13 Qershor, 2019 - 1:00 pm
Artisti Ali Sinani do të prezantohet me ekspozitë në Keller Galeri të Cyrihut, shkruan KultPlus.
Vetë Ali Sinani ka treguar për KultPlus se kjo ekspozitë do të hapet sonte dhe do të rri e hapur deri më 30 të këtij muaji.
Ai ka shpjeguar se kjo ekspozitë vjen pas pjesëmarrjes së Ali Sinanit në ekspozitën ndërkombëtare të Francës “Carousel du Luvre”.
Ali Sinani ka treguar se në këtë ekspozitë do të prezantohet me 15 piktura në vaj në pëlhurë, të realizuara viteve të fundit të titulluar “Gjurmët e një biografie”.
“I kam titulluar punimet e mia edhe atë në një rend tematik dhe procedural:gjurmët,tradita,nostalgjia,ndarja,sekretet,shpresa, të cilat i shoh si stacione të biografisë sime”, ka thënë Sinani.
“Lehtë të dekodueshme dhe të përdorshme për përshkrimin e biografisë së çdo krijuesi të suksesshëm. I vetëdijesuar për gjurmët e talentit, ku gjatë kërkimit të idoleve zbuloj ekzistuesen, atë kapital të konservuar në traditë dhe e studioj atë. I shtyrë nga një nostalgji për epokat e shkuara, përpiqem që deri në maksimum të imitoj mjeshtërinë time ku edhe ia dal me sukses. I pakënaqur ndahem nga idolët e mi, ku vazhdoj të gjurmoj brenda vetes forma të tjera. Ndeshem me një kufi të zjarrtë, prej ku nis territori i një labirinti sekret dhe enigmatik”, ka thënë Sinani në lidhje me këtë ekspozitë që do të hapet sonte. /KultPlus.com