Presidentja Osmani ka mbështetë transportin e shtatores së Skenderbeut në Itali, përuruimi më 30 gusht

Me iniciativën e shoqatës “Hora e Skenderbeut”, mërgimtarët shqiptarë kanë ndihmuar në financimin e realizimit të shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeu, shtatore që do të përurohet më 30 gusht në Horën e Arbëresheve, shkruan KultPlus.

Kjo shtatore është punuar nga Gëzim Muriqi, ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur për KultPlus se shtatorja tashmë ka arritë në Itali dhe se trasnporti i shtatores është mbështetë nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Kjo shtatore do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Shoqata „Hora e Skënderbeut“ falënderon të gjithë mërgimtarët, shoqatat, klubet, e bizneset e shumta të cilët me kontributin e donacionet e tyre kanë bërë të mundur që të jemi shumë afër realizimit të këtij projekti./ KultPlus.com

Athua ëndërr ishe ti (VIDEO)

Minatori

Në mendjen time
Shpaloj kujtimet një nga një
Në njërën nga ato
E gjej tregimin për ty
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Netët pa ty më jan të gjata dhe pa fund
I ngjaj udhëtarit që hecë dhe s’mbrrin askund
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim

Në mendjen time
Shpaloj kujtimet një nga një
Në njërën nga ato
E gjej tregimin për ty
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon

Netët pa ty më jan të gjata dhe pa fund
I ngjaj udhëtarit qe hecë dhe s’mbrrin askund
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon/ KultPlus.com

Lumturia në “EtnoFest” që do të fillojë më 10 gusht

Programi i edicionit të 14-të të EtnoFest veç është prezantuar dhe përgatitjet për hapjen e kësaj feste kulturore tashmë janë në mbyllje e sipër, shkruan KultPlus.

Ky edicion që do të nisë më 10 gusht dhe do të zgjasë deri më 18 gusht do të prezantojë një program të pasur të kulturës, nën moton e lumturisë, duke përfshirë: teatër, muzikë, ekspozita, debate, gastronomi e shumë aktivitete të tjera kulturore.

Edhe ky edicion do të mbahet në fshatin Kukaj, dhe këtë edicion do ta përcjellin edhe këngëtarë të njohur të skenës shqiptare./ KultPlus.com

“Legjenda e gjallë e Kosovës” e quan Federata Evropiane e Xhudos Majlinda Kelmendin

Ikona e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, ka dhënë një intervistë për ueb-faqen e Federatë Evropiane të Xhudos.

Kelmendit, në hyrje të intervistës, i referohen si legjendë e gjallë e Kosovës, pas sukseseve të saj si njëra prej xhudistëve të mira në botë.

“Për të bërë përmbledhjen e ekipit…nga t’ia nis…po e nis me pjesën pikëlluese, pasi Loriana i dha fund karrierës. Ajo erdhi nga Zvicra në Kosovë tetë vjet më parë dhe fitoi medalje evropiane dhe botërore për ne, duke u bërë njëra prej sportisteve më të mira në historinë e Kosovës dhe mori pjesë dy herë në Olimpiadë”, ka thënë Kelmendi për Federatën Evropiane të Xhudos.

Kelmendi pos që foli për Loriana Kukën, përmendi edhe trajnerin Toni Kukën, si dhe Akil Gjakovën, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.

“Në përgjithësi, jam shumë e lumtur me performancën e secilit. Edhe Nora edhe Lori ishin të lënduara tre muaj para Lojërave andaj ishte e vështirë për to që të përgatiten mirë”.

“Akili ishte thjesht i mrekullueshëm dhe është mëkat që ai nuk fitoi medalje”.

“Distria kishte shumë vetëbesim, si gjithmonë ,dhe me këtë rast dua ta falënderoj bosin e madh, Tonin, që ma ka besuar të ulem në karrige dhe t’i stërvit sportistet”.

“Falë tij, Kosova i ka tani pesë medalje olimpike dhe të gjitha janë nga xhudo. Ne jemi plot gëzim dhe mirënjohje”./ KultPlus.com

Dua Lipa më e preferuara për të kënduar kolonën zanore në James Bond

Nuk është vetëm filmi James Bond që bën zhurmë mediatike, por edhe kolona zanore e këtij filmi ka pothuajse të njëjtën rëndësi. “No Time To Die” ishte filmi i fundit i James Bond që ishte lansuar në vitin 2021 dhe tash kanë filluar parashikimet për filmin e radhës, dhe natyrisht për kolonën zanore.

Për filmin e radhës mendohet se këngëtarja shqiptare Dua Lipa mund të jetë këngëtarja që do të realizojë kolonën zanore, duke lënë pas shumë këngëtarë tjerë që janë përfolë poashtu./ KultPlus.com

Një djalë i vogël që ka jetuar në vendet ku dimri është i pafund

Mimoza Hasani-Pllana

Fragment nga intervista më e gjatë, pjesë të së cilës janë botuar në librin Zejnullah Rrahmani LETRA PËR NJË KURORË MBRETËRORE, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë 2024.

Cili është motivi më i çuditshëm që e keni përdorur për të shkruar një tregim?

          Një djalë i vogël që ka jetuar në vendet ku dimri është i pafund dhe një ditë i lutet babait që nji ditë kur të kthehej prej gjuetisë në vend të ushqimit që sillte çdo ditë, t’ia sillte verën. Atëherë do të kishte shumë ushqim dhe i ati nuk do të shkonte çdo ditë për gjueti larg shtëpisë. I ati mori me vete një lundërz, një kastor dhe  një ujk. udhëtoj me miqtë e vet shumë ditë e shumë netë dhe mbas shumë ditësh e netësh arriti në maje të malit që prekte qiellin. Atje, së pari e hodhi drejtë qiellit  lundërzën, mirëpo ajo vetëm sa gërvishti pak qiellin dhe pastaj  ra teposhtë malit pakthim. Pastaj provoi të njëjtën gjë me kastorin, por edhe ai e pësoi njësoi. Më në fund i tha ujkut ta provojë të hapë një vrimë në qiell dhe ujku provoi dy herë dhe vetëm të tretën herë hapi një vrimë dhe u fut në qiell. Pas tij u nis edhe ai dhe pa që aty është një vend i bukur i blertë dhe përplot me ujëra, lumenj e liqej dhe me drunj të bukur e me kafshë të panumërta…dhe një mot me diell gjithmonë dhe mbasi që tashmë ishte tepër i uritur, vendosi të gjuante disa nga kafshët dhe zogjtë dhe ato ikën me rrëmbim nëpërr atë vrimën e qiellit dhe fluturuan në të gjitha anët…dhe bashkë me kohën e mirë u përhapën në botën me akull…

          Më duket që unë pak a shumë të njëjtën gjë kam provuar gjithë jetën dhe ma merr mendja, disa prej “zogjëve” të cilët i kam lëshuar midis  lexuesve nga ajo vrimë në qiell që kam hapur, edhe mund të jenë të bukur…

          Në fakt nuk kam insistuar kurrë të zgjedh motive të çuditshme. Dhe në përgjithësi nuk jam autor senzacionesh dhe në fund të fundit as nuk e kërkoj lexuesin me çdo kusht. Natyrisht që e dua lexuesin – për shkak të asaj që shkruaj. Dëshiroj që arti im letrar të arrijë tek ai jo pse motivi (a tema, topika) i veprës sime është i çuditshëm, por për shkak se një temë ia ofroj atij në një formë të bukur dhe të papritur nga ana e tij, le të themi kushtimisht në mënyrë të çuditshme…/ KultPlus.com

Mbi teatrin “Loja” dhe Lumin nga “Lumthati”

(Një përkujtim kolegial i vogël për një Njeri të Madh)

Shkruan: Dr. Gonxhe Boshtrakaj

Mbi Bekim LUMI-n si njeri i kulturës

Qyteza e Lumëthatit është e njohur, si nji anë që ushqen dhe nxjerrë në pah njerëz me kulturë të gjithmbarshme dhe me impakt në këtë shoqërinë tonë (viteve të fundit) bukur të stërkequr kulturalisht dhe me një tendencë të frikshme ‚për ta harruar vetveten!‘ Në vazhdën e luftës për një ringjallje dhe mirëmbajtje të njëfarë Kujtese kulturore Kombëtare, me mikun dhe kolegun tim Bekim Lumi shpesh ktheheshim tek gjeneza e jonë, tek origjina. Andaj edhe vendlindjes së tij, nuk i thoshim SuhaRekë siç është forma zyrtare, as Therandë siç e përdorin zakonisht formën shqipe të emërtimit, por i thoshim Lumthatë… Ai mburrej me ‚Lumin e thatë‘ që i jepte emrin familjes së tij, kurse unë krenohesha me lulen ‚Boshtra‘, e cila iu jep emërtimin Boshtrak-ëve të mi, e të cilën përveç profesionistëve të botanikës pakkush e njeh. Që të dy ishim krenar për të kaluarën tonë të lavdishme kombëtare, por që të dyve na qante shpirti për dekadencën shoqërore (sidomos atë kulturore, politike e fetare) që po na kaplonte e gllabëronte pa u diktuar, ne si shoqëri e sapodalë nga lufta.

Kur binte fjala për ‘plehun e akulturuar skenik‘ i cili sa vinte e shtohej në skenë e TV, ishte i bindur se ata ‘duhet vërshuar & shpërla“ lumi. „More, këta i ka marrë pusi!“… „Po, prandaj duhet me i shpërla lumi“… Ai, sillej ashtu siç ishte… Si mësues, si pedagog e regjisor, lau e shpërlau ‚mosdijen‘ kulturore, kudo që ra n ‘kontakt me të. Inspiroi e frymëzoi shqip, ndonëse vepronte ‚me përmasa botërore‘. „Po ku lidhet Leka i Dukagjinit me Williamin e Shekspirve, o Bekim-ooo?!“… „Lidhen, lidhën… i lidhë Teatri Loja me ‚shvajc-aparat’  lumor “përgjigjej me humor!

Pakëcili në këtë botë e ka fatin edhe të jetë ashtu siç quhet: Bekim & Lum. Bekim LUMI ishte i tillë. I sjellshëm dhe korrekt me të gjithë, komunikues dhe i respektueshëm me shumicën. Atë sjellje ia kërkonte niveli i lartë kulturor dhe edukata familjare që kishte. Për njerëzit e poshtër, ishte ferri vet. Ja u zhvishte maskat, ja u përplaste për fytyrë ‚pisllëkun‘ dhe ishte ‚pa pardon‘ ndaj derrave n‘ lëkurë njeriu ~ sidomos atyre ,me kravata/kollare‘ mëndafshi.

Por për njerëz normal, e sidomos për njerëz të mirë, ishte oazë mirësie. Ishte BEKIMI, MIRËSIA, MIQËSIA vet! Si mik, student, apo bashkëpunëtor mund ta kishe e konsideroje si vëlla/motër, shok/shoqe, koleg /bashkëpunëtor, mund ta kishe edhe altar rrëfimi, sepse dinte t‘i ruante me aq besnikëri sekretet e tua, si prift a pastor!… Ishte njeri i fjalës, i besës, i artit, i letërsisë, i politikës, i atdheut, i rilindjes kombëtare… shpirt i përndritun mendërisht! Mendje e fisnikëruar shpirtnisht. Mendimet, fjalët, veprimet i kishte origjinale, kreative dhe të veçanta: ashtu siç i sillte RRJEDHA E JETËS, e cila në rrjedhën e saj, herët shumë herët Skenës sonë Teatrore ia mori Bekimin! … Por e la tue bâ lum që e patëm! .. Dritë i pastë shpirti n‘amshim!

Mbi „Lojën“ e Bekim Lumit, si Frymë Teatrore dhe Mënyrë Pune

„Loja është gracka ku shpirti i mbretit kapët si laraska“ klithte Hamleti i Shekspirit. Loja ishte ‚gracka‘ ku edhe shpirti i Bekit kapej e hapej si shqiponja, si falkoi apo si një kaçubet arbënor me kthetra iluminimi. Opusi i gjerë kulturor që zotëronte, kultura e leximit dhe niveli i lartë i veprave artistike botërore të konsumuara (sidomos gjatë qëndrimit të tij në München) i mundësonin atij një gamë të gjerë veprimi.

Kur krijonte shfaqje, Lumi as nuk luante ‚lojë‘ (kinse po bëj teatër!), as nuk inskenonte ndonjë ‚vepër artistike‘ në stilin „oh autori i madh“, tash „duhet t‘i nënshtrohem madhështisë së tij“, jo!!! Ai e merrte një tekst për bazë, fjala bie „Makbethin“ e Shekspirit dhe e ri-bënte atë, e ri-shkruante, ia ri-gjente vlerat socio-kulturore e artistike gjithmonë në kontekstin aktual dhe gjithnjë në stilin e vet origjinal BekimLumian.

Meqë, ishte një krijues i lindur dhe formësuar në ‚geto-rrethana-shqiptare‘, psikologjia e dhunës si fenomen shoqëror, nuk kishte se si t‘mos zinte vend në krijimtarinë e tij. Por, ai diti t‘i bej vend në skenë me një shkathtësi të paparë prej ‚antropologu‘. Në shfaqjen „Mësimi“ të Eugen Ionesko-s antropologjia e dhunës shfaqët përmes një mësuesi të dhunshëm e sadist, i cili edhe vizuelisht duket si Adolf Hitleri dhe në skenë simbolizon nazifashizmin (pse jo edhe Serbinë fashiste!), kurse nxënësja e cila ka vështirësi t‘ia qëllojë se „një plus dy, bëjnë tri… tre plus një, bëjnë katër, bëjnë pesë apo gjashtë“ dhe për „gabimin trashanik të mosdijes“ dënohet me dhunë fizike nj‘ashtu që në një moment skenik të rrokulliset bashkë me karrigen e cila përfundi kishte të vizatuar yllin e Davidit, simbol ky i hebrenjëve. Shfaqja tematizonte antropologjinë e dhunës institucionale, në analogji të plotë me dhunën e viteve të 90ta mbi shqiptarët e Kosovës. Dhunë kolektive kjo zhvendosur në rrafshin personal mes dy individëve dhe e personalizuar në skenë, përmes relacionit mësues-nxënës (marrëdhënie zyrtare!), me ç‘rast Mësuesi (aktruar mjeshtërisht nga Astrit Kabashi) dhe Nxënësja (aktruar në mënyrë të shkëlqyeshme nga Adriana Matoshi) indirekt na e ilustrojnë dhe aludojnë në dhunën institucionale nazifashiste mbi hebrenjtë dhe dhunën serbe mbi shqiptarët.

Tek shfaqja Galani (orig.Karol) e autorit polak Slavomir Mrozek, ballafaqohemi sërish me antropologjinë e dhunës në shoqëri, por sërish e manifestuar nga fushëveprimi individual. Në skenë na shfaqen Gjyshi dhe nipi i tij, me një pushkë të mbushur, por të pashkrepur 20 vjet, gjithnjë në kërkim të „fajtorit“, Galani-t i cili duhet GJETUR dhe VRARË. Por për ta vrarë Galanin, së pari DUHET GJETUR ai… E për ta gjetur, duhet ta NJOHËSH… E që ta (ri-)njohësh, së pari duhet ta shohësh… Por për ta parë me sy, së pari duhet shkuar tek mjeku i syve (oftalmologu) dhe siguruar SYZA TË REJA për Gjyshin, fundja nuk është mençur ta vrasësh secilin që t‘përfton kah hunda, ndonëse ‚secili prej tyre, potencialisht mund të ishte Galani (delja e zezë, mëkatori, fajtori) që po e kërkonin ta vrisnin… A duhet patjetër ‚vrarë‘ dikë, pyet mjeku (oftalmolog!)? „Po“ i thotë Gjyshi, i cili me syzat e reja, sapo ka zbuluar/konstatuar se Galani i shumëkërkuar është „mjeku“ vet.

Gjyshi, në këtë tragjikomedi përfaqëson njëfarë „gatishmërie të vazhdueshme për dhunë“, nipi përfaqëson një „bashkë-veprimtar“ në dhunë. Kurse mjeku simbolizon viktimën e çastit, rastit. Atë fatziun, fatprerë që rastisi të gjendet në kohën joadekuate, në vendin e gabuar.

Titulli i origjinalit, është Karol, që poashtu d.m.th. „i ziu“. Emërtimi në gjuhën shqipe Galan është një gjetje origjinale e Beki-t dhe bazohet në emërtimin Galë që ofron Shqipja gegnishte, për Delmën e Zezë. Del(m)ja e zezë, është sinonim i „Fajtorit fiktiv“, i atij që i mveshet faji kot së koti! Aktualiteti i kësaj shfaqjeje dhe interpretimi „alla ngjarje e çmendur, në një çmendinë, ku me i çmenduri është kryemençuraku“ sa vie e fiton n‘peshë aktualiteti. Bekim Lumi ishte një njohës i mirë i Gegnishtës dhe një luftëtar dinjitoz për ri-lartësin dhe ri-konsolidimin e saj.

Mbi „Partiturën Skenike“ të Lojës „Aktori duhet ta përjetojë rolin me gjithë trupin e tij, me shpirtin, me ndjenjat, me gjithë mendjen“ dhe „situatat skenike“ duhet t’i zgjedhe me të ashtuquajturin magjik, na mësonte dikur shkolla e Aktrimit alla Konstandin Stanislavki. „Sikuri“ nënkuptonte shkathtësinë për tu shtirur „kinse“, „gjoja se!“

Më vonë e patem zbuluar Organonin e vogël të Bertolt Brecht-it dhe nga aty mësuam se Aktori nuk paska nevojë „ta përjetojë“ rolin fare, as nuk ka nevojë „të bëjë SIKUR kështu, sikur ashtu…“. Përkundrazi, duhet mbajtë ‚distancë‘ me rolin. Shikuesi duhet ta shoh se ti nuk je protagonisti, por po luan. Je ai që po e tematizon çështjen (problematikën sociale), por po aktron, po luan. Sipas Brehtit, nuk është aq me rendësi t‘i prekim , sa ç’është me rendësi …!

E kur jemi tek MENDJA, tek MENDIMI… anash këtyre dy shkollave të mendimit skenik, Bekim Lumi gjeti/zbuloi/krijoi udhën e tretë, atë të bashkëdyzimit të atyre dyjave, duke i shkrirë në diçka TË TRETË, në LOJË skenike => siç thoshte ai vetë: „herë të qetë, herë të hallakatur!

 Loja e Lumit, dukej fort spontane sepse ishte e menduar mirë, por nuk bazohej në ‚disponimin spontan‘ të aktorit. Përkundrazi! Loja skenike bekimlumjane ishte një Partiturë shënjash, simbolesh, kuptimesh… (p.sh. një botë e tërë në 3 lëvizje => Ata që e kanë parë shfaqjen Mësimi, mund t‘iu kujtohet skena kur Mësuesi e dënon Nxënësën për gabim në llogaritje aritmetike… dhe Shikuesi E SHEH mësuesin (me dukje vizuele dhe qëndrim kokëlartë nazifashist), duke e ngulfatur n‘qafë e gjoks Nxënësen, e zenë kurthë në karrigen e saj, i cili teksa po bënte një lëvizje ngulfatëse n‘rreth, e kthen karrigen ashtu që aty ku lidhën 4-këmbët e saj, të shihet Ylli-gjashtë cepësh i Davidit.

Vetëm Bekim Lumin, si regjisor, e kam parë të ishte në gjendje TË THOTË SHUMË me AQ PAK!… Ishte MJESHTËR I MINIMALIZMIT (gjenialiteti i regjisorit të varfër dhe pa-shtet-që-të-jep-buxhet). Një karrigë (si objekt/rikvizitë skenike tek shfaqja Mësuesi), një shtrat hekuri (tek shfaqja Galani) apo një këmishë e larë me gjak (tek Këmisha e Gjakut & Makbethi) një sintezë kjo e dukurisë së prerjes n’besë të mikut n’konak dhe gjakmarrjes bazuar në pikpjekjën e mitit shqiptar (sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit) dhe tragjedisë së njohur të Shekspirit, Makbethi.

Të aktroje në shfaqjen e Lumit, nënkuptonte të ishe „material“ në duart e tij!… Ngjashëm si tek inskenimet e Eduard Gordon Craig i cili në krijimet e veta skenike lufton për një IMAZH SKENIK ku të gjitha elementet skenike (drita, hija, ngjyrat, paravanet, aktori) kanë funksion SHPREHËS, si përjetim TOTAL pa e dominuar njëra tjetrën; Edhe tek stili bekimlumjan i inskenimit e shoh një lloj tendence për ‚desubjektivizimin e aktorit, një përpjekje për ta ‚zhveshur‘ aktorin nga tiparet njerëzore, por për ta lartësuar atë përmes ‚lojës brilante‘ në nivel të SIMBOLIT. Aktori i Lumit nuk është vetëm në gjendje TË NDJEJË (si tek Stanislavski) ose TË MENDOJË (si tek Brecht-i), por kthehet në SIMBOL SKENIK në funksion të narracionit të synuar. Prej atij pozicioni pastaj, aktori-simbol fiton një SUBJEKTIVITET TË RI, atë të yllit të sapolindur. Si është e mundur ajo? Pa marrë parasysh se a i kishte aktorët e përzgjedhur studentë të aktrimit, aktor të diplomuar apo amator fare, vet kyçja në konceptin e Lojës së Bekim Lumit, i bente ata të shkëlqejnë si aktor… Lumi, aktorët zakonisht „i merrte si grurë, i bluante n’miell dhe gatuante me ta një pite të shijshme.“ I bënte yje!

Shfaqjet e tij, nuk bazoheshin vetëm në aktrim të shkëlqyer as në skenografi sepse meqë rroi/krijoi në kohëra të varfëra ato ishin fare të pakta, por në një kompozim të të gjitha elementeve skenike në një: muzika, aktori, hapësira skenike, dritë-hija, kombinimi n‘harmoni i ngjyrave, marrëdhënia reciproke dhe supërndjenja e masës në përdorimin e të gjitha këtyre mësipër, bënin që ato shfaqje të jenë NGJARJE SKENIKE KULT në vete…

Tek shfaqja „Arthuro Ui“ e Bertolt Brecht, e cila njëherit është edhe shfaqja e mbramë e Lumit, krahas thumbimit të aktualitetit dekadent politik, krahas kthimit të skenës në një univers ngjarjesh, përjetimesh, ngjyrash regjisori, artisti, pedagogu dhe poeti Bekim Lumi, bëri atë që nuk kam parë t‘i këtë bërë njeri deri me tani: ta kthejë shfaqjen e fundit në një TESTAMENT SKENIK ~ në një Lamtumirë ndaj vetvehtës!…

„Arthuro Ui“ është një shfaqje kult, që krijuesin e vet e shoqëroi drejt „udhës së mbramë“!…

Pra, jo aktrimi i aktorëve, por arkivoli i bardhë me trupin e pajetë të regjisorit brenda dhe lulet e bardha përmbi, po bënin MELODINË E MARSHIT nga Teatri kombëtar drejt udhës së fundit…

P.S. Me këngë na shoqërove sa ishe këtej, me këngë të moçme shqipe ike matanë! Ti „ujë i bekuem“ i kultit tonë skenik ~ Shembull se si rrohet, e vdiset! Prehu n‘paqe!/ KultPlus.com

Lansohen pullat postare “Lojërat Olimpike Verore – Paris 2024”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Lojërat Olimpike Verore – Paris 2024”.

Kosova rriti sportistë kulminant që lartësuan flamurin tonë me medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta. Reprezentacioni ynë 6 anëtarësh, vajzat dhe djemtë tanë të artë, do ta përfaqësojnë Kosovën në disiplinat sportive të xhudos dhe boksit në “Paris 2024”.

Pulla postare dhe blloku filatelik, mbështetës besnikë të sportistëve tanë, veprojnë si ambasadorë të veçantë duke nderuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve tanë në Lojërat Olimpike Verore përmes letërdërgesave në mbarë botën.

Ky emision i pullave postare do të jetë në qarkullim postar dhe në dispozicion të konsumatorëve deri në konsumin e plotë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit Oda

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave Rock Grupit Oda për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rockut në Kosovë.

Në emër të grupit, Medaljen e ka pranuar Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar Presidenten Osmani për dekoratën.

Presidentja Osmani ka theksuar se Oda, sikurse edhe grupe të tjera të viteve të 80-ta, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.

“Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar po ashtu në një mjet rezistence”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndryshe, Medalja Presidenciale grupit Oda i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rock grupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione e personalitete të tjera, të cilat kanë kontribuar ndër vite.

Vlenë të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të Sunny Hill Festival. Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, Presidentja Osmani e përgëzoi z. Lipa, Dua Lipën dhe Sunny Hill Foundation për punën e shkëlqyer duke i uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukseses i jashtëzakonshëm./ KultPlus.com

Dua Lipa: Mezi po pres të kthehem në vendlindje

Nesër nis nata e parë e “Sunny Hill Festival”.

Lidhur me këtë, këngëtarja e famshme në botë, Dua Lipa është shprehur shumë e emocionuar.

Ajo tha se mezi po pret të kthehet në vendlindje, në Prishtinë.

“Mezi po pres të kthehem në vendlindje, në Prishtinë. Jam shumë e emocionuar. Shihemi atje”, tha artistja në një video të postuar në Instagram, njofton Klankosova.tv.

Ndryshe, në Kosovë për herë të parë erdhi Bebe Rexha, pasi ajo këtë vit do të performojë në festivalin tashmë të njohur në vendin tonë.

‘Takova gruan fisnike e cila më lau e shpërlau baltën’

Jeta Zymberi

25 vite pas, takova gruan fisnike e cila më lau e shpërlau balten që kisha mbledhur gjatë rrugës Kosovë-Shqipëri në prillin e vitit 1999, atëherë si 8-të vjeçare.

Kur unë bashkë me familjen time arritëm në Peshkopi në një sallë sporti, zonja Emrie tashmë kishte strehuar një familje kosovare në banesën e saj, por duke e pas trashëgim nga babi, dashurinë për Kosovën e kosovarët, ajo pothuajse tërë kohën sillej në atë sallë për të parë në çfarë gjendje ishin këta njerëz shumë të dashur për të. Babi im, duke e parë kujdesin e saj, kishte menduar që është ndonjë person me mision dhe i është afruar e i ka kërkuar ndihmë. “Të lutem vetëm fëmijët mi merr” (e ne nuk ishim pak, 5 fëmijë, më i vogli 6 muajsh). Zonja Emrie, si një grua fisnike që ishte, i premtoi që nëse deri në mbrëmje nuk vjen dikush të ju strehoj, unë do ju marr te shtëpia ime. Ashtu edhe ndodhi. Në mbrëmje, ajo na mori në shtëpinë e saj. Deri këtu e kam rrëfimin e treguar kryesisht nga prindërit e tashmë edhe versionin e plotë nga zonja Emrie. Unë mbaj mend momentin kur zonja Emrie më lau e shpërlau gjithë balten që kishte zënë vend në trupin tim. Kokën e mbaja poshtë nga turpi që isha aq e ndotur, e shikoja ujin e zhytur që binte poshtë këmbëve të mija dhe përkundër turpit, më në fund po ndjeja një lloj çlirimi e një ndjenjë kënaqësie, diçka që nuk e kisha përjetuar për muaj!

Një bluzë e hollë, ngjyrë pink e lehtë, diçka e pastër, më në fund ra në trupin tim. Tashmë nisa të ndjeja lumturi që isha pastruar, kishim një strehë dhe më në fund diçka do të binte në gojën tonë.

Një natë qëndruam tek zonja Emrie, ndërsa të nesërmen, neve na ftoi një tjetër familje bujare për të na ofruar dashuri e kujdes. (Një histori tjetër që do të marr jetë tjetër herë).

Me zonjën Emrie kemi rënë në kontakt për herë të parë vitin e kaluar (falë rrjeteve sociale). Ditën e shtunë, pas 25 vitesh, me zonjën Emrie u takuam në Prishtinë, ajo kishte ardhur për të ndjekur një seminar të Gjuhës shqipe. Kur i shënova për ti treguar që jam afër hotelit ku ajo po qëndronte, më tregoi që në ato momente ishin tek objekti i Ish-Gërmis duke vizituar ekspozitën “Reporting House”, një ekspozitë e cila shpalos materiale nga media botërore e vendore, nga viti 1987 deri tek viti 2000 mbi Kosovën, luftën tonë për liri. Kjo ekspozitë të cilin unë e kisha vizituar më herët, në këto momente mori tjetër kuptim. Kur hyra në objekt, një grup me diku rreth 30 vizitorë po dëgjonin e shikonin me vëmendje çfarë po ju ofronte ekspozita, ndërsa unë si e humbur sillesha mes tyre duke e kërkuar me sy zonjën Emrie. Në një moment kur humba shpresat dhe vendosa ta kërkoja me zë të lartë, sapo ktheva trupin në anën tjetër, zonja Emrie u gjend përballë meje. Një përqafim i gjatë i mbështjellë me lot të cilët i nxiste ende më shumë vendi ku ishim dhe historitë që po na mbështillnin, na mbajti ashtu për disa minuta. Meqë e kishim të pamundur t’i mbanim fjalët, e mora për dore e dolëm jashtë. U ulem në një nga kafiteritë në sheshin e Prishtinës dhe nisëm të shpalosim krejt çka ishte akumuluar për 25 vite në zemrat tona.

E falënderova pafundësisht që më çliroi nga balta që me aq vështirësi e barta deri në Shqipëri. Ndërsa ajo ma ktheu shkurt: E kemi për obligim, pse të duket gjë e madhe!/ KultPlus.com

“Ekzistenca 2” me kuratore Magbule Xhemaili, përfshinë artistë të shumtë në Gjilan

Më 25 korrik do të bëhet hapja e edicionit të dytë të ekspozitës “Ekzistenca2” që për kuratore ka artisten Magbule Xhemailin, shkruan KultPlus.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është të ndërtojmë një urë lidhëse bashkëpunimi mes artistëve nga të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Të gjithë artistët, përmes veprave të tyre, kanë sjellë nga një copë vendlindje në Gjilan. Punimet në këtë ekspozitë pasqyrojnë një shprehje të ndjenjave të thella për vendlindjen dhe lidhjen tonë të pandashme me të, duke u fokusuar në motivet e inspirimit nga e kaluara, kultura dhe peizazhet e bukura të trevave tona, portretet me veshje tradicionale, zakone nga tradita jonë kombëtare, dedikuar vendlindjes” ka shpjeguar kuratorja Xhemaili.

.

Më poshtë është lista e artistëve pjesëmarrës në edicionin e dytë të kësaj ekspozite.

ARTISTËT NGA DIASPORA E KOSOVËS, SHQIPËRISË DHE MAQEDONISË SË VERIUT

  • Abdusamed DUSSI Sadriji – Zvicër / Gjilan
  • Ali Sinani – Zvicër / Gostivar
  • Arjeta Mala – Holandë / Pejë
  • Bardh – I rafet Jonuzi – T. Austri / Preshevë/ Sarajevo/ BiH
  • Bedrije Hamiti – Zvicër / Gjilan
  • Fatgzona Maliqi – Zvicër / Gjilan
  • Fatos Bylykbashi – Gjermani / Korçë
  • Fitore Alisdottir- Berisha / Islandë / Prishtinë
  • Gani Bytyçi – Zvicër / Ferizaj
  • Ilir STILI – Francë / Ferizaj
  • Jetmira Kraja – Itali / Shkodër
  • Nexhmedin Junuzi – Zvicër / Preshevë
  • R. C. Anaider – Gjenevë / Tiranë
  • Urim Berisha – Zvicër / Dardanë
  • Valerijana Krasniqi – Zvicër / Pejë
  • Vanesa Lika – Zvicër / Zhenevë
  • Visar Kryeziu- Zvicër / Gjilan
  • Zeqirja Rexhepi – Kanadë /Gjilan
  • Zhaklinë Bislimi – Zvicër / Gjilan

ARTISTËT NGA HAPËSIRAT MBARËKOMBËTARE

  • Agron Ujkashi – Ulqin
  • Bilal Nikezi – Ulqin
  • Edin Kapllani – Ulqin
  • Mersiha Resulbegoviç Mavriç – Ulqin
  • Vahida Nimanbegu – Ulqin
  • Adriana Puleshi – Tiranë
  • Agron Polovina – Berat
  • Arben Kristani – Durrës
  • Fatmir Juka – Shkodër
  • Ikbale Kalaja Bushati – Shkodër
  • Jona Dividi – Tiranë
  • Zaim Elezi – Tiranë
  • Afërdita Kiki – Shkup
  • Akime Nasufi Rexhepi – Kumanovë
  • Dali Alili – Kumanovë
  • Avni Islami – Ferizaj
  • Bedri Haziraj – Drenas
  • Bujar Jakupi – Gjilan
  • Demush R. Avdimetaj – Prishtinë
  • Jalldëze Mustafa – Gjilan
  • Lindita Mehmeti – Gjilan
  • Magbule Xhemaili – Gjilan
  • Shqipe Kamberi – Prishtinë
  • Tafil Peci Boletini – Mitrovicë
  • Zymer Mulliqi – Pejë/ KultPlus.com

“Adn” dhe “Audienca” shfaqjet që u prezantuan në “Prizren Fest”

Mbrëmë Teatri Shqiptar i Shkupit në “Prizren Fest” u prezantua me shfaqjen “Adn”. Shfaqje e cila përpos lojës e mrekullueshme të artistëve nga Shkupi, njëkohësisht përmbante porosi universale për rrezikun e vazhdueshëm në shoqëritë e rrethuara me kërcënime ekzistenciale. Shfaqja tjetër në “Prizren Fest” ishte nga Teatri “Bekim Fehmiu”, “Audienca” nga Václav Havel që trajton temat e autoritarizmit, burokracisë dhe cenzurës kundrejt dinjitetit njerëzor dhe rezisencës qytetare në shoqëritë totalitare. E këtë më së miri e sollën tek publiku aktorët me interpretimin e tyre brilant.

Ndryshe, Prizren Fest është në edicionin e tretë dhe përgjatë këtij edicioni ka shumë prurje teatrale, duke përfshirë edhe shfaqjet në ambient të hapur, të cilat po ngjallin reagim te kalimtarët e rastit./ KultPlus.com

KultPlus bëhet pjesë e “The Library of Congres”, bibliotekës më të madhe në botë në Washington DC

The Library of Congres, njëherit Biblioteka më e madhe në botë me seli në Washington DC ka përfshirë brenda bibliotekës gazetën e parë për art dhe kulturë “KultPlus”.

Në The Library of Congres janë të përfshira mediet më prestigjioze të botës, sikurse edhe mediet që merren me art dhe trashëgimi në vende të ndryshme.

Ardianë Pajaziti, themeluese e KultPlus është shprehur të jetë më se e nderuar që puna e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus” të jetë vlerësuar me këtë përzgjedhje.

“Jemi më se të nderuar me këtë përfshirje. Të përfshihesh me mediet më prestigjioze në botë, është një lajm që përpos që na gëzon, në të njëjtën kohë na bën edhe më të palëkundur në punën që e bëjmë tash e dhjetë vjet me promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare” ka thënë Pajaziti.

Ajo në të njëjtën kohë ka shtuar se edhe përkundër faktit se puna e KultPlus zhvillohet në një shtet të vogël sikurse është Kosova, puna me përkushtim, sipas saj, mund të depërtojë edhe deri te institucionet elitare, sikurse është The Library of Congres.

Ndërkohë, nga The Library Of Congres është bërë e ditur se përfshirja e KultPlus në kuadër të Bibliotekës më të madhe në botë do të ketë një rol të madh për studiuesit, duke përfshirë rritjen e arsimimit në gjithë botën.

Materialet e KultPlus, brenda vitit do të lansohen në bibliotekën më të madhe në botë The Library of Congres.

KultPlus është themeluar në vitin 2013 nga Ardianë Pajaziti, dhe në kuadër të KultPlus zhvillohen edhe tri shtylla të tjera të promovimit të kulturës: KultPlus Caffe Gallery, qendër kulturore që organizon evente të ndryshme kulturore, mbrëmja artistike “Ta zbardhi ftyrën” që sjell artistë shqiptarë të suksesshëm nëpër botë dhe “KultStrofa”, konkurs mbarëkombëtar i poezisë./ KultPlus.com

Anibar përmbyll edicionin e 15-të, shpallen fituesit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, Anibar 2024, përfundoi edicionin e tij të 15-të me një ceremoni madhështore përmbyllëse të mbajtur në Kino Liqeni në Parkun Karagaq, Pejë. Ngjarja festoi arritjet e festivalit dhe shpalli fituesit e konkurrimeve të këtij viti.

Ky event madhështor shënoi fundin e një jave intensive të festivalit ndërkombëtar, ku përveç filmave dhe garës së animacionit, u përfshin aktivitete të ndryshme si: punëtori, panele të diskutimit dhe pas-ndeja.

Zana Berisha, prezantuesja e mbrëmjes përmbyllëse, theksoi rëndësinë e këtij edicioni dhe emocionet e përjetuara gjatë festivalit. “Shpejt shkoj a?!”, nisi ajo me një entuziazëm të madh, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe duke falënderuar për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre gjatë gjithë javës.

Ajo përmendi se si festivali ka sjellë së bashku dashamirës të filmit të animuar, të cilët kanë ndjekur prezentime, gara, punëtori dhe diskutime, duke kërcyer dhe festuar çdo natë. Zana përmblodhi përvojat dhe arritjet e festivalit duke theksuar se pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të mësojnë dhe të argëtohen, duke fituar njohuri të reja për botën e animacionit.

Ajo gjithashtu vlerësoi talentin e të rinjve që morën pjesë në punëtoritë e këtij viti, dhe prezantoi filmat e realizuar nga pjesëmarrësit. “Uau, çka s’pasket mësu moj…”, tha ajo në një moment me të qeshur, duke inkurajuar të gjithë të vazhdojnë me pasionin e tyre për animacionin.

Ceremonia përmbyllëse vazhdoi duke prezantuar filmat e gjeneratës së shtatë të Akademisë së Animacionit, të cilët kanë punuar për nëntë muaj nën tutorimin e Flaka Kokollit, Edvin Susurit dhe Ari Zharkut. Ajo e quajti këtë si një kënaqësi të madhe për të parë format që po merr animacioni përmes këtyre studentëve të talentuar.

Mbrëmja vazhdoi me ndarjen e çmimeve, ku 119 filma në 6 gara u vlerësuan nga 4 juri vlerësuese. Juria e Garës së të Rinjve ndau çmimin për filmin më të mirë për të rinjtë, ndërsa Gara e Filmave për të Drejtat e Njeriut rikujtoi se arti është rezistencë, kundërshtim, revoltë dhe thirrje për empati.

Mbështetja dhe mbledhja e animatorëve dhe dashamirësve të animacionit ka qenë një qëllim kryesor i Festivalit Anibar që nga fillimi i tij. Këtë vit, me ndihmën e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Toon Boom, Anibar ndau 3 çmime për 3 animatorë të rinj, me shpresën se kjo do t’i ndihmojë në zhvillimin e ideve të tyre.

Fituesit u shpallën në garat studentore dhe të pitch-it, ndërsa filmi i preferuar i audiencës u shpall “Our Uniform” nga Yegane Moghaddam. Zana përfundoi ceremoninë duke falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë edicion, duke përfshirë stafin, vullnetarët, mbështetësit, audiencën, mysafirët dhe ndjekësit e tjerë.

Lista e Fituesve:

STUDENT AND PITCH JURY

Student Competition

Student Special Mention: Adios

Ky film paraqet një ndryshim të papritur në marrëdhëniet mes babait dhe djalit me saktësi të përqendruar. Ndërsa distanca mes tyre është rritur ndër vite, tani i riu më në fund largohet nga vendi ku u rrit. Gjuetia e tyre e lamtumirës nuk shkon sipas planit. Historia paraqet një përshkrim të butë të ndryshimit të lidhjes dhe burrërisë.

Student Winner: BunnyHood

Montazhi, dizajni i zërit dhe estetika vizuale janë krijuar në një mënyrë freskuese punk. Perceptimi i personazhit kryesor për rrethinat e saj ndihet si një ëndërr e ethshme e pafund. Ajo jo vetëm që po humb kontrollin mbi trupin e saj, Bobby po humb edhe besimin te nëna e saj.

INTERNATIONAL AND BALKAN JURY

International Competition

International Winner: Zima by Tomek Popakul and Kasumi Ozeki

Të rinjtë kërkojnë lirinë ndërsa përjetojnë një konflikt pritshmërie nga gjeneratat e vjetra. Duke përdorur kafshët si metafora për mbajtjen e traditave mizore, ata gjithashtu dëshirojnë një jetë të ndryshme.

Balkan Competition

Balkan Winner: The Family Portrait by Lea Vidakovic

Një portret i një shoqërie në rënie, rënia e një perandorie të errët, zbrazëtia e klasës së lartë, mungesa e dashurisë, një familje e thyer, ndarje dhe mjerim, vendime që çojnë në katastrofa sociale vetëm për pushtet dhe para.

HUMAN RIGHTS AND ANIMATED MUSIC VIDEOS JURY

Animated Music Video Competition

Music Video Special Mention: Stop the Music by Weronika Anna Marianna

Special Mention shkon për një pjesë unike vizuale, që na lidhte rrahjet e zemrës me muzikën dhe na la me një shije të ëmbël kur muzika ndaloi.

Animated Music Video Winner: Illusion by Jin Woo

Një videoklip muzikor që prezanton kompozimin e tij magjepsës audiovizual si një tërësi. Në një univers të rrjedhshëm, asgjë nuk është e sigurt, gjithçka mund të jetë e vërtetë, por mund të jetë edhe një iluzion.

Human Rights Competition

Human Rights Special Mention: Kissing Day

Si të shprehësh dashurinë? Një prekje? Një puthje? Por çfarë nëse do të rrezikoje jetën kur puthesh? Një ekip guximtar ka krijuar një histori shqetësuese dhe informuese për aktivizmin LGBTQI+ në Rusi, që na la pa qetësi.

Human Rights Winner: Chicken by Anna Benner

Një film që nuk vetëm që shkatërron patriarkatin, por gjithashtu thërret për ta djegur atë. Nga katharsisi i zjarrit del një tregim i jashtëzakonshëm. Për qasjen unike vizuale që arrin të përshkruajë dhunën në një mënyrë delikate, çmimi për të drejtat e njeriut i shkon filmit “Chicken.”

AUDIENCE AWARD

Audience Award: Our Uniform by Yegane Moghaddam

YOUTH JURY

Best Film for Youth: Awaker by Filip Diviak

Një film që tregon se sa e rëndësishme është të kesh respekt dhe mirënjohje për rrethinën tënde, dhe për këtë arsye, edhe për natyrën.

Best Youth Film Special Mention: The Sprayer by Farnoosh Abedi

Ky film tregon sesi një individ, edhe në kushte të rënda, mund të ndjekë ëndrrat e tij dhe të sjellë ndryshime pozitive./ KultPlus.com

Mbrëmja “Nexhmije Pagarusha” në RLIOF, sonte në Sheshin Skënderbeu

Festivali Ndërkombëtar i Operas – Rame Lahaj, sjell mbrëmjen e parë muzikore të edicionit të 4-të, dedikuar muzikës shqipe. Mbrëmja “Nexmije Pagarusha”e cila për çdo vit zë vend të veçantë në programin e RLIOF, mbahet sonte në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, nga ora 20:30. Hyrja është e lirë për të gjithë ata që duan të shijojnë muzikën e mirfilltë shqipe, sjell në një format unik.

Në harmoni perfekte me temën “T’knoft zemra”, kjo mbrëmje e festivalit sjell në skenën e ngritur në qiellin e hapur të sheshit “Skënderbeu” artistët ndërkombëtarë: mezo-sopranon e njohur nga Egjipti, Farrah El Dibany e cila do të këndojë në gjuhën shqipe.

Kryevepra të muzikës shqipe gjatë kësaj mbrëmje do të interpretohen edhe nga sopranot Adelina Thaçi e Kaltrina Miftari si dhe baritoni Artur Vera.

Artistët në skenë do të shoqërohen nga Keli Bank nga Tirana, me anëtarë: Genti Shahini – pianist, Emiliano Dhimo- bateri, Roni.Gjura – double bass, Xhino Daja – trumpetë, Ilir Vorpsi, trombon dhe Brikel Guga – tenor saksofon.

RLIOF ju pret në zemër të kryeqytetit për një mbrëmje të paharruar me muzikë shqipe./ KultPlus.com

Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (pjesa e fundit)

Bernard Çobaj

Në fund mund të përmbledhim se vepra e Kunderës është e ndërtuar në tre nivele që u trajtuan në këto shkrime: në sipërfaqe, është kryesisht një histori dashurie. Një histori universale.

“Por një ngjarje a nuk është përkundrazi edhe më e rëndësishme edhe më me kuptim, kur varet nga një numër i madh i rastësive?

Vetëm rastësia mund të na duket si kumt. Ajo çka ndodh si domosdoshmëri, ajo çka pritet dhe përsëritet çdo ditë, s‘është, veçse diçka memece. Vetëm rastësia flet. Atë rrekemi ta lexojmë sikundër arixhinjtë lexojnë në fundin e filxhanit figurat që formon llumi i kafesë.”

Dimensioni i dytë që ka romani është dimensioni (gjeo)politik. Është një libër për komunizmin dhe këtu Kundera reflekton përsëri mbi përvojën e tij. Në vepër rrëfimtari (narratori) i shpjegon hollësisht të gjitha veset e komunizmit se libri i drejtohet intelektualëve në Perëndim dhe nuk lë asnjë aspekt të përvojës së të jetuarit në komunizëm pa e zbërthyer plotësisht. Në sfondin e historisë së dashurisë, krijohet një lloj fjalori shpjegues i plotë komunizmit. Në fund të vjetëve të 80-ta vepra shërbente si një hyrje për të kuptuar natyrën e komunizmit në veprim.

“Në vendet komuniste, vlerësimi dhe kontrolli i qytetarëve janë veprimtari shoqërore themelore dhe të vazhdueshme”.

Ndërsa dimensioni i tretë që ka libri, është dimensioni tipik postmodernist – një roman i cili diskuton procesin e shkrimit të romanit dhe që sulmon kitsch-in.

Në mbretërinë e kitsch-it totalitar, përgjigjet jepen paraprakisht dhe përjashtojnë çdo pyetje të re. Nga kjo rrjedh se kundërshtari i vërtetë i kitsch-it totalitar është njeriu që bën pyetje. Pyetja është si thika që çjerr telajon e pikturuar të dekorit, që të mund të shohë se ç’fshihet pas.”  

Këto tri dimensione mundësojnë një lexim të larmishëm të romanit. E pritshme është që pjesa më e madhe e lexuesve të magjepset nga historia e dashurisë, me prozën poetike joshëse të Kunderës. Në këtë rrafsh, po ashtu, siç e kemi përmend te shkrimi i parë, aspektet individuale janë të ndërlidhura. Tereza gjatë tërë librit mban romanin “Ana Karenina”. Përmes këtij libri në romanin e Kunderës hyn një roman tjetër, i cili krijon marrëdhënie të thella dhe të pasura ndërtekstuale. Ana Karenina është ndërtuar mbi historitë e dy çifteve: nga njëra anë, Levin dhe Kiti si çifti perfekt, ideal dhe kundërtia e tyre Ana dhe Vronski.

Këtë skemë e përdor Kundera, por në të njëjtën kohë i shndërron dinamikat e raporteve në lëvizje rrethore deri në atë pikë sa është e pamundur të dallosh në atë roman personazhet e tij pozitivë dhe negativë. Personazhet janë të gjitha pozitive dhe negative. Personazhet na paraqiten, më tepër, si të ekspozuar ndaj situatave të caktuara ekzistenciale. Kundera i vendos ata në situata që të mund të vëzhgojë veprimet dhe të menduarit e tyre.

Përmendëm në fillim raportin me Kafkën. Po i kthehemi përsëri. Në një farë mënyre, ne mund ta shohim këtë vepër si të kundërtën e Metamorfozës së Kafkës. Një histori ku kemi një ndryshim fizik shumë të shpejtë. Gregory Samsa bëhet një insekt i neveritshëm. Ky transformim fizik pasohet nga një transformim psikologjik shumë gradual mendor. Transformimi fizik nuk ndodh te vepra e Kunderës. Aty ndryshojnë rrethanat. Në gjysmë të rrugës së romanit ndodh pushtimi sovjetik. Heronjtë papritmas e gjejnë veten në një kontekst shoqëror krejtësisht të ndryshëm. Te ato vjen deri te transformimi i psikikës, transformimi rrënjësor i personazheve.

Në vitin 1988, romani u ekranizua në filmin me të njëjtin titull, në regji të Filip Kaufman. Rolin e Tomasit e ka Daniel Day Lewis, Teresen e luan Juliette Binoche kurse Sabinen e luan Lena Olin. Kundera punoi në skenar, por në fund shfaqi pakënaqësi me filmin.

“Dhe mbase ka një planet tjetër ku secili do të lindte për të tretën herë bashkë me përvojën e dy jetëve të jetuara tashmë.

Dhe ndoshta ka plot planetë të tjerë, ku njerëzimi do të rilindte duke u ngritur gjithsaherë me një grade (me një jetë) në shkallën e pjekurisë.

Kështu e kupton Tomasi kthimin e përjetshëm.

Ndërsa ne, këtu në Tokë (në planetin numër një, në planetin pa përvojë), sigurisht mund të krijojmë vetëm një ide shumë të vagëlluar se ç do të bëhej me njeriun në planetët e tjera. A do të ishte ai më i mençur? A mund ta arrijë pjekurinë? A mund ta arrijë përmes përsëritjes?

Vetëm nga këndvështrimi i kësaj utopie marrin kuptim nocionet e pesimizmit dhe optimizmit optimist është ai që mendon se historia njerëzore do të jetë më pak e përgjakshme në planetin numër pesë. Pesimist është ai që nuk e beson këtë.” 

Fund./ KultPlus.com     

“Vizita” nga Shkodra hapi edicionin e tretë të “Prizren Fest”

Aktorët e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra kanë hapë edicionin e tretë të “Prizren Fest”, shfaqje kjo që ka ardhë me regji të regjisorit italian Davide Lodice, shkruan KultPlus.

Këtë shfaqje para të pranishmëve të shumtë në “Kino Lumbardhi” e sollën aktorët: Nikolin Ferketa, Rajmonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksander Prenga e Vladimir Doda.

Shfaqja fliste për një ngjarje pranë një qyteti të vogël ende të përhumbur nga jehona e luftës, një prift qëllon një engjëll i cili iu afrua botës së njerëzve kushedi se për çfarë arsye. I pushtuar nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe nga një ndjenjë e thellë faji, prifti vendos ta bëj këtë mirëpritje dhe kujdes për atë qenie të plagosur, të mrekullueshme dhe të paqartë; që ndjen gjithçka, që di gjithçka, përveç se si të “jetosh” atë botë që vetëm ëndërronte. Dhe është qasja e tij “anormale” ndaj asaj gjëje të quajtur jetë qe e bënë të pamundur qëndrimin e tij këtu. Në fakt, vendi nuk mund të tolerojë vizitën e të huajit, të engjëllit dhe shpejt bëhet armiqësor ndaj tij, armiqësor, duke stigmatizuar deformimin e tij; diversitetin e saj. I rënduar gradualisht nga graviteti i pakuptimësisë njerëzore, i paaftë për t’u kthyer në vendin qiellor dhe i margjinalizuar në atë njerëzor, engjëlli do te gjejë lehtësim vetëm në muzikë, mrekullisht e ruajtur në një violinë dhe “azil” vetëm në sytë dhe dashurinë e Delias.

Teksti në bazën e partiturës së skenës merr frymëzim nga “Vizita e mrekullueshme ” e Herbert George Wells, pararendës vizionar i zhanreve dhe gjuhëve, por duke ndryshuar boshtin e interesit tij nga satira drejt konformizmit dhe mirëqenies viktoriane, drejt një kritike më bashkëkohore, që ka të bëj mbi të gjitha me mënyrën se si ne mirëpresim “ata që vijnë nga jashtë”, të huajin. Nëse je emigrant apo engjëll, nuk ka rëndësi, nëse nuk je si unë, nëse nuk të njohë , atëherë je një rrezik.

“Prizren Fest” do të vazhdojë deri më datën 28 korrik duke sjell një program të pasur me shfaqje nga vende të ndryshme. / KultPlus.com

Fitore Syla gërsheton traditën me modernen, lekat i shndërron në llampa ndriçuese

Artistja dhe dizajnerja nga Prishtina ka sjell së fundi një prurje të re sa i përket interierit, dhe pikërisht lekat që janë përdorë më herët në familjet shqiptare i ka sjell në një format krejt tjetër, ato i ka shndërruar në llampa ndriçuese, shkruan KultPlus.

Ajo në njoftim ka treguar për këtë prurje artistike, e cila poashtu këtë projekt e ka sjell edhe nëpërmjet fotografive. KultPlus ju sjell më poshtë njoftimin e saj të plotë.

Fitore Syla Të gjithë i njohim “Lekat”! Ndër vite, i kemi përdorë në shtëpitë tona si ornamente, dhe në një kohë me kushte më të vështira, ato kanë shërbyer si mjet për t’u larë, duke u bërë për ne simbol i pastërtisë.

Duke jetuar në një familje ku assesi s’ke mundë t’i ikësh traditës për të dekoruar shtëpinë me leka, vendosa t’i rifunksionalizoj me një rol krejt ndryshe nga e kaluara. Po bëhen gati dy vjet që kemi filluar t’i testojmë në pemishten e babit në fshat, i cili me shumë dëshirë po kujdeset për to. I kemi mbjellë, i kemi lënë të thahen për 6 muaj dhe në fund u kemi dhënë frymë.

Ato tash i kemi shndërruar në llamba ndriçuese, me plot ngjyra, duke ia ruajtur plotësisht formën organike e vetëm duke u dhënë jetë edhe më shumë përmes rikrijimit.

Kam zgjedhur eco – design sepse dua të kujdesem sado pak për planetin dhe ndjehem më mirë duke bërë art me një qasje më të menduar!/ KultPlus.com

Avion me bateri për 90 pasagjerë: Një startup holandez po punon në një aeroplan elektrik

Avion me bateri për 90 pasagjerë: Një startup holandez po punon në një aeroplan elektrik për një të ardhme më të gjelbër

Aviacioni komercial lë një gjurmë të madhe mjedisore dhe nëse tendencat aktuale vazhdojnë, ai do të dështojë të përmbushë objektivin për të reduktuar gazrat e dëmshëm në zero deri në vitin 2050. Karburanti i qëndrueshëm ende nuk po prodhohet mjaft shpejt dhe një alternativë nuk është ende në horizont.

Një nga problemet është se elektrifikimi i avionëve nuk është aq i lehtë sa për automjetet rrugore, dhe ka konsensus të industrisë që teknologjia e baterive duhet të evoluojë përpara se avionët elektrikë të bëhen realitet.


Megjithatë, një startup holandez, Elysian, tashmë po planifikon të ndërtojë një aeroplan tërësisht elektrik me një distancë prej 805 kilometrash dhe ndenjëse për 90 pasagjerë, i cili mund të zvogëlojë emetimet deri në 90 për qind, me qëllim që të ketë fluturimin e parë komercial. në dhjetë vitet e ardhshme.



Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (pjesa e katërt)

Bernard Çobaj

Me sa duket, ekziston në tru një zonë krejt specifike që mund të quhet kujtesa poetike dhe që regjistron atë çka na magjeps, na mallëngjen, i jep bukuri jetës sonë.  Dashuria fillon me një metaforë. E thënë ndryshe dashuria fillon në çastin kur një grua regjistron fjalën e saj të parë në kujtesën tonë poetike.

Titulli enigmatik, tërheqës i romanit shpjegohet me çelësin interpretativë të tezes të Niçes mbi kthimin e përhershëm, me vërejtje se kjo tezë e trajtuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë (fjalëpërfjalë), do nënkuptonte ripërsëritjen e jetëve tona dhe konform asaj do na zhveshte nga rethana lehtësusese e përkohësisë.

Në botën e kthimit të përjetshëm, çdo gjest mban peshën e një përgjegjësie të papërballueshme. Kjo e bënte Niçen ta quante idenë e kthimit të përjetshëm barren më të rëndë (das schwerste Gewicht).

Nëse kthimi i përjetshëm është barra më e rëndë, jetët tona, në këtë sfond, mund të shfaqen në krejt lehtësinë e tyre të mrekullueshme”.

Një qëndrim i tillë që duket se shpjegon titullin e romanit, vazhdon me pyetjen, si koment ndaj filozofisë të Parmenidit ku lehtësia është pozitive dhe rëndesa negative: 

Por a është vërtet e tmerrshme rëndesa dhe e mrekullueshme lehtësia?“

Vazhdon me lavdërimin e rëndesës dhe thënien se nuk mund të thuhet se lehtësia është pozitive kurse rëndesa negative, apo e kundërta.

Vetëm një gjë është e sigurt, kundërtia i rëndë-i-lehtë është më e mistershmja dhe më e paqarta e kundërtive. Nëse i kuptojmë këto konsiderata të paktën si një lloj udhëzimi për interpretim, romani në tërësi nuk është në të vërtetë as trajtim i rëndesës dhe as lehtësisë së jetës, por është tërësisht i ndërtuar mbi antiteza.

Te romani “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit, motivi i dënimit të Jezusit që Pilati nuk mund ta korrigjojë më, megjithëse është i bindur se ishte gabim, kthehet përsëri këtu, por tani në ndjenjën se paradoksi është i hapur, se ai është vazhdimisht i pranishëm në jetën e përditshme dhe se as letërsia dhe as jeta nuk mund ta zgjidhin atë nyjen gordiane të problematikës ekzistenciale.

Heronjtë e Kunderës mbeten në dyshim: kundërvënia midis lehtësisë dhe rëndesës, përgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë, mbetet e hapur.

Njeriu nuk mund të dijë kurrë çfarë duhet të dojë, sepse ai ka vetëm një jetë dhe atë nuk mund as ta krahasojë me jetët e mëparshme as ta ndreqë në jetët e mëpasshme. Është më mirë të jetë me Terezën apo të rrijë vetëm?

Nuk ka asnjë mënyrë që ta provojë se cili është vendimi  i duhur, ngaqë nuk ekziston asnjë krahasim. Gjithçka jetohet menjëherë për herë të parë dhe pa parapërgatitje. Si një aktor që hyn në skenë pa bërë kurrë një provë. Po ç vlerë mund të ketë jeta, nëse prova e parë e jetës është  jeta vetë?

Prandaj jeta i ngjan gjithmonë një skice. Por edhe skicë nuk është tamam fjala e duhur, sepse skica është gjithmonë dora e parë e diçkaje, përgatitja e një tabloje, ndërsa skica e jetës sonë është një skicë e asgjëse, bocet pa tablo. Tomasi përsërit me vete proverbin gjerman Einmal ist keinmal një herë nuk quhet, një herë është si asnjëherë. Të jetosh vetëm një jetë, është njësoj si të mos jetosh fare”.

Sabina është mishërim i lehtësisë së padurueshme të qenies dhe titulli i librit disa herë përdoret në vepër si referencë ndaj saj.  Raportet e saja që nga fëmijëria nuk kanë ankorim dhe lidhja e saj me Tomasin, pastaj Francin, nuk ka thellësin e duhur – përkujton në artin socrealist që e urrente. Sikur autori Milan Kundera në jetën e tij reale, as ajo nuk kthehet në vendlindje më pas ikjes.

Tomasi, Tereza dhe Franci testojnë kufijt e konteksteve të ndryshme jetësore të lehtësisë dhe rëndesës me theks te rëndesa – vetëm ato gjëra që kanë peshë, sjellin vlerë në jetë. 

A mund të lihet shporta që mban një fëmijë, ta marrin ujërat e rrëmbyera të një lumi! Nëse vajza e Faraonit nuk do ta kishte nxjerrë nga ujërat shportën e Moisiut të vogël, nuk do të kishte ekzistuar Dhiata e Vjetër dhe as krejt qytetërimi ynë! Shumë mite të lashta zënë fill me një njeri që shpëton një fëmijë të braktisur! Nëse Polibi nuk do ta kishte marrë në shtëpi Edipin e vogël, Sofokliu nuk do të kishte shkruar tragjedinë e tij më të bukur!

Tomasi nuk e dinte, asokohe, se metaforat janë një gjë e rrezikshme. Nuk bëhet shaka me metaforat. Edhe nga një metaforë e vetme, mund të lindë dashuria.

Ne të gjithë e quajmë të paimagjinueshme që dashuria e jetës sonë të jetë diçka e lehtë, diçka pa peshë; kujtojmë se dashuria jonë është diçka që duhet patjetër të jetë: se pa të jeta jonë nuk do të ishte më jeta jonë.  Na duket se vetë Bethoveni, i ngrysur e me krifën e tij të tmerrshme, luan për dashurinë tonë të madhe ‘Es muss sein-in’ e vet.”  (vazhdon)  / KultPlus.com      

Tre tenorë në mbrëmjen gala në RLIOF

Rame Lahaj, Charles Castronovo e MUrat Karahan do të jenë pjesë e mbrëmjes gala në kuadër të RLIOF që do të mbahet më 2 gusht në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Për këtë prurje artistike është bërë e ditur nga vet organizatorët, ku njoftimi i plotë është i abashkangjitur më poshtë.

A jeni gati për ‘TRE TENORËT’?

Vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga mbrëmja magjike e artit operistik në kryeqytet💙

Tre emra të skenave prestigjioze, Rame Lahaj, Charles Castronovo e Murat Karahan bëhen bashkë për të na dhuruar një natë plot emocion nën moton ‘T’knoft zemra’.

🎶Nën dirigjimin e Sasacha Goetzel, shoqëruar nga Orkestra e Operas së Kosovës.

Ju presim në sheshin Skënderbeu më 🗓️2Gusht

⏰20:30!/ KultPlus.com

Jeta e legjendës Muhammed Ali do të shfaqet në një serial

Në Prime Video do të shfaqet një mini-serial i frymëzuar nga jeta e boksierit legjendar Muhamed Ali, i titulluar “Më i madhi”, siç quhej gjatë jetës së tij.

Konsiderohet si seriali i parë zyrtar për jetën e boksierit të famshëm dhe do të luhet nga Jaalen Best, me producentë ekzekutivë Michael B. Jordan, Ben Watkins dhe Josh Wakely. Ata siguruan të drejtat për historinë e Aliut dhe sollën projektin në Amazon.

“Jam e emocionuar që do të prodhoj Greatest me Ben Watkins, i cili kapi thelbin e historisë së Muhamedit,” tha Lonnie Ali, gruaja e legjendës së boksit dhe producentja ekzekutive e serialit./atv/ KultPlus.com

Në këto destinacione nuk lejohen turistet gra

Destinacionet e mëposhtme janë të gjitha të famshme, por jo vetëm për peizazhet e tyre spektakolare, por edhe sepse ndalojnë turistet femra. Nga besimet e lashta fetare deri te kufizimet morale, këto janë pesë vende ku gratë ndalohen.

Mali Athos, Greqi

Për më shumë se 1000 vjet, pelegrinët dhe murgjit ortodoksë janë vendosur në manastiret e malit Athos, të njohura për pamjet spektakolare dhe koleksionet e rralla të artit. “Mali i Shenjtë” është i mbrojtur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga vitet 1990 për “rëndësinë e tij të jashtëzakonshme universale”. Mirëpo edhe pse Mali Athos mund të ketë “rëndësi universale”, nuk është universalisht i hapur. Që nga viti 1046 pas Krishtit, gratë dhe çdo gjallesë tjetër femër, nuk duhet të hyjë në Gadishullin Athos, duke përjashtuar vetëm macet femra.

Manastiret i ndalojnë gratë me arsyetimin se prania e tyre do ta bënte të vështirë për murgjit t’i qëndronin të palëkundur betimeve për të qëndruar larg grave, por edhe sepse tradita ortodokse thotë se Mali Athos i përket Virgjëreshës Mari dhe se asnjë grua tjetër nuk mund ta vizitojë tokën e saj të shenjtëruar. Kjo nuk i ka penguar gratë të provojnë: Disa janë përpjekur të futen fshehurazi në gadishull duke u veshur si burra dhe në vitin 2019 një grup kockash femrash u zbuluan nën një kishëz bizantine në vend. Por Mali Athos mbetet vetëm për meshkuj dhe mbrohet nga statusi ligjor i veçantë brenda Greqisë, që e konsideron atë një rajon autonom.

Mali Wmine, Japoni

I caktuar gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mali është i rëndësishëm për rolin e tij shpirtëror. Tempujt dhe faltoret shinto dhe budiste të zonës kanë tërhequr prej kohësh asketët, udhëtarët dhe madje edhe anëtarët e familjes perandorake. Por gratë janë të ndaluara nga maja e ëmine për më shumë se 1000 vjet për shkak të “shpërqëndrimit” që supozohet se do t’u paraqisnin pelegrinëve meshkuj. Ndalimi mund të jetë i vjetër, por është ende i kundërshtuar, pasi mbi 10 000 gra japoneze kërkuan që ky ligj të hiqej kur mali u caktua një vend i trashëgimisë së UNESCO-s në 2004.

Ishulli Okinoshima, Japoni

Një tjetër vend i shenjtë i trashëgimisë në Japoni ndalon gjithashtu gratë, Ishulli Okinoshima, një ishull i vogël në Fukuoka. Ishulli, i drejtuar nga një kast i priftërinjve të vetmuar Shinto, njihet nga UNESCO si një “shembull i jashtëzakonshëm i traditës së adhurimit të një ishulli të shenjtë”.

Ishulli është kryesisht i ndaluar për të dyja gjinitë sot, por çdo vit qindra burra e vizitojnë ishullin gjatë një festivali. Edhe atëherë, ata lejohen të shkelin në brigjet e tij vetëm pasi të lahen në ujin e detit. Në vitin 2017, një zyrtar shpjegoi se udhëtimi në ishull konsiderohet shumë i rrezikshëm për gratë.

Herbertstrasse, Hamburg – Gjermani

Edhe në Evropën liberale ekziston një enklavë e tillë që nuk lejohen turistet femra: Herbertstrasse famëkeq në Hamburg, një rrugë e hapur ku dikur ushtrohej prostitucioni. Kjo ndryshoi në vitin 1933, kur nazistët e sapozgjedhur mbyllën rrugën me barriera, si pjesë e një përpjekjeje për të kontrolluar punën seksuale. Nazistët arrestuan më pas më shumë se 3000 gra në Hamburg. Shumë vdiqën së bashku me punonjësit e seksit nga qytete të tjera gjermane në kampet e përqendrimit si Ravensbruck dhe Neuengamme.

Por ndalimi ndaj vizitorëve femra mbeti shumë kohë pasi nazistët u larguan. Në vitet 1970, Hamburgu fortifikoi portat, duke ngritur barriera edhe më të larta çeliku për të bllokuar zonën publike nga pamja. Aktualisht, rrugët mbajnë përkujtimoret me emrat e disa prej punonjëseve të seksit të persekutuara.

Parku Kombëtar Band-e-Amir, Afganistan

Band-e-Amir në provincën Bamiyan është një park i njohur për më shumë se 200 liqene spektakolare, shkëmbinj të lartë dhe diga natyrore. Parku kombëtar, i nominuar për njohje nga UNESCO, dikur u vlerësua si një simbol i përparimit të Afganistanit të pasluftës dhe madje punësoi rojet e para femra. Në vitin 2023, megjithatë, qeveria afgane e udhëhequr nga Talibanët njoftoi se parku kombëtar ishte i ndaluar për vizitoret femra. Luftëtarët talebanë janë vendosur gjithashtu në hyrjet e parkut për të ndaluar hyrjen e tyre. Ky veprim është vetëm një nga shumë të projektuara për të mbajtur gratë larg nga jeta publike në Afganistan./ KultPlus.com