Karl Friedrich May (25 shkurt 1842 – 30 mars 1912) ishte një shkrimtar gjerman.
Karl May lindi më 25 shkurt 1842, në një familje tejet të varfër, nga një zonë në afërsi të qytetit të Dresdenit, në lindje të Gjermanisë.
Karl May është padyshim shkrimtari i romaneve me udhëtime më i lexuar në hapësirën gjermanfolëse dhe vepra e tij ndoshta më e lexuara pas Biblës së Martin Luther-it. Megjithëse ai shkroi më shumë se 150 vjet më parë, për gjeneratat e reja, librat e tij vazhdojnë të jenë shumë të dashur.
Në fillim ai shkroi disa novela të shkurtra dhe më pas disa romane anonime. Por fama e tij erdhi kur ai shkroi “Tregime me udhëtime”, që i botoi për herë të parë në vitin 1892.
May, duke folur në vetën e parë, rrëfen për aventurat e bëmat e heroit të vet në vende ekzotike, para së gjithash në “Perëndimin e egër” të Amerikës Veriore dhe në orient. Ai ia doli që këto raporte fiktive (pasi ai nuk kishte shkelur vetë në ato vende, në të cilat zhvilloheshin ngjarjet e veprës së tij) të përcilleshin në mënyrë shumë sugjestionuese te lexuesit, dhe rajonet gjeografike ku jetonin popuj të ndryshëm, në libër të shfaqeshin plot fantazi me aq shumë ngjyra, saqë tregimet “Winnetou”, “Old Surehand”, “Në shkretëtirë” – megjithëse vlerat e tyre letrare për shumë kritikë janë të debatueshme – për gjeneratat e sotme vlerësohen si shumë informative, interesante dhe plot jetë.
Edhe tendenca humane në librat e tij dhe ndikimi që ata patën në ndihmën për popujt e shtypur asokohe (siç ishin indianët e Amerikës, sidomos dhe kurdët për shembull) e bënë atë të gëzonte epitete të tilla si “Shekspiri i të rinjve” e një nam pozitiv ndër shumë lexues në një shtrirje kohore që e tejkalon disa herë epokën në të cilën ai shkroi.
Veprat e tij njohin edhe shumë ekranizime të nisura qysh në vitet ’20 të shekullit të shkuar, e vazhdojnë deri në vitet ’80 në formën e serialeve TV apo të filmave për kinema. Vdiq në vitin 1912, në Radebeul, pranë qytetit të Dresdenit. Një shoqatë edhe një muze(ngritur qysh në vitin 1927), prej kohësh mbajnë emrin e tij, për të nderuar veprën që ai la pas./KultPlus.com
Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar nw WEB.DE.
Duke iu referuar artikullit, Rama vuri në dukje se Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkruan Rama.
“Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo kush tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (më shumë se 137%) dhe El Salvadori (më shumë se 81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër”, shkruan WEB.DE.
Në artikullin e WEB.DE theksohet se “edhe qytetet dhe fshatrat shqiptare mirëpresin turistë. Pranë qytetit kryesor të Tiranës, ju mund të vizitoni qytetin historik të Gjirokastrës dhe qytetin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Beratin. Me fshatrat e saj tradicionalë, qytetet e gjallëruara dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria duket si një alternativë e bukur dhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut. Nëse doni të vizitoni vendin në mënyrë të qetë, ju këshillojmë të programoni sa më shpejt pushimet tuaja duke parë numrin në rritje të turistëve”.
Aktorja Lee Dong vjen nga Parisi në “Mediums”, festivali i teatrit bashkëkohor i drejtuar nga aktorja e mirënjohur shqiptare Ema Andrea.
Në këtë shfaqje ajo hyn tek personazhi dhe e tregon historinë e saj me habi, duke kujtuar tmerret me zgjuarsi të pafajshme, sikur këto gjëra i ndodhin çdo vajze. Ajo e zhvesh jetën e saj dhe na bën për të qeshur përballë më të keqes. Triumfi i saj është shpërblim i nevojshëm.
Lee Dong është një aktore, mësuese, regjizore dhe shkrimtare e cila jeton në Paris, Francë. Lee Dong u diplomua në degën teatër në Universitetin e West Virginia, USA dhe nga Jacques Lecoq International School në Paris.
Nga viti 2018 deri në 2020, ajo performoi në Le Banquet nga Mathilda May, me të cilin fitoi çmimin Les Molieres. Në ekran Lee ka punuar me një numër të lartë regjizorësh, duke përfshirë dhe Julie Delpy, Luc Besson, Antoine Garceau dhe Cedric Klapisch. Lee figuron në Dix Pour Cent në Netflix dhe në Gutys me Hilary Clinton në Apple TV.
Festivali i teatrit bashkëkohor i titulluar “Mediums” është një ngjarje kulturore që mbledh artistë e grupe teatrore, dhe synon të kthehet në një iniciativë vjetore, duke vendosur Tiranën dhe Shqipërinë çdo vit në dinamikat e artit bashkëkohor./euronews/ KultPlus.com
Muzeu i Traditës në Sarandë është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj.
Nga viti në vit, numri i turistëve ka ardhur në rritje, ku më së shumti dominojnë moshat e treta dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Ky muze ofron një pasqyrë autentike të trashëgimisë etnografike dhe mënyrës së jetesës së brezave të mëparshëm në bashkitë jugore të Shqipërisë.
Muzeu është i ndarë në dy kate dhe paraqet një koleksion të pasur që përfshin veshjet tradicionale të përditshme dhe festive, mjetet e punës, si dhe elementë të kulturës së të ushqyerit, si sofra dhe aksesorët e saj.
Në vitin 2024, interesi për muzeun është rritur ndjeshëm, duke u përfshirë gjithashtu në paketat turistike të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Përgjegjësja e muzeut, Elda Koçi, shprehet se ky vit ka qenë i mbushur me aktivitete, ndërsa sezoni veror ka shënuar një fluks të lartë turistësh.
“Gjatë këtij viti kemi pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve, përfshirë turistë nga India, Meksika dhe Japonia, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për historinë dhe trashëgiminë e Sarandës. Nëse në vitin 2023 vizitat arritën në 70% të kapacitetit, në 2024 kjo shifër ka shkuar në rreth 75%, duke shënuar një rritje graduale”, thekson ajo.
Grupmoshat më të interesuara për muzeun janë kryesisht të moshës së mesme dhe të tretë, të cilët janë të mirëinformuar dhe të prirur për të njohur më shumë rreth historisë dhe origjinës së qytetit bregdetar.
“Vizitorët tanë janë të interesuar për historinë e Sarandës, prejardhjen e emrit të qytetit dhe ndryshimet që ai ka pësuar ndër vite. Ata vlerësojnë faktin që një qytet kaq i vogël dhe bregdetar ka një muze të pasur me trashëgimi kulturore”, shton Koçi.
Në periudhën dimërore, muzeu mbetet aktiv duke organizuar aktivitete edukative për nxënësit e shkollave, sidomos gjatë muajve tetor dhe nëntor, në kuadër të festave kombëtare.
“Edhe pse janari është një muaj i qetë, kemi ende vizitorë të huaj që shfaqin interes për muzeun. Së fundmi kemi pritur një grup nga India, të cilët ishin të informuar për ekzistencën e muzeut dhe donin ta vizitonin. Ndërsa me afrimin e pranverës, fillojmë të presim grupmoshat e treta nga Greqia, të cilët kombinojnë vizitën e tyre me qëndrimin në Korfuz”, tregon Koçi.
Muzeu i Traditës, si pjesë e grupit muzeal të Sarandës, jo vetëm që pasuron ofertën kulturore të qytetit, por gjithashtu e bën atë një destinacion më tërheqës për turistët që kërkojnë të eksplorojnë historinë dhe kulturën shqiptare./euronews/ KultPlus.com
Në Portin e Durrësit ndalesat e jahteve turistike vijojnë edhe përgjatë muajve të dimrit.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se një tjetër jaht, projekt i prestigjiozit “Lurssen”, i rinovuar muajt e fundit, ka mbërritur sot në Portin e Durrësit pas ndalesës në brigjet franceze të La Ciotat në Francë.
Superjahti “ATLAS” ka një gjatësi prej 74 metrash dhe një zhytje deri në 6,75 metra.
Ky jaht lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe ka një GT prej 1.906 tonësh dhe mund të akomodojë deri në 12 pasagjerë.
Numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në Portin e Durrësit është rritur ndjeshëm vitet e fundit ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre. Sipas APD-së kjo tregon se Shqipëria po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar./atsh/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe mikut të Kosovës, Frank G. Wisner.
Presidentja Osmani ka thënë se karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
“Z. Wisner ishte një njeri i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, duke vepruar me mençuri e integritet në momentet vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare. Kontributi i tij në çështjet globale, si dhe angazhimi i tij për Kosovën, do të kujtohen me mirënjohje dhe respekt të përjetshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, po ashtu ka thënë se ka pasur nderin të punojë për së afërmi me Ambasadorin Wisner për vite të tëra dhe se për herë të fundit bisedoi në telefon me të para pak muajsh për t’i uruar sukses në betejat shëndetësore me të cilat po përballej.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. I përhershëm qoftë kujtimi për diplomatin dhe mikun e Kosovës, Frank G. Wisner!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Mario Ceroli, një skulptor dhe artist me ndikim italian, u shfaq në vitet 1960 si një figurë përcaktuese në artin bashkëkohor. I lindur në vitin 1938, Ceroli ishte i lidhur ngushtë me lëvizjen Arte Povera, e cila u përpoq të sfidonte konventat tradicionale artistike duke përfshirë materialet e përditshme në shprehjen krijuese. Vepra e tij artistike e vitit 1967, “Futterfly Wings” (Krahët e fluturës), pasqyron stilin e tij të veçantë të përdorimit të elementeve natyrore si druri për të ndërtuar kompozime dinamike, pothuajse teatrale. Gjatë kësaj periudhe, Ceroli fitoi njohje ndërkombëtare për aftësinë e tij për të përzier skulpturën me artin mjedisor, duke i shndërruar format statike në përvoja zhytëse dhe shumëdimensionale. Veprat e tij rezonuan me ndryshimet më të gjera kulturore të viteve 1960, një dekadë e përcaktuar nga eksperimentalizmi, inovacioni radikal artistik dhe ripërcaktimi i estetikës tradicionale.
Fundi i viteve 1960 shënoi një pikë kthese në artet pamore, me lëvizje si Pop Art dhe Minimalizëm që riformësuan peizazhet artistike. Ndërsa artistë të tillë si Andy Warhol (1928-1987) dhe Donald Judd (1928-1994) eksploruan ngjyrat e guximshme dhe materialet industriale, qasja e Ceroli mbeti e rrënjosur thellë në format organike. Magjepsja e tij me natyrën, e dukshme në Fluturat e Fluturave, pasqyroi dialogë më të gjerë artistikë mbi impermanencën, transformimin dhe brishtësinë e bukurisë. Gjatë kësaj kohe, ai gjithashtu projektoi skulptura mahnitëse prej druri të ndikuar nga kompozimet e Rilindjes, duke bashkuar frymëzimet klasike me ndjeshmëritë moderniste. Nga fillimi i viteve 1970, puna e tij u shfaq në ekspozita të mëdha ndërkombëtare, duke e forcuar më tej statusin e tij si një figurë pioniere në skulpturën bashkëkohore.
Sot, trashëgimia artistike e Ceroli vazhdon të frymëzojë brezat e rinj të artistëve dhe stilistëve. Përdorimi i tij inovativ i drurit dhe kompozimit hapësinor ka ndikuar në skulpturën bashkëkohore, skenografinë dhe estetikën arkitekturore. Muzetë dhe koleksionistët në mbarë botën ruajnë veprat e tij, duke siguruar vlerësimin e tyre të vazhdueshëm në botën e artit në zhvillim. Butterfly Wings, krijuar në vitin 1967, mbetet një dëshmi e aftësisë së tij për të kapur lëvizjen, dritën dhe formën me thjeshtësi të thellë. Ndërsa arti vazhdon të eksplorojë kryqëzimin e natyrës dhe krijimtarisë njerëzore, vepra e Cerolit qëndron si një simbol i qëndrueshëm i inovacionit artistik dhe bukurisë së përjetshme.
Albanologia, Anna Di Lellio e cila në Prishtinë mbajti ligjëratën me temë “Tradita gojore në shekullin 21”, ka folur për përvojën e saj kur për herë të parë erdhi në Kosovë.
E doktoruar në sociologji e me specializim në Universitetin e Nju Jorkut, dashurinë e saj për Kosovën e nisi qysh nga puna e saj në Kukës, me refugjatët kosovarë atë botë.
Në Kosovë kishte hyrë atëherë kur kishin hyrë edhe trupat e NATO-s. Derisa ka treguar se çfarë i kishte bërë përshtypje në objektin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Figura e komandantit legjendar Adem Jashari në ballë të këtij objekti, thotë ta ketë bërë kureshtare të dinte më shumë rreth tij, e për këtë shkoi të hulumtonte në Prekaz ku edhe e kishte mësuar të vërtetën për të.
Di Lellio, që librat e saj i ka shkruar mbi bazën e historive orale, ka treguar për librin e saj të parë që kishte shkruar rreth Betejës së Kosovës.
“Zbulova që njerëzit thoshin se Millosh Kopiliçi ishte shqiptar e jo serb. Libër që ka tetë variante të ndryshme të këngës për Millosh Kopiliçin, është një ep i tërë që ai paska qenë shqiptar e jo serb, dhe ky ishte zbulim i madh”, tha ajo.
Një tjetër libër për të cilin foli dhe tha të jetë tejet krenare, është edhe “Dimri i gjatë i vitit 1945” që ka të bëjë me masakrën e Tivarit.
“Është si një novelë grafike e ilustruar, ky libër ka lindur nga regjistrimet me të mbijetuar të kësaj masakre”, tregoi ajo.
Ndërkohë, kur foli për librin e saj të fundit, “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, tha se qëndresa e rezistenca e minatorëve, ishte një moment kyç në historinë e Kosovës.
“Dhe kam organizuar historinë e vonshme të Kosovës përreth tri datave, tri ngjarjeve. Së pari Trepça në vitin 1989, Prekazi në vitin 1998 dhe intervenimi i NATO-s në 1999. Trepça për mua kur kam filluar të lexoj për të, dhe them me vete, pse nuk kujtohet Trepça, siç mbahet në mend Reçaku e Prekazi?. Dhe kam lexuar më shumë dhe kam kuptuar që, Trepça është goxha e komplikuar si grevë, dhe kam filluar të krijoj mendimin që Trepça ka qenë fillimi i fundit të Jugosllavisë”, tha tutje ajo në këtë ligjëratë./rtk/ KultPlus.com
Një sukses historik për Shqipërinë! Orges Ibi, 17-vjeçari nga Korça, është bërë shqiptari i parë që fiton medaljen e artë në Olimpiadën Botërore të Shkencave të Reja.
Ai arriti pikët maksimale në këtë kompeticion prestigjioz, i cili përfshin disiplina si matematika, kimia dhe kodimi, duke triumfuar mes mbi 160 konkurrentëve nga e gjithë bota.
“Ky ishte një kompeticion ndërkombëtar, dhe fakti që arrita të fitoj medaljen e artë më bën të ndihem krenar. Pata mundësinë të njihem me të rinj nga vende të ndryshme dhe të testoj aftësitë e mia”, u shpreh Orgesi pas fitores.
Babai i tij, Bashkim Ibi, shprehet i lumtur për arritjen e të birit, duke theksuar se tashmë Orgesi ka marrë ftesa për të vizituar disa prej universiteteve më të mira në New York, një mundësi e madhe për të ardhmen e tij.
Ndërkohë, në Korçë, mbi 40 të rinj po aftësohen çdo ditë në programim dhe shkenca të reja, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimit teknologjik në juglindje të vendit./euronews/ KultPlus.com
Jean Cocteau (1889-1963), poet, prozator, eseist, dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor francez, ka mbajtur ditarin e realizimit të filmit të tij, La Belle et la Bête, duke filluar nga data 26 gusht 1945, një ditë para se të fillonte xhirimet, e deri më 1 qershor 1946, një ditë pasi që ishte dhënë filmi në kinema.
Kam ndarë mendjen të mbaj ditarin e La Belle et la Bête gjatë punës së realizimi të filmit. Pas një viti përgatitjesh dhe vështirësish, ka ardhur momenti tash të kapem pas ëndrrës. Përveç pengesave të shumta që dalin kur kthen një ëndërr në celuloid, problemi është të bësh një film brenda limiteve të imponuara nga një periudhë shtrëngesash. Por me gjasë këto limite mund të stimulojnë imagjinatën, e cila shpesh është letargjike kur vihen të gjitha mjetet në dispozicion e saj.
Të gjithë e njohin historinë nga Madame Leprince de Beaumont, një tregim që shpesh i atribuohet Perrault-it, ngase është gjetur pranë “Peau d’Ane” mes atyre kapakëve të magjishëm të Bibliothèque Rose1.
Postulati i tregimit kërkon besim, besimin e fëmijërisë. Mendoj se duhet të besojmë në mënyrë implicite në fillimin e hershëm dhe të mos e vëmë në dyshim mundësinë që marrja e thjeshtë e një trëndafili mund të fusë një familje në aventurë, ose se një njeri mund të shndërrohet në kafshë dhe anasjelltas. Enigma e tillë i ofendon të rriturit që janë lehtësisht paragjykues, krenarë për dyshimet e tyre, të armatosur me përçmime. Por unë kam paturpësinë të besoj se kinemaja e cila figuron pamundësinë është e aftë të bindë, në njëfarë mënyre, dhe mund të jetë në gjendje të kthejë ndodhinë në “njëjës” në shumës.
Na përket neve (kështu, mua dhe njësisë sime – në të vërtetë, një entitet) të shmangim këto pamundësi që janë edhe më pështjelluese në mesin e të pagjasshmës se sa në mesin e realitetit. Ngase fantazia i ka ligjet e veta që janë si ato të perspektivës. Nuk mund të sjellësh atë që është larg teje në plan të parë, apo të bësh të paqartë atë që është afër. Pikat e puqjes janë të patëmeta dhe orkestrimi aq delikat sa notat false më të holla t’i ngrenë nervat. S’po flas për atë që kam arritur, por për atë që më duhet të bëj me ato mjete që i kam në dispozicion.
Metoda ime është e thjeshtë: të mos e kam cak poezinë. Kjo duhet të jetë e vetëkuptueshme. Vetëm përmendja e thjeshtë e emrit të saj të lemeris. Do të mundohem të bëj një tabelë. Do t jetë pastaj në dorën tuaj ta hani, ta shqyrtoni ose ta bëni copa për ta ndezur zjarrin.
E diel, 26 gusht 1945
Pas një viti me çfarëdo lloj përgatitjesh dhe vështirësish, nesër do të filloj të filmoj. Do të ishte budallallëk të qahem për të gjitha llojet e vështirësive të natyrshme në punë të tilla, mbasi mendoj se puna jonë na nxit të bëjmë qejf në ëndrra me syhapur, ta ëndërrojmë ëndrrën më të bukur. Për më tepër, do të na japë neve mundësinë të bëjmë ç’të duam me kohën njerëzore, çka është normalisht aq e mundimshme ta jetosh, minutë pas minute, në rregull. Të ndash kohën, ta kthesh mbrapa dhe ta përmbysësh është një triumf i vërtetë mbi të pashmangshmen.
Në rrëmujën e mbledhjeve rreth skenarit dhe kostumeve dhe kërkimit për pamjet e jashtme, më duhet të bëj vizita ditore te doktorët, të mos iu them asgjë për kujdesin ndaj meje. Ngase si rezultat i djegies nga dielli dhe pickimit të keq të mushkonjave, u ktheva nga pushimet e mia me dy karbunkulle në gjoks.
Këto ekzistenca dërrmuese në fund të fundit s’më lodhin aq. Filmi më ka poseduar, më ka mbajtur gjallë, më ka bërë të pandjeshëm, më ka nxjerrë nga një ankth i frikshëm të cilin ma shkakton dembelia dhe më ka bërë ta lë një dhomë ku valët e pashpirta më paralizonin dhe s’më lejonin të shkruaja.
Të shoh Christian Berard-in në punë është një pamje e jashtëzakonshme. Te Paquini, i rrethuar nga tipare tyli dhe struci, përlyer nga qymyri, mbuluar nga djersët dhe njollat, me mjekrën në flakë, me këmishën e zbërthyer, ai i jepte luksit një domethënie të thellë.
Mes duarve të tij të vogla të njollusura me bojë, kostumet reshtin së qeni tebdilime të rëndomta dhe marrin pamjen e rinisë arrogante të modës. Po mendoj, ai na bën të kuptojmë se kostumi nuk është thjesht kostum, por diçka që varet nga shumë rrethana që ndryshojnë shpejt dhe ju shtrëngojnë të ndryshoni me to. Burra dhe gra të veshura nga Berardi duken thua se jetojnë në një vend të përcaktuar, në një periudhë të përcaktuar, dhe jo sikurse të ishin duke shkuar në një ballo me maska.
Mrekullisht, ai ia ka dalë me sukses të shkrijë stilin e Vermerit me atë të ilustrimeve të Gustave Doré të tregimeve të Perrault-s në librin e madh kapakë të kuq dhe të artë.
Çfarë më bën përshtypje në këto shtëpi të mëdha të punimeve të veshjeve është dashuria, kujdesi dhe madhështia me të cilat punojnë gratë. Tri a katër beqare, të cilat kanë qëndisur kostume teatri për Gaby Deslys dhe Ida Rubinstein, kanë një gjenialitet të vërtetë që do të vdesë bashkë me to.
Këtë mëngjes, në oborrin e fermës në Rochecorbon (ku jam duke bërë xhirimet), pashë ato fustane të varura në diell në një kuti enorme krejt të hapur, krah për krah, si gratë e Mjekërkaltërtit. Asgjë s’u kishte mbetur atyre. Që të vinin në jetë, duhej të gjenin shpirtrat e tyre dhe shpirti i fustanit është trupi. Arritëm në Tours dje në orën pesë. Parisi ishte i mbuluar nga retë. Gradualisht gjatë rrugës qielli u hap dhe retë u bënë të valëzuara dhe të holla, duke formuar grupe të vockla si ato në pikturat që më frymëzojnë.
Loire rridhte përmes Tourainet të rrafshët përposh qiellit të zbardhur nga dielli. Rochecorbon — përsëri e gjeta çifligun e vogël të ngrehur nën nivelin e rrugës, të cilin e kisha gjetur me fat kur po kërkoja një vend ku të vendosesha. Agjencia e qiradhënieve na e kishte treguar tok me pesë të tjera. Hyrja nga rruga nuk dukej aq premtuese. Për pak sa nuk dolëm fare nga makina. Pastaj me një shikim të vetëm njoha, deri në detajet më të vogla, skenën e saktë që isha frikësuar se do të më duhej ta ndërtoja. Burri që jetonte aty dukej bash si tregtari i tregimit dhe biri i tij më tha: “Po të kishit ardhur dje do ta kishit dëgjuar zërin tuaj. I kisha vënë regjistrimet tuaja poetike që t’i dëgjonte im atë”. Më e forta, unazat e hekurta për t’i lidhur kuajt janë bërë sipas kallëpit të bishave përrallore. Aty janë dritaret e motrave shtriga, dyert, shkallët, lajtorja, pemishtja, stalla, kolibja, kovat e ujit, domatet duke u tharë në pragjet e dritareve, perimet, drutë e zjarrit, çezma, koteci, shkallët. Pothuajse të gjitha janë këtu. Interieri është i mirë po sa eksteriori dhe kjo saktësi e fshehur shkëlqen përmes mureve. E gjitha që na duhet të bëjmë është të lëvizim me diellin, kështu, të lëvizim shumë herë skenën që të mund të kapim dritën e tij. Kjo ishte puna jonë e kësaj dite, në mesin e kameramanëve asistentë, elektricistëve, ndërtuesve të skenës, duke i çmbështjellë kabllot e tyre dhe duke i ngrehur punëtoritë e tyre, disa prej tyre jashtë e disa të tjerë në bina. Në orën tetë të mëngjesit më duhet të përgatis skenën për çarçafët e tharë. Duhet ta xhiroj këtë skenë të parën, ngase drejtimi i i dritës është i duhuri për të dhe ende jemi duke pritur disa pajisje të tjera.
/Marrë nga Jean Cocteau, ‘Diary of a Film’, Film Desk Books, 2022 /Gazeta Express/ KultPlus.com
Ka vdekursotvokalistja legjendare e pop/R&B, Roberta Flack , e cila u bë e njohur në fillim të viteve ’70 nga hitet fituese të Grammy “The First Time Ever I Saw Your Face” dhe “Killing Me Softly With His Song”.
Lajmi është bërë i ditur pas një deklarate nga përfaqësuesi i saj. Nuk është përmendur asnjë shkak i vdekjes së 88-të vjeçares.
“Ne jemi të lënduar që e lavdishmja Roberta Flack ndërroi jetë këtë mëngjes, më 24 shkurt 2025”, thuhet në deklaratë. “Ajo vdiq paqësisht e rrethuar nga familja e saj. Roberta theu kufijtë dhe rekordet. Ajo ishte gjithashtu një edukatore krenare.”
Këngëtarja-pianiste klasike fitoi famë vonë kur Clint Eastwood përdori versionin e saj 2-vjeçar të “The First Time Ever I Saw Your Face” në debutimin e tij regjisorial të vitit 1971 “Play Misty for Me”./ variety / KultPlus.com
Në Teatrin Oda sonte nga ora 20:00 do të jepet premiera e shfaqjes “Kufiri” me regji të Sovran Nrecaj, shkruar nga Ana Ristoska Trpenoska.
Në këtë shfaqje një djalë 12-vjeçar është i shtirë në mes të skenës. Sikur ëndrra Evropiane, ashtu edhe shfaqja është po aq e vërtetë sa është e imagjinuar. Kufiri është një eksplorim teatror mbi migrimin, zhvendosjen dhe politikat e përkatësisë. Katër aktorë kalojnë nga një rol në tjetrin, duke shkrirë kufijtë mes teatrit dhe jetës, faktit dhe iluzionit. Shfaqja rrëfen historinë e një familjeje që rrezikon gjithçka për një të ardhme të pasigurt, e ndërthurur me rrëfime të tjera të frymëzuara nga përvoja të vërteta të emigrantëve. Nga policia kufitare te trafikantët, nga media te vetë emigrantët, shfaqja zbërthen realitetet e ndërlikuara të udhëtimeve të migrimit, transmeton Klankosova.tv.
Shfaqja pyet: kush mund të kalojë, kush mbetet pas, dhe me çfarë çmimi?
“Kufiri” përballet me një nga krizat më urgjente të kohës sonë: migrimin masiv nga Ballkani, veçanërisht Kosova. Shfaqja trajton migracionin e shtyrë nga politikat kufizuese të Evropës dhe pabarazitë tjera globale.
Reprizat e kësaj shfaqjeje jepen më 27-28 shkurt 2025, në orën 20:00, në teatrin Oda, në Prishtinë.
Presidentja Vjosa Osmani ka dërguar një telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Faik Rexhepit, simbolit të pathyeshëm të rezistencës paqësore kundër regjimit serb.
“Faik Rexhepi mbetet një emër i skalitur në historinë tonë, një burrë që përballë dhunës dhe padrejtësisë zgjodhi të qëndrojë i palëkundur, këmbëkryq në mes të rrugës, si një akt i fuqishëm i mosdorëzimit.
Skulptura e tij në sheshin “Zahir Pajaziti” është një dëshmi e përjetshme e guximit të tij dhe e idealit për liri”, thuhet në telegram.
Presidentja Osmani po ashtu ka thënë se kujtimi për të dhe mesazhi nga skulptura do të jetojnë përgjithmonë.
“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve!
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
I përhershëm qoftë kujtimi për Faik Rexhepin!”, ka thënë Presidentja.
Sonte, do të promovohet monografia e këngëtarit Qamili i Vogël “Gjurmët e Qamilit të Vogël në Muzikë” nga autorët Krenar Doli dhe Bestar Vula, shkruan KultPlus.
Në ceremoninë promovuese për monografinë “Gjurmët e Qamilit të vogël në Muzikë” do të flasin Bekim Ramadani dhe Albin Sadiku. Ndërsa me performancë artistike do të paraqiten Jahja Shehu dhe grupi muzikor “Rilindja”.
Aktiviteti do të moderohet nga Ardiana Salihu Gashi.
Promovimi do të bëhet më më 24 shkurt, në ora 19:00, në Menzën Ramiz Sadiku./ KultPlus.com
Para tri vitesh, ka vdekur shkrimtari, eseisti dhe diplomati Luan Starova, në moshën 81-vjeçare, i cili ishte edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU), përcjell KultPlus.
Starova lindi më 14 gusht 1941 në Pogradec të Shqipërisë dhe nga viti 1943 familja u shpërngul në Strugë, Tetovë dhe nga viti 1945 në Shkup. Pas diplomimit, në vitin 1967 u punësua në Radio Shkupi si gazetar, ndërsa vitin e ardhshëm u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Shkupit. Studimet pasuniversitare i kreu në Zagreb, ku mbrojti temën e magjistraturës “Ballkani në prozën e Guillaume Apollinaire”. Ai ishte në Paris për studime të specializuara. Në vitin 1974 zgjidhet asistent në Fakultetin Filologjik në Shkup, në grupin e gjuhës dhe letërsisë frënge. Në vitin 1978 mbrojti disertacionin e doktoraturës në Zagreb. Në vitin 1979 zgjidhet nënkryetar i Komisionit republikan për marrëdhënie kulturore me jashtë, ishte kryeredaktor i parë i botimit maqedonas të Gazetës së UNESCO-s dhe anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Ballkans – Forum”.
Në vitin 1985 zgjidhet Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSFJ-së në Tunizi. Ai u emërua ambasador i parë i RSFJ-së në shtetin palestinez. Në vitin 1990 u zgjodh profesor ordinar i letërsisë franceze në Fakultetin Filologjik të Shkupit, dhe më pas shef i Departamentit të Gjuhëve dhe Letërsisë Rumune. Në vitin 1994 emërohet Ambasador i parë i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Maqedonisë në Francë, përfaqësuesi i parë i përhershëm në UNESCO dhe ambasador jorezident në Spanjë dhe Portugali. Ai është anëtar i rregullt i MANU-së që nga viti 2003.
Starova është autor i mbi 200 njësive bibliografike të punimeve të ndryshme profesionale dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe autore të përkthimeve të veprave të Jean-Paul Sartre, George Lukacs, Ismail Kadare etj. Është autor i librit “Idetë letrare franceze të shekullit XX”, si dhe i “Sagës ballkanike”, të përbërë nga 17 romane.
Është fitues i çmimeve shtetërore “11 Tetori” dhe “Sht. Kliment Ohridski”, si dhe çmimet “Krste Misirkov” për gazetari, “13 Nëntori” i Qytetit të Shkupit, dy herë iu dha çmimi “Stale Popov” për romanin e vitit, mirënjohja e Racinit në vitin 2007 për “Kërkimi i një Leibovitz ”dhe të tjerët . Më 19 qershor 2003 shpallet qytetar nderi i Podgorecit dhe që nga viti 2006 është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fitues i çmimit më të lartë francez për arritje në art dhe letërsi “Komandanti i Urdhrit të Artit dhe Letërsisë”. / KultPlus.com
Milan Kundera është një shkrimtar çek që shkoi në mërgim në Francë në 1975, duke u bërë një shtetas francez i natyralizuar në vitin 1981.
Kunderas iu hoq shtetësia çekosllovake në vitin 1979; ai mori nënshtetësinë çeke në vitin 2019. Ai “e sheh veten si një shkrimtar francez dhe këmbëngul se vepra e tij duhet të studiohet si letërsi franceze dhe të klasifikohet si e tillë në libraritë”.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura nga librat dhe punimet e shkrimtarit.
Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.
Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.
Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.
Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.
Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.
Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.
Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.
Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.
Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.
E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”
Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.
Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.
Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.
Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.
E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.
Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.
Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.
Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.
Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.
Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.
Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.
Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.
Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.
Të qeshësh është të jetosh thellë.
Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.
Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.
Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.
Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.
Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.
Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.
Lumturia është dëshira për përsëritje.
Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.
Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.
Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.
Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.
Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.
Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.
Une jam parë sy – më – sy me jetën, Une jam ngrënë dhëmb – më – dhëmb me vdekjen. Dhe jeta dhe vdekja ishin të egra Ti mos me lër vetëm. Tiranët me njohën, në firome u premë Më ndjen që erdha, në zemër u zbehën E di: me ta do përleshem prapë nesër Ti mos më lër vetem Liria ime është si jam vetë I vdekur? – U ngrita: Sërish më thërrasin… Prej meje kërkojnë dhe jetën dhe vdekjen Ti mos më lër vetëm./ KultPlus.com
Muzeu Etnografik i Kavajës u vizitua nga 20 praktikantë të programit “Blue Book” nga DG ENEST dhe DG MENA, nga e gjithë Europa. Kjo vizitë ishte një mundësi për të treguar një pjesë të trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë dhe për ta prezantuar muzeun e restauruar së fundmi, tek vizitorët ndërkombëtarë.
Praktikantët eksploruan mënyrën se si artefaktet, shekujt e kaluar, ndërthuren me inovacionin përmes instalacioneve ndërvepruese multimediale në ekspozitat e muzeut. Të rinjtë nuk mësuan vetëm për historinë, por u përfshinë dhe u lidhën me narrativën kulturore në një mënyrë dinamike dhe gjithëpërfshirëse.
Programi Blue Book Traineeship është një praktikë me pagesë pesëmujore e ofruar nga Komisioni Evropian, duke u ofruar të rinjve të diplomuar anekënd Evropës përvojë praktike në politikëbërjen dhe administrimin e BE-së. Të trajnuarit punojnë në një mjedis multikulturor, zhvillojnë aftësi profesionale dhe fitojnë njohuri mbi funksionimin e institucioneve të BE-së.
Gjatë vizitës u tregua se si trashëgimia kulturore shkon përtej vlerës së saj historike dhe artistike, duke u shndërruar në një motor për turizmin, krijimin e vendeve të punës dhe ekonomitë lokale të qëndrueshme.
Falë programit EU4Culture, përfaqësuesit e ardhshëm të Bashkimit Evropian patën mundësinë të shohin nga afër se si mbështetja e BE-së shndërrohet në veprime konkrete dhe me ndikim. Ata u njohën gjithashtu me mënyrat se si puna e tyre mund të sjellë ndryshime reale në terren./atsh/KultPlus.com
“Amour” me regji të Besmir Bitrakut solli një eksplorim emocionesh, ndjenjash dhe lidhjesh njerëzore në një formë intime dhe të fuqishme. Drama u shfaq në fundjavë, me interpretimin e të mirënjohurëve Luiza Xhuvani, Myzafer Zifla, Elia Zaharia, Xhuljano Brisku e Stela Bello.
Vepra, e shfaqur në ArTurbina, është një rrëfim për dashurinë, pasionin dhe përpjekjet për të gjetur kuptimin në një botë plot turbullira.
Regjisori Besmir Bitraku tha se, është një vepër që flet për dashurinë.
“Jam i lumtur të sjellim para publikut të Tiranës një dramë për dashurinë. Është një vepër, që flet për dashurinë si sakrificë, si vetëmohim, si mirëkuptim, si bashkëpunim. Jam i lumtur që kam punuar me një kast aktorësh shumë të mirë”, u shpreh Bitraku në rrjetet sociale të Teatrit Kombëtar.
Shfaqja “Amour” me historinë e dy te moshuarve intelektualë që dashurojnë njëri tjetrin me “forcën e rrotullimit të tokës”, erdhi me muzikë të Endri Sinës dhe kostumografi nga Sofi Kara./atsh/KultPlus.com
Para dy vitesh ka vdekur në Romë Maurizio Costanzo, gazetar, drejtues televiziv, autor dhe skenarist i njohur, i konsideruar ndryshe edhe si mbreti i talk show.
Constanzo ishte 84 vjeç.
I lindur në Romë më 28 gusht 1938, Costanzo ka bërë dhjetëra programe radiotelevizive dhe komedi teatrale si ”Il marito adottivo” apo ”Vuoti a rendere”.
Ai arriti një popullaritet të madh në vitin 1976 duke drejtuar emisionin e bisedave ”Bontà loro” në RAI.
Por, emri i tij është i lidhur edhe me emisionin Maurizio Costanzo Show, i transmetuar që nga viti 1982 në Mediaset.
Ndër programet e tij më të njohura, është edhe ”Buona domenica”.
Ai ka shkruar libra të shumtë, përfshirë ”Chi mi credo di essere” (2004), ”E che sarà mai?” (2006), ”La strategia della tartaruga” (2009), ”Sipario! 50 anni di teatro”, ”Storia e testi” (2015), ”Vi racconto l’Isis” (2016), ”Smemorabilia”, ”Catalogo sentimentale degli oggetti perduti” (2022).
Nga viti 1995 ishte i martuar me Maria De Filippi, prezantuese e njohur e spektaklit ”Amici”./ KultPlus.com
Wilhelm Carl Grimm ishte një autor dhe antropolog gjerman dhe bashkë me vëllain e tij të vogël, Jacob Grimm, përbënin dyshen letrare Vëllezërit Grimm.
Wilhelm lindi më 24 shkurt 1786 në Hanau, në Hesse-Kassel. Në 1803, ai filloi studimet për drejtësi në Universitetin e Marburgut, një vit pasi vëllai i tij Jacob filloi atje. Të dy vëllezërit e kaluan gjithë jetën e tyre afër. Në ditët e shkollës, ata kishin një krevat dhe një tavolinë të përbashkët; si studentë, ata kishin dy krevate dhe dy tavolina në të njëjtën dhomë. Ata jetonin gjithmonë nën një çati dhe librat dhe pasuritë e tyre i kishin të përbashkëta.
Varri i Grimms në Berlin
Në 1825, Wilhelm 39-vjeçar u martua me vajzën e farmacistit Henriette Dorothea Wild, e njohur gjithashtu si Dortchen. Martesa e Vilhelmit nuk e ndryshoi harmoninë e vëllezërve. Richard Cleasby vizitoi vëllezërit dhe vuri re, “ata të dy jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe në një harmoni dhe bashkësi të tillë sa që mund të imagjinohet se fëmijët ishin pronë e përbashkët.”
Karakteri i Wilhelm ishte një kontrast i plotë me atë të vëllait të tij. Si djalë, ai ishte i fortë dhe i shëndetshëm, por duke u rritur ai pësoi një sëmundje të gjatë dhe të rëndë që e la të dobët gjatë gjithë jetës së tij. Ai kishte një mendje më pak gjithëpërfshirëse dhe energjike se vëllai i tij dhe kishte më pak frymë hetimi, duke preferuar të kufizohej në një fushë pune të kufizuar dhe definitivisht të kufizuar. Ai përdori gjithçka që lindi drejtpërdrejt në studimet e tij dhe injoroi pjesën tjetër. Këto studime ishin pothuajse gjithmonë të karakterit letrar.
Wilhelm kënaqej shumë me muzikën, për të cilën vëllai i tij kishte vetëm një pëlqim të moderuar, dhe ai kishte një dhunti të jashtëzakonshme të tregimit. Cleasby tregon se “Wilhelm lexoi një lloj farse të shkruar në dialektin e Frankfortit, që përshkruan ‘malheurs’ e një tregtari të pasur Frankfort në një shëtitje pushimesh të dielën. Ishte shumë e çuditshme dhe ai e lexoi atë në mënyrë të admirueshme.” Cleasby e përshkruan atë si “një shok jashtëzakonisht të animuar dhe gazmor”. Prandaj, ai ishte shumë i kërkuar në shoqëri, të cilën e frekuentonte shumë më tepër se vëllai i tij.
Një koleksion me përralla u botua për herë të parë në 1812 nga vëllezërit Grimm, të njohur në anglisht si Përrallat e Grimms.
Nga viti 1837 deri në 1841, vëllezërit Grimm iu bashkuan pesë kolegëve të tyre profesorë në Universitetin e Göttingen për të formuar një grup të njohur si Göttinger Sieben (Shtatë Göttingen). Ata protestuan kundër Ernest Augustit, mbretit të Hanoverit, të cilin e akuzuan për shkelje të kushtetutës. Të shtatë u pushuan nga mbreti.
Wilhelm Grimm vdiq në Berlin nga një infeksion në moshën 73-vjeçare më 16 dhjetor 1859. / KultPlus.com
Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), u zhvillua promovimi i katalogut fotografik “Fotografia që prek indet e qytetit”, një projekt artistik i fotografit të ri durrsak, Griseld Hoxha.
Ky katalog sjell një koleksion fotografish bardhezi të zhanrit street photography (fotografi në rrugë)dhe urban photography (fotografi urbane), të shoqëruara me storytelling (narracion), duke krijuar një kombinim unik mes imazhit dhe rrëfimit.
Në panelin e diskutimit morën pjesë emra të njohur të artit dhe medias si: profesori i Universitetit të Arteve (UART), Ardian Isufi, njëherazi kurator dhe kritik arti; fotografi i njohur Roland Tasho; dhe redaktorja e katalogut, shkrimtarja dhe gazetarja Arjola Kondakçiu.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, fotografi Griseld Hoxha u shpreh se kjo ekspozitë grumbulloi punën e 5 viteve, nga jeta e përditshme në qytet, jo vetëm në Durrës dhe më gjerë, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ekspozita ka momente të fotografuara gjatë pandemisë, tërmetit që goditi qytetin e Durrësit. “Janë foto të ndjera dhe fotot e stilit urban dhe bardhezi”, shtoi fotografi.
Hoxha u shpreh se ky është një album me foto të veçanta që në Shqipëri nuk janë të shumta, janë në zhdukje si temë.
“Jashtë vendit dhe në Kosovë ka fotografë që aplikojnë këtë lloj fotografie, këtë lloj zhanri. Unë vendosa që të sjell diçka ndryshe, këtë lloj stili të fotografisë, por përveç kësaj të shoqëruar me storytelling, domethënë me histori se çfarë fotot e përditshme na tregojnë, atë aktualitetin, hallet e përditshme, problemet e përditshme, ku në katalog nuk përfshihen vetëm 2-3 kategori, por të gjithë llojet e njerëzve, nga qytetarët e varfër deri tek pushtetarët”, tha Hoxha për ATSH.
Një risi në fotografinë shqiptare
Gjatë fjalës së saj, redaktorja Arjola Kondakçiu theksoi se ky është katalogu i parë i këtij formati në Shqipëri, ku fotografia bardhezi kombinohet me storytelling. Ajo vlerësoi aftësinë e fotografit për të kapur çastet që përcjellin mesazhe të fuqishme dhe për t’i shoqëruar ato me rrëfime që i japin edhe më shumë kuptim imazhit.
Fotografi Roland Tasho ndau përshtypjet e tij për punën e Griseld Hoxhës, duke theksuar se që në shikimin e parë të katalogut, kuptoi se bëhej fjalë për një projekt profesional dhe të veçantë. Ai vlerësoi ndjeshmërinë dhe qasjen artistike të autorit në kapjen e momenteve autentike të jetës urbane.
Ndërsa profesori Ardian Isufi nënvizoi se fotografitë e Hoxhës nuk janë thjesht imazhe, por mbartin mesazhe të rëndësishme për komunitetin, me secilën foto që trajton një tematikë specifike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e studimit të historisë së fotografisë, duke nisur nga pionierët shqiptarë e deri te teknikat e avancuara të ditëve të sotme.
Fotografia si pasion dhe mision
Diskutimi mes të ftuarve, gazetarëve, arkeologëve dhe artdashësve solli një reflektim mbi sfidat e fotografisë në Shqipëri, duke trajtuar kalimin nga pasioni në profesion dhe rolin e saj në transmetimin e realitetit shoqëror. Të pranishmit ndanë mendimet e tyre për katalogun dhe punën e fotografit, duke lexuar gjithashtu disa nga rrëfimet e përfshira në storytelling.
Në përmbyllje, Griseld Hoxha ndau vizionin e tij mbi fotografinë, duke e cilësuar atë jo thjesht si një profesion, por si një mjet për të përcjellë mesazhe sociale dhe artistike. Ai ftoi të rinjtë të ndjekin pasionin për fotografinë, duke e parë atë fillimisht si një mision dhe më pas si një mundësi profesionale.
Fotografi Grisel Hoxha ka lindur në Durrës, në vitin 2000. Është diplomuar për degën Informatikë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, por drejtimin e karrierës së tij e fokusoi te pasioni për fotografinë, i cili tashmë është kthyer në profesion për të.
Edhe pse shumë i ri në moshë, ai ka marrë pjesë në dy ekspozita:
Ajo kolektive me temë “Jeta urbane në Durrës” (2022), dhe ekspozita personale hapur në Milano- Itali (tetor 2023).
Griseld Hoxha ka qenë aktiv nëpër aktivitete, dhe falë mprehtësisë artistike të syrit, fotografi të tij janë vlerësuar me çmime në konkurse me tematika të ndryshme, si:
Çmimi “Fotoja më e mirë”, gjatë periudhës së karantinës.
Çmimi i tretë në konkursin ” Fotografia për muajin e Ramazanit”, viti 2020.
Çmim të tretë në konkursin “Tirana Foto Festival”.
Çmim të parë në konkursin e organizuar nga “Travel Fest Albania” (2023).
Ky album me foto bardhezi është preferencë e tij, shoqëruar me story telling. si një risi për evolimin e artit të fotografisë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar nw WEB.DE.
Duke iu referuar artikullit, Rama vuri në dukje se Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkruan Rama.
“Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo kush tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (më shumë se 137%) dhe El Salvadori (më shumë se 81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër”, shkruan WEB.DE.
Në artikullin e WEB.DE theksohet se “edhe qytetet dhe fshatrat shqiptare mirëpresin turistë. Pranë qytetit kryesor të Tiranës, ju mund të vizitoni qytetin historik të Gjirokastrës dhe qytetin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Beratin. Me fshatrat e saj tradicionalë, qytetet e gjallëruara dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria duket si një alternativë e bukur dhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut. Nëse doni të vizitoni vendin në mënyrë të qetë, ju këshillojmë të programoni sa më shpejt pushimet tuaja duke parë numrin në rritje të turistëve”./atsh/KultPlus.com