Gonxhja: Kultura shqiptare në Javën e Dizajnit në Milano dhe në Bienalen e Venecias

Kultura Shqiptare do të prezantohet në Javën e Dizajnit në Milano dhe në Bienalen e Venecias nga 8-13 prill, në kuadër të CulturAlb, një projekt i ri i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe qeverisë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale videon promovuese të përfaqësimit të kulturës shqiptare në këto aktivitete.

“Ky projekt promovon kulturën tonë jashtë vendit. Në fokus të tij janë kinematografia shqiptare dhe takimet me komunitetin arbëresh”, tha Gonxhja.

Projekti “Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon të prezantojë trashëgiminë dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës.

Sipas MEKI-it, me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon, ndërvepron dhe nuk ka kufij.

Kryetari Rama: Xhim Xhema ofron kontributin e tij për realizimin e ‘Muzeut të Paqes’ në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Xhim Xhema ka ofruar kontributin e tij për realizimin e “Muzeut të Paqes” në kryeqytet.

Kryetari Rama ka thënë se takimi me atdhetarin Xhim Xhema është gjithmonë privilegj.

“Gjatë gjithë jetës së tij, ai ndihmoi çështjen shqiptare duke u bërë një dritë shprese për ne në komunitetin ndërkombëtar. Kontributi i tij vazhdon edhe sot, tani në ruajtjen e historisë tonë kolektive. Xhim Xhema ka ofruar kontributin e tij për realizimin e “Muzeut të Paqes” në Prishtinë. Ky muze do të kontriboj në forcimin e kujtesës sonë kolektive për të kaluarën tonë, për nderimin e kontribuesit të çështjes sonë dhe do të shërbejë si themel për të edukuar brezat e ardhshëm mbi vlerat e paqes dhe demokracisë. Xhim Xhema ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe, duke siguruar mbështetje financiare të plotë për dizajnimin dhe ndërtimin e muzeut. Përjetësisht mirënjohës për kontributin e tij për popullin shqiptar dhe për forcimin e imazhit të Prishtinës si një qytet që, përmes artit dhe arsimimit, promovon paqen dhe rëndësinë e bashkëpunimin ndërkombëtar. Faleminderit, Xhim Xhema, për këtë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Kryetari Rama.

Isa Alimusaj hap ekspozitën personale ‘Profile Dardane’

Në Galerinë e Artit në Pejë, është hapur ekspozita personale retrospektive e pikturave e artistit Isa Alimusaj.

Kjo ekspozitë përfaqëson një udhëtim artistik unik përmes veprave të Alimusajt, duke sjellë një kombinim të ndjeshëm të traditës dhe inovacionit në artin bashkëkohor.

Ngjarja shënon 75 vjetorin e lindjes, 55 vjetorin e krijimtarisë dhe 45 vjetorin e ciklit të tij të famshëm “Profilet Dardane”.

Gjatë karrierës së tij mbi pesë dekada, ai ka krijuar rreth 12,000 vepra arti, një arritje që rivalizon edhe me gjeniun spanjoll, Pablo Picasso.

Një nga ciklet më të njohura të krijimtarisë së Alimusajt është “Profilet Dardane”, që pasqyron angazhimin e tij të thellë me trashëgiminë dhe identitetin kosovar.

Piktura si “Figurat në hapësirë” dhe “Profile Dardane II”, që ndodhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ofrojnë një vështrim të thellë në traditat dhe historinë e pasur të Kosovës.

Punimet e Alimusajt janë ekspozuar në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Evropës.

Stili i tij dallon për peizazhet e gjalla dhe të ëndërrta me emocione të fuqishme, duke e bërë atë një figurë të dalluar në botën e artit.

Ekspozitat e tij janë pritur me entuziazëm, duke e vendosur atë si një ambasador kulturor të Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.

Isa Alimusaj ka ndërtuar një identitet të veçantë artistik, me pasionin e tij për artin dhe kulturën.

26 vjet nga masakra në Rezallë ku u ekzekutuan 98 shqiptarë

Sot shënohet përvjetori i 26-të i masakrës së Rezallës në Skenderaj.

Forcat serbe më 5 prill 1999 ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

Nga kjo masakër shpëtuan vetëm tre persona.

Masakra e Rezallës konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Me 170 galeri arti nga 25 vende të ndryshme, Art Paris shfaq vepra me diversitet të madh

Për edicionin e tij të 27-të, panairi i artit modern dhe bashkëkohor po feston rikthimin e tij në Grand Palais, për kënaqësinë e vizitorëve.

“Ky vend është i mrekullueshëm!”, shprehet Ghislaine Escande, një piktore dhe artiste pamore, e cila ka ardhur në Art Paris që në fillimet e saj.

E dielli në Art Paris ndriçon mijëra vepra arti: nga skulpturat dhe pikturat te fotografitë, shiritat komik – dhe për herë të parë, madje edhe pjesët e dizajnit. 

Me 170 galeri arti nga 25 vende dhe gati 1000 artistë të përfaqësuar, Art Paris shfaq vepra me diversitet të madh.

Për edicionin e tij të 27-të, panairi i artit modern dhe bashkëkohor po feston rikthimin e tij në Grand Palais, për kënaqësinë e vizitorëve.

“Ky vend është i mrekullueshëm!”, shprehet Ghislaine Escande, një piktore dhe artiste pamore, e cila ka ardhur në Art Paris që në fillimet e saj.

E dielli në Art Paris ndriçon mijëra vepra arti: nga skulpturat dhe pikturat te fotografitë, shiritat komik – dhe për herë të parë, madje edhe pjesët e dizajnit. 

Takim i rëndësishëm mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Francës

Me ftesë të Bibliotekës Kombëtare të Francës, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, u takua në Paris me përfaqësues të këtij institucioni të lartë kulturor, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në takim morën pjesë Jean-Francois Roseau, drejtor për marrëdhënie ndërkombëtare i Bibliotekës Kombëtare të Francës, Helene Berges, zyrtare për çështje evropiane nga BNF, dhe Frederique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.

Ky takim midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Francës, shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve institucionale në fushën e bibliotekarisë.

Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit kulturor, shkëmbimit të praktikave të mira në menaxhimin bibliotekar, si dhe organizimin e projekteve të përbashkëta.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës mbetet e përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare për të përmirësuar qasjen në dijen dhe kulturën botërore./ KultPlus.com

Për herë të parë përurohet dhoma burimore për fëmijë me nevoja të veçanta në Kaçanik

Sot, në shkollën fillore “Emin Duraku” në Komunën e Kaçanikut, për herë të parë u përurua një dhomë burimore speciale e kompletuar me tërë inventarin përcjellës për fëmijët që kanë nevoja profesionale për trajtim më të veçantë.

Ky projekt u realizua nga donatori i njohur i komunës së Kaçanikut, Dr. Astrit Sokoli, i cili ka investuar në këtë shkollë publike edhe më herët në forma të ndryshme. Dhoma burimore u realizua në kuadër të Ditës Botërore të Autizmit.

Nënkryetari i Komunës, Sabedin Vishi, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë projekt të qëlluar, duke shtuar se Komuna e Kaçanikut do të ketë gjithmonë dyert e hapura për bashkëpunime të tilla dhe do të jetë gjithmonë afër donatorëve, për çka në mënyrë te veçantë e falenderoi Doktor Astritin, për këtë investim, por edhe për të gjitha donacionet e tjera që po i bënë për shoqërinë në përgjithësi në komunën tonë. Fjalë falenderuese pati edhe nga drejtoresha e shkollës “ Emin Duraku”, Diana Bajrami Reka, ndërsa Astrit Sokoli si donator i këtij projekti, falenderoi stafin menaxherial dhe arsimtarët e shkollës si dhe Komunën e Kaçanikut, ndërsa premtoi edhe bashkëpunime në projektet e reja.

Tashmë kjo klasë ofron kushte komode për lehtësimin e procesit mësimor për fëmijët që kanë nevojë për trajtim më të veçantë, si edhe për realizimin e planit mësimor për mësuesit ndihmës. Klasa është e kompletuar dhe do të shfrytëzohet për këshillime, vlerësime, takime me fëmijë e prindër si dhe do të përdoren mjetet didaktike.

Ndërsa Dr. Astriti u shpreh se ndihet shumë i emocionuar në përurimin madhështor të kësaj dhome burimore, e cila sipas tij, kjo shënon fillimin e një kapitulli të ri në ofrimin e një mjedisi mbështetës, gjithpërfshirës dhe fuqizues për të gjithë nxënësit.

“Kjo hapësirë ​​është projektuar me dashuri, kujdes dhe konsideratë maksimale për nevojat e ndryshme të nxënësve. Ne jemi përkushtuar për të nxitur një atmosferë ku çdo fëmijë ka mjetet, burimet dhe mbështetjen për të lulëzuar. Gjithmonë do të jem në gatishmëri që të bëj realitet këto vizione dhe për të krijuar kujtime të qëndrueshme dhe për të festuar potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj kategorie të fëmijëve!”, u shpreh mbështetësi i këtij projekti, Dr. Astriti, ndër të tjera.
Një dhomë burimore mund të ofrojë:

  • Mbështetje individuale: Fëmijët mund të punojnë me mësues të trajnuar, të cilët u ndihmojnë atyre të përballen me vështirësitë e tyre mësimore;
  • Pajisje të specializuara: Si mjete dhe materiale që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike, komunikimit dhe mësimit;
  • Qetësi dhe fokus: Një mjedis më të qetë dhe pa shpërqendrime, i cili mund të jetë më i përshtatshëm për fëmijët që kanë nevoja të veçanta, si ata me autizëm ose çrregullime të tjera të zhvillimit.
    Kjo dhomë mund të ofrojë gjithashtu mundësi për punë grupore ose aktivitete që ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi sociale dhe emocionale në një mjedis të mbështetur dhe të kontrolluar.

/ KultPlus.com

Më 10 maj Eno Peçi do të shpërblehet me çmimin ndërkombëtar “Consonanze Artistiche 2025“

Më datën 10 maj në “Teatro Comunale di Pietrasanta” në Itali, do të ngjitet në skenë balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi.

Peçi është solist i Wiener Staatsoper dhe Volksoper, dhe performon si “Yll i ftuar” nga teatrot në të gjithë botën si balerin ashtu edhe si koreograf.

Ai do të shpërblehet me çmimin ndërkombëtar “Consonanze Artistiche 2025”./ KultPlus.com

Shkrimtarja e njohur Lea Ypi së shpejti do të publikojë librin e ri “Aufrecht”

Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi së shpejti do ta publikoj librin e ri me titull “Aufrecht”. 

Libri i paraprin librit të saj të njohur ndërkombëtarisht “Të lirë”.

Libri “Aufrecht” do të publikohet në muajin shtator.

Lea Ypi është një prej figurave më kuptimplote e botës akademike shqiptare edhe pse funksionon jashtë botës shqiptare. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe profesoreshë e filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Evropian.

Me studimet e saj ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Lea Ypi është zgjedhur ndër dhjetë mendimtarët më të mirë në botë sipas Prospect Magazinë 2022. Ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuar, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princetonit, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit.

Lea Ypi është bërë e njohur së fundi edhe si autore e një libri që del jashtë kornizave të profesionit të saj primar. Libri i saj autobiografik “Free”, ose në shqip “Të lirë”, ka zgjuar interesim të madh kudo ku është botuar dhe hedhur në treg. Libri është botuar në anglisht, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar lartë nga kritika ndërkombëtare./ KultPlus.com

Porti i ri i Porto Romanos, përzgjidhen 2 konsorciume ndërkombëtare për fazën finale

Konsorciumi  holandez Van Oord Dredging and Marine Constractor dhe ai grek me seli në Holandë, Archirodon Construction Company Limited janë kualifikuar për fazën tjetër të procedurës për ndërtimin e Portit të ri të Porto Romanos.

Këto dy konsorciume do të paraqesin edhe ofertat ekonomike, ku edhe më pas do të përzgjidhet kompania fituese.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se ka përfunduar faza parakualifikuese dhe se 2 konsorciume janë përzgjedhur për të vijuar në fazën tjetër nga 5 konsorciume që u bënë pjesë e garës ndërkombëtare.

“Ndërtimi i Portit të ri në Porto Romano në rrugë të mbarë, përfundon faza e parakualifikimit. 5 konsorciume ndërkombëtare morën pjesë në një garë të hapur dhe transparente. Komisioni, i udhëhequr nga konsulenti ndërkombëtar Royal HaskoningDHV, kualifikoi 2 konsorciume, të cilët pas dorëzimit të dokumentacionit fizik do të paraqesin ofertat ekonomike”, tha Balluku.

Shqipëria, theksoi ajo, do të ketë një port model, një HUB në Mesdhe, i cili do t’i shërbejë të gjithë rajonit.

Fondi limit i parashikuar për ndërtimin e këtij porti është 39,3 miliardë lekë.

Projekti integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Është parashikuar t’i përgjigjet kërkesave Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për 4 dekadat e ardhshme./ KultPlus.com

2 zona arkeologjike në Krujë shpallen pasuri të paluajtshme kulturore

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për deklarimin “pasuri kulturore të paluajtshme” të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Krujës.

Sipas ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e zonifikimit të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Krujës, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) si edhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.

Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në fuqi, ndërsa Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Krujës në Gjeoportalin Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ KultPlus.com

Universiteti i Gjirokastrës dhe OSBE, krijim i një Qendre Kërkimore për Zhvillimin Vendor

Universiteti i Gjirokastrës, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi një takim koordinues për të diskutuar krijimin e një Qendre Kërkimore për Zhvillimin Vendor.

Takimi u hap nga rektori i Universitetit, prof. dr. Jaho Cana dhe Aleksandar Maskovic, përfaqësues i lartë i OSBE-së, ndërsa metodologjia dhe hapat e mëtejshëm u prezantuan nga Elton Qendro, menaxher i projektit në OSBE.

Qendra do të ketë një rol strategjik për Universitetin, duke forcuar kapacitetet kërkimore, përfshirjen aktive të studentëve dhe stafit akademik, si dhe ndihmën në politikëbërjen lokale për sfidat e zhvillimit.

Studimi i fizibilitetit do të analizojë realizueshmërinë, dobishmërinë dhe qëndrueshmërinë e projektit, përmes një vlerësimi gjithëpërfshirës të aspekteve ekonomike, ligjore, teknike dhe institucionale.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së rolit të Universitetit të Gjirokastrës si kontribues aktiv në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit./ KultPlus.com

39 amerikanë betohen si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Shqipëri

Ditën e sotme, 39 amerikanë kanë bërë betimin për t’u angazhuar si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Shqipëri për dy vite shërbim. Sipas njoftimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e pranishme në këtë ceremoni ishte edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, ndërsa këta individë plot përkushtim do të sjellin më të mirat e vlerave amerikane në Shqipëri.

“Duke u mbështetur në 30 vite ndikimi, ata do të bashkëpunojnë me komunitetet lokale për të forcuar lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim, ndërsa në ceremoni u bashkua edhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesja e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Megan Wilson.

E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn gjatë fjalës së saj përshëndetëse falënderoi ministren Manastirliu dhe ekipin për mbështetjen ndaj vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe për punën që ata bëjnë nëpër klasa, shkolla dhe komunitete anembanë Shqipërisë.

“Gjithashtu, dua të falënderoj mësuesit, bashkëpunëtorët lokalë dhe partnerët qeveritarë që do të punojnë përkrah vullnetarëve gjatë muajve dhe viteve në vijim. Ju i keni hapur bujarisht jo vetëm shtëpitë, por edhe zemrat tuaja për t’i përgatitur këta vullnetarë për punën që i pret. Mbështetja e të gjithë partnerëve tanë shqiptarë është thelbësore për suksesin e Korpusit të Paqes në Shqipëri. Dhe më duhet të pranoj, jam pak ziliqare ndaj të gjithë vullnetarëve”, tha VanHorn.

“Mikpritja, bukuritë e Shqipërisë, edhe unë i kam përjetuar këtu në ambasadë nuk mund të krahasohen me atë që ju do të përjetoni duke u bërë pjesë e këtyre familjeve dhe komuniteteve.

E di që mund të jem pak e njëanshme, por me siguri mund të them që ju jeni vullnetarë të Korpusit të Paqes në vendin më të mirë në botë. Dhe jeni duke bërë një nga punët më të rëndësishme që mund të bëhen në emër të popullit amerikan. Më shumë se 240,000 vullnetarë kanë shërbyer në rreth 140 vende dhe mendoj që të gjithë ju përfaqësoni shpirtin e shërbimit që është në thelb të asaj çfarë do të thotë të jesh amerikan”, pohoi ajo.

Gjatë fjalës së saj, VanHorn iu drejtua të rinjve vullnetarë të Korpusit të Paqes, se teksa do të hynë në një klasë shqiptare apo do të punojnë me një organizatë lokale, këta të rinj do të thellojnë dhe forcojnë më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Ju do të ndihmoni në forcimin e stabilitetit ekonomik përmes punës suaj në çuarjen përpara të sipërmarrjes dhe fuqizimin e komuniteteve për të zbatuar projekte të zhvilluara në mënyrë lokale. Kjo do të krijojë mundësi të reja për të dy vendet tona dhe do të ulë cenueshmëritë”, nënvizoi VanHorn.

“Siç e theksuan ministrja dhe Megan, do të ktheheni në Shtetet e Bashkuara me aftësi të paçmueshme, aftësi udhëheqëse, ekspertizë teknike, njohuri të gjuhës shqipe dhe aftësi kulturore që do t’ju bëjnë të vyer për Shtetet e Bashkuara kur të ktheheni. Dhe me shumë sinqeritet them se ju përfaqësoni më të mirën e Amerikës. Shërbimi që do të bëni këtu për dy vitet e ardhshme nuk do të sjellë ndryshim vetëm në jetët tuaja, por edhe në jetët e atyre që do të takoni gjatë shërbimit. Ky shërbim do të forcojë lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për shumë vite që do të vijnë”, përfundoi VanHorn. / KultPlus.com

Rama: 238 mijë nxënës marrin librat falas, paga mesatare e mësuesit u dyfishua

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se në mandatin e katërt qeverisës paga mesatare e mësuesit do të shkojë 1250 euro, ndërsa do të vijojnë investimet në infrastrukturën arsimore.

Nëpërmjet rubrikës “Sy m’sy”, ku Rama u kthen përgjigje ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Kryeministri informoi se në shkollat e vendit po ndjekin sot arsimin mbi çerek milion fëmijë, nga të cilët 238 mijë marrin librat falas.

“Gjithë ato projekte rindërtimi e ndërtimi shkollash nga e para dhe thua: Nuk ka fëmijë Shqipëria dhe i harxhoni lekët kot. Shqipëria ka afro çerek milioni fëmijë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme dhe dhjetëra e mijëra të tjerë në moshë për të shkuar në çerdhe e kopshte”, replikoi Rama me ndjekësin në rrjetet sociale.

Shkollat, tha Rama ishin në gjendje të keqe, teksa paga mesatare e mësuesit ishte 420 euro.

“Kur ne morëm detyrën kishte mbështetje thuajse zero. Shkollat ishin në gjendje të keqe dhe të gjithë prindërit ishin të detyruar të blinin vet librat për fëmijët e tyre. Ndërsa sot 238 mijë nxënës i marrin librat falas. E ti thua nuk ka fëmijë. Paga mesatare e mësuesit sot është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne morëm detyrën ishte 420 euro sot është 950 euro dhe brenda mandatit tonë të katërt do të jetë 1250”, shtoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se edhe në 4 vitet e ardhshme do të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja, ndërsa numri i laboratorëve inteligjentë dot shkojë në 1 mijë.

“Deri në fund të mandatit të ardhshëm 430 shkollave të reja që kemi ndërtuar do t’u shtohen edhe 200 të tjera. Kur ne morëm detyrën nuk kishte laboratorë, nuk bëhej fjalë, kishte klasa me kompjuterë që nuk ndizeshin. Sot kemi laboratorë inteligjentë në 340 shkolla dhe brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1 mijë, që do të thotë që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa akses në mësimin e teknologjisë digjitale në të gjithë territorin e vendit”, theksoi Rama.

Po ashtu, vijoi ai, do të ngrihet një shoqëri publike e transportit të nxënësve.

“Ka plot fëmijë që duhen mbështetur me transportin në shkollë falas”, deklaroi Rama.

Rama solli në vëmendje edhe situatën në palestra, të cilat sipas tij, ishin të ndërtuara që në kohën e komunizmit.

“Kur ne morëm detyrën palestrat numëroheshin me gishtat e duarve. Ishin akoma ato të kohës së vjetër të komunizmit, sepse nuk ishte ndërtuar një palestër e re. Sot kemi mbi 200 palestra të reja në shkolla dhe kemi një lëvizje të tërë në shkolla, e cila ka përfshirë mbi 12 mijë fëmijë dhe ka rilindur frymën e sportit te brezi më i ri. Do të shtojmë edhe disiplina të tjera sportive nëpër shkolla dhe synojmë ta çojmë në 20 mijë të paktën, numrin e nxënësve të angazhuar në një sport”, tha ai.

Rama tha se PS është forca politike për Shqipërinë në Europë. Kudo tjetër, sipas tij ka “gropë“./ KultPlus.com

FSK kryen trajnim për menaxhimin e vijave të zjarrit

FSK ka realizuar Kursin “Udhëheqës i Poligonit dhe Mbikëqyrës i Vijave të Zjarrit”.

Në njoftim bëhet e ditur se ky kurs ka për qëllim trajnimet e specializuara për udhëheqësit dhe mbikëqyrësit në operacionet e poligoneve dhe menaxhimin e vijave të zjarrit.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se trajnimi është një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale

Postimi:

Realizohet Kursi “Udhëheqës i Poligonit dhe Mbikëqyrës i Vijave të Zjarrit” – Gjenerata 01/2025

Në Qendrën e Stërvitjes Profesionale të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, është realizuar kursi “Udhëheqës i Poligonit dhe Mbikëqyrës i Vijave të Zjarrit”,  gjenerata 01/2025. Ky kurs ka për qëllim trajnimet e specializuara për udhëheqësit dhe mbikëqyrësit në operacionet e poligoneve dhe menaxhimin e vijave të zjarrit, duke siguruar një nivel të lartë të gatishmërisë dhe sigurisë në terren.

Ky trajnim është një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale, duke kontribuar në sigurimin e një ambienti të sigurt dhe efikas gjatë ushtrimeve dhe trajnimeve në poligonet e stërvitjes.

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes do të vazhdojë përpjekjet e saj për ofrimin e trajnimeve të nivelit  profesional, me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe gatishmërisë në përballimin e detyrave ushtarake./ KultPlus.com

’Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti’

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/ KultPlus.com

15 shprehje të fuqishme nga Martin Luther King

Dr. Martin Luther King ishte ministër amerikan, aktivist dhe udhëheqës i shquar në lëvizjen për të drejtat civile, mbahet mend sot për avancimin e të drejtave civile përmes jodhunës.

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur u vra në vitin 1968, por shumë citate dhe fragmente të Martin Luther King Jr. nga fjalimet, predikimet dhe librat e tij të fuqishëm mbeten po aq të rëndësishme edhe sot (nëse jo më shumë). Ai foli me mençuri për barazinë, mirësinë, guximin, ndryshimin, faljen dhe më shumë – dhe bindjet e tij kuptohet që ende rezonojnë me kaq shumë njerëz.

Nga viti 1955 deri në vrasjen e tij, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe mori pjesë, ndihmoi në organizimin dhe udhëhoqi marshime dhe protesta jo të dhunshme, duke përfshirë marshimin e vitit 1963 në Uashington, ku ai mbajti fjalimin e tij tashmë të famshëm “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Memorial i Linkolnit.

“Urrejtja e paralizon jetën; dashuria e çliron atë. Urrejtja e ngatërron jetën; dashuria e harmonizon atë. Urrejtja e errëson jetën; dashuria e ndriçon atë.”

“Falja nuk është një akt i rastësishëm; është një qëndrim i përhershëm.”

“Dashuria është forca më e madhe në univers. Është rrahja e zemrës së kozmosit moral. Ai që dashuron është pjesëmarrës në qenien e Zotit.”

“Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.”

“Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme.”

“Askush të mos ju tërheqë aq poshtë sa ta urresh atë.”

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”

“Bëni një karrierë njerëzore. Përkushtoni veten në luftën fisnike për të drejta të barabarta. Ju do të bëni një person më të mirë për veten tuaj, një komb më të madh të vendit tuaj dhe një botë më të mirë për të jetuar.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”

“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”

“Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”

“Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Një ditë do të mësojmë se zemra nuk mund të jetë kurrë plotësisht e drejtë kur koka është plotësisht e gabuar.”

“Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm reciproke, të lidhur në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, i prek të gjithë në mënyrë indirekte.” /WomansDay/KultPlus.com

‘Idioma’ e përjetimeve

Poezia ka fuqi të veçantë për të kapur dhe përjetësuar ndjenjat më të thella të njeriut, duke i dhënë formë dhe jetë emocioneve përmes gjuhës.

Shkruan: Pranvera Beqa

Në librin e tij poetik “Idioma”, Kujtim M. Shala, e trajton poezinë si një idiomë të ndjenjave dhe përjetimeve, ku gjuha bëhet më shumë sesa një mjet komunikimi, ajo shndërrohet në një kod të brendshëm për të shprehur kujtesën, identitetin, vetminë dhe raportin me botën. Kjo përmbledhje poetike eksploron kompleksivitetin e emocioneve njerëzore, duke e ftuar lexuesin në një udhëtim përmes vargjeve që përçojnë thellësinë e përvojës njerëzore.

Individualitetin e tij të dalluar poetik Kujtim Shala, e transmeton nëpërmjet ndjenjave delikate ndaj traditës kulturore e shpirtërore kombëtare dhe ndaj aktualitetit të avancuar të kohës, gjë me të cilën poezinë e vet do ta bëjë moderne, evropiane, që e bënë një poezi të lartësuar në hapësirën shqiptare.

Autori trajton temën e luftës së fundit në Kosovë dhe kujtimet e saj, duke e sjellë një perspektivë të re në poezinë shqiptare.

Vepra përbëhet nga tri pjesë kryesore: Idioma, Shpina dhe Lëkura, të cilat trajtojnë përjetime individuale dhe kolektive lidhur me luftën e fundit në Kosovë, e cila shpesh shfaqet përmes imazheve të ndërtesave të braktisura, vendeve të zhytura në harresë dhe historive të pashkruara të njerëzve që i kanë kaluar në përjetime të tilla.

Në poemën “Stacioni i Vjetër”, që hapë pjesën e parë të librit e ilustron këtë motiv, duke përshkruar një ndërtesë të vjetër, që dikur ishte plotë jetë dhe e mbushur me plotë kujtime, e cila tashmë mbart vetëm gjurmë të së kaluarēs.

“..Fytyrat janë ngrirë nga frika dhimbja i ftohti i pranverës së hershme..”

“..Qyteti duket i rrudhosur i mbledhur në vete i vjetër sa dheu..”

“..edhe ai pret që të vijë treni të bartë përjetë frikën e tij të fitojë
egërsia e tij fryma e keqe e vendit lënë pa njerëzit e tij të dikurshëm”.

Përshkrimi i fytyrave të ngrira nga frika dhe dhimbja, sikur krijon një atmosferë të rëndë, duke theksuar traumën dhe pasigurinë e njerëzve përballë ndryshimeve të mëdha. E, imazhi i qytetit të rrudhosur dhe i mbledhur në vete simbolizon degradimin dhe vetminë, ndërsa pritja për trenin nënkupton një dëshirë të pashpresë për shpëtim, apo një ndryshim që nuk vjen kurrë, sepse këtu njerëzit presin pa emër, të harruar dhe të huaj për njëri-tjetrin. Në fund poezia përmbyllet me një ndjesi përfundimtare të braktisjes, dhe harresës. Stacioni bëhet “kujtim i zi”, ndërsa qyteti duket se mbetet në vetmi të pashmangshme. Treni, qe simbolizon kalimin dhe ndryshimin, largohet duke lënë pas vetëm hijet e një të kaluare të humbur.

Në ciklin e dytë, Shala ndërthur mitologjinë dhe historinë, duke sjellë figura si Prometeu, Helena, Atlasi i ri dhe Juda. Përmes tyre, ai krijon një lidhje të thellë mes mitit dhe realitetit shqiptar, duke e shfaqur fatin e Kosovës si një cikël të pafund vuajtjesh dhe sakrificash.

Një nga poezitë që bie në sy është Toka, ku autori e shfaq lidhjen mes tokës dhe luftës nëpërmjet antitezës së “tokës së Zotit” dhe “armikut të përjetshëm”. Uji në poezinë e autorit e simbolizon mbrojtjen, ashtu edhe hakmarrjen e natyrës kundër atyre që e ndotin. Poezia është një rrëfim metaforik mbi dhunën dhe fatin, ku toka nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një dëshmi e përplasjeve të historisë. Toka në librin e autorit është një hapësirë që përfaqëson identitetin dhe njeriun. Këtu hapësirës i jepet një rëndësi e veçantë në krijimin e identitetit dhe në mbrojtjen e tij.

Po ashtu, poezia Shpina, me të cilën edhe është emëruar ky cikel, autori trajton vuajtjen dhe humbjen, ku trupi shfaqet si një hapësirë dhimbjeje e pashmangshme. Figura e “gruas që vretë burrin nuk mund të martohet për herën e dytë”, sygjeron pamundësinë e rikthimit në një realitet të njohur pas një traume të madhe. Shpina bëhet simbol i një peshe të padukshme, e cila shtyp dhe ndrydh qenien njerëzore, duke e lënë të përhumbur në një kërkim të vazhdueshëm për identitet.

Në ciklin Lëkura, trupi bëhet dëshmitar i dhimbjeve dhe i përvojave që gdhenden në lëkurë si plagë të pashlyeshme. Poeti na paraqet lëkurën jo si një sipërfaqe të sheshtë dhe të pandjeshme, por si një hapësirë ku çdo dhimbje, çdo mungesë, çdo përjetim lë një shenjë të thellë.

Në poezitë e këtij cikli, lëkura merr shumë forma, herë është një guaskë e brishtë që përthith dhimbjen dhe vetminë, herë një sipërfaqe e hapur, e ekspozuar ndaj plagëve të historisë dhe kujtesës.
Në poezinë Fundi, cikli Lëkura arrin kulmin e tij emocional, duke u bërë një reflektim i thellë mbi përfundimet, mbi atë çka mbetet pas një humbjeje të madhe.

“Një ditë vjeshte do të mbyll të gjitha perdet
asnjë rreze drite të mos hyjë në dhomë
që dhoma të jetë e zbrazët e errët e ftohtë si qenia ime”

Këto vargje përçojnë ndjenjën e një trishtimi të heshtur, ku njeriu mbyllet brenda vetes, si në një dhomë të errët ku drita nuk depërton më. Mbyllja e perdeve bëhet metaforë e një fundi të pashmangshëm, e një dorëzimi të plotë përballë heshtjes dhe boshllëkut. Dhoma e zbrazët dhe e ftohtë është një reflektim i brendësisë së poetit, një hapësirë ku heshtja bëhet më e rëndë se fjalët dhe ku vetmia shndërrohet në një prani të prekshme.

Por Fundi nuk është thjesht një poezi mbi vdekjen. Është një poezi mbi fundin e gjithçkaje që dikur ishte e rëndësishme. Është për atë moment kur njeriu kupton se diçka nuk mund të rikthehet më, qoftë një ndjenjë, një kujtim, apo një pjesë e vetvetes. Poeti përshkruan atë çast të rëndë kur koha ndalet dhe e tashmja bëhet një zbrazëti që gllabëron gjithçka.

Poezia ka një ritëm të ngadaltë, një përshkallëzim të heshtur drejt një pikëllimi që nuk bërtet, por që ndjehet thellë në shpirt. Përmes imazheve të ftohta dhe errësirës që shtrihet mbi gjithçka, Shala krijon një poezi që të mbështjellë me peshën e një ndjenje të papërcaktueshme, një mesazh i pashkruar për të gjithë ata që ndonjëherë kanë përjetuar ndarjen, humbjen apo fundin e një ëndrre.

Në këtë poezi, fundi nuk është vetëm një përmbyllje, por një gjendje shpirtërore, një hapësirë mes dritës dhe errësirës, mes kujtesës dhe harresës. Ai është një çast kur e kupton se diçka ka ikur përgjithmonë, dhe me të, një pjesë e vetes mbetet përgjithmonë e ngujuar në atë dhomë të ftohtë e të zbrazët.

Shala përdorë një stil të veçantë poetik, ku vargjet e tij janë të ngjeshura me figuracion të fuqishëm dhe një gjuhë të pasur me metafora . Ai nuk e paraqet emocionin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por e shfaq atë përmes imazheve të fuqishme, duke e bërë lexuesin të ndjejë më shumë sesa të kuptojë.

Një teknikë e dallueshme në poezitë e tij është përdorimi i kontrasteve: drita dhe errësira, afërsia dhe largësia, zëri dhe heshtja. Në poezinë “Shpina”, këto kontraste krijojnë një atmosferë dramatike dhe të ndjerë, ku trupi dhe hapat e njeriut bëhen metafora për një gjendje emocionale të mbushur me pasiguri dhe dhimbje.

Një tjetër veçori stilistike është përdorimi i përsëritjeve dhe ritmit, të cilat ndihmojnë në krijimin e një efekti hipnotik në vargje. Poezia e tij shpesh tingëllon si një rrëfim i përjetimeve të brendshme, ku fjalët rrjedhin si mendime të papritura dhe të thella.

Librat poetikë si “Idioma” kanë një ndikim të rëndësishëm në letërsinë shqipe bashkëkohore, duke sjellë një perspektivë të re mbi mënyrën se si gjuha mund të përdoret për të shprehur përvoja të ndërlikuara njerëzore. Kujtim M. Shala nuk është thjesht një poet që shkruan për ndjenja apo përjetime të zakonshme, por një krijues që sfidon lexuesin të mendojë më thellë për gjuhën, kujtesën dhe ekzistencën.

Ndikimi i tij vërehet edhe në mënyrën se si ai arrin të lidhë përvojat personale me ato kolektive. Shala nuk shkruan vetëm për veten, por për një gjeneratë të tërë, për një histori të tërë të mbushur me sfida dhe reflektime. Poezia e tij është një dëshmi e fuqisë së fjalës për të mbartur dhe përjetësuar mendime, ndjenja dhe fate.

Idioma e Kujtim M. Shalës është një libër që sfidon dhe pasuron leximin poetik, duke ofruar një qasje filozofike dhe estetike ndaj realitetit. Përmes një gjuhe të fuqishme dhe një strukture të ndërlikuar poetike, Shala arrin të krijojë një botë ku fjalët janë më shumë se thjesht mjete komunikimi, ato janë kujtesë, identitet dhe mjet për të kuptuar ekzistencën.

Ky libër është një kontribut i rëndësishëm në poezinë bashkëkohore shqipe dhe një dëshmi e talentit të një autori që di të eksplorojë thellësitë e shpirtit njerëzor përmes artit të fjalës. Për të gjithë ata që kërkojnë një poezi që nuk është vetëm e bukur në formë, por edhe sfiduese në përmbajtje, “Idioma” është një lexim i domosdoshëm./KultPlus.com

Thënie brilante nga gjeniu Leonardo da Vinçi

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

111 vite nga lindja e autores franceze Marguerite Duras

Shkrimtarja franceze lindi më 4 prill 1914 dhe është një nga prozatoret, eseistet dhe skenaristet më të mira të shekullit të XX. Ajo u nda nga jeta më 3 mars 1996.

Marguerite Duras, konsiderohet si “zonjë e parë” e letrave franceze, dhe romani “Dashnori” (L’Amant, 1984) i së cilës është fitues i çmimit të madh letrar “Prix Goncourt”, i përkthyer deri tani në më shumë se 40 gjuhë, i vlerësuar si një nga dhjetë romanet më të mira të botuara në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe një bestseller si në Europë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara

Marguerite Duras lindi më 1914, në Indokinë, bija e dy mësuesve francezë. Edukimi i saj kolonial e frymëzoi për imazhet e këqija dhe ekzotike, që gjurmët i lanë në librat e saj – ai përbën gjithashtu subjektin e romanit të hershëm “Un barrage contre le Pacifique” (1950), por edhe të veprës së saj më të njohur, “Dashnori” (botimi i parë – DITURIA, 1995; botim i rishikuar – DITURIA, 2014), që është historia e dashurisë mes një pesëmbëdhjetëvjeçareje franceze dhe një të riu kinez miliarder, në sfondin e portretit të një familjeje në Indokinën e viteve tridhjetë.

Duras u shpërngul në Paris më 1931 dhe katër vjet më vonë u diplomua në drejtësi. Ajo ka punuar si sekretare në Departamentin e Kolonive – punë të cilën e braktisi me pushtimin gjerman të Francës, më 1940, kohë kur Duras iu bashkua Rezistencës. Për një dekadë, ajo ka qenë anëtare e Partisë Komuniste Franceze, për të cilën shkroi më vonë me një lloj përbuzjeje lakonike, u dallua edhe në gazetari e publicistikë, dhe së fundit është bërë e njohur jashtë vendit për skenarët e saj, nga të cilët më i njohur është ai i 1961, “Hiroshima, Mon Amour”.

Në fakt, që me romanin e saj të parë, ajo hyri në letërsinë bashkëkohore franceze si një uragan, ku natyra njerëzore gjeti pasqyrimin e vet më të çiltër. Emri i saj ka mbi pesëdhjetë vjet që udhëton nëpër botë me vepra befasuese, në të cilat problemet e mprehta sociale që shqetësojnë sot botën njerëzore kanë gjetur te pena e shkrimtares bisturinë e së vërtetës së dhimbshme. Personazhet e Duras përpiqen t’i shmangen vetmisë, për t’i dhënë kuptim jetës së tyre nëpërmjet dashurisë absolute, krimit apo çmendurisë.

Duras ndoshta është nga shkrimtarët e rrallë që nuk i kanë fshehur asgjë lexuesit, duke bërë autopsinë e tyre, mbasi kanë bërë autopsinë më të vështirë të njeriut, atë të vetvetes. Romanet e Duras janë histori e rrëfime të shkurtra me personazhe, emra vendesh, linja dialogu, ngjarje dhe situata që përsëriten vazhdimisht, duke krijuar një atmosferë vetëreferencialiteti klaustrofobik. Në thelb, ato janë meditime rreth temës së një dashurie erotike që të çon në skllavëri ose vdekje. Edhe pse ka dhunë në veprat e saj, kjo është një dhunë për të cilën personazhet nuk janë protagonistë, por vëzhgues bashkëpunues. Në romanin e saj të parë, “Les Impudents” (1943), heroina mbulon vrasjen e mundshme të të vëllait ndaj të dashurës së tij.

Në romanin e saj të dytë, ajo fsheh vrasjen e tij ndaj ungjit. (Djali pastaj vret veten.) Në veprën e gjallë e plot zgjuarsi, me titull “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë” (botim i rishikuar, DITURIA, 2016), një grua me pushime në Spanjë ndihmon për arratisjen e një të panjohuri vendës, i cili sapo ka vrarë gruan dhe të dashurin e saj. Heroina ëndërron të fillojë një jetë të re me të huajin dhe fyhet kur ai e paguan përkujdesjen e saj duke kryer vetëvrasje.

Burrat dhe gratë e Duras flenë, dehen dhe dëshirojnë vdekjen: ata janë kukulla të marrta që s’kanë kurrfarë kontrolli mbi fatet e tyre dhe kështu kandidatë të përsosur për t’u manipuluar nga një autore me peshë, që ka shumë për të thënë (edhe pse asnjëherë drejtpërdrejt) për vdekjen, vetminë dhe kotësinë.

Në romanet e Duras, vendin e veprimit e zë ndjesia: pasionet binjake janë narcisizmi dhe një dëshirë e madhe për të vuajtur. Kjo dëshirë e madhe shpesh është e ngopur nga vuajerizmi seksual: heroina tipike e Duras shtyn të dashurin e saj apo burrin të joshë shoqen e saj më të mirë, në mënyrë që ajo të mund të këqyrë – një temë, veçantia e së cilës mund të ndihmojë për të shpjeguar se pse veprat e Duras kanë arritur një lexues më të gjerë sesa ka tërhequr zakonisht letërsia eksperimentale franceze.

Marguerite Duras është vlerësuar shpesh për stilin e saj të bukur në prozë. Stili letrar i këtyre rrëfimeve të mprehta dhe pikante të zjarrmisë, ligështisë dhe tradhtisë është i thjeshtë. Frazat janë koncize, dialogu i reduktuar në një shkëmbim monologësh të përsëritur, skenat janë të shkurtra dhe sureale. Megjithatë, “Dashnori i Kinës së Veriut” (DITURIA, 2016) nuk është thjesht “romani për dashnorin”, nuk është thjesht një roman ndjenjash, por edhe një lloj rikthimi në të kaluarën e Duras, historia e një “ngjarjeje”, në kuadër të kolonializmit të viteve tridhjetë, në një lokalitet të Savanahës, në jug të Indokinës franceze, e cila qëndron në zanafillë të historisë së jetës së saj, dhe, paralelisht, në produktin e frytshëm narrativ, kinematografik, teatral, eseistik etj.

Është e vërtetë, në fakt, që të gjitha romanet e Duras vënë në skenë dëshirën: e të shkruarit, nga njëra anë, por edhe, mbi të gjitha, të dashurisë si “iluzion i paharruar”, që përsëdytin “kërkimin e një çasti të humbur”, të një “ngjarjeje e cila ka zgjatur fare pak por që i ka dhënë jetë një sigurie të përhershme” dhe që është e paracaktuar të përsëritet si një lloj rifillimi përfundimtar; është e vërtetë edhe se kjo ngjarje do të jetë e destinuar të përsëritet, sidomos në veprat, të cilat edhe pse zënë vend në kufirin mes shkrimit letrar dhe atij autobiografik, inkuadrojnë fragmente nga një histori personale, copëza kujtimesh që “murosin” të shkuarën. “Dashnori” dhe “Dashnori i kinës së Veriut” janë, saktësisht, romane të kësaj “ngjarjeje”.

Edhe “Dhimbja” (DITURIA, 2016) – përmbledhja e gjashtë historive të shkurtra autobiografike dhe gjysmëautobiografike, të shkruara gjatë dhe menjëherë pas pushtimit gjerman të Francës – është një dëshmi intime, drithëruese dhe e pasionuar për tragjedinë e deportimeve dhe të kampeve të përqendrimit. Janë faqet ku Duras tregon – si grua dhe si bashkëshorte – për dhimbjen, e rrënjosur e gjitha në shpresën e pritjes, një pritje e ankthshme, e shoqëruar nga tragjedia e kthimit: kthimit të bashkëshortit që nuk ishte më njeri, por tashmë i shndërruar në një larvë. Janë faqe të një ditari, të cilin vetë autorja e përcakton si një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së saj.

Nga krijimtaria e gjerë dhe e pasur, e gjitha e përkryer, që ka dalë nga pena e një koloseje të letërsisë franceze dhe europiane, siç është Marguerite Duras, lexuesi shqiptar ka fatin të lexojë në shqip katër veprat e botuara nga Sh. B. DITURIA nën përkthimin e kujdesshëm, profesional dhe mjeshtëror të përkthyesve Mira Meksi (Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë), Nasi Lera (Dashnori) dhe Krenar Hajdëri (Dashnori i Kinës së Veriut dhe Dhimbja)./KultPlus.com

Si s’të desha pak më shumë

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”./KultPlus.com

Mungesë

Poezi nga Jorge Borges

Përktheu: Erion Karabolli

Do të më duhet ta ringre jetën e shkretuar
që ende sot është pasqyra jote:
çdo mëngjes ta rimëkëmb do të më duhet.
Që kur u largove,
sa shumë vende, të kota janë shndërruar,
të pakuptimta, njësoj
si dritat në mesditë.
Buzëmbrëmjet që qenë korniza të imazhit tënd,
meloditë me të cilat gjithmonë më prisje,
fjalët e asaj kohe,
me duart e mia do të më duhet t’i thyej.
Në ç’thellomë do ta fsheh shpirtin tim
që të mos e shohë mungesën tënde,
që si një diell i tmerrshëm, pa perëndim,
rrëzëllen përfundimtare dhe mizore?
Mungesa jote më rrethon
si litari grykën,
si deti atë që mbytet./KultPlus.com

‘Unë kam një ëndërr’, fjalimi i fuqishëm i Martin Luther King Jr (VIDEO)

Bota e kujton si një nga figurat më te zëshëm në histori, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA, shkruan KultPlus.

“I have a dream”, apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot. Ky fjalim mbahet mend si një nga fjalimet më të mira e frymëzuese në historinë e njerëzimit. Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie.

“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr”, ka thënë King gjatë fjalimit të tij.

KultPlus po ju sjellë sonte këtë fjalim të fuqishëm:

Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër me ngjyrë, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.

Por njëqind vite më vonë, njerzit me ngjyrë ende nuk janë të lirë. Njëqind vite më vonë, jeta e një njeriu me ngjyrë është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten si në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.

Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz me ngjyrë dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit me ngjyrë një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.

Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë.
Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.

Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.

Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar përejtime dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.

Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.

Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oazë lirie dhe drejtësie.

Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!
Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.

Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit.
Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut.
Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë.
Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.
Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë.
Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë.
Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.

Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!
Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të njerëzve me ngjyrë “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”./ KultPlus.com

Homazhe në TKOB për “Artisten e Popullit”, Margarita Xhepa

Homazhet për “Artisten e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa, po mbahen sot, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 13:00.

Një numër i madh personalitetesh të artit e kulturës, por edhe njerëz që u frymëzuan dhe morën prej artit të saj, kane shkuar drejt TKOB-së për t’i dhënë lamtumirën e fundit, yllit te kinematografise shqiptare.

Mes shumë figurave publike, nga arti dhe politika për mediet ka folur dhe aktori i njohur Timo Flloko.

Flloko ka luajtur disa role me Margarita Xhepën dhe theksoi se ndan kujtime të rralla. “Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë”, tha Timo Flloko.

Aktorja Tinka Kurti foli shkurtimisht për media duke u shprehur se Xhepa ishte shoqe e mikeshë, e se ndjen dhimbje të madhe. “E kisha vajzë, shoqe, e kisha mikeshë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, unë jam më e madhe se ajo. Duhet të hesht, ka dhimbje të madhe shumë”, tha Tinka Kurti per mediet.

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i njohur për bashkëpunimin e tij me Margarita Xhepën, ka shprehur mirënjohje dhe nderim të thellë për figurën e saj.

“Margarita ishte një njeri që ka marrë vetëm dashuri nga të gjithë. Nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe, vetëm dashuri dhe respekt. Ajo ishte një aktore e jashtëzakonshme, një njeri i madh. Margarita ishte unikale, emri i saj është një sinonim i bukurisë dhe hijes, si një margaritar”, tha regjisori Shanaj.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllime për ikjen e artistes së madhe, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj të paharruar për kulturën dhe artin shqiptar. “Margarita Xhepa la një pasuri të jashtëzakonshme që do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar dhe e trashëguar përmes pasardhësve të saj, të cilët janë gjithashtu krenaria e kombit dhe artit tonë”, ka thënë ai.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot homazhet në nderim të aktores së mirënjohur “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë dje në moshën 91-vjeçare.

Pas homazheve në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku shkroi edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, në një prononcim për mediet, Berisha shprehu “ngushëllimet më të thella, por edhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e jashtëzakonshëm të Margarita Xhepës në shtatë dekada, sa askush tjetër në skenën dhe filmin shqiptar”.

“Margarita Xhepa nuk është më, por do të mbetet përjetë e gjallë në memorien e atyre që ndoqën me aq admirim interpretimet e saj. Do të mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare.”

Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, u nda nga jeta në orët e para të datës 3 prill, si pasojë e problemeve me mushkëritë. Ajo ishte 91 vjeç.

Me interpretimet e saj, Margarita Xhepa spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës. Deri në vitet e fundit të jetës, Xhepa iu kushtua artit. Për vlerat e larta dhe arritjet në karrierën e saj artistike, Margarita Xhepa mbante titullin “Artiste e Popullit”. Gjithashtu ishte nderuar me titullin “Nder i Kombit” dhe me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”./atsh/KultPlus.com