Në mbrëmjen përkujtimore për Astrit Deharin, me datë 28 tetor (ditë e hënë) duke filluar nga ora 18:00, në rrugën Rexhep Luci (afër Kino ABC) në Prishtinë, ku tashmë edhe është ngritur një mural përkujtimi për Astrit Deharin, të pranishëm do të jenë edhe familja Dehari për të ndarë një fjalë rasti me ne.
Autor: KultPlus
‘Shfaqja e fundit e Marie Gjonit’ e Veton Surroit, premierë në Teatrin Kombëtar
“Shfaqja e fundit…” e Veton Surroit, premierë në Teatrin Kombëtar
Nesër, e hënë (28 tetor), nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” e autorit kosovar Veton Surroi. Regjinë e kësaj drame e ka bërë regjisori hungarez András Urbán, kurse luajnë (sipas radhës alfabetike): Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi.
Shfaqja sjellë një perspektivë historike të Kosovës, përmes përfaqësimit të një familjeje informatorësh, të cilët brez pas brezi i shërbejnë çdo regjimi – mbretërisë serbe, fashiste, italiane, naziste, komunisteve serbë, komunistëve shqiptarë të Kosovës e deri më sot. “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, sjellë së bashku tragjiken dhe komiken në një narracion që përpiqet të kuptojë djallëzinë njerëzore si dhe dashurinë e pakushtëzuar.
Në shfaqje, një drejtues i partisë komuniste dhe një primadonë e teatrit janë kapur në një marrëdhënie dashurie e cila u mbijeton sfidave.
Kompozitore e muzikës është Irena Popovic- Dragovic, skenograf: Mentor U. Berisha, kostumografe: Yllka Brada, dramaturg: Jeton Neziraj, ass. regjisor: Imer Mushkolaj, kurse muzicient: Drin Tashi dhe Tomor Kuçi. Tekstet e këngëve dhe disa skena të cilat janë krijuar gjatë procesit, janë shkruar nga Jeton Neziraj dhe András Urbán.
Dy reprizat e para të shfaqjes do të jenë me 29 dhe 31 tetor. Me 31 tetor, kjo shfaqje hapë Kosovo Theater Showcase, një festival promovues teatrorë që sivjet ka bërë bashk Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendrën Multimedia nga Prishtina, teatrin “Adriana” të Ferizajt dhe teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Vdekja e rioshit, kushtuar Astrit Deharit
VDEKJA E RIOSHIT
( Kushtuar A. Deharit)
Trupi i molisur, eshtrat fund fuqie.
Sonte ishte dritëhëna e mëndafsht,
E sot erdhën retë e errëta,
Dhe shiu pikëmadh bie, rëndë .
O erë , motër erë.
Zgjeroi krihët e tu të mëdhenj.
Dhe fryj.
Largo këtë qiellnaj të plumbt
Që sytë e mi të shikojnë
Kthjelltësinë kaltëreme për herë të fundit.
Erë, motra ime, po vdes riosh.
Përëndi, bëjë që qiellnaja
Mbi mua të buzëqesh, kthjellët,
Kur sytë më shuhen,qelqnorë.
Zgjeroj krihët e rëndë,erë
Krah hapur, motra ime.
Shkyej retë e zeza.
Le të zhurmërojnë qetë qiparisët e jeshilt.
15.10.019
Musa Tullari
Çfarë t’iu thotë gjuha ime e butë
Flamur Foniqi
Pse m’rri heshtur sot babi…
Në mur të ftohtë varur jeton
S’më vjen faqeve një përkdhelje
Dhe në vesh përrallë mungon!
Pse ballit s’më vjen një puthje…
N’dorën e vockël një shtrëngim
S’do mund të ngjitem asnjëherë
Në qafën tënde, heroi im!
Nder buzë të mia, germë e njomë
“Babi” thërret, përherë këndon
Një këngë morti sillet rrotull
Babi im t’i s’më dëgjon!
Po hedh hapin babi, po rrëzohem
Ca krahë si mal s’më përqafojnë
N’këtë botë s’do shihet ecja ime
Nga sy të zinj, që më mungojnë!
Babi m’ke gënjyer për një gjë
E ke bërë shumë shumë rrallë
Bishat qënkan dhe këtu..
Jo siç thoje “veç n’përrallë”
Shtati s’do më rri kështu përherë
Jetë do bëjë por si mjerim…
Anash emrit që ma vure
M’falen tjetrin, m’thanë jetim
Çfarë t’u thotë gjuha ime e butë
Atyre që t’shanë e t’vranë…
Mizorëve që su thotë gjë shprehja
” Babë e bijë kurrë nuk u panë”
Mbi këmishën që ta shqyen…
Njollë e kuqe s’të venitet
Do e lyej me ngjyrë të bardhë
Vajza jote kur të rritet…
Ky trupi im ca pëllëmbë mbi tokë
Atij që s’ndjen i qoftë mallkim…
Kush në lutje t’me jetë pranë
Do jetë përherë ” babai im “
Për një përrallë që the gabim
Kujtoj një tjetër thënë madhërisht
“Heronjt si ti s’janë veç n’përrallë”
I tillë do më mbetesh përjetësisht!
Të shoh të gjallë nder sy të vegjël
Me pavdeksinë një fjalë kam lidhur
“Buzëqeshja jote do e vë në gjumë
Asren e ëmbël, n’botën e hidhur!”
Në Nju Jork, tubim kundër dhunimeve e krimeve serbe në Bosnje, Kroaci e Kosovë
Në New York, të martën e 29 tetorit do të protestohet.
#Rallyforherjustice do të mbahet në New York, një tubim për krimet e dhunës seksuale nga forcat serbe që kanë kaluar të pandëshkuara në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
Luftërat Jugosllave, prej vitit 1991-2001 kanë lënë plot viktima, dhe për këtë komunitetet shqiptaro-amerikane, boshnjako-amerikane dhe kroato-amerikane në Amerikë po e përkrahin këtë tubim, për të dënuar krimet që nuk janë ndëshkuar dhe kriminelët që kanë dhunuar e ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar nga instancat ndërkombëtare.
Thirrja do të adresohet për Serbinë, shtetin që duhet të punojë më shumë të identifikojë kryesit e krimeve të tmerrshme, shkruan KultPlus.
Takimi do të ndodhë para Konsulatës Serbe, prej orës 11:00, për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Bosnje, Kroaci e Kosovë. / KultPlus.com
Sot të urrej vendi im
Aurela Kadriu
Sot të urrej vendi im,
Edhe nëse më parë kam thënë kështu
nga shpërthimi momental.
sot e kam tepër seriozisht.
Të urrej!
Të urrej dhe nuk gjej as nji fije bari
Ku të kapem që të të dua,
Sadopak!
Sot më ngjeth mishtë ti, vendi im.
Dhe sikur kjo shoqëri ta pranonte këtë nga një grua,
e të mos më damkosnin,
Do të t’i kisha sha krejt robët.
Pra, kisha bërtitë në kupë të qiellit
“VENDI IM, T’I QIFSHA ROBËT!”
sepse sot më vrave për së gjalli.
…dhe askujt nuk i bën përshtypje ajo punë.
Jam veç nji nga të vdekurit e gjallë që vriten çdo ditë.
Dhe disi, ende këmbëngulin.
Të vriten.
Çdo.
Ditë.
Të pshurrësha në lulëkuqe, vendi im.
prishtinë, 24 tetor, 2019.
Një nga këta këngëtarë do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision
Disa portale dhe faqe në rrjete sociale kanë publikuar listën e këngëve në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTSH.
Në listë vërehen emra të mëdhenj si Elvana Gjata, Arilena Ara, Albërije Hadërgjonaj, Olta Boka e artistë tjerë.
Nga kjo listë, Shqipërinë në Eurovizion e ka përfaqësuar tanimë Olta Boka, ndërsa Tiri Gjoci e Wendi Mancaku ishin back-vokalistë të Jonida Maliqit për këtë vit.
Albërije Hadërgjonaj e ka fituar Festivalin e TVSH-së para rreth 20-të vitesh.
Festivali do të mbahet si gjithmonë në dhjetor, ndërs a kënga fituese përfaqëson më pas Shqipërinë në Eurovision 2020, në Holandë. / KultPlus.com
Cila ishte fjala jote e fundit, Astrit?
( E shkruar një ditë pas vdekjes së Astritit.
Sot ai ka vdekur për herë të dytë!
#DrejtësipërAstritin )
NGA TEUTA SKENDERI
Cila ishte fjala jote e fundit Astrit?
Kush t’i mbylli sytë e zinj?
Astrit, buzëqeshja jote u përjetësua, ajo është revolucion më vete. Të dua edhepse nuk njiheshim. Të vajtoj sot Ty dhe të gjitha ditët e lumtura që t’i vodhën nën diell.
Astrit na fal të lutem që nënshkruam peticione te ndryshme nëpër Botë dhe nuk e bëmë asnjë për Ty. Nuk bëmë atë që duhej bërë dhe aq sa duhej bërë.
Astrit, të tradhtuam të gjithë. #AstritDehari
Ky është aktori i cili ka luajtur në filmin ‘Një pallto për babën tim në burg’
Fotografitë e vjetra gjithmonë sjellin kujtime. Ky për një moment duket sikur është misioni i tyre kryesor, të na kthejnë në retrospektivë.
Një e tillë është ajo gjatë xhirimit të filmit televiziv ‘Një pallto për babën tim në burg’.
Jehon Gorani – aktor, Adem Mikullovci – aktor, Fatmir Bajrami në cilësinë e kameramanit dhe Fatmir Bajrami shihen në fotografinë e shpërndarë në rrjete sociale nga Fatmir Bajrami.
Filmi “Një pallto për babën tim në burg” është film i viteve të 90’ta kur çdo gjë shqiptare në Kosovë ishte e ndaluar. Filmi është bërë në mënyrë të fshehur.
Në këtë film televiziv kanë luajtur edhe Shani Pallaska, Leze Qena, Shkumbin Istrefi, Kumrije Hoxha e aktorë tjerë. / KultPlus.com
Gjuha Shqype
GJERGJ FISHTA
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!
Anibar anëtarësohet në “Trans Europe Halles”
Anibar tashmë është edhe zyrtarisht pjesë e “Trans Europe Halles”, rrjetit më të madh evropian të qendrave kulturore të inicuara nga qytetarët dhe artistët.
Përgjatë takimit të 88 të “Trans Europe Halles” i cili u mbajt më 16 – 20 tetor në Timishoara të Rumanisë, Anibar dhe Kinema “Jusuf Gërvalla” unanimisht janë votuar për të qenë pjesë e këtij rrjeti.
“Trans Europe Halles” e cila ekziston që nga viti 1983 dhe ka mbi 100 qendra kulturore të anëtarësuara nga anëmbanë Evropa, për vite të tëra ka shërbyer si pararojë e rifunksionalizimit dhe transformimit artistik, kulturor e antikonformist të ndërtesave industriale gjithandej Evropës.
Në anën tjetër, Anibar përmes Kinemasë “Jusuf Gërvalla ka disa vite që synon rifunksionalizmin e kinamasë së vetme në qytetin e Pejës, përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, edukative dhe artistike.
Anëtarësimi i Anibar dhe Kinema “Jusuf Gërvalla” në “Trans Europe Halles” është lajm pozitiv jo vetëm për Pejën por për të gjithë Kosovën në përgjithësi.
Idetë dhe përvojat e anëtarëve të këtij rrjeti do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme me të qëndrueshme për sektorin e pavarur të kulturës në vend.
Shqiptarja Cecilia Laca, violina e parë në San Carlo të Napolit
Cecilia Laca është një nga artistët e shumtë shqiptarë që në fushën e instrumenteve, baletit apo operistikës po arrijnë majat e institucioneve më të rëndësishme të kulturës europiane.
Pas shqiptarëve violina të para në Teatrin Petruzzelli në Bari, në La Scala të Milanos, tani një tjetër shqiptare shkëlqen edhe në të magjishmin teatër San Carlo të Napolit, një nga teatrot më antikë dhe më prestigjozë në Europë dhe në botë. Cecilia Laca është një tjetër ekselencë shqiptare që me punën dhe talentin e saj fiton shkallët e karrierës për të qenë një nga instrumentistet më me vlerë të San Carlos.
Historia e saj tregohet në një faqe të tërë të gazetës së Napolit, Il Mattino. Vetëm 15 vjeç u largua nga Shqipëria drejt Italisë. “Nga mamaja ka trashëguar pasionin dhe disiplinën, ndërsa babai ishte instrumentist i oboes para se të bëhej drejtor në një ndërmarrje. Vëllai pianist po me një karrierë të suksesshme”, shkruhet në të përditshmen napoletane.
Cecilia Laca është një nga artistët e shumtë shqiptarë që në fushën e instrumenteve, baletit apo operistikës po arrijnë majat e institucioneve më të rëndësishme të kulturës europiane. Krenari e pafundme për këta bashkëatdhetarë të talentuar që me punën e tyre bëhen shembull frymëzimi për të rinj që ende studiojnë në shkollat artistike të Tiranës dhe Shqipërisë me shpresa dhe ëndrra të jashtëzakonshme.
Piktorja Xheneta Kadillari i jep tjera ngjyra Shkodrës
Në Galerinë e Artit Shkodër këto ditë u hap ekspozita e piktores Xheneta Kadillari. Në të janë paraqitur peizazhe, portrete, kompozime, nudo. Vjen si një mozaik i bukur shumëngjyrësh në një vijëmësi krijuese me punime të kohëve të fundit. Janë peizazhe, natyra të qeta, portrete, kompozime e nudo, të ndërfutura e lidhur harmonikisht, përfaqësim i njëmendtë, një ekspozitë e plotë.
E tillë është Xheneta, një shkodrane e lirë, e kulturuar, pak rebele në artin e saj, që frymën e vendlindjes e përcjell nëpërmjet artit që krijon. Simbioza ndërthurëse, si veçori formimi, nga se Shkodra është në zanafillë të themeleve të ngrehinës së arteve pamore shqiptare, duke u shquar si një trevë me frymëzim piktorik .
Me kohë artistja e ka krijuar profilin artistik. Në shtator të vitit 2010 merr çmimin “Pelod” nga Qendra e Artit “DEA”, çmimin e dytë në konursin Ndërkombëtar “Vangjush Mio”, Medalje të Argentë” në konkursin e Aademisë Europiane të Artve në Genblaux të Belgjikës, Medaljen “Naim Frashëri”, akorduar Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, medaljen e Bronxtë në Bienalen e piktorëve të Mesdheut në Aleksandri të Egjiptit. Ka bërë 14 ekspozita vetiake dhe shumtë të tilla me bashkautorë brenda dhe jashtë vendit.
Xheneta është koloriste. Të rrallë janë ata piktorë që meritojnë një titull të tillë. Tek piktorja kjo shpërfaqet së brendshmi, vjen nga ajo pasuri e madhe, që ka Shkodra si kryeqendër e hershme kulture.
Agim Janina / Shqiptarja
Dua Lipa rikthehet në Instagram (VIDEO)
“A ju kam munguar?” ka qenë pyetja që këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka bërë me rastin e rikthimit të saj në rrjetin social Instagram.
Lipa ditë më parë kishte fshirë të gjitha postimet nga ky rrjet social duke bërë bujë në mediat botërore. Sot ajo është rikthyer me postimin e parë.
Këngëtarja kosovare, që ka 35 milionë ndjekës, në postimin e parë ka publikuar një video paralajmëruese për këngën “Dont start now”, si përshkrim të së cilës ka pyetur fansat se sa u ka munguar.
Vizatimi
Vizatimi
Nga Sherko Bekas
Katër fëmijë,
një turk, një persian,
një arab dhe një kurd
po vizatonin së bashku një burrë,
i pari ja vizatoi kokën,
i dyti ja vizatoi duart dhe shpatullat,
i treti ja vizatoi këmbët dhe gjoksin
kurse i katërti ja vizatoi një armë në krah
1979
*Sherko Bekas ishte poet kurd.
Shqip: Blegë Sheholli
Edhe një tjetër vepër e At Anton Harapit po e sheh dritën e botimit
Vepra Thana e thasha, titull që ia ka vendosë vetë autori âsht botue në revistën Zâni i Shna Ndout, tue fillue që nga viti 1934 me disa ndërpremje deri në vitin 1942.
Në këtë përmbledhje studimesh apo siç i quen Aurel Plasari “ai grusht brilantësh të vegjël të psikologjisë popullore” , Át Anton Harapi u dha përgjegje shumë pyetjeve që burojnë nga zemra e njeriut, që âsht i kufizuem në hapsinë dhe në kohë. Këto pyetje dëgjohen shpesh edhe sot si te njerëzit e thjeshtë dhe te ata që janë të formuem. Shkrimet e shkurta në prozë mund t’i quejmë edhe nji lloj apologjie të së vërtetës, ku spikat martiri Át Anton Harapi përmes nji mënyre brilante kallëximi e ligjërimi filozofik për njerëzit e thjeshtë dhe për të meçmit. Por përmes kësaj proze prozatori i shquem Át Harapi mes të tjerash vuni në dukje rreziqet e ndërtimit të nji shoqnie pa vlera, pa Zot, rrezikun e komunizmit bolshevik. Dhe ndër të tjera do të shkruente në prozën e shkurtë Fé e ré që âsht përfshi në këtë vëllim: “Pá besim në Zotin, nuk kemi Shqypní, por Rusí bolshevike”. Aty trajton edhe tema të tjera siç âsht çeshtja e lirisë, cilësi themelore e personit njerëzor, afrimi me besimin përmes arsyes, rreziqet e ideologjisë fataliste e shumë elemente të tjera që ekzistojshin në psikologjinë e popullit. Sigurisht për Át Anton Harapin e Vërteta duhet të kuptohet nëpërmjet arsyes, reflektimit, shoshitjes e tanë elementëve që përbajnë ekzistencën tonë. Qenia njerëzore âsht e hapun ndaj mbinatyrores.
Mësuesi nga Prizreni kërkon falje për fotografinë me nxënësit, nisin hetimet ndaj tij
Një foto e publikuar me nxënësit e tij, duke mbajtur flamurin turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake, mund t’i kushtojë me suspendim ose përjashtim nga puna mësimdhënësit Selver Shantir.
Menjëherë Drejtoria e Arsimit dhe Inspektorati i Ministrisë vizituan shkollën fillore “Motrat Qirazi” në Prizren, ku punon Shantiri.
Vetë Shantiri nuk ka dashur të flasë para kamerës, por në deklaratën dhënë Inspektoratit ka thënë se foto nuk ishte me asnjë paramendim politik, fetar apo racor.
Ai, duke kërkuar falje publike, ka sqaruar qëllimin e fotografisë, e cila, sipas tij, është bërë javën e kaluar.
“Me datë 13 . 10. 2019 me nxënësit e mi patëm orë të edukatës fizike dhe pas përjetimeve për kualifikimin e ekipit të Turqisë në ‘Euro 2020’ edhe nxënësit e mi kërkuan nga unë që të bëjnë gjestin e njëjtë si lojtarët e Turqisë pasi që edhe ata fituan ndeshjen e tyre. Por, fotografia ime është përdorur sidomos nga disa persona dashakeq që të bëjnë përçarje në shkollën tonë e postimin tim e kanë lidhur me ngjarjen në Prishtinë, por që kjo me ne nuk ka të bëjë fare. Asnjëherë nuk kam pasur qëllim që dikujt apo dikë ta poshtëroj apo ta ofendoj në çfarëdo baze qoftë nacionale, fetare apo racore”, ka thënë Shantir.
Drejtori i shkollës ka pranuar se mësimdhënësi ka shkelur të drejtat e fëmijëve, teksa ka theksuar se me Shantirin nuk kishin asnjëherë probleme.
Bashkë me drejtoreshën e arsimit në Prizren, kanë thënë se janë duke e shqyrtuar rastin në koordinim me Inspektoratin e Arsimit.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë se pas kompletimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit nga inspektorët në terren, do t’i rekomandojnë Komunës për masat që duhet ndërmarrë.
Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit
GILMAN BAKALLI
Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Është një proces i pandërprerë i rrëzimit të pazhurmshëm të të gjithë skrupujve dhe kufizimeve. Kush futet brenda tij me bindjen e palëkundur se do të miqësohet vetëm me ata që njeh mirë, vetëm me miqtë e tij të vërtetë të jetës së përditshme, larg e afër, kush betohet se nuk do të postojë kurrë asgjë private, që nuk do të postojë foto personale, do të vërë re se gradualisht, të gjitha parimet e tij do të rrëzohen një nga një. Do të vërejë se askund tjetër, më tepër se në facebook, është më e kollajtë të heqësh dorë nga parimet. Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Tinëzisht, por në mënyrë efikase ama.
Nobelisti Peter Handke ftohet në Prishtinë në festivalin POLIP
Festivali i letërsisë POLIP në Prishtinë e ka ftuar në edicionin e vitit tjetër, shkrimtarin Peter Handke – i cili e fitoi Nobelin për Letërsi këtë vit dhe po kritikohet për pikëpamjet e tij pro-Millosheviçit.
Me këtë letër, POLIP e ka ftuar shkrimtarin vitin tjetër në Kosovë.
*
Me lumturi të madhe pranuam lajmin e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për Peter Handke. Kjo botë është e mbushur me gjëra të shëmtuara dhe gazetarë dashakeq të rajoneve tona kanë sjellur vetëm fotografi të shëmtuara të shtëpive të shkatërruara, grumbujve me trupa të kalbur të njerëzve të vdekur. Ndryshe prej tyre, Handke ka hapur sytë kah e bukura dhe e ka derdhur atë në tekstet e tij poetike.
Aty ku të tjerët shohin këpucë fëmijësh në tokë, ai sheh një lule që rritet; ku të tjerët dëgjojnë klithmat e grave të dhunuara, ai sheh një zonjë të moshuar me duar të ngrohta duke buzëqeshur; ku të tjerët shohin kufoma që pluskojnë në lumë, ai sheh petale lulesh mbi sipërfaqen vezulluese të ujit; ku të tjerët shohin mjeranë të paushqyer në kampe ai sheh fole të brumit të artë, të gatshëm për t’u hedhur në supë. Brutaliteti i vetëm që ai sheh në rajonet tona është ai i ushtruar kundër kumbullave: këto fruta të mrekullueshme, të lëngshme ngjyrë vjollce si në të kaltër në këto anë digjen në mënyrë barbare dhe shndërrohen në shlivovicë, të cilën ai natyrisht e pi, por jo me aq kënaqësi sa do ta shihte një kumbull në degë.
Jemi mirënjohës ndaj këtij autori të madh që i dhuroi Hoçës së Madhe një pishinë me paratë që kishte fituar nga çmimi Ibsen dhe rrjedhimisht jemi të bindur që paratë nga çmimi Nobel do të jenë të mjaftueshme për të paktën dhjetë pishina të tjera – le të notojnë njerëzit! – por jemi sidomos falenderues ndaj tij që solli bukuri dhe dashuri në një vend ku të tjerët sollën vetëm krime. Ftojmë Peter Handke të jetë mysafiri ynë në edicionin e vitit 2020 të POLIP-it dhe gjithashtu nuk do të kundërshtonim nëse ai e shoqëron vizitën e tij me një pishinë të vogël për Qendrën Multimedia.
Alida Bremer (Kroaci-Gjermani),
Sasha Iliq (Serbi),
Jeton Neziraj (Kosovë)
Drejtorë artistikë të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë
‘Prej Aidës në Vahide do t’kaloj, këngët e Naim Abazit do ti mësoj’
KultPlus gjithmonë përkujdeset t`ju sjellë në vëmendje këngë të dekadave të ndryshme, këngë të moçme dhe të cilat sjellin kujtime e nostalgji.
Një prej tyre është edhe “Për ty” nga Aida Baraku. Madje ekziston edhe një incizim i vjetër ku Aida Baraku, sot jo aktive në muzikë, e performon këtë këngë me një tekst humoristik e të veçantë.
Aida dhe Armendi gjithmonë janë njohur për stilin e tyre të veçantë dhe kjo këngë tregon sa para kohës kanë qenë ata në vitet kur ishin në kulmin e aktivitetit të tyre.
‘Me Zotin i ndreqi punët vetë…’
Át Anton Harapi
DIFTOJSI
Me Zotin i ndreqi punët vetë…
Fenat i ka dá Zoti!
Fenat i ka dá Zoti.
Kush lén me hýll…
Kush âsht nafakprém e kush nafakmadh…
Zoti i a ka dá rriskun setcillit…
Nevoja nuk ká gjýgj!
Erz e shpírt!
Po t’ishte Zot… s’pat m’e lânë bâkeqin.
Nuk ká ardhë kush prej asajë jetë…
Goja llap, e shpina dap…
Ne e paç t’a presin… në mos e paç t’a njesin.
Edhe besimi do mârrë si të vijë….
Nuk jemi mâ në kohë të mjesme….
Fé e ré
…per bashkimin kombtár!
…në perparim e siper!
N’ emen të lirís…
Shka don me thanë gjith aj kundershtim kundra besimit në botë?… more dán se dishka â në thes, se nierzt as nuk janë të gjith të marrë, as të gjith të kqí!…
Kúr më permendë kush punë feje më bân me qeshë!…
… besojn pá e diejtë as vetë pse besojn!
Kush flet per besim, nuk m’idhnon, por më terbon. Nji nieri i kohës s’ká si e bán ket dhûnë!
S’ká Zot!
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot!
Nierí s’ká shpírt!
Shpirti i nierit… fjalë n’erë.
Me dekë maron gjithshka…
Si të desim na, maron gjithshka…
Zoti s’merret me punë t’ona.
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ të vertetë…
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ besë…
Pá pá vetë me sŷ, nuk besoj…
Shka nuk e marr vesht vetë, nuk e besoj të vertetë…!
Shka nuk kuptoj, nuk kam si t’a besoj…
Thue pernjimend âsht shka besojm?… Un, a dij gjâ me sugurí a jo?…
Un… jam liberal. Nuk besoj.
Un… jam liberal.
Un nuk besoj…. Pse nuk m’a thotë mendja!
Un nuk besoj… due të m’a thotë mendja, e jo të m’a thonë tjerët.
Para se të besoj… due të pves vetin.
Fenat i ka dá Zoti. Të gjitha besimet janë të mira barabar.
Fenat i ka dá Zoti. Mjafton të mahet nji besim, çëfaredo…
Shka na duhet besimi?…
S’na duhet gjâ besimi…
Sod s’na duhet gjâ besimi…
Së na duhet gjâ besimi…
Mund të bâjmë edhe pá besim…
Së na duhet gjâ besim…
Per kohë të sodit… besimi s’ká shka i duhet kuj.
Un nuk besoj… me gjithkta e çoj mâ së miri.
Besim, punë per priftet…
Besim, punë fmísh!
Besimi… punë per grá…
Besimin… t’u a lamë grave
Besimi âsht per popullin e ultë…
Besimin t’a mbajë kush ká ngae…
Un besoj… n’at mdnyren t’ême.
Un besoj… si m’a thotë mendja… jam i lirë!
Un… e lus Zotin vetë!
Besimit, tashmâ i ká kalue koha… â vjetrue e dekë!
Un nuk besoj… e prá së jam as nieri as i keq as i pandershem.
Un nuk besoj… as gjenë kush shka me thanë të keq per mue.
Edhe pá besim, mund të jemi sikush!
Edhe pá besim, mund të jemi të mirë e të ndershem.
Besimi i êm âsht m’u bâ mirë tjerve.
Sá per besim… un ndjeki religionin e natyrshem.
Nuk âsht nevoja të besojm… mjafton arsyja!
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?…
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?
Teper randsí i ep besimi asajë jete…
Besimi nuk don me dijtë gjâ per punë e nevojë të kësajë jete
Kurse fetarët bâjnë njimí të zeza… pse të besoj un?
Veturat Zastava 750 – Fiça mbushin 64 vjet
Me 18 tetor të vitit 1955 u prodhuan për herë të parë makinat Zastava 750, të njohura në Jugosllavi edhe me emrin Fiça.
Edhe në Kosovë ndër vite, nën regjimin jugosllav, kanë ekzistuar këto vetura.
Veturat janë prodhur nga kompania serbe Zastava nga Kragujevaci, deri në vitin 1985 kur edhe kanë dalë nga prodhimi dhe përdorimi.
Madje, kjo veturë për një kohë është shitur e përdorur edhe në Kolumbi.
Vetura ishte e famshme për shkak që harxhonte më pak naftë dhe kushtonte më pak, meqë konsiderohej si veturë e dorës së dytë. Dikur vetura u bë edhe simbol nostalgjie dhe shumë njerëz filluan ta blenin sa për ta pasur si kujtim, e më pak për ta vozitur.
Një stil i veçantë i Fiçës ishin edhe dyert, të future më kah fundi i rrotave sesa më afër tyre.
Zastava 750 dhe 850 sot shihen në tërë territorin e ish Jugosllavisë, sidomos më shumë në Serbi ku ende shumë njerëz e vozisin Fiçën.
Këtë vit Fiça mbushë plot 64 vjet jetë. / KultPlus.com
Kraš Bonbonnière, dyqani i ëmbëlsirave dikur në qendër të Prishtinës
Nëpër tërë territorin e Jugosllavisë së dikurshme, asaj të qetës dhe me bashkëjetesë normale, ekzistonte edhe Kras – shitorja e njohur e ëmbëlsirave.
Kraš është kompani nga Zagrebi e cila specializon në ëmbëlsira, ndërsa dikur edhe në Prishtinë kishte dyqanin e saj të ëmbëlsirave. Shitorja gjendej afër Kino Armatës sot në Prishtinë, ndërsa disa fotografi të vjetra e tregojnë vendin ku shkruante Bonboniere.
Kompania në fjalë e morri emrin e tillë në bazë të Josip Kras, komunistit kroat i cili u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kompania, pas rënies së Jugosllavisë humbi 2/3 e tregut të saj, ndërsa në kohën e saj më të mirë edhe eksportonte jashtë.
Në shitoret e Kraš shiteshin të gjitha llojet e çokoladave e ëmbëlsirave, bonbonjeret, bajaderat, e poashtu edhe llojet e ndryshme të cigareve.
Nostalgjikët e Kosovës, sidomos të Prishtinës së vjetër, e kujtojnë mirë dyqanin në fjalë dhe dashurinë për aromën që vinte kur kaloje afër Krasit.
Në vitin 2017 kompania numëronte rreth 3 mijë punëtorë.
Ajo sot është aktive por ka shumë më pak qarkullim sesa viteve të mëhershme, ndërsa është themeluar në fillim të viteve 20-të të shekullit të kaluar. Sot në vendin ku ka qenë shitorja e Krashit ka dyqane të tjera të tekstilit, kafe të ditës dhe shitore për telefonat mobil. / KultPlus.com
Çfarë mësova në luftra
Yehuda Amichai
Ja çfarë mësova në luftra:
të marshoj me ritmin e këmbëve dhe duarve që tunden
si pompat që pompojnë në një pus të boshatisur.
Të marshoj në radhë dhe të jem i vetëm në mes,
të gërmoj në jastekët, shtretërit me pupla, trupin e gruas së dashur
dhe të bërtas “Nënë”, kur ajo s’mund ta dëgjojë
dhe të bërtas “Zot” kur Zotit s’i besoj
dhe në rast se do besoja
kurrë s’do t’i tregoja Zotit për luftën
ashtu siç nuk i flitet fëmijës për tmerret e të rriturve.
Dhe diçka tjetër mësova. Mësova të ruaj një rrugicë për tërheqjen.
Në vendet e huaja të zë me qera një dhomë në hotel
afër aeroportit ose stacionit hekurudhor.
Madje edhe në sallat e martesave
mësova të shikoj derën e vogël
me fjalën “Dalje” shkruar me grema të kuqe.
Kështu fillon një betejë
si daullet që rimojnë për vallëzim dhe mbaron
me “një tërheqje në agim”. Dashuritë e ndaluara
dhe beteja, të dyja nganjëherë kanë fund të përbashkët.
Por mbi të gjitha mësova mençurinë e maskimit,
të mos bije në sy, të jem i panjohur,
të mos dallohem nga gjithçka që më rrethon
madje as nga të dashurit e mi.
Le të mendojnë unë jam një kaçube ose një qengj,
një pemë, hija e një peme,
një dyshim, hija e një dyshimi,
një gardh i gjallë, një gur i vdekur,
një shtëpi, qoshe e një shtëpie.
Po të isha profet do të zhbëja profecinë e parashikimit
dhe do ta errësoja besimin tim me letër të zezë,
dhe do ta mbuloja magjinë me rrjeta.
Dhe kur të vijë koha ime unë do të vesh rrobat e fshehta të fundit tim,
retë e bardha, shumë qiell blu
dhe yjet pafund.
Përktheu: Bardhyl Londo