Presidentja Osmani takon ambasadorët e vendeve të BE-së, theksoi urgjencën e heqjes së masave ndaj Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani tha se në takim theksoi urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që sipas saj, dëmtojnë qytetarët e vendit dhe cenojnë vet parimet e BE-së.

“Sot në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së. Poashtu diskutuam për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim”, thuhet në njoftim.

Miqtë

Timo Flloko

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”./ KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë 800 objekte të epokës së hekurit në Mbretërinë e Bashkuar

Në Mbretërinë e Bashkuar është zbuluar një nga rezervat më të mëdha dhe më domethënëse të epokës së hekurit.

Arkeologët kanë zbuluar një koleksion prej më shumë se 800 objektesh të gjetura nga Heads në North Yorkshire, Angli. Vendndodhja e saktë, sipas mediave të huaja, po mbahet sekret.

“Thjesht, ky është një nga zbulimet më të rëndësishme dhe emocionuese të periudhës së epokës së hekurit, i bërë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai hedh dritë të re mbi jetën e epokës së hekurit në veri të Britanisë, por gjithashtu demonstron lidhje me Evropën,” thotë Shefi Ekzekutiv i Anglisë Historike.

E përshkruar nga ekspertët si një “kapsulë arkeologjike e kohës”, thesari mendohet të jetë varrosur në shekullin e parë pas Krishtit, që përkon me pushtimin romak të Britanisë jugore.

Midis gjetjeve janë mbetjet e pjesshme të të paktën shtatë vagonëve me katër rrota dhe karrocave me dy rrota, një zbulim i pazakontë për Britaninë e Epokës së Hekurit.

Gjithashtu, në gjetje u zbuluan tre shtiza ceremoniale, 28 goma hekuri dhe dy enë të zbukuruara. Një prej tyre, një enë me kapak, ka të ngjarë të përdorej si një tas për përzierjen e verës dhe ishte varrosur qëllimisht në fund të një hendeku të madh. Artikuj të tjerë përfshijnë copa frerësh prej aliazh bakri të derdhur, kapëse lidhëse dhe unaza frenimi.

Zbulimi ka rindezur gjithashtu debatin mbi lidhjet e Britanisë me Evropën kontinentale përpara pushtimit romak.

Me vlerë 254,000 £, ky zbulim është fokusi i një fushate të re për mbledhjen e fondeve nga Muzeu i Yorkshire, që synon ta bëjë atë të disponueshëm për shikim publik.

Epoka e hekurit ishte një periudhë në historinë njerëzore e karakterizuar nga përdorimi i gjerë i mjeteve dhe armëve prej hekuri.

Ajo pasoi epokën e bronzit dhe shënoi një përparim të rëndësishëm në teknologji dhe shoqëri.

Kalimi në përdorimin e hekurit solli ndryshime në bujqësi, luftëra dhe tregti, duke çuar në zhvillimin e shoqërive më komplekse.

Rama: Atraksionet kulturore në funksion të nxitjes së turizmit, ndërtojmë Muzeun Etnografik në Shkodër

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal sot te projektet transformuese që synojnë nxitjen e turizmit në Shkodër, ku veçoi projektin për ngritjen e muzeut etnografik.

Në një takim në Shkodër me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigracioni, Rama u shpreh se sfida kryesore mbetet se çfarë duhet të bëhet me atraksionet kulturore.

“Po diskutojmë pjesën e turizmit në qytet. Një pikë tjetër tërheqëse për të rritur fluksin edhe për të pasur kohëzgjatje të qëndrimit, se ajo është sfida kryesore, është edhe çfarë do të bëjmë me atraksionet kulturore”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “Marubi” është një muze i vogël në dimension por që ka luajtur rol.

“Tani kemi dy muzeume të tjera dhe pastaj, Muzeun e Kujtesës, i cili nga ‘dyqan Vodafon’ që kishin bërë për të persekutuarit, po transformohet në një muze vërtet europian. Projektin e prezantuam këtu është shumë i bukur dhe tani do të fillojmë detajimin e projektit”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “tek projekti i hyrjes së Shkodrës është edhe Muzeu i Lundrimit, edhe ai i financuar dhe do të ndërtohet në këtë proces”.

“Qershia mbi tortë është ideja për muzeun etnografik, që do të jetë jo vetëm i kostumeve, por edhe i objekteve, i gjithë këtyre sendeve të çmuara që do e bëjnë një supermuze”, shtoi Rama./atsh/KultPlus.com

Salvador Dali, ‘Surrealizmi, jam unë’

“Surrealizmi, jam unë”, – u shpreh Salvador Dali, kur u prezantua në Nju Jork për të përcaktuar punën e tij. Personazh i çuditshëm, narcisit dhe megalomanit, ai është sigurisht një nga piktorët më të famshëm spanjollë të shekullit të 20-të. Dali pretendonte një teknikë shumë klasike, duke i qëndruar besnik pikturës së vajit për pothuajse të gjithë punën e tij. Krijimtaria e tij është shumë e detajuar, me vizatime përgatitore shumë të kujdesshme dhe një ekzekutim shumë të përpiktë, shpesh e parë me lupë.

Dali ishte një piktor gjenial, njëkohësisht një njeri me një ego gjigante. Kishte një dëshirë për vëmendje, sa gjatë qëndrimit në Nju Jork, kur shëtiste, mbante me vete një zile, të cilën e tringëllinte sa herë vërente se kalimtarët nuk po i kushtonin vëmendje të mjaftueshme. I pëlqente madhështia, të ishte i adhuruar dhe i njohur në mbarë botën, një megaloman i deklaruar, njëherazi një artist i papërsëritshëm me një stil krejtësisht të tijin. Salvador Dali la pas një galeri prej afro 1500 pikturash, që sot e kësaj dite nxisin debate për nga tematika, stili dhe mesazhi që ato përcjellin./Hejza/ KultPlus.com

Aktorja Luiza Xhuvani feston sot 61-vjetorin e lindjes

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Luiza Xhuvani (Papathanasi), feston sot 61-vjetorin.

Luiza Xhuvani lindi më 26 mars 1964, në Sarandë. U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dyvjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të Vladimir Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit, të vitit 1985.

Interpretoi në “Fjalë pa fund” (Magdalena) i Spartak Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i Esat Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i Muharrem Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim pati një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpretoi në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit”, me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës sonte mban koncert në Rahovec

Filharmonia e Kosovës sonte do të mbajë koncert artistik në qytetin e Rahovecit.

Koncerti në të cilin do të marrin pjesë Kori dhe Ansambli i Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, do të mbahet në sallën e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Selajdin Mullaabazi – Mici” në Rahovec, me fillim nga ora 19:30.

Aktivitetet artistike të Filharmonisë së Kosovës janë pjesë e zgjerimit të prezencës së saj në qytete të ndryshme të Kosovës, për të promovuar muzikën klasike dhe shfaqjet korale.

Letër dashurie nga Beethoveni: Mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme

Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.

Letrën e përktheu Elona Caslli.

“7 korrik 1812
Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…

O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?

Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…

Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.

L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.”
 / KultPlus.com

Shfaqja ‘Antigonat’ sonte në Gjakovë në kuadër të Javës Frankofone

Në kuadër të Javës Frankofone, sonte në Gjakovë jepet shfaqja “Antigonat”, një interpretim i veprës klasike të Sofokliut dhe Jean Anouilh, nën regjinë e Erson Zymberit dhe dramaturgjinë e Jeton Nezirajt.

Në këtë shfaqje luajnë: Myrvete Kurtishi, Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Altina Kusari, dhe Arbies Komoni.

“Antigonat” që sjell në skenë një nga tragjeditë më të fuqishme të letërsisë botërore, përmes një qasjeje të re dhe aktuale, shfaqet në Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, nga ora 20:00.

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe aleanca e ngushtë me Alfonson V të Aragonit

Më 26 mars të vitit 1451, Gjergj Kastriot Skënderbeu lidhi një aleancë me mbretin e Napolit, Alfonson V të Aragonit (1396-1458).

Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispano-shqiptare, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e paraardhësve të tij normanë, Alfonso nisi aplikimin e një politike ballkanike ambicioze.

Në sajë të traktatit që nënshkroi me Skënderbeun, i njihej e drejta historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tjera, si edhe zotohej për pagimin e haraçeve.

Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me 4000 vetë, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pat shpërthyer në mbretëri në vitin 1462.

Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qëndron në themel të kontakteve diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë shekullit XVI. / KultPlus.com

Studiues nga Shqipëria dhe Kosova diskutojnë për ndryshimet klimatike dhe ujin

Njësia kërkimore e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive organizoi, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, konferencën shkencore “Ndryshimet klimatike dhe uji: mbyllja e hendekut të paralajmërimit të hershëm së bashku”.

Në këtë veprimtari u përfshinë 72 studiues dhe 22 institucione kërkimore universitare, administrative dhe biznesi nga Shqipëria e Kosova. Konferenca pati si synim përmirësimin mbi paralajmërimet e hershme dhe menaxhimin e rreziqeve natyrore.

Akadademiku Rrapo Ormëni vuri në dukje se kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të 75-vjetorit të hyrjes në fuqi të konventës së themelimit dhe krijimit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM).

“Parandalimi dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike duhet të shoqërohen me investime të qëndrueshme, monitorim të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, Akademisë së Shkencave dhe aktorëve të tjerë. Roli i kërkimit shkencor është thelbësor në këtë proces, duke ndihmuar në hartimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe forcimin e vendimmarrjes”, u tha gjatë konferencës.

Në hapjen e kësaj konference u mbajtën edhe dy referate kryesore nga prof. dr. Petrit Zorba (Instituti i Gjeoshkencave, UPT) dhe Besim Aliu (Instituti Hidrometrologjik i Kosovës), përmes të cilave të pranishmit u njohën me përqasje të reja të të dhënave, ku krijohen lidhje mes politikës dhe klimës, me ndryshimet klimatike dhe diversifikimin e energjisë në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe nevojën për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani mirëpret njohjen nga Kenia

Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se vendimi i Kenias për njohjen e pavarësisë së Kosovës është dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë i nënshkruar nga presidenti i Kenias William Ruto.

“Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri”, ka thënë Osmani.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, Osmani shprehu falënderime ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për “këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik”.

Osmani tha se “përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve.

“Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do te merret shpejt, bazuar në të drejten nderkombetare dhe ne sakrificen e gjate te popullit tone”.

Presidentja ka falënderuar edhe ish-presidentin Behjget Pacolli për kontributin e tij në këtë njohje.

“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”.

“Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenisë do të thellohen në fusha të ndryshme,  ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë”./ KultPlus.com

Traktati i Gaetës që nënshkroi Skënderbeu me mbretin e Napolit

26 marsi i vitit 1451 kujtohet për aleancën që heroi kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, lidhi me mbretin e Napolit, Alfonson V të Aragonit (1396-1458).

Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispano-shqiptare, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e normanëve, Alfonso aplikoi një politikë ballkanike ambicioze.

Në sajë të traktatit të nënshkruar, që njihet në historiografi si “Traktati i Gaetës”, palët bashkërendonin forcat në luftën kundër pushtimit turk të Shqipërisë. Megjithatë, nga pikëpamja formalo-juridike kishim të bënim me një traktat vasaliteti me kushte të caktuara dhe të parashikuara shprehimisht.

Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me 4 000 vetë, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pat shpërthyer në mbretëri në vitin 1462.

Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qendron në themel të kontakteve diplomatike që shqiptarët mbajtën gjatë shekullit XV./ KultPlus.com

“Karnavalet” sjellin atmosferë feste në TKOB

Opereta “Karnavalet” solli një atmosferë festive që në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, ku spektatorët u përfshinë në “festën e maskave” duke pozuar me to.

Opereta me muzikën e Avni Mulës, u vu në skenë nga e bija, sopranoja e mirënjohur Inva Mula, e cila kësaj here ishte në cilësinë e regjisores. Shfaqja shumë e dashur nga publiku u soll nga një kast artistësh nga më të mirët e skenës shqiptare. Në skenë u rikrijua imazhi magjik i karnavaleve të Korçës, atmosfera e kalldrëmeve dhe kostumeve të fillim shekullit të kaluar, me situata të sikletshme për personazhet por që shkaktuan të qeshura tek publiku.

Artistët përcollën dramën e çiftit Olimbi dhe Nikollaq Jorganxhi të cilët nuk gjejnë dot një dhëndër dinjitoz për bijën e tyre, Afrovitin.

“Karnavalet” erdhën me dy kaste artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, të drejtuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi. Sonte “Karnavalet” do të jenë përsëri në skenën e TKOB.

Opera karnavalet, Foto: Agim Dobi / KultPlus.com

Restaurohet stacioni antik Ad Quintum, ndërtuar në shekullin II

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se është hedhur një tjetër hap i rëndësishëm për ruajtjen e monumenteve të kulturës, me restaurimin e stacionit antik Ad Quintum.

Stacioni antik është një dëshmi e kulturës romake. Pas një procesi të plotë restaurimi, ky monument historik është rikthyer në gjendje optimale, duke ruajtur vlerat e tij për brezat e ardhshëm.

Ad Quintum është një kompleks arkitektonik i përbërë nga nimfeu dhe termet, i ndërtuar në shekullin II dhe i përdorur si stacion rrugor përgjatë Via Egnatia. Stacionet rrugore ishin vende pushimi, ku udhëtarët apo tregtarët, mund të ndalonin për kaluar natën.

Stacioni rrugor Ad Quintum ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kombëtare Elbasan-Durrës.

Ka një planimetri drejtkëndëshe, me sipërfaqe 130 m2, me këto mjedise: dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes, që shërbente për lidhjen e mjediseve. Furnizimi me ujë bëhej me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi.

Termet dhe nimfeu i Bradasheshit janë nga strukturat më të ruajtura romake në Shqipëri.

Ndërhyrjet restauruese përfshinë Konsolidimin e strukturave, qepjen e çarjeve me teknikën e injektimit, forcimin e muraturës me llaç horasan, rindërtimin dhe zgjerimin e catch së monumentit, realizimin e sistemit të drenazhit, pastrimin e fasadës nga depozitimet sipërfaqësore, pastrimin nga vegjetacioni në të gjithë territorin dhe vendosja e një tabele informuese./ KultPlus.com

241 të vrarë në Krushë të Madhe, 113 në Krushë të Vogël, Osmani: Ua dogjën kufomat për ta shfarosur popullin tonë

Presidentja Vjosa Osmani sot ka qëndruar në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe në 26-vjetorin e masakrave që ndodhën në këto fshatra.

Duke numëruar viktimat e të zhdukurit, Osmani tha se regjimi gjenocidal i Serbisë kishte për qëllim shfarosjen e popullit, duke djegur edhe kufomat pas krimit.

“Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim 241 banorë të vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 të vrarë në Krushë të Vogël nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Sot e kësaj dite, 64 persona nga Krusha e Madhe, si dhe 60 nga Krusha e Vogël, mbeten të zhdukur me dhunë nga regjimi serb, si dëshmi e krimit të përsëritur dhe i dhimbjes së pashuar të familjarëve që akoma nuk kanë ku të vendosin një lule kujtimi”.

“Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë e pleq, e edhe gra shtatzëna, si dëshmi se mizoria e regjimit të Millosheviqit nuk kishte kufi. Pasi i vranë banorët e këtyre fshatrave, ata i dogjën kufomat, me qëllim të pastër për të shfarosur popullin tonë nga tokat tona”.

Osmani tha se banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë.

“Sot para tyre rikonfirmojmë përkushtimin tonë të çdoditshëm për drejtësi dhe që kujtimi për të rënët mos të harrohet kurrë. Lavdi e përjetshme gjithë atyre që u flijuan për liri!”. Ka shkruar Osmani.

Në Krushë të Madhe e të Vogël kanë shkuar edhe kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. /KultPlus.com

Vdes shefi ekzekutiv i Samsung-ut

Shefi ekzekutiv i gjigantit të smartphon-eve Samsung, Han Jong-Hee ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

Han, i cili e vendosi biznesin televiziv të kompanisë teknologjike në skenën globale, thuhet se vdiq nga një atak në zemër, duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët.

Han iu bashkua Samsung në vitin 1988 dhe u pa se kishte luajtur një rol kyç në vënien e televizorëve të tij të nivelit të lartë në mbarë botën, shkruan The Sun.

Ai u vlerësua nga kompania që i çoi televizorët Samsung “në kulmin e tregut global” dhe i mbajti ato atje.

Jun Young Hyun, shefi ekzekutiv i gjysmëpërçuesve, tani do të marrë përsipër detyrat e Han si CEO i vetëm i kompanisë, tha Samsung në një dosje rregullatore./ KultPlus.com

Rama takon ambasadoren Ziv, flasin për bashkëpunimin kulturor ndërmjet Prishtinës dhe Izraelit

Kryetari Rama ka njoftuar se me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv kanë diskutuar për bashkëpunimin kulturor ndërmjet Prishtinës dhe Izraelit.

“Diskutuam për bashkëpunimet kulturore ndërmjet Prishtinës dhe Izraelit, me fokus Javën Kulturore Kosovë–Izrael që do të mbahet në maj 2025”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar tutje se këto iniciativa jo vetëm që pasurojnë jetën kulturore të kryeqytetit, por edhe kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësisë mes dy vendeve./ KultPlus.com

Osmani në Krushë: Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar.

E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.

“Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe aty ku dhembja  është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh ky fshat u goditë nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë” , th gjatë fjalimit presidentja.

Edhe pas 26 vitesh kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, e para e shtetit tha se është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.

“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo, para familjarëve në këtë ditë përkujtuese.

E para e shtetit tha se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia.

“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit e familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja,  ‘ku është Ukshin Hoti?”, ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë”.

Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.

“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është  një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha presidentja./RTK/ KultPlus.com

Të premten mbahet ceremonia e certifikimit të rekrutëve të FSK’së

FSK ka njoftuar se të premten do të mbahet ceremonia e certifikimit të gjeneratës 01/2025 të rekrutëve.

Ceremonia do të mbahet në ora 10:00 në Kazermën “Skënderbeu“ në Ferizaj.

“Në ceremoninë e certifikimit do të marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mysafir e familjarë të rekrutëve. Mediat të jenë në Kazermën “ Skënderbeu” jo më vonë se ora 09:30.”/ KultPlus.com

198 vjet nga vdekja e gjeniut të muzikës klasike, Beethoven

Më 16 dhjetor të vitit 1770, në Këln, lindi Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.

Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Noli, i njohur si republican dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vienë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.

Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit sinfonia e tretë u interpretua për herë të pare.

Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. / KultPlus.com

Themelohet Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës së Çlirimit

Qeveria e Kosovës ka themeluar të mërkurën Këshillin Organizativ për shënimin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi gjithashtu emëroi Ridvan Hotin zëvendësdrejtor ekzekutiv për trajtim të të burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.

Po ashtu emëroi edhe Irfan Lipovicën drejtor në Drejtorinë e përgjithshme të akreditimit.

Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe raportin e përgjithshëm vjetor mbi inspektimet./ KultPlus.com

Ushtarët e KFOR-it trajnohen për kontroll të trazirave të turmës

Ushtarë letonezë dhe polakë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje, kanë kryer trajnime për kontrollin e trazirave të turmës.

Trajnimi është realizuar në kampin në Novosellë.

“Gjatë stërvitjes, ushtarët polakë simuluan një turmë rebelësh që përshkallëzuan tensionet kundër ushtarëve letonezë. Trajnimi ofron skenarë realistë të trazirave në një mjedis të kontrolluar duke i lejuar të dy vendet të mësojnë nga njëri-tjetri”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, përfundon njoftimi./ KultPlus.com

20 vite nga vdekja e Melihate Ajetit, aktores që shkriu në skenë mbi 180 role kryesore

Aktorja Melihate Ajeti ka lindur më 9 tetor 1935 në Prishtinë dhe ka vdekur më 26 mars të vitit 2005 në vendin e saj të lindjes.

Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, dhe vijoi shkollën e aktrimit poashtu në Prishtinë, duke vazhduar në Paris për të bërë një specializim. Ajeti e nisi aktrimin në moshën 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore ku dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e saj si aktore ku luajti tek: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbethi, Antigona, etj.

Ajo la gjurmë edhe në kinematografinë Kosovare e Jugosllave, tek Uka i Bjeshkëve të Nemuna, Buka, Zonja me kamelie, Etja, Trimi, Lepuri me 5 këmbë, Era e Lisi, Erveheja, Kur Pranvera vonohet, Të ngujuarit, E shtëna në ajër, Othello, Përroi vërshues, Migjeni, Gjurmët e bardha, Magbethi, Dorotej, etj.

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic (1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti, ishte një nga gratë që u vlerësua si Primadona e skenës shqiptare. / KultPlus.com