Erson Zymberi fiton çmimin kombëtar për ‘Regjinë më të mirë’ në fushën e teatrit për vitin 2024

Çmimi Kombëtar për Regjinë më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2024 i është ndarë regjisorit Erson Zymberi.

Erson Zymberi ka fituar këtë çmim me shfaqjen “Djali”.

Arsyetim i jurisë vlerësuese: Për inskenimin dhe trajtimin e materies së dendur psikologjike dhe dramaturgjike, estetikën minimaliste në skenë, ndërtimin e strukturave narrativo-vizuale e përdorimin e hapësirën në rang performativ, ndërlidhen e skenave dhe intensitetin dramatik të dramës familjare, për punën me aktorët, heshtjen e gjatë dhe tensionin skenik, pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social, që prek emocionalisht spektatorin dhe e bën atë pjesë intensive të shfaqjes. Çmimi Kombëtar për Regjinë më të mirë në fushën e Teatrit për vitin 2024, i ndahet regjisorit Erson Zymberi, në shfaqjen “Djali”.

Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.

Ndërkohë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, me çmime janë vlerësuar: Me çmimin për vepër jetësore Samka Ferri, shfaqja “Martesa” nga Teatri Kombëtar i Kosovës është vlerësuar si shfaqja më e mirë e vitit, aktori më i mirë është vlerësuar Shpëtim Selmani, kurse Qendra Multimedia është vlerësuar me çmimin për prezantim ndërkombëtar./ KultPlus.com

Screenshot

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frashëri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!/ KultPlus.com

Studiues nga Europa diskutojnë për kujtesën dhe transformimet shoqërore

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, mikpret për tri ditë rresht (26-28 mars) grupin qendror të punës të projektit “Slow Memory”, një projekt i rrjetit europian të kërkuesve Cost Action CA20105.

Ky projekt vë në qendër nevojën e rritjes ndërdisiplinore në të kuptuarin sesi shoqëritë përballen me të shkuarën e tyre, ndërsa përballen edhe me ndryshimet ekonomike e shoqërore që vijnë nga ngjarje të papritura dhe shndërrime të paimagjinueshme.

Frymëzuar nga koncepti i “shkencës së ngadaltë” (Slow Memory), pjesëmarrësit janë në kërkim të një alternative të kujtesës për të zhvilluar teori dhe metodologji që trajtojnë kujtesën e ngadaltë përmes bisedave ndërdisiplinore dhe angazhimit me aktorët e interesit.

Dr. Anxhela Çikopano, organizatore e takimit të Tiranës, vuri në dukje se praktikat transformuese të kujtesës si objekt studimi dhe si ndërhyrje kritike, ndahen midis arteve dhe shkencave, me qëllim që të zbulohen mënyrat sesi njerëzit përballen me proceset e ndryshimeve në shkallë të gjerë.

Më tej, ajo theksoi se projekti përqendrohet në mënyrë unike në vëmendjen e studiuesve, politikëbërësve dhe profesionistëve kulturorë te rrugët alternative për të ndërtuar qëndrueshmëri përballë kulturës së shpejtë bashkëkohore.

Në takimin i ekipit drejtues foli drejtuesja e projektit dr. Jenny Wustenbeg. Gjatë tri ditëve grupi do të organizojë një sërë vizitash në institucionet e kujtesës në Tiranë dhe do të njihet me historinë e artit shqiptar.

Të pranishmit në këtë veprimtari janë nga Shqipëria dhe vende të tjera të botës si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Serbia, Danimarka etj./ KultPlus.com

Koleksioni i artit grafik “scissorette”, në Muzeun “Bratko”

Muzeu Oriental “Bratko” në Korçë është shtëpia e disa prej siluetave të George D. Mborjes. Këto vepra janë të ruajtura në formatin e tyre origjinal, të kornizuara dhe të shënuara me emrin e personazhit, datën dhe vendin e realizimit dhe të firmosura nga vetë artisti.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, përmes rrjeteve sociale ndau një album fotografik të këtyre siluetave të cilat i vlerësoi si, një mjeshtëri e prerë në letër dhe e gdhendur në histori.

Ky art i veçantë grafik quhet “Scissorette”, ku me prerje të sakta në letër të zezë George D. Mborja realizonte silueta portretesh me elegancë dhe precizion.

Për mbi 20 vite, ai krijoi mijëra figura në SHBA, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në Institutin Smithsonian në Washington D.C.

George Dhimitër Mborja lindi në Korçë e më pas, në moshën 17-vjeçare, emigroi në SHBA ku përfundoi edhe studimet në shkolla arti. Ai punoi në Hollywood-it si dizainer teknolog për filma vizatimorë, ku u bë i njohur për siluetat e tij “scissorette”. Ai priste silueta me gërshërë për aktorët e njohur të Hollywood, disa prej të cilave janë të ekspozuara në Muzeun “Bratko”.

Muzeu Oriental “Bratko” në qytetin e Korçës, pas rikonstruksionit është shndërruar në një atraksion të jashtëzakonshëm për vizitorët. Muzeu i Artit Oriental “Bratko” u çel në qershor të vitit 2003, duke përmbushur ëndrrën e Dhimitër Mborjes (1903-1990), artist, fotograf dhe koleksionist i artit aziatik dhe antikuareve.

Në këtë muze ekspozohen 432 objekte si piano, altar kinez, veshje për gra japoneze, funde e rripa kinezë, shpatë indoneziane, medalje europiane, piktura japoneze, fotografi të ndryshme, të cilat Mborja i ka realizuar kur shërbente me misionin e OKB-së./ KultPlus.com

159 vjet nga lindja e Andon Zako Çajupit, dramaturgu, poeti e rilindasi i njohur

Si sot, më 27 mars të vitit 1866 u lind dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi.

Për hir të së vërtetës, quhej Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të pashlyeshme të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.

Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Në gjallje, u botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, sikurse mund të përmendim poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”.

Çajupi u nda nga jeta në Kajro, më 11 korrik 1930. / KultPlus.com

Kyreministri Kurti: 27 mars është data që tani shënon Nëna Ferdonije


Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar Ferdonije Qerkezin, e cila me datë 27 mars të vitit 1999 ka parë për herë të fundit, pesë anëtarët e familjes, bijtë e saj të shtrenjtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin dhe bashkëshortin e dashur Halimin. Ata u rrëmbyen me dhunë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë.

”Shtëpia e familjes Qerkezi tani është muze. Datat që shënohen, janë ditët e kujtesës dhe dhembjes”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Në këtë datë, në veçanti, në mendje kemi Nënën Ferdonije.

Familja gjashtë anëtarëshe Qerkezi kishte traditë të bukur: çdo datë të veçantë e shënonte si festë. Kaq falënderues ishin për çdo bekim që jeta u kishte dhënë. Festohej çdo ditëlindje e festë tjetër në familjen e ngushtë, e që ishte mjaft e madhe.

Tash, Nëna Ferdonije e jeton pesëfish vetminë. Katër djemtë dhe burrin nuk i sheh. I mungojnë çdo ditë, mëngjes e mbrëmje. Nuk i ka.

Tash, ajo e ka një popull të tërë krah saj. Ne të gjithë e mendojmë, e kujtojmë dhe bashkëndjejmë me të gjithmonë, por sidomos më 27 mars. Kjo është data që tani shënon Nëna Ferdonije. Dita kur në vitin 1999 ajo pa për herë të fundit pesë anëtarët e familjes, bijtë e saj të shtrenjtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin dhe bashkëshortin e dashur Halimin. Ata u rrëmbyen me dhunë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë.

Shtëpia e familjes Qerkezi tani është muze. Datat që shënohen, janë ditët e kujtesës dhe dhembjes.

Nëna Ferdonije është simbol i qëndresës sonë kombëtare. Zemra e saj është dëshmia më e fortë e qëndresës njerëzore. Ajo vetë është ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë.

Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!/ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert në Rahovec me vepra të kompozitorëve botërorë

Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert në Rahovec, të mërkurën mbrëma.

Nën drejtimin e Hajrullah Sylës, u interpretuan vepra nga kompozitorë vendorë dhe botërorë.

Në rolin e solistëve u prezantuan sopranot Kaltrina Miftari dhe Shkurte Hykaj, si dhe baritoni Endrit Rexhepi. Në disa vepra, kori u shoqërua nga Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës, me pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu, si dhe perkusionistëve Patris Berisha dhe Meriton Zajmi.

Koncerti i radhës i Filharmonisë mbahet më 28.03.2025, nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nën drejtimin e dirigjentit Marco Crispo dhe me solistët Liza Kerob dhe Altin Tafilaj.

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Kosova ngushëllon Korenë e Jugut për viktimat nga zjarret

Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni ka shprehur ngushëllimet më të thella për Qeverinë dhe popullin e Republikës së Koresë së Jugut, pas ngjarjes tragjike që ka prekur këtë vend, ku së paku 24 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i zjarreve masive në shumë pjesë të këtij vendi.

Në një mesazh të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada e Kosovës ka përcjellë solidaritetin dhe mbështetjen e popullit të Kosovës për familjet e viktimave dhe të lënduarit.

“Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për Qeverinë dhe popullin e Republikës së Koresë dhe të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e pikëlluara dhe të lënduarit. Republika e Kosovës qëndron pranë Republikës së Koresë së jugut në këtë moment të dhimbshëm”, thuhet në deklaratë.

Sipas autoriteteve koreane shumica e viktimave janë persona të moshës 60-70 vjeçare, teksa 26 persona tjerë janë plagosur, prej të cilëve 12 janë në gjendje kritike. Ndërkohë, më shumë se 23,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre./RTK/ KultPlus.com

”Kontesha Arduini” sonte premierë në teatrin e Mitrovicës

Sonte vjen premiera në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë, “Kontesha Arduini” me regji nga Marigona Bekteshi Ferati.

Në shfaqje luajnë: Artan Hetemi , Qendresa Jashari, Mirsad Ferati , Arbnorë Nuha. Ndërsa, asistent i regjisë është Gezim Hasani.

Shfaqja fillon nga ora 20:00.

Rreth shfaqjes “Kontesha Arduini”:

E gjithë ngjarja ndodhë në familjen Verani!
Të lodhur nga monotonia e jetës, qifti Verani ndjejnë nevojën për tu “arratisur” nga përditshmëria e tyre!

Zonja Marina Verani vendos të shkojë në pushime e vetme, e pashoqëruar nga burri i saj, me iden se atje do të gjejë rininë e saj dhe të ndjehet sërish e vlerësur, mbase edhe tërheqëse për të panjohurit!

Zotri Alberto Verani, i mbetur në qetësinë e shtëpisë, dëshiron që këtë “javë lirie” ta shfrytëzoj në maksimum, dhe për fatin e tij të keq apo të mirë, merr një telefonatë të gabuar nga “Kontesha Arduini”, një grua misterioze që porosit dy buqeta me trëndafila të kuq. I joshur nga kjo rastësi magjepsëse, zotri Verani, vendos të luajë me fatin dhe t’i dërgojë trëndafila Konteshës Arduini, duke shtuar një poezi romantike dhe një nënshkrim enigmatik – Misteri.

Por në një kthesë të papritur të fatit, gruaja kthehet para kohe në shtëpi dhe i gjen buqetat me trëndafila dhe poezinë mbi tavolinë!
Ajo që nis si një lojë e pafajshme, shndërrohet në një stuhi pasionesh kur zonja Verani fillon të dashurohet marrëzisht me admiruesin e saj Misterioz, pa e ditur se ky “i dashuruar” është pikërisht burri i saj!

Avokati Saveli dhe Shërbëtorja Rozina, janë dy personazhet tjera që me idetë dhe “ndihmën” e tyre absurde, kontribuojnë në një mori keqkuptimesh që dalin krejtësisht jashtë kontrollit, situata arrin kulmin e saj në një rrëmujë plot të qeshura, romancë dhe mister.

Një komedi brilante ku një tufë trëndafilash bëhet shkak për një dashuri të rindezur, xhelozi të pabazuar, dhe një lojë të ëmbël ku askush nuk është ai që duket… derisa e vërteta vjen dhe shpërthen në mënyrën më gazmore të mundshme.

Skenograf: Petrit Bakalli / Kostumografe: Dita Statovci / Muzika: Gezim Hasani / Ndriqimi: Murat Kajtazi Leka

Producent: Sabit Beqir Sheremeti / Organizator: Ardian Kavaja / Tonist: Besmir Brahimi / Rekuiziter: Fisnik Uka / Mjeshtër skene: Lulzim Hasani, Arben Sahiti , Faton Deliu/ KultPlus.com

Liga Unike sjellë sonte finalen e madhe të basketbollit

Gara mbarëkombëtare e basketbollit që zhvillohet ndërmjet klubeve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, e njohur si Liga Unike do të mbyll siparin e saj të këtij edicioni me një finale interesante.

Për titullin e më të mirit të kësaj gare sonte do të ballafaqohen dy skuadra kosovare, Vëllaznimi dhe Prishtinë.

Skuadra gjakovare e eliminoi Yllin në gjysmëfinale, ndërsa Prishtina e mposhti skuadrën nga Shqipëria, Bëslidhjen.

Ballafaqimi final, Prishtina-Vëllaznimi do të zhvillohet sonte nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Tuma 700-vjeçare e Kamenicës, gati për vizitorët e sezonit të ri turistik

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë po kryejnë punime në objektin Tuma e Kamenicës, një prej destinacioneve më të vizituara në qytetin e Korçës.

DRTK Korçë i konsideron këto punime si një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e këtij siti duke e bërë atë sa më të aksesueshëm për vizitorët që edhe për këtë sezon pritet të jenë të shumtë.

Tuma e Kamenicës gjendet rreth 15 km larg Korçës dhe konsiderohet si një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan. Siti po i nënshtrohet punimeve të mirëmbajtjes për të garantuar ruajtjen e kësaj trashëgimie për brezat e ardhshëm.

Ndërhyrjet konsistojnë në: Zëvendësim dhe restaurim të gardhit; Restaurimin e portës hyrëse dhe të ambienteve ndihmëse; Restaurim të pergolatës; Pastrim të sitit arkeologjik nga bimësia.

Në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronzi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke. Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së Bronzit të Vonë, rreth shek. XII para Krishtit. Kjo tumë ka një histori gati 700-vjeçare./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi me propozimin e Findlandës kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror, të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në vitin 1961përcjellë KultPlus.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com

Më 27 mars vdiq Tiepolo, njëri nga gjenitë e pikturës klasike

Muaji mars solli në jetë shumë artistë të mëdhenj që mahnitën botën me talentin e tyre.

Giovanni Battista Tiepolo është njëri nga ta. Tiepolo lindi dhe vdiq në muajin mars. Ai ishte piktor Italian nga Republikës e Venedikut e asaj kohe. Ka qenë mjaft i suksesshëm me punimet e tij, të cilat dolën edhe jashtë kufijve italianë, si fjala vjen në Gjermani dhe Spanjë.

Tiepolo nga kritikët, konsiderohet si një nga mjeshtrit tradicional të asaj periudhe. Ndryshe është konsideruar si “piktori më i madh dekorativ i Evropës së shekullit tetëmbëdhjetë”.

Në vitin 1716 ai pikturoi afreskun e parë, ndërsa më vonë ai do të krijojë edhe shumë të tilla që përgjithësisht përshkruanin mure dhe tavane të kishave.

Tiepolo në vitin 1722 ishte njëri nga dymbëdhjetë artistët e porositur për të kontribuar në një pikturë ku shfaqej një nga apostujt, si pjesë dekorative e një kishe në Venedik. /KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Isa Boletinit me Princin Vid (FOTO)

Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite.

Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptan. Princi Vid ishte princ i Shqipërisë për 6 muaj, që nga viti 1914 deri më 3 shtator të vitit 1914.

KultPlus, sot ju sjell një fotografi pikërisht nga viti i ardhjes së Princit Vid në Durrës, ndërsa Isa Boletini me plisin në kokë e me hijen e një patrioti ndan një përshëndetje me princin./ KultPlus.com

Media italiane “Viaggiare Travel”: Shqipëria ndër gjashtë destinacionet më të mira për pushime ëndrrash

Nëse nuk doni të shpenzoni shumë për pushimet tuaja, ne ju rekomandojme gjashtë destinacionet më të përshtatshme për pushime në vitin 2025, shkruan Alessandro Molteni në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimit “Viaggiare Travel”.

Nëse jeni duke kërkuar për pushime që ju lejojne të zbuloni destinacione të mrekullueshme pa shpenzuar shumë, ky vit ofron mundësi të shumta për turistët që duan një nderthurje të relaksit dhe kostove te perballueshme.

Nëse jeni duke kërkuar pushime që ju lejojnë të zbuloni destinacione të mahnitshme pa shpenzuar shumë, 2025 ofron opsione të shumta për turistët që duan një kombinim të relaksit dhe kostove të përballueshme.

Në këtë artikull, do të zbuloni destinacionet më të lira të vitit, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Turqinë, Malin e Zi, Marokun dhe Egjiptin.

Secili prej këtyre destinacioneve ofron eksperienca unike, peizazhe të jashtëzakonshme dhe pushime që mund të përmbushin dëshirat e çdo lloji vizitori!

Shqipëria

Shqipëria po fiton me shpejtësi popullaritet mes turistëve që kërkojnë destinacione buxhetore për pushime verore.

Vendi ofron peizazhe mahnitëse natyrore, plazhe të pacenuara, kuzhinë të shijshme dhe një traditë të pasur kulturore.

Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet më të bukura dhe më të aksesueshme në Shqipëri, me ujërat e saj të kristalta, plazhet me rërë dhe restorantet me çmime të përballueshme, duke e bërë atë ideale për vizitorët që kërkojnë pushime me kosto të ulët.

Një tjetër destinacion i padiskutueshëm është Vlora, një qytet port i pasur me histori dhe me një bregdet magjepsës, perfekt për një pushim që ndërthur detin, kulturën dhe kuzhinën tipike me çmime  konkurruese./atsh/KultPlus.com

Pranvera

Jeni lodhë, dallëndysha t’shkreta,
Je molis’i ziu bylbyl;
Ah! pushoni n’streh’ku u gjeta,
Pusho n’kopshtë te njaj zymyl.
Mbi krahë t’uej prei dhenash tjera
Ju prendveren na pruet këtej;
Shlodhn’ ju pra, dallëndysha t’mjera,
Rri, bylbyl, n’lulzim qi kthej.
Se qe’j prrue prei malit ulet
E t’tanë fushës ushqim i nep;
E nen borë po shperthejn’ lulet
Porsi fëmië që zbulohen n’djep.
Fllad i let me vapë dashtnijet
Puthi pemen gemb për gemb;
U zgjue pema, e qe prei shijet
Buloj mbarë neper kopshtë t’em.
Ndej’ brië votres nieri myket:
Vrapo bulk, ku puna t’thrret;
Tui vrue fushen kau berlyket,
Lyp’m’u vue per lavrë t’vet./KultPlus.com

Kori i Filharmonisë prezantohet me koncert në Rahovec

Kori i Filharmonisë së Kosovës sonte ka mbajtur koncert në qytetin e Rahovecit, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, ku janë interpretuar vepra nga kompozitorë vendorë dhe botërorë.

Në rolin e solistëve u prezantuan sopranot Kaltrina Miftari dhe Shkurte Hykaj, si dhe baritoni Endrit Rexhepi. Në disa vepra, kori u shoqërua nga Ansambli Harkor i Filharmonisë së Kosovës, me pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu, si dhe perkusionistëve Patris Berisha dhe Meriton Zajmi.

Koncerti i radhës i Filharmonisë mbahet më 28.03.2025, nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nën drejtimin e dirigjentit Marco Crispo dhe me solistët Liza Kerob dhe Altin Tafilaj./ KultPlus.com

Thënie brilante nga gjeniu Leonardo da Vinçi

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

Letra për një poet të ri nga Rainer Maria Rilke

Përgatiti: Albert Vataj

Askush nuk mund të të këshillojë ose të të ndihmojë, askush, këtë dije, dhe nëse mundesh kujtoja vetes hera-herash. Ka vetëm një rrugë për të ndjekur, vetëm një. Depërto në veten tënde, thellë brenda saj, ndoshta duke hyrë aq thellë sa nuk e dije se vetja jote fsheh një diçka të tillë.

Duaje vetminë tënde dhe duro dhimbjen që të sjell me vajtim harmonik, sepse ndoshta mund të jetë harmonia e një muzike që të nxit të këndosh.

Lëri gjykimet e tua në rrugëtimin e tyre të patrazuar, i cili – si çdo cythe e caqeve, duhet të vijë nga thellësitë e brendshme dhe nuk mund të shtypet ose përshpejtohet nga asgjë.

Gjithçka le të plotësohet nga çdo ngacmues dhe pastaj të vijë një fryt; brenda vetes, në errësirë, në të pathënat tuaja. Aty në të pavetëdijshmen e paarritshme për arsyen e dikujt e diçkaje, dhe me përulësi e durim të thellë, presin orën e lindjes së një kthjelltësie të re. Vetëm kjo të njëmendt të jetosh si artist: në të kuptuarit si në procesin krijimi.

Koha nuk matet këtu as kësisoj. Asnjë afat si kohëmatës nuk vlen këtu, dhe dhjetë vjet nuk janë asgjë.

Të jesh artist do të thotë: të mos llogaritësh dhe të mos numërosh. Sepse krijimi piqet si pema, e cila nuk i shtyp lëngjet e saj, përkundrazi qëndron e qetë në stuhitë e pranverës, pa frikë se vera mund të mos vijë. Sepse vera po vjen, kjo është e pandryshueshme. Por kjo vlen vetëm për pacientët, të cilët presin dhe janë në të njëjt gjëndje përjetimi, sikur përjetësia të shtrihet përpara tyre. Po aq të qetë, të gjerë dhe të lirë nga çdo ankth. E përjetoj çdo ditë, e mësoj mes dhimbjes, të cilës i jam mirënjohës. Durimi në fund është gjithçka!”

Letra e Rainer Maria Rilke drejtuar një poeti të ri është një reflektim i thellë mbi natyrën e krijimtarisë dhe procesin e pjekurisë artistike. Ajo nuk është vetëm një këshillë, por një udhëzues filozofik për atë që kërkon të jetojë si artist.

Në thelb, Rilke thekson se arti nuk mund të nxitohet apo të kërkojë konfirmim nga jashtë. Ai këshillon që krijuesi duhet të depërtojë në vetvete, të durojë vetminë dhe dhimbjen si pjesë të domosdoshme të procesit krijues. Kjo është një thirrje për durim të thellë, për të lejuar që mendimet dhe ndjenjat të piqen natyrshëm, sikurse një pemë nuk mund të shpejtojë frutat e saj.

Metafora e pemës është veçanërisht e fuqishme: ashtu si ajo qëndron e palëkundur në stuhitë e pranverës, duke mos u shqetësuar nëse vera do të vijë, po ashtu artisti duhet të mbështetet në procesin e tij të brendshëm, pa ngut, pa ankth, duke pritur me durim frytet e krijimtarisë. Në këtë mënyrë, Rilke e lidh krijimtarinë me një kuptim më të gjerë të ekzistencës, duke e konsideruar artin si një mënyrë jetese dhe jo thjesht një akt prodhimi.

Ky fragment është një thirrje për ata që ndihen të pasigurt në udhën e tyre krijuese, një kujtesë se arti nuk është një garë apo një detyrë e përcaktuar me afate, por një proces i vazhdueshëm i rritjes së brendshme. Rilke na mëson se artisti i vërtetë është ai që duron, që nuk llogarit, që lejon krijimtarinë të ndodhë natyrshëm dhe që e pranon dhimbjen si pjesë të pashmangshme të këtij udhëtimi./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çift i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale.

Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjellë një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

Kenia konfirmon, Pacolli u prit si emisar i dërguar nga presidentja Osmani

Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Kenisë, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka njohur Kosovën në interes të sigurisë ndërkombëtare.

”Kenia e ka njohur Kosovën si shtet”, thuhet në njoftim.

Ata kanë bërë të ditur se presidenti William Ruto është takuar me Behgjet Pacillin, të dërguar si emisar special nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 u miratua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND)  në vitin 2010. Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit./KultPlus.com

Vilhelm Vid, princi gjerman që erdhi në krye të shtetit shqiptar

Sot, kujtojmë lindjen e Vilhelm Vid (Wilehlm Wied), 26 Mars 1876-18 Prill 1945. Princ gjerman nga një familje protestante, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha europiane në tetor 1913 në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi më 21 Shkurt 1914 në Nojvid (Neuwed), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë.

Vilhelm Vidi erdhi në Shqipëri më 7 Mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë sundimit gjashtëmujor u përpoq të ruante balancën ndërmjet interesave të Fuqive të Mëdha në Shqipëri. Pas shpërthimit në maj 1914, të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme kundër tij, u detyrua të mbyllej në Durrës, i mbrojtur nga forcat e tij. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore në gusht 1914, ekuilibri politik ndërmjet Fuqive të Mëdha europiane u prish dhe Vilhelm Vidi humbi mbështetjen ndërkombëtare. Abdikoi formalisht dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon ambasadorët e vendeve të BE-së, theksoi urgjencën e heqjes së masave ndaj Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani tha se në takim theksoi urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që sipas saj, dëmtojnë qytetarët e vendit dhe cenojnë vet parimet e BE-së.

“Sot në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së. Poashtu diskutuam për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim”, thuhet në njoftim.

Miqtë

Timo Flloko

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”./ KultPlus.com