“Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga”

Thëniet më të mira persiane.

Sot, po sjellim një koleksion nga mençuria e kulluar e një populli të largët e të lashtë.

E çuan llafazanin në ferr dhe tha: “Sa të njoma qenkan drutë.”

Njerëzit fatkëqinj shpesh bëhen me besëtytni, shpesh nga padituria.

Njeriu modest dhe punëtor vlen më shumë sesa njeriu i fuqishëm dhe i rrezikshëm.

Nga të shtatë zogjtë e bilbilit vetëm njëri del këngëtar.

Ngushëlloje atë që mendon të ketë arritur lumturinë.

Nuk i jepet elefantit për të pirë me lugë.

Në kokën time tullace mëson zanatin e berberit.

Në punët e veta edhe i verbëri ka sy.

Në shtëpinë e kadiut ka arra plot, por ato janë me numër.

Mos i bjer atij që e ka dënuar fati.

Mos i bjerë derës së botës, që të mos i bien derës sate.

Muret kanë minj, minjtë kanë veshë.

Nata është me barrë, ç’do të na pjellë mëngjesi.

Më mirë një buqetë me trëndafila, se një mullar me bar.

Më mirë uthullën në dorë, sesa hallvën e premtuar.

Kush ka rënë në bela, s’e çan kokën për taksat.

Lakuriqit çdo këmishë i rri tamam.

Lavdërimet e tepërta çorodisin fëmijën.

Lehja e qenit nuk i pengon retë.

Kur ke hall, mund të puthësh gomarin në bisht.

Kur mund të rrosh në paqe , mos trokit në derë të luftës.

Kur piqen frutat, kopshtari nuk i vë re të njohurit.

Kur të të kenë bërë ty njeri, do të jem bërë unë budalla.

Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga.

Ku do ta dijë pusi se kova ka fundin e çpuar.

Kujt iu dogj mullari, s’kish pse i trembej rrufesë.

Kumarxhiut hileqar çdo gjë që t’ia zhvatësh e ke qar.

Kundërshtari më i rrezikshëm është miku i kthyer në armik.

Kur i ka ardhur koha, preja shkon vetë te gjahtari.

Kur janë dy akçinj, gjella del o shumë e kripur, o pa kripë fare.

Je i nderhsëm në veprime me çdonjeri, do, s’do, do të nderojë.

Jo gjithçka e rrumbullakët është arrë.

Kam dhënë kaq këshilla, sa më ka zënë gjuha lesh.

Kandili që i duhet shtëpisë nuk çohet në xhami.

Kot mburret daullja, brenda është bosh fare.

Gjelin që do ta rrëmbejë çakalli në mëngjes, le ta rrëmbejë që në mbrëmje.

Gjëegjeza e gjetur të duket e lehtë.

Gjuha e kuqe merr në qafë kokën jeshile.

Hajduti njeh hajdutin; shenjti njeh shenjtin.

Ha pak të kesh shëndet.

Ha si do vetë, vishu si duan të tjerët.

I mbyturi kapet pas fijes së kashtës.

Inteligjenti flet atëherë kur të tjerët përreth heshtin.

Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij.

Frikoju nga ai që ta ka frikën.

Fut djathin në shishe e fërkon bukën nga jashtë.

Gërmove në mur, mos i qendro pranë.

Gratë janë sikur hija juaj, nëse shkoni pas tyre – ato ikin nga ju, ndërsa nëse ikni prej tyre – ato vijnë pas juve. / KultPlus.com

Rama ndan artikullin e portalit gjerman WEB.DE: Shqipëria, destinacioni evropian me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024

Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar nw WEB.DE.

Duke iu referuar artikullit, Rama vuri në dukje se Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkruan Rama.

“Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo kush tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (më shumë se 137%) dhe El Salvadori (më shumë se 81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër”, shkruan WEB.DE.

Në artikullin e WEB.DE  theksohet se “edhe qytetet dhe fshatrat shqiptare mirëpresin turistë. Pranë qytetit kryesor të Tiranës, ju mund të vizitoni qytetin historik të Gjirokastrës dhe qytetin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Beratin. Me fshatrat e saj tradicionalë, qytetet e gjallëruara dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria duket si një alternativë e bukur dhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut. Nëse doni të vizitoni vendin në mënyrë të qetë, ju këshillojmë të programoni sa më shpejt pushimet tuaja duke parë numrin në rritje të turistëve”./atsh/KultPlus.com

70 vite nga lindja e Steve Jobs, njeriut që pati ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e teknologjisë

Sot shënohet 70-vjetori i lindjes së njeriut që pati një ndikim të madh në zhvillimin e teknologjisë në botë, Steve Jobs.

Në 70-vjetorin e lindjes së Steve Jobs, KultPlus ua risjell letrën e fundit të tij:

“Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt.

Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme.

Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë. Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria.

Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arriji lartësitë që do të arrish. Eshtë e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”.

Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty.

Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët”. / KultPlus.com 

Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Bajram Qerkinit.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë”, është shprehur ajo.

Në njoftimin e presidences thuhet se Qerkini ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën.

“Sot, Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Qerkini, miqve dhe të gjithë atyre që mbështetën betejën e tij për të zhdukurit me dhunë. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

Vdes Faik Rexhepi, simboli i rezistencës kundër regjimit serb në Kosovë

Ka vdekur Faik Rexhepi, simboli i rezistencës kundër regjimit serb në Kosovë.

Lajmin e ka dhënë Belgzim Kamberi, aktivist i të drejtave të njeriut përmes një postimi në rrjetet sociale.

Rexhepi, është burri i cili ka një monument në shesh të Prishtinës para hotelit “Grand” pasi në kohën kur policia serbe kishe ndërhyrë brutalisht për të shpërndarë turmën kur ishin mbledhur për të pritur delegacionin e kongresit amerikan, ai ishte ulur dhe nuk kishte lëvizur nga vendi./KultPlus.com

Naim Frashëri në diplomimin e Sevasti Qiriazit dhe takimi me Koto Hoxhin

Nga: Zija Basha 

Stamboll, korrik 1891. Mëngjes me fllad të freskët që vinte nga Bosfori aty pranë. Një grup vajzash zbritën shkallëve të konviktit të “Robert College”, të veshura me përparëse të zeza e jaka të bardha, nëpër një rrugicë të ngushtë të shtruar me kalldrëm me gurë të zezë. Në të dy anët e rrugicës, trëndafilat shumë ngjyrësh stolisnin atë parajsë të vogël, për të cilën kujdeseshin këto vajza që ecnin qetë si flutura, drejt godinës së shkollës impozante të tyre. Dalloheshin qartë shkronjat latine “Robert College”. Bisedonin me zë të ulët e hera herës përqafonin njëra-tjetrën. Drejtoria e kolegjit organizonte një takim lamtumire me këto nxënëse, që mbaruan këtë kolegj amerikan, e do të shpërndaheshin në vendet e tyre.

Midis tyre dallohej një vashë me trup mesatar e bëshme, fytyrëqeshur, me hundë si qiri, syzezë e vetullzezë, me flokë të rregulluara pas kokës si topuz. Herë-herë shpejtonte hapat para shoqeve si thëllëzë, e pastaj ndalonte duke kthyer fytyrën nga shoqet e ashtu duke buzëqeshur, dukej si sorkadhe mali. Fytyra i shndriste nga dielli korrikut që ngrihej mbi qiellin blu e me atë pamje, dukej si peri e zbritur nga parajsa e zotit. Nuk mbante në duar byzylyk, as varëse floriri a argjendi, vetëm dy vathë të vegjël me gurë rubini ngjyrë blu, ashtu si të gjitha shoqet e sajë. Ishte shqiptarja Sevasti Qiriazi.

Vajzat iu afruan shkollës dhe emocionet u shtuan. Drejtori kolegjit dhe pedagogët, kishin dalë në oborr e bisedonin ulët me njeri tjetrin. Vajzat lexonin në fytyrat e tyre brengën e ndarjes dhe filluan të përloten. Do të ndaheshin përjetë nga ata edukatore e edukatorë të dashur, që katër vjet luftonin krahë për krahë, në luftën e vështirë të dijes e do të shkonin në vise të largëta të perandorisë, për të mos u parë më me. Por, drejtori Eliot Spencer, duke parë dëshpërimin e të gjithëve e duke e mposhtur atë, tha me buzëqeshje:

– Afrohuni t’ju përqafojmë pëllumbesha, se ju na keni nderuar ne dhe ne prandaj ju duam shumë.

Vajzat e trupi pedagogjik u bënë një dhe përqafoheshin, siç përqafohen fëmijët me prindërit e tyre të dashur. Ashtu së bashku u futën në sallën e madhe të shfaqjeve teatrale, që ishte përgatitur për festë nga drejtoria e kolegjit. Zëvendësia e drejtorit, Anna Triks, u ngjit në skenën e teatrit me perde mëndafshi të kuqe, që ndrinin nga llambadarët e vendosur në të dy anët. Me emocion ju drejtua të gjithë pjesëmarrësve me këto fjalë:

– Të dashura vajza! Të nderuar kolegë! Jam shumë e emocionuar, po do t’ju flas me fjalë zemre. Fjalimin e lashë në çantë, se mu duk i thatë me fjalët që zgjodha për ju. Ju meritoni shumë më shumë respekt e mirënjohje nxënëse e pedagogë. Lum si ju moj vajza, që mbaruat të gjitha suksesshëm kolegjin e na nderuat ne, familjet tuaja e vendet tuaja. Lum si ne për ju të dashura nxënëse. Ne, pedagoget tuaj ndjejmë krenari që puna jonë me ju, arriti këtë fitore si bekim nga zoti. Ju urojmë njëzëri shëndet e suksese në vendet tuaja për përhapjen e diturisë. Ju tashmë jeni të lira për të bërë ç’do gjë, që ju pëlqen se kini zgjuarsinë për të dëgjuar, gjykimin për të dalluar, shpirtin për të ndier, ndërgjegjen për të peshuar çdo gjë. Ju tashmë e dini se çdo e keqe është e ndaluar. Veset e veprimet e padrejta, mos besnikëritë, dinakëritë janë të botës së ndyrë. Mos i afroni ato. Largojini nga ju e familjarët tuaj dhe pastroni shoqërinë e kombeve tuaj prej tyre. Jini misionare tani. Zoti qoftë me ju!

Emocione pafund për të gjithë. Sevastia jonë shikonte turbull mësuesen e gjuhës angleze, që zbriste shkallët e skenës, sepse sytë i kishte plot me lot. Vazhdoi koktej rreth dy orë e drejtori Spencer tha se në orën gjashtë mbas dite do të bëhej në atë sallë ndarja e diplomave.

Sevastia mori liri-dalje nga konvikti e doli në stacionin e pajtoneve. Vendosi të takonte në Ministrinë e Arsimit, Naim beun. Priti pak në stacion, sa erdhi pajtoni i xha Jasharit nga Erindi i Gjirokastrës. Vetëm me atë ajo shkonte për vizitë në shtëpinë e Naim beut. Hipi në pajton dhe kërkoi që xha Jashari ta zbriste tek Ministria e Arsimit, pranë Topkapi-sarait. Ecën rrugës buzë detit, deri afër xhamisë Sulltan Ahmetit e Ajasofjes.

Aty rruga qe bllokuar. Xha Jashari i tha se sulltan Hamidi II-të vizitonte varrin e së ëmës Tirimuje. Varri i saj nga pajtoni dukej si një vazo reçeli e madhe prej porcelani, me ca viza të ndryshme horizontale. Xha Jashari i tha:

– Moj vajzë xhani. Këta mbretërit e vezirët, kur dalën në krye, u duket vetja e madhe e bota e vogël. Vjedhin e vrasin fukaranë, por kur u vjen fundi, vdekja, bëhen besimtare. Po është vonë se atëherë populli të humbet nam e nishan. Ti do rrosh e do më kujtosh.

Xha Jashari ndërroi drejtim dhe në një rrugicë të dytë, arriti në Ministrinë e Arsimit. Priti sa doli Naim beu në oborrin gjithë lule e pemë zbukuruese e u largua për të ardhur prapë pas një ore aty.

Si u takua me shumë mall me mentorin e saj, Naimin, shkuan në një kafene aty afër dhe filluan bisedën përzemërsisht, si babai me bijën. Si e falenderoi Naimin, për gjithçka kishte bërë për futjen në atë kolegj e kujdesin e veçantë gjatë viteve për të, Sevastia e ftoi që si prind ai të merrte pjesë në ceremoninë e marrjes së diplomës. Por, Naimi, si e falënderoi, i dha lajmin e gëzuar që ai do të vinte aty si i ftuar, përfaqësueses i Ministrisë së Arsimit.

Sevastia e njoftoi se së bashku me vëllanë e sajë, Gjerasimin, kishin vendosur që në Korçë, të hapnin Shkollën e vashave. Naimi i entuziazmuar i tha:

– Motër, punë më të mirë e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, se sa kini vendosur të bëni bashkë me vëllanë, për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat e tua tani fillojnë dhe po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin. (Sevasti Qiriazi, Kujtime për Naim beun)

Sevastia i tha Naimit se dëshironte shumë të vizitonte në burg Koto Hoxhin e madh. Mendueshëm për moshën e sajë të re, Naimi i tha:

– Kjo tregon se je xhevahir për kombin, por duhet ta mendojmë mirë.

– E mendova gjerë e gjatë gjithë këto kohë, Naim bej! Do të vishem si djalë e do të shkoj.

– Të bekoftë Zoti moj vajzë! Të shkosh, të shkosh …

Pas një ore takimi të këndshëm me Naimin, Sevastia shkoi përsëri në konvikt me pajtonin e xha Jasharit. Në orën e caktuar për shpërndarjen e diplomave, mbërriti në kohë Naim beu. Sevastia u lumturua sa e pa dhe zemra i rrihte fort. Kishte fatin se do të merrte nga ajo dorë e bekuar që drejtonte penën që shkroi ato mijëra vargje në gjuhën e ëmbël shqipe, diplomën, e do ta bënte krenare gjithë jetën e sajë, në shërbim të kombit.

Pas ceremonisë diplomave, ajo shkoi në shtëpinë e Naimit ku do të kalonte një darkë, si në shtëpinë e saj që e kujtonte gjithë jetën. Të nesërmen shkoi tek shoqet e pedagogët, ku u nda përfundimisht për të vazhduar detyrën e misionares së arsimit shqiptar.

Si e siguroi Naimi lejen nga drejtori burgut (një shqiptar nga Kosova) dhe mori garancinë e tij, shqiptarja Sevasti Qiriazi shkoi në burgun Jedi-Kule të katër bodrumeve. Ishte veshur si djalë e festën e kishte ngjeshur në kokë, që i mbulonte të gjithë flokët. Po, si e gjeti martirin e pavdekshëm Koto Hoxhi heroina jonë: “Një vrimë e ndyrë. Një brez i dritës nga një shteg lart më ndihmoi të dalloj një figurë të varfër. Mjerisht nuk mund të mendoja nëse ai qe njeri. Një pllakë prej guri që ka shërbyer për shtrat, e një grumbull leckash ku qe ulur. Ky qe Koto! E gjithë figura e tij intelektuale qe e shuar. Unë pyeta veten: Është e mundur kjo që në atë mjerim e ftohtësi trupi të jetojë shpirti i Kotos, i të madhit udhërrëfyes shqiptar”?

– Tungjatjeta Koto!

Unë përfundimisht guxova të mërmëritjeje. Në mekje, por me forcë, i dëgjova zërin që ai pyeti:

– Kush është ai që më flet mua?! Ai mund të jetë zë prej qielli, dërguar prej Zotit, të më flas ndonjë fjalë në zemrën time të plagosur’!

Ai kishte fytyrë të mjerë me të cilën unë u preka, sa që rrëketë e nxehta me shkuan poshtë mjekrës sime. Flokët e tij qenë të gjata. Mjekra e tij e gjatë i arrinte poshtë në mes. Rrobat e tije ishin vetëm lecka. Unë i fola me zë gati të bllokuar:

– Unë erdha, i dashur at, të të sjell ty fjalën për kurajo e të të them ty, se edhe pse ata ju kanë hedhur ju për të vuajtur këtë dënim mizor, fara që ju keni mbjellë po jep frute të mirë. Shpirti juaj jeton ne zemrën e popullit tënd.

Figura e rreckosur përgjigjet:

– Po! Ata kanë lidhur me zinxhirë trupin tim, por shpirti im është i lire. Ai është i lirë e s’ka torturë që mund të më pengojë që të bërtasë. Jo! Shqipëria nuk do të prishet! Ajo do të jetë e bashkuar, e pavarur dhe e gëzuar. Koto – me tha Sulltani – a nuk e di ti se koka jote është në dorën time? Po madhëri, koka ime është në duar të Madhërisë Tuaj, por shpirti i takon Perëndisë, mirëpo nderi është imi – ju gjegja unë. Po si erdhe e me gjete këtu moj lule Shqipërie, moj vitore pëllumbeshë! Me dhe forcë e me dhe shpresë. Më gëzove shume o ylli mëngjesit që sjell dritën.

Ndenji pak dhe tha vargjet:

O ju djem, do më kujtoni kur të ngjallet liria!
Po ç’të be a unë i mjeri, që mu errën sytë e mia!

– Humba sytë në këtë bodrum, moj engjëllore dhe mendjen e kam tek Shqipëria, tek Lunxhëria, nga Labova e Kryqit në Lekë.

U ndava me lotë e dëshpërim nga ai martir i kombit, me betim ne zemër se edhe unë sa te kisha frymën gjallë do ta shkrija jetën për Shqipërinë”.

“Mësuesi i Popullit”, Thoma Papapano, këmbëngulte se për këtë takim historik te “Mësueses së Popullit”, Sevasti Qiriazi me “Mësuesin e Popullit”, Koto Hoxhi, shkon kënga e mëposhtme:

“Moj kokë e qenit moj qene,
Pse s’dite për veten tende?
Nga bodrumi pse s’u trembe?
Bodrum nate e bodrum dite.
Me prishi kandili sytë.
ǔhaber me ke sjell, moj vite?
– Hap bodrum e ngreu e ike”!
 /Memorie.al/ KultPlus.com

Sot, ditëlindja e heroit Fahri Fazliu

Sot, më 24 shkurt 2024 do t’i mbushte 62 vjet veprimtari i shquar, Heroi i Kosovës, Fahri Fazliu.

Me 2 nëntor 1989 në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë rrethohen nga forcat serbe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Pas luftës 10-orëshe bien heroikisht Afrimi së bashku me Fahri Fazliun. Qëndresa e këtyre dëshmorëve ishte inkuraim dhe ngritje e moralit për të rinjët kosovarë dhe për shumë prej tyre ishin idolë dhe shembull si të mbrohej atdheu./KultPlus.com

Zejnullah Halili, shkrimtari i dalluar i letërsisë për fëmijë

Zejnullah Halili lindi më (5 nëntor 1945- 24 shkurt të vitit 2004), ishte shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e varfër nga fshati Kokaj i Gjilanit.  Shkollën fillore e kreu në fshatrat fqinj Llocë e Pogragjë, shkollën e mesme normale në Gjilan, ndërsa studimet për letërsinë shqipe në Prishtinë. Që në shkollën e mesme u dallua me krijimet e tij letrare.

Punoi si mësues në shumë shkolla të fshatrave të Gjilanit, ndërsa më vonë u punësua në Radio Prishtinë, ku udhëhoqi emisionet për fëmijë, e më vonë redaktoi revistën letrare për fëmijë “Pionieri” dhe “GEP”. Pos shkrimeve për fëmijë, ai ka publikuar vepra edhe për të rritur.

Në manifestimin, tashmë tradicional “Karvani i poetëve për fëmijë” ishte njeri ndër anëtarët më aktiv dhe më i dashur për fëmijë. Zejnullah Halili me krijimtari letrare nisi herët të bëjë emër, duke filluar që në bankat e shkollës fillore, për të përvijuar edhe gjatë kohës sa punoi si mësues në fshat dhe qytetin e Gjilanit. Fillimisht për disa vjet punoi si gazetar, redaktor, udhëheqës i emisioneve për fëmije të RTV Prishtinës, sikur edhe në redaksinë e botimeve të revistave të /Rilindjes/, kryeredaktor i GEP-it, Pionierit, etj., duke lënë pas vetit një opus letrar të pasuruar prej 26 veprave të ndryshme letrare për fëmijë dhe të rritur.

Halili ishte një shkrimtar gjithpërfshires në fushën tematikën e letërsisë për fëmijë. Ai ishte dhe mbetet një nga shkrimtarët merituar të letërsisë për fëmijë.

Ai gjithmonë solli diçka të re ne frymën letërsisë, si dhe e pasuroi atë me risi, përvoja elemente dhe forma të reja artistike. Ai i lindur ishte për te shkruar letërsi për fëmije, duke qene një krijues i mirëfillte i letrave shqipe dhe iu përkushtua asaj tërë jetën, me gjithë qenien, talentin, pasionin dhe aftësitë krijuese qe zotëronte. Zejnullah Halili është përfaqësuar në shumë publikime dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë./ KultPlus.com

154 vite më parë lindi Sevasti Qiriazi, nismëtarja e organizimit të arsimit kombëtar për vajzat dhe gratë shqiptare

Sot, janë bërë 154 vite nga lindja e arsimtares dhe veprimtares së çështjes kombëtare, Sevasti Dako Qiriazi.

Sevasti Dako Qiriazi (24 shkurt 1871) ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër Robert Kolegj në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave.

Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike.

Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.

Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan, jo vetem në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare. Vdiq më 30 gusht të vitit 1949./ KultPlus.com

“Njerëzit e mirë flenë qetësisht natën, ndërsa të këqijtë duket se shijojnë shumë orët e ditës”

Thënie nga Woody Allen

• Avantazhi i të qenët inteligjent është se mund ta bësh idiotin kurdoherë, kurse e kundërta është krejt e pamundur.

• Ka dy lloje njerëzish në këtë botë: të mirë e të këqij. Të mirët flenë qetësisht natën, ndërsa të këqijtë duket se shijojnë shumë orët e ditës.

• Njerëzimi sot gjendet përpara një ndarjeje rrugësh: njëra të çon në dëshpërim, kurse tjetra në shuarjen totale. Shpresojmë të këtë urtësi në zgjedhje.

• Ai balerini kishte veshur geta aq të ngushta saqë dallohej jo vetëm gjinia e tij, por edhe feja e tij.

• Njeriu përbëhet nga dy gjëra: mendja e tij dhe trupi i tij. Vetëm se trupi argëtohet shumë me tepër.

• Telashet janë si letrat higjienike, merr një e vijnë dhjetë.

• Seksi pa dashuri është një përvojë boshe, por mes përvojave boshe është më e mira.

• Seks: argëtimi më i mirë që mund të arrish pa qeshur.

• Seksi shkarkon tension, ndërsa dashuria e shkakton.

• Mos flisni keq për masturbimin, është seks me dikë që dashuroni.

• Dashuria është përgjigja, por ndërsa prisni përgjigjen, seksi mund t’ju sugjerojë pyetje të mira.

• Akti i seksit është i ndyrë vetëm nëse bëhet mirë.

• Kur isha i vogël, prindërit e mi kanë ndërruar vendbanim disa herë, por unë kam arritur t’i gjej gjithnjë.

• Gjendem në atë fazë të jetës që nëse një grua më thotë “jo”, i jam mirënjohës.

• Më kanë rrahur, por jam mbrojtur mirë. Njërit prej tyre ia theva grushtin: Lëndova krejt fytyrën për ta bërë, por ia dola.

• Nuk janë gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë që më shqetësojnë, por fakti se rekordet janë bërë për t’u thyer.

• Filmi im i parë ishte aq i keq saqë kishte zëvendësuar dënimin me vdekje në pesë shtete amerikane.

• Jetohet një herë të vetme e dikush asnjëherë.

• E gjithë jeta ime më kaloi përpara syve, e unë nuk bëja pjesë në të.

• Para se të ikja do të doja t’ju lija një mesazh pozitiv, por nuk e kam. A prish punë nëse ju lë dy mesazhe negative?

• Në dashurinë kolektive avantazhi është se nëse dikush dëshiron të flejë, mund të flejë.

• Sipas astronomëve modernë, Universi është i fundmë. Kjo është ngushëlluese, sidomos për ata si puna ime që harrojnë ku i vënë gjërat.

• Besoj se sekreti për të mos menduar për vdekjen është fundi, por më shumë si një mënyrë për të ulur shpenzimet.

• Gjyshi im ishte njeri i parëndësishëm. Në varrimin e tij, makina funebre ndiqte makinat e tjera.

• Më mirë frikacak për një minutë se i vdekur për gjithë jetën.

• Paratë janë më të mira se varfëria, por vetëm nga pikëpamja ekonomike.

• Thuhet në Bibël që luani dhe demi do të flenë bashkë. Epo duhet të shtoj se demi do të flejë fare pak.

• Kam zakon të marr me vetë një plumb pasi një ditë një person në një rrugicë më qëlloi me një bibël dhe plumbi më shpëtoi./ KultPlus.com

Astronomët zbulojnë strukturën 3D të atmosferës së një planeti të huaj

Astronomët për herë të parë kanë deshifruar strukturën tre-dimensionale të atmosferës së një planeti përtej sistemit tonë diellor, duke zbuluar tre shtresa, si një tortë dasme në një planet me gaz të nxehtë, i cili orbiton afër një ylli më të madh dhe më të nxehtë se dielli ynë, sipas “Reuters”.

Studiuesit vëzhguan atmosferën e WASP-121b, një planet i quajtur gjithashtu Tylos, duke kombinuar të katër njësitë e Teleskopit Shumë të Madh të Observatorit Jugor Evropian me qendër në Kili, duke dalluar një shtresëzim të shtresave me përbërje të ndryshme kimike dhe erëra intensive.

Deri më tani, studiuesit kanë qenë në gjendje të përcaktojnë përbërjen kimike atmosferike për disa planetë jashtë sistemit tonë diellor – të quajtur ekzoplanetë – por pa hartuar strukturën vertikale ose mënyrën se si u shpërndanë elementët kimikë.

WASP-121b është një “Jupiter ultra i nxehtë”, një klasë planetësh të mëdhenj me gaz që orbitojnë afër yllit të tyre pritës, duke i bërë ata jashtëzakonisht të nxehtë.

Atmosfera e tij është e përbërë kryesisht nga hidrogjen dhe helium, si ajo e Jupiterit, planetit më të madh të sistemit tonë diellor.

Por atmosfera e WASP-121b nuk është si çdo gjë e vëzhguar ndonjëherë më parë.

Studiuesit dalluan tre shtresa duke kërkuar praninë e elementeve specifike.

Shtresa e poshtme e WASP-121b karakterizohej nga prania e hekurit – një metal në formë të gaztë për shkak të nxehtësisë së pabesueshme të atmosferës.

Erërat lëvizin gazin nga ana e nxehtë e planetit në anën e tij më të ftohtë.

Shtresa e mesme karakterizohej nga prania e natriumit, me një rrymë avion që fryn rreth planetit me rreth 43,500 milje (70,000 km) në orë – më e fortë se çdo erë në sistemin tonë diellor.

Shtresa e sipërme u karakterizua në bazë të hidrogjenit të saj, ku një pjesë e kësaj shtrese humbet në hapësirë.

Studiuesit zbuluan gjithashtu titan në formë të gaztë në atmosferën e WASP-121b.

Në Tokë, as hekuri dhe as titani nuk ekzistojnë në atmosferë, sepse ato janë metale të ngurtë – për shkak të temperaturave më të ulëta të planetit tonë, në krahasim me WASP-121b.

Toka ka një shtresë natriumi në atmosferën e sipërme.

WASP-121b ka përafërsisht të njëjtën masë me Jupiterin, por dyfishin e diametrit, duke e bërë atë më të fryrë – dhe ndodhet rreth 900 vite dritë nga Toka në drejtim të konstelacionit Puppis.

Një vit dritë është distanca që kalon drita në një vit, 5,9 trilion milje (9,5 trilion km).

Planeti rrotullohet rreth yllit të tij në rreth 2,5% të distancës së Tokës nga dielli.

Ai është rreth një e treta më afër yllit të tij sesa planeti më i brendshëm i sistemit tonë diellor Mërkuri me diellin – aq afër sa përfundon një orbitë në 1,3 ditë.

Ylli i tij pritës, i quajtur WASP-121, është afërsisht 1-1/2 herë më i madh se masa dhe diametri i diellit, dhe më i nxehtë.

Të jesh në gjendje të dallosh strukturën e atmosferës së një ekzoplaneti mund të jetë e dobishme pasi astronomët kërkojnë për planete më të vegjël shkëmborë të aftë për sigurimin e jetës./ KultPlus.com

“Nga dhimbja, dalin shpirtrat më të fortë”, 20 mësime jete nga poeti i zemrave të pastra

I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen.

Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez.

I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare.

Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve.

Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike.

Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.

Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse.

Khalil Gibran është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit, ndërsa në vijim do të njiheni me 20 mësime jete kjo mendje brilante…

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh.

“Nga dhimbja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit.

“Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute.

“Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran.

“Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët.

Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve.

Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira.

“Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia.

Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit.

Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet.

“Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri.

“Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri.

“Puna është pamja që merr dashuria.

Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim.

Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut.

“Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai.

Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet.

Për dashurinë, mjafton dashuria.

Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti.

Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme.

“Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte.

Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës.

“Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”

15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë.

Ne i shohim gjërat siç jemi ne.

“Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore.

Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë.

Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde.

Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush.

Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell.

“Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht.

“Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda.

“Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.”/ KultPlus.com

Një fotografe me sindromën Down hap ekspozitë në Nju Jork

Rachel Handlin është personifikim i asaj që është e mundur kur dikush ndjek ëndrrat e veta. Ajo mund të jetë personi i parë në planet me sindromën Down që diplomohet me një Master për Artet e Bukura. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Nelson, ajo gjithashtu hapi ekspozitën e saj të parë në Manhattan.

29-vjeçarja Rachel Handlin e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke mësuar. Pasi studioi fotografi në Institutin e Arteve të Kalifornisë, Rachel – e cila ka Sindromën Down – u diplomua me një master të arteve të bukura nga Instituti Pratt në Nju Jork. 

Ajo thotë se këto skulptura të vogla portretizojnë se si ajo ndjehet – e padukshme. 

“Njerëzit gjithmonë e pyesin nënën time si quhem dhe sa vjeç jam, gjë që e indinjon atë pa masë. Ata më injorojnë dhe kjo më bën të ndihem i padukshme, sepse kam sindromën Down”. 

Prindërit e saj, Jay dhe Laura Handlin, thonë se e zbuluan talentin e saj pasi i dhuruan një aparat fotografik.

“Kur i pamë fotot e saj u befasuam. Nuk ishim të sigurt si duhet të ishin fotot e një nxënëseje të klasës së 8-të, por të sajat kishin një këndvështrim të veçantë!”, thotë babai i saj, Jay. 

“Një mikja jonë fotografe, krijoi një portofol… Ajo tha se nuk duheshin më shumë se 10-12 imazhe, por përdori 60 sepse ishin shumë të bukura dhe nuk zgjidhte dot!”, thotë mamaja e Rachel, Laura. 

Laura Handlin thotë se rritja e një fëmije me sindromën Down mund të jetë izoluese. 

“…kur ajo [[Rachel]] ishte në shkollën tetëvjeçare dhe mua më duhej të rishkruaja tekstet shkollore për të zmadhuar gërmat, më përfshiu një ndjenjë vetmie…” 

Por Jay dhe Laura nuk janë të vetëm. Një ditë, ata hasën një postim në Facebook nga një prind tjetër i një fëmije me sindromën down. Ata po festonin diplomimin e fëmijës së tyre. Prindërit e Rachel-it i kontaktuan dhe filluan të krijojnë një komunitet prindërish të fëmijëve me sindromën down. 

“Jam i bindur se nuk i gjetëm dot të gjithë, por kemi bërë shumë kërkime”, thotë Jay. 

Dhe kjo çoi në një udhëtim të veçantë artistik prej pesë vjetësh: Peru, Australi, Angli, Spanjë… me synimin që Rachel të bënte portrete të bashkëmoshatarëve të saj, studentë universitarë me sindromën Down që janë bërë pastiçierë, kuzhinierë, aktorë dhe artistë. 

“Ajo dëshiron që njerëzit kudo që janë të shohin se çfarë është e mundur. Dhe kur një fëmijë lind, prindërit e tyre që kërkojnë më shumë për ta të mund të thonë: ‘E di, e di që ka gjithë ata njerëz të talentuar!’ 

Laurie McIntosh vizitoi ekspozitën e Rachel-it. 

“Për dikë si vajza ime që gjithashtu ka sindromën Down, është një frymëzim i jashtëzakonshëm! Ajo është gjithashtu tip artistik me interesa të shumta!”, thotë Laura. 

Një person me sindromën Down që Rachel do të donte ta fotografonte personalisht është historiani Bohdan Kravchuk, por ai është nga rajoni Lutsk i Ukrainës dhe për momentin është shumë e rrezikshme të udhëtosh atje./VOA/ KultPlus.com

Berberi: Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, formim dhe ruajtje e identitetit kombëtar

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka përcjellë sot episodin e radhës të podkastit EduLab, që i kushtohet mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë.

Protagoniste të këtij episodi janë Anila Berberi, mësuese në shkollën “Skanderbeg” (Parma) një nga shkollat e para të hapura në Itali, si dhe mësuesja Silvana Dogani. Po kështu, të ftuara janë dhe dy vajza shqiptare, Sindi dhe Stefani, që jetojnë në Itali, ndërkohë që ndjekin edhe mësimet e gjuhës shqipe.

Në këtë podkast, mësuesit dhe nxënëset folën për pëvojat dhe sfidat e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat shqipe në Itali, ndërsa sipas mësueses Berberi, “mësimi i gjuhës shqipe ndihmon në formimin dhe krijimin e identitetit kombëtar”.

Silvana, një tjetër mësuese me përvojë më të hershme në mësimdhënie, ndërsa ajo thotë se, “shkolla e parë e gjuhës shqipe në Itali është hapur në vitin 1999 në Orsonja. Më është dhënë mundësia që të hap një tjetër shkollë në Ortona, Tolo dhe Peskara”.

“Programi i shkollës verore që u bë këtë vit në Shqipëri, programi “Jam shqiptar”, juve keni pasur mundësi të frekuentoni shkollat dhe të përmirësoni shqipen tuaj. Në shkollën time, në orën e parë ne përdorim teksin unik që është përgatitur nga Ministria e Arsimit shqiptar në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe në orën e dytë bëjmë laboratorë me tema didaktike. Kemi pasur edhe tekstin e nivelit të dytë, për moshat më të rritura si Sindi dhe Stefi”, shprehet Berberi.

Dy mësueset shqiptare, theksuan gjithashtu se trajnimet janë një pjesë e zhvillimit të mësimdhënies së tyre.

“Një herë në vit ne mblidhemi në seminare, shkëmbejmë përvoja dhe eksperienca nga mësuesit jashtë Italisë. Të gjitha këto shërbejnë për rritjen profesionale tonën që të bëhemi më profesioniste në mësimdhënien e gjuhës shqipe”, u shprehën ato./ KultPlus.com

“Klithma e Heshtur” – arti që bashkon shqiptarët përtej kufijve

Galeria “Oda” në Shkodër hapi ekspozitën e parë të vitit, një ngjarje që solli në qendër të vëmendjes artin e dy krijuesve shqiptarë nga rajone të ndryshme. “Klithma e Heshtur” është një ndërthurje mes pikturës dhe skulpturës, ku artistët Kaltrina Hoti nga Plava e Malit të Zi dhe Fatlon Ibishi nga Maqedonia e Veriut sjellin përmes veprave të tyre një reflektim të thellë mbi shqetësimet emocionale dhe përjetimet e brendshme.

Për Kaltrinën, kjo është hera e parë që ekspozon në Shkodër, duke e prezantuar artin e saj si një thirrje të brendshme që merr formë përmes pikturës. Ndërsa për skulptorin Fatlon Ibishi, i cili rikthehet për herë të dytë në këtë hapësirë ekspozuese, skulptura është një dëshmi e emocioneve të tij më të thella, një formë arti që prek dhe komunikon me audiencën përmes formave të gdhendura në materie.

Kjo ekspozitë shënon një moment të rëndësishëm për artin shqiptar, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët krijues nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Përtej kufijve gjeografikë, arti mbetet një urë lidhëse që flet një gjuhë të vetme – atë të ndjesive universale dhe të përbashkëta.

Galeria “Oda”, e drejtuar nga galeristja Rozafa Shpuza, prej pesë vitesh mirëpret artistë nga mbarë bota, duke e kthyer Shkodrën në një qendër të rëndësishme për artin bashkëkohor. Ekspozita “Klithma e Heshtur” tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, duke dëshmuar edhe një herë se arti nuk njeh kufij, por vetëm ndjenja dhe mesazhe që mbeten të përjetshme./ KultPlus.com

Zelenskiy: I gatshëm të jap dorëheqjen, nëse kjo do të thoshte paqe për Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti i tij nëse kjo do të thoshte paqe në Ukrainë dhe shtoi se ai do ta shkëmbente largimin e tij nga detyra me hyrjen e Ukrainës në NATO.

“Nëse një gjë e tillë (kjo do të thoshte) paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që çshtë e nevojshme që unë të largohem nga posti, unë jam gati,” tha zoti Zelenskiy kur u pyet gjatë një konference për shtyp a do të ishte gati të largohej nga posti nëse kjo do të thoshte një arritje e paqes.

“Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht, menjëherë”, shtoi presidenti.

Presidenti amerikan Donald Trump, ka këmbëngulur që në Ukrainë të zhvillohen zgjedhjet, duke e quajtur zotin Zelenskiy një “diktator”, mesa duket një referencë ndaj faktit që mandati zyrtar pesëvjeçar i udhëheqësit ukrainas përfundoi zyrtarisht në vitin 2024.

Kritikat e zoti Trump ndaj zotit Zelenskiy erdhën mes një përkeqësimi të ndjeshëm të marrëdhënieve mes dy udhëheqësve javët e fundit.

Presidenti Zelenskiy ka kundërshtuar idenë e zgjedhjeve mes një lufte në shkallë të gjerë, një pozicion i mbështetur nga kundërshtarët e tij kryesorë politikë të brendshëm.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se donte ta shihte Trumpin si një partner të Ukrainës më shumë sesa një ndërmjetës midis Kievit dhe Moskës.

“Unë vërtetëdua që të jetë më shumë se vetëm ndërmjetësim… kjo nuk mjafton,” tha ai në një konferencë shtypi në Kiev./VOA/ KultPlus.com

Leo Tolstoy: Sheshi shëndriste nga ajo, buzëqeshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth

Fragment nga “Anna Karenina”, Leo Tolstoy. 

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buzëqeshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/ KultPlus.com

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe mbyll vizitën në Tiranë

Kryeministri Rama mikpriti sot në Tiranë, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë si President i EBA, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.

Presidenti i EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan u nderua në një ceremoni mirëseardhjeje në Pallatin e Brigadave dhe më pas të dy personalitetet zhvilluan një takim kokë më kokë.

Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, konkretisht:

– Marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST, që u shkëmbyen mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.

– Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, të shkëmbyera mes Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd” Sulltan Al Jaber.

Marrëveshjet u shkëmbyen në një ceremoni të posaçme në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Ai u shoqërua drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 18:00 nga kryeministri Rama./ KultPlus.com

“Vojçeku” – Njeriu mes Fatit dhe Lirisë erdhi premierë në Gjakovë

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në Gjakovë u shfaq premiera e dramës “Vojçeku” në regji të Zana Hoxhës.

“Adaptimi i Jack Thorne dhe një regji fantastike nga Zana Hoxha e sjellin këtë dilemë në një kontekst modern, duke dëshmuar se sfidat e Vojçekut nuk i përkasin vetëm një epoke të largët, por janë universale”, thuhet në postimin e Halimit.

Ajo e cilëson shfaqjen si një sfidë që ndihmon në reflektimin mbi përgjegjësinë kolektive ndaj individëve të shtypur dhe mbi mënyrën se si shoqëria formëson fatin e tyre.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Në këtë interpretim skenik të fatit njerëzor, personazhi kryesor, Vojçeku, shfaqet si një reflektim i fuqishëm mbi ekzistencën dhe shtypjen e njeriut nga rrethanat, duke ngritur pyetjen thelbësore: A është njeriu i lirë, apo i robëruar nga fati dhe e kaluara e tij?

Në dramën “Vojçeku”, fëmijëria e protagonistit nuk eksplorohet drejtpërdrejt, por prania e një djali të vogël në skenë si personifikim i kujtesës së tij thekson peshën e së kaluarës në formësimin e tragjedisë së tij.

Ky element skenik krijon një lidhje të fuqishme mes kujtesës dhe fatit, duke thelluar kuptimin e rrënjëve të vuajtjes së Vojçekut.

I shtypur në fëmijërinë e tij, Vojçeku na kujton thënien e Friedrich Nietzsche “Ai që lufton me përbindësha duhet të kujdeset që të mos bëhet vetë një përbindësh.”

Tragjedia e tij nuk është një ngjarje e rastësishme, por një vazhdimësi e pashmangshme, ku ai, i shtyrë nga dhuna dhe padrejtësia, shkatërron gjithçka përreth vetes.

Vojçeku paraqitet si një individ i thyer, i shtypur nga varfëria dhe padrejtësia sociale. Ai nuk është në gjendje të ngrihet mbi rrethanat e tij, duke sugjeruar se jeta e tij ka qenë e dënuar që në fillesë. Nga një këndvështrim psikologjik dhe filozofik, fëmijëria e tij mund të shihet si një periudhë ku ai mësohet me nënshtrimin dhe me mungesën e fuqisë për të ndryshuar fatin e tij. Mungesa e një baze të fortë emocionale e bën atë të pambrojtur ndaj shfrytëzimit, duke e çuar drejt shkatërrimit.

Në këtë mënyrë, fëmijëria e Vojçekut nuk është thjesht një e kaluar e errët, por një fillim i pashmangshëm i tragjedisë që ai jeton. Përmes syve të tij shohim një individ të luhatur mes instinktit dhe moralit, mes arsyes dhe çmendurisë. Drama e tij mishëron idetë ekzistencialiste, ku njeriu përballet me absurditetin e jetës dhe kufizimet e jashtme që formësojnë fatin e tij. Ai nuk është vetëm një viktimë e fatkeqësisë, por një simbol i pashmangshmërisë së vuajtjes që përcakton ekzistencën njerëzore.

Adaptimi i Jack Thorne dhe një regji fantastike nga Zana Hoxha e sjellin këtë dilemë në një kontekst modern, duke dëshmuar se sfidat e Vojçekut nuk i përkasin vetëm një epoke të largët, por janë universale.

Në një shoqëri ku individi shpesh ndihet i papërfillshëm përballë forcave të mëdha sociale, Vojçeku bëhet një pasqyrë e realitetit tonë, duke na bërë të reflektojmë mbi kufijtë e lirisë sonë dhe mbi peshën e ekzistencës.

Kjo shfaqje nuk është thjesht një rrëfim tragjik, por një ftesë për të menduar mbi njeriun – mbi atë që e shkatërron dhe mbi shpresën e heshtur për një realitet ndryshe.

Në thelbin e saj, tragjedia e Vojçekut është historia e një njeriu të shfrytëzuar në të gjitha aspektet – ekonomikisht, psikologjikisht, moralisht dhe emocionalisht. Ai është viktimë e një shoqërie që e përdor dhe e flak tutje kur nuk i nevojitet më.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se, pasi është shkatërruar nga të gjitha këto forma shtypjeje, shoqëria e gjykon si përbindësh. Ai nuk shihet si një njeri që ka vuajtur, por si një kriminel që duhet të përballet me pasojat. Viktima kthehet në fajtor – një fenomen që nuk gjendet vetëm te Vojçeku, por edhe në realitetin tonë.

Në një kuptim më të gjerë filozofik, Vojçeku nuk është vetëm një individ, por një simbol i të gjithë atyre që shtypen nga një sistem i padrejtë. Ai është një dëshmi se si shoqëria mund të shfrytëzojë një njeri deri në pikën kur ai nuk ka më asgjë për të humbur – dhe më pas ta gjykojë për dëshpërimin e tij.

A është Vojçeku një viktimë, apo një pasqyrë e shoqërisë që e krijoi? Kjo dilemë vazhdon të mbetet e hapur, duke na sfiduar të reflektojmë mbi përgjegjësinë kolektive ndaj individëve të shtypur dhe mbi mënyrën se si shoqëria formëson fatin e tyre./ KultPlus.com

Burimësitë etike të të menduarit filozofik sipas Karl Jaspers

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.


Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists / KultPlus.com

Përfundojnë Karnavalet e Shkodrës, qindra qytetarë të pranishëm në djegien e dordolecit në qendër të qytetit

Spektakli i veçantë i karnavaleve në Shkodër ka kulmuar sot me djegien e figurës së dordolecit, që shenjon edhe mbylljen e paradës disaditore të kostumeve, maskave dhe spektaklit shumëngjyrësh që ka nisur prej datës 17 shkurt në këtë qytet.

Për herë të parë, parada e karrove dhe dritave krijoi një atmosferë magjike për shkodranët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria duke sjellë një atmosferë festive dhe plot argëtim.

Ditën e sotme, festa e Karnavaleve ka nisur që herët në mëngjes në rrugët e Shkodrës, ndërsa të pranishëm kanë qenë jo vetëm qytetarë të këtij qyteti, por edhe pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqipfolëse. Pas parakalimit të paradës së personazheve artistikë, muzika, festa dhe spektakli u përmbyllën me djegien e dordolecit të pozicionuar në qendër të qytetit të Shkodrës.

Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga festa e Karnavaleve, duke shkruar: “Shkodra në festën e karnavaleve magjike”.

Atmosfera festive e karnavaleve ka nisur më 17 shkurt me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit.

Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike i shoqëruan banorët e Shkodrës por edhe turistët e ardhur nga qytetet e tjera apo edhe nga jashtë, përgjatë shtatë ditëve (17-23 shkurt), duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/ KultPlus.com

Në Gjirokastër jepet shfaqja ‘Nga pafajësia në pafajësi’

Në një fundjavë kulturore që ka sjellë një frymë të re artistike në qytetin e gurtë, artdashësit u përballën me shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi”, një event i cili ndërthur në mënyrë harmonike elemente të imazhit, baletit modern, teatrit dhe muzikës.

Kjo vepër artistike, që trajton emigrimin si metaforë të largimit nga vendlindja, synon të hapë dyert e mendimit dhe të ngjallë emocione thelbësore në audiencë.

Në sinkron me emocionet e shfaqjes, balerini Julian Bulku vuri në pah vlerat njerëzore që shpalosin gjithë spektrin e jetës – nga lindja deri në momentin kur një njeri ndjen se ka forcën të vazhdojë përpara dhe të ndajë këtë forcë me të tjerët. Ai theksoi se, në një kohë kur shpërndarja e vështirësive dhe e buzëqeshjes mbetet e kufizuar, arti mund të bëhet një dritare e hapur drejt reflektimit personal dhe kolektiv.

Autorja Klejda Vaso, e përshkroi shfaqjen si “një thirrje për të menduar”. Ajo vë në pah se shqiptarët, të cilët shpesh kanë qenë të angazhuar në përpjekje për përmirësim material, nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë për të reflektuar mbi çështje ekzistenciale. Kjo vepër, ndërthurur me vlera artistike dhe kombëtare, fton audiencën të mendojë për jetën, për sfidat e lindjes, vdekjes dhe emigrimit.

Interesi për shfaqjen “Nga pafajësia në pafajësi” nuk është kufizuar vetëm në territorin kombëtar. Baleri Julian Bulku theksoi krenarinë e tij që shfaqja ka udhëtuar deri në Florida dhe ka qenë pjesë e festivaleve ndërkombëtare, ku publiku, megjithëse i huaj, ka kapur thelbin e gjuhës shqipe dhe dhimbjen personale të jetës që përcillet në këtë performancë.

Fundjavat në Gjirokastër janë mbushur me aktivitete kulturore që gjallërojnë qytetin në stinën e dimrit.
Shfaqja “Nga pafajësia në pafajësi” tregon se arti mund të jetë një udhërrëfyes në përballimin e sfidave të jetës dhe një mjet për të ndarë mesazhe të thella, duke reflektuar jo vetëm historitë personale, por edhe ato kolektive që formojnë shoqërinë./ balkanweb/ KultPlus.com

Baleti ‘La Stravaganza’ i Angelin Preljocajt, rikthehet nesër në TKOB

Rikthehet nesër në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit shfaqja “La Stravaganza”.

“La Stravaganza” është një balet i krijuar në vitin 1997 nga koreografi i njohur me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj. Ky balet trajton temën e përplasjes midis kulturave të shekullit të 17-të dhe asaj moderne, duke eksploruar konceptet e emigracionit dhe ndërveprimit midis së kaluarës dhe së tashmes.

Muzika përfshin vepra të Antonio Vivaldit, i cili shkroi në shekullin e 18-të një grup koncertesh me të njëjtin titull, “La Stravaganza”, si dhe kompozime elektronike nga artistë bashkëkohorë si Evelyn Ficarra, Robert Normandeau dhe Åke Parmerud.

Preljocaj krijoi “La Stravaganza” për New York City Ballet si pjesë e projektit “Diamond Project III”, me premierën më 22 maj 1997. Që atëherë, baleti është interpretuar nga trupa të ndryshme në mbarë botën.

Premiera në Shqipëri u mbajt në maj të vitit 2014 për t’u rivënë disa herë në vitet pasardhëse.

Tanimë baleti rikthehet sërish në datat 24-25-27 shkurt, ora 19:00.

Të interesuarit mund t’i marrin biletat pranë biletarisë së TKOBAP-së, sipas orarit:

  • 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00
  • Ditën e shfaqjes: 10:00-14:00 dhe 16:00-18:10

U shpall fitues i Sanremo-s 2025 për të përfaqësuar Italinë, këngëtari njofton tërheqjen e tij nga Eurovisoni

Fituesi i Sanremo-s 2025, Olly ka hequr dorë nga përfaqësimi i tij për shtetin italian në Eurovision, e cila do të mbahet në Bazel.

Njoftimin e ka bërë të ditur vetë ai në rrjetin e tij social “Instagram”, duke shprehur se ka vendosur të heqi dorë nga mundësia për të marrë pjesë në Eurovision.

Gjithashtu, ai ka shkruar se ky vendim është mënyra e tij për të dëgjuar veten, duke uruar fat atyre që do e zëvëndësojnë, ndërsa njofton koncertet e tij nëpër botë.

Sakaq, RAI i ka shprehur mirënjohje këngëtarit për kontributin e dhënë në edicionin e 75-të të Festivalit di Sanremo dhe i ka uruar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.

Reagimi i plotë:

Kam vendosur të heq dorë nga mundësia për të marrë pjesë në Eurovision, me vetëdijen se është një nga ato gjëra që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë. Falenderoj ata që më votuan dhe më dhanë mundësinë të kem këtë privilegj: Shpresoj t’ju shoh së shpejti në një nga koncertet e mia për t’ju kthyer gjithë dashurinë që marr këto ditë.

Për mua, ky vendim është mënyra ime për të dëgjuar veten dhe ndoshta edhe mënyra ime e shtrembër për të thënë faleminderit. Disa do të thonë se po heq dorë nga një ëndërr, mirëpo mendoj se thjesht kam zgjedhur ta jetoj atë në kohën time.

I uroj një fat të madh kujtdo që zë vendin tim: muzika në Itali është plot me artistë të mrekullueshëm dhe kasti i këtij viti është prova më e sinqertë e kësaj. Gjithmonë besoni! Diçka po ndryshon dhe është e qartë për të gjithë.

Ju përqafoj dhe shihemi në turne, Federico.