Dëshira e zjarrtë për kolltuk, te çdo i ri e çdo i moçëm shqiptar

Nga Petro Marko

Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi. E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është…

*Botuar me 1936

Personat me nevoja të veçanta, fokusi i ekspozitës që u hap sonte në Prishtinë

Arbër Selmani

Roni, 12 vjeçar, është djali më i buzëqeshur në tërë hapësirën ekspozuese. Ani pse nëna apo babai i tij duhet të rrugëtojnë me të nëpër këtë hapësirë, për ta manovruar karrocën ku Roni është i ulur, ai vazhdon të jetë i buzëqeshur dhe i gatshëm për muhabet.

Roni është njëri nga nëntë personazhet e ekspozitës ‘Embrace Me Kosovo’ e cila u hap sonte në Shtëpinë e Evropës – Europe House në Prishtinë. Roni e sheh veten në ato fotografi dhe sikur nuk i besohet, por e tregon me krenari veten me gisht.

Selimi, Medina, Isufi, Ndalorja, Albini, Aldi, Festimi dhe Drita i bashkohen Ronit në këtë ekspozitë të realizuar nga fotografja Karin Brongers. Brongers ka 1 vit e më shumë që qëndron në Kosovë, takohet me njerëz me aftësi të veçanta dhe jetën e tyre sonte e solli me anë të ekspozitës.

Njëjtë si emri i ekspozitës, secili kërkonte përqafimin tonë, e secila jetë e tyre kërkonte të përqafohej me ‘normalitetin’ e jetëve tona, të neve që nuk na shohin si njerëz me një aftësi të kufizuar apo të veçantë.

“Jam e lumtur që kam takuar këta njerëz kaq të mirë, kaq rrezatues, të cilët më pritën mirë mua dhe kamerën time” tregoi Brongers në hapjen e ekspozitës me fotografitë e nëntë personazheve të cilat vazhdojnë jetën në realitetin kosovar, sikur secili prej neve.

Brongers është përkujdesur që të sjellë me anë të fotografive atë që këta njerëz bëjnë në jetën e tyre të përditshme. Dikush punon si kamarier e dikush noton shumë shpejtë, dhe Karin ka qenë aty me këta njerëz të mirë, në rrugëtimin e tyre të suksesit por edhe dështimit.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri me 14 dhjetor në Shtëpinë e Evropës – Europe House në Prishtinë organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovës, Down Syndrome Kosova dhe Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë. / KultPlus.com

Heshtja

Poezi nga Fjolla Rabi. Poezia është në mesin e 20 poezive më të mira në konkursin ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

As atje e as këtu
ngadalë më vrisnin fjalët
si me thonjë me e çjerrë zemrën,
zemër për të cilën u tha që luftuan.

Luftëra të mëdha midis të qenurit njeri,
askush nuk fitoi luftën,
e cila sot vazhdon të mjeroj mijëra të tjerë,
të cilat në beteja të tmerrshme si kjo,
vetëm heshtnin,
faji u ra shpatullave.

A është faji i vërtetë i të heshturve,
të cilët mundoheshin të mbijetonin
në këtë botë mizore që i përplasi herë në një kënd të saj e herë në tjetrin.
Askush nuk e kupton botën,
botë e cila ndërron shumë fytyra,
tek njëherë thuhej se lufton për të drejta,
e herën tjetër po vrasim të pafajshëm,
po ç’qenie e pafat
herë i qesh dielli
e herë i bie breshëri.

Netë të ftohta janari
e ditë të ngrohta vere,
herë në qetësi
e herë e lënë nën monologun e fjalëve të cilat tok nuk më linin të mendoja se isha e drejtë e me vend apo jo?
Erdha e trokita në derë,
më pritën me lot që u shkonin varg si shiu e që ndërronin drejtim
nga mollëzat e buzëqeshjeve të tyre që iu vinte nga veshi në vesh,
me buqetë plot lule
e aromë të këndshme,
aromë lirie.

Jam unë paqja,
por mes gjithë atij gëzimi
lumturie e gjallërie të pafund,
thashë me vete a është ky fund i një lufte,
apo fillimi i një lufte për të qëndruar i drejtë deri në fund?

Naturaleza muerta de flores, Jan Pierter Brueghel, 1661

Paramendo

Poezi nga Hatixhe Misini. Poezia është në mesin e 20 poezive më të mira të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Marr një fletë të shkruaj për veten,
për të tjerët, për njerëzit, për botën
Duart më dridhen dhe mendja s’fokusohet
Shikoj retë që sjellin disa lajme që çrregullojnë motin

Mundohem të kapi erën që shkon rreth për rreth tokës
e sheh sytë vezullues të çdo zemre të brengosur

Por gjithcka që më kujtohet janë disa buzëqeshje të fytyrave të panjohura
Fëmijë, gra, burra që me përqafime lehtësojnë ajrin e tymosur
Fjalë që qetësojnë zjarre në shpirtëra të hidhur
Një puthje që largon helmin e përbuzur
Prandaj e lë fletën të pushojë

E papritmas silueta vizatohen në të
Duar që shtrëngohen fort, sy që mbështetje kërkojnë
Dhe një zë që thotë ‘Paramendo’
‘Paramendo një botë ku paqja nuk është një rrugëtim e as një destinacion
Paramendo një botë ku paqja përbën cdo gjë që njeri do të thotë’.

Xhamia e Larme, bukuria dhe shpirtërorja e Tetovës

Xhamia e Larme, e njohur edhe si Xhamia e Pashës, është një xhami në Tetovë, e ndërtuar për të parën herë në vitin 1495 dhe e rindërtuar më vonë në vitin 1833 nga Abdurrahman Pasha.

Rreth saj gjenden edhe objektet e tjera të arkitekturës fetare islame dhe civile, të rëndësishme për vlerat estetiko-artistike dhe për vulën historike që mbajnë.

Xhamia është ndërtuar më 1495 kurse e rindërtuar nga themeli dhe e zgjeruar më 1833 nga ana e Abdurrahman Pashës, biri i Rexhep Pashës, që janë mbrojtësit e Tetovës, të cilët kanë qenë edhe dashamirë të mëdhenj të artit. Të gjitha këto të dhëna i kuptojmë nga mbishkrimi i ruajtur mbi hyrjen në xhami si dhe nga nishani i varrit i cili ruhet në tylben ndërtuar në oborrin e xhamisë.

Këta pashallarë të njohur që kanë vepruar në Tetovë në gjysmën e parë të shekullit XIX e kanë ndërtuar dhe rindërtuar Kalanë e qytetit dhe Arabati Baba teqen. Në tylben tetëanësore janë varrosur zonjat Hurshide dhe Mensure.

E para ka vdekur më 1534. Për to supozohet se kanë qenë donatorë të xhamisë së mëparshme nga shekulli XV. Në afërsi të xhamisë gjendet edhe shadërvani, i cili ka pasur funksion të dyfishtë: për të marrë abdes para namazit islam dhe si qeshme për nevojat e popullatës së Tetovës.

Së shpejti publikohen këngët e Festivalit të 58-të në TVSH

Së shpejti pritet të publikohen këngët pjesëmarrëse në Festivalin e TVSH-së në dhjetor.

Me gjithë kritikat, fjalët e thashethëmet rreth edicionit të këtij viti, asgjë ende nuk dihet për këngët dhe bashkëpunimet që do të vijnë në këtë festival.

Si gjithmonë, kush e fiton festivalin udhëton drejt Eurovizionit të vitit 2020 ku do ta përfaqësojë Shqipërinë.

Është çështje e ditëve se kur do të dalin këngët, të cilat këtë vit do të dëgjohen edhe para festivalit që do të mbahet me 19, 20 dhe 22 dhjetor.

Emrat që po përfliten se do të mund të triumfojnë në festival janë Elvana Gjata, Arilena Ara dhe Olta Boka, por nuk mund të mos e harrojmë edhe Kamela Islamajn, Uendi Mancakun, Tiri Gjocin e Era Rusin, edhe këto vokale të fuqishme që do të jenë pjesë e këtij edicioni. / KultPlus.com

‘Fusha e Mëllenjave’ e ‘Shkurta’, jo të vetmet kryevepra të Arzana Krajës

Para pak ditësh ndërroi jetë regjisorja Arzana Kraja.

Komuniteti artistik mbajti edhe një akademi përkujtimore për të kujtuar punën e regjisores së njohur.

Ajo çka ka mbetur është puna nga bagazhi artistik i Krajës, plot filma e dokumentare dhe angazhime tjera artistike të cilat Arzana Kraja i bënte me profesionalizëm e disciplinë.

Para pak muajsh, filmi i saj “Fusha e Mëllenjave” pati premierën në Prishtina International Film Festival, dhe kjo mbetet puna e fundit e Krajës, 38 vjeçare.

Një tjetër film në të cilin Arzana shkëlqeu si regjisore është filmi “Shkurta”. Shkurta dhe babai i saj shpëtojnë nga lufta por tani duhet të përballen me realitetin që i pret, realitet i ri dhe i frikshëm për ta.

Kaona Sylejmani në filmin ‘Shkurta’

Arzana Kraja për shumë vite ka punuar edhe në serialin ‘Kafeneja Jonë’. Seriali me të cilin plot gjenerata në Kosovë janë rritur, mban vulën edhe të Arzana Krajës dhe ideve të saj gjeniale si regjisore e shpesh edhe skenariste.

Kraja ishte edhe autore e tetë filmave të shkurtër si  “Kulla e sahatit”, dhe disa dokumentarë si “Përmes syve të mi” dhe “Kosova ime”.

Arzana Kraja ka punuar edhe me organizata të ndryshme dhe ka qenë pjesë e industrisë së televizionit. Ajo së fundmi ishte angazhuar edhe me monografinë për Muharrem Qenën, ndërsa po realizonte video edhe për organizata vendore e të huaja. / KultPlus.com

Dëmtohet Treni i Eksodit i cili përkujton krimet e Serbisë në Kosovë

Në përvjetorin e eksodit të Bllacës, në prill të këtij viti, ishte vendosur gur-themeli i muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”. Gjithçka do të niste me idenë e trenit.

Shumë qytetarë morën pjesë në këtë inaugurim, duke iu bashkëngjitur rrugëtimit me tren, por kësaj radhe me dëshirë.

Treni tashmë nuk është në gjendjen siç u inaugurua. Ai është dëmtuar nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Treni “Bllaca 99” u vendos për të kujtuar ikjen masive të shqiptarëve pas përndjekjes nga forcat serbe.

Kujtojmë se treni është vendosur me datën 11 prill, në 20 vjetorin e eksodit të Bllacës, e në kujtim të kësaj ngjarjeje, ishte hapur edhe një ekspozitë e cila ilustronte përjetimet e shqiptarëve.

Ka pasur disa reagime se pse treni që është simbolikë e sulmeve që Serbia i ka kryer në Kosovë nuk mund të ruhet ashtu siç i ka hije.

‘Embrace me Kosovo’, nëntë njerëz me nevoja të veçanta ju ftojnë në ekspozitë

Nesër mbrëma, me 19 nëntor, në Prishtinë do të hapet një ekspozitë më e veçantë se tjerat.

Jetët e nëntë personave me aftësi e nevoja të veçanta vijnë përmes ekspozitë ‘Embrace Me – Kosovo’, e cila do të hapet në Europe House – Shtëpia e Evropës në kryeqytet.

Fotografja holandeze Karin Brongers sjellë në fotografi disa persona që kanë aftësi të veçantë, përditshmërinë e tyre dhe përballjen me një realitet që shpesh di të jetë më i rëndë, shkruan KultPlus.

Të gjitha personazhet kanë diçka të përbashkët, kanë dashuri, kanë dhimbje, kanë plot jetë e sfida brenda tyre.

Me pamjen dhe portretet e tyre, përmes fotografisë ata tregojnë se kanë çdo arsye për të qenë këtu dhe kanë të drejtën të jenë pjesë e shoqërisë e cila është e tyre po aq sa edhe çdokujt.

Ekspozita do të hapet në ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri me 14 dhjetor. / KultPlus.com

Ajâ

Poezi nga Arta Maxhuni. Poezia ka qenë në mesin e 20 poezive më të mira në konkursin e poezisë ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Ajâ
Poete e odës s’pavdekshme
germat si lulka struk n’bukurinë e fjalëve
Banesë t’përhershme ka dashnin’ kryezojën e tanave
Me komoditete t’vogla çdo pikë jete begenis
Din me fâl
edhe kur e rremja ia ban kangën t’thyem tingull
Ka dëshirë perandorake me dominu
po nuk à xhind me zotnu shkencën e mashtrimit
Asht pa moshë e pa gjini
për pse-t dhe sesi-t
Hem lutja hem gjegjia
Hem ndarja e hem bashkimi
Gojë e zmadhueme p’ej zâni nga kushedi ç’shtatore ikun
Un jam kjo
Ajâ jam un
Grue

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Pavarësisht humbjes që pranoi sonte, Kosova ka qenë njëra nga storiet më të mira të këtyre kualifikimeve. Me një kombëtare krejtësisht të re ajo arriti të shënonte disa fitore rradhazi si dhe të rivalizojë edhe përfaqësuese serioze siç ishte skuadra çeke, shkruan KultPlus.com

Merita të mëdha për këto momente që ka dhuruar përfaqësuesja e Kosovës i ka legjenda e futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili me punë të ndershme dhe me përkushtim kishte arritur ta anëtarësonte Kosovën në UEFA dhe FIFA, dy organizatat më të mëdha dhe më fuqishme të futbollit në botë.

Në një periudhë të rëndë sociale dhe politike, përfaqësuesja jonë u shëndrrua në një simbol e cila na mbajti së bashku pavarësisht dallimeve tjera. Një përfaqësim dinjitoz, një krenari në vete.

Anglia shënon gol kundër Kosovës

Ka nisur sonte loja mes Kosovës dhe Anglisë, e cila po zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Kosova sonte po ballafaqohet me një ndër kombëtaret më të fuqishme në botë, me fytyrën lartë dhe me një moral të ngritur në mesin e lojtarëve por edhe fansave shqiptarë të cilët po e përkrahin kombëtaren.

Sapo është shënuar edhe gola e parë e Anglisë kundër Kosovës, e megjithatë festa vazhdon.

Mos të harrojmë që është sukses i madh fakti që Kosova ka arritur në duel me këtë kombëtare të madhe e të famshme dhe të radhitur mirë.

Kosovë

Rifat Kukaj

Mos ëndërro asnjë fushë pjellore të blertë
bjeshkët e larta krenare dimër e verë
mos dëshiro livadhe të buta e të gjera
mos u lektis për gjallëri maji, as në pranvera.

Mos u mahnit me ylberë e qiej të botës
rrugë të pa fund mes detit, qiellit e tokës
Mos sodit vashat duke i buzëqeshur verës
zogjtë e vegjël duke u rritur n’gji të qerdhës.

Mos vrapo pas lumenjve,
se kurrë nuk ndalen
as nëpër rrezet e diellit që çajnë shtrëngatën,
ktheju fushës, malit, zogjtë ku shqip cicërojnë
ku abetaren lumenjtë shqip ua mësojnë.

Asgjë nën këtë qiell
asgjë mbi këtë tokë
mos lakmo, nëse nuk e ka
emrin Kosovë!

Incidenti i parë në Çeki, tifozët serbë tentojnë të sulmojnë kosovarët

Kanë ardhur incidentet e parë në Plzen, ku është tentuar sulmi ndaj tifozëve të Kosovës.

Disa tifozë serb, së bashku me ata të çek kanë tentuar të sulmojnë tifozët nga Kosova.

E gjithë kjo pasi këto dy shtete njihen për afërsinë e tyre dhe shpeshherë tifozët e tyre kanë bërë parulla anti-Kosovë.

Kësaj radhe në Plzen tentuan t’i sulmojnë tifozët nga Kosova, por nuk ia arritën. Policia çeke intervenoi shpejt dhe pamundësoi sulmin ndaj kosovarëve.

‘U dashka me vdekë n’terr nate pa fjalë pa gjamë’

Çun Lajçi

Po
u dashka

(R.I.P) – Kushtuar Arzana Krajës

U dashka me vdekë n’terr nate pa fjalë pa gjamë
m’u mbështjellë n’hijen tande pa e zgjua mallin
pa e çkye vetminë pa ia prishë kangën
shpendkeqit t’natës n’krande
pa i shkundë gjethet e zverdhueme
pa i zgjua babë e nanë andrrave

U dashka rrugë me marrë me ecë harkut t’urës
ani çka se ajo asht krymbash e kalbun
arti duhet m’u rrokotelë pa bëza
mos me zgjua as vetvetën
as urën me thye
përtej dritash me dalë e fjalë me çua
si jeni ju andej që bani filma
që thurni keq poezi
e mall me shua tue kepë kujtime natën


Po
u dashka
edhe me qeshë edhe me qajtë
me vdekë edhe me qenë pak gjallë
kujtimet me i vjerrë n’emna
u dashka

Prishtinë, 14.11.2019

‘Nantë jetë’, një nga poezitë finaliste në konkursin ‘Poezi për Paqe’

Poezi e shkruar nga Burbuqe Latifi. Poezia është një nga poezitë finaliste në konkursin ‘Poezi për Paqe’, organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Nantë jetë
Tetë herë jetu i kam,
Edhe nji m’ka mbetë,
me e vdekë.

Edhe nji herë,
me lëviz lirshëm me eterin përtej atmosferës,
me i mbushë hapsinat mes grimcave,
me udhëtu mes yjesh,
e amullinë e shpirtit
bashkë me frymën e fundit
n’vakum me e zbrazë.
Edhe ashtu.
si qenie rastësisht e ‘përsosun’
kurrë s’kam ditë me frymu mirë,
me shkëmby përsosshmërisht secilën grimcë ajri
me oreksin e fantaksur t’natyrës.

Edhe nji herë,
me perëndu bashkë me Diellin
n’ftyrën tande,
ku veç dritë hane ka ra.
Diku në mes përëndimit e agut
botnat me i ndeshë,
me u nda në nji,
me u bashku në dy,
e eklipsit hije me i ba.

Edhe nji herë t`vetme,
me vallëzu nën tingujt e nji muzike t`pa nota,
e me humb në pakthim,
deri sa nota e fundit e palujtun,
t`ketë pushu.

Edhe nji dolli të fundit,
me gotat e zbrazuna plot v(n)erë,
flutura n`maje t`gjuhës,
e barkun plot fjalë
të nji shujte t`pa shije.

Edhe nji natë me e rrnu,
Hajde…
t`flasim rreth formës së siluetës,
t`ksaj reje t`pa formë,
e t`zhytemi n`ujnat e paprekuna t`mendjes
deri sa ta prekim fundin.
N`dash, flasim për ngjyrën e preferume,
që për dreq as edhe nji përgjigjje bajate
s`mujta me i dhanë.

Se veç nantë jetë i vdeka,
për me e zgjedhë veç nji.

Edhe nji jetë,
që ka me zgjatë aq minuta
sa rreshta ka kjo poezi.

‘Qytetari i Vdekur’ e Bujar Sylejmanit hapet me 14 nëntor

Qytetari i Vdekur është ekspozitë e Bujar Sylejmanit në galerinë Hospital në Prishtinë. Përbëhet nga piktura vaji në hekur të ndryshkur, akuarel në letër, skulptura nga hekuri, qymyri, dylli i bletëve dhe bitumi, tekste dhe fotografi me ngjyrë arkivore në letër pa acid. Veprat në letër janë të vendosura brenda kornizave të drurit të llojit qám i patrajtuar prapa xhamit joreflektiv.

Qytetari i vdekur është një kunderargument i mrekullueshëm dhe aspak i dobishëm për establishmentin. Është instalacion i një arti bashkëkohor Kosovar. I hedh poshtë programet e integrimeve, kampanjat e vetëdijësimit dhe historitë gojore. Merret me këtu dhe tash.

Është informues, por s’është didaktik. Edukues, por asnjëherë mediatik. S’është pjellë e luftës, as plaçkë e shtetit.

Në qendër të hapësirës në dysheme shtrihet vepra sartoriale, “Sipas Masës”: një kostum alafranga i prerë, por i paqepur. Në krye të dhomës është një triptik ikonostas me një ikonë ortodokse dhe dy imazhe të fabulave: njëri Indian, tjetri Korean. Vepra titullohet: “Shpalos”.

Muri afër hyrjes së galerisë ka dy fotografi dhe një tekst. Titullohet: “Gjeologjia e Ferrit”. Pak më tej, afër njërit kënd të dhomës është një tekst që përmban një koment/deklaratë nga “Qytetari i Vdekur”. Më tej në paradhomë janë dy akuarele: “Talli” dhe “Kapja”; skena nga libri i lashtë mësimor, Panchatantra. Në fund, grotoja e galerisë u jep strehë dy veprave: “Boshti” dhe “Ëndërra e Borgjezit”. E fundit nga tradita Aramaike, e shoqëruar me tregimin e shkurtër të shkrimtarit argjentinas: “Dy Mbretërit dhe Dy Labirintet”; dhe një koment të artistit.

Qytetari i Vdekur është ekspozitë që, po mori durim dhe kureshtje, krijon hapësirën e diskutimit për llojin e ardhmërisë që e dëshirojmë.

Genc Kadriu 2019

Ekspozita rrin e hapur nga 14.11.2019 deri 30.11.2019

Nga 18.11.2019, të gjitha vizitat me prenotim në: instagram.com/hospes.prishtina ose Viber +383 49525353.

‘Thesari i shekullit tim’, një nga dhjetë poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi e shkruar nga Albina Rushiti. Poezia është pjesë e konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen, duke qenë një prej poezive finaliste.

Bardhësia ndryshkur është,
mendja larë e shpërlarë
vrerë mbushur janë qelizat.
Kësaj nate të errët korb
besë nuk i zihet kurrë,
edhe në këtë shekull
bota e përgjysmuar
digjet si në një furrë.
Fishekzjarre e fishekarmësh
krisma që pa ndalë ngulfasin fytin,
shtjerrin shpresat, ëndrrat, rrugëve.
Marrëzi vrasëse që quhet Luftë,
luftë në emër Paqe thonë!
Turmë servilësh
u buzëqeshin urdhërave,
zbarkojnë helmin në port.
Qenie prej mishi e pa pikë gjaku,
mëshira e panjohur për ta.
Klithmat si melodi vdekje,
dergjen lutjet plotë dhimbje.
Janë rrokullisur dhe shpirtërat,
hijet ndjekin pas yjet e qiellit.
Të ashtuquajturit njerëz
errësirës po ia shohin dritën,e ne të paktët që mbetëm
gërmojm si thesarin Paqen.

‘Me dashtë’, një nga poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi e shkruar nga Fjolla Avdylaj. Poezia është në mesin e dhjetë poezive finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UnWomen.

E patëm kriju nji botë tonën
Miliona të tjerë pas na patën ardhë
Të njëjtë s’ishim, njëjtë duheshim
Tjetër gjâ s’dinim, pos dashni me falë.
Ylber me trupat tanë patëm kriju
Si ngushëllim për dorën që dorën s’e kapi kurrë mâ
Për veshin që s’e dëgjoi ma t’dashtunin zâ.
Për zemrat që bashkë mâ s’rrahën.
Pak shkëndijë për drita dikur të fikuna
Ma shumë se shpresë për plot andrra të plagueme
Për mu’ këtu, e ty në cepin tjetër të globit
Për atë lirinë fort të kërkueme.
Po, patëm kriju nji botë të mbushun plot jetë
Për mu’ e ty
Për ne që paqja ish e vetmja e vërtetë.

‘E paqes, kjo lule, kjo botë’, një nga poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi nga Festinë Avdiu. Poezia është në mesin e dhjetë poezive finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen. Festina ishte pjesëmarrësja më e re në finale.

Nga maja e shkëmbit 
lëkundet 
pret
dikë të vijë 

– Ku po shkojmë – ta pyes-
Në një jetë të re 
aty ku thellë jetohet 
çdo ditë gëzohet 
ozon-paqja numërohet 
dhe toka
toka do që ti 
të vallëzosh zbathur 
nën melodinë e zotërisë Martin 
në vallen tënde të ftosh njerëzinë 
të luajnë me fluturat e bardha 
nga telat e harpës të dalura 
të lagësh fytyrën 
e të lësh erën të ta thajë bukur 
të vraposh malit 
për të zënë perëndimin 
dhe të zgjohesh në maje 
kur dielli lind pa të pyetur 
e rrezet , dredhat t’i puthin 
Aty ku retë zbresin poshtë 
për t’marrë në shëti foshnjet 
retë bëhen djepe shtati 
e foshnjet nuk ndihen së qari 
veç sodisin me sytë e vegjël 
bukurinë e oqeanit 

Do shkojmë aty ku dashurinë e qëndisin 
vashat në kasnakët e drurit 
në pëlhurat e tyre të buta 
ato botën qëndisin 
Aty ku shqiponjat çajnë qiellin 
e kudo që krahët u prekin 
e di sa lulëkuqe nisin të çelin ? 
Aty ku lotët janë reliktuar 
të buzëqeshë , çdonjëri është mësuar 
ku njerëzit e njohin veten 
e duan mendjen 
e duan jetën 
Ku fenerët çdo natë 
me yjet bëjnë garë 

Aty ku vogëlushet flenë mbi det 
të vegjëlit përqafojnë pemët 
të rinjtë vrapojnë kalldrëmit 
të arrijë librat që pulëbardhat kanë sjellë 
kush i pari 

Aty ku ujëvara e shkrimit s’ndalet
fjalët poetojnë të dëlira 
ti vazhdon të lundrosh 
e oqeanit të poemave 
një të tënden prej ari i dhuron 
E ti eja 
aty ku ëndrrat i lë të koten nën hënë 
e dielli në rreze t’i shkrin 
çdo ditë rrezet e ëndrrave të zgjojnë 
ty ,
lulen ,
lulen që në çdo stinë lulëzon 

Kështu 
kështu t’i thotë 
këtë poezi t’ia diktojë 
paqen , jetën t’ia dëfrojë 
e të nisen , aty ku përveç lules së paqes 
asnjë tjetër nuk rritet 

Le të nisen 
ata të dy ,
ju ,
të gjithë.

‘Nanë paqe po du!’, një nga dhjetë poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi e shkruar nga Albana Muja. Poezia është në mesin e dhjetë poezive më të mira të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Po ma vran shpirtin, si atë natë,
ku terri e kishte përtheku botën tem t’vogël!
…atë natë ku dritë nuk pash,

as në shtëpinë e plakut të lagjes, që jetonte fillikat!
Zgjati nata e asaj nate një jetë,
rënkimet dhe çjerrjet e shkarravitjet e çikës,

 nuk kam mi harru deri kur dheu t’mbjen mbi sy,

…e ti shihje i ftohtë, akull, nga ana tjetër!

Pas torturës, dhimbjes së thikës që ja njoha tehun

 dhe shijen e gjakut të përzier me lot që ma fale me dy duar!!!
…e kërkoje “paqen”, i këndoje paqes me ironi!!!
Çika ma dha flakareshin e fundit,

Nanë, paqe po kërkon!!!
Jo, i thash!
Po nanë, paqe, po t’lutet me e fal!
Eh, rënkova.
Nanë, paqe po du, ti ma m’sove!!!
Kokëulur, e me bisht të synit e vidhja buzëqeshjen e hienës!
Nanë, paqe du!
… e ligë, me gjysmëza ia ktheva,
k’tu jam, po t’ruaj ty…!

‘Letër tim biri në varr’, një nga dhjetë poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi nga Diana Basholli, një nga dhjetë poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ e cila u organizua nga KultPlus dhe UNWomen. Diana e lexoi poezinë në natën finale me 6 nëntor.

Rreze dielli, lindi sod mbi kreun e varrit tand,
Behari ka çel, e sythat janë rritë matanë shtatit të vram’
Uji, rrjedhun si krue nga sytë e pashterrun – flakë,
Ta ngrohë gjoksin, bir njashtu si m’ parë…

Dritë, e lule të jetës, nja të pata bre nanë,
Me bekime, e urata – kahmoti ti thurrja ninullat për natë,
E kang, për ty (juve) u ban’ shumë me vaj,
Trim, more emnin liri e paqes i dhe shkas.

Me zemër të vrarë, plastë nga koha e gjatë,
Takimet me ty, zor’ as andrra ma nuk mban’,
E Zotit, iu luta shumë për me marr aty pranë,
ta prek flokun e zi bre nanë vec pak erë me i marr…

Ecje kryelart, i patrembur për robëri – fatzi
Thojshe, fjalë të mëdhaja e t’ ambla për pamvarasi,
Prej teje, m’vike forca, e nanës krenari (bir)…
Nji fotografi me ngjyra, kujtim i fundit – ne të dyve,

Kishe hedhur krahët mbi supet e kërr’sura ndër vite,
Këmishë e bardhë, erë dhandrrie kishe pas marr at’ vakt,

Ah t’ keqe nana, këtu m’ le t’ kjaj ….(t’ nxjerr vaj),
Se fati s’ deshti me t’ pa ty në ditë bardhë – kjaj…

T’ deshta dhe t’ due, sic do ditë që kam me t’dashtë,
Me mall pres ditën, kur Zoti amin t’ ma ban,
Symbyllur bir, drejt kupës së largët ka me ardhë,
Se gjaku yt i larë për tokën e të parëve nanës
Asht’ i pastër, asht’ hallall.
Do i lam’ pas yjet ta vazhdojnë vallen e lirë përqark,
Atje, larg cdo ditë ngritet një fole e mbarë,

E shqypja kumbon anembanë – flakë, (zjarr)
Atje, ku shpirti fluturon i lirë e kthehet qetaz në kombin e vet…
Se shqyptaria nuk asht shue as për nji ditë as për nji moment.
Se vet rranja ka kenë – mburojë e trimëri,
Ndër vena, gjaku shqyptarit – krenari, dritë!
Botës, i ndam’ dëshmi e lavdi – f’mijve i lam’pas histori trash’gimin!
Qetaz, qetaz fli bir i nanës fli….

T’ përkund nana, me g’zim  të lules së rinisë!
Që dha mundin – ditën e dëlirë me prit,
Qetaz, qetaz bir, rri se dhe nana ka me t’mbërri…!

‘Pyllit brenda vetes’, një nga poezitë finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’

Poezi e shkruar nga Kaltrina Pacolli, një nga dhjetë poeteshat finaliste të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Kam me ec nëpër pyllin që me kanë paralajmëru
mos me ec
se aty eksistokan bishat!
Unë kam me ec bash në terrin e zi
kur frika ka me qenë shumëfish më e madhe
e nuk ka me pa një dalje,
se nuk po du me e gjetë njëherë daljen,
jo – pa e përjetu atë frikë,
jo – pa përjetu rrënqethjen e trupit ku gjithçka nuk ka kuptim
e ka kuptim në te njejtën kohë;
Kam me ec aty ku me sytë hapun
në pyllin që m’kanë paralajmëru mos me shiku,
prap s’kam me pa asgja,
ndoshta e shoh një dorë që ka me dashtë me shtrëngu dorën teme
që nganjëherë po frikësohet prej mos frikës që nuk po e ndjej.
Paqe po du me gjetë në pyllin
ku vetes I kemi thanë që veç paqe aty nuk ka!
Kam me ec me sy hapun se ndoshta,
veç ndoshta kam me pa një shkëndijë
që mu edhe botën ka me e lidhë në një mënyrë tjetër.
Pyllit që ia kam pas frikën
e pa dyshim ia ke frikën edhe ti;
se andrrat e secilit prej neve brenda këtyre katër mureve,
poshtë këtij qiellit që ndrron ngjyra,
mbi këtë dhe që mundet edhe me u shemb,
andrrat tona janë të njejta e shpesh janë tremb njejtë.
Unë po shkoj drejt pyllit që
secili prej neve ngurron me ec,
ngurron me fol për ta,
drejt pyllit që na sjell problem e ankthe,
e shqetësime, e britma,
trauma – me një fjalë.
Pyllit që ia kemi vu vet perden e zezë mos me e pa,
mos me ba paqe me ta.
Nëpër pyllit që e kena brenda që për ujë është I etun
kam me ec veç me provu
me ba paqe me veten!