova skenarin, e kuptova që arsyeja pse shkova në atë udhëtim me gjasë ishte për të qenë dëshmitar dhe për ta shkruajtur më pas këtë tregim. Më duhet ta ceki që unë nuk isha zyrtarisht pjesëtar i asaj shfaqje; unë iu bashkangjita grupit për t’i ndihmuar aktorët me zërim dhe ndriçim, për shkak se teknikët e teatrit kishin frikë të shkonin në një udhëtim kaq të rrezikshëm.
Udhëtimi që e ndërmerr trupa teatrore në film ndodh në një ambient mjaft absurd, që do të përshtatej mjaft mirë në botën e Monty Python. A ishte edhe bota në të cilën jetuat në atë periudhë aq absurde?
Është mjaft e saktë, sepse ne po jetonim në një botë absurde në atë kohë – edhe pse fjala “surreale” mbase e shpjegon më mirë. Me gjasë humori ishte mënyrë për të mbijetuar dhe për ta ruajtur mendjen e shëndoshë. Ne u rritëm në vitet e 80-a duke shikuar komedi britaneze në TV, dhe filmi ynë është shumë i ndikuar nga Monty Python’s Flying Circus dhe veçanërisht shfaqja që përflitet në film. Pa dyshim që skenari im u ndikua nga fakti që unë kam jetuar në atë ambient surreal gjatë kohërave të rrezikshme dhe të pashpresë të luftërave të Ballkanit, dhe dekadës së aparteidit që erdhi më pas e që e parapriu luftën e Kosovës. Dhe për shkak se po e shkruaja një komedi, me gjasë m’u desht pak kohë për t’u distancuar nga ngjarjet reale, para se të filloja të merresha me skenarin.
Sa i afrohet filmi realitetit, dhe çfarë ndikimi kishte mbyllja e Teatrit Dodona në Prishtinë?
Filmi është i bazuar në ngjarje të vërteta, dhe mbyllja e Teatrit Dodona ishte e vërtetë. E njejta gjë ndodhi me të gjitha institucionet tjera publike që ishin të menaxhuara nga shqiptarët e Kosovës apo përdoreshin prej tyre. Mbyllja e Teatrit Dodona nuk ndodhi për arsye artistike apo financiare, por ishte pjesë e strategjisë së regjimit të diktatorit serb Slobodan Milosevic në vitet e 90-a. Ishte një aparteid unik në mes të Evropës, i cili i shndërroi shqiptarët e Kosovës në qytetarë të rendit të dytë, apo edhe të tretë.
Si shkoi puna me aktorët në një film kaq të vështirë që shfaq një rrugëtim të gjatë?
E dua punën me aktorët. Unë punoj edhe në teatër dhe televizion, dhe puna me aktorët, veçanërisht provat, është diçka që e pëlqej shumë dhe është e natyrshme për mua. Kemi bërë prova për diku një muaj para xhirimeve, sepse Cirku Fluturues është film që shfaq një rrugëtim dhe kishim një orar të vështirë. Pasi do të xhironim në tri shtete, doja që aktorët në rolet kryesore – Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj dhe Shpëtim Selmani – t’i mësojnë pjesët e tyre para se t’i fillonim xhirimet. Fakti që ata mësuan tekstet më ndihmoi shumë gjatë xhirimeve. Gjithashtu këto prova më ndihmuan t’i bëjë ndryshimet e fundit në skenar dhe t’i adaptoj disa skena.
….Do të pyesja: a ka qytetar apo shofer veture, që nuk e ka dëgjuar këtë refren vajtues ,mbështjellur me nota aq trishtuese ?
-Që nuk i kemi takuar ata sy lutës, mbështjellur edhe me mjegull lotësh nga të ftohtit e acart të stinës së dimrit??Që nuk e kemi parë dorën e shtrirë në të cilën zgjatet edhe një lutje ,ashtu siç zgjatet dora e zhveshur dhe e palarë !-Nuk e besoj që kjo dukuri na ka rrëshqitur nga sytë tanë!
Këto qenie njërëzore kanë një emër të përbashkët-Lypsarë-
Kështu i kemi pagëzuar ne, këtë dhuratë ua ka falë jeta dhe këtë identitet ua ka dhënë shoqëria dhe vendi ku ata gjejnë strehë për të mbijetuar!Ndërsa ne këtu në Kosovë, këta i kemi “dhuratë” nga vendi Amë- Shqipëria..!
Nejse…nuk jam pjestare e asnjërës nga Qeveritë udhëheqëse,as ate të Shqipërisë e as të Kosovës, kështu që nuk kam absolutisht kompetenca as që ta di se pse nuk arrihet që këto qenie njerëzore të kenë një status tjetër përveqëse Lypsarë!E mos të hy unë andej se kush është prapa tyre, ku flejnë ata gjatë natës, a abuzohen vajzat e reja 12-13 vjeçe, sa vjeçe janë ato që lindin nga shtat –tetë fëmijë, kush i lejon foshnjet dhe të kujt janë që mbahen në dorë tërë ditën vetëm ne gjendje gjumi,etj,etj..
Dhe, as neve si qytetar askush nuk na pyet se si ndjehemi kur shohim skena rrënqethëse nga më të ndryshmet nga këta bashkëjetues nëpër çdo cep rruge e sheshi nëpër Prishtinë!!
…NJë ditë, po nxitoja me makinën time për në punë !Moti befasisht kishte ndryshuar në të ftohtë dhe tërë kohën teksa po vozitja, kisha hallin se si ta rregulloja temperaturën e përshtatshme aty brënda që të ndjehesha komod!Isha veshur jo shumë trashë ,sepse në objektin ku punoj,tashmë ishte lëshuar ngrohja dhe nuk kishte nevojë të vishesha me triko dimri!Shpeshherë kur shoh koridoret e gjëra e të pastërta , të zbukuruara me lloj-lloj lulesh me vazo të bukura, kur shoh banjot e pastërta me shampo për ti larë duart , kur është ngrohët dhe ke ndjesi aq të mirë, u marr lakmi fëmijëve tanë në çfarë kushtesh mësojnë, çfarë mbështetje prindërore kanë!Rrallë ndonjëri vjen me bus-pothuaj që të gjithë vijnë me vetura që i sjellin prindërit apo edhe gjyshërit ,të veshur e të mbathur për merak me rroba të bukura dhe firmato!
O zot!Tërë jetën time sa kam kryer shkollimin bashkë me vitet e studimeve, më janë shërnguar nofullat nga acari i klasave të ngrira nga të ftohtit!Përveç kësaj, nga presioni i arsimtarëve dhe profesorëve sërb, të cilët ushtronin çdo lloj dhune vetëm e vetëm për të penguar mbarëvajtjen e mësimit dhe ligjëratave!Nganjëherë kur kthej kokën mprapa ndër vite,më duket vetja që kam trefishin e viteve që mbaj mbi kurriz, sepse ngjarje nga më të komplikuarat kanë ndodhur në një periudhë të shkurtër ,por me një dinamizëm marramendës!
“Boni me sevapë”….më erdhi zëri vajtues i një nëne aq të re në moshë , dhe njëkohësisht më ndërpreu nga kujtimet arkaike të mijat!Njërën dorë kishte zgjatur drejtë e në xhamin tim, ndërsa tjetrën dorë mbante mbi karrocën e një çuni të vockël i cili ishte strukur i tëri nën një batanië të hollë!Nuk i dhashë asgjë,sepse me vete kisha vetëm aq lek sa mund të paguaja kafen që kisha lënë të pija me kolegen time!Por, ata sytë e vegjël të çunit që i rrotullonte tërë habi herë nga mami i tij e herë nga fytyra ime, mi mbushi sytë me lot dhe më preku thellë në qenien time!
Të nesërmen u ndala në furrë dhe u bleva nga dy kifle dhe nga një lëng frutash…kështu bëra edhe një mëngjes kur para furrës së bukës ishte po e njëjta skenë,po e njejta lutje , vetëm dy qenie të tjera, të zhveshura e të zbathura …Kështu bëj pothuaj çdo ditë , kur para se të dal nga shtëpia marr gjëra ushqimore,për secilin që at ditë do të ket mundësinë ti gëzoj…Kështu bëjnë dhe përplot qytetar të tjerë…Sepse ne shqiptarët dihet që jemi mëshironjës ndaj të vobektit, por a është kjo zgjidhja për një numër të konsiderueshëm të këtyre qenieve njerëzore , që janë pjesë e përditshmërisë së qyteteve të Kosovës,e më së shumti të Prishtinës…A kanë kohë dhe vëmendësi këta debatuesit tanë të zjarrtë që i zëjnë ekranet me orë të tëra duke u kacafytur njëri me tjetrin edhe për kësi temash ,ku vjen në shprehje jo vetëm një letër e quajtur para, por edhe njdonjë copëz shpirti që dridhet në një skutë të errët diku nëpër qoshet e qytetit të tyre??
Instalacioni ‘Thinking of You’ po e gjen mishërimin e tij kudo.
Së fundmi, instalacioni që për fokus ka pasur gratë e dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, me simbolikën e fustaneve, ka udhëtuar për në Vjenë.
Nga 23 nëntori, fustanat dhe ekspozita e artistes është hapur në Europahaus në Vjenë.
Kjo ngjarje është vetëm një nga aktivitetet e shumta në
kuadër të shënimit “Javët e Kulturës Shqiptare” (Albanische Kulturëochen) në
Austri, që ka nisur prej datës 20 të muajit të kaluar.
Janë rreth 400 fustane si pjesë e këtij organizimi në mjediset e ‘Hotel Europahaus’.
Artistja Alketa Xhafa-Mripa ka thënë se instalacioni “Mendoj për ty” synon që të tregojë para botës të vërtetën për luftën e fundit në Kosovë dhe vuajtjet e popullit shqiptar.
“Qëllimi im kryesor ka qenë gjithmonë që pas Kosovës këtë instalacion ta shfaq nëpër vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të tregohet e vërteta e hidhur për popullin shqiptar, dhe në veçanti për gratë dhe motrat tona në luftë për të cilat edhe sot, pas njëzet vjetësh, nuk është vënë në vend drejtësia”, ka thënë Xhafa-Mripa, të premten, një ditë para se instalacioni i saj të shpaloset në Vjenë, shkruan Koha.net.
Në agjendën e kësaj Jave të rëndësishme në Austri, për muajin nëntor janë edhe promovimet e librave të ndryshëm, ekspozita, si dhe një festë për Pavarësinë e Shqipërisë nga shoqata “Iliria”.
Soni Malaj është rikthyer e fuqishme në ‘Këngën Magjike’.
Malaj sot ka paraqitur këngën e saj konkurruese ‘Shije tradhëtie’, teksti i Ilir Beranit dhe kompozim i Marjano Filipovskit.
Malaj kësisoj i bashkohet emrave tjerë që sivjet kanë zgjedhur konkurrimin në festivalin ‘Kënga Magjike’, shkruan KultPlus.
Prezantimi i këngëve bëhet çdo të diele në TV Klan. Në këtë edicion po garojnë edhe Fifi, Eneda Tarifa, West Side Family, Orgesa Zaimi e emra tjerë të njohur e të rinj të muzikës shqipe dhe jo vetëm. / KultPlus.com
Të hënën e 2 dhjetorit në Kino Armata në Prishtinë prej orës 19:00 do të lansohet “Arkivi Rilindja”, realizuar nga Ervina Halili dhe do të ketë diskutim të hapur rreth arkivistikës, çështjes së të drejtave të njeriut në të gjitha përmasat e saj, veçanërisht në raport me harresën kulturore.
“Arkivi Rilindja” nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Arkivi i kësaj ndërmarrjeje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale, nuk është trashëguar në ditët tona. Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçkaje që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej “Rilindjes”, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët.
Në kuadër të lansimit të “Arkivi Rilindja” përveç shfaqjes së dokumentarit ‘N’Rilindje’, do të diskutohet edhe për: • Ndërmarrjen Shoqërore Rilindja, funksionimin e atëhershëm të saj, arkivin i dikurshëm që posedonte, bibliotekën dhe politikat botuese; • Historinë e mbylljes së Rilindjes, humbjen e materialeve dhe dokumentimit të një periudhe historike që mbulonte shtypi në Kosovë; • Arkivistika dhe muzeologjia në raport me të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë në kontekstin e pasluftës në Kosovë, dhe përballjes aktuale me një zbrazëti sa i përket trajtimit, mbledhjes dhe ruajtjes së prodhimeve kulturorore të së kaluarës.
AGJENDA:
19:00 – Shfaqja e dokumentarit ‘N’Rilindje’
Nazmi Rrahmani/shkrimtar, drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje (1941) dhe Musa Ramadani/shkrimtar, redaktor i kulturës në Rilindje (1943) kalojnë nëpër kujtimet e tyre në Rilindje dhe nëpër veprat e tyre letrare të cilat i kanë krijuar dhe botuar gjatë asaj perudhe.
19:30 – Lansimi i platformës dixhitale ‘Arkivi Rilindja’ dhe hapja e diskutimit me panelin e ftuar.
Paneli: z. Sokol Çunga – Specialist arkivist nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë znj. Ervina Halili – Shkrimtare dhe hulumtuese z. Nazmi Rrahmani – Shkrimtar, botues, ish-drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje. znj. Sibel Halimi – Sociologe, aktiviste për barazi gjinore (drejtuese e panelit)
Ky projekt u realizua në kuadër të platformës të #HeritageSpace qe implementohet nga CHwB Kosova. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe fiancuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverise Suedeze.
Sot, me 24 nëntor 2019, u hap për herë të parë në Spanjë Mësonjëtorja Shqipe.
Tashmë fëmijët në Madrid dhe më tej, do të kenë një kënd ku të flasin dhe të luajnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe.
Në këte ditë të parë patën mundësi të vijnë familje nga të gjitha trevat shqipfolëse, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Pati edhe familja nga skajet më të largëta të Spanjës për mos ta humbur këtë ngjarje.
Ambasada e Shqipërisë në Spanjë dhe Ambasadori Gazmend Barbullushi kanë ndihmuar poashtu në këtë arritje të nisur nga Shoqata e Shqiptarëve në Spanjë dhe anëtarët e saj Altin Hysenaj, Eridona Brahaj dhe Edland Graci. / KultPlus.com
Me anë të programit rezidencial AIR të platformës Facebook, Pajtim Osmanaj ka krijuar tri murale që fokus kanë Kosovën.
Aristi nga Kosova i cili prej kohësh jeton e vepron në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shfrytëzuar programin Artist-in-Residence AIR
që ndihmon në krijimin e projekteve eksperimentale artistike me qëllim
bashkimin e komunitetit me anë të artit.
Pajtimi e ka titulluar projektin e tij “Metamorphic Memories”, instalacion me tri pjesë ku është përdorur letra dhe spreji për të vizatuar tri faza të jetës së Pajtimit.
Secili mural paraqit një kapitull në tregimin e Pajtimit si imigrant në Amerikë. Që prej ditëve të para të tij në Amerikë, kur ai punoi si notar rojë, deri te kujtimi i tij për malet e Kosovës, është inspirimi i Pajtimit në projektin që del si rezultat i rezidencës artistike, shkruan KultPlus.
“Kisha kënaqësinë të isha pjesë e këtij programi, duke krijuar tri murale që përfaqësojnë Kosovën, aty ku jetova para se të vija në Nju Jork. S’mund ta përshkruaj sa eksperiencë e nevojshme ka qenë kjo për mua, falenderoj të gjithë që besuan në punën time” ka treguar artisti në Instagram.
Me anë të një videoje, rezidenca artistike e ka prezantuar artistin me origjinë nga Kosova.
“Është vendi im në këto murale, por nuk janë pamje identike sepse ka kaluar kohë, dhe memoria ndryshon. Është letër e rrudhur që prezanton pamje të ndryshme nga Kosova” tregon Pajtimi.
Sikur secilin fundvit, edhe kësaj here është hapur votimi për të zgjedhur 250 këngët më të mira në historinë e Eurovizionit.
Eurovizion – Eurovision Song Contest është ndër festivalet më të vjetra të muzikës në Evropë, duke mbledhur rreth vetes pjesëmarrës nga rreth 50 shtete.
Votuesit në internet mund të votojnë për këngët e tyre më të pëlqyera në 64 vite të festivalit të njohur ku merr pjesë Shqipëria, por ende jo Kosova.
Vitin e kaluar, në mesin e 250 këngëve më të mira në historinë e Eurovizionit kishte edhe këngë nga përfaqësuesit shqiptarë: Eugent Bushpepa u radhit në vendin e 37-të, Rona Nishliu me këngën ‘Suus’ në vendin e 58-të, Elhaida Dani në pozitën e 92-të, Eneda Tarifa në vendin e 164-të, Hersi Matmuja në vendin 181, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko në pozitën e 195 dhe Luiz Ejlli me këngën ‘Zjarr e ftohtë’ në vendin e 201-të, shkruan KultPlus.
Ky votim është komplet jashtë garës së Eurovizionit, pra nuk ka të bëjë asgjë me garën muzikore që vitin tjetër mbahet në Holandë. / KultPlus.com
Varrezat masive dhe ato vende ku edhe sot zbulohen mbetje mortore të të masakruarve, jo vetëm në rastin e Kosovës por edhe në krimet e luftërat më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi, do të duhej të konsideroheshin si trashëgimi atrocitare.
Mbi këtë koncept të trashëgimisë, Nora Weller ka nisur një hulumtim të veçantë, për të zbuluar nëse këto mbetje, këto vende ku ndodhin krimet, janë trashëgimi dhe përfaqësojnë një hapësirë që duhet mbrojtur e ruajtur, duke qenë hapësirë e përkujtimit dhe komemorimit.
Visoka – Weller sot ka mbajtur një ligjëratë në Fakultetin
Filozofik në Prishtinë, pikërisht mbi trashëgiminë atrocitare dhe këtë nocion të
lidhur me krimet që kanë ndodhur në Kosovë në vitin 1998 – 1999.
Këtë lloj të trashëgimisë ajo e ka quajtur edhe si trashëgimi të errët, trashëgimi tabu, trashëgimi që dhemb dhe që sjellë kujtime të dhimbshme, dhe trashëgimi që del si produkt i turizmit të errët.
Çfarë domethënie kanë ato vende ku janë gjetur varrezat
masive? Çfarë domethënie kanë rrobat që i kanë pasur veshur njerëzit në
momentet e fundit të jetës së tyre, para se kjo jetë t`ju copëtohet?
Pyetje të tilla ka kohë që e kanë shqetësuar Nora Weller.
Weller është një shqiptare për të cilën do të duhej të ishim
të gjithë krenarë. Ajo sot është pjesë e Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë
e Bashkuar. Ajo ka përfunduar studimet në marrëdhënie ndërkombëtare në Amerikë
dhe më pas ka studiuar drejtësinë tranzicionale në Afrikën e Jugut.
Nora, rastësisht duke studiuar rastin e Kishës Ortodokse Serbe, merr pjesë në një ligjëratë ku përmenden krimet në Ballkan por nuk përmendet Kosova. Kësisoj, ajo inspirohet të merret më shumë me Kosovën, dhe me trashëgiminë atrocitare në Kosovë, me faktin se pse në Kosovë dhe Serbi debati mbi memorializimin në vendet ku ka pasur ose ka varreza masive është i munguar.
“Madje plot e përmendin Srebrenicën por Kosova përmendet
shumë më pak, edhe pse rrethanat e krimeve janë pak a shumë të njëjta dhe
agresori është i njëjti. Me anë të këtij studimi kam dashur të shoh se si në
Kosovë funksionon trashëgimia atrocitare, ku janë vendet dhe si zhvillohen sot
ato” tregoi gjatë ligjëratës weller.
Ajo ka prezantuar studimin e saj dhe prezantimin me anë edhe të fotografive të rasteve të ndryshme në botë ku dokumentohet dhe ruhet trashëgimia atrocitare, ajo që tregon vendet ku kanë ndodhur krime ndaj njerëzimit. Se a duhet kjo trashëgimi të futet brenda trashëgimisë kulturore, Nora thotë se ka kohë ende për hulumtim dhe për debat.
Rasti i “Ground Zero” në Nju Jork, rasti i Srebrenicës, rasti i Aushvicit apo edhe i Kishës Ntarama në Ruandë janë të tjerë shembuj të përpiktë që Nora i ka trajtuar në këtë hulumtim të sajin.
Nora ka udhëtuar edhe nëpër Kosovë për të identifikuar
vendet ku merr frymë trashëgimia atrocitare. Sipas saj hapësirat e trashëgimisë
atrocitare në Kosovë janë: Familja Jashari, Meja, Korenica, Peja, Gjakova,
Reçaku, Burgu i Dubravës, Suhareka, Podujeva e vende tjera, ku janë mbytur e
masakruar njerëz të pafajshëm.
“Meja, shembull, atje çdo varr është i njëjtë dhe kjo është diçka që duhet ta mendojmë. Në Gjakovë, një varr është i zbraztë për njerëzit që pritet të gjenden. Nysrete Kumnova, gruaja që ka themeluar ‘Thirrjet e nënave’, në një fotografi është tek varri i djalit të saj, varr pa asnjë njeri brenda sepse bëhet fjalë për një të zhdukur. Në Prekaz, është një memorial i cili nuk tregon asgjë për gratë e fëmijët që ishin brenda në shtëpi kur erdhën forcat serbe. Krejt këto mua më interesojnë, ky trajtim ndaj trashëgimisë atrocitare, më intereson pse nuk merremi me rrobat që njerëzit i kanë pasur në trup para se të vdisnin. Këto rroba janë zgjatje e personit, e personalitetit që i ka veshur, ato mbajnë ADN-në e atyre personave, bashkë me shenjat e gjakut e dheut në to” vazhdoi Nora.
Nora ka udhëtuar edhe për në Batajnicë, atje ku shpesh
gjenden varreza masive dhe ku janë dërguar plot kamionë me trupa njerëzisht nga
lokacione të ndryshme në Kosovë.
“Sipas një arkeologeje forenzite të EULEX-it, deri në 80 trupa kanë qenë brena 1 kamioni të tillë që ka shkuar në Batajnicë gjatë luftës. Paramendojeni sa njeriu ka përfunduar atje, në këtë rrugë që unë e bëra me ndihmën e aktivistëve nga Serbia. Është e tmerrshme ta mendosh se si këta njerëz sot nuk përmenden, ose përmenden vetëm si pjesë e krimeve por nuk meremi më shumë me ta, nuk dihet as si i kujtojmë” tregon Nora gjatë kësaj ligjërate 50 minutëshe.
Nora Weller ka marrë vlerësime nga Departamenti i Shtetit (SHBA) si dhe nga Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo u nominua për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017” nga Global women’s Network London. / KultPlus.com
Mbi 12 mijë euro sonte janë mbledhur nga ankandi për të ndihmuar artisten Burbuqe Berisha.
Punët e Blerta Surroit, Lorik Sylejmanit, Zake Prelvukajt,
Arlinda Hajrullahut, Eliza Hoxhës, Ismet Jonuzit e artistëve tjerë kanë dalë në
ankand, ndërsa janë shitur me çmimin fillestar 250 euro.
Dy punë artistike janë shitur në shumën rekorde prej 1 mijë dhe 1 mijë e 50 euro, ndërsa mbi 12 mijë euro është shuma totale e mbledhur në ankandin sonte.
Ankandi u mbajt në Menzën Ramiz Sadiku, si një nismë e një grupi artistësh për të ndihmuar Burbuqe Berishën e cila së fundmi ka problem shëndetësore, shkruan KultPlus.
Zake Prelvukaj ka qenë iniciatorja e grupit për të organizuar këtë ankand shitës ku u panë edhe Memli Kelmendi, Abelard Tahiri, Eliza Hoxha, Adriatik Kelmendi, Xheraldina Vula, Afërdita Saraçini e personalitete tjera që ndihmuan duke blerë punët artistike.
Burbuqe Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër, si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.
Për një vit e gjysmë ka punuar si menaxhere në Kino ABC në
Prishtinë, për katër vite si producente në KosovaFilm, po ashtu për katër vite
me radhë si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe
anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Në shumë
festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter
ndërkombëtar.
Aktualisht është u.d. dekane e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB, drejtoreshë e AAB Teatrit “Faruk Begolli”, si dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Profesionist të Gjakovës. / KultPlus.com
Njomza Vitia, shqiptarja e njohur e lindur në Gjermani por e cila po krijon karrierë në Amerikë, është bashkë-autorja e këngës ‘7 Rings’ nga Ariana Grande, këngë e cila është nominuar në disa kategori në çmimet Grammy Awards.
Nominimet të cilat u bënë publike sot e pozicionojnë këngën e shkruar nga shqiptarja të nominuar në disa kategori, përfshirë edhe Record of the Year – Kënga më e mirë e vitit, dhe Best Pop Solo Performance – Performanca më e mirë solo në zhanrin pop.
Njomza pos këngëve të saja krijon edhe për këngëtarë tjerë, ndërsa është bashkëautore edhe në këngën “thank you, next” nga Ariana Grande.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore prestigjioze Grammy Awards 2020 do të mbahet me 26 janar 2020, e do të udhëhiqet nga ylli Alicia Keys. / KultPlus.com
Libri ‘Crossing’ i autorit Pajtim Statovci ka marrë një tjetër mirënjohje.
Libri mbrëmë ka qenë finalist dhe ka marrë medalje nga
National Book Foundation, NBA Awards në Nju Jork, në një gala mbrëmje ku janë
shpërblyer edhe libra të tjerë.
Për këtë arritje ka treguar vetë shkrimtari, shkruan KultPlus.
Libri merret edhe me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha dhe me atë që do të pasojë. Bujari dhe Agimi janë dy personazhet kryesore të librit. Njëri ka probleme me seksualitetin dhe gjetjen e vetes, por edhe tjetri duket sikur nuk është i zhveshur nga sfidat e jetës.
Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit.
Libri i tij “My Cat Yugoslavia” u prit jashtëzakonisht mirë nga lexuesi dhe kritika botërore. / KultPlus.com
Asnjë prej këngëtareve shqiptare të njohura në botë nuk është nominuar sivjet për çmimet Grammy Awards.
Për dallim prej viteve të kaluara kur disa këngëtare
shqiptare ishin nominuar por edhe kanë triumfuar në Grammy Awards, sivjet
shqipet kanë mbetur jashtë garës.
Edhepse Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha e Ava Max kanë krijuar gjatë vitit, si duket nuk kanë bindur publikun për këto nominime.
Lizzo, Billie Eillish dhe Lil Nas X kanë më së shumti nominime për çmimet të cilat do të ndahen në ceremoninë që mbahet me 26 janar 2020, moderuar nga Alicia Keys.
Ariana Grande është nominuar në pesë kategori, ndërsa mes të nominuarve shohim edhe Barbra Streisand, Andrea Bocelli, John Legend, Taylor Swift e Bon Iver.
Nominimet sot janë shpallur nga Keys dhe shqiptarja Bebe Rexha. / KultPlus.com
Poezi nga Veronikë Buçinca. Poezia është në mesin e 20 poezive më të mira të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.
Shtrit përtoke kur t’shkelun ishin E gjallë shpirtin nuk e ndijshin Me za t’çjerr bëzanin me dit Ditën e paqes a kam me prit?
Se paqja n’dritë ka me na qit. N’shkret e mot, diell si sot, Po zhytun e vujtun, ftyrë n’lot,
Këtë trup që dorën dot se ngret, As gojë s’hap, as za s ‘qet, Menimin sun ja ndrron, Veq paqja n’dritë mun e qon.
Trup as mendje dot s’e kfjell, “Boma zot n’tokë qetë si n qiell” Se njeriut t’shkretë veq lutja me ju pranu Po dej n’qiell ska qysh me shku, Se atje veq paqja mun me çu.
Tu u shkel, me dur perpjetë, Paqen për vete n qiell e ka gjet, Sheh prej lart e me dorë bon , T’fala tokës me lot i çon,
E ndjen e sheh paqen qe zotrohet Njeri që për to jepet e dorzohet, Po prej qdo funi e reja fillon, se paqja tash, paqja zotnon.