Pas suksesit të “Zgjoi”, Blerta Basholli fillon rrugëtimin ndërkombëtar me filmin e saj të dytë të gjatë “Dua”

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se pas sukseseve të shumta me filmin “Zgjoi” që ka fituar tri çmimet kryesore në Festivalin e Filmit Sundance dhe ishte pjesë e listës së ngushtë për nominim për Çmimet Oscar, Blerta Basholli fillon rrugëtimin me filmin e saj të dytë të gjatë, “DUA”.

“Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë se filmi artistik i metrazhit të gjatë “DUA” me skenar dhe regji nga Blerta Basholli tashmë veçse ka filluar të shënojë sukseset e para, të cilat do të ndihmojnë jashtëzakonisht në realizimin e këtij filmi!”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga Qendra Kinematografike janë shprehur se janë krenarë që Qendra Kinematografike e Kosovës ka përkrahur këtë projekt, duke vazhduar mbështetjen e saj për rrëfime që sjellin zërin e kinemasë sonë në skenën ndërkombëtare.

“DUA” gjithashtu ka siguruar mbështetje nga disa prej institucioneve më prestigjioze filmike:

* Bashkëprodhim nga ARTE France Cinéma

* Bashkëprodhim me CNC – Cinéma du Monde

* Mbështetje nga RTS – Radio Télévision Suisse

* Mbështetje nga Cineforum – Fondation Romande pour le Cinéma (Zvicër)

“Filmi është një dramë “coming of age” e vendosur në Kosovën e viteve 1990, e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores. Përmes historisë së një adoleshenteje introverte, “DUA” trajton kërkimin për identitet në një periudhë të ndërlikuar politike, ku popullsia kosovare përballej me shtypjen nga regjimi serb dhe shkollimi zhvillohej në mënyrë të fshehtë”, thuhet në njoftim.

Producent i filmit është Valon Bajgora (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër) dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë)./KultPlus.com

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ

Nga Anna de Noailles 

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.
Kurrfar dredhiet, nuk asht e nevojshme
Kur krahu i ngrohtë shtërngon
Trupin e pakapshëm që na ka pëlqye.

– Beso n’zanin tem që andrron e kndon
E që ndërton parajsen tande.
A do ta dije ti që jam e keqe
Po mos ta kisha thanë un?

– Dobsisht e keqe, në mendje,
E për me gjetë hera-herës
Kte vetmi kuptimplote
Që e kam mohue duke të dashtë !

Përktheu: Eva Hila./KultPlus.com

Rama: Ndërhyrja në Bibliotekën e qytetit, xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rikonstruksioni i Bibliotekës së qytetit do të jetë një xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit.

I pranishëm në aktivitetin e prezantimit të projektit të Automotoparkut në Elbasan, Rama u shpreh se, si pasojë e moti ky aktivitet u mbajt në Bibliotekën e qytetit, e cila do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të rëndësishme.

“Ky aktivitet mbahet në sallën ku 90 vite e kusur më parë u vu në dispozicion të komunitetit nga një familje e vjetër e Elbasanit, mes shumë të tjerash, që i ka përkitur rrethit kulturor të kësaj bashkësie, e cila bleu tokën dhe ndërtoi këtë godinë që njihet historikisht si Biblioteka e qytetit”, tha Rama.

“Këtu ne duam që të bëjmë një ndërhyrje të rëndësishme përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e para për t’i rikthyer kësaj godine gjithë atë shkëlqimin si një monument i mirëfillte kulture dhe për të krijuar një destinacion të librit që të ketë çka është ruajtur këtu, por të ketë brenda edhe kohën e re, teknologjinë e kështu me radhë”, theksoi kreu i qeverisë.

Pra, shtoi Rama, “nga një projekt shumë i madh dhe ambicioz që do të jetë një motor i shtuar në ekonominë kombëtare, tek një projekt i vogël dhe lokal që do të jetë një tjetër xhevahir që i shtohet gjerdanit të monumenteve të kulturës së Elbasanit, i nxjerrë nga kjo lloj situate këtu me një fqinj atje në formën e një ndërtimi absurd që i është ngjitur në kurriz edhe do t’i ndajmë”.

“Ecim më tutje për të çuar më tej atë vizionin e e bashkimit të Tiranës me Elbasanin dhe e bashkëngjitjes së Elbasanit me Tiranën si një gjymtyrë e një metropoli që tashmë, gjithmonë e më shumë po merr formë si metropoli i dekadës së ardhshme me qendër Tiranën me dalje në det në Durrës, me shtrirje në verilindje në Dibër edhe me këtë krah në Elbasan, ku ndërkohë kalojnë edhe infrastrukturat e rëndësishme siç është edhe rrjeti evropian i korridoreve, Korridori 8 që ne e përfshimë në rrjetin evropian në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë në 2023-in”, u shpreh Rama./atsh/KultPlus.com

Osmani takon Shefen e Operacioneve në NATO – Flasin për angazhimin për paqe, stabilitet e siguri në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot  në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange.

Në takim, Osmani i shprehu atyre mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.

“Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.”

Osmani po ashtu vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake.

Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n./ KultPlus.com

Përkujtohet Shuk Gurakuqi, ish-ministri i Financave i persekutuar nga regjimi komunist

Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Ka punuar fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private ne Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit te Financave në Bashkinë Shkodër.

Gjatë viteve 1920-24, zgjidhet dy herë si deputet i qarkut Shkodër e njëkohësisht, drejton organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patër Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Ndonëse nuk merr pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbetet në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi”. Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gurakuqi arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.

Në vitin 1949 dënimi iu ul në 20 vjet. Vuajti gjithsej 17 vjet burg, ku pjesën më të madhe e kaloi në burgun famëkeq të Burrelit. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri dhe lexime shkencore. Ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër. / KultPlus.com

Begaj: Shpresojmë në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka pritur homologun e tij nga Sllovakia, Peter Pellegrini, në Tiranë.

Begaj, në një konferencë për media, ka theksuar se ata kanë biseduar edhe për Kosovën, duke shpresuar se Sllovakia do të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në akterët ndërkombëtar.

Sllovakia është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën.

“Një temë tjetër e bisedimit tonë kishte të bënte me Kosovën. Shqipëria vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit rajonal, dhe e mbështet parezervë rrugëtimin e shtetit të ri, Kosovës. Për ne Kosova është një demokraci e qëndrueshme dhe një faktor stabiliteti i rëndësishëm.”

“E falënderova Z. Pellegrini që Sllovakia e ka njohur pasaportën e Kosovës nga viti 2012. Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për mundësinë e rishikimit të qëndrimit me Republikën e Kosovës”, ka thënë Begaj./ KultPlus.com

Bazilika Paleokristiane e Linit, aty ku vizitorët takohen me historinë

Mes mozaikëve dhe pamjes mbresëlënëse të liqenit të Ohrit, gjendet Bazilika Paleokristiane e Linit, një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.

E shkuara dhe e tashmja bashkohen në këtë vend unik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorë vendas dhe të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi foto nga ky monument kulture, ku duket se po frekuentohet nga vizitorë të shumtë, të cilët na kujtojnë se tashmë kemi të bëjmë me një turizëm gjithëvjetor.

Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.

Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah.  Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.

Ajo përbëhej nga 7 ambiente gjithsej, dyshemetë e të cilave ishin zbukuruar që të gjitha me mozaikë. Bazilika, së bashku me ambientet që e rrethonin atë, ishte ndërtuar për herë të parë në shek. VI pas Krishtit si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohri i sotëm).

Gërmimet kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, që përkon me pushtimin e zonës nga bullgarët, bazilika duhet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas djegies ajo nuk është rindërtuar më./ KultPlus.com

Lady Gaga feston sot ditëlindjen: Si ndryshoi ajo botën e muzikës dhe u bë ikonë e modës

Lady Gaga, e lindur si Stefani Joanne Angelina Germanotta në Nju Jork, u rrit në një familje të pasur me prindër artistë dhe u nxit të ndjekë karrierën e saj muzikore që në moshë të vogël.

Ajo performonte fillimisht në teatër, luante në shfaqjet e shkollës së saj, dhe studionte në CAP21 përmes Tisch School of the Arts të NYU, para se ta linte shkollën për të ndjekur karrierën muzikore. Pas largimit nga një grup rock dhe prishjes së një kontrate me Def Jam Recordings, Gaga punoi si një kantautore për Sony dhe ATV Music Publishing. Prej andej, artisti diskografik Akon vuri re aftësitë e saj zanore dhe e ndihmoi të nënshkruante një marrëveshje të përbashkët me Interscope Records dhe me KonLive Distribution ku edhe filloi punën në albumin e saj të debutimit “The Fame”, shkruan KultPlus.

Albumi u lirua në vitin 2008 dhe u bë një sukses i menjëhershëm në mbarë botën. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin Grammy për këngën e saj “Poker Face”, dhe karriera e saj filloi të ndizet si një zjarr.

Gaga vazhdoi të publikonte album pas albumit dhe këngë pas kënge, duke përjetuar suksesin me këngë të tilla si “Bad Romance”, “Born This Way”, “Applause”, dhe shumë të tjera. Ajo gjithashtu u bë një ikonë e stilit dhe modës, duke sjellë stile të reja dhe të ndryshme në modën botërore.

Në vitin 2018, Gaga ishte në një prej rolave kryesore në filmin “A Star is Born”, ku ajo dëshmoi talentin e saj jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Roli i saj si Ally, i cili vë në pah aftësitë e saj vokale dhe emocionet e thella, solli një nominim për Oscar dhe fitoi çmime të tjera të rëndësishme në botën e kinemasë.

Përveç karrierës së saj muzikore dhe kinematografike, Gaga ka qenë një mbështetëse e pashoqe e të drejtave të LGBT, si dhe një zë i fuqishëm kundër dhunës dhe keqtrajtimit seksual. Ajo gjithashtu ka qenë një aktiviste e rëndësishme në fushën e shëndetit mendor, duke ndihmuar në hapjen e një linje telefoni të ndihmës psikologjike për ata që vuajnë nga ankthi, depresioni dhe vetëvrasja.

Nëse shohim në tërësi karrierën dhe jetën e Lady Gagës, kuptojmë që ajo është një personazh i cili ka arritur të bëhet një ikonë në muzikë, modë dhe kinema, ndërkohë që është angazhuar edhe në fusha sociale dhe humanitare.

Me një fanellë të shkruar “Be Kind” (të jesh i këndshëm) në koncertet e saj, Gaga ka kujtuar njerëzit që në kohët e vështira, mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim jetës është të tregohen të këndshëm dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Sot, në ditën e saj të ditëlindjes, adhuruesit e saj vazhdojnë të urojnë dhe shpresojnë që ajo të vazhdojë të jetë një frymëzim dhe një zë i fuqishëm në muzikë, modë, kinema dhe në luftën për të drejtat dhe shëndetin e njerëzve në të gjithë botën./ KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Vargas Llosa, shkrimtari që u vu në mbrojtje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë

Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosovarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”

Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999

NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.

Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.

Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).

Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.

Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar.

Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.

Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.

Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.

Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.

Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.

Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.


Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001. / KultPlus.com

Panairi i Librit “Lajpcig 2025”, në stendën shqiptare panel diskutimi mbi një roman të Kadaresë

Nën moton “Fjalët lëvizin botën”, Panairi i Librit i Lajpcigut priti mijëra vizitorë në ditën e tij të parë.

Stenda e Shqipërisë u vizitua nga Ministri për Kulturë dhe Shoqëri të Lihtenshtajnit, Manuel Frick. Stenda, si edhe një vit më parë, gjendet në hapësirën e Tradukit, ku prezantohen botimet shqipe. Falë programeve tē përbashkëta me Traduki dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, letërsia shqipe është më e pranishme në gjuhën gjermane mes përkthimeve të ndryshme.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shkroi në faqen e saj online se, panaire të këtij lloji në Europë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë edhe si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme dhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës.

Në ditën e parë të panairit, autorët shqiptarë Elvin Nuri, Flogerta Krypi dhe Mimoza Ahmeti u bënë pjesë e një takimi me temën “Fjalë, Fjalë, Fjalë”, i cili tërhoqi vëmendjen e lexuesve.

Ndërsa sot, në stendën e Shqipërisë do të jetë aktiviteti me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” mbi përkthimin në gjermanisht të romanit “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare. Në panel do të jenë Joachim Rohm, Adia Sakiqi, Mimoza Ahmeti si dhe përkthyesja Loreta Schillock.

Në këtë tryezë, do të diskutohet mbi vendin e Kadaresë në letërsinë botërore, mënyrën se si veprat e tij trajtojnë temat e pushtetit, historisë dhe lirisë, si dhe rolin e tij si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit./ KultPlus.com

”Kamarja e turpit” pjesë e Javës së Dramës Sllovene në Slloveni

Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Kamarja e Turpit”, sonte luan në festivalin “Java e Dramës Sllovene” në ora 19:30 në Prešeren Theatre Kranj, hall, Slloveni.

Autor i shfaqjes është Ismail Kadare. Dramatizimi nga Doruntina Basha. Regjisor i shfaqjes është Kushtrim Koliqi.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi./ KultPlus.com

Osmani: FSK është dëshmi e sakrificës, është pasardhëse e UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po mbahet në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, tha se FSK është dëshmi e sakrificës.

E para e shtetit tha Kosova është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve.

“Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur ushtria e jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen”, tha Osmani./ KultPlus.com

Manastiri i Shën Mërisë në Dhërmi, dëshmi e trashëgimisë së pasur shpirtërore dhe arkitekturore

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Dhërmi ruan vlera të çmuara të artit bizantin dhe pasbizantin, me piktura murale të realizuara në disa faza, nga shek. XII-XIII deri në shek. XVIII.

Në kuadër të punës së IKTK-së, për mbrojtjen dhe restaurimin e veprave të artit në të gjithë territorin, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zhvilluan një ekspeditë dokumentuese për hartimin e një projekti konservimi dhe restaurimi të pikturës murale.

Manastiri i Shën Mërisë, i vendosur në fshatin bregdetar të Dhërmiut ka një kishë te mrekullueshme ortodokse që qëndron si një dëshmi e trashëgimisë së pasur shpirtërore dhe arkitekturore të rajonit. Kjo strehë e qetë është e mbështjellë nga peizazhet mahnitëse të Rivierës, ku malet e thyer takohen me dallgët e kaltra të detit Jon.

Pas hyrjes, vizitorët shpesh befasohen nga atmosfera e qetë që përshkon kishën. Drita e butë që filtron nëpër dritaret me njolla shton ambientin eterik, duke e bërë atë një vend ideal për reflektim dhe qetësi. Brendësia krenohet me ikonografi të bukur fetare, e cila shfaq talentin artistik të artizanëve vendas që kanë kontribuar në ruajtjen e saj.

Peizazhi përreth është po aq magjepsës, me pamje panoramike që ofrojnë një sfond mahnitës për fotografimin dhe soditjen.

Manastiri i Shën Mërisë është një destinacion që ofron si pasurim kulturor ashtu edhe bukuri natyrore. Ai shërben si një kujtesë e traditave të pasura ortodokse të Shqipërisë, ndërsa ofron një mundësi unike për turistët që të lidhen me hijeshinë e qetë të kësaj zone të bukur./ KultPlus.com

Osmani takohet me ambasadorin e ri të Bullgarisë në Kosovë, kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Osmani e uroi ambasadorin Kraevski për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë.

Në këtë takim, Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Në këtë kuadër, presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera./ KultPlus.com

Vdes veprimtari i çështjes kombëtare, Ahmet Metaj

Ka ndërruar jetë në Berlin të Gjermanisë, veprimtari i çështjes kombëtare, Ahmet Metaj.

Ai u dallua për angazhimin e tij si organizator i demonstratave të vitit 1981. Ahmet Metaj ishte një zë i fuqishëm i çështjes shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar në periudha të rëndësishme të historisë.

Ishte edhe themelues i shkollës Shqipe “Dituria” në vitin 1976 dhe i klubit “Bajram Curri” në vitin 1981 në Berlin.

Ceremonia e varrimit do të bëhet të dielën në ora 14;00 në fshatin Shushicë të Istogut./ KultPlus.com

Sot shënohet 26 vjetori i masakrës së Izbicës

Sot shënohen 26 vjet nga masakra e Izbicës së Skënderajt, e cila është një ndër më të mëdhatë në Kosovë, ku u vranë e u masakruan 147 qytetarë të këij fshatipërcjellë KultPlus.

Pas vrasjeve të civilëve, forcat serbe për të fshehur gjurmët, dhe për të mohuar atë se çka kishte ndodhur, të masakruarit i varrosën në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi.

Por, përpjekjen e serbëve për të fshehur atë se çfarë kishte ndodhur, NATO-ja e hodhi në dritë përmes satelitëve duke shfaqur fotografi të varrezave masive.

Këto ditë janë shënuar edhe përvjetorët e Masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe familjes Berisha në Suharekë./ KultPlus.com

Dashuria

Poezi nga Andon Zako Çajupi

E mban mënd, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s’rrojë,
vij’ e të kërkojë;
tl pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin’ a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
——
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
—–
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!/KultPlus.com

Shiu në Prishtinë

Poezi nga Nerimane Kamberi

Sonte bie shi në Prishtinë,
Lavanda është bërë qull në oborr të fakultetit,
Pret vapën e verës për të lulëzuar,
Fton kalimtarët për dashuri, me aromën e saj joshëse
Por ata vrapojnë nën çadra me hapa të shpejtë.
Këpus ca degë lule të pembe, lule të bardha
Te Instituti i Historisë
Nesër lulet do të bien, asgjë s’do të mbetet prej tyre
Asgjë s’do të mbetet nga kjo mbrëmje.
Pranvera paska ardh në Prishtinë
E nuk e kisha pa.

Rama: Bashkim unik mes dy kulturave në Paris, përmes muzikës

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine e Francës performuan pak ditë më parë në një nga kishat më të vjetra franceze, kishën Val De Grace, në Paris.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo natë speciale që solli një bashkim unik mes dy kulturave.

“Mbrëmje të paqtë me këtë moment krenarie. Një natë speciale në zemër të Parisit ku Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine sollën një bashkim unik mes dy kulturave përmes muzikës së luajtur nga shërbëtorët e dy shteteve nën uniformë, të cilët bashkuan në një hapësirë mjeshtërinë e Kujtim Laros dhe magjinë e Georges Bizet”, u shpreh Rama.

Eventi ishte me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kitaristit francez, Emmanuel Rossfelder, solist i njohur ndërkombëtar.

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe Musique de la Garde Républicaine përcollën për publikun një përzgjedhjeje të larmishme repertori nga të dyja vendet./atsh/KultPlus.com

Eurovision 2025, Shkodra Elektronike do të performojë e 12-ta

Festivali më i rëndësishëm i muzikës, Eurovision, këtë vit do të mbahet më 13 maj në Bazel të Zvicrës, përcjell KultPlus.

Këtë vit, Shqipëri do të përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën e tyre ‘Zjerm’.

Në njoftimin e fundit thuhet se Shkodra Elektronike do të performojë e 12-ta me radhë.KultPlus.com

Panairi i Librit në Leipzig, BKK: Stenda e Kosovës me vizitorë të shumtë

Është hapur Panairi i Librit në Lajpcig, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në industrinë e librit, përcjell KultPlus.

Edhe këtë vit, Kosova ka hapur stendën, e cila u përcoll me vizitorë të shumtë.

“Në ditën e hapjes se Panairit te Librit në Leipzig, stenda e Kosovës pati vizitorë të shumtë, të cilët u informuan për së afërmi me titujt e librave te ekspozuar te autorëve nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

‘I varfëri rron më mirë s’ai që do madhërinë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t’i them: Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë
Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria.
(Andon Zako Çajupi)

“Shqiptarë të panjohur” ekspozita me 42 fotografi nga Ben Blushi

”Shqiptarë të panjohur” është ekspozita e cila do te hapet më 3 prill në qendrën COD, në Tiranë.

Autori i kësaj ekspozite, shkrimtari dhe gazetari i njohur shqiptar Ben Blushi, përmes 42 fotografive na fton të shohim përtej sipërfaqes, të çmontojmë narrativën e zakonshme dhe të përqafojmë një Shqipëri më të pasur dhe më të gjerë, ku çdo individ, i njohur ose i panjohur, është pjesë e historisë dhe kulturës së vendit.

Kurator i ekspozitës është Rubin Kadiu. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 3 – 30 prill 2025./KultPlus.com