Mbrëmë janë ndarë çmimet në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, ku aktorja Edona Reshitaj është shpallë aktorja më e mirë e këtij festivali, shkruan KultPlus.
Emocionet për këtë çmim i ka ndarë edhe vet aktorja, e cila është shprehur të jetë emocionuar për këtë vlerësim nga ana e jurisë profesionale, çmim që i është dhënë për rolin e saj në shfaqjen “Gadjo”.
Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Edona Reshitaj.
Mbrame ne Tiranë, m’u nda çmimi AKTORJA MË E MIRË, ne Festivalin Shqiptar te Teatrit “MOISIU”, me rolin tim ne shfaqjen “GADJO”.
Me emocionoi sigurisht, ashtu siç me emocionon ky rol, sa here qe e luaj. Mbetet nje prej roleve te mija shume te veçanta, teper te ndjeshme dhe shume dimensionale.
Faleminderit jurise per vleresimin, Festivalit per mikepritjen, publikut per duartrokitjet e pafundme dhe te gjithe juve qe personalisht me keni shtrengu n’gjoks me perqafime te ngrohta
Sapo është publikuar libri “Plagët e Luftës” nga Flamur Maloku, libër ky me poezi i cili ka bërë bashkë disa poetë shqiptarë të cilët kanë shkruar për dhimbjen e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell edhe parathënien e këtij libri që poashtu është përgatitë nga Flamur Maloku, i cili i mundëson lexuesit që të njoftohet në pika të shkurtra se në çfarë ujëra letrare është krijuar ky libër.
Plagët e Kosovës, të popullit shqiptar të saj, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme. Dërrmuese. Gjurmët e tyre janë sot kudo në Kosovë. I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që nuk ka një plagë të luftës. Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara. Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme.
Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar. Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike.
Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët e Kosovës. Fragment nga parathënia./ KultPlus.com
Sopranoja kosovare sonte do të debutojë në rolin e Tatyana në operën “Eugene Oneigin” të Pushkin, dhe kjo shfaqje operistike po prezantohet në kuadër të edicionit të 53 të Operës dhe Baletit “Fobi” në Bullgari, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje operistike që është punuar nga regjisori Slavcho Nikolov e dirigjent Ivaylo Krinchev sipas sopranos Llugiqi ka qenë shumë sfiduese, duke pas parasysh edhe formatin e një kryevepre të tillë.
“Një kryevepër e tillë ka kërkuar shumë kohë dhe përkushtim dhe ka qenë mjaftë sfiduese”, ka thënë Llugiqi e cila ka shtuar se sfidat rreth këtij projekti kanë vazhduar deri në momentet e fundit, kur edhe po bëhen gati për prezantim.
“Sfidë tjetër ishte edhe gjuha, gjuha ruse, por një sfidë e bukur që po kurorëzohet me sukses”, ka thënë Llugiqi e cila është shprehur të jetë e lumtur edhe për kastën e kësaj shfaqje, pasi që sipas saj kasta e kësaj shfaqje është shumë e mrekullueshme. “Besoj që sonte do të festojmë të gjithë për suksesin e kësaj shfaqje”, ka përfunduar Llugiqi./ KultPlus.com
Një Boeing 737 MAX do të fluturojë përmes Meksikës dhe përtej kufijve të saj, duke e çuar artin në lartësi të reja.
Kjo është pjesë e ekspozitës së Petrit Halilaj: RUNIK, e cila do të jetë e pranishme në Muzeun Tamayo, shkruan insiderlatam.com, transmeton klankosova.tv.
Aeroméxico, në aleancë me Muzeun Tamayo, shpall një bashkëpunim emocionues që bashkon artin dhe aviacionin për të sjellë ngjyra dhe kreativitet në qiell, në kuadër të ekspozitës Petrit Halilaj: RUNIK.
Si pjesë e këtij kontributi të vlefshëm kulturor, linja ajrore ka përdorur një nga avionët më modernë dhe më efikasë në industri, një Boeing 737 MAX për të çuar artin në lartësi të reja.
Një pulë është paraqitur në trupin e avionit si një metaforë që na fton të reflektojmë për lirinë dhe të ardhmen pa barriera, duke marrë si simbol fluturimin e zogjve; mban edhe legjendën “Nga Runiku me dashni!”.
Imazhi ka qenë i pranishëm në avion që prej 15 nëntorit dhe do të qëndrojë deri në fillim të vitit të ardhshëm;
Fluturimi i tij i parë ishte në linjën Mexico City – Kankun dhe në ditët në vijim do të përshkojë destinacione brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita e përkohshme Petrit Halilaj: RUNIK mund të vizitohet nga data 23 nëntor deri më 7 prill 2024 në ambientet 1 dhe 2 të Muzeut Tamayo të Meksiko City.
Objektivi i këtij bashkimi është ndërtimi i urave përmes artit dhe veçanërisht lidhja me artin bashkëkohor. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Takimi ndërkulturor letrar që tashmë ka filluar në disa komuna, në këtë të shtunë do të mbahet në Pejë, përkatësisht në Sallën e Bardhë të Hotel Dukagjinit duke filluar në ora 12:00, shkruan KultPlus.
Elvi Sidheri me romanin “Hemisferat e Serenës”, Nedjeljko Spilek me librin “Grad Dusa- Qyteti i Shpirtrave”, Marc Perry me librin e tij “War in theri own words”, i cili në botimin shqip është me titullin “Lufta me fjalët e tyre”, libër i cili është me dokumente të porsa deklasifikuara britanike lidhur me bombardimet e NATO ndaj regjimit të Millosheviçit në 1999, si dhe Bekim Shala me librin e tij futuristik kanunor “Kush e solli Çetinën?”./ KultPlus.com
Poeti i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa, këto ditë, nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, është dekoruar me urdhrin e lartë të këtij vendi “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është Dekorata më e lartë që deri më tash i është dhënë ndonjë shkrimtari a artisti në Kosovë.
Me këtë rast PEN Qendra e Kosovës e uron Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e falënderon Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj Dekorate.
PEN Qendra e falënderon Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi./ KultPlus.com
Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.
“Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.
Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes. Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën.
Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.
Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.
Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.
Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë. /KultPlus.com
Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Komunën e Malishevës ka organizuar edicionin e parë të konkursit ndërkombëtarë të poezisë, ku fitues i vendit të parë të këtij edicioni është shpallë poeti kroat Nedjeljko Spilek, i cili poashtu është edhe diplomat i Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.
“We are alone again” është poezia fituese e Spilek, e cila është vlerësuar nga juria në përbërje të: Hana Bytyqi, Fadil Javori, Izet Sjala, Alessandro Villa e Irma Kurti.
Në këtë edicion ka pas disa kategori: e fëmijëve me karakter komunal, për nxënësit e shkollave të mesme poashtu me karakter komunal, kategoria e poetëve kombëtar dhe kategoria kryesore ajo e poetëve ndërkombëtarë. / KultPlus.com
Ndërtesa e United Colors of Benetton të cilën e shihni duke ecur në Prishtinë njihej me emrin ‘’Hotel Unioni’’.
Kjo ndërtesë fillimisht e quajtur ‘’Skanderbeg’’ u ndërtua në vitin 1927 dhe u përdor si bujtinë deri më 1945 kur edhe iu ndërrua emri në “Hotel Union”. Objekti u ndërtuar nën mbikëqyrjen e arkitektit austriak, Andija Kremer.
Komuna e Prishtinës, në vitin 2008, njoftoi se kishte për qëllim rrafshimin e këtij objekti, nën pretekstin se nuk zotëronte asnjë vlerë të rëndësishme arkitektonike dhe në mënyrë që të hapet rruga për bulevardin e ri ‘’Ibrahim Rugova’’, që do të ndërtohej.
Mirëpo, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës pati shprehur rekomandimin e vet për restaurimin e menjëhershëm të tij. Gjendja e objektit ishte përkeqësuar edhe më shumë, kur aty kishte rënë një zjarr në vitin 2009, veprim për të cilin ishte arrestuar një i pastrehë, nën dyshimin e kryerjes së këtij akti.
Në vitin 2010, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore njoftoi për marrëveshjen me kompaninë italiane të modës ‘’The United Colors of Benetton’’ për të rivendosur objektin në gjendje sa më të afërt me gjendjen origjinale të tij.
Fotografia: Bujar Gashi
Pas përfundimit të punëve në restaurim, në vitin 2013 ‘’United Colors of Benetton’’ inauguroi një hapësirë 2.000 metrash katrorë në objektin e ish-hotel Skanderbeg./ KultPlus.com
Ministri Liburn Aliu njofton se hekurudha Prishtinë- Durrës po bëhet
Ministri Liburn Aliu sapo ka njoftuar se ka filluar puna për hekurudhën Prishtinë- Durrës, shkruan KultPlus.
Sipas këtij njoftimi është thënë se tashmë është shpallur kompania fituese për studimin e fizibilitetit për realizimin e kësaj linje të rëndësishme hekurudhore./ KultPlus.com
KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka shprehur se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.
Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa'”.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. Thirrja mbetet e hapur deri më 26 nëntor 2023 në ora 23:59. Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e gjashtë./ KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës fillon organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore do të mbahet nga data 6 nëntor, deri më 10 nëntor në KultPlus Caffe Galery.
Gjatë kësaj jave kulturore do të mbahen pesë mbrëmje me trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.
Sot në ditën e parë të javës kulturore, do të trajtohen tri tema me interes për opinionin.
Tema e parë është “Prishtina, qendër administrative kulturore”, për të cilën do të flasë Dr. Jusuf Osmani.
Dr. Floriana Jerliu për temë ka “Prishtina-Arkitektura e qytetit”, ndërsa Dr. Artan Krasniqi do ta trajtojë temën: “Kultura zejtare e qytetit”.
Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Getta Beqa ka shënuar një sukës të madh në kampionatin Botëror të Bodybuilding-ut që është mbajtë në Spanjë, e cila është vlerësuar me medlaje të artë, shkruan KultPlus.
Për këtë fitore ka njoftuar edhe faqja zyrtare e Komitetit Olimpik të Shqipërisë, ku Getta Beqa në këtë garë ka përfaqësuar Shqipërinë.
“Shqipëria e përmbyll me fitore pjesëmarrjen në kampionatin Botëror të Bodybuilding-ut në Spanjë. Kampionia Gentiana Beqa u konfirmua si më e mira në kategorinë “Ëomen’s Ëellness -163cm”, është shkruar në faqen zyrtare.
Getta Beqa ka shumë tituj në gara të ndryshme ndërkombëtare, e cila ka triumfuar në kategorinë për të cilën edhe ka garuar./ KultPlus.com
Të enjten, në orën 19.00, më 9 nëntor, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, do të mbahet takimi përkujtimor kushtuar 85 vjetorit të Kristallnacht, kur do të fillonin përndjekjet naziste kundër hebrenjve në Rajhun e Tretë gjerman, përmes promovimit të librit bestseller mbarëbotëror, të përkthyer në dyzet gjuhë anembanë globit (përfshirë botimin në shqip, me përkthim të Elvi Sidherit, nga Botimet JETA, Prishtinë), pas botimit në vitin 2020, “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, të autorit Eddie Jaku, të mbijetuarit nga kampet e shfarosjes naziste të Buchenwald-it dhe Auschwitz, pasi nazistët e patën arrestuar pikërisht në natën famëkeqe të Kristalnacht, në datën 9 nëntor të vitit 1938.
Eddie Jaku do t’u mbijetojë tërë përndjekjeve, torturave, maktheve dhe vdekjes së sigurt nga nazistët gjer në fund të llahtarit nazist, kur arratiset edhe nga marshimi i fundit i vdekjes. Pas mërgimit në Australi në vitin 1950, bashkë me të shoqen, një grua me prejardhje sefardite nga Selaniku, Eddie Jaku mbas disa dhjetëvjeçarësh, do të fillojë të flasë për të shkuarën e tij traumatike gjatë nazizmit, gjersa do të shndërrohet në njërin ndër themeluesit e Muzeut Hebraik të Sidnejit në Australi.
Libri “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, do të shkruhej nga Eddie Jaku në moshën 100 vjeçare, në vitin 2020, për t’ia lënë njerëzimit kujtimet dhe përvojat e tij, sa të dhimbshme, aq edhe të vyera nga Holokausti, ndërsa ai ndërron jetë në vitin 2021, pas botimit dhe suksesit planetar të këtij libri.
Në promovimin e këtij libri, do të jetë i pranishëm edhe përkthyesi i tij në shqip, Elvi Sidheri, ndërsa të pranishmit do të kenë rastin të shfletojnë këtë libër kaq të çmuar, duke bashkëbiseduar për Kristallnacht, Holokaustin dhe Eddie Jaku-n, e librin e tij, NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË./ KultPlus.com
“Prishtina e Artit dhe Kulturës” është java kulturore e Pen Qendrës së Kosovës që do të organizohet prej 6-të deri më 10 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, javë kulturore që është mbështetë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.
Në kuadër të kësaj jave kulturore do të diskutohet në shumë segmente të zhvillimit të artit dhe kulturës në Komunën e Prishtinës, duke përfshirë shkrimtarët, artistët, arkitekturën, filmin, trashëgiminë dhe fusha të tjera, të cilat do të paraqiten nga panelistë të njohur në fushat përkatëse.
Pen Qendra e Kosovës ka njoftuar se panelistë të këtyre mbrëmjeve do të jenë në këtë përbërje: Jusuf Osmani, Florina Jerliu, Avni Spahiu, Binak Kelmendi, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Dije Demiri-Frangu, Sami Piraj, Sali Bashota, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Ardiana Pajaziti dhe Artan Krasniqi.
Të gjitha mbrëmjet do të mbahen prej orës 17:00 në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com
Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte ka reaguar pas djegies së shtëpisë së vjetër në Mitrovicë, shtëpi që ishte nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku ka thënë se ata që tentuan të zhdukin gjurmët e trashëgimisë kulturore nuk do t’ia dalin, pasi që sipas tij, shtëpia do të restaurohet.
Barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre
Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë.
Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX.
Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën.
Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.
Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura./ KultPlus.com
“Hello” e një niveli tjetër! Adele u shfaq në aktivitetin e saj të fundjavës “Weekends with Adele residency” në Las Vegas kur një e papritur i ndodhi në mes të këngës “When we were young”.
Teksa ishte duke performuar, Adele dalloi në mes të të pranishmëve mjekun obstetër-gjinekolog me të cilin lindi djalin në vitin 2012-të.
Një videon e shpërndarë në rrjetet sociale, shihet Adele duke ecur në mes njerëzve, e teksa këndon në mikrofon dëgjohen fjalët: “Oh Zot, Colin”. Pasi përqafoi mjekun, ajo e emocionuar i thotë të pranishmëve: “Ky është doktori që asistoi lindjen e fëmijës tim. Nuk e kam parë prej vitesh.”
Këngëtarja u trondit aq shumë nga takimi saqë i kërkoi falje publikut, duke i pyetur nëse ata do mund ta përfundonin këngën për të.
Adele e veshur si Morticia Adams, personazhi i famshëm i “Addam’s Family” i tha mjekut LIVE se ishte e dëshpëruar për një fëmijë tjetër.
Kujtojmë që ajo është nënë e një djali 11-vjeçar që quhet Angelo dhe ka lindur nga martesa me ish-in, Simon Konecki.
Nuk janë të rralla rastet kur këngëtarja ndërpret koncertet për arsye nga më të ndryshmet.
Në gusht të këtij viti, Adele u emocionua pasi ndihmoi një çift të pranishëm në koncert të zbulonin gjininë e foshnjës së tyre. Ajo hapi zarfin dhe zbuloi se ata do të bëheshin me djalë.
Një dhomë e fshehur prej kohësh në Muzeun “Cappelle Medicee” në Firence, ku Mikelanxhelo thuhet se është fshehur në vitin 1530 do të hapet së shpejti për publikun.
Muret e kësaj dhome janë vizatuar nga mjeshtri italian i Rilindjes kur ai po përpiqej t’i shmangej dënimit me vdekje të urdhëruar nga Papa Klementi VII në mes të mosmarrëveshjeve të tij me familjen e fuqishme Medici të cilët ishin për pjesën më të madhe të jetës së tij sundimtarët e qytetit të tij të lindjes, Firence.
Ekzistenca e vizatimeve me qymyr dhe shkumës mbeti e panjohur deri në vitin 1975 kur Paolo Dal Poggetto, atëherë drejtori i një nga pesë muzeve që përbë Muzeun Bargello, po kërkonte një hapësirë të përshtatshme për të krijuar një dalje të re për muzeun.
Ai gjeti një derë kurth nën një gardërobë që të çonte në dhomën 10 metra të gjatë dhe tre metra të gjerë.
Deri më tani, dhoma, e cila hapet për publikun më 15 Nëntor, ishte kryesisht e aksesueshme vetëm për studiuesit e artit.
“Edhe pse kam qenë në dhomë kaq shumë herë, unë jam ende e mahnitur nga këto vizatime magjepsëse ,” shprehet Paola D’Agostino, drejtoresha e Muzeut Kombetar Bargello që shpreson që ‘dhoma sekrete’ të tërheqë sa më shumë vizitorë.
Pak njerëz në art mund të thonë se karriera e tyre ka qenë aq e larmishme sa ajo e Roy Horovitz. Një personazh i njohur në skenën kulturore izraelite, ai ka disa tituj dhe kapele, duke përfshirë atë të aktorit, regjisorit dhe shkrimtarit, përveçse është profesor i respektuar në Departamentin e Letërsisë Krahasuese në Universitetin Bar-Ilan.
Dr. Horovitz eksploron sferat e teatrit dhe kinemasë në një intervistë me KultPlus, duke demonstruar potencialin transformues të artit. Një dashuri e përjetshme për teatrin, e cila lindi natyrshëm
Si fëmijë, ai filloi një rrugë pa mendur shumë, që e çoi në mësimet e dramës, fillimisht i frymëzuar nga një shok i cili e ftoi atë të bashkohet me këto mësime. Por ajo që filloi si një takim i rastësishëm me klasat e dramës do të formësonte përfundimisht identitetin e tij artistik.
Një nga momentet kryesore në ekspozimin e tij të hershëm teatror ishte takimi me veprat e Hanoch Levin, një personazh i famshëm në teatrin izraelit i njohur si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar. “Unë mendoj se ai është personi më i rëndësishëm i teatrit izraelit që kemi pasur ndonjëherë,” reflekton Dr. Horovitz. Shfaqjet dhe produksionet e Levin lanë një gjurmë të pashlyeshme në artistin e ri, duke hedhur themelet për përfshirjen e tij të ardhshme në botën e teatrit.
Nga aktor në një regjisor të njohur
Karrierën e tij, Dr. Horovitz e filloi si një aktor, megjithatë ai shpejt kuptoi se pasioni i tij shtrihej përtej kufijve të një personazhi të vetëm.
“Unë mendoj se si aktor, ju fokusoheni në një pikë të vetme”, u shpreh ai. Kërkimi i tij për një perspektivë më të gjerë e çoi atë në një dimension tjetër, atë të regjisë, një rol ku ndihej më shumë si në shtëpinë e tij.
“Mendoj se jam regjisor shumë më i mirë se vetë aktor”, rrëfen ai. Ky tranzicion shënoi një kthesë të rëndësishme në karrierën e tij artistike.
Promovimi i Teatrit izraelit në mbarë botën
Përkushtimi i Dr. Horovitz për botën e teatrit shtrihet shumë përtej skenës. Ai është në një mision për të prezantuar teatrin izraelit para audiencës globale, duke larguar keqkuptimin se Izraeli është thjesht një pikë e nxehtë politike. “Jo shumë njerëz e dinë se Izraeli është me të vërtetë një perandori teatrale,” shton ai. “Unë po flas se teatri që bëhet në Izrael është njëri nga më të mirët globalisht”.
Teatri izraelit ka përjetuar rritje eksponenciale vitet e fundit dhe Dr. Horovitz është një forcë shtytëse pas njohjes së tij ndërkombëtare. Me një skenë teatrore lokale të gjallë që mburret me shkallën më të lartë të teatrove në nivel global, kontributet kulturore të Izraelit janë të pjekura për vlerësim global.
Teatri si një urë ndërmjet kulturave
Vizita e parë e Roy Horovitz në skenën teatrore të Kosovës ishte në vitin 2022, kur ai qe i ftuar nga dramaturgu Jeton Neziraj, që të marr pjesë në eventin e njohur tashmë, “Kosovo Showcase”, duke treguar edhe një herë tjetër një shembull se si artet mund të kapërcejnë ndarjet kulturore. Njohuritë e tij fillestare për Kosovën ishin të dominuara nga lufta dhe okupimi. Megjithatë, pjesëmarrja e tij në “Kosova Showcase” i tejkaloi këto paragjykime, duke zbuluar një skenë të lulëzuar kulturore që sfidon pritshmëritë e zakonshme.
“Ajo që më foli me të vërtetë ishte fakti se në edicionin e vitit të kaluar të “Kosovo Showcase”, ju e përfshitë edhe një shfaqje nga Serbia,” thotë Dr. Horovitz. Guximi për të nxitur lidhjet artistike midis kombeve me histori komplekse e goditi atë.
Ai sheh paralele mes Kosovës dhe Izraelit, duke njohur historitë e tyre të përbashkëta të fatkeqësive dhe fuqinë e artit për të shëruar plagët.
Lufta nga këndvështrimi i një artisti
Roy Horovitz foli edhe për luftën e cila po ndodhë në Izrael dhe Palestinë. “Unë mendoj se njerëzit në përgjithësi janë më të mirë sesa udhëheqësit e një shteti. Ai tregon se vetë njerëzit dëshirojnë paqen dhe unitetin më shumë sesa liderët politikë që i përfaqësojnë këta të fundit.
“Nuk më pëlqen shumë qeveria që kemi tani. Dhe mendoj se njerëzit meritojnë liderë më të mirë në të dyja palët, absolutisht. Së fundi, kur na vizitoi presidenti Joe Biden, pasi mbajti fjalimin e tij mbështetës, njerëzit u mahnitën. Ai tha se kjo nuk është një luftë midis Izraelit dhe Palestinës, por është një luftë midis Izraelit dhe terroristëve. Njerëzit vazhduan të më dërgonin këtë duke thënë se a mund të fliste dikush me të dhe t’ia parashtronte idenë që Izraeli të jetë shteti i 51-të i ShBA-së”, thotë ai.
Ngjashmëritë mes Kosovës dhe Izraelit
Horovitz nënvizon disa ngjashmëri mes Kosovës dhe Izraelit, duke thënë se të dy rajonet janë trajtuar me histori dhe konflikte në të kaluarën.
“Ata kanë treguar guxim dhe sinqeritet në përballjen me traumat e tyre të së kaluarës. Përveç kësaj, gjatë kohërave të konfliktit, artet mund të errësohen nga krizat humanitare, duke kërkuar artistët dhe figurat kulturore për të përshtatur punën dhe mesazhet e tyre. Pavarësisht dallimeve të tyre, si Kosova ashtu edhe Izraeli kanë demonstruar rëndësinë e unitetit mes njerëzve dhe nevojën për lidership që ka prioritet mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Përballë konfliktit, është thelbësore për të dy rajonet për të nxitur dhembshurinë, për të promovuar dënimin ndërkombëtar të terrorizmit dhe për të përdorur artin si një mjet për të arritur dhe ndërtuar ura midis komuniteteve”, shprehet dramaturgu.
Vullneti për të punuar për Kosovën
Dr. Horovitz shpreh gatishmërinë e tij për të punuar për Kosovën nëse i jepet mundësia. Ai e kupton vlerën e shkëmbimit kulturor dhe potencialin që teatri të kapërcejë kufijtë politikë.
“Po të më pyeste dikush, do të isha i gatshëm të punoja për Kosovën”, thotë ai me bindje. Angazhimi i tij për të përdorur teatrin si një mjet për të nxitur mirëkuptimin dhe unitetin, nuk njeh kufij.
Dëshmia e fuqisë së qëndrueshme të teatrit
“My First Sony”, një shfaqje nga Roy Horovitz, ka arritur të mbijetojë për 27 vjet për shkak të tregimit të tij bindës, performancave të jashtëzakonshme, kërkesës së vazhdueshme të audiencës, rëndësisë kulturore dhe angazhimit të palëkundur ndaj cilësisë artistike.
“Kjo jetëgjatësi është një dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të teatrit dhe ndikimit të thellë që mund të ketë si tek interpretuesit ashtu edhe tek audienca”, shton regjisori.
Arti në kohë krize
Në një botë ku krizat dhe konfliktet shpesh i lënë në hije artet, Dr. Horovitz pranon sfidat unike me të cilat përballen artistët gjatë kohërave të trazuara. “Teatri është më i ngadalshëm; duhet më shumë kohë për të reaguar,” shpjegon ai, i pyetur nëse teatri duhet të ofrojë diçka në kohë të luftës.
“Teatri duhet t’i përshtatet peizazhit sociopolitik në ndryshim të vazhdueshëm. Gjithashtu, është e rëndësishme se si arti ka fuqi të bashkojë komunitetet. Kohët e fundit, teatrot në Izrael janë bërë strehë për njerëzit në nevojë dhe kjo është një fuqi që arti e ka”, shton ai.
Një mesazh dhembshurie dhe uniteti
Përballë trazirave të fundit globale, Dr. Horovitz jep një mesazh dhembshurie dhe uniteti. Ai reflekton mbi humbjen tragjike të jetëve të pafajshëm gjatë konflikteve dhe nevojën që liderët t’i japin përparësi paqes mbi interesat personale.
“Të bashkohemi të gjithë në lutjen për ditë më të mira, le të dënojmë të gjithë terrorizmin dhe humbjen e paimagjinueshme të civilëve pa marrë parasysh se në cilën anë të kufirit po ndodhë. Shpëtimi do të vijë nga njerëzit, jo vetëm nga udhëheqësit, dhe artet luajnë një rol jetësor në nxitjen e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit”, thotë regjisori izraelit.
Misioni i Dr. Horovitz për të promovuar teatrin izraelit në nivel global, për të bashkëpunuar me artistë në Kosovë dhe në botë, për të punuar drejt një jete më harmonike është një dëshmi e përkushtimit të tij për të ndërtuar ura kulturore. /KultPlus.com
Këngëtari i njohur Dren Abazi ka projektuar edhe brendin e tij të veshjeve, brend që do të lansohet sonte në ora 18:00, shkruan KultPlus.
“drenabazi brand” është brendi i këngëtarit, i cili është brend ekskluziv për femra dhe meshkuj, dhe varësisht prej stinëve, do të plotësohet dhe përditësohet.
“Të gjitha materialet, aksesoret dhe lënda e parë vijnë nga Evropa, sikurse: Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania dhe prodhimi bëhet në SAM sports wear, me bazë në Tiranë, fabrikë e specializuar për veshje sportive dhe jo vetëm.
Brendi i Dren Abazit tashmë ka edhe faqen zyrtare, faqe që do të lansohet sonte ku edhe keni rast të shihni të gjitha produktet që sjell ky brend.
KultPlus ju sjell linkun e brendit për të parë produktet e para që do të lansohen në këtë faqe./ KultPlus.com
“Geborgtes Weiss” është filmi gjerman me regji të Sebastian Ko, ku luan edhe aktori kosovar Florist Bajgora, shkruan KultPlus.
Në këtë film ai luan rolin e Valmirit, kurse me role në këtë film janë të përfshirë edhe aktorët: Susanne Wolf, Ulrich Matthes, Rlia Gezer, Bruni Cathomas…
Filmi më 27 tetor do të shfaqet edhe në Televizion Arte të Gjermanisë, film që do të shfaqet prej orës 20:15
Florist Bajgora, njihet për rolet e tij në filmat “Enemy of the House”, “The Land Within Me” and “Lost Exile”, si dhe për rolin e tij episodik në serialin e famshëm londinez “Gangs of London”./ KultPlus.com
Bojkotimi i mësimit nga profesoresha e matematikës Zoja Lohaj Konjufca, si shenjë proteste për kushtet e tmerrshme në objektin e gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, ka rezultuar me një mbledhje të prindërve, por mbledhje që nuk provokoi prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, pasi që në këtë takim kanë marr pjesë vetëm 12 prindër, shkruan KultPlus.
Për këtë mbledhje që nuk solli ndonjë rezultat të kënaqshëm ka njoftuar vet profesoresha Zoja Lohaj Konjufca e cila është duke bërë përpjekje për kushtet e 1300 nxënësve.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lohaj Konjufca./ KultPlus.com
Mark Gerstorfer ka fituar medaljen e artë në kategorinë “Narrative” për garën e çmimit Oscars për Studentë, çmim që i është ndarë për filmin e tij të metrazhit të shkurtë “Kufiri padukshëm”, transmeton KultPlus.
Filmi bartë historinë e një familje nga Kosova, përkatësisht deportimin e tyre, ngjarje që përshkallëzohet gjatë operacioneve të policisë.
Mark Gerstorfer është i diplomuar në Akademinë e Filmit në Vjenë, kurse çmimi i argjendtë ka shkuar për filmin “Revisited” nga Norvegjia, kurse i bronzti për filmin “Istina” të Tamara Denic nga Berlini.
Filmi me rrëfimin me familjen nga Kosova tashmë ka marr dritën jeshile për të konkurruar për kategorinë e filmit të shkurtër për çmimet prestigjioze Oscars. Në këtë film me rolet e tyre luajnë : Vjosa Breiteneder Lubeniqi, Tommy Leonardelli, Labinot Morina…/ KultPlus.com