4 Dhjetor, 2019 - 9:07 pm
Në kuadër të serisë koncertale të Foajeut Europian në Luksemburg u paraqit për herë të parë ansambli i mirënjohur nga Kosova “CELEBRE”.
I përbërë nga performues të dëshmuar vendorë: Lule Elezi – piano, Antonio Gashi- violonçelë, Venera Mehmetagaj Kajtazi- flaut dhe Shkumbin Bajraktari – klarinetë, profesorë universitarë dhe lider institucionesh kulturore, ky ansambël që nga formimi i tij (2011) për mision ka promovimin e krijimtarisë së muzikes klasike shqiptare me fokus të veçantë veprat kamerale.
Krahas qyteteve të ndryshme në Kosovë, ansambli është paraqitur edhe jashtë vendit deri në Austri (Vjenë) me koncerte të cilat rezultuan të kenë një sukses të madh. Në bashkëpunim me muzikologen Rreze Kryeziu Breznica e cila para publikut luksemburgas prezantoi momente karakteristike të muzikës artistike në Kosovë (nga fillet dhe fazat e ndryshme nëpër të cilat kaloi ajo) me theks e fokus të vecantë në zhvillimin e vazhdueshëm të saj, artistët u pritën me shumë entuziazëm ku me një program të zgjedhur me vepra të autorëve vendorë dhe atyre botërorë, përçuan atmosferë e cila depërtoi tek publiku në mënyrë të plotë.
Identifikimi i opusit të pasur artistik të kompozitorëve shqiptarë ishte qëllimi kryesor i ansamblit me anë të krijimtarisë të kompozitorëve shqiptarë si R. Mulliqi, R.Rudi, Th. Simaku, R. Dhomi, T. Daija si pasqyrë e denjë e rrethanave historike të vendit tonë por edhe posedim i laramanive shprehëse muzikore të tyre.
Artistët kosovarë vazhdojnë të jenë të izoluar në kultivimin, prezantimin e promovimin e artit të tyre në këtë rast interpretues e krijues jashtë Kosovës, në Europë e më gjërë dhe në këtë mënyrë ‘Celebre’ për qëllim vazhdon t’a ketë realizimin e aktivitetit interpretues jashtë vendit, të promovojnë muzikën artistike dhe pse jo edhe profesionin të cilin ata ushtrojnë.
Kjo do të ndihmonte shumë edhe në ngritjen e cilësisë dhe nivelit artistik të jetës muzikore në Kosovë e gjithashtu edhe të interpretuesve të saj. / KultPlus.com