Me kitaristen spanjolle Anabel Montesinos do të nisë Mitrovica Guitar Days

Mitrovica Guitar Days 6 do të nisë nesër, dhe në këtë edicion që do të zgjasë deri më 11 shtator do të prezantohen performanca të kitaristëve të klasit botëror, masterklase dhe evente të tjera.

Edicioni i gjashtë i këtij festivali do të nisë me kitaristen spanjolle Anabel Montesinos, për të përfshirë në këtë program edhe kitaristë të tjerë me nivel ndërkombëtarë dhe rajoni.

KultPlus ju sjell programin e plotë të festivalit./ KultPlus.com

Diskutim me Fatoş Üstek në Reporting House

Fatoş Üstek, që jeton në Angli, do të prezantohet me një diskutim mbi librin e saj të fundit: “Arti i institucionit të së nesërmes: Rishpikja e modelit”.

Kjo ngjarje është e hapur dhe do të moderohet nga Gazmend Ejupi, kurator i Reporting House/Shtëpisë së Raportimit.

Bashkëbisedimi me Fatoş Üstek do të mbahet më 6 shtator, prej orës 10:00 në Reporting House/ KultPlus.com

Rudolf Marku për librin e Dan Bozhlanit: Nuk është libër për lexuesit e lehtë

Rudolf Marku

Librin, që në fillimin e vet, e bën të qartë se është një libër modern, një libër që thyen kanonet klasike të narracionit e të karaktereve . Kjo ka ardhur, mendoj unë, se libri juaj është më tepër i natyrës eseistike, një diskutim letrar për rolin e librit (‘të shkronjave’) në këtë botën tonë; është diskursi për rolin e rëndësishëm shpirtëror, intelektual, diell-ndriçues, të shkrimësisë; në këtë vështrim, libri juaj është një himn për librin e vertetë, përmes rrëfimit të kalvarit që i duhet të përshkojë autori për të arritur plotshmërine e vetvetës përmes shkrimësisë.

Kjo nënkupton dhe të kundërten e kësaj, është një polemikë për ta ndërgjegjësuar shkrimtarët, por dhe vetë lexuesit, për rendësinë e letërsisë së realizuarë, letersisë së vertetë.

Libri në fakt kthehet kështu në një him për vetë Librin, për letersinë e vertetë, duke e bërë të qartë përgjegjshmërinë e vështërsive të procesit krijues për të arritur letersinë e vertetë.

Libri juaj është një libër origjinal, a one-off book, i shkruar me një kapricio të guximshme, për të krijuar një vepër të pangjashme me librat e tjerë. Ky guxim është për t’u lavdëruar, me gjithë riskun që mbart në vetvete.

Libri kërkon që të lexohet nga një lexues i kujdesshëm dhe i mirëorjentuar në lexime. Nuk është libër për lexuesit e lehtë.

Ju uroj suksese juve dhe librit. Shkronjat e këtij libri duhet të jenë të kënaqura nga autori që i ka trajtuar ato me përgjegjësine e krijesave të gjakut të vet dhë të ADN-së së vet. Rudolf Marku/ KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e kategorisë kryesore garuese

Prezantohet juria e filmave artistik të metrazhit të gjatë nga Ballkani, kategori kjo kryesore garuese në PriFest. Juria përbëhet nga filmbërës dhe profesionistë të nivelit të lartë të industrisë së filmit nga shtetet evropiane.

Dhe ata jane:

PAUL WILMSHURST

Paul Wilmshurst është regjisor dhe skenarist britanik, i cili ka punuar në industrinë e filmit dhe televizionit për më shumë se 40 vjet. Projektet e tij; ‘Day of the Jackal’, ‘Belgravia: The Next Chapter’, ‘The Last Kingdom’, ’Doctor Who’, ‘Strike Back’, ‘Jamestown’, ‘Indian Summers’, ‘Da Vinci’s Demons’, ‘Combat Kids’, ‘Runaway’, ‘Mob Law’ dhe ‘Hiroshima’ – i cili ka fituar një Çmim Ndërkombëtar Emmy dhe një BAFTA në vitin 2006. Ai shkroi dhe dhe ishte regjisor i ‘Forgiven’ – i cili u shfaq në Channel 4 në gusht 2007 – dhe fitoi një Çmim të Shoqatës Mbretërore të Televizionit për montazhin më të mirë të dramës, u nominua për një Çmim Broadcast për Dramën më të Mirë TV të Vetme dhe fitoi një Çmim Ndërkombëtar Emmy për Aktoren më të Mirë. ‘Combat Kids’ gjithashtu u nominua për një BAFTA për Dramën më të Mirë për Fëmijë. Përpara se të fokusohej në dramën e nivelit të lartë, ai kaloi shumë vite si regjisor I filmit dokumnetar , duke eksploruar histori të detyrimeve, obsesioneve, identitetit, krimit dhe politikës. Ai ka udhëtuar gjerësisht gjatë jetës së tij dhe është tërhequr nga projekte psikologjikisht komplekse dhe logjistikisht sfiduese.

EMMA CLARKE

Ka qenë Drejtoreshë Ekzekutive për 14 vite, fillimisht në Fine Line Features, ku ka ngritur dhe drejtuar zyrën e tyre në Londër për 4 vite. Më pas ishte një nga themelueset e UK Film Council (tani BFI) nga viti 2000 deri në vitin 2010. Ka mbikëqyrur personalisht zhvillimin dhe prodhimin e mbi 50 filmave artistikë dhe dokumentarë, shumë prej të cilëve kanë fituar çmime të shumta, duke përfshirë Bafta, Çmimin e Jurisë në Cannes, Ariun e Argjendtë në Berlin etj. Ka qenë e përkushtuar në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, veçanërisht shkrimtare/regjisore femra. Ka punuar me Andrea Arnold, Kevin Macdonald, Shane Meadows, Sally Potter, Sarah Gavron, John Crowley, Saul Dibb dhe Paul Greengrass dhe shumë të tjerë. Ka punuar për New Line Cinema duke drejtuar zyrën e tyre të filmit artistik në Londër. Ka dizajnuar dhe drejtuar një program master për shkrim skenarësh në Universitetin e Manchesterit për 6 vite, i cili ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka çuar shumë nga studentë në industri si shkrimtarë dhe ekzekutivë. Nga viti 2021 deri në 2022 ishte Drejtoreshë e Dramës në Filmwave, Londër. Tani drejton kompaninë Stellar Productions ku zhvillohen projekte filmike dhe televizive me cilësi të lartë.

JEAN-BAPTISTE BAILLY-MAITRE

Jean-Baptiste Bailly-Maitre është producent që ka kaluar shumë vite duke punuar në projekte ndërkombëtare. Ai ka ekspertizë të gjerë në subvencionet për filmin në Francë dhe Evropë dhe është anëtar i komisionit të CNC-së për Aide au Cinéma du Monde. Ai ka qenë përgjegjës për financimin dhe menaxhimin e Alpha Violet për më shumë se 10 vjet dhe zhvillon prodhimin e projekteve të reja.

VIRGINIE LACOMBE

Virginie Lacombe ka prodhuar filmin The Other Son (2012) të drejtuar nga Lorraine Lévy, dokumentarin Faith Connections (2013) nga Pan Nalin, dhe komedinë Blockbuster (2018) të July Hygreck, shpërndarë nga NETFLIX. Ajo ka bashkëprodhuar Mobile Homes të Vladimir de Fontenay (Cannes Director’s Fortnight 2017), Port Authority (Cannes – Un Certain Regard 2019), Martin Scorsese ka qene Producent Ekzekutiv, Last Film Show nga Pan Nalin (nominim për OSCAR 2023), dhe Tommy Guns nga Carlos Conceição (2 çmime në Festivalin e Filmit në Locarno). Ajo po zhvillon disa projekte të tjera, përfshirë The Wind Also Sings nga Handi Ghandour, She’s Not Gone nga Micky Levy dhe Borough Park nga Michale Boganim.

GEORG GEORGI

Georg Georgi është një profesionist i shumëanshëm nga Jena, Gjermani Lindore, një vend që nuk ekziston më, me ekspertizë në vallëzim, modë dhe media. Ai ka bashkëthemeluar Berlin Models dhe M4 Models dhe ka krijuar formate të rëndësishme shfaqjesh. Aktualisht, ai ndan kohën e tij ndërmjet zhvillimit të një rezidence artistike në Portugali dhe Berlin, ndërsa këshillon projekte ndërkombëtare filmi dhe merr pjesë në festivale filmi.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata./ KultPlus.com

Gati për “Hardh Fest”, pjesë e këtij edicioni edhe Gipsy Kings

Tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për organizimin e edicionit të 24-të të Hardh Fest që mbahet në Rahovec, dhe ky edicion ka prurje të mëdha përgjatë 6, 7 dhe 8 shtator, shkruan KultPlus.

Evente kulturore, gara të ndryshme, program për fëmijë, pjekje të rakisë rreth kazanit, ekspozita, debate, orë poetike e shumë ngjarje të tjera kulturore do ta karakterizojnë këtë edicion të Hardh Fest.

Ndërkohë është bërë e ditur edhe lista e këngëtarëve që do të jenë pjesë e koncerteve për tri mbrëmje, të cilat janë: Bumblefoot, George Gakis, Grupi 403 e Arsi Bako & Band do të prezantohen më 6 shtator, më 7 shtator do të prezantohet grupi i mirënjohur Gipsy Kings e Shkumbin Ismaili, sikurse edhe DJ Enndzi, kurse më 8 shtator do të performojnë: Dren Abazi, NRG Band, Fisnikët dhe Nita Latifi./ KultPlus.com

Edicioni i 35-të i “Takimet e Dom Mikelit 2024” i dedikohet Ibrahim Rugovës

Manifestimi Tradicional Kulturor e Shkencor “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll, Komuna e Vitisë, do të mbahen më 21 shtator 2024, të cilat fillojnë në orën 10:00, në ambientet e Shkollës së Parë Legale Shqipe – Muzeu i Shkollës.

Ky është edicioni i 35-t me radhë dhe ka për temë Ibrahim Rugova dhe Shteti i Kosovës, në 80-vjetorin e lindjes së presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i shtetësisë së Kosovës, studiues i madh i letërsisë dhe kulturës shqiptare./ KultPlus.com

PPROGRAMI:

TEMA: IBRAHIM RUGOVA DHE SHTETI I KOSOVËS

80-vjetori i lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës

10:00: TRIBUNA SHKENCORE

Fjalët përshëndetëse të autoriteteve

Ligjëruesit:

Fatmir SejdiuRugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës

Ali AhmetiShteti i Kosovës dhe sfidat e shqiptarëve sot në integrimin evropian

Besnik MustafajRugova dhe rëndësia e krijimit të miqësisë ndërkombëtare për Kosovën

Luca De PoliRugova, modeli i politikanit burimor evropian

 11:15:  ORA E MADHE LETRARE

ORA 13:15  Ndarja e Çmimeve

Çmimi Agim Ramadani, jepet për tri poezitë më të mira

Çmimi Don Gjergj Gjergji, jepet për kontribut në histori dhe filologji

Çmimi Qeshk Ukaj, jepet për veteranët në arsim

13:30: DREKA

19:00:  –“FestFolk Stublla” – Koncert

Fjalët përshëndetëse

19:10 – Ansambli “Zër i Karadakut” (feston 50-vjetorin e themelimit)

19:40 – Qendra Kulturore Artistike “Anamorava”

20:00 – “Dasma e Skenderbeut” – pjesë teatrale nga Vaj i Dejës

20:20 – Muzikë  live – Asim Gashi

22:30 – Darka e përbashkët

24:00 – Fishekzjarre

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest” i organizuar nga shoqata “Muza” – Shkup, dhe me drejtor artistik Blerim Grubi, këtë vit do të mbahet në periudhën nga 5 deri më 16 shtator në Shkup dhe Tetovë.

Të planifikuara janë pesë koncerte të jashtëzakonshme me pjesëmarrje të instrumentistëve të njohur nga shumë vende të Evropës.

Hapja solemne e festivalit do të mbahet të enjtën, më 5 shtator nga ora 19:00 në sallën e Filharmonisë së Maqedonis së Veriut, me koncertin të titulluar “Hungarian String Harmony”. Ky koncert si i pari për këtë edicion, sjell para publikut shkupjan tre instrumentistë harkor hungarez, Julia Pusker në violinë, Mate Szusc në violë dhe Balazs Dolfin në çello.

Programi i këtij koncerti përfshin pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve si: E. Dohnányi, Z. Kodály dhe W.A.Mozart. Hyrja në këtë koncert, por edhe në të gjitha koncertet tjera në vazhdim është falas./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndriçohet me ngjyrë ari në shenjë solidariteti me fëmijët e prekur nga kanceri

Mbrëmë, organizata “Action For Health” realizoi një aktivitet domethënës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u ndriçuan me ngjyrë ari, duke shprehur solidaritet me fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjet e tyre, si dhe për të nderuar kujtimin e atyre që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Kjo ngjarje është pjesë e një serie aktivitetesh të organizuara nga “Action for Health” gjatë muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Qëllimi kryesor është rritja e vetëdijes publike për kancerin në fëmijëri dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Nezaqet Rukovci, udhëheqësja e organizatës “Action For Health”, deklaroi: “Aktiviteti i sotëm synon të ngrejë dhe prekë ndërgjegjen e secilit prej nesh, sidomos të atyre që janë përgjegjës në sektorin e shëndetësisë. Ne kërkojmë angazhim më të madh, veçanërisht në fazat e hershme të luftimit të kësaj sëmundje tek fëmijët.”

Ky aktivitet i sotëm ka bartur një mesazh inkurajimi, force dhe ftesë për qytetarët të bashkohen në mbështetje të fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre që po përballën me këtë sfidë shëndetësore./ KultPlus.com

Bacifaik pjesë e ekspozitës në Hamburg të Gjermanisë

Faik Imeraj me emrin artistik Bacifaik do të jetë pjesë e ekspozitës kolektive që do të hapet më 3 shator në Galerinë “Farbwerk M6 Konterkaro” në Hamburg të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Bacifaik do të prezantohet me tri portrete të artistëve të njohur, të titulluara: “Starry Knight” (Van Gogh) ; “Avida Dollars” (Salvador Dali)” dhe “Pablito” (Pablo Picasso), ku sipas Imeraj, kjo e fundit më herët është prezantuar edhe në Muzeun Picasso në Barcelonë.

Ekspozita kolektive e grupit “Jerwitz” do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator, dhe pjesë e kësaj ekspozite do të jenë artistët: Bacifaik, Johanne Meß, Roland Diehl, Holger Gläsel, Sandra Beranek, Sven Belitz, Lisa Urban, Khalil Gmes, Ëittek dhe Anna Fight.

KultPlus u prezanton edhe punimet e Bacifaik që do ti prezantojë në këtë ekspozitë./ KultPlus.com

UNICEF e gatshme për të ofruar ekspertizën për digjitalizimin e arsimit në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagvci ka pritur në takim shefen e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronica Vashchenko, të shoqëruar nga Kozeta Imami dhe specialistja e arsimit të UNICEF-it, Besa Veselaj.

Gjatë takimit u diskutua për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin aktual të kurrikulës së re, i cili po vazhdon me sukses në disa institucione parashkollore.

Po ashtu u diskutua për digjitalizimin e arsimit, ku UNICEF-i qëndron i gatshëm për të ofruar ekspertizë përmes asistencës teknike, drejt realizimit të këtij procesi.

Ministrja Nagavci falënderoi shefen e re të zyrës së UNICEF-in, Vashchenko për koordinimin e ngushtë me institucionet, duke siguruar që të gjitha rekomandimet e UNICEF-it të realizohen me efektivitet në çdo aspekt të punës sonë.

Ndërsa, shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronica Vashchenko përsëriti gatishmërinë për ofrimin e mbështetjes për MAShTI-në në të gjitha format e identifikuara./ KultPlus.com

Eliza Hoxha sjell këngën “Pezull”, dedikim për personat e zhdukur (VIDEO)

Këngëtarja Eliza Hoxha ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Pezull”, këngë që i dedikohet personave të zhdukur, shkruan KultPlus.

Ky është projekt i përbashkët i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur dhe artistes Eliza Hoxha.

KultPlus ju sjell këngën e realizuar edhe me videoklip./ KultPlus.com

Sonte do të hapet ekspozita “Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës”

Dita Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara shënohet përmes ekspozitës “Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” e cila kombinon punët e tre autorëve, Hrair Sarkissian, Atdhe Mulla dhe Korab Krasniqi, dhe është pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST.

Ekspozita hapet më 30 gusht 2024, nga ora 17:00, në katin e pestë të Grand Hotel, Prishtinë, dhe do të qëndrojë hapur deri më 3 shtator 2024.

Ekspozita është prodhim i përbashkët i Fotoist – International Photography Festival, Forum Civil Peace Service – Kosovo, Barabar Centre, Integra, dhe MPRC – Missing Persons Resource Center, e mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Rockefeller Brothers Fund./ KultPlus.com

54 vjet ekzistencë, një llogo e thyer dhe shumë ëndrra për Festivalin e Teatrove të Ferizajt

Vetëm edhe dy ditë na ndajnë nga ceremonia e hapjes së edicionit të 54 të Festivalit të Teatrove, dhe ky edicion tashmë ka spikatë detajet për gjashtë ditët e kësaj feste teatrale, e që pos lojës skenike ka të përfshirë edhe muzikë e punëtori të ndryshme.

Besim Ugzmajli është personi që ka marr timonin e drejtorit të festivalit për këtë edicion, e që copëza të kontributit ka dhënë për 17 vjet me radhë.

Atmosferën rreth përgatitjeve për trupat e shfaqjeve, detajeve të fundit dhe të hapësirave ku do të mbahet festivali, Ugzmajli i përshkruan si të jashtëzakonshme, edhe përkundër faktit se thyerja e llogos së festivalit nga persona të papërgjegjshëm iu la një shije të hidhur, me shpresën se kjo llogo është thyer nga persona ta papërgjegjshëm, dhe jo me një qëllim të caktuar kundër festivalit.

Ndërkohë, përderisa audienca gjithmonë sheh shkëlqimin e skenës, dhe jo të telasheve të shumta të organizatorëve, Ugzmajli thotë për KultPlus se organizimi i një festivali të tillë gjithmonë i ka vështirësitë e veta, dhe se sipas tij çdo vit ka vështirësi të natyrave të ndryshme.

“Këto vështirësi vijnë nga mungesa e resurseve njerëzore në organizmin e ngjarjeve të këtyre niveleve, apo sikur vitin e kaluar ishte aspekti financiar, por sigurisht ka edhe vështirësi të natyrës së përgjithshme organizative, sepse edhe kërkesat tona janë  çdo vit e më të larta. Prandaj ky vit, vështirësinë kryesore ka mungesën e mjaftueshme të stafit adekuat në organizim. Bashkëpunëtorët me të cilët e organizojmë festivalin janë të jashtëzakonshëm, por festivali ka nevojë edhe për më shumë staf që njohin departamentin e organizimit, sepse një ngjarje e tillë do shumë njerëz e profesionistë të ndryshëm”, ka thënë Ugzmajli për KultPlus.

Shfaqjet pjesëmarrëse të këtij edicioni, Ugzmajli i vlerëson tejet konkurruese, dhe se sipas tij, për këtë përzgjedhje ka qenë një përpjekje maksimale në mënyrë që të prezantojnë realizimet më të mira teatrore në teatrot shqiptare.

“Sivjet viteve të kaluara kemi një program shumë konkurrues me shfaqje të jashtëzakonshme. Sigurisht ka shfaqje të tjera të mira që kësaj radhe nuk kemi pas mundësi ti kemi ne program dhe kjo më së shumti për faktin e mungesës së hapësirave performuese në qytetin e Ferizajt”, ka thënë ai duke shtuar se në skenën shqiptare ka prurje artistike, por vështirësitë financiare diktojnë edhe në realizim të shfaqjeve.

Skena teatrore shqiptare funksionon në maksimumin e saj, por vazhdon të ballafaqohet me vështirësi financiare. Prandaj mbështetja për teatrot e qyteteve duhet të shumëfishohet, në mënyrë që të ketë një konkurrencë të denjë konceptesh e idesh, pa u fshehur në mungesa financiare. Teatrot e Qyteteve vazhdojnë të funksionojnë me vështirësi të theksuara financiare për prodhim e mobilitet”, ka thënë Ugzmajli.

Ndërkohë, edhe përkundër faktit që ky festival po shënon edicionin e 54, ky festival nuk ka një qëndrueshmëri financiare, që konsiderohet një sfidë në vete.

“Vështirësia kryesore e FTF vazhdon të jetë pasiguria financiare. Pra, nga një organizim i jashtëzakonshëm i përvitshëm, shumë lehtë mund të rrezikohet mbajta e festivalit viteve të ardhshme. Pra, për rritjen e këtij festivali, duhet një garanci shtetërore financiare, por sigurisht në bashkëpunim edhe me subjekte të tjera relevante financuese”, ka thënë ai që krahas përzgjedhjes së shfaqjeve, performancave muzikore, këtë vit është angazhuar edhe për punëtori, gjë që e konsideron si pjesë të veçantë të festivalit.

“Sivjet,  përveç programit të jashtëzakonshëm të shfaqjeve dhe ndejave, ne me kënaqësi prezantojmë punëtorinë tepër të veçantë  “Lufta e IV Botërore” si një nga krye ngjarjet e këtij edicioni. Kjo punëtori me mentor Gjorgji Rizeski do të mbahet për 6 ditë, ku dy ditët e fundit do të kulmojë me dy performanca në Qytetin e Ferizajt, ku qëllimi kryesor është që teatri mos ndodh vetëm brenda objekteve të Teatrit, por edhe ne si artistë teatri ti afrohemi spektatorit kudo që është ai” ka thënë drejtori Ugzamjli.

Me ndjesinë e përgjegjësisë së jashtëzakonshme, stimulimit të ambicieve për ta rritur këtë festival, Ugzmajli thotë se planet për të ardhmen e këtij festivali janë edhe më të mëdha, duke tentuar që ta rrisin konkurrencën më të gjerë, dhe pika tjetër, që të shtojnë kategorinë e veçantë, atë ndërkombëtare.

E deri në një realizim të tillë, këtë vit me shfaqjet e tyre do të prezantohen teatro nga shtetet: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe një përfshirje të tillë, Ugzamjli e sheh si një emocion të përbashkimit kulturor e kombëtar. “Shumë domethënës,  jo vetëm për kombin por veçanërisht për kulturën e teatrin në veçanti”.

Edicioni i 54-të i këtij festivali do të nisë më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 6 të po këtij muaji, dhe shfaqjet e këtii edicioni do të prezantohen në dy lokacione: Në Teatrin “Adriana” dhe Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Shfaqja që do të qel perdet e këtij edicioni është shfaqja “Mishi i egër” e që do ta prezantojë Teatri i Shkupit./ KultPlus.com

Sonte në Grand Hotel “Me hijen e lirimit mbështjellë”

Sonte, prej orës 19:00 në Grand Hotel do të bëhet hapja e ekspozitës “Me hijen e lirimit mbështjellë” ekspozitë që është kuruar nga Shaunak Mahbubani dhe po konsiderohet si ekspozita e parë e madhe në Kosovë e cila eksploron cështjet queer, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim njoftimin e plotë të organizatorëve.

Me hijen e lirimit mbështjellë është ekspozita e parë e madhe në Kosovë që eksploron çështjet queer me kompleksitetet e saj bashkëkohore, duke synuar të riorientojë prioritetet drejt atyre që janë në hije dhe në margjinat e jonormatives. Duke menduar nga konteksti specifik i shtetit të ri të pavarur të Kosovës, ekspozita përmban pyetjet rreth lirisë në thelbin e saj—jo vetëm lirinë për tu dukur dhe dashur siç dëshirojmë, por edhe lirinë për të ekzistuar në shumëllojshmëri duke shmangur kufizimet e identiteteve unilineare, dhe për të qenë agjentë politikë që zbatojnë vizionet queer radikal ndërsektorial.

Curated by | Kuruar nga Shaunak Mahbubani

with Assistant Curator | me asistente kuratore Anyla Kabashi

Organized by | Organizuar nga Sekhmet Institute

Supported by | Mbështetur nga Ministry of Culture, Youth and Sports, Kosovo, Swiss Federal Department of Foreign Affairs, Hajde Foundation, Manifesta 14 Prishtina, ifa – Institut Für Auslandsbeziehungen./ KultPlus.com

Shpaloset programi garues i filmave të shkurtër në PriFest

Shpaloset programi garues i filmave të shkurtër në PriFest

PRIFEST prezanton filmat garues në kategorinë e metrazhit të shkurtër, një program që përfshin një gamë  filmash nga vende evropiane dhe botërore. Këtë vit, do të shfaqen pesë premiera kosovare, një evropiane dhe një regjionale. 

 ON TRACKS nga Itai Kerem & Roni Vainer, Izrael/ Premierë evropiane (21min).

Një udhëtim nate në qendër të Tel Avivit për të thyer privilegjin toksik të burrave izraelitë dhe për të hedhur dritë mbi jetën e azilkërkuesve.

 NOTHING BUT SHADOWS nga Kathy Mitrani, USA/Colombia/ Premierë kosovare (13min).

Në përvjetorin e vdekjes së bashkëshortit të Marisol-it, ndërtimi i fqinjit të saj zbulon mbetje njerëzore. Ky zbulim e trondit Marisol-in, një grua supersticioze dhe vizionare, duke e detyruar të përballet me vdekshmërinë e saj.

 A TORTOISES YEAR OF FATE nga Yi Xiong, Kina/ Premierë kosovare (20min).

Një punëtor fabrike kërkon shpresë në jetën e tij të varfër dhe përpiqet të shpëtojë nga një e ardhme pa shpresë. Një tregim melankolik për modernitetin dhe rënien e lirisë.

 HIGHWAY OF A BROKEN HEART nga Nikos Kyritsis, Greqia/ Premierë kosovare (11min).

Diku, në një pjesë të zbrazët të një autostrade të pafundme, Mary do të bëjë gjithçka për të rikuperuar burrin që e ka lënduar. Por nata ka një surprizë të madhe.

 WHY ARE YOU IMAGE PLUS nga Diogo Baldaia, Portugalia/ Premierë kosovare (9 min).

Ima, një fëmijë i vdekur nga kurrioziteti, përpiqet të takojë një Shenjtë për të folur me gjyshen e saj.

ELENA  nga Mateo CINGU, Shqipëri/ Premierë kosovare (15min).

Elena, një vajzë e re dhe e kurioze, përballet me sfida kur sheh gruan e re që kishte njohur natën e kaluar në një bar si mësuesen e saj të re në shkollë. Ky takim i papritur e detyron Elena të përballet me kufijtë e paqartë mes mbijetesës dhe ambicies në ambientin e saj sfidues.

DER BLICK nga Olivier de Bree, Gjermani, Holandë/ Premierë regjionale (22min).

Klaus (rreth të tridhjetave) kalon pushimet verore në një apartament të nxehtë në qytet.I zhgënjyer nga jeta, ai nuk bën shumë përveç se kalon kohën duke rrëshqitur pafundësisht në telefonin e tij, ngroh vakte në mikrovalë dhe spiunon fqinjët me një kamerë që ka zmadhim ekstrem. Por, a është vetëm Klaus ai që shikon të tjerët, apo edhe atë e shikon dikush tjetër?

Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024./ KultPlus.com

“Bota jonë”, filmi përmbyllës i edicionit të 16-të të PriFest

Filmi përmbyllës i edicionit të sivjetmë është filmi ‘Bota jonë’ i regjisores dhe skenaristes së mirënjohur Luana Bajrami.

Filmi ‘Bota Jonë’ do të shfaqet në natën e fundit, para ndarjes së çmimeve, me datë 15 shtator nga ora 19:00.

‘Bota jonë’ është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës dhe trajton tema të rëndësishme si kërkimi për liri personale, miqësia, dhe sfidat e rritjes në një mjedis ku mundësitë janë të kufizuara.

Zoen dhe Volta, dy kushërira, të cilat vendosin ta braktisin fshatin dhe familjen për të studiuar në Prishtinë, por më shumë se kaq ato kërkojnë ta gjejnë veten dhe vendin të cilit i takojnë. Me njëra – tjetrën në krah, entuziaste e me ëndrra plot, ato marrin rrugën drejt Prishtinës. Megjithatë, ikja nga fshati e fillimet në Prishtinë për Zoen dhe Voltan nuk ishin edhe aq të lehta. Ky rrugëtim sa ambicioz, ishte edhe i vështirë e i shoqëruar me kriza e probleme të shumta shoqërore e ekonomike.

Regjia dhe skenari Luana Bajrami, producentë të filmit janë: Val Rahmani, Eric Toledano, Olivier Nakache, Nicolas Duval Adassovsky dhe Hervé Ruet.

Aktorët kryesorë; Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati dhe Gani Rrahmani.

Ky është filmi i dytë i gjatë i Luana Bajramit dhe premierën botërore e pat vitin e kaluar në festivalin e Venecias. Filmi i saj i parë ‘Luaneshat e kodrës’ kishte premierën në festivalin e Cannes, si dhe fitoi dy çmime në PriFest 2021.

Edicioni i sivjetmë i PriFest do të mbahet prej 10 deri mw 15 shtator 2024./ KultPlus.com

Iluzioni i vezëve 

Ilir Muharremi, kritik i artit  

Në zemër të një rrethi, si një tempull i heshtur, një televizor i vjetër mbart peshën e kohës, mbuluar nga vezët e thyera që derdhen ngadalë, si lotët e një kujtese të humbur.  

Gjurmët e të verdhës pikojnë mbi ekranin e ftohtë,  njollat e jetës sfidojnë atë që dikur ishte burim i imazheve të largëta, iluzione të pakapshme. Sislej Xhafa, me duar që lëvizin butësisht si në një rit të vjetër, thyen vezët një nga një, duke lëshuar në rrjedhë brishtësinë e jetës mbi xhamin e fortë.  

Krisja e çdo veze është një thirrje e padukshme, një përplasje e heshtur mes natyrës së gjallë dhe teknologjisë së vdekur. Shkallët përreth, të hijshme dhe të plota,  ngjyrosen nga gurët që i japin hije rrethit,  dhe në mes të kësaj simetrie të përsosur,  qëndron ky akt i vogël rebelimi,  një poezi e mbështjellë me kaosin e një gjesti të thjeshtë.

Rrjedha e së verdhës dhe e bardhës shkrin kufijtë e së ngrirës,  duke sjellë një ndjenjë gjallërie në një ekran të zymtë,  ku dikur ngjyrat shpërndaheshin si iluzione që na robëronin mendjen. Tani, vetëm piklat e vezës që rrëshqasin,  krijojnë një peizazh të ri — të çrregullt, të papërsosur, por të vërtetë. Në këtë kontrast të butë, ku teknologjia përkulet para natyrës,  poezia nuk gjendet në fjalë,  por në heshtjen që pason thyerjen,  në brishtësinë që sfidon çdo strukturë të ngrirë, duke na kujtuar se edhe ekrani më i fortë thyhet nën peshën e jetës së vërtetë./ KultPlus.com

Mësimet e dashurisë

(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)

Ndue Ukaj

Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore.

Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës.

Si biografi më i shquar i saj  e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.”

Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës:  botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.

Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon  se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”  dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.

Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese.

Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i  sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”

Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale.

Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.

Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos  në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë.

Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.

Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?

Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse.

Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.”

Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.”

Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.

(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)/ KultPlus.com

Sibel Halimi: Lokacionet publike po shndërrohen në hapësira artistike e kulturore

Në lagjen Dardania një hapësirë publike nga mbrëmë është shndërruar në kinema verore, ku shumë të pranishëm shijuan kinemanë.

Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për këtë nismë, e cila ka theksuar se kinemaja e hapur për fëmijë është një mundësi që të nxitë imagjinatën e tyre.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të Halimit.

Mbrëmë parku ishte i mbushur plot fëmijë, lumturia e të cilëve i jepte gjallëri tërë zonës.

Ndjenjë e mirë që lokacionet publike të kryeqytetit po shndërrohen në hapësira ideale për aktiviteteve artistike dhe kulturore.

Kinemaja e Hapur për Fëmijë është një mundësi e jashtëzakonshme që atyre t’u ofrohen filma që nxisin kureshtjen dhe imagjinatën e tyre, për mendim kritik./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti u takua me Drejtorin e CIA-s William Burns

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns, bëht e ditur nga Qeveria e Kosovës.

Më poshtë, njoftimi i plotë i Qeverisë së Kosovës.

Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes./ KultPlus.com

Do të mbahet Akademi solemne për Ditëlindjen e Nënë Terezës

Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me ITSHKSH organizon Akademi Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, ditën e hënë, më 26 gusht 2024, që sivjet përkon me 45-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979).

Kjo akademi bën hapjen zyrtare të “Ditëve të Nënë Terezës 2024”, që do të zgjasin deri më 5 shtator 2024, në ditëfestën liturgjike të saj.

Akademia do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis”, në orën 19:00, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Programi i Akademisë

Fjalë përshëndetëse të autoriteteve

Pikë muzikore

Marco Frisina, “Ti do të jesh profet”

Këndon: Kori i Katedrales Shën Nënë Tereza

Lectio Magistralis

Don Lush GjergjiDisa kujtime, përjetime, dëshmi  dhe porosi nga Çmimi Nobel për Paqe (1979)

Pikë muzikore

Irena Prenrecaj (arr. Magdalena Sedaj) “Nënë Tereza”

Këndon: Kori i Katedrales Shën Nënë Tereza

Prezantim Libri

Don Lush Gjergji, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne” botim me rastin e 45-vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe

Prezanton: Ndue Ukaj

Poezi dhe lutje

Shën Nënë Tereza “Mbi gëzimin”

Interpreton: Jehona D. Gashi

Pikë muzikore

Koncertnino op. 11-Huber

Intepretojnë: Aniset Cej, Art Krasniqi, Magdalena Sedaj

Koktej rasti në Agorà/ KultPlus.com

Presidentja Osmani do të nderohet me çmimin e medias- M100 në Gjermani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nderohet me Çmimin e medias- M100, më 12.09.2024 në Pallatin “Portokalli”, në Parkun Sanssouci në Potsdam të Gjermanisë.

Fjalimi kryesor politik gjatë ceremonisë do të mbahet nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Siç bëhet e ditur me anë të një komunikate për shtyp, ceremonia e ndarjes së çmimeve do të drejtohet nga gazetarja dhe prezantuesja televizive Astrid Frohloff.

Kryebashkiaku i Postdamit- njëherësh kryetar i Bordit Këshillimor të M100, Mike Schubert, citohet të ketë se Osmani dhe Tusk janë zëra të domoshdoshëm në shoqërinë e lirë “në këto kohë sfiduese”.

Schubert ka theksuar se Osmani ka treguar vendosmëri dhe largpamësi në avokimin e demokracisë së re në një rajon të shënuar prej kohësh nga konflikte.

“Vjosa Osmani ka treguar vendosmëri dhe largpamësi në avokimin e demokracisë së re në një rajon të shënuar prej kohësh nga konflikte, duke treguar rëndësinë kritike të mbrojtjes së lirisë dhe drejtësisë. Donald Tusk përfaqëson një luftë të palëkundur kundër autokracisë dhe natyrës së panegociueshme të vlerave demokratike. Të dy – Vjosa Osmani-Sadriu dhe Donald Tusk – vendosin të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike në themel të veprimeve të tyre. Zërat e tyre janë të paçmuar tani – jo vetëm për vendet e tyre, por për të gjithë kontinentin. Ata nuk janë vetëm evropianë të përkushtuar, por mbi të gjitha, të detyrueshëm. Puna e tyre vendos standarde dhe frymëzon”- ka deklaruar Schubert, gjithnjë sipas komunikatës.

Kolokiumi M100 Sanssouci, i mbajtur më herët me temën ” Demokracia nën Sulm. Fushatat dezinformuese, AI dhe Roli i Medias në Super 2024 Viti Zgjedhor “do të bashkojë rreth 80 kryeredaktorë ndërkombëtarë, akademikë dhe përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile për të diskutuar ndikimin e dezinformimit, qëndrueshmërinë e Europës, partneritetin transatlantik, gjendjen e demokracisë, mundësitë dhe rreziqet e paraqitura nga inteligjenca artificiale , dhe roli dhe përgjegjësitë e gazetarëve në një botë gjithnjë e më komplekse.

Hapet thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024


Është hapë thirrja për çmimin Artistët e së Nesërmes 2024, dhe se për këtë çmim ftohen artistët që të aplikojnë deri më 20 shtator.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të organizatorëve:

Artistët që punojnë në artin bashkëkohor, duke përfshirë mediat eksperimentale, video, instalacion, performancë, fotografi, pikturë, skulpturë, grafikë dhe vizatim inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk kanë të drejtë të aplikojnë me punë në artet aplikative, si dizajni, teatri, vallëzimi dhe filmi.

Tre finalistët e përzgjedhur për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallen jo më vonë se data 27 shtator 2024.

Ekspozita e tre finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të hapet më 1 nëntor 2024.

Fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet më 7 dhjetor 2024.

Fituesi do të shpërblehet me rezidencë artistike dy mujore në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/) në maj/qershor 2025 dhe do t’i ofrohet realizimi i një ekspozite personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në 2026/2027.

Nëse angazhime të tjera e pengojnë artistin të marrë pjesë në rezidencën në Nju Jork brenda kornizës kohore të parashikuar, ai/ajo/ata duhet të konsiderojë aplikimin për çmimin në edicionet e ardhshme.

Procesi i aplikimit

Aplikimi për Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 bëhet online, përmes plotësimit të formularit të aplikimit dhe dërgimit të dokumentacionit të kërkuar përmes formularit të aplikimit në ueb faqen e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Procesi i përzgjedhjes

Tre finalistët dhe fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes do të përzgjidhen nga juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, e nominuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Anëtarë të Jurisë së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, Miljana Dunđerin, Vjollca Krasniqi, Alper Turan and Lulzim Zeqiri./ KultPlus.com

Hrair Sarkissian, Atdhe Mulla e Korab Krasniqi me Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, FOTOIST, i cili mbahet në Prishtinë, sjell në fokus debatet rreth çështjes së të pagjeturve nëpërmjet tre ekspozitave fotografike. Këto ekspozita paraqesin punët e Hrair Sarkissian, artist i njohur ndërkombëtar, Atdhe Mulla, fotograf i shquar kosovar, dhe Korab Krasniqi, hulumtues ne forumZFD programin ne Kosovë, dhe u kushtohen Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, duke shërbyer si një thirrje për empati, ndërgjegjësim dhe përkujtim.

Ekspozita hapet më 30 gusht 2024, në ora 17:00, në katin e pestë të Hotel Grand.

“Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” organizohet në bashkëpunim ndërmjet FOTOIST, forumZFD programi në Kosovë, Barabar, Integra dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur./ KultPlus.com