Ministri i Ministrisë së Bujqësisë Faton Peci ka dalë në pemishten me boronica të Vjollca Kurtit, e cila është përfituese e grantit 2022 në vlerë të 60 ijë eurove, shkruan KultPlus.
Kjo pemishte është në Vllahi të Mitrovicës dhe është një nga përfitueset e granteve të këtij institucioni. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministrit Peci. / KultPlus.com
Ka filluar mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje që u realizua bashkë me komunitetin e që është organizuar nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky që synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes, shkruan KultPlus.
Me pjesëmarrjen e fëmijëve, personave me nevoja të veçanta, përfaqësues nga OSCE, Komuna e Prishtinës dhe kalimtarë të rastit, në mëngjesin e së dielës është bërë inaugurimi i fermave urbane, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë mbjellë lule të ndryshme, dredhëza dhe fidanë, të cilët, nëpërmjet këtij aktiviteti kanë përçuar mesazhin se edhe në mes të qendrës mund të punohen ferma të vogla, për të cilat duhet një kujdes i vazhdueshëm.
Kosovare Sadiku Ahmeti, drejtoreshë e YARL, e cila është edhe nismëtare e këtij projekti ka thënë para të pranishmëve se ky projekt ka nisë qysh në vitin e kaluar, fillimisht me inaugurimin e këndit të lodrave për njerëzit me nevoja të veçanta, e deri te krijimi i fermave urbane, që ka ardhe si rezultat i komunikimit të përbashkët me komunitetin e lagjes Ulpiana.
“Është e rëndësishme se këto aktivitet krijojnë komunikim mes banorëve të blloqeve, dhe në të njëjtën kohë sjellin fermat nga viset rurale në ato urbane”, ka thënë Sadiku Ahmeti.
Sipas saj është një mundësi e mirë që në këtë projekt janë përfshirë gjenerata të ndryshme, dhe përpos mbjelljes është edhe një ngritje e vetëdijes për një ushqyerje të shëndetshme.
Ajo ka potencuar se me këtë rast janë inauguruar tri ferma, ferma për fëmijët, ferma për njerëzit me nevoja të veçanta dhe ferma për kultura të veçanta.
Aktivitetin e kanë përshëndetë edhe përfaqësues nga OSCE dhe Komuna e Prishtinës, ndërkohë në procesin e mbjelljes kanë ndihmuar dy studentë te Fakultetit të Bujqësisë.
Ferma urbane është inauguruar në afërsi të KultPlus Caffe Gallery, ku paraprakisht është krijuar edhe shtegu për personat me nevoja të veçanta, kështu duke ndërlidhë kultura të ndryshme në një vend, me qëllim të përmirësimit të kushteve për të gjithë komunitetin. / KultPlus.com
Harry Styles u godit në mënyrë tronditëse në fytyrë me një objekt fluturues ndërsa ishte në skenë gjatë koncertit të tij më të fundit në Vjenë, Austri të shtunën.
Interpretuesi i hitit “As It Was”, 29 vjeç, ishte duke shëtitur në skenë gjatë koncertit në Vjenë kur ndodhi incidenti i fundit – i cili u kap nga kamera në një video që tashmë është bërë virale në Twitter të shpërndarë nga Pop Crave.
Në videon prej 10 sekondash, ish-këngëtari i grupit One Direction po ecte përgjatë skenës kur papritmas një objekt i vogël fluturoi dhe shkoi pranë syrit të tij të majtë.
Styles u përkul menjëherë dhe hodhi dorën e tij në fytyrë.
Harry Styles gets hit in the eye by an object thrown at him during his concert in Vienna. pic.twitter.com/mD9kzFoQvG
Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.
Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:
“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”./ KultPlus.com
Selfixhe Ciu – Broja u lind vitin 1918. Ka qenë shkrimtare shqiptare dhe gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri. Më 28 nëntor të vitit 1935 botoi një poesi tek e përkohshmja “Populli”, me emrin e pendës “Kolombia”.
Selfixhja u lind në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në gjirin e një familjeje të kamur qytetare, e bija e tregtarit grosist, Ibrahim Ciu. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Bundo”. Njohu dhe u miqësua me Musine Kokolarin, gruaja e parë shqiptare e cila botoi një roman. U njoh me gazetarët e kohës, Nonda Bulkën, Petro Markon dhe Kolë Berishën.
Ajo ka studiuar në Firencë dhe më pas vijoi studimet në Grenoble, në Francë, ku njohu bashkëshortin e saj, Xhemal Brojën dhe bashkë me të hapën një dyqan me libra në Shkodër.
Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”, 28 nëntor 1935.
Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar.
Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ , deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.
Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.
Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot.
Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.
Selfixhe Ciu – Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”.
Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare, në vitin 2003, në Tiranë.
Përjetimet e saj mund t’i lexoni këtu: https://filolet.com/histori/kujtimet-e-selfixhe-ciu-broja.htm
Ka filluar zbatimi i projektit për lajmërimet në shtëpi për pensionistët që janë në dhe mbi 80 moshën 80-vjeçare si dhe për ata që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht për vazhdimin e pagesës së pensionit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, ky shërbim tashmë ka filluar të zbatohet në të gjiha komunat e Kosovës.
“Ky shërbim ka filluar të zbatohet fillimisht në regjionin e Prishtinë (Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit, Podujevës, Obiliqit dhe Graqanicës), si pilot-projekt, nga muaji shkurt i këtij viti, duke qenë i kufizuar me moshën 85+. Ndërsa tani zgjerohet edhe në të gjitha komunat, si dhe përfshihen të gjithë pensionistët 80+ dhe secili pensionist që për shkaqe shëndetësore nuk mund paraqitet fizikisht”, thuhet në njoftimim e kësaj ministrie.
Sipas ministrisë, paraqitja e kërkesës për këtë shërbim bëhet në adresat elektronike si në vijim:
Ministria njofton se kërkesa mund të paraqitet individualisht nga pensionisti apo nga çdo preson tjetër që e paraqet në emër të pensionistit.
“Kërkesa duhet të paraqitet së paku 7 (shtatë) ditë para datës kur pensionisti duhet të lajmërohet fizikisht, pranë zyrave të Departamentit të Pensioneve. Kërkesat e tilla janë vlefshme vetëm nëse konfirmohet pranimi i shkresë elektronike kthyese, përndryshe kërkesa duhet të përsëritet”, thotë ministria.
Sipas Ministrisë së Financave, më kërkesë pensionistit duhet të paraqesin të dhënat si në vijim:
emri dhe mbiemri i pensionistit;
numri personal i pensionistit;
numri i telefonit të pensionistit (nëse ka – preferohet numër i mobilit);
numri i telefonit të një personi të afërt të pensionistit; dhe
adresa e banimit të pensionistit dhe përshkrimi shtesë lidhur me adresën.
Ministria njofton gjithashtu se pensionistëve të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve.
“Pensionistit do t’i konfirmohet që kërkesa është pranuar, dhe pas verifikimit të të dhënave sipas kritereve të përcaktuara më lartë, do të njoftohet për realizimin e vizitës përafërsisht 24 orë më herët, përfshirë këtu edhe ditët e vikendit”.
“Pensionistët të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve. Andaj, ftojmë pensionistët që i plotësojnë kushtet për këtë shërbim dhe të afërmit e tyre të shfrytëzojnë këtë shërbim”, thuhet tutje në njoftim.
Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave “estetike”, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy “probleme” të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri. Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare…
Me regji të Erson Zymberaj, e autor Jeton Neziraj, në Teatrin e Kumanovës-Drama Shqipe, shfaqet premiera e komedisë politike, “Fluturimi mbi Teatrin Shqiptar”, shkruan Alsat.
Kjo komedi politike, padyshim që ka marr ngjyrat e politikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të do të përfshihet edhe këndimi e vallëzimi.
Shfaqja pritet ta ketë premierën më 14 korrik, derisa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Shkëlqim Islami, Mirsad Abazi, Egzona Salihu, Musa Isufi dhe Faton Ibrahimi.
Muzika është bërë nga Irena Popovic, skenografia Adrian Kadriu, koreografia Krenare Nevzati ndërsa kostumet nga Yllka Brada. / Alsat.mk/ KultPlus.com
Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm. Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur. Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur. E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha. Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues! Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra. Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur. Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë. Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten. Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore. Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit. A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien? Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet. Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje. Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla. Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte. Muzika është gjuha e shkruar e emocionit. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë. Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato. E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori. Mërzia: Dëshira për të patur dëshira. E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë. Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë. / KultPlus.com
Threads, aplikacioni i krijuar nga Meta për të rivalizuar Twitter-in, ka tejkaluar shifrën e 70 milionë regjistrimeve, duke “përmbysur” kështu peizazhin e rrjeteve sociale dhe duket se e ka tronditur Twitter aq sa tani po kërcënon me veprime ligjore kundër Metës.
Por teksa përdoruesit u regjistruan në Threads me shumicë, me disa prej tyre të etur për t’i shpëtuar kaosit të Twitter-it të Elon Musk, suksesi i papritur i aplikacionit të ri nga Meta mund të ngrejë shqetësime të reja.
Meta është kritikuar tani e disa kohë për dominimin e saj të tregut, dhe se akuzohet se ka tentuar që ta largojë konkurrencën duke kopjuar dhe “vrarë” aplikacionet rivale, raporton CNN, transmeton Telegrafi.
Tani disa ekspertë të konkurrencës dhe edhe disa përdorues të Threads shqetësohen se nëse rritja e aplikacionit të rri vazhdon në këtë shkallë, atëherë kjo thjesht mund të qojë në akumulim të çojë në akumulimin edhe më të madh të fuqisë dhe dominimit për Metan dhe drejtorin e saj ekzekutiv Mark Zuckerberg.
“Perspektiva e monopolit total nga Meta është shokuese” shkruan një përdorues. “Është një problem real për shoqërinë kur disa dhjetëra njerëz dhe kompani zotërojnë çdo gjë, në mënyrë që të mos ekzistojnë paradigma alternative që ata të mos i zgjedhin nga djepi”, tha një tjetër.
Twitter ka qenë gjithmonë më e vogël se platformat e Metas, por kishte tejkaluar ato me ndikim në teknologji, media dhe politikë. Teksa Twitter filloi të çalonte nën pronësinë e Musk, u shfaq një numër i aplikacioneve të vogla që dëshironin të merrnin pak nga magjia e saj.
Lansimi me sukses i Threads këtë javë vë në pah realitetin e pakëndshëm të ekonomisë moderne digjitale: Për të mposhtur potencialisht disa nga lojtarët më të mëdhenj në industri, mund të duhet të jesh vetë një gjigant.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Uta Ibrahimi e cila sapo ka realizuar ngjitjen e fundit në Nanga Parbat, po planifikon ngjitjen e radhës në Majën K2 dhe Broad Peak, ngjitje këto që do të rrumbullakojnë finalizimin e 14 Majave më të larta të Botës, shkruan KultPlus.
Por sfidat që e përcjellin Utën e Maleve janë financat, edhe në ngjitjen e fundit ka pas pak mbështetje institucionale, por edhe në ngjitjen e radhës ajo ka po të njëjta probleme.
Nëpërmjet një postimi ajo ka bërë thirrje për mbështetje nga donatorë të ndryshëm me sloganin “Për vendin tem, për malet e mia”.
KultPlus ju sjell të plotë kërkesën e Uta Ibrahimit për ngjitjen e radhës.
The time has come – Ka ardh koha
Shok e shoqe,
Sado qe po behet e veshtire e me e veshtire me vazhdu projektin e ngjitjes ne 14 Majat me te larta te Botes, qysh ne aspketin fizik e ashtu edhe emocional e financiar, deri sot hala spo dorezohna … keshtu qe vendosa me vazhdu edhe ma tutje!
Pas ngjitjes ne Nanga Parbat, keto 3 dite te pushimit jon kon ma shume stres se sa gezim … me i gjet edhe nje cope te madhe te pareve per me pas mundesi me vazhdu ma tutje.
Per arsye te licencimit te Federatave, as mjetet e sponsoreve aktual ende nuk po arrij me i marr per me i pagu ekspeditat. E gjithashtu, mbeshtetja nga Ministria e Sportit kete vit ka qene me e vogla e mundshme, e keshtu krejt per fund, FALEMINDERIT secilit (secili e dini kush jeni) qe me keni huazu pare, keni hi ne KREDI per mu, keni dhan nga xhepi juj, krejt kursimeve te mia prej puneve te mia per shume vjet, shoket e mi ne Nepal, familja jem ne Kosove, shume njerzve te mire qe po donojne ne https://makeachamp.com/utaibrahimi/40348 une neser po nisem per me vazhdu edhe njeren nga andrrat me te medhaja, ngjitjes ne Majen K2 dhe Broad Peak. Nime xhepin e kom 0, po zemren e kom plot
Keshtu, po i afrohemi cdo dite e me shume finalizimit te projektit te 14 Majave me te larta te Botes.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor të vitit të kaluar mori nën mbrojte Xhubletën. Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme, kurse sot është pjesë e aktiviteteve me karakter shoqëror, kulturor dhe etnologjik edhe në Malësi.
Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në këto treva, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Si trevë e cila ka bërë ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje, jemi veçanërisht krenarë që Xhubleta është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore si trashëgimi jo materiale.
Komuna e Tuzi, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarje të madhe, vendosi që vitin 2023 ta shpallë për Vitin e Xhubletës, gjatë të cilit do të zhvillohen evenimente, ngjarje dhe aktivitete të ndryshme. Njëra nder aktivitetet është edhe Simpoziumi shkencor me temen “Xhubleta dëshmi e lashtësisë sonë” i cili u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje, Marina Ujkaj në mes tjerash të pranishmëve u drejtua me këto fjalë – ,, Para së gjithash ndihem e nderuar që ju, të nderuar ligjërues pranuat ftesën tonë dhe në atë mënyrë ia dhatë rëndësinë e merituar Xhubletës, e me pjesëmarrjen tuaj ia ngritën nivelin këtij tubimi, si pjesë e manifestimeve të vitit 2023, të cilën Komuna e Tuzit e shpalli Viti i Xhubletës.”
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj tha se: ,, Ne bijat dhe bijtë e xhubletës, që sot e përjetojmë atë si eksponat muzeor, ose pjesë e manifestimeve folklorike, jemi vetëdijesuar se edhe përkundër të gjitha tentativave shekullore të na shpallin fise të prapambetura, pa kulturë dhe pa të kaluar, të na shpallin deri edhe njerëz me bishta, sot mund të identifikohemi me veshjen tonë kombëtare, që ekzistonte që në ato kohë, kur kombet sot të zhvilluara identifikoheshin me vizatimet nëpër shpella si fillim i kulturës së tyre.”
Kurse, panelistët, akademik prof. dr. Anton Kolë Berishaj, sociolog, Afërdita Onuzi etnologe, Jaho Brahaj etnolog, Drita Statovci etnologe, Prof. dr. Shaban Sinani antropolog – Akademia e Shkencave, Robert Camaj, Dr. Valon Shkodra hulumtues, Slobodan Jerkov dr. i shkencave etnologjike, prof.as.dr Elindë Dibra, Luljeta Dano shkrimtare, hulumtuese dhe koleksionistë, Zorica Mrvaleviq etnologe, Rudina Bardhi etnologe, si dhe Nikollë Berishaj, dhanë këndvështrimin e vet me të cilin shqyrtuan fenomenologjinë e mbijetesës së Xhubletës që në fakt paraqet mbijetesën dhe lashtësinë tonë si Komb./ KultPlus.com
Po fillon mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje qw do tw bwhet bashkw me komunitetin e qw po organizohet nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky qw synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes.
“Bashkëpunimi me komunitetin e lagjes Ulpiana dhe personat me aftësi të kufizuara është prioritet i këtij projekti. Gjatë kësaj ngjarje do të keni mundësi të mësoni rreth praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe të kontribuoni në rritjen e produkteve të freskëta në lagjen Ulpiana”, thuhet në njoftimin YARL.
Më poshtë po ju sjellim detajet e kësaj ngjarje që do të mbahet të dielën, prej orës 09:00.
Pavarësisht nëse jeni banor të lagjes Ulpiana, aktivist i mjedisit ose jeni thjesht kurioz për bujqësinë urbane, kjo ngjarje është e hapur për të gjithë. Nuk kërkohet përvojë paraprake, pasi ekipi ynë do t’ju udhëheqë gjatë procesit të mbjelljes. Sillni entuziazmin tuaj dhe veshje të rehatshme për aktivitete në natyrë, ndërsa, ne do të ju ofrojmë të gjitha mjetet dhe materialet e nevojshme për punë.
Mos e humbisni këtë mundësi të jashtëzakonshme për të bërë një ndikim pozitiv në lagjen Ulpiana dhe për t’u lidhur me individë me të njëjtin mendim, të cilët ndajnë një pasion për qëndrueshmërinë urbane. Ftoni miqtë tuaj dhe le të mbjellim farat e ndryshimit së bashku!
Data: 09.07.2023 (E diel) Ora: 09:00 Vendndodhja: Lagjja Ulpiana, afër Kult Plus
Për më shume informata ju lutem na kontaktoni nëpërmjet email: [email protected]
Inteligjenca artificiale arrin të deshifrojë shkrimet antike. Cuneiforma, gjuha me simbole që përdorej që në shekullin IV p.e.s nga babilonezët, persianët e të tjerë popuj, janë forma më e lashtë e shkrimit, por janë shumë të paktë studiuesit në botë që arrijnë ta përkthejnë, dhe për këtë arsye një grup izraelit arkeologësh dhe informaticienësh kanë krijuar një program për këtë qëllim.
Rezultatet e para janë premtuese, por ka ende vend për perfeksionim, pasi projekti konsiderohet mjaft i rëndësishëm drejt dijes, e për të kuptuar më tepër për traditat e lashta të panjohura e të mbetura të panjohura ende sot këto gjurmë të njerëzimit, që janë 3000 vjeçare.
Programi bazohet mbi të ashtuquajturën përkthim automatik neural, i njëjti që përdoret edhe nga Google Translate, që funksionon duke konvertuar fjalët në numra, e më pas i përkthen në gjuhën tjetër me një konstruksion sintaksor më të saktë.
Nga testet e para, ChatGPT ka arritur rezultate të kënaqshme, me një sukses prej 37 në një shkallë prej 100, ndersa Google Translate e ka maksimumin 60 pikë, përtej edhe eksperiencës.
Një ndër vështirësitë e hasura është edhe numri i vogël i teksteve për ushtrimin e IA. Megjithatë grupi i ekspertëve shprehen se projekti konsiderohet i suksesshëm dhe është ende në hapat e para.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, së bashku me partnerin e saj të ri Romain Gavras, janë duke shijuar këto ditë të nxehta korriku në plazhin e Sifnos, Greqi.
Ylli i muzikës Pop ka shpërndarë disa foto, ku shfaqet bashkë me të dashurin, regjisor i njohur francez. Në njërën prej fotove, këngëtarja është shfaqur mbi një mjet lundrues sërfi dhe në disa foto të tjera, nxjerr në pah linjat trupore me bikini, përmes të cilave ka treguar se po shijon jetën në ishull.
Foto të marra nga Instagrami i këngëtares
Gjatë pushimeve atje, Dua dhe Gavras kanë shëtirur nëpër rrugicat piktoreske të Sifnos. Kujtojmë se pak javë më parë këngëtarja zyrtarizoi lidhjen e saj gjatë një dalje të përbashkët me regjisorin në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në DPT te Fidani e ka sqaruar në detaje çështjen e shumës prej 50 euro për një qen endacak, temë kjo shumë e përfolur.
Rama ka thënë se sipas matjeve që janë bërë, në kryeqytet janë diku nga 3 mijë deri në 3500 qenë endacakë.
Ai ka thënë se duhet të eleminohet problemi me qentë endacakë dhe potencon se kanë menduar si ide që qytetarët mund të adaptojnë nga një qen endacak.
Rama thotë se në kryeqytet jetojnë 100 mijë familje, dhe se për të eleminuar qentë endacak duhet që 3 mijë familje të adaptojnë nga një qen endacak, ku pas nënshkrimit të kontratës me Komunën, përfitojnë nga 50 euro në muaj.
Por Rama thotë se në momentin që e adapton një qen, me të vjen edhe përgjegjësia. Ai thotë se nëse ai qen që është adaptuar gjendet përsëri në rrugë, do të ketë gjobë nga 1 mijë deri në 5 mijë euro.
“ . Në bazë të analizave të organziatave joqeveritare, që kanë bërë numërimin e qenve endacakë. Është numri 3000 deri 3500 qenë endacakë në kryeqytet. Vitin e kaluar kemi bërë investimin më të madh, për ta sanuar këtë problem me qenë endacakë, meqë ka në cdo qoshe.
Duhet të eleminohet fenomeni I qenve endacakë. Duhet em marrë përgjegjësi. Por ti nëse e ke mundësinë, me e marrë një qen, me e adoptu. Nënshkruan kontratë me kryeqytetin.
50 euro vjen si një analizë e tërthortë e Kostos”, ka thënë Rama.
Në Prishtinë janë 100 mijë familje. Neve na duhen 3 mijë familje që e nënshkruajnë kontratën me e adoptu ka një qenë dhe marrin përgjegjësië për qenin që e adaptojnë.
Por nëse ai qenë gjendet pastaj në rrugë, pason gjoba prej 1 mijë deri në 3 mijë euro, që s’e mbajnë qenin në kushte që janë pajtu me e mbajt”, ka thënë Rama./Express/
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka folur së fundmi në një intervistë për The Telegraph, për albumin e saj më të ri në ardhje, si dhe për sfidat që e kanë përshkruar në rrugën drejt suksesit.
Ora ka qenë në lëvizje për 11 vjet, që kur ajo arriti të ketë tri këngë në vendin e parë në top-listën zyrtare të Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012.
Megjithatë, që nga debutimi i saj ndërkombëtar, ajo ka publikuar vetëm dy albume dhe 24 këngë (duke grumbulluar plot 13 hite që janë renditur në top 10 në Mbretërinë e Bashkuar). Ajo ka interpretuar në 130 shfaqje live në më shumë se një dekadë.
Megjithatë, ajo këmbëngul, “Muzika është në gjithçka që bëj. Muzika është ëndrra”, thekson Rita. Pjesa tjetër, sipas nënkuptimit, është vetëm ajo që një vajzë duhet të bëjë për të qëndruar në krye në një epokë kur fansat “presin me siguri më shumë” nga yjet e tyre të preferuar. “Nëse nuk vjen nga ju”, thotë Ora, “ata thjesht do ta marrin diku tjetër”.
Rita Ora mbetet shumë e lidhur me prindërit e saj, shkruan The Telegraph.
“Ishte thjesht dashuri dhe qëndrueshmëri në shtëpinë tonë”, thotë ajo. “E gjitha kishte të bënte me të qenit i/e sjellshëm/e, të respektueshëm dhe të punonje sa më shumë”, tha Rita kur u pyet për familjen.
Dhe ajo është gjithashtu krenare për trashëgiminë e saj familjare. E lindur me emrin e vërtetë Rita Sahatçiu në Prishtinë, Ish-Jugosllavi (tani Kosovë) në vitin 1990, ajo u soll në Mbretërinë e Bashkuar si refugjate kur ishte një vjeçe, duke jetuar së bashku me katër anëtarët e familjes së saj në një dhomë në akomodimin e ngushtë të këshillit në perëndim të Londrës.
Babai i saj musliman ishte një mësues që e ri-gjeti veten si qiradhënës në pijetore, duke punuar me turne të dyfishta për të mbajtur tre fëmijët e tij, ndërsa nëna e saj ishte kameriere dhe studionte për t’u bërë një psikiatre, duke i mbijetuar dy betejave me kancerin e gjirit.
“Mamaja ime thoshte: ‘Ti je një nga unë, e ke gjakun tim në venat e tua’”, kujton Ora. “Është një mentalitet shqiptar i Evropës Lindore: çfarëdo që të ndodhë, ngrihuni, vazhdoni të mos dorëzoheni. Vazhdoni të ecni dhe vazhdoni të lulëzoni”, thotë Rita për The Telegraph.
Rita përndryshe do të nxjerrë në shitje albumin e saj më të ri “You & I” më 14 korrik./ KultPlus.com
Ndryshe nga ç’ndodhte te Letërsia Parakombëtare, që vepronte në qarqet e ndara kulturore, apo në fillimet e Letërsisë Kombëtare, ku kemi raste të pakta ndikimi e intertekstualiteti brenda përbrenda, përjashto poezinë popullore, në kohën e fillimit të konsolidimit të Letërsisë Kombëtare, ku poetët shqiptarë tashmë mund ta lexojnë më lehtë njëri – tjetrin, mund të gjejmë raste të konsiderueshme.
Duam të shkojmë përtej Çajupit dhe Asdrenit, që njihen si ndjekës të drejtpërdrejtë të Naimit. Çfarë na mbetet, kur ndryshe nga Veriu i Shqipërisë, që kishte një qendër ndërlidhëse kulturore, Shkodrën, Jugu e ndiente këtë mungesë? Gjithsesi, mund të shihet rasti i marrëdhënies mes poetëve Naim Frashëri dhe Lasgush Poradeci, ku ky i fundit, i paraqitur që herët si admirues i të parit, i ka kushtuar atij dy poezi të gjata: “Naimit” dhe “Naim Frashërit”, apo është shprehur se poezia “Do të shkrihem, të venitem…” është tërësisht e përsosur”.[1]
Na duket se analiza, në plan krahasues, e poezive “Do të shkrihem, të venitem…” e Naim Frashërit dhe “Ti po vjen që prej së largu” e Lasgush Poradecit, do të ishte një mënyrë qasjeje.
Sa na ndihmon ideja e formalistëve se teksti është një “tërësi e përfunduar dhe strukturuar shenjash gjuhësore”? A i gjejmë dot elementet e analogjisë apo kundërshtimit, që do të na tregojnë afritë dhe largimet?
Vetë Lasgushi na ka treguar se si ka vepruar me një motiv popullor, kur Vasha e Trimi hynë një natë në kishë. Vargjet: Vasha plasi mbrëmanet/ trimi plasi në mëngjës, janë kthyer në: Trimi ç’paska dhëndëruar,/ Vasha ç’paska nusëruar, sepse, arsyeton ai, donte të ngrinte lart dhe të himnizonte dashurinë e të rinjve.[2]
Nuk e kemi të artikuluar mendimin e Naimit se si e shihte ai përshtatjen e motiveve të huaja në sistemin letrar të shqipes, megjithëse e bëri këtë disa herë, por duket se nuk ka qenë larg idesë së Poradecit, që shprehet:
Artisti i vërtetë s’pyet QË KU e nxjerr lëndën brute të krijimeve të tija; ay pyet: A ka realizuar prej asaj lënde brute, një vepër ORIGJINALE TË RE, TË FUQISHME, PLOT EKSPRESIVITET VETIJAK? “Imitim” – revelojnë “eruditët”! KRIJIM I RI – REVELON poeti! Kështu them unë. Krijimi i ri, prej lëndës së vjetër… Asnjë, nga gjithë veprat artistike me jetë të përbotshme, s’është “origjinale”; trupi i tyre është “i huaj”; vetëm, SHPIRTIN, them unë, s’i-a-u disputon dot njeri… Poeti nuk “PYET”. Ay KRIJON, KRIJOJ Homeri, kur i mori fytyrat e “Iliadës” dhe të “Odisesë” nga mitologjia greke primitive; KRIJOJ Eskili, kur e mori nga Homeri hyrjen e tragjedisë së “Agamemnon”-it; KRIJOJ Kalidasa, kur e mori Sakuntalën nga epopeja “Mahabharata”; KRIJOJ Goetheja, kur e mori Prologun e “Faust”-it nga Sakuntala, “Faust”-in vetë nga pjesë marionetash e Faustit popullor…
Nuk është e lehtë ta mendosh se këto janë fjalë të thëna 30 vjet para pagëzimit të fjalës “intertekstualitet” nga Julia Kristeva.
Në fakt, në thelb, ky është qëndrim klasicist, ku aplikohej marrja si model e veprave të shkrimtarëve të shquar të së kaluarës, duke ndjekur tonin, stilin e disa forma të tyre. Ky ishte mësimi i lashtësisë që erdhi deri në kohën e romantizmit, kur ky i fundit iu kundërvu me idenë e origjinalitetit dhe të ekspresionit. Romantizmi iu kundërvu idesë së veprave “shkollë”, që kopjoheshin për të mësuar, duke marrë çdo gjë me vlerë prej tyre.
Për studim më të detajuar i duhet drejtuar disiplinës së letërsisë së krahasuar, e cila flet për nënshtrimin ndaj “ligjit të qarkullimit” (Paul Van Tieghem), apo ku shkolla të ndryshme kanë sjellë kontributet e tyre në koncepte, si “ndikimi letrar dhe jo-letrar”, “ndikimi i drejtpërdrejtë dhe jo i drejtpërdrejtë”, ndikimi “pozitiv” dhe “pasiv” (shkolla franceze), si dhe Teoria e “paralelizmit” apo e “intertekstualitetit” (shkolla amerikane) etj.
Studiuesit na kanë paraqitur shumë mundësi për të parë mënyrën se cilat ishin idetë e Lasgushit për këtë çështje. Ndoshta mjafton paraqitja e njërës prej tyre, nga raportet me poezinë e Emineskut.[3]
Eminesku:
Tot mai tare şi mai tare… (Gjithë më fort edhe më fort…) Mai aproape, mai aproape… (Dhe më pranë dhe më pranë…) Mai incet tot mai incet… (Më ngadalë dhe më ngadalë…) Mai departe, mai departe… (Dhe më larg, edhe më larg…).
Lasgushi:
Gjith më la e gjith më la… Më me sulm e më me sulm… Më përpjetë e më përpjetë…
Dinamizmi vetëveprues
Si hyn dhe pse hyn Poradeci në marrëdhënien e lartpërmendur?
Ajo që na bie në sy së pari te poezitë që zgjodhëm për shqyrtim, është se, në të dyja poezitë, nga pikëpamja e motivit, heroi lirik e sheh veten nën këmbët e së dashurës, i përthithur nga forca e dashurisë. Kjo ka përcaktuar diksionin e fjalëve të përdorura për këtë qëllim. Por edhe raportet mes tyre: mënyrën se si hyjnë në marrëdhënie formale, por edhe kuptimore.
Kemi, te Naimi:
Do të shkrihem Të venitem, Si kandili kur s’ka vaj, Balt’ e pluhur Do të bëhem, Të më shkelnjë këmb’ e saj;
Te Lasgushi:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
Jemi te sfera e analogjive: Do të shkrihem dhe do të tretem mund t’i shohim thjesht si sinonime. Po aq sa edhe të venitem dhe kullohem. Dhe gjithçka ndodh poshtë këmbës së saj.
Ndërsa ritmi është fiks i njëjti, për të dyja rastet, sepse kemi të njëjtat këmbë metrike.
Kemi, te Naimi:
E të prehem Duke puthur Atë këmbë pasandaj.
Te Lasgushi:
Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli këmba jote.
Në rastin e dytë kemi kërkimin e fjalëve të tjera, që ia jep mundësinë shtrirja e 16-rrokëshit, por që përcjellin të njëjtën atmosferë: gjithçka vazhdon të ndodhë poshtë këmbës së saj. Megjithëse ndryshojnë fjalët, kemi të njëjtat këmbë metrike, që do të thotë se ritmi është po ai, por tani i shtrirë në një varg më të gjatë.
Kemi, te Naimi:
Pse heq unë Hidhërime, A në vdekça, ti mos qaj, Vdekja ime, S’të prish punë, Haj, e zeza jetë, haj!
Te Lasgushi:
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.
Flitet për vdekjen, por në mënyra të ndryshme. Këtë herë janë ndërruar vendet: shkallëzimi merr forcë te poezia e dytë, duke ia paguar atributet poezisë së parë. Por ritmi mbetet po ai.
Po si është përftuar ky intertekstualitet, duke ruajtur së fundi vulën vetjake të secilit poet, ku janë pothuajse e njëjta skenë, të njëjtat leksema, i njëjti ritëm dhe i njëjti shkallëzim?
Çfarë i lidh dhe çfarë i ndan ato vargje, pasi shohim se marrëdhënia e varësisë tekstuale është shumë e fortë?
Meqë deri tani u morëm me pyetjen e parë, të përpiqemi të kalojmë te e dyta: çfarë e bën atë të qëndrojë si krijim më vete? Mos duhet të kërkojmë ndryshimet në trajtimin e motivit?
Në një punim të hershëm – Një motiv i Naim Frashërit në një poezi të Lasgush Poradeci[4] – Injac Zamputi e sheh dallimin kështu:
– Në zhvillimin e motivit frashërjot kemi një rendim hronologjik të natyrshëm: të venitunit, të shndrruemit “në baltë e pluhur”, kalimi i bukuris mbi atë shtrojë, vdekja e dashnorit në çastin e puthjes.
– Në Lasgushin përkundra motivi zhvillohet në një rend tjetër, sepse Lasgushi don me na e paraqitë menjiherë suazën e dashnorit të vumë nën kambë të dashunis
Prandej, thotë ai, e fillon motivin e vet me batutën e tretë të Naimit:
Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim, Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Ky nuk është rasti i vetëm ku Zamputi përmend atë që sot e quajmë intertekstualitet. Pak më poshtë thotë se ftohet “hije-lehta” të kalojë. Pra, këthen rishtasi batuta e tretë e Naimit, njajo qi Lasgushi e ka vendosë qysh në fillim të përftyrimit:
Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Sipas argumentit të tij, Lasgushi platonik është i pakënaqur me qenien e një trupi lëndor, të cilin ia flijon dashurisë, si Naim Frashëri. Sepse shprehet:
Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lote, Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.
Jena, thotë Zamputi, në kulmin e idealizmit…
Pra, jemi kështu te diferenca mes motiveve. Ose: sfera e kundërshtive.
Është ajo e cila na i përcakton raportet intertekstuale: barazitë dhe dallimet që u vunë në dukje më lart. Kjo diferenca ndihmon të bëhet e qëndrueshme, fare më vete, poezia e dytë, pavarësisht nga varësia ndaj të parës, parë, siç thamë, nga pikëpamja e motivit, leksemave, ritmit – këmbëve metrike dhe shkallëzimeve.
Pra, megjithëse nuk ndryshon motivi, ndryshon trajtimi i tij. Ndryshe nga ritmi i përshpejtuar – të cilin Naimi e ruan te i gjithë cikli Bukuria, edhe pse ai e njeh mirë 8-rrokëshin e dyzuar – Poradeci mbështetet te 8-rrokëshi i dyzuar me një ritëm të shtruar, që përpiqet t’ia latojë apo t’ia zbusë cezurën e fortë naimjane, me anë të një ritmike të shpërndarë nëpër të gjithë gjatësinë e vargut.
Dallimin mund ta shohim te leximi i kujdesshëm i dy fragmenteve:
Do të shkrihem Të venitem, Si kandili kur s’ka vaj,
Dhe:
Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal. Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina. Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina, Shtrihet luleja mitare e zembakut qe t’ u fal.
Kur mendojmë se kemi ardhur në fund të shqyrtimit, e ndjejmë si detyrë të përpiqemi t’i japim përgjigje pyetjes së bërë në fillim.
Leximi i duhur lind raportin e ndërsjellë: krijimi lasgushjan na shtyn drejt krijimit naimjan, por duke bërë edhe të anasjellën.
Leximi i duhur na çon nga ndjenja e dyshimit te ajo e pasurisë, që ka si rezultat krijimtarinë prestigjioze të Poradecit. Por ky fund mban gjallë edhe ndjenjën e respektit për burimin naimjan.
Dhe i gjithë sistemi shndërrohet në një burim zbulimesh që rrisin interesimin tonë të vazhdueshëm për të. Që na çon në përfundimin se romantizmi e rriti vlerën e sistemit letrar shqip dhe nevojën legjitime për një sistem vatror të tij, deri te i cili nuk shkojnë kurrë as politika e as ideologjia, pasi ai i nënshtrohet vetëm dinamizmit vetëveprues.
Filmi ‘Challangers” do të hapë Festivalin e Filmit të Venecias këtë vit. Kjo do të shënojë një rikthim në Venecia si për aktoren kryesore të filmit, Zendaya, ashtu edhe për regjisorin e mirënjohur italian, Luca Guadagnino.
“Jam shumë i emocionuar që publiku do të përjetojë filmin tim të ri Challengers në Festivalin e Filmit në Venecia. Është një histori moderne e dashurisë, fuqisë rinore dhe energjisë. Zendaya, Josh dhe Mike janë tërësisht origjinale dhe do të sjellin një energji të re siç nuk e keni parë kurrë më parë”, tha Guadagnino në një deklaratë.
Në filmin “Challangers”, Zendaya luan personazhin e Tashi Duncan, një ish-kampione e tenisit, e cila ndihmon bashkëshortin e saj Art të shëndërrohet nga një lojtar mediokër në një kampion me famë botërore në Grand Slam.
Por kur Patrick, miku më i mirë i Artit dhe i dashuri i Tashit gjatë viteve të tyre të adoleshencës, papritur rishfaqet, ajo e gjen veten në një trekëndësh dashurie. Ndërkohë, ish-partneri dhe tani ai aktual kanë histori së bashku, por edhe rivalitet në fushë.
Konkurrenca dhe drama shfaqen jo vetëm në fushë ashtu edhe jashtë saj, ndërsa e kaluara dhe e tashmja e tyre përplasen. Megjithatë shumë detaje të historisë janë mbajtur të fshehta në mënyrë që publiku të ketë mundësinë ta shoh vetë.
Festivali i 80-të i Filmit në Venecia zgjat nga 30 Gushti deri më 9 Shtator./ Klan News/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për kërkime arkeologjike me Universitetin e Miçiganit, është bërë e ditur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, shkruan KultPlus.
“Së bashku me partnerët tanë do të vazhdojmë udhëtimin drejt kërkimeve të përbashkëta arkeologjike. Ky bashkëpunim shënon fazën e dytë të projektit “Arkeologjia Rajonale në zonën e Pejës dhe Istogut të Kosovës”, duke kërkuar lokalitete të reja arkeologjike. Që nga fillimi i saj në vitin 2018, projekti ka bashkuar Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Muzeun e Arkeologjisë Antropologjike të Universitetit të Miçiganit”, thuhet mes të tjerash në këtë njoftim.
Kërkimet arkeologjike do të bëhen sipas standardeve të larta shkencore me ekspertë nga Kosova, SHBA dhe vendet tjera. Marrëveshja gjithashtu parasheh edukimin e studentëve dhe të diplomuarve nga të dyja vendet, lidhur me mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë.
Në fazën e fundit do të bëhet publikimi i rezultateve të kërkimit./ KultPlus.com
Armend Rexhepagiqi, një nga këngëtarët më të njohur të muzikës në Kosovë, ka ditur përherë të mahnit publikun me prurjet e tij. “Shkel” është një ndër këngët më të njohura të tij e cila ka bërë shumë zhurmë në skenën muzikore, shkruan KultPlus.
Kjo këngë është shkruar nga vetë këngëtari dhe përcjell mesazhe të forta për të gjithë dëgjuesit.
Kënga përshkruan situata të ndryshme të jetës dhe sfidat që një person mund të hasë në rrugën e tij drejt dashurisë, apo më saktësisht për zhgënjimin që njeriu has në dashuri.
“Shkel” është bërë në një nivel të lartë profesionalizmi me një interpretim të shkëlqyer nga artisti, ku edhe sot vazhdon të dëgjohet e pëlqehet.
“Shkel” është një këngë që ka të gjitha elementet e një këngës të suksesshme, andaj ka arritur t’i mbijetojë kohës. Me një tekst të fortë, një muzikë të fuqishme dhe një video kreativ, kjo këngë ka bërë një impakt të fortë te publiku andaj KultPlus sot ju risjellë që ta shijoni edhe njëherë.
Teksti i këngës:
Ktheva, gjërat nëpër vende t’veta Mblodha nëpër dhomë ca dromca dashurie Ktheva, ktheva ta kërkoj e t’gjeta S’gjeta asnjë dromcë të vetme lumturie
Sa i vetmuar jam, mure anë e mbanë Shtrëngoma dorën si dikur Një çast për t’fluturuar
O pse aq vrazhdë dënon çdo gjë që është e jonë?
Shkel dhe vetëm shkel Asnjë fjalë nuk do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shumë Pse aq shumë të dua Shkel, dhe prapë më shkel Asnjë britmë s’do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shumë Pse aq shumë të dua
Ishe e vetmja dashuri e imja Ishe dashuri e kohëve të vështira, ishe Si kalimthi t’ledhatova Për një çast i kujtova ditët e mira Kot ti je si acar, Si të ish janar Heshtje e përbetuar Shkoftë ky vit aq i mallkuar Dhembjen me çka ta mas T’përmbahem mos t’pëlcas
Shkel dhe vetëm shkel Asnjë fjalë nuk do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shum Pse aq shumë të dua Shkel, dhe prapë më shkel Asnjë britmë s’do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shumë Pse aq shumë të dua
Vetëm vetëm shkel Shkel dhe vetëm shkel Asnjë fjalë nuk do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shumë Pse aq shumë të dua Shkel, dhe prapë më shkel Asnjë britmë s’do të del Asgjë pos kësaj kënge, shkel Se faj kam unë, pse të desha shumë Pse aq shumë të dua. / KultPlus.com
Nga viti 2015 gjiganti korean Samsung ka patentuar një unazë, përmes së cilës synonte që t’i ofronte përdoruesit që duke e rrotulluar unazën rreth gishtit, të mund të kontrollonte shtëpinë inteligjente, të ndryshonte kanalet në televizor, duke errësuar dritat, duke mbyllur blindat, e kështu me radhë.
Por nga ai vit, kompania nuk ka punuar, por tani disa informacione sugjerojnë se një unazë inteligjente po vjen.
Në fillim të këtij viti Samsung prezantoi markën tregtare “Galaxy Ring”, derisa emra të tjerë të mundshëm janë “Samsung Circle”, “Samsung Index” dhe “Samsung Insight”.
Unaza u përmend edhe në Beta-në e re të Samsung Health.
Aplikacioni nuk zbulon shumë, por kjo sugjeron që Unaza do të ketë veçori të gjurmimit të shëndetit.
Samsung nuk ka thënë asgjë për një unazë inteligjente zyrtarisht, por ka serinë Galaxy Watch6 që vjen më 26 korrik dhe kjo mund të jetë koha më e mirë për të prezantuar edhe unazën.
Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës për herë të parë pajisen me sigurime shëndetësore, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të këtij institucioni, shkruan KultPlus.
“Baleti është një nga artet më të bukura dhe në të njëjtën kohë, nga më të vështirat për t’u realizuar.
Balerinët përgjatë procesit të punës, në vazhdimësi ju ekspozohen lëndimeve fizike.
Sigurimet shëndetësore të cilat deri sot ju kanë munguar, janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për t’i trajtuar lëndimet eventuale që mund t’i kenë përgjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Balerinët tanë nga sot do ta kenë këtë mbështetje të rëndësishme nga Institucioni i BKK, për t’ju garantuar kushte sa më të favorshme për punë”, thuhet në këtë njoftim./ KultPlus.com