29 Mars, 2018 - 5:36 pm
Brendi i aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York, pas më shumë së tri viteve punë ka sjellë për klientët e tyre Helmetën e Skënderbeut.
Sipas njoftimit që ka bërë brendi, helmeta e Gjergj Kastriot Skënderbeut është një përfaqësim artistik i përkrenares origjinale të Skënderbeut të ruajtur në Vjenë, në muzeun Kunsthistorisches.
“Përkrenarja jonë është rindërtuar dhe përshtatur për t’u mbajtur nga të rriturit gjatë festimeve të ndryshme si dhe nëpër ngjarje festive, tubime familjare apo nëpër ngjarje sportive, kur brohorasim për ekipin tonë kombëtar ose thjesht si zbukurim arti”, kanë njoftuar nga brendi.
Fabrikuar me plastikë të ngjyrosur me ngjyra prej ari, çeliku dhe bakri, përkrenarja ka shenja të ngjashme me një përkrenare mesjetare, shkruan KultPlus.
Orges Kokoshari, themelues i brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazën me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë që shiten online.
Online në internet do të shitet tashmë edhe Helmeta e Skënderbeut e cila ka një çmim prej 300 dollarësh dhe sasia e saj është e limituar. Për më shumë mund të shihni në faqen zyrtare të brendit “Gheg & Tosk”.
“Qëllimi kryesor është që helmeta të jetë aty për të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, duke dashur kësisoj edhe ta sjellim kulturën dhe vlerat shqiptare më afër Evropës” tregojnë nga brendi. / KulPlus.com