Sot është botuar libri “Mali i qumështit” nga autorja Ervina Halili, shkruan KultPlus.
Libri është një rrëfim me kujtime nga ngjarje të vërteta nga jeta jashtëletrare.
“Udhëtimi i vetes sonë metafizike nëpër botën që na pret krahapur me dashuri e sherim si një nënë e madhe, ndonëse ngjan fantastik, është po aq i realtë, pavarësisht çfarë pamje merr i reflektuar nga imagjinata jonë”, ka bërë të ditur autorja Halili.
Sipas saj në libër, mali përveç një hapësirë e realtë përjetimesh është poashtu një hapësirë utopike qe jeton në zemrën e secilës grua./ KultPlus.com
Më 25 shkurt të vitit 1877, lindi studiuesi dhe albanologu i shquar austriak, prof. dr. Norbert Jokl.
Mbaroi shkollimin e tij shkëlqyeshëm (“summa cum laude”) dhe do të konsiderohej që në rini, si një nga studiuesit më të mirë të kohës në fushën e gjuhësisë e kryesisht në lëmin e gjuhëve indo-evropiane.
Albanologu do të hidhte vëmendjen e tij studimore në gjuhën tonë, duke kryer studime të kalibrit botëror. Në mbështetje edhe të studimeve të Gustav Majerit e të Pedersenit, Jokli do e cilësonte shqipen si vazhdimësi të ilirishtes dhe të trakishtes.
Me ardhjen në fuqi të nazizmit në Austri, studiuesi do të përndiqej për shkak të origjinës së tij hebraike. Kundërvënia ideologjike ndaj prejardhjes së tij do t’i kushtonte edhe jetën. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave disponon një sërë letërkëmbimesh me albanologun mbi fusha të ndryshme të studimit të kulturës shqiptare.
Pati lidhje të pandërprerë edhe me intelektualë shqiptarë të kohës së tij, si për shembull me Fishtën, Konicën, Xhuvanin, Koliqin e shumë të tjerë. Më 1937 vizitoi për herë të parë e të fundit Shqipërinë, ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Jokli u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është takuar sot me ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Sipas komunikatës për media, marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Finlandë, bashkëpunimi ndërmjet ambasadës finlandeze dhe qeverisë, zgjedhjet e 9 shkurtit dhe hapat drejt formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve, ishin temat qendrore të bashkëbisedimit.
Gjithashtu në takim u diskutua rreth çështjeve të sigurisë së rajonit dhe kontinentin tri vjet pas fillimit të agresionit ushtarak rus dhe luftës në Ukrainë.
Më tej, Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës.
Lugut t’qiellit fluturojne rete hijeranda vedrat e territ tue derdhe mbi rruget e plasarituna- Nata e erret horizontet i mbylli…
Qiella tash bahet si cerep’i zi… Dhe pikat e para t’shiut hovshem leshohen mbi rruge e pullaze.
…Diku, nji za i piklluem, si ai i nanes mbi kufomen e birit t’vetem; thirrje e prekshme e dikujt, si ofshame, ne shushurimen e erret t’shiut- si klithje e femise t’humbun ne furtune…
Bie me rreshek…Shiu end pej t’panumert…Bie pika si plumbi, si kazmat e randa t’puntoreve… -O, si me dashte me shembe cdo gja ne ket nate t’merrshme!
Kujisin bagllamet e ndryshkuna ne kapaket e dritareve ku me hov sulmon shiu, frushkullon ere e furishme…Lebetisin kunorat e pemeve, ulurojne me za vajtues… E drita e zbehte dridhet ne dhomezen e erret plot myk, ku gurbetqaret t’rrasun fishek, nder skuta ku nuk pikon, andrrojne shtretnit e ngroht, trupat e lodhun me i clodhe…
Era terbueshem uluron mbi pullazet e came t’shtepive, dridhen trupat e ngrime nen leckat e mbulojes ne skutat e erreta t’dhomes, ne vorr per s’gjalli – te denuem per shfarosje…
Ferri i kesaj bote doren ua shtrin t’mjereve para se me hy ne parajsen e jetes s’amshueme!./KultPlus.com
Ekspozita e titulluar “Mediterranea. Vizionet e një deti të lashtë dhe kompleks” prej nesër do të jetë gati për publikun artdashës të Tiranës dhe gjithë vizitorët e kryeqytetit.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera, prezantoi ekspozitën multimediale në rrjetet sociale, ku tha se ekspozita ka harta gjeografike, dokumente historike, fotografi satelitore e regjistrime audio e video, të gjitha për të treguar bukurinë dhe madhështinë e Mesdheut, detit që lag brigjet e vendeve tona dhe që ka qenë djepi i qytetërimit modern.
Ekspozita e ngritur në mjediset e Galerisë së Artit Bashkëkohor GOCAT, është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, të Italisë dhe e kuruar nga Viviana Panaccia.
Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore, e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Ekspozita “Mediterranea” ka imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë kulture, arti dhe shkence, mes të shkuarës dhe së tashmes./atsh/KultPlus.com
Filmi “Krejt e thërrasin Rexhon”, premiera e të cilit është shfaqur me datë 23 janar në Shkup dhe me 30 janar në Cineplexx në Prishtinë, ka nisur rrugëtimin ndërkombëtar, duke marrë pjesë në një festival në Itali.
Filmi është përzgjedhur që të marrë pjesë në BIF&ST – Bari International Film Festival, që do të mbahet mars 2025 në Bari, Itali.
“Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë mesdhetare dhe filmi do të shfaqet në seksionin garues “MERIDIANA”, ka njoftuar regjistori i filmit, Ibër Deari.
“REXHA” do të jetë në garë për disa nga çmimet kryesore të festivalit. Ky është një hap i madh për filmin dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ta prezantuar atë para një publiku të ri ndërkombëtar.
Filmi po vazhdon të shfaqet në kinemanë “Cineplexx”.
Aktorët që luajnë në film janë Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku, Adem Karaga, Bereda Reshit, Mirsad Abazi dhe Adrian Aziri.
“Të gjithë e thërrasin Rexhon” është një film i realizuar me regji të Ibër Dearit, producent i filmit është Sasho Pavlovski dhe skenari është shkruar nga Ibër Deari dhe Artin Selmani./KultPlus.com
Në shtegun natyror “Ish-Rezervati –Liqeni i Bovillës”, rreth 15 km larg Tiranës, vijon puna për rehabilitimin e tij.
Kjo ndërhyrje është pjesë e projektit “Shtigjet në rrjetin e Zonave të Mbrojtura”, të ndërmarrë nga AKZM dhe që ka për synim studimin, përmirësimin, mirëmbajtjen, markimin dhe hapjen e shtigjeve të reja.
Agjencia Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale momente nga puna për rehabilitimin e këtij shtegu, që frekuentohet nga turisë të shumtë vendas e të huaj.
“Liqeni i Bovillës është ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët, pjesë e Parkut Kombëtar “Mali i Dajtit”. Për të ofruar një eksperiencë sa më cilësore dhe çlodhëse, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është duke aplikuar ndërhyrje në zonë, të cilat synojnë në përmirësimin e infrastrukturës, ngritjen e një pike informuese për vizitorët dhe ngritjen e mjediseve çlodhëse dhe argëtuese”, thekson AKZM.
Sipas këtij projekti, në këtë shteg do të krijohen ballkone panoramike, pikë informimi, shtim i sinjalistikës dhe markimi përkatës për të ofruar orientim dhe eksperiencë sa më cilësore për vizitorët.
Zonat e mbrojtura gjithnjë e më shumë po vizitohen nga turistët vendas e të huaj. Për t’i bërë më lehtësisht të aksesueshme këto zona, punonjësit e 12 Administratave të Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin vijojnë punën për shënjimin e shtigjeve turistike.
Liqeni i Bovillës është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara për të gjithë ata që duan ajrin e pastër, natyrën dhe pse jo sportet e aventurës./atsh/KultPlus.com
Në mjediset e Qendrës “Sotir Kolea”, stafi i Bibliotekës Kombëtare zhvilloi një trajnim me qëllim aftësimin në përdorimin e Bibliotekës Digjitale, që ofrohet për të gjithë lexuesit në website-n e BKSH-së.
Qëllimi i këtij trajnimi është stimulimi i përdorimit të materialeve të digjituara dhe aftësimi i lexuesve në përdorimin e tyre. Në Bibliotekën Digjitale të BKSH-së gjenden të skanuara, në cilësi tepër të lartë, dorëshkrime, harta, libra, antikuare dhe periodikë të vjetër në gjuhën shqipe, të gatshme për t’u aksesuar nga kudo.
Ndërkohë, për të gjithë lexuesit të cilët duan të aftësohen në kërkimin bibliotekar, BKSH ua ofron këtë mundësi çdo të enjte në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në trajnimin “Ora e Bibliotekës”./atsh/KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se mbrëmë, në teatrin Oda, u dha premiera e shfaqjes “Kufiri”, me regji nga Sovran Nrecaj.
“Në Teatrin Oda, mbrëmë u dha premiera e shfaqjes “Kufiri”, me regji nga Sovran Nrecaj, një eksplorim teatror mbi migrimin, zhvendosjen dhe politikat e përkatësisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Tutje, në njoftim thuhet se shfaqja solli në skenë realitetet e ndërlikuara të udhëtimeve të migrimit nga policia kufitare te trafikantët, nga media te vetë emigrantët.
“E mbështetur në përvoja të vërteta emigrantësh, shfaqja solli në skenë realitetet e ndërlikuara të udhëtimeve të migrimit, nga policia kufitare te trafikantët, nga media te vetë emigrantët. “Kufiri” trajton njërën nga krizat më urgjente të kohës sonë, migrimin masiv nga Ballkani, duke ngritur pyetje të forta mbi pabarazitë globale dhe politikat kufizuese të Evropës”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të kam dashtë…
Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë. Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura. Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish. Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët. Dashunia vdes kur i shërohen plagët. Dashunia fillon prap prej fillimit…
Dashunia i beson të gjitha. Dashunia i shpreson të gjitha. Dashunia i “ha” të gjitha. Dashunia i fal të gjitha. Dashunia banon te duert…
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të paskam dashtë, pra…/ KultPlus.com
Shqipëria do të mirëpresë botën si vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin më 4 deri më 6 mars.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale videon promovuese të Shqipërisë në këtë panair.
“Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, partnerë, turoperatorë dhe hotelierë përmes performancave artistike dhe paneleve të diskutimit, ofertave turistike dhe takimeve B2B do të prezantojmë përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar”, shkruan Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “me 190 vende pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozues në ITBBerlin, Shqipëria Turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale”.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli dy balete në një natë. Mbrëmjen e djeshme u vu në skenë shfaqja “Frymë” e përbërë nga “La Stravaganza” dhe “Intricate Threads Of Humanity”.
Baletet janë krijime të dy emrave të shquar të skenës ndërkombëtare, Angelin Preljocajt dhe Erion Krujës.
Këto dy vepra artistike janë një eksplorim i thellë i përvojës njerëzore, ku baleti bëhet gjuha universale që shpreh ndjenjat, kontrastet dhe kompleksitetin e jetës.
Angelin Preljocaj është një nga koreografët më të njohur bashkëkohorë me origjinë shqiptare.
Vepra e tij “La Stravaganza” ka të ndërthur elementet e traditës me ato të modernitetit i cili ka një vërshim të së shkuarës në të ardhmen, njësoj sikur koha të ishte një rreth pa mbarim, një përjetësi.
Me një koreografi të fuqishme dhe ekspresive, ky balet trajton temën e përplasjes midis kulturave të shekullit të 17-të dhe asaj moderne, duke eksploruar konceptet e emigracionit dhe ndërveprimit midis së kaluarës dhe së tashmes.
Një balet Muzika përfshin vepra të Antonio Vivaldit, si dhe kompozime elektronike nga artistë bashkëkohorë si Evelyn Ficarra, Robert Normandeau dhe Åke Parmerud.
Preljocaj krijoi “La Stravaganza” për New York City Ballet si pjesë e projektit “Diamond Project III”, me premierën më 22 maj 1997. Që atëherë, baleti është interpretuar nga trupa të ndryshme në mbarë botën.
Ndërkohë, koreografi Erion Kruja, një tjetër artist shqiptar me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, solli në skenën e TKOBAP-së “Intricate Threads of Humanity”, si një premierë absolute. Vepra zhytet në thellësitë e sjelljes dhe emocioneve njerëzore.
Me një qasje të guximshme ndaj koreografisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj muzikës dhe skenografisë, Kruja krijoi një eksperiencë të paharrueshme për publikun./atsh/KultPlus.com
Teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë, ka njoftuar se të enjten, me datë 27 shkurt, do të prezantohet premiera e shfaqjes “Menaxheria e Qelqtë”me regji të Ilir Bokshit, nga Tennessee Williams.
“Menaxheria e Qelqët” është një histori e mbushur me emocione dhe dramë, që trajton tema universale si konflikti mes realitetit dhe ëndrrave, sfidat e marrëdhënieve familjare dhe përpjekja për të kapërcyer kufizimet personale. Me një ekip artistik të përkushtuar dhe një vizion të fuqishëm, ne synojmë ta sjellim këtë histori në mënyrën më të ndjerë dhe të jashtëzakonshme.
Producent i shfaqjes është Sabit Sheremeti, ndërsa aktorët janë Irena Aliu, Eshref Durmishi, Qendresa Kajtazi dhe Mehmet Preteni.
“Ju falënderojmë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për dashurinë që tregoni ndaj artit dhe kulturës. Së bashku, do të ndërtojmë edhe një përvojë tjetër të paharrueshme në Teatrin “Muharrem Qena”, thuhet në njoftimin e teatrit./KultPlus.com
“Dashunija ndaj prindëve” është një poezi e shkruar nga poeti i njohur shqiptar Ndre Mjeda. Poezia, sikurse e shpreh edhe titulli, tregon dashurinë që prindërit kanë derdhur mbi autorin në veçanti, por në plan më të gjerë, shpreh dashurinë e çdo prindi për fëmijën e vet.
Poezia përfshin tre stadet e jetës së një individi. Nis në strofën e parë me fëmijërinë, ku prindërit e rrisin fëmijën që në djep. Vazhdon në strofën e dytë me rritjen ku prindërit bëjnë maksimumin që ta rrisin në mënyrën e duhur fëmijën dhe përfundon në strofën e tretë, me momentin kur fëmija është i rritur dhe e kupton realisht çdo sakrificë që kanë bërë prindërit (Ju ma ndez’t nji flakë në zemër për punë t’nalta e për lumni.).
“Dashunija ndaj prindëve”
Me sy çilun afër djepit, Me kujdes e me dashtni, Për vaj tem tue hjekun zi, Tue shëndue kur m’shifshi n’shend.
Babë e nanë sa keni derdhë Mbi shteg tem e hire e dritë; Ah, sa mirë m’keni gatitë Për çdo kohë e për çdo vend.
Ju ma ndez’t nji flakë në zemër Për punë t’nalta e për lumni Për ju pra, o prind’t e mi, Mend e zemra më lakmon. / KultPlus.com
Norbert Jokli (25 shkurt 1887 – maj 1942) ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studjues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadtsbibliothekar) i Universitetit të Vjenës.
Jeta dhe karriera
Lindi në Bzenec (asokohe Bisenz), Moravia e Jugut, sot Republika Çeke si biri i vetëm i një tregtari hebre. Përfundoi shkollën e lartë me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Mori këtu gradën e doktorit të drejtësisë summa cum laude më 23 qershor, 1901. Disa kohë veproi si stazhist ligjor, por më vonë vendosi t’i përkushtohej gjuhësisë. Studioi gjuhët indo-evropiane te P. Kretschmer, gjuhët sllave te V. Vagic dhe gjuhët romane te G. Meyer-Lübke; u gradua me lavdërim në këto lëme. Në vjeshtën e vitit 1903, ai u bë stazhist në bibliotekën e Universitetit te Vjenës ku punoi deri në vitin 1938. Në moshën 30 vjeçare, mësoi gjuhën shqipe, e cila gjer në atë kohë kishte qenë shumë pak e studiuar.
Mësoi shqipen duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas forcoi njohuritë si autodidakt më ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Ishte meritë e tij që më 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës.
Në prill të 1933, paleontologu dhe albanologu Franz Nopcsa (Ferenc Nopcsa) vrau sekretarin dhe veten e tij. Ai i la trashëgim Norbert Joklit punen e tij albanologjike. Ernest Koliqi, duke përshkruar një vizitë të bërë së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhetor të 1937, shkruante një vit më vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:
“E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.
Është autor i librave Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes dhe Kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Jokli pat krijuar një bibliotekë albanologjije e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbur qysh në pranverën e vitit 1942. Duhet thënë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipërisë. Sipas historianëve të sotëm, ka qenë pikërisht kjo dëshirë fisnike e Prof. Norbert Joklit që ka shenjuar fatin e tij mizor[1]. Kishte lidhje të ngushta me intelektualë shqiptarë të asaj kohe si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi dhe Gjergj Fishta, si edhe pati nxënës shqiptarë. Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.
Në vitin 1937 kishte vizituar një herë të vetme Shqipërinë ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u prit me nderime dhe u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”.
Kalvari dhe Përpjekjet për ta shpëtuar
Kalvari i Joklit zë fill në maj të vjetit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale. I shtyrë prej disa miqsh – ai vendosi t’i drejtohej në vjeshtën e vitit 1939 një lutje Gauleiter-it Bürckel, komisarit të Rajhut për zonën e Ostmarkut, duke i kërkuar njohjen e të drejtave të barabarta me “racat e përziera të gradës së parë”. Lutja nuk u pranua e kështu që Joklit iu mohua e drejta që të konsultonte deri edhe bibliotekën dhe iu revokuan të gjitha privilegjet akademike. Më 1938 Lasgush Poradeci i drejton një letër qeverisë së kohës[3].
Kërkoi me ngulm që Jokli të vinte në Shqipëri. Lasgushi shihte një varg të mirash që mund të sillte ardhja e Joklit në Shqipëri dhe donte vënien e tij në krye të një Instituti Albanologjik dhe intensifikimin e punëve në të gjitha disiplinat e studimeve shqiptare, duke ditur përkushtimin e rrallë të albanologut më të madh të kohës për Shqipërinë. Shqipëria ishte pushtuar në 7 prill 1939 nga Italia fashiste. Në 12 prill 1939, Viktor Emanueli III u shpall mbret i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe Francesco Jacomoni (ish ambasador i Italisë në Shqipëri) u bë mëkëmbës i tij me të cilin qeveria e re shqiptare kolaboracioniste nën drejtimin e Shefqet Vërlacit, nënshkroi një sërë marrëveshjesh. Kjo ishte situata në vend kur kërkohej shpëtimi i Joklit. Shqipëria shihej si vend i shpëtimit të tij për shkak të origjinës hebraike. Nga një letër e Fishtës drejtuar Jakomonit mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej drejt Amerikës. Letra drejtuar Jakomonit është e datës 23 shtator 1939.
Megjithatë, në Shqipëri, Prof. Jokli pati gjithmonë dashamirë dhe miq të sinqertë. Me rastin e Kuvendit të parë të organizuar prej Institutit të Studimeve Shqiptare, të zhvilluar në Tiranë prej datës 9 deri me 13 prill 1940, ishte ftuar të marrë pjesë edhe “profesor Jokli, albanologu i njohtun izraelít prej Vjenet” – kujton Francesco Jacomoni (shih: La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano 1965, fq. 183). Dihet se organizator i atij tubimi të randësishëm ishte ministri fashist Ernest Koliqi. Në nji letër të shkruar në Tiranë me datën 15 prill 1940, Aleksandër Xhuvani ndër të tjera i kumtonte Joklit: “Kemi pasë këto ditë, si do ta marrish vesh, nji Kuvend të parë të studimeve shqiptare, ku u mblodhën Shqiptarë e Italianë shkencëtarë e studimtarë, ndër të cilët edhe Bartoli e Tagliavini.
Ju kemi zanë n’gojë shumë herë dhe na vinte keq që s’gjindeshit edhe ju në mes t’onë. Ju kemi dërgue të fala me disa kartolina. Gjithë përpjekjet t’ona rrahin që të të sjellin këtu ose gjetiu të veç, për të vijue punën e studimevet t’ueja, dhe shpresojmë që t’ja dalim në krye kësaj dëshire”. (shih: Jokl Nachlass Autogr. 279/114) Në tetor 1941, Ernest Koliqi iu drejtua me një letër konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë, letër në të cilën e njoftonte se kishte angazhuar profesor Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale. Në vitin 1972 Ernest Koliqi kujtonte në vëllimet e «Shêjzave» sesi Prof. Carlo Tagliavini, albanolog i Universitetit të Padovës, me një «letër kushtrimore» të datës 14 mars 1941 i kërkonte të bënte diçka për Joklin: “…bahet fjalë me shpëtue njeriun.
Dëshira e tij kishte me qenë, siç e din, me kalue vjetët që i kanë mbetë (tash âsht 64 vjeç) në Shqipni… Un t’i shkruej këto gjana që të jesh në dijeni të plotë dhe n’emën të miqsisë sonë të vjetër të lutem që të bajsh gjithçka âsht e mujtun; bahet fjalë me shpëtue njeriun, me shpëtue albanologun mâ të madh, i cili mundet me i dhanë ende shumë studimeve shqiptare”. Duhet thënë se prof. Tagliavini e kishte këshilluar Joklin që t’ia falë me anë të një akti zyrtar bibliotekën e tij Shtetit shqiptar, në mënyrë që ta ketë më të lehtë të marrë lejen për të shkuar në Shqipëri. Me 15 mars 1941, konsulli shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrota i shkruante Koliqit: “Në rasë të konferencës qi mbajti më 27 fruer v.v. miku i jonë, z. Prof. Tagliavini, e informova hollësisht mbi gjendjen e tmershme në të cilën ndodhet sot Prof. Jokl, kurse rryma e sotshme e Nacizmit ka marrë masa tepër të rrepta kundra çëfutënve […] parashifet qi shpejt do t’instradohet për në Poloni pa pasë mundësí as me e marrë me vehte bibliotekën e tij e as me krye mâ ndonji vepër ditunije. Siç dihet, biblioteka e tij âsht nji ndër mâ të pasunat dhe mâ të vlefshmet mbi letratyrën shqipe, sikurse mund t’a vërtetojë edhe z. Prof. dr. Ekrem Çabej”. Konsulli Rrota, siç marrim vesh prej një letre të P. Kretschmerit kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e Joklit qysh në prill të vitit 1940. Në ketë kohë personalitete të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe të vetë qeverisë shqiptare po bënin çmos për ta shpëtuar Prof. Joklin – duke e ftuar të jetojë e punojë në Shqipërí.
Këtë gjë e dëshmojnë letrat e profesorëve Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schiro’ jr., e gjithashtu edhe hapat e marrë në rrugë diplomatike prej ministrit Giuseppe Bottai, prej ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës, i cili u përpoq me aq sa mundej edhe mbas vdekjes së Joklit për të ditur diçka për rrethanat tragjike të fundit të tij. “Sa mora letrat e Tagliavinit dhe të Rottës, kujtonte E. Koliqi në vitin 1972, unë fola me Kryeministrin z. Shefqet Vërlaci i cili pranoi menjiherë propozimin t’em me e emnue Jokl-in Organizator t’Arkiveve Shtetnore dhe të Bibliotekave shqiptare. Mblodhi Këshillin Ministruer, qi njizâni vendosi at emnim. I a dërgova dekretin përkatës Prof. Jokl-it në Vjenë dhe kumtova njikohësisht Tagliavinin dhe Rottën”. Mbas këtyre orvatjeve fillestare, ministri fashist shqiptar Ernest Koliqi do të shkonte apostafat në Romë për të folur për shpejtimin e çështjes së Joklit me ministrin Bottai.
Ndërkaq ishin duke u bërë traktativa ndërmjet Ministrisë së jashtme italiane dhe asaj gjermane e Bottai e këshillonte kolegun fashist Koliqi të fliste me Ciano-n, në mënyrë që ky t’i shkruante J. Ribbentropit. Edhe Prof. Eqrem Çabej, i cili ndodhej në Romë në korrik të vitit 1941, mbasi ishte emëruar si përfaqësues i palës shqiptare për hartimin e «Atlantit gjuhësor» për pjesën e arbëreshëve, interesohej në mënyrë aktive për fatin e Joklit. Me 18 tetor të vitit 1941 Prof. Tagliavini i shkruente Koliqit se konsulli Rrota dhe Jokli kanë ndeshur në vështirësi të papritura në marrjen e lejes së kalimit dhe se është nevoja që Mëkambësi Jacomoni t’i shkruante një letër urgjente ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin. Jacomoni e shkroi letrën dhe ia nisi menjiherë ambasadorit italian.
Megjithatë, si ministri Bottai ashtu edhe ambasadori Alfieri nuk e përmendin në ditaret dhe kujtimet e veta çështjen e Joklit. Përveç Gestapos, kishte edhe persona të tjerë që nuk donin që Jokli të gjente strehë në Shqipëri, një ndër këta ishte edhe Viktor Christian, dekani i fakultetit të filozofisë në Universitetin e Vjenës. Christian kishte frikë se duke fituar të drejtën të shkonte në Shqipëri, Jokli do të merrte me vete edhe bibliotekën e tij; ndërsa në rastin tjetër, biblioteka e sekuestruar prej nazistëve do t’i kalonte fondit të Universitetit. Në fakt, dekani i filozofisë Christian, që më vonë do të bëhej rektor i Universitetit, i shkruente SS-Hauptsturmführer-it Brunner se në qoftë se Jokli do të shkonte në Shqipni, biblioteka e tij s’do të mbetej në Vjenë, por në rast se autoritetet do ta internonin në Poloni, dekani i lutej oficerit SS, që biblioteka t’i jepej fakultetit të filozofisë.
Nga mbarimi i prillit të vitit 1942, dekani Christian ishte i informuar për internimin e Joklit dhe për faktin që biblioteka e tij – duke i kaluar Universitetit të Vjenës – do të vendosej së shpejti në mjediset e Institutit të Indogjermanistikës ose të atij Oriental. Menjiherë do të interesohej edhe drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombtare austriake, Paul Heigl, i cili kërkonte që librat e «çifutit Jokl» të bëheshin pronë e komunitetit të gjerë të studiuesve. Edhe ambasada italiane në Vjenë, në emër të së drejtës që kishte fituar Italia prej pushtimit të Shqipërisë, bënte hapat e saj për marrjen e kësaj biblioteke me përbërje albanologjike. Një ndër gjërat më me vlerë që humbën prej asaj biblioteke, ishte dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.
Arrestimi dhe vdekja
Fundi i jetës së tij është tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryen së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Me një letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavini i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për të ndërhyrë nëpërmjet kryeministrit fashist Kruja. Shkruan Koliqi: “Unë nga Tirana i telefonova menjiherë Bottai-t në Romë e shkova mandej fíll tu Mustafa Kruja i cili në sý t’em mori telefonin e foli me Ciano-n tue e lutë nxehtësisht me bâ çmos për shpëtimin e Jokl-it. Ciano përgjegji se do të lutte Mussolinin me ndërhy pranë Hitlerit”.
Po ky vit shënohet si vit i vdekjes së albanologut. Si një shkencëtar i vërtetë dhe si njeri i dashuruar mbas librave, ai ndihej prej kohësh i dëshpëruar vetëm prej idesë se mund të ndahej përgjithmonë prej librave të tij të çmueshëm.
Madje, i kishte pohuar gjuhëtarit Carlo Tagliavini, se në rast se do t’i duhej të ndahej prej librave të vet, do të preferonte të vriste veten. Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Ministri fashist shqiptar Ernest Koliqi – i informuar prej konsullit Rrota – tregon se gjatë rrugës për në një kamp përqëndrimit në Riga, Jokli u hodh prej trenit kur po kalonte mbi një urë të lartë rreth 100 metër dhe mbyti veten.
Disa studjues austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermen Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, nji lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë. Ka gjasë që ky variant të jetë më i mundshmi. Kampi i Maly Trostinec-it ishte krijuar qysh në nëntor të vitit 1941 në territorin e ish kolkozit «Karl Marx». Duke qenë se në gjysmën e marsit të vitit 1942 partizanët kishin sulmuar kampin duke vrarë rojet, mbas këtij episodi kompania e rojeve ishte shtuar si numër, duke arritë shifrën 250 ushtarakë.
Zakonisht ekzekutimet në masë në ketë kamp bëheshin me anën e pushkatimit, i cili kryhej në pyllin e Bllagovshçinës. Simbas listave të transportit të Reichsbahn-it (hekurudhat e Reichut III), mbartja e parë e hebrenjve nga Vjena për në të ashtuquajturin «Reichskommissariat Ostland», u bë me datën 6 maj 1942. Nji gjë të tillë e konfirmon edhe një raport i detajuar i komisariatit të policisë vjeneze (95. Pol. Revier), i shkruar më datën 16 maj 1942.
Raporti përshkruan me hollësi «evakuimin» e 1000 hebrenjve nga Vjena, lista e të cilëve, sqaron me një ton të ftohtë burokratik funksionari i policisë, ishte radhitë prej kapitenit SS Brunner. Mbasi përshkruan me hollësi nisjen nga Vjena, itinerarin si dhe ndalesat e ndryshme, raporti vë në dukje faktin se më datën 9 maj – kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekë 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internar. Emnat e tyne nuk shenjohen, por ka shumë mundësi që njëri prej tyre të ketë qenë albanologu Norbert Jokl[1]. Me 29 prill 1982 Senati i Universitetit te Vjenës vendosi të rradhisë emrin e Norbert Joklit në tabelën e nderit të universitetit.
Rruga “Norbert Jokl” Tiranë
Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimësinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes.
Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.
Karl Friedrich May (25 shkurt 1842 – 30 mars 1912) ishte një shkrimtar gjerman.
Karl May lindi më 25 shkurt 1842, në një familje tejet të varfër, nga një zonë në afërsi të qytetit të Dresdenit, në lindje të Gjermanisë.
Karl May është padyshim shkrimtari i romaneve me udhëtime më i lexuar në hapësirën gjermanfolëse dhe vepra e tij ndoshta më e lexuara pas Biblës së Martin Luther-it. Megjithëse ai shkroi më shumë se 150 vjet më parë, për gjeneratat e reja, librat e tij vazhdojnë të jenë shumë të dashur.
Në fillim ai shkroi disa novela të shkurtra dhe më pas disa romane anonime. Por fama e tij erdhi kur ai shkroi “Tregime me udhëtime”, që i botoi për herë të parë në vitin 1892.
May, duke folur në vetën e parë, rrëfen për aventurat e bëmat e heroit të vet në vende ekzotike, para së gjithash në “Perëndimin e egër” të Amerikës Veriore dhe në orient. Ai ia doli që këto raporte fiktive (pasi ai nuk kishte shkelur vetë në ato vende, në të cilat zhvilloheshin ngjarjet e veprës së tij) të përcilleshin në mënyrë shumë sugjestionuese te lexuesit, dhe rajonet gjeografike ku jetonin popuj të ndryshëm, në libër të shfaqeshin plot fantazi me aq shumë ngjyra, saqë tregimet “Winnetou”, “Old Surehand”, “Në shkretëtirë” – megjithëse vlerat e tyre letrare për shumë kritikë janë të debatueshme – për gjeneratat e sotme vlerësohen si shumë informative, interesante dhe plot jetë.
Edhe tendenca humane në librat e tij dhe ndikimi që ata patën në ndihmën për popujt e shtypur asokohe (siç ishin indianët e Amerikës, sidomos dhe kurdët për shembull) e bënë atë të gëzonte epitete të tilla si “Shekspiri i të rinjve” e një nam pozitiv ndër shumë lexues në një shtrirje kohore që e tejkalon disa herë epokën në të cilën ai shkroi.
Veprat e tij njohin edhe shumë ekranizime të nisura qysh në vitet ’20 të shekullit të shkuar, e vazhdojnë deri në vitet ’80 në formën e serialeve TV apo të filmave për kinema. Vdiq në vitin 1912, në Radebeul, pranë qytetit të Dresdenit. Një shoqatë edhe një muze(ngritur qysh në vitin 1927), prej kohësh mbajnë emrin e tij, për të nderuar veprën që ai la pas./KultPlus.com
Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar nw WEB.DE.
Duke iu referuar artikullit, Rama vuri në dukje se Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkruan Rama.
“Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo kush tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (më shumë se 137%) dhe El Salvadori (më shumë se 81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër”, shkruan WEB.DE.
Në artikullin e WEB.DE theksohet se “edhe qytetet dhe fshatrat shqiptare mirëpresin turistë. Pranë qytetit kryesor të Tiranës, ju mund të vizitoni qytetin historik të Gjirokastrës dhe qytetin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Beratin. Me fshatrat e saj tradicionalë, qytetet e gjallëruara dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria duket si një alternativë e bukur dhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut. Nëse doni të vizitoni vendin në mënyrë të qetë, ju këshillojmë të programoni sa më shpejt pushimet tuaja duke parë numrin në rritje të turistëve”.
Aktorja Lee Dong vjen nga Parisi në “Mediums”, festivali i teatrit bashkëkohor i drejtuar nga aktorja e mirënjohur shqiptare Ema Andrea.
Në këtë shfaqje ajo hyn tek personazhi dhe e tregon historinë e saj me habi, duke kujtuar tmerret me zgjuarsi të pafajshme, sikur këto gjëra i ndodhin çdo vajze. Ajo e zhvesh jetën e saj dhe na bën për të qeshur përballë më të keqes. Triumfi i saj është shpërblim i nevojshëm.
Lee Dong është një aktore, mësuese, regjizore dhe shkrimtare e cila jeton në Paris, Francë. Lee Dong u diplomua në degën teatër në Universitetin e West Virginia, USA dhe nga Jacques Lecoq International School në Paris.
Nga viti 2018 deri në 2020, ajo performoi në Le Banquet nga Mathilda May, me të cilin fitoi çmimin Les Molieres. Në ekran Lee ka punuar me një numër të lartë regjizorësh, duke përfshirë dhe Julie Delpy, Luc Besson, Antoine Garceau dhe Cedric Klapisch. Lee figuron në Dix Pour Cent në Netflix dhe në Gutys me Hilary Clinton në Apple TV.
Festivali i teatrit bashkëkohor i titulluar “Mediums” është një ngjarje kulturore që mbledh artistë e grupe teatrore, dhe synon të kthehet në një iniciativë vjetore, duke vendosur Tiranën dhe Shqipërinë çdo vit në dinamikat e artit bashkëkohor./euronews/ KultPlus.com
Muzeu i Traditës në Sarandë është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj.
Nga viti në vit, numri i turistëve ka ardhur në rritje, ku më së shumti dominojnë moshat e treta dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Ky muze ofron një pasqyrë autentike të trashëgimisë etnografike dhe mënyrës së jetesës së brezave të mëparshëm në bashkitë jugore të Shqipërisë.
Muzeu është i ndarë në dy kate dhe paraqet një koleksion të pasur që përfshin veshjet tradicionale të përditshme dhe festive, mjetet e punës, si dhe elementë të kulturës së të ushqyerit, si sofra dhe aksesorët e saj.
Në vitin 2024, interesi për muzeun është rritur ndjeshëm, duke u përfshirë gjithashtu në paketat turistike të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Përgjegjësja e muzeut, Elda Koçi, shprehet se ky vit ka qenë i mbushur me aktivitete, ndërsa sezoni veror ka shënuar një fluks të lartë turistësh.
“Gjatë këtij viti kemi pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve, përfshirë turistë nga India, Meksika dhe Japonia, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për historinë dhe trashëgiminë e Sarandës. Nëse në vitin 2023 vizitat arritën në 70% të kapacitetit, në 2024 kjo shifër ka shkuar në rreth 75%, duke shënuar një rritje graduale”, thekson ajo.
Grupmoshat më të interesuara për muzeun janë kryesisht të moshës së mesme dhe të tretë, të cilët janë të mirëinformuar dhe të prirur për të njohur më shumë rreth historisë dhe origjinës së qytetit bregdetar.
“Vizitorët tanë janë të interesuar për historinë e Sarandës, prejardhjen e emrit të qytetit dhe ndryshimet që ai ka pësuar ndër vite. Ata vlerësojnë faktin që një qytet kaq i vogël dhe bregdetar ka një muze të pasur me trashëgimi kulturore”, shton Koçi.
Në periudhën dimërore, muzeu mbetet aktiv duke organizuar aktivitete edukative për nxënësit e shkollave, sidomos gjatë muajve tetor dhe nëntor, në kuadër të festave kombëtare.
“Edhe pse janari është një muaj i qetë, kemi ende vizitorë të huaj që shfaqin interes për muzeun. Së fundmi kemi pritur një grup nga India, të cilët ishin të informuar për ekzistencën e muzeut dhe donin ta vizitonin. Ndërsa me afrimin e pranverës, fillojmë të presim grupmoshat e treta nga Greqia, të cilët kombinojnë vizitën e tyre me qëndrimin në Korfuz”, tregon Koçi.
Muzeu i Traditës, si pjesë e grupit muzeal të Sarandës, jo vetëm që pasuron ofertën kulturore të qytetit, por gjithashtu e bën atë një destinacion më tërheqës për turistët që kërkojnë të eksplorojnë historinë dhe kulturën shqiptare./euronews/ KultPlus.com
Në Portin e Durrësit ndalesat e jahteve turistike vijojnë edhe përgjatë muajve të dimrit.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se një tjetër jaht, projekt i prestigjiozit “Lurssen”, i rinovuar muajt e fundit, ka mbërritur sot në Portin e Durrësit pas ndalesës në brigjet franceze të La Ciotat në Francë.
Superjahti “ATLAS” ka një gjatësi prej 74 metrash dhe një zhytje deri në 6,75 metra.
Ky jaht lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe ka një GT prej 1.906 tonësh dhe mund të akomodojë deri në 12 pasagjerë.
Numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në Portin e Durrësit është rritur ndjeshëm vitet e fundit ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre. Sipas APD-së kjo tregon se Shqipëria po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar./atsh/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe mikut të Kosovës, Frank G. Wisner.
Presidentja Osmani ka thënë se karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
“Z. Wisner ishte një njeri i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, duke vepruar me mençuri e integritet në momentet vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare. Kontributi i tij në çështjet globale, si dhe angazhimi i tij për Kosovën, do të kujtohen me mirënjohje dhe respekt të përjetshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, po ashtu ka thënë se ka pasur nderin të punojë për së afërmi me Ambasadorin Wisner për vite të tëra dhe se për herë të fundit bisedoi në telefon me të para pak muajsh për t’i uruar sukses në betejat shëndetësore me të cilat po përballej.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. I përhershëm qoftë kujtimi për diplomatin dhe mikun e Kosovës, Frank G. Wisner!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com