Herdelezi

Poezi e shkruar nga Kujtim Paçaku.

Ishte muaji maj, ditë Herdelezi,
Një mëngjes i hershëm,
Diell pranveror mbi horizont.
Që im bir të mos më kërkonte
rroba të reja.

Në majë të gishtave ika,
sytë të mbushur lot
e xhepat bosh.
Edhe një festë do të kalojë
në lecka të vjetra.

Edhe një fëmijë do të qajë
në prehrin e së ëmës,
Edhe një baba do ta kafshojë
krenarinë e vet.
Ishte muaji maj, ditë
Herdelezi./KultPlus.com

Pablo Picasso: Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën

E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.

Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.

Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.

Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.

Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.

Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.

Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.

Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?

Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.

Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.

Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.

Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.

Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme.  Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se  kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.

Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.

Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.

Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?

Pablo Picasso

Përktheu: Shpëtim Kelmendi /KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Romëve priti në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, priti sot në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, të kryesuar nga z. Albert Kinolli.

Osmani uroi kryetarin Kinolli dhe të gjithë qytetarët e komunitetit rom në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të reflektuar mbi sfidat dhe arritjet, si dhe për ta riafirmuar përkushtimin institucional ndaj të drejtave dhe barazisë së komunitetit rom.

Gjatë takimit, ajo vlerësoi lart kontributin përfaqësuesve të komunitetit rom dhe komunitetit rom në përgjithësi në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke e cilësuar zërin e tyre si thelbësor në proceset demokratike të vendit.

Duke nënvizuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për fuqizimin e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, Presidentja Osmani vlerësoi punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe mekanizmave të tjerë që synojnë fuqizimin e pjesëmarrjes dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë për komunitetin rom.

Osmani potencoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore në fuqizimin e të rinjve rom, veçanërisht vajzave dhe grave, përmes programeve që rrisin qasjen dhe përfshirjen në sistemin arsimor. Ajo shtoi se përkushtimi për barazi nuk duhet përqendrohet vetëm në arsim, por edhe në krijimin e mundësive të barabarta për punësim dhe përfshirje aktive në jetën publike e institucionale të vendit./KultPlus.com

Nëse më do, më duaj të gjithën

Poezi nga Dulce Maria Loynaz

Nëse më do, më duaj të gjithën,
jo veç në pjesët e dritës dhe hijes…
Nëse më do, më duaj të zezë,
të bardhë, gri, jeshile, bjonde
dhe brune…
Më duaj ditën,
më duaj natën…
dhe në mëngjesin e hershëm në dritaren e hapur!

Nëse më do, mos më hiq pjesë:
Më duaj të gjithën… ose mos më duaj!

Përktheu: Orjela Stafasani/KultPlus.com

94 vite nga vdekja e nobelistit suedez Erik Axel Karlfeldt

94 vite më parë vdiq poeti suedez, Erik Axel Karlfeldt, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1931, shkruan KultPlus.

Poeti suedez ka lindur më 20 korrik të vitit 1864 në Stockholm. Ai ka studiuar në Universitetin e Uppsala, dhe për të ndjekur studimet atij iu desh të punoj si mësues në disa shkolla. 5 vjet pas diplomimit ai u punësua në Bibliotekën Mbretërore të Stockholmit.

Në vitin 1905  ai u zgodh anëtar i Akademisë suedeze, më 1905 u zgjodh anëtar i Institutit Nobel Norvegjez të Akademisë, më 1907 anëtar i Komunitetit të Nobel-it, dhe më 1912 Sekretar i përhershëm i Akademisë, post të cilin e mbajti deri në vdekje.

Disa nga veprat e tij janë:

Modern Swedish Poetry Part 1 (1929)
Arcadia Borealis (1938)
The North! To the North! (2001)

Ndërsa poezitë e tij ishin: Këngët e shkretëtirës dhe të dashurisë që u shtyp në vjeshtën e 1895, Kënga e Fridolinit, Kënaqësia e Fridolinit, Flora dhe Pomona, dhe Briri i vjeshtës.

Në vitin 1917 Universiteti Uppsala i dha një dekoratë nderi.

Ai vdiq më 8 prill 1931./KultPlus.com

I tretuni…

Poezi e shkruar nga shkrimtari Ndre Mjeda.

Nuk kalon nji natë e n’andërr
porsi zgjandërr
e shof nanën këtu përbri;
me krye vjerrte, me lot për sy
rri tue shfry
njat idhnim që don me e gri
Ndejun m’duket prap te votra
ku me motra
n’dritë t’kandilit qepte e arnote
por njat gaz ka që i shndritte
kur goditte
petkat e djalit e shendote
Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe
kur nuk kishe
fije idhnimi nëpër ftyrë
e ngurron, si t’kenke gurit
e, pshtetë murit
lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë
“T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë –
thotë sa herë, –
Afër nanës qe t’desh e t’ruejti;
t’kishe mbyllë me duer te mia
këtu te shpia
njata sy qe mordja shuejti
Afër vorrit tand nan-shkreta
porsi bleta
ishte sjellun tue gjimue
e n’at bar qe kishte qitë
për gjithë ditë
ndonji lule kish kerkue…”
…E mandej, si del nji krue
tue bumue
rreth e rreth prej brijes s’malit
rrkaj i ulen lot’ per rrudha
– Nuk asht udha
nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit
Kur n’kët shekull n’drit’ e qite
kur e rrite
me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh)
“Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke,
bir n’kët dhe
nana jote a shqiptaria
Mend e zemër për të shkriji
e përtriji
nam e lavd kur t’i vijë dita”
Mbas fjalësh t’tua përherë shkova
e t’ndigjova:
shqiptarin’ nuk e korrita./ KultPlus.com

68 vite nga rihapja e Kanalit të Suezit në Egjipt

Sot janë bërë 68 vite nga rihapja për qarkullim e Kanalit të Suezit, pas mbylljes së tij në vitin 1956, shkruan KultPlus.

Kanali i Suezit është një kanal artificial detar, i gjatë 163 km, ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq, kanal i cili ndan kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë.  Kanali i Suezit është lidhja më e afërt detare e hemisferës perëndimore dhe hemisferës lindore të Tokës.

Ky kanal ka rëndësi të madhe gjeo-strategjike për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detar për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme.

Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869, dhe gjendet në Gjirin e Egjiptit.

Në vitin 1956, kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser e ka nacionalizuar Kanalin e Suezit dhe për këtë arsye Franca, Anglia dhe Izraeli  kryen një invazion ndaj Egjiptit në këtë vit.

Prej këtij konflikti shumë anije u fundosën, dhe kanali i Suezit u mbyll deri në prill të vitit 1957./KultPlus.com

88 vite nga botimi i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”

Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.

Fishta filloi ta shkruante nga viti 1905, duke e përfunduar kështu në vitin 1937. Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie. Më 1905 u botua në Zara te Kroacise “Bleni I” i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua “Bleni II”, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.

Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh historike si: Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak./KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim… / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Romëve

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën. Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë. Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë. Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në komunitetin rom, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971. Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. / KultPlus.com

52 vite nga vdekja e artistit të madh, Pablo Picasso

Sot janë bërë 52 vite nga vdekja e piktorit të njohur, Pablo Ruiz Picasso, i cili ka vdekur në Mougins të Francës.

Picasso ka qenë piktor, projektues grafik, skulptor spanjoll, dhe njihet si pioner i kubizmit. Ai konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX.

Gjatë veprimtarisë së tij, Picasso ka punuar rreth 15 mijë piktura, grafika, vizatime, plastika dhe qeramika. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.

Puna e tij ka qenë aq me peshë, aq sa ka edhe ndarje të periudhave kohore në bazë të asaj çka ka krijuar Picasso:

Periudha blu 1901-1904

Periudha rozë 1905-1907

Periudha e influencës afrikane 1908-1909

Periudha e kubizmit analitik 1909-1912

Periudha e  kubizmit sintetik 1912-1919

Picasso u martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Ai u lind më 25 tetor të vitit 1881 në Malaga./KultPlus.com

Dielli kalon minimumin e ciklit të tij 80-100 vjeçar

Dielli sapo ka kaluar minimumin e një prej cikleve të tij më të mëdha, të quajtur cikli Gleissberg, i cili zgjat afërsisht 80-100 vjet, dhe për këtë arsye mund të jetë duke shkuar drejt 50 viteve të aktivitetit intensiv: tregon studimi i botuar në revistën Space Weather i koordinuar nga Universiteti i Kolorados.

Aktiviteti diellor është jashtëzakonisht i paparashikueshëm dhe “është e rrezikshme të thuhet se në 50 vitet e ardhshme aktiviteti diellor do të rritet, ne ndoshta do ta dimë këtë vetëm në prapavijë”, thekson Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes.

“Ka shumë variante në lojë dhe aktiviteti i Diellit nuk mund të modelohet kaq saktë”, shton ai.

Përafërsisht dihet cikli 11-vjeçar që karakterizon yllin tonë: cikli aktual, i 25-ti që nga fillimi i regjistrimit të njollave diellore në vitin 1755, filloi në vitin 2019 dhe zyrtarisht arriti kulmin e tij në fund të vitit 2024.

Por aktiviteti diellor është shumë më kompleks: cikli njëmbëdhjetëvjeçar është i ndërthurur me ciklin tjetër shumë më të gjatë.

Studiuesit e udhëhequr nga Kalvyn Adams analizuan të dhënat e mbledhura nga disa satelitë të agjencisë amerikane Noaa (Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës) që orbitonin në të ashtuquajturat rripa Van Allen: zona në formë donuti brenda magnetosferës së Tokës në të cilën grumbullohen grimcat e ngarkuara, të cilat përgjithësisht era e erës rrjedhin nga fusha magnetike e diellit.

Duket, në fakt, se një fluks më i madh i grimcave në këtë zonë është i lidhur me më pak aktivitet diellor dhe anasjelltas.

Rezultatet tregojnë se, duke nisur nga viti 2022, do të ketë një përmbysje të trendit me një rënie të qartë të fluksit të grimcave dhe kjo do të shënonte, sipas autorëve të studimit, kalimin e minimumit në ciklin Gleissberg./ atsh/ KultPlus.com

Studioja arkitekturore franceze L’AUC përzgjidhet për zhvillimin e zonës së Cirkut

Studioja arkitekturore franceze L’AUC u shpall fituesja për vizionin e zhvillimit të zonës qendrore të Tiranës, e njohur për qytetarët si zona e Cirkut.

L’AUC u përzgjodh nga gara ndërkombëtare ndërmjet 6 studiove prestigjioze të arkitekturës, të cilat prezantuan sot projektet, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali.

“Jam shumë i kënaqur. Për nga hapësira vendi sillte vështirësi, ishte diçka vërtet delikate dhe u përpoqëm të bënim të pamundurën, besojmë se arritëm të bënim të pamundurën, bëmë më të mirën e mundshme. Jemi entuziastë për të vijuar projektin më tej, jemi të kënaqur të ndajmë vizionin tonë edhe me arkitektë të tjerë”, u shpreh një nga përfaqësuesit e studios L’AUC.

“Jam shumë e kënaqur që L’AUC është përzgjedhur, me shumë kënaqësi do ta përdorim imagjinatën tonë për të bërë diçka shumë të mirë për Tiranën dhe vizitorët”, u shpreh një tjetër përfaqësues i studios arkitekturore L’AUC.

Nga juria u vlerësua ideja dhe koncepti i propozuar, duke theksuar disa aspekte të rëndësishme të projektit dhe filozofisë që qëndron pas tij.

“L’AUC, hartoi një skemë që quhej shesh i përbashkët Tirana, kishte një lloj skulpturimi të nënthënë e një lloj ndjesie poetike. Gjithashtu u vërejt që ndjesia dhe pamja moderne e Tiranës është e përfshirë në skena, në shprehi të ndryshme, në ngjyra të ndryshme, në materiale të ndryshme, e po kështu në shkallë të ndryshme, ishte një koncept mjaft elastik, e siç u tha nga arkitektektët nuk është një masterplan apo vepër arkitekturore, por është një vizion që ka shkallë njerëzore, një peizazh mjaft të bukur dhe na pëlqeu po ashtu kati horizontal, që shërben si ndarje në shkallë të caktuar në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Pastaj ishin katër kolonat që në fakt u konsiderua si shprehi shumë e fortë nga arkitekti dhe ishte e tillë dhe biem dakord me autorin për këtë propozim se ka një qartësi e forcë ikonike duke pasur këto katër ndërtesa rrethore. E gjitha kishte të bënte me krijimin e një qartësie në të gjithë kontekstin që u vlerësua nga juria. Vlerësuam shumë që arkitektët kishin shpenzuar kohë për të studiuar arkitekturën e mëparshme dhe traditën e historinë shqiptare”, u shpreh një nga anëtarët e jurisë.

Anëtari i jurisë dha disa sugjerime lidhur me projektin e paraqitur duke theksuar nevojën për ta bërë projektin më realist dhe të mundshëm për t’u realizuar në mënyrë efikase.

“Disa gjëra që duhen konsideruar, pozicioni i Teatrit, ne e kuptojmë tërësisht që ato gjëra që ju vendosni në anën tjetër janë bërë për të tërhequr njerëzit që të vijnë në këtë zonë, në mendojmë se pavarësisht strategjisë suaj do të gjeni mënyrën e duhur për ta ndërruar këtë situatë. Ky është një masterplan dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje që të punoni me arkitektë të tjerë në këtë vizion që na keni shpalosur sot. Siç u tha dhe nga anëtarët e jurisë thamë që është master plan dhe jo vepër arti në vetvete, një vizion për të gjithë hapësirën dhe ju, L’AUC, do të jeni ata që do të udhëhiqni punën që do të bëhet”, u shpreh anëtari i jurisë./ atsh/ KultPlus.com

Robert De Niro merr Palmën e Artë të Nderit

Robert De Niro, legjenda e kinemasë, do të marrë Palmën e Artë të Nderit për të gjithë karrierën e tij, gjatë ceremonisë së hapjes së Festivalit të Filmit në Kanë, më 13 maj.

14 vjet pasi ishte president i Jurisë në 2011, aktori, regjisori dhe producenti amerikan do të shpërblehet gjatë këtij edicioni të 78-të dhe do të takojë pjesëmarrësit e festivalit në skenën e ”Salle Debussy”.

Ndër aktorët më të mirë në historinë e kinemasë, De Niro vazhdon të përfaqësojë një pikë referimi për Hollywood-in.

10 interpretimet e tij që kanë hyrë në histori janë:

1 – Mean Streets (1973)
2 – Taxi Driver (1976)
3 – The Deer Hunter (1978)
4 – Ragging Bull (1980)
5 – Once Upon a Time in America (1984)
6 – The Untouchables – (1987)
7 – Good Fellas (1990)
8 – Heat (1995)
9 – Jackie Brown (1997)
10 – The Irishman (2019)./  atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 24 shqiptarët e zhdukur më 7 prill 1999: Serbia ende fsheh të vërtetën

26 vite pas zhdukjes me dhunë të 24 shqiptarëve, sot në fshatin Rashiq të Pejës, është zbuluar një pllakë përkujtimore për memorializimin e 11 civilëve dhe 13 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të zhdukur me dhunë nga një grup ushtarësh serb në vitin 1999.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë.

“Më 7 prill të vitit 1999, në një zonë afër fshatit Lybeniq të Pejës, një grup ushtarësh serbë i zhdukën me dhunë 24 shqiptarë, prej të cilëve 11 civilë dhe 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 26 vite pas zhdukjes së tyre me dhunë, sot në fshatin Rashiq të Pejës, u zbulua një pllakë përkujtimore për memorializimin e këtyre 24 shqiptarëve”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Në këtë pllakë përkujtimore u memorializuan: Hazir Bezeraj (1948), Januz Bezeraj (1939), Muhamed Bezeraj (1952), Abedin Shala (1980), Jeton Shala (1971), Nazmi Shala (1955), Sejdi Shala (1965), Selim Shala (1958), Valdet Shala (1981), Demë Shala (1954), Kushtrim Shala (1979), Agim Gjocaj (1957), Arben Gjocaj (1970), Lulzim Gjocaj (1973), Nazmi Gjocaj (1955), Selvete Gjocaj (1972), Syl Gjocaj (1976), Deli Bricori (1962), Bajram Velijaj (1976), Hasan Morina (1950), Rexhep Berisha (1962), Nebih Berisha (1970), Hazir Berisha (1948) dhe Avdi Berisha (1964).

“Serbia vazhdon t’i mbajë të paqasshme arkivat e ushtrisë dhe të policisë së saj, si dhe të refuzojë të bashkëpunojë plotësisht e për çdo rast për të dhënë informacione për të zhdukurit gjatë luftës.

Të zhdukurit me dhunë të këtij rasti, si dhe të gjithë të rënët në rrugën e vështirë të popullit të Kosovës për liri, do të kujtohen përgjithmonë. Historia e tyre do të mbetetet trashëgimi e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Lavdi”, ka thënë Kryeminisri Kurti./ KultPlus.com

Konkurs ndërkombëtar për zhvillimin e zonës së Cirkut, Rama: Tirana, ‘lokomotiva’ e një transformimi epokal

Një tjetër zonë qendrore e Tiranës, e mirënjohur për qytetarët si zona e Cirkut, do të rivitalizohet, falë një projekti bashkëkohor që do të përzgjidhet nga gara ndërkombëtare e 6 studiove të arkitekturës, nga të cilat, 5 janë të reja për publikun shqiptar, por me shumë eksperiencë në vendet e tyre dhe në botë.

Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen sot projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, – ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.

Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Rama vlerësoi se kjo është një tjetër maratonë arkitekture për vizionin e zhvillimit të një zone qendrore në Tiranë.

“Brenda një harku shumë të shkurtër kohe rikthehemi këtu për një tjetër konkurs ndërkombëtar, këtë herë një konkurs i organizuar nga vetë subjekti në kuptimin e kërkesës për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës”, tha Rama.

Ashtu si është vepruar edhe në raste të tjera, Rama tha se “kemi kërkuar që ky zhvillim t’i nënshtrohet konkursit”.

“Jemi këtu bashkë me një juri, prestigji i së cilës vjen nga prania e disa arkitektëve vërtetë të jashtëzakonshëm që nuk janë thjesht të ftuar nga jashtë, por janë edhe protagonistë të transformimeve të rëndësishme të vendit në fushën e zhvillimit urban me projektet e tyre. Dëshiroj që duke i falënderuar anëtarët e jurisë që pranuan ftesën për të na ndihmuar në një gjykim sa më të mirarsyetuar, të falënderoj edhe të gjitha studiot që aplikuan”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ishin një numër i konsiderueshëm studiosh që aplikuan.

Rama theksoi se “ky është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë”.

“Këto zhvillime kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një ‘universitet’ i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme”, shtoi Rama. /atsh/ KultPlus.com

Përurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin, Hasani: E ardhme më e fortë mes dy vendeve

Një ditë historike sot në Ulqin, Mali i Zi, në qytetin e pasurive natyrore, historike dhe kulturore ku u përurua Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore, trupit diplomatik, qytetarëve ulqinakë etj.

Përurimi i kësaj konsullate për ministrin Hasani është njëkohësisht dëshmi e raportit të veçantë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por edhe një angazhimi të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të lidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në fjalën përshëndetëse Hasani tha se “në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleate dhe ndajnë një vizion të përbashkët për paqe, stabilitet dhe integrim evropian, ky hap përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor. Do të jetë një nyje strategjike për të ndihmuar në forcimin e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve, dhe rritjen e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura”.

Ministri Hasani theksoi ndër të tjera se qeveria shqiptare e ndjek gjithmonë me kujdes dhe përkushtim zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën demokratike dhe euroatlantike të vendit, dhe ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëjetese.

“Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë rol dhe të inkurajojmë përfaqësimin e tyre aktiv në të gjitha nivelet e jetës institucionale”, cilësoi Hasani.

Në kuadër të vizitës në Ulqin,  Hasani zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutoi për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit.

Ai vizitoi edhe Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare – Libraria Ulqini, për të cilën vlen të theksohet se në fillim të këtij viti është bërë disbursimi i një shume prej 50 mijë eurosh për librarinë, ndërsa garantoi se do të vijojë mbështetja financiare për funksionimin e kësaj qendre.

Gjatë vizitës, Hasani u takua edhe me drejtues të partive politike shqiptare në Malin e Zi, për të shkëmbyer ide dhe diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me situatën politike dhe zhvillimet rajonale./atsh/ KultPlus.com

Dëborë në Korçë, dimri zbukuron qytetin me ‘dhuratën’ e fundit

Korça këtë mëngjes prilli u gdhi e bardhë. Dëbora e rënë gjatë natës ka krijuar pamje mbresëlënëse, duke ia shtuar bukurinë këtij qyteti.

Ulja e temperaturave në vend, riktheu reshjet e dëborës në zonën juglindore të vendit, kryesisht zonave të thella malore, por pati reshje të konsiderueshme edhe brenda qytetit të serenatave.

Korça ngjan si qytet i dalë nga ndonjë përrallë, me pemët e bardha jo nga lulet e pranverës por nga kristalet e dëborës.

Rrugët, sheshet, statujat gjithçka u mbulua nga dëbora brenda pak orëve, ndërsa qytetarët me gjithë vështirësitë e krijuara nga e papritura në qarkullim, mirëpritën “dhuratën” e fundit të dimrit.

Reshjet e dëborës me intensitet deri mesatar në të gjithë territorin të shoqëruara dhe me erë kanë bërë që trashësia e dëborës varion nga 10 deri 25 cm në zonat malore. /atsh/ KultPlus.com

Dalin në shitje biletat për Sunny Hill Festival 2025  

Biletat e para të Sunny Hill Festival 2025 tashmë janë në shitje. Believers janë lloji më i lirë i biletave të festivalit Sunny Hill i cili këtë vit mbahet prej 1 deri më 3 gusht. 

Prishtinë, 7 prill 2025 – Edicioni i ri i Sunny Hill Festival po vjen. Sunny Hill Festival tashmë i ka lëshuar në shitje biletat e para dhe më të lira për edicionin e ri të festivalit më të madh në rajon. 

“Bileta për dhjetëra artistë ndërkombëtar në tre skena dhe tre ditë rresh eksperiencë e papërsëritshme në Prishtinë momentalisht fillon prej 95 euro. Kjo është mundësia më e mirë për të qenë pjesë e një eksperience të paharrueshme – me muzikën, energjinë dhe atmosferën unike që vetëm Sunny Hill Festival mund të sjellë. Të gjitha llojet tjera të biletave pas grupit të parë të biletave Believers do të jenë me çmime tjera” thuhet në njoftimin e Sunny Hill Festival.

Sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve, Sunny Hill Festival për të dytin vit me radhë, është nominuar si njëri ndër Top 10 festivalet më të mira në Evropë në kategorinë e vet dhe një ndër 25 festivalet më të mira që nuk duhet humbur gjatë vitit. 

Ekipi organizues po punon me përkushtim për ta bërë këtë edicion të veçantë. Të rejat më të fundit po ndahen me komunitetin më besnik të festivalit përmes kanalit zyrtar në Instagram, ndërsa mijëra njerëz tashmë kanë siguruar biletat e tyre “Believers”.  

“Kjo është koha kur ne ia kushtojmë gjithë energjinë dhe përkushtimin tonë më të madh atyre që kanë qenë gjithmonë me ne – pjesëmarrësve më lojal të festivalit” kanë deklaruar organizatorët.  

Numri i biletave të kategorisë “Believers” pritet të shiten shumë shpejt pasi që kërkesa për to është shumë e madhe dhe numri i tyre i kufizuar.

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025  / KultPlus.com

Kadetët e FSK-së shpërblehen me medalje të artë në Itali

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shënuar sukses në arenën ndërkombëtare, duke u shpërblyer me medaljen e artë nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë.

Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se ky institut është një organizatë e pavarur që promovon ligjin ndërkombëtar humanitar, të drejtat e njeriut dhe ligjin e refugjatëve, duke ofruar kurse dhe konferenca për profesionistë ushtarakë, diplomatë dhe juristë.

“IIHL organizon çdo vit një garë mbi Ligjin e Konfliktit të Armatosur (LOAC) për akademitë ushtarake nga e gjithë bota, ku kadetët mësojnë dhe zbatojnë ligjin në skenarë të simuluar ushtarakë. Gara përbëhet nga një fazë praktike, ku ekipet shumëkombëshe këshillojnë mbi çështje ligjore bazuar në situata të supozuara. Ky aktivitet, përveçse një garë, është edhe një ushtrim që përgatit udhëheqësit ushtarakë të ardhshëm për operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërgjegjësimin për çështjet humanitare”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ndër të tjera theksohet se pjesëmarrja realizohet me ekipe të përbëra nga tre kadetë dhe një lider ekipi.

“Këtë herë, Qendra për Studime Universitare mori pjesë për herë të parë në këtë garë dhe u kthye me medalje të artë, duke dëshmuar avancimin që kjo qendër po arrin në përgatitjen e kadetëve të saj. Gara ishte gjithashtu një shembull i shkëlqyer i punës ekipore me kombet e tjera, ku kadetët tanë bashkëpunuan ngushtë me kolegë ndërkombëtarë në zbatimin e Ligjit të Konfliktit të Armatosur.

Ky triumf pasqyron progresin që Qendra për Studime Universitare po shënon në ngritjen e kapaciteteve të saj si një institucion akademik ushtarak. Ai reflekton përkushtimin dhe disiplinën e kadetëve, si dhe përparimin e Qendrës në skenën ushtarake ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik mbahet në maj

Nga data 16 deri më 19 maj, në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës, për katër ditë me radhë organizohet Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik, në Prishtinë.

Edicioni i radhës GRAN Fest 2025 sjell artistët si: Loisel, Ruslan Pikhota, Bocquet, Catel, Jeroen Jannsen, Dav, Lucien Czuga, Dytun Yilmaz, Ula Rugeviciute, Nderim Duni, Enrique Flores, Frederik Peeters, Petrikanoviç, Murat Ahmeti, Jemi.

Në këtë festival do të ketë ekspozita, konferenca, botime, punëtori dhe filma.

No description available.

Bijtë

Poezi nga Khalil Gibran

Dhe një grua që
mbante një foshnjë në gji tha:
Na fol për bijtë
Dhe ai tha:
Fëmijët, janë përgjigjet që jeta i jep secilit prej nesh,
ata jane esenca e buzëqeshjes suaj
Janë gjaku dhe mishi i mishit tuaj,
por jo gjaku dhe mishi juaj
Janë bijtë e bijat e Etjes
që ka Jeta për veten
vijnë përmes jush, por jo nga ju e
megjithëse jetojnë me ju
nuk ju përkasin
Dhurojuni gjithë dashurinë tuaj
por jo tuajat mendime
Ata kanë mendimet e tyre
Mund t’u ofroni strehë trupave
por jo shpirtrave të tyre
sepse ata banojnë në shtëpinë e së nesërmes
ku nuk ju lejohet të hyni
as edhe në ëndërr
Mund të provoni të jeni të ngjashëm me
ta por jo ti bëni të ngjashëm me veten
Sepse Jeta, është një rrugë
që vazhdon gjithnjë përpara
e nuk ndalet në të shkuarën
Ju jeni Harqet nga të cilat
si shigjeta të gjalla
bijtë lëshohen përpara
Harkëtari shënon shtegun e pafundësisë
e ju mban fort
derisa shigjetat nisen shpejt e larg
Besojini Harkëtarit
sepse siç ka për zemër fluturimin e shigjetës,
ka dhe qëndrueshmërinë e harkut… /KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Shëndetit

Dita Botërore e Shëndetit është një ditë globale e ndërgjegjësimit shëndetësor që festohet për çdo vit më 7 prill, nën sponsorizimin e Organizatës Botërore të Shëndetit, si dhe të organizatave të tjera të ndërlidhura.

Në vitin 1948, OBSH organizoi Asamblenë e Parë Botërore të Shëndetit. Asambleja vendosi të caktojë 7 prillin si Ditën Botërore të Shëndetit. Dita Botërore e Shëndetit mbahet për të shënuar themelimin e OBSH-së, dhe shihet si një mundësi nga organizata të ndryshme për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën për një subjekt me rëndësi të madhe për shëndetin global çdo vit. OBSH-ja në këtë datë organizon ngjarje ndërkombëtare, rajonale dhe lokale në lidhje me një temë të veçantë shëndetësore. Dita Botërore e Shëndetit pranohet nga qeveri të ndryshme dhe organizata joqeveritare me interes në çështjet e shëndetit publik, të cilët gjithashtu organizojnë aktivitete dhe theksojnë mbështetjen e tyre në raportet e mediave, siç është Këshilli Global i Shëndetësisë.

Dita Botërore e Shëndetit është një nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit të shënuara nga OBSH, së bashku me Ditën Botërore të Tuberkulozit, Javën Botërore të Imunizimit, Ditën Botërore të Malaries, Ditën Botërore pa Duhan, Ditën Botërore kundër SIDA-s, Ditën Botërore të Donatorëve të Gjakut dhe Ditën Botërore të Hepatitit./ KultPlus.com

Muse-X kthen Tiranën në epiqendrën e muzikës, industrisë kreative dhe kulturës

Muse-X do të jetë Ekspofestivali i Parë i Muzikës & Arteve Kreative në Ballkan. Muse-X do të vijë nga 11 prilli, në Sheshin Italia në Tiranë, duke e shndërruar atë në epiqendrën e gjallë të muzikës, industrisë kreative dhe kulturës.

Gjatë ditës do të ketë konferenca, TED Talks, networking me mbi 100 liderë dhe kompani nga Mbretëria e Bashkuar, Evropa dhe Ballkani. Gjithashtu “Rap Battles” epike, Open Jam Sessions, “DJ Battles” dhe konkurse kreative.

Ndërsa gjatë natës, skena do të ndizet me tri netë festivalesh të mbushura me muzikë elektronike, hip-hop dhe rock. Performancat do të jenë të paharrueshme nga artistët më të mëdhenj dhe bashkëpunime ekskluzive të Muse-X.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com