Mbajti ditar në vitet e 90-ta, Rrezarta Reka Thaqi i sjell kujtimet nëpërmjet librit “Kronikë në zemër”

Rrezarta Reka Thaqi sapo ka botuar librin e saj më të ri “Kronikë në zemër: këto ishin të ‘’90-tat”, libër që do të promovohet të mërkuren më 12 qershor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery, promovim që do të vjen edhe në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” është një rrëfim personal i autores me përplot kujtime të ruajtura në ditar për Kosovën e viteve të 90-ta, përfshirë apartejdin, rezistencën dhe luftën. Përmes një kombinimi narrativ, lexuesi udhëton në të shkuarën, por njëkohësisht takohet edhe me një shikim retrospektiv nga pozicioni i ditëve të sotme, mbi ngjarje e përjetime që autores i kanë lënë shenjë në jetë.

Autorja beson që libri do të zgjoj nostalgji te gjeneratat që e kanë jetuar atë kohë, e njëkohësisht do të zgjoj kurreshtjen e të rinjve që duan të mësojnë më shumë për të kaluarën.

Rrezarta Reka Thaqi lindi në Shkup, ndërkaq jeton në Prishtinë, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ka kryer studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore./ KultPlus.com

“REPORTING HOUSE” ekspozita që shpërfaqë luftën e Kosovës nëpërmjet raportimeve të gazetarëve  

Ekspozita REPORTING HOUSE i e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery do të prezantohet më 10 qershor në ora 18:00 në ish-Shtëpinë e Mallrave ‘Gërmia’ në Prishtinë (ish zyra e Administratës Tatimore të Kosovës/ATK) në afërsi të përmendores së Skënderbeut dhe zyrës së BE-së, dhe është ekspozitë që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga  BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Flaka Surroi, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarëve ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në  Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999./ KultPlus.com

BeerFest Kosova 2024 – organizim madhështor prej 12 deri më 15 korrik në Prishtinë

Festivali tradicional i Birrës “Beerfest Kosova 2024”, vjen këtë edicion me shumë risi, përfshirë hapësirë më të madhe, më shumë brende të birrave vendore dhe ndërkombëtare si dhe me një program artistik të një festivali madhështor, me artistët më të kërkuar në vend dhe rajon, prej 12 deri më 15 korrik, në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Rritja e interesimit të vizitorëve për festivalin ka shtyrë që organizatorët në këtë edicion të sjellin gjithë këto risi në çdo aspekt.

Përveç birrave në festival e keni edhe këndin e ushqimit dhe pije jo alkoolike

Ky festival ka edhe këndin e ushqimit dhe pijeve jo alkoolike përfshirë edhe pjesën Chill Zone, që ju ofron vizitorëve zgjedhje të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke u siguruar që të gjithë të kenë diçka për t’i shijuar.

Por surprizat nuk ndalojnë këtu. Përveç muzikës, birrës dhe ushqimit, BeerFest Kosova do të sjell edhe lojëra të ndryshme që do të ndihmojnë në ndezjen e atmosferës, nga lojërat klasike deri te aktivitetet e ndryshme si: Beer Pong dhe Beer Olympics, çdo moment do të jetë një aventurë e paparë.

Pagesat në festival janë “Cashless” (mënyrë elektronike e pagesës me byzylyk)

Për ta lehtësuar eksperiencën tuaj, pagesat do të jenë “Cashless”, pra pagesat do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.

Për t’iu mbajtur të informuar rreth agjendës së Beerfest dhe aktiviteteve të cilat do të organizohen gjatë këtyre katër ditëve, na ndiqni në Facebook dhe Instagram.

Këtu mund të rezervoni biletën tuaj, Early Bird Ticket/ KultPlus.com

Sabri Behramaj: Rrëfimi i nënës së Leotrimit më goditi, skulpturën nuk e porositi askush

Më 18 qershor të këtij viti, në sheshin e Skenderajt do të bëhet inaugurimi i skulpturës së Leotrim Ahmetit, skulpturë që ka prekë të gjithë shqiptarët, shkruan KultPlus.

Rrëfimi i nënës së Leotrimit ka goditë skulptorin Sabri Behramaj, i cili së fundi ka realizuar skulpturën e vogëlushit, vogëlush që ka humbur jetën prej plagëve të rënda që i kishin shkaktuar forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Skulptori Behramaj realizimin e skulpturës e ka bërë pa iniciativë dhe kërkesë të askujt. Ai ka shpjeguar për KultPlus se kjo vepër arti ka ardhë si rezultat i rrëfimit të nënës së Leotrimit, rrëfim që ka prekë tej mase artistin.

“Për muaj, dhe besoj për çdo qytetar të Kosovës, rasti i Leotrimit është një rast i ndjeshëm që të prekë thellë në zemër”, ka thënë Behramaj për KultPlus.

Ai ka shpjeguar se për rastin e Leotrimit kishte mësuar nga Nusret Pllana, i cili rrëfimin e nënës së Leotrimit e kishte shpërndarë në rrjete sociale.

 “Më emocionoj shumë, dhe ishte hera e parë që dëgjova për këtë rast. Dhe pikërisht aj rrëfim më obligoi që t’ia dedikoj një skulpturë Leotrimit”, ka thënë ai.

Më pas Sabri Behramaj ka shpjeguar se ai nuk ka njohur nga afër familjarët e Leotrimit, po për koincidencë, vëllai i Leotrimit kishte kërkuar një takim me artistin Sabri Behramaj, që ky i fundit të realizonte një bust për babain e tij, Malush Ahmetin, tani hero i Kosovës, i cili poashtu është edhe babai i Leotrimit.

“U takuam me Besnikun, dhe u dakorduam për realizimin e bustit për babain e tij. Në fund të bisedës më tregoj se si ai ka edhe një vëlla të rënë gjatë luftës. E pyeta për emrin e vëllait, dhe kur më tha se emri i tij ishte Leotrim, që të sigurohesha më mirë, unë nxorra foton që mbaja në telefon që ta pyesja se nëse ishte po ky Leotrimi që unë veç kisha vendosë ta realizoja në skulpturë, ai pasi pa foton, ma konfirmoi se ishte po ai vogëlush që mua më kishte prekë thellë në zemër”, ka shpjeguar Behramaj për rrugëtimin e realizimit të skulpturës.

Behramaj ka thënë se skulptura është e formatit natyral dhe se puna për realizim ka zgjatë afro tre muaj.

Mirëpo realizimi i kësaj skulpture sipas tij, do të mbetet një prej punëve të tij artistike që i ka sjell shumë emocion, dhimbje e përjetime të pashpjegueshme.

Skulptura e Leotrim Ahmetit është skulptura e parë që përkujton fëmijët e vrarë përgjatë luftës në Kosovë, e që numri i fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur është 1432. / KultPlus.com

Vdiq akademiku Rexhep Ferri

Akademiku Rexhep Ferri ka vdekur në moshën 86-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij të enjten. Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.

Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), më 7 qershor [nesër], në orën 11:00, do të mbahet mbledhja komemorative në ASHAK dhe më pas, deri në orën 12:00, do të bëhen homazhe.

Varrimi i Ferrit do të bëhet të premten [nesër] në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës.

Ferri u lind në Kukës të Shqipërisë në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.

Diskutim për librin “Enciklopedia imagjinare / postroman” të Bajram Kosumit

Në Amfiteatrin e Kuq të Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, shkrimtar, profesor dhe ish kryeministër i Kosovës, bisedoi të mërkurën me lexuesit e tij nga Gjilani për letërsinë dhe librin e tij të fundit, “Enciklopedia imagjinare / postroman”, i cili ka zgjuar interesim të madh te lexuesit.

Studiuesi dhe poeti Flamur Maloku, Profesori i Fakultetit të Edukimit, hapi takimin letrar, ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit, profesori dhe poeti Merxhan Avdyli foli për biografinë dhe veprimtarinë krijuese të autorit. Kritiku e shkrimtari Mehmetali Rexhepi paraqiti një vështrim kritik rreth librit. Sipas tij, libri në fjalë ka një denduri të dhënash estetike e letrare, dokumentare dh imagjinare, me motive të reja nga e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e pritshme. Ai theksoi:

“Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po I jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të bukurën dhe të shëmtuarën.”

Pastaj u zhvillua një diskutim me pyetje të të lexuesve dhe përgjigje të autorit, të cilin e udhëhoqi Flamur Maloku, duke e hapur debatin me pyetjen për procesin e shkrimit të “Enciklopedisë…”.

Kosumi u përgjigj se ky libër ka filluar të shkruhet së pari në mendje, deri sa baritja qelive të nëndheshme të Burgut të Nishit, për t’i shpëtuar të ftohtit dhe zieja në mendje të zbuloja një ligjërim letrar në të cilin thua një fjalë-çelës, një figurë letrare apo një term kulturor dhe lexuesi kupton një ´qind ide prej saj. Mbi këtë mision të pamundshëm letrar ka lindur Enciklopedia imagjinare, një trung letrar me plotë degë aq të mëdha sa duken si trungje të tjera, me pipa e sytha, me tekst e intertekst, me diku rreth pesëqind fjalë të tilla, po të cilat disa pesëmijë kuptime.

Poeti, studiuesi dhe dekani Merxhan Avdyli, e pyeti autorin se a duhet lexuesi të frikësohet kur hyn në pyllin e dendur të Ensiklopedisë imagjinare?

Kosumi tha se Enciklopedia… është si një mal, të cilin e vëzhgojmë. Dikush sheh lisat dhe e adhuron, dikush sheh egërsirat dhe e adhuron, dikush sheh gurët dhe I adhuron, dikush sheh lumenjtë, përrenjtë dhe i adhuron, dikush hapë tunele dhe nxjerr gurë të çmuar…, me rëndësi që secila klasë e lexuesve sheh Tokën e vet të premtuar. Sa më thellë të hyjë në këtë botë të re, aq më shumë do të frikësohet lexuesi. Sepse do të shoh historitë lemeritëse, për shembull, mjaftojnë edhe ato të fillimit të shekullit XX në Ballkan, kur u formuan shtetet e reja dhe kombet e reja, si serbët, bullgarët, grekët, e më vonë edhe shqiptarët, maqedonasët, malazezët, se çka kanë bërë ata kundër njëri tjetrit.

Profesor Nevrie Ismaili pyeti për metodologjinë e konstruktimit të fakteve historike me faktin letrar, imagjinar.

Autori tha se një nga bukuritë e këtij teksti është pikërisht humbja e kufirit midis historikes dhe imagjinares, shumë e vështirë të dallohet fakti imagjinar dhe fakti historik, dhe pikërisht aty ku mendon se po flitet për fakte historike, mund të jenë fakte imagjinare, ose aty ku mendohet se po fluturon imagjinata, në të vërtetë flasin faktet historike. Ky edhe është një element postmodern i këtij libri.

Mehmet Bushi e pyeti shkrimtarin se pse e keni quajtur “postroman” dhe cilin lexues e kërkon ky libër?

Autori tha se “Postroman” është një fjalë e krijuar nga unë, ngjizje e fjalës roman dhe asaj që vjen pas romanit, një zëvendësim I romanit me një zhanër të ri. Ky libër nuk është roman as edhe si asnjë tip a model I romanit e deri te postromani, sepse të gjithë ata trajtojnë një apo më shumë tema, një apo më shumë personazhe, një apo më shumë situata…., ndërsa në Enciklopedi ka sa zëra aq romane në miniaturë, sepse çdo zë paraqet një roman në miniaturë. Më ka ndihmuar mënyra se si e kam përdorë ligjërimin: unë nuk rrëfej për detajet e ngjarjeve apo përjetimeve të zakonshme, unë rrëfej vetëm për pikat referenciale, dhe vetëm për momentet kritike të ekzistencës njerëzore, vetëm për ballafaqimet e zhveshura të njeriut me situatat ekzistenciale, prandaj kjo mënyrë rrëfimi dhe ky ligjërim më ka bërë të mundshme që në një zë të shkurtër, për shembull në një faqe, të paraqesë një histori disa mija vjeçare dhe, ky është saktësisht një roman në miniaturë.

Studiuesja e re e letërsisë Donjeta Kryeziu e pyeti autorin se pse keni emërtuar një libër, ‘Libri për pesë Mariet’ dhe pesë personazhe të tij me të njëjtin emër, Maria?

Kosumi tha se pesë Mariet kam paraqitur fatin e femrave të Ballkanit në shekullin XX, pesë gra, me pesë fate të ndryshme, madhështore dh tragjike njëkohësisht, të gjitha me një prototip real, duke filluar me Marie Shllakun, Marie Kokolarin, Marie Jorgiqin, Marie Krasniqin dhe Marie K. Ua kam vënë emrin Marie nga mëma e krishtit, Maria/ Hazreti Mejremja, nëna e cila e pa më sytë e vet kryqëzimin e birit dhe i qëndroi te këmbët e përkushtuar ndaj tij dhe besimit të tij, por jo edhe e nënshtruar.

Albulena Limani pyeti se, sa ka ndikuar në shkrimin e tekstit letrar kujtesa juaj personale e burgut, pasi keni qenë vetë i burgosur politik për një kohë të gjatë?

Kosumi tha se flet me kënaqësi për kohën e burgut, për vetëm një arsye: burgu, sidomos i diktaturave komuniste, ka mëtuar të jetë një shpërfytyrim i njeriut. Në shumë raste ia ka arritur. Por në disa raste nuk ia ka arritur. Krijimi i letërsisë është një nga mjetet kundër shpërfytyrimit të burgut. Krijimi i letërsisë në burg është, përveç letërsi, rezistencë ndaj shpërfytyrimit të burgut. Unë besoj se ky realitet i shëmtuar i burgut nuk duhet të heshtet. Duhet të tregohet se çfarë lemeria bën njeriu mbi njeriun dhe çfarë është në gjendje të përballojë, të mbijetojë dhe të triumfojë njeriu. Këtë të vërtetë e kam thënë edhe në Enciklopedi… Por, është edhe ana tjetër e burgut: burgu, kjo e keqe, nuk të lë pa u hakmarrë. Ne e kemi mbijetuar dhe kemi triumfuar mbi burgun, mbi dhunën, mbi robërinë, mbi të keqen, mbi të shëmtuarën…, edhe si individë edhe si shoqëri, por kjo e keqe historike nuk na lëshon pa na ndëshkuar edhe nga përtej varrit. Sikurse te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ku varrmihësi që nxjerr eshtrat e ushtarëve armiq, gërvishtet vetëm pak në dorë nga një asht, por vdes.

Xhavit Lani pyeti se si i keni përzgjedhur personazhet, ata realë dhe imagjinarë?

Kosumi tha se dhe me emërtimet, sikurse me ligjërimin, ka ndjekur parimin e zotit: ka krijuar personazhe, edhe kur janë historike edhe kur janë imagjinare, e shpesh nuk dihet kur janë historike e kur imagjinare, sikur të krijoja njerëz të rinj, në një botë të re… Natyrisht që kam pasur edhe prototipe e modele. Disa prej modeleve mund të jenë edhe në këtë sallë. Për shembull, kam një motiv te Libri i pesë Marieve, në të cilin një personazh, nga dhimbja e thellë që ia vrasin vëllain në demonstratat e 1981, betohet publikisht në varrim se kurrë më në jetë nuk do të qesh! Prototipin e këtij betimi e kemi këtu në sallë. Dhe ky është një betim i denjë për tragjeditë antike.

Merrushe Sefa e pyeti autorin se cilët janë autorët apo veprat që kanë ndikuar në shkrimin e këtij libri.

Kosumi tha se idetë fillestare për fjalët-celës përputhen, por dne pa e njohur, me idenë e Raymond Williams-it dhe me librin e tij Keywords (1976), në të cilin e paraqet historinë kulturore të Anglisë përmes historisë së disa fjalëve. Këtë libër e kam lexuar diku kah vitet 2010 dhe jam lumturuar për ngjasimin e ideve të mia të viteve ’85-‘86 me ato të Williams-it. Por, ndikimin më të madh letrar në rininë time  e kam përjetuar nga vepra e Kadaresë. Shkrimtarët që kanë ndikuar më shumë apo prej të cilëve kam absorbuar më shumë invencion letrar, pa dyshim është Borhesi, Eko, Markesi, Pamuku. Këto janë modele që i dua, përndryshe unë jam ndikuar nga shumë libra dhe shumë kultura, duke filluar nga librat e shenjtë dhe librat e vjetër. Mjafton të them se në Burgun e Beogradit Odisenë e Homerit e kam lexuar shtatë herë.

Hysen Këqiku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Dega e Gjilanit, lexoi një letër përgëzimi në emër të LSHK, Dega në Gjilan, në të cilën, shprehu gëzimin dhe mirëpritjen e botimit të Enciklopedisë imagjinare, duke e cilësuar një dite feste për lexuesit dhe letërsinë shqipe botimin e saj.

Në mbyllje, udhëheqësi i takimit, profesori Flamur Maloku, tha: “Kosumi nuk shkruan libër, por rrëfen për ngjarje e histori librash, të cilat janë rrëfime e nuk janë rirrëfime. Si vepra Enciklopedia Imagjinare, si vetë autori, duhen kuptuar brenda estetikës së narratives, ashtu si i kuptojmë Borhesin, Econ e Markezin.”/ KultPlus.com

Memorie dhe traumë – Kujtesa mbi luftën nëpërmjet letërsisë

Zamira Rexhepaj Mehmetaj

Blerina Rogova Gaxha: Memorie dhe traumë, Artini, Prishtinë, 2023

Çfarë është memoria e çfarë është trauma?

Memoria është aftësia për të mbajtur në mend një ngjarje të caktuar, situatë apo periudhë.  Trauma, e cila mund të jetë dy llojesh, fizike në kuptimin e sëmundjes dhe shpirtërore në kuptimin emocional, është tronditja e fortë nga një ngjarje, situatë apo periudhë e caktuar.

Të dyja këto terme shumë të qarta në shikim të parë, vijnë në një formë të veçantë në veprën Memorie dhe traumë (Kujtesa e luftës 1998-1999 në Letërsinë shqipe në Kosovë) të Blerina Rogova Gaxhës.

Memoria në librin e Blerina Rogova Gaxhës është një trajtesë letrare mbi kujtesën e luftës, e cila është një letërsi faktuese për ngjarje të përjetuara në Kosovë, gjatë periudhës së sulmeve serbe. Trauma, ashtu siç edhe përshkruhet në librin e autores, është një ngjarje e cila e ka fillimin por mbarimi i saj nuk dihet, mbase mund të jetë edhe me mbarimin e vetë jetës njerëzore.

Rogova Gaxha zgjedh 49 autorë kosovarë për t’i dhënë jetë qëllimit të vet që ta shqyrtojë natyrën dhe funksionin e memories dhe traumës së luftës së viteve ’98-’99 në letërsi, raportin e këtyre koncepteve me aktin e shkrimit dhe aktin e dëshmisë letrare.

Kjo vepër eseistike, përbëhet nga trembëdhjetë pjesë dhe përveç tjerash përbrenda ndarjeve ndërmjet pjesëve përfshihen edhe lustrime të ndryshme.

  1. Riformësimi i luftës përmes letërsisë

Letërsia është fiksion, por ajo në Memorie dhe traumë vjen si dëshmi e një periudhe shumë të vështirë ku ngjarjet e kohës së luftës faktohen përmes letërsisë. Në këtë tekst trajtohen tri lloje viktimash nga lufta e fundit në Kosovë:

  1. Të vrarët
  2. Të dëbuarit
  3. Të përdhunuarit

Autorët që zgjedh Rogova Gaxha janë protagonistë të dëbuar ose të pranishëm të kësaj lufte dhe ata merren me çështjen e çështjet të cilat mund të shihen nga prizmi personal dhe ai kolektiv. Njëmbëdhjetë ndarjet përbrenda veprës Memorie dhe traumë, siç janë: Letërsia si dëshmi, kujtesa e të zhdukurve, trauma e të mbijetuarve, kujtesa e fëmijëve të vrarë, trauma e refugjatëve, taksa e luftës, anatomia e traumës, luftë dhe liri: proza e zonës traumatike, rikrijimi i së shkuarës, vetja e traumatizuar: e kaluara në të tashmen, poezia e revoltës dhe protestës, paraqesin pikëpamjen e cila sillet në rrethin ku e kaluara ndjek të tashmen e autorëve në letërsinë shqipe të Kosovës, mbi përjetimet e luftës, ndërmjet traumës dhe kujtesës në fazat e ndryshme të jetës së gjithsecilit. Rogova Gaxha ndërton tri kohë në veprën e saj:

  • Fëmijëria
  • Rinia
  • Pleqëria

Faza e përjetimit fëmijëror të luftës, kalimi i një pjese të rinisë në luftë dhe pleqëria e vdekja gjatë periudhës së luftës janë një kujtesë dhe traumë e gërshetuar dhe e bartur edhe në lirinë e cila shihet dhe përjetohet nga të gjithë ata që ishin pjesë të këtyre kohëve dhe i faktuan ato kohë përmes letërsisë.

Funksioni i letërsisë në faktimin e këtyre ngjarjeve flet nëpërmjet syrit që i përjeton pamjet e frikshme, të humbjeve, të zhdukjeve, të fitoreve, të pamjeve makabre, ku nëna sheh fëmijën me trupin e ndarë në dysh dhe nuk çmendet, djali mban në krah eshtrat e babait të vdekur dhe nuk ka lot për të qarë, babai mban në gji fëmijën e pranon të flijohet bashkë me të, por nuk e lë vetëm.

Pra, bëhet fjalë për dokumentimin e ndjenjave njerëzore përmes letërsisë, përtej ngjarjeve e realitetit që mund ta përshkruajë fusha e historisë, këtu i jepet jetë këtyre ngjarjeve dhe njerëzve që ishin pjesë e tyre.

Letërsia këtu shtron një kërkesë të re ndaj vetvetes të cilën Rogova Gaxha e sjell si kërkesë shumë unanime, të flasë të vërtetën e përjetimeve të një kohe plot dëshmi, nga më afër, nga brendësia, nga ajo që dihet por nuk mund të shihet nga të gjithë. Trajtimi nga individi te shoqëria e lë pa ndarje ndjenjën e frikës, të dhembjes, shpresës, vdekjes, dëshirës e dashurisë, duke u bërë të gjitha një, duke jetuar trazimin përmes një kohe e cila la pas vetes vështirësi për të ardhur deri te qetësia e mëparshme.

  • Ndërmjet frikës, shpresës, jetës dhe vdekjes

Memorie dhe traumë sjell njerëzit të cilët mbase ndjenjat i kanë të thyera, jetën e duan, por frikë e kanë. Frika dhe shpresa e rrëzojnë monotoninë e protagonistëve të autorëve të Rogova Gaxhës. Ata ndiejnë mllef dhe janë të lodhur nga ndjesia që u jep bindjen se sytë e tyre tashmë janë mësuar me gjakun dhe pajetësinë në njerëzit e tyre, por kjo nuk ndodh edhe me armikun, ai thjesht e përjeton pamjen me pangopësi:

Asgjë nuk lëvizte brenda kornizës
oxhaqet e shtëpive ishin të fikur
pemët flinin pa zogj
nga gjiri i një gruaje të vrarë
rridhte qumështi
sikur donte t’i shuante etjen për jetë
atij që po e sodiste pikturën
[1]

Në vargjet e Xhevdet Bajrajt të poezisë Tabllo lufte shfaqet pamja e një situate lufte, ku edhe zogjtë nuk kanë më vend në pemë, e shpresa ende rrjedh për një të ardhme të cilës iu shua një jetë.

Frika se do të humbasin shumë nga vetja dhe shpresa se do të gjendet një fije për të shpëtuar nga ky ankth vjen në dy forma të ndryshme, njëra tek autori Gazmend Bërlajolli e tjetra tek Donika Dabishevci, tek i pari gjendet shpresë te jeta, kurse tek e dyta kërkohet vdekja për ta larguar frikën se nuk ka më shpresë.

Nji tamël ma prunë do gra

Beben ngjeshë në prehën,
vjehrrën po e lus
Nanë,
çikën ma rroku nji copë granate…
gjaku rrëke kambës,
…oj nanë, veç po dridhna,
çikën a ma mban?

Rrugës dikur vjehrra,
Zoti shnosh ty se
çika, më thotë,
vdiq.

Ç’me i ba oj nanë,
a thue ku me e lanë?

Ia kam puthë ballin,
edhe sytë të dytë
te një mulli e kam lëshue
Në nji cepë aty,
ku kish pasë do sanë.

Mos e le këtu
se ta han ndoj qen,
Merre!
Ushtar me uniformë ish.
Merre!
më bërtiti,
këtu s’mundesh m’e lanë.

Iu afruem qytetit,
na shtinë në fabrikë.
u avitën gratë,
copën e granatës
ma hoqën me gërshanë,
mishi mos me u infektue.

Ma përmiellën varrën
prap ma lidhën kambën
pakëz m’u qetësue.

Gjinit veçse gjakun
s’mujsha me ia ndalë
me u dridhë,
ethe,
më nisën.

Çikës ia laga
buzën me nji tamël
që ma prunë do gra.

Çika sytë i çeli
ish hala e gjallë.
[2]

Është e ndryshme ajo që ndodh me poezinë e Donika Dabishevcit Lutjet e nji nane:

S’kish menu nanëshkreta që mun vjen ajo ditë
kur me ma t’kthjelltin menim kish me e lypë dekën e fmisë.

“Aman mor Zot, merre,
merre nji dakik e ma parë.
T’falem Zot, merre shpejt,
merre e mos e le me hjekë!”

S’kish besue nanëmjera se mun vjen ajo ditë,
që kish mu gzue kur shpirti i shpirtit t’saj,
zemra e zemrës,  loçka e loçkës,
ai qingj i vogël që sa kish marrë kamtë me ecë ledinave,
kish me i mshelë ata sy t’bukur, sy bojëqielli.

Jo me pushue, as me fjetë…
Me i mshelë për mos me i çelë ma.
Kurrë!

Nanëzeza menxi ja kish tubue zorrtë t’birit,
zorrtë e çpupurituna si krelanë prej ciflave t’granatës.

“Marova nanë prej barku, mos m’prek…
po m’dhem shumë”…
si gjylpana n’shpirt dej n’ditë t’vorrit
gugatjet e tij t’fundme…
[3]

Pjesa më e prekshme nga të gjithë autorët, janë thirrjet që frika e shpresa e bërë bashkë ua ka falur. Kur përmendet frika para del figura e gruas shqiptare e cila mban shpresën e saj në gji, duke aluduar këtu në fëmijën e saj, shpresë që në ndonjë rast nuk dëshiron ta ketë nga drika se mund ta humbasë.

Ideja e trajtuar në lidhje me luftën në Kosovë është pandashëm e lidhur me këto dy figura, pra atë të gruas dhe atë të fëmijës. Fëmijët përshkruhen si pikëshikimi i të gjithve, në njërën anë për t’i ruajtur fizikisht nga armiku e në anën tjetër për t’i ruajtur shpirtërisht nga memorizimi i kësaj traume. Në kuadër të kësaj ideje mund të përmendet poezia Loja e tmerrit e poetit Sali Bashota, në të cilën njeriu i shndërruar në numër, ka sytë në fëmijën e vet, në shpresën e vet që gjendet mbi frikën e brendshme të humbjes:

Grua mbulona kokën me batanije
Fëmijët janë zverdhur nuk do t’i çelë mëngjesi
Shi i zi bie në kufirin e vdekjes
Bllaca gjëmon kur na i zhveshin edhe ndjenjat

Ç’trishtim i tmerrshëm këput litarët e lotëve
Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet
Po vdes në shkretëtirën e atdheut të vet
O Zot jam njeri i shndërruar në numër
Kur loja e tmerrit vazhdon pa pikë pa presje
[4]

Lidhja e shpresës me fëmijët përtej njeriut me veten e vet, është një kontekst i cili mund të shihet nga një pikëpamje më e gjerë, më universale. Kjo bazuar në idenë se janë fëmijët ata që bëjnë kohën që të rinjtë dhe të moshuarit e lënë prapa dhe në anën tjetër është armiku i cili nuk e do të ardhmen tënde, do të ta vjedhë atë, ashtu siç edhe ndodhi në luftën e fundit në Kosovë, ku u vranë mbi 1000 fëmijë. Kjo bëhet edhe më e lexueshme në tekstin Memorie dhe traumë, ku pamja e fëmijëve të vrarë e të zhdukur vjen si një tragjedi e përzier me skenat më të tmerrshme.

Kufiri midis jetës dhe vdekjes është më i afërti, veçanërisht ky kufi theksohet për nga afria në një gjendje lufte. Por kuptimi i të dyjave, si i jetës ashtu edhe i vdekjes ndërron në luftë. Ndonjëherë vdekja në fakt është edhe shpëtimi më i lehtë, dëshira e vetme që kanë njerëzit që po e përjetojnë tmerrin e luftës.

Poezia Ata më thanë ik, dhe unë ika e poetit Lulzim Tafa, flet mbi temën e vdekjes në luftë dhe tjetërsimin në një kohë barbare:

Kokën time të prerë
Në dorë ma dhanë
Dhe thanë
Ik!

Zorrët m’i nxorën
Dhe me to
M’i lidhën këmbët
Dhe thanë
Ik!

Mbusha gojën time
Me gjak
Xhepat me gjymtyrët
e mia dhe
ika.
[5]

Por vdekja bëhet shumë herë më e dëshirueshmja, sidomos kur kalohet në situatën e grave të përdhunuara seksualisht në luftë. Kjo vjen përmes poezisë së Vlora Konushevcit e cila flet nga përspektiva e gruas e cila ka përjetuar dhunë seksuale në luftën e fundit:

Kur jam çky e jam çnderu n’sy të babës, të fëmijëve
Tokën me thoj e kam gërry
Dhambët fort i kam shtrëngu
Mos me qitë as edhe nji za.
Kambaduersh me krejt hezin e mbetun
Kam gërry e gërry
Vetit vorrin me ia ba,
Dhimtën teme e paçi n’qafë!
[6]

Brutaliteti i dhimbjes së përjetuar e bën gruan e dhunuar të trajtuar nga Konushevci ta dëshirojë vdekjen, sepse jeta e saj veç është shndërruar në ferrin që mbase nuk do ta përjetonte nëse do të vdiste.

Vija e hollë ndarëse ndërmjet dy koncepteve jetë e vdekje, trajtohet si një thikë me dy tehë e cila në të dyja anët e rrëzon idenë e jetës së mirëfilltë, kjo ngaqë shumë prej njerëzve veç janë të dëbuar, kanë familjarë të zhdukur, kanë humbur fëmijët, kanë gratë e përdhunuara, kanë humbur dhe nuk kanë më atë që kishin, qenien e tyre.

Përshkrimi më i mirë që vjen në tekstin e Rogova Gaxhës është përmes poezisë Gjellë shqiptare  të Xhevdet Bajrajt, të cilën ajo e zgjedh me shumë të drejtë kur përshkruhet imazhi i armikut:

Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin mëny të pasur shqiptare

Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lotë të valë

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur[7]

Ndonëse nuk qëndron vetëm parakalimi mbi shumë autorë që në veprën e saj i bën pjesë Blerina Rogova Gaxha, shtresimi që ajo bën në studimin e faktimit nëpërmjet letërsisë përfshin fletë të shumta të cilat lëvizin nga personalja në kolektiven, se si realisht shndërrohet dhimbja në letërsi, e letërsia në pasqyrë të së vërtetës.

  • Reflektimi mbi pasqyrën e thyer të kohës – lufta me hijet e traumës dhe kujtesës

Ardhja e lirisë nuk bëri një kalim drastik në jetën e njerëzve. Në Memorie dhe traumë jepet liria ashtu siç erdhi, plot me dhimbje. Trauma e kujtesa e luftës nuk la mundësi që dikush ta gjejë forcën e t’i kthehet jetës, siç është rasti i Pashkës, gruas në Gjakovë e cila e dogji veten pasi iu kthyen kufomat e fëmijëve të saj, por edhe ata që e gjetën këtë forcë, kjo ishte e mbushur me hije, frikë për të dalë në pah. Ashtu siç edhe merret në veçanti Blerina Rogova Gaxha, mbesin më të prekurat gratë e dhunuara seksualisht, të cilat në liri margjinalizohen edhe nga familjarët e tyre, mbesin në rrugë, nuk trajtohen nga askush.

Mënyra se si imazhi i tyre vjen në letërsi në Memorie dhe traumë përshkruhet përplot dhimbje dhe trishtim, ku gjendja e mjerë e grave të përdhunuara shfaqë edhe gjendjen e mjerë të shoqërisë, e cila turpërohet nga ajo që nuk është krenaria e tyre:

Na shihni në sy dhe ju shohim
Ju shohim përditë po jemi kaq të verbër
Ah, ku gjendet çelësi i Ferrit tuaj
Një, dy, tre,
Nëntë rrathë thellë në shpirtin e djegur
Ju shohim e na shihni…
[8]

Kjo poezi e Adem Gashit e shfaqë këtë traumë të ngelur në gruan e përdhunuar dy herë, një herë në luftën e të gjithve e një herë në lirinë e të tjerëve por jo të sajën, kjo sepse liria asaj i solli një luftë të re.

Kështu, sa është e fuqishme kujtesa mbi një kohë që ka lënë një traumë të thellë shpirtërore?

Këtë përgjigje e jep pikërisht autorja e veprës Memorie dhe traumë, duke dokumentuar përmes autorëve rolin e letërsisë në tregimin e kësaj fuqie, ku humbja më e madhe është e brendshme, ndërsa fitorja është e jashtme dhe përplot dhimbje. Duke përfunduar kështu se çmimi i paguar është aq i shtrenjtë dhe i pakthyeshëm, aq sa të vdekurit e të zhdukurit shpesh paraqiten në letërsi në një gjendje paqeje në krahasim me ata që vazhduan të luftojnë sepse mbetën të gjallë.

  • Përfundim

Ashtu siç shprehet edhe vetë autorja letërsia e dalë nga mitra e luftës shplon pëlhurën që mbuloi traumën e thellë për ta kthyer në këngë e lament, në dëshmi poetike e në testament letrar, ajo në të vërtetë e realizon idenë e kujtesës e idenë e traumës në një përmbledhje e cila sjell autorët e letërsisë shqipe të Kosovës, duke përcjellë mesazhin në dimensione të ndryshme, nga pamja e syve të foshnjës në atë të syve të pleqve, nga pamja e të burgosurit, e të dëbuarit, të zhdukurit, të vdekurit, atij që jeton, të përdhunuarit e kështu me radhë duke përdorur thellësinë në vërtetësinë të cilën mund ta sjellë arti i letërsisë, përmes aftësisë së saj për t’u bërë një me dhimbjen, shpresën e frikën.

Blerina Rogova Gaxha me këtë studim e sjell një rezultat shumë të çmuar në kontekstin jo vetëm letrar. Andaj, përfundimi mbi këtë tekst studimi nuk ka se si t’i largohet fjalisë përfaqësuese të tij:

Lufta nuk ka kujtesë, por truri poetik mban në mend.

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. 


Lamtumirë Poeti i Dashurisë, Skënder Rusi!

Sali Bashota

Skënder Rusi është njëri ndër poetët më të njohur të poezisë së sotme shqipe. Ka botuar 25 vëllime poetike, 1 dramë dhe 1 komedi. Është përfshirë në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shpërblyer dhe nderuar me mirënjohje dhe çmime të larta për krijimtarinë e tij letrare. Për 14 vjet ka qenë kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re” në Korçë. Pastaj, drejtor i Pallatit të Kulturës, drejtor i Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” (1997-2017). Është ideator i Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të poezisë”.

Duke e vlerësuar poezinë e Skënder Rusit, poeti Dritëro Agolli, ndër të tjera thotë: “Rima e poezisë së Skënderit është e veçantë, atij nuk ia ndien rimën, ai bën muzikë, poezia e tij këndon. Ndaj unë e veçoj Skënder Rusin që jeton në Korçë. Poezia e tij shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Unë do të thosha se Skënder Rusi është ndër lirikët më të mirë në komunitetin e poetëve tanë bashkëkohorë”.

***

Me Skënder Rusin, Poetin e Dashurisë, herën e fundit u takova më 26 maj 2024, në mbrëmjen finale të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”. Atë mbrëmje erdhi ndër të parët në MIK Hotel, bashkë me zonjën e tij dhe me mbesën e vogël. U ul në fund të karrigeve, të cilat ishin të renditura për pjesëmarrësit. Pastaj, erdhën poetët, këngëtarët, lexuesit…Të gjithë e përshëndesnin lirikun e dhimbjes së bukur, siç e quante i biri i tij, Eris Rusi. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”, Jorida Tolkuçi dhe kryetarja e PEN Qendrës së Shqipërisë, Entela Kasi  merreshin me organizimin e aktivitetit. Çdo gjë ishte gati për të filluar një mbrëmje e bukur poetike në shumë gjuhë, por që i bashkonte gjuha e poezisë.

Skënderi ishte shumë i gëzuar për organizimin e edicionit të 28 -të të “Netëve Korçare të Poezisë”, të cilin e kishte themeluar. Mbesa e tij e vogël shkrepi disa foto, para se t’i ndërronim numrat e telefonave celularë, ndërsa zonja e tij më tha se do të vinin së shpejti në Prishtinë dhe se Skënderi kishte dëshirë ta botonte një dramë që e kishte në dorëshkrim. I premtova se do të interesohem për botimin e dorëshkrimit. Buzëqeshi, siç buzëqeshin poetët e vërtetë. Skënderi e donte Kosovën dhe i çmonte shumë poetët e Kosovës.

Në tavolinë i kishte katër ekzemplarë të librit të tij të zgjedhur me poezi me titullin “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”. I premtova për botimin e një cikli të poezive të zgjedhura në numrin më të ri të revistës letrare “PEN Kosova”. E priti me shumë dashamirësi propozimin tim.

Me rrëmbim e kapi stilolapsin dhe ma nënshkroi librin. Më shikonte drejt në sy, pastaj ndalej. Merrte frymë thellë. Sikur i përfytyrohej një çast tjetër për të bashkëbiseduar. Më pyeti me një zë të shterur se më kë isha ulur në tavolinë. I tregova. I mori një nga një librat dhe filloi t’i nënshkruante për Ibrahim Berishën, Binak Kelmendin dhe Sadik Bejkon.

U përqafuam. Pastaj erdhi shkrimtari Besnik Mustafaj dhe ul në tavolinë me të.

Filloi mbrëmja finale e festivalit. Secili prisnim radhën për të lexuar. Nuk binte më shi si në natën e parë të festivalit. Një fllad i lehtë i mbrëmjes valëvitej nga skaj në skajin tjetër, në ambientin ku ishin mbledhur poetë nga vende të ndryshme të botës.

Por, pas pesë ditësh Poeti i Dashurisë iku në amshim për të mbetur përjetësisht njëri ndër lirikët më të veçantë në letrat shqipe.

Lamtumirë Poeti i Dashurisë, Skënder Rusi!

Skënder Rusi

JAM DHE S’JAM

Jam bir i yjeve që s’vdesin,

Planet, që trajektore s’njeh!

Unë qesh dhe zgjoj gjithë Universin,

Nga gjumi, diellin, unë e ngre!

Në Mars, me të unë pi konjak,

Kafen e pi në Jupiter!

Te Kashta e Kumtrit çlodhem pak,

Me dorë arushat përkëdhel!

Jam bir i yjeve, ju them!

Në tokë kam zbritur përkohësisht!

Kush më kërkon, zor se më gjen!

Se jam dhe s’jam njëkohësisht!

(Marrë nga libri “Dalëngadalë unë po bëhem hije”, Schnell, Tiranë, 2023)/ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës shpreh ngushëllime me rastin e vdekjes së poetit Skënder Rusi

Poeti i njohur korçar, Skënder Rusi, është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare. Homazhet për poetin bëhen nesër (1 qershor) tek teatri Andon Zako Çajupi ora 12.00 dhe përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në orën 14:00.

Me rastin e vdekjes së poetit Rusi, Pen Qendra e Kosovës nëpërmjet një telegram ngushëllimi ka shprehë ngushëllimet për familjen dhe gjithë komunitetit letrar.

Lajmin për vdekjen e Skënder Rusit e morëm me pikëllim të madh. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë për njeriun dhe poetin e veçantë në letërsinë shqipe. Ai do të mbetet njëri ndër lirikët më të shquar shqiptar, poezia e të cilit do të lexohet dhe do të vlerësohet brez pas brezi.

Ngushëllime familjes së poetit, Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” në Korçë, drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë” dhe PEN Qendrës së Shqipërisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!/ KultPlus.com

Will Smith shkon me autobus në premierën e filmit

Parakalimi me veshje të veçanta nga aktorët është mënyra se si ata zgjedhin të shfaqen në tapetin e kuq për premierën e një filmi, por jo për Will Smith.

Ai ka ardhur me këtë autobus për premierën e filmit të tij më të fundit aksion “Bad Boys: Ride or Die” duke krijuar një atmosferë shumë pozitive. Nuk e la me kaq pasi edhe dhuroi një performancë të shkurtër ku këndoi këngën “Miami”.

Fituesi i çmimit Oscar u prit me brohoritje nga fansat në Los Angeles.

Ai zbriti nga ky autobus dykatësh për të nënshkruar autografe për qindra fansa që ishin mbledhur për të parë kastin e aktorëve. Familja e Will ishte gjithashtu e pranishme në tapetin e kuq për të mbështetur aktorin e njohur ndërsa intervistat për gazetarët zgjodhi t’i bënte i shoqëruar me aktorin tjetër Martin Lawrence.

Martin dhe Will kanë luajtur në disa filma “Bad Boys” gjatë 30 viteve të fundit dhe janë bërë një dyshe ikonë në film. Përveç  bashkëpunimit të tyre të suksesshme dyshja janë miq të mirë edhe në jetën reale.

“Bad Boys: Ride or Die” del në kinema më 5 qershor.

Një grua e çuditshme

Skender Rusi

U dashurova me një grua pothuajse të bukur
Ajo herë-herë është pothuajse e çuditshme
I pëlqen sidomos shtëpia e muzgut
Ku gjithçka është pothuajse lunatike

U dashurova me një grua pothuajse të këndshme
Ajo herë-herë është pothuajse e pazakonshme
Është e paarsye po unë, pikërisht për këtë
E kam ngritur kasollen në pyllin e saj të flokëve

U dashurova me një grua pothuajse të rrallë
Ajo herë-herë është pothuajse e pakuptimtë
Njëlloj si unë që jam kjo re e bardhë
Që e mbështjell të gjithën se s’dua të më ikë./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta poeti Skënder Rusi

Poeti i njohur korçar, Skënder Rusi, është ndarë nga jeta në moshë 72-vjeçare.

Liriku i letrave shqipe, krijuesi i 25 vëllimeve la pas krijimtarinë e tij si një pasuri të çmuar për letërsinë shqipe, më i fundit “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”.

Skënder Rusi lindi në vitin 1952 në Korçë. Krijimet e tij u përfshinë në antologjitë e disa vende të Evropës si Gjermani, Zvicër. Aktori për disa vite ushtroi profesionin e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, ndërsa pak vite më parë u vlerësua me titullin Qytetar Nderi i Korçës./ Top Channel/ KultPlus.com

Fenomenet e trashëguara të letërsisë në Ekuilibrin Letrar të Nysret Krasniqit

Fatlinda Thaçi Cakaj

Ekuilibri letrar shpalos refleksione të thella mbi natyrën e letersisë, procesin e shkrimit dhe ndikimin e kontekstit shoqëror e kulturor në krijimtarinë letrare, autori analizon marrëdhëniet mes autorit e lexuesit, si dhe autori ngul këmbë që të ruaj parimin themelor të letërsisë, pra kujtesën shpirtërore, ekuilibri letrar si objekt të studimit ka aspekte fenomenologjike të artit letrar, duke i parë në prizmin e estetikës, ka të bëjë me shqyrtimin e ndryshmeve të perceptimit, përvojës, dhe kuptimit që lexuesi ose kritiku ka ndaj një teksti letrar. Në këtë kontekst, fenomenologjia, një qasje filozofike që kërkon të kuptojë strukturën e perceptimit dhe përvojës së individit, aplikohet për të analizuar se si lexuesi ndjen dhe interpreton një veprim artistik. Në aspektin e estetikës, vlerësohet bukuria dhe kënaqësia që shkakton një veprim artistik, duke përfshirë tekstet letrare.

Ekuilibri letrar vërehet kur autorët ndërtojnë vepra që sjellin harmoni nëpërmjet gjuhës, strukturës, temës, dhe stilistikës, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin në një mënyrë që përputhet me qëllimin dhe synimet e tyre artistike. Për të kuptuar këtë ekuilibër, kritikët përdorin koncepte fenomenologjike për të shqyrtuar përvojën e lexuesit përballë tekstit, duke u fokusuar në perceptimet, emocionet, dhe interpretimet e tyre. Përvoja estetike e lexuesit  ndikon në vlerësimin e një teksti letrar dhe në përcaktimin e ekuilibrit letrar të tij.

Në përgjithësi, ekuilibri letrar trajton një harmoni dhe njëkohësisht një tension të qëndrueshëm mes elementeve të ndryshme të një teksti letrar, duke siguruar një përvojë të pasur estetike dhe intelektuale për lexuesin. Përdorimi i artit letrar për të komunikuar ide të tilla shpesh rrit kuptimin dhe ndërgjegjësimin e lexuesit në lidhje me çështje komplekse shoqërore, politike, dhe humaniste. Një nga avantazhet e kësaj teknike është që ajo mund të bëjë që konceptet filozofike të jenë më të kuptueshme dhe më të afërta për lexuesit, duke iu mundësuar atyre të ndjehen pjesë e historive dhe përvojave që paraqiten në libër. Kjo ndikon në mënyrë pozitive në perceptimin dhe në qëndrimin e tyre ndaj temave të rëndësishme shoqërore dhe humaniste.

Përveç kësaj, përdorimi i metaforës dhe fenomeneve autoritare në artin letrar janë një mjet i fuqishëm për të shprehur kritikën sociale dhe politike, duke e bërë atë një formë efektive të protestës dhe ndryshimit shoqëror. Përmes përvojës artistike, lexuesit  ndjehen të përfshirë në diskutimet për çështjet më të thella dhe  ndihmojnë në përhapjen e ndërgjegjësimit për problemet aktuale. Në fund të fundit, librat që përdorin këtë lloj qasjeje janë mjet për të krijuar një dialog midis autorit dhe lexuesit, duke e nxitur reflektimin dhe debatin mbi temat dhe konceptet që trajtojnë. Kjo bën që arti letrar të jetë një burim i pasur për shpjegimin dhe përmbushjen e kuptimit tonë të botës dhe të vetvetes.

Konceptet letrare të kapitullit të parë

Metaforika, Imagjinimi, Morfologjia, Litota, Mënia, Metafizika, Refuzimi, Aporite, Gjenuinja

  • Mënia-Në këtë pjesë analizohen dhe detajizohen konceptet autoritare te cenzures të bazuara në filozofinë e Platonit, i cili mendonte se idealja e një shoqërie të drejtë ishte një shoqëri ku filozofët të gjykuar si udhëheqësit më të drejtë do të udhëhiqnin. Thymos është emocioni i  urrejtjes dhe zemërimit, ndërsa menis intelegjenca dhe arsyeja, Platoni argumenton se në një shoqëri të drejtë thymos do të nënvlerësohej në favor të menis, për te shmangur konfuzionin dhe konfliktin shoqëror. Në të njëjtën kohë, në letërsinë shqiptare ka pasur një evolucion të ndjeshëm në mes thymosit e mënis. Autorët kanë shprehur zemërimin dhe revoltën ndaj cenzurës e ndjeshmërisë sociale nëpërmjet veprave të tyre, duke reflektuar ndërveprimin kompleks midis emocioneve dhe arsyjes në krijimtarinë e tyre.
  • Imagjinimi- Nëpërmjet fantazisë, poetët shpesh eksplorojnë sfera të ndryshme të imagjinatës, duke krijuar botë të reja, personazhe fantastike, dhe ngjarje të jashtëzakonshme. Kjo mund të shërbejë si një mjet për të shprehur ide dhe emocione të thella që janë jashtë kontekstit të perceptimit të zakonshëm. Në lidhje me metafizikën, poetët  përpiqen të kapin aspekte të së pashpjegueshmes dhe të së padukshmes nëpërmjet poezisë, duke u përqendruar në temat dhe pyetjet që lidhen me ekzistencën, shpirtin, dhe marrëdhënien tonë me botën. Poetët që janë marrë me këto tranformime; Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Ali Podrimja, Visar Zhiti, Ervin Hatibi, etj.
  • Morfologjia- Morofologjia e poezisë në letërsinë shqiptare analizon dhe vlereson tranformimet e figurave duke i vënë në pah raportet komplekse midis natyrës dhe kulturës. Figurat mitike dhe legjendare që gjejnë rrënjë thellë në trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar shpesh reflektojnë një lidhje të ngushtë me natyrën dhe fenomenet e saj te veprat e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Anton Pashkut e Sabri Hamitit.
  • Metafizika- Hermenautika dhe shqyrtimi i elementeve metafizike në poezine e Sabri Hamitit ndihmon në zbulimin e estetikes së fshehur të autorit. Duke u përqendruar në interpretimin dhe analizen e thellë të veprave të tij, arrijmë të zbulojmë një pasqyrë më të plotë të pasionit e vizionit të autorit nga vepra e parë “Njeriu vdes i ri”, deri te “Kukuta e Sokratit”.
  • Litota- Këtu autori bën analize poetike te tregimit te Eqrem Bashës te vepra “Hije ne grila”. Përmes interpretimit bartian e sosyrian del ne konkluzion se tregimi e ruan shprehësinë e universalizuar të njeriut si individ dhe përmban vrojtimin meditues të autorit.
  • Aporitë- Ndryshe njihen si kontradiktat apo konfilktet e veshtira ne tekst janë aspekt i rëndësishëm në librin  në fjalë pasi autori vëren një çekulibrim terminologjik të tekstit e kritikës letrare, ndaj propozon që një studim letrar të përdor hermenatikën si pikë referimi.
  • Gjenuinja- Studimi i fenomeneve të teorisë letrare në një nivel të përgjithshëm përfshin një gamë të gjerë të shkencave humaniste dhe të mendimit filozofik që shërbejnë për të analizuar dhe interpretuar veprat letrare. Në këtë kontekst, filozofët, teoricienët e letrave dhe fenomenologët janë të përfshirë në një përpjekje për të kuptuar natyrën dhe rëndësinë e tekstit letrar. studimi i fenomeneve të teorisë letrare në një nivel të përgjithshëm ofron një kornizë të gjerë për të kuptuar dhe interpretuar veprat letrare. Filozofët, teoricientet e letrave, dhe fenomenologët ofrojnë qasje dhe mënyra të ndryshme për të analizuar tekstin, duke kontribuar në zhvillimin e një kuptimi më të thellë dhe më të gjerë të tij. Në Kosovë janë analizuar veprat studimore të Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit.
  • Refuzimi- Analizohet fenomeni i përkthimit si një rikrijim në burgjet e Shqipërisë totalitare. Realizmi socialist e çekuilibroi sistematikën letrare shqiptare duke ua mohuar lirinë krijuese shkrimtareve.

Problematikat e dala nga qarqet Evroperendimore të filozofisë

Mea culpa, Ideologemat, Përhershmëria, Ekulibri

  • Mea culpa  ose fajësimi, shpesh shërben si një mënyrë për të rishikuar dhe reflektuar mbi gabimet dhe arritjet tona, dhe në këtë kontekst, trajtimi i ideve gnoseologjike dhe historike të “vdekjes së autorit” nga modernizimi deri në postmodernizëm është një temë e rëndësishme në studimin e letërsisë dhe artit në përgjithësi. Koncepti i “vdekjes së autorit” ka qenë një temë e rëndësishme në teorinë letrare, sidomos në periudhën e modernizmit dhe postmodernizmit.
  •  Ideologemat- Analiza e dialogeve të Platonit, siç janë “Kratili” dhe “Fedri”, dhe lidhja e tyre me  çështjen e kërkimit të formave ideale, është një temë e thellë që lidhet ngushtë me interpretimin dhe vlerësimin e censurës dhe lirisë letrare në kontekstin e metemit të realizmit socialist. Lidhja e dialogeve të Platonit me censurën dhe lirinë letrare në metodën e realizmit socialist reflekton tensionet e thella midis idealit dhe realitetit, midis kërkimit të formave ideale dhe kufizimeve që vijnë me një regjim cenzor. Kjo analizë ofron një perspektivë të thellë mbi sfidat dhe konfliktet në interpretimin e teksteve letrare dhe në ruajtjen e lirisë së shprehjes së artistit në një kontekst politik dhe ideologjik të caktuar.
  • Përhershmëria- Trajtohet parimi filozofik për një njohje të tekstit letrar, se si ai duhet të vendoset në kohë, në mënyrë që të marrë kuptim të ri e të saktë si dhe të ruhet autorialia.
  • Ekuilibri- Ekuilibri i identitetit personal dhe globalizimit është një temë e rëndësishme që reflekton tensionet midis individualitetit dhe ndikimit të shoqërisë globale në krijimtarinë dhe shprehjen personale. Në këtë kontekst, ideja e komunikimit global dhe ndikimi i tij në identitetin personal dhe në estetikën letrare është një temë e rëndësishme për diskutim. Analiza e ekuilibrit të identitetit personal dhe globalizmit në krijimtarinë letrare sjell në pah tensionet dhe sfidat që vijnë me komunikimin global dhe ndikimin e tij në individ. Ruajtja e një ekuilibri të qëndrueshëm është thelbësore për të siguruar integritetin e identitetit personal dhe për të promovuar një estetikë letrare autentike dhe të pasur.

Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe vrojtimi metafizik e dokjesor

Në këtë analizë të titulluar “Hermenautika”, autori studion dhe shqyrton konceptet e Kanunit të Leke Dukagjinit, duke i ndarë ato në 12 libra dhe duke shpjeguar parimet themelore të hermeneutikës që aplikohen në interpretimin e këtij dokumenti historik dhe kulturor. Hermeneutika si një qasje interpretuese që përqendrohet në kuptimin dhe interpretimin e tekstit, merr në konsideratë kontekstin dhe kulturën që e rrethon atë.

Në këtë analizë, autori përdor parime hermeneutike për të kuptuar thellësisht mesazhet dhe rregullat që përmbahen në Kanunin e Leke Dukagjinit.

Për të interpretuar dhe kuptuar më mirë mesazhet dhe rregullat e Kanunit të Leke Dukagjinit, autori aplikon parime të hermeneutikës. Kjo përfshin marrjen në konsideratë të kontekstit historik dhe kulturor, kuptimin e gjuhës dhe fjalëve të përdorura në dokument, si dhe analizën e ndikimit të Kanunit në shoqërinë dhe kulturën shqiptare.

Përmes kësaj analize të hermeneutikës në interpretimin e Kanunit të Leke Dukagjinit, autori ofron një kuptim të thellë dhe të gjerë të këtij dokumenti të rëndësishëm historik dhe kulturor në kontekstin e tij. Hermeneutika jep një metodë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të kuptuar tekstin në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com

                                                                                                               

Komuna e Gjakovës në prag të organizimit të Festivalit Koral, marrin pjesë pesë shtete

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në mbështetetje të Komunës së Gjakovës është në prag të organizimit të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Koral, festival që do të mbahet në muajin qershor, shkruan KultPlus.

Kastriot Sada, organizator i këtij festivali ka bërë të ditur për KultPlus se në këtë edicion do të marrin pjesë kore nga pesë shtete, e sipas të cilit vijnë nga: Turqia, Qipro, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Ai poashtu ka bërë të ditur se koristët pjesëmarrës në këtë edicion do të jenë rreth 180 persona, e që në Gjakovë do të performojnë brenda 4 dhe 5 qershorit, kur edhe do të mbahet festivali./ KultPlus.com

Shpirtërorja dhe materialja në tregimet e Binak Kelmendit

Mirvete Karaliti

(Binak Kelmendi: “Lexuesit e kartëmortaleve”, Botimet REA, Prishtinë, 2023)

“… fatet dhe emrat e njerëzve përsëriten. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit. ‘Sidomos fatet tragjike’, tha me vete, duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.”

Binak Kelmendi (1950), përkthyesi, publicisti dhe autori i shumë veprave, njihet edhe për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve”, në të cilën vdekja e jeta si premisa filozofike paraqesin relacionin dualist të luftës së njeriut për mbijetesë përgjatë historisë.  

Temat e këtyre tregimeve që në thelb kanë idenë e vdekjes, thelbin ontologjik të njeriut e të jetës shenjojnë një histori të lashtë të integrimit dhe komuni­kimit me artin e korpusin e veprave letrare. Që nga paraqitja e hershme e veprave si “Epi i Gilgameshit”, pyetjet filozofike e ontologjike të të cilit shenjojnë bashkëpunimin midis artit dhe jetës, kanë vazhduar edhe në ditët tona duke u shndërruar në trua­llin e hulumtimeve brenda së cilës letërsia dhe shkrim­tari observojnë duke kërkuar dhe afirmuar vetveten. Kështu që nga titulli i veprës “Lexuesit e kartëmortaleve”, titull ky i cili vjen si emërtim i njërit prej tregimeve të veprës, paraqet ndeshjen e jetës me vdekjen e cila paraqitet si një enigmë e cila mbulon ekzistencën njerëzore, ngjall soditje, frikë dhe kuriozitet. 

“-Çfarë lexojnë?

-Lexojnë, lexojnë, për shembull, kartëmortalet, a si quhen ato letrat që lajmrojnë për vdekje njerëzish.” 

Eksplorimi i historive dramatike të luftës ofron një dritare për gjendjen njerëzore në rrethana ekstreme. Këto rrëfime përshkruajnë gjallërisht tmerret dhe heroizmin e luftës, duke treguar qëndrueshmërinë e individëve në mes të kaosit. Këto tregime përbrenda kodit të komunikimit letrar sikur e zhvillojnë betejën e personazheve me ngjarjet e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës, karakteristikë kjo e cila është e pranishme edhe në disa vepra në prozë nga ky autor.

Luftërat gjatë historisë shpesh zbulojnë modele tragjike që përsëriten, duke treguar koston njerëzore të konfliktit. Nga ngritja e perandorive te konfliktet moderne, shkatërrimet e luftës dhe ndikimi i saj tek individët dhe shoqëritë bëhet jehonë me kalimin e kohës. Qoftë humbja e jetëve, zhvendosja e popullsive apo shkatërrimi i kulturave, pasojat tragjike të luftës përsëriten vazhdimisht, duke nënvizuar rëndësinë e kërkimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve. Përsëritja e vrasjeve gjatë luftërave nënvizon realitetin e zymtë të konfliktit, ku jetët humbasin tragjikisht në një cikël dhune dhe hakmarrjeje. I ndërtuar me këtë temë tregimi “101 vjet bashkë”, tregon historinë e përsëritur të dy Halilave të një familjeje që përfunduan tragjikisht nga okupatori serb: 

“…Gjyshin ma kanë vratë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata serbë, nuk e lanë t’i bënte” 

Vazhdimi i këtij cikli vrasjesh vazhdon edhe pas 101 vjetesh duke pasqyruar aspektet më të errëta të natyrës njerëzore. 

Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët. Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij.”

      Dashuria, atdheu dhe vdekja 

Ndeshja e dashurisë dhe vdekjes në letërsi është një temë e përjetshme që është eksploruar në mënyra të ndryshme nëpër kultura dhe epoka. Dashuria dhe vdekja, forca në dukje të ndryshme, shpesh ndërthuren në tapiceri të ndërlikuar të ekzistencës njerëzore, duke formësuar rrëfimet e pasionit, humbjes dhe transcendencës. Konvergjenca e tyre ndriçon natyrën paradoksale të përvojës njerëzore, ku ekstaza e dashurisë mund të bashkëjetojë me pashmangshmërinë e vdekjes.

Në letërsi, tema e sakrifikimit të dashurisë personale për atdheun shpesh eksplorohet në mënyra të ndryshme, duke pasqyruar kompleksitetin dhe konfliktet me të cilat përballen individët kur ndahen midis dashurisë romantike dhe detyrës patriotike. Kështu me këtë tematikë shquajmë tregimet: “Te pllaka përkujtimore”, “Ofelia, shqip”, “Dashuria”.

“Te pllaka përkujtimore– Epitafet, ato mbishkrime të përmbledhura por të thella të gdhendura në gurët e varreve, shërbejnë si kujtime të qëndrueshme për të vdekurit. Ato përmbledhin thelbin e jetës së një personi, virtytet, vlerat ose ndonjëherë veçoritë e tyre, me vetëm disa fjalë. Në zemër të një varreze solemne, mes vargjeve të varreve të gërryera që mbajnë emra të humbur nga koha, shtrihet një varr që tregon një histori dashurie e tragjedie. Këtu, nën tokë, prehen dy shpirtra të lidhur jo vetëm nga dashuria, por edhe nga dora mizore e fatit. Historia e tyre, e skalitur në gur dhe e pëshpëritur nga era, shërben si një kujtesë prekëse e kostos njerëzore të luftës dhe fuqisë së qëndrueshme të dashurisë.

“Ishte e ndaluar dhënia e kumtit për vrasjen e dashnorëve që kishin marrë pjesë në demonstratat e 28 Nëntorit të vitit 1968, tha ai me një zë të dridhur “. 

Rrethana e vdekjes së tyre, të mbytura mes ujërave të trazuara të luftës e demonstratave, shërbejnë si një kujtesë e zymtë e natyrës së pafalshme të konfliktit. Në vdekje, ata u bënë dëshmorë të një kauze që nuk e zgjodhën ata, por viktima të një bote të copëtuar nga grindjet dhe përçarjet. 

“Dashuria”Në zemër të këtij tregimi qëndron një çift dhe dashuria e tyre si një fener shprese mes kaosit të botës që i rrethon. Të lidhur së bashku nga një lidhje e krijuar në zjarret e pasionit, ata ëndërrojnë për një të ardhme të mbushur me premtime dhe mundësi. Megjithatë, ekzistenca e tyre idilike u shkatërrua nga gjëmimet ogurzezë të luftës, të cilat i ndanë me forcë mizore dhe të paepur. Dashuria ndaj atdheut e detyroi njeriun të dëgjonte thirrjen e detyrës, të vishte uniformën e kombit të tij dhe të marshonte drejt së panjohurës. 

“Ai pastaj fiku televizorin, ngjeshu revolen, lidhi për rripi dy bomba dhe mori vrapthi teposhtë shkallët e ndërtesës.”

     Shpirtërorja dhe materialja në tregimet e Kelmendit

Skema bardhezi e personazheve me bazë modelin përrallor si kudo në letërsinë e shkruar edhe në tregimet e Kelmendit i është nënshtruar një pluraliteti faktorësh që kanë determinuar në paraqitjen e karaktereve njerëzore nëpër dimensione diversive. Kështu marrëdhenia mes shpirtërores dhe materiales jepet në tregimin “Fëmija pa emër”. Dëshira e Zojës dhe e murgeshave për t’i shërbyer Perëndisë me përpikëmeri anashkalon nevojat e tyre fizike e aq më pak dëshirën për të pasur fëmijë, akt i cili konsiderohet si prostitucion dhe derivim nga misioni i shenjtë. 

“Zoja shikon sidomos foshnjën në duart e murgeshës. ‘Është fëmija im’, thotë me një pendesë vrastate. ‘Jo, nuk është’, bërtet në kupë të qiellit duke ia plasur vajit.” 

Mënyra sesi e ndërton Kelmendi figurën e Zojës na ngjason me figurën biblike të Shën Mërisë: lindja e foshnjës pa baba vetëm përmes frymës së shenjtë, frika e akuzimit nga masa për prostitucion dhe përdhunim, largimi nga vendi i saj, ndjenja në kishte bërë faj apo jo, aftësia e të folurit të foshnjës së sapo lindur, etj

Ungjillin sipas Mateut shkruan: 

“ Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Josefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatëzanë për virtyt të Shpirit të Shenjt….
Qe, Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!“

Ndërsa aftësia e të folurit të foshnjës në djep të cilën e thekson Kelmendi në tregimin e tij ka gjithashtu premisa fetare: 

Kelmendi: 

“Foshnja lëshon një klithmë të madhe dhe ia nis edhe ajo një vaji idhnak. 

“Pse nuk ma vë emrin?’

Ashtu dëgjon ose i bëjnë veshët Zojës.”

Ndërsa në Kur’an thuhet: 

Atëherë ajo u bëri me shenjë kah Isai. Ata thane: Si ti flasim atij që është foshnjë në djep?” (Merjem).

       Simbolika e figurave historike

Tregimet e Binak Kelmendit të cilat janë derivuse të një shumësie persiatjesh mbi shumë premisa filozofike si mbi lindjen, vdekjen, kujtimet e së kaluarës që shpalosin ndër të tjerash edhe kujtesën dhe identitetin nacional, paraqesin edhe një realitet të përditshëm, madje edhe kur ndërfut dhe tipizon personazhe nga historia. Fjala vjen, Agata Kristi, Edit Durham, Karl Marksi, Skënderbeu, Genti, Ofeli, Don Kishoti, etj. Në këtë mënyrë, tregimtari Binak Kelmendi vë një relacion përshkrues e shpjegues për shëmbëlltyra të njohura historike, duke ndërtuar një lloj paralelizmi me ngjarje të ndodhura në kohën e tij aktuale. Marrja e këtyre figurave nga historia ndoshta mund të jetë intencë autoriale për të përshkruar laramanin e botës njerëzore në përgjithësi, e të asaj shqiptare në veçanti. Agata Kristi, për shembull, shpesh eksploron temën e drejtësisë dhe të vërtetës nëpërmjet romaneve detektivore. Karl Marksi nëpërmjet teorisë së tij thekson rëndësinë e ndryshimit shoqëror dhe drejtësinë sociale. Skënderbeu simbolizon rezistencën dhe krenarinë kombëtare. Genti, Ofelia dhe Don Kishoti kanë mesazhe të ndryshme rreth identitetit, ëndrrave dhe realitetit.  

Gjithë ideja e kërkimit identitar dhe rreziqeve brenda këtij kërkimi, paraqitja e modeleve përmes personazheve konkrete të veprës dhe personazheve historike shpalos kujtesën dhe identitetin nacional të Kelmendit. Identitetin nacional të tregimtarit e spikat edhe përmes vendosjes së ngjarjeve në tokat shqiptare ku edhe përmend toponime si: Prishtina, Deti Jonë, Bregu i Diellit, Bjeshkët e Nemina, Rugova, Malet e Sharrit, Drini i Bardhë, etj. 

Instrument solid i Kelmendit është kthesa që realizon gjatë rrëfimit, duke e hedhur lexuesin brenda situatave të papritura që ngrisin dilema dhe paradoksalisht dërgojnë drejt zgjidhjeve tragjike e euforike.

       Stili tregimtar i Kelmendit spikatet edhe te forma e ndërtimit të personazheve, ku vlen të ceket  detajizimi në prezantimin jo vetëm të botës së jashtme si modelim, por veçmas të botës internale të personazhit si aspekt që distribuon gjithë strukturën e rrëfimit. 

Kelmendi kodin e rrëfimit të tregimeve të tij e ndërton pëmes monologut të brendshëm në të shumtën e rasteve, por nuk lë anash as dialogët e shkurtë mes personazheve. Krahas monologut që ani pse element dramatik, realizon një narrator minor të tipit autodiegjetik që midis tjerash ravijëzon me një ton kritik portretin e psikokulturës shqiptare.

Tregimet e përmbledhjes “Lexuesit e kartëmortaleve” të shkrimtarit Binak Kelmendi përmes paraqitjes dualiste të premisave filozofike, paraqitjes nacionale të atdheut në vazhdën e okupuesve të shumtë përgjatë viteve, por edhe në paraqitjen e jetës në liri, duke kujtuar me krenari figurën e shquar kombëtare të Skënderbeut e figura të të tjera historike, arrin ta ndërtojë rrafshin tematik e ideor në mënyrë interesante. Kështu përmes elementeve të ndërtimit të këtyre tregimeve, si stilit, gjuhës, rrëfimit, figurave e motiveve, autori spikatë aftësinë e tij për të paraqitur realitetin kombëtar, si dhe për të ngjallur ndjenja estetike te lexuesit përmes përshkrimeve dramatike e tronditëse.

Shënim:

Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com

Sony do të blejë për 1 miliardë dollarë katalogun muzikor të grupit të famshëm Queen

Sony Music thuhet se është në bisedime për të blerë katalogun muzikor të grupit rock Queen, duke përfshirë hite si Bohemian Rhapsody, Radio Ga Ga dhe Another One Bites The Dust.

Universal Music thuhet gjithashtu të jetë përfshirë, për shkak të marrëdhënies së gjatë të kompanisë me grupin, i cili nënshkroi me labelin britanik EMI në 1972 dhe mbeti me kompaninë pasi u ble nga Universal në 2011.

Nëse grupi arrin çmimin prej 1 miliard dollarësh, do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji, duke tejkaluar 500 milionë dollarët që Sony pagoi për të blerë katalogun e Bruce Springsteen në fund të vitit 2021.

Në fillim të këtij viti, Sony fitoi gjithashtu një interes prej 50% në muzikën e Michael Jackson nga pasuria e këngëtarit të ndjerë me një kosto prej të paktën 600 milion dollarë.

Shitja e katalogëve muzikorë është bërë një biznes i madh gjatë tetë viteve të fundit, me kompanitë diskografike dhe kompanitë e kapitalit privat që kanë marrë të drejtat e muzikës nga David Bowie, Bob Dylan, Justin Bieber, Shakira, Neil Young, Blondie dhe Fleetwood Mac për shuma milionë dollarë.

Marrëveshjet ofrojnë siguri të menjëhershme financiare për artistët dhe pasuritë e tyre, ndërsa mbajtësit e të drejtave shpresojnë të përfitojnë duke ndërtuar rrugë të reja të ardhurash.

Të drejtat muzikore shihen si një investim tërheqës sepse këngët vazhdojnë të gjenerojnë para për dekada. /rtsh.al/ KultPlus.com

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” ndahet për Alije Vokshin, Esat Valla vlerësohet me çmim vjetor

Sot, në Ministrinë e Kulturës u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bazuar në vlerësimin e Komisionit Vlerësues, Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” post-mortem e ndau për piktoren Alije Vokshi dhe Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për piktorin Esat Valla.

Çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e pranoi vajza e saj, Visare Selimaj, kurse piktori Esat Valla ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pioneret e artit pamor në Kosovë, ndërkaq Esat Valla është i njohur për pikturat e tij surreale.

Komisioni Vlerësues ishte në përbërje të Valbona Zherkës, Lirije Buliqit dhe Alisa Gojani-Berishës.

Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në avancimin e artit./ KultPlus.com

Festivali i Këngës së RTK-së hap thirrjen për aplikim

Edicioni i dytë i Festivalit të Këngës së RTK-së tashmë ka hapë thirrjen për aplikim, ku ftojnë të gjithë ata që duan të sfidohen në fushën e muzikës të aplikojnë për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Radio Televizioni i Kosovës ka bërë të ditur që edhe këtë vit drejtor i festivalit do të jetë Adi Krasta dhe se përgatitjet për këtë edicion tashmë kanë filluar.

KultPlus ju sjell linkun për mundësi të aplikimit./ KultPlus.com

https://www.rtklive.com/sq/page.php?ID=37

Shtëpitë Botuese mbështeten nga MKRS me 272 mijë e 900 euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka publikuar listën e Shëtpive Botuese të cilat do të mbështeten për botimin e librave, shkruan KultPlus.

272.900 euro është shuma totale që është ndarë nëpër Shëtpitë Botuese, tituj që janë vlerësuar nga Këshilli I Librit.

KultPlus jus jell të plotë listën që tashmë kanë marrë këtë mbështetje./ KultPlus.com

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Lista_per_publikim_botime_2024.pdf

Himni i Kosovës intonohet në El Salvador, presidentja Osmani publikon video nga pritja shtetërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në El Salvador ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurumit të presidentit të rizgjedhur Nayib Bukele.

Osmani ka publikuar një video nga arritja dhe pritja shtetërore që i është bërë në aeroportin e El Salvadorit, e ku është intonuar edhe himni i Republikës së Kosovës nga Garda presidenciale e El Salvadorit.

“Me ftesë të Presidentit Nayib Bukele, unë do të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Bukele dhe do të takohem me përfaqësues të tjerë të shtetit për të diskutuar qëllimin tonë të përbashkët për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit midis vendeve tona”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

Jetë

Alfonsina Storni

Nervat e mia janë tendosur marrëzisht,
në venat e mia gjaku vlon, lëng zjarrmues
që brof në buzët e mia, ku pastaj shtiret
me harenë e tërë kremteve të mundshme.


Kam ëndje të qeshurash; mjerimet e mia
që askujt nuk dua t’ia fal aspak,
sot nuk më qesëndisin, e unë kotem
me trishtimin e kaltër ku ato gëlojnë.


Bota buçet fuqishëm; krejt harmoninë e saj
e ndiej aq drithërueshëm, saqë e përvetësoj
kur gjerb tingujt e saj magjepsës.


Veç para pak çastesh, dritaren time hapa
e në tisin e brishtë të erës
pranvera m’i pruri rrezet e diellit.


Përktheu nga spanjishtja:

Elvi Sidheri

Qendra Kombëtare e Librit shpall fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar në Gjuhë të Huaj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.

Nga 12 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesi Erion Kristo dhe me anëtarë dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha dhe profesor Blendi Lamin, vlerësoi për t’u mbështetur financiarisht nga QKLL, 6 autorë dhe veprat e tyre.

Fituesit për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”:

Ylljet Aliçka, me “Histori njerëzish të zakonshëm”; Maklena Nika me “Nitroglicerinë”; Namik Dokle me “Vallëzim me hënën”; Arian Leka me “Në kërkim të këmishës së humbur”; Manjola Nasi me “Një udhëtim e gjysmë”; Artur Spanjolli me “Lule drite në ag”.

Ceremonia e shpalljes së fituesve u zhvillua në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit./ KultPlus.com

16 universitete evropiane dhe mbi 25 biznese në Panairin e Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit në UNI – Universum International College

UNI-Universum International College fuqizuar nga Arizona State University për herë të shtatë rradhazi organizoj Panairin e Karrierës dhe të Studimeve Jashtë Vendit. Kjo ngjarje e rëndësishme zhvillohet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit, më i madhi në Ballkanin Perëndimor.

Nga ky panair shumë studentë do të marrin rrugë të studimeve jashtë vendit, e shumë të tjerë do të fillojnë një punë me kontratë të rregulltë.

Pas një suksesi të vazhdueshëm gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit UNI, më 29 Maj në kampusin e Prishtinës dhe më 30 Maj në atë të Ferizajit, mirëpriti kompani vendore, organizata dhe institucione të cilat gjatë këtij panairi kishin mundësi promovimi të biznesit, rreth shërbimeve dhe misionit të tyre si dhe komunikimin direkt me studentët e UNI-it, kështu duke zgjeruar rrjetëzimin dhe bashkëpunimin mes tyre.

Gjithashtu këtë vit pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të universiteteve Europiane nga  Gjermania, Holanda, Polonia, Latvia, Lituania etj., si dhe nga Turqia, të cilët gjatë këtij panairi prezentuan mundësitë për studime një-semestrale në universitetet të cilat përfaqësonin.

Qëllimi i organizimit është edhe indentifikimi i talentëve të rinj, rekrutimi i tyre dhe krijimi i partneriteteve me kompanitë pjesëmarrëse.

Ky event përfaqësoi një mundësi të jashtëzakonshme ndërveprimi  për studentët të cilët janë në rrugën e zhvillimit në karrierë si dhe mundësitë e punësimit duke u njohur më konkretisht me kërkesat në tregun e punës si dhe programe për studime ndërkombëtare.

UNI – Universum International College menaxhohet dhe fuqizohet nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i rankuar si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Bashkohuni me ne sot dhe filloni rrugën tuaj drejtë një të ardhmeje të ndritur nesër! Për më  shumë info. Kliko KETU.
Gjithashtu kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./ KultPlus.com