20 Shkurt, 2020 - 1:25 pm
Aneta Mihali Xhiku
Pas 20 vjet emigrimi, diç kam mësuar për dhimbjet e shpirtit nga vetmia dhe çrrënjosja. Shqiptarët ëndërrojnë Amerikën, pa ditur çmimin emocional, shëndetsor, familjar, profesional e shoqëror që duhet paguar për komoditetin ekonomik.
Në 4-5 vjet, pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë blejnë shtëpi e makina, fëmijët mësojnë në shkolla të mira ku ambicja e trashëguar nga prindët, dalë nga një vend pa mundësi, i nxjerr në krye të klasës.
Nëse ke qenë profesionist në Shqipëri, synon të arrish të paktën në po atë nivel, por kjo kërkon përpjekje titanike që shpejt kthehen në stres. Mundësite të joshin të punosh më shumë, hyn në borxh që të blesh me të mirën, por e mira s’ka fund, dhe njeriu e gjen veten në qerthull ku harron të ushqejë shpirtin e vet.
Ardhur nga një vend ku si terapist shërben komshija, kushëriri, shoqja e punës apo e shkollës, emigranti shqiptar ndodhet në boshllëk – nuk gjen njeri të zbrazet, nuk gjen njeri ta mbushë.
Dhimbjet e shpirtit kthehen në sëmundje, stresi paralizon muskujt, shkatërron trupin, fillojnë ilaçet që ndreqin një gjë e prishin dy, por ti vazhdon të vraposh, derisa ngec e jeta merr tatëpjetë…
Familjen e kisha aty me rrënjë e degë, por më mungonte shoqëria, gjuha e folur në rrugë, peisazhi. Nënvetëdija kish shtresëzuar nevojën për të parë malet, kodrat, lumin, por mungesa fatale qe Deti.
Ju ka ndodhur që, një herë në ca vjet, të shihni të njëjtën ëndërr makthi? Imja qe kjo: shkoja në Sarandë për dy javë, me qejfin që “do kënaqem në det!” Por vinte dita e fundit dhe s’kisha mundur të kridhesha as edhe një herë në ujë.
Nga ballkoni i motrës sime shihja një copëz blu, bluu, bluuu… “Obobo, nesër do iki!” Zgjohesha e tronditur, me faqe të lagura – kisha qarë në gjumë.
Mendjen e kisha të mbledhur, ndoshta, ndoshta kthehesha në Shqipëri pas pensionit. Fëmijët kishin dalë në jetë, qe koha ta merrnim shtruar e të gëzonim të mirat e punës në atë vend të begatë, por njeriu kurrë nuk e di si i vijnë kartërat në jetë.
Vendimin për t’u kthyer e mori im shoq. Erdha këmbëzvarrë e me kokën pas, por u befasova nga energjia, mundësitë e shumta për biznes, ngrohtësia e njerëzve këtu. “Erdhe, mirëseerdhe, sa do rrish?” “Përgjithmonë!”
Në fytyrë shfaqet mosbesimi, pastaj kënaqësia “kjo që rri, diçka di.” Pasi kalon entuziazmi i parë, zënë e fusin hundët në punët e tua, nisin ankesat pafund… ti bie në tokë e zë të ndjesh dëshpërimin e thellë të shoqërisë shqiptare.
“Ka marrë fund, nuk ka më shpresë këtu” – është refreni që dëgjoj përditë. Në qytetin tim ka mundësi të jashtëzakonshme, por të papunët nuk i shohin – rrinë në kafene dhe përsërisin: “ky vend nuk bëhet!”
S’i pengon askush të pastrojnë rrugicën para shtëpisë, të mbjellin lule e pemë midis pallateve, të lyejnë murin a shkallët, të punojnë apartamentet bosh të komshinjve që kanë ikur, të lidhen me fshatarët për të sjellë prodhimet e tyre në qytet, të organizojnë një kor apo një eskursion me fëmijët e mëhallës, të ndihmojnë dikë në hall, por jo – janë tepër të zënë me telenovelat, fejsbukun, filxhanin e kafesë nën shtëllungat e duhanit…
Në Sarandë vijnë të huaj me trumba, shesin shtëpitë në vendet e tyre dhe bum! blejnë apartamente e hapin biznese – kurse ne e kemi mendjen të ikim, të ikim një orë e më parë!
Në arrati shkërmoqim familjen, lëmë pas prindër që plaken të vetmuar, fëmijë që nuk ndjejnë përkëdheljen e gjyshërve, ëndërra profesionale të paarrira, e pëlhura e shpirtit dobësohet fill pas filli…
Nga një studim mbi faktorët që përcaktojnë jetëgjatësinë e njeriut, del se njëshi është komuniteti, jeta e rrugës; 2. familja dhe miqtë e ngushtë 7. duhani.
Emigranti ka 7 herë më shumë gjasa të vdesë nga vetmia, se sa nga pirja e duhanit. Keni dëgjuar ndonjë fushatë kunder emigracionit? Shihni filmin dokumentar “Babushkat e Çernobilit” (https://thebabushkasofchernobyl.com/) – pas katastrofës nukleare në Çernobil, banorët u shpërngulën përfare në Moskë. Zona u rrethua me tela, por disa të moshuar u kthyen fshehurazi në shtëpitë e tyre, ku zunë të jetonin me prodhimet e tokës që mbartte vdekjen.
Doli fjala e u nis një ekip (me kokë ne trastë) që të vëzhgonte se si ishte e mundur jeta në një vend të tillë. Studimi konkludoi se vdekshmëria e të moshuarve të shpërngulur në Moskë ishte 10 herë më e madhe se vdekshmëria e babushkave të kthyera në zonën e vdekjes. Punët e shpirtit….
Pas 20 muajsh këtu, jam e vetëdijshme për plagët e thella të shoqërisë shqiptare, e kuptoj sa e vështirë është të rrisësh fëmijë e të ngresh profesion në një vend ku qeveria punon vetëm për xhepin e vet, duke shkatërruar mundësitë për njeriun që ka nevojë e qejf të punojë.
Por bota ka ndryshuar: në perëndim emigrantet nuk i pret më njeri krahëhapur, vetë perëndimoret nuk po gjejnë rehat (miqtë e mi të rinj Shawn Simons and Kyle Drevlo shitën gjithshka kishin në Kaliforni dhe po ndërtojnë një fermë në Finiq; të shtunën pres Lucy Ivanoff që mbërrin në port vetëm me dy valixhe pasi shiti apartamentin në Washington D.C.; Natasha Wolf po i lan duart nga shtëpia në Long Island, ndërkaq që në mars e pret foleja e re në mëhallën time.)
Kemi fatin e madh të jetojmë në një vend me klimë, pasuri, ushqim, histori, inteligjencë emocionale etj, që i bën të huajt të mos mendohen dy herë e të ngulen këtu.
Shqipëria ka ecur përpara në disa drejtime, mbrapsht në disa të tjera, por teknologjia dhe media sociale na kanë hequr çdo justifikim për të humbur kohë.
Nëse bëjmë më të mirën që mundemi vetë, gjejmë e vlerësojmë më të zotët mes nesh dhe i nxjerrim në krye, mbështesim kurajon qytetare për t’u kërkuar llogari atyre që na udhëheqim, ndjej që shpresat janë reale.
Ditët i harxhoj me njerëz që thonë “këtu mund të bëjmë diçka” dhe, si dikush që i ka jetuar të dy realitetet, u them: “aty isha e kënaqur, këtu jam e lumtur.”
P.S: Njoh shumë emigrantë që nuk ndajnë të njëjtin mendim me mua dhe janë të lumtur në emigrim, por kjo është shkruar për ata që ndjehen si unë./mega