Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u mbajtën homazhe dhe akademi përkujtimore për nder të akademikut Tahir Emra, një prej figurave që dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim e artit pamor në Kosovë, bëhet e ditur nga MKRS.
Pjesëmarrësit kujtuan jetën dhe veprimtarinë e tij, trashëgiminë e pasur artistike që la pas.
Homazhe në nderim të tij bënë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, ambsadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, familjarë e miq të të ndjerit.
Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit. Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme.
E gjithë kultura kosovare dhe i gjithë populli i Kosovës e çmon dhe nderon punën e figurën e tij./ KultPlus.com
Nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet Festivali “Shliroj Cicat”, e që këtë vit shënohet edicioni i katërt i këtij festivali.
Në komunikatën për media thuhet se ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit
“Ju ftojmë të ndiqni edicionin e katërt të Festivalit Shliroj Cicat, i cili do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin Zahir Pajaziti”.
“Ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, me aktivitete të ndryshme, panel diskutimi, mbledhja e sytjenave, rezidencë me artistë nga (Shqipëria si dhe nga Maqedonia e Veriut) performanca artistike, koncerte dhe aktivitete të tjera”, thuhet tutje në komunikatë.
“Të fala nga Prishtina” është program i filmave eksperimentalë, fiktivë dhe dokumentarë që ndërlidhen me kryeqytetin e Kosovës.
Kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash portretizon qytetin dhe rrethinën përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e poashtu tregimet intime dhe personale.
City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.
Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, video art dhe animacion nga Kosova dhe diaspora. Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V./ KultPlus.com
Si sot më 8 tetor të vitit 1936, u hap Muzeu Arkeologjik i Vlorës.
I pari muze shqiptar i këtij lloji, u pagëzua me emrin e monarkut “Zogu I”-rë. Në mjediset e këtij muzeu Ismail Bej Vlora mblodhi qeverinë pas shpalljes së Pavarësisë.
Muzeu u ngrit dhe u pasurua me objekte arkeologjike të dala nga gërmimet e kryera në Apoloni prej misionit arkeologjik francez, të prirë nga arkeologu Leon Rey. Mandej, u pasurua me artefakte nga objekte arkeologjike të zbuluara në Vlorë dhe në rrethina.
Në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa, në katin e sipërm qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat, terrakotat dhe figurinat e ndryshme.
Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, muzeu u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u grabit. Për shkatërrimin dhe grabitjen e Muzeut Arkeologjik të Vlorës, arkeologu Rey, botoi një notë proteste në numrin e gjashtë të revistës së tij “Albania”.
Një pjesë e koleksionit antik të Muzeut të Vlorës që u arrit të shpëtohet, gjendet sot në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës, si dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot foto nga ceremonia e inaugurimit të muzeut me pjesëmarrjen e Xhafer Ypit, Ali Asllanit etj, pamje e godinës dhe planimetri të muzeut, si edhe portreti i Leon Rey-it./ KultPlus.com
Çmimi Nobel për Fizikë ka shkuar për dy shkencëtarë amerikanë: John Hopfield dhe Geoffrey Hinton të cilët bënë shpikje për mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.
Dy shkencëtarët amerikanë janë vlerësuar për shpikjen e tyre bën që kompjuterët të kenë funksione të kujtesës dhe të mësuarit./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Postimi i plotë i Presidentes: Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike./ KultPlus.com
Arti arrin të tërheqë syrin e spektatorit, dhe në mënyrë të veçantë një pikturë. Bëhet fjalë për kryeveprën e autorit holandez Jan Veermer, “Vajza me vëth perle” e viteve 1600, e cila rezulton të jetë hipnotizuese për këdo që e vëzhgon. Sipas një studimi del në pah që kjo pikturë ka impaktin më të madh në krahasim me çdo vepër tjetër tek truri i njeriut.
Vermeer ka ditur të shfrytëzojë një fenomen shumë të njohur për psikologët, që është pikërisht fakti që truri human është i tërhequr në mënyrë natyrale nga fytyrat, nga ekspresioni i syve dhe gojës, duke aktivizuar tek vrojtuesi Ciklin e Vëmendjes së Theksuar, që është një rreth vicioz që tërheq syrin fillimisht tek vështrimi, më pas tek goja e tek drita e vëthit, gje që përsëritet në mënyrë ciklike.
Reagimin e vëmendjes e shkakton piktura veçanërisht në punimet origjinale të veprave të mëdha, dhe aty ku në qëndër është fytyra njerëzore, përgjigjia emotive cerebrale është 10 herë më e lartë.
Një grup kërkuesish të Universitetit të Amsterdam kanë vëzhguar aktivitetin e trurit të shumë vizitorëve në Muzeun e Hagës dhe reagimi cerebral është mjaft i lartë, dhe në rastin e “Vajzës me vëth perle”, është edhe më intensiv dhe ndalesa përballë veprës është shumë më e gjatë. / Klan News/ KultPlus.com
Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.
Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.
“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.
Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.
Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.
Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.
Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.
Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”.
Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.
“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj./ATSH
Janë në përfundim e sipër restaurimet e shtëpive të vjetra në Janjevë, punime që janë përcjellë nga afër edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.
Për këtë investim ka njoftuar ministri i MKRS-së, Hajrulla Ceku, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.
Ndryshimet në qytetin e vjetër të Janjevës tashmë janë të dukshme. Një prej projekteve më të mëdha të Ministrisë sonë po shkon drejt finalizimit.
Bashkë me kryeministrin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, sot ishim për të parë nga afër restaurimet e shtëpive, ndërsa takuam shumë qytetarë dhe shijuam ushqimet e shijshme tradicionale në panairin artizanal në Janjevë.
Gjatë kësaj vizite po ashtu u pritëm nga prifti Don Matej Palliq në kishën e Shën Kollit, gjithashtu vizituam xhaminë e Janjevës, ku takuam kryeimamin e Kosovës, Vedat Sahiti.
Me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës. / KultPlus.com
Ansambli Folklorik “Tirana” u kualifikua i katërti në Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit Folklorik “Cheonan World Dance Festival 2024” në Kore.
“Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga të rinjtë e Ansamblit, në një konkurrencë të fortë me 30 vende nga e gjithë bota. Nga Franca e deri në Mongoli, performanca jonë u veçua për cilësinë dhe pasionin që e karakterizon.
Bravo! “, ka shkruar bashkiaku i Tiranws, Erion Veliaj./ KultPlus.com
Dje, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.
Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.
Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com
Shfaqja “Emira” e autorit Anton Santori e që në këtë prurje vjen me regji të Kushtrim Bekteshit do të vjen me premierë më 20 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e që për këtë shfaqje janë përfshirë tri teatro: Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe Shkupit, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje do të jetë edhe pjesë e ceremonisë hapëse të Festivalit Teatrit “Moisiu”, që këtë vit do të mbahet në Prishtinë.
Se provat janë duke vazhduar për realizimin e kësaj shfaqje është bërë e ditur edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Më poshtë është përmbajtja e shfaqjes dhe ekipi që është përfshirë në realizimin e këtij projekti teatral.
Në një fshat arbëresh të shekullit XIX, në rrethana terrori nga cubat dhe organet e rendit, Emira dhe Kalina, dy vajza te reja, dashurojnë Mirianin. Por ai dashuron vetëm Emirën. Ndërsa Kallonjeri, një bari i afërt me cubat, u shkon rrotull te dyjave. Intrigat e dashurisë së të rinjëve, dhe familjet e tyre, kryqëzohen me dhunën e cubave dhe të shtetit, duke vënë në pyetje vlerat bazë të shoqërisë, në tragjikomedinë e shkruar nga Anton Santori, që njëherësh konsiderohet drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Kompozitor: Memli Kelmendi
Skenograf: Betim Zeqiri
Kostumografe: Iliriana Loxha Basha
Koreograf: Artan F. Ibërshimi
Dramaturge: Doruntina Basha
Ass.regjie: Skender Podvorica
Inspiciente: Nazmije Krasniqi
Luajnë: Qëndresa Jashari, Arta Selimi, Donald Shehu, Bujar Ahmeti, Edlir Gashi, Shengyl Ismajli, Basri Lushtaku, Neritan Liçaj, Igli Zarka, Shpejtim Kastrati, Muzbajdin Qamili, Franc Bregu, Ermir Hoxhaj, Albrim Kryeziu, Rrezon Zhinipotoku, Mentor Kurti, Abedin Alimi dhe Art Pasha./ KultPlus.com
Rita Ora mund të prezantojë MTV Europe Music Awards që pritet të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar muajin e ardhshëm. Artistja e hitit “Hot Right Now” është në bisedime me drejtuesit e eventit për të udhëhequr ceremoninë e cila do të zhvillohet në Manchester më 10 nëntor.
Ylli i muzikës ndërpreu bashkëpunimin me menaxheren e saj dhe drejtuesen e kompanisë First Access Entertainment Sarah Stennet dhe tashmë po pret për projekte të reja.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që Rita merr përsipër të drejtojë eventin pasi e realizoi detyrën e prezantueses në mënyrën më të mirë të mundshme në vitin 2017 në stadiumin Wembley.
Lajmi vjen pasi këngëtarja me origjinë shqiptare është zëvendësuar nga prezantuesja e Love Island Maya Jama në emisionin “The Masked Singer”. Megjithatë, kjo lëvizje nuk u prit mirë nga shikuesit të cilët dëshironin që Rita Ora të vijonte të ishte pjesë e panelit./ KultPlus.com
Shkrimtarja shqiptare Anita Likmeta është vlerësuar me çmimin “Giuseppe Dessì” për romanin e saj “Fabulat e komunizmit”, çmim që i është në edicionin e 39-të të këtij vlerësimi letrar në Itali.
Për këtë arritje ka njoftuar edhe Anita Likmeta e cila është shprehë të jetë e lumtur për këtë vlerësim./ KultPlus.com
Sapo është publikuar lista e këngëtarëve pjesëmarrës për edicionin e 63 të Festivalit të RTSH-së, e që në këtë listë ka mjaftë emra që tashmë janë treguar në fushën e muzikës, KultPlus ju sjell listën e plotë të këngëtarëve.
Lista e këngëtarëve që do të garojnë në FIK 63, sipas rendit alfabetik:
Më 9 tetor do të hapet ekspozita „Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998„, ekspozitë që është kuruar nga Shkumbin Brestovci e që është organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, Akademinë e Shkencave të Austrisë dhe Leibniz-Institut für Ost- und Südosteuropaforschung.
Në hapjen ekspozitës do të mbahet një panel diskutimi me temën “Toka e largët, konflikti aktual: Mosmarrëveshja serbo-shqiptare mbi Kosovën në vitet 1990 dhe sot“, kurse do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor.
Ekspozita do të hapet në ndërtesën e Friedrich Ebert Stiftung, Hiroshimastraße 17-28, 10785 Berlin./ KultPlus.com
Sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.
Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.
Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com
Artisti shqiptar Ramë Dardania do të bëjë debutimin e tij në Galerinë prestigjioze “La Galeri” në Gjenevë, një hapësirë e njohur për ekspozitat e artistëve të nivelit botëror. Ekspozita e tij e re, e titulluar “Faces,” do të hapet me vernisazh më 15 tetor, duke e pozicionuar artin shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Për Ramë Dardaninë, pjesëmarrja në këtë ekspozitë është një arritje e veçantë, duke qenë se Gjeneva është një nga qendrat më të rëndësishme të artit.
Galeria ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Gjenevës, një zonë që përmbledh disa nga galeritë më të njohura të artit bashkëkohor dhe klasik. Vepra e Dardanisë do të shfaqet krah për krah me ato të artistëve të njohur ndërkombëtarë, një mundësi që jo vetëm e promovon artin shqiptar, por edhe e bën atë të dukshëm për një publik të gjerë dhe të rafinuar.
“Faces” është një koleksion i përqendruar tek diversiteti dhe shprehjet e fytyrës njerëzore, duke sjellë një qasje intime dhe introspektive për të kuptuar emocionet dhe përvojat e përbashkëta. Nëpërmjet përdorimit të ngjyrave të forta dhe detajeve të thella, Dardania kap momentet e ndjenjave të thella, duke krijuar një dialog të heshtur mes shikuesit dhe portretit.
Pjesëmarrja e Ramë Dardanisë në “La Galeri” është një dëshmi e zhvillimit të artit shqiptar dhe e angazhimit të tij për të sjellë përvoja unike artistike në skenën ndërkombëtare./ KultPlus.com
Danny Glover është pjesë e serialit shqiptar “Prokurori”, ku episodi i parë do të jetë premierë më 10 tetor, në kinematë e Tiranës, kurse më 12 tetor në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ky serial që është punuar me regju të Fatmir Doga, producentë Ylli Ujka e Cesk Ivanaj dhe drejtor të fotografisë Kushtrim Tërnava është i zhanrit aksion/ dramë dhe zhvillon përditshmërinë e popullit shqiptar, me fokus reformën në drejtësi dhe përballjen me krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikanëve të korruptuar.
Përpos aktprit të madh amerikan Danny Glover, me rolet e tyre janë përfshirë edhe aktorët: Klodian Hoxha, Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj./ KultPlus.com
Në mbretërinë e territ hëna shndrit e vetmuar. Poshtë saj sytë e lodhur arratisen ëndrrave, të tjerë të mërzitur i ankohen medaljonit të artë. E shkuara po ia lë fronin ditës së re; unë kthej kokën kah muri dhe kujtoj: e shtuna tashmë ka karakteristikat e diçkaje që mund të quhet histori.
Përsëri e diel, për mua, seria e të dielave të shumta, që përbëjnë javë, muaj, vite, dekada, kalendar- dhe disa valixhe të vjetruara kujtimesh që i tërheq pas vetes.
Në jetë shpeshherë ndodh t’i ngatërrojmë valixhet, ngarkohemi me kujtime të trishta, si një tren nate që bartë zhurmë, dëshira të venitura, vetmi dhe ca ëndrra.
Ndodh shpesh të rrugëtojmë udhëve të gabuara, me ndjenja të harlisura, lajme të këqija, vajtje – ardhje nëpër stacione për të parë sy të dashur ose arratisje në kontinentin e mërzisë.
Kur jashtë i nxjerrim orët e kujtesës, ngjajnë me rroba të zhubravitura. Duhet t’u japim formë, t’i hekurosim dhe mbushim rishtas me shpirt.
Ti thua se shumë kujtime treten rrugëve, parqeve të qyteteve, plazheve të shpirtit, pranë statujave mahnitëse të shkrimtarëve të zemrës.
I nxjerr në syprinën e ditës së re orët e fatit, të pikëllimit, të gëzimit, siç nxjerr udhëtari i kthyer prej viseve të largëta, tregime, perla, thesare të gjetura dhe aty-këtu ndonjë njollë gjaku të tharë.
Njerëzit nxitojnë dhe kurrë s’e zënë kohën që duan, as lumturinë që ëndërrojnë, sepse ato janë ëndrra nate, zgjatin pak, sa një sy gjumë.
Prandaj njerëzit tundohen t’i prishin kopshtet e tyre, për një tjetër që e ëndërrojnë.
Ora lëviz, yjet ndritin, hëna nëpër terr lundron e qetë, një zog bredh prej dega në degë.
Mesnatë! Janë orët e dashurisë. Ekstazës. Ëndrrave. Për dikë orë të errësirës, trishtimit, dikush dëgjon nga Vivaldi “Katër stinët”, një tjetër humbet poezive, ndërsa diku me ngjyrë blu vizatohen sy të mallëngjyer, ku futen anije të etura për lundrim.
Kur të shkuarës ia zë vendin dita e re, asgjë s’duket e jashtëzakonshme.
E diel përsëri. Unë hap ngadalë valixhen e mbushur me orë gëzimi, dehje, vallëzim, ekstazë dhe préhje pranë një libri./ KultPlus.com
Të enjten, në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj u mbajt aktiviteti kulturor Ora e Shkrimtarit, i konceptuar si bisedë letrare të Avni Spahiut dhe Ibrahim Berishës.
Në këtë ngjarje kulturore të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, morën pjesë përfaqësues të jetës politike, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore të Komunës së Skenderajt, pastaj nxënës, studentë, mësimdhënës, gazetarë, shkrimtarë e dashamirës të shumtë librit.
Personaliteti krijues i Avni Spahiut, i vështruar në rrafshin diplomatik, publicistik, përkthimor dhe në dimensione të tjera, u trajtua përmes kumtesave të shkrimtarëve, studiuesve dhe kritikëve letrarë, të cilët sollën mjaft shembuj interesantë për jetën dhe veprën e tij.
Në fillim të fjalës së tij, Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderaj, foli për personalitetin dhe kontributin shumëdimensional të Avni Spahiut në periudha të ndryshme kohore. Pas fjalës së tij, kryetari Nura e nderoi Avni Spahiun me mirënjohje, me motivacion: “për kontribut të çmuar shumëvjeçar për çështjen e Kosovës, si letrar, publicist dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, duke e përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze në shtetet mike”.
Në rolin e moderatorit të këtij aktiviteti, poeti Sali Bashota, paraqiti jetëshkrimin e Avni Spahiut, pastaj u ndal veçanërisht në mendimet e tij të paraqitura për Drenicën në librin “Arti i bashkëbisedimit”. Në mesin e shumë veprave të përkthyera nga Avni Spahiu, Bashota, dalloi “Nobelistët e Letërsisë”, ku përfshihet periudha e shkrimtarëve laureate nga viti 1901-2021, si dhe antologjinë “Poetë bashkëkohorë amerikanë”, në të cilën përfshihen 36 poetë më të njohur amerikanë.
Në fjalën e tij, shkrimtari Binak Kelmendi, ndër të tjera, tha: “Pas tubimit në Prishtinë, Avniu na mbledhi sot edhe në Skenderaj. Me Avniun njihem nga viti 1977. Avniu duhet të ketë qenë absolvent fakulteti kur vinte në “Rilindje”, zgjidhte foto dhe bënte tekste të shkurtra dhe shumë atraktive për ngjarjet rreth e rreth botës. Më vonë, ose saktë pas një viti, ai filloi punën e rregullt gazetar në “Rilindje”. Unë pnoja në rubrikën e Politikës së Jashtme në “Rilindje” dhe edhe Avniu ia nisi shumë herët punës në këtë rubrikë”.
Duke i evokuar kujtimet e tij, të ndërlidhura me bashkëpunimin me Avni Spahiun, Kelmendi në vazhdim tha se “Avniu një ditë dezertoi nga gazetaria dhe publicistika. Dezertoi po them në thonjëza, sepse Avniu nga gazetaria kaloi në diplomaci. Më duket se gazetaria dhe diplomacia kanë ca gjëra të përbashkëta. Ndoshta kjo, por edhe përgatitja e tij e gjithanshme ka ndikuar që Avniu edhe në këtë fushë, sikur dhe në fusha të tjera paraprake, shkëlqeu me përkushtimin dhe me seriozitetin e vet kudo dhe kurdo. Kudo që shërbeu, Avniu mbrojti fuqishëm interesat e kombit tonë dhe të Kosovës”.
Shkrimtari Ibrahim Berisha paraqiti një kumtesë mjaft përmbledhëse, duke theksuar, ndër të tjera, kontributin e shumë personaliteteve të Drenicës, si: Hasan Prishtina, Ahmet Gashi, Luan Gashi etj.
Në kumtesën e tij, Berisha portretizoi personalitetin e Avni Spahiut, duke thënë: “Lexues kureshtar që në fëmijëri, ndërtues ëndrre apo më mirë thënë edhe aventure për të shkuar në shkollë në SHBA, pastaj gazetar, rikthim në SHB sërish tash si si korrespondent, po në SHBA. E dini çka bleu Avniu me paratë e kursyera katër vjet si korespondent në SHBA? Bleu tokën e gjyshit që e kishin marrë me dhunë shteti dhe kolonistët serbë. Aty sot ka ndërtuar një shtëpi duke dhënë mesazhin e vazhdimësisë dhe vlerësimit për vuajtjen edhe të brezave të familjes, sikur edhe të të gjitha familjeve drenicase”.
Më tutje, Ibrahim Berisha, duke i dalluar mendimet e Avni Spahiut në librin e Sali Bashotës “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes), tha se: “shprehjet, konceptet kulturore, letrare, estetike, diplomatike, varësisht prej përmbajtjes së temës për të cilën flitet, janë të ndërtuara qartë, të pasura, precize, profesionale, etike, këto vlera që ishin përcaktues i përhershëm i shkrimit dhe komunikimit publik të Avniu Spahiut. Prandaj, vështirë të gjesh një intelektual, i cili 50 vjet krijon, dhe të komunikojë intensivisht me këtë kod përgjegjësie gjuhësore. Avniu vazhdon të krijojë. Sa herë bisedohet dhe bashkëbisedohet, tema e parë e tij është puna”.
Në fjalën e saj, poetja dhe drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, Naime Beqiraj, rikujtoi çaste interesante të leximeve të para të shkrimeve publicistike dhe përkthimore të Avni Spahiut, duke e dalluar vlerën e tyre letrare dhe estetike.
Kryetari i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, foli për personalitetin diplomatik të Avni Spahiut, veçanërisht për kontributin e tij në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, në këtë aktivitet, Avni Spahiu, u nderua me mirënjohje edhe nga Xhafer Murtezaj.
Duke shprehur falënderimin e tij të veçantë për organizimin e këtij aktiviteti në Skënderaj, Avni Spahiu, i përmendi disa nga ngjarjet dhe protagonistët e rëndësishëm gjatë veprimtarisë së tij krijuese, publicistike, diplomatike brenda dhe jashtë vendit.
Në fund anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës, i dhuruan Bibliotekës së Skenderaj disa nga veprat e tyre si dhe botime të PEN Qendrës së Kosovës.
Projekti Ora e Shkrimtarit, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com
Ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala ka dorëzuar letrat kredenciale, e cila ka njoftuar se me këtë akt solemn edhe fillon zyrtarisht misioni i saj në përfaqësimin e Kosovës në shtetin e Italisë, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të ambasadores Shala.
Pata nderin dhe privilegjin që në Pallatin Presidencial, t’i dorëzoj letrat kredenciale dhe t’ia prezantoj ekipin tim, Presidentit të Republikës së Italisë, Sh.T. Sergio Mattarella, në cilësinë e Ambasadores së Republikës të Kosovës në Itali.
Me këtë akt solemn, fillon zyrtarisht misioni im në përfaqësimin e Kosovës, një detyrë e lartë dhe përgjegjësi që e pranoj me përulësi dhe mirënjohje të thellë.
Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë me Presidentin Mattarella, figurë e lartë e kombit italian dhe një mik i çmuar i Kosovës, diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm. Me përkushtim të plotë, do të punoj për të forcuar edhe më shumë këtë miqësi të veçantë midis dy kombeve tona./ KultPlus.com
Me koreografi të Blenard Azizaj, shfaqja “Walls” do të prezantohet në Gorizia të Italisë, përkatësisht në Teatrin “Giuseppe Verdi”. Për këtë shfaqje ka njoftuar vet koreografi Azizaj, i cili është i njohur për punën e tij në balet duke përfshirë shumë performanca në teatro të ndryshme të Evropës.
Kjo shfaqje e radhës do të jetë më 17 tetor, prej orës 21:30./ KultPlus.com
Dikur isha bota jote. Atëherë kur mrekulloheshe pas buburrecave e karcyllave por unë s’kisha kohë me qenë botë. “Ecë ma shpejtë”… Duhej me mësu, me punu, me gjallnu me ja ble ilaqet babës me çu n’terapi nanën.
Ti u rrite tinëzisht, si lule jasemini që çel natën, me rrajë të palëkunduna n’truallin e kohës tande. Shpatullat t’u zgjanuen si fushë luledielli, kambët si rremba që përqafojnë dheun, e kalove pragun e fëminisë pa zhurmë, derisa akrepat e jetës tem nguteshin.
“Ec ma kadale”… t’them tash, por ti fluturon n’kërkim të qiellit tand. “S’kam kohë, kam punë, po m’presin shokët, kam me mësu.”
Bota jote përnjiherë u ba e madhe, aq sa m’çoi mue përpjetë e më lëshoi poshtë n’qoshen e shtëpisë ku pres me ndëgju tingullin ma t’ambël, kur futet çelësi në vrimë dhe hapet dera, e ti krejt shpërfillshëm m’buzëqesh kur hyn brenda! Unë t’vështroj prej qoshes dhe e kuptoj që asht radha jote me qenë botë dhe lutem që asnji rrebesh mos me ta ndal hovin që asnji tufan mos me ta pre udhën e dashnija me u rritë çdo ditë n’ty!/ KultPlus.com