8 Dhjetor, 2020 - 9:35 pm
Ish konsulli i nderit në Torino Artan Doda ka folur mbi vështirësitë e emigrimit për të arritur pas 29 vitesh atje ku është sot, një sipërmarrës në qytetin italian.
“Historia ime nis pak a shumë si e shumë bashkëkombësve të mi në vitet ’90. Unë u largova nga Shqipëria nga Shëngjini, me një peshkarexhë. Isha vetëm 20 vjeç. Pastaj gjeta një punë këtu në një ndërmarrje që bën pak a shumë të njëjtin profil të firmës sime sot, dhe në ’96 hapa firmën time”, ka rrëfyer Doda i cili aktualisht ka një sipërmarrje që merret me veshjen me resinë të dyshemeve industriale.
Gjatë karrierës së tij ai arriti të mbante për 5 vite detyrën e konsullit të Nderit në Torino nga viti 2012 deri në vitin 2017. Por hoqi dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar biznesit të tij.
“Siç lindin shumë gjëra në Shqipëri, nga disa biseda rastësore mes autoriteteve të MPJ. Por të them të drejtën iu dedikova për ato vjet kësaj detyre prestigjioze por u detyrova t’i kthehem biznesit. Kërkonte impenjim dhe energji. Ishte më e nevojshme kjo për mua”, thotë ai.
Shqipëria nuk i mungon pasi vjen shpesh të vizitojë vendin e tij. Ashtu si ai në Torino ka dhe shumë shqiptarë të tjerë me histori suksesi.
“Në Torino komuniteti shqiptar është i përbërë nga rreth 10 mijë shqiptarë. Nga këto 10 mijë le të themi që rreth 30% e tyre kanë numër NIPTI, pra që punojnë privat. Shumë shqiptarë ka shumë shembuj që e kanë nisur si puna ime nga punëtor i thjeshtë, ka shumë të tjerë që e kanë nisur nga pjata larës dhe sot kanë restorantin e tyre. Kanë nisur si barista në lokale dhe sot kanë baret e tyre. Dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha ai.
Artan Doda thotë se Torinon nuk e zgjodhi vete por i ra fati. “Unë nuk e kam patur fatin të zgjedh. Kur kemi ardhur këtu më 7 mars të 1991 ishim 20 mijë vetë, na kanë shpërndarë me tufa në të gjithë Italinë dhe unë qëlloi fati të jem në Torino, është një qytet shumë i jetueshëm dhe që ka qenë gjithmonë protagonist në historinë e Italisë”, vijoi ai./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com