Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundi është paraqitë me një koncert recital edhe në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni, koncert që është mbajte para një audience të përzgjedhur, shkruan KultPlus.
Pianistja Elezi ka ndarë momente nga kjo mbrëmje pianistike, e cila ka shpjeguar se ky koncert ka ardh si rezultat i ftesës nga ana e Pawel Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë. Elezi në këtë mbrëmje është paraqite me vepra të njohura shqiptare, por edhe me vepra të Chopin.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lule Elezit.
Miq të dashur,
Me ftesë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë z. Pawel Michalak, kisha nderin e veçantë të mbajë koncert solistik në ambientet e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Łódź të Polonisë.
Në praninë e një publiku të mrekullueshëm performova vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në veçanti nga kompozitori romantik polak Frédéric Chopin , i cili njihet si “ Poet i pianos”.
Një falenderim të veçantë ia dedikoj Konsullit të nderit z. Pawel Michalak, dy shoqatave Poloni-Kosovë, me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni-Shqipëri, me kryetare Dorota Horodyska, të cilat inicuan në organizimin e koncertit.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë që erdhën nga Varshava në Łódź, gjatë performancës sime në koncert më dhanë emocione të veçanta dhe të paharruara./ KultPlus.com
Sot ekipi i aktorëve nga shfaqja “Mbretëreshat e klubit të natës” nga Shqipëria, kanë marrë pjesë në konferencën për media, për të ndarë detaje rreth asaj që publiku pritet ta shohin nga ora 20:00 në Teatrin Kamertal.
Në konferencë morën pjesë dy regjisorët e shfaqjes Lennart Boyd Schürmann “Bruch” dhe Klaudja Piroli, të cilët folën për përmbajtjen e shfaqjes e cila bazohet në Aleksander Moisiun dhe përpjekjet e tij në Shqipëri për ta rikrijuar vetveten si artist në një realitet që nuk e njeh.
Klaudja Piroli, u pyet për pritshmëritë që kanë rreth çmimeve në PITF, ku tha se këtë vit presin të kenë përfaqësim të denjë dhe të përcjellin te audienca atë që kanë dashur ta sjellin në këtë shfaqje.
Kurse Lennart Boyd Schürmann, e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen në këtë festival, duke thënë se deri tani ka marrë pjesë në festivale të shumta, por PITF del të jetë i jashtëzakonshëm si në pritje, organizim, aktorë, shfaqje dhe gjithçka tjetër.
Kurse mbrëmë, në këtë festival është prezantuar shfaqja nga Kroacia “Embers”, të cilët prezantuan një lojë mjaftë emocionuese për audeincën e Prishtinës./ KultPlus.com
Në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në kuadër të PITF është prezantuar shfaqja “Here, Kitty Kitty” nga Maqedonia e Veriut me regji të Filip Petkovski.
Kjo shfaqje që kishte një dinamikë të madhe të aktorëve në skenë ka sjell emocion te audienca, të cilët me tekst minimalist por me shumë skena vallëzimi kanë sjell një qasje më ndryshe për audiencën e këtij festivali.
Ndërkohë, sonte do të prezantohet trupa e Kroacisë, të cilët do të prezantohen me shfaqjen “Embers” me aktorët: Sinisa Popovic, Goran Grgic dhe Iva Mihalic. / KultPlus.com
Shkrimtarë nga vendi dhe bota në datë 24 maj, janë të mikpritur në Tiranë, nën Kujdesin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku edhe do të kenë përveç një tryeze letrare për fuqizimin e dialogut po ashtu edhe lexime në mjediset e Muzeut dhe ambientet e Selisë.
Dy qendrat shqiptare PEN Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë ceremoninë e Çmimeve PEN për letërsinë, si edhe do të nderojnë institucione dhe personalitete me Çertfikata të Mirënjohjes.
Me Çertifikatën mirënjohjes PEN do të nderohet Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributet në promovimin e dialogut, si edhe të mbështetjes që i ka dhënë kulturës shqiptare në Shqipëri, rajon dhe në botë.
Çertfikata mirënjohjes PEN për promovimin e trashëgimisë letrare, gjuhësore për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me vendin dhe botën por edhe për veprimtari të spikatura, do i jepet Muzeut Shtëpia Studio KADARE.
Laureat i Çmimit PEN në prozë për vitin 2024 është Ahmet Prençi me romanin ” Brenga e Prokurorit”
Laureat i Çmimit PEN në poezi për vitin 2024 është Milazim Krasniqi.
Gjatë datave 25-26 maj, Biblioteka Publike “Thimi Mitko” me mbështetjen e Bashkisë së Korçës dhe në bashkëpunim me PEN Albania do të mikpresë poetët shkrimtarët, gazetarët dhe studiuesit, pjesëmarrës të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët e Poezisë Korçare” në edicionin e 28-të të saj, në qytetin e Korçës.
Autorët nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Italia, Zvicra,Sllovenia, Turqia, Greqia, Franca, Irlanda e Maroku do të jenë në një program të organizuar për lexuesit dhe publikun shqiptar.
Besnik Mustafaj, Sadik Bejko, Aleksandër Çipa, Ahmet Prençi, Sali Bashota, Barbara Pogacnik, Marjana Gorczyca, Rafawl Newman, Flamur Shala, Liridon Mulaj e shumë autorë të tjerë do të jenë pjesë e festivalit dhe një agjende takimesh publike. Korça është qytet identifikues për kulturën, traditën, artin dhe poezinë lirike shqipe.
Qendrat PEN , në më 25 maj gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes solemne të festivalit do i ndajnë Zamira Kita, Çertifikatën e mirënjohjes për kontributin dhe punën e saj lidhur me artin, kulturën, dhe veçanërisht për promovimin e letërsisë shqipe përmes mjeshtërisë së teatrit.
Pema simbolike e poezisë këtë vit do të mbillet nga Prof. Dr. Sali Bashota, laureat i vitit 2024, në “Lëndinën e Poetëve” në bashtën “Vangjush Mio”, më 26 maj, në prezencën e autoriteteve lokale dhe mediave.
Në përmbylljen e natës finale do të ndahen Çmimet tradicionale të Netëve Korçare të Poezisë.
Këtë vit festivali u frymëzua nga nga vargjet e Asdrenit – Një Diell i Ri!
Ndërkaq risi është edhe botimi antologjik shqip – anglisht i të gjithë autorëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të autorëve.
Netët Korçare të Poezisë.
Më datën 27 maj, autorët nga vendi dhe bota do të jenë të mikpritur nga Bashkia Devoll, ku do të kenë një agjendë veprimtarish me lexime dedikuar Dritëro Agollit. Po ashtu do të kenë mundësinë të njihen me trashëgiminë dhe pasuritë natyrore të Devollit.
Ashtu siç edhe është në traditën e PEN – Bashkia Devoll do të ketë Çertifikatën e mirënjohjes PEN , për mbështetjen që autoritet e pushtetit lokal i japin promovimit të kulturës dhe letërsisë në veçanti.
Në të gjithë këtë veprimtari të festivalit Kryetarja e PEN për Shqipërinë , znj. Entela Kasi, dhe Kryetari i PEN Kosovës, z. Binak Kelmendi , do të jenë të pranishëm.
Të ftuarit nga vendi dhe bota janë Akomoduar në NanoBiofood Resort, në Komunën Petrelë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe traditës në Shqipëri./ KultPlus.com
Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që keni gjetur kohë të vini të merrni pjesë në këtë takim!
Falënderoj në radhë të parë mikun tim Lulzim Tafa, Lulin e Madh, që është ideator i këtij eventi: shpalljen time “Professor Honoris Causa” i Kolegjit AAB, nder që nuk ma ka bërë as Fakulteti në të cilin kam punuar dyzet vjet, dyzet e më shumë, e ku kam dalë në pension dhe, ç’është më me rëndësi, ku kam investuar aq shumë!
Nuk thuhet më kot: I nderuari të nderon!
Falënderoj Rektorin për fjalën e tij dhe ish-studentin e mikun tim Bedri Zyberaj, prorektoren Venera për moderimin dhe aktorët për deklamimin e vargjeve të mia.
Lidhjet e mia me këtë institucion janë të hershme. Në njëfarë dore, madje, do të mund të thuhej se unë jam bashkëthemelues i tij. Mendoj se është rasti të thuhet diç për fillimet e këtij institucioni.
Ishte viti 2001-2002. Në Kosovën e posaçliruar kishte shumë entuziazëm e iniciativa. Dy djem të rinj, Ilir Tafa dhe Bekim Mula, kishin një zyrë në afërsi të Fakultetit Filologjik dhe një ide në kokë: të themelonin një institucion privat të arsimit të lartë, një kolegj, me një degë të vetme: Moderator-prezantues dhe zëdhënës. Realiteti i ri në Kosovë e shtronte si nevojë një profil të tillë kuadrosh dhe ata, Iliri dhe Bekimi, e kishin hetuar këtë me intuitë.
Kërkuan ndihmën time dhe unë, natyrisht, iu gjeta pranë. Sa më kujtohet, në këtë proces kanë qenë të përfshirë që në fillim edhe dy vetë dhe unë që s’dua t’i mbes borxh askujt, nuk mund të mos i përmend: Bashkim Ramadani dhe Mimoza Doko, por unë isha i vetmi me gradë shkencore e titull “Profesor” dhe me përvojë të gjatë pune në Universitet.
U shpall konkursi dhe u bë provimi pranues. Interesimi nuk mungoi. Filloi puna. E quajtën AAB, me këto tri germa që i ka edhe sot si emblemë. Nga kjo bërthamë lindi gjiganti që është sot.
Në fillim, një vit a dy kemi mbajtur mësim, në Qendrën e Studentëve, pastaj në një shtëpi private në rrugën që çon për në Matiçan, te shkolla “Iliria”, ku më vonë u vendos Kolegji “Pjetër Budi”.
Një nga ata që jepte mësim në AAB ishte edhe aktori i njohur Adem Mikullovci. Një ditë Ademi, me natyrën e tij të drejtpërdrejtë, më tha: “O Agim, mos po i mashtrojmë këta të rinj?”. “Jo, Adem, i thashë, nuk e besoj, sepse këta djem e kanë seriozisht, kurse ne e bëjmë punën tonë ndershmërisht”.
Ky është, pak a shumë, raporti im me institucionin që po më nderon sot me titullin: “Profesor Nderi”, Kolegjin AAB, që sot ka dhjetëra fakultete, qindra profesorë dhe mijëra studentë, ndërkohë që në institucionet shtetërore, arsimore, informative dhe kulturore të Kosovës (dhe jo vetëm) punojnë shumë ish-studentë që kanë studiuar në këtë institucion, disa nga të cilët janë personalitete në fusha të ndryshme.
Pa dashur të shkoj më thellë në histori, sepse koha për të cilën po flas tashmë mund të quhet lirisht histori, nuk mund të mos theksoj edhe diçka.
Për kolegjet private flitet gjithçka, mirë e keq (më shumë keq se mirë), por unë mund t’ju them një gjë: gjatë atyre gjashtë viteve që kam dhënë mësim në AAB (2002-2008), mua, që njihem si profesor “i rreptë”, askush nuk më ka thënë:
“Profesor, zbute kriteriumin ose kaloje këtë kandidat!”. Jo. Në asnjë afat dhe në asnjërën lëndë.
E kam ligjëruar dy lëndë: Kulturë gjuhësore, në vitin e parë të studimeve dhe Qytetërim shqiptar, në të tretin, sepse studentët e Komunikimit masiv, si u quajt më vonë dega fillestare e këtij Kolegji, kishin shumë nevojë për zotërimin solid të gjuhës shqipe, veçanërisht të gjuhës standarde dhe për njohjen e qytetërimit shqiptar nga lashtësia e deri më sot. Puna e parë ishte, sigurisht, hartimi i silabusit e literaturës, pastaj leksionet, puna me studentë, në formë debati e ushtrimesh dhe, në fund, provimi, me test. (Ende i ruaj të gjitha testet dhe leksionet në kompjuterin tim).
Kështu gjashtë vjet, derisa ky institucion krijoi fizionominë e vet dhe u bë tërheqës edhe për të tjerë. Kur AAB-ja u afirmua, unë u tërhoqa për t’u bërë vend të tjerëve, duke vazhduar punën në Fakultetin tim në UP, që nuk e kisha ndërprerë, natyrisht, për asnjë çast.
As më vonë nuk i kam ndërprerë kontaktet me Kolegjin AAB dhe drejtuesit e tij, të cilët kanë ditur gjithmonë t’i nderojnë personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si Ismail Kadare, Rexhep Qosja e Adem Demaçi, por edhe të atyre nga rajoni, si poeti e intelektuali i madh malazias Jevrem Bërkoviqi dhe poeti e skenaristi i mirënjohur boshnjak Abdullah Sidrani; kam mbajtur fjalë rasti për “Bacën” dhe Profesor Qosjen dhe kam kryesuar Jurinë e Çmimit “Ali Podrimja” për Bërkoviqin, kurse jo më larg se dy muaj më parë, më 21 mars të këtij viti, kam qenë i ftuar nderi për Ditën e Poezisë, me ç’rast kam folur për poezinë si art dhe kam deklamuar vargje nga krijimtaria ime.
Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur t’u jap studentëve dije, kulturë dhe etos, i bindur se dija, kultura dhe karakteri janë tri komponente të domosdoshme për formimin e personalitetit të njeriut, veçanërisht të të rinjve, pa harruar kurrsesi as ndjenjën e dashurisë për Lirinë e Atdheun, për Të vërtetën dhe Të drejtën, vlera për të cilat, siç thoshte Volteri, e vlen të sakrifikohet edhe jeta.
Kam kërkuar nga studentët, por edhe u kam ofruar atyre, pa u kursyer, në çdo kohë, duke e konsideruar punën time më shumë se profesion. Nuk po them mision, sepse nuk i dua fjalët e mëdha e patetike, që në kohën tonë, mjerisht, shumë herë shpërdorohen.
Jemi në vitin 2024; Kolegji AAB është shndërruar, si thashë, në gjigant, kurse unë, profesori i dikurshëm jam tërhequr në kabinetin tim, duke u marrë me punën me të cilën jam marrë gjatë gjithë jetës, krijimtarinë letrare dhe duke endur tisin e kujtimeve, që janë pjesë e jetës së çdo njeriu dhe veçanërisht e krijuesve dhe poetëve.
Kam shumë kujtime, si t’i kisha një mijë vjet, thoshte poeti i madh frëng, gjeniu Artyr Rembo (Arthur Rimbaud).
Nuk di si ta mbylli ndryshe këtë fjalë timen, pos me një kujtim dhe disa vargje, që lidhen me punën time si profesor, me studentë, në auditor, por edhe me situatën nëpër të cilën kemi kaluar, të cilën, për hir të së ardhmes, nuk duhet harruar.
Ishte viti 1998, qershor. Mbaja provim me shkrim me studentët e mi të Letërsisë në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në periferi të Prishtinës. (Ishte koha e “sistemit paralel” dhe e “shtëpive shkolla”). I radhita studentët, ua dhashë temat; ata filluan punën, kurse unë endesha mes bankave. Vërejta se kishte rënë numri i studentëve në atë afat. Lufta në Kosovë kishte marrë hov, kurse rrugët e Kosovës ishin shndërruar në arenë ku maltretoheshin njerëzit, veçanërisht të rinjtë, nga cerberët me uniformë.
Aty më lindi ideja për poezinë, të cilën e shkrova në klasë duke huazuar një fletë nga studentja që ishte në bankë të parë. Titullohet: PROVIMI. “Salla gjysmë e zbrazët. Pak studentë./ Cerberë në postblloqe rrugës për Prishtinë./ Mungon Drenica e Dukagjini… / Tani atje jepet tjetër provim”. (Prishtinë, 21 qershor 1998).
Ky provim, i atdhedashurisë dhe i dashurisë për dijen, nuk merr fund kurrë, madje as pasi përfundon jeta jonë fizike mbi këtë tokë.
Edhe një herë: faleminderit AAB për nderimin dhe organizmin e kësaj ceremonie, kurse juve, të dashur miq dhe kolegë, për vëmendjen me të cilën më dëgjuat.
Mirupafshim në takime të tjera!
Prishtinë, 22 maj 2024
(Fjala e Profesor Agim Vincës në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Profesor Nderi – Professor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar AAB, mbajtur më 22 maj në mjediset e këtij Kolegji) / KultPlus.com
30 vjet më parë, një banor i Srebrenicës po e thërriste të birin me aq zë që kishte, për t’iu dorëzuar ushtarëve serbë sepse, siç citohet të ketë thënë ai, nuk do t’i bënin asgjë.
13 vjet më pas, më 2008 trupi i djalit të Ramos, Nerminit, u gjet së bashku me shumë trupa të tjerë të boshnjakëve të vrarë, në një varrezë masive.
E thirrja e mekur e këtij babai, në 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ishte gurëzuar në një skulpturë të punuar nga autori Mensud Keco.
Vepra paraqet thirrjen e Ramos, me plotë shpresë ndaj të birit, ani pse e dinte se po e sillte në duar të ushtarëve serbë.
Kjo ngjarje ka prekur zemrat e të shumtëve, andaj i është kushtuar edhe kjo vepër arti.
Ndryshe, 30 vjet më parë në Srebrenicë forcat serbe kishin ushtruar gjenocidin më të tmerrshëm që nga Lufta e Dytë Botërore në popullatën boshnjake, duke lënë mbi 8 mijë viktima. KultPlus.com
Ankandi do të fillojë më 25 maj dhe oferta për biblën personale të yllit Elvis Presley kap shifrën prej 30 mijë dollarëve, përcjellë KultPlus.
Është bërë e ditur se kjo bibël ka shumë nënvizime që janë bërë nga ylli botëror, sikurse që është edhe emri i tij i gravuar me ar “Elvis Aron Presley.
Bibla është një nga tri gjërat e Elvis që mbante në tryezën e tij./ KultPlus.com
Emni i lokalit asht shqip – “Hami e pimi” – sak shqip, në shqipen e moçme të cilën e mbartën me veti matanë detit arbnorët tanë – gjaku ynë i shprishun – arbnorët që e mbarten dhe e ruejten si nji thesar te paçmuem, si gjanë ma te vlertë të identitetit te tyne te patjetersueshem…Identitet qe e ruejten dhe e percollen si nji besim te dhanun prej Zotit…besim te cilin e mbajne dhe e shprehin pa asnji droje dhe pa asnji kompleks tue e shfaqun kudo…ne kuvend, ne toponime dhe emna sheshesh e rrugesh…e deri ne emna lokalesh si ky lokal ne katundin arbnesh me emnin shqip Çifti, (ne italisht Civita), katund i njoftun per bukurine qe e ka ba me u perfshi ne listen “Katundet ma te bukura te Italisë”,(Borghi più belli d’Italia)…emën krejt i shlirët, krejt shqip – “Hami e Pimi”…
Tue e pa këtë emën lokali ne katundin arbnesh Çifti të Kalabrisë nuk ke si mos me e çue mendjen te bregu matane, bregu ne Shqipni te cilit me mall i kendonin arbnoret – “O moj e bukura Arbëri”, bregut shqiptar perballe ne Shqipni ku lokalet nuk mbajne kesi emnash shqip…nuk ke si mos me e ndermendue bregun e Shqipnise ku emnat e lokaleve deshmojne vetem komplekse inferioriteti ose ma sakte vetë-inferiorizimi te skajshem dhe pa asnji nevoje sepse ma se pari nji lokal duhet me i dhane za vendit ku asht e së dyti nji lokal e ban me za gatimi me sherbimin dhe jo emni…por jo, ne Shqipni ende vazhdojne me pase kompleks veteinferiorizimin, minimalizimin e vlerave te veta dhe maksimalizimin e vlerave te hueja…dhe këtë gja ma se kjarti e deshmojne emnat e lokaleve, hoteleve,(rezorteve), ku nuk kanë mbetë kund pa u vendosë si emertime rropullina “fame” si emna politikanesh, muziktarësh pa lidhje me ne, sportiste, kercimtare, aktore te huej, spiune te famshem reale apo fiktivë si “Bond 007”, ase emna qytetesh mijera e mijera kilometra larg Shqipnisë, emna vendesh te pahijshne apo qendrash bixhozi…emna lokalesh tabelat e te cilave sistematikisht dhunojne hapsinat publike shqiptare tue shkaktue nji ndotje që do e kishim quejtë “ndotje toponimike”…/ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prizren Fest” zyrtarisht është bërë anëtare e European Festivals Association (EFA), shkruan KultPlus.
“Jemi të emocionuar dhe krenarë për këtë mundësi të mrekullueshme e cila do të jetë një mbështetje e madhe në përpjekjet tona artistike” ka thënë Shkëlzen Veseli, drejtor i këtij festivali.
Ndërkohë me anëtarësimin e këtij festivali në European Festivals Association janë anëtarësuar edhe 14 festivale të tjera nga shtete të ndryshme të Evropës./ KultPlus.com
Sonte në Teatrin AAB “Faruk Begolli” do mund të ndiqni shfaqjen “Here, Kitty Kitty” me regji të Filip Petkovski nga Maqedonia e Veriut. Kjo shfaqje do jetë pjesë e programit garues, ndërsa detajet rreth përmbajtjes së saj janë ndarë sot në konferencën për media.
Regjisori Filip Petkovski, i shoqëruar nga aktorët Vasil Zafirchev, Ana Jovanovska dhe Vedran Chesharek, thanë se presin së pari që publiku ta shijoj shfaqjen, pastaj të vlerësohen për punën që kanë bërë.
Ata shtuan se PITF është një mundësi ideale për ta të sjellin shfaqjen e tyre që qëndron jashtë teatrit tradicional, e cila përmban vallëzim, muzikë dhe këndim/ KultPlus.com
Kreatorja shqiptare e modës Krenare Rugova, ka ndarë me ndjekësit e saj lajmin se tashmë jo vetëm do të sjellë risi në fushën e krijimtarisë së veshjeve, por do të ndaj edhe sekretet e punës së suksesshme me kreatorët e rinj.
Duke filluar nga vjeshta e vitit 2024-2025 ajo do të japë mësim në lëndën “Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte” në Arizona State University.
“Jam e lumtur të njoftoj se duke filluar nga semestri vjeshtë ‘24/‘25, do të jap mësim në lëndën ‘Zhvillimi i Avancuar i Koleksionit në Institutin Herberger për Dizajn dhe Arte’ të Arizona State University US”, ka shkruar Rugova në postimin e ndarë në instagramin e saj.
Sonte, prej orës 19:00 do të shfaqet filmi dokumentar për Bekim Fehmiun në Beograd, përkatësisht në Festivalin Beldocs, festival që i dedikohet dokumentarëve, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali./ KultPlus.com
Në Teatrin Oda në Prishtinë, do të jepet premiera e shfaqjes më të re të Qendrës Multimedia, “Të bardhët”, e autorit amerikan Steven Leigh Morris, në regji të Besim Ugzmajli. Në shfaqje luajnë Shpetim Selmani, Verona Koxha e Bujar Ahmeti. ‘Të bardhët” është një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist e që shfaqet të premten, në ora 20:00, shkruan KultPlus.
Në një teatër gjysmë-profesional në Tulsa, Oklahoma, drejtori artistik i kahmotshëm i teatrit, Luis, është duke aktruar dhe bërë regjinë e “Mbretit Lir” të Shekspirit – një dramë që pak a shumë i ngjan “Cinderellas”, për një mbret që vendos të pensionohet dhe ua dhuron pronat dy prej tri të bijave të tij që ia plotësojnë dëshirat, sipas qejfit të tij.
Teksa të gjithë provojnë skena nga drama, ngriten dy çështje qendrore. E para, për shkak se për rolet e motrave dinake të Kordelias, Luis ka zgjedhur aktore me ngjyrë, ndërkohë që Kordelia e mirë është e bardhë, Luis kujtohet se shfaqja që do të mbetet si shenjë e punës së tij, shumë lehtë mund të interpretohet si racistë. A mund ta zëvendësojë Priscillën me një aktore me ngjyrë, pa rrezikuar që teatri i tij të konsiderohet si “i këndellur” në mes të një Shteti të Kuq. Dhe, si ballafaqohet Priscilla me mundësinë që të zëvendësohet nga një aktore tjetër për arsye plotësisht racore?
Edhe pse çështjet racore e gjinore që trajton kjo shfaqje janë të vendosura në një kontekst tjetër, atë amerikan, ato prap se prap reflektojnë edhe dinamikat shoqërore e politikat gjinore te ne. Kjo shfaqje vjen në një kohë kur, në një ambient konzervator e tradicionalist si ky i yni, diverziteti dhe konceptet e reja gjinore e seksuale janë duke u kuptuar e mbjell me frikë, e ku racizmi, i nxitur nga masmedia e rrjetet sociale, ka gjetur akoma më shumë teren për t’u forcuar e marr hov. ‘Drama amerikane e Oklahomës së largët, publikut te ne, në Kosovë, në Evropë, veç të tjerash, ia shtron edhe një pyetje sfiduese: në konkursin e radhës për drejtor të një teatri publik konkurron edhe një rom që ka shkollim superior dhe ka portofolion më impresive se sa dy kandidatët tjerë ‘evropian të bardhë’. Çfarë shancash ka kandidati romi në këtë garë?
Drejtor artistik i produksionit është Mentor Berisha, kostumografe: Njomza Luci, kompozitor: Memli Kelmendi, kurse dramën e ka përkthyer: Qerim Ondozi./ KultPlus.com
Edi Rama riktheu në kujtesë artistin që qëndron pas kryeministrit, me një ekspozitë të artit bashkëkohor, një shkulm befasues ngjyrash e formash, që përfshin punime në qeramike, murale e deri edhe qëndisma të realizuara mbi konceptin origjinal të tij.
Kreu i ekzekutivit i rikthehet bashkëpunimit me galerinë prestigjioze “Marian Goodman”, këtë herë në degën e saj në Paris. Jo më larg se në muajin shtator, Rama pati rrëfyer në podcastin e tij “Flasim” sesi kishte bashkëpunuar në 2016-tën me “Marian Goodman” në New York.
Një përfaqësues i galerisë së famshme të artiti kontemporan e kishte kontaktuar, dhe ai kishte menduar fillimisht se mund të bëhej fjalë për një shaka. Por tani, ekspozon sërish për të, këtë radhë në kryeqendrën e rëndësishme të kulturës botërore, duke dëshmuar edhe këtë herë se po me aq lehtësi sa ç’mban në dorë penën e politikanit, mban dhe lapsin e artistit.
Marsin e vitit të kaluar, kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë, Greqi me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit e nga personalitete të larta të politikës greke.
Në këtë mënyrë, shefi i ekzekutivit shton listën e ekspozitave të tij mbresëlënëse, si vazhdë e pjesëmarrjes në 2017-tën në ekspozitën kryesore Viva Arte Viva të Bienales së 57-të të Venecias, në 2018 ekspozoi në Kunsthalle në Rostock të Gjermanisë, ndërsa punimet e tij janë prezantuar gjithashtu në Art Basel dhe Artissima./top channel/ KultPlus.com
Të bukura janë poezitë e botës, gjithë mister si sy dashurie. Por kur lexon poeti i Kosovës loti rrjedh e përndriten hijet.
Të çuditshme janë poezitë e botës, si ashensorë të çojnë nëpër yje. Por kur lexon poeti i Kosovës ferri tronditet, portat Skee* thyhen.
Paradokse janë poezitë e botës, kollona ajri tempujsh t’vërtetë. Por kur lexon poeti i Kosovës, ujvara Agimesh derdhen mbi jetë.
Alvito, 28…
———————————————————
*) Portat Skee janë portat monunentale të qytetit mitik të Trojës homerike, ndanë tyre u bënë betejat më të rëndësishme…
***
Poezia u shkruajt në Takimin Ndërkombëtar të Poezisë në Alvito në Itali, kur po lexonte Agim Vinca dhe është e përfshirë në librin: Visar Zhiti – “Si shkohet në Kosovë”, Botimet Toena, Tiranë 2000 dhe ribotimi me shtesa “Si është Kosova”, Botimet Buzuku,Prishtinë 2014.
Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë gati për edicionin e radhës së Panairit të Librit në Prishtinë, dhe se në këtë vit do të prezantohen rreth 100 shtëpi botuese me rreth 2 mijë botues, shkruan KultPlus.
Poashtu është bërë e ditur se në këtë vit do të shënohet 100 vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100 vjetori i vdekjes së Franz Kafkës, sikurse që do të bëhet botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosës.
Ndërkohë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës lidhur me këtë ngjarje.
PANAIRI I 24-T I LIBRIT “PRISHTINA 2024”
Kemi filluar tashmë numërimin mbrapsht deri në ditën kur të gjithë pasionantët e librit takohen në kryengjarjen e fushës së librit: Më 5 qershor, çel dyert Panairi i 24-t i Librit “Prishtina 2024”!!!
Me moton “Përgjigjja është libri” vjen edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00.
Hyrja për vizitorë: pa pagesë!
Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit
– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas
Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
– I ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots
– Botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.
Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./ KultPlus.com
Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.
Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.
“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.
Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.
Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.
Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.
“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.
Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.
Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.
Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com
Në ditën e tretë të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024, do luhet shfaqja “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrimi Koliqit, ndërsa paraprakisht u mbajt konferenca për media ku mori pjesë edhe aktorja Ilire Vinca.
Regjisori Kushtrim Koliqi, foli për shfaqjen e cila trajton një temë shumë të ndjeshme për shoqërinë kosovare, atë të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Me këtë shfaqje kemi marrë pjesë në festivale të shumta dhe ajo trajton temën me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Shfaqja flet për personat që na mungojnë dhe nuk duam të besojmë që na mungojnë”, u shpreh Koliqi.
Ai foli edhe për programin e PITF 2024, ku tha se ishte një nga arsyet kryesore dhe bindëse për të marrë pjesë në festival.
Ndërsa aktorja Ilire Vinca, në lidhje me temën e shfaqjes tha se paraqet “dhimbjen njerëzore që duhet ta përtypim çdo ditë dhe t’iu japim zë”.
“Të gjithë ne si ekip e kemi kuptuar rëndësinë dhe dëshirën tonë se si duam ta trajtojmë këtë temë. Ka qenë një rrugëtim fantastik sa i përket artit tonë, gjithashtu një rrugëtim i dhimbshëm sepse kemi përtypur bashkë dhimbjen tonë”, tha Vinca.
Shfaqja “Babai dhe Babai” jepet sonte në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është nderuar me çmimin “Karneval Der Kulturen 2024- Berlin”, në Karnevalin e Berlinit që është mbajtë së fundi, shkruan KultPlus.
Për këtë sukses ka njoftuar drejtori i këtij ansambli, Ylber Asllanaj i cili ka shpjeguar se ky çmim i është dhënë në kategorinë e Valles dhe Muzikës. Ansambli “Shota” ka perfomruar me koreografinë “Festa e Bashkimit” nga mjeshtri Fehmi Shaqiri, me muzikë të Ylber Asllanaj, përpunim i motiveve të këngës “Xhamadani vija-vija”. / KultPlus.com
Janë bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e ditëve të kulturës kroate në Kosovë, e që krejt aktiviteti është mbërthyer nën sloganin “Ktheje ka Zagrebi”, e që po organizohet nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.
Krejt ky organizim do të nisë më 27 maj dhe do të zgjasë deri më 31 maj.
Tashmë është bërë publike programi i këtij eventi kulturor që synon të jetë tradicional, duke përfshirë mbrëmje letrare, shfaqje të filmave, mbrëmje muzikore…
KultPlus ju sjell të plotë programin e këtij eventi kulturor që do të shtrihet në disa lokacione duke përfshirë: Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Qendrën Kulturore “KultPlus Caffe Gallery”, Kino Armata, Kolegji AAB…/ KultPlus.com
Dy shfaqje mysafire kanë shënuar mbrëmjen e dytë të PITF 2024, të cilat kanë dhënë një emocion për audiencën e këtij festivali që po mbahet në AAB, përkatësisht në Teatrin: Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Feral womxn” nga Gjermania me regjisore dhe aktore Jemima Rose Dean
fliste për fuqinë e gruas, në veçanti në shoqëritë kapitaliste mbërtheu publikun deri në momentet e fundit, për të parë se si trajtohej me mjeshtri nga aktorja Dean.
Publiku mirëpriti ngrohtë aktoren dhe duartrokiti atë për energjinë e sjell në skenë gjatë një ore shfaqje.
Kurse shfaqja “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës mahnit publikun në natën e dytë të PITF 2024.
Aktorët Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Lum Veseli, kanë mahnitur publikun me performancën e tyre në Prishtina International Theater Festival, me shfaqjen “Bretkosa”, me regji të Burbuqe Berishës.
Shfaqja “Bretkosa” ka si temë kryesore vetminë, një njeri të vetmuar në një hapësirë të madhe urbane siç është Prishtina, i cili në disa versione të ndryshme ka ndryshime të tipit të karakterit.
Kurse sonte, në kuadër të këtij festivali do të shfaqet shfaqja “Babai dhe babai” me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqje që është në konkurrencë zyrtare në këtë festival./ KultPlus.com
Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.
Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.
“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.
Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.
Filmi është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.
“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.
Filmi në Cannes do të prezantohet më 24 maj, në ora 11:00 dhe është në garë për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. / KultPlus.com
(Pas pritjes entuziaste që ka patur botimi në Francë dhe në Gjermani, romani “Një Sagë e vogël” i Besnik Mustafaj ka ngjallur edhe vëmendjen e kritikës letrare italiane. Po sjellim artikullin që kritiku i njohur Alessandro Gnocchi i kushton. “Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria.” Kështu shprehet Alessandro Gnocchi.)
“Një sagë e vogël” (shqip Toena 2017; italisht Castelvecchi 2018) e Besnik Mustafaj, shkrimtar dhe ish – ministër shqiptar është një roman që të mbetet gjatë në mendje.
Burgjet janë ato të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Fati i të burgosurve duket si i lidhur me fundin e tyre pas hekurave apo në kryqëzimin e jetëve të tyre me të dënuarit e tjerë. Ka edhe diça arkaike, ritual e popullore në të. Diçka që zbardh historinë edhe pse e rikrijon atë. Ndyshe nuk do të ishte një sagë. Kapitulli i gjatë qendror është edhe ai më i rëndësishmi i librit ashtu si edhe një moment i vërtetë shokues për lexuesin. I dënuari fiton mundësinë për të kaluar një natë me të shoqen në mjediset e brendëshme të burgut. Në mënyrë që të mos rrezikonte mohimin e kësaj mundësie aq shumë të pritur, ai i nënshtrohet çdo lloj detyrimi. Për javë të tëra ëndërron vetëm puthjet dhe përqafimet e së shoqes. Ai, përherë një karakter i mbyllur dhe introvert, kësaj radhe do i tregojë asaj që ka ndryshuar dhe më në fund do i thotë se sa shumë e dashuron. Por kur më në fund afron nata e shumëpritur, të dënuarit i vjen dyshimi se dikush kërkon ta kapë gafil të shoqen dhe do ta fusë në një qeli. Fatkeqësisht këtë dyshim të tij nuk mund t’ia shprehë gruas. Në këtë mënyrë nata e dashurisë kthehet në një natë dhimbjeje. Ai nuk mund të flasë. Ajo nuk mund të kuptojë. Ai nuk e lë veten të lirë. Ajo ndihet e refuzuar. Më në fund vjen agimi si një shpëtim për të dy.
Kjo pjesë e librit vendoset si një element krahasimi për këdo që do të kuptojë se si totalitarizmi futet thellë në mendjet e njerëzve, për t’i ndryshuar ata me qëllimin për t’i shkatërruar përfundimisht. Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), por me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndër mend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. “Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria.
Gjatë leximit të këtij libri kuptohet se sa e panjohur është për ne, italianët, historia e Shqipërisë. Sigurisht që kanë mbaruar kohët kur fqinjët tanë vinin të kërkonin fatin e tyre në Itali. Sot Shqipëria është një vend që paraqet shumë risi, kryesisht në fushën turistike. Kujtesa e fashizmit është ende e gjallë për shqiptarët: është një prej kapitujve të sagës së tyre të burgimit./ KultPlus.com